Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

VLEN: Përfaqësimi i shqiptarëve është rritur nga 21.7 për qind nga koha e BDI-së, në 22.3 për qind me qeverisjen aktuale

28 December 2025 at 17:56


Koalicioni VLEN ka akuzuar sërish Bashkimin Demokratik për Integrim për deklarata jo të vërteta dhe tendencioze.

“Edhe PR-trukun e “referendumit”, që e përdori si mashtrim, realiteti ia përplasi për fytyrë me dhjetë komuna të humbura. Më herët bërtiste për “deshqiptarizim”. Jo sepse i dhimbeshin shqiptarët, por sepse humbi kontrollin mbi institucionet. BDI nuk ka pasur hallin e shqiptarëve. Gjithmonë e ka pasur hallin si t’i mbajë institucionet peng për veten dhe për klikën e saj. Raporti zyrtar për vitin 2024 ua mbyll gojën edhe një herë”, thonë nga VLEN.

Sipas tyre, përfaqësimi i shqiptarëve jo që nuk ka rënë, por është rritur nga 21.7 përqind në vitin kur ata ishin në pushtet, në 22.3 përqind tani kur VLEN është në Qeveri.

“Faktet e zhveshin BDI-në lakuriq. Paniku ishte i rremë, ndërsa narativa ishte propagandë e ulët. Kur BDI humbi pushtetin mbi institucionet, filloi të shesë gënjeshtrën se po humbnin shqiptarët. Kjo ishte mashtrimi më i madh. E vërteta është kjo. BDI kishte hallin si t’i frikësonte shqiptarët, si t’i mbante vazhdimisht të tensionuar, si t’i manipulonte emocionalisht dhe si t’i përdorte si mburojë për pazaret dhe aferat e veta. Me VLEN në qeveri ky cikël po merr fund. Për herë të parë pas 23 vitesh po sjellim Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i cili do të vlejë për çdo institucion në këtë shtet, edhe për ato institucione ku deri më sot, “falë” balancuesit, shqiptarët nuk kishin qasje. Një ligj i qartë, i detyrueshëm, i mbikëqyrshëm dhe i pakapshëm për pazare politike”, shtojnë nga VLEN.

VLEN: Politikat e dështuara të BDI-së nuk rehabilitohen me kongrese sipërfaqësore

21 December 2025 at 11:51


Koalicioni VLEN ka përshëndetur nënshkrimin e marrëveshjes kolektive në ditën e përvjetorit të Universitetit të Tetovës, si dhe me Universitetin “Nënë Tereza”.

Sipas tyre, kjo shënon fundin e një politike përjashtuese që u mbajt me vite, duke akuzuaer kështu pushtetin e kaluar.

“Marrëveshjet kolektive të nënshkruara me universitetet shqiptare dëshmon një të vërtetë që për vite me radhë u mohua. Problemi nuk paska qenë as ligji, as procedurat, as institucionet. Problemi paska qenë politika e BDI-së. Universitetet shqiptare nuk mbetën jashtë rastësisht. Ato u lanë qëllimisht në pritje, u detyruan të dalin në protesta dhe u trajtuan si temë dytësore, sa herë që barazia nuk i përshtatej interesave politike të BDI-së. Në periudhën kur Talat Xhaferi mbante përgjegjësi institucionale, kjo padrejtësi jo vetëm që nuk u korrigjua, por u justifikua dhe u normalizua.BDI pati vite kohë. Pati pushtet. Pati institucione, por nuk pati vullnet. Politikat e dështuara nuk rehabilitohen me kongrese sa për sy e faqe, prandaj edhe aktivistët e saj, me të drejtë, pyesin: ku është reforma?”, thonë mes tjerash nga VLEN.

VLEN: Fetai nga Doha prezanton modelin e qeverisjes së mirë dhe luftës së pakompromis kundër korrupsionit

19 December 2025 at 08:54


Koalicioni VLEN vlerëson praninë e zv. kryeministrit Arben Fetai në Doha, në kuadër të CoSP11 – Konferencës së OKB-së kundër Korrupsionit, si dëshmi të një përfaqësimi serioz dhe përmbajtësor të vendit në platformat ndërkombëtare që trajtojnë sfidat reale të korrupsionit.

