Interi ka marrë lajme shumë pozitive në prag të Derby d’Italia kundër Juventusit, pasi Nicolò Barella dhe Hakan Çalhanoglu janë rikthyer në stërvitje.
Ndeshja zhvillohet të shtunën në “San Siro”, me fillim nga ora 20:45, dhe përveç rivalitetit të madh historik, ka rëndësi të veçantë edhe për garën për pozitat e para në Serie A.
Dy yjet e mesfushës rikthehen në dispozicion
Nerazzurrët po kalojnë një formë shumë të mirë dhe kryesojnë tabelën e Serie A, pavarësisht se për një periudhë kanë munguar disa nga mesfushorët titullarë.
Denzel Dumfries mbetet ende jashtë për shkak të ndërhyrjes kirurgjike në kyçin e këmbës, por rikthimi i Barellës dhe Çalhanoglut përbën një zhvillim tejet të rëndësishëm për Simone Inzaghin.
Çalhanoglu kishte munguar që nga 11 janari, kur u detyrua të largohej i dëmtuar në ndeshjen ndaj Napolit, për shkak të një problemi në muskujt e pulpës së majtë.
Ndërkohë, Barella pësoi një dëmtim në kofshën e djathtë gjatë stërvitjes, pak para udhëtimit në Dortmund për ndeshjen e Ligës së Kampionëve më 28 janar.
Barella më pranë formacionit titullar
Sipas raportimeve nga Italia, Barella ka më shumë gjasa të rikthehet direkt në formacionin startues, ndërsa Piotr Zielinski pritet të ruajë rolin e tij në mesfushë dhe të nisë ndeshjen ndaj Juventusit nga minuta e parë.
Rikthimi i dy mesfushorëve kryesorë i jep Interit një armë shtesë për përballjen e madhe ndaj bardhezinjve, në një duel që pritet të jetë vendimtar për vazhdimësinë e sezonit. /Telegrafi/
Në muajin nëntor, Ronald Araujo mori kartonin e kuq gjatë humbjes 3-0 të Barcelonës ndaj Chelseat dhe përjetoi një krizë të vështirë psikologjike.
Futbollisti pati nevojë për disa muaj për t’u rikuperuar, ndërsa Barcelona i dha kohë për t’u rikthyer ngadalë në stërvitje dhe për të rifituar formën.
Pau Cubarsi, i ri në ekipin e parë të Barcelonës, ka folur për situatën e Araujos dhe për mbështetjen që i kanë dhënë si shokë ekipi.
“Na la të tronditur ta shihnim një shok dhe mik si Araujo të kalonte diçka të tillë”.
“Është shumë e rëndësishme që ai foli hapur për këtë, sepse shëndeti mendor është thelbësor. Fatmirësisht, tani mund të kthehet të shijojë atë që do më shumë — futbollin”, deklaroi ai.
Cubarsi shtoi se ekipi ka bërë disa ndryshime të vogla që kanë ndihmuar për të përmirësuar lojën dhe për të rritur besimin në ekip.
“Kemi rregulluar disa gjëra që nuk po funksiononin mirë më parë ose që i kishim harruar gjatë verës… tani i kemi zgjidhur. Të gjithë po japin maksimumin. Gerard Martín ka nisur të luajë në qendër të mbrojtjes dhe është një përforcim i madh. Të gjithë kanë besimin e trajnerit, dhe kjo është shumë e rëndësishme për ekipin”, shtoi ai.
Araujo tani është rikthyer në formë të plotë, por po përballet me sfidën për të zënë vend në formacionin titullar. /Telegrafi/
Atletja amerikane Annika Malacinski nuk do të ketë mundësinë të garojë në Lojërat Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026, pavarësisht përgatitjeve shumëvjeçare. Arsyeja është tronditëse: gratë nuk lejohen të garojnë në sportin që ajo ushtron.
Malacinski merret me kombinimin nordik, një nga sportet më të vjetra olimpike, i cili ishte pjesë e programit që në Lojërat Olimpike Dimërore të para më 1924 në Chamonix. Ky sport kombinon kërcimin me ski dhe skijimin në terren të hapur.
Megjithatë, prej më shumë se një shekulli, garat e grave në kombinimin nordik nuk janë përfshirë në Lojërat Olimpike, dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) nuk ka ndryshuar qëndrim as për edicionin e vitit 2026.
Në prag të Olimpiadës, IOC vendosi të mos prezantojë disiplinën e grave, duke arsyetuar se sporti “nuk është i zbatueshëm në kategorinë e femrave”. Si arsye u përmendën shikueshmëria e ulët dhe numri i kufizuar i vendeve pjesëmarrëse.
Ky vendim e ka goditur rëndë Malacinskin. Në një intervistë për revistën Self, ajo kujtoi momentin kur mori lajmin.
“Isha përgatitur për pesë vjet dhe ndihesha gati të bëja histori. Madje mendova t’i kërkoja stjuardesës një gotë shampanjë, duke pritur njoftimin zyrtar”.
“Në vend të kësaj, qava për tetë orë rresht. Teksa qëndroja ulur në avion, kuptimi se ëndrra ime do të mbetej e paarritshme edhe për katër vjet të tjera më shkatërroi plotësisht”, deklaroi ajo.
Për shkak të këtij vendimi, Malacinski do t’i ndjekë Lojërat Olimpike vetëm përmes televizionit – ku do të shohë edhe vëllanë e saj, i cili do të garojë pikërisht në kombinimin nordik, një disiplinë që për të mbetet ende e ndaluar. /Telegrafi/
Faqja zyrtare e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos i ka kushtuar një tjetër shkrim kampiones kosovare Distria Krasniqi, pas triumfit të saj në Grand Slamin e Parisit.
