Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Sela: Gjykata Kushtetuese sa më shpejtë të shqyrtojë iniciativën kundër sistemit "Safe City"



Kryetari i Aleancës për Shpiptarët, Ziadin Sela i ka bërë thirje gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese që sa më shpejt ta shqyrtojnë iniciativën që ata e kanë dorëzuar dhe kundërshtojnë projektin “Safe City".

Sela i bën thirrje edhe qytetarëve që të bëjnë kujdes dhe të kenë durim derisa të fitohet beteja kundër sistemin "Safe City".

"Pa dashur të ndërhyj në pavarësinë e gjyqësorit, parim që ne e kemi promovuar vazhdimisht, por që në realitet është ende shumë larg, dua tu bëj një thirrje gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese. Shqyrtoni sa më shpejtë iniciativën të cilën e dorëzuam ditë më parë, ku qartë do të shihni edhe vetë ju arsyet e shumta për të sjellë vendimin për shfuqizimin e ndryshimeve ligjore për projektin “Safe City”. Thirreni seancën sa më shpejtë që të mos lejojmë as një ditë më shumë të lindin komplikime, të lëshohen gjoba e të plaçkiten qytetarët përmes një mekanizmi që në fund jemi të bindur se do të rezultojë antikushtetues”, shkruan Sela në Facebook.

ASH: Maqedonia nuk u ftua tek "Bordi i Paqes", tregues për mungesën e diplomacisë dhe peshës politike në nismat globale



Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësimin e saj për faktin se Maqedonia e Veriut nuk është përfshirë në nismën ndërkombëtare “Bordi i Paqes”, të inicuar nga presidenti amerikan Donald Trump, ku tashmë janë përcaktuar vendet pjesëmarrëse në rajonin e Ballkanit.

Nga ASH thonë se ky përjashtium nuk mund të jetë rastësi duke reflektuar mungesën e peshës politike të Qeverisë aktuale.

"Fakti që Kosova, Shqipëria, Bullgaria dhe Turqia janë ftuar të jenë pjesë e kësaj platforme, ndërsa Maqedonia e Veriut renditet në listën e vendeve që as nuk janë ftuar, përbën një sinjal serioz alarmi për pozitën ndërkombëtare dhe kredibilitetin diplomatik të shtetit tonë. Ky përjashtim nuk mund të shihet si rastësi. Ai reflekton qartë mungesën e peshës politike dhe të ndikimit diplomatik të qeverisë aktuale në skenën ndërkombëtare, si dhe dështimin për ta pozicionuar Maqedoninë e Veriut si faktor stabiliteti dhe partner të besueshëm në nismat rajonale dhe globale të sigurisë", thuhet në njoftimin e ASH-së.

Aleanca për Shqiptarët kërkon sqarim urgjent nga Qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme se pse Maqedonia e Veriut nuk është ftuar në këtë nismë?

"A ka pasur komunikim zyrtar dhe përpjekje diplomatike për përfshirje, dhe cilat mund të jenë pasojat politike dhe strategjike të këtij përjashtimi për vendin? Në një kohë kur “Board of Peace” synon ndërtimin e një platforme bashkëpunimi politik dhe sigurie, përjashtimi i Maqedonisë së Veriut – së bashku me disa vende të tjera të Ballkanit Perëndimor – po lexohet gjerësisht si një mesazh i qartë gjeopolitik për rolin periferik ku po shtyhet vendi ynë. Aleanca për Shqiptarët vlerëson se Maqedonia e Veriut ka kapacitete, përvojë dhe përgjegjësi për të qenë pjesë e çdo mekanizmi serioz për paqe dhe siguri në rajon. Por kjo kërkon diplomaci aktive, politikë të jashtme të qartë dhe qeverisje kredibile – jo improvizime, heshtje dhe izolim. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë transparencë, përgjegjësi institucionale dhe një orientim të qartë euro-atlantik që garanton se Maqedonia e Veriut nuk do të mbetet jashtë proceseve të rëndësishme ndërkombëtare", thonë nga ASH.