"Modeli i prezantuar nga Fetai reflekton qasjen që mbështet VLEN: lufta kundër korrupsionit nuk ndërtohet mbi deklarata, por mbi udhëheqje të qartë, koordinim institucional dhe mekanizma konkretë zbatimi. Vetëm përmes veprimit real, llogaridhënies së vazhdueshme dhe përfshirjes aktive të shoqërisë civile mund të ndërtohet besimi i qytetarëve në institucione.

VLEN konfirmon se qeverisja e mirë është standard që duhet zbatuar brenda vendit dhe vlerë që përfaqësohet me dinjitet edhe në skenën ndërkombëtare.

Politikat e bazuara në të dhëna, digjitalizimi i proceseve dhe transparenca mbeten shtylla themelore për reduktimin e korrupsionit dhe ndërtimin e institucioneve të pastra, të përgjegjshme dhe funksionale në shërbim të interesit publik", thonë nga VLEN./Telegrafi/

VLEN: Përfaqësimi i drejtë merr vulën evropiane dhe së shpejti hyn në Kuvend

16 December 2025 at 09:20


Nga koalicioni VLEN thonë se ligji për përfaqësim të drejtë ka marrë vulën evropiane dhe se së shpejti do të jetë në Kuvend.

"VLEN po e mbyll njëherë e përgjithmonë një nga kapitujt më të mëdhenj të mashtrimit politik ndaj shqiptarëve: çështjen e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Ligji i ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat është dëshmia më e qartë se ajo që për dy dekada u përdor si sllogan, alibi dhe vegël shantazhi politik, sot po shndërrohet në standard ligjor, të matshëm dhe të zbatueshëm.
Për herë të parë, përfaqësimi i drejtë nuk mbetet peng i vullnetit politik të qeverive, i pazareve partiake apo i manipulimeve zgjedhore, por rregullohet me ligj të qartë, të detyrueshëm dhe të mbikëqyrshëm.

Me këtë ligj, VLEN e mbyll hallkën kyçe të MO-së. Faktet janë të pamohueshme: për të njëjtin ligj, mendim pozitiv ka dhënë edhe Komisioni i Venecias, autoriteti më i lartë evropian për çështje kushtetuese dhe juridike. Kjo e rrëzon përfundimisht propagandën e BDI-së, e cila për vite fliste për përfaqësim, por kurrë nuk pati guximin, vullnetin dhe ndershmërinë politike ta rregullojë atë me ligj", thonë nga VLEN.

Nga VLEN thonë se sot, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat po shndërrohet në mekanizëm ligjor që garanton barazi reale, transparencë dhe drejtësi për të gjithë qytetarët, pa dallim përkatësie dhe pa ndërmjetës partiak.

"Ligji pritet së shpejti të hyjë në procedurë parlamentare dhe VLEN u bën thirrje të gjithë deputetëve, pa përjashtim, që t’i kthehen arsyes, përgjegjësisë dhe interesit publik. Ky nuk është ligj partie, por ligj i barazisë, ligj i drejtësisë dhe ligj i së ardhmes evropiane të vendit", thonë nga VLEN./Telegrafi/

OBRM-PDUKM, VLEN dhe ZNAM parashtruan “Rezolutë për dënim të manipulimeve të opozitës” për emigrantët

15 December 2025 at 14:14


OBRM-PDUKM së bashku me deputetët nga koalicioni VLEN dhe nga ZNAM përgatiti dhe parashtroi Rezolutë për dënim të manipulimeve të opozitës dhe për vërtetim të politikave kundër emigracionit ilegal, i përbërë nga nëntë pika me të cilën përfundimisht i vihet fundi temës manipulative me emigrantë, deklaroi Nikolla Micevski, koordinues i grupit të deputetëve të OBRM-PDUKM-së.

Me Rezolutën, siç theksoi, dënohet çdo sjellje manipulaltive dhe konstatohet se i vihet fundi të gjitha spekulimeve dhe manipulimeve të rrejshme me gjoja pranimin e emigrantëve dhe ndërtimin e kampeve për emigrantë në shtet dhe me të cilën qartë dhe sigurt vizatohet korniza e politikës së emigracionit.

