Gjykata Themelore në Drenas ka dënuar me burgim prej 4 muajve Eqrem Avdullahun nga Rahoveci, i cili akuzohet për veprën penale “kanosje”, ndaj kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati.
Në seancën përfundimtare, gjyqtari tha se i akuzuari dënohet edhe me shumën prej 70 euro, derisa palët mund të ankohen për vendimin, raporton kp.
Sipas Prokurorisë, Avdullahu kishte kërcënuar përmes rrjetit social Facebook kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati.
Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar mirë se më 3 qershor 2026, rreth orës 13:10, i pandehuri Eqrem Avdullahu, përmes llogarisë së tij në Facebook, ka kanosur seriozisht Hysni Gucatin, duke i shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën.
Në aktakuzë thuhet se në një faqe në Facebook me emrin “Diaspora në Krye” ishte postuar një fotografi e Hysni Gucatit me mbishkrimin “Prokuroria heton Hysni Gucatin - mori rrogë për 19 vite si sekretar shkolle pa shkuar në punë”.
Sipas Prokurorisë, më pas i pandehuri, përmes profilit të tij personal në Facebook me emrin “Eqrem Avdullahu”, kishte komentuar: “Këtë derr duhet pushkatu”.
Komuna e Drenasit ka njoftuar qytetarët e prekur nga dëmet e shkaktuara si pasojë e reshjeve të breshërit se kanë filluar procedurat për pranimin e kërkesave për vlerësimin e dëmeve.
Sipas njoftimit të komunës, kërkesat do të pranohen nga data 22 korrik deri më 29 korrik.
"Pas përfundimit të këtij afati, aplikimet për vlerësimin e dëmeve nga breshri nuk do të pranohen. Formularët e kërkesës mund të merren, të plotësohen dhe të dorëzohen çdo ditë pune, nga ora 08:00 deri në 16:00, në sportelet nr. 10 dhe 11, në katin përdhes të objektit të Komunës së Drenasit", thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se kërkesat duhet t’u drejtohen Komisioneve për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë e Tjera.
Komuna e Drenasit ka bërë apel që qytetarët e prekur të respektojnë afatin e përcaktuar dhe të dorëzojnë kërkesat me dokumentacionin e nevojshëm, në mënyrë që procesi i vlerësimit të dëmeve të zhvillohet sipas procedurave të parapara. /Telegrafi/
Tre persona kanë humbur jetën të martën në Kosovë, dy prej tyre vdiqën si pasojë e aksidenteve në trafik, ndërsa rasti i tretë po hetohet nga autoritetet si "hetim i vdekjes", pasi një person u gjet pa shenja jete në komunën e Vitisë.
Aksidenti i parë me pasojë vdekjen ndodhi në orët e para të mëngjesit në fshatin Komoran të Drenasit.
Sipas Policisë së Kosovës, një veturë me targa vendore u përfshi në aksident, ku një grua humbi jetën.
Si pasojë e përplasjes, lëndime trupore pësuan edhe tre persona të tjerë – një burrë dhe dy gra.
"Fsh. Komoran, Gllogoc / 21.07.2026 – 05:30. Raportohet se ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet, ku e përfshirë ka qenë një veturë me targa vendore. Si pasojë e aksidentit, një femër kosovare ka humbur jetën dhe tre persona të tjerë një mashkull dhe dy femra kosovare të cilat kanë pësuar lëndime trupore. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore ne Prishtinë për Obduksion.Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion", thuhet në raport.
Një tjetër aksident fatal u regjistrua rreth orës 10:00 në rrugën "Besim Ndreca" në Suharekë.
Sipas policisë, drejtuesi i një veture humbi kontrollin mbi automjetin dhe u përplas me një objekt.
Ai pësoi lëndime vdekjeprurëse dhe ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.
"Rr. Besim Ndreca, Suharekë / 21.07.2026 – 10:05. Është raportuar se një mashkull kosovar derisa ka qenë duke drejtuar veturën, ka humbur kontrollin mbi veturën dhe është përplasur në një objekt. Si pasojë, i njëjti ka pësuar lëndime trupore dhe ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë dërgohet në IML për obduksion.Edhe në këtë rast, prokurori urdhëroi që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion", thuhet në raportin 24 orësh.
