Normal view

Gjigantët po dominojnë ekonominë  

31 July 2026 at 22:00

Flukset gjigante të kapitalit po riformësojnë biznesin dhe po shtojnë rreziqet, shkruan The Economist

 

Sot është e lehtë të humbasësh ndjeshmërinë ndaj shifrave të mëdha. Çdo javë njoftohen marrëveshje të mëdha.

Vetëm katër ditë pasi SpaceX, kompania e raketave e Elon Musk, siguroi 86 miliardë dollarë në listimin më të madh publik të realizuar ndonjëherë, më 12 qershor, ajo njoftoi se do të blinte Cursor, një startup të Inteligjencës Artificiale për programim, për 60 miliardë dollarë.

Po atë ditë, DeepSeek, një laborator kinez i Inteligjencës Artificiale, bëri të ditur se kishte siguruar 7 miliardë dollarë në raundin e katërt më të madh të financimit me kapital sipërmarrës të regjistruar ndonjëherë në vend.

Deri tani këtë vit, bashkimet me vlerë mbi 10 miliardë dollarë kanë përbërë 48% të vlerës totale të marrëveshjeve, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë, sipas Dealogic, ofrues të dhënash (shih grafikun 1).

Edhe investimet në startup-e po përqendrohen gjithnjë e më shumë: raundet e financimit mbi 1 miliard dollarë kanë përbërë 61% të financimit total me kapital sipërmarrës këtë vit, ndërsa në katër të pestat e këtyre raundeve ka marrë pjesë një investitor korporativ, sipas PitchBook, një tjetër ofrues të dhënash (shih grafikun 2).

Prirja drejt flukseve gjigante të kapitalit është e dukshme kudo. Projektet e reja të Investimeve të Huaja Direkte (IHD) me vlerë mbi 1 miliard dollarë kanë përbërë 42% të totalit që nga fillimi i vitit 2024, nga 28% në periudhën 2016-2018, sipas fDi Markets, që gjurmon këto projekte (shih grafikun 3).

 

 

Pjesa më e madhe e këtij aktiviteti përqendrohet në Amerikë. Vitin e kaluar, vendi ishte njëkohësisht destinacioni dhe burimi më i madh i projekteve të reja të IHD-ve me vlerë mbi 1 miliard dollarë. Gjithashtu, aty ndodhen 14 nga 15 startup-et që kanë marrë financimet më të mëdha që nga fillimi i vitit 2024. Nga 71 megabashkimet e regjistruara që nga fillimi i vitit 2025, 44 blerës janë amerikanë.

Por kjo prirje është përhapur edhe në rajone të tjera. Vitin e kaluar, Tajvani ishte burimi i dytë më i madh i Investimeve të Huaja Direkte me vlerë mbi 1 miliard dollarë, i ndjekur nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kina.

Edhe marrëveshjet e mëdha të kapitalit sipërmarrës po realizohen jashtë Amerikës. DayOne, operator qendrash të të dhënave me bazë në Singapor, siguroi 4.5 miliardë dollarë në qershor, ndërsa Nscale, një kompani rivale britanike, mori 2 miliardë dollarë në mars.

Marrëveshjet e mëdha vijnë dhe ikin në valë. Megjithatë, rrallëherë këto cikle kanë qenë kaq të sinkronizuara dhe kaq të varura nga një numër i vogël kompanish gjigante. Kjo sjell edhe rreziqe.

Prirja drejt investimeve gjigante është rezultat i ndërthurjes së disa zhvillimeve në ekonominë globale. I pari është disponueshmëria e kapitalit, pavarësisht se normat e interesit janë rritur nga nivelet jashtëzakonisht të ulëta të viteve të fundit.

Rezervat në para të kompanive të përfshira në indeksin amerikan S&P 500 kanë arritur në 2.2 trilionë dollarë. Këto kompani po realizojnë gjithashtu fitime rekord. Në Shtetet e Bashkuara, fitimet e korporatave janë pranë nivelit më të lartë historik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.

Kjo, nga ana tjetër, ka shtyrë vlerën e tyre në treg në nivele rekord, duke u dhënë kompanive edhe më shumë mundësi për të kryer blerje të kompanive të tjera dhe për të siguruar financime të reja përmes borxhit ose emetimit të aksioneve.

Më 1 qershor, Alphabet njoftoi se do të emetonte aksione me vlerë 80 miliardë dollarë – një shumë pothuajse e papërfillshme për një kompani, vlera e së cilës në treg ka arritur në 4.4 trilionë dollarë.

Pjesa më e madhe e këtij kapitali po përdoret për të financuar bumin e Inteligjencës Artificiale – faktori i dytë që qëndron pas kësaj prirjeje.

Pesë gjigantët e infrastrukturës cloud – Alphabet, Amazon, Meta, Microsoft dhe Oracle – pritet të shpenzojnë rreth 800 miliardë dollarë në investime kapitale këtë vit, ndërsa garojnë për të ndërtuar qendra të të dhënave në mbarë botën. Në të njëjtën kohë, ato janë ndër financuesit më të mëdhenj të startup-eve të Inteligjencës Artificiale.

Bumi i IA-së ka nxitur gjithashtu një sërë bashkimesh të mëdha korporative, përfshirë bashkimin e Dominion dhe NextEra, dy kompani amerikane të energjisë, si dhe blerjen e kompanisë së sigurisë kibernetike CyberArk nga lideri i tregut Palo Alto Networks.

Faktori i tretë pas valës së flukseve gjigante të kapitalit është politika. Në Shtetet e Bashkuara, administrata aktuale është treguar shumë më tolerante ndaj bashkimeve të mëdha të kompanive sesa paraardhësja e saj. Edhe Bashkimi Europian, nga frika se kampionët e tij industrialë mund të mbeten pas në garën globale, ka rishikuar së fundmi rregullat për bashkimet, duke i bërë ato më të lehta.

Qeveritë me politika proteksioniste po i nxisin kompanitë të rikthejnë prodhimin në vendet e tyre përmes tarifave dhe subvencioneve. Si pasojë, shumë kompani të mëdha po investojnë shuma të mëdha në ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese jashtë vendit, si fabrikat e çipave që TSMC, gjiganti tajvanez i gjysmëpërçuesve, po ndërton në Arizonë, apo fabrika e re e automobilave që BYD, prodhuesi kinez i automjeteve elektrike, po ndërton në Hungari.

Ndryshimet teknologjike dhe ndërhyrjet politike kanë krijuar një mjedis biznesi më të pasigurt dhe drejtuesit e kompanive po arrijnë gjithnjë e më shumë në përfundimin se përmasat më të mëdha ofrojnë më shumë siguri – faktori i katërt që po ushqen ethet e investimeve.

“Në shumë borde drejtuesish kam dëgjuar se është më mirë të jesh më i madh”, thotë Jake Henry nga kompania konsulente McKinsey.

Edhe investitorët duket se ndajnë të njëjtin mendim. The Economist analizoi kompanitë amerikane jofinanciare të përfshira në indeksin Russell 3000, duke i ndarë ato në pesë grupe sipas vlerës së tregut.

Në vitin 2019, raporti mesatar çmim/fitim (P/E) – një tregues që mat sa lart e vlerësojnë investitorët fitimin e një kompanie – ishte 18 për grupin e kompanive më të mëdha, kundrejt 14 për grupin e kompanive më të vogla. Sot këto shifra janë 26 dhe 15, duke treguar se tregu i vlerëson fitimet e kompanive të mëdha shumë më lart se më parë (shih grafikun 4).

 

 

Ky rezultat mbetet i pandryshuar edhe kur përjashtohen kompanitë e teknologjisë.

Megjithatë, gara e kompanive për t’u bërë gjithnjë e më të mëdha mbart edhe rreziqe. Studiuesit vlerësojnë se gjasat që një bashkim i madh kompanish të rezultojë i suksesshëm nuk janë më të larta se ato të një bashkimi më të vogël – pra rreth 50 me 50.

Por kur gjërat shkojnë keq, pasojat mund të jenë katastrofike. Kompania konsulente Bain llogarit se në pothuajse gjysmën e megabashkimeve të realizuara vitin e kaluar, vlera e kompanisë së blerë ishte më shumë se 50% e kapitalizimit bursier (vlera totale në treg e një kompanie të listuar në bursë) të blerësit. Për realizimin e këtyre transaksioneve shpesh nevojiten edhe sasi të mëdha borxhi.

Shqetësim nuk përbëjnë vetëm bashkimet e mëdha. Deri vonë, investimet gjigante të kompanive amerikane të infrastrukturës cloud në qendrat e të dhënave financoheshin kryesisht nga paratë e gjeneruara prej aktiviteteve të tyre ekzistuese.

Tani ato po marrin hua në shkallë të gjerë, duke shkaktuar rritje të ndjeshme të raportit mes borxhit dhe fluksit të lirë vjetor të parasë. Për shembull, tek Amazon, ky raport ka kaluar nga një nivel më i ulët se mesatarja e kompanive të indeksit S&P 500 në vitin 2019, në një nivel që sot është më shumë se katër herë mbi mesataren.

