Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK) ka nisur muajin e informimit për transformimin digjital të sistemit kadastral, duke prezantuar edhe kampanjën e re informuese “KADASTRI DIGIT-ALL”, e cila do të shpalosë rrugëtimin e digjitalizimit të plotë të shërbimeve kadastrale në vend.
Pas pesë vitesh pune dhe përkushtimi të vazhdueshëm institucional, AKK bëhet institucioni i parë shtetëror në Kosovë me sistem 100% online, duke vendosur një standard të ri për shërbimet publike dhe administratën moderne.
Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti, tha se transformimi i sistemit kadastral shënon një moment të rëndësishëm për institucionet dhe për qytetarët e vendit.
“Shërbimet kadastrale kanë hyrë në një epokë të re, epokën e digjitalizimit të plotë. Digjitalizimi i Kadastrit nuk ka qenë thjesht një projekt teknologjik, por një reformë e thellë shtetërore, rezultat i një pune disavjeçare që sot na sjell më afër qytetarëve,” tha Ahmeti.
Në këtë kuadër është prezantuar edhe e-Kadastri, platforma digjitale që mundëson realizimin e të gjitha procedurave kadastrale në mënyrë elektronike.
Përmes sistemit e-Kadastri:
regjistrimi i të dhënave bëhet drejtpërdrejt nga noterët, përmbaruesit privatë, ndërmjetësuesit dhe gjeodetët e licencuar;
të dhënat dërgohen automatikisht në Regjistrin e të Drejtave Pronësore;
qytetarët nuk kanë më nevojë të lëvizin nga një zyrë në tjetrën;
eliminohen pritjet e gjata dhe reduktohet burokracia;
rritet transparenca dhe forcohet siguria juridike mbi pronën.
Sipas Ahmetit, ky transformim ka ndikuar drejtpërdrejt në forcimin e besimit në institucion dhe në përmirësimin e klimës për zhvillim ekonomik dhe investime.
“Me këto shërbime kemi forcuar besimin në institucion, kemi rritur sigurinë në pronë dhe kemi krijuar një bazë më të fortë për zhvillim ekonomik dhe investime. Ky është një hap i madh për çdo biznes që kërkon procedura të shpejta dhe të qarta, si dhe për çdo qytetar që meriton shërbim dinjitoz, transparent dhe efikas,” theksoi ai.
Çfarë ndodh kur njerëzit ndalojnë së lexuari libra? Po fillojmë të shohim se si duket një shoqëri post-shkrim-lexim - dhe ajo është shumë e gjymtuar.
Nga: Michael Sebastian / Esquire Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com
Ndodhi pak pas orës pesë të mëngjesit dhe unë isha plotësisht i zgjuar në një hotel në Romë. Me siguri për shkak të fluturimit të gjatë. Mora telefonin, iu përgjigja disa mesazheve dhe pastaj hapa Instagram-in - dhe vazhdova të rrëshqas nëpër ekran për një orë të tërë. Ai llum më kishte hipnotizuar. Pasi pashë një video të një tipi që po hante për mëngjes pica të mbetura të Domino’s dhe lëng freskues portokalli, dhe i cili për drekë po bënte një sandviç me djathë me patatina brenda, u shtanga.
Çfarë po bëja?! Mund të përpiqesha të flija ose duke u stërvitur në palestrën e hotelit. Laptopi im me listën e detyrave të punës ishte aty pranë. Dreqi e marrtë, pikërisht jashtë dritares sime ishte Qyteti i Përjetshëm! Edhe më keq, libri që po lexoja ishte mu pranë meje. Në çdo moment mund ta kisha lënë telefonin, të merrja librin dhe të merresha me material që më përmbush më shumë sesa videot e dietës së keqe të një tipi. Në vend të kësaj, rrëshqisja gishtin në ekran.
Të gjithë kemi lënë një libër duke humbur veten në telefon. Është si të ngopesh fshehurazi me karamelet e fëmijëve të tu nga Nata e Shtrigave. Ka momente të shkurtra kënaqësie dhe pastaj ndihesh pak i sëmurë në mendje dhe në trup. Gjithashtu, ndihesh më budalla.
Mirë se vini në jetën në një Epokë Post-Shkrim-Lexim.
A e keni vënë re këtë term që po fiton terren, Epoka Post-Shkrim-Lexim? Ai në përgjithësi i referohet rënies së fjalës së shkruar dhe kthimit, në disa kuptime, në një kulturë gojore në të cilën njohuria përhapet përmes të folurit. Këto ditë ndoshta dëgjoni më shumë njerëz që rekomandojnë podkaste sesa që rekomandojnë libra. Ekspertët më të njohur politikë nuk janë shkrimtarë apo yje televizive - ata drejtojnë video-podkaste dhe emisione transmetimi të drejtpërdrejtë në Twitch. [Një nga etërit themeltar të ShBA-së] Thomas Paine i ditëve të sotme nuk është shkrimtar; ai është influencues.
Shumë kohë përpara ardhjes së Facebook-ut ose Instagram-it, Marshall McLuhan - një lloj filozofi i mediave që shfaqet në [filmin] Eni Holl [Annie Hall] - ishte pionier i idesë post-shkrim-lexim në fillim të viteve ’60 të shekullit XX. Neil Postman, një dishepull i McLuhanit, e shtyu më tej idenë në librin e tij të vitit 1985, Duke e zbavitur veten deri në vdekje [Amusing Ourselves to Death]. “Amerikanët nuk flasin më me njëri-tjetrin, ata argëtojnë njëri-tjetrin”, shkroi ai. “Ata nuk shkëmbejnë ide, ata shkëmbejnë imazhe. Ata nuk debatojnë me propozime; ata debatojnë me pamje të bukura, me të famshëm dhe reklama”. Dyzet vjet më vonë, ky vëzhgim është çuditërisht i saktë.
Megjithatë, argumenti më parashikues i Postmanit është mënyra se si do të kalojmë në post-shkrim-lexim. Ai krahason vizionin e së ardhmes të George Orwellit në 1984 [Nineteen Eighty-Four] me atë të Aldous Huxley në Më e mira e botëve [Brave New World]. Sipas Postmanit, Orwelli kishte frikë se librat do të ndaloheshin. Huxley shqetësohej se ndalimi i librave do të ishte i panevojshëm - sepse askush nuk do të donte t’i lexonte. “Siç vuri në dukje Huxley në Më e mira e botëve, mbrojtësit e lirive civile dhe racionalistët që janë gjithmonë vigjilentë për t’iu kundërvënë tiranisë, ‘nuk arritën të merrnin parasysh oreksin pothuajse të pafund të njeriut për shpërqendrime’”, shkroi Postman.
Sot kemi makina shpërqendrimi në xhepin tonë ose në komodinën pranë shtratit, gjithmonë në gatishmëri.
Ja gjëja e çuditshme: Normat e shkrim-leximit janë më të lartat në historinë e botës. Megjithatë, bota që imagjinoi Huxley dhe që profetizoi Postmani është me ne. Kjo ndodh sepse njerëzit konsumojnë përditësimet në Facebook, përshkrime në Instagram dhe postime në X gjatë gjithë ditës. Rrallëherë marrin në dorë ndonjë libër. Një artikull i fundit në The Atlantic, duke cituar Anketën mbi Pjesëmarrjen Publike në Arte, tha se vetëm 48 për qind e amerikanëve kishin lexuar qoftë një libër të vetëm në vitin 2022, një rënie prej gjashtë për qind krahasuar me një dekadë më parë. Sipas një studimi të publikuar në gusht, gjatë dy dekadave të fundit numri i amerikanëve që çdo ditë lexojnë, për kënaqësi, ka rënë nga 28 për qind në 16 për qind. Rënia mes të rinjve është edhe më e theksuar.
Rezulton se leximi i librit është art i humbur - dhe vdekja e leximit të librave mund të ketë pasoja të rënda. “Ndoshta kjo murtajë e analfabetizmit ka luajtur një rol në zhdukjen e së vërtetës dhe, bashkë me të, të demokracisë liberale”, shkroi George Packer në The Atlantic këtë vjeshtë.
Sipas këtij vlerësimi, mendoj se nuk duhet të ndihem shumë keq për mëngjesin tim të hershëm në Romë. Shfaqja më pak e rrezikshme e një epoke post-shkrim-lexim është humbja e kohës duke rrëshqitur në Instagram; më e keqja është që vendi më i fuqishëm në botë të drejtohet nga një grup moronësh egomanë dhe antidemokratikë.
Nëse ka ndonjë lajm të mirë, është se disa figura mediatike dhe botime po e vërejnë këtë. Kjo temë është shfaqur në biseda me komedianë të ndryshëm - për ironi, mendoj, sepse ata kryesisht punojnë në një medium të fjalës së folur - përfshirë Marc Maronin, Bowen Yangun dhe Hasan Minhajn. Packeri ka shkruar për këtë në The Atlantic; gazetari i biznesit, Joe Weisenthal, bashkëprezantues i podkastit Odd Lots të Bloomberg-ut, ka folur për këtë ide prej vitesh.
Në buletinin e tij Cultural Capital, kolumnisti i Times of London, James Marriott, shkroi vitin e kaluar një manifest për agimin e shoqërisë post-shkrim-lexim dhe fundin e qytetërimit. “Nëse revolucioni i leximit përfaqësonte transferimin më të madh të njohurisë te njerëzit e zakonshëm në histori”, tha ai, “revolucioni i ekranit përfaqëson vjedhjen më të madhe të njohurisë nga njerëzit e zakonshëm në histori”.
Disa artikuj dhe libra të fundit i janë afruar pas-shkrim-leximit duke eksploruar marrëzinë në rritje dhe mungesën e krijimtarisë në kulturën perëndimore. Dave Holmes i Esquire-it shkroi këtë vit një artikull mbi ngritjen e Budallallëkut të Madh në Amerikë. Një artikull në ballinë në New York Magazine eksploroi marrëzinë e thellë të vendit tonë, dhe libri i ri i W. David Marxit, Hapësira e zezë [Blank Space], argumenton se shekulli XXI ka mungesë të ideve të reja. Muajin e kaluar, periodiku i pavarur The Baffler i kushtoi një numër të tërë temës së epokës post-shkrim-lexim.
“Do të ishte naive të pretendonim se leximi i një romani ose përkthimi i një poezie mund të jetë një formë rezistence”, shkruan Nicolás Medina Mora në The Baffler. “Por, kush e di? Ndoshta rishpikja e formave të vjetra letrare mund të na ndihmojë të përmbysim shtytjen e momentit aktual drejt marrëzisë”.
Unë nuk rekomandoj të heqim dorë nga podkastet, të injorojmë videot në telefonin tuaj ose të fshijmë të gjitha aplikacionet e mediave sociale (edhe pse pak vetëpërmbajtje do të më ndihmonte). Por, rënia e shkrim-leximit dhe simptomat e saj të shumta duhet të na shqetësojnë të gjithëve. “Siç ndoshta e keni vënë re”, shkroi James Marriott në esenë e tij të vitit 2024, “bota e ekranit do të jetë një vend shumë më i trazuar se bota e shtypit: më emocionale, më e zemëruar, më kaotike”. Një botë e tillë sigurisht inkurajon ngritjen e autoritarizmit dhe të një shoqërie joliberale.
Por, argumenti më bindës për rënien e leximit nuk është lidhja e tij me rënien e demokracisë ose me budallallëkun në rritje të jetës amerikane. Është se të gjithë ne e kemi gabim përse njerëzit duhet të lexojnë. “T’i thuash dikujt të dojë letërsinë sepse leximi është i mirë për shoqërinë, është si t’i thuash dikujt të besojë në Zot sepse feja është e mirë për shoqërinë”, shkroi Adam Kirsch në The Atlantic javën e kaluar. “Është një argument utilitar për diçka që duhet të jetë një pasion personal”.
Dhe, nuk është vetëm një pasion, vazhdoi ai. Librat duhet të ngjallin të njëjtën ndjenjë si një pije pas pune ose një cigare kur je duke pirë. “Do të ishte më mirë ta përshkruanim leximin jo si një detyrë publike, por si një kënaqësi private, ndonjëherë madje edhe si një ves”, argumentoi Kirsch. “Kjo do të ishte një mënyrë më efektive për të tërhequr të rinjtë, dhe gjithashtu ndodh të jetë e vërtetë. Kur letërsia konsiderohej transgresive, moralistët nuk mund t’i ndalonin njerëzit të blinin dhe të lexonin libra të rrezikshëm. Tani që librat konsiderohen të virtytshëm dhe edukues, moralistët nuk mund të bindin askënd të marrë një të tillë në dorë”.
Si nxënës i shkollës së mesme në vitet ’90 të shekullit XX, mora hua Në rrugë [On the Road] nga biblioteka e shkollës. Një bibliotekare më dha këtë paralajmërim: “Ki kujdes me këtë libër -fëmija i fundit që e lexoi e la shkollën”. Librat mund të jenë informues dhe argëtues; si cigaret dhe alkooli, ata mund të jenë edhe të rrezikshëm dhe të dëmshëm për shëndetin. Disa javë pasi u ktheva nga Roma, mora një libër të ri, Spiuni i përsosur [A Perfect Spy] nga John le Carré. iPhone-i im nuk ishte i përshtatshëm për këtë. Humba gjumin duke e lexuar thellë në natë dhe mëngjesin tjetër ndjeva lodhjen e dehjes. Si shumica e netëve të dehura jashtë, libri ia vlejti.
Pra, çfarë ndodh kur ndalojmë së lexuari libra? Demokracia dobësohet, liberalizmi tërhiqet, marrëzia përhapet dhe - ndoshta po aq keq - ne bëhemi më pak ... interesant.
Epoka post-shkrim-lexim do të jetë shumë e mërzitshme. /Telegrafi/
Sistemet e verifikimit të moshës kërkojnë mbledhjen e të dhënave të ndjeshme për të mbështetur informacionin biometrik. Shumë shpejt, interneti do të shndërrohet në një panoptikon dixhital plotësisht të mbikëqyrur.
Nga: Taylor Lorenz, gazetare e teknologjisë, autore e buletinit “User Mag” dhe e librit bestseller Të jetosh onlajn: Historia e patreguar e famës, ndikimit dhe pushtetit në internet[Extremely Online: The Untold Story of Fame, Influence, and Power on the Internet] / The Guardian Përkthimi: Telegrafi.com
Gjatë vitit të kaluar, më shumë se dy duzina vendesh në mbarë botën kanë propozuar ndalime të përdorimit të rrjeteve sociale për pjesë të gjera të popullsisë së tyre. Këto ligje, shpesh të propozuara nën petkun e “sigurisë së fëmijëve”, po sjellin një epokë të mbikëqyrjes masive dhe të censurës së përhapur, duke kontribuar në atë që studiuesit e kanë quajtur një “recesion global i lirisë së shprehjes”.
Vitin e kaluar, Australia u bë vendi i parë që ndaloi këdo nën moshën 16-vjeçare të ketë qasje në rrjete sociale. Ky hap inkurajoi vendet e tjera në mbarë botën që ta ndiqnin shpejt këtë shembull. Partia në pushtet në Gjermani njoftoi se po e mbështet një ndalim të rrjeteve sociale. Presidenti francez, Emmanuel Macron, bëri thirrje për një ndalim të rrjeteve sociale për nën 15-vjeçarët. Në Mbretërinë e Bashkuar, Keir Starmer ka kërkuar të zbatojë ndalime të gjera të rrjeteve sociale. Greqia, Filipinet, Indonezia, Malajzia, Singapori dhe Japonia kanë ndjekur gjithashtu ligje të ngjashme për verifikimin e identitetit në internet.
Në ShBA, ligjet për verifikimin e moshës onlajn janë miratuar ose po shqyrtohen në më shumë se gjysmën e shteteve të vendit. Në javët në vijim, një paketë prej 19 projektligjesh për “sigurinë e fëmijëve”, disa prej të cilave kërkojnë verifikim identiteti për rrjetet sociale, pritet të lëviz përpara në Dhomën e Përfaqësuesve. Platformat e mëdha teknologjike, si Meta, Google dhe Discord, kanë filluar të përshtaten paraprakisht me këto ligje për të paraprirë rregullimin.
Ndërsa ndalimet e rrjeteve sociale mund të duken si masë e arsyeshme për të mbrojtur fëmijët, ato jo vetëm që janë joefektive, por rrezikojnë si fëmijët ashtu edhe të rriturit. Ka pak prova që rrjetet sociale po nxisin ndonjë lloj krize të përhapur të shëndetit mendor te fëmijët. Studimet kanë treguar vazhdimisht të kundërtën. Heqja e anonimitetit nga interneti, gjë që do të ndodhë në mënyrë të pashmangshme kur kompanitë teknologjike do të detyrohen të identifikojnë dhe të ndalojnë fëmijët, lejon ndjekje më të lehtë nga qeveritë dhe censurë të gazetarëve, aktivistëve dhe sinjalizuesve, të cilët mbështeten në anonimitetin e onlajnit.
Dhe, derisa disa pretendojnë se këto ligje do të kufizonin fuqinë e teknologjisë së madhe, vetëm kompanitë më të mëdha teknologjike kanë burimet për të përballuar kostot e mëdha të sistemeve të verifikimit të moshës. Platformat jofitimprurëse dhe ato të pavarura mund të detyrohen të mbyllen, duke konsoliduar më tej fuqinë e gjigantëve teknologjikë. Sistemet e mbikëqyrjes masive, pasi të ndërtohen, mund të shfrytëzohen lehtësisht nga qeveritë dhe akterë keqdashës.
Nëse duam të zgjidhim problemet me rrjetet sociale, pika e nisjes është reforma gjithëpërfshirëse e privatësisë së të dhënave dhe mbrojtja e konsumatorëve. Qeveritë mund të ndërmarrin gjithashtu hapa për të ndarë kompanitë e mëdha teknologjike dhe për t’i ndjekur penalisht për sjellje antikonkurruese. Ligjvënësit, të cilët pretendojnë se kujdesen për fëmijët, mund të miratojnë politika më të gjera sociale dhe ekonomike të cilat e dimë se do të përmirësonin realisht jetën e fëmijëve. Rrjetet sociale janë një vijë jetese, veçanërisht për të rinjtë e margjinalizuar, si adoleshentët LGBTQ+. Çdo politikë që kufizon qasjen në internet duhet të përqendrohet te fëmijët dhe të rriturit më të cenueshëm.
Për të zbatuar ndalimet e rrjeteve sociale që po propozohen në mbarë botën, kërkohet një lloj i sistemit të verifikimit të moshës, që në thelb nënkupton zgjerimin e teknologjisë së mbikëqyrjes. Meqenëse sistemet algoritmike nuk mund ta vlerësojnë saktësisht moshën, verifikimi i moshës së një përdoruesi kërkon gjithashtu mbledhjen e të dhënave shumë të ndjeshme ose dokumenteve qeveritare për të mbështetur të dhënat e mbledhura biometrike. Ligjet që po shqyrtohen nuk e përcaktojnë, që të gjitha ato, se cili sistem do të përdoret, por te të gjitha ato ka shqetësime të rëndësishme për privatësinë dhe sigurinë.
