Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se gjatë 12 orëve të fundit janë raportuar 23 vatra zjarri në të gjithë territorin e Shqipërisë, prej të cilave 8 vazhdojnë të jenë aktive.
Sipas ministrisë, në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 26 automjete zjarrfikëse, 310 forca operacionale dhe 103 efektivë të Forcave të Armatosura.
Në përpjekjet për shuarjen dhe vënien nën kontroll të zjarreve janë përdorur edhe tre helikopterë dhe dy avionë “Air Tractor”. Mjetet ajrore kanë ndërprerë operacionet gjatë mbrëmjes.
Ndërhyrjet në terren po vijojnë në Dajt, Priskë të Madhe, Drenie të Patosit, Krujë, malin e Nemërçkës dhe malin e Dhëmbelit.
Autoritetet bëjnë të ditur se në këto zona nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Një tjetër operacion i rëndësishëm po zhvillohet në Gurë-Lurë të Dibrës, ku forcat zjarrfikëse, vullnetarët dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura janë angazhuar pranë banesave, me qëllim mbrojtjen e komunitetit.
Ndërkohë, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, zjarri në Vilëz të Kurbinit është shuar plotësisht.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, së bashku me strukturat vendore, po vijon koordinimin e operacioneve në terren deri në neutralizimin e plotë të të gjitha vatrave aktive.
Shtimi i limonit në një gotë me ujë mund të jetë një zakon i thjeshtë i përditshëm që mund të ndihmojë tretjen dhe të rrisë marrjen e lëngjeve. Përveçse i japin ujit një shije freskuese, limonët përmbajnë vitaminë C dhe acid citrik, dhe marrja e mjaftueshme e ujit është e rëndësishme për funksionimin normal të sistemit tretës.
Shumë njerëz nuk pinë mjaftueshëm lëngje gjatë ditës, gjë që mund të ndikojë edhe në tretje. Marrja e pamjaftueshme e ujit mund të kontribuojë në kapsllëk, ndërsa hidratimi i mjaftueshëm ndihmon në funksionimin normal të trupit dhe sistemit tretës.
Kjo është arsyeja pse një gotë ujë me limon mund të jetë një mënyrë e thjeshtë për të marrë më shumë lëngje gjatë ditës. Shtimi i disa feta limoni mund ta bëjë ujin e zakonshëm më të shijshëm dhe të ndihmojë që pirja e rregullt e ujit të jetë një zakon më i lehtë.
Limoni është gjithashtu një burim i mirë i vitaminës C, e cila kontribuon në funksionimin normal të sistemit imunitar, krijimin e kolagjenit dhe mbrojtjen e qelizave nga stresi oksidativ. Vitamina C gjithashtu ndihmon trupin të përthithë hekurin.
Megjithatë, uji me limon nuk duhet parë si një kurë për problemet e tretjes ose si një pije që mund të “pastrojë” trupin. Përfitimi i tij kryesor është se mund të jetë një mënyrë e shijshme për të rritur marrjen e lëngjeve, e cila është një pjesë e rëndësishme e një stili jetese të shëndetshëm.
Kjo është arsyeja pse disa feta limoni në një gotë me ujë mund të jenë një shtesë e thjeshtë në rutinën e përditshme, veçanërisht për ata që e gjejnë ujin e thjeshtë dhe pa aromë më pak tërheqës./ET
Dashi E ardhmja e marrëdhënieve tuaja nuk është e qartë deri sa të qartësohet e kaluara. Nëse doni dhe ju duan, vështirësitë e ditës do të zgjidhen lehtësisht dhe nuk do të ndikojnë në planet tuaja. Në situatat e komplikuara nuk duhet të veproni me kokëfortësi. Demi Sot ju do të kujtoni se sa e […]
Akademia e FIFA-s në Kosovë po vazhdon punën për zbulimin dhe zhvillimin e talenteve të reja të futbollit, me fokus të veçantë te vajzat e gjeneratave 2012 dhe 2013.
Në fazën e radhës të programit janë përfshirë 19 futbolliste të reja, të cilat vijnë nga rajone të ndryshme të Kosovës. Ato janë përzgjedhur pas vëzhgimeve të zhvilluara gjatë muajit qershor në kuadër të procesit për identifikimin e talenteve në të gjitha Lidhjet Rajonale të Futbollit.