Shaqiri: Sistemi "Safe City" është diskriminues, do ta kontestojmë në Gjykatën Kushtetuese



Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Rijad Shaqiri ka komentuar zbatimin e sistemit "Safe City", me ç'rast shoferët që bëjnë shkelje në komunikacion do të evidentohen përmes kamerave të sigurisë dhe do të gjobiten.




Shaqiri deklaroi se këtë vendim do ta kontestojnë në Gjykatën Kushtetuese, sepse i njejti diskriminon qytetarët e Shkupit, Tetovës dhe Kumanovës.

"Ky ligj do të zbatohet vetëm për qytetarët në tre komunat si Shkupi, Tetova dhe Kumanova. Po ju bëhet e padrejtë qytetarëve që janë në këto qytete. Do ta kontestojmë këtë ligj deri në Gjykatën Kushtetuese", deklaroi Shaqiri.

Kujtojmë se ligji për vendosjen në funksion të sistemit Safe City u votua sot me 81 vota pro. /Telegrafi/

Sela: Kamerat nga "Safe City" janë vendosur në komunat me shumicë shqiptare, po ndodh zhvatje e qytetarëve



Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ka kritikuar vendosjen në funksion të sistemit "Safe City", informon Telegrafi Maqedoni.

Ai thotë se ky sistem ka për qëllim zhvatjen e qytetarëve, pasi nëpër rrugët ku janë vendosur kamerat e sigurisë në komunikacion, nuk ka as semaforë e as parkingje dhe sipas tij janë vendosur në lagjet ku banojnë shumicë shqiptare.

"Është për të ardhur keq kur sheh që edhe projektet që promovohen për të mirën e përgjithshme, sigurinë e qytetarëve siç ka qejf ta thot qeveria, për qëllim ka zhvatjen e një kategorie qytetarësh! Nqs keni dlieme se në xhepin e kujt synohet të goditet është më se e qartë. -Shihni ku implementohet projekti “Safe City”-Shkupi, Kumanova, Tetova?!-Shihni shpërndarjen e kamerave te Safe City në Shkup,ku janë më shumë të koncentruara në numër? Në Çair, Saraj, Butel?! Janë komunat me shumicë shqiptare. Janë hyrje daljet e shqiptarëve për në Shkup.Janë vendet me (pa) infrasktrukturë të komunkacionit dhe rrugor më të vjetër. Pa semaforë por me kamera për te zhvat! Pa parkingje por me gjoba! Pa sinjalistik rrugore por me denime të majme… E pra të dashur shqiptar, EKSPLOATIMI ska brina, kështu ngjan", shkruan Sela.

Sela ka përmendur dhe faktin se Maqedonia e Veriut do të duhet të kthejë edhe kredinë prej dy miliardë eurove, e që sipas tij, ajo kredi do të kthehet nga gjobat që do të paguajnë qytetarët nga sistemi i MPB-së.

"Meqë ra fjala Maqedonia e Veriut këtë vit duhet të kthej rreth 2 miliard euro kredi! Do i kthejme ne ku më pak është investuar, edhe nga projekti “Safe City”. Kështu pra ngjan Eksploatimi…P.S. Jam i vetëdijshëm që do më akuzojnë se gjithckaje i jap konotacion etnik. Jo unë për hir të së vërtetës, asnjëherë unë dhe Aleanca për Shqiptarët, por ata që na drejtojnë gishtin. Po është e vërtetë ne skemi hesht dhe sdo të heshtim kurrë…", shkruan Sela.

Kujtojmë se ligji për aktivizimin e kamerave të sigurisë nga "Safe City" u miratua në Kuvend sot me 81 vota.

Për këtë ligj votuan, OBRM-PDUKM, VLEN, E Majta, Bejxhan Iljaz si dhe deputeti i pavarur Ilir Demiri. /Telegrafi/

Shaqiri: Ligjin për Kundërvajtje do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese



Deputetët e ASH-së së Taravarit paralajmërojnë iniciativë në Gjykatën Kushtetuese, kundër sistemit “Safe City”. Deputeti Rijad Shaqiri tha se ndryshimet në ligjin për kundërvajtje janë në kundërshtim me nenin 9 të Kushtetutës.