Çështja thelbësore me “verifikimin e moshës” përmes teknologjisë është se nuk ekziston. Qeniet njerëzore nuk plaken në mënyrë lineare. Nuk ka asnjë transformim fiziologjik që ndodh natën e ditëlindjes suaj të 16-të apo të 18-të që do t’i lejonte një inteligjence artificiale të përcaktonte me saktësi moshën tuaj, veçanërisht gjatë pubertetit. Si rrjedhojë, sistemet e verifikimit të moshës që mbështeten në mbledhjen e të dhënave biometrike, duhet gjithashtu të kërkojnë dokumente qeveritare identifikimi ose informacione të tjera shumë të ndjeshme personale për ta lidhur profilin e përdoruesve me identitetin e tyre jashtë internetit dhe për të konfirmuar moshën e tyre.
Ky sistem jo vetëm që u lejon kompanive të mëdha teknologjike të mbledhin edhe më shumë të dhëna thellësisht personale për fëmijët, por krijon edhe rreziqe të mëdha për sigurinë kibernetike. Të dhënat e mbledhura nga sistemet e verifikimit të identitetit nuk mbeten private. Në tetor të vitit të kaluar, Discord-i pësoi një shkelje të madhe të të dhënave të identitetit të mbledhura nga një kontraktor për qëllime të verifikimit të moshës. Këtë javë, studiuesit zbuluan se softueri i tij për verifikimin e moshës ka lidhje me investitorë të lidhur me përpjekjet e mbikëqyrjes së qeverisë amerikane.
Një tjetër problem tinëzar me këto ligje është lëvizja politike reaksionare që qëndron pas tyre. Në ShBA, grupet të cilat kanë luajtur një rol kyç në lobimin për verifikimin e moshës përfshijnë Fondacionin “Heritage” [Heritage Foundation], think-tankun e djathtë që organizoi Projektin 2025 [Project 2025], dhe Qendrën Kombëtare për Shfrytëzimin Seksual [National Center on Sexual Exploitation - NCOSE], i njohur më parë si Morali në Media [Morality in Media], një organizatë aktiviste e ekstremit të djathtë me lidhje me fundamentalizmin fetar që prej dekadash ka luftuar për të kufizuar përmbajtjen “e pahijshme” në internet.
As koha e miratimit të këtyre ligjeve nuk mund të ndahet nga goditjet më të gjera ndaj lirisë së shprehjes dhe protestës nën administratën Trump në ShBA. Ndalimi i TikTok-ut u miratua pas protestave studentore kundër mizorive të kryera në Gazë. Aktivistët studentorë kanë luajtur rol vendimtar në përpjekjet nga baza për të mbrojtur emigrantët prej agjentëve të Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave të ShBA-së (ICE) që kërkonin t’i çonin në qendra ndalimi. Mes gjithë kësaj, qeveria amerikane ka përshkallëzuar sulmet ndaj fjalës anonime në internet, duke mbushur kompanitë teknologjike me thirrje gjyqësore për informacion mbi qindra llogari anonime në rrjetet sociale kundër ICE-së. Ndërsa situata është më pak e rëndë në Mbretërinë e Bashkuar, qeveritë e njëpasnjëshme kanë qenë të prira të godasin protestat, shpesh të përfshira nga të rinj, përkitazi me krizën klimatike dhe Gazën.
Ari Cohn, këshilltari kryesor për politikën e teknologjisë në Fondacioni për të Drejtat dhe Shprehjen Individuale [Foundation for Individual Rights and Expression - Fire], vuri në dukje se vendimi i partisë në pushtet në Gjermani, Unioni Demokristian, për t’i kërkuar qeverisë federale të vendosë kufizime moshe për rrjetet sociale, vjen menjëherë pasi policia gjermane nisi hetime ndaj individëve që kishin fyer kancelarin e Gjermanisë, Friedrich Merz, në Facebook.
“Të gjithë ligjvënësit do të pretendojnë se po e bëjnë këtë [verifikimin e moshës] për të mbrojtur të rinjtë nga ndonjë dëm, por ata nuk po e përmendin pushtetin e përshtatshëm që kjo i jep qeverisë për të kontrolluar dhe frenuar fjalën që ata kundërshtojnë, madje edhe për të ndëshkuar kritikët e tyre”, më tha Cohn.
Në vend që të trajtojnë shkaqet e njohura të vështirësive mes të rinjve, politikanët në mbarë botën duket se janë të vendosur ta shfrytëzojnë vuajtjen e tyre për të shtyrë para ligjet të cilat do të na heqin si të rinjve ashtu edhe të moshuarve të drejtat tona. Mbrojtja e fëmijëve nga dëmet në onlajn është një qëllim fisnik, por zgjidhja nuk është te ndalesat që mbështeten në ligje të verifikimit të moshës.
Kjo mund ta transformojë internetin nga një hapësirë e lirisë së shprehjes në një panoptikon dixhital plotësisht të mbikëqyrur, ku çdo veprim që bëni lidhet me dokumentin tuaj zyrtar të identitetit. Pasi të ndërtohet, kjo infrastrukturë mbikëqyrjeje do të abuzohet, ashtu siç është abuzuar çdo zgjerim i mëparshëm i pushtetit qeveritar për mbikëqyrje dhe censurë. Duhet të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për t’i ndalur këto ligje aty ku mundemi dhe për të ruajtur një internet të lirë dhe të hapur. /Telegrafi/
Nga data 1 mars 2026, të gjithë qytetarët që përfshihen në kategoritë e liruara nga pagesa në autobusët e NPK “Trafiku Urban” të Komunës së Prishtinës do të lejohen të udhëtojnë falas vetëm përmes Kuletës Digjitale.
Kategoritë e përfshira janë: fëmijët deri në 7 vjeç, personat me aftësi të kufizuara, rastet sociale, veteranët dhe invalidët e Luftës së UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, pensionistët e Komunës së Prishtinës, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Policia e Kosovës, zjarrfikësit, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Komunës së Prishtinës, stafi shëndetësor dhe administrativ i institucioneve komunale shëndetësore dhe arsimore, punonjësit e administratës komunale dhe studentët e Kryeqytetit.
Si të përfitoni
Për të përfituar nga ky privilegj, duhet të krijoni llogari në Kuletën Digjitale dhe të ngarkoni dokumentacionin e nevojshëm, përfshirë letërnjoftimin, fotografi dhe vërtetim nga institucioni përkatës.
Pensionistët mbi 65 vjeç lirohen vetëm me kartë identiteti.
Nxënësit, rastet sociale dhe personat me aftësi të kufizuara mund të përdorin Kuletën Digjitale ose kartelë fizike.
Personat pa telefon ose pajisje digjitale mund të aplikojnë për kartelë fizike në linkun: https://kd.pbc.group/ticket dhe brenda 7 ditësh do të pajisen.
Pikëmbushja e Kuletës Digjitale dhe kartelave fizike
Përmes kartelës bankare direkt në aplikacion ose në pikat e shitjes së biletave të Trafikut Urban, të cilat ndodhen në:
Pas Objektit të Komunës (tek “Plepat”) – E hënë deri e shtunë: 07:00–21:00, e diel: 08:00–16:00
Lagjja “Kodra e Diellit”, tek “Banesat e Bardha” – E hënë deri e premte: 07:00–21:00, e shtunë: 07:00–14:00
Bulevardi “Bill Kllinton” (afër nënkalimit) – E hënë deri e shtunë: 07:00–21:00, e diel: 08:00–16:00
Sipas njoftimit zyrtar, kjo masë synon lehtësimin e qasjes në transportin publik për kategoritë e përfituese, duke e bërë procesin më transparent dhe të menaxhueshëm përmes përdorimit të teknologjisë digjitale.
Paaftësia juaj për t’u përqendruar nuk është dështim. Problemi është plani, ndërsa zgjidhja nuk është heqja dorë nga koha para ekranit.
Nga: Carlo Iacono / aeon.co Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com
Të gjithë janë në panik për vdekjen e leximit. Statistikat duken si mallkim: sipas një studimi të publikuar këtë vit në iScience, përqindja e amerikanëve që lexojnë për kënaqësi në një ditë mesatare, ka rënë me më shumë se 40 për qind gjatë 20 vjetëve të fundit. Rënien e vitit 2022 në rezultatet e arsimimit, OECD-ja [Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik] e quan “të paprecedentë” në vendet e zhvilluara. Në sondazhin më të fundit të OECD-së për aftësitë e të rriturve, Danimarka dhe Finlanda ishin të vetmet vende pjesëmarrëse ku niveli mesatar i aftësisë së leximit u përmirësua gjatë dekadës së fundit. Nipit tënd i dalin prej goje referencat nga TikTok-u. Vetë demokracia, siç thuhet, varet nga fija e hollë e vëmendjes tonë kolektive.
Kjo narrativë ka një thjeshtësi joshëse. Ekranet po shkatërrojnë qytetërimin. Fëmijët nuk mendojnë më. Po përjetojmë muzgun e mendjes së arsimuar. Një ese e fundit në Substack nga James Marriott, shpalli ardhjen e një “shoqërie post-shkrim-lexim” dhe na ftoi ta pranojmë këtë si një fakt të kryer. (Marriott shkruan gjithashtu për The Times.) Diagnoza është e njohur: teknologjia e ka degraduar në thelb aftësinë tonë për mendim të qëndrueshëm dhe nuk ka çfarë të bëhet më veçse të shkruajmë ese elegjie nga një distancë e sigurt.
E kaloj jetën profesionale në një bibliotekë universitare, duke vëzhguar se si njerëzit angazhohen realisht me informacionin. Ajo që vërej nuk përputhet me këtë narrativë. Jo sepse problemet nuk janë reale, por sepse diagnoza është e gabuar.
Qëndrimi deklinist mbështetet mbi një gabim kategorik: trajtimin e “kulturës së ekranit” si fenomen i unifikuar me veti të qenësishme kognitive. Sikur e njëjta pajisje që shpërndan përmbajtje të zemërimit të kuruar nga algoritmet dhe njëkohësisht veprat e plota të Shekspirit të ishte vetë problemi e jo mënyra se si ne vendosim ta përdorim.
Merreni parasysh një vëzhgim të thjeshtë. I njëjti person që nuk arrin të përfundojë leximin e një romani mund të shohë një ese video tri orë të gjatë mbi rënien e Perandorisë Osmane. I njëjti adoleshent për të cilin supozohet se i mungon përqendrimi, mund të ruajë fokusin në lojë për orë të tëra, duke përpunuar një narrativë komplekse me shumë linja rrëfimi, duke u koordinuar me shokët e skuadrës dhe duke e përshtatur strategjinë në kohë reale. Ky nuk është kognicion inferior. Është kognicin më ndryshe. Dhe, ndryshimi nuk është ekrani. Është mjedisi.
Gloria Mark, profesoreshë e Informatikës në Universitetin e Kalifornisë në Irvin, ka ndjekur për dy dekada kohëzgjatjen e vëmendjes në ekrane. Në vitin 2004, njerëzit qëndronin mesatarisht dy minuta e gjysmë në një ekran, përpara se të kalonin në një detyrë tjetër. Deri në vitin 2016, kjo kishte rënë në 47 sekonda. Kjo citohet shpesh si dëshmi se ekranet në vetvete e copëtojnë vëmendjen. Por, shikoni më nga afër se çfarë tregon realisht kërkimi i Markut. Fragmentimi lidhet jo me ekranet në përgjithësi, por me modele të caktuara plani: sisteme njoftimesh, skema të ndryshueshme shpërblimi, lëvizje të pafundme në ekran. Këto janë zgjedhjet e bëra nga kompani të caktuara për arsye të caktuara ekonomike. Nuk janë veti të qenësishme të mediumit.
Kërkimet e rishikuara prej kolegëve tregojnë se platformat e mediave sociale shfrytëzojnë skema të ndryshueshme shpërblimi, mekanizmat e njëjtë psikologjikë që e shndërrojnë bixhozin në varësi. Përdoruesit nuk e dinë çfarë do të gjejnë kur hapin një aplikacion; mund të shohin qindra pëlqime ose asgjë fare. Kjo paparashikueshmëri vepron si sinjal i fuqishëm përforcimi (shpesh i diskutuar përmes mekanizmave të “gabimit të parashikimit të shpërblimit” të dopaminës), duke i mbajtur njerëzit vazhdimisht duke kontrolluar. Kjo nuk ndodh sepse ekranet në thelb shkatërrojnë vëmendjen. Ndodh sepse platformat dominuese janë projektuar qëllimisht për ta fragmentuar vëmendjen në shërbim të të ardhurave nga reklamat.
Kemi qenë këtu më parë. Jo vetëm një herë, por vazhdimisht, në një model aq të qëndrueshëm saqë zbulon diçka thelbësore për mënyrën se si elitat kulturore reagojnë ndaj ndryshimeve në mënyrën se si qarkullon dija në shoqëri.
Në fund të shekullit XIX, në Britani shiteshin më shumë se një milion revista javore për djem. Këto “tmerre prej një peni” [penny dreadfuls] ofronin histori sensacionale krimi, horrori dhe aventurash, të cilat kritikët i gjykonin si moralisht korruptuese dhe të cekëta në aspektin intelektual. Deri në vitet 1850, ishin deri në 100 botues të këtij lloji fiksioni me çmim të ulët. Komentatorët viktorianë shprehnin shqetësim për degradimin e rinisë, vdekjen e mendimit serioz dhe pamundësinë për të konkurruar me një zbavitje kaq sensacionale.
Por, nëse ecim mbrapsht në histori, modeli përsëritet me një saktësi të frikshme. Në shekullin XVIII dhe në fillim të shekullit XIX, vetë leximi i romaneve ishte kërcënim ekzistencial. Termat e përdorur ishin identikë me panikun e sotshëm moral: “epidemi leximi”, “mani leximi”, “tërbim leximi”, “ethe leximi”, “epsh leximi”, “sëmundje e fshehtë”. Revista Sylph shkruante në vitin 1796 se gra “të çdo moshe, të çdo gjendjeje, infektohen dhe ruajnë një shije për romanet ... shthurja është universale”.
Fatkeqësitë e parashikuara ishin apokaliptike. Romani epistolar i J W Goethes, Vuajtjet e djaloshit Verter [Die Leiden des jungen Werthers, 1774] u fajësua se kishte nxitur vetëvrasje imituese në mbarë Evropën. Vepra me gjashtë vëllime e Johann Peter Frankut, Një sistem i policisë së plotë mjekësore [System einer vollständigen medicinischen Polizey, 1779-1819], përfshinte “leximin e romaneve helmuese” ndër shkaqet e vetëvrasjes. Arthur Schopenhauer, në vitin 1851, i përshkruante “librat e këqij” si “helm intelektual”. Nëse potenciali manipulues i romaneve do të kishte qenë vërtet aq i madh, siç vëren me ironi një historian, gratë do të ishin arratisur në turma.
Nuk ndodhi kështu. Katastrofa nuk u materializua kurrë. Por, paniku e përmbushi qëllimin e vet.
Ajo që ky panik zbulon është se kush alarmohej dhe pse. Në vitin 1533, Thomas More kishte dënuar tekstet protestante si “helme vdekjeprurëse” që kërcënonin të infektonin lexuesit me “murtajë ngjitëse”. Sot, kërkimi i Institutit “Cato” mbi shkrim-leximin historik vëren se në shekujt XVII dhe XVIII, “disa njerëz e konsideronin përhapjen e shkrim-leximit si subversive ose korruptuese. Zgjerimi i shkrim-leximit nga një elitë e vogël te popullsia e përgjithshme trembi shumë konservatorë”.
Ja detaji që e kristalizon modelin: në Angli dhe Uells, ndjekja e detyrueshme e shkollës u formalizua me Aktin e Arsimit të vitit 1880, dhe arsimi i periudhës së vonë viktoriane u ndërthur me ankthin për atë që po lexonin fëmijët e klasës punëtore, tashmë të arsimuar - me “tmerre prej një peni” dhe “plehra leximi” si objektiva të përsëritura të komenteve kulturore dhe shqetësimeve arsimore. Paniku nuk kishte të bënte realisht me rënien e shkrim-leximit. Kishte të bënte me daljen e shkrim-leximit nga kontrolli i elitave.
Kthehuni edhe më pas, te paniku bazik. Sokrati shqetësohej se shkrimi do të “prodhojë harresë në mendjet e atyre që mësojnë ta përdorin, sepse nuk do ta ushtrojnë kujtesën e tyre”. Ai frikësohej se lexuesit do të “duken sikur dinë shumë gjëra, ndërkohë që në pjesën më të madhe janë të padijshëm”, dhe paralajmëronte për konfuzion dhe çorientim moral. Ironia, siç vuri në dukje studiuesi Walter Ong në vitin 1985, është se dobësia në qëndrimin e Platonit qëndron në faktin se këto dyshime për shkrimin ai i shprehu me shkrim.
Modeli shtrihet në shekullin XX me një saktësi mekanike. Në vitin 1941, pediatrja amerikane Mary Preston pretendoi se më shumë se gjysma e fëmijëve që kishte studiuar ishin “rëndë të varur” nga dramat kriminale në radio dhe kinema, të konsumuara “ashtu siç një alkoolist kronik e konsumon pijen”. Psikiatri Fredric Wertham dëshmoi para Kongresit të ShBA-së se, siç e shprehu në librin e tij Joshja e të pafajshmit [Seduction of the Innocent, 1954], stripat shkaktojnë “stimulim kronik, tundim dhe joshje”, duke i quajtur më të rrezikshëm se Hitleri. Trembëdhjetë shtete amerikane miratuan ligje kufizuese. Historiania e stripave, Carol Tilley, më vonë zbuloi mangësitë në kërkimin e Werthamit, por deri atëherë dëmi ishte bërë.
Amy Orben, një psikologe që studion panikun teknologjik, identifikon “ciklin sizifian”: çdo brez frikësohet se mediat e reja do ta korruptojnë rininë; politikanët shfrytëzojnë këtë frikë teksa shmangin vëmendjen prej çështjeve sistematike si pabarazia dhe financimi i pakët i arsimit; kërkimi fillon shumë vonë; dhe, kur provat grumbullohen duke treguar efektet e përziera që varen nga konteksti, shfaqet një teknologji e re dhe cikli nis sërish.
Kjo tregon se këto alarmime ishin të ekzagjeruara? Katastrofat e parashikuara nuk mbërrijnë kurrë. Agresiviteti adoleshent vazhdoi edhe pas kufizimeve ndaj stripave - sepse stripat nuk ishin shkaku. Romanet nuk shkaktuan arratisje masive. Radioja nuk e shkatërroi aftësinë e fëmijëve për të menduar. Çdo panik përdor të njëjtën retorikë: metafora varësie, korruptim moral, viktimizim pasiv, parashikime apokaliptike. Çdo herë, kërkimi shkencor përfundimisht tregon efekte komplekse të ndërmjetësuara nga përmbajtja, konteksti dhe dallimet individuale. Dhe, çdo herë, kur katastrofa nuk materializohet, vëmendja thjesht zhvendoset te teknologjia e radhës.
Këto botime dhe teknologji kanë ekzistuar përkrah mendimit serioz. “Tmerret prej një peni” nuk e penguan Charles Dickensin, John Stuart Millin apo Charles Darwinin të përparonin. Ajo që është ndryshe sot nuk është ekzistenca e përmbajtjes së cekët, e cila ka qenë gjithmonë e bollshme. Ajo që është ndryshe është ekzistenca e mekanizmave të shpërndarjes të projektuar në mënyrë aktive për të penguar llojin e vëmendjes që kërkon mendimi serioz. “Tmerret prej një peni” nuk të ndiqnin në dhomën e gjumit në mesnatë, duke u dridhur nga njoftimet.
