Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 December 2025Gazeta Si

Nga gjenerali te Dugina, vala e sulmeve kundër zyrtarëve dhe besnikëve të Putinit

23 December 2025 at 10:56

Gazeta Si – Gjeneral-lejtnant Fanil Sarvarov, i ekzekutuar në një sulm me bombë në makinë në Moskë, është figura e fundit e shquar ruse që është vrarë që kur shefi i Kremlinit, Vladimir Putin, urdhëroi një pushtim të plotë të Ukrainës në vitin 2022.

Nga Darya Dugina, te Yaroslav Moskalik, kjo është seria e gjatë e sulmeve të profilit të lartë për të cilat Moska fajëson shërbimet e inteligjencës ukrainase.

20 gusht 2022, Darya Dugina – Më 20 gusht 2022, Darya Dugina, vajza e Alexander Dugin – një ideolog pro-luftës dhe nacionalist i afërt me presidentin rus Putin – u vra nga një makinë-bombë në rajonin e Moskës.

Siç raportohej nga agjencia e lajmeve Tass, shpërthimi ndodhi ndaj një “një Toyota Land Cruiser Prado, pranë fshatit Velyki Vyazomy, në periferi të Moskës”.

Pas shpërthimit, sipas dëshmitarëve, makina u përmbys dhe rrëshqiti nga rruga. Trupi i djegur (dhe i karbonizuar) i viktimës u gjet nga ekipet e shpëtimit që mbërritën në vendngjarje.

Në videot që qarkullonin në internet në atë kohë, babai i saj, Dugin, u pa në dëshpërim, me duart në flokë, vetëm pak metra larg makinës që po digjej. Sipas burimeve të inteligjencës, objektivi i sulmit mund të ketë qenë vetë Dugin.

2 prill 2023, Vladen Tatarsky – Blogeri ushtarak rus pro-luftës, Vladen Tatarsky, u vra më 2 prill 2023 nga një bombë e fshehur në një statujë që ia kishte dhënë një grua në një kafene në Shën Petersburg.

E dyshuara, 26-vjeçarja Darya Trepova, u ndalua nga shërbimet ruse të sigurisë dhe më vonë u dënua me 27 vjet burg.

Mbi 30 persona u plagosën nga bomba. Ministria e Jashtme ruse i bëri homazh blogerit, duke sulmuar qeveritë perëndimore për dështimin për t’iu përgjigjur sulmit. Njerëz si Tatarsky “janë mbrojtës të së vërtetës”, ishte reagimi i zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova në Telegram.

11 korrik 2023, Stanislav Rzhitsky – Më 11 korrik 2023, oficeri ushtarak rus, Stanislav Rzhitsky, i cili kishte komanduar një nëndetëse në Detin e Zi dhe ishte në listën e zezë të Ukrainës të kriminelëve të dyshuar të luftës, u qëllua për vdekje, pasi kishte dalë për një vrapim në mëngjes në qytetin jugor të Krasnodarit.

Ai besohej të ishte përgjegjës për lëshimin e raketës që vrau 27 persona në një sulm në Vinnitiya, Ukrainë, një vit më parë. Disa media të Kievit spekuluan se oficeri u qëllua në një sulm hakmarrjeje.

6 dhjetor 2023, Illia Kyva – Ish-deputeti ukrainas, Illia Kyva, i konsideruar tradhtar nga Kievi, u qëllua për vdekje pranë Moskës më 6 dhjetor 2023.

Kyva ishte shkarkuar nga posti i tij në Rada, parlamentin ukrainas, disa muaj më parë, në mars. Ai gjithmonë kishte mbështetur të ashtuquajturin “operacion ushtarak special rus” në Ukrainë dhe kishte kritikuar udhëheqjen në Kiev.

4 tetor 2024, Andrei Korotkiy – Një punonjës i centralit bërthamor Zaporizhia të kontrolluar nga Rusia, Andrei Korotkiy, vritet në një sulm me bombë në makinë.

Inteligjenca ushtarake ukrainase e quan atë “bashkëpunëtor” dhe “kriminel lufte”. Sipas Kievit, Korotkiy “bashkëpunoi me Moskën” duke ndarë informacione të ndjeshme.

13 nëntor 2024, Valery Trankovsky – Një bombë e vendosur nën një makinë vret një ushtar rus në Sevastopol, në Krimenë e aneksuar nga Rusia.

Një burim sigurie ukrainase e identifikoi atë si Valery Trankovsky, një kapiten i marinës ruse, të cilin Kievi e ka akuzuar për krime lufte për urdhërimin e sulmeve me raketa kundër objektivave civile.

17 dhjetor 2024, Igor Kirillov – Gjeneral-lejtnant Igor Kirillov, kreu i forcave të mbrojtjes bërthamore, biologjike dhe kimike të Rusisë, vritet së bashku me ndihmësin e tij jashtë një pallati në Moskë kur shpërthen një bombë e fshehur në një skuter elektrik.

Në prag të vrasjes së tij, SBU-ja ukrainase njoftoi se Kirillov ishte thirrur në mungesë në një gjyq penal për “përdorimin masiv” të armëve kimike të ndaluara në frontet lindore dhe jugore të vendit të pushtuar.

25 prill 2025, Yaroslav Moskalik – Gjeneral-lejtnant, Yaroslav Moskalik vritet nga një bombë në makinë pranë Moskës.

Moskalik ishte zëvendëskryetar i Drejtorisë Kryesore të Operacioneve të Shtabit të Përgjithshëm. Rusia arrestoi Ignat Kuzin, një vendas i rajonit Sumy, për sulmin; FSB beson se ai është një agjent i shërbimeve speciale ukrainase.

Përshtati: Gazeta “Si”

The post Nga gjenerali te Dugina, vala e sulmeve kundër zyrtarëve dhe besnikëve të Putinit appeared first on Gazeta Si.

Zelensky: Presim sulme masive ruse këtë Krishtlindje

23 December 2025 at 10:36

Nga Gazeta ‘Si’– Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se Rusia mund të ndërmarrë sulme masive kundër Ukrainës gjatë periudhës së Krishtlindjeve.

Deklarata u bë gjatë një takimi me diplomatë, raportoi RBC Ukrainë.

Sipas Zelenskyt, sinjalet që vijnë nga Moska përbëjnë një përpjekje për frikësim, ndaj së cilës Ukraina do të përgjigjet duke rritur kapacitetet e saj të inteligjencës dhe duke forcuar mbrojtjen ajrore.