E gjithë kjo ka pasoja edhe për ekonominë në tërësi. Sipas Deutsche Bank, 10% e kompanive më të mëdha të listuara në bursë përbëjnë tashmë më shumë se tre të katërtat e kapitalizimit total të tregut në Shtetet e Bashkuara, pjesa më e lartë e regjistruar në një shekull.

Një strukturë gjithnjë e më e përqendruar te një numër i vogël kompanish gjigante do të thotë se dështimi i vetëm një korporate të madhe, të ngarkuar me borxhe, mund të shkaktojë tronditje të konsiderueshme në tregjet financiare.

Rritja e përqendrimit të korporatave mund të ketë pasoja negative edhe në drejtime të tjera. Konsumatorët, punonjësit dhe furnizuesit e vegjël mund të vihen nën presion, ndërsa qeveritë mund të ndikohen në mënyrë të tepruar nga ushtria e lobistëve që punësojnë gjigantët e biznesit. Kjo mund të ushqejë më tej rritjen e populistëve në të dy skajet e spektrit politik.

Sipas Gallup, një kompani sondazhesh, përqindja e amerikanëve që thonë se kanë besim te bizneset e mëdha është përgjysmuar afërsisht që nga viti 2000, duke zbritur në 15%. Përmasat e mëdha mund të sjellin shumë përparësi, por jo dashurinë e publikut.

 

The post Gjigantët po dominojnë ekonominë   appeared first on Revista Monitor.

PD propozon hartë të re territoriale me 100 bashki dhe 6 rajone

31 July 2026 at 15:01

Në kuadër të reformës se re të ndarjes territoriale, Partia Demokratike propozoi rritjen e numrit të bashkive nga 61 në 100 dhe organizimin e vendit në gjashtë rajone, në kuadër të një varianti të ri për reformën administrativo-territoriale.

Sipas propozimit, harta aktuale e miratuar në vitin 2014 do të zgjerohej me 39 bashki të reja.

Një pjesë e njësive administrative që sot funksionojnë brenda bashkive të mëdha do të riktheheshin si bashki më vete, ndërsa disa bashki ekzistuese do të riorganizoheshin ose do të ndaheshin në njësi më të vogla.

Ndarja e propozuar parashikon gjashtë rajone: Shkodër–Lezhë, Dibër–Kukës, Tiranë–Durrës, Elbasan–Korçë, Fier–Berat dhe Vlorë–Gjirokastër.

Varianti i PD-së synon të zhbëjë një pjesë të bashkimeve të realizuara me reformën territoriale të vitit 2014, duke rikthyer si bashki më vete ish-komuna ose qendra urbane që sot janë njësi administrative.

Ndryshimi më i madh do të ndodhte në qarqet Fier, Tiranë dhe Lezhë, ku parashikohet shtimi i përbashkët i 16 bashkive. Në të kundërt, Qarku i Gjirokastrës do të mbetej me të njëjtin numër bashkish.

Dje Partia Socialiste në propozimin e saj pati në themel reduktimin e mëtejshëm të numrit te bashkive nga 61 në 46.

Tirana dhe Durrësi me 15 bashki

Rajoni Tiranë–Durrës do të përbëhej nga 15 bashki, nga tetë që ka aktualisht, duke shtuar shtatë njësi të reja.

Në Qarkun e Tiranës, numri i bashkive propozohet të dyfishohet, nga pesë në dhjetë. Krahas Tiranës, Kamzës, Vorës, Kavajës dhe Rrogozhinës, propozohen si bashki më vete Petrela, Kashari, Dajti, Arbana dhe Ndroqi.

Tirana, sipas variantit të PD-së, do të kufizohej vetëm në territorin e njësisë aktuale të Tiranës, ndërsa njësitë periferike do të organizoheshin në bashki të veçanta.

Kashari do të ishte bashki më vete, ndërsa Dajti do të përfshinte edhe Shëngjergjin dhe Zall-Bastarin.

Në Qarkun e Durrësit, numri i bashkive do të rritej nga tre në pesë. Përveç Durrësit, Shijakut dhe Krujës, propozimi parashikon bashkitë e Sukthit dhe Fushë-Krujës.

Shkodër–Lezhë, dyfishim i numrit të bashkive

Rajoni Shkodër–Lezhë do të kishte 16 bashki, nga tetë që përfshin territori aktualisht.

Në Qarkun e Shkodrës propozohet rritja e numrit të bashkive nga pesë në tetë, me krijimin e bashkive të Velipojës, Drivastitdhe Koplikut. Bashkia e propozuar e Drivastit do të përfshinte Rrethinat, Postribën, Pultin, Shalën dhe Shoshin.

Ndryshimi më i madh në këtë rajon parashikohet në Qarkun e Lezhës, ku numri i bashkive do të rritej nga tre në tetë. Krahas Lezhës, Mirditës dhe Kurbinit, propozohen bashkitë Bregu i Matës, Zadrima, Orosh, Rubik dhe Mamurras.

Dibër–Kukës me 13 bashki

Rajoni Dibër–Kukës propozohet të ketë 13 bashki, nga shtatë aktualisht.

Qarku i Kukësit do të kalonte nga tre në pesë bashki, me krijimin e Shishtavecit dhe Bicajt si bashki më vete.

Qarku i Dibrës do të dyfishonte numrin e bashkive, nga katër në tetë, përmes krijimit të bashkive Maqellarë, Shupenzë, Kastriot dhe Lurë. Bashkia e propozuar e Kastriotit do të përfshinte, ndër të tjera, Kastriotin, Fushë-Çidhnën, Sllovën, Kalanë e Dodës, Muhurrin dhe Selishtën.

Elbasan–Korçë me 19 bashki

Rajoni Elbasan–Korçë do të kishte 19 bashki, nga 13 aktualisht.Në Qarkun e Elbasanit do të shtoheshin bashkitë Bradashesh dhe Shpat, duke e çuar numrin e përgjithshëm nga shtatë në nëntë.

Në Qarkun e Korçës numri i bashkive propozohet të rritet nga gjashtë në dhjetë. Krahas bashkive aktuale, do të krijoheshin bashkitë Voskopojë, Pojan, Leskovik dhe Mokër.

Propozimi parashikon gjithashtu që Bashkia Kolonjë të emërtohet Ersekë, ndërsa Leskoviku të ndahet si bashki më vete.

Fier–Berat, tetë bashki të reja

Rajoni Fier–Berat do të përfshinte 19 bashki, nga 11 që ka aktualisht, duke shënuar një nga zgjerimet më të mëdha të hartës së propozuar.

Në Qarkun e Fierit, numri i bashkive do të dyfishohej nga gjashtë në 12. Ndër njësitë e reja të propozuara janë Ardenica, Krutja, Dushku, Fratari, Levani dhe Cakrani.

Territori i Bashkisë Mallakastër do të ndahej ndërmjet dy bashkive. Njëra do të mbante emrin Mallakastër dhe do të përfshinte Ballshin, Qendrën, Ngraçanin dhe Aranitasin, ndërsa bashkia tjetër do të kishte qendër Fratarin.

Në Qarkun e Beratit do të shtoheshin bashkitë Otllak dhe Shpirag, duke e çuar numrin e bashkive nga pesë në shtatë.

Vlora me katër bashki të reja, Gjirokastra mbetet e pandryshuar

Rajoni Vlorë–Gjirokastër do të kishte 18 bashki, nga 14 aktualisht.

Të katër bashkitë e reja do të krijoheshin në Qarkun e Vlorës, ku numri i njësive vendore do të rritej nga shtatë në 11. Propozimi përfshin bashkitë Orikum, Amantia, Ksamil dhe Novoselë.

Bashkia e Himarës, sipas variantit të propozuar, do të përfshinte Himarën dhe Lukovën, ndërsa Orikumi do të funksiononte si bashki më vete. Amantia do të krijohej nga njësitë Kotë, Brataj, Sevaster dhe Vranisht.

Qarku i Gjirokastrës është i vetmi ku nuk propozohet rritje e numrit të bashkive. Ai do të vazhdonte të kishte shtatë njësi vendore: Gjirokastër, Libohovë, Dropull, Memaliaj, Tepelenë, Këlcyrë dhe Përmet.

The post PD propozon hartë të re territoriale me 100 bashki dhe 6 rajone appeared first on Revista Monitor.

KLSH: Vendi, pa mekanizma funksionalë për matjen e progresit kundër varfërisë

31 July 2026 at 14:30

Vendi nuk ka siguruar harmonizim, koordinim dhe monitorim efektiv të politikave për përmbushjen e objektivit të Kombeve të Bashkuara për zhdukjen e varfërisë deri në vitin 2030, sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Auditimi i performancës, i cili mbulon periudhën 2022-2024, shqyrtoi politikat e ministrive përgjegjëse, agjencive qendrore, Institutit të Statistikave dhe bashkive Durrës e Elbasan.

“Harmonizimi i Objektivit 1 të OZHQ-ve — Zhdukja e varfërisë në të gjitha format — me strategjitë dhe programet kombëtare rezulton i paplotë,” thuhet në raport. KLSH e lidh këtë përfundim me mungesën e një Kornize Kombëtare të Indikatorëve, mungesën e lidhjeve të matshme mes dokumenteve strategjike dhe politikave, si dhe me faktin se Udhërrëfyesi për arritjen e objektivave ende nuk është miratuar.