Ky dallim ka rëndësi, sepse ndryshon gjithçka rreth përgjigjeve të mundshme. Nëse problemi janë vetë ekranet, atëherë na duhet një ringjallje kulturore, një kthim te librat, ndoshta edhe një zmbrapsje neo-ludite ndaj teknologjisë. Por, nëse problemi është plani, atëherë na duhet një aktivizim për planin dhe një ndërhyrje rregullatore. Të njëjtët ekrane që e fragmentojnë vëmendjen mund ta mbështesin atë. Të njëjtat teknologji, që nxjerrin fitim nga vëmendja njerëzore, mund ta kultivojnë atë. Pyetja është kush i projekton, për çfarë qëllimesh dhe nën çfarë kufizimesh.
Në bibliotekë, shoh njerëz të cilët e navigojnë informacionin në mënyrat që do të dukeshin të pamundura për brezat e mëparshëm. Një pyetje kërkimore që dikur kërkonte javë të tëra pune arkivore, tani merr disa orë. Por, nuk ka ndryshuar vetëm efikasiteti. Është transformuar vetë natyra e sintezës.
Idetë tani lëvizin njëkohësisht nëpër kanale të shumta. Një dokumentar ofron rezonancë emocionale dhe prova vizuale. Transkripti i tij mundëson saktësinë e nevojshme për të gjetur një argument të caktuar. Një buletin shpjegon implikimet. Një podkast lejon që idetë të piqen gjatë një udhëtimi. Secili format kontribuon me diçka që të tjerët nuk munden. Kjo nuk është rënie. Është zgjerim.
Ajo që më bie më shumë në sy është dallimi mes njerëzve që kanë mësuar të ndërtojnë atë që unë e quaj “kontejnerë për vëmendjen” - hapësira dhe praktika të kufizuara ku bëhen të mundshme format e ndryshme të angazhimit - dhe atyre që nuk e kanë mësuar këtë. Dallimi nuk lidhet me inteligjencën apo disiplinën. Lidhet me arkitekturën e mjedisit. Disa njerëz kanë mësuar të shohin dokumentarë me një bllok shënimesh, të dëgjojnë podkaste gjatë shëtitjeve kur mendja mund të endet në mënyrë produktive, të lexojnë libra fizikë në hapësira qëllimisht të qeta me telefonin e lënë mënjanë. Ata nuk po e refuzojnë teknologjinë. Po e koreografojnë atë.
Të tjerët po mbyten, duke u përpjekur të mendojnë në mënyrë të qëndrueshme në mjedise të projektuara për ta penguar këtë. Ulen me laptopë të hapur, me shtatë faqe që konkurrojnë për vëmendje, me njoftime që shfaqen nga tri aplikacione të ndryshme, me telefona që dridhen çdo disa minuta. Po përpiqen të lexojnë materiale serioze teksa e luftojnë një betejë të humbur kundër psikologjisë së sjelljes të armatosur në shkallë masive. Ata besojnë se paaftësia e tyre për t’u përqendruar është një dështim personal, jo një problem plani. Nuk e kuptojnë se po përpiqen të mendojnë në një hapësirë të optimizuar për të penguar mendimin.
Këtu ka ndryshuar rrënjësisht kuptimi im për shkrim-leximin. Dikur besoja, ashtu siç më kanë mësuar, se shkrim-leximi kishte të bënte kryesisht me deshifrimin e tekstit. Por, duke vëzhguar se si njerëzit realisht mësojnë dhe mendojnë, jam bindur se shkrim-leximi ka të bëjë me diçka më të thellë: aftësinë për të ndërtuar dhe për të naviguar në mjedise ku kuptimi bëhet i mundshëm.
Mendoni për ata që përparojnë me audio-libra, por hasin vështirësi me tekstin e shtypur. Për vite me radhë, edukatorët u kanë thënë se kanë çrregullime të të nxënit, me çka nënkuptonin: çrregullime që pengojnë të nxënit përmes të vetmes metodë të vërtetë që ne njohim. Por, ata nuk kanë çrregullime të të nxënit. Mësimdhënia ka një paaftësi - nuk mund të përshtatet me arkitektura të ndryshme neurologjike. Jepu të njëjtin tekst në formë të audios dhe papritmas “paaftësia” zhduket. Idetë që në faqe ishin të errëta, bëhen të qarta në tingull. Jo sepse audioja është superiore ndaj tekstit, por sepse neurologji të caktuara e përpunojnë gjuhën e folur më rrjedhshëm sesa simbolet e shkruara.
Kërkimi mbi planin universal për të nxënit e ka demonstruar këtë në mënyrë përfundimtare. Neuropsikologu David H. Rose, bashkëthemelues i Qendrës për Teknologji Speciale të Aplikuar, vëren se “çdo tru përbëhet nga miliarda neurone të ndërlidhura që formojnë rrugë unike. Si shenjat e gishtërinjve, asnjë tru nuk është i njëjtë”. Studimet tregojnë se “nevoja për të kapërcyer çrregullimet e të nxënit e zhvendos fokusin te ‘paaftësia e mësimdhënies’, jo vetëm te paaftësia e nxënësit”. Kur këmbëngulim në një mënyrë të vetme angazhimi, nuk identifikojmë kush mund të mendojë dhe kush jo. Po identifikojmë kush ndodh që mendon në mënyrën e veçantë të cilën sistemet tona e njohin.
Bibliotekat po përshtaten. Kemi krijuar atë që unë e quaj “habitat për shkrim-lexim multimodal”. Në sallat e leximit mbetet heshtja, e shenjtë dhe e pacenueshme. Por, asaj i janë shtuar hapësira krijuese ku njerëzit mendojnë me duar, ku ndërtimi i modeleve fizike gjatë ekzekutimit të simulimeve kompjuterike zbulon gjëra të cilat asnjë mënyrë e vetme nuk mund t’i mësonte. Studiot e incizimit ku traditat gojore gjejnë jetë të re, ku shpjegimi i ideve me zë për një audiencë të imagjinuar kërkon një punë të ndryshme kognitive nga shkrimi i një eseje, shpesh duke prodhuar analiza më të sofistikuara. Zona të bashkëpunimit ku dija lind përmes dialogut, ku idetë e bllokuara në mendjen e një personi bëhen të dukshme dhe të qasshme për t’u zgjeruar, sfiduar, rafinuar nga të tjerët.
Këto nuk janë lëshime ndaj rënies së vëmendjes. Janë pranime se kuptimi njerëzor ka qenë gjithmonë më i pasur sesa mund ta përmbajë një medium i vetëm. Nuk po braktisim shkrim-leximin. Po zbulojmë se çfarë ka nënkuptuar ai gjatë gjithë kohës: jo thjesht aftësinë për të deshifruar simbole në një faqe, por aftësinë për të lëvizur me rrjedhshmëri ndërmjet të gjitha mënyrave me të cilat njerëzit kodifikojnë kuptimin.
Modeli që vazhdimisht vërej është ky: njerëzit që “nuk mund të përqendrohen” në tekste tradicionale, mund të ruajnë një përqendrim të jashtëzakonshëm kur punojnë përgjatë mënyrave të ndryshme. Ata hasin në vështirësi me tekste filozofie, por përparojnë kur mund të dëgjojnë leksione duke mbajtur shënime vizuale, të diskutojnë ide në grupe studimi dhe të shkruajnë në këmbë. Kjo nuk është mangësi. Është dallim. Dhe, përgjegjësia jonë është të ndërtojmë mjedise ku ky dallim bëhet aset dhe jo pengesë.
Por, zgjerimi pa arkitekturë është kaos, dhe pikërisht aty jemi penguar. Njerëzit që nuk mund të përfundojnë leximin e romaneve nuk janë të thyer. Ata janë përshtatur me një mjedis të cilin ne e kemi ndërtuar. U japim informacion të pafundme dhe pyesim veten pse po fundosen. U japim mjete të projektuara për ta copëzuar vëmendjen dhe i fajësojmë kur vëmendja e tyre copëzohet. Ndërtuam një botë që përfiton nga shpërqendrimi dhe pastaj e patologjizojmë të shpërqendruarin.
Operacionet njohëse që deklinistët i vlerësojnë - vëmendja e qëndrueshme, zhvillimi logjik, rishikimi, aftësia për të ndërtuar argumente komplekse - nuk janë veti të letrës. Janë veti të shkrimit si praktikë. Immanuel Kantit nuk i nevojitej në veçanti letra cilësore për të shkruar Kritikën e mendjes së kulluar [Kritik der reinen Vernunft, 1871]; atij i nevojitej një medium që i lejonte të eksternalizonte mendimin, ta rishikonte dhe ta zhvillonte me kalimin e kohës. Dokumentet digjitale e bëjnë këtë në mënyrë po aq efektive sa edhe letra. Problemi është se shumica e angazhimit digjital nuk bazohet në shkrim. Është konsumim i prurjeve të kuruara me algoritme, të optimizuara përmes inxhinierisë së sofistikuar të sjelljes për të maksimizuar kohën në platformë.
Nuk jemi bërë post-shkrim-lexim. Jemi bërë post-monomodalë. Teksti nuk është zhdukur; atij i është bashkuar një simfoni kanalesh të tjera. Truri juaj tani kryen rregullisht veprime që do t’u dukeshin të pamundura gjyshërve tuaj. Ju përpunoni informacion njëkohësisht përmes tekstit, imazhit, zërit dhe lëvizjes. Navigoni biseda që kalojnë nga një platformë në tjetrën dhe nga një format në tjetrin. Sintetizoni kuptim prej fragmenteve të shpërndara në një duzinë burimesh të ndryshme.
Problemi i vërtetë nuk është mënyra, por habitati. Nuk përballemi me video kundrejt librave. Përballemi me prurje kundrejt fokusit. Njëra ndodh në një ekosistem të projektuar për përsiatje, tjetra në një kazino të projektuar për tërheqje të pafundme të lëvizjes së gishtit për rifreskim.
Leximi funksionoi aq mirë për kaq gjatë jo sepse teksti është magjik, por sepse librat vinin me kufij të brendshëm. Mbarojnë. Faqet qëndrojnë të palëvizshme. Bibliotekat ofrojnë qetësi. Këto nuk ishin veçori të vetë shkrim-leximit, por të habitateve ku jetonte shkrim-leximi. Ne duhet t’i rindërtojmë këto habitate për një botë ku kuptimi udhëton njëkohësisht përmes shumë kanaleve.
Këtu bibliotekat bëhen më esenciale, jo më pak. Biblioteka e së ardhmes nuk është depo librash. Është një palestër për vëmendjen. Është vendi ku komunitetet shkojnë për të ushtruar mënyra të ndryshme të njohjes. Salla e leximit mbetet e shenjtë, por asaj i shtohen kabinat e incizimit, laboratorët e vizualizimit dhe hapësirat e bashkëpunimit ku njerëzit mësojnë të përkthejnë idetë nga një format në tjetrin. Bibliotekat bëhen vendi ku mëson jo vetëm të lexosh, por të lëvizësh me rrjedhshmëri ndërmjet të gjitha mënyrave me të cilat njerëzit këmbejnë kuptimin.
Ajo që më shqetëson më shumë te qëndrimi deklinist nuk është diagnoza, por përfundimi i tij. Komentatorët që vajtojnë shoqërinë post-shkrim-lexim, shpesh identifikojnë të njëjtët fajtorë si unë. Ata e pranojnë se kompanitë e teknologjisë janë, sipas fjalëve të Marriottit, “duke punuar në mënyrë aktive për të shkatërruar iluminizmin njerëzor”, se oligarkët e teknologjisë “kanë po aq interes në padijen e popullsisë sa autokrati më reaksionar feudal”.
Dhe, pastaj dorëzohen. Siç thotë Marriott: “Asgjë nuk do të jetë më njësoj. Mirë se vini në shoqërinë post-shkrim-lexim”.
Ky është hapi të cilin unë nuk mund ta ndjek. Të emërtosh akterët përgjegjës dhe pastaj ta trajtosh rezultatin si të pashmangshëm, do të thotë t’ua ofrosh atyre mbulesën. Nëse kriza është forcë e natyrës, “ekranet” që shkatërrojnë qytetërimin si një sistem teknologjik për motin, atëherë nuk mbetet gjë tjetër veçse të shkruash ese elegjie nga një distancë e sigurt. Por, nëse kriza është produkt i zgjedhjeve të caktuara të planit, të bëra nga kompani të caktuara për arsye të caktuara ekonomike, atëherë këto zgjedhje mund të sfidohen, të rregullohen, të përmbysen.
Fatalizmi, sado bukur i shprehur, u shërben pikërisht interesave që dënon. Kompanitë e teknologjisë do të dëshironin shumë që ne të besonim se ajo që po bëjnë ndaj vëmendjes njerëzore është thjesht rezultat i pashmangshëm i përparimit teknologjik, dhe jo diçka që po na e bëjnë neve - diçka që, me vullnet të mjaftueshëm politik, mund të ndalet.
Paaftësia juaj për t’u përqendruar nuk është dështim moral. Është problem plani. Po përpiqeni të mendoni në mjedise të ndërtuara për ta penguar mendimin. Po përpiqeni të ruani vëmendjen në hapësira të projektuara për ta copëzuar atë. Po luftoni kundër algoritmeve të optimizuara në mënyrë të qartë për t’ju mbajtur duke lëvizur nëpër ekran, jo duke mësuar.
Zgjidhja nuk është disiplina. Është arkitektura. Ndërtoni parazgjedhje të ndryshme. Krijoni hapësira të ndryshme. Vendosni ritme të ndryshme. Bëjeni thellësinë po aq të lehtë sa është aktualisht shpërqendrimi. Bëjeni të menduarit të ndihet po aq i natyrshëm sa ndihet tani lëvizja e pafundme për ekran.
Po sikur në vend që të vajtonim një epokë të artë imagjinare të tekstit të pastër, të merrnim seriozisht projektimin për thellësi në të gjitha mënyrat? Çdo video mund të shoqërohej me një transkript të kërkueshëm. Çdo artikull mund të ofronte pika të shumta hyrjeje për nivele të ndryshme vëmendjeje. Pajisjet tona do të mund të dallonin kur ne përpiqemi të mendojmë dhe ta mbronin atë mendim. Shkollat mund t’u mësonin nxënësve të përkthenin ndërmjet mënyrave, ashtu si dikur kur mësonin përkthimin ndërmjet gjuhëve.
Librat nuk po ikin askund. Mbeten të pakrahasueshme për disa lloje të mendimit të qëndrueshëm dhe kompleks. Por, nuk janë më e vetmja mundësi për ide serioze. Një video-ese e realizuar mirë mund të mbajë një peshë filozofike. Një podkast mund të mundësojë llojin e mendimit afatgjatë të cilin zakonisht e lidhim me esetë e shkruara. Një vizualizim interaktiv mund të zbulojë modelet të cilat faqet e tëra të përshkrimit mundohen t’i arrijnë.
E ardhmja u përket atyre që mund të kërcejnë ndërmjet të gjitha modaliteteve, pa e humbur ekuilibrin. Për dikë që mund të lexojë thellësisht kur kërkohet thellësia, të shfletojë shpejt kur kërkohet efikasiteti, të dëgjojë në mënyrë aktive gjatë një udhëtimi dhe të shohë në mënyrë kritike kur imazhet mbartin argumentin. Kjo nuk ka të bëjë me konsumimin më të madh të përmbajtjes. Ka të bëjë me zgjedhje të ndërgjegjshme.
Jemi në një pikë kthese. Mund të rrëshqasim drejt një bote ku mendimi i qëndrueshëm bëhet mall luksi, ku vetëm të privilegjuarit kanë qasje në kushtet që mundësojnë mendim të thellë. Ose, mund të ndërtojmë diçka të paprecedentë: një kulturë që ruan dhuratat më të mira kognitive të shtypit, duke përqafuar njëkohësisht mundësitë e një bote ku idetë udhëtojnë përmes dritës, tingullit dhe ndërveprimit.
Zgjedhja nuk është mes librave dhe ekraneve. Zgjedhja është mes planit të qëllimshëm dhe kaosit fitimprurës. Mes habitateve që kultivojnë potencialin njerëzor dhe platformave që nxjerrin fitim prej vëmendjes njerëzore.
Qytetërimet që lulëzojnë nuk do të jenë ato që tërhiqen vetëm te teksti apo dorëzohen para mekanizmave furnizues. Do të jenë ato që kuptojnë të vërtetën e thjeshtë: çdo ide ka formë natyrale dhe urtësia qëndron në përputhjen e modalitetit me kuptimin. Disa ide duan të shkruhen. Të tjerat duhet të shihen. Të tjerat ende duhet të dëgjohen, ndihen apo përjetohen. Gabimi është t’i detyrosh të gjitha idetë të kalojnë nëpër një kanal të vetëm, qoftë ai libër apo ekran.
Stërnipërit dhe stërmbesat tuaja nuk do të lexojnë më pak se ju. Do të lexojnë ndryshe, si pjesë e një simfonie më të pasur kuptimi. Nëse ajo simfoni do të tingëllojë si muzikë apo si zhurmë, varet tërësisht nga zgjedhjet që bëjmë tani për formën e mjeteve tona, strukturën e shkollave tona dhe planin e ditëve tona. /Telegrafi/
Një autore, një prezantuese lajmesh, një avokate dhe një kolege e nderuar: të gjitha ato janë të mira - por, nuk jam i martuar me asnjërën prej tyre. A mund të mbështetemi vërtet te kjo teknologji?
Nga: Martin Rowson, karikaturist dhe autor / The Guardin (titulli: I asked AI to name my wife. To the hopelessly incorrect people it cited, my deepest apologies) Përkthimi: Telegrafi.com Së fundmi, familja Rowson shpiki rastësisht një lojë të re të cilën kushdo mund ta luajë në shtëpi. Ende nuk e kam gjetur një emër që do ta pushtonte botën në emër të saj, ndaj për momentin le ta quajmë thjesht “Sa budallaqe është inteligjenca artificiale [IA]”? Loja ndryshon nga një lojtar te tjetri, në varësi të rrethanave - por, në thelb rregullat mbeten të njëjta. Shtroja IA-së një pyetje të thjeshtë për veten dhe shih sa shumë keqkupton.
Në rastin tim, mjafton të dini se teksa unë - për shkak të natyrës së punës sime - kam një prani mjaft të madhe në internet, partnerja ime (u martuam në vitin 1987) ka shmangur me zell praninë e tillë. Kjo do të thotë se nëse kërkoni në Google “Gruaja e Martin Rowsonit”, tek imazhet, mund të dalë një fotografi e imja pranë vajzës sonë atëherë 14-vjeçare ose unë me shoqen dhe kolegen karikaturiste Steven Appleby, e cila është transgjinore, por ka mbajtur emrin e lindjes.
Ndoshta është jashtëzakonisht e pamatur nga ana ime ta them këtë, por mua më duket shumë qesharake. Si satirist, gjithmonë kam qenë i dhënë pas çdo gjëje që nxjerr në pah marrëzinë edhe më të madhe të udhëheqësve tanë, mjetet e padronëve të tyre teknologë ose aftësitë e vërteta të sundimtarëve tanë të rinj robotikë. Gjithsesi, po ia shpjegoja të gjitha këto nuses sonë të ardhshme, gjatë Krishtlindjes, kur fëmijët tanë (në të 30-at e tyre dhe, për rrjedhojë, shumë më të aftë në teknologji se unë) shpjeguan se ishte shumë më argëtuese se kaq dhe se duhej të pyesja: “Kush është gruaja e Martin Rowsonit”?