Presidenti Zelensky theksoi se autoritetet ukrainase po marrin masa për të mbrojtur popullsinë dhe infrastrukturën kritike, ndërsa u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë të vazhdojnë mbështetjen për sigurinë e vendit.

The post Zelensky: Presim sulme masive ruse këtë Krishtlindje appeared first on Gazeta Si.

Debate në mbledhjen e ‘Etikës’ ku shqyrtohet kërkesa e PS për përjashtimin e deputëteve të PD

23 December 2025 at 10:25

Nga Gazeta ‘Si’- Sekretariati i Etikës është mbledhur për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Socialiste për përjashtimin e 29 deputetëve të opozitës, pas incidenteve të rënda të ndodhura gjatë dhe në nisje të seancës plenare të 18 dhjetorit 2025.

Mbledhja ka nisur me tensione. Deputët e PD kërkojnë që mbledhja të jetë e hapur për mediat.

“Ta shohin të gjithë qytetarët për çfarë jemi mbledhur sot. Ku e keni transparencën?”, tha deputetja Albana Vokshi.

Ata janë shfaqur me disa pankarta në duar me foto të Ergys Agasit, kryeministrit Edi Rama në të cilat shkruhej: “ Kë të telefonojmë kur merr peng policia”, “Dorëheqje ose dorëzim” etj.

Ndërkohë që po tregohej videoja nga seanca kur u ndezën flakadanë, deputetja Albana Vokshi ka deklaruar se do të vijojë të bëjë një gjë të tillë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.

“Unë e kam ndezur dhe e ndez 100 herë derisa të ikë Edi Rama. Po po unë jam aty. Sillni këtu Niko Peleshin të më tregojë pse kishte sjellë Gardën. Nuk jemi këtu si në gjyq në kohën e sigurimit të Shtetit. Kemi kërkuar mbledhje me praninë e mediave. Të erdhi mesazhi nga Rama Ulsi? Çfarë të tha të bësh?”, tha Vokshi drejtuar Ulsi Manjës.

Sipas kërkesës së PS, seanca plenare u shoqërua me akte dhune, përfshirë hedhjen e lëndëve piroteknike dhe sendeve të forta në sallë, sulme ndaj Kryetarit të Kuvendit, anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe punonjësve të Gardës së Republikës, si dhe bllokimin e foltores dhe zhvillimit normal të punimeve parlamentare.

Grupi Parlamentar i PS thekson se, bazuar në pamjet filmike dhe provat e administruara, këto veprime përbëjnë shkelje të rënda të Rregullores së Kuvendit dhe Kodit të Sjelljes së Deputetit.

Kujtojmë se mbledhja e mëparshme u shty, pasi deputetët e opozitës kërkuan kohë për t’u njohur me provat e administruara ndaj tyre.

“Secili deputet që ka firmosur për pezullimin e mandatit për 60 ditë, 30 ditë apo 10 ditë duhet të tregohen të përgjegjshëm. Të tregohen të përgjegjshëm dhe të paraqesin fakte. Të mos vijnë këtu dhe të akuzojnë me terma të Sigurimit të Shtetit. Na quajnë grupazh, kur në fakt gjykata e ka treguar se grup i strukturuar kriminal është qeveria e Edi Ramës.

Këtu ju keni përfshirë deputetë që nuk kanë bërë asgjë në Kuvend, por keni dashur të fshini opozitën nga Kuvendi, sepse doni një Kuvend njëpartiak. Thojeni këtu: qëllim keni pasur pengesën tonë në Këshillin e Imuniteteve, prandaj edhe ua caktuat mbledhjen në orën 9”, tha Bardhi në mbledhje.

Deputetët për të cilët kërkohen masa disiplinore:

Përjashtim për 60 ditë nga seancat plenare dhe komisionet parlamentare:

1-Belind Këlliçi

2-Fidel Kreka

3-Albana Vokshi

4-Ledina Alolli

5-Denisa Vata (për futje dhe përdorim të lëndëve piroteknike në sallën e Kuvendit)

6-Klevis Balliu

7-Flamur Noka (për moszbatim të masave disiplinore, dëmtim të pajisjeve të Kuvendit dhe veprime të dhunshme ndaj Gardës së Republikës)

Përjashtim për 30 ditë nga seancat plenare dhe komisionet parlamentare:

1-Elda Hoti (për dëmtim të pajisjeve dhe mosrespektim të Kodit të Sjelljes)

2-Gazment Bardhi

3 Sali Berisha (për shkelje të përsëritura të rendit të seancës, përdorim të gjuhës joparlamentare dhe pengim të zhvillimit normal të punimeve parlamentare)

Përjashtim për 10 ditë nga seancat plenare dhe komisionet parlamentare:

1-Besart Xhaferri

2-Xhelal Mziu

3-Bledjon Nallbati

4-Luçiano Boçi

5-Saimir Korreshi (për pengim të zhvillimit të seancës dhe akte dhune)

6-Edi Paloka

7-Ina Zhupa

8-Klodiana Çapja

9-Oerd Bylykbashi

10-Enno Bozdo

11-Tomorr Alizoti

12-Ivi Kaso

13-Gent Strazimiri

14-Luan Baçi

15-Bledi Himçi

16-Greta Bardeli

17-Manjola Luku

18-Flamur Hoxha

19-Kliti Hoti

The post Debate në mbledhjen e ‘Etikës’ ku shqyrtohet kërkesa e PS për përjashtimin e deputëteve të PD appeared first on Gazeta Si.

Legalizuan kompleksin pa leje te Rana e Hedhun, Apeli ashpërson masat për 5 zyrtarë

23 December 2025 at 10:25

Gazeta Si – Gjykata e Apelit ka ashpërsuar masat e sigurisë të vendosura më herët nga Gjykata e Lezhës për disa prej personave të vënë nën akuzë në lidhje me ndërtimet pa leje dhe legalizimin e tyre në zonën e Ranës së Hedhur, në Shëngjin.

Për ish-drejtorin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Gentian Malotaj, si dhe për përgjegjësin dhe ish-përgjegjësin e legalizimeve, Artmir Maxhuni dhe Artur Shabaku, janë vendosur masat e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Ndërsa për inxhinierët Luiza Bala dhe Hekuran Xhina, Gjykata e Apelit ka ndryshuar vendimin e Gjykatës së Lezhës nga masat “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim për të dalë jashtë shtetit”, në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”.

The post Legalizuan kompleksin pa leje te Rana e Hedhun, Apeli ashpërson masat për 5 zyrtarë appeared first on Gazeta Si.

