Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 26 January 2026Gazeta Si

Dhoma e Avokatisë kundër shkrirjes së Kadastrës së Vlorës: Cenon aksesin e qytetarëve, të anulohet vendimi

26 January 2026 at 19:52

Nga Gazeta Si- Dhoma e Avokatisë Vlorë ka reaguar ashpër kundër mbylljes së Kadastrës.

Në një deklaratë, Dhoma e Avokatisë shprehet se zhvendosja drejt Tiranës është i papranueshëm, cenim i aksesit të qytetarëve në shërbime, goditje direkte ndaj profesionit të avokatit dhe funksionit të drejtësisë, si edhe diskrimin i hapur territorial që favorizon centralizimin në Tiranë.

Ndërkaq, Dhoma e Avokatisë bën thirrje të rishikohet vendimi dhe të ndërpritet largimi i institucioneve nga Vlora.

“Ky veprim nuk është një rast i izoluar, por vazhdim i një politike sistematike të zbrazjes institucionale të Vlorës, e cila ka arritur kulmin me largimin e Gjykatës Administrative dhe Gjykatës së Apelit, duke e shndërruar qytetin në një periferi institucionale pa peshë në hartën e drejtësisë shqiptare”, thuhet në reagimin e Dhomës së Avokatisë.

Largimi i institucioneve shtetërore nga Vlora sipas Dhomës së Avokatisë përbën cënim të rëndë të aksesit në drejtësi dhe shërbime publike për mijëra qytetarë, goditje direkte ndaj profesionit të avokatit, funksionimit të sistemit të drejtësisë dhe sigurisë juridike, diskriminim territorial të hapur, që favorizon centralizimin ekstrem në Tiranë dhe braktis qytetet historike e strategjike të vendit.

“Vendime të tilla, të marra pa konsultim me komunitetin juridik dhe pa asnjë analizë reale të pasojave, përbëjnë shkelje të parimeve të shtetit të së drejtës dhe decentralizimit administrative”.

Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë kërkon rishikimin e menjëhershëm dhe anulimin e vendimit për zhvendosjen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ndërprerjen e politikës së largimit të institucioneve nga Vlora, rikthimin e funksioneve gjyqësore dhe administrative.

Nëse kjo prirje vazhdon, Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë thotë se ka të drejtën të ndërmarrë çdo veprim institucional dhe ligjor, në bashkëpunim me aktorë të tjerë vendorë dhe kombëtarë, për të mbrojtur interesin public.

“Vlora nuk do të heshtë dhe nuk do të pranojë të zhvishet nga institucionet e saj”.

The post Dhoma e Avokatisë kundër shkrirjes së Kadastrës së Vlorës: Cenon aksesin e qytetarëve, të anulohet vendimi appeared first on Gazeta Si.

Interpol shkatërron rrjetin e trafikut njerëzor! Rreth 4 mijë të arrestuar, 27 në Shqipëri

26 January 2026 at 19:42

Nga Gazeta Si- Një operacion global i koordinuar nga INTERPOL ka çuar në shpëtimin e 4,414 viktimave të mundshme të trafikimit të qenieve njerëzore dhe zbulimin e 12,992 emigrantëve të parregullt në 119 vende.

Operacioni Liberterra III (10 deri më 21 nëntor 2025) pa arrestimin e 3,744 të dyshuarve, përfshirë më shumë se 1,800 për vepra penale të trafikimit të qenieve njerëzore dhe kontrabandës së migrantëve, bazuar në raportimet fillestare nga vendet pjesëmarrëse.

Pjesë e megaoperacionit ishte edhe Shqipëria ku u goditen 2 grupe aktive në veprimtaritë kriminale dhe u arrestuan 27 persona.

Gjithashtu u sekuestruan 6 automjete dhe rreth 20 000 euro, të përfituara nga këto veprimtari kriminale.

Në operacion u identifikuan 94 emigrantë dhe 3 viktima të trafikimit të qenieve njerëzore.

“Rrjetet kriminale po evoluojnë, duke shfrytëzuar rrugë të reja, platforma dixhitale dhe popullata të cenueshme. Identifikimi i këtyre modeleve u lejon zbatuesve të ligjit të parashikojnë kërcënimet, të prishin rrjetet më herët dhe të mbrojnë më mirë viktimat”, thotë Sekretari i Përgjithshëm i INTERPOL-it, Valdecy Urquiza.

Skemat mashtruese të nxitura nga trafikimi mbeten një shqetësim serioz në Azi dhe Afrikë dhe ndërsa shfrytëzimi seksual mbetet shumë i raportuar, puna e detyruar dhe kriminaliteti i detyruar po rriten.

Rastet që përfshijnë viktima nga Amerika dhe Azia në Afrikë tregojnë për ndryshimin e dinamikës së trafikimit, në kontrast me modelet e vëzhguara historikisht të viktimave afrikane që trafikohen jashtë vendit.

Ndërkohë, trafikimi i qenieve njerëzore dhe kontrabanda e migrantëve vazhdojnë të jenë të lidhura ngushtë me krime të tilla si mashtrimi me dokumente, pastrimi i parave dhe trafikimi i drogës.

Autoritetet kryen kontrolle në Azi, veçanërisht në Mianmar, ku një bastisje e vetme zbuloi rreth 450 punëtorë në një kompleks. U sekuestruan pajisje elektronike të lidhura me aktivitetin e mashtrimit, duke përfshirë 18,800 telefona celularë dhe më shumë se 300 kompjuterë.