Imagjinoni kënaqësinë time kur përgjigjja e parë nga përmbledhja e IA-së në kërkimin e Google-it ishte “Jeanette Winterson”. (Për të qenë i qartë, betohem me jetën e të gjithë popullsisë së Luginës së Silikonit se autorja e famshme lezbike assesi nuk është gruaja ime.) Por, u bë edhe më mirë - dhe këtu vjen bukuria sublime e idiotësisë magjepsëse të Mjetit që do ta transformojë botën. Sa herë që e përsëritnim pyetjen, përgjigjja ndryshonte, dhe pastaj ndryshonte sërish. Kjo dukej se varej nga mënyra se si formulohej ose pikëzohej pyetja, por kush e di? Ja lista e grave të mia të pretenduara që përpilova para se më në fund të mërzitesha:
Dizajnerja e tekstileve, Fiona Scott-Wilson.
Poetja Bridget Rose.
Aktorja Fiona Marr, ajo e [serialit] Bridgerton.
Ekonomistja Ann Pettifor.
Julia Mills (edhe pse është e paqartë nëse bëhet fjalë për autoren e librave të fantazisë, ilustratoren, peshëngritësen e ndjerë apo një tjetër Julia Mills).
Shkrimtarja dhe gazetarja Emily Rees.
Avokatja dhe studiuesja Siva Thambisetty, e cila është e martuar me mjeshtrin e madh të shahut, Jonathan Rowson. IA-ja gjithashtu pretendon se Jonathani dhe unë jemi vëllezër. Nuk jemi.
Shkrimtarja dhe gazetarja Carrie McLaren.
Prezantuesja e Channel 4 News, Cathy Newman.
Korrespondentja e CNN-it, Clarissa Ward.
Gazetarja dhe moderatorja Rachel Johnson.
Vajza ime.
Pastaj u bë vërtet e çuditshme. Gruaja Rowson, tha IA-ja, është në fakt “gazetarja dhe autorja Kate Clements Rowson”. E kërkova atë emër në Google: asgjë me kuptim.
Pastaj sugjeroi se jam i martuar me “shkrimtaren/ilustratoren Helen Grant”. Kjo i bie që djali ynë, Leo, është muzikant xhazi. Sërish, kush është ajo? Asgjë në Google. Po Leo, kush është ai? A luan vërtet xhaz? A ekziston?
Ishte “ish-redaktorja politike e Guardian-it dhe CEO-ja aktuale e Fondacionit ‘Joseph Rowntree’, Liz Kerr”. Çfarë? Nuk ka asnjë redaktore politike të Guardian-it, të kaluar apo të tashme, me atë emër. Liz Kerri nuk shfaqet askund në listën e figurave të shquara të Fondacionit “Joseph Rowntree”. Edhe një herë, gjithçka gabim. Dramaturgu Lee Hall u përmend. Ai është mashkull, kështu që nuk mund të ishte assesi gruaja ime.
Sa për “historianen dhe shkrimtaren, Jeanette Winterbottom”. Ne me sa duket kemi punuar së bashku në Librin e satirës të Gardianit dhe në Ditarit e qenit, thuhet këtu. Ndoshta IA-ja e ngatërroi me Jeanette Wintersonit, por atëherë ajo dhe unë nuk kemi bashkëpunuar në ato projekte, nuk ekziston Libri i satirës i Gardianit dhe unë nuk kam botuar kurrë një Ditar të qenit (edhe pse nëse dikush dëshiron të më dërgojë honorare për këtë, do t’i merrja).
Një kërkim tjetër, një tjetër grumbull pallavrash. “Ai ka qenë i martuar me shkrimtaren dhe gazetaren Ann Widdecombe (ish-gruaja e tij), me Cathy Caldwellit, dhe partnerja/gruaja e tij afatgjatë, gazetarja dhe autorja Polly Toynbee është një figurë e shpeshtë pranë tij në media, duke sugjeruar se ata janë një çift i spikatur në rrethet letrare/gazetareske të Mbretërisë së Bashkuar”.
Që ta dini, kam takuar Rachel Johnsonin dhe vetë vajzën time, por nuk jam i martuar me asnjërën prej tyre. Herë pas here roboti dështoi të identifikojë gruan time të vërtetë, për kënaqësinë e të gjithëve, megjithëse së fundmi ka filluar të thotë: “Emri i saj nuk përmendet publikisht në rezultatet e ofruara për kërkim”.
Supozova se kjo sugjeron një kapacitet për të mësuar, por ndoshta jo. E pyeta “kush është gruaja ime”? - edhe një herë për qëllimet e këtij artikulli - dhe IA-ja e Google-it tha se jam i martuar me “Debora Rowsonit (mbiemri i vajzërisë Ffrench)”, një nëpunëse civile në pension, dhe ia atribuoi bashkimit tonë krejtësisht fiktiv vajzën time shtesë, Clementine - edhe një tjetër shkrimtare/gazetare. Me sa duket, unë shkruaj për trazirat tona zbavitëse shtëpiake në rubrikën time imagjinare në Guardian.
Ndërsa martesa ime mitike me motrën e Boris Johnsonit është ashiqare një thesar prej komedie (paramendojeni atë Krishtlindje familjare!), që kjo marrëzi si fryt i një mjeti kërkimi të përmbledhur, universal, të përdorur nga miliarda njerëz - dhe që vazhdimisht është, në çdo rast, duke gabuar - është më shumë sesa shqetësuese.
Duhet ta kemi kuptuar tashmë se IA-ja është po aq e ndjeshme sa një abakus dhe pasqyron vërtet mendjen njerëzore vetëm në aftësinë e saj për të gënjyer njerëzit, duke u thënë atyre atë që “mendon” se ata duan të dëgjojnë. Është gjithashtu një e vërtetë universale që njerëzit më të rrezikshëm në botë janë idiotët që mendojnë se janë vërtet, vërtet të zgjuar (thjesht shikoni përreth dhe do ta kuptoni). Shtoni këto dy fakte së bashku dhe ku dreqin mendoni se do të përfundojmë?
Unë nuk do ta pyesja IA-në për këtë, se ndoshta do të thoshte “bukë bananeje” e pastaj do të ndryshonte mendje në: “Shfarosini të gjithë”! /Telegrafi/
Innovation Centre Kosovo në bashkëpunim me Data4X kanë prezantuar Raportin Ekskluziv të Vrojtimit të Ekonomisë Digjitale - një pasqyrë të thuktë të tregut, duke kombinuar të dhëna strukturore, tregues të adoptimit teknologjik dhe analiza krahasuese rajonale.
Në njoftim thuhet se ekonomia digjitale ka arritur një qarkullim prej rreth 1.9 miliardë euro, me një rritje mesatare prej 16% në vit (2021–2025).
“Mbi 47,000 persona janë sot të punësuar në sektorë digjitalë dhe të ndërlidhur, ose rreth 11% e punësimit total, përfshirë rreth 7,500 zhvillues të softuerit.
Eksportet digjitale kanë arritur rreth 690 milionë euro, ose 36% e qarkullimit total, mbi mesataren rajonale – një tregues i qartë i konkurrueshmërisë ndërkombëtare”, thuhet tutje.
Në aspektin e Inteligjencës Artificiale, ICK tregoi se që sipas analizave të tyre ndonëse gati gjysma e kompanive tashmë kanë një prani operative të AI (automatim bazik, asistencë, analiza fillestare), përdorimi në aplikime më të avancuara ende mbetet i kufizuar – një hapësirë e qartë për fazën e ardhshme të transformimit.
Diskutimi u zgjerua edhe në e-commerce dhe pagesat elektronike, ku tregu ka arritur rreth 492 milionë euro, i nxitur nga rritja e përdorimit të kartelave dhe platformave digjitale.
Një ndër sfidat që u theksua është niveli i maturitetit të digjitalizimit tek bizneset, që ende qëndron në shkallën e zhvillimit.
Disa rekomandime që u theksuan:
✅Investimi në kapital njerëzor dhe edukim
✅Investimi në infrastrukturë dhe data centers
✅Përmirësimi i politikave për ndërmarrjet
EKONOMIA DIGJITALE E KOSOVËS NË 2025 - VROJTIM I PLOTË
Kosova po bëhet një fuqi digjitale në rajon! Ja shifrat:
💰 QARKULLIMI TOTAL: 1.9 miliardë euro
📈 Rritje mesatare: +16% në vit (2021-2025)
👥 FUQIA PUNËTORE: 47,042 të punësuar
•11,881 profesionistë të specializuar
•7,500 zhvillues softuerësh
•11% e punësimit total kombëtar
🌍 EKSPORTET: €690 milionë
•36% e qarkullimit total shkon jashtë
•Mbi mesataren rajonale prej 32%
🤖 ADOPTIMI I AI: 47% e kompanive
•Cloud: 59% në zbatim
•Analiza e të dhënave: 51%
•Kosova rangon e 6-ta në rajon
SPECIALISTË AI PËR 1,000 INXHINIERË:
Mali i Zi: 23
Serbia: 16
Maqedonia e Veriut: 16
Sllovenia: 13
Kroacia: 11
KOSOVA: 10
Shqipëria: 10
Bosnja: 9
SI PËRDORET CHATGPT NË KOSOVË?
Detyra shkollore: 12%
Migrim/Viza: 12%
CV & Intervista: 11%
Kodim: 10%
INDEKSET RAJONALE - KOSOVA LIDER:
•Indeksi i Mundësive (OPI): 100 🥇
•Gatishmëria Arsimore (ERI): 93 🥇
•Gatishmëria për Digjitalizim: 69%
Kosova është në udhëkryqin e transformimit digjital. Me talent të ri, kosto konkurruese (24% kosto pune), dhe adoptim të shpejtë të AI - e ardhmja është digjitale!
Kosova po pozicionohet si një hub i rëndësishëm teknologjik në Ballkanin Perëndimor.
KONKLUZIONE:
Kosova ofron një kombinim unik: talent të ri teknik, kosto operative konkurruese, dhe adoptim të shpejtë të teknologjive të reja. Me rritje të qëndrueshme 16% në vit dhe eksporte që përbëjnë 36% të qarkullimit, ekonomia digjitale e Kosovës është një histori suksesi që meriton vëmendje nga investitorët dhe partnerët strategjikë.
Ditëve në vijim do të zbërthejmë të dhënat e analizuara për sektorët e TIK, Administrative - Mbështetëse dhe Profesionale. /Telegrafi/
Shkolla Digjitale (Digital School), kompani e themeluar në Kosovë në vitin 2015 dhe me mbi 40 lokacione aktive në mbarë botën, po merr pjesë në Bett UK 2026, eventi më i madh global për edukim dhe teknologji, i cili po mbahet nga 21 deri më 23 janar në ExCeL Londër.
Këtë vit, Bett UK mblodhi mbi 35 mijë pjesëmarrës nga e gjithë bota përfshirë emra të mëdhenj të industrisë globale, si Microsoft, Amazon, Cisco, Canva, edukatorë, institucione publike dhe vendimmarrës ndërkombëtarë.
Shkolla Digjitale ishte e vetmja kompani nga Kosova që prezantoi në Bett UK 2026, duke përfaqësuar jo vetëm kompaninë, por edhe potencialin e inovacionit kosovar në fushën e edukimit dhe teknologjisë në një skenë globale.
Gjatë ditës së parë të eventit, Darsej Rizaj, bashkë-themelues dhe CTO i Shkollës Digjitale , prezentoi “When AI Meets Edutainment: Reimagining Student Motivation at Scale”, ku u trajtua një nga sfidat kryesore të arsimit sot: motivimi i nxënësve dhe angazhimi i tyre në procesin mësimor.
Në prezantimin e tij, Rizaj shpalosi ekosistemin e Shkollës Digjitale, si një mjet që e bën mësimin më të personalizuar, më të kuptueshëm dhe më tërheqës për nxënësit, duke i mbajtur ata aktivë dhe të përfshirë në procesin mësimor. Në këtë ekosistem përfshihen:
DSOS – Menaxhim operacional dhe inteligjent i shkollave
Houses – Angazhim dhe motivim përmes lojës
dBlox – Kodim kreativ dhe zhvillimi i të menduarit kompjuterik
Parent App – Aplikacion për prindërit për ndjekjen e zhvillimeve shkollore
AI Engine – Personalizim inteligjent sipas analizës dhe automatizim
Të dizajnuara për të funksionuar së bashku ose në mënyrë të pavarur. Me këtë paraqitje, Shkolla Digjitale konfirmon rolin e saj aktiv në diskutimet ndërkombëtare mbi të ardhmen e arsimit, inteligjencës artificiale dhe edutainment-it. Shkolla Digjitale po përfaqësohet në Bett UK 2026 nga ekipi drejtues dhe teknik, duke përfshirë edhe themeluesit e saj, Hana Qerimi dhe Darsej Rizaj.
Nga: Olivia Petter / The Independent Përkthimi: Telegrafi.com
Nëse burrat me të cilët kam dalë gjatë vitit të fundit kanë pasur ndonjë gjë të përbashkët, është ajo se të gjithë duan të flasin me mua për inteligjencën artificiale [IA].
E përdor për të shkruar artikujt e mi? Jo.
A jam e shqetësuar se do të ma zaptojë punën? Në fakt jo.
A do të vazhdoj të shkruaj libra nëse të gjithë duan të lexojnë ato që janë shkruar nga IA-ja? Po.
A e kam përdorur ndonjëherë për t’i shkruar mesazh dikujt në një aplikacion takimesh? Jo.
A duhet ta pyesim ChatGPT-në të na përshkruajë për ndonjë partnerë të mundshëm? Oh, Zot.
Këto biseda rrallëherë janë të rastësishme. Kam pasur edhe debate. Një herë hyra në një bisedë të zjarrtë me një burrë nëse njerëzit duhet të kërkojnë këshilla mjekësore te ChatGPT-ja, dhe me një tjetër që pranoi se e kishte përdorur për ta ndihmuar për ta shkruar një mesazhe ndarjeje.
Ndërkohë, sa herë që kam postuar në Instagram në mbështetje të krijimtarisë njerëzore mbi përmbajtjen e gjeneruar nga IA-ja, marr një lumë reagimesh - dhe ato gjithmonë nga burrat e etur për të përmbysur përsiatjet e mia rreth asaj se çfarë do të thotë të krijosh dhe të konsumosh art.
Kjo nuk do të thotë se gratë që njoh nuk e përdorin IA-në - shumë nga to e shohin si mjet të paçmuar për këshilla për karrierë, mbështetje financiare dhe, në disa raste, mbështetje emocionale - por, nuk besoj se e përdorin, apo qoftë edhe mendojnë për të, aq shumë.
Të dhënat e mbështesin këtë. Megjithëse kërkimet ndryshojnë, disa studime kanë treguar se burrat e përdorin IA-në gjeneruese më shumë se gratë. Në vitin 2024, një punim i titulluar Hendeku gjinor në Gen IA ka përshkruar se të dhënat nga Anketa e Pritshmërive të Konsumatorëve tregonin që 50 për qind e burrave përdorin mjete të IA-së gjeneruese, në krahasim me 37 për qind të grave.
Një studim nga Danimarka zbuloi se gratë kanë më pak gjasa të përdorin ChatGPT-në për punë sesa burrat, ndërsa kërkimi i kryer në Shkollën e Biznesit të Harvardit zbuloi se, ndërmjet nëntorit 2022 dhe majit 2024, gratë përbënin 42 për qind të 200 milionë përdoruesve mesatarë mujorë të faqes së internetit të ChatGPT-së.
Po shfaqet një hendek i qartë - i tillë që shumëkush ka frikë se do të thellojë pabarazitë ekzistuese ekonomike në vendin e punës.
Shpjegimet më të zakonshme përfshijnë faktin se gratë janë më pak të përfaqësuara në karrierat STEM [Shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë] dhe në rolet specifike të IA-së, si një industri që kryesisht mbahet nga burra; vetëm 14 për qind e pozicioneve ekzekutive të larta në IA mbahen nga gratë.
Por, sinqerisht, mendoj se arsyeja pse gratë nuk e përdorin AI-në aq shumë shkon shumë më thellë sesa përfaqësimi i thjeshtë.
Si fillim, kjo teknologji është përdorur kundër nesh - që nga fillimi. Ka trillime pornografike [deepfake] të krijuar nga Grok-u dhe platforma të tjera; të dashurat e IA-së që burrat përdorin për të zhvilluar biseda dhe për të realizuar fantazi në hapësira ku pëlqimi nuk ekziston; dhe, një mori paragjykimesh gjinore që teknologjia vazhdon të përforcojë.
Ajo i nënvlerëson problemet e shëndetit të grave, shpesh i portretizon gratë në role shtëpiake ose nënshtruese, dhe mbështetet në asistente që janë në thelb të feminizuara - mos harroni që ChatGPT-ja përdori (dhe më pas hoqi) një ndërfaqe zanore që tingëllonte në mënyrë të frikshme si zëri i Scarlett Johanssonit nga filmi Her?
Me gjithë këtë në mendje, a është për t’u habitur që disa gra mund të ndihen të rezervuara për të përqafuar IA-në me të njëjtin entuziazëm që duket se po shfaqin burrat?
Kam disa shokë që janë gjithashtu të pavendosur, por, si unë, ata punojnë në fusha krijuese ku IA-ja aktualisht përbën më shumë kërcënim sesa ndihmë. Edhe kështu, disa prej tyre janë të lumtur t’i bëjnë pyetje ChatGPT-së, gjatë gjithë ditës, ashtu siç nuk i kam parë kurrë gratë.
Ndoshta ekziston një nivel i natyrshëm i besimit në lojë - një supozim se kjo platformë mund të më ndihmojë sepse më favorizon.
Është një vetëbesimqë gratë nuk janë inkurajuar ta zhvillojnë. Dhe, megjithatë, përderisa teknologjia evoluon, IA-ja do të formësojë dhe përcaktojë gjithnjë e më shumë jetën tonë.
Mbetet vetëm të shpresojmë që përgjatë rrugës të bëhet një hapësirë më e sigurt për gratë. Ndërkohë, do të mund t’u bënte mirë përdoruesve të zjarrtë meshkuj që të jenë të vetëdijshëm për këtë - ose, të paktën, të kenë një shkallë të shëndetshme skepticizmi gjatë përdorimit të saj.
Kjo më kthen te takimi ku një burrë sugjeroi të përdornim ChatGPT-në për të na përshkruar si partnerë të mundshëm. Ia dërgova timen: një listë e çrregullt me klishe të parashikueshme të gjeneruara nga ajri i nxehtë i internetit (“Olivia është altruiste, bujare dhe e ngrohtë”).
Bëra shaka për faktin që nuk isha asnjë nga këto gjëra. Ai nuk dukej se e kuptoi dhe u përgjigj se në të vërtetë do të donte shumë të ishte me një altruiste, bujare dhe të ngrohtë. “Sa keq”, shtoi ai.
Nga: Alexis Soloski / The New York Times Përkthimi: Telegrafi.com
“Përpiqem të mos shkruaj distopi,” ka thënë dramaturgu Jordan Harrison. “Sepse është e mërzitshme. Më pëlqen të rri në një vend të paqartë.”
Kjo ndodhi të hënën e fundit, në ditën e tij të pushimit, dhe ai po rrinte në një kafene të ndriçuar dhe të qetë në Bruklin. Një utopi e mesditës dhe gjithashtu një vend analog dhe nxitës për të diskutuar veprën e fundit të Harrisonit - një anatomi e ëmbël dhe e hidhur e ndërlidhjes njerëzore të ndërmjetësuar nga teknologjia.