Xhudistja 30-vjeçare ka theksuar se nuk e sheh ende fundin e karrierës së saj, duke vënë në pah gjendjen e mirë fizike dhe mungesën e lëndimeve serioze gjatë gjithë rrugëtimit sportiv.
“Stërvitjet e mira më mbajnë në formë. Jam po ashtu me fat pasi nuk kam pasur asnjë operacion. Ushtroj shumë dhe kam rezultate të mëdha. Dhe të mos kem asnjë lëndim serioz gjatë këtij rrugëtimi, është shumë e rrallë. Jam mirënjohëse për këtë dhe kjo natyrisht se ka shumë ndikim në atë që jam në gjendje të vazhdoj”, ka thënë Krasniqi.
Synimi i radhës për Distrinë janë Lojërat Olimpike ‘Los Angeles 2028’, ndërsa ka bërë të ditur se vetëm pas këtij edicioni mund të mendojë për tërheqjen nga sporti elitar. Deri atëherë, ajo po e shijon çdo garë dhe çdo kamp stërvitor, duke synuar të nxjerrë maksimumin nga dy-tre vitet e fundit në nivelin më të lartë të xhudos botërore.
Në karrierën e saj të pasur, Distria ka fituar pothuajse çdo medalje të mundshme, me përjashtim të titullit të kampiones së botës.
“Është një prej synimeve që të jem kampione e botës. Por nuk është synimi kryesor. Edhe nëse nuk do të bëhem asnjëherë kampione e botës, nuk është se do të jetë diçka e keqe. E kam fituar titullin te junioret, ndërsa titulli më i vlefshëm është ai olimpik”.
Një tjetër objektiv personal për të është edhe një fitore ndaj japonezes Uta Abe, ndonëse ajo thekson se nuk e ka këtë si fokus kryesor.
Distria thekson se në ditën e saj më të mirë është e aftë të mposhtë çdo kundërshtare, duke e konsideruar veten si sfidën më të madhe në arenën ndërkombëtare.
Sukseset e deritashme, kampionia kosovare i atribuon në masë të madhe bashkëpunimit afatgjatë dhe të veçantë me trajnerin Driton Kuka.
“Ekipi i trajnerëve ka ndikim shumë të madh. Jemi vend i vogël dhe në fillim nuk i kishim ato që të gjitha vendet e mëdha i kishin. Por kemi provuar të bëjmë rezultate me gjërat që kishim dhe ishte e vështirë. Tani është më mirë dhe vazhdojmë të kemi rezultate. Trajneri është pjesë e madhe e gjithë kësaj".
"Që kur kam nisur me xhudo e kam trajnerin e njëjtë. Raporti është më shumë si në familje se si i një sportisti e trajneri. Ndoshta kaloi më shumë kohë me të se me familjen”.
Në fund, Distria ka zbuluar edhe “sekretin” e suksesit të saj: disiplinën, vazhdimësinë dhe punën e palodhur.
“Puna e madhe gjithnjë shpërblehet”, përfundon kampionia e xhudos. /Telegrafi/
Manchester United ka kaluar shumë ndryshime gjatë dekadës së fundit, me reputacionin në fushë që ka pësuar ulje dhe me shumë lojtarë që kanë ardhur dhe ikur nga "Old Trafford".
Pas fitimit të Ligës Premier në 2013 dhe largimit të Sir Alex Ferguson, klubi ka luftuar për të rikthyer ditët e lavdisë, duke parë shumë emra të njohur të largohen dhe të ndryshojnë rrugët e karrierës së tyre.
Megjithatë, disa ish-lojtarë të Red Devils ende vazhdojnë të luajnë profesionalisht, madje edhe në nivele të ndryshme, dhe GIVEMESPORT ka përgatitur një “formacion startues” për ish-yjet që mund të kishin rënë në harresë nga tifozët.
Portier
Sergio Romero – Ish-portieri argjentinas u bashkua me Man Utd nga Sampdoria nën drejtimin e Louis Van Gaal dhe ishte zëvendësuesi i David De Geas për gjashtë vite, duke përfshirë finales Ligës së Evropës kundër Ajax.
Pas një rikthimi në Itali me Venezia dhe një periudhe te Boca Juniors, tani Romero luan për Argentinos Juniors në elitën e futbollit argjentinas, në moshën 38-vjeçare.
Mbrojtja
Chris Smalling – I menduar si pasardhësi i Rio Ferdinand te qendra e mbrojtjes, nuk arriti nivelet e pritshme për shkak të lëndimeve. Tani luan në Arabinë Saudite me Al Fayha, në moshën 36-vjeçare.
Marcos Rojo – Ish-lojtari i Argjentinës dhe i njohur për stilin e tij të ashpër, pas largimit nga Evropa tani luan për Racing Club në Argjentinë.
Alexander Buttner – Lojtari holandez, që shënoi edhe në sezonin e fundit të Ferguson, tani luan për Vitesse në Eredivisie.
Guillermo Varela – I njohur për asistimin e golit të debutimit të Marcus Rashford kundër Arsenal, pas periudhave huazimi luan aktualisht për Flamengo në Brazil.
Mesfusha
Juan Mata – Lojtari spanjoll, fitues i Kupës së Botës, bëri 285 paraqitje për Man United, duke shënuar 51 gola. Pas Man Utd ka luajtur në Turqi, Japoni dhe aktualisht në Australi me Melbourne Victory.
Shinji Kagawa – Pas dy viteve në Old Trafford, u rikthye në Japoni dhe tani luan për Cerezo Osaka.
Ravel Morrison – Një talent i madh që nuk u zhvillua plotësisht për shkak të problemeve jashtë fushës, tani luan në ligën e dytë të Emirateve të Bashkuara me Arabian Falcons, në moshën 32-vjeçare.