Përmes këtij programi, pjesë e FIFA Talent Development Scheme, synohet që futbollisteve të reja t’u krijohen kushte të barabarta për avancim dhe përgatitje profesionale që në moshë të hershme.
Stërvitjet do të zhvillohen nën udhëheqjen e ekspertit të FIFA-s, Rainer Kraft. Programi përfshin punë të specializuar në disa fusha, me theks te përmirësimi i teknikës, aspektit taktik dhe përgatitjes fizike të lojtareve.
Akademia e FIFA-s në Kosovë është e para e këtij lloji në vendet e Ballkanit dhe synon të shërbejë si një hap i rëndësishëm për ndërtimin e gjeneratave të ardhshme të futbollit.
Përmes kësaj pune, objektivi është që vajzat e përzgjedhura të zhvillohen gradualisht dhe të jenë të gatshme që në të ardhmen të synojnë edhe fanellën e ekipeve kombëtare të Kosovës.
MPB Maqedoni njofton se zyrtarë policorë nga SPB Shkup arrestuan pesë persona në lidhje me dy vepra penale, të raportuara më 09.08.2026. “Në koordinim me SPB Tetovë, J.J. (24), A.O. (22) dhe A.A. (24), të gjithë nga Gostivari, u arrestuan me dyshimin se më 09.08.2026 rreth orës 04:00, pranë parkut të qytetit në Shkup, sulmuan […]
Marrëdhënia mes Iker Casillasit dhe Jose Mourinhos gjatë periudhës së parë të trajnerit portugez te Real Madridi ishte përkeqësuar ndjeshëm pas një telefonate të ish-kapitenit madrilen me kapitenin e Barcelonës, Xavi Hernandez, në përpjekje për të ulur tensionet mes lojtarëve të kombëtares spanjolle.
Detajet e përplasjes janë bërë të ditura në dokumentarin e Mourinhos në Netflix, ku trajneri portugez e kishte kundërshtuar fuqishëm vendimin e Casillasit për të kontaktuar Xavin.
“Ky është një Barcelona-Real Madrid. Kur jeni me kombëtaren, mund të putheni dy herë, por jo tani. Tani është luftë”, kishte deklaruar Mourinho.
Ai kishte vazhduar me kritikat ndaj kapitenit të atëhershëm të Real Madridit: “Ka gjëra që nuk i pranoj dhe nuk do t’i pranoj kurrë. Kur dikush nuk më respekton, atëherë bëhet problem".
Casillas, nga ana tjetër, e kishte mbrojtur vendimin e tij, duke shpjeguar se situata ishte jashtëzakonisht e ndërlikuar për shkak të rolit që kishte si kapiten i Real Madridit dhe i Kombëtares së Spanjës.
“Ajo situatë ishte e komplikuar, sepse ishe kapiten i Real Madridit dhe kapiten i Kombëtares së Spanjës. Përballeshe me bashkëlojtarë që ishin kundërshtarët e tu në fushën e futbollit, por më pas ishin përsëri bashkëlojtarët e tu me kombëtaren”.
Përplasja mes dy figurave kryesore të Real Madridit ndikoi shpejt edhe në atmosferën brenda dhomës së zhveshjes. Ish-lojtari i klubit, Sami Khedira, kujtoi se situata ishte përshkallëzuar në mënyrë dramatike.
“Iker ishte një legjendë e Real Madridit dhe tifozët e adhuronin. Mourinho e la në stol dhe nuk fliste me të, ndërsa fliste keq për të në media. Dhoma e zhveshjes u shndërrua në një ferr”.
Sipas gjermanit, pasojat nuk u kufizuan vetëm te marrëdhënia Mourinho-Casillas. Përplasja ndikoi edhe në raportet e trajnerit me disa prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës, përfshirë Cristiano Ronaldon dhe futbollistët spanjollë.
“Pas kësaj, marrëdhënia mes Jose dhe shumë lojtarëve, si Cristiano Ronaldo dhe futbollistëve spanjollë, u prish. Dhe këta lojtarë ishin shumë të rëndësishëm për atmosferën në dhomën e zhveshjes, e cila u helmua”, kujtoi Khedira./Telegrafi/
Mbrëmjen e sotme zjarri në lagjen Abaze të Krujës është riaktivizuar sërish. Kreu i PD në Krujë, Aulon Kalaj, në një reagim në rrjetet sociale shkruan: “Riaktivizohet dhe një herë zjarri në lagjen “Abaze”, në Krujë!
