Një mobileri në lagjen “28 Nëntori” në Vlorë është përfshirë nga flakët në orët e hershme të mëngjesit.
Në pamjet e siguruara nga Top Channel shihet momenti i vënies së zjarri të biznesit të mobilierisë në Vlorë.
Sipas burimeve policore, rreth orës 03:00 të mëngjesit, një person i maskuar është filmuar nga kamerat e sigurisë teksa i afrohet objektit, thyen xhamin e derës me një çekiç dhe më pas, duke përdorur një bidon të mbushur me benzinë, i vë flakën mobilierisë.
Autori më pas është larguar me shpejtësi nga vendngjarja.
Flakët janë vënë re nga një fqinj, i cili ka njoftuar menjëherë pronarin e biznesit, Eduart Aliko. Ky i fundit ka mbërritur në vendngjarje vetëm pak minuta më pas dhe ka parë se kati i parë i mobilerisë ishte përfshirë tërësisht nga zjarri.
Në vend kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, megjithatë dëmet materiale janë të konsiderueshme.
Policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Pamjet e kamerave të sigurisë janë sekuestruar si provë materiale. /tch/
Kati i parë i një mobilierie është përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte, në lagjen 28 nëntori në qytetin e Vlorës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00, ndërsa flakët janë përhapur me shpejtësi në ambientet e brendshme të biznesit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas informacionve paraprake dyshohet se zjarri i rënë në mobilerinë është i qëllimshëm.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat zjarrfikëse, të cilat bënë të mundur izolimin e zjarrit dhe shmangien e përhapjes së tij në katet e tjera të objektit apo në bizneset përreth.
Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të zjarrit. /Euronews/
Mbrëmjen e sotme rreth orës 20- 25 minuta në fshatin Gjorm, të bashkisë së Selenicës, është gjetur i pajetë nga familjarët 36-vjeçari Dalan Alliaj.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë policia dhe ambulanca, ku kjo e fundit ka transportuar trupin e 36-vjeçarit në spitalin e Vlorës, por pa shenja jete.
Ndërkohë është shpallur në kërkim djali i xhaxhait të viktimës, Bertil Alliaj, dyshohet si autor. Ky i fundit është një nga autorët e “masakrës së Çoles’ ndodhur në 2015, ku mbetën të vrarë Akil Hasanaj, Ardi Velaj dhe Albi Limaj.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më herët, nga veprimet e para hetimore është bërë e mundur identifikimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit B. A., i cili dyshohet se në fshatin Gjorm ka vrarë me armë zjarri kushëririn e tij, shtetasin D. A.
Pas kryerjes së krimit, shtetasi B. A. është larguar drejt zonës malore përreth, ku dyshohet se fshihet.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë po vijojnë punën intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes./Top Channel
Janë publikuar pamje të rënda nga momenti i aksidentit tragjik që i mori jetën 17-vjeçarit Leando Shametaj.
Siç shihet nga pamjet e siguruara nga gazetari Mikel Marsi, mjeti tip Porsche ka marrë mjetin me të cilin lëvizte viktima, për disa metra, duke i shkaktuar atij plagë të rënda që i sollën vdekjen.
Ndërkohë, rezultoi se shoferi i mjetit ishte i dehur, gjë që e konfirmoi zyrtarisht edhe policia. Kujtojmë se Shametaj punonte si kamerier në një lokal në qytetin bregdetar, ndërsa po kthehej nga puna me motor ku u përfshi në aksidentin që i mori jetën.
Autori u la në burg, ndërsa familjarët e 17 vjeçarit bëjnë thirrje për ashpërsim të ligjit.
Daja i 17-vjeçarit, në një prononcim për TCH është shprehur “Ne kërkojmë nga drejtësia që, vërtetë ai ka marrë atë çka meriton, por në kërkojmë që të ashpërsohet ky ligj.
Nuk ishte një aksident, por për ne është një vrasje me dashje. Në momentin që ecën me 200 km/h në bulevard dhe të rezultosh i dehur, nuk ka fjalë për ne… Nuk arrijmë dot ta besojmë këtë gjë. Kërkojmë që të ashpërsohet ligji, nuk është shkelje e qarkullimit rrugor, është vrasje me dashje”.
Kryeministri Edi Rama tha se shumë shpejt do të hapet Akademia e Forcave Ajrore, që do të nisë në Vlorë me përgatitjen e pilotëve të rinj.
