Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Maqedoni, Safe City me mangësi fillestare, priten përmirësime në 3 deri në 6 muajt e ardhshëm




Numri një i ekzekutivit, Hristijan Mickoski deklaroi sot se duhet të rregullohet çështja e të dhënave të qytetarëve që mblidhen nga ana e sistemit Safe City, duke pranuar se ky sistem nuk është i përsosur dhe se për këtë është diskutuar edhe në takimin e fundit koordinativ me udhëheqësinë e MPB-së. Por, ai tha se do të duhet një periudhë e caktuar pas zbatimit të sistemit, për të rregulluar të gjithë mangësitë që do t’i vërejmë gjatë implementimit.
“Duhet të ketë protokolle, për shumë çështje duhet të kemi protokolle, e kemi biseduar dje. Gajtë implementimit, do të vërejmë se shumë gjëra mungojnë. Në të vërtetë, askush nuk ka qenë i përsosur 100% menjëherë kur ka zbatuar këtë projekt. Është logjike që në 3 deri 6 muajt e ardhshëm të kemi harmonizime të caktuara. Por, gjithashtu atë që do ta përsëris, mua më gëzon fakti që kemi arritur aspektin human të këtij projekti, ndërsa ai është më pak viktima si pasojë e aksidenteve në trafik”, u shpreh Mickoski.
Në lidhje me miratimin e ligjeve për shkelje në Kuvend, që kanë të bëjnë me sistemin Safe City, Mickoski tha se pavarësisht pasigurisë rreth mbështetjes nga LSDM, është e rëndësishme që ky sistem tashmë po i arrin qëllimet e tij themelore dhe po ndihmon në mbrojtjen e jetëve njerëzore.
“Kjo do të thotë që qytetarët e respektojnë këtë projekt dhe kjo është dëshmi se ligjet mund të respektohen. Jam i lumtur që kjo po ndodh dhe dua t’i falënderoj qytetarët, shoferët dhe t’u bëj thirrje të jenë të ndërgjegjshëm”, deklaroi Mickoski.
Kujtojmë se, lideri i LSDM-së, Venko Filipçe të shtunën duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve për këtë temë, tha se mbështesin ligjet që lidhen me sigurinë në trafik, por se fillimisht duhet që në Kuvend të zhvillohet diskutim mbi lartësinë e dënimeve dhe të dhënat e qytetarëve që mbledh sistemi I ri në trafik.



Maqedoni, ministri i Mbrojtjes mbështet shërbimin e detyrueshëm ushtarak



Ministri i Mbrojtjes, Vlado Misajlovski, mbështet idenë e futjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Maqedoni, por thekson se vendi aktualisht nuk ka burime të mjaftueshme financiare dhe hapësinore për zbatimin e tij. Ai e bëri këtë deklaratë gjatë një vizite në kazermën e Velesit "Alekso Demnievski-Bauman".
"Unë personalisht e inkurajoj këtë veprim. Të rinjtë duhet të kenë mundësinë për një përvojë të tillë, por financat dhe kapacitetet duhet të merren parasysh. Në këtë moment, nuk është e zbatueshme, por në të ardhmen, nëse vlerësohet si e nevojshme, jam i gatshëm ta zbatoj", theksoi Misajlovski.
Vizita ishte rasti për betimin ceremonial të 296 ushtarëve të rinj profesionistë, përfshirë 26 vajza, të cilët do të shërbejnë në Komandën e Stërvitjes dhe Doktrinës. Ministri njoftoi se për shkak të interesit të lartë për karrierën ushtarake, një konkurs i ri rekrutimi do të shpallet deri në fund të vitit.
Përveç kësaj, Misajlovski njoftoi se është përgatitur një vendim mbi statusin e ushtarëve profesionistë mbi moshën 45 vjeç, i cili do të publikohet së shpejti dhe do të përcaktojë se si do të kujdesen për ta pas përfundimit të shërbimit aktiv.

Sindikata kërkon rritje pagash për personelin e Ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes në RMV



Në dy vitet e fundit, paga e personelit të Ushtrisë dhe e të punësuarve në Ministrinë e Mbrojtjes nuk ka shënuar asnjë rritje. Ndërkohë, nga janari i vitit 2024, me ndryshimet në ligjin për shërbim në Armatë, është ndryshuar edhe sistemi i llogaritjes së pagave, gjë që ka ndikuar negativisht te të punësuarit.

Sipas kryetarit të Sindikatës së Mbrojtjes, Mario Jurishiq, kërkesat e tyre janë të qarta, ata kërkojmë rritje të pikëve për pagën bazë për 20 %, rishikim të sistemit të pagave, i cili sipas tij, duhet të bazohet në shpenzimet jetësore dhe nivelin e inflacionit në vend, si dhe zgjidhjen e statusit të ushtarëve profesional deri në pensionim.

“Kërkojmë rritje të pikëve për pagë bazë për 20 %. Kërkojmë revidim të sistemit të cilat do të jenë në bazë të harxhimeve jetësore dhe inflacionit në vend dhe kërkojmë zgjidhjen e statusit të ushtarëve profesional deri në pensionimin. Nëse e llogarisim pagën e të punësuarve të mbrojtjes, në të gjitha nivelet, ushtar profesional, civil, nën oficer dhe oficer, do të shohim se pagat janë të njëjta edhe në shkurt të 2024 por edhe në dhjetor me pagën e fundit të vitit 2025. Për këtë arsye kërkojmë që ky sistem të rishqyrtohet sepse pjesëtaret tonë nuk mund t’i blejë gjerat e njëjta me atë pagë që i ka blerë në shkurt të 2024 dhe të blejë të njëjtat në vitin 2025”, tha Mario Jurishiq – Kryetar i sindikatës së Mbrojtjes.

