Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Vizita në Vatikan/ Kryeministri Rama takohet me Papa Leoni e XIV

VATIKAN- Këtë të enjte, Papa Leoni XIV priti kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama. Takimi ndërmjet Papa Leoni XIV dhe  Ramës u zhvillua në Pallatin Apostolik në Vatikan.

Më pas, Rama zhvilloi takim me Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë kardinalin Pietro Parolin dhe imzot Paul Richard Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.

“Në bisedimet e përzemërta – thuhet në një njoftim të Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë – u vu në dukje marrëdhënia e mirë ekzistuese ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë dhe u trajtuan tema me interes të përbashkët që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet bashkësisë kishtare dhe asaj civile”.

Ndër temat në qendër të bisedimeve – vijon njoftimi – ishin edhe çështjet kryesore rajonale, “përfshirë situatën në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian”.

VIDEO/ Reshjet e dëborës, vijon puna për hapjen e rrugës në zonën e Panaritit

KORÇË– Si pasojë e reshjeve të dëborës gjatë orëve të fundit, autoritete vijojnë punën në terren për pastrimin e borës dhe hapjen e rrugës në zonën e Panaritit.

Puna po kryhet në mënyrë të pandërprerë, me qëllim garantimin e qarkullimit dhe sigurisë për banorët.

Sipas autoriteteve, aktualisht situata është nën kontroll dhe nuk raportohen probleme./abcnews.al

SHBA heton kompaninë Nike mbi pretendimet për diskriminim ndaj punonjësve të bardhë

Komisioni i SHBA për Mundësi të Barabarta në Punësim (EEOC) tha të mërkurën se ka hapur një hetim ndaj kompanisë Nike lidhur me akuzat se kompania diskriminoi punonjësit e bardhë dhe aplikantët për punë.

Agjencia ka kërkuar që Nike të ofrojë informacion në lidhje me akuzat, duke përfshirë objektivat e saj të diversitetit, barazisë dhe përfshirjes (DEI) për vitin 2025 dhe objektiva të tjera të lidhura.

Komisioni po shqyrton nëse kompania është përfshirë në një model ose praktikë të trajtimit të ndryshëm ndaj punonjësve të bardhë, aplikantëve dhe pjesëmarrësve në programe në vendimet e punësimit, ngritjes në detyrë, uljes në detyrë ose ndarjes nga puna, si dhe në stazhet dhe programet e zhvillimit të karrierës.

EEOC lëshoi ​​një kërkesë ligjore duke kërkuar të dhënat e kompanisë Nike që datojnë që nga viti 2018, duke përfshirë dokumente mbi kriteret e pushimit nga puna, përdorimin e të dhënave të racës dhe etnisë së punonjësve, dhe disa programe mentorimi dhe zhvillimi të karrierës. Ajo gjithashtu ngriti një padi zbatimi në gjykatën federale pasi kompania nuk arriti të ofrojë të gjithë informacionin e kërkuar.

“Ne kemi pasur pjesëmarrje të gjerë dhe me mirëbesim në një hetim të EEOC-ut mbi praktikat, programet dhe vendimet tona të personelit dhe kemi pasur përpjekje të vazhdueshme për të ofruar informacion dhe për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive me agjencinë”, tha një zëdhënës i kompanisë Nike në një deklaratë.

Kancelari gjerman mbërrin në Katar, ndalesa e dytë e turneut në Gjirin Persik

Kancelari gjerman Friedrich Merz mbërriti sot në kryeqytetin e Katarit, Doha, nga Arabia Saudite, si pjesë e një turneu në Gjirin Persik i cili ka për qëllim diskutimin e bashkëpunimit në sektorin e energjisë dhe armëve, raportuan mediat e Katarit.

Merz u prit gjatë mbërritjes në Aeroportin Ndërkombëtar Hamad nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë i Katarit, Sheikh Faisal bin Thani bin Faisal Al-Thani, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve e Katarit, pa dhënë detaje rreth kohëzgjatjes së qëndrimit.

Merz zhvilloi bisedime të mërkurën në Riad me Princin e Kurorës të Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman Al Saud, megjithatë, nuk u publikuan detaje të tjera, njoftoi Agjencia Saudite e Shtypit.

Turneu i tij aktual përfshin gjithashtu një ndalesë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Transmetuesi gjerman Deutsche Welle raportoi më herët këtë javë se qëllimi i turneut të Merzit është forcimi i bashkëpunimit me këto tri vende të Gjirit në furnizimet me energji dhe armë.