Ndërkohë, në Viti, rreth orës 16:30, një burrë u gjet pa shenja jete, vdekjen e së cilit e ka konstatuar mjeku kujdestar.
"Viti/ 21.07.2026 – 16:40. Lidhur me rastin nga mjeku kujdestar është konstatuar që viktima mashkull kosovar është pa shenja jete. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës dërgohet për obduksion në IML-Prishtinë", thuhet në raport. /Telegrafi/
Nga oborri i Shtëpisë Muze “Ymer Elshani” që ndodhet në Korroticë e Ulët të Drenasit, janë vjedhur gjashtë karrige plastike, një rast që ka ngritur shqetësime për sigurinë dhe mbrojtjen e këtij objekti të trashëgimisë kulturore.
Përmes një reagimi të publikuar në Facebook, përfaqësues të muzeut kanë bërë të ditur se, ndonëse dëmi material konsiderohet i vogël, ngjarja paraqet një problem më të gjerë sa i përket ruajtjes së hapësirave muzeale.
“Me shqetësim të madh njoftoj se mbrëmë, nga oborri i Shtëpisë Muze ‘Ymer Elshani’, janë vjedhur gjashtë karrige plastike”, thuhet në reagim.
Sipas muzeut, ky rast është një tregues se objekti nuk ka siguri të mjaftueshme dhe se trashëgimia kulturore mbetet e cenueshme.
“Edhe pse në vlerë materiale mund të duken të parëndësishme, ky akt është një sinjal serioz se Shtëpia Muze nuk është e sigurt dhe se trashëgimia jonë kulturore mbetet e pambrojtur”, thuhet në reagim.
Nga muzeu kanë theksuar se Shtëpia Muze “Ymer Elshani” ka rëndësi të veçantë historike dhe kulturore, pasi nuk paraqet vetëm një objekt fizik, por një hapësirë të kujtesës kolektive.
“Shtëpia Muze ‘Ymer Elshani’ nuk është pronë private e zakonshme. Ajo është një vend i kujtesës, i historisë dhe i kulturës sonë, i ngritur për të ruajtur veprën e shkrimtarit Ymer Elshani dhe për të dëshmuar krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë”, thuhet më tej.
Përfaqësuesit e muzeut u kanë bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin masa për rritjen e sigurisë në këtë objekt.
“U bëj thirrje Ministrisë së Kulturës, Agjencisë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale, Komunës së Drenasit dhe organeve të sigurisë që të marrin masa urgjente për mbrojtjen e Shtëpisë Muze, duke siguruar mbikëqyrje dhe mekanizma të përhershëm të ruajtjes”, thuhet në reagim.
Në fund, muzeu ka theksuar se ndërhyrja duhet të bëhet para se të ndodhin dëme më të mëdha ndaj kësaj pasurie kulturore.
“Nuk duhet të presim që të ndodhë një dëm edhe më i madh për të vepruar. Mbrojtja e kujtesës sonë është përgjegjësi e përbashkët dhe obligim institucional”, thuhet në reagim. /Telegrafi/
Komuna e Drenasit ka bërë apel për kujdes të shtuar nga qytetarët gjatë ditëve me temperatura të larta dhe thatësi të madhe, pas regjistrimit të disa vatrave të zjarrit në territorin e kësaj komune.
Sipas njoftimit të Komunës së Drenasit, ekipet e Njësisë së Zjarrfikjes dhe Shpëtimit kanë intervenuar vazhdimisht në terren për lokalizimin dhe shuarjen e zjarreve.
“Ekipet e Njësisë së Zjarrfikjes dhe Shpëtimit kanë intervenuar pa ndërprerje dhe vazhdojnë të jenë në terren për lokalizimin dhe shuarjen e zjarreve, duke rrezikuar jetën e tyre për mbrojtjen e qytetarëve, pronës dhe mjedisit”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, veçanërisht ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura, djegien e hamulloreve, barit të thatë, mbeturinave apo mbetjeve bujqësore.