Sipas sindikatës, lidhur me kërkesat e tyre është zhvilluar edhe një takim me ministrin e Mbrojtjes, por gjatë takimit u është bërë e ditur se nuk janë planifikuar mjete për rritje të pagave për vitin e ardhshëm. Sipas kryetarit të sindikatës, Mario Jurishiq, pa këto ndryshime rrezikohet stabiliteti social i personelit ushtarak. Ai theksoi se zgjidhja duhet të arrihet përmes dialogut, por nëse nuk ka marrëveshje, anëtarësia do të vendosë se cilët hapa do të ndërmerren në të ardhmen për realizimin e kërkesave./Alsat/

Përmes sistemit “Safe City” u identifikua 18 vjeçari që goditi një grua për vdekje në Shkup



18 vjeçari që e goditi për vdekje gruan e moshuar një ditë më parë, së bashku me babin e tij janë arratisur jashtë vendi.

Ministria e Punëve të Brendshme bënë me dije se ka ngritur kallëzim penal kundër katër personave në lidhje me aksidentin e djeshëm të trafikut në rrugën “Fronti Popullor” në Shkup, ku 18 vjeçari S.S. e goditi 79 vjeçaren L.J., dhe njejta nga lëndimet e marra ndërroi jetë, ndërsa shoferi iku nga vendi i ngjarjes me automjetin “Volkswagen Passat”.

Policia ka arrestuar dy personat që kanë ndihmuar në arratisjen e tyre, ndërsa për dy të arratisurit kanë lëshuar fletëarrest.

Identifikimi i autorit të veprës penale, tregon policia është bërë përmes kamerave të “Qyteti të Sigurt” dhe kontrolleve shtesë të kamerave të ndërtesave përreth, si dhe deklaratave të dëshmitarëve. Është vërtetuar se automjeti ka qenë në pronësi të babait të 18 vjeçarit.

MV – Reshjet e dendura shkaktojnë përmbytje dhe rrëshqitje toke në disa zona

SHKUP, 8 janar /ATSH-AA/ – Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë Maqedoninë e Veriut kanë shkaktuar përmbytje, rrëshqitje toke dhe dëme infrastrukturore në disa rajone të vendit, ndërkohë autoritetet e emergjencës kanë shpallur nivel të verdhë paralajmërimi për përmbytje.

Drejtoria për Çështje Hidrometeorologjike (UHMR), e cila në rrjetet sociale njoftoi një nivel të verdhë paralajmërimi, u bëri thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar dhe ndjekje të udhëzimeve zyrtare, duke paralajmëruar për rrezik potencial nga dalja lokale e lumenjve dhe përrenjve sezonal, si pasojë e reshjeve të dendura që kanë përfshirë vendin.

Qendra për Menaxhim me Kriza (CUK) njoftoi se kreu i qendrës, Muhamed Ali, së bashku me ekipet kujdestare të linjës emergjente dhe sektorit për operacioni po monitorojnë vazhdimisht situatën, si dhe u bëri të thirrje qytetarëve të raportojnë çdo vështirësi apo rrezik.

Sipas të dhënave të mbledhura nga thirrjet dhe ndërhyrjet deri në orën e mbrëmjes, reshjet intensive kanë shkaktuar probleme në disa rajone të vendit.

Të dhënat nga CUK tregojnë se në rajonin e Gostivarit dhe rrethinës, respektivisht në aksin rrugor Gostivar-Strazhë është shënuar rrëshqitje dheu në rrugë, por qarkullimi po zhvillohet normalisht. Gjithashtu në drejtimin Tetovë-Banjë ka rrëshqitje në rrugë, duke vështirësuar qarkullim.

Ndërkaq, në fshatin Balin Dol janë regjistruar përmbytje nga lumi Vardar, ku janë përmbytur rreth 10 parcela bujqësore dhe disa oborre, ndërkohë është shënuar edhe ulje e prodhimit të energjisë në ‘HEC Mavrovë’.

Përmbytje janë raportuar edhe në fshatrat Malo Turçan dhe Banjë e Epërme nga lumenjtë Lakaviçka dhe Sushiçka, me tokë bujqësore të përmbytur dhe mungesë mekanizmi adekuat për ndërhyrje nga ana e komunës.

Në rajonin e Manastirit dhe rrethinës, në fshatin Lera ka përmbytje pranë urës, me rrezik për përhapje drejt zonës së banuar. Në fshatin Porodin gjithashtu është raportuar përmbytje në një fermë pule, ndërsa në disa fshatra të Komunës së Resnjës janë përmbytur oborre dhe toka bujqësore, megjithëse lumenjtë nuk kanë dalë nga shtrati.

Në rajonin e Ohrit janë regjistruar përmbytje në bodrume, garazhe dhe oborre, ku kanë ndërhyrë komuna dhe shërbimet publike. Në Kërçovë, disa objekte banimi janë përmbytur në rrugën Prilepska dhe rreth 60 persona janë evakuuar në palestrën sportive ‘Hristo Uzunov’.

Nga CUK theksuar se të gjitha shërbimet përgjegjëse janë në terren dhe po ndërhyjnë për të menaxhuar pasojat e motit të rëndë./  a.jor.

The post MV – Reshjet e dendura shkaktojnë përmbytje dhe rrëshqitje toke në disa zona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MPB: Më 1 shkurt do të fillojë zbatimi i sistemit "Safe City"



Autoritetet e MPB-së aktualisht janë duke punuar në miratimin e disa akteve ligjore dhe në përditësimin e sistemit "Safe City" me të dhëna të sakta, ndërkohë që po vendosen edhe kamera të tjera të sigurisë përgjatë korridoreve 8 dhe 10.

