Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 December 2025Telegrafi

Aktori i njohur Tylor Chase shkatërroi dhomën e hotelit ku ishte vendosur për shkak të problemeve me shëndetin mendor - kolegu i tij zbulon sekretet

27 December 2025 at 10:52


Daniel Curtis Lee, ish-kolegu i aktorit Tylor Chase, ka rrëfyer detaje tronditëse rreth një incidenti që ndodhi kur ai përpiqej t’i ndihmojë Chase-it, i cili kishte mbetur pa strehë në rrugët e Los Angeles-it.

Lee tregoi se aktori i famshëm, i njohur nga seriali “Ned’s Declassified School Survival Guide”, shkatërroi dhomën e hotelit ku ishte vendosur disa orë pasi ai ishte pranuar atje me ndihmën e tij.

Sipas Lee-t, pak pasi Chase u vendos në hotel, ai mori një telefonatë nga administrata e objektit. Ata i thanë se dera e dhomës ishte lënë hapur, mikrovala ishte hedhur brenda vaskës, ndërsa frigoriferi ishte kthyer përmbys. Pamjet dhe ky raport krijuan një situatë të çuditshme dhe shqetësuese për të gjithë palët e përfshira.

Lee ka pranuar se kishte dashur të ndihmonte kolegun e tij, sidomos pas lajmeve se Chase ishte parë duke jetuar në rrugë, por ka theksuar se përpjekja e tij nuk ka shkuar siç ishte planifikuar. Ai ka shprehur keqardhje dhe zhgënjim për atë që ndodhi, duke përmendur edhe vështirësitë e sistemit të Kalifornisë në trajtimin e çështjeve të shëndetit mendor dhe të njerëzve në nevojë.

Daniel Curtis Lee ka bërë kritika të ashpra ndaj mënyrës se si trajtohen njerëzit që përballen me probleme të shëndetit mendor dhe varësive në SHBA, duke sugjeruar se sistemi social shpesh dështon t’u ofrojë ndihmën e duhur atyre që kanë më së tepërmi nevojë. Ai ka kërkuar këshilla nga ndjekësit e tij për mënyrat e mundshme të ndihmës, përfshirë edhe mundësinë e mbajtjes së detyruar në kujdesin psikologjik nën ligjin e Kalifornisë, të njohur si “5150”. /Telegrafi/

Qytetari i la dy qese me bërllok jashtë kontejnerëve, shikoni si vepron Policia në Shkodër

27 December 2025 at 10:50


Në Shkodër, një burrë i la dy qese me plehra poshtë kontejnerëve të bërllokut, ndonëse kontejnerët ishin bosh, duke mos i vendosur kështu në vendin e duhur.

E atypari rastësisht kaloi një makinë policie e bashkisë e cila e ndaloi.

Pas këshillimit, i njëjti edhe u gjobit, raporton Euronews.al.

Më poshtë mund ta shikoni videon.


Amerikani mirënjohës ndaj besnikërisë dhe përpjekjeve - ndan bonus prej 240 milionë dollarësh për 540 punonjës

27 December 2025 at 10:40


Graham Walker, ish‑drejtor ekzekutiv i kompanisë amerikane Fibrebond me qendër në Luiziana, bëri histori kur e shiti biznesin e familjes për 1.7 miliard dollarësh dhe siguroi që 540 punonjësit të marrin një pjesë të konsiderueshme të përfitimit.

Para se të pranonte ofertën e blerjes nga kompania Eaton, Walker vendosi si kusht që 15 për qind e shumës së shitjes të shkonin tek punonjësit, edhe pse ata nuk zotëronin aksione në kompani.

Në qershor, punonjësit filluan të marrin bonuse në vlerë totale prej 240 milionë dollarësh, me një mesatare rreth 443 mijë dollarë për secilin, të shpërndara gjatë pesë viteve – për sa kohë që ata vazhdojnë punë në firmë.

Punonjësit me përvojë më të gjatë morën shuma edhe më të larta, raporton wallstreetjournal.

Shumë prej tyre mbetën të habitur kur morën letër‑njoftime në lidhje me shumën e bonusit, disa fillimisht menduan se ishte shaka, ndërsa të tjerë u emocionuan thellë.

Me këto para, punonjësit kanë paguar borxhe, blerë makina, paguar shkollimin e fëmijëve dhe financuar pensionet e tyre.

Walker, i cili do të largohet nga posti i CEO‑s në fund të vitit, tha se kishte për qëllim të shpërblente punonjësit për besnikërinë dhe përpjekjet e tyre gjatë periudhave të vështira të biznesit dhe shpreson të dëgjojë në të ardhmen se si kjo gjest ka ndikuar jetët e tyre. /Telegrafi/

Tërmet në Ohër

27 December 2025 at 10:30


Një tërmet me intensitet prej tre shkallësh sipas Shkallës Evropiane të Makroseizmikës u ndje mbrëmë në Ohër dhe zonën përreth.

Tërmeti kishte një magnitudë Rihter prej 2.2 ballë dhe u ndje në orën 03:18.

