Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

S`kanë të ndalur ndryshimet e trajnerëve në Serinë A, zyrtarizohet shkarkimi i dytë brenda fundjavës

✇Albeu
By: V K

Rezultatet e kësaj jave në Serinë A, kanë bërë që të shkarkohen brenda pak ditësh dy trajnerë të klubeve të elitës.

Fillimisht ishte Piza që shkarkoi nga drejtimi Alberto Xhilardinon, si pasojë e humbjes së kësaj skuadre ndaj Sasuolos në shtëpi me shifrat 1-3.

Klubi është në kërkim të trajnerit të ri dhe një nga alternativat është Marko Xhampaolo.

Ndërkohë, sot erdhi vendimi edhe për trajnerin e Veronës, Paolo Zaneti. Klubi bëri të ditur se kishte shkarkuar trajnerin pas humbjes së rëndë 4-0 të pësuar në fushën e Kaljarit.

Ekipi i është besuar përkohësisht trajnerit të të rinjve, Paolo Samarko, në pritje të akordit me një emër tjetër për të marrë drejtimin e tij.

The post S`kanë të ndalur ndryshimet e trajnerëve në Serinë A, zyrtarizohet shkarkimi i dytë brenda fundjavës appeared first on Albeu.com.

Debate në seancën paraprake të Veliajt/ Avokatja kërkon kohë për t’u njohur me aktet e dosjes, kryebashkiaku kërkon përjashtimin e saj! Çfarë ndodhi në sallën e gjyqit

✇Albeu
By: V K

Këtë të hënë, seanca paraprake gjyqësore për çështjen që lidhet me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj,  është shoqëruar me debate.

Gjatë seancës, avokatja e caktuar kryesisht, Valentina Teodoresku, ka kërkuar sërish kohë për t’u njohur me aktet e dosjes, duke argumentuar se nuk ka pasur mundësi të plotë për shqyrtimin e materialeve proceduriale.

Nga ana tjetër, avokati i Veliajt, Artan Gjermeni, ka kërkuar që gjykata të marrë një vendim të qartë lidhur me atë se kush duhet të paraqesë konkluzionet përfundimtare, avokatja kryesisht apo avokati i zgjedhur më herët nga vetë Veliaj.

Gjermeni ka theksuar se, ndonëse mandati i tij është revokuar nga klienti, ai mbetet i detyruar procedurialisht të paraqitet në gjykatë deri në momentin që avokatja kryesisht të marrë zyrtarisht funksionet.

Pas debateve mes palëve, prokuroria ka kërkuar që procesi të vijojë me dhënien e konkluzioneve përfundimtare. Në këtë moment, avokati Artan Gjermeni është larguar nga salla e gjyqit.

Pas daljes së Gjermenit nga ambientet e gjykatës, është larguar edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili ka kërkuar përjashtimin e trupit gjykues, si edhe të avokates kryesisht, Valentia Teodoresku.

The post Debate në seancën paraprake të Veliajt/ Avokatja kërkon kohë për t’u njohur me aktet e dosjes, kryebashkiaku kërkon përjashtimin e saj! Çfarë ndodhi në sallën e gjyqit appeared first on Albeu.com.

Plagosja e 30-vjeçarit në Lezhë/ Zbulohet emri i personit që dyshohet se ishte shënjestra, nip i Ardian Nikulajt

✇Albeu
By: V K

Të tjera detaje janë bërë publike në lidhje me atentatin e një natë më parë në Lezhë, ku nga breshëria e plumbave mbeti i plagosur Sokol Daci 30 vjeç, pronar i një berberhane.

Gazetarja Klodiana Lala raporton se nga hetimet e deritanishme rezulton se 30-vjeçari nuk është shënjestër e sulmit, ndërsa në berberhane ndodheshin edhe 4 persona të tjerë, ndër ta edhe Merando Nikulaj, nipi i Ardian Nikulajt, i cili dyshohet të ketë qenë shënjestra e atentatit.

Deri në këto momente Nikulaj nuk është shoqëruar dot, për t’u marrë në pyetje, ndërsa policia po ushtron kontrolle në disa biznese dhe banesa, për ta shoqëruar dhe marrë në pyetje.

Ka dyshime të forta që 21-vjeçari Merando Nikulaj mund të jetë plagosur, për shkak se teksa largohej ai shfaqet në kamerat e sigurisë duke ecur me vështirësi.

The post Plagosja e 30-vjeçarit në Lezhë/ Zbulohet emri i personit që dyshohet se ishte shënjestra, nip i Ardian Nikulajt appeared first on Albeu.com.

BIRN: Vizita e Ivanka Trump rindez konfliktin e pronësisë për Zvërnecin

✇Albeu
By: V K

Planet për ndërtimin e një resorti luksoz nga familjarët e presidentit amerikan, Donald Trump, në zonën piktoreske të Zvërnecit po anashkalojnë banorët e zonës dhe të drejtat e tyre të pronësisë, ndërkohë që po përballen në një konflikt të gjatë gjyqësor me biznesmenin kontrovers, Artur Shehu.

Vladimir Karaj | BIRN

Përgjatë dy ditëve të vrenjtura më 21 dhe 22 janar, zona piktoreske e Zvërnecit buzë lagunës së Nartës në Vlorë u kthye në tokën e Ivanka Trump – vajzës së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Fshati u rrethua nga forca të shumta policie, ndërkohë që Trump e shoqëruar nga një grup i madh arkitektësh dhe biznesmenësh, u filmuan teksa lëviznin me një eskortë makinash të larta nëpër zonë.

Ivanka Trump vizitoi dy herë gjatë qëndrimit manastirin e vjetër të Shën Mërisë në ishullin e Zvërnecit, ku bëri foto dhe ndezi qirinj.

Ajo u takua gjithashtu disa herë me kryeministrin Edi Rama, me të cilin u filmua edhe gjatë një darke.

Por stacioni kryesor ishte plazhi me rërë të bardhë i Porta Novës, ku grupi ngriti çadra dhe shpenzoi shumicën e kohës.