Në Afrikë, autoritetet në Benin, Burkina Faso, Kongo, Bregun e Fildishtë, Ganë, Senegal dhe Sierra Leone raportuan veprime kundër rrjeteve të trafikimit të qenieve njerëzore, duke çuar në shpëtimin e më shumë se 200 viktimave dhe ndërprerjen e qendrave të shumta të rekrutimit dhe shfrytëzimit. Këto skema, specifike për Afrikën Qendrore dhe Perëndimore, përfshijnë rekrutimin e viktimave nën pretekste të rreme për punë jashtë vendit, duke ngarkuar “tarifa rekrutimi” të tepruara, dhe më pas duke i detyruar ata të rekrutojnë miq ose anëtarë të familjes në këmbim të kushteve të përmirësuara.

The post Interpol shkatërron rrjetin e trafikut njerëzor! Rreth 4 mijë të arrestuar, 27 në Shqipëri appeared first on Gazeta Si.

Hlozek për Rashicën

26 January 2026 at 17:44

Nga Gazeta “Si” – Kjo është tratativa që po zhvillohet mes Hoffenheim në Bundesliga dhe Besiktas në Superlig.

Interesimi nuk është i ri për mesfushorin dardan, por këtë herë gjermanët duan vërtetë të rrisin koloninë verdheblu në Sinsheim.

Për ta përshpejtuar dhe mbyllur tratativën brendaj fundit të Janarit, Hoffenheim ofron Adam Hlozek si pjesë të marrëveshjes.

Nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve, Rashica do të kthehej në Gjermani, ku më parë ka luajtur me Werder Bremen.

Në 87 ndeshje mes 2018 dhe 2021, ai shënoi 21 gola për të gjelbërit.

Ndërsa tek Hoffenheim që mund të bëhet skuadra e 7 në karrierën e tij, Rashica do të bashkohej me Hajdarin, Avdullahun dhe Asllanin që janë titullarë të padiskutueshëm në Sinsheim.

The post Hlozek për Rashicën appeared first on Gazeta Si.

‘Strehuam iranianët’, Rama në Izrael: Për pak na shkatërruan infrastrukturën digjitale, kemi ndërprerë çdo lidhje me ta

26 January 2026 at 17:16

Nga Gazeta Si- Në vijim të fjalës së tij në Parlamentin e Izraelit, kryeministri Edi Rama është shprehur se Shqipëria njësoj siç strehoi hebrenjtë gjatë Luftës II Botërore, strehoi edhe iranianët e rrezikuar nga regjimi i Ajatollahut, të cilët janë ende në Shqipëri.

Rama shtoi se duke strehuar iranianët, Shqipëria ka marrë edhe kosto, ku sipas tij për pak u shkatërrua infrastruktura digjitale e vendit si pasojë e sulmeve kibernetike.

“Siç strehuam hebrenjtë e kemi bërë dhe me kombe të tjera. Kjo është arsyeja që i kemi dhënë dhe mijëra iranianëve strehim dhe mbrojte. Nuk është diçka qe e kemi bërë pa risk dhe nuk është pa risk edhe sot. Të strehosh një qenie tjetër njerëzore që është në rrezik, nuk është një veprim që nuk paraqet rrezik, përkundrazi”, tha Rama, duke shtuar se Shqipëria i rezistoi sulmeve të egra që për pak shkatërruan infrastrukturën digjitale.

“U këshilluam nga miqtë tanë të mëdhenj, që mos të reagojmë në mënyrë të nxituar ndaj Iranit sepse ata janë të mëdhenj”, tha Rama, duke shtuar se vendi ynë ka ndërprerë edhe lidhjen më të hollë sa një fije flokë me regjimin e Khomeneit.

The post ‘Strehuam iranianët’, Rama në Izrael: Për pak na shkatërruan infrastrukturën digjitale, kemi ndërprerë çdo lidhje me ta appeared first on Gazeta Si.

Rama në parlamentin izraelit: Xhelati është Hamasi! Derisa të çarmatoset, Gaza nuk do ketë qetësi

26 January 2026 at 16:48

Nga Gazeta Si- Gjatë vizitës së tij në Izrael, Kryeministri Edi Rama foli edhe në Parlamentin izraelit ku përmendi konfliktin në Gaza. Rama tha se xhelati i palestinezëve është vetë Hamasi dhe Gaza nuk do të gjejë qetësi derisa Hamasi të çarmatoset dhe të çmontohet. Pa këto, sipas Ramës nuk do të ketë paqe.

 “Xhelati është Hamasi dhe askush tjetër. Ideologjia e tij e terrorit kundër njerëzve të tij dhe kundër kombit hebre. Derisa Hamasi të çarmatoset dhe të çmontohet asnjë paqe nuk do zgjasë dhe të arrihet”, tha Rama.

Ndërkohe qe kreu i qeverise shqiptare shpreh se e konsideronte si një nder të veçantë pritjen në parlamentin izraelit, duke theksuar se respekti i treguar nuk i përket atij personalisht, por Shqipërisë dhe qytetarëve të saj.

Rama tha se vendi që përfaqëson ka bërë më shumë se shumë kombe të tjera për popullin hebre.

“Jam i sigurt se Shqipëria që unë përfaqësoj, si pak të tjerë që bënë për popullin hebre, duhet të gëzojnë respekt nga shteti i Izraelit”, u shpreh Rama.

Rama tha se këto shembuj historik do t’i sjellë për të siguruar ata që mbajnë një pikëpamje komplet ndryshe nga e tija për Gazën, se shqiptarët sjellin një mësim shumë të mirë se çfarë është e aftë të sjellë ideologjia.

“Ka një histori që lidh dy popujt tanë. Trashëgimia jonë lidhet dhe daton shekuj më parë, qëkur refugjatët izraelitë kërkonin strehim në tokën tonë. Gjatë Holokaustit, kur nazistët dërguan zyrtarët e tyre, dërguan Nombaherin te populli shqiptar, shqiptarët thanë: ‘Na merrni floririn, por jo hebrenjtë’. Kjo nuk është një legjendë”, tha ndër të tjera Rama.