FOTO/ U helmuan nga monoksidi i karbonit, kjo është familja shqiptare që u shua në Itali

ITALI- Një familje shqiptare prej 4 anëtarësh u shua në mënyrë tragjike mbrëmjen e së mërkurës në Itali. Referuar hetimeve paraprake, dyshohet se familja është helmuar nga monoksidi i karbonit. 

Sipas mediave italiane, viktimat janë kryefamiljari Arti Kola, 48 vjeç, bashkëshortja e tij Jonida, 42 vjeçe, dhe dy fëmijët Hajdar dhe Xhesika Kola, përkatësisht 23 dhe 15 vjeç. 

Kryefamiljari punonte për një kompani bojërash, ndërsa nëna ishte shtëpiake. Djali i familjes Kola punonte si elektricist për një kompani lokale, dhe vajza ishte nxënëse shkolle.

Një person i pestë u shpëtua, por ndodhet në gjendje kritike për jetën. Bëhet fjalë për vëllain e kryefamiljarit të ndjerë, i cili mbërriti në vendngjarje pasi familja nuk po u përgjigjej telefonatave./abcnews.al

Dëgjesa me fermerët/ Balluku dhe Salla në Fier: Lidhja me fermerët e qarkut është më shumë se bashkëpunim

Turi i dëgjesave me fermerët që zhvilloi ministri i Bujqësisë Andis Salla, u mbyll në Fier në një takim me fermerë të Patosit, Roskovecit, Mallakastrës dhe Fierit, me prezencën e zv.kryeministres Belinda Balluku dhe ministrit të financave Petrit Malaj.

“Lidhja me fermerët e qarkut Fier është më shumë se bashkëpunim, është respekt, besim dhe përgjegjësi ndaj atyre që prodhojnë dhe mbajnë gjallë ekonominë tonë.”, shkruan zv.kryeministrja Balluku.

Në këtë takim, ministri Salla tha se qëllimi i dëgjesave është, adresimi i mbështetjes së munguar, rishikimi i kritereve dhe maksimizimi i fondeve për skemën kombëtare të subvencioneve 2026.

Sipas specialistëve të drejtorisë së bujqësisë në Fier, janë pikërisht heqja e burokracive në aplikime dhe rritja e vlerës financiare ato  çka kërkojnë fermerët.

Aktualisht, fermerët në Fier po përballen me çmime nën kosto për produktet e stinës. Shkaqet janë të ndryshme si importet, rënia e fuqisë blerëse apo edhe mungesa e tregjeve. Por nëse mbështetja e qeverisë është reale, këto kriza përballohen lehtësisht

Në mbyllje të dëgjesave me fermerët, ministri Salla bëri të ditur edhe vlerën financiare të skemës së subvencioneve 2026 e cila kap shifrën 5.2 miliardë lekëve, 16% më shumë se viti j kaluar.

Dëgjesa e ministrit të Bujqësisë me fermerët nisën nga Librazhdi dhe u mbyllën në Fier,  gjithsej 23 takime.

Aksident në Gjirokastër/ Tre të lënduar, njëri prej shoferëve qëndroi i bllokuar për disa minuta në automjet

GJIROKASTËR- Një aksident ka ndodhur në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë me pasojë lëndimin e tre personave. Ngjarja ka ndodhur në aksin Tepelenë-Gjirokastër pranë një pike të furnizimit me karburant.

Në aksident janë përfshirë dy automjete, përkatësisht një BMW dhe automjet tip Renault Clio.

Në vendin e ngjarjes arriti shërbimi zjarrfikës i Gjirokastrës, i cili bëri të mundur nxjerrjen e drejtuesit të automjetit Renault Clio, Klevant Vasi, i cili u transportua me ambulancë drejt Spitalit Rajonal për ndihmë mjekësore.

Sipas informacionit të marrë, personat e plagosur ndodhen jashtë rrezikut për jetën./abcnews.al

E mashtroi se do t’i kryente disa punime në banesë dhe i mori paratë/ Arrestohet 39-vjeçari në Elbasan

ELBASAN- Finalizohet operacioni policor i koduar “Last time”.  Në pranga ka rënë një 39-vjeçar i cili dyshohet se nëpërmjet mashtrimit i ka marrë disa shuma parash një shtetasi.

Nga hetimet dyshohet se 39-vjeçari i ka marrë në total rreth 750 000 lekë, shtetasit 38 vjeç, duke e mashtruar se do t’i kryente disa punime, në banesë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

/abcnews.al/

Shiste mallra kontrabandë, procedohet pronari i subjektit në Berat

Në lagjen “10 korriku”, në Berat është zbuluar një subjekt që shiste pa kuponë tatimor, ora dore të kontrabanduara e imitime të markave të ndryshme.

