Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Përfundon takimi trepalësh SHBA, Rusi dhe Ukrainë në Abu Dhabi

Bisedimet dy ditore për sigurinë midis delegacioneve nga Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina në Abu Dhabi kanë përfunduar. Bisedimet nisën dje në mesditë dhe u zhvilluan me dyer të mbyllura.

Sipas mediave ndërkombëtare nuk priten deklarata zyrtare, gjë që përforcon imazhin e një procesi diplomatik veçanërisht të kujdesshëm dhe të përmbajtur. Kujtojmë se raundi i parë i bisedimeve u zhvillua të premten.

Një zyrtar i qeverisë amerikane i tha NBC News se takimet ishin “produktive”, megjithatë pa dhënë detaje të mëtejshme rreth pikave të konvergjencës ose mosmarrëveshjeve midis palëve.

Të paktën 61 viktima në Afganistan/ Shkak reshjet e dendura të borës dhe shiut

Reshjet e dendura të dëborës dhe shiut në Afganistan kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 61 personave dhe plagosjen e 110 të tjerëve, tha sot Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Fatkeqësive (NDMA) i vendit.

Zëdhënësi i NDMA-së, Mohammad Yousuf Hammad, tha se 458 shtëpi ishin shkatërruar plotësisht ose pjesërisht gjatë tre ditëve të fundit, për shkak të motit të keq, duke prekur të paktën 360 familje.

Hammad tha se shifrat ishin paraprake, duke shtuar se ekipet e vlerësimit po vazhdonin studimet në rajonet e prekura dhe se numri i viktimave mund të rritej.

Në një njoftim të veçantë, Ministria e Punëve Publike tha se Tuneli Salang, një rrugë kyçe që lidh kryeqytetin Kabul me provincat veriore, është mbyllur për trafikun gjatë tre ditëve të fundit për shkak të reshjeve të dendura të dëborës.

Tuneli është një korridor jetësor për tregtinë dhe transportin midis rajoneve.

Mohammad Nasim Moradi, kreu i meteorologjisë në Ministrinë e Transportit dhe Aviacionit, tha se, sipas parashikimeve për dy ditët e ardhshme, bora dhe shiu do të vazhdonin në disa pjesë të vendit, duke shkaktuar me shumë gjasa ndërprerje të mëtejshme të udhëtimit dhe bllokime rrugësh në zonat malore, përfshirë rajonin Salang.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) tha se Afganistani eshte godituar nga kriza më e mëdha humanitare në botë, me miliona njerëz që kanë nevojë për ndihmë për shkak të motit ekstrem, thatësirës, pasigurisë ushqimore, kthimit te migrantëve dhe infrastrukturës se dobët.

VIDEO/ I ftohtë ekstrem në SHBA, Spaghetti ngrin në ajër në Minneapolis, pamjet bëjnë xhiron e rrjetit

Një nga stuhitë dimërore më të ftohta ka prekur SHBA. Të paktën 40 shtete dhe më shumë se 235 milionë njerëz u përballën me reshje të dendura dëbore, akull të rrezikshëm dhe të ftohtin ekstrem.

Imazhet nga Minesota kanë bërë xhiron e rrjetit që tregojnë madje edhe spahetti duke ngrirë në ajër, ndërsa temperaturat në Minneapolis arritën -29°C me një indeks të ftohtë prej -43°C.

 

FROZEN SPAGHETTI 🍝: Pasta freezes in midair as Minneapolis reaches a low of -21 degrees and a wind chill of -45 degrees on Friday. pic.twitter.com/6m8srLxPZa

— FOX Weather (@foxweather) January 24, 2026

Artizania me duar të arta/ Krujë, gjysmë shekulli në tezgjah. End qilima dhe ruan traditën

Çdo fije e kalon nëpër gishta dhe e lidh në tezgjah.  Duart e saj nuk ndalen, por lëvizin me siguri. Rresht pas rreshti Dëshirja i jep formë qilimit.

“Që 16 vjeçe e kam pas qejf”, shprehet artizania Dëshire Maja.  Ka rreth 48 vjet që bën këtë punë.  Ishte 16 vjeçe kur mësoi zanatin dhe që atëherë nuk është ndalur.

“Në kohën e komunizmit kemi pas një repart të madh që punonin të gjithë nënat tona se nuk na çonin në shkollë ata që ishin të aftë për punë.   Erdhi një kërkesë shumë e madhe për prodhimin e qilimave dhe hymë ne. Nga klasa e tetë deri më sot kam punuar”, shprehet ajo.

