Nga Gazeta Si- Kisha Katolike ka uruar besimtarët për festën e Krishtlindjes. Të gjithë së bashku, Ipeshkvët kanë përcjellë një mesazh paqeje, shprese dhe dashurie.
“Këtë urim Krishtlindjesh duam t’ua bëjmë bashkërisht ne ipeshkvët e Shqipërisë. Do të kishim dashur që në këtë urim të ishte pjesë dhe imzot Simon Kulli, ipeshkvi i Safës, por jemi të sigurt së ai na i uron nga qielli dhe lutet për ne. Secili nga ne ka një fjalë për t’iu drejtuar popullit të zotit që është në Shqipëri, Zoti ju bekoftë të gjithëve”, thotë Imzot Gjergj Meta.
Më tej, Imzot Giovanne Peragine thotë se Krishtlindja na kujton që zoti është pranë nesh.
“Ai bëhet veçanërisht i pranishëm atje ku ka vështirësi, pasiguri dhe vuajtje. Kremtimi I krishtlindjes është të ndiesh praninë e zotit. Mos mendoni vetëm për vetveten, jo vetëm të marrim por mbi të gjitha të japim, jo të fitojmë gjithçka për vete, por të hapim dyert e zemrave ndaj të tjerëve”, thotë ai.
Më tej, Imzot Arjan Dodaj thotë se Krishtlindja është dalja nga errësira dhe populli ynë ka dalë nga fryma e errët e çdo distance e çdo mungese shprese.
“Të begatojmë familjet tona, të pranojmë me lutje e gëzim atë që po vjen. Ndryshoni dhe kthehuni tek unë thotë zoti. Nëse ne nuk jemi njerëzit e paqes si mund të themi e duam zotin nëse nuk jemi të gatshëm të falim atë që na bën një ofendim”, uron Imzot Ottavio Vitale.
Për çdo 25 dhjetor, besimtarët e krishterë festojnë lindjen e Jezus Krishtit, një datë që kremtohet me familjen e bashkuar në lutje, dashuri dhe paqe. Krishtlindja sjell mesazhin e shpresës dhe të dritës.
Gazeta “SI”- Krishtlindjet janë një nga festat më universale në botë, por mënyra se si ato festohen ndryshon ndjeshëm nga një vend në tjetrin. Vende dhe kultura të ndryshme i japin kësaj feste kuptime unike, duke ruajtur rituale të lashta ose duke krijuar zakone të reja që pasqyrojnë stilin e jetesës, historinë dhe klimën e tyre.
Pavarësisht nëse njerëzit kthehen në shtëpi për të festuar me familjen, udhëtojnë drejt vendeve të largëta apo zgjedhin të qëndrojnë pranë atyre që duan, Krishtlindjet mbeten një kohë reflektimi, bashkimi dhe krijimi kujtimesh të paharrueshme.
Nga festa verore në hemisferën jugore te ritualet e frikshme dimërore në Evropë, këto zakone tregojnë se fryma festive merr forma të ndryshme.
Në Japoni, Krishtlindjet nuk janë festë fetare, pasi shumica e popullsisë nuk është e krishterë. Megjithatë, sezoni festohet me entuziazëm, veçanërisht falë një fushate marketingu të suksesshme të viteve 1970 nga zinxhiri i njohur i ushqimit të shpejtë KFC. Që prej asaj kohe, ngrënia e pulës së skuqur është kthyer në një simbol kombëtar të Krishtlindjeve. Familjet japoneze porosisin vakte të plota javë përpara, ndërsa ëmbëlsira tradicionale e festës është torta me luleshtrydhe dhe krem, një kombinim i thjeshtë por shumë i dashur.
Në Itali, ushqimi është në qendër të çdo feste, dhe Krishtlindjet nuk bëjnë përjashtim. Tryezat mbushen me antipasta të shumta, makarona, peshk dhe gatime të pjekura në furrë. Por një nga figurat më të veçanta të festave italiane është La Befana, shtriga e mirë që, sipas legjendës, fluturon mbi një fshesë dhe sjell dhurata për fëmijët më 6 janar, ditën e Epifanisë. Kjo traditë i jep festave një fund magjik dhe të gëzueshëm.
Në Skoci, Krishtlindjet nuk janë pika kryesore e sezonit festiv. Vëmendja kryesore i kushtohet Hogmanay, nata e Vitit të Ri Skocez. Rrugët mbushen me festa, fishekzjarrë dhe këngë tradicionale si “Auld Lang Syne”. Një zakon i vjetër, i njohur si “hyrja e parë”, parashikon që personi i parë që hyn në shtëpi pas mesnatës të sjellë fat të mirë për vitin e ardhshëm, shpesh duke mbajtur dhurata simbolike.
Ndërkohë, në Australi, Krishtlindjet bien në mes të verës. Temperaturat e larta e kanë kthyer festën në një aktivitet kryesisht në natyrë. Dreka tradicionale përfshin ushqime deti, proshutë të pjekur të ftohtë, sallata të freskëta dhe ëmbëlsirën e famshme pavlova. Pas ushqimit, familjarët dhe miqtë shpesh luajnë kriket në oborr ose shkojnë në plazh. Nuk është aspak e pazakontë të shohësh Babagjyshin e Vitit të Ri duke mbërritur me varkë ose duke pushuar në rërë.
Në Kaliforninë Jugore, klima e ngrohtë krijon skena po aq të pazakonta. Edhe pse është dhjetor, dielli shpesh shkëlqen dhe shumë njerëz përfundojnë në plazh. Këtu ka lindur tradita e Babagjyshit që bën surf, ku vendasit veshin kostumin e Babagjyshit dhe hyjnë në det mëngjesin e Krishtlindjeve, duke krijuar një atmosferë festive, plot humor dhe energji pozitive.
Në anën tjetër të spektrit, në Austri dhe rajonet alpine të Evropës, shfaqet figura e frikshme e Krampus-it. Ky personazh mitik, me brirë dhe pamje kërcënuese, shoqëron Shën Nikollën më 6 dhjetor dhe simbolizon ndëshkimin për fëmijët e pabindur. Parakalimet e Krampus-it janë bërë atraksione të mëdha turistike dhe i japin festave një dimension të errët, por shumë tërheqës.
Në Peru, festimet e Krishtlindjeve fillojnë në mesnatën e 24 dhjetorit. Qyteti i Limës ndriçohet nga fishekzjarrët, ndërsa familjet mblidhen për darkë vetëm pas mesnate. Festimet vazhdojnë deri në orët e para të mëngjesit, duke krijuar një atmosferë të ngjashme me natën e Vitit të Ri, por disa ditë më herët.
Në Poloni, Krishtlindjet janë thellësisht familjare dhe tradicionale. Mbrëmja e 24 dhjetorit konsiderohet më e rëndësishmja. Tryeza festive përfshin pierogi (petulla tradicionale), peshk të skuqur dhe gatime vegjetariane. Këto zakone përcillen nga brezi në brez dhe shoqërohen me momente emocionale, lutje dhe bashkim familjar.
Ndërsa në Angli, përveç darkave tradicionale, disa zona bregdetare organizojnë notin e Krishtlindjeve në detin e akullt – një ritual për guximtarët. Në rajone si Kornuolli, festimet vazhdojnë edhe pas Krishtlindjeve, me mbrëmje muzikore nëpër pabe dhe këngë tradicionale që këndohen me gjithë shpirt.