Këto kamera, sipas autoriteteve të MPB-së, së shpejti do të vihen në funksion për fazën e testimit, ndërsa pas përfundimit të testimit dhe miratimit të akteve ligjore, më 1 shkurt do të fillojë zbatimi i plotë i sistemit “Qyteti i Sigurt” në të gjithë territorin e vendit, bëjnë të ditur nga MPB.

“Aktualisht, sistemi “Qyteti i Sigurt” funksionon në territorin e qytetit të Shkupit, ndërsa së shpejti planifikohet aktivizimi i tij edhe në Kumanovë dhe Tetovë. Pajisjet tashmë janë të vendosura edhe në korridoret 8 dhe 10 dhe në çdo moment pritet të fillojë detektimi i shkeljeve në trafik edhe atje. Gjatë vitit 2026 është paraparë që sistemi të fillojë të funksionojë në të gjithë territorin e shtetit. Tanindodhemi në një periudhë testuese, gjatë së cilës qytetarët marrin vetëm paralajmërim për shkeljen e trafikut të kryer. Është paraparë që nga data 01.02.2026 sistemi të funksionojë plotësisht dhe të fillojë sanksionimi i qytetarëve që kryejnë shkelje të evidentuara nga kamerat", deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Goce Andreevski.

Nga MPB deklaruan se periudha e deritanishme e testimit të sistemit “Qyteti i Sigurt” ka treguar rezultate të shkëlqyera. Sipas autoriteteve, qytetarët nga dita në ditë kanë përmirësuar sjelljen dhe mënyrën e vozitjes në rrugët e vendit, duke u treguar më të përgjegjshëm dhe duke respektuar rregullat e komunikacionit.

Gjatë zbatimit të këtij sistemi parashihet të ketë një tolerancë të vogël të shpejtësisë, por kjo tolerancë do të vlejë vetëm për tejkalime minimale dhe nuk do të përjashtojë përgjegjësinë penale apo administrative për shkeljet që mund të shkaktojnë rrezik në komunikacion. Përfaqësuesit e MPB-së vlerësojnë se përmes këtij sistemi do të rritet siguria e qytetarëve në komunikacion dhe do të ulet ndjeshëm numri i aksidenteve të rënda në trafik me pasoja fatale.

Mbi 17 mijë aksidente dhe mbi 27 mijë viktima ka pasur gjatë katër viteve të fundit në Maqedoninë e Veriut



Me më shumë se 17,000 aksidente trafiku dhe mbi 27,000 viktima në katër vjet, statistikat shtetërore tregojnë se Maqedonia ka një rritje të vazhdueshme të rreziqeve në trafik.

Në këtë kontekst, po lançohet edhe sistemi më i gjerë automatik i kontrollit të trafikut - "Qyteti i Sigurt", i cili ka regjistruar dhjetëra mijëra shkelje në ditë gjatë periudhës së testimit, duke ngritur pyetjen nëse teknologjia e përparuar mund ta ndalë ciklin në rritje të aksidenteve të trafikut.

Numri i aksidenteve të trafikut, sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave, i cili në vitin 2021 arriti në 4,069, u ul pak në 3,952 në vitin 2022. Megjithatë, në vend që të vazhdojë trendin në rënie, vitin pasardhës numri rritet përsëri në 4,274, dhe në vitin 2024 arrin në 4,526 aksidente.

Paralelisht me rritjen e aksidenteve, rritet edhe numri i viktimave. Pas një rënieje të ndjeshme në vitin 2022, kur u regjistruan 6,420 viktima, ka një rritje tjetër - 7,105 në vitin 2023 dhe 7,298 në vitin 2024. Krahasuar me pikën më të ulët në vitin 2022, kjo është një rritje prej gati 900 personash në vetëm dy vjet.

Rritja e numrit të vdekjeve është veçanërisht alarmante.

Ndërsa 116 persona vdiqën në vitin 2021, në vitin 2022 numri rritet në 124, në vitin 2023 arrin në 127, dhe në vitin 2024 shënon vlerën më të lartë - 142 viktima.

Shumica e vdekjeve në vitin 2024 janë shoferë, gjithsej 85, të ndjekura nga 33 pasagjerë dhe 24 këmbësorë.

Edhe pse numri i vdekjeve të këmbësorëve ka rënë pak, humbja e jetës midis shoferëve është më e larta në katër vitet e fundit.

Lëndimet janë gjithashtu në rritje. Numri i personave të lënduar rëndë dhe lehtë, i cili ishte 6,659 në vitin 2021, zvogëlohet në 6,296 në vitin 2022, por rritet në 6,978 në vitin 2023 dhe arrin në 7,156 të lënduar në vitin 2024.

Në përmbledhje, dy vitet e fundit tregojnë një rritje të vazhdueshme dhe të qartë të numrit të aksidenteve, numrit të të lënduarve dhe numrit të vdekjeve.

Në të njëjtën kohë, shteti po lançon sistemin më kompleks për kontrollin automatik të trafikut - "Qyteti i Sigurt". Sistemi përfshin një rrjet kamerash stacionare dhe mobile, radarë, integrim me bazat e të dhënave dhe krijim automatik të raporteve. Shkeljet (shpejtësi, kalim i semaforit të kuq, automjete të paregjistruara, parkim i paligjshëm) dokumentohen në mënyrë dixhitale, dhe njoftimet dhe urdhër-pagesat do të dërgohen elektronikisht, me një zbritje për pagesën në kohë.