Konfindustria: Mos e miratoni Kodin e ri Penal! Cënon seriozisht biznesin

23 December 2025 at 10:20

Nga Gazeta ‘SI’- Konfederata e Industrive në vend, Konfindustria i ka bërë thirrje qeverisë të tërheqë Kodin e ri Penal, pasi cënon seriozisht klimën e investimeve dhe juridike në Shqipëri.

Në një deklaratë publike, Konfindustria thekson se ka një mungesë të plotë mbi ndikimin ekonomik dhe social të penalizimeve të reja, veçanërisht për personat juridikë.

Një nga shqetësimet kryesore lidhet me tendencën për të kriminalizuar shkelje që kanë natyrë administrative, si parregullsitë tatimore formale, mungesat dokumentare apo shkelje të brendshme në shoqëritë tregtare. Sipas përfaqësuesve të biznesit, këto raste duhet të trajtohen me masa administrative ose civile dhe jo përmes ndëshkimeve penale, të cilat rrisin presionin mbi aktivitetin ekonomik.

Konfindustria Albania kundërshton gjithashtu zgjerimin e përgjegjësisë penale për personat juridikë, duke argumentuar se drafti parashikon ndëshkime edhe për vepra që nuk lidhen logjikisht me natyrën e subjekteve tregtare. Një qasje e tillë, sipas saj, bie ndesh me praktikat e vendeve të Bashkimit Evropian, ku përgjegjësia penale e bizneseve kufizohet në fusha specifike si korrupsioni, krimi i organizuar apo shkeljet mjedisore.

Një tjetër problematikë e ngritur është mbivendosja e projektit me legjislacionin ekzistues, përfshirë ligjin për mbrojtjen e konkurrencës. Tentativa për të kriminalizuar pozitën dominuese në treg, sipas Konfindustria Albania, mund të krijojë pasiguri juridike, interpretime arbitrare dhe të frenojë investimet e reja.

Kodi i ri Penal u prezantua gjatë pranverës dhe u shoqërua me kritika të shumta, për të cilat askush nuk mori përgjegjësi. Ministri i Drejtësisë atëkohë, Ulsi Manja, tha se ka mbajtur shënim të gjitha kritikat dhe propozimet për t’i sintetizuar në dokument.

The post Konfindustria: Mos e miratoni Kodin e ri Penal! Cënon seriozisht biznesin appeared first on Gazeta Si.

Rregullatori amerikan miraton ilaçin Wegovy për humbje peshe

23 December 2025 at 10:20

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka miratuar një version në formë pilule të ilaçit për humbje peshe Wegovy, sipas gjigantit farmaceutik Novo Nordisk.

Është pilula e parë e këtij lloji që merr miratimin nga rregullatori, duke shënuar një epokë të re për ilaçet për humbje peshe.

Prodhuesi danez i Wegovy, Novo Nordisk, tha se pilula një herë në ditë ishte një “opsion i përshtatshëm” dhe do të siguronte të njëjtën humbje peshe si injeksioni.

Të tjerë si Ozempic, i cili ka efekte të ngjashme në humbje peshe, u miratuan kryesisht për trajtimin e diabetit të tipit 2.

Pilula Wegovy tregoi një humbje mesatare peshe prej 16.6% gjatë provave të Novo Nordisk, tha firma të hënën.

Një e treta e rreth 1,300 pjesëmarrësve përjetuan humbje peshe prej 20% ose më të madhe në të njëjtën provë.

Pilula pritet të lançohet në SHBA në fillim të janarit 2026.

“Pacientët do të kenë një pilulë të përshtatshme, një herë në ditë, që mund t’i ndihmojë ata të humbin po aq peshë sa injeksioni origjinal i Wegovy,” tha Mike Doustdar, drejtori ekzekutiv i firmës.

Versioni i pilules së Wegovy mund t’u japë shitjeve të Novo Nordisk një nxitje pas një viti sfidues që pa aksionet e saj të binin.

Kompania është përballur me konkurrencë të fortë në tregun e humbjes së peshës nga prodhuesit rivalë të ilaçeve si Eli Lilly.

The post Rregullatori amerikan miraton ilaçin Wegovy për humbje peshe appeared first on Gazeta Si.

Deputetja e PS Olta Xhaçka paraqitet në SPAK

23 December 2025 at 10:12

Gazeta Si – Deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka është paraqitur mëngjesin e kësaj të marte në SPAK, ndërsa nuk dihen arsyet e thirrjes së saj.

Kjo nuk është hera e parë që Xhaçka paraqitet në organin e akuzës, pasi më herët ka qenë lidhur me denoncimin e bërë ndaj saj për përfitimin e pronave në bregdet nga burri i saj gjatë kohës që ishte ministre, çështje për të cilën SPAK nuk gjeti shkelje.

Më 5 gusht të vitit 2023, Beleri bëri një kallëzim në SPAK, ku akuzonte kryebashkiakun në detyrë të Vlorës asokohe, Jorgo Goro, biznesmenin Gaçi dhe ish-ministren Xhaçka pë “falsifikim dokumentash” dhe “shpërdorim detyre”.

Beleri pretendonte se një pronë prej 5512 m2 ishte tjetërsuar nëpërmjet falsifikimit të dokumentave dhe më pas ishte blerë nga biznesmeni Gaçi, i cili përfitoi edhe statusin investitor strategjik.

Lidhur me këtë, u thirrën në SPAK Jorgo Goro dhe Artan Gaçi, ndërsa u sekuestrua në bashkinë e Himarës i gjithë dokumentacioni i nevojshëm.

Më 25 tetor 2023, 5512 m2 truall në pronësi të Artan Gaçit, u vendos nën sekuestro preventive nga Prokuroria e Posaçme. Sipërfaqja në fjalë, mësohet se ishte pjesë e tokës që Gaçi kishte fituar statusin e investitorit strategjik.

Kjo çështje po ashtu ka qenë herë pas here shkak për akuza nga ana e opozitës, që asokohe kërkoi heqjen e mandatit të Xhaçkës si deputete.

Ndërkohë, Xhaçka theksonte se bashkëshorti i saj nuk kishte marrë asnjë metër katror tokë nga shteti për investimin e tij privat dhe vënia nën sekuestro preventive prej disa javësh e një pjese të kantierit të investimit, është bërë për të hetuar origjinën e një prone private qysh nga viti 1994.

Në përditësim…

The post Deputetja e PS Olta Xhaçka paraqitet në SPAK appeared first on Gazeta Si.