Megjithatë, banorët e fshatit të Zvërnecit i ndoqën ngjarjet nga televizori.

“Nuk u thirr njeri”, thotë me zemërim Kostaq Konomi, kryeplaku i fshatit Zvërnec. “Ata qëndruan dy-tre ditë atje, por nuk të linin të afroheshe”.

Komuniteti i vogël i Zvërnecit jeton prej vitesh nën tensionin e humbjes së pronave për shkak të një konflikti të gjatë gjyqësor me Artur Shehun – një biznesmen kontrovers i pasurive të patundshme në Vlorë, i cili jeton prej dy dekadash në Florida të Shteteve të Bashkuara.

Por planet e dhëndrit të presidentit Trump, Jared Kushner dhe bashkëshortes së tij, Ivanka Trump për ndërtimin e një resorti luksoz në Zvërnec, e kanë sjellë këtë rrezik më afër.

Banorët e fshatit të Zvërnecit, të cilët pretendojnë se janë pronarë të tokës mbi të cilën po planifikohet të bëhet investimi, ankohen se po përjashtohen nga çdo informacion dhe vendimmarrje.

“Pse kjo heshtje këtu, nuk e di çfarë bëhet? Këtu lë shumë dyshim, lë shumë dyshim”, tha Konomi, duke ironizuar edhe mediat që në orë të tëra transmetimi televiziv, askush nuk i përmendi banorët e zonës që e kanë lidhur jetën me tokën.

I pyetur nga BIRN për projektin e Kushner dhe Ivanka Trump në Zvërnec, kryeministri Edi Rama, tha përmes një zëdhënësi se qeveria nuk ishte e përfshirë.

“Zona në fjalë është pronë private dhe qeveria s’është palë në asnjë marrëveshje”, tha kryeministri përmes zyrës së shtypit.

“Projekti do të trajtohet si të gjithë projektet e tjerë që kalojnë në rrugën institucionale deri në pajisjen me leje”, shtoi ai.

Edhe ministri i Turizmit, Blendi Gonxhe, tha se ministria e tij nuk ishte e përfshirë në planet e Kushner për të ndërtuar në Shqipëri.

Të pyetur nga BIRN mbi konfliktin e pronësisë, përfaqësuesit e kompanisë së Kushner nuk u përgjigjën deri në publikimin e këtij shkrimi.

Projekti mbi tokën e kontestuar
Projektet e Jared Kushner dhe Ivanka Trump në Shqipëri përfshijnë një resort ultra-luksoz në ishullin e Sazanit dhe një kompleks të dytë turistik në zonën e Zvërnecit.

Projekti i Sazanit u bë zyrtar në fund të vitit 2024, kur pak para se Donald Trump të inaugurohej për herë të dytë president i SHBA-së, qeveria e kryeministrit Edi Rama i dha atij statusin e investitorit strategjik.

Megjithatë, interesi kryesor duket se është devijuar drejt Zvërnecit, pavarësisht se projekti nuk ka kaluar ende nëpër hallkat burokratike të miratimit.

Sipas projektit të bërë publik, resorti parashikohet të shtrihet nga plazhi i Dajlanit drejt atij të Porta Novës, rreth një ligatine dhe një pylli të dendur në kufi me lagunën e mbrojtur të Nartës.

Pak ditë përpara vizitës së Ivanka Trump në Vlorë, banorët e Zvërnecit u alarmuan nga një njoftim i Kadastrës së Vlorës.

Sipas dokumenteve që BIRN i disponon, Artur Shehu kishte bërë një kërkesë të re në Kadastër për t’u pajisur me “dublikatë” certifikate pronësie për një pasuri pylli prej 51,944 m² – tokë e cila shtrihet sipas banorëve në gjurmët e projektit dhe që ndodhet në proces gjyqësor. Në kërkesë, Shehu pretendonte se dokumenti kishte humbur.

Sipas kryeplakut Konomi, kjo kërkesë nuk ishte thjesht një procedurë administrative, por sinjali i radhës se konflikti i vjetër me banorët e zonës po hynte në një fazë të re, për shkak të interesit për investimet luksoze në zonë.

Konomi dhe një tjetër banor iu drejtuan Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, duke kërkuar refuzimin e kërkesës së Shehut për shkak se prona ndodhej në një konflikt gjyqësor.

“Pasuria e pretenduar nga shtetasi Artur Shehu është pronë e banorëve të fshatit Zvërnec, të cilën e kanë përfituar atë nëpërmjet ligjit nr. 7501, datë 19.07.1991, ‘Për tokën’,” shkruajnë ata.

Çështja e tokave në Zvërnec, që përfshijnë kullota, ullishta, toka bujqësore dhe sipërfaqe djerrë buzë detit, është një konflikt që ilustron amullinë në të cilën ndodhet e drejta e pronës në Shqipëri prej vitesh.

Banorët e kanë përfituar atë në bazë të ligjit 7501 dhe disponojnë aktet e marrjes së tokës në përdorim, AMTP, por Konomi thotë se shumica u kujdes që ndarjet pas viteve ’90 të shkonin sipas kufijve të vjetër.

“Unë mora ullinjtë e babait tim,” thotë ai në oborrin e shtëpisë së tij në Zvërnec.

Në vitin 2012, banorët mësuan se e njëjta tokë u ishte njohur edhe trashëgimtarëve të familjes Shehu, me Artur Shehun si një nga përfituesit.

Të alarmuar, banorët e Zvërnecit u bënë bashkë dhe bënë padi në Gjykatë. Katërmbedhjetë vjet më vonë, ata janë ende në proces gjyqësor, pasi çështja është rikthyer disa herë për rigjykim.

Konflikti i stërzgjatur civil për pronësinë nuk është i vetmi.

Për tokat në Zvërnec ka një seri procesesh penale të nisura nga prokuroritë e Vlorës dhe Tiranës me të dyshuar ish-përfaqësuesin ligjor të Shehut, të cilat janë gjithashtu ende në shqyrtim nëpër gjykata. Sipas një vendimi të Gjykatës së Lartë, njëri prej dokumenteve të përdorura nga familja Shehu është provuar si i falsifikuar.

