Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka dënuar një 33-vjeçar në Vlorë për hedhje të inerteve në trotuar, duke ndotur kështu ambientin dhe penguar lëvizjen e lirë të këmbësorëve.
I njëjti është proceduar edhe penalisht, ndërkaq dënimi për të është 20.000 lekë, diku rreth 200 euro.
“Strukturat e Policisë në Vlorë, gjatë monitorimit të territorit me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, kanë evidentuar dhe goditur një rast të ndotjes së mjedisit dhe bllokimit të lëvizjes së lirë të këmbësorëve.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe verifikimeve në terren, u procedua penalisht shtetasi A. A., 33 vjeç, banues në Vlorë.
Ky shtetas, pasi kishte kryer punime rikonstruktive në banesën e tij, kishte hedhur inertet në trotuar, duke cenuar sigurinë dhe qarkullimin e lirë të qytetarëve, si dhe duke ndotur mjedisin.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”, parashikuar nga neni 201/a i Kodit Penal.
Paralelisht me veprimet procedurale të kryera nga Policia e Vlorës, këtij shtetasi, nga Policia Bashkiake Vlorë, në zbatim të legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e mjedisit urban, iu vendos masa administrative 20.000 lekë”, thuhet në njoftim.
Policia e Vlorës apelon për qytetarët që të mbrojnë mjedisin dhe të denoncojnë në numrin 112 çdo paligjshmëri që konstatojnë. /Telegrafi/
Një pamje e rrallë dhe disi rrëqethëse ka surprizuar pushuesit dhe banorët vendas në bregdetin e Vlorës.
Një krijesë detare me gjatësi të konsiderueshme dhe dhëmbë të mprehtë është gjetur e dekompozuar në rërë, duke nxitur menjëherë kuriozitetin e të pranishmëve.
Bëhet fjalë për një Moray eel, e njohur në zonë si morena, një specie peshku grabitqar që jeton kryesisht në ujërat e thella dhe mes shkëmbinjve në det.
Trupi i saj i gjatë cilindrik, i ngjashëm me një gjarpër detar, si dhe nofulla e fuqishme me dhëmbë të mprehtë e bëjnë një nga grabitqarët më karakteristikë të botës nënujore.
Morena zakonisht qëndron e fshehur në vrima shkëmbore dhe ushqehet me peshq të vegjël, kallamarë apo krustace. Ajo është e përhapur edhe në Detin Mesdhe, përfshirë brigjet shqiptare, por rrallëherë shihet në sipërfaqe apo në breg.
Ekspertët shpjegojnë se raste të tilla ndodhin kur peshku del nga habitatet e tij për shkak të sëmundjeve, dëmtimeve apo ndryshimeve të kushteve në det, duke përfunduar më pas në breg nga dallgët.
Pamja e saj ka tërhequr vëmendjen e kalimtarëve dhe pushuesve, të cilët janë ndalur për ta parë nga afër këtë krijesë të pazakontë detare që rrallë shfaqet në brigjet e Vlorës.
Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) ka bërë të ditur se më 9 mars 2026 një individ i fokës së Mesdheut është gjetur i ngordhur në zonën e Gadishullit të Karaburunit, në qarkun e Vlorës.
Sipas njoftimit, dy ditë para gjetjes së trupit, turistë kishin publikuar në rrjetet sociale pamje të një foke në të njëjtën zonë. Në video, kafsha shfaqte shenja jete, por edhe sjellje jo të zakonshme për ekologjinë e kësaj specieje, çka ngriti dyshime për gjendjen e saj shëndetësore.
Pas marrjes së informacionit, PPNEA ndërmori një aksion kërkimi në det. Më pas, në bashkëpunim me veterinerë të trajnuar për trajtimin e gjitarëve detarë, u bë e mundur nxjerrja e kafshës nga bregu dhe transportimi i saj për ekzaminime të mëtejshme.