“Pas përhapjes së lajmeve të rrejshme, të pavërtetave dhe manipulimeve nga ana e LSDM-së, OBRM-PDUKM si parti shtetformuese përgatiti rezolutë me të cilën njëherë e përgjithmonë i vemi pikën temës së trilluar për emigrantët nga LSDM. Me këtë Rezolutë konstatojmë se Qeveria dhe Kuvendi asnjëherë nuk do të lejojnë të negociohet për emigrantët. Qytetarët të jenë të qetë, OBRM-PDUKM kujdeset për sigurinë e popullit”, deklaroi Micevski.

Rezoluta, siç sqaroi Micevski, është parashtruar sot dhe pritet tashmë nesër të gjendet në rend dite.

Lidhur me rezolutën nga LSDM, dhe nëse e kanë shqyrtuar, Micevski tha se nuk besojnë në qëllimin e ndershëm dhe nga ai shkak e parashtrojnë këtë Rezolutë në të cilën ceken të gjitha elementet e nevojshme.

VLEN: Pas 24 vitesh pritje, Ligji për përfaqësim të drejtë po bëhet realitet

13 December 2025 at 12:31


Koalicioni VLEN ka përshëndetur opinionin pozitiv të Komisionit të Venecias për Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, të prezantuar nga zëvendëskryeministri Arben Fetai, duke i dhënë dritë jeshile procesit që mbyll një pritje 24-vjeçare.

Sipas tyre, ky ligj është dëshmi se kur ka vullnet politik, parimi i përfaqësimit të drejtë nuk mbetet në fjalë, por shndërrohet në ligj.

"Përfaqësimi i drejtë po ecën përpara, i bazuar në standarde evropiane dhe në parimin e meritokracisë. VLEN është i vendosur që kjo çështje të mos mbetet më peng i lojërave politike, por të marrë zgjidhje të plotë ligjore, për një administratë publike profesionale, funksionale dhe inkluzive për të gjitha komunitetet. Për 24 vite kjo çështje është përdorur dhe stërpërdorur për retorikë dhe kalkulime politike, pa u kthyer kurrë në zgjidhje ligjore. Sot, VLEN po e mbyll këtë kapitull duke e shndërruar përfaqësimin e drejtë në LIGJ", thuhet në njoftimin e VLEN-it.

Seanca për zgjedhjen e ministrave të rinj, Sali dhe Hoxha është caktuar për 24 dhjetor

12 December 2025 at 11:11


Seanca parlamentare për shkarkimin dhe zgjedhjen e ministrave të rinj u caktua nga Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, për 24 dhjetor, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Së pari, do të pasojë shkarkimi i Ministrit për Çështjet Evropiane Orhan Murtezani, dhe më pas deputetët do të votojnë për zgjedhjen e zv. kryeministrit të parë, Ministrit për Çështjet Evropiane, Bekim Sali nga partia Alternativa, dhe Ministrit të Mjedisit, Muhamed Hoxha nga Lëvizja Demokratike, të dy nga koalicioni VLEN.

Zgjedhja e ministrave të rinj vjen pas zgjedhjeve lokale, pasi zv. kryeministri i Parë dhe Ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti, u bë kryetar i komunës së Çairit.

Pas zgjedhjes së ministrave të rinj, dhe siç njoftoi Kryeministri Hristijan Mickoski, një rikonstruim i madh i Qeverisë do të pasojë në pranverë, pasi kreu i OBRM-PDUKM bëri ndryshime në parti pas kongresit të partisë të mbajtur më 6 dhjetor./Telegrafi/

VLEN në Komunën e Vrapçishtit do të përkrah kandidatin e pavaruar, Zulhajrat Demirin

11 December 2025 at 19:14


Koalicioni VLEN do të mbështesë Zulhajrat Demiri i cili ka shpallur kandidaturën si i pavarur për Komunën e Vrapçishtit në zgjedhjet e përsëritura të 11 janarit.

“Në prag të zgjedhjeve lokale të 11 janarit, koalicioni VLEN njofton opinionin se Zulhajrat Demiri, i cili garon si kandidat i pavarur për kryetar të Komunës së Vrapçishtit, do të ketë mbështetjen e plotë të koalicionit në këtë proces zgjedhor”, thonë nga Koalicioni VLEN.

Kujtojmë se më 11 janar do të përseriten zgjedhjet në Komunën e Gostivarit, Vrapçishtiti, Mavrovë-Rostushë pasi që nuk u arrit censusi.

