Normal view

Bislimi: SHBA kërkon raport për diskriminimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës

2 December 2025 at 23:33


Gjatë dëgjimit në Komitetin për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në ShBA, kongresisti Keith Self prezantoi rezolutën e parë ndonjëherë të Kongresit Amerikan që trajton në mënyrë të drejtpërdrejtë çështjen e diskriminimit të shqiptarëve në Luginë.

Kjo u bë e ditur nga ish-deputeti Faton Bislimi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Ai tha se kryetari i Nënkomitetit për Evropë theksoi se “ka ardhur koha që Serbia të mbahet përgjegjëse” për trajtimin e shqiptarëve etnikë në këtë rajon, duke e cilësuar pasivizimin administrativ si formë të “spastrimit etnik me mjete administrative”.

"Rezoluta kërkon që Departamenti i Shtetit të përgatisë një raport zyrtar mbi shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke përfshirë: pasivizimin e adresave, i cili prej vitesh është kritikuar nga organizatat ndërkombëtare, mosnjohjen e diplomave të shqiptarëve, mungesën e përfaqësimit proporcional në institucionet shtetërore të Serbisë, si dhe praktika të tjera të dokumentuara të diskriminimit", shkroi Bislimi në Facebook.

Sipas Bislimit, ky është një moment historik dhe “kapitulli më i rëndësishëm diplomatik për Luginën në SHBA”.

Më tej shtoi se ky hap është rezultat i një pune shumëvjeçare dhe i përkushtimit të komunitetit shqiptaro-amerikan, veçanërisht në Dallas.

Bislimi vlerësoi se rezoluta dërgon një mesazh të qartë se çështja e Luginës së Preshevës nuk do të anashkalohet më dhe se të drejtat e shqiptarëve në atë zonë nuk mund të shkelën pandëshkueshëm.

“Lugina e Preshevës nuk është e harruar. Zëri ynë është dëgjuar në Kongresin e Shteteve të Bashkuara”, u shpreh ai, duke e cilësuar ditën si “historike dhe motivuese për vazhdimin e angazhimit”./Telegrafi/

Raporti i DASH-it: Korrupsioni dhe gjyqësori joefektiv problem për investitorët në Serbi

3 October 2025 at 15:52


Klima e investimeve në Serbi është përmirësuar lehtë në vitet e fundit, por mbeten problemet me burokracinë, korrupsionin, ndërmarrjet shtetërore joefikase, sektorin e madh informal dhe drejtësinë joefikase, vlerësoi Departamenti Amerikan i Shtetit dhe shtoi se një arsye për shqetësim është edhe ndikimi politik.

Në raportin "Klima e investimeve në Serbi 2025" përmenden si pozitive stabiliteti financiar, disiplinë fiskale dhe reformat që mbështeten nga Bashkimi Evropian (BE), dhe theksohet se prioritet i Serbisë është tërheqja e investimeve të huaja. Thuhet se angazhimi i Serbisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe politika fiskale e arsyeshme kanë kontribuar në kushte makroekonomike përgjithësisht të mira.

Përmendet se koeficienti i borxhit ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) është në një nivel relativisht të shëndetshëm, nën 50 për qind të PBB-së, dhe në tetor 2024 agjencia S&P i dha Serbisë për herë të parë një renditje investimi duke rritur vlerësimin nga BB+ në BBB- me perspektivë të qëndrueshme.

Në raport thuhet se investitorët amerikanë përgjithësisht kanë një qëndrim pozitiv ndaj Serbisë për shkak të pozicionit të saj gjeografik, fuqisë punëtore të mirë-arsimuar, kostove konkurruese, megjithëse në rritje të punës, stimujve bujarë për investime dhe marrëveshjeve për tregti të lirë me BE-në dhe tregje të tjera. Gjithashtu, investitorët amerikanë kryesisht përkrahin politikën e barazisë së mundësive.

Departamenti i Shtetit shprehu shqetësim për ndikimin e politikës, duke përmendur shembullin që si përgjigje ndaj protestave në 2022, Qeveria ndaloi projektin e propozuar për nxjerrjen e litiumit, raporton nova.rs.

Në tekst thuhet se reformat e mbështetura nga BE-ja vazhdojnë, por zbatimi nuk është gjithmonë i shpejtë apo i plotë, dhe theksohet se mundësitë për biznes do të vazhdojnë të përmirësohen nëse Qeveria do të zbatojë reformat lidhur me anëtarësimin në BE.