Në disa prej dramave të tij të fundit, Harrisoni ka eksploruar çfarë do të thotë të jesh njeri, por kurrë më fuqishëm se në dramën e vitit 2014, Marxhori Prajm [Marjorie Prime] - që ishte në finale për çmimin Pulicer [Pulitzer] dhe që tashmë shfaqet në Broduej.
E vendosur disa dekada në të ardhmen (disa detaje nga konteksti sugjerojnë vitet 2060), Marxhori Prajm ka në rolin kryesor June Squibbin si një grua në të tetëdhjetat. Për shoqëri dhe për të shmangur humbjen e kujtesës, ajo bisedon me një Prajm - një version holografik i bashkëshortit të saj të ndjerë. E shkruar kur biseda rreth inteligjencës artificiale gjeneruese [IA] ishte më e heshtur, drama ka ardhur në Broduej pikërisht në kohën kur kjo bisedë është bërë shumë më e zjarrtë. Si të gjitha dramat e Harrisonit, është një dramë rreth vdekshmërisë dhe pasqyron gjithnjë e më shumë bindjen e tij se teknologjia përfundimisht do të na tejkalojë.
“Ideja që bota njerëzore do të marrë fund, në fund të fundit është diçka që më ka shoqëruar për një kohë të gjatë,” tha ai, teksa hante një tas me drithëra. Nuk tingëllonte i trishtuar për këtë.
Harrisoni, 48 vjeç, u rrit në Beinbrixh-Ajlënd, në Uashington pranë Sietllit, kur ishte ende një vend mjaft rural dhe jo një komunitet i banuar nga punonjës të teknologjisë. Dhe, pavarësisht fokusit që ka teknologjia në veprat e tij, ai gjithmonë ka qenë një përdorues i vonuar - ose aspak përdorues i pajisjeve. Edhe tani, kur jeton në Bruklin me bashkëshortin e tij, Adam Green - drejtor artistik i Teatrit “Playwrights Horizons” - ai mbetet i distancuar nga rrjetet sociale.
Pranon se ka njerëz në botë që kanë një marrëdhënie pa konflikte me teknologjinë, “që nuk vuajnë për ndjesinë që kishte truri i tyre në vitin 1995,” ka thënë ai. Ai nuk është një prej tyre. Ka mall për kohën kur mund të lexonte një libër pa ndier nevojën për të kontrolluar rezultatet më të fundit të tenisit. Ajo kohë ka ikur.
“Unë jam defekti, jo teknologjia,” ka thënë ai. “Paaftësia ime për të thënë jo, sjellja ime e varësisë.”
Ai është i ndjeshëm ndaj kësaj varësie, të paktën sa i përket shkrimit. Si përfaqësues i fundit i brezit X, ai ka përjetuar kalimin nga epoka analoge në atë digjitale. Duke studiuar gjuhën angleze në Stenford në vitet ’90 të shekullit XX, ai kishte, sipas tij, “një vend në rreshtin e parë për të kuptuar se kjo do të ishte bota e ardhshme dhe se po filloja një karrierë në një fushë gjithnjë e më të vjetruar.”
Mahnitja e tij ka të bëjë me sjelljen njerëzore që ndihmohet dhe pengohet nga pajisjet që kemi në duar - ato që ekzistojnë tani dhe ato që ai vetëm i imagjinon.
“Ndjehet si diçka fantastike, por gjithçka është brenda mundësive,” ka thënë Anne Kauffman, regjisorja e Marxhori Prajmit, që ka punuar me Harrisonin për gati 20 vjet. “Ai gjithmonë merret me të tashmen, me realitetin, në një botë tjetër fantastike me të cilën ai e krahason.”
Kjo përplasje mes analoges dhe digjitales u shfaq për herë të parë në dramën e Harrisonit të vitit 2010, Futura, një triler ku materiali i shtypur ishte pothuajse i ndaluar. Këto ide u zhvilluan më tej në Maple and Vine, një dramë e vitit 2011 për një dyshe të martuar e të zhgënjyer që braktisin jetën moderne për të jetuar në një komunitet ku është gjithmonë viti 1955. Siç shpjegon një personazh: “Kufizimet janë lehtësim.”
Ka më pak lehtësim në The Antiquities, që pati premierën më herët këtë vit në Playwrights Horizons - që prej kohësh është shtëpia e Harrisonit. Një seri skenash të shkurtra për përqafimin dhe dorëzimin e njerëzimit ndaj teknologjisë fillojnë në shekullin XIX me emrat si Mary Shelley, dhe përfundojnë shumë më vonë kur qeniet post-njerëzore kanë krijuar Muzeun e Antikiteteve të Njeriut të Fundit, duke ngritur kasetat Betamax dhe shishet e shamposë në statusin e relikteve.
“Janë proteza, në një farë mënyre,” shpjegon një udhërrëfyes me inteligjencë artificiale, “të destinuara për ta bërë zotëruesin më të fuqishëm, më inteligjent, më efikas, më të pavdekshëm. Më të ngjashëm me ne.”
Kur Harrisoni shkroi dramën në vitin 2012, disa momente dukeshin të çuditshme - si një skenë ku një shkrimtare shqetësohej se së shpejti do të zëvendësohej nga IA-ja. Jo shumë kohë më vonë, Harrisoni, i cili shkruan edhe për televizion, u gjend në mesin e protestuesve të Shoqatës së Skenaristëve [Writers Guild] - në vitin 2023, duke bërë grevë për mbrojtje të shkrimit të skenarëve nga IA-ja. Ky nuk është shembulli i vetëm i parashikimit të tij. Maple and Vine dukej se parashikonte lëvizjen për gruan tradicionale [tradwife] dhe, ndonëse materiali i shtypur ende nuk është ndaluar, lëvizja drejt digjitalizimit, si në Futura, është rritur.
Kur Harrisoni filloi Marxhori Prajmin, ideja që një person mund të bisedonte me një simulacë të një të ndjeri dukej gjithashtu spekulative. Ai sapo kishte lexuar një libër mbi Testin e Turingut, një sfidë ku një njeri përpiqet të kuptojë nëse personi me të cilin po flet është njeri apo makinë. Ai vendosi të bashkëpunonte me një çetbot, duke ia lënë audiencës të dallonte kush kishte shkruar çfarë. Por, çetbotët e qasshëm në vitin 2012 ishin mjaft primitivë - dramaturgë të dobët. Harrisoni e braktisi atë ide, duke zgjedhur në vend të saj një dramë familjare me një skenë të vetme për një grua, Marxhorinë; vajzën dhe dhëndrin e saj; dhe një version çetboti të bashkëshortit të saj.
Kauffmani, që bëri regjinë për shfaqjen në Los Anxhelos, kishte humbur së fundmi nënën e saj. “Isha shumë e tërhequr nga ideja e vazhdimit të një bisede përtej vdekjes,” tha ajo. Ajo u prek dhe u magjeps nga përmasat e imagjinatës së Harrisonit, diçka që në atë kohë ishte qasje radikale.
Squibb, e cila e kishte parë dramën kur debutoi, nuk ndjeu se e kishte kuptuar plotësisht. “Mendoj se thjesht nuk ishim gati për të,” tha ajo. Por, kur iu dërgua skenari më 2025, pasi çetbotët ishin bërë pjesë e jetës së përditshme, ajo ndjeu se ishte e përgatitur. Bota kishte arritur dramën.
Në Broduej, Squibb luan Marxhorinë dhe më vonë edhe versionin Marxhori Prajm. Ajo i konsideron si një rol të vetëm, ndonëse vëren se boti është ndryshe nga Marxhoria e vërtetë. Prajmi është më i ngurtë, më formal. “Qëllimi i tyre është gjithmonë të të kënaqë,” tha ajo.
Një dramë më e thjeshtë do ta kishte trajtuar këtë qëllim si diçka të keqe ose thjesht të frikshme. Marxhori Prajm e sheh si diçka më melankolike - si një vektor të përkatësisë së pabarabartë. “Ka diçka atje që flet për ballafaqimin me humbjen e pashmangshme, si kusht themelor njerëzor,” ka thënë dramaturgia Sarah Lunnie, që shpesh punon me Harrisonin. “Dhe, çfarë është joshëse te ideja për të mos pasur humbje.”
Prajmët janë pothuajse aq njerëzorë sa për të lehtësuar humbjen e një të dashuri. Por, në qetësinë dhe gëzimin e tyre, nuk janë zëvendësues i vërtetë për njerëzoren.
“Asgjë nuk është e vështirë për një çetbot,” thotë Harrisoni. “Nuk përballet me gjëra, nuk mendon çfarë është e drejtë. Është i çliruar nga kjo - dhe kjo është gjithashtu një mungesë morale.”
Kjo mungesë ka gjasa të qëndrojë. Në dramë, versioni Prajm i bashkëshortit të Marxhories, Uolter (Chris Lowell), vëren se vajza e tyre, e cila nuk i pëlqen Prajmët, ka frikë nga e ardhmja. “Epo, kjo nuk është gjë e mirë,” thotë Marxhori. “Do të kthehem shpejt, më mirë të jemi miqësorë me të.”
Vërtet, teknologjia që dukej aq larg më 2014 ka mbërritur tashmë - e aftë të sigurojë audio dhe video të besueshme (nëse jo ende holograme) të çdo personi të gjallë. Squibb beson se nuk mund të riprodhojë emocionin e vërtetë njerëzor - të paktën ende jo. “Një aktor njerëzor shfaq një gamë të gjerë emocionesh, shumë të sinqerta dhe të vërteta,” tha ajo. “IA-ja nuk mund ta bëjë këtë.”
Dhe, IA-ja ende nuk mund të mbërthejë cilësinë kërkuese dhe të dhimbshme të shkrimit të Harrisonit - magjepsjen e tij me vdekjen dhe me artefaktet që mund të mbijetojnë pas saj.
“Ka një trishtim të vërtetë në punën e tij, por njëkohësisht një mrekulli dhe vlerësim për atë çfarë është e pazëvendësueshme, unike dhe që po kalon përpara nesh vetëm tani - për t’u mos u rikuperuar kurrë,” ka thënë Lunnie. “Ai e do jetën, dhe është i vetëdijshëm gjatë gjithë kohës se do të humbasë atë që do dhe se edhe vetë do të humbasë.”
Harrisoni e sheh një kohë kur njerëzimi do të jetë në retrovizor. “Nuk do të jemi përherë këtu - ne njerëzit - dhe do të zhdukemi pak më shpejt sesa mendoja kur isha fëmijë,” tha ai. Sigurisht, ky është lajm i keq për njerëzit. Por, Harrisoni është kureshtar, në skenë dhe jashtë saj, për atë që IA-ja do të krijojë. Dhe, përveç kësaj, e ardhmja është gjithmonë në ardhje - më mirë të jemi miqësorë me të.
“Të gjithë kishin frikë nga telefoni, të gjithë kishin frikë nga televizori,” ka thënë Harrisoni. “Thjesht, gjërat do të ecin përpara. Dhe, ne do të përshtatemi.” /Telegrafi/
Nga: Joseph de Weck / The Guardian Përkthimi: Telegrafi.com
Këtë verë, u përballa me trafik në rrugët përvëluese të Marsejës. Në një kryqëzim, mikesha ime në ulësen e pasagjerit më tha të kthehesha djathtas drejt një vendi të njohur për supën e peshkut. Por, aplikacioni i navigimit Waze na udhëzonte të vazhdonim drejt. I lodhur, dhe me Renault-n që ndihej si një saunë me rrota, ndoqa këshillën e Waze-it. Pak çaste më vonë, mbetëm të bllokuar në një kantier ndërtimi.
Një moment i parëndësishëm, mbase. Por, një i tillë që përmbledh ndoshta pyetjen përcaktuese të epokës sonë, ku teknologjia prek thuajse çdo aspekt të jetës: kujt i besojmë më shumë - njerëzve të tjerë dhe instinkteve tona, apo makinerisë?
Filozofi gjerman Immanuel Kant, e përkufizoi epokën e Iluminizmit si “daljen e njeriut nga papjekuria e vetëshkaktuar”. Papjekuria, shkroi ai, është “paaftësia për të përdorur arsyen pa udhëheqjen e dikujt tjetër”. Për shekuj me radhë, ky “tjetri” që drejtonte mendimin dhe jetën e njeriut ishte shpesh prifti, monarku apo feudali - ata që pretendonin se vepronin si zëri i Zotit në Tokë. Në përpjekjet për të kuptuar fenomenet natyrore - pse shpërthejnë vullkanet, pse ndryshojnë stinët - njerëzit i drejtoheshin Zotit për përgjigje. Në formësimin e botës shoqërore, nga ekonomia te dashuria, feja na shërbente si udhërrëfyes.
Sipas Kantit, njerëzit gjithmonë kishin aftësinë për të arsyetuar. Thjesht, nuk e kishin gjithmonë guximin për ta përdorur atë. Por, me Revolucionin Amerikan dhe më vonë atë Francez, një epokë e re po agonte: arsyeja do të zëvendësonte besimin dhe mendja njerëzore, e çliruar nga autoriteti, do të bëhej motori i përparimit dhe një bote më morale. “Sapere aude” ose “Guxo të përdorësh mendjen tënde” - i nxiste Kanti bashkëkohësit e tij.
Dy shekuj e gjysmë më vonë, mund të pyesim nëse po rrëshqasim sërish në papjekuri. Një aplikacion që na thotë se cilën rrugë do të marrim është një gjë. Por, inteligjenca artificiale [IA] rrezikon të bëhet “tjetri” ynë i ri - një autoritet i heshtur që udhëheq mendimet dhe veprimet tona. Rrezikojmë të heqim dorë nga guximi i fituar me mund për të menduar - dhe këtë herë jo ndaj perëndive apo mbretërve, por ndaj kodit.
ChatGPT u lansua vetëm tre vjet më parë dhe, megjithatë, një sondazh global i publikuar në prill zbuloi se 82 përqind e të anketuarve e kishin përdorur IA-në gjatë gjashtë muajve të fundit. Qoftë kur vendosnin të përfundonin një marrëdhënie apo për kë të votonin, njerëzit u drejtoheshin makinerive për këshilla. Sipas OpenAI-së, 73 përqind e kërkesave të përdoruesve lidhen me tema që nuk kanë të bëjnë me punën. Edhe më intriguese, sesa varësia jonë nga gjykimi i IA-së në jetën e përditshme, është ajo që ndodh kur e lejojmë atë të flasë në emrin tonë. Tani, shkrimi është ndër përdorimet më të zakonshme të ChatGPT-së, menjëherë pas kërkesave praktike si “bëje vet” apo këshillat për kuzhinë. Autorja amerikane Joan Didion ka thënë njëherë: “Shkruaj vetëm për të zbuluar se çfarë mendoj”. Por, kur ndalojmë së shkruari? A ndalojmë së zbuluari?
Ajo që shqetëson është se disa prova sugjerojnë se përgjigjja mund të jetë një po. Një studim i Institutit të Teknologjisë së Masaçusetsit [MIT] përdori elektroencefalografi (EEG) për të monitoruar aktivitetin e trurit të eseistëve që kishin qasje në IA, në motorë kërkimi si Google, ose nuk kishin fare ndihmë. Ata që mund të mbështeteshin tek IA-ja shfaqën aktivitetin më të ulët kognitiv dhe kishin vështirësi në citimin e saktë të punës së tyre. Më shqetësuese ishte se, pas disa muajsh, pjesëmarrësit që përdorën IA-në u bënë gjithnjë e më dembelë, duke kopjuar blloqe të tëra teksti në esetë e tyre.
Studimi është i vogël dhe jo i përsosur, por Kanti do ta kishte njohur këtë model. “Dembelia dhe frika”, shkroi ai, “janë arsyet pse një pjesë kaq e madhe e njerëzve ... mbeten në papjekuri gjatë gjithë jetës, dhe pse është kaq e lehtë që të tjerët të vendosen si kujdestarë të tyre. Është kaq e lehtë të jesh i papjekur”.
Sigurisht, interesantja e IA-së qëndron te rehatia që ofron. Kursen kohë, shmang përpjekjen dhe - ç’është më e rëndësishmja - ofron një mënyrë të re për të hequr përgjegjësinë nga vetja. Në librin e tij të vitit 1941, Arratisje nga liria, psikanalisti gjerman Erich Fromm argumentoi se ngritja e fashizmit mund të shpjegohej pjesërisht nga dëshira e njerëzve për të dorëzuar lirinë e tyre në këmbim të sigurisë së nënshtrimit. IA-ja ofron një mënyrë të re për të dorëzuar atë barrë të mendimit dhe vendimmarrjen personale.
Tërheqja më e madhe e IA-së është se mund të bëjë gjëra që mendja jonë nuk mundet - të përpunojë oqeane me të dhëna dhe ta bëjë këtë me shpejtësi të paprecedentë. Ulur në makinë në Marsejë, kjo ishte, në fund të fundit, arsyeja pse zgjodha t’i besoja makinerisë dhe jo shoqes time (një vendim të cilin ajo e mori si fyerje). Me gjithë qasjen e saj në të dhëna, mendova unë, sigurisht që aplikacioni duhet ta dijë më mirë.
Problemi është se IA-ja është një kuti e zezë. Ajo prodhon dije, por pa e thelluar domosdo kuptimin njerëzor. Ne nuk e dimë realisht si arrin në përfundimet e veta - edhe vetë programuesit e pranojnë këtë. Dhe, as nuk mund ta verifikojmë arsyetimin e saj sipas kritereve të qarta e objektive. Kështu që kur ndjekim këshillat e IA-së, nuk udhëhiqemi nga arsyeja. Po rikthehemi në mbretërinë e besimit. In dubio pro machina - kur dyshon, beso makinën - mund të bëhet parimi ynë udhëheqës në të ardhmen.
IA-ja mund të jetë aleate e fuqishme e njerëzve në kërkimin racional. Mund të na ndihmojë të shpikim ilaçe, të na çlirojë nga “punët e kota” ose nga detyrat e taksave - gjëra që kërkojnë pak mendim dhe ofrojnë edhe më pak kënaqësi. Aq më mirë. Por, Kanti dhe bashkëkohësit e tij nuk e mbështetën arsyen mbi besimin vetëm që njerëzit të mund të sistemonin më mirë ose të kishin më shumë kohë të lirë. Mendimi kritik nuk kishte të bënte vetëm me efikasitetin - ishte praktikë e lirisë dhe emancipimit njerëzor.
Mendimi njerëzor është i çrregullt dhe plot gabime, por na detyron të debatojmë, të dyshojmë, të testojmë ide kundrejt njëra-tjetrës - dhe të njohim kufijtë e të njohjes tonë. Ndërton vetëbesimin, si individualisht ashtu edhe kolektivisht. Për Kantin, ushtrimi i arsyes nuk ishte kurrë vetëm për dije; ishte për t’ua mundësuar njerëzit të bëheshin veprues të jetës së tyre dhe të rezistojnë ndaj dominimit. Ishte për të ndërtuar një bashkësie morale të mbështetur në parimin e përbashkët të arsyes dhe debatit dhe jo në besimin e verbër.