Sipas auditimit, “mekanizmat e koordinimit ndërinstitucional për mbledhjen e të dhënave, monitorimin dhe raportimin e progresit të OZHQ 1 nuk kanë funksionuar.” Pjesa më e madhe e institucioneve qendrore dhe vendore nuk kanë struktura ose persona përgjegjës të caktuar për ndjekjen e objektivave, ndërsa bashkitë nuk i përdorin të dhënat për ndihmën ekonomike dhe shërbimet sociale për të analizuar progresin kundër varfërisë.

Sistemi Informatik i Planifikimit të Integruar, i cili duhet të lidhte politikat, planifikimin strategjik, buxhetimin dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, nuk funksionon.

Në komentet e përfshira në raport, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës pranoi se platforma është jashtë funksionit dhe tha se po bashkëpunon me Ministrinë e Financave për adresimin e problemeve dhe përditësimin e saj.

KLSH e cilësoi zbatimin e masave për arritjen e objektivit si “pjesërisht efektiv”, duke evidentuar se më shumë se 40% e popullsisë është në rrezik varfërie ose përjashtimi social dhe se buxheti për mbrojtjen sociale është ndjeshëm më i ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian.

Raporti citon gjithashtu të dhënat e INSTAT, sipas të cilave treguesi i rrezikut për të qenë i varfër ishte 19.2% në vitin 2024. KLSH vëren se fëmijët dhe të moshuarit mbeten ndër grupet më të ekspozuara, ndërsa pabarazitë mes zonave urbane dhe rurale kufizojnë qasjen në arsim, kujdes shëndetësor dhe shërbime sociale.

Financimi i lidhur me Objektivin 1 u rrit nga rreth 60 miliardë lekë në vitin 2016 në 80 miliardë lekë në vitin 2020 dhe rreth 100 miliardë lekë në vitin 2024. Nga ana tjetwr, raporti thotë se kontributet nga donatorët dhe burimet e tjera nuk janë ende të detajuara plotësisht, ndërsa mungesa e sistemeve funksionale vështirëson lidhjen e shpenzimeve me rezultatet e arritura.

KLSH rekomandoi ngritjen dhe formalizimin, brenda vitit 2026, të strukturave ose pikave të kontaktit përgjegjëse për monitorimin dhe raportimin e objektivit në institucionet qendrore dhe vendore. Audituesi kërkoi gjithashtu rikthimin në funksion të sistemit të planifikimit të integruar dhe përfshirjen e gjetjeve të raportit në mbledhjen e ardhshme të Komitetit Ndërministror për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

“Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të siguruar progres të qartë, të matshëm dhe të qëndrueshëm” drejt zhdukjes së varfërisë në të gjitha format deri në vitin 2030, përfundon raporti.

The post KLSH: Vendi, pa mekanizma funksionalë për matjen e progresit kundër varfërisë appeared first on Revista Monitor.

Raporti: Lejet mjedisore me dokumente të paplota, pak kontrolle në terren

31 July 2026 at 14:00

Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka shqyrtuar kërkesa për leje mjedisore pa garantuar verifikimin e plotë të dokumentacionit të paraqitur nga subjektet, sipas një auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

KLSH tha se mangësitë në dokumentacion dhe në kontrollin e tij nga strukturat përgjegjëse krijojnë rrezikun që vendimet për aktivitetet me ndikim në mjedis të mbështeten në të dhëna të paplota ose të pasakta.

“Procesi i shqyrtimit dhe miratimit të lejeve mjedisore nuk ka garantuar verifikim të plotë dhe të mjaftueshëm të dokumentacionit të paraqitur nga subjektet,” thuhet në raport. Sipas audituesve, kjo ka sjellë “vendimmarrje të bazuar në informacion të paplotë ose jo të verifikuar”.

Auditimi mbuloi veprimtarinë e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për periudhën 2023-2025 dhe të katër Agjencive Rajonale të Mjedisit në Tiranë, Berat, Lezhë dhe Fier për periudhën 2021-2025.

KLSH konstatoi se databazat e lejeve mjedisore nuk ishin të unifikuara dhe përmbanin të dhëna të papërditësuara, të mbivendosura ose të pasakta. Kjo e vështirëson identifikimin e lejeve aktive dhe kontrollin e subjekteve që zhvillojnë veprimtari me ndikim në mjedis.

“Databazat e lejeve mjedisore nuk janë të unifikuara dhe përmbajnë të dhëna të papërditësuara dhe të mbivendosura,” thuhet në raport. KLSH vlerëson se kjo “dobëson administrimin dhe kontrollin e aktiviteteve me ndikim në mjedis”.

Mangësi u evidentuan edhe në administrimin e raporteve të vetëmonitorimit, dokumente që subjektet me leje duhet të dorëzojnë për të treguar respektimin e kushteve mjedisore. Sipas auditimit, këto raporte nuk regjistroheshin dhe nuk ndiqeshin në mënyrë të standardizuar, duke kufizuar mundësinë për të identifikuar subjektet me risk dhe për të planifikuar kontrollet.

“Administrimi i raporteve të vetëmonitorimit nuk është i standardizuar dhe kryhet në mënyrë të fragmentuar,” thuhet në raport. Kjo, sipas KLSH-së, dobëson gjurmueshmërinë dhe planifikimin e inspektimeve.

Probleme u konstatuan edhe në procedurat e vlerësimit të ndikimit në mjedis, të cilat paraprijnë miratimin e projekteve që mund të shkaktojnë ndotje ose dëmtime të tjera.

KLSH tha se institucionet e përfshira nuk jepnin gjithmonë mendimet e kërkuara, ndërsa verifikimet në terren ishin të pakta dhe pjesëmarrja në konsultimet publike ishte e ulët.

“Procesi i VNM dhe Deklaratave Mjedisore karakterizohet nga mungesë mendimesh nga institucionet, verifikime të pakta në terren dhe pjesëmarrje e ulët në konsultime publike,” thuhet në raport. “Si pasojë, vendimmarrja mbetet shpesh formale dhe jo e bazuar në vlerësim të plotë.”

Auditimi evidentoi gjithashtu dobësi në regjistrat e licencave për veprimtaritë e menaxhimit dhe transferimit të mbetjeve. Regjistrat rezultuan të pasaktë dhe të pastrukturuar, me kode të përsëritura dhe mospërputhje në identifikimin e subjekteve.

Sipas KLSH-së, raportimi i transfertave të mbetjeve ishte i ulët dhe rastet e mungesës së raportimit nuk ndiqeshin rregullisht me inspektime. Kjo kufizon gjurmimin e destinacionit të mbetjeve dhe kontrollin mbi respektimin e kushteve të licencave.

“Raportimi i transfertave të mbetjeve nga subjektet është i ulët dhe nuk shoqërohet me inspektime apo ndjekje nga AKM,” thuhet në raport. Kjo “dobëson ndjeshëm monitorimin, gjurmueshmërinë dhe zbatimin e detyrimeve ligjore”.

KLSH rekomandoi që AKM të krijojë një databazë të vetme për lejet mjedisore të tipit A dhe B dhe të verifikojë plotësisht dokumentacionin para se aplikimet të kalojnë për vendimmarrje.

Audituesit kërkuan gjithashtu më shumë verifikime në terren, ndjekje të subjekteve që nuk dorëzojnë raportet e vetëmonitorimit dhe rishikim të regjistrave të licencave të mbetjeve për të eliminuar dublikimet dhe pasaktësitë.

Sipas raportit, AKM duhet të sigurojë që vendimet për lejet dhe vlerësimet mjedisore të mbështeten “në fakte praktike dhe jo vetëm në referenca ligjore”

 

The post Raporti: Lejet mjedisore me dokumente të paplota, pak kontrolle në terren appeared first on Revista Monitor.

Shqipëria mbetet me pagën minimale më të ulët në Europë, edhe pas rritjes në 50 mijë lekë

31 July 2026 at 13:47

Shqipëria vijon të mbetet vendi me pagën minimale më të ulët në Europë, edhe pas hyrjes në fuqi të pagës minimale prej 50 mijë lekësh bruto. Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat-it, paga minimale në Shqipëri është 517 euro në muaj, niveli më i ulët mes vendeve europiane që kanë një pagë minimale kombëtare.

Statistikat e Eurostat-it tregojnë se, më 1 janar 2026, paga minimale në vendet e Bashkimit Europian varionte nga 620 euro në Bullgari deri në 2 704 euro në Luksemburg. Edhe pse Bullgaria mbetet vendi me pagën minimale më të ulët në BE, niveli i saj është tashmë 103 euro më i lartë se ai i Shqipërisë.

Në rajon, Shqipëria renditet sërish e fundit. Turqia ka një pagë minimale prej 654 eurosh, Maqedonia e Veriut 586 eurosh, Serbia 744 eurosh, ndërsa Mali i Zi 670 eurosh. Kjo do të thotë se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që raportohen nga Eurostat-i kanë tashmë paga minimale më të larta se Shqipëria.

Rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë, nga 1 janari 2026, e çoi vlerën e saj në 517 euro, falë edhe kursit të këmbimit të lekut me euron. Por kjo nuk e ka ndryshuar pozicionin e Shqipërisë në renditjen europiane, pasi vendet e rajonit i kanë rritur me ritme më të shpejta pagat minimale gjatë viteve të fundit.

