Një javë pasi drejtoi finalen e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, arbitri slloven Slavko Vinçiç ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij si gjyqtar ndërkombëtar. 46-vjeçari e mbyll kështu një rrugëtim të gjatë në elitën e futbollit europian dhe botëror, me finalen e Botërorit si ndeshjen e fundit të karrierës së tij.
Vinçiç ishte në qendër të vëmendjes gjatë finales së zhvilluar mes Spanjës dhe Argjentinës, ku mori një nga vendimet më të rëndësishme të ndeshjes. Në minutat shtesë të kohës së rregullt ai ndëshkoi me karton të kuq Enzo Fernández, pas kartonit të dytë të verdhë, duke e lënë Argjentinën me 10 lojtarë për gjithë kohën shtesë. Më pas, Spanja shënoi golin e fitores me Ferran Torres dhe u shpall kampione e botës.
Pavarësisht polemikave që shoqëruan finalen dhe incidenteve pas përfundimit të saj, Vinçiç largohet me një reputacion të shkëlqyer. Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave të Futbollit (IFFHS) e shpalli atë arbitrin më të mirë të Botërorit 2026, ndërsa ai u nderua edhe me çmimin prestigjioz “Giulio Campanati”.
Gjatë karrierës së tij, slloveni arbitroi finalen e Ligës së Kampioneve në vitin 2024, tre finale të Ligës së Europës dhe shumë ndeshje të mëdha të UEFA-s e FIFA-s. Me largimin e tij, Vinçiç mbetet arbitri i parë slloven që ka drejtuar një finale të Kupës së Botës, duke e mbyllur karrierën në skenën më të madhe të futbollit./ad
Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar per “vjedhjen” qe beri në Kuvend, ku ai mori dokumentin e marrëveshjes me SHBA-në për huanë prej 302 milionë dollarësh dhe u largua me vrap.
Shehaj tha se e mori marrëveshjen për ta lexuar pas deklaratës së kryeparlamentarit Niko Peleshi. Ai tha se firmosi dokumentin për mospërndarjen e marrëveshjes dhe më pas e mori atë dhe u largua.
“Në lidhje me lajmet që kanë dalë mbi dokumentin e marrëveshjes, thjesht e keni parë vetë që kryeparlamentari u tha deputetëve që po ankoheshin se mund ta gjenin te zyra këtu afër. Nuk tha që nuk mund ta marrësh. Unë shkova, firmosa dokumentin për mospërndarjen e marrëveshjes dhe u largova. Ne na kërkojnë shumë gjëra në Kuvend, madje na kërkojnë të mos shkojmë kur është Rama”, tha ai.
“Marrëveshjen e dorëzova sërish aty ku e mora. Marrëveshja nuk ka dalë nga Kuvendi i Shqipërisë. E mora sepse më takonte. Ajo është një marrëveshje sekrete dhe nuk jam i autorizuar të jap detaje.”, u shpreh ai,
“Ne në parim, jemi pro marrëveshjes, por jemi kundër procedurës që po ndiqet nga Kuvendi”, deklaroi Shehaj./ad
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se konflikti me Iranin do të përfundojë vetëm nëse regjimi në Teheran rrëzohet ose nëse ai heq dorë nga programi i tij bërthamor.
Në një intervistë për Fox News, Netanyahu theksoi se programi bërthamor i Iranit duhet të ndalet, pavarësisht nëse arrihet apo jo një marrëveshje.
“Me ose pa marrëveshje, programi bërthamor i Iranit duhet të marrë fund”, tha ai.
Kreu i qeverisë izraelite paralajmëroi gjithashtu Teheranin se çdo sulm ndaj Izraelit do të marrë një kundërpërgjigje të ashpër.
“Nëse Irani ose përfaqësuesit e tij sulmojnë Izraelin, ata do të bëjnë një gabim të tmerrshëm, sepse përgjigjja jonë do të jetë shumë, shumë e fortë”, u shpreh Netanyahu.
Duke folur për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, Netanyahu tha se pret të takohet me presidentin amerikan Donald Trump për të diskutuar mbi qasjen e Uashingtonit ndaj Iranit.
“Është mirë që kemi mundësinë të ulemi me mikun tonë të mirë, Presidentin Trump, dhe të dëgjojmë se çfarë ka në mendje, sepse besoj se në shumë mënyra është vendimi i tij”, deklaroi ai.
Netanyahu konfirmoi gjithashtu se ka ndërmend të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator, ku tha se do të mbrojë pozicionin e Izraelit dhe aleancën izraelito-amerikane.
Në të njëjtën intervistë, ai kritikoi kryebashkiakun e Nju Jorkut, Zohran Mamdani, duke e akuzuar se po “nxit urrejtje” ndaj hebrenjve dhe se “mbështet vrasësit e Hamasit”.
Sa i përket Arabisë Saudite, Netanyahu tha se Trump kishte “absolutisht të drejtë” kur deklaroi se Riadi mund të përfitojë një marrëveshje bërthamore me karakter civil vetëm në këmbim të normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin.
“E theksoj fjalën ‘politike’, sepse gjëja e fundit që duam, dhe jam i sigurt se edhe presidenti nuk e dëshiron, është një program bërthamor ushtarak në Arabinë Saudite”, përfundoi Netanyahu.
Pesë automjete janë përfshirë në një aksident rrugor të ndodhur mesditën e kësaj të hëne në autostradën Tiranë-Durrës.
Si pasojë e përplasjes është krijuar trafik i rënduar në këtë aks, me radhë kilometrike automjetesh që kanë vështirësuar qarkullimin.