“Do të shtrojmë kërkesë në kuadër të Gjykatës Kushtetuese për kushtetutshmërinë e këtij ligji pasi është në kundërshtim me nenin 9 të Kushtetutës. Ligjet duhet të sillen në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut”, tha në intervistë për "Alsat" Rijad Shaqiri, Deputet i ASH-së së Taravarit.

Shaqiri tha se ASH-ja e Taravarit është kundër idesë së kreut të BDI-së Ahmeti për një njësi zgjedhor me prag prej 5%. Ai tha se për ASH-në modeli i pranuar do të ishte me tetë njësi zgjedhore.

“Hipotetikisht nëse ne shkojmë me një njësi zgjedhore, cila është garancia që ne mund të mbikëqyrim procesin zgjedhor në pjesën e Maqedonisë Lindore ku dihet se ajo pjesë është e boshatisur.

Ne jemi kundër idesë që të ketë një njësi zgjedhore. Ne jemi për lista të hapura mirëpo me tetë njësi zgjedhore”, u shpreh Rijad Shaqiri, Deputet i ASH-së së Taravarit.

Shaqiri tha se me BDI-në janë partnerë në AKI dhe se asnjëherë nuk do të ndodhë që kjo strukturë e udhëhequr nga Taravari të shkrihet në BDI, pavarësisht vendimit gjyqësor për vulat e partisë.

Kujtojmë se sot në Kuvend me 81 vota "pro" kaluan ndryshimet ligjore për Ligjin për Kundërvajtje, sipas të cilës nga 1 shkurti mundësohet zbatimi i projektit "Safe City" në qytetet e Shkupit, Tetovës dhe Kumanovës.

ASH, Taravari: Zbatimi i "Safe City" ngre shqetësime serioze juridike, sociale dhe kushtetuese



Aleanca për Shqiptarët, krahu i Arben Taravarit, shpreh qëndrimin e saj kritik ndaj Ligjit për Kundërvajtje, në të cilin përfshihet edhe projekti “Safe City”, duke vlerësuar se zbatimi aktual i këtij projekti ngre shqetësime serioze juridike, sociale dhe kushtetuese.

"Së pari, Aleanca për Shqiptarët vëren se nuk po zbatohet Ligji për përdorimin e gjuhëve, veçanërisht në komunikimin zyrtar me qytetarët, përfshirë edhe njoftimet dhe sanksionet që burojnë nga projekti “Safe City”.

Kjo përbën shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtave gjuhësore të qytetarëve shqiptarë dhe është e papranueshme në një shtet multietnik. Së dyti, kërkojmë rishikim të lartësisë së dënimeve dhe të pjesës së tolerancës, me qëllim që qytetarët të mos dëmtohen padrejtësisht. Siguria në komunikacion është e rëndësishme dhe e domosdoshme, por ajo nuk duhet të realizohet në kurriz të mirëqenies dhe jetesës së qytetarëve, përmes dënimeve disproporcionale dhe pa ndjeshmëri sociale.

Së treti, Aleanca për Shqiptarët thekson se zbatimi selektiv i projektit “Safe City” vetëm në disa qytete është i padrejtë dhe diskriminues. Nëse ky projekt synon rritjen e sigurisë publike, atëherë ai duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë në të gjithë territorin e shtetit, dhe jo vetëm në tre qytete.", thonë nga ASH.

Nga atje kërkojnë nga institucionet kompetente që urgjentisht të adresojnë këto vërejtje, të hapin debat publik dhe të sigurojnë që çdo projekt i tillë të jetë në përputhje me ligjin, barazinë dhe interesin real të qytetarëve./Telegrafi/

Snopçe: “Safe City” shkel Ligjin për gjuhët dhe do të rëndojë xhepin e qytetarëve



Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, ka reaguar ndaj Ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, duke e akuzuar për moszbatim të Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në kuadër të projektit “Safe City”, si dhe për një qasje që, sipas tij, po e shndërron sigurinë rrugore në barrë financiare për qytetarët.