Traditën e ka kthyer në biznes. Dëshirja është ndër artizanet e pakta në pazarin e Krujës.

“Kjo do shtatë ditë një metër katror, po një qilim 2 me 3 do 40 e ca ditë. Unë punoj për vete, nuk është se punoj e po ja çoj dikujt tjetër.  Ama a e justifikon, me këtë kemi jetuar”. Thotë Dëshire Maja.

Endja e një qilimi kërkon javë madje dhe muaj, por puna e dorës mbetet unike. Vendasit e kanë kthyer vëmendjen tek ajo, por artizania thotë  se më të interesuar janë të huajt.  Një qilim për ta shpesh është një arsye për tu rikthyer në Krujë.

“Tani ka hy në modë për të gjithë dhe për shqiptarë dhe për të huajt, por për shqiptarët nuk është ekonomia megjithatë e kanë vlerësuar. Emigrantët kanë bërë porosinë dhe njerëzit e vet kanë ardhur e kanë marrë.

Por më shumë janë të huaj. Ka sjellë vetë modelin, unë ja kam bërë dhe pas  gjashtë muajsh kanë ardhur prapë e kanë marrë. Më shumë i pëlqejnë amerikanët, Danimarka, gjermani, anglezi edhe Izraeli”, tregon ajo.

I vjen keq se ajo vetë nuk mund ta trashëgojë zanatin, por që ai të mos zhduket  apelon për ndihmë nga shteti.

“Shkollat janë po të futen sikur kemi hy ne, në moshën 16- 18 vjeç u kemi paguar  nga 2 orë – 3 orë se nuk lejohej me punu me shumë në atë moshe, por të paktën ishim të punësuar dhe u mësua zanati, kështu të vijnë dhe të rejat.   Unë kam çuna.  Keq më vjen se ta fillosh që në moshën 16 vjeçe dhe ta lesh.. Po unë sa të kem sy dhe krahë do të punoj, por është halli të mbahet”, shprehet ajo.

Matura shtetërore/ Publikohen testet model të katër provimeve

Gjimnazistët që mbyllin këtë vit shkollën e mesme për provimet e maturës mund të konsultojnë testet model të cilat janë publikuar në faqen online të Qendrës së Shërbimeve Arsimore.

“I kemi nxjerrë këto teste me qëllim për të parë modelin e pyetjeve, formatin e pyetjeve dhe për të provuar veten para 2 qershorit që do ketë provimin e parë. QSHA ka marrë të gjitha masat për ngritjen e grupeve të hartuesve të tezave.  Mësues të kualifikuar me mbi 20 vite eksperiencë me vlerësim shumë të mira apo shkëlqyeshëm. Testet e maturës organizohen sipas një standardi  ku 80% është e nivelit mestar dhe 20%  nivel i lartë”, theksoi zëvendësministrja e Arsimit Orjana Osmani.

Ministria e Arsimit ka publikuar rregulloren me ndryshimet e nevojshme për procesin e maturës shtetërore. Drejtuesit e shkollave nuk duhet të presin qershorin për të publikuar  emrat e nxënësve të cilët për shkak të rezultateve nuk mund ti nënshtrohen provimeve të maturës.

“Ata mund të rezultojnë mbetës në 1, 2 apo 3 lëndë dhe ndaj komunikimi do të jetë më I hershëm dhe nuk do të jenë të pranishëm në provimet e maturës.  Në vitet e mëparshme maturantët që nuk e përfundonin me sukses vitin e tretë të shkollës së mesme sidomos në provimet e para kanë qënë të përfshirë në listën e shkollës dhe ne duam të mos krijojmë asnjë keqkuptim”, nënvizoi Osmani.

Provimet parashikohet të zhvillohen në mjedise të mëdha. Një mësues do të monitorojë jo më shumë se 15 nxënës të cilëve iu ndalohet marrja e e pajisjeve elektronike me vete.

“Secili nga administratorët apo përgjegjësit e administrimit që janë prezent aty ku ndodh shkelja e rregullores së maturës patjetër që do ketë penalizim.  Sigurisht rregullorja e ka të përcaktuar qartë, komision disiplinor që mblidhet dhe merr masë për këdo që nuk e ka zbatuar rregulloren.  Për maturantët është e qartë që marrja e një pajisje elektronike me vetë bën që ai të përjashtohet direkt nga mjediset e provimit.  Sigurisht do të ketë masa në hyrje të maturës për të kontrolluar maturantët nëse kanë objekte të palejuara”, tha ajo.