Për banorët, vizita e Trump dhe e arkitektëve në Zvërnec nuk do të ishte një lajm i zymtë nëse pronat do t’u njiheshin atyre.

“Le të vijnë të investojnë, do hapin punë për rininë,” thotë një burrë rreth të 60-ave, i cili këmbëngul gjithashtu që investimi të mos jetë zaptues.

Edhe Konomi shprehet i habitur se si banorët që jetojnë prej shekujsh në këtë zonë nuk llogariten.

“Diskutohet Zvërneci, Zvërneci, Zvërneci, Zvërneci dhe askush nuk e përmend që ka ca njerëz aty, që ka një konflikt prone që vijon prej vitit 2006,” tha ai.

Shqetësime mjedisore
Përtej konflikteve të pronësisë, projekti i Kushner në Zvërnec përballet me kundërshti dhe kritika nga aktivistët mjedisorë, të cilët janë të shqetësuar për ndikimin që ai do të ketë mbi zonën e mbrojtur dhe lagunën e Nartës – një prej habitateve më të rëndësishme për jetën e shpendëve të egër në Europë.

 

 

Sipas Taulant Binos, drejtues i organizatës mjedisore AOS, projekti rrezikon të dëmtojë zonën më të brishtë të litoralit në Pishë Poro-Nartë si dhe Deltën e Vjosës.

“Zvërneci është një nga zonat më të ndjeshme bregdetare në vend. Gjeologji e brishtë, lagunë, dunë, shkëmbinj dhe plazhe të paprekura”, thuhet në një deklaratë të AOS.

Bino ngre dyshime se ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura kishin për qëllim ngritjen e resorteve të tilla brenda tyre, të cilat me ligjin e mëparshëm e kishin të pamundur për t’u realizuar.

“Ky vendim tregon se pse u miratuan ndryshimet e ligjit për zonat e mbrojtura. Që t’i hapej rrugë çfarëdo lloj investimi, në çfarëdo lloj territori të zonës së mbrojtur, dhe aq më tepër në zonat e peizazhit të mbrojtur, sikurse Pishë Poro-Nartë”, tha ai.

Për Binon, ky është një precedent që do të sjellë tjetërsimin e të gjithë bregdetit.

“Investimi në Zvërnec është vetëm një hap për të urbanizuar gjithë bregdetin shqiptar, sepse sikurse ndodh në Zvërnec, me të njëjtën teori do të ndodhë edhe në zona të tjera të mbrojtura të Shqipërisë, e në gjithë bregdetin shqiptar”, tha ai.

I pyetur nga BIRN për shqetësimet e ngritura nga organizatat mjedisore, kryeministri Rama tha përmes një zëdhënësi se i shihte ato si shprehje të lirisë.

“Kryeministri vlerëson çdo kundërshti si shprehje e lirisë së gjithkujt për të pasur opinionin e vet”, thuhet në përgjigjen e zyrës së shtypit.

The post BIRN: Vizita e Ivanka Trump rindez konfliktin e pronësisë për Zvërnecin appeared first on Albeu.com.

I doli emri te dosjet e reja të Epsteinit, Lord Mandelson jep dorëheqjen nga Partia Laburiste

✇Albeu
By: V K

Lord Mandelson, ka dhënë dorëheqjen nga anëtarësimi në Partinë Laburiste, duke deklaruar se nuk dëshiron të dëmtojë më tej reputacionin e partisë për shkak të lidhjeve të tij të mëparshme me Jeffrey Epstein, pedofil i dënuar dhe financier amerikan.

Lajmi është raportuar nga BBC, pas publikimit të dokumenteve të reja nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.

Në dosjet e publikuara, emri i Mandelson përmendet në lidhje me tre pagesa financiare prej 25 mijë dollarësh secila, të kryera nga Epstein gjatë viteve 2003 dhe 2004.

Mandelson ka mohuar çdo dijeni për këto pagesa, duke thënë se nuk i kujtohen dhe se pretendimet i konsideron të pavërteta, megjithatë është shprehur se do të ndërmarrë verifikime personale për këtë çështje.

Në letrën e dorëheqjes drejtuar Partisë Laburiste, ish-zyrtari i lartë laburist ka shprehur keqardhje të thellë për marrëdhënien e tij me Epstein, duke kërkuar falje veçanërisht ndaj grave dhe vajzave, zërat e të cilave, sipas tij, nuk u dëgjuan në kohën e duhur.

Ai theksoi se vendimi për t’u larguar është marrë për të mbrojtur interesin e partisë.

Publikimi i dokumenteve ka shkaktuar reagime të forta në skenën politike britanike. Deputetë nga radhët e laburistëve e kanë cilësuar dorëheqjen si një hap të nevojshëm, ndërsa opozita konservatore ka kritikuar kryeministrin Keir Starmer, duke pretenduar se duhej të kishte vepruar më herët. Udhëheqësja e Partisë Konservatore, Kemi Badenoch, ka kërkuar gjithashtu hapjen e një hetimi.

Lord Mandelson, i cili ka mbajtur poste të rëndësishme në qeveritë laburiste dhe ka shërbyer si ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Shtetet e Bashkuara, u largua nga posti diplomatik vitin e kaluar pikërisht për shkak të lidhjeve të tij me Epstein.

Dokumentet e publikuara përfshijnë gjithashtu emaile dhe materiale të tjera ku përmendet emri i tij, megjithatë autoritetet amerikane kanë sqaruar se përfshirja në dosje nuk përbën automatikisht provë për ndonjë shkelje penale.

Jeffrey Epstein vdiq në burg në vitin 2019, ndërsa priste gjyqin për akuza për trafikim seksual.

The post I doli emri te dosjet e reja të Epsteinit, Lord Mandelson jep dorëheqjen nga Partia Laburiste appeared first on Albeu.com.