Snopçe thekson se ministri ende nuk ka dhënë përgjigje pse SMS-porositë që lidhen me projektin “Safe City” u janë dërguar qytetarëve shqiptarë vetëm në gjuhën maqedonase, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Ligjin për Gjuhët. Vetëm ditën e parë, rreth 40.000 qytetarë shqiptarë kanë pranuar njoftime ekskluzivisht në maqedonisht.

“Siguria në komunikacion është e rëndësishme, por jo me kusht që të shkelet ligji dhe të goditet rëndë standardi jetësor i qytetarëve, i cili edhe ashtu është i mbingarkuar”, deklaron Snopçe.

Deputeti i ASH-së ngre shqetësime serioze edhe për dimensionin financiar të projektit, duke theksuar se numri i dënimeve është alarmant dhe se shteti duhet të ndërmarrë masa në përputhje me realitetin ekonomik të qytetarëve.

Ai bën të ditur se ka kërkuar sqarime nga ministri Toshkovski se sa mjete financiare do të ishin grumbulluar nëse projekti “Safe City” nuk do të ishte në fazë testimi, sa paga minimale do të përfaqësonin ato mjete, apo sa shporta ushqimore do të mund të mbusheshin me paratë e mbledhura nga gjobat – por, sipas tij, ka mbetur pa përgjigje konkrete.

Snopçe prezantoi edhe një simulim financiar bazuar në të dhënat zyrtare të MPB-së. Sipas këtyre të dhënave, vetëm në 12 orët e para të ditës së parë të testimit janë konstatuar 65.000 parregullsi në komunikacion.

“Nëse mesatarisht një dënim do të ishte 50 euro, atëherë për një ditë do të grumbulloheshin 3.250.000 euro, për një muaj 97.500.000 euro, ndërsa për një vit plot 1.186.250.000 euro”, thekson deputeti.

ASH: Situatë alarmante në MPB – Dibër



“Shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me njoftimet dhe informacionet se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme, po përgatit ndryshime ligjore dhe sistematizim të ri të vendeve të punës, të cilat drejtpërdrejt e dëmtojnë rëndë statusin institucional të Dibrës", thuhet në njoftim.

Ata shtojnë se deri më sot, organi për punë të brendshme në Dibër ka funksionuar me statusin e Njësisë për Punë të Brendshme, ndërsa sipas ndryshimeve të paralajmëruara, Njësia për Punë të Brendshme- Dibër degradohet dhe kalon në njësi të kategorisë së dytë, duke humbur kompetencat thelbësore dhe strukturën e saj komanduese.


Sipas tyre, me këtë vendim, të gjitha kompetencat dhe organi komandues kalojnë nën juridiksionin e Sektorit për Punë të Brendshme në Ohër, ndërsa në Dibër nuk parashihet më:
kryeshef i policisë,kryeshef i njësisë antikrim,zëvendëskomandant,as komandant i pikës kufitare.Ky veprim përbën një zhvlerësim serioz institucional për një rajon kufitar dhe strategjik, duke cenuar drejtpërdrejt sigurinë, efikasitetin institucional dhe barazinë në trajtim. Ekziston rreziku real që ky degradim të jetë vetëm një hap paraprak drejt shndërrimit të Njësisë për Punë të Brendshme në Dibër në një stacion të thjeshtë policor.


