Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Nga falimentimi në majën e Italisë: Kryevepra e Aurelio de Laurentiis

2 January 2026 at 16:18


Kanë kaluar 21 vjet që kur Aurelio De Laurentiis bleu Napolin, 21 vjet të shënuara nga suksese, dështime, gëzime dhe zhgënjime. Më 6 shtator 2004, De Laurentiis bleu Napolin për rreth 31 milionë euro, duke e shpëtuar klubin nga falimentimi.

Ai mori praktikisht nga hiri një skuadër, një klub, një stadium, një tifozëri dhe një qytet të tërë, duke i rikthyer në majën e futbollit italian përmes pasionit, largpamësisë, vendosmërisë, fitimeve kapitale dhe të ardhurave milionëshe pa financime të jashtme, këmbënguljes dhe investimeve të mëdha.

Duke nisur nga Serie C1, ai arriti të fitojë shtatë trofe në krye të klubit. Në fund të vitit të parë nga dy sezonet e Luciano Spallettit, marrëdhënia e tij me tifozët dukej se kishte arritur një pikë pa kthim, për shkak të raporteve të tensionuara me qytetin dhe vendimeve të papëlqyera në merkato.

Por që nga Scudettoja e tretë e tutje, ai hyri drejtpërdrejt në “Olimp” dhe u fut përfundimisht në zemrat e popullit azzur dhe në historinë e klubit si një figurë qendrore.

Pas sukseseve të para që i dhanë qytetit shijen e fitores, si Kupa e Italisë me Walter Mazzarrin dhe Superkupa e Italisë me Rafa Benitezin, erdhën triumfet më të mëdha. Dy Scudetto në tri vitet e fundit. Fillimisht me Spallettin, më pas me Antonio Conten, ky i fundit i vulosur nga fitorja në finalen e Superkupës së Italisë ndaj Bolognas.

Nga Serie C në Serie A

Në javët pas falimentimit, Aurelio De Laurentiis mori drejtimin e klubit dhe e regjistroi Napolin në kampionatin 2004-2005 të Serie C1. Në sezonin 2006-2007, me Edoardo Rejan në stol, Azzurrët u rikthyen në Serie A pas gjashtë vitesh mungesë, falë ndeshjes vendimtare ndaj Genoas në stadiumin “Ferraris”.

Më 10 qershor 2007, Napoli dhe Genoa u rikthyen së bashku në elitë. Ndeshja mes dy skuadrave përfundoi 0-0, rezultat që i dha të dyja ekipeve ngjitjen matematikore.

Ishte fillimi i një rruge të re, një rilindje e vërtetë, që pa lojtarë si Marek Hamsik dhe Ezequiel Lavezzi të shndërroheshin në heronjtë e rinj të popullit napolitan.

Konsolidimi në Serie A

Me ardhjen e Walter Mazzarrit në stol, Napoli u rikthye në nivelet më të larta. Në sezonin 2010-2011, skuadra u rikthye në Ligën e Kampionëve pas 21 vitesh mungesë, ndërsa në sezonin 2011-2012 fitoi Kupën e katërt të Italisë në historinë e klubit. Në arenën evropiane, Azzurrët dhuruan disa ndeshje spektakolare, përfshirë fitoret ndaj Manchester Cityt të Yaya Toures dhe Chelseat të Didier Drogbas në fazën me eliminim direkt.

Në sezonin 2012-2013, Napoli përfundoi i dyti në kampionat, i udhëhequr nga një Edinson Cavani i jashtëzakonshëm, golashënuesi më i mirë i Serie A atë sezon. Hamsik, Lavezzi dhe Cavani formuan treshen legjendare të quajtur “Tenorët Azzur”.

Benitez dhe Sarrismo

Sezoni pasues shënoi vazhdimin e rritjes së klubit dhe nisjen e procesit të ndërkombëtarizimit, me emërimin e Rafa Benitezit, ish-trajnerit të Liverpoolit. Fitues i Ligës së Kampionëve me “The Reds”, Benitezi i dhuroi Napolit Kupën e pestë të Italisë në sezonin 2013-2014 dhe Superkupën e dytë të Italisë.

Ai solli në Napoli lojtarë të nivelit evropian si Gonzalo Higuain, Raul Albiol dhe Jose Callejon nga Real Madridi.

Në vitin 2013, Napoli zhvilloi një fazë të shkëlqyer të grupeve në Ligën e Kampionëve, me katër fitore në gjashtë ndeshje ndaj Borussia Dortmundit dhe Arsenalit, por për shkak të renditjes së veçantë dhe barazimit me pikë me anglezët dhe gjermanët, nuk arriti të kualifikohej më tej. Një arritje që u ndje si tallje.

Së bashku me tre lojtarët nga Real Madridi, në portë erdhi Pepe Reina, ndërsa nga PSV u transferua Dries Mertens, i cili shpejt u bë idhull i tifozëve.

Kështu nisi epoka e Maurizio Sarrit, i cili shfrytëzoi maksimalisht grupin e ndërtuar nga Benitezi dhe iu afrua shumë fitimit të Scudettos në vitin 2018, duke e mbyllur kampionatin me 91 pikë, katër më pak se Juventusi i Massimiliano Allegrit.

Napoli i Sarrit, i njohur si “Sarrismo”, një term që u përfshi edhe në fjalorin Treccani, ofroi futboll spektakolar, të admiruar në mbarë botën, me lojtarë si Allan, Jorginho, Hamsik dhe Raul Albiol.

Pavarësisht nivelit të lartë të lojës, trajneri toskan e mbylli periudhën 2015-2018 pa asnjë trofe. Ai krijoi një lidhje të fortë me Gonzalo Higuainin, i cili shënoi 36 gola në Serie A në sezonin 2015-2016, rekord absolut për një sezon të vetëm.

“Qëndro edhe një vit këtu dhe do të të bëj sulmuesin më të mirë në botë”.