Deri në këto momente nuk dihet nëse ka persona të lënduar dhe cili është gjendja e tyre shëndetësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat po menaxhojnë trafikun dhe po kryejnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit./ad
Partia Socialiste ka kërkuar marrjen e masës disiplinore ndaj deputetit Agron Shehaj dhe referimin e çështjes pranë Prokurorisë së Posaçme (SPAK), pas incidentit të ndodhur ditën e sotme, kur kreu i Partisë Mundësia rrëmbeu nga zyrat e Kuvendit dokumentin konfidencial të ligjit për huanë nga SHBA.
Në një kërkesë drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, dhe Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, PS kërkon që ndaj Shehajt të merret masa e përjashtimit nga pjesëmarrja në komisione dhe seanca plenare për 60 ditë.
Sipas shkresës, gjatë shqyrtimit të marrëveshjes së huas direkte mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak, deputetët janë informuar se dokumenti përmbante informacion të klasifikuar dhe mund të konsultohej vetëm në ambientet e përcaktuara nga Kuvendi, pas nënshkrimit të deklaratës së konfidencialitetit.
PS pretendon se Agron Shehaj, pasi është paraqitur në sallën ku mbahej dokumenti, ka kërkuar ta marrë kopjen fizike me vete, por është kundërshtuar nga stafi i Kuvendit.
Në kërkesë thuhet se deputeti “e ka marrë me forcë materialin dhe është larguar bashkë me të”, ndërsa një këshilltare e Kuvendit, e cila sipas dokumentit e ka ndjekur për ta rimarrë, është rrëzuar nga shkallët dhe ka pësuar dëmtime.
“Deputeti Agron Shehaj, me sjelljet e tij të përsëritura të dhunshme dhe agresive ka vënë në rrezik këshilltaren, e cila është gjendur e pambrojtur përballë kësaj sjelljeje të dhunshme dhe të papranueshme”, thuhet në kërkesën e depozituar.
Përveç masës disiplinore, socialistët kërkojnë që rasti t’i referohet SPAK-ut për hetim, duke pretenduar se veprimet e deputetit mund të përbëjnë vepra penale që lidhen me marrjen e paligjshme të informacionit të klasifikuar, përvetësimin e dokumenteve, pengimin e detyrës së funksionarit publik dhe shkelje të dispozitave për mbrojtjen e sekretit shtetëror.
Kërkesa e PS-së:
Të nderuar anëtarë të Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën,
Në Seancën Plenare të Kuvendit të Shqipërisë të datës 27 korrik 2026 e filluar ora 10.00, gjatë diskutimit të procedurës për shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas direkte, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuar nga Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak (FMF)”, deputetët u informuan nga Kryetari i Kuvendit zoti Niko Peleshi se kjo Marrëveshje përmban informacion të klasifikuar e për pasojë deputetët që duan të njihen me të duhet të zbatojnë parashikimet dhe detyrimet e ligjit, duke u paraqitur pranë sekretarisë, në sallën “Gerti Bogdani”, ku të firmosin paraprakisht një Deklaratë Konfidencialiteti dhe se nuk mund të marrin ose të riprodhojnë kopje të këtij dokumenti.
Deputeti Agron Shehaj u paraqit në sallën “Gerti Bogdani” dhe në shkelje të ligjit insistoi ta merrte kopjen fizike me vete. Stafi i Kuvendit e sqaroi se, në zbatim të ligjit materiali mund të lexohej vetëm brenda sallës dhe kopja nuk lejohej të dilte prej sallës. Deputeti nuk pranoi këtë sqarim ligjor, e grabiti me forcë materialin dhe u largua bashkë më të. Këshilltarja e ndoqi deputetin dhe në përpjekje për ta ndaluar dhe ta rimarrë dokumentin, u rrëzua nga shkallët dhe pësoi lëndime të rënda, siç vërtetohet dhe nga pamjet video bashkangjitur kësaj kërkese.
Deputeti Agron Shehaj, me sjelljet e tij të përsëritura të dhunshme dhe agresive
ka vënë në rrezik këshilltaren e cila është gjendur e pambrojtur përballë kësaj sjellje të dhunshme dhe të papranueshme.
Këto sjellje cënojnë rëndë dhe në mënyrë të patolerueshme sigurinë e stafit të Kuvendit gjatë ushtrimit të detyrave të tyre. Sjellja e deputetit duke marrë më
forcë dhe duke nxjerr jashtë sallës dokumentin e klasifikuar përbën shkelje të rëndë të legjislacionit për informacionin e klasifikuar.
Për sa më sipër, bazuar në nenin 63, dhe nenin 65/1 pika 1,6 dhe pika 7, të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të ndryshuar; dhe nenit 6 të Kodit të Sjelljes së Deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, paraqesim kërkesën si më poshtë:
Marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare” për 60 ditë ndaj deputetin Agron Shehaj, për sjellje të përsëritura të dhunshme dhe agresive duke vënë në rrezik stafin e Kuvendit, dhe duke marrë më forcë dhe nxjerr jashtë sallës materialin e klasifikuar, që përbën shkelje flagrante të legjislacionit për informacionin e klasifikuar.
Gjithashtu referuar parashikimeve të Kodit Penal, nenet 139-142, 294-296, 235, t’i referohet mënjëherë Prokurorisë, në rastin në fjalë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me dyshimet se shtetasi Agron
Shehaj ka kryer veprat penale:
(i) përvetësimi ose marrja e paligjshme e informacionit të klasifikuar, duke qenë se dokumenti përmban informacion që mbrohet me ligj;
(ii) (ii) vjedhja ose forma të tjera të përvetësimit të paligjshëm, për shkak të mënyrës së marrjes;
(iii) (iii) grabitja sepse dokumenti është marrë me përdorim force ose kërcënimi ndaj personit që e mbante;
(iv) (iv) pengimi i detyrës së funksionarit publik sepse forca është ushtruar ndaj një punonjësi publik gjatë ushtrimit të detyrës;
(v) (v) dokumenti lidhet me sekretin shtetëror dhe në këtë rast mund të verifikohen edhe dispozita të posaçme për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, të cilat parashikojnë vepra më të rënda penale, sidomos kur veprimi cënon sigurinë kombëtare dhe personi i dyshuar mund të ketë synuar dorëzimin e këtij materiali aktorëve të tjerë, të paidentifikuar nga ne, por që duhet të hetohen nga prokurorët.