PAYT, tarifa e re për mbetjet: Shqiptarët do të paguajnë sipas sasisë që hedhin

23 December 2025 at 10:08

Nga Gazeta ‘SI’- Pavarësisht nismave të ndërmarra ndër vite, menaxhimi i mbetjeve të prodhuara nga familjet dhe bizneset vazhdon të jetë një “dhimbje koke” për institucionet përgjegjëse.

Së fundmi, Ministria e Mjedisit ka hartuar një projekt të ri, i cili synon përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve përmes aplikimit të tarifës për trajtimin e tyre, bazuar në parimin “Paguaj sipas hedhjes” (PAYT). Sipas projektaktit, përpara zbatimit të këtij parimi, parashikohet vendosja e një tarife fikse të dedikuar për trajtimin e mbetjeve, e diferencuar për qytetarët, bizneset e vogla, të mesme dhe të mëdha.

Vendosja e tarifës synon të rrisë ndërgjegjësimin se trajtimi i mbetjeve ka një kosto reale dhe se kjo kosto lidhet drejtpërdrejt me sasinë e mbetjeve të prodhuara. Tarifat mund të mblidhen përmes mekanizmave të ndryshëm, përfshirë përfshirjen e tyre në faturat e ujit ose të energjisë elektrike, ndërsa mënyra konkrete e mbledhjes mbetet në diskrecion të bashkive.

Një fokus i veçantë i programit të ri i kushtohet parandalimit të shpërdorimit të ushqimit dhe reduktimit të mbetjeve bio, proces që sipas qeverisë është më efektiv dhe ekonomik sesa vetë trajtimi i mbetjeve. Masat përfshijnë parandalimin e mbetjeve përgjatë gjithë zinxhirit ushqimor, nxitjen e dhurimit të ushqimit përmes stimujve ligjorë dhe fiskalë, si dhe promovimin e kompostimit në banesë si një zgjidhje praktike për reduktimin e mbetjeve organike.

Në tërësi, masat e propozuara janë në përputhje me politikat kombëtare ekzistuese dhe synojnë përforcimin e kuadrit rregullator për parandalimin e mbetjeve, krijimin e një mjedisi të favorshëm për bizneset në zbatimin e praktikave të ekonomisë qarkulluese, si dhe promovimin e konsumit dhe prodhimit të qëndrueshëm përmes ripërdorimit dhe riparimit.

The post PAYT, tarifa e re për mbetjet: Shqiptarët do të paguajnë sipas sasisë që hedhin appeared first on Gazeta Si.

Molotovët në protestën e PD te kryeministria, arrestohen 4 persona

23 December 2025 at 10:02

Gazeta Si – Katër persona janë arrestuar dhe 8 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë në lidhje me incidentet e ndodhura mbrëmjen e të hënës në protestën e opozitës para kryeministrisë.

Mes personave që do të hetohen në gjendje të lirë, është dhe sekretari organizativ i PD, Ervin Minarolli dhe një i mitur (16 vjeç).

Policia thotë se u arrestuan në flagrancë: A. K., 39 vjeç, E. S., 36 vjeç, Xh. D., 38 vjeç dhe A. H., 38 vjeç. Ndërsa nisi procedimi penal për: B. F., E. M., M. M., Sh. D., K. P., R. B. dhe një 16-vjeçar.  

Pas fjalimit të Berishës, protestuesit i vunë flakën pjesës së përparme të godinës së Këshillit të Ministrave duke hedhur shishe molotovi.

Më pas, disa prej tyre hoqën një gardh metalik, ndërsa policia nuk lejoi qytetarët që të hyjnë në oborrin e kryeministrisë.

Incidenti më i rëndë u regjistrua kur një nga protestuesit u përfshi nga flakët si pasojë e hedhjes së molotovit dhe lëndëve piroteknike. Nga ana tjetër dy efektivë policie mësohet se kanë mbetur të lënduar.

The post Molotovët në protestën e PD te kryeministria, arrestohen 4 persona appeared first on Gazeta Si.

Vranësira dhe reshje, në male pritet borë

23 December 2025 at 09:00

Ditën e martë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të kryesisht të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura.

Reshjet e shiut pritet të bëhen prezente paradite fillimisht përgjatë vijës bregdetare dhe gradualisht do të shtrihen në të gjithë vendin.

Reshjet parashikohet të jenë me intensitet kryesisht të ulët e lokalisht priten reshje shiu në formën e shtrëngatave afatshkurtra kryesisht përgjatë ultësirës perëndimore dhe në jugperëndim të vendit.

Në Alpe e relievet malore në verilindje-lindje-juglindje duke filluar prej orëve të pasdites do ketë reshje bore me intensitet të ulët.

Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i veriut me shpejtësi mesatare 7 m/sek ndërsa përgjatë vijës bregdetare e zonave luginore era fiton shpejtësi deri në 12m/s .

The post Vranësira dhe reshje, në male pritet borë appeared first on Gazeta Si.

Yesterday — 22 December 2025Gazeta Si

Neres e çon Superkupën në Napoli

22 December 2025 at 22:26

Nga Gazeta Si – Napoli fitoi Superkupën e Italisë, për herë të 3-të në historinë klubit, e para nën drejtimin e Antonio Conte-s.

Në Finalen e zhvilluar në Riad, “azzurrët” mposhtën 2-0 Bologna-n e drejtuar nga Vincenzo Italiano falë një mbrëmjeje magjike të brazilianit David Neres Campos.

Ai zhbllokoi ndeshjen në minutën e 39-të me një goditje të saktë me të majtën në trekëndësh.

Identikisht në të njëjtën minutë që ai shënoi edhe në ½ finalen e fituar ndaj Milan.

Ndërsa në fillimin e pjesës së dytë u tregua i vëmendshëm duke interceptuar pasimin e Ravaglia-s për Lucumí-n, për të realizuar dygolëshin personal me një goditje plot finesë mbi portierin.

Firma mbi Superkupën mban emrin e tij por Napoli mundi të festojë në qiellin saudit fitimin e trofeut të tretë sepse në fushë praktikisht nuk pati rivalitet.

Shkëputjet në thellësi të Hojlund-it, duelet me mbrojtjen e Bologna-s, si edhe lojërat e Neres-it dhe McTominay-t, konsakruan një paraqitje shumë të mirë të Napolit të Conte-s.

  • Fituesit e Superkupës në Itali

9 – Juventus
8 – Milan, Inter
5 – Lazio
3 – NAPOLI
2 – Roma
1 – Sampdoria, Parma, Fiorentina

The post Neres e çon Superkupën në Napoli appeared first on Gazeta Si.