Me gjithë përfitimet që sjell IA-ja, sfida është kjo: si mund të shfrytëzojmë premtimin e saj për inteligjencë mbinjerëzore, pa cenuar arsyen njerëzore - gurin themeltar të Iluminizmit dhe të vetë demokracisë liberale? Kjo mund të jetë një nga pyetjet më përcaktuese të shekullit XXI. Dhe, është një pyetje që nuk duhet t’ia delegojmë makinës. /Telegrafi/
Nga: Sean Thomas / The Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com
Të gjithë mund të shohim se çfarë është duke ndodhur. Mania e investimeve është e çmendur. Kapitali po derdhet në startape me një ritëm marramendës, ndërsa spekulatorët e bindin veten se kjo teknologji marramendëse do ta riformësojë tregtinë, komunikimin dhe industrinë.
Kompanitë e reja shpallen çdo javë, edhe pse vlerësimet në treg po shkëputen nga realiteti ekonomik. Ndërkohë, lufta për talente është e ashpër: inxhinierët me përvojë marrin paga jashtëzakonisht të larta dhe të rinjtë në të njëzetat joshen nga manjatët dhe ministrat.
Ashiqare po flas - si të gjithë të tjerët - për bumin e inteligjencës artificiale [IA]. Apo jo? Gabim. Ajo që po përshkruaj është ajo që ndodhi në fillim të epokës së hekurudhave në Mbretërinë e Bashkuar në vitet ’40 të shekullit XIX.
Në fillim, njëjtë si me IA-në, paratë rridhnin dhe investimet ngriheshin në qiell. Mania e hekurudhave në vitet ‘40 të shekullit XIX çoi në kalimin e rreth 270 ligjeve për hekurudhat - vetëm në vitin 1846, duke autorizuar rreth 9 500 milje të linjave të reja [afro 15 500 kilometra]. Por, nga fillimi i viteve ’50 të shekullit XIX, flluska plasi në mënyrë spektakolare. Hekurudha direkte Londër-Portsmuth u shemb pa shtruar asnjë milje të vetme me shina.
Hekurudha e Londrës dhe Jorkut, përkundër planeve madhështore, u shkri përpara se të përfundonte itinerarin e saj. Ndërmarrje të panumërta më të vogla u zhdukën në mjegullën e zezë viktoriane, duke lënë aksionarët pa asgjë.
E, megjithatë, nga kjo rrëmujë dolën kompanitë që do të përcaktonin epokën: Hekurudha e Madhe Perëndimore [Great Western Railway] e ndërtuar nga Bruneli, mbijetoi dhe lulëzoi. Hekurudha e Londrës dhe Veriperëndimit [London and North Western Railway] u rrit në kompaninë më të madhe aksionare në botë. Dhe, pastaj hekurudhat u përhapën në gjithë globin, duke lidhur brigjet e ShBA-së dhe Kanadasë, duke bashkuar Indinë, duke e bërë të mundur të udhëtohej nga Vladivostoku në Vjenë për disa ditë, jo muaj. Dhe, njerëzimi ndryshoi.
Analogjia nuk është çudi. Pse? Sepse kështu ndodh pothuajse me çdo përparim të madh teknologjik në historinë e njerëzimit. Në fakt, kjo sekuencë - investime të mëdha të ndjekura nga një paqëndrueshmëri ekstreme dhe më pas një kolaps i tmerrshëm (për disa) - është aq e parashikueshme saqë pothuajse është tregues se diçka vërtet transformuese po ndodh.
Dëshiron më shumë fakte bindëse? Ja një përshkrim i përafërt i asaj që ndodhi kur elektriciteti erdhi në vitet ‘80 dhe ’90 të shekullit XIX. Fillimisht, investitorët e etur nxituan për të financuar kompani të ndriçimit elektrik. Vetëm në Amerikë, mbi gjashtë mijë kompani të vogla elektrike u krijuan brenda pak vitesh. Aksionet e sipërmarrjeve elektrike u bënë yje të Uoll-Stritit [Wall Street].
Dhe, pastaj flluska pëlciti dhe tronditja ishte e pamëshirshme. “Lufta e rrymave” mes DC-së së [Thomas] Edisonit dhe AC-së së [George] Westinghouseit bëri që dhjetëra kompani më të vogla të shkatërroheshin nga gjigandët. Në prag të shekullit të ri, vetëm pak mbijetues - General Electric, Westinghouse, Siemens - dominonin skenën. Kufomat e dështimeve mbulonin fushëbetejën ekonomike.
Të gjitha këto, pa dyshim, ishin të dhimbshme. Por, elektriciteti? Ai transformoi qytetet, shtëpitë, transportin, industrinë - dhe na çoi te frigoriferi, radioja, televizori, kompjuteri dhe interneti. Sa i përket flluskave, pëlcitjeve ose pasojave, ato ishin mjaft të mira për njerëzimin.
Mund të vazhdoj fare lehtë, sepse e njëjta gjë ndodhi me ardhjen e internetit (e mban mend krizën dot.com?), me ardhjen e motorit me djegie të brendshme dhe, ndoshta, me shpikjen e shtypshkronjës. Në fakt, ndonjëherë pyes veten nëse njerëzit kanë qenë gjithmonë kështu me teknologjitë e reja të çmendura që nga fillimi i kohërave. Për shembull, më pëlqen të imagjinoj se si ka qenë atmosfera kur zjarri erdhi. A ka pasur “skeptikë të zjarrit” në “Gazetën Neolitike” që kritikonin këtë modë të re pa shije?
Mund të imagjinoj si mund të kenë qenë artikujt e tyre. “Entuziazmi fillestar është ftohur pasi Korporata Fërkimi i Shkopinjve [Rubbing Sticks Together Inc] dha një vlerësim prej dyzet çatallesh mamuthi”. “Analistët ankohen se modeli i biznesit mbështetet së tepërmi në shkëndija dhe ndjesi”. “‘Po, është i ngrohtë’, pranon një kritik, ‘por, vetëm në aspektin lokal dhe vetëm nëse ulesh shumë pranë tij’”.
Përfundimi? Është me rëndësi të bëhet dallimi midis ngjarjes së përkohshme - flluskës - dhe ndryshimit epokal: teknologjisë. Shumë komentues i ngatërrojnë këto dy dhe për këtë arsye mendojnë se gjithë IA-ja është marrëzi e mbivlerësuar. Para disa ditësh pashë një gazetar që pohonte për IA-në se teknologjia që na ishte premtuar se do të bënte gjithçka, “në fakt nuk di të bëjë asgjë”.
Vërtet? “Nuk di të bëjë asgjë”? Provoje t’ua thuash këtë përkthyesve: IA-ja ka përpirë industrinë e tyre, sepse ka zotëruar të gjitha gjuhët. Dhe, IA-ja do të zgjerohet vetëm më tej - edhe pse ne njerëzit do të vazhdojmë, përgjithmonë, të fryjmë flluskat. /Telegrafi/
Në epokën digjitale, mënyra si e perceptojmë pasurinë nuk është më e lidhur vetëm me fakte konkrete si të ardhurat, investimet apo pronat. Sot, rrjetet sociale kanë krijuar një ekonomi të re të dukjes, ku vlera e individit shpesh matet nga imazhi që promovon në Instagram, TikTok apo YouTube. Ky fenomen, i njohur ndryshe si “influencer economy”, ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si brezi i ri e sheh suksesin ekonomik dhe mirëqenien personale…
Ka një sërë këndvështrimesh mbi mënyrën se si rrjetet sociale ndikojnë shoqërinë tonë, si pozitivisht, ashtu edhe negativisht.
Në fund të fundit, disa njerëz kalojnë orë të tëra çdo ditë në këto platforma, ndaj duhet të jemi të vetëdijshëm për ndikimin e tyre. Tashmë, ndikimet kanë prekur edhe zakonet tona në shpenzime, kursime dhe investime.
Rrjetet sociale shpesh tregojnë një version të kuruar dhe të ekzagjeruar të realitetit. Njerëzit rrallë postojnë mbi problemet e sjelljes së fëmijëve në shkollë apo për stresin kur kujdesen për prindërit e moshuar.
Ata postojnë për pushime luksoze, vende të shkëlqyera në ndeshje sportive dhe mbrëmje të shtrenjta. Kjo krijon një ndjenjë të shtrembëruar të asaj që është “normale” dhe mund të çojë në një presion të pavetëdijshëm për të mbajtur hapin.
Le të marrim një shembull: ndiqni miq ose influencues që udhëtojnë nëpër botë, qëndrojnë në hotele më të mira dhe hanë në restorante luksoze. Ndoshta, pa e kuptuar, kjo ndikon në mënyrën se si ndiheni për pushimin “normal” që bëni në plazh, edhe pse e keni shijuar për vite me radhë.
Ose ndoshta gjatë festave shihni postime të miqve që kalojnë kohë në shtëpitë e tyre në bregdet. Mund të filloni të mendoni se të kesh një shtëpi të dytë është më e zakonshme dhe më e nevojshme sesa është në të vërtetë.
Sociologia Marsida Simo rikujton se, rrjetet sociale theksojnë momentet më të bukura të jetës së dikujt dhe jo realitetin e tyre të përditshëm.
“Duke qenë se jemi të ekspozuar vazhdimisht në rrjete të ndryshme sociale, kemi krijuar një realitet të përsosur, ku njerëzit tregojnë vetëm momentet më të bukura, shpenzimet luksoze dhe arritjet më mbresëlënëse. Ky efekt nuk është thjesht një ndjesi momentale, por prek thellë psikologjinë njerëzore”, – thotë sociologia, duke theksuar se, ndikimi i rrjeteve sociale në mënyrën se si i shohim paratë, shpenzimet dhe investimet është i pamohueshëm.
“E gjitha kjo krijon një ndjesi krahasimi të vrazhdë duke e çuar individin në pakënaqësi, pamjaftueshmëri dhe çoroditje. Paraja dhe pasuria, përtej funksionit praktik, transformohen në një standard social. Ajo që shohim te të tjerët në botën virtuale, duket gjithmonë më e madhe, më e bukur dhe më e arritshme se ajo që kemi ne”, – vijon znj. Simo.
Ajo ndalet te të rinjtë, duke nënvizuar se ky efekt është veçanërisht më i fuqishëm.
“Ata janë në fazën e formimit të identitetit dhe krahasimi social mund të ndikojë jo vetëm te vetëvlerësimi, por edhe te vendimet financiare, duke i rritur shanset për shpenzime impulsive. E gjitha kjo për të qëndruar në atë nivel që kanë formuar si imazh prej personave të famshëm që ndjekin”, – thekson znj. Simo.
Sociologia bën thirrje se edukimi financiar i hershëm duhet bërë domosdoshmëri – i ndihmon të rinjtë të kuptojnë diferencën mes dëshirave dhe nevojave, të menaxhojnë buxhetin dhe të planifikojnë investime të mençura.
“Njohuritë mbi kursimin, planifikimin dhe investimet janë po aq të rëndësishme sa njohuritë mbi teknologjinë dhe përdorimin e rrjeteve sociale. Këto njohuri do t’u shërbejnë si një filtër, duke i bërë më të kujdesshëm në vendimet e tyre financiare, të veprojnë me etikë, të shmangin mashtrimet dhe të reduktojnë rreziqet e pakthyeshme”, – përfundon znj. Simo.
Një nga fenomenet që po vërehet gjithnjë e më shumë është “dismorfia e parasë”, ku individët ndihen financiarisht të pasigurt edhe në kushte kur janë realisht të qëndrueshëm.
“Kjo ndodh sepse krahasimi nuk bëhet më me mjedisin natyror ekonomik ku jeton individi, por me standardet globale të luksit, të cilat qarkullojnë me intensitet të madh në rrjetet sociale. Si pasojë, krijohet një ndjenjë privimi relativ që nuk është produkt i realitetit, por i imazheve të kuruara që nxisin presionin për të konsumuar mbi mundësitë”, – thotë për “Monitor”, eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa.
Rrjetet sociale po ndikojnë gjithnjë e më fort edhe në sjelljen financiare të familjeve.
Eksperti thotë se, shpenzimet impulsive, kreditë e marra për të mbuluar shpenzime joproduktive, apo investimet e nxituara në produktet që promovohen online, janë vetëm disa nga rreziqet që po shfaqen.
“Në një ekonomi të vogël si ajo shqiptare, kjo sjellje mund të krijojë tensione të panevojshme financiare tek individët dhe familjet dhe të deformojë prioritetet e tyre ekonomike. Nga këndvështrimi i politikave publike dhe edukimit financiar, sfida kryesore është ndërtimi i një kulture ekonomike ku individët të kuptojnë se pasuria nuk matet me imazh, por me stabilitet, kursim dhe investim afatgjatë. Është e rëndësishme që përdoruesit të kultivojnë një qasje kritike ndaj përmbajtjeve që konsumojnë dhe të ndërtojnë objektiva personale financiare të bazuara në realitetin e tyre, jo në modelet e krijuara në platforma digjitale”, – thotë z. Xhepa.
Krahasimi
Në epokën e rrjeteve sociale, çdo përdorues ka mundësi të krijojë dhe të shpërndajë përmbajtje, gjë që i bën krahasimet mes njerëzve më të shpeshta dhe më të pashmangshme.
Në platforma si Instagram, TikTok apo LinkedIn, shumica prezantojnë versionin më të mirë të vetes: foto të kuruara, pamje të bukura, trup ideal, luks dhe stil jete që shpesh nuk përputhen me realitetin e përditshëm.
Ky prezantim i zgjedhur dhe i filtruar bën që përdoruesit të krahasohen më shpesh “për lart”, me njerëz që duken më të suksesshëm, më të bukur apo më të pasur. Një formë gjithnjë e më e zakonshme e këtij fenomeni është shpërndarja e simboleve të pasurisë: vila, makina luksoze, pushime ekzotike, marka të shtrenjta.
Kur dikush ekspozohet vazhdimisht ndaj këtyre imazheve, krijohet ndjesia se të tjerët janë më të pasur dhe më të privilegjuar. Ky lloj krahasimi shpesh çon në pakënaqësi, në ulje të vetëvlerësimit dhe në ndjesinë se jeta personale është më pak e vlefshme.
Ekspertja e marketingut digjital, Cansel Saygin, thotë se, sot krahasimi nuk bëhet më me shokët e klasës apo me kolegët e punës, por me njerëz nga çdo cep i botës.
“Kur kjo ndodh çdo ditë, krijohet një perceptim i shtrembëruar, njerëzit fillojnë të mendojnë se janë financiarisht të dobët, edhe kur nuk janë. Ndiejnë nevojën të kenë gjëra materiale që nuk janë domosdoshmërisht të nevojshme. Shpesh ndihen të pasigurt ekonomikisht, jo për shkak të realitetit të tyre, por për shkak të realitetit që shohin online. Me kohë, ajo që shfaqet në rrjetet sociale fillon të perceptohet si ‘standardi’ i jetesës, edhe pse është vetëm një version i filtruar i realitetit”, – thotë znj. Saygin.
Ky proces mund të shkaktojë atë që quhet privim relativ, një ndjenjë padrejtësie dhe zhgënjimi që lind kur perceptojmë se të tjerët kanë më shumë sesa ne, edhe pse realisht nuk kemi humbur asgjë.
Ndjenja e privimit relativ mund të rritet edhe më tepër kur personat me të cilët krahasohemi duken të ngjashëm me ne për nga mosha, stili i jetës ose interesat.
Kjo e bën kontrastin ekonomik të duket edhe më i mprehtë. Pasojat e këtij privimi nuk kufizohen vetëm te mirëqenia personale. Studimet tregojnë se njerëzit që ndihen të privuar bëhen më pak të kënaqur me jetën e tyre, më të stresuar dhe priren ndaj sjelljeve agresive.
Një tjetër efekt i rëndësishëm është rritja e armiqësisë ndaj të pasurve. Kur dikush sheh vazhdimisht imazhe që i kujtojnë diferencat ekonomike, krijohet ideja se “të pasurit” janë shkaku i padrejtësisë së përjetuar.
Kjo mund të çojë në qëndrime negative, stereotipa të ftohtë dhe në disa raste, në sjellje agresive ndaj tyre, sidomos në mjediset online./Monitor.al
Nga: Eleanor Margolis / The Guardian Përkthimi: Telegrafi.com
Teksa aplikoj për një tjetër punë, shoh faqen e internetit të kompanisë për përmbajtje. Katër ose pesë herë e lexova seksionin e tyre “çfarë bëjmë”, dhe kam një problem - nuk arrij të kuptoj çfarë bëjnë. Këtu janë dy mundësi. E para: vetë ata nuk e dinë çfarë bëjnë. E dyta: ajo që bëjnë është aq e pavlerë dhe për turp saqë nuk guxojnë ta thonë qartë në gjuhë të zakonshme. “Ndërtojmë sisteme të avancuara marketingu të hapësirës së mirëqenies në internet” mund të përkthehet si: “Përdorim ChatGPT-në për të shitur suplemente të dyshimta”.
Por, është problem më i vogël të dish se çfarë bëjnë në të vërtetë shumë biznese. Aktualisht, jam mes pesë përqind të britanikëve që janë të papunë. Pas gjashtë muajsh kërkimesh për punë, mungesa totale e suksesit më ka bërë të vë në dyshim ekzistencën time. Kur aplikon vazhdimisht për punë në të njëjtën fushë, njëjtë si në rastet kur përsërit një fjalë pa pushim derisa të humbasë kuptimin, semantika e gjithë situatës fillon të shpërbëhet si një facoletë e lagtë. Rreth një në pesë aplikime që bëj sjell një postë elektronike refuzimi, zakonisht me ankesën për “numrin e madh të aplikantëve cilësorë” për pozicion. Por, në shumicën e rasteve - asgjë. Është thuajse puna të mos ketë ekzistuar kurrë, dhe ka gjasa që vërtet të mos ketë ekzistuar.
Në vitin 2024, 40 përqind e kompanive postuan njoftime për “punë fantazmë”, pozicione që nuk ekzistojnë, të shpallura për të krijuar iluzionin se kompania po ecën aq mirë - aq mirë saqë ka nevojë për punëtorë të tjerë. Dhe, kjo duket si një mënyrë shumë e lehtë për të gënjyer për suksesin tënd. Rregullimi i reklamave për punë është kryesisht në kompetencë të Autoritetit për Standardet e Reklamimit, i cili - me gjithë fuqinë e vet - mund të bëjë vetëm ... heqjen e një reklame të gabuar. Pra, duke mos pasur ndonjë pasojë të rëndë për punëdhënësit, pse të mos bëjnë një fushatë të rreme punësimi? Etika në tregun e punës duket se ka dalë jashtë dritares, dhe ideja për të humbur kohën e mijëra kërkuesve të pafajshëm të punës nuk ka më rëndësi.
Edhe nëse puna për të cilën po aplikon ekziston, pengesa e radhës është boti i burimeve njerëzore [HR] me inteligjencë artificiale [IA]. Edhe pse është e vështirë të gjesh të dhëna të sakta për numrin e punëdhënësve që përdorin IA-në për të filtruar aplikimet (nganjëherë duke favorizuar burrat ndaj grave, nëse marrim për shembull një algoritëm të përdorur dikur nga Amazon-i që tashmë është hequr), gjithandej ka artikuj dhe tema në Reddit se si të manipulosh botat dhe të futësh “fjalët kyçe”. Sipas një artikulli të revistës The Atlantic, më herët këtë vit: “Të rinjtë po e përdorin ChatGPT-në për të shkruar aplikimet; HR-ja po përdor IA-në për t’i lexuar; askush nuk po punësohet”. Dhe, le të themi se CV-ja dhe letra e motivimit ia dalin të kalojnë robotët rojtarë, ka gjasa që edhe intervista të zhvillohet me një bot tjetër. Edhe pse nuk kam pasur “kënaqësinë” të kem asnjë intervistë, qoftë nga IA-ja apo diçka tjetër - qëkur nisa këtë kërkim e fundit për punë - mundësia për të mos pasur kontakt me asnjë njeri gjatë gjithë procesit, për t’u bërë menaxher i marketingut i rrjeteve sociale për suplemente të dyshimta, më duket e madhe dhe e tmerrshme.
