Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

PS mbledh grupin parlamentar, çfarë pritet të ndodhë sot

Partia Socialiste mbledh sot, 2 shkurt, grupin parlamentar. Ky takim vjen një ditë para seancës plenare ku janë përfshirë një sërë projektligjesh, edhe ato për të cilat u kërkua anulimi në seancën e fundit.

Nuk dihet nëse do të jetë i pranishëm kryeministri Edi Rama.

Sa i përket seancës plenare ajo do të zhvillohet ditën e nesërme dhe jo të enjten siç ndodh tradicionalisht pasi një pjesë e madhe e ligjvënësve do të udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’iu bashkuar mëngjesit të lutjeve.

Gjithsesi sa i përket politikës, të tjera zhvillime ka sot. Pritet që në orën 13:00 të mblidhet Komisioni i Posaçëm i Reformës Territoriale, ku Partia Socialiste do të vendosë në provë gatishmërinë e opozitës për të bashkëpunuar.

Nga ana tjetër, duhet nënvizuar që Kuvendi e ka vendosur në rendin e ditës për seancën plenare të ditës së nesërme ndryshimin e formulës së funksionimit të komisioneve të posaçme.

Në rast se opozita nuk do të paraqitet ditën e sotme në Komisionin e Reformës Territoriale, atëherë ditën e nesërme Partia Socialiste parashikon që të miratojë ndryshimet që i japin asaj shumicën e anëtarësisë dhe rrjedhimisht mundësinë për t’i zhvilluar vetëm të gjitha ndryshimet që mund të bëhen në vijimësi.

“Irena me 5 mbiemra shoqe shpirti me Lindën e Surrelit”, Berisha denoncon: Këshilltare e Ergys Agasit, ka hyrë dhe ka dalë në zyrën e tij mafioze

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një deklaratë për mediat, pasi daljes nga SPAK ku u paraqit në zbatim të masës së sigurisë komentoi vendimin e KLGJ, që nuk pranoi të shqyrtonte çështjen e Irena Gjokës.

Berisha teksa i lexoi me emra anëtarët e KLGJ që votuan të mos pranojnë kërkesën për nisjen e procedurave për gjyqtaren e posaçme Irena Gjoka, i konsideroi ata më kriminelë sesa Irena Gjoka.

“KLGJ me votat e Yllka Rupës, Ridvan Hados, Markelian Koça, Emona Muçi, Klodian Kurushi dhe kreut të tij Ilir Rusi me 6 vota vendosën mos pranimin e nisjes së procedurave për verifikimin dhe shpalljen e papajtueshmërisë së mandatit me famozen Irena Gjoka. Këta janë me kriminelë se vetë Irena, këta janë turpi i zyrtarit. Janë skllevër të këtij regjimi dhe të Edi Ramës”, u shpreh Berisha.

Po ashtu ai denoncoi se Irena Gjoka është e përfshirë në dosjen e Ergys Agasit, ku sipas tij ajo ka hyre e ka dalë në zyrën e tij.

“Sa për dijeni Irena me 5 mbiemra është një shoqe në shpirt me Lindën e Surrelit, përvecse këshilltare e Ergys Agasit. Besoj i keni parë videot në dosjet e Ergys Agasit, sesi serbezja hyn dhe del në zyrën mafioze të Agasit”, deklaroi ndër të tjera Berisha.

Gjithashtu, Berisha tregoi për gazetarët se çfarë pa kur u fut në zyrat e SPAK për të firmosur “detyrimin e paraqitjes”:

“Aty ishte Altin Troplini, i cili ishte ulur me tre personazhe, me Elvis Docin, Altin Hajrin dhe Irenën me 5 mbiemra. SI avokat i tyre po i bënte shpjegim për çështje. Ndodhej ish xhelati Arben Kraja që po numëronte para me Oltion Bistrin. Aty ishin të dy. Këto pashë unë sot”.

Qeveria përballet me një tjetër mocion mosbesimi

Qeveria e kryeministrit francez, Sébastien Lecornu përballet sot  me dy mocione mosbesimi, pasi ai e kaloi buxhetin në Asamblenë Kombëtare pa një votim përfundimtar.

Deputetët e Asamblesë Kombëtare pritet të nisin pasditen e sotmes një debat mbi tërheqjen ose jo të besimit ndaj kabineti të qendrës së majt

Nuk pritet rënia e qeverisë.

Lecornu ka siguruar mbështetjen e socialistëve përmes disa koncesioneve në buxhet.

Nëse qeveria i mbijeton mocioneve të mosbesimit në parlament, buxheti i vitit 2026 konsiderohet i miratuar.

Mocionet e mosbesimit janë kërkuar, nga njëra anë, nga nacionalistët e djathtë të Marine Le Pen, dhe nga ana tjetër nga e majta, të Gjelbrit dhe komunistët.