Në takimin e sotëm me sektorin e shërbimit zjarrfikës, Rama tha po punohet çdo ditë po ashtu për shtimin e flotës së dronëve, për evidentimin e zjarreve por dhe për mbjelljen e zonave pyjore që digjen.
“Do hapet akademia e forcave ajrore, do fillojë në Vlorë dhe përgatitja e pilotëve të rinj, sikundër do rriten kapacitetet e flotës. Do shtojmë flotën e dronëve në mënyrë të ndjeshme.
Jemi duke u marrë përditë me porositjen e dronëve me kamera termike për monitorim në kohë reale pyjet dhe kapjen sa më shpejt sinjalin e zjarrit, sikundër jemi duke vlerësuar porositë për dronët që bëjnë mbjellje, për ripërtëritjen e territoreve që digjen nga zjarret. Të pasurojmë flotën ajrore dhe me avionët zjarrfikës”, deklaroi kreu i qeverisë. /Tch/
Ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Pirro Vëngu, ka publikuar pamje nga avioni MiG-21 i zhytur në ujërat e Dhërmiut, i cili është kthyer në një prej atraksioneve më të veçanta të turizmit nënujore në vend.
Nga një simbol i historisë ushtarake shqiptare, avioni tashmë shërben si destinacion për zhytës vendas dhe të huaj, duke tërhequr gjithnjë e më shumë vizitorë të apasionuar pas aventurës nën det.
Ministri Vëngu e cilësoi këtë shembull si një mënyrë të bukur për të kthyer trashëgiminë e së shkuarës në një burim të ri zhvillimi përmes turizmit dhe sporteve të aventurës.
“Nga simbol i historisë sonë ushtarake, në destinacion për zhytës vendas dhe të huaj. Avioni MiG-21 i zhytur në bregdetin e Dhërmiut është kthyer në një nga atraksionet më të veçanta nënujore në Shqipëri. Një shembull i bukur sesi trashëgimia e së shkuarës mund të marrë jetë të re përmes turizmit dhe aventurës”, shkruan Vengu.
Avioni ndodhet i pozicionuar në bregdetin e jugut në Dhërmi, duke ofruar një eksperiencë unike për turistët që zgjedhin të eksplorojnë botën nënujore të Shqipërisë.
Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, ka njoftuar këtë të enjte dorëheqjen nga detyra përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar këtë si një vendim të marrë me “përgjegjësi morale dhe institucionale”.
Në një letër drejtuar qytetarëve dhe kryeministrit, Dredha thekson se kjo dorëheqje është një akt reflektimi dhe jo një largim nga përgjegjësia publike.
“Sot, me përgjegjësinë më të lartë morale dhe institucionale, kam vendosur të paraqes dorëheqjen time nga detyra si Kryetar i Bashkisë së Vlorës. Kam jetuar çdo ditë të këtij detyrimi me përkushtim të plotë dhe zell. Kam bërë më të mirën që kam ditur e mundur, ndoshta jo gjithmonë mjaftueshëm, por gjithmonë me ndershmëri”, shkruan Dredha.
Ai falënderon qytetarët për mbështetjen dhe mirëkuptimin gjatë periudhës së tij në drejtim të bashkisë, duke shtuar se shërbimi ndaj komunitetit do të vijojë në forma të tjera.
“Ky vendim nuk nënkupton largim nga përgjegjësia publike, por është një akt i vetëdijshëm për të krijuar hapësirë për ide dhe ritme të reja zhvillimi për bashkinë tonë”, thekson ai.
Dredha përmend edhe arsyet personale, familjare dhe administrative si faktorë që kanë ndikuar në vendimmarrjen e tij, duke shtuar se do të vazhdojë të mbetet i angazhuar për të mirën e qytetit që e konsideron “gjithnjë të parën në zemrën e tij”.
Dorëheqja e tij vjen në një moment kur Bashkia e Vlorës është në fokus të zhvillimeve të ndryshme administrative dhe politike në vend.
Postimi i plotë i Dredhës:
I nderuar z. Kryeministër,
Sot, me përgjegjësinë më të lartë morale dhe institucionale, kam vendosur të paraqes dorëheqjen time nga detyra si Kryetar i Bashkisë së Vlorës.
Ky është një nga ato momente ku fjala nuk del lehtë, jo sepse mungon bindja, por sepse pesha e asaj që dua të them është e madhe dhe shumë e ndjeshme për mua si njeri, si shërbyes publik dhe si bir i këtij komuniteti që e dua me gjithë zemër.