Banorët më thonë se autoritetet përkatëse nuk kanë shkuar ende në terren, tek vatra e flakes”.
Gjatë ditës, në Krujë ishin aktive dy vatra zjarri. Në lagjen Abaze, flakët u favorizuan nga era, por sipas autoriteteve nuk paraqitën rrezik për zonat e banuara.
Ndërsa në zonën Krastë–Halil, situata u përkeqësua në orët e para të mëngjesit, duke rritur rrezikun për banesat. U desh ndërhyrja me dy helikopterë bëri të mundur normalizimin e situatës dhe vijimin e punës për shuarjen e plotë të zjarrit.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë pasdites në të gjithë vendin janë aktive 8 vatra zjarri, të shpërndara në qarqet Tiranë, Fier, Durrës, Gjirokastër dhe Dibër. Në operacionet për menaxhimin e situatës u angazhuan 165 forca operacionale, 85 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa nga ajri u zhvilluan 7 misione me helikopterë dhe 2 misione me avionë Air Tractor.
Deklarata e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër ka shkaktuar reagime të forta në Kosovë, Shqipëri dhe ndërkombëtarisht.
Bashkimi Europian paralajmëroi se deklarata të tilla nuk ndihmojnë në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. BE-ja theksoi se çdo veprim që lidhet me ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së lumenjve duhet të shmanget.
Edhe SHBA-të reaguan, duke deklaruar se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor mbeten prioritete dhe se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është pjesë e rëndësishme e këtij procesi.
Ndryshimi i rrjedhës së Ibrit do të mund të ndikonte drejtpërdrejt në Liqenin e Ujmanit, i cili furnizohet kryesisht nga prurjet e këtij lumi. Ujmani është një burim i rëndësishëm për furnizimin me ujë, bujqësinë, industrinë dhe prodhimin e energjisë në Kosovë.
Profesori i hidraulikës Alban Kuriçi thotë për REL-in se një projekt i tillë është teknikisht i mundur, por do të kërkonte ndërtime të mëdha hidroteknike, investime të konsiderueshme dhe shumë kohë. Sipas tij, ndërprerja e furnizimit me ujë nuk do të ishte e menjëhershme, pasi rezervuari i Ujmanit ka kapacitet të konsiderueshëm. Megjithatë, një ulje e madhe dhe afatgjatë e prurjeve do të sillte pasoja serioze për furnizimin me ujë, energjinë, industrinë dhe bujqësinë.
Në Kosovë, deklaratat e Vuçiçit janë cilësuar si presion politik dhe kërcënim.
Autoritetet në Prishtinë kanë theksuar se burimet ujore nuk mund të përdoren si instrument presioni apo destabilizimi.
Ndërkohë, deklarata ka shkaktuar edhe përplasje mes zyrtarëve shqiptarë dhe serbë. Ministri i Jashtëm shqiptar, Ferit Hoxha, tha se uji nuk mund të përdoret si mjet ndëshkimi apo presioni. Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriç, iu përgjigj duke deklaruar se Serbia do të vendosë vetë për menaxhimin e burimeve të saj natyrore.
Në debat u përfshi edhe kryeministri Edi Rama, i cili deklaratat nga Beogradi i cilësoi si “folklor politik”, duke theksuar se lumi Ibër do të vazhdojë të rrjedhë sipas gjeografisë dhe jo sipas politikës.
Ekspertët vlerësojnë se ideja për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit nuk është e re. Ajo është përmendur edhe në të kaluarën, ndërsa një projekt për menaxhimin e përbashkët të Liqenit të Ujmanit u diskutua edhe pas Marrëveshjes së Washingtonit të vitit 2020.
Në vitin 2021, SHBA-të i dorëzuan Kosovës dhe Serbisë një studim për menaxhimin e përbashkët të Ujmanit, bazuar në modelin e marrëveshjes SHBA-Kanada për lumin Kolumbia. Megjithatë, ky propozim nuk është zbatuar deri më sot.