The post Rama në parlamentin izraelit: Xhelati është Hamasi! Derisa të çarmatoset, Gaza nuk do ketë qetësi appeared first on Gazeta Si.

Vritet me armë zjarri taksisti shqiptar në Belgjikë, arrestohen dy të rinj

26 January 2026 at 16:07

Gazeta Si – Dy të rinj, 20 dhe 24 vjeç, u arrestuan në fundjavë, si të dyshuar për vrasjen e 45-vjeçarit shqiptar Marko Beka, ngjarje e ndodhur të shtunën në Larum, në qendër të fshatit Geel të Belgjikës.

Sipas mediave belge, shërbimet e emergjencës u përpoqën ta ringjallnin viktimën, por pa sukses. Shoferi i taksisë vdiq në vendngjarje nga plagët e marra me armë zjarri në rrethana të paqarta deri tani.

Policia Federale Gjyqësore (FGP) e Anversës kreu hetime të mëtejshme dhe kreu disa kontrolle shtëpish fundjavën e kaluar.

“Të shtunën dhe të dielën, FGP arrestoi dy burra, të moshës 20 dhe 24 vjeç, nga Merksem dhe Geel”, vazhdon zëdhënësi i policisë, Aerts, pa specifikuar kombësinë e tyre.

“Pas marrjes në pyetje, ata u sollën para gjyqtarit hetues të dielën dhe u arrestuan me dyshimin për vrasje. Kryetari i trupit gjykues do të vendosë për këtë arrestim të premten”.

Hetimi penal vazhdon. “Në këtë kohë, është ende e paqartë se kush qëlloi të shtënën fatale dhe cili ishte motivi i të shtënave”, përfundon Aerts.

Marko Beka ishte babai i tre fëmijëve, të moshave 5, 11 dhe 17 vjeç, dhe drejtonte një biznes privat taksish në Geel.

Bashkëshortja e tij, Izabela, e përshkruan atë si një njeri të qetë, të sjellshëm dhe shumë social, i dashur për komunitetin dhe pa konflikte me askënd.

The post Vritet me armë zjarri taksisti shqiptar në Belgjikë, arrestohen dy të rinj appeared first on Gazeta Si.

Arrestohet gjenerali i lartë kinez, dyshohet se i dha sekrete bërthamore SHBA-ve

26 January 2026 at 15:30

Gazeta Si – Gjenerali i lartë kinez Zhang Youxia, i përshkruar shpesh si krahu i djathtë i presidentit Xi Jinping, është arrestuar me dyshimin për tradhti.

75-vjeçari Zhang dyshohet se u ka kaluar Shteteve të Bashkuara informacione të ndjeshme në lidhje me aftësitë bërthamore të Kinës

Ministria kineze e Mbrojtjes njoftoi të shtunën se po hetonte “shkelje serioze të ligjit”. Shefi i Shtabit, Liu Zhenli u arrestua gjithashtu, por ministria nuk dha detaje të mëtejshme.

Sipas një dokumenti që Wall Street Journal pretendon se e ka parë, gjenerali i lartë kinez Zhang, dyshohet se i ka kaluar Shteteve të Bashkuara informacione të ndjeshme në lidhje me aftësitë bërthamore të Kinës.

I njëjti raport sugjeron gjithashtu se Zhang pranoi para për të ndikuar në ngritjet në detyrë brenda ushtrisë. Këto raporte nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Gazeta e partisë ushtarake, Ushtria Çlirimtare Popullore, “Daily”, shkruan se Zhang dhe Liu dyshohet se kanë minuar “autoritetin e presidentit Xi”.

Rasti përshtatet në fushatën më të gjerë të Xi për të luftuar korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin në ushtri.

Disa figura të profilit të lartë janë lënë mënjanë në muajt e fundit. Në tetor, për shembull, Gjenerali He Ëeidong u shkarkua nga posti i tij pas akuzave për korrupsion.

“Goditje e madhe morale”

Zhang Youxia është nënkryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, organi që mbikëqyr Ushtrinë Çlirimtare Popullore Kineze. Ai është udhëheqësi më i lartë ushtarak i vendit pas presidentit Xi Jinping.

Është e habitshme që Zhang është konsideruar prej kohësh një njeri i besuar i Xi-së. Familjet e tyre kanë lidhje që datojnë që nga periudha revolucionare nën drejtimin e Mao Ce Dunit.

Zhang gjithashtu mbeti në pozicionin e tij, megjithëse disa vëzhgues besojnë se ai mund të ishte kishte dalë në pension më herët.

Analistët po e quajnë këtë një hap të jashtëzakonshëm. Eksperti amerikan i Kinës, Christopher K. Johnson, e quan “të paprecedentë në historinë e ushtrisë kineze” që një figurë në këtë nivel po vihet në shënjestër. “Kjo do të thotë shpërbërje e plotë e udhëheqjes ushtarake”.

Eksperti Su Tzu-yun i frikësohet “një goditjeje të madhe për moralin brenda ushtrisë kineze”. Ai e sheh hetimin ndaj Zhang kryesisht si “një pasqyrim të pasigurisë së Xi Jinping”.

Dyshimet

Vëzhgues të tjerë gjithashtu theksojnë se hetime të tilla zakonisht kanë pasoja serioze: ata që bien nga hiri në Kinë rrallë kthehen në favor të udhëheqjes së partisë.

Në të njëjtën kohë, mbeten pyetje në lidhje me natyrën e dyshimeve. Analisti amerikan, Neil Thomas, thekson se komunikimet dhe kontaktet e Zhang normalisht monitorohen rreptësisht, gjë që, thotë ai, e bën të vështirë të kuptohet se si mund të ketë ndodhur në të vërtetë një rrjedhje e tillë informacioni.