Foto lajm/ Protestuesi përfshihet nga flakët e molotovit

22 December 2025 at 20:39

Nga Gazeta ‘Si’- Një incident i frikshëm u shënua gjatë protestës së opozitës para Kryeministrisë, kur një protestues u përfshi nga flakët.

Gazetasi.al ka siguruar pamjet e momentit kur ai merr flakë. Ai shihet i mbuluar nga flakët për disa sekonda, por menjëherë reagoi duke u larguar me vrap.

Ai fillimisht u afrua për të lëvizur molotovin e hedhur para gardhit të krijuar nga policia, po lënda plasëse shpërtheu për pak sekonda.

Gjatë hedhjes së molotovit nga qytetarët, mesohet se edhe një polic është lënduar.

The post Foto lajm/ Protestuesi përfshihet nga flakët e molotovit appeared first on Gazeta Si.

Berisha nga selia pas protestës: Ramës do i shkojmë deri në Surrel!

22 December 2025 at 20:34

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur pas përfundimit të protestës së opozitës, duke paralajmëruar përshkallëzim të aksioneve dhe protesta të tjera të fuqishme në ditët në vijim.

Nga selia blu, Berisha tha se sipas tij kryeministria është sot ndërtesë krimi e shëmtuar.

Ashtu si gjatë fjalës në protestë, Berisha tha se opozita nuk do i ndahet Ramës e madje do i shkojë deri në Surrel.

I pyetur nëse është ngujimi në parlament një formë proteste, Berisha tha se kjo opozitë nuk do përmbahet më.

“Nuk ka formë proteste paqësore që nuk do aplikojë kjo opozitë”, tha ai.

Berisha u pyet gjithashtu lidhur me pjesëmarrjen e Ervin Salianjit në protestë. Ai tha se çdokush që i bashkohet protestës është i mirëpritur.

‘Çdo njeri që vjen në protestë është i mirëpritur, nuk është protesta e Sali Berishës por vullnet i qytetarëve që duan që të protestojnë kundër kësaj qeverie. Është rasti që të merrem me protestën. Do po flasim për protestë apo? Unë thirrjen time e bëra për çdo forcë për çdo qytetarë dhe intelektual të na bashkohet, por kjo do të jetë një betejë që s’do të ndalet pa realizimin e qëllimit të saj’, tha ai.

The post Berisha nga selia pas protestës: Ramës do i shkojmë deri në Surrel! appeared first on Gazeta Si.

Bardhi paralajmëron Ramën nga sheshi: Qytetarët do t’i kesh përballë!

22 December 2025 at 19:16

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i grupit parlamentar demokrat Gazmend Bardhi mbajti fjalën e tij në protestën e opozitës përpara kryeministrisë këtë të hënë.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos heshtin dhe të mos tërhiqen, deri në rrëzimin e qeverisë nga pushteti.

“Në çdo takim, kam marrë vetëm një mesazh, ju nuk dorëzoheni dhe të gjithë bashkë nuk dorëzohemi. Kam mësuar se sakrifica dhe besimi janë dy vlerat që na kanë mbajtur gjithmonë në këmbë, për të larguar Edi Ramën, kryeministri më të korruptuar në Europë e në botë.”

Protestën e quajti një lëvizje për dinjitetin e përbashkët.

“Ne nuk jemi këtu se nuk rrimë dot ngrohtë në shtëpitë tona, por se korrupsioni po na merr frymën, kartelet e drogës bashkë me qeverinë po na vjedhin të ardhmen”, tha Bardhi.

“Qytetarët do t’i ketë përballë deri në largimin e tij”, përfundoi ai për kryeministrin Edi Rama.

Bardhi tha se me gjithë këtë korrupsion të dalë sheshit sipas tij nga dosjet e Ballukut dhe AKSHI-t, Rama dhe zv.kryeministrja si dhe bandat pas tyre duan që qytetarët të heshtin.

Më tej ai shtoi se qytetarët gjithë këtë kohë kanë rezistuar ndaj kësaj bande në pushtet dhe sot ata kanë fjalën e tyre për të sjellë ndryshimin dhe largimin e Edi Ramës nga pushteti.

“Ne jemi këtu sepse korrupsioni po na merr frymën! Sepse kartelet e drogës, bashkë me qeverinë e tyre, po na vjedhin tëardhmen! 

Edi Rama, Belinda Balluku bandat kriminale dhe kartelet e drogës që qendrojnë pas tyre duan që ne të kemi frikë. Duan që ne të heshtim. Edi Rama do që ne të ulim kokën. 

Duan që të mendojmë se jemi të pashpresë. 

Bashkë me çetën e tij të megahajkdutëve ai do që ne të bësojmëse në këtë vend të gjithë janë njësoj, se asgjë nuk ndryshon.  Por ne jemi këtu për t’u trguar se ata e kanë gabim dhe se e keqja nuk do të triumfojë. 

Ne jemi këtu për t’u thënë hajdutëve dhe kriminelëve të qeverisëse koha juaj ka mbaruar. Tani është koha e qytetarëve të ndershëm të Shqpërisë.

Sepse kur pushteti vjedh, nuk vjedh vetëm ca para!  Vjedh jetën tuaj”, tha Bardhi.

The post Bardhi paralajmëron Ramën nga sheshi: Qytetarët do t’i kesh përballë! appeared first on Gazeta Si.

‘Ali Baba me 40 hajdutë’- Pankartat pikante në protestën e PD (foto, video)

22 December 2025 at 19:06

PD dhe mbështetësit e saj kanë zbritur në Bulevardin qendror të kryeqytetit, në një protestë kombëtare kundër Qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Në protestë nuk kanë munguar edhe pankartat pikante nga mbështetësit e PD.

 “Ali Baba me 40 hajdutë”, shkruan një prej tyre.

 Gjithashtu në shesh janë parë edhe pankarta dhe foto të Ramës dhe Belinda Ballukut.

Lideri i PD ka bërë një deklaratë të fortë duke thënë se “po nuk u largua kryeministri Edi Rama, opozita rrezikon të shkrihet”.

The post ‘Ali Baba me 40 hajdutë’- Pankartat pikante në protestën e PD (foto, video) appeared first on Gazeta Si.

Ndahet nga jeta këngëtari Shemsi Krasniqi, i njohur për ‘Xhamadani vija vija’

22 December 2025 at 18:56

Gazeta “Si”– Është ndarë nga jeta këngëtari i njohur shqiptar Shemsi Krasniqi, i cili për publikun ishte i njohur gjerësisht si “Shemi”, vokalisti i grupit legjendar “Ilirët”.