Po ashtu, qytetarëve u është kërkuar që të mos hedhin cigare të ndezura në natyrë, përgjatë rrugëve apo në sipërfaqe me bimësi të thatë, si dhe të mos lënë pa mbikëqyrje burime të zjarrit.
“Çdo pakujdesi, sado e vogël, mund të shkaktojë pasoja të rënda për jetën e njerëzve, pronën, tokat bujqësore, pyjet dhe mjedisin. Parandalimi është përgjegjësi e secilit prej nesh”, ka theksuar Komuna.
Në rast të vërejtjes së zjarreve apo rrezikut për përhapjen e tyre, qytetarët janë ftuar që të njoftojnë menjëherë shërbimet emergjente dhe autoritetet përkatëse, pasi reagimi i shpejtë mund të parandalojë dëme më të mëdha.
Komuna e Drenasit ka shprehur mirënjohje për zjarrfikësit, Policinë e Kosovës, institucionet përkatëse dhe qytetarët që po kontribuojnë në përballimin e situatës me zjarret. /Telegrafi/
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se do të vazhdojë të ndjekë rrugën ligjore ndaj të gjithë personave që fyejnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe veteranët e saj, pasi i akuzuari Eqrem Avdullahu e pranoi fajësinë për kanosjen ndaj tij.
Gucati tha se ka ngritur edhe padi të tjera ndaj personave të cilët e kanë kërcënuar.
“Ju e patë edhe vetë, për personin i cili më ka kërcënu edhe më fyen, po edhe më thotë që unë e marr pagën qe 9 vite pa punu fare në shkollë. Kjo gjë është e pavërtetë, është e paqëndrueshme. Unë ia kam lënë drejtësisë këtë rast edhe drejtësia do të merret me këtë personin. Ky s’është i pari, do të thotë unë kam ngrit shumë padi, edhe të tjera padi që në ditët në vijim, tash janë të ardhura ato prej Gjermanie, prej Austrie, prej vendeve të ndryshme, të cilët e kanë fyer Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës edhe mu si person vetë, apo si kryetar i veteranëve të radhës së invalidëve të luftës. Kështu që, unë i kisha bo ftesë çdo veterani apo çdo invalidi, ata të cilët e ndjejnë veten të fyer nga këta persona të cilët quhen me na shantazhu dhe me shajt luftën e UÇK, të bëjnë padi. Nuk kemi nevojë ne mes veti të fjalosemi, po të bëjmë padi. Secili veteran apo secila familje e dëshmorit edhe invalidi të bëjnë padi dhe ne kemi me iu drejtu drejtësisë, edhe drejtësia është ajo e cila do të merr vendim për këta persona”, tha ai.
Ai bëri të ditur se ka iniciuar padi edhe në Gjermani e Zvicër ndaj personave të tjerë që, sipas tij, kanë fyer UÇK-në dhe atë personalisht.
“Unë i kam bo padi edhe në Zvicër, dy njerëzve i kam bo edhe në Gjermani në Dortmund. Njëri është nga Skenderaj, tjetri është nga Malisheva. Kështu që i kam bërë padi edhe për ata dy personat. Me anë të avokatëve në Gjermani i kam informatat të cilat i kanë kap policia gjermane, kur do ta ekstradojnë nuk e di. Kështu që e presim atë sa më shpejt me ardhë këtu edhe mos t’i harroj çka i kam bo unë. Tash ky zotëria, e patë edhe ju, mua më vjen keq, një burrë i moshuar, shkruan në Facebook, shan, fyen edhe thotë që mbyllet me pushkatim. Unë sot jam gjallë, fatmirësisht kam familje edhe unë. Kemi familje të ngushtë secili prej juve që keni familje. Familja s’e ka ndjerë veten shumë mirë edhe në fund jam kryetar i veteranëve, nuk duhet ta fyejë integritetin tim. S’du t’i lejohet askujt që të merret me integritetin tim”, tha ai.