Pavarësisht ndryshimeve kulturore, një gjë mbetet e përbashkët kudo: Krishtlindjet janë një festë që bashkon njerëzit, ringjall shpresën dhe krijon momente që mbahen mend gjatë gjithë jetës. Në çdo cep të botës, kjo festë mbetet një simbol i dashurisë, mirësisë dhe gëzimit njerëzor.
Nga Gazeta ‘SI’ – Fondi Monetar Ndërkombëtar, FMN, në raportin e tij më të fundit për Shqipërinë, ngre alarmin për menaxhimin e shpenzimeve publike, duke paralajmëruar se presionet në rritje mund të rrezikojnë stabilitetin fiskal të vendit.
Për të mbrojtur rezervat fiskale, FMN rekomandon zbatimin e reformave të favorshme për rritjen e të ardhurave, përfshirë thjeshtimin e përjashtimeve tatimore, modernizimin e sistemit të taksës mbi pronën dhe forcimin e administratës tatimore, të shoqëruara me përmirësimin e cilësisë së shpenzimeve publike dhe rritjen e transparencës fiskale.
Fondi rikthen vëmendjen edhe te nisma e qeverisë Rama për “Paqen Fiskale”, duke theksuar se kjo skemë rrezikon të minojë progresin e arritur më parë në administrimin dhe përputhshmërinë tatimore. Sipas FMN-së, ndihma sociale e targetuar do të ishte një instrument më efektiv për mbështetjen e familjeve në nevojë sesa bonuset mujore të planifikuara për pensionistët.
Në aspektin monetar, FMN vlerëson se Banka e Shqipërisë duhet të jetë e gatshme të reagojë me shpejtësi ndaj ndryshimeve të kushteve të tregut. Fondi thekson se ndërhyrjet në tregun valutor duhet të kufizohen vetëm për adresimin e luhatjeve jo-fundamentale. Duke qenë se forcimi i kursit të këmbimit nxitet kryesisht nga faktorë themelorë, Banka e Shqipërisë duhet të lejojë fleksibilitet më të madh dhe të mbështetet te normat e interesit për garantimin e stabilitetit të çmimeve.
FMN ndalet gjithashtu te rreziqet që lidhen me zgjerimin e kredisë, duke kërkuar monitorim të shtuar të sektorit financiar. Dobësitë që lidhen me huamarrës të mëdhenj, ekspozimet në valutë dhe ndaj borxhit sovran, si dhe rritja e shpejtë e kreditimit në sektorin e pasurive të paluajtshme, kërkojnë mbikëqyrje të kujdesshme dhe politika prudenciale proaktive. Fondi vlerëson se masat e fundit të bazuara te huamarrësi për kreditë e reja rezidenciale janë një instrument i rëndësishëm strukturor, ndërsa kërkon përmirësim të disponueshmërisë së të dhënave për kreditimin e pasurive të paluajtshme komerciale.
Sa i përket Bankës Shqiptare të Zhvillimit, FMN thekson nevojën për standarde të forta të mirëqeverisjes dhe mbikëqyrje të rreptë institucionale, për të shmangur rreziqe potenciale për stabilitetin financiar.
Gazeta Si – Donald Trump ka pësuar një tjetër pengesë për politikat e tij të emigracionit. Gjykata Supreme hodhi poshtë kërkesën e presidentit për të vendosur trupa të Gardës Kombëtare në Illinois, konkretisht në Çikago, pavarësisht kundërshtimeve të forta nga autoritetet lokale.
Vendimi ndau gjashtë gjyqtarët konservatorë të Gjykatës Supreme, me tre pro dhe tre kundër vendosjes. Tre gjyqtarët liberalë u rreshtuan në anën e atyre që ishin kundër.
Edhe pse vendimi është paraprak dhe ka të bëjë vetëm me Çikagon, ka të ngjarë të forcojë argumentet në gjykata të atyre që kundërshtojnë vendosjen e ushtrisë në qytete të tjera, siç është Uashingtoni, D.C.
Vendimi kontrovers i Trump për të vendosur Gardën Kombëtare në Çikago, u bazua në vlerësimin e administratës së tij se qyteti dhe zona përreth po zhyteshin në kaos dhe paligjshmëri.
Por autoritetet lokale, siç është Guvernatori Demokrat i Illinoisit, J.B. Pritzker, e akuzuan presidentin se kishte një motiv të fshehtë: ndëshkimin e kundërshtarëve të tij politikë.
Në dosjet gjyqësore, shteti i Illinoisit dhe Çikago, argumentuan se thirrja e Trump në ligjin federal ishte e pajustifikuar dhe se veprimet e tij shkelën gjithashtu Amendamentin e Dhjetë të Kushtetutës, i cili kufizon pushtetin federal.
Gazeta Si – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë njoftuar sanksione kundër pesë figurave evropiane që punojnë për të promovuar rregullime më të rrepta të sektorit të teknologjisë.
Midis tyre është ish-Komisioneri i BE-së, Thierry Breton, të cilit i është ndaluar hyrja në vend. Departamenti i Shtetit i SHBA-ve, i justifikoi masat duke deklaruar se veprimet e tyre përbëjnë “censurë” dhe janë të dëmshme për interesat amerikane.
“A është Rikthyer gjuetia e shtrigave McCarthy?”, – pyeti Breton në mënyrë kontroverse në mediat sociale. Uashingtoni pretendon se ligji i shtyrë nga ish-Komisioneri Evropian, Akti i Shërbimeve Dgjitale, ka dëmtuar interesat amerikane.
“Le të kujtojmë se 90% e Parlamentit Evropian, organi ynë i zgjedhur në mënyrë demokratike, dhe të gjitha 27 shtetet anëtare votuan unanimisht për Aktin e Shërbimeve Digjitale. Për miqtë tanë amerikanë: censura nuk është aty ku mendoni se është”, paralajmëroi Breton.
Në një deklaratë nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, Departamenti i Shtetit “po ndërmerr veprime vendimtare kundër pesë individëve që kanë udhëhequr përpjekje të organizuara për të detyruar platformat amerikane të censurojnë, demonetizojnë dhe shtypin pikëpamjet amerikane që i kundërshtojnë ata. Këta aktivistë radikalë dhe OJQ-të e tyre të instrumentalizuara, kanë promovuar masa të ashpra nga shtetet e huaja ndaj censurës, duke synuar vazhdimisht folësit dhe bizneset amerikane”.
Prandaj, vazhdon Rubio, “kam përcaktuar se hyrja, prania ose aktivitetet e tyre në Shtetet e Bashkuara kanë potencialin për pasoja serioze negative për politikën e jashtme të SHBA-së”.
Deklarata e Rubios përfundon duke theksuar se “presidenti Trump e ka bërë të qartë se politika e tij e jashtme ‘Amerika e Para’, hedh poshtë shkeljet e sovranitetit amerikan. Ndërhyrja ekstraterritoriale e censorëve të huaj që synojnë lirinë e fjalës amerikane nuk është përjashtim. Departamenti i Shtetit është i gatshëm të zgjerojë listën e sotme nëse aktorë të tjerë të huaj nuk ndryshojnë kursin”.
Gazeta Si – Gjykata e Lezhës ka dënuar me 17 vite e 6 muaj burg në total tre persona të arrestuar në prill 2024 për kultivimin e lëndëve narkotike në një stan të fshatit Kashnjet, ku u gjetën 2973 bimë kanabisi me pajisje ventilimi.