Sipas Eurostat-it, krahasimi i pagave minimale në euro nuk e pasqyron plotësisht standardin e jetesës, pasi ai ndikohet edhe nga ndryshimet në koston e jetesës dhe fuqinë blerëse. Megjithatë, edhe në këtë tregues, Shqipëria mbetet ndër vendet me nivelin më të ulët të të ardhurave në kontinent.

Edhe pse paga minimale në vend është rritur ndër vite, zhvlerësimi i euros kundrejt lekut ka bërë që vlera e saj në monedhën europiane të mos përmirësohet ndjeshëm. Për më tepër, ekspertët theksojnë se krahasimi nominal nuk e pasqyron plotësisht standardin e jetesës, pasi fuqia blerëse e pagës minimale në Shqipëri mbetet ndër më të ulëtat në kontinent.

 

The post Shqipëria mbetet me pagën minimale më të ulët në Europë, edhe pas rritjes në 50 mijë lekë appeared first on Revista Monitor.

Credins bank, 23 vite evoluim!

3 August 2026 at 11:00

Nga Monika Milo, zv. Drejtore e Përgjithshme e Credins Bank

Vlerësimi i fundit i Credins bank, me çmimin “Best Bank for Corporate Responsibility 2026” nga Euromoney, autoriteti më prestigjoz i industrisë financiare globale, përfaqësoi një tjetër moment të rëndësishëm në rrugëtimin 23 vjeçar të bankës dhe një rikonfirmim të një anagazhimi të ndërtuar ndërvite për të krijuar vlera të qëndrueshme si për klientet tanë njeherazi edhe për komunitetin dhe shoqërinë në vend. Ky vlerësim që e pozicionoi Credins si bankën e parë në Shqipëri për kontributin më të mirë në përgjegjësinë korporative, nuk është thjesht një arritje institucionale, por një dëshmi se ndikimi ynë afatgjatë është ndërtuar përmes një vizioni të qartë dhe ambicioz në të gjithë modelin e biznesit.

Në këtë kontekst, lind natyrshëm pyetja se cfarë e përcakton realisht suksesin e një institucioni financiar në ditët e sotme? Performanca financiare në rritje, është një nga elementet themelore dhe ambicioze për çdo institucion, por në një realitet të karakterizuar nga ritme të larta zhvillimi dhe kërkesash në evoluim të vazhdueshëm të shoqërisë në tërësi, kjo nuk mjafton për të përcaktuar suksesin e një korporate. Diferenca krijohet nga aftësia apo gjetja e mekanizmave për të ndërtuar jo vetëm një vlerë të qëndrueshme por per te gjeneruar ndikim të matshëm në zhvillimin e shoqërisë. Ky transformim kërkon një rishikim të mënyrës se si institucionet konceptojnë rolin e tyre, duke kaluar nga modele tradicionale drejtimi drejt aftësive të reja që integrojnë gjithmonë e më shumë fleksibilitetin, inovacionin, kapacitetin për reagim të shpejtë ndaj ndryshimeve. Në këtë kuadër, institucionet që janë faktor dominues në ekonominë e një vendi mbartin njëherazi një përgjegjësi më të madhe dhe më impenjative, që shkon përtej funksionit të tyre tradicional. Kjo përgjegjësi materializohet në përfshirjen e angazhimeve sociale si pjesë tashmë thelbësore e modelit të zhvillimit, duke e kthyer ndikimin në komunitet në një standard jo thjesht të qëndrueshëm, por edhe të strukturuar mbi një strategji afatgjatë të institucionit.

Në këtë aspekt në vitin e 23-të të Credins bank, sfida jonë ka qenë të riformatojmë mënyrën e angazhimit, duke e drejtuar atë drejt një ndikimi më të strukturuar, më të prekshëm dhe më të orientuar drejt progresit të shoqërisë. Angazhimi ynë nuk është fokusuar më vetëm në pjesëmarrje apo mbështetje të eventeve, por në ndërtimin e iniciativave që krijojnë vlerë të vazhdueshme. Me këtë dua të theksoj se orientimi ynë ka qenë edhe më selektiv, më i kuruar duke u orientuar drejt atyre iniciativave që krijojnë ndikim sa afatgjatë, aq edhe impakt të fortë e zhvillues. Paralelisht, kemi forcuar bashkëpunimet tona strategjike si me partnerët tanë kombëtarë, ashtu edhe me ata ndërkombëtarë, duke marrë kështu nga përvoja e tyre. Jemi përpjekur të sjellim frymën e modeleve të ndryshme të përgjegjësisë sociale nga vendet e zhvilluara europiane. Kjo strategji e re ka sjellë një transformim në mënyrën sesi e konceptojmë përgjegjësinë tonë korporative. Credins bank vijon të ndërtojë një model angazhimi që nuk synon vetëm prezencë, por edhe ndikim konsistent dhe real në çdo kohë.

E gjitha kjo vjen se i gjithë angazhimi ynë nuk përkufizohet nga një formulë apo aksiomë e vetme veprimi. Ajo materializohet në mënyrë të integruar në të gjithë ekosistemin tonë. Reflektohet në një sërë dimensionesh, që nga mënyra sesi konceptohen/dizenjohen produktet & shërbimet, tek vazhdimësia e fushatave shpërblyese, pjesëmarrja në evente & iniciativa me karakter social, e deri te mekanizmat që nxisin përfshirjen aktive të stafit, komunitetit, partnerëve, organizatave vendase dhe huaja, instancave shtetërore, duke u materializuar përmes programeve të dedikuara, kontributeve & dhurimeve, etj, të gjitha të integruara në një logjikë të unifikuar që synon të shumëfishojë ndikimin tonë. Në thelb për ne e gjithë kjo qasje strategjike përfaqëson një zhvendosje nga veprime të fragmentuara apo sporadike drejt një modeli konsistent, ku çdo iniciativë ndërtohet mbi ndikime pozitive që janë në koherencë edhe me vlerat tona si institucion. Kontributi ynë nuk është matur vetëm me numrin e aktiviteteve, edhe pse vazhdojmë të jemi shumë aktivë me mbi 170 aktivitete për vitin që lamë pas, por mbi të gjitha me vlerën që ato gjenerojnë në çdo kohë. Ajo që dua të shpreh është se jemi përpjekur të kemi iniciativa të strukturuara qartë duke bërë klasifikime sipas target-grupeve, fushave dhe kategorive të ndryshme, ku Credins mund të operojë. Kështu përgjatë vitit 2025, Credins përmes angazhimit social u fokusua në kontributin e disa shtyllave kryesore si:

Zhvillimi Ekonomik: Duke mbështetur sipërmarrjen dhe punësimin përmes produkteve financiare të aksesueshme dhe proceseve të thjeshtuara, si dhe zgjerim të vazhdueshëm të aksesit në financë si për individë ashtu edhe për biznese, duke kontribuar në këtë aspekt edhe në reduktimin e varfërisë.

Zhvillimi Social & Kulturor: Investime të ndryshme në arsim, shëndetësi, kulturë dhe projekte komunitare, në partneritet me organizata ndërkombëtare dhe vendase që sjellin ndikim afatgjatë për çdo target-grup.

Barazia & Gjithëpërfshirja: Nismat për fuqizimin e grave, luftën kundër diskriminimit dhe mbështetjen e grupeve vulnerabël, edhe këtë vit kanë qenë në fokusin tonë.

Kapitali Njerëzor: Fokusi ynë i vazhdueshëm në zhvillimin profesional dhe mirëqenien e punonjësve, për një mjedis pune etik dhe gjithëpërfshirës përmes trajnimeve, orëve fleksibël verore, shpërblimeve etj, ashtu si çdo vit ishin në prioritet tona si bankë.

Investimet Mjedisore: Përmes mbështetjeve të ndryshme, që nga promovimi mbi përdorimin e produkteve & shërbimeve digjitale bankare, investime në produktet “green” si dhe praktika që reduktojnë ndotjen e mjedisit dhe e pasurojnë me parqe/mbjellje pemësh, etj, ishin në axhendën tonë të përgjegjësisë sociale edhe për këtë vit.

Përmes kësaj filozofie dhe mënyrës sesi ne kemi implementuar të gjitha këto projekte, Credins ka arritur të pozicionohet tashmë si një markë me identitet të fortë dhe me një rol të qartë në zhvillimin e shoqërisë në 23 vite. Një rol që nuk mbështetet vetëm në kontribut financiar, por në aftësinë për të ndikuar, për të krijuar modele të qëndrueshme që i rezistojnë kohës duke sjellë praktika që i përgjigjen standardeve të vendeve të zhvilluara.