Premtimi u mbajt, me një fund hollywoodian dhe golin e 36-të të shënuar me roveshatë ndaj Frosinones, nën shi të rrëmbyeshëm në stadiumin e atëhershëm “San Paolo”. Në merkaton pasuese, De Laurentiis e shiti Higuainin te Juventusi i Agnellit.

Ancelotti, Gattuso dhe vitet e vështira

Pas Sarrit erdhi Carlo Ancelotti, por ai nuk arriti të përsëriste sukseset e paraardhësit. Në sezonin e parë Napoli u rendit i dyti, por sezoni i dytë ishte një dështim total, që kulmoi me shkarkimin e tij në vitin 2020. Më pas erdhi Gennaro Gattuso, nën drejtimin e të cilit Napoli fitoi Kupën e gjashtë të Italisë.

Ishte një periudhë e vështirë për klubin, ku presidenti kishte investuar shumë besim te Ancelotti, por pa rezultatet e pritura.

Spalletti dhe Conte: Rikthimi i Scudettos

Sezoni 2021-2022 shënoi ardhjen e Luciano Spallettit, një trajner me përvojë të madhe, por pa tituj në Itali. Në sezonin e parë, Napoli përfundoi i treti, duke luftuar deri në fund për Scudetto.

Në sezonin 2022-2023, pas një revolucioni të madh në merkato me largimin e Insignes, Koulibalyt, Fabian Ruizit dhe Mertensit, erdhi triumfi historik i Scudettos së tretë, 33 vjet pas suksesit me Maradonën.

Me 90 pikë, çerekfinale në Ligën e Kampionëve dhe futboll spektakolar, Napoli u rikthye në majë të Italisë me dyshen Kvaratskhelia–Osimhen.

Scudettoja e dytë nuk vonoi 33 vjet, por erdhi shpejt, në sezonin 2024-2025 me Antonio Conten në stol. Trajneri nga Lecce, fitues serial i titujve në Itali, e nxori Napolin nga rrënojat e një sezoni katastrofik dhe e çoi drejt Scudettos së katërt në histori.

Lojtarë si Romelu Lukaku, Scott McTominay dhe David Neres ishin ndër protagonistët kryesorë. Goli me roveshatë i skocezit dhe aksioni spektakolar i belgut në ndeshjen e fundit ndaj Cagliarit i dhanë Napolit titullin me 82 pikë, një më shumë se Interi.

Antonio Contes iu desh vetëm një vit për ta rikthyer Scudetton nën hijen e Vezuvit, duke fituar më pas edhe Superkupën e Italisë, të tretën në histori për Napolin, me David Neres dhe Rasmus Hojlund si protagonistë absolutë.

Pronari i klubit realizoi investime masive për të përmbushur kërkesat e trajnerit, duke shpenzuar rreth 350 milionë euro në dy merkato verore. Dhe pas Higuainit, De Laurentiis arriti të sillte një tjetër yll botëror në Napoli: Kevin De Bruyne.

Qëllimi i Contes është të vazhdojë fitoret në një vit të veçantë për klubin, njëqindvjetorin e themelimit në vitin 1926. Një shekull histori, në të cilin Aurelio De Laurentiis ka qenë, është dhe do të mbetet një protagonist i madh. Ndoshta më i rëndësishmi./Telegrafi

Kroos: CR7 më i miri që kam luajtur, Ancelotti trajneri i preferuar

28 December 2025 at 16:17


Mesfushori Toni Kroos ka zgjedhur Cristiano Ronaldon si futbollisti më i mirë që ka luajtur, ndërsa Carlo Ancelottin si trajneri më i preferuar.

Kroos u pensionua vitin e kaluar ndërsa në një intervistë së fundi me Romarion, komentoi në pika të shkurtër karrierën.

“Lojtari më i mirë që kam luajtur ishte Cristiano Ronaldo. Cristiano shënoi më shumë gola sesa ndeshje që zhvilloi për Real Madridin, nuk ka asgjë për të shtuar”.

Kroos pastaj dha lëvdata të mëdha për Carlo Ancelottin, i cili po drejton kombëtaren e Brazilit.

“Ancelotti është trajneri më i mirë që kam punuar. Ai di si të menaxhojë një skuadër të madhe më mirë se të gjithë të tjerët, jo vetëm në perspektivën e futbollit por në të gjitha aspektet”.

Duke zgjedhur lojën më të mirë të karrierës, Kroos e përmendi finalen e Ligës së Kampionëve të vitit 2017, ku Reali e demoloi Juventusin me rezultat 4-1.

Në fund, ai shtoi se gjithçka ka qenë si ëndërr dhe është krenar që ka luajtur për një dekadë në fanellën galaktike.

“Real Madridi ishte klubi më i madh për të cilin kam luajtur. Isha më fat që luajta për 10 vite aty. Ishte si një familje e madhe dhe shumë herë më e suksesshme. Gjithçka që kam pasur ka qenë sikur të ishte ëndërr”, nënvizoi ai.

Ndërkohë, gjermani tani ka një shkollë futbolli ku iu mëson fëmijëve hapat e parë të karrierës./Telegrafi

Neymar elektrizon tifozët brazilianë, jep një premtim të madh për Kampionatin Botëror

21 December 2025 at 13:46


Neymar Jr. ka rikthyer veten në qendër të ëndrrës së Brazilit për Kupën e Botës, duke dërguar një mesazh të fortë emocional dhe plot besim për objektivin e tij final me kombëtaren.

Duke folur hapur para mediave, ylli brazilian e bëri të qartë se ngritja e trofeut mbetet prioriteti i tij absolut, ndërsa premtoi angazhim maksimal për ta rikthyer Brazilin në majën e futbollit botëror.

33-vjeçari ka premtuar se nëse shkojnë në finale me Brazilin do të shënoj gol.