Të dënuarit janë, Armando Ndreca, vëllai i ish-deputetit socialist, Eduart Ndreca, Elvis Shpellzaj dhe Armel Ndikdukaj. Të tre kanë përfituar lehtësimin e dënimeve nga gjykimi i shkurtuar.
Konkretisht, Armando Ndreca do të vuajë dënimin me 4 vite e 4 muaj burg që i llogaritet që prej ditës së arrestimit në flagrancë, Elvis Shpellzaj do të vuajë 6 vite e 8 muaj burg, si dhe Armel Ndikdukaj 6 vite e 8 muaj burg.
Ata u arrestuan nga Policia e Lezhës në muajin prill të vitit 2024, pasi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin përshtatur një stan për kultivimin e drogës.
Nga ky ambient u sekuestruan 2 973 bimë narkotike (disa prej tyre fidanë të gatshëm për t’u kultivuar në tokë), një sasi lënde narkotike cannabis sativa, 50 llamba, pajisje ventilimi, sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale, si dhe 3 aparate celularë.
Goditja e këtij rasti të kultivimit të bimëve narkotike erdhi pas informacioneve të siguruara në rrugë operative nga Policia e Lezhës, nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, e cila finalizoi operacionin.
Nga Gazeta Si- Një simbol i ëmbël i Krishtlindjeve dhe një kryevepër e ëmbëlsirave italiane, Panettone tregon një histori traditash, arti dhe pasioni të Krishtlindjeve që shtrihet në shekuj.
Nga Milano në pjesën tjetër të botës, panettone artizanale vazhdon të jetë emblema e një historie kulinare italiane që bashkon familjet, rajonet dhe brezat.
Origjina e panettones është e ndërthurur me jetën e familjeve milaneze të shekullit të 15-të.
Një dokument nga viti 1470, i shkruar nga Giorgio Valagussa, punonjës i familjes Sforza (familja që krijuan dinastinë që e bëri Milanon të madhe) përmendte të ashtuquajturin “ritual të trungut”, një zakon i Krishtlindjeve sipas të cilit një trung i madh druri vendosej në oxhak dhe një bukë gruri ndahej midis të ftuarve, një simbol bekimi dhe fati të mirë.
Kjo bukë, e pasuruar me përbërës të mirë si gjalpi, sheqeri dhe vezët, quhej “Pan de Sciori” ose “Pan de Ton”, që do të thotë “buka e zotërinjve”.
Nga ky gjest i thjeshtë, lindi një nga ëmbëlsirat më të dashura në botë: panettone, fryt i bashkimit midis besimit popullor dhe kulturës gastronomike.
Në vitin 1549, shefi i kuzhinës Cristoforo di Messisbugo renditi një nga recetat e para autentike të panettone: miell, gjalpë, sheqer, vezë, qumësht dhe ujë trëndafili.
Në vitin 1599, një regjistër nga Kolegji Borromeo në Pavia përmend përdorimin e gjalpit, rrushit të thatë dhe erëzave për të përgatitur 13 “bukë të mëdha”, një shenjë e përhapjes së kësaj tradite të re në Italinë Veriore.
Legjendat e Panettones: Midis dashurisë dhe shpikjes
Krahas dokumenteve historike, lindja e panettones shoqërohet nga legjenda të shumta popullore që e përforcojnë joshjen e saj.
Më e famshmja është ajo e nxënëses së re Toni, e cila shpëtoi tortën e djegur të shefit të kuzhinës së Ludovico il Moro duke shpikur një brumë të ri me maja, gjalpë dhe rrush të thatë. Rezultati ishte një sukses i jashtëzakonshëm, aq sa që nga ajo ditë, njerëzit filluan të flisnin për “Pan del Toni” – “panettone”.
Një tjetër legjendë tregon për Ughetto degli Atellani, një fisnik milanez i cili, nga dashuria për vajzën e një bukëpjekësi, krijoi një bukë të pasuruar me gjalpë, sheqer dhe fruta të sheqerosura, duke krijuar një ëmbëlsirë që bashkonte dy botë: atë të aristokracisë dhe atë të njerëzve të thjeshtë.
Së fundmi, është historia e Motrës Ughetta, e cila në një manastir të varfër shpiku një tortë të bekuar për të gëzuar motrat e saj në Ditën e Krishtlindjeve. Brumi i saj, i pasuruar me vezë, sheqer dhe rrush të thatë, u bë simbol i shpresës dhe bujarisë.
Evolucioni i Panettone: Nga tradita në inovacionin modern
Midis shekujve 18 dhe 19, panettone kaloi një periudhë evolucioni kulinar. Versionet e para, të ulëta dhe të ngjashme me focaccia, u pasuruan progresivisht me futjen e majasë, gjalpit dhe frutave të sheqerosura, derisa arritën formën e gjatë dhe të butë që njohim sot.
Me ardhjen e prodhimit industrial në shekullin e 20-të, panettone u bë një ëmbëlsirë kombëtare, e pranishme në çdo shtëpi gjatë festave. Megjithatë, shefat e pastiçerive vazhdojnë të ruajnë cilësinë dhe tharjen e ngadaltë të panettone artizanale, duke e transformuar atë në një simbol të përsosmërisë italiane në mbarë botën.
Sot, inovacioni në panettone manifestohet përmes interpretimeve të reja gurme që e mbajnë shpirtin e traditës të paprekur.
Një shembull kryesor është Panettone Ubriaco, në të cilin brumi i thartuar natyrshëm takohet me likere të shkëlqyera dhe aroma intensive.
Pasticceria Max është ndër pionierët e këtij evolucioni të rafinuar, i aftë të përziejë traditën dhe modernitetin, shijen dhe kërkimin, në një përvojë të re shqisore të Krishtlindjeve italiane.
Panettone dhe kultura italiane: Një ëmbëlsirë që bashkon
Panettone artizanale nuk është vetëm një ëmbëlsirë Krishtlindjesh, por një fragment i identitetit kombëtar.
Në shumë qytete italiane, nga pastiçeritë e lashta milaneze deri te shkollat moderne të kuzhinës, ndjekja e përsosmërisë midis traditës dhe inovacionit vazhdon.
Përhapja ndërkombëtare e panettones ka transformuar një ëmbëlsirë lokale në një simbol universal të festimit, të bashkëjetesës dhe të kulturës.
Çdo fetë mishëron historinë e një populli, vlerën e ndarjes dhe respektin për rrënjët e historisë gastronomike.
Panetone vs. Pandoro: Dy ikona të Krishtlindjeve italiane
Nëse panettone përfaqëson pasurinë e traditës milaneze, pandoro simbolizon rafinimin veronez.
Dy ëmbëlsira, dy shpirtra, një pasion: rrëfimi i traditave italiane të Krishtlindjeve përmes aromës së gjalpit, ëmbëlsisë së sheqerit dhe ngrohtësisë së festimit.
Nga origjina e saj e Rilindjes deri te inovacionet më të fundit artizanale, panettone mbetet një nga shprehjet më të mira të kulturës italiane të ëmbëlsirave.
Çdo Krishtlindje, aroma e saj mbush shtëpitë dhe na kujton se historia e panettones është, në fund të fundit, historia e një vendi të aftë për të transformuar thjeshtësinë e bukës në një simbol të festimit, dashurisë dhe kujtesës kolektive.