Për ekspertët, çështja e Ibrit dhe Ujmanit mbetet një problem me dimensione politike, teknike dhe strategjike, ndërsa një ndryshim real i rrjedhës së lumit do të kërkonte investime të mëdha dhe do të kishte pasoja të drejtpërdrejta për të dyja vendet.
Pronarët e rrjetit social dikur më të popullarizuar në botë, Myspace, kanë paralajmëruar se platforma mund të rikthehet në jetë, e nxitur nga nostalgjia dhe lodhja e përdoruesve nga algoritmet. Megjithatë, analistët paralajmërojnë se shanset për sukses në treg nuk janë të mëdha.
Myspace u themelua në vitin 2003 nga Tom Anderson dhe Chris DeWolfe, ndërsa në vitin 2008 platforma arrinte rreth 115 milionë vizitorë në muaj, raporton CNBC.
Myspace ishte i njohur për profilet plotësisht të personalizueshme, dizajnin e pazakontë dhe Tom Anderson, i cili automatikisht bëhej shoku i parë i çdo përdoruesi të ri.
Vëllezërit Tim dhe Chris Vanderhook e blenë Myspace në vitin 2011 dhe më vonë u përpoqën ta modernizonin platformën, në mënyrë që të mund të konkurronte me rritjen e jashtëzakonshme të Facebookut.
Eksperimenti nuk pati sukses, ndërsa vëllezërit Vanderhook thonë se, pavarësisht humbjes prej 150 milionë dollarësh në atë kohë, ata po presin momentin e duhur për rikthimin e platformës.
Paradoksi qëndron në faktin se Myspace mund të rikthehet pikërisht në një kohë kur përdoruesit kanë filluar sërish të vënë në pikëpyetje modelin e rrjeteve sociale që dikur e nxori atë nga tregu.
Instagrami, TikToku, Facebook-u dhe platformat e tjera të mëdha sot mbështeten kryesisht te algoritmet, videot e shkurtra dhe përpjekjet e vazhdueshme për të tërhequr vëmendjen e përdoruesve, gjë që te një pjesë e tyre po shkakton lodhje.
Një pjesë e brezit të mijëvjeçarëve dhe e Gjeneratës Z po përpiqet gjithnjë e më shumë të reduktojë kohën e kaluar në rrjetet sociale dhe po i drejtohet komuniteteve më të vogla digjitale, çka mund të krijojë një mundësi për rikthimin e Myspace.
Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se Myspace do të përballet me pengesa serioze nëse synon të bëhet sërish një platformë fitimprurëse.
Përdoruesit që e kujtojnë Myspace sot janë të rritur, me punë dhe familje, ndaj shtrohet pyetja nëse do të dëshironin të riktheheshin dhe të publikonin në mënyrë aktive përmbajtje në një tjetër rrjet social.
Në të njëjtën kohë, përdoruesit e rinj, të cilët nuk e kanë përdorur Myspace-in origjinal, presin një ndërfaqe më të thjeshtë, zbulim të shpejtë të përmbajtjeve dhe formate të shkurtra video.
Përveç kësaj, platformat e vogla dhe të mesme e kanë më të vështirë të tërheqin reklamues. Shembujt e aplikacioneve si Bluesky tregojnë se vala fillestare e interesimit shpesh zbehet shpejt, pas së cilës pason një rënie e ndjeshme e numrit të përdoruesve aktivë.
Myspace po planifikon rikthimin në një kohë kur në mbarë botën po vendosen rregulla më të rrepta dhe kufizime për përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit, gjë që e ndërlikon edhe më tej strategjinë e rritjes së platformës. /ET
Bobby Portis reagoi ashpër pas komenteve të Norman Powell lidhur me përfshirjen e tij në shkëmbimin që solli Giannis Antetokounmpo te Miami Heat. Në një po...
MPB Maqedoni njofton se zyrtarë policorë nga SPB Shkup arrestuan pesë persona në lidhje me dy vepra penale, të raportuara më 09.08.2026.
"Në koordinim me SPB Tetovë, J.J. (24), A.O. (22) dhe A.A. (24), të gjithë nga Gostivari, u arrestuan me dyshimin se më 09.08.2026 rreth orës 04:00, pranë parkut të qytetit në Shkup, sulmuan V.O. (23) nga Austria dhe u përpoqën t'i merrnin para dhe sende personale, ku njëri prej tyre shkaktoi prerje".