Provimeve të maturës këtë vit pritet ti nënshtrohen rreth 26 mijë maturantë. Ato nisin me gjuhën e huaj me 2 qershor, shtatë ditë me pas vijojnë me gjuhën shqipe dhe letërsinë,  me 16 qershor me matematikën dhe  mbyllen me 23 qershor me provimin e lëndës me zgjedhje.

PROVIMET E MATURES

2 qershor gjuha e huaj

9 qershor gjuha shqipe dhe letërsia

16 qershor matematika

23 qershor lënda me zgjedhje

Strategjia e SHBA për mbrojtjen/ Pentagoni: Rol qendror në NATO, mbështetje më e kufizuar në Europë

Shtetet e Bashkuara do të vijojnë të jenë një aleat kryesor për NATO-n dhe Partner i Europës, por Washingtoni do të reduktojë mbështetjen e tij  në udhëheqjen ushtarake për Perëndimin përballë krizave të tjera të sigurisë.

Kjo është ajo çfarë Parashikon Strategjia e Re Kombëtare për mbrojtjen në vitin 2026 në  Shtetet e Bashkuara në një dokument të Pentagonit ku theksohet se prioritet i tyre sa i përket kërcënimit kryesor nuk do të jetë më Kina, por Hemisfera Perëndimore .

Dokumenti thekson se Uashingtoni do të vazhdojë të luajë një rol qendror brenda NATO-s, edhe pse do të rishikojë praninë e tij ushtarake në Evropë.

Në Evropë dhe në rajone të tjera, “aleatët do të marrin një rol udhëheqës përballë kërcënimeve që janë më pak serioze për ne, por më serioze për ta, me mbështetje thelbësore por më të kufizuar nga Shtetet e Bashkuara”, thuhet në dokumentin e Strategjisë së Re kombëtare të Sigurisë Kombëtare të publikuar nga Pentagoni.

Dokumenti I Strategjisë se Mbrojtjes i publikuara njëherë në 4 vite në të shkuarën  kishin emëruar Kinën si  kërcënimin dhe prioritetin kryesor Amerikan sa i përket sfidave të Mbrojtjes. Tashmë administrata Trump thote se marrëdhëniet me Pekinin do te trajtohen përmes forcës dhe jo konfrontimit.

Publikimi i strategjisë së re të mbrojtjes vjen pas shpalljes, në mesin e dhjetorit, të strategjisë së re të sigurisë kombëtare të SHBA-së, e cila u konsiderua gjerësisht si një shkëputje nga tradita e bashkëpunimit të ngushtë transatlantik.

Në atë dokument theksohej se strategjitë e mëparshme amerikane nuk i kishin dhënë rëndësinë e duhur interesave kombëtare, duke i dhënë përparësi mbrojtjes së vendeve të tjera në dëm të popullit amerikan. Qasja e re, sipas strategjisë, udhëhiqet nga parimi “Amerika e Para”.

Acari mbërthen SHBA/ I ftohti ekstrem godet 18 shtete, termometri -40 gradë celsius

Të paktën 18 Shtete Amerikane kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme  teksa mbi 200 milionë qytetare po përballen këtë fundjavë me një stuhi e cila do të sjellë reshje rekord dëbore dhe ngrica të shumta.

Stuhia pritet të lëvizë në pjesën më të madhe të Shteteve të bashkuara duke përshirë qytete si Washington, Baltimore, Filadelfian dhe Nju Jorkun. I ftohti I acartë do të lëvizë nga rajonet qëndrore dhe perëndimore ndërsa reshjet e forta të dëborës do të prekin Verilindjen e Shteteve të Bashkuara.

. Në një postim në Truth Social Presidenti Amerikan Donald Trump shkroi se I ftohti ekstrem mund të prekë rreth 40 Shtete duke deklaruar se rrallë ka parë diçka të tillë.

Shërbimi Metereologjik Kombëtar ka paralajmëruar se niveli I dëborës mund të arrijë deri në 3 metra në Kolorado, Virxhinian Perëndimore dhe në Boston.

Autoritetet Federale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar qytetarët se do të ketë ndërprerje të mëdha të energjisë elektrike , bllokime rrugësh si dhe vonesa dhe anulime fluturimesh përgjatë fundjavës.