Observatori Sizmologjik në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Matematikës në Shkup njoftoi se epiqendra e tërmetit kishte origjinën nga zona epiqendrore Peshtani-Ohër-Strugë, rreth 105 kilometra në jugperëndim të Shkupit.

Liverpooli e ‘harron’ Marc Guehin, ëndërron yllin që kushton mbi 80 milionë euro

27 December 2025 at 10:29


Liverpooli ka nisur tashmë planifikimet për afatin kalimtar të janarit, por shqetësimet rreth repartit defensiv kanë filluar të shtohen gjithnjë e më shumë këtë sezon.

Trajneri Arne Slot nuk është plotësisht i bindur nga opsionet aktuale në mbrojtje. E ardhmja e Ibrahima Konates mbetet e paqartë, ndërsa në të njëjtën kohë Virgil van Dijk nuk ka arritur ende nivelin e tij të zakonshëm gjatë këtij sezoni.

Për këtë arsye, drejtuesit e Liverpoolit kanë nisur të shikojnë me vëmendje alternativa për përforcim. Klubi po kërkon një mbrojtës që mund të ketë ndikim të menjëhershëm dhe që është i aftë të përballojë kërkesat e larta të Ligës Premier.

Sipas Mick Brown, Liverpooli po monitoron nga afër një mbrojtës qendror që po shkëlqen në Serie A. Brown, i cili më parë ka punuar si shef i skautimit te Manchester United dhe Blackburn Rovers, vazhdon të jetë i lidhur ngushtë me rrethet e rekrutimit në futbollin anglez.

Ai ka deklaruar për “Football Insider” se Liverpooli prej kohësh po ndjek Alessandro Bastonin e Interit, duke e parë atë si një përmirësim të mundshëm krahasuar me opsionet aktuale në skuadër. Megjithatë, realizimi i një marrëveshjeje nuk pritet të jetë i lehtë.

Sipas raportimeve, çdo lëvizje për Bastonin në janar do të kushtonte mbi 80 milionë funte, shifër kjo që ka krijuar dyshime nëse një transferim në mes të sezonit është realisht i realizueshëm. Për më tepër, Liverpooli nuk është i vetëm në garë.

Barcelona po ashtu është lidhur fuqishëm me Alessandro Bastonin përpara hapjes së afatit të janarit, duke e bërë konkurrencën edhe më të fortë.

Brown ka ndjekur Bastonin prej vitesh dhe më herët ka zbuluar se edhe skautët e Tottenhamit e kanë pasur nën vëzhgim. Sipas tij, mbrojtësi italian do t’i përshtatej shumë mirë futbollit anglez.

Liverpooli e sheh Bastonin si një lojtar që mund ta përmirësojë menjëherë repartin defensiv. Me pikëpyetjet që rrethojnë Konaten dhe Van Dijkun, klubi dëshiron të jetë i përgatitur për çdo skenar të mundshëm./Telegrafi

Gjendet pa shenja jete një person në Mitrovicë

27 December 2025 at 10:22


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një person është gjetur pa shenja jete.

Rasti ka ndodhur në rrugën “Miran Hajra”, në jug të Mitrovicës, më 26.12.2025

“Raportohet se është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës”, thuhet në raport.

Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion. /Telegrafi/

Jennifer Aniston publikon foton që po komentohet - partneri i saj i ri me një foshnjë në krahë

27 December 2025 at 10:18


Aktorja Jennifer Aniston ka dhënë një pasqyrë të rrallë të jetës së saj private, duke ndarë me fansat imazhe nga mënyra se si e ka festuar Ditën e Krishtlindjeve me partnerin e ri.

Sipas mediave, ajo publikoi në Instagram disa fotografi nga shtëpia e saj, ku shfaqet së bashku me të dashurin e saj, Jim Curtis, përfshirë një moment të veçantë ku ai mban një foshnjë në krahë.

Fotoja, e publikuar më 25 dhjetor, tërhoqi vëmendje të madhe te ndjekësit, ndërsa aktorja shoqëroi setin e imazheve me mesazhin: “Ju dërgoj të gjithë dashurinë. Gëzuar festat!”, duke bërë të ditur se këtë sezon festiv po e kalon në një rreth më të ngushtë dhe romantik.

Rikthimi i Aniston në publik me partnerin e saj vjen pas lajmeve për lidhjen e tyre, të cilën ajo e konfirmoi zyrtarisht në fillim të nëntorit përmes një fotografie romantike në Instagram, ku e dëshmonte dashurinë e saj ndaj Curtis-it. Përpara se të bëhej publike, lidhja e tyre ishte vënë re edhe gjatë verës, kur ata u fotografuan bashkë në një jaht pranë Mallorces në Spanjë.

Çdo imazh i ndarë nga ana e aktorës ka marrë reagime të shumta pozitive nga fansat, të cilët janë mrekulluar jo vetëm nga momentet e ngrohta familjare por edhe nga mënyra intime dhe e sinqertë me të cilën Aniston po e jeton këtë kapitull të ri në jetën e saj personale gjatë festave. /Telegrafi/

Dosja e AKSHI, 4 kompani në 9 muaj siguruan tendera në vlerën 57 milionë euro

27 December 2025 at 10:10


Në 206 faqe “esencë hetimi”, Prokuroria e Posaçme, SPAK, përshkroi veprimtarinë e AKSHI-t Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, duke zbuluar një rrjet të mirë organizuar kriminal në përvetësimin e qindra milionë eurove tendera publike, mes shantazhit, pengmarrjes dhe implikimit të zyrtarëve të lartë shtetëror dhe policor të vendit.

“Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasit Ergys Agasi, Ermal Beqiri, Mirlinda Karçanaj, Hava Delibashi, Erion Ismaili, Andis Papa, Gëzim Hoxha, si dhe persona të tjerë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë organizuar dhe implementuar një skemë për paracaktimin e fituesve në procedurat e prokurimit, të kryera në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së informacionit (AKSHl), me qëllim përfitimin e paligjshëm të fondeve publike që rrjedhin nga pagesat, lidhur me kontratat publike të prokuruara”, thuhet në dosjen e Prokurorisë Speciale SPAK, të cilën Faktoje.al e disponon.

Për Agasin dhe Beqirin janë lëshuar urdhër-arreste për akuzat: “Heqjes së paligjshme të lirisë”, “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, në kuadër të një formacioni të posaçëm, “Grup i strukturuar kriminal” dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, por nuk janë ekzekutuar pasi dyshohet se janë larguar jashtë vendit. Në arrest shtëpie janë drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karçanj dhe zëvendësja e saj Hava Delibashi, ndërsa ka masë ndalim për dalje jashtë vendit për biznesmenët Papa dhe Hoxha, ndërsa pezullim nga detyra dhe ndalim për dalje jashtë vendit për numrin dy të policisë së Tiranës Erjon Ismaili.

Vetëm fillimi…!

Burime pranë grupit hetimor, thanë për Faktoje se dosja është ende nën hetim dhe aktualisht janë hapur tre fraksione të tjera, duke nisur nga emrat që dyshohet se janë përfshirë në një skemë të rëndë abuzimi me burim Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, shkruan faktoje.al

Janë dhjetëra orë filmime ku diskutohen afera me përfshirjen e personave të ndryshëm si nëpunës të lartë të shtetit, drejtues policie dhe biznesmenë të lidhur edhe me krimin e organizuar, duke kontrolluar të dhëna të ndjeshme të sigurisë në vend. Në një takim të datës 16 mars 2024 mes Karçanajt, Beqirajt dhe Agasit ky i fundit thotë: “Projekti bën 2 milion, ne do ta bëjmë 4”.

Bisedat pa limit etike, ku diskutohen shuma të mëdha se kush do i marrë dhe si do të ndahen, janë në një pjesë të madhe të filmuara (dyshohet nga vetë Agasi). “Nga këqyrja e pamjeve filmike, arsyeshëm krijohet bindja mbi lidhjet me interes që kanë këta shtetas me njëri-tjetrin, e cila, nga analizimi i përmbajtjes së bisedave të transkriptuara, krijon dyshimin e arsyeshëm mbi realizimin e një skeme kriminale në funksion të paracaktimit të procedurave të prokurimit, krijimit të avantazheve dhe përfitimit të paligjshëm prej tyre”, thotë prokuroria.

Skema

Fillimisht gjendej “preja”, një shumë e madhe prokurorimi nën logon e AKSHI-t. Më pas, përgatiteshin për të rrëmbyer çdo qindarkë në fondin limit, ndërsa “financuesja” Mirlinda Karçanaj, me paratë e buxhetit të shtetit, qe kthyer në dorë firmëtare për çdo tender në vlera të mëdha të shkonte për kompanitë e biznesmenëve kontroversë, Ermal Beqiraj dhe Ergys Agasi. Diskutimet bëheshin në zyrën e Agasit, ku pasi flitej për shuma të mëdha shoqëroheshin me fjalor fyes, tallës dhe jo etik. Çdo gjë e dokumentuar, ku vetë Agasi kishte vendosur pajisje përgjuese video-audio.

Paradoksalisht, numri një i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, drejtoresha më jetëgjatë e qeverisjes Rama, e cila presupozohet se ruan çdo të dhënë digjitale shtetërore, edhe të sigurisë dhe rëndësisë së veçantë, përfundoi në zyrën e Agasit me zë dhe figurë në kamerat përgjuese.

Një ndër të paktët që u bë pengesë, duke ankimuar procedurat tenderuese, biznesmeni Gerond Meçe drejtues i kompanisë ABS”, u mor peng dhe nën kërcënim, shantazh dhe dhunë, detyrohet që brenda pak orësh të tërhiqej nga 20 ankimimet. Pjesë e kërcënimit, sugjerimit dhe shantazhimit dyshohet sipas Prokurorisë Speciale se është edhe numri dy i Policisë së Tiranës, Erion Ismaili, edhe ai një bujtës i rregullt në zyrën e Agasit.