Kurse, avokati i Gucatit, Halim Shala, tha se qëllimi i tyre është që raste të tilla të marrin epilog ligjor dhe të mbrohet integriteti i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
“Jo, ne po pretendojmë që e vërteta me dalë në shesh për faktin se i njëjti e ka pranu qysh në fazat fillestare pranimin e fajësisë që e ka thënë sot zoti Gucati. Neve kërkesa jonë është që organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare nuk mund të cenohet dhe nuk mund të fyet nga asnjë individ në Republikën e Kosovës të cilët kanë shtetësi të Republikës së Kosovës. Prandaj ne kemi kërkuar dhe do të kërkojmë me vazhdimësi edhe në rastet e tjera, siç ju njoftoi kryetari, janë të hapura nga persona të ndryshëm fizikë, disa me account falco ose fake, disa të tjerë, por që neve kemi iniciuar procedurat për faktin se nuk kanë të ndalur këto linçime publike dhe kanë për qëllim degradimin e institucionit si Organizata e Veteranëve të UÇK-së dhe çdo pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.
Ndërkaq, i akuzuari Eqrem Avdullahu e ka pranuar fajësinë për veprën penale “kanosje”, ndaj kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati në Gjykatën Themelore në Drenas.
Pas pranimit të fajësisë nga i akuzuari, gjykata e miratoi atë, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e caktoi për 23 korrik 2026, në orën 11:30.
I akuzuari Eqrem Avdullahu tha se e pranon fajësinë.
Avokati i të dëmtuarit Hysni Gucati, Halim Shala, tha se pranimi i fajësisë mund të merret si rrethanë lehtësuese, por sipas tij nuk e zbeh peshën e kërcënimit dhe pasojat që ka shkaktuar rasti.
“Edhe pse i akuzuari e ka pranuar fajësinë, nuk mund ta minimizojë ndjeshmërinë e kësaj vepre penale kur kemi parasysh autoritetin e Gucatit, i cili përfaqëson institucionin më të rëndësishëm mbi bazën e të cilit funksionon Republika e Kosovës. Pranimi i fajësisë mund të pranohet si rrethanë lehtësuese, por nuk mund ta zbehë peshën e kërcënimit dhe pasojat që ka shkaktuar te secili veteran i UÇK-së, familjarët e Gucatit dhe qytetarët e tjerë. Për ta aprovuar këtë pranim të fajësisë, kërkojmë nga ai të na sqarojë në mënyrë më objektive se kush e ka shtyrë që ta bëjë atë postim kaq denigrues. Ne nuk mund të pajtohemi me pranimin e fajësisë pa marrë përgjigje. A e ka shtyrë dikush apo e ka bërë vetë këtë vepër? Në konsultim japim pëlqimin për pranimin e fajësisë në këtë fazë të procedurës”, tha ai.
Gjyqtari Shefqet Baleci tha se gjykata e miraton pranimin e fajësisë, ndërsa aktgjykimi do të shpallet në seancën e radhës.
“Miratohet pranimi i fajësisë. Gjykata sot nuk mund ta bëjë shpalljen e aktgjykimit. Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 23.07.2026, në ora 11:30”, tha ai.
Sipas prokurores Albiona Musaj, ekziston dyshimi i bazuar mirë se më 3 qershor 2026, rreth orës 13:10, Eqrem Avdullahu, përmes rrjetit social Facebook, me qëllim të shkaktimit të frikësimit dhe ankthit, e ka kanosur seriozisht Hysni Gucatin.
Ajo tha se në një faqe në Facebook me emrin “Diaspora në Krye” ishte publikuar një fotografi e Gucatit me mbishkrimin: “Prokuroria heton Hysni Gucatin – morri rrogë për 19 vite si sekretar shkolle pa shkuar në punë”, ndërsa më pas Avdullahu, nga llogaria e tij personale në Facebook me emrin “Eqrem Avdullahu”, kishte komentuar: “Këtë derr duhet pushkatu”.
Sipas Prokurorisë, me këtë koment tek i dëmtuari është shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën, me ç’rast i akuzuari dyshohet se ka kryer veprën penale “kanosje”. /KP/
I jepet lamtumira e fundit mjekut të njohur Dr. Imer Hajdari, i cili ndërroi jetë, duke lënë pas një kontribut të çmuar në fushën e shëndetësisë.
Ceremonia e varrimit u mbajtë në Fushëticë të Epërme në Drenas.