Periudha e provës së sistemit "Qytet i Sigurt" filloi më 1 dhjetor 2025 dhe sipas informacionit nga Ministria e Punëve të Brendshme, në periudhën e parë të provës u regjistruan 110 mijë shkelje në 24 orë, ndërsa të nesërmen, më 2 dhjetor, u regjistruan gjithsej 50,652 shkelje, që përfaqëson një përgjysmim të numrit të shkeljeve të regjistruara. Nga këto, 48,861 janë shkelje të shpejtësisë, 1,366 për semaforë të kuq dhe 425 për automjete të paregjistruara.

MPB: Instalimi i kamerave për "Safe City" në Kumanovë, ende nuk është përfunduar plotësisht



Përveç Shkupit, Kumanova dhe Tetova janë komunat në të cilat po lançohet “Safe City”, sistemi elektronik për zbulimin e shkeljeve të trafikut. Në Kumanovë kamerat në fjalë janë në instalim e sipër.

Të njejtat tashmë janë instaluar në disa pjesë të qytetit. Periudha e testimit është duke vazhduar, por sistemi nuk është ende plotësisht aktiv.

Duke filluar nga hyrja e Kumanovës, kamerat “Safe City” janë instaluar tashmë përgjatë dy bulevardeve kryesore, zonës qendrore dhe rrugëve rajonale.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme njohton se instalimi i kamerave në Kumanovë nuk është përfunduar ende plotësisht.

“Po punojmë për zbulimin e pikave kritike ku do të instalohen kamerat. Tani për tani, është duke u zhvilluar një periudhë testimi në të cilën duhet të përcaktojmë nëse ka ndonjë mangësi dhe palogjikshmëri në sistem” – thonë nga MPB.

Nga 1 shkurti, kur edhe përfundon periudha testuese, qytetarët nuk do të marrin më paralajmërime, por gjoba.

Banorët e Kumanovës shpresojnë se sistemi do të kontribuojë në rregullimin e trafikut kaotik në qytet. Ata presin që gjobat ti edukojnë qytetarët të mos i shkelin rregullat në komunikacion.


Agjencia e Kadastrës e përmbylli vitin 2025 me mbi 1.040.000 lëndë të zgjidhura



Agjencia e Kadastrit së patundshmërive në vitin 2025 ka zgjidhur gjithsej 1.040.137 lëndë, gjë që, thuhet në kumtesë, paraqet tregues të qartë për efikasitetin e rritur dhe përkushtimin e vazhdueshëm në sigurimin e shërbimit cilësor dhe me kohë. Paralelisht me këtë, nga Kadastri thonë se tërësisht janë zgjidhur lëndët e mbetura, ndërsa të gjitha kërkesat vijuese po zgjidhen me kohë, pa ngecje dhe në afatet ligjore.

Në mënyrë shtesë, deri te Sektori për kontroll dhe mbikëqyrje pranë Agjencisë së Kadastrit, janë parashtruar 577 ankesa, prej të cilave 556, respektivisht 96,4 për qind, janë përpunuar tërësisht dhe janë mbyllur.

Në pjesën e regjistrit grafik të tokës ndërtimore, u pranuan 3.878 lëndë, nga të cilat 3.863, respektivisht 99,6 për qind, u zgjodhën me sukses, gjë që tregon nivel të lartë efikasiteti dhe shpejtësie.

Në vitin 2025, në Agjencinë e Kadastrës përmes sistemit elektronik e-Qeveria u paraqitën gjithsej 416 kërkesa për mendime dhe u përgjigjën plotësisht, duke e bërë përqindjen e realizimit të këtij lloji kërkesash 100 për qind.

“Një nga angazhimet kryesore të menaxhmentit ishte ulja sistematike e ngarkesës së rasteve të mbetura, si dhe përpunimi me kohë i kërkesave të sapopranuara. Në këtë drejtim, numri i rasteve aktuale të pazgjidhura është ulur për 47,4 për qind, ndërsa numri i rasteve të pranuara aktualisht në vitin 2025 është rritur për tetë për qind, krahasuar me vitin 2024”, njofton Agjencia e Kadastrës së patundshmërive.

"Safe City", ulet dukshëm numri i aksidenteve në trafik



Periudha testuese e implementimit të sistemit “Safe City” ka ulur për 20 për qind numrin e aksidenteve dhe për 37 për qind numrin e të lënduarve nga aksidentet në trafik. Të dhënat sipas autoriteteve i referohen territorit të Shkupit, dhe krahasimi është bërë me dhjetorin e vitit të kaluar. Kryeministri, Hristijan Mickoski nënvizoi se sistemi po jep rezultate, pasi për dallim prej dhjetorit të 2024-tës ku kishte 5 viktima, në dhjetor të 2025 numri i viktimave ishte zero.

“Në Shkup, në muajin dhjetor 2024 për shkak të aksidenteve në trafik, jetën e humbën 5 persona, ndërsa këtë vit asnjë… Ose numri i përgjithshëm i personave që jetën e tyre e humbën si rezultat i aksidenteve në trafik në 2024-tën është 142 persona, ndërsa në vitin 2025 është 131. Me ulje dramatike të numrit në dhjetor, kjo nënkupton se edhe në qytetet ku është ky lloj sistemi, qytetarët vosizin me kujdes, por njësoj edhe në autostrada ku tashmë ka të instaluara pajisje të tilla”, deklaroi Hristijan Mickoki, Kryeministër.

Toshkovski tha se deputetët duhet t’i kenë parasysh këto statistika dhe pret që të gjithë 120 të votojnë ligjin për kundërvajtje, në mënyrë që sistemi “Safe City” të hyjë në fuqi plotësisht më 1 shkurt.