Pengmarrja

Kushdo operator ekonomik që ankohej për skualifikim të padrejtë nga tenderat e AKSHI-t i “hapej luftë” nga treshja Agasi, Beqiri dhe drejtoreshë Karçanaj. “Ndaj operatorevë ekonomik të skualifikuar, të cilët kanë kërkuar të drejtën e tyre nëpërmjet ankimimit zyrtar pranë Autoritetit Kontraktor, por edhe në Komisionin e Prokurimit Publik, është përdorur dhuna, heqja e paligjshme e lirisë për t’i detyruar me forcë që të tërhiqen nga ankimimet, por edhe nga çdo procedurë ku kanë marrë pjesë me qëllim që të sigurohej vazhdueshmëria e kësaj skeme”, thotë SPAK. Provat janë tashmë mjaft të forta me pamje filmike, dëshmi të të marrit peng dhe levizjeve të kryera që në fund shkuan në favor të kërcënuesve.

Denoncimi

Më 12 gusht 2025, Gerond Meçe, aksioner i vetëm në shoqërinë “ABS” (një kompanie të teknologjisë) u mor peng sapo doli nga banesa në drejtim të automjetit të tij. “Jemi SPAK, ejani me ne”, i thotë një i ri, i cili mbante një jelek me mbishkrimin “BKH” dhe më pas tre të tjerë me jelekë me mbishkrimin “policia” (dyshohet të falsifikuara) e fusin në automjet dhe largohen.

Meçe nuk bën asnjë rezistencë por kupton se personat nuk ishin të policisë apo BKH-së pasi devijuan lëvizjen, duke marrë drejtimin nga Elbasani. Në një banesë të braktisur në fshatin Gracen të Elbasanit, Meçe prangoset dhe nis shantazhi, kërcënimet me armë dhe ultimatum për të tërhequr menjëherë ankimet që kishte bërë ndaj 20 procedurave tenderuese të AKSHI-it dhe në KPP (Komisionin e Prokurimit Publik).

Brenda pak orësh, Meçe udhëzon administratorin e kompanisë të tërhiqte ankimimet, ndërsa pasi sigurohen se gjithçka ishte në rregull dhe se kompania e Meçes e lenë të lirë nën kërcënimin fundor: “Nuk duam probleme nga ty, nuk dua denoncime nga ty, në të kundërt do të vrasim ty, grua, motër, nënë, se babë nuk ke ti..,”, citohet në dosjen e SPAK, sipas deklarimeve të Meçes.

Ku të ankohej?

Po ku mund të ankohej “i marri peng”? Biznesmeni Gerond Meçe kishte aplikuar në 20 prokurorime me kompaninë e tij, por në çdo rast ishte skualifikuar dhe tenderat e AKSHI-t ishin fituar në seri nga kompanitë e Ergys Agasit, Ermal Beqirajt dhe të tjerëve pranë tyre.

Meçe nuk kryen denoncim në polici, nisur edhe nga fakti sipas tij se vetë nëndrejtori i Policisë së Tiranës i kishte sugjeruar më parë: “Hiq dorë nga AKSHI”. Po ashtu edhe institucioni tjetër i ankimit administrative KPP rezulton sipas SPAK se ka shkelur procedurat në rastin e ankimimeve të Meçajt dhe gjithashtu ka qenë e gatshme që në një kohë të shpejtë të “pranojë” tërheqjen nga ankimimi, që korrespondon me ditën e pengmarrjes së tij.

“Nga kjo veprimtari rezulton bindshëm se dhe KPP ka nxituar të pranojë ankimimet e OE(shënim: operatorëve ekonomikë) “ABS” të cilat i kanë marrë forcërisht në rrethanat e përshkruara në këtë kërkesë çka do të thotë që kjo kjo ka qenë e koordinuar me veprimet e grupit të strukturuar kriminal”, thuhet në dosjen e SPAK.

57 milionë euro në pak muaj

Prokuroria ka krijuar bindje bazuar në prova (filmime, biseda audio të gërshetuera me dokumente), se kompanitë e Ermal Beqirit, Ergys Agasit dhe bisnesmenëve të tjerë Gezim Hoxha dhe Andis Papa, në një hark kohor prej 9 muajsh kanë siguruar tenderë në vlerën 57 milionë euro nga AKSHI, për llogari të disa institucioneve.

Në njërën prej tenderëve e cila ka përshkrimin: “Përmirësimi i sistemeve për ndihmën ekonomike” është në vlerën 226,460,451 lekë pa tvsh. Paradoksalisht, një familje me ndihmë ekonomike nuk merr më shumë se 8 mijë lekë në muaj, por për “përmirësim sistemi” janë dhënë mbi 226 milionë lekë të reja. Ndër tenderat e tjerë me “flamur të kuq” cilësohen edhe disa të zhvilluara për institucione të tjera shtetërore, përfshi edhe burgjet.

“Nga analiza e këtyre procedurave të prokurimit, në harmoni dhe me shpjegimet e punonjësve të shoqërisë “EA Solution”, krijohet bindja se këto procedura prokurimi, fitohen nga subjektet e kontrolluara nga shtetasi Ermal Beqiri, në bashkëpunim me shtetasin Andis Papa, fitimet e të cilëve, i kalohen në mënyrë fiktive subjektit “EA Solution”, në pronësi të shtetasit Ergys Agasi”, thekson prokuroria.