"I bëjmë thirrje të gjithë faktorëve relevantë politikë dhe institucionalë, si nga pushteti ashtu edhe nga opozita, që të mos lejojnë këtë ndëshkim të padrejtë dhe të papranueshëm ndaj Dibrës, i cili ka prapavijë të qartë politike dhe etnike.
Dibra meriton trajtim të barabartë, siguri funksionale dhe respekt institucional. Çdo përpjekje për ta degraduar atë do të hasë në kundërshtim të fuqishëm dhe të vendosur.", theksohet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët./Telegrafi/

ASH-Taravari: Dorëheqje kolektive e kryesisë së partisë, hapet rruga për freski dhe reforma në ASH



Kryesia e Aleancës për Shqiptarët së Arben Taravarit ka vendosur njëzëri të japë dorëheqje kolektive në prag të Kuvendit dhe Kongresit partiak.

"Në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Partisë, pas një debati konstruktiv dhe demokratik, Kryesia e Aleancës për Shqiptarët vendosi njëzëri të japë dorëheqje kolektive në prag të Kuvendit dhe Kongresit partiak.

Ky vendim u mor me bindjen se partia ka nevojë për freski organizative, përfshirje të kuadrove të reja dhe reforma të thella e gjithëpërfshirëse, të cilat do ta forcojnë më tej profilin politik dhe funksionimin e brendshëm të Aleancës për Shqiptarët, si dhe si reflektim mbi rezultatin zgjedhor të zgjedhjeve lokale.

Drejtimin e partisë, deri në mbajtjen e Kuvendit dhe Kongresit partiak, do ta ushtrojë kryetari i Aleancës për Shqiptarët, z. Arben Taravari, ndërsa Kuvendi i Partisë do t’i konstatojë zyrtarisht dorëheqjet.

Sipas afateve statutare, Kuvendi i Partisë do të mbahet në mesin e muajit shkurt, ndërsa Kongresi i Partisë pritet të mbahet më së voni deri në vjeshtën e këtij viti.

Aleanca për Shqiptarët mbetet e përkushtuar ndaj parimeve të demokracisë së brendshme, reformimit të vazhdueshëm dhe përfaqësimit dinjitoz të interesave të shqiptarëve", thonë nga ASH.

Taravari: Nuk kemi asgjë të përbashkët me BDI-në



“Nuk kemi asgjë të përbashkët me BDI-në”, kjo ishte përgjigja e Taravarit për thirrjen e BDI-së për t’u bashkangjitur në parti.

Taravari tha se nuk kanë asgjë të përbashkët me BDI-në pasi kjo e fundit është parti e majtë dhe ASH-ja është e djathtë, por pavarësisht kësaj, Taravari tha se duhet të vazhdojë bashkëpunimi me BDI-në, sipas tij, deri në hapjen e negociatave me BE-në.

Ai foli edhe për VLEN-in, duke thënë se ata nuk do të bëhen parti.

“Kjo që na ndodhi neve, ASH-së me VLEN-in, tash është duke i ndodhur Billall Kasamit”, tha në Click Plus Arben Taravari duke e parashikuar largimin e Lëvizjes Besa nga VLEN. Siç tha Taravari, u akuzua se ishte pengesë për bashkimin e VLEN-it, por shtoi se, që nga fundi i majit të vitit të kaluar u tha se VLEN do të shndërrohet në pari që nuk është bërë./TV21/

ASH nis procesin për mbajtjen e Kongresit të rregullt



Në bazë të vendimit të Komisionit Qendror për Organizimin e Kongresit, Aleanca për Shqiptarët nis zyrtarisht procesin e rindërtimit, konsolidimit dhe funksionalizimit të degëve dhe nëndegëve të partisë me qëllim mbajtjen e Kongresit të rregullt.

Nga ASH njoftojnë se ky proces udhëhiqet nga parimet e transparencës, gjithëpërfshirjes, unitetit politik dhe përgjegjësisë, dhe përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të Aleancës për Shqiptarët dhe përfaqësimit real të vullnetit të anëtarësisë në Kongres.

Ai synon të forcojë Aleancën për Shqiptarët duke përfshirë të gjithë ata që duan të angazhohen dhe të kontribuojnë në zhvillimin e partisë.