Individi u dërgua në Qendrën Kërkimore SharkLab Adria në Vlorë ku u kryen ekzaminime të detajuara dhe procedura e nekropsisë.
Gjatë këtij procesi janë marrë mostra biologjike sipas protokolleve shkencore, të cilat do të analizohen në laborator për të përcaktuar shkakun e ngordhjes së kafshës.
Sipas ekzaminimeve morfologjike paraprake, individi rezulton të jetë një femër e maturuar. Pas përfundimit të analizave dhe procedurave shkencore, trupi i saj do të dërgohet në Muzeu e Shkencave të Natyrës në Tiranë, ku do të përgatitet për balsamim për qëllime shkencore, edukative dhe ndërgjegjësuese.
Ekspertët theksojnë se Foka e Mesdheut është një nga gjitarët detarë më të rrallë në botë. Popullata globale e kësaj specieje vlerësohet të jetë më pak se 1000 individë, ndërsa në Shqipëri prania e saj është shumë e rrallë. Raste të tilla konsiderohen të rëndësishme për të kuptuar kërcënimet me të cilat përballen gjitarët detarë në rajon dhe për të forcuar përpjekjet për mbrojtjen e tyre./Telegrafi/
Policia e Vlorës arrestoi një shtetas nga Kosova i cili tentoi të vjedhë një furgon në këtë qytet. Në pranga u vu shtetasi G. P., 23 vjeç, banues në Pejë, Kosovë.
“Ky shtetas u kap më datë 10.03.2026 , rreth orëve të para të mëngjesit, në lagjen “24 Maji”, në momentin që po tentonte të vidhte një automjet tip furgon. Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë bëri të mundur kapjen e tij në flagrancë dhe parandalimin e vjedhjes.
Gjatë kontrollit personal, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një mjet prerës (thikë).
Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se i njëjti shtetas dyshohet të jetë autor edhe i një vjedhjeje tjetër, të ndodhur më datë 06.03.2026, ku është marrë një shumë parash në një lokal në lagjen “10 Korriku”, në qytetin e Vlorës”, bëri me dije policia.
Policia vijon punën për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe për verifikimin e përfshirjes së këtij shtetasi edhe në raste të tjera vjedhjeje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Vlorë për veprat penale “Vjedhja” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. /Telegrafi/
Detaje të reja janë zbardhur lidhur me operacioni e zhvilluar këtë të shtunë në qytetin e Vlorës.
Mësohet se është arrestuar një punonjës police i lidhur me grupin e Vlorës, raporton euronews.al
I arrestuari është identifikuar si punonjësi i policisë, R.K.
Ai akuzohet për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Trafik lëndësh narkotike” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.
Më parë mësohet se ka qenë shef seksioni policisë shkencore, DVP Kukës.
Ai gjithashtu ka qene zëvendës Shef Komisariati për Hetimin e Krimeve në komisariatin e policisë Nr.1 dhe zëvendës Shef Komisariati/Shef për Hetimin e Krimeve: DVP Vlorë.
Një operacion po zhvillohet prej orëve të para të mëngjesit në qytetin e Vlorës ndërsa forcat RENEA kanë rrethuar zonën e Ujit të Ftohtë. Siç shihet edhe nga pamjet, policë të shumtë janë pozicionuar në zona të ndryshme të Ujit të Ftohtë.
Ky operacion vjen pasi SPAK ka firmosur 7 urdhër arreste, mes të cilëve edhe për Flodian Plakun i arrestuar më herët për vrasjen e Gentjan Bejtaj. RENEA mësohet se gjatë këtij operacioni është në kërkim të Ervis Matodoshaj.
Burime nga policia e Vlorës bëjnë me dije për Euronews.al se prej kohësh eksponentë të dyshuar kriminal janë mbajtur nën vëzhgim duke ndërhyrë këtë të shtunë për kapjen e tyre. Në kuadër të operacionit është rrethuar një perimetër i gjerë i sigurisë ndërsa efektivët janë të maskuar dhe të armatosur.