The post Arrestohet gjenerali i lartë kinez, dyshohet se i dha sekrete bërthamore SHBA-ve appeared first on Gazeta Si.

Kërkon lirimin nga qelia, Kushtetuesja kalon në seancë çështjen ndaj Veliajt

26 January 2026 at 15:13

Gazeta Si – Gjykata Kushtetuese ka vendosur të kalojë për shqyrtim në seancë plenare ankimin e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, kundër masës “arrest me burg”, e ekzekutuar në 10 shkurt 2025 për akuzat e korrupsionit, pastrimin të parave dhe fshehjes së paurisë.

Vendimi është marrë nga Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët kanë përcaktuar se çështja do të analizohet mbi bazën e dokumentacionit të depozituar, pa zhvilluar seancë dëgjimore publike. Në këtë mënyrë, trupa gjyqësore do të vlerësojë nëse vendimet e dhëna nga gjykatat e zakonshme janë në përputhje me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare për lirinë personale.

Veliaj iu drejtua Gjykatës Kushtetuese në nëntor të vitit të kaluar, pasi kishte shteruar të gjitha mjetet e ankimit në sistemin gjyqësor.

Në kërkesën e tij, ai argumenton se masa e arrestit në burg është e pajustifikuar dhe joproporcionale, duke cenuar të drejtën themelore për liri dhe parimin e procesit të rregullt ligjor.

Në përfundim të procesit, pritet që Gjykata Kushtetuese të vendosë nëse do të pranojë ose jo kërkesën për shfuqizimin e arrestit në burg.

Javën e kaluar, Veliaj paditi në Gjykatën Administrative Presidencën dhe prokurorin e SPAK, Olsi Dado, me pretendimin se ai është bërë prokuror pa mbaruar Shkollën e Magjistraturës, duke kërkuar shkarkimin e tij nga detyra.

The post Kërkon lirimin nga qelia, Kushtetuesja kalon në seancë çështjen ndaj Veliajt appeared first on Gazeta Si.

Rama krah Netanyahut: Shqipëria qëndron kundër antisemitizmit dhe islamofobisë

26 January 2026 at 14:39

Nga Gazeta ‘Si’- Në një deklaratë për shtyp me kryeministrin Edi Rama, homologu izraelit Benjamin Netanyahu vlerësoi marrëdhëniet midis dy vendeve dhe tha se njerëzit duhet të njohin rolin e jashtëzakonshëm që Shqipëria luajti gjatë orëve më të errëta të historisë njerëzore.

Ai u ndal në dy pika gjatë fjalimit: rritja e numrit të turistëve izraelitë në Shqipëri dhe çelja e Dhomës së Tregtisë në Jeruzalem që sipas tij do të forcojë raportin mes dy vendeve.

“Shqiptarët mbrojtën qindra hebrenj dhe mikpritën shumë të tjerë. Ky është shpirti që ju përfaqësoni.

Kjo është ajo histori që bota duhet ta njohë. Kjo është histori që frymëzon filma. Njerëzit duhet të njohin rolin e jashtëzakonshëm, moral, që Shqipëria luajti gjatë orëve të errëta të historisë njerëzore. Me çeljen e Dhomës së Tregtisë në Jeruzalem, nesër me praninë e kryeministrit Rama, kjo do të çojë përpara lidhjet ekonomike.

Kemi një mirëkuptim që shkon përtej interesave, por në ndjenjën më të thellë të simpatisë njerëzore, ka një themel afërsie e vëllazërie midis vendeve tona. Numri i turistëve izraelitë që kanë shkuar në Shqipëri është rritur me 800%. Mund t’u them të gjithë izraelitëve që Shqipëria është vend i mrekullueshëm, kështu që shkoni atje”, u shpreh ai.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama kujtoi se Shqipëria ka qenë një strehë për hebrenjtë që i iknin persekutimit në Europë, duke e cilësuar mbrojtjen e tyre gjatë Holokaustit si një trashëgimi unike historike dhe një dëshmi të kurajës morale të brezave të mëparshëm.

Sipas kreut të qeverisë, edhe pse shumica e popullsisë shqiptare është myslimane, u bashkua me vuajtjen e popullit palestinez pa shprehur urrejtje ndaj izraelit.

Ai u shpreh se Shqipëria qëndron e palëkundur kundër antisemitizmit dhe islamofobisë.

“Dua ta theksoj dhe një herë se Shqipëria dhe Izraeli ndajnë marrëdhënie të shkëlqyera që i kanë rrënjët  në miqësinë e thellë midis popujve shqiptar dhe hebre, farkëtuar përmes shekujsh historie, kur më shumë se një herë, hebrenjtë që i iknin persekutimit në perëndim erdhën e u vendosën në brigjet tona. Trashëgimia unike historike e Shqipërisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit e bën këtë lidhje thellësisht të veçantë, e për mua, për ne, është dëshmia e kurajës morale të gjyshërve tanë, një dëshmi që kurrë nuk duhet ta harrojmë dhe duhet të bëjmë gjithçka për ta trashëguar brez pas brezi.

Qeveria është plotësisht e përkushtuar për ta kremtuar këtë trashëgimi të çmuar nga historia dhe mban një qëndrim të vendosur, të qartë e të pandryshuar kundër antisemitizmit, si brenda vendit ashtu edhe ndërkombëtarisht” tha Rama.

Në lidhje me ftesën për në Bordin e Paqes, Rama tha se Shqipëria do të mbështesë të gjitha përpjekjet për paqe, përfshirë planin e paqes për Gazën të presidentit Trump.

The post Rama krah Netanyahut: Shqipëria qëndron kundër antisemitizmit dhe islamofobisë appeared first on Gazeta Si.