Lajmi për humbjen e parakohshme të artistit është konfirmuar nga mediat në Kosovë.

Ende nuk dihet shkaku i vdekjes së tij. Sipas raportimeve, trupi i pajetë i Krasniqit është gjetur në banesën e tij në lagjen Dragodan, rreth mesnatës.

Shemsi Krasniqi ishte një nga zërat më të dashur dhe më ikonikë të muzikës shqiptare. Ai mbetet i paharruar si interpretuesi që i dha jetë këngës “Xhamadani vija vija”, e cila u shndërrua në një simbol kombëtar

Me zërin e tij karakteristik dhe interpretimin plot ndjenjë, Shemi arriti të lidhte breza të tërë me traditën dhe muzikën burimore shqiptare. Përmes veprimtarisë së tij me grupin “Ilirët”, ai la një trashëgimi të çmuar artistike në historinë e muzikës shqiptare.

The post Ndahet nga jeta këngëtari Shemsi Krasniqi, i njohur për ‘Xhamadani vija vija’ appeared first on Gazeta Si.

Salianji i bashkohet protestës: Nuk më përjashton dot asnjë njeri

22 December 2025 at 18:42

Nga Gazeta ‘Si’- Ervin Salianji dhe mbështetësit e tij i janë bashkuar sot protestës së organizuar nga opozita kundër ‘skandaleve të qeverisë së Edi Ramës’.

Salianji, për të cilin Berisha thotë se është vetëpërjashtuar nga PD-ja, shoqërohej nga ‘besnikët’ e tij, të cilët i quajti edhe ‘mbështetës të PD-së.”

“Nuk më përjashton dot asnjë njeri. Sot është rradha për të përjashtuar Edi Ramën. Unë jam në PD, do të jem në PD. Jam bashkëdrejtues I një lëvizje shumë të rëndësishme në PD” tha ai për mediat.

Sipas Salianjit, skandalet e fundit kanë ekspozuar ‘kthimin e institucioneve’ në parcela private të njerëzve të lidhur me qeverinë dhe krimin.

The post Salianji i bashkohet protestës: Nuk më përjashton dot asnjë njeri appeared first on Gazeta Si.

Ndahet nga jeta në moshën 74-vjeçare, artisti britanik Chris Rea

22 December 2025 at 17:07

Këngëtari dhe kitaristi i njohur britanik Chris Rea ka ndërruar jetë, sipas një deklarate të bërë nga familja e tij. Artisti, i famshëm për këngë ikonike si Driving Home For Christmas dhe On the Beach, u shua në moshën 74-vjeçare, pas një sëmundjeje të shkurtër.


Në një deklaratë për Press Association, familja e tij tha se Rea ndërroi jetë më herët gjatë ditës në spital. Një njoftim zyrtar në emër të bashkëshortes së tij dhe dy fëmijëve u shpërnda për mediat pasditen e sotme.
Me një karrierë e gjatë dhe e suksesshme Chris Rea ishte një nga figurat më të veçanta të muzikës britanike, i njohur për zërin e tij të thellë, stilin blues-rock dhe kitarën karakteristike me slide. Karriera e tij muzikore zgjati më shumë se katër dekada, gjatë të cilave ai publikoi mbi 20 albume në studio dhe shiti miliona kopje në mbarë botën.

Ai arriti sukses të madh në vitet ’80 dhe ’90 me albume si On the Beach (1986), The Road to Hell (1989) dhe Auberge (1991), duke u bërë një emër i qëndrueshëm në skenën ndërkombëtare. Kënga Driving Home For Christmas mbetet edhe sot një nga himnet më të dashura të festave të fundvitit në Mbretërinë e Bashkuar dhe më gjerë.
Pavarësisht problemeve serioze shëndetësore gjatë viteve, Chris Rea vazhdoi të krijonte dhe të performonte, duke fituar respekt për këmbënguljen dhe pasionin e tij për muzikën.

The post Ndahet nga jeta në moshën 74-vjeçare, artisti britanik Chris Rea appeared first on Gazeta Si.

Shpërthimi, alarmi dhe kaosi: raketa e Musk rrezikoi 450 pasagjerë në bord

22 December 2025 at 16:57

Gazeta Si – Më 16 janar, mbeturinat e zjarrta nga raketa SpaceX – e cila shpërtheu vetëm pak minuta pas ngritjes – pothuajse goditën tre aeroplanë (dy linja ajrore dhe një avion privat) që fluturonin në zonë me shpejtësi të lartë, duke rrezikuar potencialisht jetën e rreth 450 personave në bord.

Ndërsa kontrolluesit e radarëve përpiqeshin t’i mbanin të gjithë larg zonës së përplasjes, një ekuipazh shpalli “Mayday”, dy të tjerë shpallën “emergjencë karburanti” dhe një palë aeroplanë bënë një afrim të rrezikshëm mes kaosit të papritur. Sipas “Wall Street Journal”, e cila raporton lajmin, mund të kishte qenë një tragjedi në qiell.

Më 16 janar 2025, një aeroplan “JetBlue” ishte drejt rrugës për në Porto Riko, pilotët morën një mesazh nga kulla e kontrollit se po kalonin një zonë rreziku.

“Nëse doni të shkoni në San Juan”, paralajmëroi një kontrollor, “bëjeni këtë duke rrezikuar”. Rreziku atë mbrëmje janari vinte nga një raketë SpaceX që kishte shpërthyer vetëm pak minuta pas ngritjes.

Pilotët e avionit, të cilët ishin në veri të San Juan, u përballën me një vendim: të vazhdonin udhëtimin e tyre përmes një zone potencialisht të mbushur me mbeturina raketash ose rrezikonin të mbaronin karburantin mbi oqean.

Dy aeroplanë të tjerë, një i “Iberia Airlines” dhe një avion privat, u gjendën në një situatë të ngjashme. Ata shpallën një emergjencë me karburantin dhe kaluan zonën e përkohshme të ndalimit të fluturimit, sipas dokumenteve të Administratës Federale të Aviacionit (FAA).

Të tre fluturimet, të cilat sipas dokumenteve, mbanin gjithsej afërsisht 450 persona, u ulën në mënyrë të sigurt.

Sipas dokumenteve, shpërthimi i raketës shkaktoi një shi mbeturinash inkandeshente në disa zona të rajonit të Karaibeve për afërsisht 50 minuta.

Kontrollorët e trafikut ajror nxituan t’i largonin aeroplanët nga zonat e rrezikshme, por kjo rriti ngarkesën e tyre të punës dhe paraqiste një “rrezik potencial ekstrem për sigurinë”, sipas një raporti të FAA-s.