Lidhur me operacionin janë angazhuar rreth 40 efektivë të forcave speciale dhe rreth 10 mjete, përfshirë edhe mjete të blinduara. Operacioni është monitoruar edhe nga ajri përmes përdorimit të një droni.
Aksionit i është bashkuar edhe policia e Vlorës dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. /euronews.al/
SPAK ka firmosur 7 urdhër arreste, mes të cilëve edhe për Flodian Plakun i arrestuar më herët për vrasjen e Gentjan Bejtaj ne Larushk të Fushë Krujës. RENEA është në kërkim të Ervis Matodoshaj në zonën e Ujit të Ftohtë.
Pas aksionit për arrestimin e Florjan Plakut, në Orikum të Vlorës dhe sekuestrimit të telefonit të Pole Qorrit, hetimet kanë vijuar nga ana e SPAK prej disa kohësh, raporton euronews.al
Burime nga Policia e Vlorës bëjnë me dije se prej kohësh eksponentë të dyshuar kriminal janë mbajtur nën vëzhgim duke ndërhyrë ditën e sotme në zonën e ujit të ftohtë ku është rrethuar një perimetër i gjerë i sigurisë.
Aksioni është bërë nga forcat Renea dhe SPAK dhe më pas është lajmëruar policia e Vlorës për mbështetje prezentë është edhe Byroja Kombëtare e Hetimit.
Dy automjete janë përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit në zonën e Skelës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 pas mesnatës, kur banorët e lagjes kanë konstatuar zjarrin në një automjet tip foristradë Mercedes, i cili kishte marrë flakë në pjesën e përparme, në zonën e motorit.
Sipas informacioneve paraprake, flakët janë përhapur me shpejtësi dhe kanë përfshirë edhe një automjet tjetër tip BMW, i cili ndodhej i parkuar pranë mjetit.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakeve. Megjithatë, të dy mjetet kanë pësuar dëme të konsiderueshme materiale.
Në vendngjarje ka mbërritur edhe Policia, e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të zjarrit.
Uniformat blu kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve dhe ambienteve përreth, me qëllim identifikimin e shkakut që çoi në djegien e dy automjeteve.
Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për zjarr aksidental apo të qëllimshëm. /tch/
Nëse po kërkon investim në bregdet me potencial real rritjeje, kjo banesë 83.28m² në Vlora Marina në Vlorë është një mundësi serioze. Me orientim nga perëndimi dhe pamje të hapur nga deti i jugut, apartamenti ofron qëndrim ditor me kuzhinë, një dhomë gjumi, banjo, ballkon 12.27m² dhe 10.20m² sipërfaqe të përbashkët.
Kompleksi është ndërtim luksoz me standard të lartë dhe vizion për t’u kthyer në destinacion ndërkombëtar turistik. Ekziston mundësia e blerjes së garazhit (24.000€), ndërsa plani fleksibil i pagesës e bën investimin të strukturuar dhe të realizueshëm në kohë.
Plan fleksibil pagese – Investo me këste të strukturuara në kohë
Përparësi kryesore e investimit në Vlora Marina është mundësia tejet e volitshme për realizimin e pagesës me këte. Mënyrat e pagesë janë si në vijim:
30% e pagesës bëhet me nënshkrimin e kontratës
30% e pagesës bëhet në ndërtimin e karabinas / ndërtimit të vrazhdë, që pritet të realizohet pas një viti nga ky moment
30% me përfundimin e mobilimit, qe supozohet te jete pas 15 muajve nga ky moment
Si pasojë e motit të keq gjatë natës, në bajpasin e Vlorës, mbi zonën e Kaninës, janë regjistruar rrëshqitje gurësh.
Kanë qenë vetë drejtuesit e mjeteve ata që kanë sinjalizuar Policinë e Vlorës për praninë e gurëve në rrugë, të cilët kanë rrezikuar qarkullimin.
