Liverpooli pranon ta largojë Chiesan te njëri nga gjigantët italianë vetëm me një kusht
Liverpooli nuk ka ndërmend ta lejojë Federico Chiesan të largohet në formë huazimi gjatë afatit kalimtar të janarit, përveç nëse në tavolinë vjen një ofertë e përshtatshme për transferim të përhershëm, raportojnë mediat britanike.
Pavarësisht interesimit nga Juventusi dhe Napoli, klubi anglez mbetet i vendosur në qëndrimin e tij, duke i dhënë përparësi përfitimit financiar dhe jo një largimi të përkohshëm të sulmuesit italian.
Chiesa ka kaluar një periudhë jo të lehtë në “Anfield”, me minuta të kufizuara në dispozicion dhe një dëmtim të lehtë së fundmi, çka ka nxitur interesimin e klubeve nga Serie A për një rikthim të mundshëm në Itali.
Megjithatë, drejtuesit e Liverpoolit nuk e shohin me sy të mirë një huazim, sidomos në këtë fazë të sezonit, dhe janë të gatshëm të negociojnë vetëm nëse paraqitet një ofertë serioze për transferim të plotë.
Federico Chiesa iu bashkua Liverpoolit në verën e vitit 2024 nga Juventusi, por ende nuk ka arritur të sigurojë një vend të rregullt titullari nën drejtimin e trajnerit Arne Slot.
Me afatin kalimtar që po i afrohet mbylljes, çdo lëvizje e mundshme e italianit do të varet nga një ofertë e konsiderueshme që mund ta bindë klubin anglez të ndahet me të. /Telegrafi/