Dokumentet gjithashtu thonë se Space X nuk e njoftoi menjëherë agjencinë për shpërthimin nëpërmjet linjës telefonike të emergjencës së FAA-s.

The post Shpërthimi, alarmi dhe kaosi: raketa e Musk rrezikoi 450 pasagjerë në bord appeared first on Gazeta Si.

Si e mori peng ‘BKH’ (me kapuç në kokë) Gerond Meçen për tenderët e AKSHI-t dhe miqësia Agasi-Karçanaj (foto)

22 December 2025 at 16:38

Gazeta Si – Pengmarrja e biznesmenit Gerond Meçe, për të hequr dorë nga tenderët e AKSHI-t dhe ankimet e bëra nga ana e tij, është realizuar në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Ai është pritur nga të paktën 3 persona para banesës së tij, të cilët janë hequr si oficerë të BKH dhe SPAK. Por ndërsa biznesmeni ka nisur të dyshojë, ata i kanë vendosur një kapuç në kokë, pak pasi kishte hipur në makinën e tyre.

Sipa dosjes hetimore të SPAK, përveç biznesmenëve Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, e përfshirë në këtë situatë, dyshohet se është edhe drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, për shkak se informacionet diskrete kishin rrjedhur nga ky institucion sa u takon veprimeve të kompanisë së Meçes.

Në një prej pamjeve filmike të administruara nga pajisja përgjuese që Ergys Agasi kishte në zyrën e tij, SPAK ka konstatuar një video të takimit të tij me biznesmenin Ermal Beqiri, ku diskutohet për 2 tendera të AKSHI-t për procedurë dhe aty përmendet kompania e Meçes “ABS”.

Biznesmeni ka deklaruar se dyshon se rrëmbimin e tij e ka kryer Beqiri për shkak se pas çdo procedure tenderimi, qëndronte një prej kompanive të tij apo të lidhura me të.

SPAK dyshon se Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, janë dy personat që kontrollonin dhjetëra miliona euro nga buxheti i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe që do t’i mbyllnin telashet me rivalin e tyre duke angazhuar policinë, por edhe bandat kriminale.

Prandaj, për të zhbllokuar paratë nga tenderët, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, vendosin të marrin peng Gerond Meçen.

Makina “Land Rover Defender” dhe një nga pengmarrësit e dyshuar në pritje të Gerond Meçes

Plani i pengmarrësve

Në dosjen e SPAK, janë fotot e pengmarrjes, kur një mjet “Land Rover Defender”, ka ndaluar në rrugë dhe nga aty dalin dy persona me jelekë me mbishkimin “Policia”.

Prokurorët e SPAK, e përshkruajnë kështu në dosjen hetimore skenën e ngjarjes: “Nga dera e pasme e krahut të shoferit, një person i dytë, i cili mban kapelë të zezë, bluzë me krahë të shkurtra me ngjyrë të bardhë dhe një jelek të ngjashëm me ato të policisë së shtetit, me mbishkrim POLICIA. Në këtë moment del edhe shoferi, i cili mban maskë të zezë në fytyrë, syze të zeza, kapelë të zezë, xhinse ngjyrë blu, atlete të zeza dhe një jelek të ngjashëm me atë të policisë së shtetit me mbishkrimin POLICIA”.

Në dosje nuk është e qartë se çfarë ka ndodhur me Gerond Meçen gjatë momenteve të rrëmbimit, çfarë kërcënimesh i janë bërë, apo cili ka qenë destinacioni i pengmarrrësve.

Një nga personat e dyshuar që rrëmbyen biznesmenin Gerond Meçe para pallatit të tij

Ajo që ka treguar biznesmeni në SPAK, është se pengmarrësit “kishin dialekt nga zona e Elbasanit” dhe i kishte thënë se nëse do t’i shihte ndonjëherë në Elbasan, mund t’i përshëndeste.

Pas rrëmbimit, Gerond Meçe udhëtoi drejt Gjermanisë, ku bëri kallëzim për rrëmbimin nga personat me uniformat e policisë, nga ku erdhi presioni në SPAK për të vazhduar më tej me këtë hetim.

Pasi ka pranuar bashkëpunimin me pengmarrësit, Merçe ka telefonuar administratorin dhe menjëherë është bërë tërheqja e ankimimeve të tij dorëzuara për tendera me vlera të konsiderueshme parash.

Hetuesit kanë zbuluar edhe rolin e zv.drejtorit të policisë së Tiranës, Erion Ismaili, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal për tenderët e AKSHI.

Biznesmeni Gerond Meçe ka treguar se para se ta merrnin peng, zv.drejtori i policisë i kishte kërkuar “të rrijë larg AKSHI-t”.

Kërcënimet e zv.drejtorit të policisë, Erion Ismaili ndaj Meçes për të qëndruar larg AKSHI-t

Dëshmia e Gerond Meçes

Në dëshminë e dhënë, Meçe tregon se poshtë pallatit të tij, sapo kishte dalë nga makina, i ishin afruar dy persona, të cilët i ishin prezantuar si punonjës të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Pasi e kishin marrë brenda në makinë, ata i kishin komunikuar se ishte arrestuar dhe i kishin vendosur kapuçin në kokë për të mos parë itinerarin e lëvizjes.

Megjithatë, Meçe thotë se e kishte kuptuar që ishte marrë peng, pasi personat në makinë që ishin prezantuar si punonjës të BKH-së, nuk dinin t’i vendosnin prangat në duar.

Sipas dosjes së AKSHI-t, Meçe tregon se ka hapur nga distanca bagazhin e makinës së tij, ka vendosur çantën e shpinës dhe çantën e dorës dhe në atë moment është afruar një automjet fuoristradë “Range Defender”, ngjyrë e zezë, me fenelina policie, me targa shqiptare, të cilat në ato momente nuk i ka fiksuar, por më vonë ka parë që targat e atij automjeti janë, AC121JJ.

Ndërkohë, që makina ka lëvizur drejt tij, ai fiksuar një person jashtë mjetit, i cili e ka thirrur në emër Gerond Meçe.

Foto e shkëputur nga video-regjistruesi i zyrës së Ergys Agasit, ku mbaheshin takimet e të pandehurve

Meçe thekson se ai ishte i gjatë rreth 1.75 cm, me trup mesatar, me flokë të zeza e të drejta të shtrira poshtë, pa mjekër, i veshur me uniformë ngjyrë blu me krah të gjatë, si dhe jelek ngjyrë të verdhë me mbishkrim BKH (Byroja Kombëtare e Hetimit).