Kujtojmë se sot nga koalicioni VLEN në garën për të parin e Komunës së Gostivarit, dorëzoi kandidaturën dhe Nevzat Bejta, i cili rikthehet në politikë pas disa viteve pasi i njejti kishte dy mandate si kryetar komune.

VLEN: Korrigjohen gabimet në Librin e Gjeografisë

11 December 2025 at 17:51


Nga kalicioni VLEN përmes një statusi në rrjetet sociale kanë informuar se gabimet e evidentuara në Librin e Gjeografisë për klasën e shtatë me mësim në gjuhën shqipe janë përmirësuar.

Siç thuhet në njoftim, ky përmirësim ndodhi falë angazhimit dhe insistimit të VLEN dhe reagimit të shpejtë të zëvendësministrit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), Lulzim Aliu i cili duke reaguar publikisht theksoi se çështja e teksteve shkollore do të ketë zgjidhje të menjëhershme.

"Me verifikimin e menjëhershëm dhe korrigjimin pa vonesë të gabimeve, VLEN tregon se përgjegjësia institucionale është standardi ynë. Nuk është më si në të kaluarën kur nuk kishte zgjidhje materiali shkollor. Këtë e kemi parë në kohën e BDI-së.Korrigjimet e këtilla përkojnë me standardet shkencore dhe përcaktimin e përgjegjësisë politike për ata që për vite kanë lejuar shtrembërime të tilla. Gjeneratat e reja meritojnë tekste të sakta dhe dinjitoze dhe jo narrativat e shtrembëruara që BDI ka toleruar ndër vite.VLEN vlerëson se fëmijët tanë meritojnë libra të saktë, profesionalë dhe të përditësuara sipas standardeve bashkëkohore që korrigjimet e nevojshme të bëhen madje pa vonesë.VLEN përkushtohet për qeverisje të mirë, cilësi më të mirë në arsim si dhe kushte më të mira për nxënësit e studentët tanë", thuhet në njoftim.

Kujtojmë se ditë më parë u bënë publike disa fotografi nga teksti i librit të Gjeografisë, ku shtetit të Kosovës, i referoheshin me "Kosova dhe Metohija", gjë që solli dhe reagimin e partive opozitare shqiptare. /Telegrafi/

VLEN: Rritja e BPV-së është tregues i rëndësishëm se ekonomia e vendit është duke u konsoliduar

7 December 2025 at 18:30


Koalicioni VLEN përmes një njoftimi për media thonë se rritja prej 3.8 për qind e Bruto Prodhimit Vendor në tremujorin e tretë, publikuar nga Enti shtetëror i statistikës, është tregues i rëndësishëm se ekonomia e vendit është duke u konsoliduar dhe po lëviz në drejtimin e duhur.

"Kjo rritje e vendos vendin mes ekonomive që ka performancë të mirë dhe pasqyron qartë ndikimin pozitiv të politikave të orientuara drejt stabilitetit ekonomik, nxitjes së investimeve dhe zgjerimit të mundësive për punësim.VLEN e sheh qartë se këto rezultate lidhen me punën e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, nën drejtimin e ministrit Besar Durmishi, i cili prej ditës së parë është përqendruar te krijimi i kushteve më të mira për bizneset dhe te nxitja e investimeve", thonë nga VLEN.

Sipas tyre, këto hapa po japin efekte në hapjen e vendeve të reja të punës dhe në forcimin gradual të ekonomisë.

Fetai reagon për lajmet e rreme: Shpifësit do të përballen me drejtësinë

7 December 2025 at 15:09


Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai ka reaguar ndaj lajmeve të rrejshme që po shpërndahen në rrjetet sociale.

Së fundmi po qarkullon një deklaratë në emër të tij e kinse është kundër UÇK-së.

Ai në postimin e tij demantoi shkrimet, duke thënë se ata që mendojnë se mund ta diskreditojnë me metoda të tilla udbashe, “gabohen rëndë” dhe se do të përballen me drejtësinë.

Reagimi i plotë:

“Kushdo që përdor fotografinë time dhe shpik fjalë që nuk i kam thënë me qëllim për të më dëmtuar, le ta dijë mirë se ka kaluar çdo kufi të lejueshëm. Nuk ka tolerancë për shpifësit e porositur. Do të përballen me drejtësinë, secili prej tyre. Shpifja, montazhi dhe fabrikimi i deklaratave nuk më lëkundin aspak. Përkundrazi, ato më forcojnë edhe më shumë në bindjet dhe rrugën time."