Përpjekja e tyre për të rrëzuar qeverinë vjen si reagim ndaj faktit që Lecornu e kaloi buxhetin e këtij viti duke përdorur një nen të posaçëm të kushtetutës, pa votim përfundimtar, pas një përpjekjeje të pasuksesshme për kompromis.

Lecornu dhe qeveria e tij kanë mbijetuar tashmë katër mocione mosbesimi javët e fundit, të cilat lidhen me pjesë të buxhetit.

Fakti që Franca, e cila ka një nivel të lartë borxhi, po arrin më në fund të miratojë një buxhet pas një bllokimi politik, pritet të mirëpritet nga bizneset dhe nga partnerët e BE-së, si Gjermania.

Kjo u jep kompanive qartësi për investime dhe punësime, ndërsa edhe sektori publik mund të rifillojë investimet.

Perspektiva që Franca të përballet me problemet e saj të borxhit shihet gjithashtu si një sinjal pozitiv për Bashkimin Evropian.

“Shatërvani i Trevit” nuk do të jetë më falas, bashkia e Romës vendos biletë 2 euro për të frenuar turistët

Shatërvani i Trevit, një nga simbolet më të njohura të Romës dhe një ndalesë e domosdoshme për çdo turist, nuk do të jetë më plotësisht falas për t’u vizituar nga afër.

Duke nisur nga e hëna, 2 shkurt, autoritetet italiane do të aplikojnë një biletë prej 2 eurosh për aksesin pranë monumentit, me qëllim menaxhimin e fluksit të madh të vizitorëve.

Vendimi vjen në një kohë kur Roma, ashtu si Venecia dhe Firence, po përballet me rekorde vizitorësh, duke shkaktuar mbipopullim, rrugë të bllokuara dhe vështirësi për banorët vendas.

Shatërvani i Trevit tërheq çdo ditë dhjetëra mijëra turistë për foto dhe për hedhjen tradicionale të monedhave, duke e kthyer zonën përreth në një hapësirë shpesh kaotike.

Sipas autoriteteve të qytetit, tarifa synon të përmirësojë cilësinë e vizitës dhe sigurinë.

“Qëllimi është të përmirësojmë përvojën e vizitorëve dhe përdorimin e trashëgimisë sonë kulturore, duke luftuar njëkohësisht mbipopullimin”, deklaroi kryebashkiaku i Romës, Roberto Gualtieri.

Bileta prej 2 eurosh do të vlejë për aksesin në shtegun e ngushtë pranë ujit, ndërsa sheshi i madh përpara shatërvanit do të mbetet i hapur falas për të gjithë. Sistemi i ri do të zbatohet shumicën e ditëve nga ora 09:00 deri në 22:00, ndërsa të hënave dhe të premteve nga ora 11:30 deri në 22:00.

Biletat do të mund të blihen paraprakisht online ose në vend, vetëm me kartë krediti. Do të krijohen dy radhë të ndara për vizitorët me bileta të parablera dhe për ata që blejnë në vend, ndërsa hyrja do të kontrollohet nga kujdestarë.

Për më shumë se një vit, numri i vizitorëve pranë shatërvanit ka qenë i kufizuar në maksimum 400 persona në të njëjtën kohë, megjithatë qyteti raporton se deri në 30 mijë persona e vizitojnë çdo ditë dhe deri në 70 mijë në ditë me fluks të lartë.

Masa të ngjashme janë ndërmarrë edhe në qytete të tjera italiane. Venecia ka futur tarifë për turistët ditorë dhe pritet ta aplikojë sërish këtë verë, në përpjekje për të kontrolluar mbiturizmin.

Nuk ka qetësi te Olympique Marseille; zënkë mes Kondogbia e Vermeeren, De Zerbi akuzon Murillo dhe ‘e shet’

Olympique Marseille po jeton ditë tensionesh. Në fillim ishte eliminimi në Ligën e Kampioneve me zërat për largimin e trajnerit De Zerbi, më pas barazimi në kampionat që e largon skuadrën marsejeze nga kreu dhe tani stuhia e polemikave e krijuar për një sherr të mundshëm në stërvitje mes Kondogbia dhe Vermeeren dhe sjelljen e trajnerit italian.

Ky i fundit është përballur ashpër me Amir Murillo, me këtë të fundit i cilësuar përgjegjës për disa gabime të tij që sollën edhe golat e pësuar nga Olympique Marseille në javët e fundit

Sipas asaj që publikohet në median franceze, De Zerbi e transferoi mbrojtësin panamez tek skuadra rezervë dhe i ka kërkuar të largohet nga skuadra brenda kësaj të hënë. Një kërkesë që trajneri ua bëri edhe ‘më të pakënaqurve’ duke iu thënë që t’iu drejtohen agjentëve të tyre për të kërkuar një destinacion të ri.