“Do të bëjmë të mundurën dhe të pamundurën për ta sjellë Kupën e Botës në Brazil. Në korrik mund të më mbani përgjegjës. Nëse arrijmë në finale… premtoj se do të shënoj një gol”, deklaroi Neymar, duke treguar qartë vendosmërinë dhe emocionin me të cilin e pret këtë sfidë të madhe.

Sulmuesi brazilian nuk la pa përmendur as trajnerin e Real Madridit, Carlo Ancelotti, të cilit iu drejtua me humor, duke i kërkuar që t’i japë një dorë drejt realizimit të këtij objektivi madhor.

Në Brazil tema kryesore në mediat sportive është nëse Neymar do të ftohet apo jo në Kupën e Botës. /Telegrafi/

Votat më të çuditshme për trofeun ‘The Best FIFA 2025’

17 December 2025 at 13:29


Ousmane Dembele ka fituar trofeun ‘FIFA The Best 2025’, duke lënë pas Lamine Yamal dhe Kylian Mbappe.

Ky sukses vjen si vazhdim i fitores së tij me ‘Topin e Artë’ në shtator, duke shpërblyer një sezon të jashtëzakonshëm për sulmuesin e PSG-së, si në nivel individual, ashtu edhe kolektiv.

Ndryshe nga trofeu i organizuar nga France Football, sistemi i votimit i FIFA-s synon të jetë më gjithëpërfshirës, duke u lejuar tifozëve nga e gjithë bota të votojnë në të njëjtin nivel me përzgjedhësit e kombëtareve, kapitenët dhe gazetarët specialistë.

Sipas analizës së Maxime Barbaud nga FootMercato, votimi është ndarë në katër kategori me peshë të barabartë (25% secila), ku pikët janë: 5 për vendin e parë, 3 për të dytin dhe 1 për të tretin.

FIFA ka publikuar votat e dhëna nga 11 finalistët për secilën kategori, duke përfshirë zgjedhjet e përzgjedhësve, kapitenëve dhe mediave.

Zgjedhjet e kapitenëve dhe përzgjedhësve të kombëtareve të njohura:

Didier Deschamps, përzgjedhësi i Francës, ka votuar për dy të preferuarit e tij: Dembele në vendin e parë, Mbappe në vendin e dytë dhe Hakimi në të tretin.

Achraf Hakimi, kapiteni i Marokut, ka zgjedhur Mbappen si numrin një, Dembele në vendin e dytë dhe Raphinha në të tretin.

Marquinhos, kapiteni i Brazilit, ka vendosur Dembele në krye, Raphinha të dytin dhe Hakimi të tretin.

Carlo Ancelotti ka përsëritur të njëjtin podium, por me Mbappen në vendin e tretë.

Në Spanjë, ka pasur mendime të ndryshme rreth Lamine Yamal: kapiteni Unai Simon e ka zgjedhur si të parë, përpara Pedri dhe Nuno Mendes, ndërsa përzgjedhësi Luis de la Fuente ka votuar Pedrin, më pas Lamine Yamal dhe Mbappen.

Në Portugali, kapiteni Bernardo Silva ka votuar për Vitinha, Nuno Mendes dhe Dembele, ndërsa përzgjedhësi Roberto Martinez ka zgjedhur të njëjtët lojtarë, por me Lamine Yamal në vend të tretë.

Votat e yjeve ndërkombëtarë

Lionel Messi ka votuar për Dembelen, Mbappen dhe Lamine Yamal.

Përzgjedhësi i Argjentinës, Scaloni, ka zgjedhur Mbappe, Pedri dhe Lamine Yamal.

Luka Modric ka vlerësuar lojtarë të fushës së tij: Vitinha në vendin e parë, Dembele të dytin dhe Lamine Yamal të tretin, duke lënë jashtë Mbappen.

Kapiteni italian Donnarumma ka votuar për Dembele, Hakimi dhe Lamine Yamal.

Riyad Mahrez ka zgjedhur Dembele, Hakimi dhe Mbappe.

Mohamed Salah, finalist, ka vendosur Hakimi, Dembele dhe Mbappe.

Këto rezultate jo vetëm që reflektojnë performancat individuale, por gjithashtu tregojnë edhe lidhjet dhe preferencat personale midis lojtarëve dhe përzgjedhësve, duke ofruar një panoramë interesante mbi votimin për çmimin 'FIFA The Best 2025'. /Telegrafi/

Carlo Ancelotti afër rinovimit, do të bëhet përzgjedhësi më i paguar në botë

12 December 2025 at 18:53


Carlo Ancelotti është shumë afër nënshkrimit të një marrëveshjeje të re me Kombëtaren e Brazilit, e cila do ta mbajë në krye të Seleçaos deri në vitin 2030 dhe do ta bëjë trajnerin më të paguar të një kombëtareje në botë.

Trajneri italian, që mori drejtimin e Brazilit këtë vit pas largimit nga Real Madridi, fillimisht kishte nënshkruar një kontratë prej 10 milionë eurosh në vit, e vlefshme deri në Kupën e Botës 2026, me bonuse shtesë në rast triumfi në turne.

Marrëveshja e re do t’i sigurojë të ardhmen afatgjatë me pesë herë kampionët e botës edhe pas Botërorit që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Ky rinovim pasqyron besimin e madh që Federata e Futbollit të Brazilit ka tek aftësia e Ancelottit për ta rikthyer skuadrën në majën e futbollit botëror.

Në shortin e fundit për Kupën e Botës 2026, Brazili është pozicionuar në Grupin C së bashku me Haitin, Skocinë dhe Marokon.

Me përvojën e tij të jashtëzakonshme dhe sukseset në ligat më të mëdha të Evropës, italiani shihet si figura ideale për t’i sjellë stabilitet dhe përgatitje taktike një grupi që synon rikthimin e dominimit global./Telegrafi

Ancelotti pas shortit të Kupës së Botës: Do të jetë shumë e vështirë

6 December 2025 at 10:34


Kombëtarja e Brazilit është vendosur në një "grup të vështirë" në Kupën e Botës 2026, me Marokun, Skocinë dhe Haitin, ka thënë trajneri i Selecaos, Carlo Ancelotti, të premten mbrëma pas shortit në Uashington.