Aty morën pjesë familjarë, miq, kolegë të shumtë nga komuniteti mjekësor, si dhe personalitete të njohura dhe deputetë, për t’i dhënë nderimet e fundit Dr. Hajdarit dhe për të vlerësuar veprën e tij shumëvjeçare në shërbim të qytetarëve.
Dr. Dr. Imer Hajdari do të kujtohet për përkushtimin e tij profesional dhe kontributin e dhënë ndër vite në sistemin shëndetësor. /Telegrafi/
Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Drenasit ka intensifikuar aktivitetet në terren me qëllim mbikëqyrjen e zbatimit të masave për menaxhimin e mbeturinave, mbrojtjen e mjedisit dhe ruajtjen e shëndetit publik gjatë sezonit veror.
Sipas njoftimit të komunës, kontrollet inspektuese po zhvillohen në pika të ndryshme të territorit të Drenasit, me fokus të veçantë në hapësirat e grumbullimit të mbeturinave, subjektet afariste, veçanërisht ato të gastronomisë, si dhe hapësirat publike.
Inspektorët janë duke verifikuar zbatimin e obligimeve të përcaktuara sipas urdhëresës së Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPH), ndërsa kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Komuna ka bërë të ditur se ndaj subjekteve apo personave që konstatohet se nuk respektojnë dispozitat ligjore dhe masat e përcaktuara do të ndërmerren veprimet përkatëse ligjore.
“Inspektimet do të vazhdojnë nga të gjithë zyrtarët e Drejtorisë, me kontrolle të shtuara dhe ndërmarrjen e masave ligjore ndaj atyre që konstatohet se nuk respektojnë dispozitat ligjore dhe urdhëresën në fuqi”, thuhet në njoftim.
Drejtoria e Inspeksionit u ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të respektojnë masat për menaxhimin e mbeturinave, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik dhe ambientit. /Telegrafi/
Komuna e Drenasit ka njoftuar qytetarët për urdhëresën më të re të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit hapësinor, e cila përbën marrjen e masave urgjente të kujdesit gjatë sezonës së verës për menaxhimin e mbeturinave.
Urdhëresa e re iu drejtohet të gjitha komunave të Republikës së Kosovës, institucioneve qendrore dhe lokale, spitaleve dhe institucioneve shëndetësore, ndërmarrjeve publike, infrastrukturës ujore dhe të gjitha subjekteve afariste private në cilësinë e poseduesve dhe gjeneruesve të mbeturinave.
Sipas Urdhëresës, ndalohet rreptësisht grumbullimi i mbeturinave urbane në lokacione që rrezikojnë shëndetin publik, posaçërisht pranë institucioneve edukative; në parqe, përfshirë terrenet sportive dhe këndet e lojërave; në rrugët kryesore dhe zonat me frekuentim të lartë të kalimtarëve; si dhe pranë bizneseve ushqimore dhe objekteve të gastronomisë.
Autoritetet përgjegjëse duhet të ndërmarrin masat e nevojshme për eliminimin e ekspozimit të mbeturinave në zona me rrezikshmëri të lartë.
Komunat dhe ndërmarrjet menaxhuese obligohen të vendosin një sistem të ndarë për grumbullimin e mbeturinave nga bizneset e gastronomisë dhe marketet, me qëllim parandalimin e stërmbushjes së kontejnerëve të përbashkët të dedikuar për banorët, sepse ka filluar zbatimi i masave ndëshkuese.
Inspektorati Qendror i MMPH-së, në bashkëpunim me atë Komunal, autorizohet që pas kalimit të afati kohor brenda 7 ditëve nga dita e pranimit të kësaj urdhërese, të dorëzojnë në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor planin dhe provat e masave të marra emergjente./Telegrafi/
Komuna e Drenasit ka njoftuar qytetarët se një pjesë e parkingut do të jetë e mbyllur përkohësisht në Drenas.
Sipas njoftimit për media thuhet se për shkak të pastrimit dhe përgatitjes së parkingut për pranim teknik është mbyllur një pjesë e parkingut përkohësisht.