Mësohet se është proceduar penalisht pronari i subjektit. Nga kontrolli në subjektin e tij, u gjetën 191 ora dore, imitime të markave të ndryshme, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat shiteshin edhe online.

Shtetasi nuk kishte fatura blerjeje për mallrat dhe as nuk lëshonte kuponë tatimor kur i shiste.

Kontrollet kundër paligjshmërive në fushën ekonomike, vijojnë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.

Ministri i Jashtëm gjerman: Çdo marrëveshje për kontrollin e armëve që skadon duhet të na shqetësojë!

Ministri i Jashtëm gjerman Johann Vandevoll bëri thirrje për rivendosjen e besimit në marrëdhëniet ndërkombëtare, pas shqetësimeve të vazhdueshme për sigurinë dhe rritjes së garës për armatime bërthamore.

“Çdo marrëveshje për kontrollin e armëve që skadon duhet të jetë shkak për shqetësim”, tha Vandeful, duke iu referuar traktatit të fundit të mbetur në fuqi për çarmatimin bërthamor, gjatë një takimi me homologen e tij australiane Penny Wong në Canberra.

Ai nënvizoi se besimi duhet të rindërtohet ndërkombëtarisht, për të formuar themelin për marrëveshje të reja, këmbënguli ai.

“Kjo nuk vlen vetëm për marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë”, argumentoi Ministri i Jashtëm Vandeful, duke shtuar: “Në të vërtetë, edhe Kina duhet të përfshihet” në marrëveshjet e ardhshme”.

/abcnews.al/

Analiza e REL: Marrëveshja SHBA-Iran që synon shmangien e luftës

I dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, dhe ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, do të takohen më 6 shkurt në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje që synon shmangien e luftës.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka dislokuar kapacitete të mëdha ushtarake në Gjirin Persik, ndërsa administrata e tij po shqyrton mundësinë e sulmeve kundër Teheranit.

Irani po përpiqet ta kufizojë fushëveprimin e bisedimeve vetëm te programi i tij bërthamor. Por, SHBA-ja po kërkon një marrëveshje që do të kufizonte po ashtu programin e raketave balistike të Teheranit dhe do t’i jepte fund mbështetjes së Republikës Islamike për grupet e armatosura në Lindjen e Mesme.

Trump dëshiron një marrëveshje sepse “ai e preferon atë në vend të një lufte me një shtet të madh si Irani”, tha Damon Golriz nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Hagë.

“Nëse arrihet një marrëveshje, ajo do të jetë në interes të Republikës Islamike, edhe nëse një marrëveshje e tillë, në sytë e publikut, do të dukej se Republika Islamike është dorëzuar”, shtoi ai.

Për të arritur një marrëveshje, të dërguarit amerikanë dhe iranianë do të duhet të kapërcejnë disa pengesa kyç që kanë bërë që të dështojnë negociatat e mëparshme.

Shtetet e Bashkuara po kërkojnë që Irani ta ndalë plotësisht pasurimin e uraniumit dhe të heqë dorë nga rezervat e tij prej rreth 400 kilogramësh uranium të pasuruar në nivel të lartë, hapa që do ta pengonin Teheranin të krijonte një armë bërthamore.

Më parë, Teherani i kishte refuzuar këto kërkesa, por ekspertët thonë se mund të bëjë lëshime duke pasur parasysh pozitën e tij të dobët në negociata.

Udhëheqja klerikale e Iranit ndodhet në pikën më të dobët në dekada, pasi po përballet me trazira të paprecedentë dhe kolaps ekonomik brenda vendit dhe me një grumbullim masiv të ushtrisë amerikane pranë kufijve të shtetit.

Programi bërthamor i Iranit është gjithashtu në gjendje të rëndë. Shtetet e Bashkuara bombarduan objektet kryesore nëntokësore të pasurimit të uraniumit në Fordo dhe Natanz gjatë luftës 12-ditore mes Iranit dhe Izraelit në qershor të vitit të kaluar.

Një pengesë e mundshme është rikuperimi i rezervave iraniane të uraniumit të pasuruar në nivel të lartë, i cili është “i përzier me rrënojat” pas sulmeve ajrore amerikane mbi objektet nëntokësore vitin e kaluar, tha Tariq Rauf, ish-shef për verifikimin në Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore (IAEA), që është organizata mbikëqyrëse për çështje bërthamore e Kombeve të Bashkuara.