Pavarësisht sfidave dhe vështirësive që janë shfaqur gjatë rrugës, kam besuar gjithmonë se transparenca dhe puna e ndershme janë baza mbi të cilat ndërtohet një shërbim i mirëfilltë ndaj komunitetit.
Kam jetuar çdo ditë të këtij detyrimi me përkushtim të plotë dhe zell. Kam bërë më të mirën që kam ditur e mundur, ndoshta jo gjithmonë mjaftueshëm, por gjithmonë me ndershmëri. Kam qenë pranë njerëzve në ditë të mira dhe në ditë të vështira, dhe i kam ndjerë hallet dhe shpresat e tyre si të ishin familja ime.
Megjithatë, besoj se në një moment të caktuar është e rëndësishme të dish të largohesh me dinjitet, për t’i hapur rrugë energjive dhe ideve tëreja.
Dorëheqja ime vjen si një akt reflektimi dhe përgjegjësie. Rrethanat aktuale, familjare dhe personale, apo dhe ato politike e administrative, më shtyjnë të besoj se dorëheqja ime është veprimi mëi drejtë në këtë moment. Ky vendim nuk nënkupton largim nga përgjegjësia publike, por është një akt i vetëdijshëm për të krijuar hapësirë për ide dhe ritme të reja zhvillimi për bashkinë tonë.
Kryeministër, Ju falënderoj për bashkëpunimin institucional! Ky vendim nuk ndryshon as respektin dhe as përgjegjësinë që ndjej ndaj vendit tim dhe ndaj qytetarëve tanë.
Ju falënderoj për çdo mbështetje që më keni dhënë dhe për çdo shpresë që kemi ndarë së bashku. Unë mbetem i përkushtuar ndaj komunitetit tim dhe do të vazhdoj të kontribuoj në forma të tjera për të mirën e përbashkët. /euronews.al/
Një pamje e pazakontë është regjistruar këtë mëngjes në brendësi të gjirit të Vlorës.
Pushues të rastësishëm kanë filmuar një balenë, e cila është parë shumë pranë bregut, në afërsi të gadishullit të Karaburunit.
Pamjet tregojnë gjigantin e detit duke lëvizur ngadalë pranë zonës ku shpesh zbarkojnë edhe turistë që udhëtojnë me mjete të vogla lundruese.
Sipas njohësve të faunës detare, shfaqja e një balene në këto ujëra është një ngjarje e rrallë, pasi këto specie zakonisht nuk afrohen kaq pranë brigjeve shqiptare.
Turistët që e regjistruan këtë moment ndodheshin në një nga udhëtimet drejt atraksioneve të njohura të Karaburunit dhe Sazanit, duke e përjetësuar ngjarjen e rrallë në video.
Policia Kufitare Vlorë u ka ndihmuar disa pushuesve që u rrezikuan gjatë lundrimit me mjetet e tyre lundruese, në Sarandë dhe në Palasë.
Në njoftimin e policisë thuhet se pas marrjes së njoftimeve në kohë reale, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë me mjetet e tyre lundruese dhe bënë të mundur ndihmën dhe shoqërimin e sigurt të turistëve dhe mjeteve lundruese drejt bregut.
“Pas marrjes së njoftimit se, rreth një milje larg Gjirit të Sarandës, kapiteni i një jahti me flamur maltez kërkonte ndihmë pasi mjeti i tij lundrues kishte pësuar defekt dhe kishte marrë ujë, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë menjëherë dhe bënë të mundur shoqërimin e kapitenit në mënyrë të sigurt në breg dhe rimorkimin e jahtit në Portin e Limionit”, njoftoi policia.
Tutje, policia njofton për rastin në Palasë.
“Pas marrjes së njoftimit se, në zonën e Shën Andreut, disa turistë që ndodheshin në bordin e një mjeti lundrues po rrezikoheshin për shkak të kushteve të vështira të detit, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë menjëherë dhe bënë të mundur shoqërimin e turistëve në mënyrë të sigurt në breg dhe ankorimin e mjetit të tyre lundrues në molin e Palasës. Falë reagimit të menjëhershëm dhe profesional të strukturave të Policisë Kufitare, u shmangën pasojat e rrezikshme për jetën e pushuesve dhe u garantua siguria e mjeteve lundruese”, theksohet mes tjerash në komunikatë.