Kur duhet edhe 1 javë nga zhvillimi Klasikes me Paris Saint Germain, klima e Olympique Marseille është shumë e tendosur dhe këtë të hënë është në program një takim mes grupimeve të tifozëve, drejtuesve të klubut, futbollistëve dhe vetë trajerit De Zerbi, për një moment konfrontimi për të sqatuar tensionet e fundit dhe për t’u përpjekur që të niset gjithçka nga e para.

Në kërkim për kultivim droge në Vaun e Dejës, arrestohet 46-vjeçari

Vau i Dejës/Vihet në pranga 1 shtetas i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Neonët 5”.

Akuzohet si bashkëpuntor për përshtatjen e 2 ambienteve (banesa) për kultivimin e bimëve narkotike, me llamba, në fshatin Barbullush, vihet në pranga 46-vjeçari.

Nga këto 2 ambiente, disa javë më parë, u sekuestruan 583 bimë narkotike kanabis, rreth 7.5 kg kanabis dhe 307 pajisje elektrike që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës ndaluan shtetasin Gj. G., 46 vjeç, banues në fshatin Barbullush, i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Neonët 5”.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar atij, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, të kryera në bashkëpunim.

Vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.

 

Matura Shtetërore 2026/ Nis plotësimi i formularit A1, ja thirrje nga ministrja e Arsimit

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro u është drejtuar sot maturantëve me një mesazh informues dhe motivues, duke bërë me dije se nga sot ka nisur procesi i plotësimit të formularit A1, përmes të cilit nxënësit përcaktojnë lëndët me zgjedhje për provimet e Maturës Shtetërore 2026.

Në fjalën e saj, ministrja theksoi rëndësinë e këtij vendimi, duke nënvizuar se zgjedhja e lëndëve ndikon drejtpërdrejt në orientimin akademik dhe studimet e mëtejshme. Ajo u bëri thirrje maturantëve të mos e marrin këtë vendim në mënyrë të nxituar:

“Mendojeni mirë këtë vendim të rëndësishëm, këshillohuni me mësuesit tuaj dhe me prindërit, sepse zgjedhja që bëni sot do t’ju orientojë drejt fazës tjetër të studimeve tuaja,” u shpreh ministrja.

Ministrja informoi gjithashtu se për maturantët e viteve të mëparshme, aplikimi me formularin A1Z do të zhvillohet në datat 10–11 shkurt, ndërsa Drejtoritë Rajonale Arsimore, zyrat arsimore dhe shkollat janë në dispozicion për të ofruar asistencë gjatë gjithë procesit të aplikimit.

 

“Për ata që nuk janë maturantë të këtij viti, por të viteve të mëparshme, është formulari A1Z, i njohur edhe ky për të gjithë ata që ndjekin procesin. Por mirë është ta kujtojmë që për këtë të dytin, ka vetëm dy data në dispozicion. Kemi postuar dhe kemi bërë të njohur për të gjithë aplikuesit sipas drejtorive rajonale arsimore: Në datën 2,3 dhe 4 në Tiranë, Durrës dhe Fier. Në datën 5,6 dhe 9 në Korçë dhe në Lezhë do të jenë të gjithë në dispozicion për t’ju asistuar, për t’ju ndihmuar, që nga mësuesit, drejtuesit e shkollave, drejtuesit e zyrave arsimore dhe të drejtorive rajonale”, tha Kumbaro.

 

Gjyqtarët kërkuan rritje page, Rama: 37 milionë euro nga taksat e shqiptarëve

Kryeministri Edi Rama dekaroi se gjyqtarët kërkuan tinëz rritjen e pagave të tyre, që do t’u kushtonte buxhetit të shtetit 37 milionë euro, para nga taksat e shqiptarëve.

Përmes një video mesazhi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se ballafaqimi i gjykatësve në seancën në Gjykatën Kushtetuese, linte për të dëshiruar, me argumentet që ata kishin përdorur.