"Aleanca për Shqiptarët u bën thirrje qytetarëve, aktivistëve, anëtarëve dhe simpatizantëve që ndajnë vlerat dhe vizionin tonë, që të bashkëngjiten dhe të kontribuojnë në këtë proces të rëndësishëm organizativ dhe politik. Një Aleancë për Shqiptarët e fuqishme nënkupton përfaqësim dinjitetshëm dhe efektiv qytetarëve shqiptarë institucionet e shtetit dhe vendimmarrje", thuhet në njoftimin e ASH-së.

ASH: Kongresi i rregullt i partisë do të mbahet në gjysmën e parë të vitit 2026



Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të pestë të Aleancës për Shqiptarët, u miratua vendimi për thirjen e Kongresit të rregullt të partisë i cilit pritet të mbahet në gjysmën e parë të vitit të ardhëshëm 2026”, thuhet në komunikatën për media të Aleancës për Shqiptarët me kryetar Ziadin Selën.

Në mbledhjene sotme të Kuvendit të partisë u formua edhe komisoni për organizimin e Kongresit me udhëheqëse, deçuteten Ilire Dauti.

ASH njfton poashtu se deri në mbajtjen e kongresit do të bëjë ristruktimin e degëve dhe nëndegëve dhe organeve tjera partiake.

”Në mbledhjen e sotme u prezentua edhe raporti për zgjedhjet e fundit lokale, ndërsa u diskutua edhe për situatën politike në vend. Aleanca për Shqiptarët me këto vendime fillon riorganizimin dhe forcimin e strukturave partiake, për rikthimin e partisë në forcën më të madhe politike të shqiptarëve në vend, duke zhvilluar ideologjinë, programin dhe vizioni politik”, thuhet në njoftimin e ASH-së.

ASH mban mbledhjen e Kuvendit partiak, Sela: Do të diskutohen rezultatet e zgjedhjeve lokale dhe situata politike në vend



Aleanca për Shqiptarët do të mbajë sot mbledhjen e Kuvendit të partisë.

Para mbledhjes, Ziadin Sela tha se do të diskutohet për rezultatet e zgjedhjeve lokale si dhe për mbajtjen Kongresit të partisë.

Sela tha se sipas të gjitha gjasave, do të caktohet që kongresi të mbahet në fund të prillit ose enë fillim të majit.

Ndër tjerash, kryetari i ASH-së, tha se do të diskutohet edhe për situatën politike në vend.

ASH e Ziadin Selës nesër mbledh kuvendin e pestë të partisë në Shkup



Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës, ka njoftuar se të shtunën më 27 dhjetor në Shkup di të mbledh kuvendin e pestë të partisë pas vendimit për largim nga koalicioni me AKI-në.

Nga ana tjetër kryertari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti gjatë një emisioni një ditë më parë paralajmëroi bashkimin e ASH-së me VLEN-in dhe përfshirjen e saj në qeveri.

Kuvendi i së shtunës nuk dihet nëse do të diskutohet edhe kalimi i ASH-së në VLEN dhe përfshirja e saj në qeverisjen e vendit.

Ndërkohë Ziadin Sela edhe më tej vazhdon të pret për vulat e partisë në procesin mes tij dhe Arben Taravarit ndërsa në zgjedhjet e fundit thuhet se Sela ka regjistruar në subjekt të ri politik.

ASH-Taravari për punësimet në Spitalin e Tetovës: U lanë pa punë ata që me vite kanë punuar me kontrata të përkohshme



Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit ka kritikuar Ministrin e Shëndetësisë Azir Aliun për punësimet e fundit në Spitalin e Tetovës, duke akuzuar se janë lënë jashtë dhjetëra të punësuar që kanë punuar një kohë të gjatë aty.

“Dhjetëra punonjës shëndetësor të cilët për vite me radhë, gjatë një dekade kanë punuar me kontrata të përkohshme apo në forma vullnetare dhe janë lënë pa vendime pune të përhershme, pavarësisht nga premtimeve të përsëritura nga ministri Azir Aliu, përpara, gjatë dhe pas zgjedhjeve".