VLEN: Takimi Fetai–Lawton konfirmon mbështetjen e fortë të SHBA-ve për reformat

6 December 2025 at 13:01


Koalicioni VLEN përmes një reagimi për media, thonë se takimi i zëvendëskryeministrit Arben Fetai me Daniel J. Lawton, zëvendës-ndihmës sekretar në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, është edhe një dëshmi e qartë se rruga e reformave ka marrë mbështetjen më të fortë ndërkombëtare.

"Kur flasim për qeverisje të mirë, transparencë dhe luftë kundër korrupsionit, nuk jemi vetëm. Sot, partnerët tanë strategjikë në SHBA e njohin dhe e vlerësojnë ndryshimin që po ndërtohet. Ata shohin përpjekjen, seriozitetin dhe vullnetin që po investohet për të rikthyer besimin te institucionet. Në kuadër të kësaj, roli dhe bashkëpunimi me përfaqësues të tjerë kyç të administratës amerikane, si Mark Tervakoski, drejtor i Zyrës për Evropë dhe Azi në Byronë për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, mbetet po ashtu thelbësor. Kontributi i tij në forcimin e standardeve të sundimit të ligjit dhe kapaciteteve institucionale është pjesë e partneritetit strategjik që Maqedonia e Veriut po e ndërton me SHBA-të.Arben Fetai artikuloi qartë zotimin tonë për institucione që i shërbejnë popullit, jo interesave të mbyllura", thonë nga VLEN.

Ata shtojnë se VLEN-i ka premtuar ndryshim dhe ndryshimi po ndodh.

Mexhiti: VLEN ka dalë fitues edhe pa pasur një lider

5 December 2025 at 21:19


Kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti në emisionin “1+1” në TVM2 ka thënë se nuk ka ndonjë garë brenda VLEN-it se kush mund ta marrë drejtimin e saj dhe sipas tij deri tani u dëshmua se subjekti nuk është i lidhur për pozicione.

“VLEN është dëshmuar edhe me këtë formacion, sepse te shqitarët janë mësuar kryesisht deri tash me bajraktakrizma dhe VLEN po e thyen këtë paragjykim, se nuk është me rëndësi individi, por ideja, platforma dhe VLEN ka dalë fitues edhe pa pasur një njeri të parë”, tha ai.

Sipas Mexhitit, gara kryesore tani është Gostivari dhe Vrapçishti.

"Prioritet tani janë zgjedhjet në Gostivar dhe Vrapçisht ku duam të rikthehemi fuqishëm dhe Gostivari dhe Vrapçishti të bashkohen me fitimtarët dhe fitoren dhe njerëzit që duan të punojnë për qytetarin dhe jo të shndërrohen në terren eksperimental politik për opozitën shqiptare”, ka thënë ai.

Lidhur me atë se cilët deputetë nga opozita negociojnë me pushtetin, Mexhiti madje me përgjigje se ka lëvizje të shumta.

Protesta në Shkup për krerët e UÇK-së, Mickoski: Nuk e mbështes, jam i bindur se edhe VLEN-i nuk do ta mbështesin

4 December 2025 at 18:09


Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski komentoi sot protestën e paralajmëruar nga kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmetit në mbështetje të ish pjesëtarëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Ai tha se kjo është një lëvizje e gabuar e Ahmetit dhe mendon se duhet ta rimendoj këtë vendim, teksa shtoi se beson se partnerët e tij shqiptarë në qeveri nuk do ta mbështesin këtë protestë.

“Me këtë protestë po mundohen të mobilizohen para Kongresit të partisë. Me këtë ata vetëm po e vërtetojnë se do ta kenë shumë të vështirë që në të ardhmen të gjejnë partner të koalicionit. Unë nuk e mbështes këtë ide dhe as nuk pajtohem me këtë marsh. Jam i bindur se as VLEN nuk do ta mbështes”, tha Mickoski.