"Është zbardhur edhe vepra penale "grabitje" e kryer më 09.08.2026 në sheshin "Maqedonia" në Shkup, kundër Sh.S., të cilit, sipas raportit, i është marrë një çantë me dokumente dhe para. Menjëherë pas marrjes së denoncimit, oficerët e policisë nga Stacioni Qendër dhe Bit Pazar ndërmorën masa dhe aktivitete përkatëse për të sqaruar rastin, ndërsa A.A. (18) dhe A.S. (19) nga Shkupi janë privuar nga liria. Pas dokumentimit të rasteve do të përpilohen raporte përkatëse", thonë nga MPB.
Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodriguez kanë kurorëzuar lidhjen e tyre, duke u bërë zyrtarisht burrë e grua pas gati një dekade së bashku. Historia e çiftit nisi në vitin 2017, kur Ronaldo u njoh me Georginën, e cila në atë kohë punonte si asistente shitjesh në një dyqan Gucci. Marrëdhënia e tyre u bë publike […]
Shtatë punëtorë kanë humbur jetën të martën në një fabrikë çeliku në Zaporizhzhia, pas një sulmi rus ndaj qytetit juglindor të Ukrainës.
Sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Rusia përdori raketa balistike të Koresë së Veriut, si dhe raketa hipersonike Zircon dhe bomba ajrore të telekomanduara.
Kompania mëmë e fabrikës Zaporizhstal, Metinvest Group, ka bërë të ditur se sulmi ndodhi në momentin kur punëtorët po drejtoheshin drejt strehimoreve pas aktivizimit të alarmit ajror.
“Sulmi me raketë balistike ndodhi ndërsa punonjësit po shkonin drejt një strehimore menjëherë pasi u dha alarmi për sulm ajror”, thuhet në deklaratën e kompanisë.
Si pasojë e goditjeve, prodhimi në uzinë është pezulluar plotësisht, ndërsa objekte të tjera të dëmtuara po funksionojnë me kapacitet të reduktuar.
Guvernatori rajonal Ivan Fedorov publikoi pamje të ndërtesave dhe automjeteve në flakë, ndërsa bëri të ditur se të paktën 24 persona kanë mbetur të plagosur. Katër ndërtesa banimi janë dëmtuar, ndërsa nuk janë raportuar dëme në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhias.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka deklaruar se forcat e saj goditën një uzinë metalurgjike në Zaporizhzhia, për të cilën pretendon se prodhonte çelik të përdorur nga ushtria ukrainase.
Rusia tha gjithashtu se kishte goditur kompleksin e kompanisë Nova Poshta në Kiev, të cilin e akuzon se përdorej për shpërndarjen e pajisjeve me përdorim të dyfishtë, përfshirë komponentë për dronë dhe pajisje të luftës elektronike.
Sulmet vijnë pas një goditjeje me dron ukrainas në Nizhnekamsk, ku autoritetet ruse raportuan të paktën 13 të vrarë dhe 39 të plagosur, ndërsa Ukraina tha se objektivi kishte qenë rafineria e naftës TANECO.
Gazetari Berat Buzhala ka komentuar takimin e kryeministrit Edi Rama me Alex Soros në Dhërmi, duke e interpretuar atë si një gjest politik të qëllimshëm dhe publik. Sipas Buzhalës, në një klimë ku familja Soros mbetet një nga emrat më polarizues në politikën perëndimore, Rama ka zgjedhur të mos e fshehë marrëdhënien e tij me […]
The Weeknd ka hequr dorë nga ideja për të lënë pas emrin artistik me të cilin është bërë i famshëm në mbarë botën. Këngëtari kanadez, emri i vërtetë i të cilit është Abel Tesfaye, kishte lënë më herët të hapur mundësinë që të vazhdonte karrierën me emrin e tij, por tashmë duket se ka ndryshuar mendje, bën të ditur Entertainment Weekly.
Gjatë koncertit të tij në Stokholm, më 8 gusht, në kuadër të turneut “After Hours Til Dawn”, 36-vjeçari foli për këtë vendim para fansave.