Sipas biznesmenit, ky person i thotë: “Jemi SPAK-u, duhet të vish me ne, hyr në makinë”. Në atë moment ka besuar që është SPAK dhe është bindur pa shfaqur pakënaqësi apo rezistencë për shkak se ishte në oborrin e pallatit të tij.

Në këtë moment, nga dera mbrapa ka dalë një person i dytë, i cili i ka hapur vendin për t’u futur brenda, nuk ka qenë as ky i maskuar në fytyrë, por ishte pak si i shëndoshë, veshur me bluzë si ato të policisë.

Më pas, ka parë brenda në makinë që ky person ka pasur të veshura xhinse të zeza. Në momentin kur e ka thirrur në emër personi i parë, Meçe ka shtypur butonin e bagazhit të makinës, i cili automatikisht ka filluar të mbyllet. Në këtë kohë kur po mbyllej bagazhi, është futur te sedilja mbrapa në mes të automjetit të të dyshuarve, “Defender”.

Në atë moment, ka hyrë edhe personi i tretë në makinë nga krahu i majtë i tij, i cili kishte veshje të ngjashme me personin e dytë, me xhinse të zeza dhe me bluzë si ato të policisë, i shëndoshë, por pa maskë, fytyrë e rrumbullakët.

Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi në zyrën e këtij të fundit

Dy personat që kanë qenë mbrapa me Gerondin (personi dy dhe personi i tretë), kanë qenë me tatuazhe: personi i dytë ka pasur tatuazh në pjesën e jashtme të dorës së djathtë, midis gishtit të madh dhe gishtit tregues, tatuazh me formë si ajo e germës “B” në krahun e kundërt, e pambyllur plotësisht dhe diku nga mesi kishte një pikë. Personi i tretë, në parakrahun e dorës së majtë ka komplet parakrahun tatuazh bardh e zi.

Në dëshminë e tij, Meçe shton se ka dëgjuar që shoferi, i cili ishte me maskë, i flet personit të parë, duke i kërkuar që të merrte dy çantat e Gerondit nga bagazhi i makinës.

Ai i merr çantat dhe i fut në makinë. Pasi futen brenda, Meçe i ka pyetur: “Keni ndonjë letër, ju lutem ma jepni?”

Personi i parë që ishte në vendin e pasagjerit para, i thotë “je arrestuar” dhe i thotë personit të dytë (në të djathtën e Gerondit) t’i vërë prangat.

Meçe kërkon përsëri t’i japin letrat, dhe se duhet të telefonojë në familje. Personi i parë i thotë që letrat do ia japin në komisariat, ndërkohë që makina lëviz për të dalë nga oborri i pallatit.

Biznesmeni Gerond Meçe, duke hipur në makinën e pengmarrësve

Personat mbrapa tentuan t’i vënë prangat, por fakti që personi i dytë nuk dinte t’i vendoste prangat dhe ka ndërhyrë personi i tretë, ka bërë që Meçe të dyshojë që ata nuk ishin punonjës siç u prezantuan.

Në momentin që po vinin prangat, Gerond Meçe u thotë: “O çuna unë nuk jam kriminel!”. Personi i dytë i thotë: “Ça the ti, ça the, kush është kriminel?!”, ndërkohë që shoferi u thotë, vërini kapuçin.

Kur po dilnin nga parkimi i oborrit, Meçe ka parë babain e tij dhe në atë moment i kanë vënë kapuçin e zi në kokë.

Këtu, Meçe është bindur që personat nuk janë nga SPAK-u. Makina për punë sekondash ndalon në semafor, ndërkohë që devijon majtas, biznesmeni i pyet se në cilin komisariat do e çonin.

Personi i parë i thotë: “Në komisariatin më të afërt”. Sipas tij, personat para kishin komunikime me zë të ulët mes tyre.

Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj në zyrën e Ergys Agasit

Dëshmia e Mirlinda Karçanajt

Ndërkohë, sipas mediave, ankesat e Gerond Meçes i ka pranuar edhe drejtoresha e institucionit, Mirlinda Karçanaj në SPAK, kur është marrë në pyetje.

“Ishte bërë një problem i madh nga ky operator ekonomik, pasi ka pezulluar punën e të gjithë institucioneve shqiptare, nëpërmjet ankesave që ka bërë për shumë procedura prokurimi dhe jo vetëm në AKSHI”, – ka thënë në dëshminë e saj Karçanaj.

Në dëshminë e saj më 3 dhjetor të këtij viti, Karçanaj ka thënë në SPAK se me biznesmenin tjetër Ermal Beqiri ishte takuar vetëm një herë dhe se nuk mbante marrëdhënie me operatorët ekonomikë jashtë zyre, ndërsa me Ergys Agasin ishte takuar disa herë në zyrën e tij për shkak të raportit miqësor që ato kishin.

Por sipas saj, kjo marrëdhënie nuk ka sjellë ndonjë ndikim apo konflikt interesi në tenderat e AKSHI-t.

Duke parë atë që ka ndodhur në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, tenderat fiktivë, bashkëpunimin e zyrtareve të larta të institucionit dhe përfshirjen e zv.drejtorit të Policisë së Tiranës dhe grupeve kriminale në një pengmarrje, SPAK ka arritur në përfundimin se kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal, që veproi si i tillë për të zgjidhur problemet me biznesmenin Gerond Meçe.

Ermal Beqiri (majtas), Gerond Meçe (në mes) dhe Ergys Agasi

Akuzat e SPAK ndaj grupit kriminal

Javën e kaluar, Gjykata e Posaçme ka lënë në “arrest shtëpie” drejtoreshën e AKSHI, ,, e cila akuzohet për tre vepra penale shkelje të barazisë në tendera, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.

Edhe zëvendës drejtoresha e AKSHI-t, Hava Delibashi, është lënë në “arrest shtëpie”, po për të njëjtat akuza.

Ndërsa për zëvendësdrejtorin e Policisë së Tiranës, Erion Ismailin është caktuar pezullimi nga detyra, i akuzuar për konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës e kryer në formën e grupit kriminal, grup të strukturuar kriminal si edhe kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.

“Arrest me burg”, është caktuar ndaj Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit, të dy të shpallur në kërkim me urdhër të SPAK për akuzat: “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

The post Si e mori peng ‘BKH’ (me kapuç në kokë) Gerond Meçen për tenderët e AKSHI-t dhe miqësia Agasi-Karçanaj (foto) appeared first on Gazeta Si.

❌
❌