Rama shtoi se me pagat aktuale, gjyqtarët në Shqipëri paguhen njësoj sa në Greqi, vend i BE, dhe marrin dyfishin e gjyqtarëve në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Gjykata Kushtetuese publikoi përpara ditësh regjistrimin e seancës ku gjykatësit, dy shoqata gjykatësish, edhe ata me probleme ligjore të paregjistruara, gjithsesi, kërkuan nga Gjykata Kushtetuese, që t’iu rrisë pagat. Tani, po ta dëgjosh atë regjistrim të publikuar nga Gjykata Kushtetuese, realisht ndihesh në vështirësi të madhe, duke menduar që këta janë njerëzit që gjykojnë dhe japin drejtësi, filli i logjikës së atyre që u ballafaquan me Gjykatën Kushtetuese, lë tejet për të dëshiruar. Nuk është çështje personash, por ja si flet njëri, unë jam gjykatës karriere, kuptoj nga politika, jeta shoqërore, nga të gjitha. Nga ana e kryeministrit u anatemua, u anatemua ideja që këta njerëz mund të përdorin fuqinë e tyre për të shkelur mbi dy pushtetet e tjera. Mendova këtë, që edhe ne të zgjuar jemi. E kam bërë kërkesën personalisht. Ky i thotë gjykatës, thashë ta bëjmë tinëz këtë punë, qeveria e kishte mendjen te zgjedhjet jo te ne, t’i merrnim shqiptarëve nga taksat, 37 milionë euro të tjera. Gjyqi është gjyq në fund të fundit thotë, se nëse të tjerët janë dhe nuk janë, ne të tjerët që jemi në shumë punë të tjera, gjykatësit janë vet zot dhe vet shkop. Jemi koshientë thotë për nivelin e pushtetit ekzekutiv, të demokracisë. Po për çfarë niveli të demokracisë bën gjyqtari me ironi. Dua ta dinë të gjithë se e vërteta është që në Shqipëri, pagat e gjykatësve sot, janë të njëjta me pagat e gjykatësve në Greqi, vendi BE, dyfish se pagat e gjykatësve në Maqedoni dhe Malin e Zi.”, theksoi kreu i qeverisë.

30 vjeçari që u plagos nuk ishte shënjestra e atentatit, autorët dyshohet se ishin tre

Të tjera detaje mësohen lidhur me atentatin që tronditi mbrëmjen e së dielës, 1 shkurt, Lezhën, ku mbeti i plagosur 30-vjeçari Sokol Daci.

Burime nga grupi hetimor nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se 30-vjeçari nuk ka qenë shënjestra e atentatit. Mendohet se shënjestër ishte një nga katër personat e tjerë që ndodheshin brenda biznesit të tij në momentin kur ndodhi ngjarja.

Dyshohet se kanë qenë tre persona të cilët kanë mbërritur në fshatin Rrilë të Lezhës me një mjet tip “Audi”, dhe pasi janë ulur nga makina, kanë qëlluar në drejtim të berberhanes, duke lënë të plagosur Sokol Dacin, i cili ka marrë tre plumba, një në shpatull, një në bark dhe një në këmbë.

Brenda biznesit dyshohet të kenë qenë edhe katër persona të tjerë të cilët, sipas grupit hetimor, janë kundërpërgjigjur me armë zjarri.

Fatmirësisht, i riu ndodhet në gjendje të stabilizuar, jashtë rrezikut për jetën. Biznesi nuk ka patur kamera sigurie, por po këqyren bizneset e tjera që mund të kenë kamera sigurie dhe ta kenë regjistruar këtë moment.

Reshje shiu dhe bore/ Parashikimi i motit për sot

Ditën e hënë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me alternime vranësirash mesatare deri të dendura si dhe intervale të herëpashershme me kthjellime kryesisht përgjatë ultësirës perëndimore e në jug të vendit.

Nga orët e para të 24 orëshit deri gjatë orëve të mëngjesit reshje të dobëta shiu të karakterit lokal. Gjatë ditës kryesisht në orët e mesditës e pasdites, reshjet parashikohen me intensitet kryesisht të ulët, ndërsa nuk do të mungojnë shtrëngata afatshkurtra në zonën qendrore. Në orët e mbrëmjes parashikohet ndërprerja e reshjeve.

Në lartësinë mbi 900-1000 metër në veri-verilindje-juglindje reshje bore me intensitet të ulët.

Era do të fryjë do të fryjë me drejtim nga verilindje – jugperëndim me shpejtësi mesatare 6m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era me shpejtësi deri në 10m/s.

Deti pritet të ketë valëzim të forcës 1-2 ballë.

VIDEO/ Rihapet për qarkullim aksi Librazhd-Qafë Thanë

Pas rreth 7 orësh, akaksrrugor Librazhd-Qafë Thanë është zhbllokuar dhe ka rinisur qarkullimi i automjeteve.

Që prej orës 11:00, lëvizja në të dy krahët e rrugës ishte ndalur për shkak të rrëshqitjes së një masivi dheu e gurësh në Kthesën e Dragostunjës.

Puna e ekskavatorëve dhe fadromës përfundoi me pastrimin e gurëve dhe dheut në rrugë duke e bërë aksin të kalueshëm në dy krahët.

Megjithatë qarkullimi është tepër i rënduar për shkak të thyerjes së rregullave nga padurimi i drejtuesve të mjeteve që futen në parakalime apo vendosen keq në rrugë.