“Provova pak të përfundoja rrugëtimin tim si The Weeknd dhe nuk më pëlqen mënyra se si ndihem”, tha ai, sipas një videoje të publikuar nga një fans. Më pas shtoi: “Do të jem gjithmonë këtu me ju”.
Deklarata e fundit vjen disa vite pasi këngëtari kishte nisur të mendonte publikisht për një ndryshim të rëndësishëm në karrierë. Në vitin 2022, gjatë një bisede online me fansat, The Weeknd kishte thënë se po mendonte të ndryshonte emrin artistik në “Abel”, duke marrë si shembull Kanye West, i cili kishte ndryshuar emrin e tij në Ye.
“Ndihem sikur në këtë pikë duhet ta ndryshoj emrin tim artistik në ABEL”, ishte shprehur ai në atë kohë. Madje, këngëtari kishte lënë të kuptohej se mund ta ndryshonte ligjërisht emrin, duke e mbajtur vetëm “Abel”, pa mbiemër, siç kanë bërë artistë të njohur si Madonna, Cher dhe Prince.
Në maj të vitit 2023, The Weeknd e kishte çuar edhe më tej këtë ide, duke deklaruar se albumi i ardhshëm mund të ishte i fundit i tij si The Weeknd.
“Albumi me të cilin po punoj tani është ndoshta dalja ime e fundit e madhe si The Weeknd”, kishte thënë ai për W Magazine.
Megjithatë, duket se artisti nuk është ende gati t’i japë fund epokës së The Weeknd. Për momentin, ai do të vazhdojë të performojë dhe të krijojë muzikë me emrin që e shndërroi në një prej yjeve më të mëdhenj të muzikës në botë./KultPlus.com
Prindërit duan më të mirën për fëmijët e tyre, por një gabim i zakonshëm prindëror mund ta dëmtojë në heshtje vetëbesimin e tyre.
Ndërsa nuk ka një manual të vetëm prindëror, shumë e gjejnë detyrën më të vështirë nga sa pritet.
Terapistja e fëmijëve me bazë në New York City, Jill Hartrich, shpjegoi për Newsweek një nga gabimet më të zakonshme që bëjnë prindërit që mund të ndikojnë negativisht në vetëbesimin e një fëmije.
Hartrich thekson se një nga gabimet më të mëdha që bëjnë prindërit është kur ndërhyjnë shumë shpejt kur një fëmijë po përballet me vështirësi me diçka. "Kur prindërit ndërhyjnë për të zgjidhur një problem ose për të shuar një konflikt sapo një fëmijë është i mërzitur, ata minojnë motivimin natyror të fëmijës së tyre për të gjetur një zgjidhje vetë", shpjegoi ajo.
Fëmijët të cilëve u jepet mundësia të jenë të pavarur dhe të kalojnë vetë nëpër sfida mësojnë të besojnë në vetvete dhe të ndiejnë krenari për atë që arrijnë. "Duke qenë shumë tolerantë ose duke u përpjekur të qetësojnë situatën, prindërit në fakt po u grabisin fëmijëve mundësinë për të mësuar të kapërcejnë momentet e vështira", shtoi ajo.
Ndërsa prindërit mund të duan të jenë mbështetës, Hartrich thotë se fëmijët mund t’i interpretojnë veprime të tilla në një mënyrë krejtësisht të ndryshme. “Në ato momente, fëmija mendon: ‘Prindi im nuk beson se mund ta bëj këtë’ ose ‘Kjo është shumë e vështirë për mua’.” Fëmijët ndërtojnë vetëbesim kur përballen me vështirësi dhe më pas ndihen të suksesshëm”, tha ajo. Kapërcimi me sukses i sfidave i ndihmon ata të zhvillojnë besim në aftësitë e tyre dhe të përballen me problemet e ardhshme.
Mbështetje në vend të zgjidhjes së problemeve
Hartrich këshillon që prindërit të shmangin të qenit tepër tolerantë dhe mbrojtës kur një fëmijë përballet me një sfidë, qoftë problem me lidhjen e lidhëseve të këpucëve apo me shkelmimin e një topi. Ajo i inkurajon ata që t'i lënë fëmijët të përjetojnë pasoja natyrore kur është e përshtatshme.