Vlerësohet gjithashtu se digjitalizimi i disa funksioneve të Qeverisë, si lejet ndërtimore dhe Administrata Tatimore, ende nuk ka sjellë përmirësim të dukshëm dhe mungon zbatimi i qëndrueshëm.

Në lidhje me zgjidhjen e çështjes së ndërmarrjeve shtetërore joefikase, Qeveria, sipas raportit të Departamentit të Shtetit, ka bërë përparim gradual. Po ashtu planifikon të privatizojë edhe 43 kompani dhe të zvogëlojë ngadalë sektorin e madh publik dhe fuqinë punëtore të ndërmarrjeve shtetërore.

Në raport flitet edhe për rrëzimin e një strehë në Novi Sad ku humbën jetën 16 persona. Thuhet se kjo tragjedi, që shihet si pasojë e korrupsionit, nxiti protesta të mëdha të udhëhequra nga studentët.

Beogradi zyrtar pretendon se protestat e vazhdueshme ndikojnë negativisht në ekonominë e Serbisë, ndërsa kritikët thonë se Qeveria përdor retorikë të ashpër dhe mjete të tjera për frikësimin përfshirë arrestime, paraqitje negative të protestuesve në media dhe deportimin e disa prej tyre që nuk kanë shtetësi serbe, shkruhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Thuhet gjithashtu se fakti që Serbia do të jetë nikoqir i ekspozitës EXPO 2027 është një mundësi për kompanitë amerikane që furnizojnë pajisje dhe shërbime.

Theksohet se agresioni rus ndaj Ukrainës në fillim ndikoi në mënyrë të kufizuar në ekonominë e Serbisë, por që inflacioni arriti në 16 për qind në mars 2023 dhe më pas u ul në 4.5 për qind në shkurt 2025.

Gjithashtu përmendet se Zyra e Departamentit të Financave të SHBA-së për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) në prill ka vendosur në listën e sanksionuara 30 kompani dhe 20 individë nga Serbia, dhe përmenden sanksionet ndaj kompanisë naftës NIS që janë shtyrë disa herë, më së fundi deri më 8 tetor. /Telegrafi/

Zyrtari i lartë i DASH telefonon kryetarin e Gjykatës Kushtetuese

17 September 2025 at 13:39


Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Nexhmi Rexhepi, zhvilloi një bisedë telefonike me Drejtorin për Evropën Perëndimore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mark Fleming.

Sipas një njoftimi nga Gjykata Kushtetuese bëhet e ditur se biseda u fokusua në punën e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe rolin e saj në ruajtjen dhe forcimin e sundimit të ligjit në vend.

"Kryetari Rexhepi e falënderoi z. Fleming për telefonatën dhe shprehu vlerësimin e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së SHBA-së për punën dhe pavarësinë institucionale të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës", thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Kontroll masiv të vizave amerikane – mund t’iu anulohen 55 milionë poseduesve

22 August 2025 at 09:30

Departamenti amerikan i Shtetit po shqyrton të dhënat për më shumë se 55 milionë të huaj që kanë viza amerikane, për shkelje të mundshme të rregullave të imigracionit dhe të tjera rregulla që mund të çojnë në anulimin e vizave ose deportim.

Departamenti deklaroi se të gjithë mbajtësit e vizave amerikane i nënshtrohen një “verifikimi të vazhdueshëm” edhe pas lëshimit të vizës.

Zyrtarët po kontrollojnë për shkelje të tilla si qëndrimi më gjatë sesa lejohet nga viza, përfshirja në veprimtari kriminale, kërcënimet ndaj sigurisë publike ose përfshirja në apo mbështetja e organizatave terroriste.

Më herët këtë javë, Departamenti njoftoi se që nga fillimi i presidencës së administratës Trump, më shumë se gjashtë mijë viza studentore janë anuluar për shkak të qëndrimit të paligjshëm apo shkeljeve të ndryshme ligjore.

Ndryshe, SHBA-ja ndaloi lëshimin e vizave të punës për shoferët e huaj të kamionëve, njofton Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

Masa synon mbrojtjen e shoferëve amerikanë dhe rritjen e sigurisë rrugore. /Telegrafi/

The post Kontroll masiv të vizave amerikane – mund t’iu anulohen 55 milionë poseduesve appeared first on Telegrafi.