Sulmuesit
Bebe – I njohur për rrugëtimin nga “Homeless World Cup” te Champions League, pas disa viteve në La Liga, aktualisht luan për UD Ibiza.
Federico Macheda – Shënoi golat që ndihmuan Man United të fitonte titullin në 2009, pas shumë klubeve tani luan për Asteras Tripolis në Greqi, në moshën 34-vjeçare.
Nani – Ish-anësori portugez u pensionua në 2024, por në moshën 39-vjeçare u rikthye për të luajtur te Aktobe në Kazakistan.
Karim Benzema raportohet se i ka dërguar një mesazh Cristiano Ronaldos menjëherë pas përfundimit të transferimit të tij nga Al-Ittihad te rivalët e mëdhenj të Arabisë Saudite, Al-Hilal.
Cristiano Ronaldo, lojtari më i paguar në botë te Al-Nassr, javën e kaluar reagoi ashpër ndaj këtij transferimi, madje duke bojkotuar dy ndeshje të ekipit të tij.
Portugezi 41-vjeçar besohet se është i pakënaqur me trajtimin preferencial që Fondi Publik i Investimeve të Arabisë Saudite (PIF) po i bën Al-Hilalit në krahasim me klubet e tjera.
Al-Hilal ka investuar fuqishëm: verën e kaluar transferoi Darwin Nunez nga Liverpooli dhe Theo Hernandez nga Milani, ndërsa së fundmi siguroi edhe shërbimet e talentit francez 18-vjeçar Kader Meite për rreth 30 milionë euro.
Transferimi i Benzemas u konsiderua “goditja e fundit” për Ronaldon, i cili mungoi në fitoret e Al-Nassr ndaj Al-Riyadh dhe Al-Ittihad si shenjë proteste.
Një shaka që nuk u prit mirë nga Ronaldo
Benzema dhe Ronaldo ndanë nëntë vite jashtëzakonisht të suksesshme te Real Madridi, ku francezi shpesh pranonte të qëndronte në hije për t’i lënë skenën yllit portugez. Së bashku, ata ndërtuan një nga partneritetet më të frikshme në historinë e futbollit modern.
Sipas gazetarit kryesor të futbollit të The Telegraph, Sam Wallace, Benzema i ka dërguar Ronaldos një mesazh me tone ironike, ku “me shaka” i ka shkruar se jo vetëm që kishte marrë një rritje page, por se do të fitonte sërish titullin kampion.
Wallace shton se, edhe pse nuk dihet me siguri, një “lol” në fund të mesazhit do të ishte i pritshëm — por sidoqoftë, ky mesazh duket se e ka prekur thellë Ronaldon.
🚨🚨| BREAKING: Having moved to Al-Hilal, Karim Benzema reportedly texted Cristiano Ronaldo and observed jokingly that not only had he got a pay-rise but he was also going to win the title again.
Pavarësisht polemikave, Benzema e finalizoi transferimin te Al-Hilal më 2 shkurt dhe vetëm disa ditë më vonë pati një debutim spektakolar, duke shënuar het-trik në fitoren bindëse 6-0 ndaj Al-Okhdood.
“Jam i lumtur. Luajta mirë, skuadra luajti mirë, ruajtëm portën të paprekur dhe shënuam shumë gola”.
“Faleminderit tifozëve. Ata na japin gjithçka dhe kur jam në fushë, mundohem t’ua kthej me maksimumin tim”, u shpreh Benzema pas ndeshjes.
No introduction needed 🤷♂️@Benzema … Hat-trick on debut 💙☝️
Ndërkohë, Ronaldo, edhe pse sapo ka festuar ditëlindjen e 41-të, mbetet po aq konkurrues sa gjithmonë. Fakti që ende nuk ka fituar titullin e Saudi Pro League që nga ardhja e tij te Al-Nassr në vitin 2023, duket se po e shqetëson ndjeshëm — dhe transferimi i Benzemas te favoritët për titull vetëm sa e ka rritur frustrimin e tij. /Telegrafi/
Marco Asensio po kalon një nga sezonet më të mira të karrierës së tij me Fenerbahçen. Sulmuesi spanjoll ka qenë i përfshirë në 19 gola deri tani, me 11 realizime dhe 8 asistime.
Vendimi për t’u larguar nga Paris Saint-Germain dhe për të nisur një kapitull të ri në Turqi kishte një synim të qartë: rikthimin në Kombëtaren e Spanjës dhe pjesëmarrjen në Kupën e Botës.
“Shpresoj që De la Fuente të shikojë Turqinë. Kombëtarja është një objektiv i qartë për mua”, kishte deklaruar Asensio në një intervistë për MARCA-n.
Statistika dhe paraqitje që flasin vetë
Përpjekjet e Asensios po japin fryte. Ai fitoi Superkupën e Turqisë ndaj Galatasarayt (2-0), ku kontribuoi me asist, ndërsa në kampionat vazhdon të jetë një nga lojtarët kyç të Fenerbahçes.
Në fitoren 3-1 ndaj Gençlerbirligit, ai asistoi me një pasim spektakolar me takë, duke konfirmuar formën e shkëlqyer.
Në 28 ndeshje këtë sezon, Asensio ka regjistruar 11 gola dhe 8 asistime, shifra që e afrojnë me sezonin e tij më produktiv, atë të vitit 2022/23 me Real Madridin. Në Superligën e Turqisë, vetëm një lojtar ka qenë i përfshirë në më shumë gola se ai.
Mbështetje e fortë nga klubi dhe trajneri
Forma e spanjollit ka mbajtur Fenerbahçen në garë për titull, vetëm tri pikë pas Galatasarayt. Asensio ka shënuar ose asistuar në shtatë ndeshje radhazi si mysafir, duke u kthyer në një nga figurat më të rëndësishme të skuadrës.