"Bëhet fjalë për personel me përvojë shumëvjeçare që kanë bartur barrën kryesore të funksionimit të spitalit dhe gjatë periudhës më kritike të pandemisë, në vend që kontribut që ky kanë dhënë në veçanti të qytetarëve të Tetovës të vlerësohet në angazhim të plotë me vendime pune, ata janë zëvendësuar në mënyrë të fshehtë dhe të pa pritur me persona të tjerë”, tha Viola Ramadani nga ASH-Taravari.

ASH e Ziadin Selës do ta përkrah Zulhajrat Demirin për zgjedhjet në Vrapçisht



Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës, në zgjedhjet e 11 janarit në Komunën e Vrapçishtit do ta përkrah kandidaturën e Zuli Demirit. Partia e Selës fton anëtarësinë e saj të përkrah Demirin në zgjedhjet në Vrapçisht, në të cilat nuk u arrit censusi në zgjedhjet e rregullta.
"Aleanca për Shqiptarët mbështet kandidaturën e Zuli Demirit, për Kryetar të Komunës së Vrapçishtit, në zgjedhjet e 11 Janarit. Duke besuar në personalitetin, përgaditjen dhe aftësitë e dëshmuara deri më tani, si një personalitet i formuar, njeri besnik dhe punëtor, menaxhues i suksesshëm në përgjegjësitë që ka bartur deri më tani, jemi të bindur se me të njëjtin përkushtin dhe sukses do të menaxhojë edhe këtë detyrë të re".
"Ftojmë anëtarët e Aleancës për Shqiptarët, simpatizantët dhe të gjithë qytetarët, që në mënyrë masovike të mobilizohen dhe të mbështesin njeriun i cili me punë dhe ndershmëri e ka dëshmuar tanimë se është zgjedhja më e mirë për të menaxhuar Komunën e Vrapçishtit", thonë nga ASH e Ziadin Selës.

Ndryshe, dje edhe koalicioni VLEN doli në mbështetje të kandidaturës së Demirit, i cili përball do të ketë kryetarin e deritanishëm Isen Shabani, i cili do të përkrahet nga koalicioni AKI./Telegrafi/

Sela: Unë jam kryetar i ASH-së, vulat na takojnë ne



Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka komentuar çështjen e vulave të partisë.

Ai në emisionin Click Plus në Tv21 tha se ai mbetet kryetar i ASH-së sepse ai e ka ndërtuar atë parti.

"Ne nuk e kemi problem që edhe të krijojmë edhe subjek të ri politik. Por unë kam një parim në jetë, siç nuk pranoj të marrë diçka që nuk më përket, ashtu nuk lejoj që dikush tjetër të marrë atë që e kam ndërtuar. Unë jam kryetar i Aleancës për Shqiptarët, ka një parti, që është Lidhja Shqiptare, që quhet, që ka kryetarin e saj", tha Sela.

- Kush është kryetari?

"Është një zonjushë, Arbëresha Selimi, është kryetare e Lidhjes Shqiptare, por unë jam kryetar i Aleancës për Shqiptarët. Këto janë të dhëna publike, nuk e kemi regjistruar…nuk është regjistruar në ilegalitet”, tha mes tjerash Sela.

Sela tha se është i bindur që do të marrin vulat e ASH-së.

“Dy herë është vendosur në favorin tonë në lidhje me vulat, dhe nuk ka pse mos të vendoset edhe për të tretën herë, që vulat na takojnë ne”, tha mes tjerash Ziadin Sela duke shtuar se në aspektin juridik, ende nuk i kanë vulat.

ASH e Taravarit mbështet protestën në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare të Kosovës



Aleanca për Shqiptarët njofton opinionin publik se mbështet protestën që organizohet në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare të Kosovës dhe të drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët vazhdojnë të mbahen të paraburgosur padrejtësisht në Hagë, theksohet në komunikatën e ASH-së. së Taravarit.