“Nëse qytetarët tregojnë rezultate të tilla në drejtim pozitiv vetëm në korniza të periudhës testuese unë jam i sigurt se deputetët do ta kenë këtë parasysh, që këtë lloj të sistemit të mençur, duhet ta implementojmë ashtu siç duhet, jo vetëm në korniza të testimit. Pres nga të gjithë 120 deputetët në korniza të kuvendit të votojnë pozitivisht, të kalojë ligji për kundërvajtje, sepse vetëm ai është me dy të tretat e votave, të tjerat kanë përfunduar”, tha Hristijan Mickoki, Kryeministër.

Sistemi Safe City duhej të hynte në fuqi nga sot, por i njëjti u prolongua për më 1 shkurt. Muajin e kaluar filloi periudha testuese e sistemit, ku qytetarët e Shkupit, kanë filluar të marrin sms porosi me vërejtje për shkelje të konstatuara nga kamerat e mençura. Por, implementimi mbetet peng i ligjit për kundërvajtje në trafik, për të cilin nevojiten dy të tretat e votave në Kuvend. Ndërsa përveç ligjit për kundërvajtje ka mbetur edhe Kodi Penal, për të cilin nevojitet shumicë e thjeshtë. /Alsat.mk

KOMENT – Pse po rritet numri i turqve që kërkojnë shtetësi në Maqedoninë e Veriut?

SHKUP, 29 dhjetor /ATSH/ – Jeta në Turqi është bërë politikisht shumë e vështirë, por edhe tepër e shtrenjtë për një familje, prandaj për mua ishte më e lehtë të shpërngulesha këtu dhe të kërkoja shtetësi maqedonase”, shpjegon 28-vjeçari Benk Bingjul.

Ai prej disa muajsh punon si menaxher në një kafene në Shkup, e cila është në pronësi të biznesmenëve turq.

Kanë kaluar tashmë dy vjet qëkurse ai u shpërngul nga Antalia në Shkup me bashkëshorten e tij maqedonase. Për këtë arsye ka marrë leje qëndrimi, ndërsa para një muaji bëri kërkesë për shtetësi maqedonase. Ai thotë se i mungon qyteti i lindjes për shkak të jetës pranë detit dhe plazhit, por këtu jeta është më e lirë.

“Për shembull, në shitore, një blerje e zakonshme për shtëpi: perime, vezë, mish, qumësht, edhe nëse blen minimalisht, duhet të paguash rreth 280–300 euro. Ndërsa me këto para në Shkup mund ta mbushësh makinën e vjetër plotësisht: bagazhin, sediljen e përparme dhe të pasmen. Në Turqi kjo është e pamundur”, thotë Bingjul.

Ai nuk e flet mirë gjuhën maqedonase, por thotë se ushtron me bashkëshorten e tij. Një nga kushtet që, sipas ligjit maqedonas, duhet të plotësojë është dhënia e provimit për njohjen e gjuhës maqedonase.

“E kuptoj disi maqedonishten, di të lexoj me alfabet latin, por jo me cirilik. Këtë duhet ta mësoj”, thotë ai.

Megjithatë, ky kusht nuk vlen për ata që dëshmojnë se kanë prejardhje maqedonase.

Vala e kërkesave të turqve për shtetësi maqedonase

Përveç njerëzve si Bingjul, të cilët kërkojnë shtetësi maqedonase për shkak të martesës me shtetase maqedonase, gjithsej 10.500 qytetarë turq kanë kërkuar shtetësi maqedonase gjatë katër vjetëve të fundit mbi bazën e prejardhjes maqedonase, tregojnë të dhënat që REL-i i ka marrë nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

Sipas MPB-së, këta janë shtetas të Turqisë që duhet të dëshmojnë në institucionet maqedonase se janë mërgimtarë nga ky vend dhe se kanë prejardhje etnike maqedonase.

Në përgjigjen për REL-in, MPB-ja thekson se arsyeja e rritjes së numrit të kërkesave për shtetësi maqedonase lidhet me ndryshimet e fundit ligjore.

“Ndryshimet ligjore të vitit 2021 kontribuuan në një rritje enorme të numrit të kërkesave për fitimin e shtetësisë maqedonase nga mërgimtarët që jetojnë në Republikën e Turqisë”, tha MPB-ja.

Përkufizimi i ri i “mërgimtarit” në Ligjin për Shtetësinë

Bëhet fjalë për ndryshime në Ligjin për Shtetësinë të propozuara nga qeveria e atëhershme e udhëhequr nga koalicioni LSDM dhe BDI.

Ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, propozoi në Kuvend ndryshime në ligj me të cilat përcaktohet se kush konsiderohet mërgimtar.

Sipas ligjit, mërgimtari dhe pasardhësi i tij i gjeneratës së parë mund të fitojnë shtetësi maqedonase pa jetuar në vend, pa e njohur mjaftueshëm gjuhën maqedonase dhe pa hequr dorë nga shtetësia e mëparshme – rregull që vlen për shtetasit e huaj.

“Mërgimtar, në kuptim të këtij ligji, konsiderohet qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut që është shpërngulur nga Republika e Maqedonisë së Veriut në një shtet tjetër, pa marrë parasysh gjininë, racën, ngjyrën e lëkurës, prejardhjen kombëtare dhe shoqërore, bindjet politike dhe fetare, si dhe statusin pasuror dhe shoqëror”, thuhet në Ligjin për Shtetësinë.

Mbi 4.000 kompani të themeluara me kapital turk

Sipas të dhënave që REL-i ka marrë nga Dhoma Ekonomike Maqedonaso-Turke (MATTO), për vitin 2024 numri i kompanive të regjistruara me kapital turk nga persona juridikë dhe fizikë arrin në 4.132.