Ndeshja më e çmendur e vitit? Shikoni momentin kur të dy luftëtarët rrëzohen nga goditjet

28 June 2025 at 11:47

Një video e një përleshjeje të pabesueshme po shpërndahet në rrjetet sociale.

Ramadan Ondash dhe Chartpayak Sakastoon u përballën në një ndeshje kikboksi të ONE në Tajlandë, ku fituesi rezervoi një kontratë prej 80,000 eurosh me ONE Championship.

Të dy e nisën luftën në mënyrë agresive, duke pranuar shkëmbimin e goditjeve.

Siç raportohet nga mediat angleze, pas raundit të parë të çmendur, pasoi një i dytë, edhe më i çmendur, në të cilin në një moment të dy luftëtarët përfunduan me shpinë nga forca e goditjeve që dhanë.

Sakastoon ia doli të triumfonte me vendim unanim, duke mposhtur rivalin e tij të përbetuar, për t’u shpallur kampion bote. /Telegrafi/

 

The post Ndeshja më e çmendur e vitit? Shikoni momentin kur të dy luftëtarët rrëzohen nga goditjet appeared first on Telegrafi.

DASH sqaron pozicionin e ri të ish-ambasadores Yuri Kim

21 March 2025 at 08:27

Ish-ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, ka marrë një emërim të ri në Departamentin amerikan të Shtetit. Ajo do të mbajë postin e Këshilltares së Lartë për Efiçencë dhe Përgjegjësi.

Ky lajm është konfirmuar nga vetë Departamenti i Shtetit, pas disa aludimeve nga Berisha se Kim ishte shkarkuar nga posti i saj.

Njoftimi i DASH për ish-ambasadoren Kim:
Yuri Kim është Këshilltare e Lartë për Efiçencë dhe Përgjegjësi për Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike. Më parë, ambasadorja Kim ishte Zëvendës Ndihmës Sekretare Kryesor i Byrosë nga viti 2023 deri në vitin 2025.

Një diplomate karriere, ambasadorja Kim ka punuar në sfidat kryesore të politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare në Europë, Azi dhe Lindjen e Mesme. Ajo ishte ambasadore e SHBA në Republikën e Shqipërisë nga viti 2020 deri në vitin 2023, e emëruar nga Presidenti Trump dhe në vazhdim nën Presidentin Biden. Para kësaj, ajo ishte drejtore e Çështjeve të Europës Jugore, përgjegjëse për Turqinë, Greqinë, Qipron dhe rajonin e Mesdheut Lindor; drejtore e Qendrës për Studimin e Sjelljes së Diplomacisë; dhe drejtore e Zyrës së Sigurisë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake, përgjegjëse për NATO-n dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Ajo ishte Shefe e Shtabit të Zëvendës Sekretarit të Shtetit dhe, më herët në karrierën e saj, Asistente Speciale e Sekretarit Colin Powell. Ajo ishte gjithashtu një anëtare e delegacion të SHBA në Bisedimet Gjashtëpalëshe për çështjen bërthamore të DPRK-së. Detyrat jashtë shtetit përfshijnë Turqinë, Irakun, Republikën e Koresë, Japoninë dhe Kinën. Yuri Kim ka një B.A. nga Universiteti i Pensilvanisë dhe një M.Phil. nga Universiteti i Kembrixhit. Ajo u rrit në ishullin Guam.

The post DASH sqaron pozicionin e ri të ish-ambasadores Yuri Kim appeared first on Telegrafi.

DASH publikon raportin për Shqipërinë: Të shtohen hetimet për korrupsionin

17 February 2025 at 23:12

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për luftën ndaj narkotikëve dhe pastrimit të parave.

Për Shqipërinë, bëhet thirrje që të shtohen hetimet, pjesa më e madhe e pastrimit të parave është e lidhur me trafikun e drogës dhe korrupsionin.

Pjesa më e madhe e pastrimit të parave në Shqipëri është e lidhur me trafikun e drogës, evazionin fiskal dhe korrupsionin. Ky është konkluzioni i Departamentit Amerikan të Shtetit, në raportin e fundit për luftën ndaj krimit dhe narkotikëve, dhe për këtë arsye bëhet thirrje për thellim të hetimit nga drejtësia.