Nga Gazeta Si- 7 persona janë dërguar në gjyq nga Prokuroria e Tiranës pasi mashtronin të huaj, kryesisht italianë duke u premtuar investime në bursën ‘Forex’ për të përfituar.
B.B., K.D., J.J., A.Ll., E.A., Gj.R., dhe L.Sh., akuzohen për veprën penale ‘Mashtrimi’.
Pas hetimeve të nisura në 2023, rezultoi se 7 personat, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë realizuar veprimtari mashtruese në ambientet e shoqërisë ‘OZAR’ sh.p.k., nëpërmjet një skeme të mirëorganizuar, e realizuar në formën e një call center-i.
Nga këqyrja e “WhatsApp” të telefonave të sekuestruar, u konstatuan biseda me persona të ndryshëm, të regjistruar me emra italianë, të cilët kanë dërguar foto të kartave të identitetit, të kërkuara nga përdoruesi i telefonit. Nga bisedat rezultoi se këtyre shtetasve u kërkoheshin shuma të ndryshe monetare për t’i investuar në bursën Forex, me qëllim përfitimin e vlerave më të mëdhaja në këmbim.
Konkretisht, personi i cili ishte i regjistruar si L.C (italian). komunikon në ‘WhatsApp’, duke i thënë përdoruesit se ka kryer trasfertën prej 8,700 euro. Kjo pagesë rezulton se është kryer pasi ai ka firmosur një kontratë, e cila parashikonte një vlerë prej 100,000 euro prej tij dhe për këtë shkak në 2023, ai ka kryer tranfertën bankare, e cila në përshkrim ka, se kryhet në formë huaje. Në vijim të bisedave rezulton se ky shtetas i ka shprehur shqetësimin se e gjitha kjo është një mashtrim i madh. Në datë 13.12.2023 i kërkohet sërish që të kryejë një transaksion në vlerën prej 3,500 euro, me justifikimin se është penalitet për shkak se transferta e parë ka shkuar me vonesë.
Gj.R i punësuar në “Ozar” shpk ka qenë i përfshirë në mënyrë aktive në ndjekjen e klientëve dhe në koordinimin e punës së operatorëve. Ndërsa L.Sh, ka pasur një rol të lartë funksional në strukturën e brendshme të aktivitetit, duke dhënë udhëzime, ndarë detyra, etj. Në këtë skemë, E.A., figuron si administrator ligjor i shoqërisë “OZAR” sh.p.k.
A.Ll ka marrë pjesë drejtpërdrejt në veprimet mashtruese dhe në mbështetjen e operatorëve që ushtronin këtë veprimtari. Ndërsa B.B., dhe K.D. kanë qenë në momentin e ndërhyrjes së policisë pranë “Ozar” me dijeni të plotë mbi aktivitetin që zhvillohej në këto ambiente.
J.J. është personi kryesor i ngarkuar me mbikëqyrjen dhe zgjidhjen e problemeve teknike të operatorëve dhe supervizorëve.
Gazeta Si – Një 22-vjeçar është arrestuar në Shkodër, pasi kishte përshtatur një banesë në Velipojë për të prodhuar lëndë narkotike.
Gjovalin Binaku, kishte marrë me qira një banesë në Velipojë dhe e kishte përshtatur për të prodhuar kanabis nëpërmjet llambave.
Policia njoftoi se ka arrestuar edhe punonjësin e OSHEE-së, Robert Vata 25 vjeç i akuzuar për veprën penale “shpërdorim detyre”. Policia ka vënë nën hetim dhe 2 punonjës të tjerë të OSHEE-së.
Nga operacioni policia sekuestroi 300 bimë të dyshuara narkotike kanabis, një sasi kanabisi, 125 pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, 4 celularë dhe një përforcues grushti.
Gjatë kontrolleve në banesën e përshtatur për veprimtari kriminale në Velipojë, Policia gjeti dhe sekuestroi: 308 bimë të dyshuara narkotike kanabis; 85 gramë kanabis të tharë; 122 pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike; 4 aparate celularë; Ndërkohë, nga kontrolli në banesën e Robert Vatës, u sekuestruan: 3 llamba; 1 përforcues grushti.
Nga Gazeta ‘Si’- Ndërsa Rusia vazhdon sulmet e saj ndaj Ukrainës Papa Leo XIV i kërkoi Rusisë një armëpushim 24-orësh për festën e Krishtlindjes.
Të paktën tre vetë u vranë nga sulmet e përsëritura ajrore ruse në Ukrainë. Një fëmijë katërvjeçar u vra në rajonin Zhytomyr në perëndim të kryeqytetit, Kiev, kur një dron goditi një ndërtesë banimi, njoftoi Presidenti Zelenski përmes mediave sociale.
Sipas autoriteteve në rajon u plagosën edhe gjashtë persona të tjerë, ndër ta dy fëmijë. Zelenski deklaroi gjithashtu se nga një sulm me dron rus në rajonin e Kievit u vra një grua. Një viktimë pati edhe në rajonin Khmelnytsky. Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitshko, u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë në strehimet kundërajrore.
Në një kohë kur temperaturat në Ukrainë janë shumë të ulëta, Moska ka vënë në shënjestër dhe po godet gjithnjë e më shumë infrastrukturën energjetike.
Zelensky: Putini nuk heq dorë nga vrasjet
Presidenti ukrainas deklaroi se Rusia kishte përdorur në sulmet e saj të fundit 650 dronë dhe mjaft raketa të telekomanduara. Njësitë e mbrojtjes kundërajrore rrëzuan shumë prej dronëve dhe raketave, por pati edhe dëme. “Këto sulme bëhen para Krishtlindjeve, kur njerëzit duan të jenë të sigurt në shtëpi me familjet e tyre”, tha Zelenski.
Ai shtoi se Presidenti rus Vladimir Putin po tregon se nuk do t’u japë fund vrasjeve. Bota duhet të ushtrojë më shumë presion mbi Rusinë për t’i dhënë fund luftës, tha Zelenski, i cili postoi në mediat sociale fotografi të shumta prej shkatërrimeve të fundit nga sulmet ruse.
Papa Leone XIV: Thirrje për armëpushim 24-orësh
Papa Leone XIV i kërkoi Rusisë një armëpushim 24-orësh për festën e Krishtlindjes në Ukrainë. Sipas Vatican News Papa tha: “Më trishton vërtet fakti që Rusia me sa duket e ka refuzuar armëpushimin për Krishtlindje.
E përsëris thirrjen time për të gjithë njerëzit me vullnet të mirë që të respektojnë të paktën një armëpushim 24-orësh në Festën e Lindjes së Jezusit. Në Ukrainë dhe në të gjithë botën.” /dw
Nga Gazeta ‘Si’- Shqipëria ka marrë sistemet raketahedhës Javelin nga Shtetet e Basskuara të Amerikës, një “dhuratë” që, sipas ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu, forcon aftësitë mbrojtëse të Forcave të Armatosura Shqiptare, rrit parandalimin, ndërveprueshmërinë me NATO-n dhe sigurinë kombëtare.
“Sapo është kryer dorëzimi i një sasie të parë të sistemeve Javelin dhe Shqipëria dhe Kosova, është e vërtetë, janë pjesë e kësaj ndihmese dhe bashkëpunimi bilateral me Shtetet e Bashkuara, si edhe raketat e para antitank që lëshohen nga këto sisteme”, tha Vengu në një video të postuar në llogarinë e tij në Instagram, nga një bazë e Forcës Tokësore, të paidentifikuar.