Sipas tyre, interesi i biznesit buron nga marrëdhëniet e afërta maqedonaso-turke.

“Ato bazohen në lidhjen e përbashkët historike nga periudha osmane, numrin e konsiderueshëm të mërgimtarëve nga këto troje në Republikën e Turqisë, si dhe lidhjet familjare dhe kulturore ekzistuese mes qytetarëve të të dyja vendeve. Për më tepër, Republika e Maqedonisë së Veriut paraqet një portë strategjike drejt tregjeve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për kompanitë nga Republika e Turqisë, gjë që rrit atraktivitetin e saj si destinacion investimesh”, thuhet në përgjigjen e MATTO-s, shkruan REL.   /os/.

The post KOMENT – Pse po rritet numri i turqve që kërkojnë shtetësi në Maqedoninë e Veriut? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Toshkovski: Opinioni së shpejti do të njoftohet për gjobat nga "Safe City"



Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, theksoi sot se respektimi i rregullave të trafikut është përmirësuar ndjeshëm që nga fillimi i projektit "Safe City", gjë që u reflektua në një ulje drastike të paralajmërimeve dhe konkretisht në një ulje të numrit të personave të lënduar.

Ministri shpjegoi pse sistemi informon me një shpejtësi prej 50 km/orë, dhe jo me 57 km/orë.

"Qëllimi ynë është të ngasim brenda limitit të lejuar të shpejtësisë. Me një shpejtësi prej 30 km/orë, nga 10 persona të lënduar, dy vdesin, me një shpejtësi prej 50 km/orë, nga 10 persona të lënduar, tetë vdesin, sipas statistikave botërore. Prandaj, dua të përsëris se nëse respektojmë ligjet, shpëtojmë jetë", theksoi Toshkovski.

Ai njoftoi se sistemi së shpejti do të përshtatet dhe opinioni do të informohet për fillimin e gjobave për shkeljet.
"Së shpejti do ta informojmë opinioni se kur do të fillojmë të ofrojmë informacion në lidhje me gjobat, ekskluzivisht për shkeljet që do t'i nënshtrohen sanksioneve", shtoi Ministri./Telegrafi/

Iseni: Deri në gjysmën e vitit 2026, i gjithë territori i vendit do të jetë i monitoruar me kamera të sigurisë



Zëvendësministri i Punëve të Brendëshme, Astrit Iseni, për Lajm Tv paralajmroi zgjerimin dhe modernizimin e sistemit të kamerave të sigurisë, me synim që çdo rrugicë në Shkup të mbulohet me kamera, ndërsa më pas, ky sistem të shtrihet në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Sipas planit të MPB-së, Iseni tha që deri nga mesi i vitit 2026, kamerat e reja pritet të vendosen në të gjithë vendin, duke mos u kufizuar vetëm në qytetet e mëdha.

“Në Shkup do të mundohemi që çdo rrugicë të ketë kamerë. Përveç kësaj, aktualisht po planifikojmë modernizimin e kamerave, pasi me ato që kemi tani nuk mund t`i shohim të gjitha veprat penale apo shkeljet që kryhen. Për momentin, nga kamerat mund të marrim vetëm disa informacione, siç janë tejkalimi i shpejtësisë, parkimi i parregullt apo kalimi në semafor të kuq. Ne, si ministri, mundohemi ta zhvillojmë më tej këtë sistem dhe kapacitetet njerëzore kompetente, dhe normalisht do të përpiqemi që brenda vitit të ardhshëm, 2026, diku nga gjysma e vitit, këto kamera të vendosen në të gjithë shtetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe të mos mbeten vetëm në qytetet e mëdha”, tha Iseni.

Trajkoski: Ekziston një "frikë" midis autoriteteve të Maqedonisë se dërgimi i trupave në Ukrainë do të thoshte "marrje anësie"



Peco Trajkoski nga OJQ thotë se ekziston një "frikë" midis autoriteteve të Maqedonisë se dërgimi i trupave në Ukrainë do të thoshte "marrje anësie".

"Në komunikimin publik, Ministria e Mbrojtjes e lidh vendimin me një qëndrim parimor se Maqedonia "gjithmonë ka qenë për paqe dhe siguri" dhe se siguria e qytetarëve është një përparësi, prandaj ushtarët e Maqedonisë nuk do të dërgohen në Ukrainë. Nëse e lexojmë vendimin "nën sipërfaqe", arsyet zakonisht janë më praktike sesa ideologjike.

Së pari, për ushtritë e vogla, çdo vendosje e re do të thotë një zgjedhje që do të sakrifikohet në vend ose në misionet/detyrimet ekzistuese, dhe një mision në Ukrainë do të mbartte rrezik më të lartë, logjistikë më të madhe dhe potencialisht rregulla më të vështira angazhimi", tha për "Lokalno" Peco Trajkoski nga OJQ-ja - Qendra për Kërkime dhe Analiza Strategjike pas qëndrimit të përsëritur të ministrit të Mbrojtjes, Vllado Misajlovski, se Maqedonia nuk do të dërgojë ushtarët e saj në një mision të mundshëm paqeruajtës në Ukrainë.

Sipas Trajkovskit, më e rëndësishmja, në një periudhë kaq të trazuar, qeveritë shpesh nuk duan të dalin përpara vijës së partnerit më të fortë, në këtë rast Shteteve të Bashkuara.

"Analizat vendase dhe të huaja sugjerojnë se pozicionimi zyrtar ka një element përputhjeje me administratën e re amerikane dhe një fokus në prioritete "më të sigurta" në vend të një vendosjeje të rrezikshme në Ukrainë", thekson Trajkoski.