“Shqipëria duhet të zbatojë ligjet ekzistuese dhe të zgjerojë kapacitetin e policisë dhe prokurorëve për t’u fokusuar te korrupsioni, pastrimi i parave dhe krimet ekonomike. Shqipëria duhet të zbatojë plotësisht reformën gjyqësore të nisur në vitet 2016-2017.” DASH

Në raport, Departamenti Amerikan vlerëson punën e Prokurorisë së Posaçme, ku përmend hetimet ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka.

“Në tetor 2023, SPAK njoftoi hetim ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, i sanksionuar nga SHBA për korrupsion, pasi dhëndri i tij përfitoi afro 5 milionë dollarë. Po në tetor, gjykatat dënuan ish-ministrin e mjedisit Koka, për pastrim parash, korrupsion dhe shpërdorim detyre sepse një kompani i dha atij 1.47 milionë dollarë.”

Në vlerësimet për aktivitetin e biznesit dhe regjimin e inspektimit, DASH shkruan se duhet të rregullohet legjislacioni për institucionet e mikrokredive dhe monedhat dixhitale.

The post DASH publikon raportin për Shqipërinë: Të shtohen hetimet për korrupsionin appeared first on Telegrafi.

Shtetet e Bashkuara sanksionojnë bashkëpunëtorin e ngushtë të Orbanit, dyshohet se është i përfshirë në korrupsion

7 January 2025 at 18:30

Uashingtoni ka vendosur të vendosë zyrtarin e qeverisë hungareze Antal Rogán në listën e sanksioneve për shkak të përfshirjes së tij të dyshuar në korrupsion, njoftoi të martën Departamenti amerikan i Shtetit.

Rogán, një ekonomist dhe ish-kryetar bashkie i Belváros-Lipótváros, është një nga figurat e larta më me ndikim në qeverinë e kryeministrit Viktor Orbán.

Portofoli i tij si ministër përgjegjës i zyrës së kabinetit të Orban mbulon një gamë të gjerë fushash, duke përfshirë komunikimet zyrtare dhe joformale të qeverisë, si dhe inteligjencën civile.

Para kësaj, Rogán ishte kreu i grupit parlamentar të partisë së Orbanit, Fidesz, transmeton Telegrafi.

“Gjatë mandatit të tij si zyrtar qeveritar, duke përfshirë edhe si ministër përgjegjës për zyrën e kabinetit të Orbanit, Rogán thuhet se ka orkestruar skema të dizajnuara për të kontrolluar sektorët strategjikë të ekonomisë hungareze”, u tha nga  Departamenti i Shtetit të SHBA në një deklaratë të martën.

“Ministri Rogán ka luajtur një rol qendror në mundësimin e një sistemi në Hungari që ka përfituar vet dhe partia e tij në kurriz të popullit hungarez”, u tha ndër tjera nga DASH.

“Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje liderëve të Hungarisë që të trajtojnë korrupsionin në mënyrë proaktive, pa mëdyshje dhe me vendosmëri. Një Hungari më transparente do të kontribuojë në një aleancë më të fortë transatlantike dhe një Evropë më të begatë”, thuhet në përfundimin e deklaratës.

Ministri i Jashtëm hungarez Péter Szijjártó kritikoi vendimin e Uashingtonit, duke thënë se ishte një akt hakmarrjeje i organizuar nga ambasadori i SHBA në Hungari, David Pressman.

“Kjo është hakmarrja personale ndaj Rogán Antal e ambasadorit të dërguar nga administrata e dështuar amerikane në Hungari, i cili largohet pa sukses dhe me turp”, tha Szijjártó në një postim në Facebook.

“Sa mirë që në pak ditë Shtetet e Bashkuara do të udhëhiqen nga njerëz që e shohin vendin tonë si mik dhe jo armik”, shtoi ai.

Rogan u vendos në listën e Zyrës së Kontrollit të Pasurive të Huaja sipas Aktit Global Magnitsky, i cili synon abuzuesit e të drejtave të njeriut dhe aktorët globalë të korrupsionit. /Telegrafi/

 

The post Shtetet e Bashkuara sanksionojnë bashkëpunëtorin e ngushtë të Orbanit, dyshohet se është i përfshirë në korrupsion appeared first on Telegrafi.

DASH reagon pas arrestimit të Metës: SHBA mbështet përpjekjet e SPAK-ut kundër korrupsionit të nivelit të lartë

23 October 2024 at 07:40

Shtetet e Bashkuara të Amerikës thonë se mbështesin përpjekjet e SPAK-ut kundër korrupsionit të nivelit të lartë.