Trajneri i Fenerbahçes, Domenico Tedesco, e ka vlerësuar lart kontributin e tij, duke i dërguar mesazh edhe Spanjës.
“Asensio është një lojtar i nivelit të lartë. Ai ka të gjitha cilësitë për të luajtur në Kupën e Botës”, deklaroi ai. /Telegrafi/
Premtimet janë të vështira për t’u mbajtur, por një tifoz i Manchester United ka respektuar marrëveshjen e tij virale për më shumë se një vit – dhe duket se është gati ta çojë deri në fund, për mirë a për keq…
Tashmë, me shumë gjasë keni dëgjuar për tifozin e pafat të Manchester United që u betua se nuk do t’i priste flokët derisa “Djajtë e Kuq” të fitonin pesë ndeshje radhazi.
Ai vështirë se mund ta kishte imagjinuar ndikimin që ky premtim do të kishte në kulturën e tifozëve të futbollit – apo edhe në jetën e tij personale – me miliona ndjekës në rrjetet sociale dhe me emrat më të mëdhenj të sportit që tashmë e dinë kush është.
Ja gjithçka që duhet të dini për The United Strand – udhëtimin viral “me flokë” të një tifozi drejt famës në botën e futbollit.
Çfarë është sfida e flokëve “The United Strand”?
The United Strand është emri i një fenomeni online që lindi pas një deklarate publike të bërë nga tifozi i përkushtuar i Manchester United, Frank Ilett.
I lodhur nga paqëndrueshmëria e vazhdueshme e ekipit të tij të zemrës, Ilett u betua në tetor të vitit 2024 se nuk do t’i priste flokët derisa Man United të fitonte pesë ndeshje rresht. As ai dhe as ndjekësit e tij nuk e menduan se, 16 muaj më vonë, sfida do të ishte ende në fuqi.
Flokët e tij, që u rritën në një afro gjithnjë e më të madh, u kthyen në një shaka të vazhdueshme mes tifozëve, një “barometër flokësh” që tregonte paqëndrueshmërinë e Man United. Media vendase dhe ndërkombëtare e trajtuan këtë fenomen si një simbol të kulturës së tifozëve.
“Filloi thjesht si një shaka. Mendova se do të ishte diçka argëtuese, për të sjellë pak humor në një periudhë shumë të dhimbshme për tifozët e Manchester United”, deklaroi Ilett për Sky Sports.
Megjithatë, jo të gjithë e morën me sportivitet. Në shtator të vitit 2025, Ilett u sulmua fizikisht nga një tifoz tjetër gjatë fitores 2-1 të United ndaj Chelseat në “Old Trafford”.
“Qëllimi im kurrë nuk ishte të nxirrja në pah të metat e Man United, por të përhapja pozitivitet dhe humor”, këmbënguli ai.
Kur nisi sfida e flokëve?
Sfida The United Strand nisi zyrtarisht më 5 tetor 2024. Që prej asaj dite, flokët e Ilett kanë “mbijetuar” nën drejtimin e tre trajnerëve të ndryshëm të Manchester United: Erik ten Hag, Ruben Amorim dhe tani Michael Carrick.
Deri më 9 shkurt 2026, sfida kishte zgjatur 492 ditë – pra një vit, katër muaj dhe shtatë ditë.
Kur do të përfundojë sfida?
Përgjigjja është e thjeshtë në teori: kur Manchester United të fitojë pesë ndeshje radhazi.
Pas fitores ndaj Tottenhamit më 7 shkurt, që ishte fitorja e katërt rresht, ekziston mundësia që sfida të marrë fund nëse Man United fiton edhe ndaj West Hamit më 10 shkurt 2026.
Madje, është konfirmuar edhe një video “watchalong”, ndërsa Ilett u shpreh optimist.
“Carrick është në timon, këto flokë po ikin shumë shpejt. West Ham është i radhës, katër nga pesë të kryera – për herë të parë që nga nisja e sfidës. Këtë herë po ndodh! Faleminderit Carrick!”, deklaroi ai.
Madje ai ka propozuar gjatë ditës, katër stile flokësh që tifozët mund të votojnë. Shumica e votave, apo 67 përqind mendojnë që ai duhet të kthehej në tullac.
Kur e fitoi për herë të fundit Man United pesë ndeshje radhazi?
Pavarësisht talljeve nga tifozët e Aston Villas, të cilët arritën 11 fitore radhazi në sezonin 2025/26, një seri prej pesë fitoresh nuk është e lehtë as për ekipet më të mira në Ligën Premier.
Duhet të kthehemi në shkurt 2024 për herën e fundit kur Manchester United arriti pesë fitore rresht.
Seria filloi me fitoren ndaj Newport County në FA Cup dhe vazhdoi me fitore ndaj Wolves, West Ham, Aston Villa dhe Luton Town. /Telegrafi/
Drejtori sportiv i Cagliarit, Guido Angelozzi, ka zbuluar detaje rreth transferimit të Semih Kılıçsoy nga Besiktasi, duke theksuar se klubi do të ishte “i çmendur” nëse nuk do ta aktivizonte opsionin e blerjes.
Sipas tij, talenti turk mund të arrijë vlerën 40 milionë euro në të ardhmen, ku deri tani ka arritur 4 gola në Serie A.
Skuadra sarde është sonte në aksion në Stadio Olimpico të Romës, ku përballet me Romën në kuadër të javës së 24-t të Serie A.
Kılıçsoy po shkëlqen te Cagliari
Pak tifozë e njihnin Semih Kılıçsoyn kur ai mbërriti në Cagliari gjatë verës nga Besiktasi. Sulmuesi turk u transferua në huazim për 1 milion euro, me opsion blerjeje prej 12 milionë eurosh. Në marrëveshje përfshihen gjithashtu: 2 milionë euro bonuse dhe 10 për qind përfitim nga shitja e ardhshme për Besiktasin.