Një 54-vjeçar është proceduar penalisht në gjendje të lirë pasi dyshohet se ka shkaktuar një shkrepje të pavullnetshme me armë zjarri brenda ambienteve të Spitalit Rajonal të Lezhës.
Sipas njoftimit të Policisë, shtetasi me inicialet G. N., 54 vjeç, kishte shkuar në spital për të marrë mjekim për shkak të problemeve shëndetësore, por gjatë qëndrimit aty dyshohet se nga çanta e krahut i ka rënë një armë zjarri, e dyshuar si pistoletë, duke shkaktuar një shkrepje aksidentale.
Në vijim të hetimeve, policia ka shpallur në kërkim djalin e tij, 18 vjeç, i cili dyshohet se ka fshehur armën e zjarrit me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës.
Po ashtu, është proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe një punonjës i Spitalit Rajonal të Lezhës, me detyrë punonjës IT, shtetasi A. V., 54 vjeç, i dyshuar se ka kryer veprime që kanë penguar zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat e plota të rastit dhe për dokumentimin ligjor të veprimeve të secilit prej personave të përfshirë./ad
Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të hënë në një takim me zjarrfikësit dhe trupat e Emergjencave Civile në Bazën Ajrore të Farkës, ku bëri thirrje për gatishmëri maksimale përballë rritjes së temperaturave dhe rrezikut të lartë të zjarreve.
Teksa solli në vëmendje situatën kritike në Francë e Spanjë, kreu i qeverisë shprehu solidaritet me trupat ndërkombëtare dhe konfirmoi gatishmërinë e Shqipërisë për t’u ardhur në ndihmë vendeve fqinje në rast nevoje.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri theksoi se ky sezon do të jetë një provë e fortë për të matur kapacitetet dhe përmirësimet e bëra në koordinimin e forcave në terren. Ai bëri me dije se këtë vit koordinimi po ndiqet nga Ministri i Pushtetit Vendor dhe se vendi ka në dispozicion teknologji që nuk i ka pasur më parë, përfshirë katër helikopterë në gatishmëri të plotë. Veç kësaj, Rama njoftoi se janë mbyllur procedurat për blerjen e tre avionëve të rinj zjarrfikës, të cilët do t’i shtohen flotës në fund të këtij viti, ndërkohë që është dakordësuar mbështetja me mjete ajrore nga bazat partnere në rast se vendi do të përballet me emergjenca kritike.
“Në Francë dhe Spanjë, mbi 300 mijë njerëz i kanë lënë shtëpitë e tyre për shkak të zjarreve. Hektarët e djegur kanë kaluar shifrën 200 mijë, një sipërfaqe më e madhe sesa Bashkia e Tiranës. Kolegët tuaj janë në një front ferri prej ditësh, të nxirë nga bloza, me pamje të paimagjinueshme.
Askush nga ju që i jeni përkushtuar këtij profesioni nuk i shikon ata si të huaj, sepse ajo është pamja e një lufte të përbashkët.
Dhe kur sheh qindra mijëra njerëz që ikin të lemerisur me çfarë u gjendet mundësia të marrin, është njësoj sikur të shohësh njerëzit tanë, sepse rreziku dhe sfida janë të njëjta. Ndaj dua që edhe me lejen tuaj t’u përcjell një shprehje solidariteti të gjithë kolegëve tuaj në Francë dhe Spanjë.
Ne e kemi bërë edhe në të shkuarën. Nëse na kërkohet të japim ndihmën tonë modeste, do t’u përgjigjemi, siç bëmë vjet dhe pardje, kur fqinjët tanë kanë qenë në hall dhe na janë përgjigjur edhe neve.
Solidariteti i njerëzve që luftojnë kundër zjarrit nuk njeh kufij. Zjarret nuk janë më një përjashtim i një vendi apo i një vere të keqe. Janë rregulli i një klime që ka ndryshuar.
Ajo që po ndodh këto ditë në Spanjë dhe Francë mund të ndodhë edhe te ne. Duhet të pyesim veten se sa të përgatitur jemi nëse ndodh.
Shqipëria është shumë e vogël dhe nuk ka luksin të humbasë asnjë hektar pyll. Gjithçka që kemi bërë këtë vit në përgatitje, ky sezon do të jetë një provë për të parë se çfarë jemi përpjekur të përmirësojmë, të kemi një performancë të mirë dhe të jemi një trup i vetëm.
Kjo provë kërkon përgatitje dhe sa më pak improvizim, disiplinë, investim dhe koordinim. Në këtë drejtim kemi bërë përparim.
E reja e këtij viti është se ministri i Pushtetit Vendor ka luajtur rolin e koordinatorit të gjithë këtyre forcave, ku kemi në dispozicion kapacitetet teknologjike që nuk i kemi pasur më parë. Kemi katër helikopterë të gatshëm. Ndërkohë kemi mbyllur procedurën për tre avionë, të cilët do të vijnë në fund të vitit, dhe kemi procesin të dakordësuar që, në momentin e një nevoje, të kemi në dispozicion avionë që vijnë nga ajo bazë ku po përgatiten. Ata do të jenë avionët e rinj që do të merren në fund të këtij viti”, u shpreh Rama./ad
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka folur për vendimin që Gjykata Speciale do ta marrë më 16 shtator ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
I pyetur se cili do të jetë qëndrimi i institucioneve të Kosovës në rast se ata do të dënohen, Konjufca i bëri thirrje Gjykatës së Hagës që të mos merr asnjë vendim politik, por të bëjë vendim të drejtësisë.