”Në këtë moment të rëndësishëm për dinjitetin kombëtar, u bëjmë thirrje çdo shqiptari pa dallim bindjesh politike, që të bashkohen masivisht në protestën që do të mbahet më 13 dhjetor, në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup.

Zëri ynë i përbashkët duhet të dëgjohet qartë në mbrojtje të drejtësisë dhe të së vërtetës për luftën çlirimtare, luftën më të pastër dhe më të drejtë që populli shqiptar ka zhvilluar për liri.

Çdo përpjekje për të njollosur këtë kapitull të lavdishëm të historisë sonë është goditje ndaj vlerave, sakrificës dhe kontributit të një brezi të tërë që luftoi për lirinë e Kosovës’, thonë nga ASH.

ASH e Ziadin Selës thërret Kuvendin e partisë: Do të flasim për hapat e radhës për strukturimin e organeve



Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës këtë muaj do të mbajë mbledhje të Kuvendit të partisë, në të cilin siç thonë, do të diskutojnë për hapat e mëtejmë në drejtim të strukturimit të organeve.

Siç njoftojnë nga partia e Selës, mbledhja e Kuvendit do të mbahet më 27 dhjetor.

"Në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Aleancës për Shqiptarët, ku u diskutua për zhvillimet politike në vend dhe hapat e mëtejmë në drejtim të strukturimit të organeve, anëtarët e Kryesisë votuan unanimisht vendimin për thirrjen e Kuvendit të partisë".

"Kuvendi do të mbahet më 27 Dhjetor dhe në të do të diskutohet për riorganizimin e strukturave dhe organeve të partisë, politikat partiake dhe dokumentet e rëndësishme strategjike".

"Aleanca për Shqiptarët vazhdon të mbetet në mbrojtje të kauzës kombëtare, zëri i artikulimit të të drejtave kushtetuese dhe ligjore të shqiptarëve dhe ruajtjen e orientimit euro-atlantik të vendit si rrugë të vetme për perspektivën e qytetarëve", thonë nga ASH.

ASH: Paralajmërimet nga "Safe City" po bëhen vetëm në gjuhën maqedone, VLEN duhet të reagojë



Aleanca për Shqiptarët ka reaguar pas fillimit të funksionimit të sistemit"Safe City", pasi njoftimet nga MPB po vijnë vetëm në gjuhën maqedone e jo dhe në gjuhën shqipe.

"Pas lëshimit në përdorim të projektit “Safe City” në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë kanë nisur edhe SMS porositë e para për qytetarët me paralajmërime. Edhe pse këtë projekt mund ta vlerësojmë si një hap drejt sigurisë në komunikacion, është e pafalshme që SMS porositë të lëshohen pa gjuhën shqipe. Dhe le ta themi qartë: kjo nuk është hera e parë që institucionet e shtetit e shpërfillin gjuhën shqipe. Ky problem është i përsëritur dhe tashmë i qëllimshëm", thanë nga Aleanca për Shqiptarët.

ASH ka kritikuar dhe koalicionin VLEN në qeveri për mosreagim.

"VLEN-i, që mban pozitën e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, duhet të përgjigjet: çfarë funksioni real ushtron në këtë dikaster? A është aty për të garantuar të drejtat e qytetarëve shqiptarë, apo shërben vetëm si dekor politik, pa asnjë ndikim të vërtetë brenda strukturave të VMRO-së?'Safe City’ pa gjuhën shqipe, VLEN-i si dekor në Qeveri sërish hesht Nëse VLEN-i pretendon se përfaqëson shqiptarët në institucionet shtetërore, atëherë pse hesht përballë një shkeljeje kaq elementare dhe të përsëritur? Pse nuk reagoi për faktin se edhe ky projekt, ashtu si shumë herë më parë, injoron detyrimin ligjor për përdorimin e gjuhës shqipe? Sepse nëse një zëvendësministër nuk arrin të sigurojë as zbatimin bazik të gjuhës shqipe të ministrisë që ai përfaqëson, atëherë roli i tij nuk është përfaqësim – është nënshtrim", thonë nga ASH-ja.

❌