Po ashtu SPAK në gërshetim të provave arrin në përfundimin se tenderët manipuloheshin për t’u fituar nga kompania “Soft& Solution” e Beqirajt, kompania “Fastech” e Andis Papës dhe kompania First sh.p.k e Gëzim Hoxhës.

Sylvinho i sigurt: Jemi gati për Botëror, lojtarët janë mësuar me sfida të vështira

27 December 2025 at 10:06


Përzgjedhësi i Shqipërisë Sylvinho beson se “Kuq e Zinjtë” mund të sigurojnë biletën për në Kampionatin Botëror 2026, sidomos pasi sipas tij lojtarët janë mësuar me ndeshjet e vështira.

Në një intervistë ekskluzive për podcastin e “ESPN Brasil”, tekniku brazilian komentoi planet e ekipit dhe për mundësinë historike kanë për të siguruar pjesëmarrjen në Kupën e Botës së ardhshme.

“Ky është një moment shumë i rëndësishëm për ekipin dhe për gjithë vendin. Që nga Kampionati Evropian kemi pasur shorte të forta, por sfidat janë pjesë e rrugës që duhet të ndjekim për të arritur objektivat tona”.

“Që nga janari do t’i monitorojmë lojtarët tanë më nga afër dhe do të jemi të pranishëm në disa ndeshje për të ndjekur performancat e tyre”.

Shqipëria do të përballet me Poloninë në gjysmëfinalen e ‘play-off’-it më 26 mars në Varshavë, një hap kyç drejt ëndrrës së madhe të Kupës së Botës. Në rast fitoreje, kuqezinjtë do të luajnë finalen vendimtare më 31 mars ndaj fituesit të përballjes Ukrainë–Suedi.

Ai theksoi se ndeshje të këtij niveli vendosen nga detajet më të vogla.

“E njohim mirë Poloninë, kemi luajtur kundër tyre kohët e fundit. Ata kanë ndryshuar trajner, por lojtarët mbeten të njëjtë dhe janë të një cilësie të lartë. Ata janë në një fazë rindërtimi, ndërsa ne po kalojmë një periudhë zhvillimi. Nuk ka avantazh të qartë, gjithçka mund të ndryshojë brenda 90 minutave”.

“Lojtarët tanë janë mësuar me sfida të vështira. Do të mbështetemi te cilësitë tona dhe te puna që kemi bërë deri tani.”

Kujtojmë, përballja mes Polonisë dhe Shqipërisë zhvillohet më 26 mars 2026./Telegrafi/

Gjarpri gjigant në moçale - gjuetarët e kapën me kujdes në Florida

27 December 2025 at 10:01


Problemi me pitonët në Floridë ka tërhequr sërish vëmendjen e publikut pas një videoje virale që u shpërnda në rrjetet sociale.

Në video dallohet dashamirësi i gjarpërinjve Kev Pav (@snakeaholic) bashkë me një ekip gjuetarësh duke gjetur një piton gjigant nën degëza. Njëri prej ekspertëve e ngre gjarprin për kokë, ndërkohë që kolegët e tij vëzhgojnë me kujdes çdo lëvizje.

Takimet e tilla me pitonë nuk janë të rralla në Floridë. Këta gjarpërinj janë specie invazive dhe shfaqen edhe në lagje banimi, duke bërë që banorët të thërrasin shpesh shërbimet e specializuara për t’i larguar në mënyrë të sigurt.

Biologët janë veçanërisht të shqetësuar për ndikimin e këtyre pitonëve mbi ekosistemin lokal.

Pasi ekspertët hoqën me kujdes gjarprin gjigant, ata zbuluan një skenë të befasishme - dhjetëra vezë! Kjo tregon edhe më qartë pse specie si pitoni burmas konsiderohen një problem serioz për biodiversitetin.

Për t’u përballur me popullatën në rritje, autoritetet e Floridës po përdorin metoda të pazakonta. Për shembull, përdoren “kanezë robotikë” – kapje të vogla me energji diellore që lëshojnë nxehtësi, aromë dhe lëvizje si të “lepujve të vërtetë”, për të mashtruar pitonët që të dalin nga vendet ku fshihen. Pas kësaj, ekipe të specializuara nisin gjuetinë. /Telegrafi/

Rockstar nuk pritet ta shtrenjtojë versionin bazë të GTA 6

27 December 2025 at 10:01


Nuk pritet që Rockstar të vendosë një çmim të tepruar për Grand Theft Auto 6.

Spekulimet se GTA 6 mund të bëhet videoloja më e shtrenjtë në histori, me një çmim që shkon deri në 100 dollarë, janë rikthyer sërish në vëmendje. Megjithatë, sipas një ish-punonjësi të Rockstar Games, një skenar i tillë është shumë pak i besueshëm.

Mike York, animator që ka punuar në GTA 5 dhe GTA Online, ka deklaruar se nuk pret që Rockstar ta rrisë ndjeshëm çmimin e versionit bazë të lojës. Sipas tij, kompania nuk ka nevojë për një hap të tillë, pasi GTA 6 pritet të shënojë sukses të jashtëzakonshëm edhe pa një çmim të lartë.