Aksident në Vlorë/ Kamioni del nga rruga te “Uji i Ftohtë”, plagoset rëndë shoferi (VIDEO)

✇Albeu
By: V K

Ditën e sotme, një kamion ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në zonën e plazhit, në vendin e njohur si Kalaja, në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se automjeti ka humbur kontrollin për shkak të shpejtësisë, ose një defekti në sistemin e frenimit.

 

 

Si pasojë e aksidentit, shoferi i kamionit është plagosur rëndë dhe është transportuar menjëherë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

 

 

Disa qytetarë të ndodhur rastësisht bashkë me forcat e policisë rrugore dhe ato “Shqiponja”, i dhanë ndihmën e parë shoferit të plagosur nga aksidenti.

 

 

“Ne thamë se u bë ndonjë karambol i madh. Ishte aksident i rëndë, shumë i rëndë. E pashë që e morën dhe ishallah shpëton. Ishte shumë e frikshme si ngjarje, por them se do shpëtojë. Po të kishte më shumë njerëz do bënte dëm të madh, do kishin vdekur shumë njerëz”, shprehen dy nga qytetarët dëshmitarë (foto poshtë) të ngjarjes.

 

 

Në vendngjarje ndodhen forcat e Policisë Rrugore dhe shërbimi zjarrfikës (foto poshtë), të cilët po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të aksidenti.

 

 

The post Aksident në Vlorë/ Kamioni del nga rruga te “Uji i Ftohtë”, plagoset rëndë shoferi (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Akuza për shpërdorim detyre, SPAK çon në gjyq kryetarin e Bashkisë së Tropojës

✇Albeu
By: V K

SPAK ka kaluar për gjykim çështjen e Rexhë Byberajt, kryetari i bashkisë Tropojë. Gazetarja lodiana Lala, raporton se Byberaj dyshohet se ka shpërdoruar më shumë se një herë detyrën, ai do të përballet me togat e Gjykatës së Posaçme.

Sipas SPAK ai ka kryer veprime dhe mosveprime në mospërmbushje të rregullt të detyrës, gjatë procesit për hapjen e rrugëve, sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak.

Krimin e dyshuar ai e ka kryer në bashkëpunim me numrin dy të tij Abedin Kërrnaja.

The post Akuza për shpërdorim detyre, SPAK çon në gjyq kryetarin e Bashkisë së Tropojës appeared first on Albeu.com.

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, Balla tregon qëndrimin e mazhorancës: Kuvendi është palë në Gjykatën Kushtetuese, presim vendimin e saj

✇Albeu
By: V K

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, përsëriti qëndrimin se derisa Gjykata Kushtetuese të dalë me një vendim për Ballukun, nuk do të mblidhet Këshilli i Mandateve.

Balla deklaroi se Kuvendi është palë në Gjykatën Kushtetuese dhe nuk mund të mbajnë një qëndrim pa folur ky institucion i drejtësisë.

“Po rikujtoj një diskutim që kemi bërë në Këshillin e Mandateve që kam 100% të drejtë. Sa kohë kuvendi është palë në Gjykatën Kushtetuese në këtë çështje duhet të presë vendimin e GJK. Në vlerësimin tim ky është qëndrimi”, tha Balla për çështjen Balluku.

Kujtojme që përfaqësuesit e opozitës akuzojnë kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi se në shkelje të Rregullores së Kuvendit, po i ofron mbrojtje politike zv.kryeministres Belinda Ballukut, duke shtyrë pa afat mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

Peleshi shtyu mbledhjen me justifikimin se vendimi i Kuvendit për dhënien e autorizimit Prokurorisë së Posaçme, SPAK, për arrestimin e Ballukut varet nga vendimi që do të marrë Gjykata Kushtetuese për një masë tjetër ndaj saj të dhënë nga Gjykata e Posaçme.

The post SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, Balla tregon qëndrimin e mazhorancës: Kuvendi është palë në Gjykatën Kushtetuese, presim vendimin e saj appeared first on Albeu.com.

Aktori Mehdi Malkaj rrëfen mes lotësh dhimbjen më të madhe të jetës…

✇Albeu
By: V K

Aktori i njohur Mehdi Malkaj, teksa ishte i ftuar në “Grida Duma Podcast”, bëri një rrëfim yë sinqertë dhe pa filtra për betejën e gjatë dhe të dhimbshme të djalit të tij me drogën.

Pa dramatizime dhe pa viktimizim, aktori i madh foli si baba, me fjalë të thjeshta dhe të vërteta që peshojnë rëndë.

“Gjënë time më të bukur dhe më të lumtur të kësaj kohe e kam momentin kur u vërtetua që u fitua një betejë nga djali”, thotë Malkaj, duke e quajtur këtë fitore më të madhe se çdo sukses personal apo profesional.

Ai rrëfen se djali ishte vetëm 15-vjeç kur provoi për herë të parë drogën, në një kohë kur askush nuk e kuptonte realisht çfarë ishte dhe sa shkatërruese mund të bëhej.

“Adoleshentët bien në dashuri me atë që shohin, jo me atë që është”, shprehet ai, duke e përshkruar varësinë si një dashuri të rreme që zgjati më shumë seç duhej.

Malkaj flet hapur për netët pa gjumë, për kërkimet e pafundme në rrugët e Tiranës bashkë me bashkëshorten, për përpjekjet për të qenë shok i djalit dhe jo thjesht prind autoritar. Një rrugë e gjatë, e lodhshme dhe plot pasiguri, ku asgjë nuk ishte e garantuar.

Një nga momentet më prekëse të rrëfimit lidhet me marrëdhënien mes vëllait dhe motrës. Sipas Malkajt, dashuria e motrës u kthye në një dritë të fortë shprese dhe shërimi për djalin.

“Ai tani është gjithë jetë, gjithë dritë. Ka sjellë dritë, gëzim, hare në shtëpi”, thotë ai, duke kujtuar edhe pushimet e para familjare pas shumë vitesh, ku djali ishte në timon, serioz dhe korrekt.