“Është një talent i madh dhe shumë klube në Evropë po e ndjekin nga afër”, deklaroi Angelozzi për Sky Sport Italia.
Opsioni i blerjes, i sigurt
Javën e kaluar u raportua se Cagliari kishte tentuar ta aktivizonte më herët opsionin e blerjes për të kursyer para, por Besiktasi kishte refuzuar ndryshimin e kushteve.
Megjithatë, drejtori sportiv ishte i qartë: “Si mund të mos e blejmë? Do të ishim të çmendur të mos e bënim”.
Kjo e bën thuajse të sigurt se Cagliari do ta blejë përfundimisht kartonin e Kılıçsoyt për 12 milionë euro.
Vlerësimi i Montellës dhe potenciali i madh
Përzgjedhësi i Turqisë, Vincenzo Montella, ndodhet aktualisht në Itali dhe ka vizituar disa nga lojtarët e tij që luajnë në Serie A, përfshirë edhe Kılıçsoyn.
“Është një lojtar i ri dhe i jashtëzakonshëm, ka shënuar gola shumë të bukur. Montella na tha se është një futbollist shumë interesan”.
“Nëse vazhdon kështu, ai mund të vlejë deri në 40 milionë euro”, shtoi Angelozzi.
Si e fitoi Cagliari garën për talentin 19-vjeçar?
Angelozzi shpjegoi edhe prapaskenat e transferimit të talentit turk, duke treguar se si ndodhi gjithçka.
“Agjenti Federico Pastorello ia sugjeroi lojtarin presidentit tonë. Ne nisëm ta ndiqnim, dërguam një skaut në Turqi dhe më pas kontaktuam ndihmës-trajnerin e Montellës, i cili foli shumë mirë për të”.
Kështu, Cagliari arriti të mposhtte konkurrencën dhe të siguronte një nga talentët më premtues të futbollit turk. /Telegrafi/
Ky njeri për të cilin po shkruajmë, shumën e madhe të parave që e fitoi në bingo ia dedikoi klubit të tij të zemrës. Julio Roque Perez gjatë gjithë jetës së tij luftoi me varfërinë, nuk kishte para dhe jetonte në rrugë.
Por edhe përkundër kësaj, ai nuk mungonte në asnjë ndeshje të Godoy Cruz, klub i njohur argjentinas dhe, në një mënyrë apo tjetrën, gjente një vend në stadium.
Por fati njëherë trokiti në derën e tij. Perez, kur ishte vetëm 15 vjeç, në lojën e bingos “San Juan” fitoi çmimin e madh. Kur të gjithë mendojnë për shtëpinë apo veturën e fundit që ta blejnë me këto para, mendimi i Perez ishte ndryshe.
Pasi nuk dinte shkrim dhe lexim, për ta tërhequr shumën në bingo, shkoi me ndihmën e të afërmve të tij. Por pa e menduar dy herë, shumën e marrë nga bingo ia dedikoi klubit të tij të zemrës, Godoy Cruz.
Me këto para klubi rregulloi ulëset e tribunave, por edhe sistemin e dritave. Pasi e fitoi vendin e tij të përhershëm në stadium, Roque Perez, sa herë futej brenda, njerëzve përreth iu thoshte: “Këto drita janë të mijat”.
Klubi dhe qyteti këtë besnikëri të paparë nuk e lanë pa e shpërblyer, duke ia dhënë emrin e tij një rruge afër stadiumit.
Po ashtu, edhe në stadiumin që ai e rinovoi, aty afër iu bë një statujë e tij, sa ishte gjallë.
Julio Roque Perez ndërroi jetë në kohën e pandemisë, më 12 maj 2020, në moshën 80-vjeçare.
Në stadiumin “Feliciano Gambarte”, karrigia ku ai ulej, e kthyer në statujë, e njohur si “Tifozi numër 1”, vazhdon të qëndrojë në nderim të tij. /Telegrafi/
Juventusi i është rikthyer menjëherë stërvitjeve pas barazimit ndaj Lazios (2-2), ndeshje në të cilën ylli kosovar Edon Zhegrova zhvilloi të gjithë pjesën e dytë.
Sulmuesi i krahut ishte solid në këtë barazim të “Zonjës së Vjetër”, duke qenë i saktë në pasime, i rrezikshëm në driblime dhe i përfshirë drejtpërdrejt në aksionin nga i cili erdhi goli i parë i Juventusit.
Klubi torinez sot ka publikuar sekuenca nga stërvitja, ku Edon Zhegrova shihet duke shënuar gola, dhënë asiste dhe dribluar kundërshtarët me lehtësi.
Nuk ka munguar as përshkrimi i veçantë nga Juventusi, i cili e ka quajtur “Luani” yllin e Kosovës dhe të bardhezinjve.
Zhegrova ka vuajtur për më shumë minuta në sezonin e tij të parë me Juven, por klubi, nga ana tjetër, ka refuzuar të gjitha ofertat që kanë ardhur për të gjatë afatit kalimtar të dimrit, duke treguar besimin e plotë në potencialin e tij.
Edon Zhegrova te Juventusi u transferua nga Lille, ku kishte qenë një nga lojtarët kryesorë të skuadrës franceze, ndërsa bardhezinjtë paguan një shumë të konsiderueshme për shërbimet e tij, duke e parë atë si një investim afatgjatë për të ardhmen e klubit. /Telegrafi/
Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Kortina 2026 kanë filluar dhe për më shumë se dy javë, mbi 3,500 atletë nga gati 100 vende do të garojnë për 195 medalje në 16 disiplina sportive.