Autoriteti Rrugor thotë se po kryhet menaxhimi i trafikut, ndërsa kërkon bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve për mbarëvajtjen e qarkullimit.

“Aksi Elbasan–Qafë Thanë u hap për qarkullimin e mjeteve. Policia Rrugore së bashku me Autoritetin Rrugor Shqiptar po bëjnë menaxhimin e trafikut. Kërkojmë mirëkuptimin e përdoruesve të rrugës dhe respektimin e udhëzimeve të autoriteteve për mbarëvajtjen e qarkullimit”, thuhet në njoftim.

GOLAT/ Penallti në minutën e 100-të, Real Madrid vuan për fitoren e rradhës

Real Madrid regjistroi fitoren e gjashtë radhazi në La Liga, pasi mposhti me vështirësi të mëdha skuadrën e Rayo Vallecano, me rezultatin 2-1.

Madrilenët, iu falën një goli të shënuar nga Kylian Mappe në minutën e 100-të me penallti, për të marrë 3 pikë të rëndësishme.

Skuadra e drejtuar nga Alvaro Arbeloa, e nisi ndeshjen shumë mirë, duke kaluar në avantazh në minutën e 15-të me Vinicius Junior.

Në startin e pjesës së dytë, miqtë barazuan shifrat me De Frutos, pas një asisti nga Garcia.

Kur dukej se ndeshja do të mbyllej në barazim, skuadra vendase shënoi dhe golin që vulosi takimin.

Në minutën e 10-të shtesë, Mbappe shënoi me penallti, për t’i dhënë fitoren skuadrës së tij.

Me këtë fitore, Reali mban vendin e dytë me 54 pikë, vetëm një pikë më pak se Barcelona kryesuese. Rayo Vallecano renditet në vendin e 17-të me 22 pikë.

VIDEO/ “Për portalet e qeverisë, kjo është e vërteta”, Berisha reagon për “ndërprerjen” e fjalës në Strasbourg

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ndarë një video në rrjetet sociale përmes së cilës kërkon të sqarojë atë çfarë ndodhi në Strasbourg, gjatë pjesëmarrjes në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Në videon e publikuar, tregohet se ndërprerja e fjalës e supozuar është automatike dhe zbatohet njësoj për të gjithë folësit, pasi koha e përcaktuar për secilin është dy minuta.

“Për portalet e qeverisë, kjo është e vërteta”, shkruan mbi video kreu i PD.

“Fjala në Strasburg për diskutantët është gjithnjë dy minuta dhe ajo ndërpritet automatikisht. E vërteta është se unë e dija këtë, isha i vetëdijshëm dhe natyrisht që pjesën më pikante ia kisha rezervuar Ramës që në minutën e parë, kurse në minutën e fundit unë e dija se ajo ndërpritet, por unë vazhdova se kamera funksionon pavarësisht se zëri shuhet. Mua më interesonte kamera dhe kërkova qeverinë teknike”, do të shprehej Berisha ditën e djeshme në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale.

LEXO EDHEBerishës i fiket mikrofoni në Strasbourg, Balla nxjerr VIDEO-n: Është mësuar në foltoren e Kuvendit

A ia vlen të blesh një apartament për ta dhënë me qira?

Vitet e fundit është shtuar numri i individëve që po investojnë në blerjen e pasurive të paluajtshme.

Të dhënat e sakta mungojnë, por agjencitë real estate vlerësojnë që 10-15% e blerjeve bëhen për qëllime investimi.

Pronën mund ta japësh me qira, ose të presësh të rritet çmimi e ta rishesësh sërish.

Rritja e shpejtë e çmimeve të apartamenteve vitet e fundit, ndërsa qiratë mbeten të ulëta, po e bën gjithnjë e më të paleverdishëm blerjen me synimin për ta dhënë me qira.

 

Stela Dhami e “Colliers International” thotë se nuk ka asnjë leverdi që të blesh një apartament si mjet investimi për të marrë qira në kryeqytet.

“Ndonëse varet nga zona, kthimi është shumë i ngadaltë dhe nga 15 vjet është rritur në mbi 17 vjet, për shkak të rritjes së shpejtë të çmimeve të blerjeve të apartamenteve”.

Kjo periudhë konsiderohet shumë e lartë, teksa mesatarja për të vlerësuar të leverdishëm këtë lloj investimi është 10 – 12 vjet. Ajo shton se i vetmi investimi që ia vlen është rishitja.

Në Tiranë, çmimi mesatar i apartamenteve ka arritur në rreth 2 mijë euro, sipas Key Data Albania dhe Deloitte, pra një apartament prej 90 metra katror kushton rreth 180 mijë euro.