Aspirata për të mbajtur këtë nivel nuk lidhet me ruajtjen e status quo-së, por me vendosjen e një pritshmërie gjithnjë e më të lartë për mënyrën se si operojmë dhe ndikojmë në komunitet, duke e trajtuar këtë si një proçes të vazhdueshëm që i paraprin zhvillimit. Për Credins, kjo përkthehet në aftësinë për të evoluar me kohën dhe për të krijuar vlerë që ruan peshën dhe relevancën e saj në një mjedis në ndryshim të vazhdueshëm. Lidershipi ynë, si një korporatë që ka krijuar një impakt të padiskutueshëm ndër vite në komunitet, qëndron në aftësinë për të ridimensionuar vazhdimisht veten dhe për të ndërtuar versionin tonë më të mirë, në përputhje me dinamikat në zhvillim. Ambicia jonë është të materializojmë misionin dhe vizionin tonë në çdo hap të veprimtarisë/aktivitetit tonë, duke ndërtuar kështu një institucion që di t’i japë formë progresit dhe transformimit të shoqërisë.

The post Credins bank, 23 vite evoluim! appeared first on Revista Monitor.

Dhjetë bashki mbledhin nga tarifa e pastrimit më shumë se sa shpenzojnë për mbetjet

31 July 2026 at 13:00

Dhjetë bashki në vend kanë mbledhur gjatë vitit 2024 më shumë të ardhura nga tarifa e pastrimit sesa kanë shpenzuar në total për ofrimin e shërbimit të menaxhimit të mbetjeve. Gjetja është evidentuar në raportin “Sistemi i Matjes së Performancës të Bashkive 2024”, të përgatitur nga Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore.

Bashkitë ku të ardhurat nga tarifat e pastrimit tejkalojnë kostot e shërbimit mbi 100% janë Tirana, Bulqiza, Korça, Elbasani, Fieri, Klosi, Kukësi, Tropoja, Vlora dhe Vau i Dejës. Sipas raportit, në këto bashki të ardhurat e siguruara nga tarifa nuk përdoren vetëm për përmirësimin dhe financimin e pastrimit, por shërbejnë edhe për të mbuluar shpenzime të tjera të buxhetit të përgjithshëm vendor.

Në shkallë vendi, të ardhurat nga tarifa e pastrimit mbuloi mesatarisht 83% të kostos së menaxhimit të mbetjeve në vitin 2024, teksa  në shumicën e bashkive, shërbimi vijon të subvencionohet edhe nga burime të tjera të buxhetit vendor.

Teksa dhjetë bashkitë e evidentuara mbledhin më shumë sesa shpenzojnë, bashkitë më të vogla arrijnë të mbulojnë nga tarifa mesatarisht vetëm rreth gjysmën e kostos së shërbimit.

Të dhënat tregojnë se menaxhimi i një ton mbetjesh kushtoi mesatarisht 8,600 lekë në vitin 2024. Sipas raportit, kostoja për ton ra me rreth 2.5% në krahasim me një vit më parë, ndërsa grumbullimi i të ardhurave nga tarifa u përmirësua me 14.7 pikë përqindje.

Gjatë vitit 2024, bashkitë menaxhuan gjithsej rreth 855 mijë tonë mbetje, nga 835 mijë tonë një vit më parë, me një rritje prej rreth 2%. Sasia më e madhe e mbetjeve u ndikua edhe nga flukset turistike, veçanërisht gjatë sezonit të verës.

Megjithatë, raporti tregon se vetëm 28 bashki, ose rreth 46% e totalit, e ofrojnë shërbimin e menaxhimit të mbetjeve mbi bazën e planeve vendore të miratuara.

Mungesa e planeve në më shumë se gjysmën e bashkive e bën më të vështirë vlerësimin e saktë të kostove, përcaktimin e tarifave dhe kontrollin se sa nga të ardhurat e mbledhura rikthehen realisht në shërbim.

Raporti evidenton nevojën që bashkitë të publikojnë më qartë mënyrën se si llogaritet tarifa e pastrimit, koston reale të shërbimit dhe destinacionin e të ardhurave të mbledhura.

Në rastet kur tarifa sjell më shumë të ardhura se shpenzimet, bashkitë duhet të argumentojnë nëse diferenca do të përdoret për investime në pajisje, kosha, automjete, ndarje të mbetjeve apo zgjerim të shërbimit në zonat rurale.

The post Dhjetë bashki mbledhin nga tarifa e pastrimit më shumë se sa shpenzojnë për mbetjet appeared first on Revista Monitor.

Hidroenergjia mbajti eksportet shqiptare të energjisë jashtë kostos së karbonit të BE-së

31 July 2026 at 12:00

Energjia elektrike e eksportuar nga Shqipëria në Bashkimin Europian nuk mbart kosto nga mekanizmi europian i karbonit në kufi. Raporti tremujor i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë i cakton vendit një faktor të paracaktuar emisionesh zero.

Sipas raportit për tremujorin e dytë të vitit 2026, energjia me origjinë nga Shqipëria ka një vlerë të paracaktuar prej 0 ton CO₂ për MWh dhe një kosto përkatëse prej 0 euro për çdo MWh të importuar në BE.

Në vendet e tjera të rajonit, kostot e llogaritura variojnë nga 66.773 euro për MWh për Maqedoninë e Veriut deri në 86.421 euro për MWh për Bosnjë-Hercegovinën.

Raporti e lidh faktorin zero me strukturën e prodhimit shqiptar, duke thënë se “Shqipëria, me 0.90 TWh, mbeti pothuajse tërësisht e bazuar në hidroenergji.”

Prodhimi i raportuar u rrit me 66% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Dokumenti paralajmëron se kjo përqindje “duhet të lexohet me kujdes”, pasi vjen nga një bazë e vogël absolute dhe të dhënat për Shqipërinë janë të disponueshme vetëm deri më 22 qershor.

Avantazhi i kostos u reflektua në tregtinë me Greqinë. Diferenca mesatare e çmimeve Shqipëri–Greqi u ngushtua në −1.6 euro për MWh, nga −10.6 euro në tremujorin e parë, ndërsa eksportet nga Shqipëria drejt Greqisë u rritën rreth 3% krahasuar me një vit më parë.

“Kjo është në përputhje me pozicionin eksportues të Shqipërisë, të bazuar në hidroenergji, dhe me faktorin e saj të paracaktuar zero të CBAM-it, i cili i mban eksportet konkurruese edhe kur diferenca e çmimeve është e ngushtë” thuhet në raport.

Eksportet e programuara drejt Greqisë arritën në 196 GWh në tremujorin e dytë, duke u kthyer në nivele të zakonshme pas rritjes së nxitur nga prodhimi i lartë hidroenergjetik në fillim të vitit. Në tremujorin e parë, ato kishin arritur në 569 GWh, pothuajse trefishi i nivelit të një viti më parë.

Raporti nënvizon se normalizimi në tremujorin e dytë tregon se rritja e fillimvitit ishte “një episod i nxitur nga hidroenergjia dhe jo një ndryshim i qëndrueshëm në modelet e tregtimit”. Ai shton se statusi i korridorit me faktor zero mund të rifitojë rëndësi në periudha të ardhshme me tepricë hidroenergjetike.

Shqipëria regjistroi gjithashtu çmimin mesatar më të ulët ndër tregjet e analizuara gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, në 86.3 euro për MWh. Kjo krahasohet me 93.5 euro në Greqi, 118.3 euro në Hungari dhe 125.5 euro në Itali.

The post Hidroenergjia mbajti eksportet shqiptare të energjisë jashtë kostos së karbonit të BE-së appeared first on Revista Monitor.

Destinacionet ku çiftet kanë më pak gjasa të ndahen, sipas një analize të re

31 July 2026 at 11:06

Këto janë vendet që nxisin relaksin dhe romancën, në vend të stresit dhe mbingarkesës.

 

Të udhëtosh në çift është një mënyrë e shpejtë për të testuar forcën e marrëdhënies. Në fund të pushimeve, ose ktheheni me shumë kujtime të reja dhe një lidhje më të fortë, ose niseni drejt shtëpisë duke vënë në dyshim të ardhmen e marrëdhënies.

Një analizë e re nga Pour Moi ka identifikuar destinacionet që premtojnë pushime romantike, të paharrueshme dhe me sa më pak konflikte. Marka bashkëpunoi me terapisten e marrëdhënieve dhe seksologen Georgina Vass, duke analizuar 100 destinacione në më shumë se 40 vende.

Sipas analizës, këto janë pesë destinacionet kryesore ku çiftet kanë më pak gjasa të konfliktohen gjatë pushimeve:

1. Liqeni Garda, Itali

Liqeni Garda në Itali u rendit në vendin e parë, me 90 pikë nga 100. Sipas analizës, zona spikat për rehati dhe relaks, falë numrit të lartë të hoteleve me katër ose më shumë yje. Atmosfera e qetë dhe romantike u jep çifteve mundësinë të ngadalësojnë ritmin dhe të rilidhen me njëri-tjetrin.

2. Bled, Slloveni

Bled në Slloveni u rendit në vendin e dytë, me 73.55 pikë nga 100. Destinacioni spikati veçanërisht për sigurinë, duke marrë vlerësimin më të lartë në këtë kategori. Ai u rendit mirë edhe për qetësinë dhe aventurën, një kombinim ideal për pushime në çift me më pak stres dhe konflikte.

3. Essaouira, Marok

Në vendin e tretë renditet Essaouira në Marok, me 69.95 pikë nga 100. Destinacioni u vlerësua për atmosferën e qetë, çmimet e përballueshme dhe aktivitetet e shumta që mund të bëhen në këmbë.