Kujtojmë se Ahmeti dje paralajmëroi se protesta do të mbahet në Shkup, në sheshin Skenderbeu, më datë 13 dhjetor me fillim nga ora 13:00. /Telegrafi/

Kasami: Dominon argumenti që VLEN-i të jetë një parti, me presidencë dhe kryetar

2 December 2025 at 22:45


Njëri nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami thotë se VLEN-i është në rrugë drejt transformimit në një parti politike, duke i shkrirë subjektet aktuale që përbëjnë koalicionin.

“Dominon argumenti që të kemi një organizatë të përbashkët politike, përballë varianti i të qenit si koalicion mes më shumë partive politike”, tha Kasami në "Alsat".

Ai sqaroi se VLEN-i do të ketë një strukturë komplekse lidershipi, ku të gjitha strukturat do ta gjejnë veten të përfaqësuar. Kasami paralajmëroi se do të ketë një trup presidence, ku do të merren vendimet me konsensus.

“Lidershipi i VLEN-it nuk mund të jetë një model klasik dhe i thjeshtë. Kjo nënkupton se përpara se ti japim peshë kryesore kryetarit, të kemi një presidencë apo kryesi të VLEN-it, ku pjesa më e madhe e vendimeve të merret me konsensus si deri tash, dhe kryetarët e subjekteve të cilët e përbëjnë VLEN-in të kenë pozita të rëndësishme në këtë organizatë”, deklaroi Kasami.

Por, megjithatë, ai tha se VLEN-i do të ketë një kryetar përfaqësues.

BDI dhe VLEN urojnë 28 Nëntorin, ditën e flamurit dhe pavarësisë së Shqipërisë

28 November 2025 at 12:38


BDI dhe VLEN ka uruar ditën e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë.

"Ky përvjetor i njërës prej ditëve më të shenjta të historisë sonë kombëtare na kujton se përpjekja për liri, barazi, gjuhë, identitet dhe shtetësi është një proces i vazhdueshëm, që kërkon përkushtim të pandërprerë dhe angazhim të përditshëm.

Liria nuk është një arritje përfundimtare, por një rrugëtim i përbashkët, të cilin e ndërtojmë me vullnet, unitet dhe vendosmëri. Kjo ditë na fton të reflektojmë për sakrificën e brezave që sollën dritën e lirisë dhe për përgjegjësinë që kemi sot në forcimin e shtetit, demokracisë dhe të drejtave tona kolektive", thonë nga BDI.

Nga VLEN thonë se ky është një nga momentet më të rëndësishme të historisë sonë moderne, që shënon themelimin e shtetit shqiptar dhe aspiratat për liri, zhvillim dhe dinjitet.

"Bashkëpunimin e vazhdueshëm me Tiranën zyrtare dhe rolin e saj si partner strategjik në forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve në rajon dhe në përparimin ekonomik e institucional të vendit", thonë nga VLEN./Telegrafi/

Mexhiti: Kryetari i ardhshëm i VLEN-it do të zgjidhet midis meje dhe Kasamit

25 November 2025 at 20:04


Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, deklaroi se kryetari i partisë së ardhshme i koalicionit aktual qeverisës VLEN do të zgjidhet midis tij dhe kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

"Është diku këtu. Ai është më shumë një faktor në Tetovë, unë jam në Shkup. Këto janë dy qytete të mëdha ku janë të përqendruar shqiptarët dhe për këtë arsye po punojmë për zgjidhje krijuese. Ka më shumë zgjidhje nëpër parti në Evropë, po shqyrtojmë modele nga Gjermania", tha Mexhiti në emisionin "Direkto" në "Telma".

Mexhiti poashtu njoftoi se kanë filluar negociatat me palën bullgare për të zhbllokuar procesin e integrimit evropian të vendit.

"Nga ana jonë, shoh se ka vullnet dhe energji pozitive për t'u ulur, për të negociuar dhe për të gjetur një zgjidhje të përbashkët. Pres dhe shpresoj që edhe pala bullgare do të jetë e njëjtë", tha Mexhiti.

Ai thekson se prioriteti kryesor i Vlenit është integrimi evropian i Maqedonisë.