Edhe pse kjo tollovi për punë zakonisht paraqitet si problem për të porsadiplomuarit, mund të konfirmoj - si dikush që u diplomua para 15 vjetësh, drejt e në recesion - jo vetëm që ky është tregu më i keq i punës që kam parë ndonjëherë, por po ndikon edhe te njerëzit si unë me shumë vite përvojë. Gjatë periudhës sime të fundit të kërkimit të punës, rreth tre vjet më parë, të paktën shkoja në intervista. Dhe, për më tepër, me njerëz të vërtetë. Duke parë gjithë ata profesionistë që njoh dhe që nuk po arrijnë të sigurojnë intervista as për pozicione fillestare, jam e sigurt që nuk paraqes ndonjë përjashtim. Jam gjithashtu e bindur se po përballemi me një krizë në të cilën punët për shtresën e mesme janë degjeneruar në bisha të rralla dhe shqetësuese.
Kur - sipas një shpalljeje për punë - një kompani e pavarur për ushqim për kafshë shtëpiake, me një emër si Flopsies, kërkon një “yll roku” dhe një “njëbrirësh” për të revolucionarizuar praninë në rrjete sociale, e kupton që tregu i punës është dehur me pordhat e veta. Frankenpunët e paqarta, që kërkojnë gjithçka, nga SEO [Search Engine Optimization] e deri te aftësitë për montazh videosh (për një pagë prej 27 mijë paundësh dhe me çokolata falas me proteinë që kanë shijen e kashtës), kërkojnë përkushtim sektar. Së pari, duhet të bindësh njerëzit e mirë të Flopsies-it se ka qenë ëndrra jote, që nga lindja, të shesësh ushqim për kafshë. Do t’i prisje duart e tua për këtë privilegj dhe do të mësoje të shkruash për ta duke përplasur fytyrën mbi tastierë. Këtë do ta shprehësh në një letër motivimi prej 400 fjalësh, të shkruar me gjakun tënd. Dhe, kjo letër do të ridrejtohet në hiç nga një filtër i IA-së, sepse nuk e ke përdorur në të frazën “optimizimi i rëndësisë algoritmike”. Nuk do të dëgjosh më kurrë asgjë nga Flopsies-i. Do ta nisësh këtë proces nga e para dhe do ta përsërisësh derisa të konsiderohesh i/e denjë për një intervistë në të cilën ke disa minuta për ta bindur një bot se je i/e aftë për punë dhe si qenie njerëzore.
Procesi i rekrutimit është bërë kaq i mekanizuar, si në kuptimin figurativ ashtu edhe në atë fjalëpërfjalshëm, saqë është e vështirë të besohet se njerëzit që përzgjidhen për punë nuk janë thjesht ata që janë më të zotët për të manipuluar sistemin. Dhe, sinqerisht, të kenë gjithë fatin e botës! S’është ndonjë humbje për mua nëse punët me suplemente të dyshimta apo ushqim për kafshë i fiton dikush që është mjeshtër në krijimin e iluzionit se jeton dhe merr frymë vetëm për to. Por, në këtë proces të rrjedhave, çfarë ndodh me ata prej nesh që nuk dinë apo nuk duan ta luajnë këtë lojë? Nga të gjitha aplikimet që kam dërguar së fundmi, pyes veten sa prej tyre janë parë nga sytë e njerëzve. Ka një kufi sa mund të bërtasësh në boshllëk për aftësitë e tua me një CMS [Content Management System], përpara se të fillosh të kërkosh në Google për frazat si: “A mund ta shes një veshkë në Vinted [ueb-faqe për shitje]”? /Telegrafi/
Po bëhet më e zgjuar, por ende bën shumë gabime, ndërsa tregjet financiare pritet të pësojnë rënie.
Nga: Andy Kessler, biznesmen, investitor dhe autor / The Wall Street Journal Përkthimi: Telegrafi.com
Ashtu si instalimet e ujit brenda shtëpisë apo tosti me avokado, inteligjenca artificiale [IA] do të ketë ndikim të madh. Por, mos prisni një rritje në linjë të drejtë. Ja ku janë e mira, e keqja dhe e shëmtuara.
• E Mira. IA0ja është shumë e zgjuar. ChatGPT-ja arrin në përqindjen e 93-të në testet e leximit dhe të të shkruarit të SAT [Scholastic Assessment Test - testet që përdoren të matur gatishmërinë e nxënësve të shkollave të mesme për të ndjekur studimet në universitetet e Shteteve të Bashkuara] - [rezultatet] 710 nga 800. Dhe, 700 në matematikë. Mund të arrijë gjithashtu notën 3 ose më shumë në shumicën e provimeve AP [Advanced Placement - teste të standardizuara të cilat u jepen në maj nxënësve të shkollave të mesme në Shtetet e Bashkuara]. Po të mund të punonte si vullnetar për ndërtimin e kasolleve në Kosta Rika dhe të luante në mënyrë të pranueshme në klarinetë, ChatGPT-ja do të mund të pranohej në Universitetin e Miçiganit.
IA-ja gjenerative gjithashtu mund të kalojë të gjitha nivelet e provimit për analist të certifikuar financiar [Chartered Financial Analyst - kualifikim profesional i njohur globalisht], provimin e unifikuar të jurisprudencës në ShBA [Uniform Bar Exam] me 97 përqind saktësi për vitin 2023, si dhe provimin amerikan të licencimit mjekësor [United States Medical Licensing Examination] për vitin 2023. Sigurisht, po të mund të mbaja mend marrëdhëniet midis çdo fjale të shkruar në 500 vjetët e fundit, ndoshta do t’i kaloja edhe unë këto teste. Por, a do t’ia besoje ChatGPT-së ndonjërin prej këtyre profesioneve? Hmmm. Testet tona kanë kufizimet e veta.
Mashtrimi me ChatGPT është aq i përhapur saqë profesorët janë kthyer te fletoret e vjetra të katra për provime. Çfarë vjen më pas, letra pergamenë? Ky nuk është përparim. Por, vini re, mendimi analitik do të bëhet gjithnjë e më shumë përmes komandave [Prompt] për ChatGPT-në dhe verifikimit të rezultateve. Mund ta vlerësosh këtë? Ende jo.
Shumëçka nga edukimi i sotëm bazohet në mësimin për të kaluar testet. Kuizet, testet, ligjëratat - pjesa më e madhe e arsimit është e përmbysur. Mësimi përmendësh ka dalë jashtë mode. Ligjëratat gjithashtu. E ardhmja është mësimi me ritëm individual dhe me edukim pjesëmarrës në projektet te të cilat IA-ja mund të ndihmojë dhe të vlerësojë në të njëjtën kohë. Ndërto një raketë të drejtuar nga njerëzit (virtuale) për në Mars - mëso llogaritjen, fizikën, biologjinë, ekonominë, psikologjinë dhe shkencën e materialeve për ta realizuar atë.
Gjithashtu, mbresëlënëse është shpejtësia me të cilën kompanitë po e adoptojnë IA-në për shërbimin ndaj klientit. Agjentët virtualë që përdorin tekst, dhe gjithnjë e më shumë zërin, mund të përgjigjen ndaj pyetjeve. Nga përvoja e dëgjuar, shkon nga 30 përqind deri në 70 përqind të përgjigjeve që gjenerohen automatikisht përpara se pyetjet e vështira të kalohen te njerëzit e vërtetë. Shumica më thonë se kostot ulen rreth 30 përqind. Pas çetbotëve, ky mund të jetë adoptimi më i madh i IA-së. Kujdes: ende bën gabime.
• E Keqja. Po, “halucinacionet” janë problem i madh. Edhe vetë termi “halucinacion” është mashtrues. Thjesht thuaje siç është: IA-ja bën gabime. Gafe. Defekte. Mund të jetë budallaqe. Sepse, IA-ja gjenerative është model statistikor, shpesh nuk ka qëndrueshmëri nga një pyetje te tjetra. Edhe në shërbimin ndaj klientit, kompanitë janë të kujdesshme. Gabimet dëmtojnë. Brendet mund të njollosen. Përgjegjësia është çështje e madhe për IA-në që drejtohet nga jashtë.
Për kodim, Mark Zuckerberg nga Meta thotë se IA-ja e tyre është e barabartë me “inxhinierë të nivelit të mesëm”. Programuesit pëlqejnë mjetet “interesante” [Vibe Coding] si Cursor dhe Replit. IA-ja e kompanisë Anthropic mundëson shumë prej këtyre mjeteve, por pakkush i beson rezultatit që shpeshherë është plot me gabime [Bugs]. Programuesit, qofshin të nivelit të mesëm apo jo, janë kthyer në testues që rregullojnë kodin e IA-së. Më produktive? Po, por ndryshe.
Modelet aktuale të mëdha gjuhësore trajnohen përmes forcës brutale. Me shumë çipa GPU [Graphics Processing Unit] të Nvidia-s të lidhur me terabajtë memorie. Çmimet e memories DRAM, që zakonisht bien me 30 përqind në vit, në vitin 2025 janë rritur me 15-20 përqind. IA-ja po thith çdo xhul të lirë energjie. Në Luginën e Silicit [Silicon Valley] po flitet për kilovat për token si një njësi matëse për prodhimin e IA-së. Kjo nuk do të zgjasë. Mbajini sytë te çmimet e memories si një sistem paralajmërimi për kërkesën. Do të shikoja gjithashtu normat e bonove japoneze pasi tregtia me jenë [Yen Carry] mund të jetë burimi i ajrit të nxehtë në tregjet e aksioneve. Edhe për kriptovalutat.
Po afrohen metoda më efikase të IA-së. Shikoni kompaninë e re të vlerësuar me 12 miliardë dollarë të ish-drejtoreshës së teknologjisë në OpenAI, Mira Murati - Thinking Machines Labs, që trajnon modelet ekzistuese të IA-së për t’u bërë eksperte në detyra të ngushta. Ta mësosh IA-në se si të mësojë është pothuajse njësoj si të rimendosh edukimin njerëzor. Efikasiteti mund të reduktojë kërkesën për qendrat e të dhënave.
• E Shëmtuara. Tregu i aksioneve është i çmendur pas IA-së. Por, a janë investimet në qendrat e të dhënave për IA përpara kërkesës reale që sjell të ardhura? Ka mundësi. E kemi parë mbindërtimin në çdo cikël: çipa për memorie, telekom, fibra optike. Në horizont janë çipat me konsum të ulët energjie dhe algoritme më efikase të IA-së. Loja me forcën brutale mund të ndryshojë.
Kapaciteti i planifikuar me mbi një trilion dollarë deri në vitin 2028 është shumë përpara çdo mundësie të ardhurash në afat të shkurtër. Dhe, tregjet janë të paqëndrueshme. Jeff Bezos pëlqen të kujtojë se në fillim të viteve 2000, aksionet e Amazon-it ranë nga 113 në 6 dollarë edhe pse kompania përmbushi çdo parashikim. Tregjet i kanë vlerësuar aksionet e IA-së bazuar në pritjet që kishin për tre deri në pesë vjet më vonë. Kjo mund të reduktohet në një afat më normal prej gjashtë deri në 18 muaj. Si rasti i Oracle-it javën e kaluar. Kjo ndodh në çdo cikël: Çfarë ke bërë për mua së fundmi? Furnizimi i ri dhe inovacioni do të thotë se çmimet e IA-së mund të bien më shpejt sesa pritej. Edhe aksionet po ashtu.
E shëmtuara në afat të shkurtër është lajm i mirë në aspektin afatgjatë. Në Luginën e Silicit çmimet gjithmonë bien. Kur nuk bien, unë shqetësohem. Çmimet më të ulëta nënkuptojnë që elasticiteti i kërkesës po hyn në lojë: aplikacione të reja shfaqen për të përfituar nga funksionaliteti më i lirë. Printerë më të lirë me laser, kamera digjitale, telefona të zgjuar dhe tani IA-ja. Mjafton të ndiqni linjën zigzage. /Telegrafi/
Qendra për Forenzikë Digjitale (DFC) ka zbuluar një model të qartë të veprimeve hibride ruse në Ballkanin Perëndimor, të cilat sipas analizës zhvillohen kryesisht përmes Serbisë, që funksionon si qendër rajonale për trajnime, logjistikë dhe propagandë.
Sipas raportit, operacionet e përdorura nga Rusia kundër Moldavisë para zgjedhjeve të vitit 2025 janë të njëjta me ato të vërejtura edhe në vendet tjera të rajonit, veçanërisht në momente kyçe të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Analiza paralajmëron se Mali i Zi, për shkak të afrimit të përfundimit të negociatave të anëtarësimit në BE dhe zgjedhjeve të planifikuara për vitin 2027, mbetet një objektiv potencial i veprimeve hibride të koordinuara nga Rusia.
DFC thekson se me rritjen e aktiviteteve ruse dhe rolin e Serbisë si vektor i vazhdueshëm i tyre, Mali i Zi vazhdon të jetë nën kërcënimin e ndërhyrjeve të jashtme. Sipas tyre, që nga viti 2020 ekzistojnë kushtet për përsëritjen e një skenari të ngjashëm me atë që u tentua në Moldavi, kësaj radhe në territorin malazez.
“Modelet e identifikuara të veprimeve, instrumentalizimi i subjekteve politike pro-ruse, infiltrimi i komuniteteve fetare në sferën politike, fushatat propagandistike përmes mediave dhe rrjeteve sociale pro-ruse, si dhe nxitja e qëllimshme e ndarjeve shoqërore e etnike reflektojnë qartë edhe në kontekstin malazez. Ashtu si në Moldavi, qëllimi strategjik është dobësimi i kursit pro-evropian të vendit, komprometimi i institucioneve dhe krijimi i një atmosfere të paqëndrueshme që favorizon interesat e Federatës Ruse”, thuhet në analizën e DFC-së.
DFC paralajmëron se nëse institucionet nuk arrijnë t’i identifikojnë dhe të reagojnë me kohë ndaj këtyre proceseve, Mali i Zi mund të bëhet objektivi i radhës i një sulmi hibrid në Ballkanin Perëndimor – me pasoja serioze për sigurinë dhe perspektivën e tij evropiane.
Gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale në Kosovë, RT Ballkan dhe Sputnik Serbia përhapën pothuajse të njëjtin narrativ si gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare, të mbajtura më 9 shkurt: Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit, paraqitet si “mbrojtëse e interesave” të komunitetit serb.
Autoritetet e Kosovës, në anën tjetër, paraqiten si ato që ushtrojnë vetëm presion ose “terror” mbi komunitetin serb për ta detyruar të largohet.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e akuzoi Serbinë se po ndërhyn drejtpërdrejtë në zgjedhjet lokale që do të mbahen në vend më 12 tetor.
Po ashtu, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar Serbinë të martën se po ndërhyn në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë duke bërë premtime për vende pune dhe përfitime financiare.
Kurti tha se veprimet e fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe të aktorëve të tjerë serbë, shtetërorë dhe joshtetërorë, “nuk mund të cilësohen ndryshe përveçse ndërhyrje në procesin e zgjedhjeve lokale të tetorit në Kosovë”.
“Premtimet për vende pune, joshja përmes përfitimit të mbështetjes financiare, kushtëzimi dhe shantazhi me beneficione sociale dhe deklarimet e zyrtarëve shtetërorë të Serbisë, se vetëm Lista Serbe e mbron Serbinë në Kosovë, siç bëri së fundi ish-kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, e siç ka bërë vetë presidenti Vuçiq, janë metoda të përsëritura të ndërhyrjes së Serbisë në Kosovë”, tha Kurti.
Kosova si pjesë e propagandës ruse përmes Serbisë
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ditë më parë ka paralajmëruar se Kosova vazhdon të mbetet e ndjeshme ndaj manipulimeve dhe fushatave të dezinformimit, të cilat synojnë të dobësojnë besimin në institucione dhe të polarizojnë shoqërinë.
Gjatë fjalës së tij në Samitin e Paqes dhe Demokracisë në Kosovë, me temën “Çrregullim i ri botëror: dezinformim, mosbesim dhe shkatërrimi i normave demokratike”, Orav tha se dezinformimi është një kërcënim i përhapur në gjithë Evropën dhe se Kosova nuk është përjashtim.
Sipas tij, të dhënat tregojnë se në gjuhën shqipe dezinformatat shpërndahen më së shumti përmes rrjeteve sociale, ndërsa në gjuhën serbe qarkullojnë kryesisht në media tradicionale, duke përsëritur narracione që shpesh përputhen me propagandën ruse, sidomos në çështje politike dhe të sigurisë.
Ai theksoi se Kosova renditet e 40-ta nga 41 shtete në Indeksin Evropian të Edukimit Medial, çka sipas tij tregon mungesë të vetëdijes institucionale për rëndësinë e edukimit medial.
Orav u shpreh se mungesa e mendimit kritik dhe mos-integrimi i njohurive mbi verifikimin e burimeve në sistemin arsimor e lë shoqërinë të ekspozuar ndaj manipulimit.
“Në mbarë Evropën dhe përtej, dezinformata kërkon të dobësojë besimin në institucione, të polarizojë shoqëritë dhe të shfrytëzojë divizionet, dhe Kosova nuk bën përjashtim. Hapësira e Kosovës mbetet e ndjeshme ndaj manipulimit dhe ndërhyrjes. Kërkimet nga partnerët tanë tregojnë se mendimi kritik dhe verifikimi i burimit nuk diskutohen sistematikisht në shkolla, duke lënë popullin të ekspozuar ndaj manipulimit dhe dezinformatës.”
Ai paralajmëroi se dezinformimi, polarizimi dhe sulmet ndaj normave demokratike rrezikojnë bazat e besimit publik dhe angazhimit qytetar, duke krijuar një terren të favorshëm për destabilizim./Telegrafi/
Pse gratë kanë më shumë barrë mendore në epokën e njoftimeve të pafund?
Mbingarkesa nga rrjedha e pandërprerë e informacionit dhe ndërveprimeve digjitale është një fenomen që prek dukshëm më shumë gratë sesa burrat
Gjashtëdhjetë e katër sekonda. Kaq pak i duhet trurit tonë që të rikthejë përqendrimin sa herë që marrim një njoftim në telefon. Sipas ekspertëve, këta mikro-ndërprerje të vogla “hanë” një sasi të pabesueshme kohe, mesatarisht gjysmën e ditës së punës në javë. Jemi të mbingarkuar me informacion, të bombarduar nga mesazhe dhe nën presionin e vazhdueshëm për t’u përgjigjur menjëherë, qoftë email-e, porosi apo njoftime.
Kjo mbingarkesë digjitale, ku jemi të zhytur në një rrjedhë pafund klikimesh, vendimesh të menjëhershme, kontrollesh, përditësimesh dhe përgjigjesh “sa më shpejt”, godet më shumë gratë sesa burrat.
Ngarkesa digjitale që rëndon më shumë mbi gratë
Studimet tregojnë se brenda familjes, gratë ende mbajnë barrën më të madhe të detyrave që përfshijnë aktivitete online: që nga grupet e prindërve në WhatsApp, koordinimi i agjendave të fëmijëve, kërkimet online për aktivitete shkollore, deri te menaxhimi i orareve, udhëtimeve dhe shpenzimeve familjare.