Kostoja e ulët është veçanërisht e rëndësishme, pasi stresi financiar shpesh shkakton tensione dhe debate gjatë udhëtimeve. Essaouira ofron ushqim të freskët, kulturë dhe përvoja kuptimplota, pa kërkuar një buxhet të lartë.

4. Giethoorn, Holandë

I njohur si “Venecia holandeze”, Giethoorn u rendit në vendin e katërt me një rezultat prej 69,12 pikësh. Fshati dallohet për organizimin e tij tërheqës pa makina, gjë që ndihmon në shmangien e kaosit dhe mbingarkesës shqisore gjatë eksplorimit. Në vend të rrugëve me automjete, ai ofron kanale, shtigje për këmbësorë dhe një ritëm më të ngadaltë jetese, që krijon më shumë hapësirë për romancë dhe rilidhje emocionale.

5. Kotor, Mali i Zi

Kotori renditet në vendin e pestë, me një rezultat të përgjithshëm prej 68,46 pikësh. Studimi vuri në dukje se qyteti i vjetër kompakt, pamjet nga bregdeti, shtigjet për ecje dhe çmimet e përballueshme e bëjnë këtë destinacion më të lehtë për t’u eksploruar në çift, pa stresin logjistik që mund të shoqërojë vizitat në qytete më të mëdha./ Forbes

The post Destinacionet ku çiftet kanë më pak gjasa të ndahen, sipas një analize të re appeared first on Revista Monitor.

Si t’i pranojnë kërkesat tuaja në LinkedIn? Përdorni këto 10 modele mesazhesh

31 July 2026 at 11:05

Nga Aja Frost

“Nuk mjafton më mesazhi standard: ‘Do të doja t’ju shtoja në rrjetin tim profesional në LinkedIn.’

Këtë mëngjes, kur hapa LinkedIn-in, më prisnin nëntë kërkesa të reja për lidhje. Disa ishin nga rekrutues, disa nga njerëz që nuk i njihja fare, disa nga kolegë të profesionit dhe disa nga ish-shokë universiteti. Megjithatë, të gjitha kishin të njëjtin mesazh:

“Do të doja t’ju shtoja në rrjetin tim profesional në LinkedIn.”

Është e habitshme që kaq pak njerëz personalizojnë ftesat e tyre. Megjithëse LinkedIn lejon vetëm rreth 300 karaktere, ato mund të bëjnë një ndryshim të madh.

Nëse po lidheni me dikë që e njihni mirë, është një mundësi për të forcuar marrëdhënien. Nëse e njihni pak, mund t’i kujtoni se ku jeni takuar. Ndërsa nëse nuk e njihni fare, ky është i vetmi shans për ta bindur që ta pranojë kërkesën tuaj.

Nëse problemi juaj nuk është mungesa e dëshirës për të shkruar një mesazh, por mungesa e ideve, më poshtë gjeni 10 modele që mund t’i përshtatni sipas situatës.

  1. Për një koleg aktual

Të gjithëve u pëlqen kur puna e tyre vlerësohet. Kur dërgoni një kërkesë për lidhje një kolegu, përmendni një projekt ku ka spikatur, një aftësi apo një arritje të tij. Një kompliment i sinqertë mund të forcojë marrëdhënien profesionale dhe madje ta nxisë edhe atë t’ju rekomandojë ose të konfirmojë aftësitë tuaja në LinkedIn.

Shembull:

“Përshëndetje Mariah,

Edhe pse nuk kemi punuar drejtpërdrejt bashkë, kam dëgjuar shumë fjalë të mira për mënyrën si menaxhoni shitjet dhe klientët e vështirë. Shpresoj që një ditë të kemi mundësi të bashkëpunojmë. Deri atëherë, shihemi në zyrë!”

  1. Për një koleg të ri

Kur sapo keni nisur një punë të re, mbajeni tonin profesional. Tregoni entuziazëm për kompaninë dhe vlerësoni punën e personit me të cilin po lidheni.

Shembull:

“Jam shumë i lumtur që i jam bashkuar departamentit të zhvillimit të produkteve. Puna dhe inovacioni i ekipit tuaj ishte një nga arsyet pse zgjodha këtë kompani. Pres me padurim të kontribuoj.”

  1. Për një ish-koleg

Mos supozoni se të gjithë ju kujtojnë, sidomos nëse keni punuar në një kompani të madhe ose kanë kaluar shumë vite.

Përmendni kur dhe ku keni punuar bashkë dhe shtoni një kujtim pozitiv.

  1. Për dikë që e njihni sipërfaqësisht

Nëse është një mik i një miku ose dikush që e keni takuar disa herë, mos përdorni gjuhë tepër formale.

Një mesazh miqësor, por që lidhet me profesionin e tij, është zgjedhja më e mirë.

Shembull:

“Përshëndetje Joe,

Jam i lumtur që na prezantoi Aaroni. Herën tjetër që të takohemi do të doja të më tregoje më shumë për punën tënde te Pfizer. Industria e kujdesit shëndetësor më ka interesuar gjithmonë.”

  1. Për dikë që takuat në një aktivitet rrjetëzimi

Nëse biseduat vetëm pak minuta në një konferencë apo seminar, kujtojini menjëherë kush jeni.

Përmendni vendin ku u takuat dhe shpjegoni pse dëshironi të lidheni: për të mbajtur kontakt, për të shkëmbyer ide, për të bashkëpunuar apo thjesht për të ndjekur karrierën e tij.

  1. Për dikë që e admironi

Të dërgosh një kërkesë një personi që nuk të njeh është gjithmonë më e vështirë.

Prandaj, tregoni se e njihni punën e tij. Përmendni një projekt konkret ose një arritje që ju ka bërë përshtypje dhe shpjegoni pse po e kontaktoni.

Nëse dëshironi një këshillë karriere ose një bisedë informuese, thuajeni hapur.

Por mos kërkoni punë në mesazhin e parë.

  1. Për dikë në të njëjtin grup në LinkedIn

Nëse jeni pjesë e të njëjtit grup profesional, përdoreni këtë si pikënisje.

Përmendni një postim apo artikull që ju ka pëlqyer dhe shprehni dëshirën për të mësuar më shumë nga përvoja e tij.

  1. Për një rekrutues

Nëse po kontaktoni një rekrutues, është mirë të keni diçka të përbashkët: një lidhje të ndërsjellë, të njëjtin grup profesional ose të njëjtën organizatë.

Në mesazh prezantoni shkurt përvojën tuaj, tregoni se jeni në kërkim të mundësive të reja dhe pyesni nëse profili juaj mund të jetë i përshtatshëm për ndonjë pozicion.

  1. Për një ish-student të të njëjtit universitet

Alumni zakonisht janë më të gatshëm të ndihmojnë.

Përmendni universitetin, programin që po ndiqni ose keni ndjekur dhe shpjegoni pse jeni të interesuar për karrierën e tij.

Nëse do të jeni në të njëjtin qytet, mund të sugjeroni edhe një takim për kafe.

  1. Për dikë me të cilin dëshironi të bashkëpunoni

Ndoshta po kërkoni një dizajner grafik për një projekt, një programues me një aftësi specifike ose një koleg me të cilin të shkëmbeni ide.

Në këtë rast, jini të qartë që në fillim.

Shpjegoni çfarë bashkëpunimi kërkoni dhe pse mendoni se ai person është zgjedhja e duhur.

Nëse nuk është i interesuar, është më mirë ta dini menjëherë dhe të vazhdoni të kërkoni partnerin e duhur.

Personalizimi bën diferencën

Një kërkesë për lidhje në LinkedIn mund të zgjasë vetëm pak sekonda për t’u shkruar, por mund të përcaktojë nëse dikush do ta pranojë apo jo.

Në vend që të përdorni mesazhin standard të platformës, shtoni disa rreshta personalë. Përmendni si e njihni personin, çfarë ju ka bërë përshtypje nga puna e tij ose pse dëshironi të lidheni.

Në fund të fundit, një rrjet profesional nuk ndërtohet duke mbledhur sa më shumë kontakte, por duke krijuar lidhje që kanë vlerë për të dyja palët./ The Muse

 

 

The post Si t’i pranojnë kërkesat tuaja në LinkedIn? Përdorni këto 10 modele mesazhesh appeared first on Revista Monitor.

Spitalet rajonale nën kapacitet, 40% e shtrimeve përqendrohen në Tiranë

31 July 2026 at 11:00

Rrjeti spitalor shqiptar funksionon me nivele të ulëta shfrytëzimi, ndërsa një pjesë e madhe e aktivitetit është përqendruar në pak institucione, sipas raportit të Bankës Botërore për financimin dhe efikasitetin e sektorit të shëndetësisë.

Në vitin 2024, norma mesatare e zënies së shtretërve në spitalet publike ishte rreth 43%, pas një niveli prej 46% një vit më parë. Raporti e krahason këtë me një standard ndërkombëtar efikasiteti prej afërsisht 85%.

Të dhënat tregojnë se numri i shtretërve spitalorë arriti në 8,911 në vitin 2024, nga 8,586 në vitin 2019, edhe pse popullsia e vendit ka rënë. Gjatë së njëjtës periudhë, popullsia e raportuar në tabelën e Bankës Botërore ra nga 2.86 milionë në 2.36 milionë banorë.