Rauf theksoi po ashtu se një nga bombat amerikane, që mund të depërtojë thellë nëntokë, që u përdor gjatë bombardimeve të qershorit, nuk ka shpërthyer.

“Ende ka mbi 2.000 kilogramë eksplozivë të fuqishëm atje poshtë në Natanz… të cilët mund të jenë shumë të paqëndrueshëm dhe mund të shpërthejnë nëse preken”, i tha ai Radios Farda të Radios Evropa e Lirë.

Një mënyrë për ta trajtuar çështjen e pasurimit të uraniumit është rikthimi te një propozim i majit të vitit 2025, një konsorcium rajonal për pasurimin që do t’i lejonte Iranit të vazhdonte pasurimin e uraniumit, por vetëm në nivele të ulëta, që janë të përshtatshme për qëllime civile të prodhimit të energjisë.

Por, për këtë propozim mund të ketë një pengesë teknike, tha Rauf.

Një konsorcium zakonisht krijohet në një vend që tashmë ka një program bërthamor. I vetmi vend në Lindjen e Mesme që zyrtarisht kanë program bërthamor janë Emiratet e Bashkuara Arabe, por ky shtet i Gjirit ka hequr dorë nga e drejta për të pasuruar uranium dhe e importon karburantin bërthamor nga jashtë vendit.

SHBA-ja po ashtu dëshiron të vendosë kufizime mbi rrezen e veprimit dhe numrin e raketave balistike të Iranit, gjë që do ta bënte të pamundur që Teherani të godiste Izraelin.

Aktualisht, Irani ka një limit prej 2.000 kilometrash për rrezen e veprimit të raketave të tij. Raketat me rreze të mesme veprimi mund të godasin Izraelin, ndërsa raketat me rreze të shkurtër mund të sulmojnë bazat ushtarake amerikane në rajonin e Gjirit Persik.

Nuk dihet numri i raketave me rreze të mesme veprimi që ka Irani. Izraeli ka sulmuar objektet e prodhimit të raketave dhe lëshuesit e raketave gjatë luftës së qershorit. Por, besohet se Irani ende ka disa mijëra raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi.

Irani ka refuzuar në mënyrë kategorike çdo kufizim mbi programin e tij të raketave, duke thënë se ai është thelbësor për mbrojtjen e tij.

Republika Islamike gjithashtu ka refuzuar të heqë dorë nga bashkëpunëtorët e armatosur dhe grupet militante që mbështet në Liban, Irak dhe Jemen. Irani e konsideron të ashtuquajturin bosht të rezistencës si pjesë kyç të mbrojtjes së tij kundër agresionit izraelit dhe amerikan.

Ky rrjet bashkëpunëtorësh rajonalë gjerësisht qëndroi i heshtur gjatë fushatës ajrore të Izraelit në qershorin e kaluar, por analistët sugjerojnë se ai mund të ndërhyjë për të ndihmuar Iranin nëse bisedimet dështojnë dhe shpërthen lufta me SHBA-në./REL/

Bisedimet SHBA-Iran për programin bërthamor mbahen këtë javë në Oman

Këtë të premte (6.02.2026) Irani, sipas të dhënave të veta, do të fillojë bisedimet me SHBA-në në Oman. Bisedimet për programin bërthamo iranian janë planifikuar për në orën 10:00 sipas orës së Omanit në kryeqytetin Maskat, shkruan ministri i Jashtëm i Iranit Abbas Araghtçi në platformën X. “I jam mirënjohës vëllezërve tanë omanezë, që kanë marrë masat e nevojshme”, shtoi ministri.

Më parë mediat në Iran njoftonin për një dështim të mundshëm të bisedimeve. Edhe nga qarqet nga Shtëpia e Bardhë thuhet, se qeveria e SHBA-së i ka pranuar bisedimet, që nga Turqia u zhvendosën në Oman. Pak përpara druhej, se planet për bisedime mund të mbeteshin në vend numëro për shkak të ndryshimit të formatit dhe përmbajtjes.

SHBA-ja insiston që Irani t’i jepë fund pasurimit të uraniumit

Nga Irani thuhet, se synohet një tjetër takim nga ai që ka propozuar Turqia. Në bisedime duhet të trajtohet vetëm çështja e programit bërthamor iranian. Gjithashtu në bisedime duhet të marrin pjesë vetëm Irani dhe SHBA-ja.Zyrtari që dha këto informacion nuk dëshiron të identifikohet.