“Unë bëj thirrje që Gjykata e Hagës të mos bëjë vendim politik, po të bëjë vendim të drejtësisë. E nëse bën vendim të drejtësisë, ne të gjithë e dimë çfarë është drejtësia. Se ne jemi dëshmitarë këtu si popull që lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë. Të kishte qenë luftë kriminale, kurrë nuk do ta kishte marrë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, këtë mbajeni në mend. Nuk ka mundësi një luftë kriminale me u mbështet prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prej Britanisë së Madhe, prej Gjermanisë e prej Francës. Gjeneralët më të njohur të NATO-s kanë qenë afër me figurat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Konjufca.
Më tej, ai tha se oficerët e NATO-s kanë bashkëpunuar në trajnimin e oficerëve të UÇK-së që lufta të jetë e suksesshme dhe këtë e kanë bërë sepse UÇK-ja ka kontribuar në ndaljen e gjenocidit të Millosheviqit, e sipas tij, ky është kuptimi i luftës së UÇK-së.
“Oficerët e NATO-s kanë bashkëpunuar në trajnimin e oficerëve të UÇK-së që lufta të jetë e suksesshme. Pse e kanë bërë këtë? Sepse ushtria jonë i ka kontribuar ndaljes së gjenocidit të Millosheviçit. Kjo është kuptimi i luftës së UÇK-së. E të gjithë të akuzuarit në Hagë i kanë kontribuar këtij qëllimi. E kjo është drejtësia, nëse vendoset me drejtësi, vendoset kështu. E ne, nuk dëshirojmë si popull, bile do të ishim shumë të revoltuar, shumë të revoltuar, nëse vendimi nuk është me drejtësi, por është vendim politik”, tha më tej Konjufca./ad
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, foli në konferencën “Përballja me Manipulimin e Informacionit dhe Ndërhyrjen e Huaj: Shqipëria dhe Konteksti i Zgjerimit”, teksa u shpreh se mbrojtja e hapësirës së informacionit është një nga sfidat kryesore të demokracive evropiane.
Hoxha theksoi se manipulimi dhe ndërhyrja e huaj në informacion nuk janë më thjesht çështje narrativash konkurruese, por janë kthyer në instrumente të presionit hibrid që synojnë të dëmtojnë besimin e qytetarëve, të shfrytëzojnë ndarjet sociale dhe të ndikojnë në proceset demokratike.
“Manipulimi dhe Ndërhyrja e Informacionit të Huaj nuk është thjesht një çështje narrativash konkurruese. Përdoret gjithnjë e më shumë si një instrument i mirëmenduar i presionit hibrid, i projektuar për të gërryer besimin, për të shfrytëzuar përçarjet sociale, për të përdorur algoritmet si armë, për të amplifikuar pakënaqësi dhe për të thyer kuptimin e realitetit”, tha Hoxha.
Ministri u shpreh se objektivi i këtyre ndërhyrjeve nuk është gjithmonë bindja e qytetarëve për një narrativë të caktuar, por shpesh krijimi i mosbesimit ndaj institucioneve, medias së pavarur dhe vetë demokracisë.
“Në një botë të dominuar gjithnjë e më shumë nga mediat sociale dhe të transformuar nga zhvillimi i shpejtë dhe kryesisht i parregulluar i Inteligjencës Artificiale, asnjë vend nuk është imun ndaj këtyre kërcënimeve”, deklaroi ai.
Ai theksoi se Shqipëria, duke njohur historinë e saj të mungesës së lirisë, do të vijojë të mbrojë vlerat demokratike, por shtoi se liria kërkon përgjegjësi dhe respekt për të vërtetën, qytetarët dhe institucionet.“Ne në Shqipëri e dimë më mirë se kushdo çmimin e lirisë, sepse kemi përjetuar mungesën e saj. Prandaj, nuk do të kursejmë asgjë për të mbrojtur vlerat tona demokratike të fituara me mund”, tha ministri./ad
Në seancën e sotme plenare, kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla foli për marrëveshjen e huasë prej 302 mln dollarë nga SHBA për Shqipërinë, që do të shkojnë në fushën e mbrojtjes, duke e cilësuar si një marrëveshje historike.
Balla tha se Shqipëria do të ketë 48 muaj për aktivizimin e fondeve, afat deri në 12 vjet dhe se çdo përdorim i fondeve do të miratohet nga Agjencia Amerikane e Mbrojtjes duke garantuar transparencë të plotë.
“Kjo është një marrëveshje historike për Shqipërinë. Ajo shkon përtej termave financiarë dhe është një dëshmi konkrete e besimit të Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë, si edhe e rolit gjithnjë e më të rëndësishëm që vendi ynë luan në sigurinë euro-atlantike”, u shpreh Balla.
Duke folur për investimet në mbrojtje, Balla theksoi se buxheti i këtij sektori është trefishuar gjatë viteve të fundit, nga 24.1 miliardë lekë në vitin 2020 në 69.2 miliardë lekë në vitin 2026. Ai shtoi se Shqipëria ka rritur shpenzimet për mbrojtjen në 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa mbështet objektivin e ri të NATO-s për të arritur në 5% të PBB-së deri në vitin 2035.