Gramsh/ Kamioni bie në humnerë, një i vdekur dhe dy në gjendje kritike

26 January 2026 at 14:22

Një aksident i rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Kabash–Porocan, në Gramsh, pranë fshatit Bardhan.

Mësohet se një person ka humbur jetën, ndërsa dy të tjerë ndodhen në gjendje shumë të rëndë.

Një mjet tip kamion ka rënë në humnerë, ku në të udhëtonin një mësuese, një infermiere dhe drejtuesi i mjetit, pjesë e personelit të shërbimit në fshatra.

Infermierja 40 vjeçare ka ndërruar jetë në vend, ndërsa mësuesja dhe shoferi ndodhen në gjendje të rëndë.

The post Gramsh/ Kamioni bie në humnerë, një i vdekur dhe dy në gjendje kritike appeared first on Gazeta Si.

‘Bulls’ nderojnë Derrick Rose, Chicago tërheq Nr. 1 (Video)

26 January 2026 at 13:52

Nga Gazeta “Si” – Një hero i qytetit të lindjes, dashuria e përjetshme e një qyteti dhe një trashëgimi e vulosur në “United Center”.

Fanella e Derrick Rose me numrin 1 u ngrit në tavan gjatë një ceremonie me pjesëmarrjen e ish-shokëve të skuadrës dhe figura të shquara të Bulls.

Fanella e tij do të qëndroj përkrah atyre legjendare si numri 23 i Michael Jordan dhe numri 33 i Scottie Pippen.

Rose ishte një sensacion në Çikago dhe në gjithë Botën e basketbollit që në momentin kur shkeli për herë të parë parketin e “United Center” si “rookie” i Bulls.

Loja e tij binte menjëherë në sy. Kombinimi i shpejtësisë, aftësive, atletizmit, eksplozivitetit dhe guximit e bëri atë një idhull të tifozëve që nga dita e parë.

Gara për çmimin “Rookie of the Year” nuk ishte aspak e ngushtë. Rose mori 111 nga 120 votat për vendin e parë nga paneli i mediave, pasi shënoi mesatarisht 16.8 pikë, dha 6.3 asist dhe mori 3.9 topa nga tabela në 81 ndeshje.

Nuk pati vazhdimësi me çmimin “Sophomore” për Rose, i cili kaloi nga “Rookie of the Year” në vitin 2009 në “NBA All-Star” në vitin 2010, duke dhuruar edhe një tjetër moment ikonë të gdhendur në kujtesën e tifozëve të Bulls anembanë Botës.

Më 3 Maj 2011, Rose hyri në histori duke u bërë lojtari më i ri që fiton çmimin “Most Valuable Player” në NBA, vetëm 22 vjeç – një rekord që më parë mbahej nga Wes Unseld, 23 vjeç, në vitin 1969.

Derrick Rose e fitoi bindshëm çmimin, duke marrë 113 nga 120 votat për vendin e parë.

Edhe pse kujtimet do të zgjasin përgjithmonë, koha e Rose te Chicago nuk ishte e tillë.

Pas eliminimit në ½ finalet e Konferencës së Lindjes në vitin 2015, Bulls nuk u kualifikuan në play-off në 2016.

Pas atij sezoni, Rose u transferua te New York Knicks, duke vazhduar pjesën e dytë të karrierës me Knicks, Cavaliers, Timberwolves, Pistons dhe Grizzlies.

Disa muaj pasi zyrtarizoi tërheqjen nga basketbolli më 26 Shtator 2024, Bulls organizuan “Derrick Rose Night” në “United Center” më 4 Janar 2025.

Fanella me numrin 1 e Rose i shtohet numrit 23 (Michael Jordan), numrit 33 (Scottie Pippen), numrit 5 (Bob Love) dhe numrit 4 (Jerry Sloan).

  • Karriera e Derrick Rose:
    NBA Most Valuable Player: 2011
    NBA All-Star Selection: 2010, 2011, 2012
    All-NBA First Team: 2011
    NBA Rookie of the Year: 2009
    NBA All-Rookie First Team: 2009
    Skills Challenge Champion: 2009
    Conference Rookie of the Month: Nëntor-Dhjetor 2009, Mars 2010
    Conference Player of the Month: Prill 2010, Mars 2011

The post ‘Bulls’ nderojnë Derrick Rose, Chicago tërheq Nr. 1 (Video) appeared first on Gazeta Si.

‘Policia, mos prek telefonat’/ pamjet nga arrestimet në Call-Center te kulla luksoze në Tiranë!

26 January 2026 at 13:45

Gazeta Si – Emisioni investigativ italian “Le Iene” ka publikuar pamjet ekskluzive nga aksioni i SPAK-ut në mes të Tiranës, ku u godit një “Call-Center”, i dyshuar për mashtrim masiv qytetarësh evropianë përmes investimeve të rreme në bursa.

Organizata, me seli në Shqipëri dhe qendra thirrje në Evropë, fitonte 20-30 milionë euro në muaj duke mashtruar viktima të panumërta.

Sipas pamjeve, policia hyn në zyrat e kullës ku ndodhej subjekti dhe urdhëron me zë të lartë: “Policia, mos lëviz. Duart mbi tavolinë! Mos prek telefonat”, ndërsa punonjësit e Call-Center-it shoqërohen me pranga.

Pas kapjes në flagrancë, hetuesit kanë bërë kontrollin me iniciativë të ambientit në katin e 5-të të godinës, ku është konstatuar një qendër tjetër thirrjesh në ndërtim e sipër.

Aty u gjetën pajisje kompjuterike, telefona, hard disqe, laptopë, karta të ndryshme SIM, dokumente, blloqe me shënime.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në 28 ambiente; banesa, automjete, zyra, garazhde, etj, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, qindra pajisje kompjuterike të cilat janë në proces verifikimi, sisteme monitorimi të kamerave, sisteme të rrjetit kompjuterik, pajisje memorizuese, server, dokumente të Qendrës së Thirrjeve, subjektit “Infinite” shpk dhe subjekteve të tjerë në proces verifikimi.