Ekipi i tij do të luajë ndeshjen e parë më 13 qershor 2026, kundër Marokut, e më pas do të ketë ndeshje kundër Haitit më 19 qershor dhe Skocisë më 24 qershor.

"Maroku ishte shumë i mirë në Kupën e Botës 2022 në Katar, ku arriti në gjysmëfinale, ndërsa Brazili u eliminua në çerekfinale. Skocia ka një ekip shumë të fortë, do të jetë shumë e vështirë", ka thënë fillimisht Ancelotti për Sportv.

"Duhet të përpiqemi të përfundojmë të parët në grup. Mbi të gjitha, duhet të përgatitemi mirë për ndeshjen e parë, e cila do të jetë shumë e rëndësishme”.

“Duhet të mendojmë për fitoren e të tre ndeshjeve. Së pari kundër Marokut, që do të jetë më e vështira, por edhe kundër dy kundërshtarëve të tjerë. Duhet të kemi besim", përfundoi italiani.

Ndryshe, Brazili do të luajë dy ndeshje miqësore në Shtetet e Bashkuara në mars, njërën kundër Francës dhe tjetrën kundër Kroacisë. /Telegrafi/

Ancelotti: Vinicius do të shkojë në Kupën e Botës

1 December 2025 at 12:31


Carlo Ancelotti, ish-trajneri i Real Madridit, shprehu besimin se minuta e pakët e Vinicius Junior në stolin e skuadrës nën drejtimin e Xabi Alonsos është vetëm një periudhë kalimtare.

Trajneri italian është i bindur se sulmuesi brazilian do të luajë një rol të rëndësishëm në sezonin e ardhshëm dhe do të jetë gati për Kupën e Botës që do të zhvillohet në Kanada, Shtetet e Bashkuara dhe Meksikë.

“Ky është një moment, një periudhë në jetën e tij profesionale. Ka momente që lojtarët, sidomos ata me tiparet e tij, nuk japin gjithmonë 100% të potencialit të tyre. Mund të jetë që ka pësuar një rënie të vogël, por jam i sigurt se Vinicius do të ketë një sezon të shkëlqyer, po ashtu si në sezonet e kaluara, dhe një rol shumë të rëndësishëm te Real Madrid. Ai do të arrijë në formë të shkëlqyer për Kupën e Botës”, ka thënë Ancelotti.

Ai konfirmoi gjithashtu: “Vinicius do të shkojë në Kupën e Botës”. /Telegrafi/

Ancelotti i bindur se dy yjet e Real Madridit do të shkëlqejnë së bashku te Brazili

14 November 2025 at 23:30


Përzgjedhësi i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka lavdëruar formën dhe përqendrimin e Vinicius Junior dhe Rodrygo Goes para ndeshjes miqësore të së shtunës kundër Senegalit, që luhet në “Emirates Stadium”.

Italiani u paraqit para mediave të premten dhe i hodhi poshtë të gjitha dyshimet mbi kombinimin e dy yjeve të Real Madridit. Ai theksoi se bashkëpunimi i tyre nuk përbën asnjë dilemë, duke qenë se janë të mësuar të luajnë krah për krah në Madrid. Sipas tij, të dy lojtarët duken fizikisht shumë mirë dhe janë gati të japin kontribut të madh për Kombëtaren.

Ancelotti nënvizoi se fokusi kryesor është përgatitja për Botërorin 2026. Ai shtoi se gabimet tani janë të pranueshme, por në Kupën e Botës një lëshim i vetëm mund të jetë fatal.

“Mund të luajnë së bashku, janë mësuar te Real Madridi. Po i shoh duke bërë mirë në aspektin fizik dhe jam i bindur se do të kontriboujnë shumë te kombëtarja”, deklaroi ai.

Tekniku italian zbuloi gjithashtu se ka pasur një bisedë personale me Viniciusin, por sqaroi se ajo nuk ishte e natyrës taktike. Ai tha se gjithmonë diskuton me lojtarët e tij për të kuptuar mendimet e tyre, duke theksuar se askush nuk detyrohet të luajë në pozicion ku nuk ndihet komod.

Brazilianët shpresojnë që treshja ofensive të jetë gati për të dhënë sinjale të qarta para ngjarjes më të madhe të futbollit botëror./Telegrafi

Ancelotti: Interi është skuadra me mendje më evropiane në Itali

14 November 2025 at 14:20


Trajneri i Brazilit dhe ish-trajneri i Milanit, Carlo Ancelotti, ka lavdëruar vazhdimësinë e shkëlqyer të Interit në Serie A dhe në Ligën e Kampionëve.

Ancelotti e ka vlerësuar lartë skuadrën e Interit dhe drejtuesit, ku sipas tij përveç lojës të mirë po kanë edhe rezultate.

"Interi është skuadra me mendjen më evropiane që kemi: po luan shumë mirë në Ligën e Kampionëve, ku ka fituar çdo ndeshje dhe vjen nga dy finale në tre vjet. Po e ruan nivelin e tij me qëndrueshmëri të madhe. Marotta është vërtet një president i aftë dhe ka bërë një punë të shkëlqyer", ka thënë fillimisht ish-trajneri i Real Madridit.

Ancelotti komentoi gjithashtu se derbi i Milanos pas pushimit të ndeshjeve ndërkombëtare do të jetë një garë e fortë dhe zgjodhi Interin dhe Napolin si favoritët për Scudetton këtë sezon.

“Është shumë e ekuilibruar Serie A. Interi e ka ruajtur strukturën e tij dhe Chivu po ndjek shembullin e Inzaghit. Interi është një ekip shumë i fortë, si Milani. Kjo është arsyeja pse pres një ndeshje të fortë”, shtoi trajneri italian.