Sipas Ballës, vendimi për organizimin e Samitit të NATO-s në Tiranë është një vlerësim i rëndësishëm për rolin që Shqipëria luan në Aleancë, ndërsa vendi po përgatitet për fazën e re të zhvillimit të NATO-s, të njohur si “NATO 3.0”, përmes rritjes së kapaciteteve mbrojtëse dhe investimeve strategjike.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së sqaroi se fondet do të disbursohen vetëm sipas nevojave konkrete të Ministrisë së Mbrojtjes dhe pas miratimit nga autoritetet amerikane. Shqipëria do të ketë 48 muaj për të angazhuar fondet, ndërsa kredia parashikon një afat shlyerjeje deri në 12 vjet, me mundësi periudhe grace deri në një vit dhe të drejtën për parapagim pa penalitete.
Ndërkohë sa i takon veprimit të bërë nga kreu i partisë Mundësia Agron Shehaj, i cili rrëmbeu kopjen e kësaj marrëveshje, një dokument i klasifikuar për të cilin të gjithë deputetët duhet të firmosin për konfidencialitetin, dhe më pas u largua me vrap nga salla, Balla tha se duhet të arrestohet për shkelje të ligjit.
“Agron Shehaj duhet arrestuar në flagrancë për shkelje të ligjit. Hajduti i të dhënave personale të shqiptarëve tani ka nisur të vjedhë edhe dokumentet e Kuvendit. Kur mungojnë argumentet, mbeten vetëm vjedhja e dokumenteve të klasifikuara dhe dëshpërimi. Agresioni ndaj një punonjëseje të administratës është gjithashtu një vepër penale”, deklaron kreu i grupit parlamentar i PS./ad
Londra është renditur si qyteti më i mirë në botë për të 11-in vit radhazi, sipas raportit “World’s Best Cities” të Resonance.
Kryeqyteti britanik vazhdon të mbajë vendin e parë falë kombinimit të historisë së pasur, kulturës, hapësirave të gjelbra, restoranteve të njohura, muzeve të klasit botëror dhe lidhjeve të mira me pjesën tjetër të globit.
Nga monumentet ikonike si Big Ben dhe Pallati Buckingham, te lagjet plot jetë dhe atraksionet kulturore, Londra mbetet një nga destinacionet më të dëshiruara për turistët nga e gjithë bota.
Raporti i vlerëson qytetet bazuar në faktorë si cilësia e jetesës, atraktiviteti për vizitorët, kultura, infrastruktura dhe mundësitë ekonomike, duke e vendosur Londrën në krye të listës për të 11-in vit me radhë./ad
Policia u ka bërë thirrje protestuesve të lirojnë rrugën dhe të ndërpresin bllokimin e qarkullimit, duke i paralajmëruar se veprimet e tyre përbëjnë vepër penale.
Thirrja është bërë përmes megafonit, ndërsa forcat e rendit vijojnë të monitorojnë situatën./ad
Tregu i barnave dhe kozmetikës po rritet me shpejtësi si në volum ashtu edhe në vlerë. Të dhënat zyrtare të INSTAT treguan se në mars 2026 indeksi i vlerës së shitjeve në këtë kategori arriti në 154.8 pikë, (ku 2021 ishte =100) që do të thotë se tregu ishte 54.8% më i madh në vlerë sesa niveli mesatar i vitit 2021.
Në të njëjtën kohë, indeksi i volumit arriti në 150.3 pikë, duke treguar se sasia e produkteve të shitura ishte 50.3% më e lartë se në vitin bazë 2021.
Krahasuar me marsin e vitit të kaluar, shitjet u rritën me 7.6% në vlerë dhe me 7.5% në volum. Ritmet pothuajse identike të dy treguesve tregojnë se zgjerimi i tregut është mbështetur kryesisht nga rritja e sasive të shitura dhe jo nga shtrenjtimi i produkteve.
Rritja e vazhdueshme po reflekton zgjerimin e kërkesës për barna, pajisje dhe produkte mjekësore, por edhe për artikuj kozmetikë, parfume dhe produkte të kujdesit personal. Megjithatë, të dhënat mujore shfaqin luhatje të forta, me nivele më të larta zakonisht në muajin dhjetor dhe në disa muaj të fillimit të vitit.
Edhe tremujori i parë i vitit 2026 konfirmoi këtë prirje, me vlerën e shitjeve që u rrit mesatarisht me 6.2% dhe volumin me 6.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Shqipëria ka aktualisht më pak banorë, por një pjesë gjithnjë e më e madhe e tyre janë të moshuar dhe kanë nevojë për trajtime të vazhdueshme. Sipas Censusit 2023, rreth 19.7% e popullsisë ishte mbi 65 vjeç, nga 11.3% në vitin 2011. Pothuajse një në pesë banorë është në një grupmoshë përdor më shpesh barna dhe, në shumë raste, merr disa medikamente njëkohësisht.
Një faktor tjetër që po rrit konsumin e barnave është përhapja e sëmundjeve kronike. Sëmundjet kardiovaskulare, diabeti, tumoret dhe sëmundjet kronike të frymëmarrjes kërkojnë trajtime që nuk kufizohen në disa ditë, por mund të zgjasin për vite ose gjatë gjithë jetës. Sipas profilit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sëmundjet jo të transmetueshme përbëjnë rreth 93% të të gjitha vdekjeve në Shqipëri, duke treguar peshën e madhe që këto diagnoza kanë në nevojën për barna.
Krahas barnave me recetë, është rritur edhe përdorimi i produkteve që blihen drejtpërdrejt nga qytetarët, si qetësuesit, vitaminat, mineralet, suplementet, preparatet për imunitetin, produktet dermatologjike dhe medikamentet për problemet e tretjes apo të frymëmarrjes.