Numri i personave të shtruar në spitale u rrit në 299,318 në vitin 2024, nga 282,962 në vitin 2019. Shtrimet për 1,000 banorë u rritën në 127, nga 99 në vitin 2019, ndërsa kohëzgjatja mesatare e qëndrimit në spital ra në 4.7 ditë.

Raporti vëren se spitalet shqiptare po pranojnë më shumë pacientë, ndryshe nga prirja e rënies së shtrimeve të vërejtur në rajonin evropian dhe në vendet e OECD-së.

Gjithsesi, shtretërit mbeten të zënë më pak se gjysmën e kohës, kryesisht për shkak të qëndrimeve më të shkurtra dhe përqendrimit të shërbimeve në një numër të kufizuar institucionesh.

Rreth 40% e të gjitha shtrimeve spitalore përqendrohen në një spital të vetëm terciar në Tiranë, ndërsa shumë spitale rajonale funksionojnë me vëllime të ulëta aktiviteti.

Shërbime të caktuara janë gjithashtu të përqendruara në pak spitale. Raporti thekson se 68% e ndërhyrjeve kardiake kryhen në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ndërsa 79% e operacioneve të kataraktit realizohen në të njëjtin institucion.

Radioterapia dhe trajtimi me përshpejtues linear ofrohen vetëm nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.  Banka Botërore vëren se investimet e viteve të fundit janë fokusuar në modernizimin e infrastrukturës, pajisjeve dhe menaxhimit të spitaleve.

Por këto investime kanë sjellë përparim të kufizuar në konsolidimin e rrjetit dhe në përmirësimin e efikasitetit operacional.  Raporti rekomandon një qasje më strategjike për optimizimin e rrjetit spitalor, përfshirë kontraktimin selektiv sipas volumit ose kritereve të përcaktuara.

Ai propozon gjithashtu racionalizimin e numrit të shtretërve dhe ristrukturimin e spitaleve lokale me efikasitet të ulët.  Në kapitullin e rekomandimeve, Banka Botërore kërkon konsolidimin e shërbimeve në qendra ekselence dhe ripërdorimin e institucioneve që vazhdojnë të mbeten të nënshfrytëzuara.

 

 

The post Spitalet rajonale nën kapacitet, 40% e shtrimeve përqendrohen në Tiranë appeared first on Revista Monitor.

Kriza e memories, Apple akuzohet se kontribuoi në rritjen e çmimeve

31 July 2026 at 10:00

Apple po përballet me kritika se strategjia e saj agresive në negociatat me furnitorët mund të ketë kontribuar në krizën globale të memories, e cila tashmë po rrit çmimet e kompjuterëve, telefonave dhe pajisjeve të tjera elektronike. Pretendimi vjen nga Micron, një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të çipave të memories, i cili la të kuptohet se presioni i vazhdueshëm i disa klientëve të mëdhenj për uljen e çmimeve gjatë viteve të kaluara pengoi investimet në kapacitete të reja prodhimi.

Sipas drejtuesit të biznesit të Micron, Sumit Sadana, gjatë krizës së vitit 2023 disa klientë kërkonin vazhdimisht çmime më të ulëta, edhe kur fitimet e prodhuesve kishin rënë ndjeshëm. Kjo bëri që shumë investime për zgjerimin e fabrikave të shtyheshin ose të anuloheshin. Edhe pse Apple nuk u përmend me emër, kompania njihet për aftësinë e saj për të negociuar kontrata shumë të favorshme me furnitorët dhe konsiderohet si një nga klientët më të mëdhenj të Micron.

Ironikisht, sot Apple është një nga kompanitë më të goditura nga kjo situatë. Pak ditë më parë ajo rriti çmimet e disa modeleve të MacBook dhe iPad, duke argumentuar se kostoja e çipave të memories është rritur në nivele të paprecedenta si pasojë e kërkesës së madhe nga qendrat e të dhënave që mbështesin Inteligjencën Artificiale. Drejtori ekzekutiv Tim Cook e ka cilësuar situatën si “të paqëndrueshme”, duke thënë se kompania nuk mund të vazhdojë më t’i përthithë vetë këto kosto.

Sot, prodhuesit e memories po i japin përparësi çipave me performancë të lartë për serverët e AI, të cilët janë shumë më fitimprurës sesa memoria për telefonat dhe kompjuterët. Si rezultat, oferta për tregun e elektronikës së konsumit është tkurrur, ndërsa çmimet e RAM-it dhe memories NAND janë rritur ndjeshëm. Kjo ka detyruar jo vetëm Apple, por edhe kompani si Microsoft, Dell, HP dhe Lenovo të rrisin çmimet ose të ofrojnë pajisje me më pak memorie në konfigurimet bazë.

Megjithëse nuk ka prova që Apple është shkaku kryesor i krizës, komentet e Micron tregojnë se politikat agresive të blerjes të disa gjigantëve të teknologjisë mund të kenë ndikuar në uljen e investimeve në industri. Tani, ndërsa kërkesa për çipa të AI po arrin nivele rekord, e gjithë industria po paguan çmimin e mungesës së kapaciteteve prodhuese./MAC RUMORS

The post Kriza e memories, Apple akuzohet se kontribuoi në rritjen e çmimeve appeared first on Revista Monitor.

Kreditimi u rrit edhe në qershor, 6-mujori u mbyll me vlerat më të larta historike

31 July 2026 at 10:00

Kredia e re për ekonominë vijoi rritjen edhe për qershorin, duke i ruajtur shifrat e deritanishme të vitit 2026 në nivelet më të larta historike.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për qershorin sektori bankar disbursoi 45.3 miliardë lekë kredi të reja, në rritje me 16.7% krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.

Kredia për qershorin shfaqi ecuri pozitive, si në segmentin e bizneseve, që sërish dha kontributin kryesor në rritje, ashtu edhe në atë të individëve.

Për të gjithë 6-mujorin e parë 2026, vlera e kredisë së re arriti në 223 miliardë lekë, 9.8% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shifrat e deritanishme të këtij viti tregojnë se rritja e kredisë është mbështetur kryesisht në segmentin e bizneseve. Në gjashtë muaj, kredia e re për bizneset arriti në 148.7 miliardë lekë, me një rritje prej 12.5% krahasuar me një vit më parë.

Kredia për biznesin është rritur në përmasa të përafërta si në monedhën vendase, ashtu edhe në Euro, ndërkohë që sipas qëllimit të përdorimit rritja ka ardhur në masën më të madhe nga kredia për investime.

Edhe kredia për individët është në rritje pozitive për 6-mujorin, megjithëse me ritme pak më të ulëta krahasuar me kredinë për bizneset. Në gjashtë muaj, sektori dha 73.4 miliardë lekë kredi të reja për individët, me një rritje vjetore prej 9.2%.

Ngadalësimi i rritjes së kredisë për individët është e lidhur kryesisht me produktet e kredisë për shtëpi. Për 6-mujorin, kredia e re për shtëpi ka rënë me 3.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në korrik të vitit të kaluar, nisi zbatimi i masave kufizuese të vendosura nga Banka e Shqipërisë për kredinë për blerje banesash nga individët. Këto masa parashikojnë aplikimin e niveleve tavan të përqindjes së financimit me kredi të pronave dhe të raportit mes kësteve të kredisë dhe të ardhurave. Zbatimi i këtyre masave pati një ndikim modest gjatë gjysmës së dytë të 2025, por ndërkohë ky ndikim duket se po bëhet më i prekshëm gjatë këtij viti.

Rrjedhimisht, rritja e kredisë për individë në gjysmën e parë të këtij viti është mbështetur e gjitha në produktet e kredisë konsumatore.

Në fund të muajit qershor, portofoli apo teprica e kredisë për ekonominë arriti vlerën e 992.8 miliard lekëve, me një rritje prej afërsisht 15 miliardë lekësh krahasuar me muajin maj.

Me bazë vjetore krahasimi, portofoli i kredisë për ekonominë është në rritje me 11.2%. Me luhatje të vogla mujore, rritja vjetore e kredisë ngelet pranë niveleve më të larta në 18 vitet e fundit.

Në segmentin e individëve, portofoli i kredisë është në rritje me 16.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, për bizneset rritja ngelet në nivele pak më të ulëta, me 9.4% me bazë vjetore.

Burimi: Banka e Shqipërisë

The post Kreditimi u rrit edhe në qershor, 6-mujori u mbyll me vlerat më të larta historike appeared first on Revista Monitor.

Europa, ku ka më shumë burra se gra, si renditet Shqipëria

31 July 2026 at 06:03

Nëse stereotipi europian thotë se femrat janë më të shumta se meshkujt, Shqipëria është ndër vendet ku ky fenomen ndihet më pak.

Sipas të dhënave të Eurostat të vitit 2025, të përpunuara nga “Monitor”, në Shqipëri kishte 102.2 gra për çdo 100 burra, një raport pothuajse identik me Irlandën dhe më i ulët se mesatarja e Bashkimit Europian prej 104.2 grash për 100 burra.

Kjo e rendit vendin ndër shtetet europiane me balancën më të afërt mes gjinive.