“Mua me bën përshtypje tani dashuria që ka me motrën. I thotë ajo më ke borxh 10 puthje”,– tha ai duke përshkruar lidhjen mes motrës e vëllait.

Në fund, Mehdi Malkaj përcjell një mesazh të fortë dhe të rrallë për mënyrën si flitet për drogën.

“Mos mallkoni kurrë ‘u paça fëmijët me drogë’. Është luftë e madhe, shumë e madhe. Unë jam një sy e veshë andej e një sy këtej. Nuk i dihet asnjëher”, thotë ai, duke pranuar se vigjilenca nuk mbaron kurrë, por duke besuar se dashuria, familja dhe koha mund të bëjnë mrekulli.

“Me gruan time i kemi larë rrugët e Tiranës. Tërë natën me idene se do ta gjenim djalin, nuk e gjenim, vinte vetë”,– tha në një moment të podcastit Malkaj.

The post Aktori Mehdi Malkaj rrëfen mes lotësh dhimbjen më të madhe të jetës… appeared first on Albeu.com.

Berisha në SPAK/ Lexon mesazhin për Dumanin: Avokati i Irenës me 5 mbiemra amnistoi krimin zgjedhor!

✇Albeu
By: V K

Këtë të hënë, ish-kryeministri i vendit njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme, SPAK, në zbatim të masës “detyrim paraqitje” të caktuar ndaj tij për dosjen Partizani.

Jashtë SPAK, Berisha lexoi për mediat edhe mesazhin që la brenda prokurorisë, për prokurorin Altin Dumani, teksa e ka akuzuar për mbrojtje të krimit zgjedhor.

Sipas Berishës, ai është “mercenar i partisë-shtet”, dhe avokat i gjyqtares Irena Gjoka, e cila akuzohet për fshehje të dënimit në Greqi.

“Pojës së Skapit dhe avokatit të Irenës me 5 mbiemra, njeriut që amnistoi krimin zgjedhor, si mercenar i partisë-shtet, i rikujtoj se drejtësia vonon, por nuk harron. Kush e do këtë ta ketë në arkivën e vet të denoncimit të një delinkuenti të narko-shtetit shqiptar”, tha Berisha.

The post Berisha në SPAK/ Lexon mesazhin për Dumanin: Avokati i Irenës me 5 mbiemra amnistoi krimin zgjedhor! appeared first on Albeu.com.

Ina Bello largohet nga drejtimi i Tatimeve të Durrësit për performancë të dobët

✇Albeu
By: V K

Performanca e dobët në punë, ka sjellë shkarkimin nga detyra të Ina Bellos, drejtoreshës së Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Durrës.

Ky vendim lidhet me performancën e dobët në drejtimin e institucionit dhe me mosrealizimin e objektivave të vendosura nga administrata qendrore tatimore.

Drejtoria Rajonale e Tatimeve në Durrës, konsiderohet një nga strukturat më të rëndësishme në vend, për shkak të volumit të lartë të aktivitetit ekonomik dhe peshës që ka në mbledhjen e të ardhurave buxhetore.

Pikërisht për këtë arsye, çdo problem në drejtimin e saj reflektohet drejtpërdrejt në rezultatet financiare dhe në funksionimin e administratës tatimore në terren.

Sipas burimeve, gjatë periudhës së drejtimit të Ina Bellos janë konstatuar mangësi në arritjen e treguesve të performancës, në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe në eficiencën e kontrolleve tatimore.

Këto elemente kanë çuar në vlerësimin se drejtoria nuk ka funksionuar në nivelin e pritshëm. Largimi i saj vjen në një kohë kur administrata tatimore është nën presion për të rritur të ardhurat, për të luftuar informalitetin dhe për të garantuar trajtim të barabartë për biznesin.

Në këtë kontekst, ndryshimet në drejtimin e strukturave rajonale shihen si pjesë e një procesi më të gjerë riorganizimi dhe rritjeje të kontrollit mbi performancën e drejtuesve.

Burimet thanë se Ina Bello u katapultua si drejtoreshë Tatimesh në Durrës, pasi u keqpërdor për të goditur biznese të caktuara.

Bello i shërbeu eprorëve të saj, duke keqpërdorur funksionin si inspektore e Tatimeve VIP dhe për këtë keqpërdorje u shpërblye me postin e drejtoreshës së Tatimeve në Durrës.

Por, mesa duket, shërbimi dhe keqpërdorja nuk ishin të mjaftueshme për t’i garantuar asaj jetëgjatësi në këtë detyrë.

The post Ina Bello largohet nga drejtimi i Tatimeve të Durrësit për performancë të dobët appeared first on Albeu.com.

Moti i keq Korçë, qindra familje mbeten pa energji elektrike

✇Albeu
By: V K

Moti i keq në Korçë, ka krijuar probleme në furnizimin me energji elektrike të qindra familjeve. OSHEE bën me dije se Fideri 5 i Nënstacionit Bilisht është pjesërisht në punë, ndërsa 642 familje rurale vijojnë të jenë pa energji elektrike në zonat Vidohovë, Miras, Qytezë, Cëte, Sinicë dhe Arzë.

Ekipet e OSHEE-së ndodhen në gatishmëri dhe po ndjekin nga afër situatën në terren për riparimin e defekteve të evidentuara.

Bëhet e ditur se të gjithë fiderat që furnizojnë konsumatorët e rëndësisë së veçantë janë në gjendje normale pune.

Ndërkohë, Hidrovori i Pogradecit furnizohet nga Fideri (8–18) Përpunim Druri, Nënstacioni Pogradec, dhe funksionon normalisht.

Nga ana tjetër, ARRSH – Drejtoria Qendër-Lindje raporton se nuk ka problematika në akset rrugore kombëtare dhe turistike, ndërsa qarkullimi vijon normalisht. Subjektet kontraktore janë në gatishmëri për çdo situatë të mundshme.

Edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore nuk raportojnë problematika në territor.

The post Moti i keq Korçë, qindra familje mbeten pa energji elektrike appeared first on Albeu.com.