Ministri i Jashtëm i SHBA-së Marco Rubio deklaroi më parë, se përfaqësuesit e SHBA-së po punojnë, që takimi të zhvillohet këtë javë. SHBA-ja kërkon nga Irani në radhë të parë që t’i japë fundit procesit të pasurimit të uraniumit dhe të kufizojë programin e raketave. Irani e hedh poshtë këtë si një ndërhyrje në sovranitetin e tij, por njëkohësisht sinjalizon, gatishmërinë të paktën për bisedimet lidhur me mormarrëveshjet për programin bërthamor.

Sërish kërcënime nga Trump

Pak para bisedimeve të planiifkuara ndërmjet SHBA-së dhe Iranit, presidenti i SHBA-së Donald Trump, iu adresua me fjalë paralajmëruese udhëheqësit më të lartë të vendit. I pyetur nga NBC News, nëse Ajatollah Ali Khamenei duhet të jetë i shqetësuar aktualisht, Trump u përgjigj: “Unë do të thoja, se ai duhet të jetë shumë i shqetësuar.” Një arsye konkrete për këtë Trump nuk e përmendi direkt.

Por ai iu referua bisedimeve që vendi i tij do të zhvillojë me Iranin. Ai tha, e ka dëgjuar, që Irani po përpiqet ta rindërtojë programin bërthamor, tha Trump duke iu përgjigjur pyetjes pasuese. Për një rast të tillë presidenti i SHBA-së kërcënoi, se do “t’i bëjë gjëra të këqia” Iranit./ DW

Gjermania ka punëtorët më të moshuar në BE/ Shtyhet gjithnjë e më shumë mosha e daljes në pension

Në asnjë shtet tjetër anëtar të Bashkimit Evropian, popullsia punëtore nuk është aq e moshuar sa në Gjermani. Në vitin 2024, nga rreth 40.9 milionë të punësuar, 9.8 milionë prej tyre ishin midis moshës 55 dhe 64 vjeç, njoftoi këtë të martë Zyra Federale e Statistikave.

Kjo korrespondon me një përqindje prej pothuajse një së katërtës (24.0 përqind) – “vlera më e lartë ndër të gjitha vendet e BE-së”, siç u tha. Për krahasim: mesatarja e BE-së për këtë grupmoshë është 20.1 përqind.

Shtyhet gjithnjë e më shumë mosha e daljes në pension

Pjesa e dytë më e madhe në BE pas Gjermanisë regjistrohet nga Italia: atje, njerëzit e moshës 55 deri në 64 vjeç përbëjnë 23.0 përqind të të punësuarve.

Në Bullgari kjo përqindje është gjithashtu e lartë në 22.3 përqind. Sipas këtyre të dhënave, Malta ka numrin proporcionalisht më të vogël të personave të punësuar më të moshuar në BE: vetëm afërsisht një në nëntë të punësuar (10.8 përqind) është midis moshës 55 dhe 64 vjeç.

Shkaqet e moshës më të lartë

“Arsyeja kryesore për përqindjen e lartë të personave të punësuar më të moshuar në Gjermani është plakja gjithnjë e më e theksuar e popullsisë”, shpjegojnë statisticienët. “Plus, njerëzit në këtë vend po dalin në pension gjithnjë e më vonë.”

Mosha mesatare e daljes në pension për gratë dhe burrat në vitin 2024 ishte 64.7 vjeç. Në vitin 2004, ishte 63.0 vjeç për gratë dhe 63.1 vjeç për burrat. Një nga arsyet e rritjes është rritja graduale e moshës ligjore të daljes në pension në 67 vjeç deri në vitin 2029.

Gjithashtu, sipas të njëjtave deklarata, heqja e dy modeleve të pensioneve të hershme të pleqërisë, të cilat mund të përdoren pjesërisht që nga mosha 60 vjeç, luajti gjithashtu një rol. Sistemi i pensioneve ndodhet nën presion.

Organizata e për bashkëpunimin ekonomik dhe zhvillimin, OECD, pret barrë të konsiderueshme ndaj sistemit gjerman të pensioneve. Popullsia në moshë pune do të tkurret gjatë 40 viteve të ardhshme, sipas një studimi të publikuar në fund të vitit 2025. “Zgjatja e jetës së punës do të jetë çelësi për financimin e pensioneve në të ardhmen”, këshillon OECD.

Kështu, mosha ligjore e daljes në pension mund të lidhet me jetëgjatësinë. Në të njëjtën kohë, modelet e daljes në pension të parakohshëm duhet të bëhen më pak tërheqëse.