Analisti vlerëson se ekziston njëfarë “frike” midis autoriteteve të vendit se dërgimi i trupave do të thoshte “marrje anësie”, por, siç thotë ai, nuk duhet të jetë “frikë” në një kuptim dramatik, por më tepër kujdes strategjik./Telegrafi/

Ministria e Mbrojtjes: Maqedonia nuk do të dërgojë ushtarët e saj në një mision në Ukrainë



Maqedonia nuk do të dërgojë ushtarët e saj në një mision në Ukrainë, si pjesë e një rezultati të mundshëm të bisedimeve të paqes midis SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë, thonë nga Ministria e Mbrojtjes të Maqedonisë së Veriut.

Kjo përgjigje vjen pasi disa vende evropiane kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të dërguar ushtarët e tyre në Ukrainë për të ndihmuar në ruajtjen e paqes dhe për t'u përgjigjur në rast se Rusia shkel një marrëveshje të mundshme paqeje. Një njoftim i ngjashëm erdhi nga Sllovenia, megjithëse kryeministri i saj Robert Golob kërkoi që kjo të jetë vetëm si një mision i përbashkët nën një mandat të Kombeve të Bashkuara.

Nga Ministria e Mbrojtjes për "Lokalno" thonë ministri Vllado Misajlovski ka përcjellë mesazhin e Maqedonisë shumë herë në lidhje me luftën në Ukrainë, si në takimet e ministrave të mbrojtjes të NATO-s ashtu edhe në takimet dypalëshe, se është e nevojshme të vendoset paqja sa më shpejt të jetë e mundur që do t'i japë fund vuajtjeve të popullit ukrainas dhe të miratohet një zgjidhje e qëndrueshme e përhershme që do të rivendosë sigurinë në të gjithë kontinentin evropian.

Përveç kësaj, në disa raste, Ministria e Mbrojtjes duke u përgjigjur në pyetet gazetareske thanë se ushtarët e Maqedonisë nuk do të dërgoheshin në Ukrainë.

"Theksojmë se Maqedonia gjithmonë ka qenë për paqe dhe siguri. Gjatë historisë, kemi treguar se gjithmonë kemi një qëndrim parimor dhe se siguria e çdo qytetari të vendit është gjithmonë përparësia jon", thonë nga Ministria e Mbrojtjes së RMV-së./Telegrafi/

Toshkovsi: Deri në muajt qershor-korrik, pres që sistemi "Safe City" të zbatohet në gjithë territorin e shtetit



Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski tha se deri në muajin qershor-korrik, pret që sistemi "Safe City" të zbatohet në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut.

"Shpresoj që deri në qershor-korrik të vitit të ardhshëm do ta zbatojmë “Qytetin e sigurt” në të gjithë territorin e vendit, dhe jam i sigurt se deri në fund të vitit 2026 do ta zbatojmë në çdo qytet si një sistem inteligjent. Qytetarët e Maqedonisë meritojnë të zbatojnë një zgjidhje inteligjente në Tetovë, Shkup, por edhe në Berovë, Dellçevë, Strugë dhe Ohër që duhet të ndjekë strategjinë evropiane “zero viktima”, domethënë atë strategji që deri në vitin 2050 të mos kemi viktima njerëzore si rezultat i mosrespektimit të rregullave të komunikacionit", tha Toshkovski.

Ai kujtoi se periudha e testimit për regjistrimin e kundërvajtjeve nga sistemi “Qytet i Sigurt” është e vlefshme deri më 1 shkurt të vitit të ardhshëm.

Sipas Toshkovskit, kjo është vetëm një pjesë e hapave të cilët duhet të ndërmerren, por edhe në këtë periudhë të shkurtër kohore, në kuadër të periudhës së testimit, informacionet fillestare janë se me të vërtetë qytetarët e Maqedonisë së Veriut sillen ndryshe kur drejtojnë automjet se sa më parë.

“Dhe jam shumë i kënaqur që numri i aksidenteve rrugore me lëndime të rënda trupore dhe numri i përgjithshëm i aksidenteve rrugore, aty ku po e zbatojmë këtë projekt, është duke u zvogëluar. Kjo është shumë e rëndësishme. Qëllimi i parë dhe më i madh, do të thoja qëllimi i fundit i zbatimit të këtij sistemi, është të shpëtojmë të paktën një jetë njerëzore më shumë se më parë. Pra, rezultatet që duhet të ofrojë ‘Qyteti i sigurt’ janë vërtet shumë të shkëlqyera”, theksoi ministri Toshkovski.

Shtoi se askush nuk do të përjashtohet nga “Qyteti i sigurt”, përveç automjeteve të policisë të cilat ndërmarrin veprime, ndihma mjekësore urgjente dhe automjetet e njësiteve zjarrfikëse. Gjatë kësaj e përmendi shembullin e tij personal kur ka marrë vërejtje për kundërvajtje të kryer në komunikacion dhe këtë e bërë publike.

Kamerat “Qytet i Sigurt” të instaluara në udhëkryqet e Shkupit regjistrojnë automatikisht shkeljet e trafikut duke filluar nga 1 dhjetori. Ishte planifikuar që gjobat të fillojnë të zbatohen nga 1 janar 2026, mirëpo kjo është shtyrë për në 1 shkurt 2026.

"Safe City", Komisioni parlamentar hodhi poshtë tre amandamente  lidhur me propozim ligjin për siguri në trafik



Komisioni parlamentar i mbrojtjes hodhi poshtë 3 amendamente lidhur me propozim ligjin për siguri në trafik.

