Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Sherr në familje në Tiranë/ 30-vjeçarja merret me forcë në makinë, dhunohet nga vëllai dhe xhaxhai i saj

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit A. A., 34 vjeç, S. A., 53 vjeç dhe E. M., 51 vjeç, të tre banues në Tiranë, si dhe për shtetasin L. L., 43 vjeç, banues në Këlcyrë, pasi dyshohet se si pasojë e një konflikti në familje, shtetasit A. A., S. A. dhe E. M. kanë marrë me forcë, në automjet, motrën e 34-vjeçarit, njëkohësisht mbesë e 53-vjeçarit.

Më tej, dyshohet se 30-vjeçarja është dhunuar nga vëllai dhe xhaxhai i saj, në banesën e këtij të fundit. Gjithashtu, dyshohet se 43-vjeçari ka patur dijeni për rastin, dhe nuk ka kallëzuar në polici.

“Shes ‘bisha’, jo justifikime”: Anxhelita Koxha, vajza që po thyen stereotipet me makina luksi

Në studion e “ABC e Mëngjesit”, historia e Anxhelita Koxhës erdhi si një përplasje elegante mes paragjykimeve dhe suksesit. Vetëm 25 vjeçe, ajo ka përfunduar master për lidership dhe është ndër vajzat e pakta në Shqipëri që shesin makina luksi, në një industri të dominuar prej vitesh nga meshkujt.

E quajnë “vajza që shet bisha”, por për Anxhelitën, makinat nuk janë thjesht objekte luksi, janë sfida të fituara një e nga një. Videot e saj me supermakina janë bërë virale, duke ngritur pyetjen që ndez rrjetin: marketing i zgjuar apo thjesht guxim për të qenë ndryshe? Kur timonin e merr një vajzë e bukur, vëmendja është e garantuar, por Anxhelita e kthen vëmendjen në besim dhe shitje reale.

“Gjithçka nisi spontanisht dhe u shkrinë në qenien time,” tregon ajo. Nga organizimi i një kompanie, përfundoi duke u bërë imazhi i saj, pa kërkuar leje për të hyrë në një “territor mashkullor”. “Nuk e pashë si sfidë, thjesht e dija që mund ta bëja. Unë shes makina, jo justifikime,” shprehet ajo me siguri.

Paragjykimet? I ka dëgjuar të gjitha. “Komenti më i shpeshtë ishte: ‘Ku merr vesh kjo nga makinat?’ Nuk më ka bërë përshtypje. Kam qenë bionde në atë kohë dhe e justifikoja,” thotë me ironi. Sot përgjigjen e jep me fakte, jo me replika. “Fillimisht klientët më shohin me skepticizëm, por kur flet me baza, nuk ka më vend për paragjykime.”
Rezultati është i qartë: klientë të kënaqur, bashkëpunime që kthehen në miqësi dhe një profil profesional i ndërtuar mbi njohuri, pasion dhe prezencë. “Çdo shitje më bën të lumtur, më jep kënaqësi personale arritjeje. Makinat shkojnë dhe vijnë, por një stereotip i thyer lë gjurmë.”
Për Anxhelitën, suksesi nuk matet vetëm me çelësa makinash luksoze, por me barrierat që bien. “Një stereotip i thyer nuk blihet me asgjë,” thotë ajo.

Arrestohet një 46-vjeçar/ Elbasan, vodhi një banesë për të dytën herë armë gjahu dhe…

Kapet në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në një banesë në lagjen e tij, ku kishte hyrë për të vjedhur për herë të dytë, vihet në pranga 46-vjeçari, i dënuar më parë për vjedhje.

Në të njëjtën ditë, 46-vjeçari dyshohet se ka vjedhur në banesën ku u kap, një armë gjahu dhe disa sende.

Gjatë kontrollit fizik, të arrestuarit iu gjetën një mjet (darë) që e përdorte për të kryer vjedhjet, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën arma e gjahut dhe sendet e vjedhura.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Nga Italia në majën e Shqipërisë: Motër e vëlla Kabetaj “pushtojnë” cyclo-cross-in kombëtar

Në një lidhje direkte nga Italia për “ABC e Mëngjesit”, historia e familjes Kabetaj erdhi si një dëshmi force, pasioni dhe suksesi që kalon brez pas brezi. Nelia Kabetaj, vetëm 19 vjeçe, u shpall pak ditë më parë Kampione Kombëtare në cyclo-cross 2026 në kategorinë Elite, ndërsa vëllai i saj Clayson Kabetaj rrëmbeu titullin Kampion Kombëtar Junior, duke e kthyer këtë garë në një triumf familjar të rrallë.