Ndërkohë, pritet ndërhyrja për pastrimin e segmentit, pasi aktualisht në këtë aks qarkullimi kryhet me vështirësi dhe me rrezik për drejtuesit e automjeteve.
Problem mbetet Qafa e Vishës për shkak të rrëshqitjes së gurëve.
Autoritetet paralajmërojnë për rrezikshmëri për shkak se bien gurë çdo ditë ndaj është duke u menduar për një ndërhyrje të gjatë./euronews/
Sipas familjarëve, dyshohet se simptomat te i mituri janë shfaqur pasi ia kishte konsumuar mjaltë.
Fëmija ka pasur të vjella të shumta, të cilat fillimisht u mendua se i kishin kaluar, por simptomat i vazhduan edhe në ditën e ndarjes nga jeta, raporton euronews.al
Kur u nis drejt qendrës shëndetësore në Dukat, fëmija mbërriti pa shenja jete, konfirmuar edhe nga mjekët.
Ai u shoqërua më pas në Spitalin e Vlorës, në pediatrinë e madhe, por as aty nuk mund të bëhej asgjë për ta shpëtuar.
Autoritetet shëndetësore presin rezultatet e analizave të biopsisë për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes së vogëlushit.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në podkastin “Flasim” lidhur me debatet e krijuara pas zhvendosjes së zyrës së Kadastrës së Vlorës në Tiranë.
Ai sqaroi se është ngatërruar qëllimisht ose nga keqinformimi vendndodhja fizike e zyrës me shërbimin për qytetarët, duke theksuar se modeli i ri i Kadastrës synon ofrimin e shërbimeve plotësisht online përmes platformës e-Albania.
“Dy fjalë për zhvendosjen e zyrës së Kadastrës së Vlorës në Tiranë. U ngatërrua, qëllimisht ose idiotësisht, adresa fizike e zyrës me shërbimin për qytetarët. Agjencia e Kadastrës ka kaluar prej kohësh nga një model shërbimi primitiv, me sportele, radhë dhe zvarritje, në një model online, ende i pa mbyllur plotësisht në ciklin e vet, por gjithsesi përmes platformës e-Albania ky model mundëson që shumica e procedurave të mos kenë nevojë për paraqitje fizike në një sportel. Të gjitha ndiqen online", tha Rama.
Ai shtoi se gjithë kjo zhurmë dhe ky tension që u ndje për atë lëvizje lidhet jo vetëm me një perceptim të gabuar apo me një informim të mangët, por edhe me një mendësi e cila duhet përmbysur.
"Duhet përmbysur duke pasur parasysh se e nesërmja e afërt e Kadastrës është një shërbim pa sportele dhe pa godina fizike të shpërndara në territor, por me akses në çdo shërbim si një e drejtë themelore, një e drejtë që merret përmes celularit ose kompjuterit më të afërt dhe që nuk ka asnjë lidhje me vendndodhjen e zyrës. Ky nuk është i pari veprim për zhvendosjen e një drejtorie vendore në qendër dhe nuk është as i fundit", u shpreh Rama.
Rama shtoi se të tjera drejtori do të zhvendosen dhe ajo që po punojmë çdo ditë është të sigurojmë mbylljen e ciklit,
"Pra, jo më aplikim online dhe më pas marrje e shërbimit me postë, por i gjithë cikli online", tha Rama./euronews/
Të gjitha mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit që operojnë brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës janë ndaluar të dalin në det të hapur, duke filluar nga ora 06:00 datë 28.01.2026 deri në datë 29.01.2026 në orën 06:00.
Kapiteneria e Portit Vlorë bën me dije se vendimi merret për shkak të përkeqësimit të kushteve meteorologjike brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, gjatë këtyre datave.
“Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike detare të përkeqësuar brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, gjatë datave 28-29.01.2026 duke filluar nga ora 06:00 datë 28.01.2026 në drejtimin JUG-JUGLINDJE në forcën deri 6-7bft me shpejtësi ere deri në 15-25m/s dhe lartësi dallge nga 1.50 deri 2.50 metra, ju bëjmë me dije se:
Kapiteneria e portit Vlorë ka ndaluar pajisjen me leje-nisje të mjeteve të vogla lundruese dhe ato të peshkimit të cilat duan të operojnë brenda gjirit të Vlorës dhe në det të hapur, duke filluar nga ora 06:00 datë 28.01.2026 deri në datë 29.01.2026 në orën 06:00.
Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gatishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.
Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse”, thuhet në njoftimin e Kapitenerisë së Vlorës. /euronewsl.al/
Burime brenda stafit të Hipotekës Vlorë bëjnë me dije se, pas dorëzimit të peticionit kundër zhvendosjes së zyrave në kryeqytet, punonjësit kanë marrë mbështetje nga zëvendësdrejtori i ASHK Vlorë Sokol Shehaj.
Megjithatë, sipas të njëjtave burime, pas kësaj mbështetjeje mësohet se zyrtari në fjalë është shkarkuar nga detyra, shkruan Euronews.al.
Ndërkohë, raportohet se ndaj 55 punonjësve të Hipotekës Vlorë po ushtrohet presion për përgatitjen e materialeve e drejt Tiranës. Punonjësit shprehen se kjo situatë ka krijuar pasiguri dhe tension, duke rrezikuar vazhdimësinë e punës së tyre në qytet.
Në shenjë reagimi, punonjësit kanë kërkuar ndërhyrje dhe mbështetje nga përfaqësuesit e zgjedhur, ndërsa kanë vendosur të pezullojnë përkohësisht punën, deri në sqarimin e situatës dhe marrjen e një zgjidhjeje të drejtë.
Ndërkohë, qytetarët të cilët janë gjendur sot përpara derës së kadastrës së Vlorës shprehen kundër vendimit për largimin e institucionit.
Me dokumentacione në duar ata thonë se ky vendim vetëm sa jua shton hallet dhe problemet. Sipas qytetarëve Kadastra duhet të qëndrojë në Vlorë dhe vendimi të rishikohet.
Dhëndri dhe vajza e presidentit amerikan, Donald Trump ndodhen këtë të mërkurë në Vlorë.
Euronews Albania ka siguruar pamje ku duket Ivanka Trump në Vlorë.
Jared Kushner dhe bashkëshortja e tij kanë mbërritur të shoqëruar nga një delegacion në zonën e Ujit të ftohtë. Ata kanë zhvilluar për rreth 1 orë një takim me një studio arkitekturore ku do të diskutohet për mënyrën e realizimit të projektit, investimit në ishullin e Sazanit.
Po ashtu, Euronews Albania ka publikuar pamje gjatë momentit të mbërritjes së saj në Zvërnec.
Vizita e Ivanka Tramp dhe Jared Kushner bashkëshortit të saj zhvillohet në kuadër të zhvillimit të projektit.
Mësohet se dy investitorët kanë pasur takimet me studiot arkitekturore. /euronews.al/
Mëngjesi i 4 tetorit 2024 e gjeti Vlorën të zhytur nën ujë. Shiu i rrëmbyer mbuloi lagje të tëra, aq sa nga dronët e mediave qyteti i ngjante “Venezias”, ku në vend të gondolave lundronin makinat.
Vlora u gjunjëzua nga reshjet për disa ditë, duke nxjerrë në pah dobësitë e një sistemi kullimi të amortizuar dhe mungesën e reagimit institucional. Mirëpo, kryeministri Edi Rama kishte një tjetër shpjegim për përmbytjen masive të qytetit bregdetar.
