Dan Petrescu e mori te CFR Cluj – Emërllahu tregon se Korenica u bë ‘mësit’ edhe pse një klub tjetër e thërriste çdo ditë

I ftuari i radhës në podcastin “Arena e Yjeve” ishte futbollisti i njohur kosovar, Lindon Emërllahu. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle, Air Munich dhe Exfis.
Emërllahu ka zbuluar prapaskenat e transferimit të tij te CFR Cluj, duke treguar se gjithçka ndodhi gjatë një periudhe intensive në Turqi, kur për të kishte interesim nga disa klube njëkohësisht.
“Transferimi, unë isha mos gabohem, në Turqi, edhe po më shkruan Korenica. Sepse unë në atë kohë më kërkonte edhe Kolos Kovalivka në Ukrainë”.
Ai tregoi se përfaqësuesit e klubit ukrainas ishin shumë këmbëngulës dhe prezentë çdo ditë gjatë përgatitjeve.
“Ata të Kolosit aty në Turqi çdo ditë vinin. Andej-këndej edhe Ilir Krasniqi më shënonte: a po vjen, se ndryshe është kur ta kesh dikë”.
Megjithatë, situata ndryshoi kur në skenë hyri emri i trajnerit të njohur rumun, Dan Petrescu, përmes Meriton Korenicës.
“Edhe po më shënon Korenica, tha që trajneri Dan Petrescu po pyet për ty. Për sa mundet me të lëshu Cima (Arsim Kabashi)? I thashë: nuk e di”.
Sipas Emërllahut, negociatat filluan përmes menaxherëve, ndërsa vendimi nuk ishte i lehtë për klubin e tij, pasi në atë periudhë kishte humbur shumë lojtarë të rëndësishëm.
“Po e shprehin interesimin, menaxherat po flasin, menaxherat me Cimën edhe të tregon për çdo sen”.
“Edhe që e ceki Cima, në atë kohë shumë lojtarë të fortë. Edhe i ikën shumica. Tani kur erdhi oferta për mua, unë pata mbetë, tani thoshte: si ta lëshoj edhe këtë”.
Ai shtoi se fillimisht klubi nuk ishte i gatshëm ta lironte, por këmbëngulja e Dan Petrescut rezultoi vendimtare.
“Edhe jo, nuk po të lëshoj, jo andej-këndej, rri deri verës. Edhe pastaj Korenica ka folur me Dan Petrescun. Petrescu i ka thënë drejtuesve të klubit të Clujit që e dua patjetër. Pastaj ata kanë ardhur me një ofertë më të vogël, tani e kanë rritur”.
Në fund, Emërllahu tregoi se edhe vetë kishte ndërhyrë personalisht për të realizuar transferimin, duke e parë si një hap shumë të rëndësishëm në karrierën e tij.
“Tani edhe unë i kam thënë, i kam shkruar presidentit: a mundesh me më liru, sepse jam i ri, është privilegj për mua ta bëj hapin e parë në Rumani. Edhe pak me vështirësi, por në fund pranoi”, ka rrëfyer Emërllahu.
Episodin e plotë me futbollistin Lindon Emërllahu mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube./Telegrafi/
- YouTube www.youtube.com






