Sipas ministrit, marrja e këtyre sistemeve është e rëndësishme për tre arsye.
“E para, sepse ka të bëjë me një kërkesë të hershme të forcave tona dhe më në fund po realizohet. E dyta, sepse bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara mbetet themelor për forcimin e kapaciteteve tona dhe rritjen e aftësive mbrojtëse.
Janë sisteme antitank, të cilat mund të shërbejnë edhe në situata të caktuara për kundërshtimin e elementit kërcënues në distancë të shkurtër.
Pika e tretë, po aq e rëndësishme, ka të bëjë me aftësimin e personelit tonë luftarak për përdorimin e sistemeve, pajisjeve dhe teknologjive të përditësuara. Pra, ka një domethënie të trefishtë”, tha ai.
Gazeta Si – Aeroplani që transportonte një delegacion libian, përfshirë Shefin e Shtabit të Ushtrisë Mohammed al-Haddad, u rrëzua në kodrën Selamalmaz, dy kilometra në jug të fshatit Kesikkavak në distriktin Haymana, pranë Ankarasë në Turqi. Të pesë personat në bord u vranë, ndërsa avioni po shkonte drejt Tripolit.
Mediat turke raportuan se avioni pësoi një defekt në sistemin elektrik menjëherë pas ngritjes nga aeroporti i Ankarasë, duke dërguar një sinjal alarmi ndërsa përpiqej të kthehej për një ulje emergjente.
Një shpërthim ndodhi gjatë operacionit të derdhjes së karburantit. Ende është e paqartë nëse shpërthimi ndodhi në fluturim apo pas përplasjes me tokën.
#SONDAKİKA | Libya Genelkurmay Başkanı'nın bulunduğu uçağın iletişimin kesildiği noktaya yakın bölgede meydana gelen patlamanın görüntüsü:
Ekipet e shpëtimit gjetën rrënojat e avionit pranë distriktit Haymana të provincës së Ankarasë. Zona është rrethuar dhe autoritetet turke kanë filluar operacionet e rikuperimit dhe hetimet teknike për të përcaktuar shkakun e aksidentit.
Pas njoftimit në median lokale, konfirmimi erdhi nga autoritetet turke. “Mbetjet e aeroplanit që u ngrit nga Aeroporti i Ankarasë, Esenboğa dhe po shkonte drejt Tripolit u gjetën nga xhandarmëria jonë dy kilometra në jug të fshatit Kesikkavak, në rrethin Haymana”, tha Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya në X.
Pesë persona ishin në bordin e aeroplanit, përfshirë Shefin e Shtabit të Ushtrisë Libiane, Gjeneral Mohamed al-Haddad, një nga figurat më të larta ushtarake të vendit afrikan. Të gjithë anëtarët e delegacionit libian u vranë.
Kush ishte gjenerali i vdekur? Al-Haddad ishte komandanti më i lartë ushtarak në Libinë perëndimore dhe luajti një rol vendimtar në përpjekjet e vazhdueshme të ndërmjetësuara nga OKB për të unifikuar ushtrinë e ndarë libiane dhe institucionet e vendit.
Autoritetet turke fillimisht thanë se kishin humbur kontaktin me radarin me një aeroplan “Falcon” që transportonte pesë persona, përfshirë Shefin e Shtabit të Ushtrisë Libiane, pasi u ngrit nga Ankaraja me destinacion Tripolin.
“Në orën 20:52 (6:52 GMT), kontakti u humb me aeroplanin privat Falcon 50, me numër 9H-DFJ, i cili ishte ngritur nga Aeroporti Esenboğa i Ankarasë në orën 20:10 me destinacion Tripolin. Një kërkesë për ulje emergjente u mor pranë Haymanas. Megjithatë, kontakti me aeroplanin nuk u rivendos më pas”, raportuan autoritetet turke para zbulimit.
Gazeta Si – SPAK ka marrë zyrtarisht të pandehur dy ish-prokurorë të Prokurorisë së Sarandës, Kledian Llaho dhe Çlirim Shahini, në kuadër të një hetimi për dyshime korrupsioni që lidhen me lehtësimin e masave të sigurisë ndaj biznesmenit Pando Papuçi, i hetuar më herët për ndërtim pa leje.
Sipas SPAK, Llaho akuzohet për veprën penale të korrupsionit, ndërsa Shahini, i cili aktualisht ushtron profesionin e avokatit, për ushtrim të ndikimit të paligjshëm.
Organi i akuzës dyshon se dy ish-prokurorët i kanë kërkuar Papuçit shumën totale prej 55 mijë eurosh, në këmbim të ndërhyrjes në procedurat gjyqësore, me synim zbutjen e masave të sigurisë.
Hetimet kanë evidentuar se Papuçi ishte shmangur nga drejtësia për rreth dy vite dhe u arrestua më pas, ndërsa masa e sigurisë ndaj tij u ndryshua brenda një ore nga gjyqtarja Edona Vajushi, pas kërkesës së prokurorisë.
SPAK dyshon se kjo lëvizje ka qenë pjesë e një skeme të paracaktuar, ku pagesat e paligjshme do të shërbenin për të ndikuar vendimmarrjen gjyqësore.
Sipas prokurores Manjola Kajana, Llaho dyshohet se ka përfituar 30 mijë euro, të cilat, sipas hetimit, janë dorëzuar përmes biznesmenit Vasil Bakalli, i akuzuar se ka vepruar si ndërmjetës (sekser). Paratë dyshohet se janë siguruar në Greqi.
Pas daljes nga burgu dhe vendosjes në masën “arrest shtëpie”, Papuçi dyshohet se i ka paguar edhe 25 mijë euro të tjera Çlirim Shahinit, me qëllim që ky i fundit të ndërhynte për zëvendësimin e masës me “detyrim paraqitjeje”. Edhe kjo kërkesë është pranuar më pas nga gjykata.
Çështja ndaj dy ish-prokurorëve pritet të shqyrtohet në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Ndërkohë, në gusht të këtij viti, Gjykata e Apelit ka konkluduar se Pando Papuçi nuk kishte konsumuar vepër penale lidhur me akuzën për ndërtim pa leje, duke rrëzuar thelbin e çështjes ndaj tij.
Gazeta Si – Gjatë punimeve të çmontimit në reaktorin eksperimental të konvertimit të avancuar Fugen në prefekturën Fukui, afërsisht 20 mililitra ujë që përmbante tritium, rrodhën nga një tub.
Agjencia Japoneze e Energjisë Atomike (JAEA), njoftoi rrjedhjen, duke specifikuar se nuk pati të lënduar apo ndikime mjedisore.
Sipas agjencisë, incidenti ndodhi në qytetin Tsuruga, ndërsa ishte duke u zhvilluar prishja e pajisjeve eksperimentale brenda reaktorit Fugen.
Ndërsa prisnin një tubacion, punëtorët zbuluan një rrjedhje uji të mbetur që përmbante tritium radioaktiv brenda tubave.
Sasia e rrjedhur u vlerësua në afërsisht 20 mililitra dhe rrjedhja tani është ndaluar. Operacionet u kryen brenda një impianti të izolimit nga përdorimi, i projektuar për të parandaluar lëshimin e materialeve radioaktive.