Për kandidatët potencialë për Scudetto, Ancelotti tha: "Interi dhe Napoli, të cilët kanë pësuar disa humbje të tepërta, por janë ende atje. Dhe pastaj Roma, Milani dhe Juventusi do të luajnë deri në fund”. /Telegrafi/

Ancelotti: Vini Jr është lojtar i klasit të parë

13 November 2025 at 10:40


Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka lavdëruar mentalitetin e fortë të Vinicius Junior, duke theksuar se sulmuesi i Real Madridit do të jetë në formën e tij më të mirë për Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm.

Ish-trajneri i madrilenëve u shpreh se humbja e Topit të Artë 2024 nuk ka ndikuar ndjeshëm tek lojtari, teksa beson se ai tashmë e ka rifituar formën më të mirë.

“Është e vërtetë, me kombëtaren nuk ka arritur nivelin që zakonisht ka te Real Madridi. Por në ndeshjet e fundit është përmirësuar dhe ka bërë shumë mirë me ‘Seleçaon’, duke shënuar gola dhe dhënë asiste. Askush nuk mund të vërë në dyshim cilësitë e tij. Vini është lojtar i klasit të parë”, ka thënë fillimisht Ancelotti.

“Topi i Artë mund ta ketë ndikuar pak, por tani Vini është afër formës së tij më të mirë. Ai po luan shumë mirë dhe po rezulton vendimtar. Ka një karakter të fortë, nuk ndalet te gabimet apo kritikat, por shikon përpara shumë shpejt. Jam i sigurt se Vini do të mbërrijë në Kupën e Botës në gjendje të shkëlqyer”, përfundoi trajneri italian.

25-vjeçari ka realizuar pesë gola dhe katër asiste për Real Madridin në të gjitha garat këtë sezon. Ai ka shkëlqyer edhe me Brazilin muajin e kaluar, duke shënuar një gol dhe dhënë një asistim në fitoren kundër Koresë së Jugut. /Telegrafi/

“Çfarë mund të kërkojmë më shumë prej tij”, Ancelotti i del në mbrojtje Xabi Alonsos

13 November 2025 at 10:16


Përzgjedhësi kombëtares së Brazilit, Carlo Ancelotti, i ka dalë në mbrojtje trajnerit të Real Madridit, Xabi Alonso, duke e cilësuar kritikat ndaj pasardhësit të tij si të panevojshme, duke pasur parasysh që “Los Blancos” kryesojnë La Ligën dhe kanë pësuar vetëm një humbje në katër ndeshje të Ligës së Kampionëve.

“Nuk kam çfarë këshillash t’i jap. I ndjek të gjitha ndeshjet e Real Madridit sepse dua të shoh si po paraqiten brazilianët, dhe e shoh skuadrën duke bërë shumë mirë”.

“Ata kanë fituar pothuajse çdo ndeshje, por për fat të keq, në futboll nuk mund të fitosh gjithmonë. Ndonjëherë duhet të mjaftohesh me një barazim”.

“Një gjë që e mësova te Real Madridi është se një barazim atje është preludi i një krize. Pa shaka, duhet të mësosh të jetosh me këtë”.

Xabi Alonso

“E dimë tashmë se mënyra më e mirë për të vlerësuar një trajner janë rezultatet dhe deri tani rezultatet kanë qenë spektakolare”.

“Ata janë në krye të ligës dhe mes tetë më të mirëve në Ligën e Kampionëve. Çfarë mund të kërkojmë më shumë nga Xabi?”, ka thënë Ancelotti.

Pavarësisht fillimit pothuajse perfekt të sezonit, Alonso është përballur me kritika pas humbjes ndaj Liverpoolit dhe barazimit me Rayo Vallecanon, ndërsa edhe raportet e ftohta me disa lojtarë kanë shtuar tensionin rreth tij./Telegrafi/

Carlo Ancelotti kritikon Viniciusin për veprimin që bëri pas zëvendësimit në ‘El Clasico’

4 November 2025 at 18:34


Carlo Ancelotti ka kritikuar Vinicius Jr për reagimin e tij të zemëruar pas zëvendësimit nga Xabi Alonso gjatë fitores së Real Madridit ndaj Barcelonës, duke e përshkruar sjelljen e sulmuesit si “një gabim”.

Trajneri italian zbuloi se ka folur drejtpërdrejt me 25-vjeçarin, duke konfirmuar se çështja tani është zgjidhur, ndërsa si lojtari ashtu edhe trajneri po shikojnë përpara drejt ndeshjeve ndërkombëtare të muajit të ardhshëm.

Real Madrid mund të ketë festuar fitoren në ‘El Clasico’ më 26 tetor, por diskutimet pas ndeshjes u dominuan nga reagimi i zemëruar i Vinicius pas zëvendësimit në pjesën e dytë.

Sulmuesi brazilian, i zëvendësuar nga Arda Guler në minutën e 72-të, u pa dukshëm i irrituar dhe shkoi menjëherë në tunel në vend që t’i bashkohej shokëve të skuadrës në stol dhe veprimet e tij shkaktuan polemika të menjëhershme.

Orë pas ndeshjes, Vinicius reagoi në rrjetet sociale duke publikuar një kërkim falje publike, duke pranuar se emocionet e tij morën kontrollin.

Vinicius/ Xabi Alonso

“Ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë me Vinicius. Kur ndodh diçka, sigurohemi që të flasim për të”.

“Fola me Vinicius për çështjen, për reagimin e tij. I thashë atë që mendoja, se ai bëri një gabim. Ai kërkoi falje dhe çështja është e zgjidhur. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm”.

“Ai nuk ka një problem këtu apo në klubin e tij, apo me trajnerin e tij (Alonso). Sa i përket jetës së tij personale, ajo është e tij, unë nuk jam as babai, as vëllai i tij, jam vetëm trajneri i tij”, ka thënë Ancelotti.