York thekson se çmimi standard prej rreth 70 dollarësh, i zakonshëm për videolojërat AAA, ka ende më shumë kuptim. Çdo çmim mbi këtë nivel mund të shkaktojë reagime negative nga një pjesë e komunitetit të lojtarëve.

Ai nuk e përjashtoi mundësinë që Rockstar të ofrojë një edicion special ose pre-order me çmim rreth 99 dollarë, i cili do të përfshinte përmbajtje apo bonuse shtesë, por nënvizoi se kjo nuk duhet të ngatërrohet me çmimin e lojës bazë.

Duke folur për zhvillimin e lojës, York tha gjithashtu se nuk pret një tjetër shtyrje të datës së publikimit. Aktualisht, GTA 6 është planifikuar të dalë në nëntor 2026, ndërsa ekipi zhvillues ndodhet në fazën përfundimtare të përmirësimit të detajeve.

GTA 6 mbetet një nga lojërat më të pritura në historinë e industrisë së videolojërave, ndërsa Rockstar ende nuk ka konfirmuar zyrtarisht as çmimin dhe as detajet e edicioneve të ndryshme. /Telegrafi/

Raportohet se është vrarë komandanti rus që luftonte në krah të ukrainasve

27 December 2025 at 09:59


Komandanti i Korpusit Vullnetar Rus në radhët e ukrainasve raportohet se ka vdekur.

Komandanti Denis Kapustin, i njohur më mirë me nofkën “WhiteRex”, i cili luftoi për Ukrainën, është vrarë në frontin e luftës.

Sipas informacionit paraprak, ai u vra në frontin e Zaporizhias pas një sulmi me dron FPV.

⚡ RVC commander Denis Kapustin reported dead

Media report the death of Denis Kapustin, commander of the Russian Volunteer Corps.

According to preliminary information, he was killed on the Zaporizhzhia front after an FPV-drone strike.

In 2024, a Russian court sentenced… pic.twitter.com/LQqGpXh6Dy
— NEXTA (@nexta_tv) December 27, 2025

Në vitin 2024, një gjykatë ruse e dënoi Kapustinin me burgim të përjetshëm në mungesë, për organizimin e një ndërhyrjeje ndërkufitare nga forcat ukrainase në rajonin e Bryanskut të Rusisë gjatë vitit 2023.

Ky incident thekson tensionet e vazhdueshme dhe rrezikun në vijën e frontit, ndërsa sulmet me dron dhe veprimet e forcave të ndryshme vazhdojnë të ndikojnë në situatën në Ukrainë dhe zonat përreth kufirit rus.

Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2022 gjersa ka pasur shumë vullnetarë ndërkombëtarë që kanë luftuar në dyja krahët. /Telegrafi/

Dukshmëri e zvogëluar për shkak të mjegullës në qafën malore Pletvar dhe në Krushevë

27 December 2025 at 09:50


Për shkak të mjegullës këtë mëngjes, dukshmëria është zvogëluar në 50 metra në qafën malore Pletvar, dhe në 30 metra në Krushevë.

Në rrugët e tjera shtetërore, trafiku zhvillohet pa probleme, në rrugë të lagura, informon Ndërmarrja Publike "Rruga e Maqedonisë".

Prandaj, ata apelojnë për drejtim të kujdesshëm të automjeteve, respektim të sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe përshtatje të shpejtësisë me kushtet e rrugës.

Nga LAMM njoftojnë se në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë së Veriut nuk ka pritje të gjata.

Jeta Dida Bujari, një kandidaturë që buron nga jeta reale

By: Telegrafi
27 December 2025 at 09:40


Jeta Dida Bujari nuk vjen në politikë nga zyrat partiake, por nga shkollat, institucionet publike dhe puna e përditshme me njerëzit. Për vite me radhë, ajo ka qenë pjesë aktive e arsimit dhe kulturës në Prishtinë, duke ndërtuar besim përmes angazhimit konkret dhe përgjegjësisë institucionale.

Si gruaja më e votuar në nivel komunal në Kosovë dhe sot e renditur ndër kandidatët më të votuar në nivel qendror, mbështetja që ajo gëzon shihet si reflektim i një përfaqësimi të qëndrueshëm dhe të afërt me qytetarët.

Kandidatura e saj për Kuvendin e Kosovës po perceptohet si zë i atyre që shpesh mbeten në margjina të debatit politik: mësimdhënësve, artistëve, të rinjve, grave profesioniste dhe punëtorëve që kërkojnë institucione funksionale dhe politika të ndërtuara mbi realitetin.

Në një kohë kur besimi në përfaqësim është sfidë, Jeta Dida Bujari po ofron një profil që lidh përvojën profesionale me përgjegjësinë publike, duke e kthyer politikën në vazhdimësi të punës së saj, jo në shkëputje prej saj.

Kurti nga Hasi: 1 miliard euro për prodhimtarinë

27 December 2025 at 09:25


Kryeministri Albin Kurti ishte në Has bashkë me disa nga kandidatët për deputetë.

Një miliard euro për prodhimtarinë, përmes garantimit të kredive ishte zotimi i Kryeministrit nga Hasi.