Gjithashtu, thuhet se Policia Kufitare Vlorë mbetet e angazhuar 24/7 për garantimin e sigurisë së jetës së pushuesve dhe fton qytetarët që, në çdo rast emergjence në det, të telefonojnë menjëherë në numrin 112. /Telegrafi/
Policia Kufitare Vlorë u ka shkuar në ndihmë disa pushuesve që u rrezikuan gjatë lundrimit me mjetet e tyre lundruese, në Sarandë dhe në Palasë.
“Pas marrjes së njoftimit se, rreth një milje larg Gjirit të Sarandës, kapiteni i një jahti me flamur maltez kërkonte ndihmë pasi mjeti i tij lundrues kishte pësuar defekt dhe kishte marrë ujë, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë menjëherë dhe bënë të mundur shoqërimin e kapitenit në mënyrë të sigurt në breg dhe rimorkimin e jahtit në Portin e Limionit.
Pas marrjes së njoftimit se, në zonën e Shën Andreut, disa turistë që ndodheshin në bordin e një mjeti lundrues po rrezikoheshin për shkak të kushteve të vështira të detit, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë menjëherë dhe bënë të mundur shoqërimin e turistëve në mënyrë të sigurt në breg dhe ankorimin e mjetit të tyre lundrues në molin e Palasës”, bëri me dije policia.
Aktualisht, autoritetet po vijojnë operacionet për neutralizimin e vatrave të zjarrit në fshatin Poros në Vlorë dhe në Bogovë të Skraparit.
Katër helikopterë po operojnë në këto dy zona, duke u fokusuar në shuarjen e flakëve dhe mbrojtjen e zonave të rrezikuara.
Njëkohësisht, Forca Ajrore po monitoron territorin me dronët TB-2, me qëllim identifikimin e vatrave të reja të mundshme dhe evidentimin e rastëve të mundshme të zjarrëvënieve të qëllimshme.
Operacioni vazhdon intensivisht për të parandaluar përhapjen e flakëve dhe për të siguruar sigurinë e komuniteteve përreth.
“Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile (QKOEC) në AKMC raporton se prej orës 09:00, deri në orën 16:30, datë 25.08.2025, janë raportuar 10 vatra zjarri nga të cilat 6 janë shuar dhe 4 të tjera janë aktive”, njoftoi më herët Ministria e Mbrojtjes.
Policia Kufitare Vlorë, në bashkëpunim me qytetarët, i erdhi në ndihmë një shtetaseje shqiptare që rrezikoi mbytjen në det, në Gjirin e Shën Janit.
Sot, gjatë patrullimit me mjet lundrues, shërbimet e Policisë Kufitare Vlorë konstatuan thirrjet për ndihmë të pushuesve. Në breg ndodhej një shtetase, e cila ishte nxjerrë nga deti nga qytetarët, pasi gjatë notimit kishte pirë ujë dhe kishte rrezikuar mbytjen.
Punonjësit e Policisë Kufitare, së bashku me pushuesit, i dhanë ndihmën e parë në breg dhe më pas e transportuan me mjetin lundrues drejt portit të Vlorës.
Gjatë rrugës, gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua, por u asistua përsëri nga punonjësit e Policisë Kufitare dhe u bë e mundur stabilizimi i saj deri në momentin e dorëzimit tek ekipi i urgjencës mjekësore.
“Falë reagimit të shpejtë të qytetarëve dhe Policisë Kufitare, shtetasja ndodhet jashtë rrezikut për jetën, nën kujdesin e mjekëve të Spitalit Rajonal Vlorë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit./Telegrafi/
Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se gjatë orëve të fundit janë evidentuar gjithsej 13 vatra zjarri në disa qarqe të vendit, nga të cilat 6 janë shuar plotësisht, ndërsa 7 vatra vijojnë të jenë aktive.
Situata paraqitet më problematike në zona me terren të vështirë malor dhe bimësi të dendur, ku ndërhyrja nga toka është e kufizuar dhe operacionet ajrore janë thelbësore.
Forcat zjarrfikëse, shërbimet pyjore dhe mjetet ajrore vendase dhe ndërkombëtare janë angazhuar intensivisht për izolimin dhe shuarjen e flakëve, duke shmangur deri më tani rrezikun për banesat dhe jetët njerëzore.