Për Real Madridin, çështja tani duket e mbyllur. Alonso tashmë ka pranuar kërkimin e faljes së Vinicius dhe lojtari gjithashtu ishte titullar në ndeshjen e fundjavës kundër Valencias, dhe do të jetë sërish në fushë kundër Liverpoolit në Ligën e Kampionëve të martën në ‘Anfield’./Telegrafi/

Pas tri vitesh pritje, një yll rikthehet në kombëtaren e Brazilit

4 November 2025 at 11:24


Mesfushori i Al-Ittihad, Fabinho, është ftuar nga trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, për ndeshjet miqësore të nëntorit, duke i dhënë fund pritjes së tij tre-vjeçare me përfaqësuesen.

Ish-lojtari i Liverpoolit nuk ishte pjesë e planeve të Brazilit që nga transferimi i tij në Superligën e Arabisë Saudite në 2023, por performanca e shkëlqyer në sezonin 2024/25, ku udhëhoqi Ittihad drejt titullit të ligës dhe Kupës së Mbretit, i siguroi atij një vend në skuadër.

Me 29 paraqitje ndërkombëtare deri më tani, 32-vjeçari do të kërkojë të tregojë veten në miqësoret ndaj Senegalit dhe Tunizisë, duke forcuar shanset e tij për të siguruar një vend në listën e Kombëtares për Botërorin e ardhshëm.

Përveç tij, Vitor Roque ka marrë ftesën e tij të dytë në kombëtare, pas paraqitjeve të jashtëzakonshme me Palmeiras këtë sezon.

Sulmuesi 20-vjeçar do të bashkohet me yjet si Vinicius Junior, Rodrygo, Joao Pedro dhe Estevao. /Telegrafi/

“Nuk i flet prej gjashtë vitesh”, vajza e Ancelottit zbulon tradhtinë e Gattusos

24 October 2025 at 17:36


Vajza e Carlo Ancelottit zbulon përplasjen e vazhdueshme mes trajnerit të Brazilit dhe Gennaro Gattusos, e cila nisi pas shkarkimit të tij nga Napoli dhe emërimit të ish-lojtarit të tij në atë detyrë.

Sipas saj, Carlo Ancelotti, i njohur për qetësinë dhe diplomacinë e tij, u mërzit shumë me vendimin e Gattusos për ta zëvendësuar në pankinën e Napolit, diçka që e konsideroi si mungesë respekti.

Si lojtar, Gattuso kishte luajtur shumë ndeshje nën drejtimin e Ancelottit gjatë periudhës së tij te Milan, ku të dy fituan dy tituj të Ligës së Kampionëve dhe ndanë një marrëdhënie të fortë profesionale dhe miqësore.

Megjithatë, gjithçka ndryshoi në dhjetor të vitit 2019, kur Napoli vendosi të shkarkojë Ancelottin. Në atë kohë, presidenti Aurelio De Laurentiis po shqyrtonte zëvendësues të mundshëm dhe kishte nisur kontaktet paraprake me Gattuson.

Kur Ancelotti dëgjoi për këto zëra, ai e telefonoi ish-lojtarin e tij për ta pyetur personalisht, por Gattuso mohoi çdo kontakt me klubin. Vetëm pak ditë më vonë, pas fitores së Napolit ndaj Genk në Ligën e Kampionëve, Ancelotti u shkarkua dhe menjëherë pas tij Gattuso u emërua trajner i ri.

Gennaro Gattuso dhe Carlo Ancelotti te Milani

Më pas, Gattuso nuk e informoi Ancelottin për vendimin e tij për të marrë drejtimin e skuadrës. Situata arriti në atë pikë sa që, kur Ancelotti u kthye në qendrën stërvitore për të mbledhur sendet personale, ai shmangu kontaktin me sy me Gattuson.

Ngjarja ndodhi para gjashtë vitesh, por sipas vajzës së tij Katia Ancelotti, dyshja nuk ka folur dhe as takuar më që nga ajo kohë.

“Ata nuk kanë folur dhe as janë parë më. Babai ishte i mërzitur dhe nuk bën sikur s’ka ndodhur asgjë. Rino nuk e ka telefonuar më. Ndoshta do të shihen përsëri në Kupën e Botës, shpresojmë që Italia të kualifikohet. Një finale Brazil–Itali do të ishte e mrekullueshme. E fundit ishte në vitin 1994, atëherë babai ishte ndihmës i Sacchit. Ku ishte Gattuso atëherë?”.

“Do të doja ta shihja babin ashtu edhe në jetën e përditshme. Ai nuk e ekspozon veten, nuk do të mërzisë askënd. Një njeri që është shumë i qetë, ndoshta është përpara kohës së tij. Ai gjithmonë përpiqet të shmangë konfliktet”, ka thënë ajo./Telegrafi/

Bellingham përshkruan ndryshimin midis Real Madridit sezonin e kaluar dhe këtij sezoni

23 October 2025 at 08:22


Pas gati tre muajsh, Jude Bellingham më në fund është rikthyer në formën dhe gjendjen e tij më të mirë fizike, pasi luajti të gjithë 90 minutat kundër Juventusit, ndërsa shënoi edhe golin e fitores 1-0 në Ligën e Kampionëve.

Pas ndeshjes në ‘Bernabeu’, Bellingham shpjegoi se si ndihet pasi shënoi golin e fitores dhe ndryshimin midis sezonit të kaluar dhe këtij viti me Real Madridin.

"Kjo është një ndjenjë e mrekullueshme. Pas kaq shumë kohësh, të luaj një ndeshje të madhe të Ligës së Kampionëve dhe të shënoj golin e fitores, e kam ëndërruar këtë moment", ka thënë fillimisht Bellingham.

😘 pic.twitter.com/hmT28kTMun
— Real Madrid C.F. (@realmadrid) October 22, 2025

"Mendoj se vitin e parë luajtëm me disa formacione të ndryshme, Carlos i pëlqen të jetë i adaptueshëm”.

“Viti i kaluar nuk ishte një katastrofë, nuk luajta shumë keq, me 15 gola dhe 14 asistime”.