Tre punëtorë ishin të pranishëm brenda zonës, të cilët e braktisën menjëherë vendin. Agjencia Japoneze e Energjisë Atomike (JAEA), deklaroi se të gjithë punëtorët mbanin maska të plota për fytyrën dhe kostume mbrojtëse, dhe se nuk kishte pasur thithje ose kontakt të drejtpërdrejtë me ujin, duke përjashtuar kështu çdo ekspozim ndaj rrezatimit.
Nuk u zbulua asnjë rrjedhje e materialit radioaktiv jashtë zonës së kontrolluar. Për më tepër, vlerat e regjistruara nga stacionet e monitorimit të rrezatimit të instaluara brenda objektit dhe zonave përreth, nuk treguan anomali, duke përjashtuar çdo efekt në mjedisin e jashtëm.
Megjithatë, agjencia raportoi se përqendrimi i tritiumit brenda objektit të izolimit tejkalonte kufijtë e përcaktuar nga rregulloret aktuale dhe për këtë arsye informoi Autoritetin Rregullator Bërthamor Japonez.
Ky i fundit kërkoi paraqitjen e një raporti mbi shkaqet e incidentit dhe mbi masat parandaluese për të parandaluar përsëritjen e incidenteve të ngjashme.
Reaktori Eksperimental i Konvertimit të Avancuar Fugen ishte pjesë e politikës së ciklit të karburantit bërthamor të Japonisë dhe ishte një strukturë kërkimore që përdorte plutonium të nxjerrë nga karburanti bërthamor i shpenzuar si lëndë djegëse.
Reaktori ndërpreu funksionimin në vitin 2003 dhe aktivitetet e çmontimit kanë vazhduar që nga viti 2008.
Gazeta Si – Nëntorin e kaluar, Google zbuloi Nano Banana Pro, versionin më të fundit të modelit të saj të inteligjencës artificiale, i aftë të gjenerojë imazhe bazuar në përshkrime tekstuale.
Modeli menjëherë bëri përshtypje me realizmin dhe saktësinë e tij, madje edhe në gjenerimin e fotografive.
Fotografitë e gjeneruara nga inteligjenca artificiale shpesh kanë një estetikë artificiale lehtësisht të dallueshme, me fytyra dhe sipërfaqe të lëmuara, jo natyrale.
Imazhet e Nano Banana Pro janë më bindëse, sepse ngjajnë me foto reale, me të metat dhe kufizimet e tyre.
Në mënyrë specifike, modeli kopjon karakteristikat tipike të fotografisë me smartphone, e cila mbështetet në lente dhe sensorë më pak të përparuar, duke rezultuar në foto me më pak thellësi dhe kontrast sesa kamerat profesionale.
Realizmi në rritje i arritur nga Nano Banana Pro padyshim që përfaqëson një problem potencial, duke pasur parasysh zbatimin e teknologjive të ngjashme në dezinformata dhe mashtrime, por gjithashtu përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara për industrinë.
Ka disa arsye pse fotografitë sintetike (domethënë, të gjeneruara nga AI) zakonisht duken të panatyrshme. E para lidhet me trajnimin e këtyre programeve, të cilat zhvillohen duke analizuar miliona imazhe të të gjitha llojeve, shumë prej të cilave vijnë nga uebi, ku ka shumë imazhe të stilizuara dhe të stokut, zakonisht me një estetikë shumë të shkëlqyeshme.
Një tjetër, është teknika me të cilën trajnohen këto AI, e quajtur difuzion. Pas zhvillimit të programeve të afta për të njohur elementët e një imazhi, zhvilluesit i ekspozojnë ato ndaj përmbajtjes së korruptuar digjitalisht, domethënë, me piksel shtesë që e turbullojnë pamjen e përgjithshme, si efekti i borës në televizorët e vjetër.
Me kalimin e kohës, modeli mëson të njohë dhe heqë këtë “zhurmë” për të rindërtuar imazhin themelor; pasi të ketë mësuar ta bëjë këtë, hapi tjetër është të fillojë nga zhurma e pastër për të gjeneruar një imazh të rastësishëm, i cili për këtë arsye do të jetë jashtëzakonisht i pastër.
Sipas Valentina Tanni, historiane arti dhe autore e librit Antimacchine. Duke mos respektuar Teknologjinë, modele si Nano Banana Pro po “ulin efektin me shkëlqim dhe estetikën hiper-të detajuar, karakteristikat që ne priremi t’i shoqërojmë me imazhe të rreme, të ndërtuara dhe të manipuluara”.
Përhapja e AI-së gjeneruese ka ndryshuar tashmë kriteret që përdorim për të përcaktuar realizmin e një fotografie: “Një imazh i papërsosur, shpesh na duket shumë më real dhe autentik, sepse largon dyshimin për manipulim”.
Silvio Lorusso, shkrimtar dhe autor i librit “The Designer Without Quality”, pajtohet se, vetëm në pak vite, inteligjenca artificiale ka “përmbysur plotësisht idenë tonë të realizmit”.
CREATE YOUR REALISTIC ROOFTOP NIGHT CITYSCAPE MOMENT with a fast moving in background
Copy the prompt below and CREATE YOUR OWN PHOTO LIKE THIS with Nano Banana Pro
Bookmark this now and recreate this with your selfie later.
Përpara këtyre teknologjive, krijimi i një fotografie të mirë kërkonte ndriçim, skena, makina cilësore dhe personel të kualifikuar, si dhe kohë; sot, megjithatë, këto modele ju lejojnë të krijoni imazhe të çdo lloji vetëm në pak sekonda.
Nano Banana Pro demonstron se ekziston një mënyrë tjetër për të rritur fotorealizmin e AI-së: jo duke përsosur detajet anatomike të trupit të njeriut (modelet dihet se kanë vështirësi në paraqitjen e saktë të gishtërinjve, për shembull), por duke imituar mjetet me të cilat bëhen fotografitë.
Kjo përfshin të metat dhe kufizimet e tyre teknike, të tilla si “rezolucioni i ulët, kokrriza digjitale, vinjetimi, syri i kuq e kështu me radhë”, thotë Lorusso.
Sipas Ben Sandofsky, bashkëthemelues i aplikacionit të fotografisë Halide, “Google mund ta ketë anashkaluar luginën e çuditshme”, atë ndjenjë neverie dhe shqetësimi që ndiejmë ndaj robotëve, makinave dhe kukullave që janë si realiste, por jo tërësisht.
Siç shpjegon “The Verge”, Google nuk është i vetmi që ofron modele të afta për ta bërë këtë: Meta AI dhe Adobe Firefly gjithashtu u lejojnë përdoruesve të menaxhojnë “intensitetin vizual” të imazheve, duke i bërë ato më pak të shndritshme dhe më “të papërsosura”.
E njëjta gjë ndodh edhe në gjenerimin e videove. Dy modelet kryesore në industri, Sora 2 i OpenAI dhe Veo 3 i Google, janë të afta të gjenerojnë video me kokrriza dhe rezolucion të ulët, sikur të ishin xhiruar nga pajisje me cilësi të ulët.
Janë pikërisht këto lloje përmbajtjesh sintetike që përdoruesit i ngatërrojnë më shpesh me të vërteta, siç demonstrohet nga rasti i fundit i një videoje virale që imitonte regjistrimet e kurtheve të kafshëve gjatë natës.