Qëndrimi i Uashingtonit u shpreh në një përgjigje të Departamentit amerikan Shtetit të martën në mbrëmje, ndaj një kërkese të Zërit të Amerikës për të komentuar pas arrestimit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.

“Jemi në dijeni të arrestimit. Ju referojmë tek autoritetet shqiptare për detaje të mëtejshme në lidhje me rastin. Shtetet e Bashkuara mbështesin përparimin e Shqipërisë drejt sundimit të ligjit, përfshirë përpjekjet e SPAK-ut për të ndjekur penalisht korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar, në përputhje me ligjin”, shprehet një zëdhënës i Departamentit të Shtetit në përgjigje të interesimit të Zërit të Amerikës.

Ish-Presidenti i Republikës dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u arrestua të hënën me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

SPAK-u e shpalli persona në hetim nën dyshimet për korrupsion pasiv, mosdeklarim dhe fshehje pasurie si dhe pastrim të parave Ilir Metën, si edhe vendosi masën për detyrim paraqitjeje për Monika Kryemadhin, si edhe arrest në shtëpi për Pirro Xhixhon dhe detyrim paraqitjeje për Ema Çokun.

Avokati mbrojtës Genc Gjokutaj, tha për mediat pas takimit me Metën në mjediset e sigurisë, se akuzat janë të pabazuara dhe arrestimi ëshë bërë për qëllime politike.

Politikanë të tjerë opozitarë e cilësuan veprimin si një sulm politik nga kryeministri Edi Rama ndaj opozitës.

Meta, ish bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi pritet të dalin para gjykatës në një seancë ku do të shqyrtohen masat e sigurisë ndaj tyre.

Krahas akuzave nga SPAK-u për Metën, të martën vazhduan reagimet mbi mënyrën se si u ndalua të hënën në mesditë nga policia ish presidenti i Republikës, i cili e cilësoi ngjarjen si “rrëmbim në mënyrë banditeske”.

Por ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Hoxha, deklaroi në rrjetet sociale se forca lëvizëse operacionale, e specializuar për ndalime sipas standardeve, gjatë zbatimit të vendimit të gjykatës ndeshi me një subjekt, që kundërshtoi forcërisht t’i nënshtrohej vendimit të Gjykatës, sapo mori dijeni për të.

SPAK-u detajoi të hënën në një njoftim publik se Ilir Meta e Monika Kryemadhi, në bashkëpunim mes tyre dhe me funksionarë të tjerë publikë, dyshohet se kanë kryer korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurish në një seri episodesh, që nisin nga afro 15 vjet më parë.

The post DASH reagon pas arrestimit të Metës: SHBA mbështet përpjekjet e SPAK-ut kundër korrupsionit të nivelit të lartë appeared first on Telegrafi.

Vizita e Haradinajt në SHBA: Në Pentagon do të flasë për anëtarësimin e Kosovës në NATO, nesër pritet në DASh

21 October 2024 at 18:33

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, sot pritet në Pentagon ku do të flasë për anëtarësimin e  Kosovës në NATO.

Kjo u bë e ditur në një komunikatë të AAK-së, ku theksohet se shefi i saj nesër do të pritet në Departamentin e Shtetit.

“Gjatë ditës së sotme, Haradinaj do të pritet në Pentagon, ku do të flasë për anëtarësimin e Kosovës në NATO, ndërsa nesër do të jetë në Departamentin e Shtetit”, thuhet aty.

Në qytetin Yonkers të Nju Jorkut, kryetari i qytetit Mike Spano, ka nderuar Haradinajn, me Mirënjohjen e Qytetit.

Në këtë ceremoni, 20 tetori 2024 u shpall zyrtarisht si ‘Dita e Nderuar e Ramush Haradinajt’. Po ashtu, kryetari Spano shpalli 20 tetorin si ditën zyrtare të ngritjes së flamurit të Kosovës në Yonkers.

“Haradinaj këtë nderim e vlerësim ia dedikoi të gjithë atyre që besojnë në Kosovën e lirë dhe të integruar në NATO, në miqësinë e përhershme me popullin dhe shtetin amerikan, si dhe bashkëluftëtarëve të tij të UÇK-së”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

The post Vizita e Haradinajt në SHBA: Në Pentagon do të flasë për anëtarësimin e Kosovës në NATO, nesër pritet në DASh appeared first on Telegrafi.

❌