"Le të jemi të mirë në gjithçka tjetër, nëse nuk bëjmë përparim në këtë, nuk mund ta vlerësojmë si qeverisje të suksesshme ose një proces të suksesshëm", shtoi Mexhiti./Telegrafi/

VLEN: Emërimet e Qeverisë në Gostivar dhe Vrapçisht, masë e domosdoshme për funksionimin normal të institucioneve lokale

25 November 2025 at 19:10


Koalicioni VLEN ka përshëndetur vendimin e Qeverisë për emërimin e Fadil Xhelilit si ushtrues detyre të Kryetarit të Komunës së Gostivarit dhe Bujamin Kadriut si ushtrues detyre të Kryetarit të Komunës së Vrapçishtit.

Nga VLEN thonë se kjo masë e përkohshme është e domosdoshme për të siguruar funksionimin normal të institucioneve lokale deri në mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale më 11 janar në të dy komunat.

Në njoftimin e VLEN theksohet se të emëruarit konsiderohen figura profesionale dhe të respektuara, të cilët pritet ta ushtrojnë detyrën me dinjitet, profesionalizëm dhe përkushtim ndaj qytetarëve.

Koalicioni shpreh bindjen se administratat lokale në Gostivar dhe Vrapçisht do të vazhdojnë të funksionojnë pa pengesa dhe me transparencë të plotë gjatë periudhës tranzitore.

VLEN gjithashtu deklaron se pret një fitore të qartë në zgjedhjet e 11 janarit, duke theksuar se qytetarët do të zgjedhin udhëheqjen që, sipas tyre, garanton “ndryshim të vërtetë, qeverisje të përgjegjshme dhe zhvillim të qëndrueshëm”.

Në fund, koalicioni riafrimon angazhimin e tij për t’i shërbyer interesit qytetar dhe për të kontribuar në një të ardhme më të sigurt për çdo komunë, duke e mbyllur njoftimin me moton: “VLEN për ndryshimin që vazhdon.”

VLEN: Qeverisja jonë synon rezultate konkrete, sektorët e lënë pas me vite tashmë po marrin vëmendjen e nevojshme

25 November 2025 at 16:15


Koalicioni VLEN përmes një komunikate për media kanë deklaruar se me qeverisjen e re tashmë, secili sektor po merr vëmendjen dhe mbështetjen e duhur.

VLEN tha se po qeverisin përmes një modeli që synon rezultate konkrete, mbrojtjen e resurseve natyrore dhe politika që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve

“Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Albrim Hoxha, mori pjesë në hapjen e “Ditëve të Vardarit 2025”, ku mbi 100 përfaqësues institucionesh, organizatash dhe ekspertësh diskutuan zgjidhje moderne për sektorin. Ngjarja krijoi një hapësirë të gjerë bashkëpunimi mes institucioneve dhe komunitetit shkencor, me fokus te praktikat moderne të menaxhimit të ujit dhe mbrojtjes së ekosistemit të Vardarit. Ky dialog po shërben si bazë për politika më të qëndrueshme dhe më efektive për të ardhmen e bujqësisë. Qasja e re e VLEN-it po reflektohet qartë në terren, ku sektorët e lënë pas për vite po marrin vëmendjen e nevojshme. Puna e zëvendësministrit Hoxha është përqendruar në modernizimin e bujqësisë, përmirësimin e infrastrukturës së ujitjes dhe forcimin e politikave rurale. Ky është modeli i qeverisjes që sjell VLEN, një qasje që synon rezultate konkrete, mbrojtjen e resurseve natyrore dhe politika që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve”, thanë nga VLEN.

Mickoski: Deri nesër do të finalizohen emrat e ministrave të rinj nga koalicioni VLEN

25 November 2025 at 13:50


Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski njoftoi sot se emrat e ministrave të rinj nga radhët e koalicionit VLEN do të finalizohen deri nesër, ndërsa propozimi do t’i dorëzohet Kuvendit gjatë kësaj jave.

“Deri nesër do të finalizohen të gjitha çështjet. Pres që këtë javë t’i dorëzoj propozimet në Parlament. Kur gjithçka të jetë zyrtare, opinioni do të njoftohet", tha Mickoski.

Mickoski për emrat e të mandatuarve në komunat ku nuk janë zgjedhur kryetarë, tha se do të kuptohet brenda ditës.

“Le të kalojnë në seancën e qeverisë. Seanca fillon për pak minuta dhe publiku do t’i mësojë emrat brenda disa orësh,” tha Mickoski.

❌
❌