Gazeta Si – Nga përplasja e BE-së, në epokën e komisionerit Mario Monti kundër Microsoft-it, i akuzuar për abuzim me pozicionin dominues, një debat që nisi në vitin 1998 dhe përfundoi me gjobën e parë të madhe transatlantike në 2004-ën, kemi kaluar në një “luftë të ftohtë” të mirëfilltë për teknologjinë e lartë, të nisur nga SHBA-të kundër Brukselit.
Kjo është një ofensivë e përbërë nga tarifa ndëshkuese dhe tani edhe nga ndalimi i personazheve, mbi të gjithë ish-komisioneri Thierry Breton.
Ata akuzohen se janë mbrojtës të rregullave për mbrojtjen e përdoruesve digjitalë. Bëhet fjalë për ligjet – Digital Markets Act dhe Digital Service Act – të votuara vitin e kaluar me shumicë të madhe dhe të mbështetura nga të gjitha vendet e Bashkimit Europian.
Në epokën e Donald Trump-it dhe gjigantëve teknologjikë që e mbështesin atë, kemi kaluar papritur nga konfliktet mes Komisionit të BE-së dhe kompanive të Silicon Valley-t, te një sfidë e hapur nga qeveria amerikane. Kjo sfidë ka të bëjë me natyrën dhe kufijtë e lirisë së fjalës dhe sovranitetit digjital.
Europa, pasi hoqi dorë në korrik nga vendosja e një takse digjitale që nuk pëlqehej nga amerikanët për të shmangur tarifat e Trump-it, sot gjendet në një situatë të vështirë.
Qeveria e SHBA-ve po i trajton zyrtarët dhe politikanët europianë si të ishin oligarkë rusë nën sanksione. Kjo e ka detyruar BE-në të deklarojë përmes një zëdhënësi se “sovraniteti rregullator i BE-së nuk është i negociueshëm”.
A dëshiron vërtet Uashingtoni, pasi ka akuzuar demokracitë europiane se janë joliberale, të detyrojë Europën të tërheqë ligjet e saj? Dhe si u arrit deri këtu?
Nga përplasja Monti-Microsoft, te ligjet e BE që sfidoi Trump
Për më shumë se një çerek shekulli, tensionet mes Brukselit dhe gjigantëve të Big Tech-ut kanë qenë një dukuri e zakonshme, ku qeveria amerikane nuk ndërhynte shumë. Kjo ndodhte edhe sepse që në fillim, në vitin 1998, hetimi i BE-së ndoqi një padi të ngjashme kundër Microsoft-it nga vetë Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve.
Pas Microsoft-it, në dekadën e dytë të shekullit XXI, radha i erdhi gjigantit të ri të internetit, Google-it. Ai u dënua tri herë me gjoba miliarda dollarësh për sjellje kundër konkurrencës: sepse detyroi kompanitë telefonike të instalonin sistemin Android në telefonat e tyre; sepse favorizoi platformat e veta në shërbimet e blerjeve dhe sepse bllokoi reklamat e konkurrentëve për të favorizuar rrjetin e tij, AdSense.
Me rregulloren GDPR për mbrojtjen e të dhënave, të votuar në 2016, Europa bëri një hap cilësor. Jo më vetëm treg dhe konkurrencë, por edhe privatësi dhe mbrojtje e të dhënave të qytetarëve.
Ky sistem i ri i detyroi firmat e mëdha, pothuajse të gjitha amerikane, të rimendonin mënyrën se si mbledhin të dhënat e përdoruesve.
Me dy ligjet e reja të vitit 2024 (DMA dhe DSA) dhe gjobat e para për Apple-in (1.8 miliardë euro), Meta-n (797 milionë) dhe X-in (120 milionë), tensionet u kthyen papritur në një “zjarr” të madh.
Filozofi të ndryshme, tarifa dhe sulm ndaj sovranitetit të Europës
Reagimi shumë i ashpër amerikan mund të interpretohet në tri mënyra:
1.Shpërthimi i tensioneve që lidhen me ndryshimet mes SHBA-ve dhe Europës për mbrojtjen e qytetarëve dhe lirinë e bizneseve. Europa vendos në plan të parë liritë civile dhe mbrojtjen e konsumatorit, ndërsa SHBA-të synojnë dinamizmin e biznesit dhe sigurinë kombëtare. Administrata Trump-it i sheh rregullat europiane si barriera që godasin kompanitë amerikane.
2.Trump-i po përdor rregullat digjitale për të luajtur lojën e tij të preferuar, atë të tarifave doganore. Në korrik, Brukseli u tërhoq nga taksa digjitale për të ulur tarifat e larta që Trump-i donte të vendoste ndaj BE-së. Por Ministri i Tregtisë, Howard Lutnick-u, i ka kërkuar BE-së të rishikojë rregullat digjitale në favor të kompanive amerikane, duke premtuar në këmbim një qëndrim më të butë të Uashingtonit për tarifat.
3.Presidenca Trump-it, në mandatin e dytë, po bëhet autoritare brenda vendit dhe imperiale në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai po ushtron presion të vazhdueshëm mbi partnerët, jo vetëm ndaj BE-së, por edhe ndaj Britanisë së Madhe dhe Koresë së Jugut. Uashingtoni duket se preferon aleatë që i binden si “feudalë”.
Fjalët e ashpra të Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, i cili dikur shihej si fytyra e moderuar e lëvizjes së Trump-it, përforcojnë këtë dyshim.
Rubio i quan ligjet europiane si “ndërhyrje të tepërta nga censurues të huaj”. Për të, kontrolli i përmbajtjeve në rrjet për të bllokuar shpifjet dhe urrejtjen është thjesht censurë.
Por në Amerikën e Trumpt, Vance dhe Elon Musk, vlen vetëm linja radikale: “absolutizmi i lirisë së fjalës”. Nuk është rastësi që ky shpërthim i takon periudhës pas gjobës që BE-ja i vuri rrjetit X të Musk-ut.
Musk, njeriu që vlen 750 miliardë dollarë, u mjaftua me një kërkesë të shkurtër: shpërbërjen e Bashkimit Europian.
Burimi: “Corriere della Sera”
The post Si e nisën SHBA-të ‘luftën e ftohtë’ të ashpër kundër Europës në teknologji appeared first on Gazeta Si.