Vetëm këtë të shtunë janë anuluar 3200 fluturime ndërsa mbi 4800 fluturime pritet të anulohen të dielën. Në Washington, zyrat federale do të jenë të gjitha të mbyllura të paktën deri të hënën. Ne  Shtete të ndryshme termometri pritet të shënojë deri në -40  gradë celcius përfshirë Minesotën dhe Dakotën e Veriut.

Stuhia që po godet këtë fundjavë Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të zbutet të Hënën megjithatë ngricat dhe reshjet e dëborës pritet të vijojnë të paktën deri të mërkurën.

Orët e fundit përpara nisjes së stuhisë sollën radhë të gjata në dyqane të ndryshme me qytetarët që u furnizuan me ujë, ushqime, letra higjenike, gjenerator për energji elektrike dhe batanije.

Tiranë/ Ndalohen 5 persona, në kërkim për vjedhje, falsifikim e dhunë në familje

Finalizohet operacioni i koduar “Lista”. Pesë persona janë ndaluar nga policia pasi ishin në kërkim për vjedhje me dhunë, falsifikim kartëmonedhash dhe dhunë në familja.

Mes të ndaluarve raportohet se është edhe një shtetas gjeorgjian.

Ndërkohë autoritetet vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.  Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Moti i keq, ndalohet lëvizja e mjeteve të vogla dhe të peshkimit në Portin e Vlorës

Si pasojë e kushteve të përkeqësuara të motit, kapiteneria e Portit në Vlorë ka ndaluar lëvizjen e mjeteve të vogla lundruese dhe ato të peshkimit, duke nisura nga ora 12:00 të datës 24.01.2026 deri në datën 26.01.2026 në orën 06:00.

Kjo masë është marrë për të parandaluar çdo situatë të papritur për shkak të kushteve atmosferike të këqija. Ndërsa njoftohet se anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.

Trageti i linjës Vlorës-Brindisi-Vlorë ka anuluar mbërritjen datën 25.01.2026.

Shoferi në gjendje të dehur në timon/ Makina del nga rruga dhe përplaset me pemën. Ndërron jetë pasagjeri

Një aksident tragjik ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën “Janaq Kilica” në Elbasan.

Mësohet se një automjet ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një pemë anësore. Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën pasagjeri që ndodhej në këtë automjet, një shtetas 21 vjeç.

Ndërkohë policia ka vënë në pranga shoferin e automjetit 26-vjeçarin i cili rezultuar se drejtonte makinën në gjendje të dehur.

EMRI/ Parandalohet ngjarja kriminale në Tepelenë, arrestohet 53-vjeçari

Një 53-vjeçar është arrestuar nga policia pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe e ka kanosur atë se do ta vriste.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Lulëzim, në Tepelenë

Gjatë kontrollit në banesën e 53-vjeçarit, Lulzim Doka shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Akuzohen për trafik drogë/ Apeli i Posaçëm lë në fuqi masat për 8 anëtarët e grupit Rraja

Apeli i Posaçëm ka lëne në fuqi masat e sigurisë “arrest me burg” për grupin Rraja.

Janë lënë ne fuqi masat për:

Islam Sefën
Rexhep Rrajën
Përparim Rrajën
Gazmir Rrajën
Aldo Gjini
Zamir Aliaj
Jani Cavo
Marvin Bushati

Grupi i Rrajave u zbulua pas zbërthimeve ne Sky Ecc, dhe akuzohen për trafikim lëndësh narkotike.

Rexhep Rraja djali i ish-deputetit, Rrahman Rraja, sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme SPAK, rezulton se është përfshirë drejtpërdrejt në trafikimin e lëndëve narkotike, madje drejtonte një grup nëpërmjet bisedave në Sky Ecc, për të trafikuar rmbi 2 ton Kanabis dhe kokainë.

Në dosjen hetimore, që disponon ABC News, Rexhep Rraja, i cili u arrestua më 10 dhjetor bashkë me dy kushërinjtë, Përparim dhe Gazmir Rraja dhe 4 anëtarë të tjerë të grupit kriminal, rezulton se kishte dy pseudonime në aplikacioni SKY Ecc, “XR 1” dhe “New Sky”.

Ndërkohë kushëriri i tij, Përparim Rraja njihe si “Caca”, Gazmir Rraja- “Miri” apo “ÇOKU,  Sokol Qaja si “Hermano”, ndërsa Bujar Sefaj njihej me nofktën “Venecia”.Në një episod sipas SPAK, në Turqi është arritur të kapet më 26 janar të vitit 2021, një sasi 236 kg bimë narkotike e llojit marijuanë, e dërguar nga Shqipëria.