Një prej amendamenteve i referohej rrezikimit të privatësisë dhe të dhënave personale, nga sistemi “Safe City” me çka opozita pretendon se duhet të sigurohet që të dhënat të përdoren ekskluzivisht për procedurën e shkeljes dhe të fshihen pas përfundimit të procedurës.

Dy amendamentet e tjera kishin të bëjnë me ndryshim e kufirit të tolerancës për substancat narkotike, me arsyetimin se ka persona që përdorin barëra të rënda. Ndërsa amendamenti i tretë kishte të bëjë me tolerancën e matjes së shpejtësisë.

Por të gjitha këto u hodhën poshtë. Në të njëjtën seancë u hodh poshtë edhe amendamenti i Oliver Spasovskit që kishte të bëjë me ligjin e policisë.

Toshkovski: Jam i kënaqur me projektin "Safe City", qytetarët po tregohen më të kujdesshëm në komunikacion



Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, është i kënaqur me periudhën testuese të projektit “Safe City”.

Ai tha se qytetarët tashmë e kanë ngadalësuar vozitjen dhe se është ulur numri i aksidenteve në trafik.

“Periudha testuese tregon se Maqedonia ka kapacitet të jetë një vend normal. Qytetarët treguan se edhe gjatë një periudhe testuese, kur zbatohet një zgjidhje e re, e kuptuan atë dhe e ngadalësuan vozitjen brenda qytetit kryesor. Ata treguan se mund të sillen ndryshe dhe se tani janë evropianë të vërtetë. Janë ulur numrat e aksidenteve të trafikut në territorin e Qytetit të Shkupit, veçanërisht rastet me lëndime të rënda trupore,” deklaroi Toshkovski.

Kujtojmë se dhjetori dhe janari janë faza paralajmëruese për shkeljen në trafik që regjistrohen nga sistemi "Safe City", ndërsa gjobat do të fillojnë nga muaji shkurt.

Gjobat e “Safe City” zyrtarisht do të fillojnë më 1 shkurt



Regjistrimi i shkeljeve të trafikut përmes sistemit “Qytet i Sigurt” do të fillojë të funksionojë nga 1 shkurt, një muaj më vonë nga data e paralajmëruar më herët, 1 janari.

Lajmin e konfirmoi për TV 21 ndihmës-zëvendësministër i MPB-së, Muhamet Ismaili, i cili bëri të ditur se përveç Shkupit, Kumanovës dhe Tetovës, ky sistem në funksion do të jetë edhe në Korridorin 8 dhe 10. Sipas njoftimeve të institucioneve kompetente, ky prolongim i afatit vjen për shkak të nevojës për kontrolle të tjera teknike dhe harmonizim të procedurave juridike.

“Nga 01.02.2026 do të vihet në funksion të plotë sistemi SafeCity në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë, si dhe Korridori 10 dhe 8, ndërsa në qytetet e tjera është parashikuar të fillojë brenda vitit 2026”, tha Muhamet Ismaili.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftuan se po shqyrtohet mundësia e njëfarë tolerance në lidhje me shpejtësinë.
“Pra, ne duhet t’i respektojmë shpejtësitë e lëvizjes, 50 km/h për zonat urbane do të thotë 50 km/h për zonat urbane. Sigurisht, edhe ne do të kemi kujdes po ashtu si të gjitha qytetet evropiane ku ata kanë shtuar parametrat e tyre të caktuar, që të ketë tolerancë, edhe te ne do të ndodhë kjo tolerancë”, deklaroi Sasho Topalovski.

Sistemi “Qytet i Sigurt” do të funksionojë me kamera fikse që do të regjistrojnë kundërvajtje në komunikacion, si tejkalimi i shpejtësisë, kalimi në semafor të kuq, automjetet e paregjistruara, dhe do të plotësohet me automjete të specializuara policore që do të detektojnë parkimin e parregullt dhe kundërvajtjet e tjera. Qëllimi i këtij sistemi është që deri në vitin 2030 të zvogëlohet dhe të përgjysmohet numri i aksidenteve në trafik. /tv21

MPB: Shtyhet zbatimi i gjobave përmes sistemit "SafeCity"



MPB, në përgjigje të një pyetjeje, nëse sistemi “Qytet i Sigurt” po testohet dhe kur do të jetë zyrtarisht funksional, tha se regjistrimi i shkeljeve të trafikut përmes këtij sistemi do të fillojë të funksionojë nga 1 shkurti, dhe jo nga 1 janari, siç ishte njoftuar fillimisht.
“Një qytet i sigurt do të fillojë të funksionojë nga 1 shkurti 2026 në territorin e Shkupit, Tetovës dhe Kumanovës, si dhe përgjatë korridoreve 8 dhe 10”, thanë nga Ministria e Brendshme.

Pas periudhës së provës dhe paralajmërimeve që mbërrijnë në mesazhe SMS, sistemi “Qytet i Sigurt”, filloi, autoritetet morën në konsideratë shtyrjen e datës së fillimit kur, në vend të paralajmërimeve, do të fillojnë të dërgohen gjoba për tejkalim shpejtësie dhe kalim të semaforit të kuq.

Kjo sinjalizon se Ministria e Brendshme ka nevojë për më shumë kohë për të testuar dhe kalibruar sistemin, ekipi i së cilës testoi sistemin dhe zbuloi disa mospërputhje.

Përveç vonesës, përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme njoftuan ditët e fundit se po shqyrtojnë edhe njëfarë tolerance në lidhje me shpejtësinë, domethënë, të mos penalizohen shoferët që ngasin 52 ose 53 kilometra në orë në një zonë urbane.

❌