Kancelari gjerman Friedrich Merz njoftoi ndryshime drastike në sistemin e sigurimeve të pensioneve në fillim të javës. Në të ardhmen, pensionet do të orientohen gjithnjë e më shumë drejt pjesës private të sigurimeve bazuar në investime kapitali./DW/

Ishulli grek ofron akomodim falas për ata që kujdesen për macet endacake

Grupet e mirëqenies së kafshëve në ishullin grek të Sirosit po ofrojnë akomodim, shërbime dhe mëngjes falas për vullnetarët që ndihmojnë në kujdesin e popullatës së madhe të maceve endacake në ishull, sipas “Time Out”.

I menaxhuar nga “Syros Cats”, programi kërkon angazhimin e vullnetarëve për disa javë duke ushqyer, pastruar dhe kujdesur për macet në këmbim të një akomodimi, shpesh me pamje nga deti.

Vullnetarët duhet të jenë përgjegjës, në formë dhe të aftë të angazhohen për të paktën dy deri në gjashtë javë (minimumi një muaj).

Në këmbim të akomodimit, mëngjesit dhe shërbimeve falas, vullnetarët do të kalojnë pesë orë në ditë, ë pesë ditë të javës duke u ushqyer, pastruar dhe mjekuar kafshët.

Misioni i organizatës është të menaxhohet trajtimi i rreth 3 000 maceve endacake në ishull – përmes TNR (sterilizimit human), të monitorohet shëndeti i tyre dhe të ofrohet kujdes veterinar kur është e nevojshme.

Kjo është një mundësi e artë për adhuruesit e kafshëve në vend të pushimeve tradicionale, pasi puna është fizikisht e vështirë, por shpërblyese, sipas “TravelPirates” dhe “Syros Cats”.

Organizata “Syros Cats”, e cila ka qenë në funksion që nga vitet 1990 dhe konsiderohet si një pioniere e lëvizjes për mirëqenien e kafshëve në ishull, po kërkon njerëz të aftë, të shëndetshëm dhe të pavarur për të ndihmuar në trajtimin e maceve.

Detyrat që do t’u jepen vullnetarëve përfshijnë pastrimin, ushqyerjen, socializimin e maceve të vogla të shpëtuara – për t’i ndihmuar ato të përgatiten për shtëpitë e ardhshme.

Ndërsa e gjithë kjo tingëllon si një mënyrë e bukur për të kaluar disa javë në ishull, puna e “Syros Cats” është thelbësore për identitetin e këtij ishulli.

Falë “Syros Cats” dhe “God’s Little People Cat Rescue”, marrëdhënia midis maceve dhe vendasve ka ndryshuar – nga një armiqësi në respekt të ndërsjellë – me ishullin që tani e përqafon popullatën e tij të maceve si një emblemë krenarie.

“Ne duam t’i tregojmë botës se kafshët kanë rëndësi”, tha Richard Bowell, bashkëthemelues i “God’s Little People Cat Rescue” për “Greek Reporter”.

Vizita në Vatikan/ Lutja e kryeministrit Rama në bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë: Mbroje Shqipërinë dhe ndriço mendjet tona!

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama zhvilloi një vizitë në Bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë, Regina di Albania, ku u ndal për një moment lutjeje bashkë me bashkëshorten e tij, Linda Rama.

Gjatë qëndrimit atje, Rama përcolli një mesazh shpirtëror, duke ia besuar vendin, familjet dhe rininë mbrojtjes së Zojës së Këshillit të Mirë.

Lutja e Kryeministrit Edi Rama: 

O Mari, Nënë e ëmbël e Këshillit të Mirë, kaq e dashur për bijtë
e Shqipërisë në atdhe dhe jashtë atdheut!

Sot po vijmë tek ti, edhe një herë, të ta besojmë popullin tonë, familjet tona, rininë tonë. Ti që je Zojë e Shkodrës dhe e mbarë Shqipërisë, na udhëhiq në rrugën e së mirës, na jep dritë në dyshime dhe ngushëllim në provat e jetës. Nën mbrojtjen tënde kërkojmë strehë, o Virgjër e bekuar.

Mbroje Shqipërinë, ndriço mendjet tona dhe na bëj të jemi gjithmonë
besnikë ndaj Birit tënd, Jezusit.

O Zoja e Këshillit të Mirë, lutu për ne!