“Këtë sezon, procesi ka ndryshuar me trajnerin e ri, ne duam të luajmë më mirë dhe të shënojmë më shumë", përfundoi ylli anglez. /Telegrafi/

Ancelotti paralajmëron botën: Do ta sjellim Kupën e Botës në Brazil pas 24 vitesh

16 October 2025 at 15:49


Përzgjedhësi i Kombëtares së Brazilit, Carlo Ancelotti, ka zbuluar ambiciet e tij për Kupën e Botës 2026 në një intervistë për FIFA-n, duke reflektuar mbi vendimin për të marrë drejtimin e “Seleçaos” dhe muajt e tij të parë në krye të ekipit.

Ancelotti pasi u largua nga Real Madridi mori menjëherë drejtimin e Brazilit, kombëtare e cila e kishte bërë prioritet teknikun italian që nga vera e kaluar.

“Besoj se përgjegjësia jonë është të arrijmë atë që çdo brazilian ëndërron, të fitojmë sërish Kupën e Botës pas 24 vitesh”.

Tekniku italian u shpreh se është përshtatur mjaft mirë me ambientin dhe jetën në Brazil.

“Po ndihem shumë rehat me Federatën dhe me lojtarët. Tashmë jemi kualifikuar, ndaj duhet të përgatitemi mirë për Botërorin. Po e shijoj shumë këtë periudhë — të jetosh në Rio de Janeiro është ‘muito bonito’, siç thonë në portugalisht”.

Carlo Ancelotti

I pyetur pse pranoi ofertën e Brazilit, Ancelotti theksoi se nuk kishte dyshime për një mundësi kaq të madhe në karrierë.

“Menjëherë mendova se drejtimi i kombëtares braziliane ishte një mundësi e jashtëzakonshme, duke qenë se është skuadra më e suksesshme në histori, me më shumë Kupa Bote të fituara. Ideja për t’u përgatitur për Botërorin me Brazilin ishte fantastike. Duhet të falënderoj edhe Real Madridin, që më dha mundësinë të nis këtë përvojë të madhe”.

Sa i përket pritshmërive për turneun që zhvillohet verën e ardhshme në Amerikën e Veriut, Ancelotti shtoi se do të jetë argëtuese.

“Kupa e Botës është turneu më i rëndësishëm në futboll dhe gjithmonë tërheq vëmendjen e të gjithëve. Besoj se do të jetë një garë shumë e balancuar. Ka shumë përfaqësuese me cilësi të mëdha, disa me futbollistët më të mirë në botë. Do të jetë me të vërtetë një Botëror argëtues”./Telegrafi/

Ancelotti: Loja e bukur është e rëndësishme, por fitoret janë prioritet

14 October 2025 at 12:30


Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka folur hapur për pritshmëritë që ka ndaj lojtarëve për Kupës e Botës 2026.

Ancelotti ka theksuar rëndësinë e ekuilibrit mes lojës së bukur dhe rezultateve.

"Kombëtarja e Brazilit dëshiron të luajë futboll të bukur dhe mund ta bëjë këtë, po, por gjithçka varet nga ajo që nënkupton me lojë të bukur", ka thënë fillimisht Ancelotti.

Sipas trajnerit italian, përkundër rëndësisë së lojës së bukur, angazhimi, puna në grup dhe fitorja janë prioritetet kryesore.

"Angazhimi dhe puna në grup janë thelbësore. Të luash bukur është e rëndësishme, por gjëja më e rëndësishme është të fitosh".

Ky është një sinjal i qartë se Brazili nuk do të nënvlerësojë asnjë aspekt të lojës në rrugën drejt titullit. /Telegrafi/

Brazili dëshiron të zgjasë kontratën e Ancelottit deri në vitin 2030

11 October 2025 at 19:25


Trajneri italian Carlo Ancelotti raportohet se është gati të nënshkruajë një kontratë të re me Brazilin deri në vitin 2030, duke e udhëhequr skuadrën deri në një tjetër edicion të Kupës së Botës.

Sipas gazetës O Globo, plani është që ish-trajneri i Real Madridit të mbetet në krye të ekipit, pavarësisht rezultateve në SHBA, Meksikë dhe Kanada në vitin 2026.

Kjo tregon nivelin e besimit që Federata Braziliane ka ndaj Ancelottit, pasi ka kohë që përpiqet ta bindë të marrë detyrën.

Nga ana tjetër, italiani ka deklaruar më parë se ai dhe familja e tij janë të lumtur me këtë rol dhe se do të ishte i hapur për të pranuar një kontratë më të gjatë.

Bilanci i tij në stolin e “Seleçaos” deri tani është: tre fitore, një humbje 1-0 ndaj Bolivisë dhe një barazim 0-0 në Ekuador.

Ata ishin në aksion dje me një fitore 5-0 në miqësore ndaj Koresë së Jugut.

Ancelotti mbetet i vetmi trajner në histori që ka fituar titujt kampion në pesë ligat më të mëdha të Evropës, duke triumfuar në Serie A, La Liga, Ligën Premier, Bundesliga dhe Ligue 1.

Shumë ende ëndërrojnë që ai një ditë të marrë drejtimin e kombëtares italiane, por një kontratë e re me Brazilin do ta bënte këtë më pak të mundur./Telegrafi/

“Askush nuk e dinte se çfarë po kaloja, nuk isha mirë”, ylli i Real Madridit rrëfen problemet e mëdha personale

8 October 2025 at 08:57


Ylli i Real Madridit dhe Kombëtares së Brazilit, Rodrygo Goes, ka rrëfyer më në fund problemet personale që përjetoi gjatë sezonit të fundit dhe rehabilitimin e tij.

Rodrygo ka qenë një lojtar dytësor këtë sezon. Ai ka bërë tetë paraqitje në të gjitha garat deri më tani, duke dhënë një asistim në vetëm 212 minuta në fushë.