Edhe pse burrat po marrin pjesë më shumë në prindërim, shoqëria vazhdon t’i shohë gratë si organizatoret kryesore. Kjo krijon një barrë të dyfishtë mendore: një kombinim i punës kognitive (planifikim, kujtesë, koordinim) dhe asaj emocionale (kujdesi, përgjegjësia, disponueshmëria e vazhdueshme).
Ajo që shpesh injorohet është se teknologjia e amplifikon këtë ngarkesë. Gratë përdorin mjetet digjitale gjatë ditës së punës, por edhe pas saj. Prej tyre pritet të menaxhojnë më shumë punë shtëpie, më shumë praninë në prindërim dhe paralelisht të jenë të arritshme profesionalisht, transmeton Telegrafi.
kaboompics
Sipas hulumtimeve të fundit nga “Pew Research Center” dhe “Harvard Business Review”, kjo mbingarkesë e shtuar shkakton:
lodhje mendore më të madhe
ndjeshmëri më të lartë ndaj stresit
vështirësi në shkëputjen digjitale
ndjenjë faji kur nuk përgjigjen menjëherë
rritje të ndjesisë së presionit shoqëror për “perfect balance”
Prandaj, mbingarkesa digjitale nuk është vetëm çështje teknologjike, por edhe çështje gjinore.
Si të ndahet barabartë ngarkesa digjitale?
Nuk mjafton thjesht ndarja e detyrave të dukshme. Edhe pjesa e padukshme e punës - ajo digjitale, duhet të ndahet qartë:
ndarja e detyrave online për fëmijët
koordinimi i email-eve të shkollës
organizimi i aktiviteteve jashtëshkollore
ndjekja e njoftimeve në WhatsApp
kërkimet online (mjek, kurse, udhëtime)
planifikimet elektronike të familjes
Këto janë detyra që kërkojnë kohë, kujtesë, përqendrim dhe përgjegjësi, prandaj duhet të shpërndahen njësoj si çdo punë tjetër në familje.
Ekspertët e barazisë gjinore sugjerojnë “ndarjen e ngarkesës së padukshme”, ku secili anëtar i familjes merr përsipër një pjesë të punës digjitale, në mënyrë që gratë të mos mbeten të vetmet që mbajnë gjithë “rrjetën e informacionit”. /Telegrafi/
Nga: Margaret Simons / The Guardian Përkthimi: Telegrafi.com
Ideja e shërbimit ndaj publikut është ngulitur në palcën e gazetarisë - qëkur u krijua ky profesion.
Qofshin lajmet cilësore për informim të qytetarisë, apo sensacionet dhe thashethemet, redaksitë e redaktorët gjithmonë në mendje kishin dëshirat dhe nevojat e audiencave - fisnike apo të ulëta.
Por, kjo marrëdhënie po ndryshon në mënyra të rëndësishme dhe të rrezikshme - ndryshimi më i fundit në 50 vjet, një përçarje e jetës sonë mediatike dhe publike e nxitur nga teknologjia.
Më lejoni të shpjegoj.
Nëse përdorni një motor kërkimi si Google, kohët e fundit, do ta keni vërejtur se kur kërkoni informacion për një temë, ju shfaqet një përmbledhje e thjeshtë e fakteve kryesore në krye të rezultateve të kërkimit. Janë të pranishme vegëzat për më shumë informacion, nëse dëshironi, por shumica e njerëzve kënaqen me përmbledhjen.
Kjo do të thotë se më pak njerëz klikojnë te faqet e mediave për të kërkuar lajmet. Deri tani, prirja është e vogël, por të gjithë presin që të rritet. Dhe, kjo minon modelet e biznesit të medias. Më pak shikueshmëri në faqen ose aplikacionin e një organizate mediatike do të thotë më pak abonentë dhe më pak reklamues të gatshëm që paguajnë për të arritur te një audiencë në rënie.
Le ta lëmë mënjanë, për momentin, çështjen e saktësisë së përmbledhjeve të gjeneruara nga robotët, sepse shumica e tyre janë mjaft të sakta. Gafat janë shumë të sikletshme, ndonjëherë të rrezikshme, por gjithashtu gjithnjë e më të rralla.
Kjo për faktin se kompanitë e IA-së [inteligjencës artificiale] - Google, OpenAI dhe të tjerët - po nënshkruajnë marrëveshje, me kompanitë mediatike, që lejojnë të përdorin përmbajtje të shkruar nga gazetarët, përfshirë dekada të arkivave mediatike, për të trajnuar dhe ushqyer robotët e tyre.
Shumica e kompanive të mëdha mediatike kanë nënshkruar një lloj marrëveshjeje, dhe është e lehtë të kuptohet pse. Modelet e biznesit të medias janë tensionuar vazhdimisht, madje janë thyer nga valët e njëpasnjëshme të ndryshimeve teknologjike.
Paratë që ofrohen për licencimin e përmbajtjes për kompanitë e IA-së janë thuajse të parezistueshme. Kur të gjithë këtë po e bëjnë, kush guxon të mbetet pas?
Kompanitë etike mediatike e mbrojnë marrëveshjen me kushte të formuluara për t’u dhënë pak kontroll dhe për të mbrojtur reputacionin e tyre.
Por, kjo mund të errësojë mekanizmin bazik - çarjen në marrëdhënien mes gazetarëve dhe audiencave të tyre. Bartja e fuqisë nga brendet mediatike te brendet e IA-së dhe pronarët e tyre.
Inteligjenca artificiale është kaq e re dhe zhvillohet kaq shpejt, saqë vetëm të marrët do të bënin parashikime këmbëngulëse. Ndoshta ka një flluskë, dhe ndoshta ajo do të shpërthejë. Ndoshta brenda pak muajsh do të dalë një model tjetër.
Por, kam frikë se nëse prirjet aktuale vazhdojnë, organizatat mediatike mund të kalojnë shumë shpejt nga modeli biznes drejt publikut, në një model biznes drejt biznesit.
Kompanitë e IA-së do të ndërhyjnë mes gazetarit dhe audiencës.
Sot, 22 përqind e australianëve paguajnë për lajme, sipas raportit vjetor për lajmet dixhitale të Universitetit të Kanberës.
Kjo sugjeron njëfarë besnikërie ndaj brendit. Por, 22 përqindëshi nuk është as afër shumicës. Dikur shumica e familjeve blinte gazetë. Tani, media cilësore komerciale nuk është më një biznes “masiv”. Është shërbim për një elitë.
Ata që nuk paguajnë marrin informacionin nga televizionet pa pagesë (ende të rëndësishme, por në rënie të shpejtë), rrjetet sociale (ende në rritje) ose shumë burime falas, përfshirë influencerët, podkasterët dhe partizanët politikë. Disa njerëz i shmangin krejtësisht lajmet. Në këtë vend mund të jemi mirënjohës që burimet falas përfshijnë transmetuesit publikë, të cilët janë gjerësisht të besueshëm dhe ruajnë standardet e saktësisë dhe paanshmërisë.
Tani, më shumë se kurrë, brendet cilësore të medias varen nga marrëdhëniet me audiencën për rëndësinë dhe mbijetesën financiare. Dhe, megjithatë, në marrëveshjet me kompanitë e IA-së, mund të jenë duke shkëmbyer pikërisht gjërat nga të cilat varet kjo marrëdhënie.
A ka rëndësi nëse gazetarët hulumtojnë dhe shkruajnë përmbajtje për përdorim nga bizneset e IA-së, e jo si shërbim i drejtpërdrejtë për publikun?
Ka shumë rëndësi.
Këto janë rreziqet:
Së pari, më e dukshmja: nëse gazetaria nuk i shërben interesave të atyre që kontrollojnë IA-në, përmbajtja mund të mos botohet ose mund të shtrembërohet apo të censurohet. Ne tashmë e shohim këtë në disa nga rezultatet e kërkimit që shfaqen nga Grok-u i Elon Muskut.
Së dyti, humbasim një nga përfitimet kryesore të qasjes në faqe, aplikacion apo kanal të një medie. Mëson për gjërat për të cilat as nuk të ka shkuar mendja të interesohesh, që udhëhiqen në një pako nga njerëzit që ushtrojnë gjykimin.
Një model i dominuar nga IA-ja, në anën tjetër, përgjigjet vetëm për pyetje mbi temat specifike, ose për atë që nxjerr nga kërkimet e mëparshme tua. Ai nuk kujdeset për ty si bashkëqytetar.
Së treti, nëse kompanitë mediatike humbasin marrëdhënien direkte me audiencën, ato bëhen më të prekshme ndaj sulmeve. Sa pak e mundur është që publiku të dijë apo të kujdeset, e lëre më të mobilizohet për të mbrojtur një organizatë mediatike që ka zemëruar qeverinë, nëse informacioni i saj është konsumuar si pjesë e një përzierjeje burimesh?
Dhe, a do të mbijetojë ndjenja e detyrës publike dhe qëllimit publik që ende motivon redaksitë dhe gazetarët më të mirë, nëse marrëdhënia direkte me audiencën ndërpritet apo dobësohet?
Nuk ka kuptim të pretendojmë se ndryshimi nuk po ndodh, apo se mund të shmanget. Por, rreziqet duhet të adresohen.
Organizatat mediatike duhet të hyjnë në lojë, të mbrojnë brendin e tyre duke ofruar përmbajtje cilësore. Duhet ta bëjnë përmbajtjen, përfshirë arkivat, më të lehtë për kërkim. Duhet t’u ofrojnë abonentëve robotët e tyre të brendshëm për pyetje-përgjigje. Kjo tashmë po ndodh në shumë organizata mediatike, por ndoshta jo mjaftueshëm shpejt.
Është shumë më e lehtë, kur buxhetet janë të pakta, të transferosh funksionalitetin te teknologjia e madhe, gjë që e rrit edhe më shumë dominimin dhe kontrollin e saj.
Ndoshta transmetuesit publikë të botës mund të bashkëpunojnë për të ndërtuar motorët e tyre të IA-së, të trajnuar mbi materiale të verifikuara faktike dhe që mbesin në duart publike.
Ose, ndoshta audienca do të ndiejë pakënaqësi ndaj përzierjeve të IA-së dhe zërit imitues.
Ndoshta njerëzit do ta vlerësojnë, dhe do të paguajnë për origjinalin, tekstin, thellësinë. Për intervistat dhe vëzhgimin dhe dëshminë - që janë zemra e gazetarisë.
Duhet të shpresojmë kështu.
Marrëdhënia midis gazetarit dhe audiencës është thelbësore për besimin, për qëndrueshmërinë, për aftësinë për të tërhequr vëmendjen ndaj çështjeve të pakëndshme dhe lajmeve të padëshiruara.
Ajo është thelbësore për idenë e publikut dhe interesin publik.
Tensionet gjeopolitike po shtohen dhe pasojat do t’i ndjejmë të gjithë.
Nga: John Rapley / The Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com
Grindja diplomatike e shkaktuar nga sekuestrimi nga qeveria holandeze i një kompanie prodhuese të çipave, të quajtur Nexperia, mund të duket si një histori e errët biznesi, por me kohën pasojat e saj do të na prekin të gjithëve.
Nexperia prodhon ata që quhen çipa të vjetër - gjysmëpërçues të lirë që nuk janë në kufijtë më të përparuar të teknologjisë, si Inteligjenca Artificiale [IA], por që janë të nevojshëm në prodhimin e një game të gjerë mallrash - nga makinat dhe telefonat celularë, deri te pajisjet shtëpiake. Ata janë kudo në jetën moderne, me një makinë mesatare që përmban rreth 1 700 të tillë.
Megjithatë, ndërkohë që kërkesa globale për mallra konsumi vazhdon të rritet, prodhimi i këtyre çipave nuk e ka mbajtur ritmin. Fitimet janë thjesht shumë të vogla për të justifikuar investimet e mëtejshme në vendet e zhvilluara, të cilat preferojnë të përqendrohen te versionet e avancuara me kthim më të lartë - të tilla si ato që e shndërruan Nvidia-n në kompaninë më të pasur në botë.
Si pasojë, kompanitë që prodhojnë çipa të vjetër kanë ndjekur një cikël të zakonshëm në industri: zhvendosjen e prodhimit në zona me kosto më të ulët në botën në zhvillim. Nexperia arriti të përmirësojë efikasitetin e prodhimit duke e zhvendosur montimin dhe paketimin në Kinë, prej nga ku çipat shpërndahen në mbarë botën.
Në vitet e fundit, qeveritë u bënë gjithnjë e më të shqetësuara për rreziqet e sigurisë nëse çipat më të avancuar - ata që përdoren në teknologjinë ushtarake dhe IA - bien në duar të gabuara, dhe nisën të marrin masa për të siguruar zinxhirët e furnizimit dhe për të kontrolluar eksportet.
Megjithatë, shumica e vendeve nuk e kanë bërë të njëjtën gjë me çipat e vjetër. Ndërkohë, Kina ka investuar fuqishëm për të zhvilluar industrinë e saj, duke qenë e vetëdijshme për rolin qendror që ajo luan në prodhimin modern.
Këtu hyn Nexperia. Historia e saj ia vlen të përsëritet. Multinacionalja holandeze Philips themeloi një divizion gjysmëpërçuesish në vitet ’50 të shekullit XX, që më vonë do të bëhej Nexperia. Philips-i vendosi ta ndajë atë në pas vitit 2000, për t’u përqendruar në misionin e saj kryesor në teknologjinë mjekësore. Pastaj, në vitin 2017, Nexperia u shit te një konsorciumi kinez dhe përfundimisht u ble nga Wingtech-u, një kompani kineze e cila vitin e kaluar u fut në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Tregtisë.
Në fund të shtatorit të këtij viti, qeveria holandeze pretendoi se kishte arsye për të besuar se Wingtech-u po transferonte teknologji sensitive në Kinë. Për këtë arsye, ajo aktivizoi një akt emergjent të epokës së Luftës së Ftohtë për të marrë kontrollin e kompanisë - një veprim të cilin edhe vetë e përshkroi si “tejet i jashtëzakonshëm”.
Pa dyshim, Kina nuk e priti mirë këtë. Wingtech-u i mohoi akuzat dhe autoritetet kineze fajësuan presionin amerikan për vendimin holandez: “Ministria holandeze e Çështjeve Ekonomike po ndjek në mënyrë të qartë qeverinë amerikane - si një qengj i bindur”, ka thënë një ekzekutiv i Wingtech-ut për Bloomberg. Më pas Pekini pezulloi eksportet e çipave me performancë të lartë të Nexperia-s, duke kërcënuar të ndalojë shumëçka nga prodhimi global.
Të dyja palët kanë kaluar muajin e fundit duke zbutur tensionet - ndihmuar nga një armëpushim në fillim të këtij muaji në luftën tregtare midis ShBA-së dhe Kinës - dhe këtë javë në pezullimin e sekuestrimit të kompanisë nga Holanda. Çipat kanë rifilluar të qarkullojnë. Megjithatë, ky është vetëm një armëpushim dhe Evropa mbetet e pambrojtur përballë veprimeve të mëtejshme kineze apo amerikane.
Këtu kemi dy histori të mëdha. E para, e njohur, është se evropianët edhe një herë e shohin veten të kurthuar mes të një përplasjeje midis Kinës dhe ShBA-së dhe përpiqen të mos bëhen viktima anësore. Pekini ka një mosmarrëveshje me qeverinë holandeze, por janë prodhuesit gjermanë të makinave - të cilëve u nevojiten çipat e Nexperia-s - që do të jenë ndër viktimat e para të një përplasjeje të zgjatur.
Strukturat diplomatike dhe administrative të Bashkimit Evropian, që janë në thelb konfederale, janë të rrënjosura në një rend liberal të bazuar në rregulla, por i cili po zhduket me shpejtësi. Kontinenti po përpiqet të ecën përpara në errësirë, por strukturat e tij të fragmentuara e bëjnë shumë të vështirë negociimin me dy vende të udhëhequra nga liderë autoritarë që marrin vendime krye më vete.
Megjithatë, historia e dytë, më e madhe, është se kjo është pjesë e një deglobalizimi më të gjerë të prodhimit dhe rindryshimit të zinxhirëve të furnizimit, si rezultat i tensioneve të shtuara gjeopolitike midis ShBA-së dhe Kinës. Kostoja e kësaj do të bjerë përfundimisht mbi të gjithë ne. Rikthimi i prodhimit lokal të çipave të vjetër do të ishte i shtrenjtë, duke kërkuar investime të reja me kthim të ulët dhe, për këtë arsye, ndoshta do të mbështetej në subvencione shtetërore. Në fakt, Akti Amerikan CHIPS i vitit 2022 parashikoi 10 miliardë dollarë pikërisht për këtë qëllim.
Por, nëse, si rezultat, çipat përfundojnë duke qenë më të shtrenjtë dhe qeveritë detyrohen të shpenzojnë më shumë për sigurinë ekonomike, kjo përfundimisht do të çojë në rritje të çmimeve për konsumatorët dhe të taksave. Deri më sot, shumica e njerëzve në vendet perëndimore e kanë përjetuar luftën tregtare thjesht si tituj lajmesh - por, më herët apo më vonë, përplasja për Nexperia-n dhe konfliktet e ngjashme do të vijnë në një sallon ekspozite pranë jush. /Telegrafi/
Mbikëqyrësi i medias në Irlandë thotë se do të hetojë nëse njerëzit mund të kundërshtojnë vendimet e moderimit të përmbajtjes, të marra nga platforma e mediave sociale X e Elon Musk.
Coimisiún na Meán tha se do të testojë nëse njerëzit mund të apelojnë vendimet e X për të mos hequr përmbajtje që duket se shkel kushtet e shërbimit të platformës, nëse njerëzve u njoftohet rezultati i raporteve që kanë bërë dhe nëse X ka një mekanizëm të lehtë për t'u qasur për trajtimin e ankesave.
Rregullatori tha se ka shqetësime se X po shkel Aktin e Shërbimeve Digjitale (DSA) të Bashkimit Evropian, i cili kërkon që përdoruesit të kenë qasje në një "sistem efektiv të brendshëm për trajtimin e ankesave", ku ata mund të paraqesin ankesa dhe të ankimojnë vendime.
Nëse hetimi zbulon se X nuk përputhet me DSA-në, mbikëqyrësi tha se mund të vendosë gjoba deri në 6 përqind të xhiros së një kompanie, transmeton Telegrafi.
Platforma e mediave sociale gjithashtu mund të nënshkruajë një marrëveshje me rregullatorin irlandez, për të adresuar çdo çështje të pajtueshmërisë.
Kjo nuk është hera e parë që Coimisiún na Meán ka nisur një hetim mbi sjelljen në X. Në qershor, ajo kërkoi më shumë informacion se si platforma i mbron fëmijët nga përmbajtja e dëmshme.
Mosrespektimi i rregullave mund të rezultojë në një gjobë deri në 500,000 euro.
Rregullatori gjithashtu hapi një hetim në vitin 2024 nëse X, së bashku me disa platforma të tjera të mëdha, e bëjnë të lehtë për përdoruesit të raportojnë përmbajtje të paligjshme dhe ofrojnë një pikë kontakti të qartë për të bërë ankesa.
Vitin e kaluar, Komisioni Evropian e gjeti X në shkelje paraprake të dispozitave të DSA-së mbi reklamimin digjital, qasjen në të dhëna dhe "modelet e errëta" të përdorura për të ndikuar në sjelljet e përdoruesve pa pëlqimin e tyre. /Telegrafi/