Të arrestuar nga ky operacion janë: Remir Gjoligaj, Endri Gjata, David Qerimi, Elis Merkaj, Hysen Xhepexhiu, Klaudio Kaçupi, të cilët janë lënë në burg me vendim të GJKKO-së ndërsa për dy punonjësit Rentjan Peposhi dhe Odeas Kuqi u caktua masa “arrest me burg” me afat 20 ditë.

The post ‘Policia, mos prek telefonat’/ pamjet nga arrestimet në Call-Center te kulla luksoze në Tiranë! appeared first on Gazeta Si.

‘MotoGP 2026’ – Trackhouse dhe Yamaha prezantojnë motorrët e rinj (Galeri)

26 January 2026 at 13:44

Nga Gazeta “Si” – Skuadra amerikane “Trackhouse”, zbuloi dy dizajne të reja për sezonin 2026 në “MotoGP”.

Njëri është i vetë ekipit, i përditësuar për sezonin e ardhshëm, ndërsa tjetra është ikona e partnerit “Gulf”.

Raul Fernandez dhe Ai Ogura do të pilotojnë motorrët “Trackhouse Aprilia RS-GP26” në startin e sezonit në Tajlandë.

Dizajni i “Trackhouse” ruan ngjyrat karakteristike të ekipit, të frymëzuara nga paleta bazë blu, e zezë dhe e verdhë flu e “Trackhouse Racing”.

Ndërkohë, ngjyrat e Gulf do të shfaqen në pistë në Tajlandë dhe më pas sërish në raundin e dytë në Brazil.

Ato do të rikthehen në “Çmimin e Madh të Italisë” në Mugello, atje ku skuadra arriti podiumin e parë në “Sprint”.

“Monster Energy Yamaha MotoGP” u bë skuadra e rradhës që prezantoi Indonezi, motorrët për sezonin e ri.

Event që shënoi fillimin e epokës “V4” për Yamaha-n që përgatitet ta përdorë projektin këtë sezon.

Prezantimi solli skemën e rifreskuar të ngjyrave dhe ekspozoi “YZR-M1” tërësisht të ridizajnuar.

Pamja e re ruan karakteristikën e kamuflazhit, përditësuar me më shumë blu dhe të bardhë – gati për të dalë në pistë në duart e Fabio Quartararo-s dhe Alex Rins.

The post ‘MotoGP 2026’ – Trackhouse dhe Yamaha prezantojnë motorrët e rinj (Galeri) appeared first on Gazeta Si.

Ari kalon çmimin e 5 mijë dollarëve

26 January 2026 at 13:42

Çmimi i arit ka kaluar për herë të parë 5.000 dollarë, teksa investitorët drejtohen drejt këtij aktivi strehues për shkak të tensioneve gjeopolitike në rritje.

Ari arriti të shënojë 5.052 dollarë për një onz të trojit të hënën, duke vazhduar një rritje që e çoi çmimin mbi 8% javën e kaluar, rritja javore më e madhe që nga kriza globale financiare e vitit 2008.

Një rritje historike e çmimeve të arit gjatë dy viteve të fundit është nxitur nga interes i shtuar i investitorëve dhe nga bankat qendrore që kërkojnë të diversifikojnë portofolin e tyre larg dollarit.

Javën e kaluar, kërcënimi i Presidentit amerikan Donald Trump për të vendosur tarifa ndaj aleatëve evropianë nëse ata nuk pranonin kërkesat e tij për kontroll mbi Groenlandën shkaktoi një shitje të fortë në Wall Street, para se rikthimi i tij i papritur të mërkurën të nxiste një rimëkëmbje të aksioneve.

Por dollari ka pasur vështirësi për të rimarrë terrenin e humbur, me një indeks të monedhës kundrejt monedhave të tjera, përfshirë paundin dhe euron, që ra 1.9 për qind javën e kaluar. Dobësia e dollarit mund të nxisë arin, duke e bërë metalin e çmuar të tregtuar në dollarë më të lirë për t’u blerë në monedha të tjera.

The post Ari kalon çmimin e 5 mijë dollarëve appeared first on Gazeta Si.

Gati për Olimpiadën dimërore – Mbretërisha Shiffrin fitoi ‘Globin’ e 9-të në Slalom

26 January 2026 at 13:37

Nga Gazeta “Si” – Mikaela Shiffrin (SHBA/Atomic) po garon në një “planet” tjetër krahasuar me rivalet në Slalomin për femra.

Në Spindleruv Mlyn të Çekisë, ajo siguroi të rradhës “Glob të Kristaltë” në Kupën e Botës.

Shiffrin ka 108 fitore në karrierë në Kupën e Botës. Asaj i mjaftonte vetëm vendi i shtatë për ta fituar “Globin” për herë të 9-të në karrierën e saj.

Këtë sezon ajo ka 7-të fitore dhe një vend të 2-të në Slalom: beteja e radhës në kalendar tani është për medaljen e Artë në Lojërat Olimpike dimërore “Milano-Cortina 2026”.

The post Gati për Olimpiadën dimërore – Mbretërisha Shiffrin fitoi ‘Globin’ e 9-të në Slalom appeared first on Gazeta Si.

‘Simbol i pisllëkut’- Shkrihet Kadastra e Vlorës, dosjet i merr Tirana

26 January 2026 at 13:16

Nga Gazeta ‘SI’ – Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Vlorë është shkrirë duke i kaluar të gjitha dokumentacionet drejtorisë qendrore në Tiranë.