Për Jutta Leerdam, patinatoren holandeze dhe të dashurën e boksierit dhe youtube-rit të famshëm Jake Paul, këto lojëra do të mbeten të paharrueshme.
Leerdam, e cila kishte pësuar një rënie dramatike gjatë Garave Olimpike Provuese pak ditë më parë, rikuperoi me një performancë të jashtëzakonshme për të fituar medaljen e artë në garën e patinazhit me shpejtësi 1,000 metra.
Holanda zuri edhe vendin e dytë në këtë garë, me Femke Kok që fitoi medaljen e argjendtë, ndërsa podiumi u kompletuar nga japonezja Miho Takagi që mori medaljen e bronztë.
Jake Paul, i cili kishte qenë i pranishëm gjatë garave provuese dhe kishte mbështetur publikisht Leerdam në rrjetet sociale, shpërndau më pas një postim emocionues për fitimin e ditëlindjes së saj dhe për triumfin olimpik, duke e quajtur “fëmija im” dhe duke treguar krenarinë e tij për arritjen e saj.
Ky sukses vjen pas një periudhe sfidash për Leerdam, e cila kishte rënë në pistën e akullit gjatë garës së 1000 metrave dhe kishte humbur mundësinë për të performuar siç e dëshironte.
Pavarësisht kësaj, patinatorja holandeze tregoi forcë dhe vendosmëri, duke dhuruar një moment të paharrueshëm për sportin dhe për ndjekësit e saj. /Telegrafi/
Manchester City arriti një fitore të rrallë në Ligën Premier në Anfield më 8 shkurt, duke mposhtur Liverpoolin 2-1.
Kjo fitore ka ngushtuar avantazhin e Arsenalit në krye të tabelës në vetëm gjashtë pikë. Kjo ishte vetëm fitorja e dytë e Pep Guardiolës në Anfield që kur mori drejtimin e Cityt rreth një dekadë më parë.
Erling Haaland theksoi rëndësinë e kësaj fitoreje, por shtoi se ekipi duhet të mbajë fokusin te ndeshjet e ardhshme.
“E dimë më parë se garën për titull nuk e fiton derisa të përfundojë. Për momentin, duhet të përqendrohem te ndeshja me Fulhamin të mërkurën, sepse ka ende shumë ndeshje”, tha Haaland.
Duke reflektuar mbi rëndësinë e kësaj fitoreje, duke qenë e para për norvegjezin ndaj Liverpoolit si mysafir.
“Janë thjesht tre pikë, pavarësisht kundërshtarit, qoftë Tottenham apo kushdo tjetër. Por e kuptoj çfarë doni të thoni dhe po, është e vërtetë”.
Ismet Munishi do të drejtojë Lirinë në pjesën e mbetur të kampionatit, pas largimit të Liridon Lecit.
Trajneri i njohur kishte arritur një ditë më parë marrëveshje me klubin, i cili këtë sezon ka synim rikthimin në Superligën e Kosovës.
Klubi i Lirisë, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka konfirmuar afrimin e Munishit, duke i uruar mirëseardhje.
“FC Liria mirëpret trajnerin e ri të ekipit të parë. Munishi është një nga emrat më të njohur të futbollit kosovar”, shkruan klubi në njoftim.
Munishi ka drejtuar shumë klube gjatë karrierës së tij, përfshirë Vushtrrinë, Vëllaznimin dhe Feronikelin ’74, të cilat janë rivalë të Lirisë në elitë. /Telegrafi/
Organizatorët e Lojërave Olimpike Dimërore "Milan-Cortina 2026" po i kushtojnë "vëmendje maksimale" çështjes së medaljeve që po dëmtohen, pas raportimeve për probleme nga disa atletë fitues.
Dy nga medalistet e arta të SHBA-së, Breezy Johnson dhe Alysa Liu, vunë re se shiriti i medaljes së tyre u shkëput menjëherë pas marrjes së çmimit. Johnson, e cila fitoi medaljen e artë në ski alpin në zbritje për femra, tregoi medaljen e saj të thyer në konferencën për media pas ngjarjes. "Ja ku është medalja. Dhe ja ku është shiriti," tha ajo, duke treguar edhe pjesën e vogël që mbante medaljen.
Liu, fituese e medaljes së artë në garën ekipore të patinazhit artistik, postoi një video në rrjetet sociale ku tregon medaljen dhe shiritin të ndara, me tekstin: "Medalja ime nuk ka nevojë për shirit".
Probleme të ngjashme u panë edhe te ekipi gjerman që fitoi medaljen e bronztë në biatlon, ku një video në Instagram tregon medaljen që bie nga shiriti gjatë festimit në hotel.
Andrea Francisi, drejtor i operacioneve të Lojërave Milan-Cortina 2026, tha: "Jemi plotësisht të vetëdijshëm për situatën dhe po shqyrtojmë saktësisht se cili është problemi. Do t'u kushtojmë vëmendje maksimale medaljeve, sepse ky është një nga momentet më të rëndësishme për atletët".
Një zëdhënës i Komitetit Olimpik dhe Paralimpik të SHBA-së tha për BBC Sport se po presin që organizatorët të zgjidhin çështjen, ndërsa ende nuk është konfirmuar nëse atletët do të marrin medalje zëvendësuese.
Kjo nuk është hera e parë që cilësia e medaljeve olimpike vihet në pikëpyetje. Që nga shkurti i vitit 2025, janë bërë 220 kërkesa për zëvendësimin e medaljeve të fituara në Lojërat Olimpike Paris 2024 për shkak të konsumimit – afërsisht 4% e totalit.