"Ftohen qytetarët që automjetet të parkuara në atë pjesë t'i largojnë me kohë, orari i mbylljes nga sot 10 korrik nga ora 12:00, ndërsa rihapja do të bëhet të shtunën me 11 korrik ne orën 18:00. Gjatë kësaj periudhe, qasja dhe parkimi në pjesën e shënuar nuk do të lejohen. Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin", thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/
Në Komunën e Drenasit ka nisur fushata e korrje-shirjeve për vitin 2026, një proces i rëndësishëm për fermerët dhe prodhimin vendor të grurit.
Me rastin e fillimit të kësaj fushate, drejtoresha e Drejtorisë për Bujqësi në Komunën e Drenasit, Donika Prenku, së bashku me Komisionin Komunal për korrje-shirje, ka vizituar fermerët në terren për të përcjellë nga afër fillimin e procesit dhe zhvillimin e punimeve.
Sipas njoftimit të Komunës së Drenasit, korrje-shirjet kanë filluar në disa lokalitete të komunës dhe pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, në varësi të kushteve atmosferike dhe gatishmërisë së fermerëve.
Nga vlerësimet fillestare në terren, rendimenti mesatar i kulturave bujqësore pritet të jetë rreth 4,000 deri në 4,500 kilogramë për hektar.
Drejtoria për Bujqësi, përmes Komisionit Komunal për korrje-shirje, ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e procesit, me qëllim që fushata të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe pa pengesa për fermerët.
Komuna e Drenasit ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbështetjen e fermerëve dhe zhvillimin e sektorit të bujqësisë, duke synuar fuqizimin e prodhimit vendor dhe mbarëvajtjen e proceseve bujqësore. /Telegrafi/
“Komoran, Gllogoc 06.07.2026-19:02. Raportohet se tri viktima meshkuj kosovarë, kanë pësuar lëndime trupore pasi janë therur me thikë nga dy të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët më pas janë larguar në drejtim të panjohur”, thuhet në raport.
Ndërkaq, viktimat janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori.
Punimet për sheshin “Fehmi dhe Xhevë Lladrovci” në Drenas po i afrohen përfundimit, ndërsa qytetarët kërkojnë që, krahas infrastrukturës, t’i kushtohet më shumë rëndësi gjelbërimit.
Qytetarët e Drenasit e mirëpresin këtë rregullim të sheshit, ndërsa kërkojnë që të ketë edhe hapësira të reja gjelbërimi.
Naser Krasniqi ka thënë se duhet me pas më shumë hapësira gjelbëruese.
“Normal se duhet të ketë më shumë hapësirë gjelbëruese, duhet të planifikohet me kohë se po bëhen ndërtimet të egra të pa planifikuara mirë dhe gjelbërimet po mbesin të dorës së dytë a të tretë, do të thotë nuk kemi kujdes të mjaftueshëm”, ka thënë Hamit Ibishaj.
Ata po ashtu thonë se edhe pse duhet kohë për të gjelbëruar qytetin, ky shesh duhet të ketë mirëmbajtje të tyre, të bëhet mbjellja e drunjve, dhe të ketë sa më pak beton.
“Ka nevojë, por, punët shkojnë dal nga dale, as komuna s’mund ti kryej punët shpejt, se s’kanë buxhet sa duhet për investime pa ndihmën e shtetit”, ka thënë Selman Hoti.
“Për park e ka bërë të mirë, e i madh e për gjelbërim dhe për drunj nuk po bëjnë asgjë. Këtu është dashur të ketë më shumë drunj, janë mbjellë do por nuk e di a mbijnë a jo.. këtu më shumë është shtru kubëza, këndej dielli me të pjekë”, ka thënë Ramë Ramaj.
Nga ana tjetër, nënkryetari I kësaj komune, Arben Shala, thotë se është duke u punuar në këtë drejtim, por nevojiten fonde dhe ndihmë nga niveli qendror.
“Dihet që sheshi Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, është në proces të përfundimit dhe aty ka sigurisht një hapësirë gjelbërimi dhe pasi të përfundojë në tërësi, do të shtrohet gjelbërimi edhe në hapësirat tjera, normalisht se pjesë e qytetit është Drenasi 2 ku është Ferronikeli që është paraparë një shirit i gjelbër, por, duke qenë që ai nuk është duke punuar, normalisht se në mungesë të fondeve gjërat nuk kanë ecur përpara”, ka thënë Arben Shala, nënkryetar i komunës së Drenasit.