Nëse këtë apartament e jep me qira ditore fiton mesatarisht 750 euro në muaj bruto dhe nëse e jep mujore, fitimi është pak a shumë në të njëjtat nivele, ndonëse varet nga zona. Në këto nivele, kthimi bruto është rreth 20 vjet.

Për apartamentet në zona më qendrore, qiraja shkon dhe 1000 euro në muaj, por çmimi i blerjes rritet mesatarisht në 2500 – 3000 euro në muaj, apo 225 mijë – 270 mijë euro, duke pasur një kthim bruto midis 19 – 23 viteve.

Znj. Dhami shton se e vetmja zonë ku ndoshta është me leverdi investimi për ta dhënë me qira, është bregdeti, nëse arrin të blesh një apartament të lirë, pasi çmimet e qirave janë më të shtrenjta.

Në Vlorë, çmimi më i lirë për blerje është 1300 euro/m² në Orikum, në 3500 në vijën e parë të qytetit. Qiraja më e shtrenjtë ditore sipas AirDNA është 80-85 euro në qershor – gusht, e më pas zbret në 50 – 60 euro.

Në Durrës, në zonën e Golemit, çmimet në vijën e parë kanë arritur deri në 2000 euro/m² dhe 900 – 1300 euro/m² në vijën e dytë, sipas të dhënave të agjencive të pasurive të paluajtshme të bregdetit.

Në Golem, sipas AirDNA, qiraja më e lartë ditore arrin në 80 euro në qershor – gusht e më pas luhatet në 40 – 70 euro.

Në Vlorë p.sh., nëse blen një apartament 90 metra katror me një çmim 2000 euro për metër katror, fitimi mesatar mujor nga qiraja, sipas Airbnb është rreth 1120 euro, që nënkupton një kthim prej rreth 13 vitesh, duke iu afruar skenarit që më në fund ka kuptim ekonomik.

Në Golem, ku apartamentet janë më lirë sesa në Vlorë, nëse blen një apartament 90 metra me 1500 euro për metër katror, fitimi mujor sipas Airbnb është 1026 euro. Në këtë rast, leverdia është dhe më e lartë, me një kthim bruto prej 10-11 vitesh.

Në Shëngjin, për një apartament 90 metra, me një çmim prej 1500 euro dhe të ardhura neto nga qiraja prej 805 eurosh në muaj, kthimi është për rreth 13-14 vjet./Monitor

Tensionet SHBA-Iran/ Trump: Diskutime serioze, e kuptojnë se çfarë i pret

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka konfirmuar se Irani është në “diskutime serioze” me SHBA-në pas shtimit të vazhdueshëm të forcave ushtarake amerikane në Gjirin Persik.

Ai është shprehur se shpreson që negociatat me Iranin do të çojnë në diçka “të pranueshme”, pasi tensionet midis dy vendeve mbeten të larta.

Zyrtari më i lartë i sigurisë i Iranit, Ali Larijani, ka thënë gjithashtu se “një kornizë për negociata po përparon dhe se mund të jetë gati shumë shpejt”, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Trump ka kërcënuar të ndërhyjë në Iran për shkak të ambicieve të tij bërthamore dhe pas shtypjes vdekjeprurëse të protestave antiqeveritare. Irani ka reaguar duke thënë se do të përgjigjet “menjëherë dhe fuqishëm” ndaj çdo agresioni nga toka ose deti.

Pritet që Irani të fillojë një stërvitje detare dy-ditore me armë zjarri në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit detar në botë dhe një rrugë kyçe për furnizimin me energji.

Rreth 1/5 e naftës së tregtuar në botë kalon nëpër këtë hapësirë ujore, e cila është rreth 33 km e gjerë në pikën e saj më të ngushtë midis Iranit dhe Omanit.

Të dielën, Kryetari i Kuvendit të Iranit deklaroi se Republika Islamike tashmë i konsideron të gjitha ushtritë e Bashkimit Evropian si organizata terroriste. Deklarata erdhi si reagim pasi BE-ja e shpalli Gardën Revolucionare paramilitare të Iranit organizatë terroriste, pas shtypjes së përgjakshme të protestave mbarëkombëtare.

LEXO EDHEIrani kërcënon me luftë rajonale nëse sulmohet nga SHBA

Temperatura deri në -32°C/ 87 viktima nga moti i acartë në SHBA

Stuhitë e dëborës kanë goditur bregun lindor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga Teksasi në Nju Xhersi.

87 persona humbën jetën në Virxhinia, ndërkohë që temperaturat kanë rënë deri – 32 gradë.

Shkaqet e vdekjes përfshijnë hipoterminë, helmimin nga monoksidi i karbonit, si dhe aksidentet rrugore. Stuhi dëbore përfshinë edhe Juglindjen e vendit, si dhe pjesën më të madhe të Bregut Lindor, duke lënë dhjetëra mijëra shtëpi dhe biznese pa energji elektrike.