Kurti rikujtoi edhe një herë, se gjatë mandatit aktual, 120 mijë fermerë nga Prizreni dhe gjithë Kosova, janë përkrahur me mbi 300 milionë euro.


Ai u zotua se mbështetja për bujqit dhe fermerët do të vazhdojë edhe për katër vitet e ardhshme.

Kurti i ftoi edhe për të votuar numrin 116, të dielën, më 28 dhjetor, për të vazhduar siç tha qeverisjen e mbarë të subjektit të Kurtit.







Kumail Nanjiani flet për thashethemet se kishte një aferë me Michelle Obamën: Isha shumë i lumtur

27 December 2025 at 09:17


Komediani dhe aktori Kumail Nanjiani, i njohur për rolin e tij si Mbreti në filmin "Eternals", foli për një nga thashethemet më të pabesueshme që kanë qarkulluar ndonjëherë në Hollywood, se ai dyshohet se ka pasur një lidhje me ish-zonjën e parë të SHBA-së, Michelle Obama.

Në podkastin "So True with Caleb Hearon", Nanjiani tregoi se si i erdhi në mendje historia dhe sa i befasuar ishte që kaq shumë njerëz, përfshirë gruan e tij Emily V. Gordon, kishin dëgjuar për të. Edhe pse ai nuk e takoi kurrë Michelle Obamën, thashethemi qarkulloi midis personazheve të famshëm për njëfarë kohe.

"Isha pa masë e gëzuar!" tha Nanjiani duke qeshur.

“Miku ynë i përbashkët e tërhoqi Emily-n mënjanë dhe tha: ‘Hej, dëgjova që Kumail dhe Michelle Obama janë bashkë’”, shtoi ai, duke shtuar se Emily nuk ishte e mërzitur, por disa persona të tjerë ia përmendën historinë më vonë.

Prezantuesja e podkastit përmendi gjithashtu një thashethem të ngjashëm që ka qarkulluar në mediat amerikane për ca kohë, se Barack Obama dyshohet se është në një lidhje me aktoren Jennifer Aniston: "Ka një thashethem të vazhdueshëm se Barack po e tradhton Jen Aniston", tha prezantuesja, duke shtuar: "Por e dini çfarë? Sipas këtyre thashethemeve, tani je në të njëjtën kategori me Jennifer Aniston".

Nanjiani komentoi me shaka se nëse do të ishte e vërtetë, familja Obama mund të "zhytej në një nivel më të ulët", ndërsa prezantuesi përfundoi me shaka: "Nuk do të doje ta shihje një nga njerëzit më të fuqishëm në botë me një aktore".

Kumail Nanjiani është i martuar me skenaristen dhe producenten Emily V. Gordon që nga viti 2007. Historia e tyre e dashurisë, e cila përfshinte dallime kulturore, presione familjare dhe sëmundje të rënda, më vonë shërbeu si frymëzim për filmin e nominuar për çmimin Oscar "The Big Sick".

"Nuk mund ta imagjinoja një univers ku do të pranoja një martesë të rregulluar, por gjithashtu nuk mund t'ua tregoja prindërve të mi", tha Nanjiani për New Yorker në vitin 2017.

Në fillim të marrëdhënies së tyre, Emily përfundoi në spital dhe kaloi tetë ditë në një komë të shkaktuar nga mjekësia për shkak të sëmundjes së rrallë inflamatore të Still-it.

"Isha i pari në spital dhe më kërkuan të nënshkruaja dokumentet. E kuptova sa serioze ishte kur mjeku tha se do ta fusin në koma. Atëherë e kuptova për herë të parë se kjo nuk ishte thjesht një ftohje", kujtoi Nanjiani në një intervistë me People. /Telegrafi/

Befasojnë gazetarët italianë: E vlerësojnë yllin e AC Milanit si lojtari më i mirë në Serie A

27 December 2025 at 09:14


Reprezentuesi i SHBA-së, Christian Pulisic është aktualisht futbollisti me vlerësimin mesatar më të lartë në Serie A, duke lënë pas edhe bashkëlojtarin e tij te Milani, Luka Modric.

Sipas vlerësimeve mesatare të dhëna nga gazetat sportive italiane, të përmbledhura nga “Fantacalcio”, ylli i Milanit po konsiderohet lojtari më i mirë i Serie A deri në këtë fazë të sezonit.

Pulisic kryeson renditjen mes futbollistëve që kanë zhvilluar të paktën 50 për qind të ndeshjeve në kampionat, një fakt që nuk shihet aspak befasues duke pasur parasysh paraqitjet e tij.

Ish-lojtari i Chelseat ka realizuar shtatë gola dhe ka dhuruar dy asistime në vetëm 10 paraqitje në Serie A, duke qenë një nga faktorët kryesorë të kuqezinjve këtë sezon. Pas tij renditet Luka Modric, ndërsa vendin e tretë e mban talenti i Comos, Nico Paz.