Zhytësja britanike Yasmin Harper, fituese e medaljes së parë për ekipin e saj në Paris 2024, vuri re se medalja e saj po tregonte shenja "zbehjeje". Organizatorët e Lojërave Olimpike të Parisit 2024 konfirmuan se çdo medalje e dëmtuar do të zëvendësohet. /Telegrafi/
Saga që për ditë me radhë tronditi futbollin saudit dhe atë botëror ka marrë fund. Cristiano Ronaldo i ka dhënë fund protestës së tij dhe është rikthyer në aktivitet me skuadrën e Al-Nassr, pasi klubi u dorëzua ndaj presionit të yllit portugez dhe shlyeu të gjitha detyrimet financiare të prapambetura.
Sipas mediave portugeze, të gjithë punonjësit dhe bashkëpunëtorët e Al-Nassr kanë marrë pagat e vonuara në orët e fundit, çka ishte një nga arsyet kryesore të pakënaqësisë së Ronaldos. Me këtë veprim, kriza u mbyll dhe, në mënyrë figurative, “tymi i bardhë” u ngrit mbi Riad.
Megjithatë, pavarësisht rikthimit në stërvitje, Ronaldo nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e së mërkurës në Ligën e Kampionëve Aziatikë 2 kundër Arkadag në Turkmenistan.
Rikthimi i tij në fushë pritet të ndodhë të shtunën, kur Al-Nassr do të përballet me Al Fateh në kuadër të Ligës Profesionale Saudite.
Përveç mosmarrëveshjeve me Fondin e Investimeve Publike (PIF), të lidhura me atë që Ronaldo e konsideron trajtim të pabarabartë të klubeve kryesore saudite, protesta e tij kishte edhe një dimension të fortë social.
Kapiteni i Kombëtares së Portugalisë kërkoi zgjidhje urgjente për vonesat e pagave të punonjësve të klubit, raporton e përditshmja portugeze A Bola.
Pikërisht ky aspekt rezultoi vendimtar. Me shlyerjen e borxheve ndaj stafit, Al-Nassr përmbushi një nga kushtet kryesore të Ronaldos, ndërsa gjesti i tij i solidaritetit forcoi edhe më shumë autoritetin dhe respektin ndaj tij brenda klubit.
Një zhvillim tjetër i rëndësishëm lidhet me strukturën drejtuese. Pas bisedimeve me Ronaldon, Jose Semedo dhe Simao Coutinho, drejtuesit portugezë të Al-Nassr, rifituan kompetencat që u ishin hequr në fund të dhjetorit, duke qenë më herët të përjashtuar nga proceset e afatit kalimtar të dimrit.
Edhe pse tifozët presin me padurim rikthimin e tij në fushë, Ronaldo dhe klubi kanë vendosur të mos nxitojnë. Qëllimi është një rikthim i plotë dhe në formën maksimale në ndeshjet e ardhshme të kampionatit. /Telegrafi/
Fundi dramatik i derbit të javës së 25-të në Ligë Premier mes Liverpoolit dhe Manchester Cityt në Anfield ka shkaktuar reagime të forta në botën e futbollit.
Qendra e diskutimit ishte vendimi kontrovers i gjyqtarit Craig Pawson, i cili pas ndërhyrjes së VAR në minutën e 100-të përjashtoi mesfushorin e Liverpoolit, Dominik Szoboszlai, për një faull ndaj Erling Haaland, pavarësisht se goli i Manchester Cityt u anulua pak më parë.
Ndeshja përfundoi me fitore 2-1 për Man Cityn, ndërsa Szoboszlai do të humbasë ndeshjet e ardhshme të ligës për shkak të kartonit të kuq.
QUE FINAL DE JOGO MALUCO!! 🤯
- Alisson vai pra área do City - Gol do Liverpool aberto - Cherki faz o 3x1 - Falta de Szoboszlai no Haaland - Juiz anula o gol - Juiz expulsa o Szoboszlai - Final de partida pic.twitter.com/nHDld0XX3p — Sport Mil Volts 🦁⚡️ (@sportmilvolts) February 8, 2026
Futbollisti legjendar anglez, Gary Neville, i cili komentoi për Sky Sports, kritikoi ashpër vendimin dhe përdorimin e teknologjisë VAR.
“Ky është një vrasës i humorit. Një nga momentet më të mëdha të sezonit sapo është shkatërruar. Thjesht nuk e kuptoj. Ai bëri një faull, kjo është e qartë, por duket shumë e padrejtë. E di që ka rregulla, por ekziston edhe fryma e lojës”, deklaroi Neville.
Ai shtoi se një vendim i tillë e shkatërron gëzimin dhe bukurinë e futbollit, duke u dhënë një mesazh të fortë për tifozët dhe lojtarët.
Pas ndeshjes, Liga Premier lëshoi një deklaratë për të sqaruar situatën, duke shpjeguar se Haaland kishte kryer një faull ndaj Szoboszlaik, i cili më pas pengoi një mundësi shënimi, dhe se për këtë arsye u akordua një goditje dënimi për Man City dhe një karton i kuq për hungarezin.
Megjithatë, komunikimi zyrtar u tall nga tifozët dhe mediat për shkak të gabimit në emrin e Szoboszlaik, i cili u shkrua gabim si “Dominic”.
Edhe vetë lojtarët e Manchester Cityt shprehën keqardhje për situatën me Erling Haaland që i doli në krah hungarezit.
Vendimi ka shkaktuar një debat të gjerë për përdorimin e VAR dhe interpretimin e rregullave, ndërsa tifozët dhe ish-lojtarët kërkojnë më shumë drejtësi dhe fleksibilitet në situata të tilla dramatike, që shpesh vendosin emocionet dhe rezultatet në minutat shtesë të ndeshjeve të mëdha. /Telegrafi/
Liridon Leci nuk ishte takuar më parë me kryesinë e FC Lirisë së Prizrenit pas humbjes së thellë ndaj Trepçës ’89 me rezultat 4-1 dhe nuk ishte njoftuar paraprakisht për shkarkimin e tij.