Edhe përkeqësimi i disa faktorëve të stilit të jetesës po shton nevojën për trajtim. Ushqyerja jo e shëndetshme, mbipesha, aktiviteti i ulët fizik, duhanpirja, ndotja e ajrit dhe stresi janë të lidhura me sëmundjet e zemrës, diabetin, problemet e frymëmarrjes dhe çrregullime të tjera kronike. /monitor-ad
Ish-mesfushori legjendar ka konfirmuar vetë, përmes një postimi në rrjetet sociale, se nuk është më kandidat për pankinën e “Axurrëve”, duke i dhënë fund një telenovele që ka dominuar ditët e fundit në futbollin italian.
Sipas mediave italiane, vendimi iu komunikua Pirlos me një telefonatë teksa ai ndodhej në hotel pas kthimit nga një ndeshje miqësore në Salzburg. Ende nuk është bërë e ditur se kush e informoi zyrtarisht, por lajmi ndryshoi plotësisht skenarin për zgjedhjen e trajnerit të ri të Italisë.
Maldini dhe Leonardo kishin kthyer vëmendjen te Pirlo pasi kishin marrë refuzime nga Carlo Ancelotti dhe Pep Guardiola. Megjithatë, në momentet e fundit, negociatat u ndërprenë dhe kandidatura e tij u rrëzua.
Sipas mediave italiane, vendimi iu komunikua Pirlos me një telefonatë teksa ai ndodhej në hotel pas kthimit nga një ndeshje miqësore në Salzburg. Ende nuk është bërë e ditur se kush e informoi zyrtarisht, por lajmi ndryshoi plotësisht skenarin për zgjedhjen e trajnerit të ri të Italisë.
Maldini dhe Leonardo kishin kthyer vëmendjen te Pirlo pasi kishin marrë refuzime nga Carlo Ancelotti dhe Pep Guardiola. Megjithatë, në momentet e fundit, negociatat u ndërprenë dhe kandidatura e tij u rrëzua.
Pak para mesnatës, Pirlo publikoi një deklaratë në Instagram për të sqaruar polemikat lidhur me bashkëpunimin e tij me kompaninë ruse të basteve Fonbet. Ai theksoi se marrëdhënia kishte lindur gjatë periudhës së punës në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe kishte qenë vetëm me karakter tregtar e sportiv. “Bashkëpunimi profesional, objekt i polemikave të fundit, ka lindur gjatë rrugëtimit tim të punës në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe është ekskluzivisht i natyrës tregtare dhe sportive. T’i japësh një kuptim politik do të thotë të më atribuosh bindje që nuk i kam shprehur kurrë dhe nuk më përkasin.”
Mëngjesin e së hënës, ish-kampioni i botës e ripublikoi të njëjtin mesazh në “Instagram Stories”, duke shtuar një fjali që konfirmoi përfundimisht zhvillimet: “Mbrëmë mësova se nuk jam më kandidati për pankinën e Kombëtares italiane.”
Tashmë mbetet për t’u parë se cili do të jetë hapi i radhës i Federatës Italiane. Sipas raportimeve, situata mund të sjellë edhe largimin e Paolo Maldinit dhe Leonardos nga rolet e tyre drejtuese, ndërsa vendimi final për trajnerin e ri pritet t’i takojë presidentit Giovanni Malagò./ad
Pas mbylljes se seancës së paradites dhe planifikimit të një tjetër seance sot në 15:00 për kalimin në mënyrë të përshpejtuar të marrëveshjes së huas direkte prej 302 milionë dollarësh amerikanë të dedikuar për mbrojtjen nga SHBA, ka folur kryetari i PD, Sali Berisha.
Ai shprehet se PD nuk do ta votojë këtë ligj, pavarësisht se është pro kësaj marrëveshjeje me SHBA-në. Arsyeja është se sipas PD, kalimi në votim në mënyrë të përshpejtuar përbën shkelje kushtetuese.
“Kjo është historia më e turpshme. Një vend anëtar i NATO-s vendos shtetrrethim ndaj qytetarëve si të ishte Koreja e Veriut. Qindra zetorë nëpër katër anët e vendit janë ndalur në rrugë nga policia.
Kjo që ndodh brenda në parlament është një akt i turpshëm i Edi Ramës, që kërkon të kalojë ligjin me procedurë jo-kushtetuese. Ka një përcaktim në kushtetutë që nuk lejon kalimin me procedurë të përshpejtuar pa afat 1-javor. Edi Rama kërkon me çdo kusht të tregojë se Kushtetuta është letër e vdekur për të.
Ky është një sundimtar që nuk ka ligj e moral. Përse u zhduk nga çdo cep i parlamentit flamuri i NATO-s? Në një nga veprimet më të parë dha këtë urdhër. Ne nuk do të votojmë në procedura antikushtetuese në mënyrë absolute. Ne jemi pro kredisë, por kërkojmë që kjo procedurë të bëhet në përputhje me Kushtetutën”, shprehet Berisha./ad
Rozalinda Plaka, e reja prindërit e së cilës u vranë në tragjedinë e ndodhur në Vidhishtë, pritet të merret sërish në pyetje nga prokurorët e çështjes. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se dëshmia e saj e parë, e dhënë menjëherë pas përfundimit të pengmarrjes, ka qenë e paplotë për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike.
Sipas burimeve pranë familjes Plaka, 25-vjeçarja ka rrëfyer se në momentin e sulmit ishte në gjumë. Ajo është zgjuar nga krismat e armës dhe, sapo ka dalë nga dhoma, ka parë babanë të shtrirë në tokë, ndërsa ish-i fejuari i saj, Refit Nertil Buzi, e ka kërcënuar me armë, e ka marrë me forcë dhe e ka futur në automjet. Më pas ai është larguar drejt zonës kodrinore të Kurjanit, ku e mbajti peng për rreth katër orë.