Paz ka regjistruar gjithsej nëntë kontribute në gola, me pesë realizime dhe katër asistime, por i ka arritur këto shifra në 15 paraqitje, më shumë se Pulisic. Në mesin e dhjetë lojtarëve më të vlerësuar bëjnë pjesë edhe dy portierë: Mile Svilar i Romës dhe Wladimiro Falcone i Lecces.

Falcone ka një vlerësim mesatar 6.47, vetëm pak më të lartë se portieri i Milanit, Mike Maignan, i cili vlerësohet me 6.46. Nga Juventusi, vetëm Kenan Yildiz ka arritur të futet në top 10, ndërsa Napoli përfaqësohet nga Frank Andre Zambo Anguissa.

Interi ka dy përfaqësues në këtë listë, Marcus Thuram dhe Federico Dimarco, ndërsa Alexis Saelemaekers plotëson renditjen e dhjetë lojtarëve më të vlerësuar në Serie A deri tani.

Renditja e vlerësimeve mesatare:

Christian Pulisic – 6.7

Luka Modric – 6.6

Nico Paz – 6.57

Mile Svilar – 6.53

Marcus Thuram – 6.5

Kenan Yildiz – 6.5

Zambo Anguissa – 6.5

Federico Dimarco – 6.5

Alexis Saelemaekers – 6.5

Wladimiro Falcone – 6.47./Telegrafi

Në Qendrën për Strehim, Mbrojtje dhe Rehabilitimin e Viktimave në Lipjan përleshen dy gra

27 December 2025 at 09:10


Policia e Kosovës ka njoftuar se në Qendrën për Strehim, Mbrojtje dhe Rehabilitimin e Viktimave, janë përleshur fizikisht dy gra.

Rasti ka ndodhur të premten, në ora 20:47.

“Lipjan 26.12.2025-20:47. Raportohet se në Qendrën për Strehim, Mbrojtje dhe Rehabilitimin e Viktimave, janë përleshur fizikisht dy të dyshuara femra kosovare”, thuhet në raport.

Të dyshuarat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa pas intervistimit me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt. /Telegrafi/

Moti sot në Maqedoninë e Veriut

27 December 2025 at 09:10


Moti sot do të jetë me diell me vranësira të lehta deri në mesatare.

Do të fryjë erë e dobët deri në mesatare, ndërsa përgjatë lumit Vardar erë e fortë nga veriu (mbi 60 km/orë).

Temperatura minimale do të jetë në intervalin -5 deri në 1 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 4 deri në 10 gradë.

Në Shkup, me diell me vranësira të lehta deri në mesatare.

Do të fryjë erë e moderuar nga veriu. Temperatura minimale do të bjerë në -2, ndërsa maksimale do të arrijë deri në 8 gradë.

Të dielën zgjedhjet parlamentare, qytetarët i drejtohen kutive të votimit për të katërtën herë brenda vitit

27 December 2025 at 09:02


Të dielën, më 28 dhjetor qytetarët e Kosovës do të t’i drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet parlamentare.

Kjo do të jetë hera e katërt që brenda këtij viti qytetarët i drejtohen kutive të votimit, më 9 shkurt në zgjedhjet parlamentare, në zgjedhjet lokale më 12 tetor, balotazhi më pas dhe këtë herë sërish për zgjedhjet parlamentare, më 28 dhjetor.

E ditë më parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me të dhëna zyrtare për procesin zgjedhor të 28 dhjetorit.

2,076,290 persona me të drejtë vote janë regjistruar për votim, ndërkaq brenda vendit votimi do të organizohet në 948 qendra votimi me 2,614 vendvotime.

Jashtë Kosovës, votimi fizik është parashikuar në 16 ambasada dhe 13 konsullata, ndërsa mbahen një ditë para zgjedhjeve në Kosovë, pra sot më 27 dhjetor.

MPJD tashmë ka njoftuar se janë hapur qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00, sipas kohës lokale të çdo shteti.

Procesi i votimit do të zhvillohet në 40 vendvotime që u përkasin 16 ambasadave dhe 13 konsullatave të Kosovës në 18 shtete të ndryshme.

Ndryshe, për këto zgjedhje janë certifikuar gjithsej 22 subjekte politike, duke përfshirë 18 parti, 3 koalicione parazgjedhore, 2 iniciativa qytetare dhe një kandidat të pavarur. Komisioni gjithashtu ka akredituar rreth 860 vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë për të monitoruar procesin.

Institucionet përgjegjëse kanë paraparë mekanizma mbikëqyrës dhe procedura standarde për të garantuar transparencë dhe integritet zgjedhor.

Procesi i votimit nis në orën 07:00 të mëngjesit me hapjen e vendvotimeve në të gjithë territorin e Kosovës. Qytetarët me të drejtë vote identifikohen përmes dokumenteve zyrtare dhe votojnë në mënyrë të fshehtë.

Mënyrat për të plotësuar formularin për votim janë këto: Sigurohuni që fletëvotimi është i vulosur në pjesën e pasme, në anën e majtë, shënjoni vetëm një subjekt politik, në anën e djathtë, shënjoni deri në dhjetë kandidatë të atij subjekti politik dhe paloseni fletëvotimin dhe vendoseni në kutinë e votimit. /Telegrafi/

❌
❌