Kjo është një vazhdim i formës së tij të dobët në fund të sezonit të kaluar, pasi ai ka luajtur 33 ndeshje që nga shkurti, duke shënuar një gol dhe duke dhënë pesë asistime në të gjitha garat, të cilat sigurisht nuk janë shifra që do t'i kënaqin tifozët e Real Madridit.

Rodrygo ka folur me gazetën spanjolle AS rreth arsyeve të rënies së tij sezonin e kaluar dhe si filloi dashuria e tij për Real Madridin.

“Është e vërtetë, sezonin e kaluar kalova vështirësi personale. Nuk fola me askënd për një kohë të gjatë. Askush nuk e dinte se çfarë po kaloja. Nuk isha mirë, as mendërisht dhe as fizikisht. Ishte shumë e vështirë për mua”, ka thënë fillimisht Rodrygo për AS.

“Së pari Zoti, pastaj familja ime dhe trajneri Ancelotti më ndihmuan shumë për të kapërcyer të gjitha problemet e mia. Ai pa që nuk po përmirësohesha dita-ditës, pa që nuk mund ta ndihmoja ekipin".

“Por nuk kishte kohë për t’u rikuperuar sepse luanim çdo tre ditë, dhe pastaj nuk kishte kohë për t’u ndalur dhe për të menduar se si ta zgjidhnim problemin. Ai pa që edhe unë isha njeri dhe se kisha probleme të vërteta, serioze. Ai e kuptoi gjithçka, të gjithë situatën. Më tha të pushoja dhe se nuk isha gati të luaja tani. E falënderova dhe e pyeta nëse mund të luaja”.

“Por ai e dinte se duhej të më rregullonte në një nivel personal së pari përpara se të më rregullonte si lojtar. Ishte një periudhë shumë e vështirë në jetën time, por tani e kam kaluar”.

“Sa herë që mundem, falënderoj Carlon, djalin e tij Davide dhe stafin e trajnerëve. Të gjithë më ndihmuan, si dhe familja ime, sigurisht. Tani nuk ndiej asgjë tjetër veçse lumturi, jam i lumtur dhe shumë i motivuar për një sezon të mirë përpara", shpjegoi braziliane problemet që kaloi sezonin e kaluar. /Telegrafi/

Carlo Ancelotti flet hapur për kohën e tij te Chelsea, zbulon pse Roman Abramovich e shkarkoi

25 September 2025 at 20:56


Carlo Ancelotti ka pranuar se të qenit trajner nën drejtimin e Roman Abramovich te Chelsea ishte një eksperiencë e pazakontë dhe ndryshe nga çdo gjë tjetër që ai ka përjetuar gjatë karrierës së tij të gjatë.

Italiani mbërriti në "Stamford Bridge" në vitin 2009 dhe fitoi Ligën Premier dhe FA Cup në sezonin e tij të parë, por thotë se kërkesat e vazhdueshme të pronarit rus dhe obsesioni me Ligën e Kampionëve krijuan një presion të jashtëzakonshëm.

Në librin e tij të ri, Ancelotti shkruan momente nga koha e tij në klub, ku kishte biseda të shpeshta me Roman Abramovich.

Ancelotti dhe Abramovich

“E dija që rekordi im do të më çonte vetëm deri diku. Abramovich e bëri të qartë se donte që unë të fitoja Ligën e Kampionëve me Chelsean dhe që klubi të krijonte një identitet të fortë në fushë. Por unë po punoja për një oligark rus, i cili papritmas priste që gjithçka të shkonte mirë gjatë gjithë kohës. Dhe nëse nuk shkonte, ai donte të dinte pse. Ishte detyra ime të jepja përgjigjet”, tregon ai.

Ancelotti kujtoi një mëngjes pas një humbjeje 3–1 ndaj Wigan, kur Abramovich e pyeti direkt për rezultatet. Marrëdhënia u tensionua edhe më shumë pas eliminimit nga Interi i Jose Mourinhos, ku pronari u zemërua nga rezultati dhe ndihej i turpëruar.

Kulmi arriti në vitin 2011, kur Abramovich nënshkroi Fernando Torres për 50 milionë funte dhe kërkoi që ai të luante. Kur Ancelotti e zëvendësoi Torres në një humbje të Ligës së Kampionëve ndaj Manchester United, kjo u pa si një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj pronarit. Abramovich e paralajmëroi Ancelottin se nuk duhej të kthehej nëse ekipi humbiste.


Mourinho dhe Ancelotti

“Torres vuante nga mungesa e vetëbesimit dhe ndjeu presionin e tarifës së transferimit. Në dhomën e zhveshjes, Abramovich e bëri shumë të qartë çfarë do të thoshte kjo humbje. Ajo që ndodhi më pas ishte e pashmangshme. Zëvendësimi i Torres ishte një qortim i drejtpërdrejtë ndaj pronarit. Për një moment, kisha harruar se nuk mund ta mposhtja pronarin”, tregon Ancelotti në librin e tij.

Pasi përfundoi i dyti në ligë, Ancelotti u largua nga Chelsea, madje u përjashtua në korridorin e "Goodison Park" nga drejtori ekzekutiv Ron Gourlay para se të largohej nga stadiumi.

Megjithatë, Ancelotti ruan nostalgji për kohën e tij te Chelsea, duke kujtuar lojtarë si Frank Lampard, John Terry dhe Didier Drogba, të cilët e nderuan me një darkë lamtumire.

Ancelotti dhe Drogba

“Ndoshta Abramovich kishte të drejtë që më la të shkoja. Sezonin pasardhës, Chelsea fitoi Ligën e Kampionëve. Edhe pse ai shkarkoi pasardhësin tim vetëm gjashtë muaj pas triumfit, unë e kujtoj çdo ditë që isha te Chelsea si një përvojë të mrekullueshme”, mbyllin kujtimin e tij Ancelotti për klubin e Chelseat. /Telegrafi/

❌
❌