Vrasja e biznesmenit Mondi Mëhalla/ Merret sërish në pyetje i vëllai: Ja me cilin kishte konflikt…

✇Albeu
By: V K

Nga; Elton Qyno

Aldo Buzhani, vëllai i Mondi Mëhallës, është marrë në pyetje për herë të dytë lidhur me vrasjen e ndodhur më 30 nëntor 2025 në qytetin e Elbasanit.

Buzhani ka dhënë shpjegime para grupit të hetimit lidhur me konfliktet e mundshme që ka pasur vëllai i tij, Mondi.

Mësohet se Buzhani ka treguar se me ortakun e tij, Xhino Ago, që sot vijon të qëndrojë në burg, Mondi Mëhalla, nuk ka pasur asnjë konflikt dhe, për pasojë, e ka përjashtuar nga dyshimet e tij se Ago mund të ketë marrë pjesë.

Për më tepër, Aldo Buzhani dhe motra e tij kanë dorëzuar në Prokurorinë e Elbasanit edhe deklarata noteriale, duke sqaruar pozicionin e ortakut në biznes të Mondi Mëhallës, Xhino Ago.

Buzhani ka pohuar para noterit se:…deklaroj me përgjegjësi morale dhe para autoriteteve se marrëdhënia me Xhino Agon ka qenë dhe është shumë e mirë. Ne e konsiderojmë si vëllain tonë. Kisha dy vëllezër, tani kam një vëlla: Xhinon…”.

Ndërsa motra e viktimës, Brunilda Mëhalla, ka pohuar:

“…Unë, Brunilda Mëhalla, deklaroj se Xhino Ago, ortaku i vëllait tim, nuk ka pasur kurrë konflikte me askënd. Marrëdhënia jonë familjare me të është shumë e mirë. Ai është vëllai ynë. S’kemi asgjë kundër tij…”.

Ndërkohë, Buzhani ka folur për konfliktet që ka pasur vëllai i tij me Marselo Aranin, lidhur me dhënien me qira të disa automjeteve, që më pas, sipas dijenisë së tij, Mondi ka diskutuar për marrjen e dy vilave në Tiranë, por edhe ato rezultuan me probleme.

Hetimet për këtë çështje janë duke vijuar me ripyetjen edhe të disa personave të tjerë, ndërsa të arrestuar për këtë ngjarje të rëndë, aktualisht Prokuroria e Elbasanit mban të izoluar në burg Nevzat alias Nevi Spahon nga Prenjasi, punonjësin e karburantit Kujtim Pisha, si dhe ortakun e Mëhallës, Xhino Agon.

Ndërsa në kërkim vijojnë të jenë elbasanlliu Marselo Arani dhe shoku i këtij të fundit nga Laçi, shtetasi Armando Kola.

Lidhur me këtë çështje, Nevzat Spaho, që dyshohet se ka marrë pjesë direkt në vrasjen e Mondi Mëhallës, nuk e ka pranuar në asnjë moment akuzën, duke pretenduar rrethana të tjera./ Syri.net

The post Vrasja e biznesmenit Mondi Mëhalla/ Merret sërish në pyetje i vëllai: Ja me cilin kishte konflikt… appeared first on Albeu.com.

Goditi me fishekzjarr portierin që fitoi titullin e 20-të me Interin, “gjeniu” zikaltër përfundon në spital dhe i vihen prangat

✇Albeu
By: V K

Ngjarja e rëndë në Serinë A, ku u godit me fishekzjarr portieri i Kremonezes, Emil Audero, ka bërë xhiron e rrjetit.

Fishekzjarri i lëshuar nga tribuna e ultrasve të Interit i shpërtheu në këmbë portierit, duke i shkaktuar një plagë në kofshë e probleme në dëgjim.

Por ai vendosi të qëndronte në fushë dhe kështu shpëtoi zikaltrit nga një humbje e mundshme e ndeshjes në tavolinë.

Një gjest i pakuptimtë nga tifozët e Interit, duke kujtuar se Audero dy vite më parë ishte pjesë e zikaltërve e festoi me ta titullin e 20-të kampion në Itali.

Ndërkohë, është bërë e ditur se policia ka identifikuar dhe arrestuar autorin e këtij veprimi. Tifozi i Interit, kishte tentuar të bënte pak çaste më vonë të njëjtën gjë me një tjetër fishekzjarr, por këtë radhë i kishte shpërthyer në dorë, duke humbur tre gishta.

Kësisoj, ai kishte përfunduar në spital ku i është dhënë fillimisht ndihma mjekësore, ndërsa më pas i janë vënë edhe prangat nga policia e cila ka nisur procedimin penal ndaj tij.

The post Goditi me fishekzjarr portierin që fitoi titullin e 20-të me Interin, “gjeniu” zikaltër përfundon në spital dhe i vihen prangat appeared first on Albeu.com.

Matura Shtetërore 2026/ Nis plotësimi i formularit A1, ja thirrja nga ministrja e Arsimit

✇Albeu
By: V K

Këtë të hënë, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, u është drejtuar maturantëve me një mesazh informues dhe motivues, duke bërë me dije se nga sot ka nisur procesi i plotësimit të formularit A1, përmes të cilit nxënësit përcaktojnë lëndët me zgjedhje për provimet e Maturës Shtetërore 2026.

Në fjalën e saj, ministrja theksoi rëndësinë e këtij vendimi, duke nënvizuar se zgjedhja e lëndëve ndikon drejtpërdrejt në orientimin akademik dhe studimet e mëtejshme.

Ajo u bëri thirrje maturantëve të mos e marrin këtë vendim në mënyrë të nxituar:

“Mendojeni mirë këtë vendim të rëndësishëm, këshillohuni me mësuesit tuaj dhe me prindërit, sepse zgjedhja që bëni sot do t’ju orientojë drejt fazës tjetër të studimeve tuaja”, u shpreh ministrja.