Ndërkohë, Prokuroria e Fierit vijon hetimet jo vetëm për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë, por edhe për një procedim tjetër penal që rëndonte ndaj 35-vjeçarit për veprën penale të mashtrimit.
Prokurori Kristi Jorgji, i cili mori pjesë personalisht në negociatat me Buzin për ta bindur të dorëzohej, është njëkohësisht prokurori që hetonte edhe çështjen e mashtrimit ndaj tij. Sipas burimeve, Buzi ushtronte aktivitet në tregtinë e perimeve, duke u premtuar fermerëve eksportimin e produkteve në tregjet europiane. Disa prej tyre e kallëzuan penalisht, pasi pretendojnë se nuk morën pagesat për mallin që i kishin dorëzuar.
Në momentin e ngjarjes, Buzi ndodhej në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, i akuzuar për përndjekje ndaj ish-të fejuarës së tij, Rozalina Plaka.
Katër vite më parë, gjatë kohës që jetonte në Angli, 35-vjeçari kishte deklaruar se ishte marrë peng nga disa bashkatdhetarë, të cilët i kishin kërkuar një shumë të konsiderueshme parash për lirimin e tij.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se gjatë negociatave, prokurori Jorgji nuk i kishte treguar Buzit se ish-vjehrri kishte humbur jetën, por i kishte komunikuar se ai dhe bashkëshortja ndodheshin të plagosur në spital. Megjithatë, 35-vjeçari ndiqte zhvillimet përmes telefonit celular.
Siç raporton gazetari i Top Channel, Neritan Trifoni, rreth orës 15:00, Buzi ishte pranë dorëzimit, por para se të merrte vendimin u është drejtuar negociatorëve me fjalët: “Prit, të shoh lajmet”. Pasi mësoi nga mediat se ish-vjehrri kishte ndërruar jetë, ai refuzoi sërish të dorëzonte armën.
Rreth një orë më vonë 35-vjeçari qëlloi veten me armë, duke i dhënë fund jetës në sy të forcave të shumta të policisë që kishin rrethuar zonën./ad
Ylli Manjani ishte i ftuar në Podcast-in e Grida Dumës, me një bisedë të drejtpërdrejtë, pa kufizime dhe me shumë deklarata që do të hapin debat.
Gjatë bisedës ai rrëfeu se turmat e neverisin dhe nuk pranon imponimin.
“Tuma në neverit, më lodh, më bezdisin. Turmat janë fabrika dhune në një mënyrë ose në një tjetër”, tha ai ndër të tjera.
E duke komentuar protestën në Bulevard, Manjani u shpreh: “Imponimi në emër të një gjejë që quhet turmë, ose impostimi ‘Ne jemi populli!’ Avash mor burrë… fjalë e madhe populli, populli fle gjumë. Nëse e marrim si argument sasior, në ditën më të mirë që kanë qenë në bulevard, kanë qenë krahasueshëm me të njëjtën xhiro që bëhet te kodrat e Liqenit Artificial. Dua të them që prapë mbetemi te logjika e një imponimi të dhunshëm dhe unë këtë nuk e pranoj”./ad
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e ka cilësuar historike marrëveshjen që Kuvendi pritet të ratifikojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të Financimit të Jashtëm Ushtarak (FMF).
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balla tha se marrëveshja e huasë me vlerë 302 milionë dollarë amerikanë përbën një hap të rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë dhe përforcon partneritetin strategjik me SHBA-në.
Sipas tij, financimi do të përdoret për Forcat e Armatosura dhe do të disbursohet gradualisht për nevoja konkrete, ndërsa kredia ka një afat shlyerjeje deri në 12 vjet.
“Shqipëria shihet sot si një aleate e besueshme dhe një faktor stabiliteti në rajon. Sot vjen një marrëveshje për ratifikim me një vlerë prej 302 milionë dollarësh, kjo shumë do të përdoret për Forcat e Armatosura. Është edhe garancia që jep kjo marrëveshje. Kredia ka një afat deri në 12 vjet për t’u shlyer. Financimi do të disbursohet gradualisht për nevoja konkrete”, tha ai.
Balla kujtoi gjithashtu se javën e kaluar, përmes një akti normativ, u rritën shpenzimet për mbrojtjen në 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa theksoi se objektivi i Shqipërisë është që ato të arrijnë në 5% të PBB-së.
Ai e lidhi këtë zhvillim edhe me vendimin për organizimin e Samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë, duke e cilësuar si një vlerësim për rolin e Shqipërisë në Aleancë.
“Shqipëria ka hyrë në një trajektore të re besueshmërie dhe rritjeje të investimeve në mbrojtje. Sot jemi në nivelin 2.6% dhe synojmë të arrijmë në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Shqipëria vlerëson lidershipin dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së dhe të Presidentit Trump, duke mbetur e përkushtuar ndaj përgjegjësive të saj si një aleate e besueshme në NATO”, deklaroi Balla.
Në fund të fjalës së tij, Balla iu referua edhe debatit politik për protestat e fundit, duke përdorur simbolikën e “sorrave”, “korbave”, “shqiponjës” dhe “flamingove”.
“Zhurmuesit nuk kanë për të kuptuar kurrë rëndësinë e një marrëveshjeje, se Shqipëria është një aleat i besueshëm i SHBA-së dhe një aleat i denjë i NATO-s. Sorrat dhe korbat le të vazhdojnë të bërtasin, shqiponja bashkë me flamingot punojnë për Shqipërinë”, tha Balla./ad
Rozalina Plaka, prindërit e së cilës u vranë të premten nga ish-i fejuari i saj, Refit Nertil Buzi, do të rimerret në pyetje nga prokurorët e çështjes. Kjo sepse dëshmia e saj e parë në polici, nisur nga rrethanat e pengmarrjes së saj nga ish-i fejuari, ishte e paplotë.