Rusia sulmon Ukrainën, ndërsa vazhdojnë bisedimet me SHBA-në për t’i dhënë fund luftës

Rusia ka kryer sulme me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës gjatë natës, duke vrarë një person dhe duke plagosur 23 të tjerë, pavarësisht pjesëmarrjes në bisedimet me SHBA-në që synojnë t’i japin fund luftës.

Kryebashkiaku i kryeqytetit ukrainas, Kiev, Vitaly Klischo, tha se një person kishte vdekur dhe katër ishin plagosur pas një sulmi masiv. Ai shtoi se infrastruktura kritike e kryeqytetit ishte dëmtuar, gjë që kishte lënë 6,000 ndërtesa pa ngrohje.

Sulme pati edhe në Kharkiv. Kryebashkiaku I këtij qyteti, Ihor Terekhov tha se 19 persona ishin plagosur gjatë sulmeve në orët e para të mëngjesit të së shtunës.

Në një deklaratë pas sulmeve, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se objektivi kryesor i rusëve ishte infrastruktura energjetike.

Sulmet u kryen në kohën kur delegacionet nga Rusia, Ukraina dhe SHBA-ja u takuan në Abu Dhabi në bisedimet e para trepalëshe që kur Kremlini nisi pushtimin në shkallë të plotë të fqinjit të saj në vitin 2022.

24 janar, Dita Ndërkombëtare e Arsimit

Sot është Dita Ndërkombëtare e Arsimit.

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) e përcakton arsimin si një të drejtë njerëzore, një e mirë publike dhe një përgjegjësi publike. Asambleja e Përgjithshme e OKB-se e shpalli 24 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, për të vlerësuar rolin e arsimit për paqen dhe zhvillimin.

Arsimi si një e drejtë njerëzore është e sanksionuar në nenin 26 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Deklarata kërkon arsim fillor falas dhe të detyrueshëm. Konventa për të Drejtat e Fëmijës, e miratuar në vitin 1989, shkon më tej duke përcaktuar që vendet duhet ta bëjnë arsimin e lartë të arritshëm për të gjithë.

Arsimi u ofron fëmijëve një shkallë për të dalë nga varfëria dhe një rrugë drejt një të ardhmeje premtuese. Por rreth 244 milionë fëmijë dhe adoleshentë në mbarë botën janë jashtë shkollës; 617 milionë fëmijë dhe adoleshentë nuk mund të lexojnë dhe të bëjnë matematikën bazë; më pak se 40% e vajzave në Afrikën Subsahariane përfundojnë shkollën e mesme të ulët dhe rreth katër milionë fëmijë dhe të rinj refugjatë janë jashtë institucioneve të arsimit.

OKB thotë se, pa arsim cilësor gjithëpërfshirës dhe të barabartë, vendet nuk do të kenë sukses në arritjen e barazisë gjinore dhe në thyerjen e ciklit të varfërisë që po lë pas miliona fëmijë, të rinj dhe të rritur.

VIDEO/ 150 të dënuar transferohen nga burgu i Fushë Krujës, në Durrës dhe Peqin

Rreth 150 të dënuar, janë transferuar nga burgu i Fushë Krujës, në dy institucionet e tjera.

Ky transferim mësohet se bëhet për shkak të rikonstruksionit të burgut në Fushë Krujë.

Paraditen e sotme 150 të dënuar nga ky institucion i vuajtjes së dënimit janë transferuar në dy burgje të tjera, përkatësisht në atë të Durrësit dhe Peqinit.

/abcnews.al/

I morën para një shtetasi/ AMP ekzekuton masat e sigurisë për 3 efektivë në Orikum

Tre efektivë janë akuzuar për veprat penale  “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” në bashkëpunim dhe “Shpërdorim i detyrës”.

Sipas AMP këta punonjës policie, në shtator të vitit të kaluar, në kundërshtim me ligjin dhe duke keqpërdorur atributet që iu jep funksioni, kanë kërkuar dhe marrë nga një shtetas shumën prej 270 000 lekësh, në këmbim të shmangies nga përgjegjësia penale.

Pas hetimit disa mujor me metoda speciale në drejtimin e SPAK, u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore i implikimit të punonjësve të policisë në veprime korruptive dhe shpërdorim të detyrës.