Gazeta Si – Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka publikuar edhe 11,000 dokumente të tjera që lidhen me hetimin ndaj ish-financierit Jeffrey Epstein.
Dosja e re, raporton CNN, përfshin dokumente tekstuale, foto dhe video, të dhëna gjyqësore, prerje gazetash dhe dokumente të FBI-së.
Sipas një analize fillestare, është dosja më e gjerë e publikuar ndonjëherë dhe gjithashtu përfshin të dhëna që lidhen me vdekjen e Epstein në vitin 2019, ndërsa ishte në paraburgim federal.
Dokumentet zbulojnë detaje të mëtejshme rreth marrëdhënies së Epstein me presidentin amerikan, Donald Trump, emri i të cilit shfaqet “në tetë fluturime me avion me ish-financierin”. Në njërën prej tyre, ata “shoqëroheshin nga një grua 20-vjeçare”.
Midis viteve 1993-1996, presidenti Trump udhëtoi tetë herë me avionin privat të Epstein, ish-financierit, i cili kreu vetëvrasje në burg pasi u dënua për abuzim seksual dhe trafikim ndërkombëtar fëmijësh.
Kjo, sipas një emaili të përfshirë në grupin e fundit të dokumenteve të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë.
Presidenti “udhëtoi me avionin privat të Epstein shumë më tepër herë sesa dihej më parë”, sipas një emaili të dërguar më 8 janar 2020, nga një “ndihmës-Prokuror i Shteteve të Bashkuara për Distriktin Jugor të Nju Jorkut”, emri i të cilit është redaktuar.
Emaili, pjesë e një bisede të titulluar “Re: Të dhënat e fluturimit të Epstein”, specifikon se në katër raste, Donald Trump u regjistrua në fluturime “që transportonin edhe (Ghislaine) Maxwell”, ish-partneren e Epstein, e cila u dënua me 20 vjet burg për joshje të fëmijëve dhe krime të tjera të kryera me ose në emër të tij.
Në një fluturim të vitit 1993, vazhdon emaili – me dërguesin dhe marrësin të redaktuar – Trump dhe Epstein ishin “të vetmit dy pasagjerë”, dhe në një tjetër, të dy shoqëroheshin nga një “20-vjeçare”.
Ndihmës-prokurori gjithashtu detajon udhëtimet në të cilat Trump u shoqërua, ndër të tjera, nga gruaja e tij e dytë, Marla Maples, vajza e tyre, Tiffany Trump, dhe Eric Trump, djali i tij me gruan e tij të parë, Ivana.
Gazeta Si – Në gati katër vjet luftë kundër Rusisë, Ukraina ka grumbulluar ekspertizë, përvojë dhe aftësi të shkëlqyera prodhimi në prodhimin e dronëve ushtarakë.
Në të njëjtën kohë, shumë vende evropiane po përpiqen të riarmatosen për t’u mbrojtur nga sulmet e mundshme ruse dhe po shqyrtojnë mundësinë e investimit dhe blerjes potenciale të dronëve ukrainas.
Dronët janë mjete ajrore pa pilot, pothuajse gjithmonë të kontrolluara nga distanca, që mund të përdoren për zbulim, sulm ose për të rrëzuar dronë të tjerë.
Dronët ukrainas janë të ndryshëm nga të tjerët, sepse testohen direkt në vijën e frontit: inxhinierët që punojnë për kompanitë ukrainase, mund t’i modifikojnë prototipet e tyre shumë më shpejt duke ndjekur udhëzimet e mijëra operatorëve të dronëve të shpërndarë përgjatë vijës së frontit, të cilët i përdorin këto armë çdo ditë.
Komunikimi i vazhdueshëm është një avantazh kyç, që lejon krijimin e dronëve efektivë dhe që përmirësohen vazhdimisht.
Për më tepër, Ukraina i prodhon ato në sasi dhe lloje dukshëm më të mëdha se vendet perëndimore, dhe me një kosto më të ulët.
Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, tha se në vitin 2024, Ukraina prodhoi 2.2 milionë dronë: kjo është më shumë se çdo vend tjetër i NATO-s, por edhe më shumë sesa vetë qeveria ukrainase mund të blejë nga kompanitë e veta.
Forcat polake të sigurisë në vendin e rrëzimit të një droni rus, Lublin, 11 shtator 2025
Sipas ministrit të Jashtëm, Andrii Sybiha, me fonde të mjaftueshme, Ukraina mund të rrisë prodhimin në 20 milionë dronë në vit, gjë që do t’i lejonte asaj të furnizonte ushtritë perëndimore dhe të financonte mbrojtjen e tyre.
“Lufta moderne kundër armëve nuk ka të bëjë me armët bërthamore, por me miliona dronë me kosto të ulët”, tha ai.
Dronët nevojiten në numër të madh, sepse shumica shpërthejnë në shenjë, qëllohen ose humbasin në territorin e armikut.
Megjithatë, që nga fillimi i luftës, qeveria ukrainase ka ndaluar eksportet e armëve jashtë vendit, si për të parandaluar që ushtria e saj të mbetet pa furnizime, ashtu edhe për të parandaluar aleatët e saj të mendojnë se është më e interesuar për fitimin, sesa për aftësitë e veta mbrojtëse.
Për muaj të tërë, kompanitë ukrainase të armëve kanë bërë thirrje për lehtësimin e kufizimeve, të paktën për llojet e armëve që janë në dispozicion me shumicë. Në shtator, Zelenski njoftoiqëllimin e tij për ta bërë këtë për herë të parë.
Ndërkohë, në muajt e fundit, Rusia ka rritur presionin mbi qeveritë evropiane, me sulme dhe ndërhyrje kufitare që kanë demonstruar kryesisht joefektivitetin e sistemeve të tyre mbrojtëse.
Për shembull, nga 19 dronë rusë të vërejtur në hapësirën ajrore polake në shtator, vetëm katër u rrëzuan, dhe me një kosto shumë të lartë.
Nëse Rusia do të niste një sulm në shkallë të gjerë me dronë, asnjë vend i Bashkimit Evropian nuk do të kishte mbrojtje të mjaftueshme për t’iu përgjigjur.
Në të kundërt, Ukraina rrëzon qindra dronë rusë çdo ditë, një zgjidhje shumë më efektive nga ana e kostos.
Pas pushtimit të kufijve nga Rusia, në Evropë kanë filluar diskutimet rreth mundësisë së krijimit të një të ashtuquajturi “mur” kundër dronëve, i përbërë nga radarë, sensorë akustikë dhe pajisje për të ngatërruar sistemet e drejtimit të dronëve të armikut, për t’i kapur dhe rrëzuar ato.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski flet me gazetarët pas takimit me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, 17 tetor 2025
Për momentin, plani është disi i paqartë, por nëse do të materializohej, Bashkimi Evropian ka të ngjarë t’i kërkojë ndihmë Ukrainës: Komisioni Europian ka thënë tashmë se synon të dërgojë fonde për të rritur më tej kapacitetin prodhues të vendit, me idenë se edhe Bashkimi Evropian mund të përfitojë nga këto teknologji. Në muajt e fundit, disa vende kishin filluar tashmë bashkëpunime përgjatë këtyre linjave.