"Nëse fëmija juaj harron detyrat e shtëpisë, rezistoni ndaj dëshirës për t'i dërguar menjëherë email mësuesit dhe për t'i ofruar shpjegime. Në vend të kësaj, lëreni fëmijën tuaj të përballet me pasojat. Ndërsa momente të tilla mund të jenë të vështira si për fëmijët ashtu edhe për prindërit, ato janë thelbësore për rritjen e fëmijëve të sigurt dhe rezistentë", tha Hartrich.
Në vend që ta zgjidhni menjëherë problemin, ajo rekomandon ofrimin e mbështetjes dhe inkurajimin e fëmijës që të këmbëngulë. "Provoni një kombinim të empatisë dhe inkurajimit. Tregojini fëmijës suaj se e kuptoni sa e vështirë është, por edhe se besoni se ai mund ta përballojë situatën", tha ajo. "Zhvillimi i tolerancës ndaj shqetësimit është një hap kyç në ndërtimin e një ndjenje vetëefikasiteti."
Rëndësia e përvojave të pakëndshme
Hartrich këshillon prindërit të “durojnë shqetësimin” për t’i ndihmuar fëmijët të kuptojnë se si janë të aftë të përballen me situata të panjohura ose sfiduese. “Një prind mbështetës mund të jetë aty për fëmijën e tij pa i zgjidhur problemet e tij”, tha ajo.
Pasi një fëmijë kapërcen me sukses një moment të vështirë, Hartrich rekomandon njohjen e përpjekjeve të tij. "Kur fëmija juaj kapërcen një sfidë, lavdërojeni në një mënyrë specifike dhe të qartë", këshillon ajo. Një lavdërim i tillë mund të rrisë vetëvlerësimin e një fëmije dhe të konfirmojë se prindërit besojnë në aftësitë e tij. Hartrich zbuloi se lejimi i pasojave logjike gjithashtu i ndihmon fëmijët të ndërtojnë vetëbesim dhe qëndrueshmëri me kalimin e kohës.
Nxehtësia është bërë tashmë një faktor edhe gjatë vizitave për të parë banesat. Ndërsa valët e të nxehtit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta këtë verë, blerësit francezë po i kushtojnë vëmendje në rritje komoditetit termik të shtëpisë së tyre të ardhshme, raporton Euronews.com. Në Paris, një burrë rreth të tridhjetave, gjatë vizitës në […]
– Zhytësit e ushtrisë rumune kanë shkatërruar me shpërthim të kontrolluar dy dronë të tipit “Gerbera” që po lëviznin në zonën ekonomike ekskluzive të Rumanisë në Detin e Zi, pranë projektit të madh të gazit “Neptun Deep”, sipas Reuters. Dronët u zbuluan nga një anije civile që punonte pranë projektit energjetik. Ministri rumun i Mbrojtjes, […]
Një pacient i është drejtuar Gazetës Sinjali me një ankesë lidhur me kushtet e higjienës në një hapësirë të QKMF-së në Drenas, ku kishte shkuar për të marrë infuzion.
Sipas pacientit, në dhomë kishte mbeturina të grumbulluara, përfshirë materiale të hedhura në afërsi të koshit, ndërsa në dysheme vëreheshin gjithashtu mbetje të ndryshme.
Pacienti ka dërguar edhe një video në redaksinë e Gazetës Sinjali, ku pretendohet se shihet gjendja e hapësirës.
Ai ka shprehur shqetësimin për kushtet higjienike, duke ngritur pikëpyetje nëse një ambient i tillë është i përshtatshëm për pacientët që marrin trajtim.
Gazeta Sinjali mbetet e hapur për reagimin e QKMF-së në Drenas lidhur me këtë ankesë dhe pamjet e dërguara nga pacienti.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se nesër do të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit në autostrada për automjetet që transportojnë mallra dhe kanë masë totale mbi 20 tonë.
Sipas Ministrisë, masa do të zbatohet nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperaturat e parashikuara pritet të arrijnë ose tejkalojnë 32 gradë Celsius.
Kufizimi do të vlejë vetëm në autostrada, ndërsa në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse automjetet mbi 20 tonë do të mund të qarkullojnë pa kufizime.
Nga kjo masë përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore.
Ministria u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe drejtuesve të automjeteve që ta respektojnë kufizimin dhe t’i planifikojnë lëvizjet në përputhje me orarin e përcaktuar.