Vendimi është marrë nga drejtoresha e përgjtihshme e ASHK-së, Lorena Goxhobelli dhe hyn në fuqi më 1 shkurt, datë nga e cila Vlora nuk do të ketë më një strukturë vendore të Kadastrës

Gjithsesi, shkrirja nuk është një vendim surprizë.

Në gjashtë vitet e fundit, kjo drejtori ka ndërruar më shumë se 11 drejtues dhe ka qenë shpesh në qendër të skandaleve të abuzimit dhe korrupsionit.

Gjatë verës së vitit të shkuar, vetë kryeministri Edi Rama e sulmoi publikisht Kadastrën e Vlorës, duke e quajtur “simbol të pisllëkut dhe korrupsionit”. Ai theksoi se aty janë punësuar njerëz që nuk kanë lidhje me fushën, duke i cilësuar si “ujqër”.

Problemet nuk kanë qenë thjesht deklarative. Në vitin 2023, Kadastra e Vlorës u bë subjekt hetimi nga SPAK për parregullsi në regjistrat e pronave dhe abuzime nga drejtuesit. Vlora, ashtu si Durrësi, njihet si qyteti me problematika të thella të pronësisë, veçanërisht në bregdet.

Një shkrirje e ngjashme ndodhi me Kadastrën e Durrësit në vitin 2022, pas konflikteve të shumta mbi pronat bregdetare, përfshirë edhe atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoji. Hetimet zbuluan se punonjës të Kadastrës ndërhynin në regjistrat e pronave për të ndryshuar pronarët në përputhje me kërkesat e grupeve kriminale, përfshirë bandën e Avdylajve dhe Aleksandër Lahon, i njohur si “Rrumi” i Shijakut.

Të gjitha këto dosje dhe skandale detyruan qeverinë të nisë procesin e digjitalizimit të Kadastrës, një nismë që megjithatë mbetet ende në tentativë, duke lënë pas probleme të trashëguara të menaxhimit dhe kontrollit të pronësisë në qytetet bregdetare.

The post ‘Simbol i pisllëkut’- Shkrihet Kadastra e Vlorës, dosjet i merr Tirana appeared first on Gazeta Si.

Pakti shqiptaro-kroat/ Vengu: Serbia është ftuar, nuk i marrim leje askujt me kë bashkëpunojmë

26 January 2026 at 13:06

Nga Gazeta ‘Si’- Ministri i Mbrojtes Pirro Vengu ka hedhur poshtë shqetësimet e shprehura nga Beogradi lidhur me marrëveshjen trilaterale mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë.

I pyetur lidhur me deklaratat e Presidentit Serb, Aleksandar Vuçiç për këtë marrëveshje, që sipas tij synon shkatërrimin e Serbisë, Vengu tha se e ka ftuar Serbinë t’i bashkohet.

“Patjetër kam vënë re herë pas here një sens paniku nga deklarata zyrtare në Beograd. Mund t’ iu them që është një marrëveshje trepalëshe që nuk është ndërtuar kundër askujt. Madje kam qenë unë vetë i pari që kam shprehur edhe ftesë, pse jo, që Serbia, nëse gjykon se rajoni, stabiliteti, qëndrueshmëria dhe e ardhmja euroatlantike e vendeve të rajonit është e rëndësishme, atëherë t’i bashkëngjitet kësaj iniciative. Ja u merr mendja që nuk kam marrë një përgjigje për sa i përket kësaj ftese.

Mund t’iu them që Kroacia, Shqipëria dhe Kosova kanë filluar në bazë të kësaj marrëveshjeje, qoftë në rrafshin ushtarak, stërvitor, akademik arsimor por edhe të prodhimit ushtarak, të bashkëpunojnë”, tha Vengu.

Ai shtoi se të treja vendet nuk i marrin leje askujt për të formuar koalicione.

“Me Kosovën kemi dakordësi për sa i përket mjeteve të blinduara. Dhe kjo vjen për dy arsye: E para sepse lexojmë rreziqe dhe kërcënime në rajon të njëmendje. E dyta, nuk besoj se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova, kanë nevojë të marrin leje për saj i përket kësaj pjese. E treta: mikpresim edhe vende të tjera të na bashkëngjiten. Është partneritet i hapur.

Shumëkush e quan marrëveshje të mbrojtjes. Kemi vënë re që të tre vendet kanë nevoja të ngjashme për sa i përket rritjes së kapaciteteve”

Marrëveshja e këtij sfondi e cila është e para në rajon, parashikon forcim të kapaciteteve mbrojtëse, zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe bashkëpunimin në trajnimet ushtarake.

The post Pakti shqiptaro-kroat/ Vengu: Serbia është ftuar, nuk i marrim leje askujt me kë bashkëpunojmë appeared first on Gazeta Si.

Gjirokastër, dyshohet se abuzoi seksualisht me vajzën e mitur të partneres, pranga njerkut

26 January 2026 at 12:59

Është arrestuar nga Policia e Gjirokastrës K. K., 39 vjeç, nga Dibra me banim të përkohshëm në Gjirokastër.

Ai është arrestuar sepse dyshohet se ka abuzuar seksualisht me një vajzë 12-vjeçare, e cila është e bija e bashkëjetueses së 39-vjeçarit në Gjirokastër.

Nga hetimet rezulton se 39-vjeçari ka qenë i arrestuar pesë ditë më parë në një aksion blic nga Policia e Dibrës dhe ajo e Gjirokastrës, pasi ai, së bashku me të vëllanë binjak, dyshohet të jenë autorë të një vrasjeje të ndodhur në Dibër në vitin 2018 por u la ‘arrest shtëpie’ në seancën e vlerësimit të masës së arrestit.

The post Gjirokastër, dyshohet se abuzoi seksualisht me vajzën e mitur të partneres, pranga njerkut appeared first on Gazeta Si.