Për shembull, në qershor, Danimarka ndau ekuivalentin e afërsisht 67 milionë eurove për të nxitur krijimin e kompanive ukrainase të armëve në territorin e saj: e para, “Fire Point”, filloi së fundmi prodhimin (diskutuam për “Fire Point”, kompaninë më të përparuar të armëve në Ukrainë, këtu).
Në tetor, Mbretëria e Bashkuarnjoftoi gjithashtu se kishte nisur një program për prodhimin e përbashkët të 2,000 dronëve në muaj: ministri i Mbrojtjes, Luke Pollard tha se për momentin, ato do të jenë të destinuara për ushtrinë ukrainase, por prodhimi do të zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar.
Ukraina ka interes të zhvendosë prodhimin jashtë vendit, sepse fabrikat e saj të armëve janë shënjestër e sulmeve ruse.
Shtetet e Bashkuara kanë filluar negociata të ngjashme. Ushtria amerikane kohët e fundit tha se synon të rrisë ndjeshëm blerjet e dronëve në vitet e ardhshme, nga 50,000 që është aktualisht, në të paktën gjysmë milioni në vit.
Kjo shifër është shumë më e madhe se kapaciteti aktual i prodhimit të SHBA-ve, i cili është rreth 100,000 në vit.
Për ta bërë këtë, ata domosdoshmërisht do të duhet të kthehen jashtë vendit, dhe Ukraina është vendi me ofertat më të përparuara.
Agjencia “Bloomberg”raportoi se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski diskutoi me Donald Trump mundësinë e prodhimit të dronëve ukrainas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë në mesin e tetorit.
Rreth një muaj më vonë, Sekretari i Ushtrisë Amerikane, Dan Driscoll dhe Kryetari i Shtabit të Përbashkët, Randy George, vizituan Ukrainën për të diskutuar një shkëmbim të mundshëm të teknologjisë ushtarake.
Një mundësi mund të jetë një bashkëpunim midis kompanive ukrainase dhe amerikane, ku e para do t’i ofronte të dytës prototipa dhe teknologji në këmbim të pagesës së të drejtave të përdorimit.
Individët privatë kanë ndërmarrë gjithashtu veprime. Që nga fillimi i luftës, janë krijuar fonde investimi të specializuara në teknologji me përdorim të dyfishtë të prodhuara në Ukrainë, dhe disa kompani evropiane dhe amerikane kanë investuar në kompani ukrainase.
Për shembull, kompania gjermane, “Quantum Systems”, është partnerizuar me kompaninë ukrainase “Frontline Robotics” për të prodhuar dronë në Gjermani dhe për t’i dërguar ato në Ukrainë.
Qeveria ukrainase ka njoftuar gjithashtu se ka marrë mbi 100 milionë dollarë investime në sektorin e saj të mbrojtjes nga katër kompani evropiane dhe amerikane.
Investimi në kompani që prodhojnë në Ukrainë, në vend të zhvendosjes së prodhimit, është i favorshëm për vendet perëndimore, sepse kostot janë dukshëm më të ulëta.
Nga Gazeta ‘Si’- Prokuroria e Gjirokastrës ka konfiskuar 3 milionë euro pasuri në pronësi Drini Alikos, prona të cilat në bazë të hetimeve, kanë rezultuar të përfituara nëpërmjet burimeve të paligjshme.
Konkretisht, 7 troje, 1 arë dhe 1 banesë 1 karburant, 1 ndërtesë, 1 lokal, 3 magazina, 1 gurore dhe 1 nyje betoni, janë pasuritë e konfiskuara për llogari të shtetit.
Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë së Gjirokastrës, u konfiskuan tre milionë euro pasuri, të cilat nga hetimet del se nuk ka burime të ligjshme për krijimin e pasurive. Kërkesa për konfiskim është paraqitur në kuadër të hetimit pasuror nr. 2 të vitit 2019.
Pas verifikimeve financiare dhe pasurore që treguan se subjekti nuk kishte të ardhura të ligjshme për krijimin e këtyre pasurive.
Vendimi i gjykatës, përfshin një listë të gjerë pasurish të paluajtshme dhe objekteve tregtare, të shpërndara kryesisht në territorin e qarkut Gjirokastër.
Në mesin e pasurive të konfiskuara janë disa troje me sipërfaqe të konsiderueshme në qytetin e Gjirokastrës, Lazarat, Grehot dhe Kordhocë, si dhe tokë bujqësore në fshatin Arshi Lengo.
Në njoftim thuhet se janë konfiskuar, ndër të tjera, pasuria e llojit ‘Truall’ me sipërfaqe 350 m² në qytetin Gjirokastër, si edhe disa prona të tjera në Lazarat dhe Grehot, që përfshijnë truall, ndërtime dhe sipërfaqe të shfrytëzueshme.
Po ashtu, pjesë e vendimit janë edhe pasuri me karakter biznesi, përfshirë një karburant, ndërtesa zyrash dy-katëshe, lokal, magazina të shumta, si dhe struktura ndihmëse si vendroje, nyje betoni dhe zona për afrimin e materialeve të ngurta, të gjitha me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër.
Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha të martën se disa draft dokumente, përfshirë ato mbi garancitë e sigurisë, janë përgatitur pas bisedimeve midis zyrtarëve ukrainas dhe homologëve të tyre amerikanë në Miami të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Ata punuan në mënyrë produktive me të dërguarit e Presidentit (Donald) Trump dhe tani janë përgatitur disa draft-dokumente. Në veçanti, këto përfshijnë dokumente mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën, rindërtimin dhe një kornizë bazë për t’i dhënë fund kësaj lufte”, shkroi Zelensky në X.
Ai shtoi se pikat janë përcaktuar në një mënyrë që korrespondon me qëllimin e një përfundimi real të luftës dhe nevojën për të parandaluar një pushtim të tretë rus.
“Çdo sulm rus ndaj Ukrainës dhe sulmet e ashpra ruse në vijën e frontit vërtetojnë se angazhimi i Ukrainës për t’i dhënë fund luftës tejkalon shumë atë të Rusisë – dhe kjo duhet të adresohet duke forcuar presionin global mbi agresorin”, shtoi Zelensky.
Nga Gazeta ‘SI’- Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të hapë një hetim paraprak ndaj ndërmarrjes SHPRESA – AL SHPK, për shkak të shqetësimeve mbi rritjen e çmimeve të biletave dhe aboneve në transportin urban të Bashkisë Kamëz.
Ky vendim vjen pas ankesave të depozituara pranë Autoritetit dhe pas shqetësimeve të shprehura në media nga qytetarë dhe përdorues të transportit. Hetimi do të analizojë kushtet e konkurrencës së lirë dhe efektive, veçanërisht për linjat: Kamëz – Tiranë – Kamëz dhe Paskuqan – Babrru – Tiranë.
Sipas dokumentacionit zyrtar, SHPRESA – AL SHPK është operatori i vetëm i licencuar në këto linja, duke zotëruar një pozitë dominuese në treg, në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.
Nga vlerësimi paraprak i Autoritetit, rezulton se nuk ka prova të mjaftueshme ekonomike apo financiare që justifikojnë rritjen e çmimeve mbi baza objektive. Hetimi do të përfshijë periudhën 1 janar – 12 dhjetor 2025, për të vlerësuar nëse veprimet e ndërmarrjes mund të përbëjnë kufizim, shtrembërim ose pengim të konkurrencës, sipas Ligjit nr. 9121/2003.