NJOFTIMI:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Drejtoria e Hetimit dhe Drejtoria Rajonale Vlorë – Gjirokastër) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i Kodit të Pr. Penale, ndaj punonjësve të policisë;

  1. D.L., me detyrë Inspektor krimesh pranë Stacionit të Policisë Orikum;
  2. A.J., me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Orikum;
  3. A.F., me detyrë Specialist i Policimit në Zonë pranë Stacionit të Policisë Orikum;

të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” në bashkëpunim dhe “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga nenet 259, 248 dhe 25 të Kodit Penal.

Drejtoria e Hetimit është vënë në dijeni se këta punonjës policie, në shtator të vitit të kaluar, në kundërshtim me ligjin dhe duke keqpërdorur atributet që iu jep funksioni, kanë kërkuar dhe marrë nga një shtetas shumën prej 270 000 lekësh, në këmbim të shmangies nga përgjegjësia penale.

Pas hetimit disa mujor me metoda speciale në drejtimin e SPAK, u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore i implikimit të punonjësve të policisë në veprime korruptive dhe shpërdorim të detyrës.

Vijojnë hetimet pë zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

 

Gjermani, legalizimi i kanabisit dhe shtimi i psikozave

Sipas një artikulli të fundit të botuar në revistën mjekësore gjermane “Deutsches Ärzteblatt”, legalizimi i kanabisit në Gjermani është pasuar nga një dyfishim i psikozave të shkaktuara nga kanabisi.

Studimet konfirmojnë frikën e disa shoqatave mjekësore, të cilat theksojnë rreziqet e konsumit të kanabisit sidomos për të rinjtë, truri i të cilëve zakonisht nuk është zhvilluar plotësisht deri në mesin e të njëzetave. Këto shoqata janë shprehur për legalizimin e kanabisit vetëm nga mosha 21 vjeç e lart.

Psikozat janë sëmundje të rënda të karakterizuara nga halucinacione, paranoja dhe iluzione. Në disa raste simptomat zhduken brenda disa ditësh apo javësh pasi kanë nisur.

Megjithatë ka edhe raste që tek personat e prekur halucinacionet dhe iluzionet përsëriten në mënyrë të përsëritur, madje ndonjëherë për tërë jetën.

Krahasimi i të dhënave para dhe pas legalizimit

Legalizimi i kanabisit në Gjermani hyri në fuqi më 1 prill 2024. Autorët e studimit krahasuan shifrat e shtrimeve në spitalet e qarkut Schwaben në jug të Gjermanisë në harkun kohor 1 prill 2022 deri 31 mars 2025.

Analiza përfshinte individë të moshës 18 vjeç e lart të shtruar me këto diagnoza kryesore: psikozë e shkaktuar nga kanabisi, çrregullim prej përdorimit të kanabisit në përgjithësi, ose çrregullim psikotik jo-organik nga spektri i skizofrenisë.

Nga analiza e të dhënave rezultoi se pas legalizimit të kanabisit numri i pacientëve të shtruar në spital me psikoza të shkaktuara nga kanabisi ishte thuajse dyfish më i lartë se në periudhën para legalizimit.

Meshkujt më të prekur

Sipas një studimi nga Danimarkameshkujt e rinj janë më shumë të prekur prej skizofrenisë të shkaktuar nga kanabisi sesa femrat.

Sipas këtij studimi rreth 15 përqind e rasteve të skizofrenisë tek meshkujt e rinj mund të parandalohen, nëse kufizohet përdorimi i tepërt i kanabisit.

Rrezik më i madh për demencë për përdoruesit e kanabisit

Një studim i botuar në vitin 2025 në revistën “JAMA Neurology” në Kanada dha prova se përdorimi i lartë i kanabisit mund të çojë në demencë.

Sipas studimit personat nga mosha 45 vjeç e lart, që kishin pasur nevojë për trajtim spitalor për shkak të përdorimit të kanabisit, ishin sëmurur më vonë shumë më shpesh nga demenca sesa të tjerët. Në Kanada kanabisi është i legalizuar për përdorim personal që nga viti 2018.

Por duhet thënë se studimi i mësipërm trajton vetëm raste konsumi të lartë të kanabisit të shoqëruara edhe me shtrim në spital. Pyetja se sa i lartë është rreziku për demencë tek personat që e konsumojnë kanabisin me masë dhe që nuk kanë nevojë për trajtim spitalor për shkak të konsumit të tyre, mbetet e parqart./DW

❌