Meteorologët paralajmërojnë reshje dëbore me trashësi disa centimetra, si dhe temperatura nën zero.

Priten reshje të dendura dëbore në Karolinën e Jugut dhe të Veriut, Virxhinia dhe Xhorxhian verilindore.

Në Karolinën e Veriut mbeten në fuqi paralajmërimet për stuhi, ndërkohë që u raportuan më shumë se 200 aksidente rrugore.

Më shumë se 174 mijë shtëpi dhe biznese, kryesisht në Misisipi dhe Tenesi, kanë mbetur pa energji elektrike për ditë me rradhë.

Më shumë se 41 mijë njerëz mbetën pa energji elektrike në Nashville, ndërsa guvernatori i Tenesit, Bill Lee, iu kërkoi banorëve që të prisnin një afat të qartë për rikthimin e energjisë elektrike.

Bora shkaktoi ndërprerje të mëdha të trafikut ajror, me më shumë se 2 mijë 400 fluturime që u anuluan.

Në Nju Jork, për shkak të temperaturave të ulëta, kabllot e metrosë ranë duke dëmtuar makinat e parkuara, ndërkohë që ekipet e emergjencës po punojnë për të shkrirë borën.

Në Uashington, Garda Kombëtare është e angazhuar në heqjen e borës dhe akullit nga ndërtesat shkollore.

Në shtetet jugore, përfshirë Floridën, pritet të godasë një i ftohtë shumë i acartë, me temperaturat më të ulëta në dekada, ndërsa banorët përgatiten për mot edhe më të acartë.

Reshje shiu në të gjithë vendin dhe temperatura…/ Ja si nis java në Shqipëri

Instituti i Gjeoshkencave bën me dije situatën meteorologjike për pasditen e sotme, 1 shkurt dhe për ditën e hënë, 2 shkurt 2026.
Sipas parashikimit, ditën e nesërme priten reshje të dobëta shiu në të gjithë vendin, ndërsa temperatura minimale, në vendet malore, do të regjistrojë deri në -1 °C.
Parashikimi i motit sipas IGJEO:
RESHJET
Sot pasdite (e diel, dt. 01) dhe nesër (e hënë, dt. 02) priten reshje të dobëta në të gjithë qarqet (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark).
Në Veri, Lindje dhe Juglindje në lartësitë mbi 1000 m nga niveli i detit reshjet do të jenë në formë dëbore.
TEMPERATURA
Nesër (e hënë, dt. 02) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:
– në bregdet: 7 / 12 °C
– në vendet e ulëta: 2 / 12 °C
– në vendet malore: -1 / 5 °C
ERA
Sot pasdite (e diel, dt. 01 dhe nesër (e hënë, dt. 02) era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare.

Në pritje të shortit të Nations League/ Shqipëria në vazon e parë të Ligës C, Kosova në Ligën B

Në 12 shkurt do të hidhet shorti i edicionit të pestë të Nations League ku Kombëtarja shqiptare dhe ajo e Kosovës do të mësojnë fatet e tyre.

Kuqezinjtë, për shkak se në edicionin e kaluar u renditën të fundit në Grupin e tyre në Ligën B të kompeticionit, zbritën një kategori më poshtë, pikërisht në Ligën C.

Në këtë ligë në momentin e shortit, skuadra e drejtuar nga Sylvinho do të jetë në vazon e parë duke qenë se është një prej skuadrave me koeficientin më të lartë në Ligën C.

Në këtë vazo, bashkë me kombëtaren tonë janë Islanda, Mali i Zi dhe Kazakistani.

Ndërsa në vazot e tjera te kësaj lige janë Finlanda, Sllovakia, Bullgaria, Armenia, Bjellorusia, Ishujt Faroe, Qipro, Estonia, Moldavia, San Marino si dhe skuadrat fituese nga playoffi Letonia ose Gjibraltar dhe Luksemburg ose Malta.

Nga ana tjetër, Kosova është në Ligën B dhe është pozicionuar në vazon e katërt së bashku me Suedinë, Maqedoninë e Veriut dhe Irlandën e Veriut, ndërsa skuadrat e tjera në Ligën B janë Skocia, Hungaria, Polonia, Izraeli, Zvicra, Bosnje Hercegovina, Austria, Ukraina, Sllovenia, Gjeorgjia, Irlanda dhe Rumania. procedura e Nations League parashikon që fitueset e Ligave ngjiten në kategori, pra shkojnë një Ligë më lart, ndërsa ato të vendeve të fundit zbresin një ligë më poshtë, po kështu ka edhe ndeshje playoffi për ligat C/D.