Mbipesha shkakton demencë të lidhur me enët e gjakut

26 January 2026 at 12:52

Demenca është një sfidë globale në rritje e shëndetit publik, për të cilën aktualisht nuk ka kurë. Një studim i kohëve të fundit zbuloi se njerëzit me një BMI gjenetikisht më të lartë kishin një rrezik dukshëm më të lartë të demencës vaskulare.

Obeziteti është lidhur prej kohësh me një rrezik më të lartë të demencës vaskulare, një sëmundje progresive e trurit që shkakton dëmtim të qelizave nervore.

Megjithatë, deri më tani ka qenë e paqartë nëse pesha e tepërt e nxit drejtpërdrejt sëmundjen apo thjesht pasqyron probleme të tjera themelore shëndetësore që rrisin rrezikun e demencës.

Hulumtuesit në Mbretërinë e Bashkuar dhe Danimarkë analizuan të dhënat nga më shumë se 500,000 pjesëmarrës në të dy vendet dhe zbuluan se një indeks më i lartë i masës trupore (BMI) rrit drejtpërdrejt mundësinë e demencës vaskulare.

Demenca vaskulare është forma e dytë më e zakonshme e demencës pas sëmundjes së Alzheimerit.

“Ky studim tregon se pesha e lartë trupore dhe presioni i lartë i gjakut nuk janë vetëm shenja paralajmëruese, por shkaqe të drejtpërdrejta të demencës”, tha në një deklaratë Ruth Frikke-Schmidt, autore e studimit.

Ekipi i hulumtimit përdori një metodë të quajtur randomizim Mendelian, e cila krahason njerëzit që lindin me gjene që i predispozojnë ata për një BMI më të lartë me ata që nuk janë.

Ai zbuloi se njerëzit me një BMI gjenetikisht më të lartë kishin një rrezik dukshëm më të lartë të demencës vaskulare.

Hulumtuesit gjithashtu shqyrtuan pse pesha e tepërt rrit rrezikun e demencës. Ata zbuluan se presioni i lartë i gjakut shpjegonte një pjesë të konsiderueshme të efektit.

Gjetjet sugjerojnë se mbajtja e një peshe të shëndetshme dhe kontrollimi i presionit të gjakut mund të jenë hapa të rëndësishëm në uljen e rrezikut të demencës më vonë në jetë.

 “Trajtimi dhe parandalimi i BMI-së së lartë dhe presionit të lartë të gjakut përfaqësojnë një mundësi të pashfrytëzuar për parandalimin e demencës”, tha Frikke-Schmidt.

Demenca është një sfidë globale në rritje e shëndetit publik dhe çdo vit ka gati 10 milionë raste të reja në të gjithë botën.

Njerëzit me demencë përjetojnë një rënie të rëndë të aftësive mendore, duke përfshirë kujtesën, të menduarit dhe arsyetimin.

The post Mbipesha shkakton demencë të lidhur me enët e gjakut appeared first on Gazeta Si.

ICE drejt tërheqjes? Trump fajëson demokratët për vrasjet në Mineapolis

26 January 2026 at 12:40

Gazeta Si – Në një intervistë telefonike me “Wall Street Journal”, Donald Trump u shfaq i hapur ndaj idesë së tërheqjes së ICE nga Mineapolis, megjithëse pa specifikuar një afat kohor.

“Në një moment, ne do të largohemi. E kemi bërë, ata kanë bërë një punë fenomenale”, tha presidenti amerikan.

Komentet e tij erdhën pasi infermieri Alex Pretti u vra nga agjentët federalë të emigracionit.

Kur u pyet nëse agjentët do të largoheshin së shpejti, ai vlerësoi përpjekjet e administratës në Minesota dhe u përgjigj: “Po lëmë një grup të ndryshëm njerëzish atje për mashtrim financiar”.

Trump përmendi një skandal të përhapur mashtrimi me shërbimet sociale në shtet si justifikim për intensifikimin e zbatimit të ligjit për imigracionin.

Trump ia hodhi fajin për incidentin në Mineapolis demokratëve, duke i akuzuar ata jo vetëm për bashkëpunim me agjentë federalë – ndryshe nga shtetet republikane – por edhe për inkurajimin e “agjitatorëve të krahut të majtë për të penguar në mënyrë të paligjshme operacionet e tyre për të arrestuar më të këqijtë e të këqijve”.

“Duke vepruar kështu”,  shkroi ai në Truth, “demokratët po i vënë emigrantët e paligjshëm kriminelë mbi qytetarët që zbatojnë ligjin dhe paguajnë taksat dhe kanë krijuar rrethana të rrezikshme për të gjithë të përfshirët. Tragjikisht, dy qytetarë amerikanë kanë humbur jetën si rezultat i këtij kaosi të shkaktuar nga demokratët”.

Presidenti i SHBA-ve, i ka bërë thirrje Kongresit të miratojë legjislacion për t’i dhënë fund politikave të juridiksionit të emigracionit, mes tensioneve në rritje pas ngjarjeve në Mineapolis.

Në një postim në Truth Social, Trump shkroi se ai “i bën thirrje Kongresit të Shteteve të Bashkuara të miratojë menjëherë legjislacionin për t’i dhënë fund qyteteve strehë” dhe i bën thirrje Guvernatorit të Minesotës, Tim Ëalz, Kryetarit të Bashkisë së Mineapolis, Jacob Frey dhe të gjithë kryetarëve të bashkive dhe guvernatorëve demokratë, “të punojnë zyrtarisht me administratën Trump për të zbatuar ligjet e vendit tonë, në vend që të rezistojnë dhe t’i fryjnë flakëve të përçarjes, kaosit dhe dhunës”.

The post ICE drejt tërheqjes? Trump fajëson demokratët për vrasjet në Mineapolis appeared first on Gazeta Si.

❌
❌