Tragjike në Itali/ Mediat fqinje: Shuhet familja me katër anëtarë, dyshohet me origjinë shqiptare. U helmuan nga monoksidi i karbonit

Katër anëtarë të një familjeje, që dyshohet të jetë me origjinë shqiptare, humbën jetën nga helmimi me monoksid karboni në banesën e tyre në Rughi, të Italisë.

“Familja e viktimave dyshohet të jetë me origjinë të huaj, me shumë mundësi nga Shqipëria”, shkruan Corriere.

Mediat italiane shkruajnë se tragjedia ndodhi mbrëmjen e së mërkurës.

Sipas raportimeve, viktimat janë prindërit 48 dhe 43 vjeç, si dhe dy fëmijët e tyre, 22 dhe 15 vjeç, por emrat e tyre nuk janë bërë publike. Alarmi u dha nga një familjar, i cili nuk po arrinte të kontaktonte me ta.

Po ashtu një person i pestë u transportua për ndihmë në spital.

Shërbimet e emergjencës ndërhynë menjëherë, por për katër personat u konstatua vdekja. Autoritetet italiane po hetojnë për të zbardhur shkaqet e plota të ngjarjes tragjike.

 

Travel And Tour World: Shqipëria, mes thesareve të fshehura të Europës për turizëm të qetë

Shqipëria po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një nga destinacionet më tërheqëse të Europës për turistët që kërkojnë qetësi, autenticitet dhe përvoja reale, larg kaosit të turizmit masiv.

Shumë media ndërkombëtare e kanë përfshirë Shqipërinë në listën e ashtuquajturve “thesare europiane të fshehura”, vende që ofrojnë pushime të qeta, natyrë të paprekur dhe trashëgimi kulturore të pasur.

Në këtë listë, Shqipëria renditet përkrah vendeve si Luksemburgu, Mali i Zi, Lituania, Estonia, Letonia, Lihtenshtajni, destinacione që po tërheqin gjithnjë e më shumë udhëtarë që preferojnë eksperienca cilësore dhe jo masa turistësh.

Riviera Shqiptare dhe trashëgimia kulturore, pika të forta të turizmit

Artikulli vë theks të veçantë te Riviera Shqiptare, e cilësuar si një nga zonat bregdetare më të bukura dhe ende relativisht të paeksploruara të Mesdheut.

Plazhet me ujëra të kristaltë, fshatrat bregdetare dhe mungesa e mbipopullimit e bëjnë këtë zonë veçanërisht tërheqëse për turistët që kërkojnë relaks dhe privatësi.

Po ashtu, përmenden qytetet historike Berati dhe Gjirokastra, të mbrojtura nga UNESCO, të cilat ofrojnë një përzierje unike historie, arkitekture tradicionale dhe jete lokale autentike.

Sipas medias ndërkombëtare, këto qytete lejojnë vizitorët të përjetojnë kulturën shqiptare pa presionin e turizmit masiv që karakterizon shumë destinacione të tjera europiane.

Natyrë, male dhe aventura të qeta

Në artikull theksohet edhe potenciali i madh i Shqipërisë veriore, me peizazhe malore, parqe kombëtare dhe shtigje ecjeje që ofrojnë mundësi ideale për turizëm natyror dhe aventurë të qëndrueshme.

Zona të tilla si Alpet Shqiptare konsiderohen si destinacione perfekte për ata që kërkojnë kontakt të drejtpërdrejtë me natyrën dhe një ritëm më të ngadaltë udhëtimi.

Rritje turistike, por ende larg mbingarkesës

Sipas të dhënave të cituara nga Travel And Tour World, Shqipëria ka shënuar një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve vitet e fundit, duke regjistruar miliona netë qëndrimi nga turistë të huaj.

Megjithatë, krahasuar me destinacione si Spanja, Italia apo Franca, vendi mbetet ende larg mbipopullimit turistik, duke ruajtur avantazhin e qetësisë dhe autenticitetit.

Shqipëria, alternativë e re europiane

Media ndërkombëtare e cilëson Shqipërinë si një alternativë serioze ndaj destinacioneve tradicionale europiane, falë kombinimit të natyrës së bukur, trashëgimisë kulturore, mikpritjes dhe çmimeve konkurruese.

Për shumë udhëtarë, Shqipëria po shndërrohet në zgjedhjen ideale për pushime më të balancuara, më njerëzore dhe më pak stresuese.

Ky vlerësim ndërkombëtar konfirmon se Shqipëria nuk është më thjesht një destinacion në zhvillim, por një vend që po fiton identitet të qartë në hartën turistike të Europës, veçanërisht për ata që kërkojnë qetësi, cilësi dhe përvoja autentike.