Ministrja informoi gjithashtu se për maturantët e viteve të mëparshme, aplikimi me formularin A1Z do të zhvillohet në datat 10–11 shkurt, ndërsa Drejtoritë Rajonale Arsimore, zyrat arsimore dhe shkollat janë në dispozicion për të ofruar asistencë gjatë gjithë procesit të aplikimit.

“Për ata që nuk janë maturantë të këtij viti, por të viteve të mëparshme, është formulari A1Z, i njohur edhe ky për të gjithë ata që ndjekin procesin. Por mirë është ta kujtojmë që për këtë të dytin, ka vetëm dy data në dispozicion. Kemi postuar dhe kemi bërë të njohur për të gjithë aplikuesit sipas drejtorive rajonale arsimore: Në datën 2,3 dhe 4 në Tiranë, Durrës dhe Fier. Në datën 5,6 dhe 9 në Korçë dhe në Lezhë do të jenë të gjithë në dispozicion për t’ju asistuar, për t’ju ndihmuar, që nga mësuesit, drejtuesit e shkollave, drejtuesit e zyrave arsimore dhe të drejtorive rajonale”, tha Kumbaro.

The post Matura Shtetërore 2026/ Nis plotësimi i formularit A1, ja thirrja nga ministrja e Arsimit appeared first on Albeu.com.

Rama për gjyqtarët: Duan rritje rroge deri në 3000 euro, absurditet, shpresoj që “Kushtetuesja” mos t’i lerë këtë njollë turpi Shqipërisë

✇Albeu
By: V K

Këtë të hënë, në një video live në “Facebook”, kryeministri i vendit Edi Rama, ka reaguar në lidhje me një kërkesë të gjyqtarëve që duan sipas tij, të rrisin pagat vetë.

Rama thotë se gjykatësit sot “janë vetë zot dhe vetë shkop”.

Gjithashtu, kryeministri theksoi se pagat e gjykatësve sot janë njësoj me pagat e gjykatësve në Greqi, një vend anëtar i Bashkimit të Evropës dhe me të larta se pagat e gjykatësve në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

“GJK publikoi para pak ditësh regjistrimin e seancës ku gjykatësit, dy shoqata gjykatësish edhe ato me probleme ligjore, kërkuan nga GJK që tju rrisë pagat. Tani, po ta dëgjosh atë regjistrimin të publikuar nga seanca, ndihesh në vështirësi të madhe duke menduar që këta janë njerëzit që gjykojnë dhe japin drejtësi, ndërkohë që filli i logjikës së atyre që u ballafaquan me GJK lë tejet për të dëshiruar. Këtu nuk është cështje personash. Në Shqipëri pagat e gjykatësve sot sic janë, janë të njëjta me pagat e gjykatësve në Greqi dhe janë dyfish më të larta sesa pagat e gjykatësve në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi”, tha Rama.

Rama u kujtoi gjykatësve se me reformën në drejtësi i respektuan jo vetëm me pagat, por i bënë edhe të pavarur në vendimmarrjen e tyre.

Sipas tij, është absurde që të kërkohet rritje rroge nga 1800 deri në 3000 euro. Ndërsa në këtë iniciativë tha se bëjnë përjashtim gjykatësit e SPAK.

“I ngritën mbi presidentin dhe mbi gjithë të tjerët për ti dhënë një sinjal të vullnetit për të pasur jo vetëm një drejtësi të pavarur, por edhe gjykatës që të ndihen të respektuar, duke marrë paga super, ky thotë ta bëjmë tani përgjithmonë. Pra Shqipëria të mbetet i vetmi vend përjetësisht ku gjykatësit të marrin paga më të larta se të tjerët, mbi presidentin. Çfarë kërkojnë gjykatësit? 1800 euro rritje për gjyqtarin e shkallës së parë, 2000 euro rritje për gjyqtarin e Apelit dhe rreth 3000 mijë euro rritje për gjykatësit e SPAK-ut, plus BKH. Duhet thënë në fakt që SPAK nuk i është bashkuar kësaj iniciative absurde dhe kjo i bën respekt. Këtu jemi. Jemi në një situatë kur gjykatësit duan të imponohen mbi parlamentin, mbi qeverinë dhe dy pushtetet e tjera dhe duan të marrin rroga sipas mendimit të tyre”, tha kryeministri.

Kreu i qeverisë tha se shpreson që, “Gjykata Kushtetuese mos t’ia lërë këtë njollë të madhe turpi Shqipërisë dhe të mos na bëjë të kërkojmë ilaçe të tjera”.

 

The post Rama për gjyqtarët: Duan rritje rroge deri në 3000 euro, absurditet, shpresoj që “Kushtetuesja” mos t’i lerë këtë njollë turpi Shqipërisë appeared first on Albeu.com.

Mbeti i plagosur në Lezhë/ Ky është 30-vjeçari Sokol Daci, është transportuar në Spitalin e Traumës

✇Albeu
By: V K

Personi që shihni në foto është 30-vjeçari Sokol Daci, i cili një ditë më parë mbeti i plagosur nga breshëria e plumbave në Rrilë të Lezhës.

Sipas informacioneve, i riu ndodhet në gjendje stabel. Mësohet se 30-vjeçari ka tre plagë, një në shpatull, një në bark dhe një në këmbë.

Ngjarja e rëndë ndodhi brenda një berberhane në pronësitë e 30-vjeçarit Daci.

Po ashtu, bëhet e ditur se kur ndodhi ngjarja, brenda ishin disa persona, mes tyre edhe një efektiv policie dhe një anëtar i fisit Nikulaj. Polici në dëshminë e tij ka deklaruar se nuk i ka parë autorët.

Pas ngjarjes autori/ autorët janë larguar në drejtim të paditur, ndërsa policia dhe grupi hetimor po punojnë për identifikimin dhe kapjen e tyre.

Njoftimi:

Lezhë/Informacion paraprak

Rreth orës 21:00, salla operative e DVP Lezhë është njoftuar se në qendër të fshatit Rrilë, Lezhë, ka ndodhur një plagosje me armë zjarri.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore, ku ka rezultuar se ka mbetur i plagosur shtetasi S. D., 30 vjeç, banues në Rrilë. I plagosuri është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi S. D. ndodhej në biznesin e tij në momentin kur është qëlluar me armë zjarri.

Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po kryejnë krehjen e zonës, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

The post Mbeti i plagosur në Lezhë/ Ky është 30-vjeçari Sokol Daci, është transportuar në Spitalin e Traumës appeared first on Albeu.com.

FMN: Shqipëria e 85-ta në botë për të ardhurat për frymë sipas fuqisë blerëse, nga fundi i Europës

✇Albeu
By: V K

Shqipëria renditet e 83-ta në botë për të ardhurat për frymë në dollarë dhe e 85-ta në treguesin tjetër më të rëndësishëm, të ardhurat për frymë sipas standardit të fuqisë blerëse, për vitin 2025.

Të dhënat janë bërë të ditura në data basë e FMN-së. Për të dy treguesit, Shqipëria renditet ndër të fundit në Europë.

Treguesi i të ardhurave për frymë në raport me madhësinë e ekonomisë, në vitin 2025 ka arritur në 11 mijë dollarë, sipas të dhënave të FMN-së. Me këto nivele, Shqipëria ia ka kaluar Maqedonisë së Veriut (10,377 USD) dhe Bosnjë-Hercegovinës (9467), kur disa vite më parë renditej pas tyre.

Ndërkohë, shteti më i varfër i Europës vijon të mbetet Kosova (8033 USD për frymë). Shqipëria është favorizuar vitet e fundit nga nënçmimi i Euros dhe Dollarit, duke rritur automatikisht të ardhurat për frymë të popullatës.

Në rajon, kryesimin e ka marrë Serbia, me 15.3 mijë dollarë për frymë, duke ia kaluar Malit të Zi (14.9 mijë), që për shumë vjet kishte mbajtur kryesimin.

Të ardhurat për frymë të Shqipërisë janë sa 28% e mesatares së Europës dhe 23.7% të mesatares së Bashkimit Europian (46,804 USD).

Shqipëria nuk ka arritur as mesataren globale, që është 14.6 mijë dollarë për frymë, por mbetet në 76% të saj.

Në treguesin tjetër, atë të të ardhurave për frymë sipas barazisë së fuqisë blerëse, që matet në dollarë ndërkombëtarë, Shqipëria mbetet pas Maqedonisë së Veriut, në një tregues se paraja në vend ka më pak vlerë se në shtetin fqinjë, për shkak të kostos më të lartë të jetesës, ndonëse të ardhurat janë më të larta.

Shqipëria është e 85-a në këtë renditje me një nivel prej 23.3 mijë dollarë ndërkombëtare. Maqedonia e Veriut është në vend të 77, Bosnjë-Hercegovina e 89-a dhe Kosova e 98-a.

Ky tregues, i prodhimit të brendshëm për frymë (PBB) sipas barazisë së fuqisë blerëse (PPP), tregon sa prodhim ekonomik i takon mesatarisht çdo banori në një vend, duke marrë parasysh edhe sa shtrenjtë apo lirë janë mallrat dhe shërbimet aty.

Ndryshe nga PBB-ja për frymë e llogaritur vetëm me kurs këmbimi, PPP korrigjon për diferencat e çmimeve mes vendeve, duke e kthyer të ardhurën në atë që quhet “dollar ndërkombëtar”, që përfaqëson të njëjtën fuqi blerëse kudo.

Me fjalë të thjeshta, ky tregues tregon jo vetëm sa prodhon një ekonomi për person, por edhe sa mund të blejë realisht një person me ato para në vendin e vet, ndaj përdoret për të krahasuar standardin e jetesës mes vendeve./Monitor

The post FMN: Shqipëria e 85-ta në botë për të ardhurat për frymë sipas fuqisë blerëse, nga fundi i Europës appeared first on Albeu.com.

Plagosja në Lezhë, i pranishëm në berberhane edhe një polic, zbardhet dëshmia

✇Albeu
By: V K

Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me plagosjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Kthesën e Rrilës në Lezhë. Gazetarja Klodiana Lala, raporton se në vendin ku u plagos 30-vjeçari Sokol Daci, ka qenë dhe një polic, i cili ka deklaruar se nuk i ka parë autorët të cilët kanë qëlluar drejt berberhanes.

Dyshohet se si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur edhe një pjesëtar i familjes Nikulaj, por nuk është paraqitur në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Ndërkohë ende nuk dihet gjendja e 30-vjeçarit. Autori/autorët mbeten ende të pa identifikuar, por policia bën me dije se po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Lezhë/Informacion paraprak:

Rreth orës 21:00, salla operative e DVP Lezhë është njoftuar se në qendër të fshatit Rrilë, Lezhë, ka ndodhur një plagosje me armë zjarri.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore, ku ka rezultuar se ka mbetur i plagosur shtetasi S. D., 30 vjeç, banues në Rrilë. I plagosuri është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi S. D. ndodhej në biznesin e tij në momentin kur është qëlluar me armë zjarri.

Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po kryejnë krehjen e zonës, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

The post Plagosja në Lezhë, i pranishëm në berberhane edhe një polic, zbardhet dëshmia appeared first on Albeu.com.

Këmbimi valutor 2 Shkurt 2026/ Çfarë po ndodh sot me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro

✇Albeu
By: V K

Sot, 2 Shkurt 2026, dollari amerikan, blihet me 81 lekë dhe shitet me 82.2 lekë.

Euro, blihet me 96.3 lekë dhe shitet 97 lekë.

Franga zvicerane, këmbehet në blerje me 104.8 lekë, ndërsa në shitje me 105.8 lekë.

Dollari kanadez, sot në blerje këmbehet me 59.4 lekë, ndërsa në shitje me 60.6 lekë.

Më poshtë, po sjellim të dhënat e këmbimin valutor, për të gjitha monedhat e huaja:

 

The post Këmbimi valutor 2 Shkurt 2026/ Çfarë po ndodh sot me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro appeared first on Albeu.com.

❌