SHBA, Britania, Franca dhe Gjermania mirëpresin zgjatjen e armëpushimit në Siri
SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania përshëndetën sot njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes Siriane për të zgjatur armëpushimin për 15 ditë me grupin terrorist YPG/SDF.
Në një deklaratë të përbashkët, SHBA-ja dhe tre vende evropiane përshëndetën armëpushimin midis ushtrisë siriane dhe YPG/SDF-së duke u bërë thirrje të gjitha palëve që t’i përmbahen në mënyrë strikte armëpushimit dhe të ushtrojnë përmbajtjen e tyre maksimale.
“Ne i nxisim të gjitha palët e jashtme të bashkohen me ne në ndjekje të paqes dhe uljes së dhunës”, thuhet në deklaratën që u lëshua pas një takimi midis ministrit të Jashtëm francez Jean-Noel Barrot, sekretares së Jashtme britanike Yvette Cooper, zëvendësministres së Jashtme gjermane Serap Guler dhe të dërguarit special të SHBA-së, Tom Barrack.
Në deklaratë, ata përsëritën detyrimet e të gjitha palëve për të mbrojtur civilët dhe infrastrukturën civile ndërsa mirëpritën krijimin e korridoreve humanitare për të siguruar shpërndarjen e sigurt dhe të papenguar të ndihmës humanitare.
“Ne i nxisim të gjitha palët që të bien dakord shpejt për një armëpushim të përhershëm dhe të rifillojnë sa më shpejt të jetë e mundur negociatat që synojnë integrimin paqësor dhe të qëndrueshëm të Sirisë verilindore në një shtet unitar dhe sovran që respekton dhe mbron në mënyrë efektive të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj, bazuar në marrëveshjen e 18 janarit 2026 si rruga më efektive drejt stabilitetit në Siri”, thuhet në deklaratë.
Ata u bënë thirrje të gjitha palëve të shmangin “çdo boshllëk sigurie” në dhe përreth qendrave të paraburgimit të ISIS (DEASH) dhe deklaruan se për të adresuar këto shqetësime palët ranë dakord të thërrasin menjëherë takim të koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS-it.
“Ne riafirmojmë mbështetjen tonë për një tranzicion politik gjithëpërfshirës në Siri, i cili mbron të drejtat e të gjithë sirianëve dhe theksojmë se stabilizimi i Sirisë verilindore përmes mjeteve paqësore përbën përparësi qendrore për parandalimin e një ringjalljeje të terrorizmit dhe për sigurinë rajonale”, thuhet ndër të tjera.
SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania nënvizuan gatishmërinë për të mbështetur dhe monitoruar së bashku me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë, zbatimin e marrëveshjeve midis palëve.