Aktualisht, janë aktive vatrat në:
Qarku Vlorë – Fshatin Navaricë, zjarri është spostuar në drejtim të malit mbi fshat. Në fshatin Leshnicë e Poshtme pas punës dhe ndërhyrjen nga ajri është shmangur rreziku për banesat. Në mbështetje të forcave në terren operuan helikopteri i Forcës Ajrore dhe dy avionët Fireboss, të ardhur nga Suedia, të cilët kryen 44(2×22) hedhje. Fshatin Tragjas, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë. Zjarri zhvillohet në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi të ulët. Në zonë po operojnë 17 efektivë nga MZSH Vlorë dhe 3 nga Shërbimi Pyjor. Momentalisht nuk ka rrezik për banesa.
Qarku Fier – Fshatin Lofkënd, njësia administrative Qendër Dukas, bashkia Mallakastër. Nga angazhimi i forcave në terren dhe ndërhyrjes nga ajri është bërë i mundur izolimi i vatrës së zjarrit. Zjarri mbetet aktiv në dy vatra, në pjesën jugore dhe atë veriperëndimore. Në të dyja pikat është e pamundur operimi nga toka. Vijon puna për izolimin e vatrës së zjarrit me ndërhyrje nga ajri, ku operon avioni Kroat Canadair.
Qarku Lezhë – Fshatin Malaj Epërm, njësia administrative Rrëshen, bashkia Mirditë. Zjarri vijon të jetë aktiv në një sipërfaqe pyjore me pishë, lis, shkurre dhe bimësi të dendur, në një terren të vështirë dhe që nuk mundëson operimin me mjete ujë hedhëse. Në zonë po operojnë 33 forca operacionale nga strukturat vendore. Forcat po punojnë kryesisht në krijimin e brezave ndarës për pengimin e përhapjes së zjarrit. Sipërfaqja e përshkuar nga zjarri vlerësohet paraprakisht në 10 ha. Momentalisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Qarku Dibër – Vendin e quajtur ”Mali i Allushit”, fshati Plan i Bardhë, bashkia Klos, është riaktivizuar vatra e zjarrit të shuar ditë më parë. Zjarri është vënë nën kontroll dhe nuk përbën rrezik për përhapje. Nuk ka rrezik për banesa.
Qarku Elbasan – Fshatin Lleshaj, njësia administrative Poroçan, bashkia Gramsh. Zjarri zhvillohet në një sipërfaqe pyjore me dushqe në një distancë të largët dhe terren i vështirë në kufi me bashkinë Përrenjas. Është punuar gjatë ditës dhe vatra e zjarrit është izoluar plotësisht. Vatra e zjarrit po mbahet në monitorim nga punonjës të Shërbimit Pyjor për mos riaktivizime të mundëshme.
Qarku Tiranë – Malin e Bërzhitës, njësia administrative Bërzhitë, bashkia Tiranë. Zjarri zhvillohet në një sipërfaqe me bimësi të dendur. Në terren po punojnë 15 forca nga MZSH Tiranë. Vijon puna për shuarjen e zjarrit. Nuk ka rrezik për banesa./Tv Klan
Vlora është përfshirë këtë të martë nga një stuhi e fuqishme, e shoqëruar me reshje shiu me intensitet të lartë, duke shkaktuar vështirësi të shumta në qarkullim dhe ndërprerje të aktiviteteve bregdetare.
Reshjet kanë mbuluar të gjithë qytetin, duke detyruar pushuesit të braktisin plazhet dhe të kërkojnë strehim në ambiente të mbyllura.
Kushtet e papritura atmosferike kanë krijuar shqetësim te qytetarët dhe turistët, sidomos në zonat më të frekuentuara gjatë sezonit veror.
Autoritetet lokale ndodhen në terren për të monitoruar nga afër situatën dhe për të ndërhyrë në rast nevoje.
Sipas parashikimeve, pritet që moti të përmirësohet shpejtë.
Një konflikt mes disa të rinjve ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të shtune në një prej blloqeve kryesore të banimit në lagjen “Pavarësia” në Vlorë.
Ngjarja, e cila ndodhi në një nga rrugët kryesore të qytetit, ka përfunduar me përdorimin e mjeteve të mprehta, ku dy persona kanë mbetur të plagosur.
Sipas burimeve paraprake, njëri nga të plagosurit ka marrë goditje me thikë në trup dhe është transportuar me urgjencë në spital, ku po merr trajtim mjekësor.
Ndërkohë, një tjetër person ka përfunduar në spital me plagë më të lehta.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka shoqëruar dy persona në komisariat, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në përplasjen e ndodhur mes të rinjve. Paraprakisht dyshohet se përplasja ka ndodhur për motive të dobëta.
Grupi hetimor dhe policia ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes./Euronews Albania