Shala shton se përveç rregullimit te sheshit dhe hapësirave të gjelbra në të, aktualisht janë duke u bërë edhe disa miniparqe të cilat do të gjelbërohen gjatë kryerjes së punimeve në këtë shesh.
“Përveç miniparqeve që përmenda, sigurisht se do të kujdesemi që hapësirat ose oborret e objekteve shëndetësore, shkollave ta përmirësojmë gjelbërimin dhe ti rrisim hapësirat duke i dekoruar sa më shumë që është e mundur”, ka shtuar Shala.
Komuna e Drenasit, me mjetet dhe mundësitë e saja, do të mundohet të bëjë rregullime të tjera gjelbërimi dhe ndërtim të infrastrukturës rrugore në parqet tjera që do të ndikojnë në zhvillimin e turizmit./RTK
Siç thuhet në raport policia po heton rastin i cili është cilësuar si “Vrasje në tentativë”.
“Rr. Ilaz Kodra, Drenas 03.07.2026-11:15. Është raportuar se pas një mosmarrëveshje në trafik, i dyshuari mashkull kosovar, e ka sulmuar fizikisht me thikë viktimën. Viktima ka pranuar tretman mjekësor QKUK-së, ndërsa i dyshuari gjendet në arrati. Rasti nën hetime”, thuhet në raport. /Telegrafi/
Një person sot rreth orës 11:00 ka marrë lëndime trupore pasi është therë nga një mjet i mprehtë (thikë), në Drenas.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.
Sipas tij i lënduar ka marrë tretman mjekësor.
“Rreth orës 11:00 e kemi pranu informatën që një person është lëndu nga një mjet i mprehtë. I njëjti ka pranu tretman mjekësor”, ka thënë Pllana. /Telegrafi/
Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Rural e Komunës së Drenasit ka nxjerrë aktvendim për përcaktimin e çmimit orientues të shërbimeve të korrje-shirjeve të drithërave të bardha në territorin e komunës.
Sipas këtij aktvendimi, çmimi orientues për shërbimet e korrje-shirjeve të grurit, elbit, tërshërës dhe thekrës është caktuar në 140 euro për hektar, ndërsa çmimi përfundimtar do të përcaktohet me marrëveshje ndërmjet fermerëve dhe autokombajnerëve.
Në aktvendim theksohet se pajisjet dhe makineritë bujqësore duhet të jenë në gjendje të rregullt teknike, me qëllim të uljes së humbjeve gjatë procesit të korrje-shirjes, si dhe të jenë të pajisura me mjetet e nevojshme për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve.
"Me këtë aktvendim, çmimi orientues është caktuar në 140 euro për hektar, ndërsa çmimi përfundimtar i shërbimit përcaktohet me marrëveshje ndërmjet fermerëve dhe autokombajnerëve", thuhet në njoftim.
Autoritetet komunale kanë bërë të ditur se zbatimi i aktvendimit do të mbikëqyret nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me Drejtorinë e Inspeksionit dhe Drejtorinë e Shërbimeve Publike.
"Autokombajnat duhet të jenë në gjendje të mirë teknike, me qëllim të minimizimit të humbjeve gjatë korrje-shirjes, si dhe të pajisen me mjetet e nevojshme për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve, në përputhje me kërkesat e përcaktuara", theksohet më tej në aktvendim.
Po ashtu, është bërë e ditur se për moszbatimin e dispozitave të aktvendimit do të ndërmerren masat përkatëse nga organet kompetente komunale. /Telegrafi/
Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit me kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, për ndërtimin e “Urës së Shtrubullovës”, e cila ishte dëmtuar nga vërshimet.
Sipas Bashës, projekti do të financohet plotësisht nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, me një vlerë rreth 362 mijë euro, ndërsa ndërtimi i urës pritet të lehtësojë qarkullimin e banorëve të zonës.
"Siç edhe u zotova publikisht, sot nënshkrova Memorandumin e Bashkëpunimit me Kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, për ndërtimin e 'Urës së Shtrubullovës'", ka deklaruar Basha.
Ai ka theksuar se ura ka pësuar dëmtime serioze si pasojë e vërshimeve, duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve.