“E kemi parë se çfarë ndodhi në Austri dhe pamë se çfarë ndodhi në ditët kur këtu u përmbyt Vlora, në Bosnjë ku humbën jetën shumë njerëz… Ka një shpjegim të thjeshtë përtej analizave popullore dhe tendencioze që i bëhen përmbytjeve, që ka ndryshuar formacioni i reshjeve,”tha ai.
Kryeministri e vendosi theksin tek intensiteti i reshjeve, duke sugjeruar se edhe një infrastrukturë “ekselente” nuk do të përballonte goditjen e parë pa organizim dhe trajnim të strukturave. Auditimet nxorrën në pah të kundërtën.
Përmbytja ishte e parandalueshme
Një raport i detajuar i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi përmbytjet masive të vitit 2024 në Vlorë, i publikuar së fundmi, ka gjetje të cilat rrëzojnë narrativën e “formacionit të reshjeve”.
Shkaku kryesor i përmbytjeve sipas KLSH-së lidhet me mungesën e pastrimit të kanaleve kulluese prej dekadash, të cilat janë arteriet kryesore të kullimit të reshjeve për relievin e qytetit.
“Kanalet kulluese KK2 Akërni, KK3 Akërni dhe KUL Orikum, rezultuan më shumë se 15 vjet të pa pastruara, ndërsa segmente brenda qytetit nuk janë pastruar për mbi 30 vite”- KLSH.
Pastrimi i kanaleve dhe rehabilitimi i sistemit kullues është një detyrë urgjente thekson Kontrolli i Lartë i Shtetit, sepse në të kundërt, qyteti është i rrezikuar gjithmonë nga përmbytjet.
Një tjetër problematikë sipas KLSH-së ka qënë mosfunksionimi në kapacitet të plotë të Hidrovorit të Akërnisë. Në ditën e përmbytjes ky hidrovor punoi vetëm me 45% të kapacitetit, pa pompa rezervë, pa gjenerator emergjence dhe me tension elektrik të ulët. KLSH shton se Këshilli i Qarkut nuk e shpalli gjendjen e emergjencës civile, ndërkohë që Bashkia nuk kërkoi kryerjen e vlerësimit të dëmeve për banesat.
“Në përfundim, nëse e gjithë infrastruktura dhe sistemi i kanaleve kulluese do të kishin qenë funksionale dhe do të operonin me kapacitet të plotë, rreziku që qyteti i Vlorës të pësonte përmbytje, si ajo e datës 04.10.2024, do të ishte i ulët”, argumenton Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Si pasojë e përmbytjeve, Bashkia e Vlorës evidentoi 375 familje të dëmtuara, për të cilat ndau një fond dëmshpërblimi prej 54 milionë lekësh.
Përgjegjësia është institucionale
Përmbytjet e Vlorës në tetor 2024 nxorën në pah jo vetëm dobësitë teknike të sistemit të kullimit, por edhe problemet e thella të qeverisjes.
Agron Haxhimali thekson se ato ishin “pasojë e dështimeve të akumuluara në menaxhimin e infrastrukturës së kullimit nëntoksore dhe mbitokësore dhe jo thjesht e reshjeve intensive”. “Përmbytja u përshkallëzua nga pastrimi i pamjaftueshëm i kanaleve dhe kapaciteti i kufizuar i hidrovorit”, shton ai.
Në të njëjtën linjë kritike, Zef Preçi e sheh konstatimin e KLSH-së si dëshmi të mënyrës se si qeveriset vendi. “Kanalet kulluese kanë më shumë se 15 vjet që nuk janë pastruar, një tregues i paqartësisë së kompetencave, korrupsionit dhe klientelizmit në rritje”, thotë ai.
Preçi akuzon qeverinë për mungesë transparence dhe për tendera të dyshimtë.
“Qershia mbi tortë’ qeveria që nuk mban asnjë përgjegjësi por ‘e kthen dhimbjen në forcë’ duke kryer tendera të rinj, edhe këta shumica të dyshuar si korruptivë”, thekson Preçi.