Si panelist i rregullt në emisionin “Dueli Sportiv” në RTV Dukagjini, Leci u shpreh se nuk kishte marrë ende ndonjë përgjigje nga kryesia e klubit.
“Nuk kam asnjë përgjigje akoma nga kryesia, përgjegjësitë i marr unë për humbjen...”, deklaroi trajneri.
Gjatë emisionit, klubi reagoi me një komunikatë për media, ku njoftohej largimi i tij nga posti i trajnerit të ekipit të parë.
“Klubi i Futbollit FC Liria njofton se trajneri i ekipit të parë, Liridon Leci, është larguar nga drejtimi i skuadrës. FC Liria shpreh mirënjohjen më të thellë për përkushtimin, punën e palodhur, kontributin dhe profesionalizmin që trajneri Leci ka treguar gjatë gjithë periudhës së tij në klub. I urojmë suksese të shumta në të ardhmen, si në aspektin personal, ashtu edhe në karrierën profesionale. Në ditët në vijim, klubi do të njoftojë mbi hapat e mëtejshëm në drejtimin e skuadrës”, thuhej në komunikatë.
Kjo lëvizje e klubit prizrenas u konsiderua joprofesionale nga palenistët e tjerë të emisionit, Faruk Statovci dhe Muhamet Dragusha.
Gjatë transmetimit të emisionit u shfaq edhe një fotografi ku shihej Ismet Munishi me një nga drejtuesit e klubit, duke sugjeruar se ai tashmë ka arritur marrëveshje për të marrë drejtimin e Lirisë në vend të Lecit.
Aktualisht, Liria mbetet në vendin e gjashtë në renditjen e Superligës me 36 pikë, pesë më pak se lideri Vushtrria, ndërsa para saj janë edhe Vëllaznimi, Feronikeli ’74, Trepça ’89 dhe Dinamo. /Telegrafi/
Skiatorja legjendare amerikane, Lindsey Vonn, ka pësuar një frakturë të rëndë në këmbën e majtë pas një rënie dramatike gjatë garës olimpike të zbritjes në Cortina d’Ampezzo, Itali.
Pas aksidentit, Vonn u transportua me helikopter në spital, ku iu nënshtrua menjëherë një ndërhyrjeje kirurgjikale për të stabilizuar dëmtimin.
Vonn, 41 vjeç, doli nga pista në pjesën e sipërme dhe nuk mundi ta përfundonte garën, duke lënë pas vetes një moment të tensionuar dhe shqetësues për tifozët dhe skuadrën e saj. Ky incident ngre dyshime për të ardhmen e karrierës së saj, pasi skiatorja tashmë po garonte me një dëmtim të rëndë në gju, me ligamente të këputura kryqëzuese.
La fotógrafa de la agencia AP, Jacquelyn Martin, captó el momento que provocó la caída de Lindsey Vonn🇺🇸.
El bastón de su esquí chocó con una de las puertas e hizo que perdiera el equilibrio.
Sipas spitalit italian, ndërhyrja ka shkuar sipas planit, dhe Vonn tani ndodhet nën mbikëqyrje mjekësore intensive për të siguruar rikuperimin e saj.
Megjithatë, nuk ka një afat të përcaktuar për rikthimin e saj në sport, duke lënë hapësirë për shqetësime mbi të ardhmen profesionale të skiatores.
Ky aksident shënon një moment të vështirë për një nga emrat më të mëdhenj të skive, e cila ka fituar shumë medalje dhe tituj gjatë karrierës së saj dhe është një figurë inspiruese për sportistët dhe adhuruesit e sportit dimëror në mbarë botën.
Familjarët dhe stafi mjekësor i kanë dhënë mbështetje të plotë, ndërsa fansat dhe kolegët e sportit shprehin solidaritet dhe shpresojnë për një rikuperim të plotë të Lindsey Vonn. /Telegrafi/
Karateistët e Kosovës nuk morën pjesë në Kampionatin Evropian për kadetë, juniorë dhe U21 që u zhvillua në Limasol të Qipros, pasi ky vend nuk lejoi përdorimin e simboleve shtetërore të Kosovës.
Federata jonë kishte marrë njoftim nga autoritetet qipriote dhe nga Federata Evropiane e Karatesë se pjesëmarrja me flamur dhe himn të Kosovës nuk do të ishte e mundur, duke e lënë ekipin kosovar pa të drejta të barabarta me sportistët e vendeve të tjera.
Federata Evropiane e Karatesë (EKF) ofroi një “zgjidhje” alternative, duke sugjeruar që sportistët kosovarë të merrnin pjesë nën emrin dhe flamurin e Federatës së Karatesë së Kosovës, duke respektuar kufizimet ligjore të Qipros.
Megjithatë, drejtuesit e karatesë kosovare refuzuan këtë mundësi, duke vendosur të mos udhëtojnë për ngjarjen kryesore kontinentale. Ky vendim ishte miratuar nga bordi ekzekutiv dhe Kuvendi i Punës i Federatës.
Vendimi i Qipros dhe mbështetja e EKF-së për të respektuar ligjet e vendit organizator sollën një situatë diskriminuese për sportistët kosovarë, të cilët mbetën jashtë garës edhe pse kishin përgatitur pjesëmarrjen e tyre.
Ky nuk është hera e parë që Qiproja vepron në këtë mënyrë, pasi edhe tre vjet më parë karateistët kosovarë nuk u lejuan të paraqiteshin me të drejta të barabarta në Evropianin e organizuar gjithashtu në këtë vend. /Telegrafi/