Burime pranë familjes Plaka thanë se 25-vjeçarja ka rrëfyer se ishte në gjumë kur ndodhi vrasja e babait të saj dhe plagosja për vdekje e nënës. Ajo deklaroi se është zgjuar pasi ka dëgjuar krismat e armës dhe, kur ka dalë nga dhoma, ka parë babanë të shtrirë përtokë, ndërkohë që ish-i fejuari e ka marrë me forcë, duke e kërcënuar me armë, dhe e ka futur në makinë, për t’u larguar më pas drejt kodrave të Kurjanit.
Ndërkohë, Prokuroria po vazhdon hetimet, të cilat përfshijnë jo vetëm rrethanat e ngjarjes së rëndë, por edhe një akuzë për “mashtrim”, që rëndonte mbi 35-vjeçarin. Prokurori Kristi Jorgji, i cili mori pjesë në bisedimet me 35-vjeçarin Buzi për ta bindur të dorëzohej, është edhe prokuror i një çështjeje të ngritur për veprën penale të “mashtrimit”, bazuar në kallëzimin e disa shtetasve kundër Buzit.
Burime bëjnë me dije se Buzi ka kryer tregti perimesh, duke u premtuar disa fermerëve shitjen e prodhimeve bujqësore në tregjet evropiane. Por disa shtetas e kallëzuan penalisht për mashtrim, pasi nuk u kishte dhënë paratë e mallit që u kishte marrë për eksport. Buzi ishte në masë sigurie “arrest në shtëpi”, i akuzuar për përndjekje nga ish-e fejuara Rozalina Plaka.
Dy vjet më parë, gjatë kohës që ndodhej emigrant në Angli, 35-vjeçari Buzi pretendoi se ishte marrë peng nga disa bashkatdhetarë, të cilët kërkuan një sasi të konsiderueshme parash për ta lënë të lirë.
Të premten e 24 korrikut vrau veten në sy të dhjetëra forcave policore, pasi kishte vrarë më herët prindërit e ish-të fejuarës dhe mbajti peng këtë të fundit për katër orë. Ai nuk u bind të dorëzohej, megjithë përpjekjet e prokurorit Jorgji.
Ky i fundit, sipas burimeve nga efektivët që qëndruan për 10 orë pranë 35-vjeçarit të armatosur, nuk i tregoi se ish-vjehrri kishte ndërruar jetë, por se ai dhe bashkëshortja ishin të plagosur dhe ndodheshin në spital. Por 35-vjeçari ndiqte lajmet nëpërmjet telefonit.
Rreth orës 15:00, Buzi ishte pothuajse gati të dorëzohej, por përpara se ta bënte këtë, mësohet t’i ketë thënë prokurorit: “Prit se do shoh lajmet e orës 15:30”. Pasi dëgjoi se ish-vjehrri kishte ndërruar jetë, 35-vjeçari refuzoi sërish të dorëzonte armën. Rreth një orë më vonë qëlloi veten për vdekje me të./kb
5.5% të tjerë janë të dyzuar, kryesisht të rinj që nuk votuan vjet
Një ditë pas fjalimit “Besa” të Ramës, zhvillova një sondazh në të gjithë territorin e vendit, ku pyetja kryesore ishte: “Çfarë vlerësimi keni për Kryeministrin Rama?”. Pyetësorin e shpërndarë me një link përmes SMS-ve krejt të rastësishme nga Vermoshi në Konispol e plotësuan 1513 banorë të rritur, duke garantuar një maksimum marzhi gabimi statistikor +/- 2.6% për kampionin e plotë, si dhe një përfaqësim të përafërt statistikor të popullsisë së rritur, nga pikpamja gjeografike, demografike, arsimore dhe politike.
Nga sondazhi rezultoi se 49.1% e të anketuarve anojnë nga vlerësimi pozitiv për Kryeministrin Rama, 45.4% anojnë nga vlerësimi negativ, dhe 5.5% janë të dyzuar (shihni grafikun e mëposhtëm). Këto rezultate ishin të ngjashme edhe për shtresa të ndryshme gjeografike, gjinore dhe arsimore të kampionit.
Në një sondazh të ngjashëm që zvillova më 14 qershor për ‘Zërin e Shqiptarëve’, kuota pozitive për Ramën ishte 44.1%.
Teksa rezultatet ishin të ngjashme në shtresat e ndryshme gjeografike, gjinore dhe arsimore të kampionit, te shtresëzimi politik ndryshon puna.
Meqë në pyetësor ishte edhe një pyetje sesi kishin votuar të anketuarit në zgjedhjet e vjetshme parlamentare, mund të analizohet votimi i vjetshëm i atyre që kanë zgjedhur opsionet “Anoj pozitiv”, “Anoj negativ”, ose “I/e dyzuar” (shihni tabelën e mëposhtme).
Nga kjo analizë rezulton se te 49.1-përqindëshi që anon pozitiv, 3/4 kanë votuar vjet për PS-në. Nga ana tjetër, te 45.4-përqindëshi që anon negativ, 3/5 kanë votuar vjet për PD-ASHM. Kurse te 5.5-përqindëshi i të dyzuarve, dominojnë ata që nuk votuan fare vjet.
Interesant është shtresëzimi moshor – të anketuarit pro ose kundër Ramës kanë moshë mesatare të përafërt (50.2 vjeç vs. 49.2 vjeç). Ndërsa të dyzuarit e kanë moshën mesatare 27.6 vjeç.