Të dy ekspertët bien dakord se rrënja e problemit është neglizhenca institucionale dhe mungesa e mirëmbajtjes, duke kërkuar një reformë të thellë në menaxhimin e ujërave dhe një ndarje të qartë përgjegjësish mes institucioneve.
Përfundim
Përmbytja e 4 tetorit 2024 në Vlorë ishte e parandalueshme dhe nuk mund të justifikohet me reshje të pazakonta, por sepse sistemi i kullimit mungon. Dhe ky fakt e bën narrativën e qeverisë jo vetëm të pasaktë, por edhe të rrezikshme, sepse fsheh përgjegjësinë dhe vonon zgjidhjet që nevojiten me urgjencë në Vlorë.
Nisur nga të dhënat e mbledhura, deklaratën e kryeministrit Edi Rama se përmbytja e Vlorës në tetor të 2024 ishte pasojë e “formacionit të reshjeve” e kategorizojmë të pavërtetë./Faktoje.
Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile kanë njoftuar lidhur me urdhrin për evakuimin e menjëhershëm në Novoselë të Shqipërisë, pas situatës së krijuar për shkak të reshurave.
Në njoftim bëhet e ditur se urdhri hyn në fuqi menjëherë.
“... Si pasojë e situatës së krijuar nga përmbytjet dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, do të kryhet evakuimi i menjëhershëm i banorëve të Bashkisë Vlorë, Njësisë administrative Novoselë.
Evakuimi do të realizohet përmes koordinimit me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Prefektin e Qarkut përkatës si dhe strukturat e Emergjencave Civile në bashki”, thuhet në njoftim.
Tutje, bëhet e ditur se sipas legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin e evakuimit në territorin e bashkisë.
Prioritet në procesin e evakuimit kanë: Fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, familjet në zona të izoluara. /Telegrafi/
Është parandaluar një ngjarje e mundshme kriminale me pasoja për jetën, falë reagimit të menjëhershëm të Policisë.
Kështu thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit, lidhur me një rast në Vlorë, gjersa Policia njofton se janë vënë në pranga dy të rinj, njëri prej të cilëve qëlloi me armë zjarri në ajër gjatë një konflikti.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, pas marrjes së njoftimit se në ambientet e jashtme të një lokali disa persona po konfliktoheshin dhe se njëri prej tyre kishte armë zjarri, ndërhynë menjëherë për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit, duke arrestuar 2 autorët, konkretisht shtetasit A. H., 19 vjeç, banues në Vlorë dhe M. A., 25 vjeç, banues në Orikum”, thuhet në njoftim.
Policia tutje njofton se arrestimi i tyre u bë pasi, në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, në ambientet e jashtme të një lokali, gjatë një konflikti fizik midis dy shtetasve të mësipërm dhe disa personave të tjerë, shtetasi M. A. ka marrë armën e zjarrit pistoletë nga shoku i tij, shtetasi A. H., dhe ka qëlluar një herë në ajër.
“Falë ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të patrullës, u bë e mundur neutralizimi dhe kapja e dy shtetasve, si dhe gjetja dhe sekuestrimi i armës së zjarrit pistoletë”, thuhet në njoftim
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. /Telegrafi/
Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të premte në Orikum të Vlorës, ku një çift bashkëshortësh është gjetur pa shenja jete në banesën e tyre.
Viktima, Sose Xhebro, rreth 40 vjeçe, dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e mbytjes. Sipas të dhënave paraprake nga grupi hetimor, dyshimet e para janë se ajo është vrarë nga bashkëshorti i saj, Llogora Xhebro, shkruan Euronews.al.
Po ashtu, dyshohet se pas vrasjes së bashkëshortes, Llogora Xhebro ka vrarë edhe veten. Rrethanat dhe dinamika e plotë e ngjarjes mbeten ende të paqarta dhe janë objekt i hetimeve në vijim.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë familjare.