Edicioni i pestë i Nations League do të nisë dhe risia është që 4 sfidat e para do të zhvillohen në periudhën 24 shtator deri në 6 tetor, ndërsa dy sfidat e fundit do të luhen në 12-17 nëntor të 2026.

Në  25-30 mars të 2027 do të luhen ndeshjet çerekfinale të kompeticionit dhe ndeshjet e playoffit për rënien apo ngjitjen në kategori të Ligave A dhe B. në 23-28 mars do të luhen ndeshjet e Playoff të Ligave C e D.

Faza finale e edicionit të pestë të Nations League do të luhet në 9-13 qershor të 2027.

Irani kërcënon me luftë rajonale nëse sulmohet nga SHBA

Udhëheqësi suprem i Iranit, ajatollah Ali Khamenei, ka paralajmëruar se çdo sulm nga Shtetet e Bashkuara do të shkaktonte një konflikt rajonal, ndërsa Uashingtoni vazhdon të shtojë praninë ushtarake pranë Iranit.

“Amerikanët duhet ta dinë se nëse nisin luftë, këtë herë do të jetë një luftë rajonale”, është shprehur Khamenei, i cituar nga agjencia gjysmëzyrtare iraniane Tasnim, raporton BBC.

Më herët, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Irani ndodhet në “diskutime serioze” dhe shpreson që ato të çojnë drejt një zgjidhjeje “të pranueshme”.
Edhe zyrtari më i lartë i sigurisë në Iran, Ali Larijani, tha se një kornizë për negociatat po ecën përpara.

 

Trump ka kërcënuar me ndërhyrje ndaj Iranit për shkak të ambicieve bërthamore dhe pas shtypjes së përgjakshme të protestave kundër qeverisë. Si pjesë e forcimit ushtarak, SHBA-të kanë dërguar aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln në rajon dhe Komanda Qendrore Amerikane njoftoi se ajo po operon në Detin Arabik.

“[Trump] flet vazhdimisht se ka sjellë anije… Populli iranian nuk do të frikësohet nga këto gjëra”, shtoi Khamenei.

Irani pritet të nisë të dielën një stërvitje dyditore detare me municion të vërtetë në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë dhe kyçe për furnizimin me energji. Rreth një e pesta e naftës së tregtuar globalisht kalon përmes kësaj ngushtice, e cila në pikën më të ngushtë është rreth 33 kilometra e gjerë, mes Iranit dhe Omanit. Irani ka kërcënuar më parë se do ta mbyllë ngushticën nëse sulmohet.

SHBA-të kanĽ paralajmëruar Iranin kundër çdo sjelljeje “të pasigurt dhe joprofesionale” pranë forcave amerikane në zonë. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, iu përgjigj duke thënë: “Ushtria amerikane tani po përpiqet të diktojë se si Forcat tona të Fuqishme të Armatosura duhet të zhvillojnë stërvitje në territorin e tyre”.

Tensioni u rrit edhe më shumë pas dy shpërthimeve të ndodhura të shtunën në Iran. Autoritetet lokale thanë se një shpërthim në qytetin portual jugor Bandar Abbas, ku humbi jetën një person dhe u plagosën 14 të tjerë, u shkaktua nga një rrjedhje gazi. Tasnim mohoi raportimet në rrjetet sociale se objektiv kishte qenë një komandant i marinës së Gardës Revolucionare.

Në qytetin Ahvaz, në jugperëndim të vendit, të paktën katër persona u vranë në një tjetër shpërthim, të cilin autoritetet lokale e atribuuan gjithashtu një rrjedhjeje gazi, sipas gazetës Tehran Times.

Të enjten, Trump tha se i kishte kërkuar Iranit dy gjëra për të shmangur veprimin ushtarak amerikan: “E para, pa armë bërthamore. Dhe e dyta, të ndalojë vrasjen e protestuesve.

Agjencia amerikane Human Rights Activists News Agency thotë se ka konfirmuar vrasjen e më shumë se 6 mijë e 300 personave që nga fillimi i trazirave në fund të dhjetorit dhe po heton edhe 17 mijë vdekje të tjera të raportuara. Një tjetër organizatë, Iran Human Rights me seli në Norvegji, ka paralajmëruar se numri përfundimtar i viktimave mund të kalojë 25 mijë.

Protestues kanë thënë për BBC-në se shtypja e dhunshme nga forcat e sigurisë ishte e paprecedentë. Në deklaratën e tij të dielën, Khamenei akuzoi protestuesit se kanë sulmuar policinë, Gardën Revolucionare Islamike dhe objekte të tjera, përfshirë banka dhe xhami. “Grushti i shtetit u shtyp”, citohet të ketë thënë ai nga Tasnim.

❌