Parashikimi i motit/ Si do vijojnë temperaturat përgjatë ditës

Ditën e enjte vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me intervale afatshkurtra të herëpashershme me kthjellime dhe alternime vranësirash mesatare deri të dendura, të cilat do të shoqërohen me reshje të herëpashershme shiu me intensitet të ulët ndërsa lokalisht mesatar në formë shtrëngatash në zonën perëndimore.

Në relievet e larta malore në verilindje-juglindje të vendit reshje bore me intensitet të ulët.

Era do të fryjë me drejtim kryesor juglindje-jugperëndim me shpejtësi mesatare 7m/s, ndërsa në male, lugina e bregdet era pritet të arrijë shpejtësi 15m/s.

Valëzimi në det i forcës 2-4 ballë.

Horoskopi, çfarë parashikojnë yjet për ju

Dashi

E enjtja do të jetë mjaft pozitive, ku Venusi do të ketë ndikim tranzit dhe do e bëjë dashurinë mjaft të favorizuar. Ky është momenti i duhur për të shprehur idetë dhe projektet tuaja. Në punë do të ketë mundësi të shumta, por kjo gjë do ju tensionojë.

Demi

Në dashuri do të ketë momente tensioni. Kujdes duhet të tregoni me të lindurit e shenjës së luanit dhe ujorit, ku mund të hasni në probleme. Yjet do të jenë mjaft të favorshme në punë, ku do të ketë mundësi rikuperimi dhe rimarrje në dorë të situatës.

Binjakët

Mundohuni që të gjeni një moment për tu relaksuar. Dashuria do të jetë mjaft pozitive, ku do të keni mundësi që të bëni projekte premtuese. Kujdes duhet të tregoni me punën, dhe mos lejoni që problemet e saj të ndikojnë në sferat e tjera të jetës tuaj.

Gaforrja

Dashuria do të jetë mjaft e favorshme. Ky është momenti i duhur si për dashuritë e reja, edhe për rikuperimin e një raporti. Në punë duhet të ruani qetësinë para se të merrni disa vendime.

Luani

Qielli favorizon dashurinë. Një histori do të ketë mundësi që të rikuperohet, ashtu sikundër mund të lindë një lidhje e re. Situata do të jetë mjaft e favorshme edhe në punë.

Virgjëresha

Prilli ishte një muaj mjaft i veçantë, ku mund ta keni gjetur veten në situata të dyjëzuara. Në dashuri duhet treguar kujdes, pasi mund të përfshiheni në dy histori njëkohësisht. Në punë do ju duhet të merrni vendime.

Peshorja

Nëse nuk i duroni dot më disa persona, mund të ndryshoni sjellje ose të jeni më pak të sjellshëm. Në dashuri ndiheni të qetë, pasi keni arritur në disa përfundime. Në punë mund të ketë zhvillime premtuese.

Akrepi

Mund të jeni përballur me probleme në çift kohëve të fundit, por tashmë do të ketë mundësi për përmirësim. Kujdes duhet treguar me financat, në mënyrë që të mos shpenzoni shumë gjatë kësaj periudhe. Po ashtu mund të përballeni me lodhje, ndaj duhet të gjeni një moment për tu relaksuar.

Shigjetari

Ky është momenti ideal për të zgjeruar rrethin miqësor dhe kontaktet, duke pasur njohje të reja, shkruan noa.al. Mërkuri do të ketë ndikim të favorshëm në financa. Edhe në punë, do të arrini që të fitoni diçka më shumë.

Bricjapi

E enjtja do të jetë nën ritmin e duhur. Në dashuri gjërat do të ecin më mirë, por ju nuk do të jeni të qetë me veten. Mundohuni që të mos mendoni për gjëra që kanë ndodhur shumë kohë më parë dhe fokusohuni tek e tashmja. Në punë duhet qetësi, ndaj shmangni problemet. Do të keni dëshirë për ndryshim.

Ujori

Dashuria do të jetë mjaft e favorizuar pasi Venusi do të jetë në anën tuaj. Në punë, diçka do të lëvizë dhe më në fund do të merrni atë që dëshironi. Disa gjëra kanë nevojë për ndryshim radikal.

Peshqit

E enjtja do të jetë e mbushur me nervozizëm dhe dyshime. Në dashuri gjërat vijojnë që të jenë tejet të komplikuara, ndaj mundohuni që të ruani qetësinë dhe të mos bëni asgjë të nxituar. Puna do të ecë më së mirë, ku problemet e lindura së fundmi mund të zgjidhen.

❌