Në rajon, vetëm Maqedonia e Veriut (101.9) ka një raport pak më të ulët. Kosova regjistron 103.8 gra për 100 burra 8sipas të dhënave të vitit 2022), Mali i Zi 103.3, Serbia 105.6 dhe Kroacia 104.8.

Në nivel europian, tabloja është krejt tjetër. Bashkimi Europian numëron mesatarisht 104.2 gra për 100 burra, që do të thotë se femrat janë rreth 4.2% më të shumta se meshkujt.

Kampionet absolute të këtij raporti janë vendet baltike. Letonia kryeson me 115.6 gra për 100 burra, e ndjekur nga Estonia me 110.8 dhe Lituania me 110.4. Në praktikë, kjo do të thotë se në Letoni ka gati 16% më shumë gra sesa burra, një diferencë më shumë se trefishi i mesatares europiane.

Arsyeja nuk lidhet me lindjet, pasi në të gjithë botën lindin pak më shumë djem sesa vajza. Shpjegimi gjendet te jetëgjatësia dhe struktura e popullsisë.

Sipas Eurostat, gratë jetojnë më gjatë se burrat në të gjitha vendet e BE-së, por hendeku është veçanërisht i madh në shtetet baltike.

Në Letoni, gratë jetojnë mesatarisht rreth 10 vjet më shumë se burrat, ndërsa në Lituani diferenca arrin 9 vjet dhe në Estoni afro 8.8 vjet.

Kjo do të thotë se në grupmoshat e vjetra numri i grave rritet ndjeshëm krahasuar me meshkujt. Fenomeni është përforcuar edhe nga emigracioni i dekadave të fundit dhe nga normat më të larta të vdekshmërisë së meshkujve në këto vende.

 

Ku ka më shumë burra se gra

Në Europë, vendet ku burrat janë më të shumtë se gratë janë të pakta. Nga 41 shtete, që raporton Eurostat, vetëm në 6 prej tyre ka më shumë burra sesa gra.

Nga vendet e përfshira në renditje, raport më të ulët se 100 gra për 100 burra kanë Malta, Islanda, Norvegjia, Sllovenia, Suedia dhe Luksemburgu. Turqia është pothuajse në ekuilibër, me 99.9 gra për 100 burra.

Malta ka diferencën më të madhe, me vetëm 88.3 gra për 100 burra. Më pas renditen Islanda me 95, Norvegjia me 98.4, Sllovenia me 98.7, Suedia me 98.8 dhe Luksemburgu me 98.9.

Këto raste janë të pakta, sepse në shumicën e vendeve europiane gratë jetojnë më gjatë se burrat. Edhe pse në lindje zakonisht ka pak më shumë djem se vajza, me kalimin e moshës vdekshmëria më e lartë e burrave bën që gratë të bëhen më të shumta, sidomos në grupmoshat e vjetra.

Në vendet ku burrat janë më të shumtë, arsyeja lidhet zakonisht me strukturën më të re të popullsisë dhe me migracionin për punë, që në disa ekonomi tërheq më shumë meshkuj.

The post Europa, ku ka më shumë burra se gra, si renditet Shqipëria appeared first on Revista Monitor.

Fundi i periudhës së “artë”, fitimet e ekonomisë shqiptare bien me 12% në 2025

31 July 2026 at 06:01

Fitimi operativ bruto i ekonomisë shqiptare ka shënuar një rritje të fortë pas pandemisë, por të dhënat e vitit 2025 tregojnë fitimet i janë kthyer rënies.

Fitimi operativ bruto në ekonomi mat të ardhurat që u mbeten prodhuesve nga aktiviteti ekonomik, pasi janë paguar punonjësit dhe kostot e prodhimit.

Ai konsiderohet treguesi kryesor i të ardhurave nga kapitali dhe i aftësisë së ekonomisë për të gjeneruar fitime dhe investime.

Sipas të dhënave të INSTAT, rritja më e fortë u regjistrua në vitin 2022, kur fitimi bruto arriti në 726.3 miliardë lekë, me një zgjerim vjetor prej 45.4%. Tendenca pozitive vijoi edhe në 2023 dhe 2024, duke kulmuar në 894.9 miliardë lekë në vitin 2024, niveli më i lartë pas pandemisë.

Por në vitin 2025, fitimi operativ bruto zbriti në 788 miliardë lekë, me një rënie prej rreth 12% krahasuar me vitin 2024.

Peshën kryesore të fitimeve e mban sektori i biznesit me  630.7 miliardë lekë në vitin 2025, me rënie vjetore 5.5%

Rënia më e fortë erdhi nga sektori i familjeve, ku fitimi operativ bruto u ul nga 168.2 miliardë lekë në 2024 në 96.6 miliardë lekë në 2025.

Ecuria tregon se ekonomia e tejkaloi shpejt goditjen e pandemisë, por viti 2025 sinjalizon një fazë më të dobët për fitimet, pas tre viteve rritjeje të shpejtë.

Rënia e fitimit operativ bruto në vitin 2025 lidhet kryesisht me dobësimin e ritmit të krijimit të vlerës së shtuar në ekonomi dhe me rritjen e kostove të punës.

Pas tre viteve të forta rimëkëmbjeje pas pandemisë, fitimet e bizneseve duket se hynë në një fazë normalizimi, pasi marzhet e larta të viteve 2022–2024 nuk u ruajtën më me të njëjtin intensitet.

Kjo tregon se sektori real i ekonomisë, bizneset prodhuese, tregtare dhe të shërbimeve, pati më pak tepricë fitimi pas pagesës së pagave, kontributeve dhe kostove të tjera operative.

Një tjetër faktor ishte pesha e lartë e kompensimit të punonjësve. Pagat dhe kontributet mbetën në nivele të larta, duke reflektuar presionin për rritje pagash në tregun e punës. Kjo ka ndihmuar të ardhurat e familjeve, por nga ana tjetër ka ngushtuar hapësirën e fitimit për bizneset.

Rënia përkon edhe me një vit më të vështirë për sektorët eksportues, të ndikuar nga forcimi i lekut, i cili uli të ardhurat e konvertuara në lekë për kompanitë që shesin jashtë vendit. Industria dhe bujqësia, dy sektorë të ndjeshëm ndaj kursit të këmbimit dhe kërkesës së jashtme, kanë pasur presione më të mëdha mbi fitimet.

Burimi: INSTAT

The post Fundi i periudhës së “artë”, fitimet e ekonomisë shqiptare bien me 12% në 2025 appeared first on Revista Monitor.

Të ardhurat nga puna jashtë vendit arritën në 192 milionë euro për tremujorin e parë

31 July 2026 at 06:00

Të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga puna jashtë vendit u rritën përsëri në tremujorin e parë të këtij viti.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, të ardhurat nga puna arritën vlerën e 192 milionë eurove, 24% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në terma neto, duke zbritur të ardhurat e shtetasve të huaj nga puna në Shqipëri, të ardhurat nga puna arritën në 181 milionë euro, në rritje gjithashtu me 26% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.

Të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga puna kanë arritur nivelin më të lartë historik për tremujorin e parë të vitit, si në terma neto, ashtu edhe në ato bruto.

Sipas metodikës së Bilancit të Pagesave, të ardhura nga puna jashtë vendit klasifikohen kompensimi i punonjësve, që përfshin pagën, shpërblimet dhe përfitime të tjera, të fituara nga individët jorezidentë në një ekonomi, për punën e kryer për rezidentët e kësaj ekonomie.

Në këtë kategori punonjësish, përfshihen punonjësit sezonalë apo ata që punësohen për një periudhë afatshkurtër, më pak se një vit, si dhe punëtorët kufitarë të cilët e kanë qendrën e interesit të tyre ekonomik në vendin e tyre të origjinës.

Në analizat e flukseve hyrëse nga jashtë, shpesh të ardhurat nga puna jashtë vendit i bashkëngjiten dërgesave të emigrantëve dhe klasifikohen si pjesë e të ardhurave totale nga remitancat në ekonomi.

Për 3-mujorin e parë, dërgesat e emigrantëve kishin vlerën e 274 milionë eurove, në rritje me 9.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të marra së bashku, remitancat dhe të ardhurat nga puna kontribuuan me 466 milionë euro në bilancin e pagesave, shifër kjo 15% më e lartë krahasuar me 3-mujorin e parë të vitit të kaluar.

Të ardhurat nga puna dhe remitancat së bashku mbulonin rreth 35% të deficitit tregtar në mallra për 3-mujorin e parë të këtij viti.

Deri në ngritjen e shpejtë të sektorit të turizmit, veçanërisht pas pandemisë së vitit 2020, puna ka qenë faktori dominues ku janë mbështetur eksportet e ekonomisë shqiptare. Përveç të ardhurave direkte nga puna jashtë vendit, një kontribut të rëndësishëm ka dhënë historikisht jep edhe regjimi i përpunimit aktiv të mallrave (fasoneria).

Për 3-mujorin 2026, ato arritën në 181 milionë euro, 9% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Fasoneria në vitet e fundit ka marrë një goditje të rëndë nga forcimi i Lekut në kursin e këmbimit valutor dhe nga rritja e ndjeshme e kostos së punës. / E.Shehu

Burimi: BSH

The post Të ardhurat nga puna jashtë vendit arritën në 192 milionë euro për tremujorin e parë appeared first on Revista Monitor.

❌