"Kjo urë është dëmtuar si pasojë e vërshimeve, duke shkaktuar vështirësi të mëdha në qarkullim për banorët e kësaj zone", ka shtuar ai.
Ministri ka bërë të ditur se Ministria do të financojë plotësisht projektin dhe ka shprehur pritjen që procedurat të përfundojnë sa më shpejt.
"Ministria jonë do ta financojë plotësisht ndërtimin e urës, me vlerë prej ~362 mijë euro, dhe uroj që procedurat të përfundojnë sa më shpejt, në mënyrë që banorëve t’u rikthehet qasja e sigurt në këtë segment rrugor", ka deklaruar Basha.
Ai ka shtuar se, ndonëse prioritet mbeten projektet e mëdha infrastrukturore, do të vazhdojë mbështetja edhe për projekte lokale me rëndësi për qytetarët.
"Edhe pse prioritetet tona janë investimet në autoudhë, rrugët nacionale dhe rajonale, nuk do të mungojë mbështetja jonë edhe për projekte si kjo në Drenas, kur ato janë të domosdoshme për qytetarët dhe kur kemi mundësi të kontribojmë në realizimin e tyre", ka përfunduar ai. /Telegrafi/
Në objektin e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave (QPDG) në Drenas është zbuluar murali “Çast”, një vepër artistike e realizuar me iniciativën e Fondacionit Jahjaga, në bashkëpunim me Komunën e Drenasit, kushtuar të mbijetuarve të dhunës gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ambasadori i Republikës së Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, përfaqësues të Fondacionit Jahjaga, udhëheqësja e QPDG-së, Kadire Tahiraj, si dhe përfaqësues institucionalë, aktivistë dhe qytetarë.
Sipas njoftimit të Komunës së Drenasit, murali “Çast” synon të përcjellë një mesazh të kujtesës, respektit dhe solidaritetit ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.
"Murali 'Çast' përcjell një mesazh të fuqishëm kujtese, respekti dhe solidariteti. Përmes kësaj vepre artistike nderohen dinjiteti, qëndresa dhe forca e të mbijetuarve, duke riafirmuar përkushtimin institucional dhe shoqëror për drejtësi, mbështetje dhe mosharresë", thuhet në njoftim.
Komuna e Drenasit ka vlerësuar se kjo vepër artistike shërben si simbol i kujtesës kolektive dhe si një thirrje për ndërgjegjësim shoqëror, veçanërisht për brezat e rinj.
"Kjo vepër artistike shërben si simbol i kujtesës së përhershme dhe si thirrje për ndërgjegjësim, duke përcjellë te brezat e rinj rëndësinë e ruajtjes së së vërtetës dhe respektimit të dinjitetit njerëzor", theksohet më tej.
Sipas komunës, përmes muralit “Çast”, Drenasi i bashkohet përpjekjeve të vazhdueshme për ruajtjen e kujtesës dhe nderimin e të gjithë atyre që i mbijetuan dhunës gjatë luftës në Kosovë.
"Përmes muralit 'Çast', Drenasi u bashkohet përpjekjeve të vazhdueshme për ta mbajtur gjallë kujtesën dhe për të nderuar të gjithë ata që, me guxim dhe dinjitet, i mbijetuan njërës prej plagëve më të rënda të luftës", thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Njësiti i Hetimeve të stacionit policor në Drenas, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin e personit që shihet në fotografi.
Sipas një njoftimi për media thuhet se personi i dyshuar kërkohet për përfshirje në veprën Zjarrvënie.
Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e tij, ju lusim të kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192 ose përmes emailit: info@kosovopolice.com. /Telegrafi/
Dy persona kanë marrë lëndime trupore në një aksident mes trenit dhe një veture.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosoëvs bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të enjten rreth orës 08:38, në Drenas.
Tutje bëhet e ditur se të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësorë.
“Ka ndodhur një aksident në mes një veture dhe trenit, me drejtues meshkuj kosovarë. Përveç dëmeve të shkaktuara, lëndime trupore kanë pësuar dy persona (drejtuesi i automjetit dhe pasagjeri) të cilët janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raport. /Telegrafi/