Motër e vëlla, në kategori të ndara, por me të njëjtin pasion dhe përkushtim, Nelia dhe Clayson shkëlqyen në një garë të vështirë, të zhvilluar në kushte atmosferike sfiduese. “Këtë garë e ndava me vëllain tim. Jemi në kategori të ndryshme, por emocioni është i njëjtë”, u shpreh Nelia, e cila për herë të tretë shpallet kampione në garat kombëtare të cyclo-cross-it.

Për Neliën, ky titull nuk është thjesht një medalje më shumë, por një gur themeli në karrierën e saj sportive. Ajo e ka zbuluar pasionin për çiklizmin që në moshën 10-vjeçare dhe sot renditet mes emrave më premtues të sportit shqiptar. Kampione e Toskanës, kampione Ballkanike dhe pjesëmarrëse në kampionate botërore, Nelia frymëzimin e gjen nga babai, Valentin Kabetaj, ish-gjimnast, i cili për shkak të një dëmtimi nuk arriti ta vijonte karrierën sportive, por ia ka kushtuar gjithë energjinë fëmijëve të tij. “Kam dashur të jem si babai im, që dikur është marrë me sport. Ai na e ka ushqyer këtë dashuri çdo ditë”, tregon Nelia.
Sukseset e saj janë vlerësuar edhe në nivel kombëtar: Nelia Kabetaj është nderuar me çmimin “Yjet e Sportit 2024” nga Kryeministri Edi Rama.

Arratisja e Altin Ndocit, dyshohet se ndodhet në Tiranë/ Policia “mësyn” në banesën e tij në Yzberisht

Policia ka filluar kontrollet në disa zona të kryeqytetit, si në Astir, Don Bosko, Yzberisht dhe Selitë, pasi dyshohet se i arratisuri dje, Altin Ndoci ndodhet në Tiranës.

Kontrolle janë bërë dhe në banesën e tij në Yzberisht, ndërkohë që familjarët janë shprehur se nuk kanë dijeni për vendodhjen e tij. Si rrugë lidhëse me Durrësin, kontrolle janë kryer edhe në rrugën e Ndroqit.

Altin Ndoci, i paraburgosur për një sërë veprash të rënda penale përshpejtoi lirimin e tij këtë të martë. Ai arriti t’i shpëtojë efektivit që e shoqëronte në spital duke e goditur fizikisht punonjësin e sigurisë së burgut. Ndodhej në katin e tretë të spitalit rajonal të Durrësit, në repartin infektiv ku ndodhet zona e veçantë e sigurisë për të paraburgosurit./abcnews.al

Rrëshqitjet e tokës, kërcënim për banorët/ Masive dherash pranë shtëpive në fshatin Cernaleve të Kukësit

Disa familje të fshatit Cernaleve të cilat jetojnë poshtë rrugës për në fshatin Borje rrezikohen nga shkarjet masive të dherave dhe trupit të rrugës si pasojë e prurjeve të shumta të ujit nga reshjet e shiut dhe dëborës.

Situata është problematike pasi një sasi e madhe dherash po i afrohen tre shtëpive. Banorët kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme në këtë situate tejet problematike dhe kërcënim serioz për shtëpitë dhe jetën e tyre.

Për sa i përket situatës në tërësi në qarkun e Kukësit ka një përmirësim te dukshëm. Nga ana e bashkive Kukës, Has e Tropojë po punohet për riparimin e dëme  të shkaktuara ne tre ura dhe katër akse rrugore në njësitë administrative Zapod, Shishtavec, Topojan e Bushtricë.

Arratisja spektakolare e Altin Ndocit nga spitali i Durrësit, 8 të arrestuar

Task Forca e Prokurorisë së Durrësit ka arrestuar 8 persona, të cilët dyshohet të kenë lidhje me arratisjen e Altin Ndocit nga spitali i Durrësit, paraditen e djeshme, 13 janar.

Altin Ndoci, i paraburgosur për një sërë veprash të rënda penale përshpejtoi lirimin e tij këtë të martë. Ai arriti t’i shpëtojë efektivit që e shoqëronte në spital duke e goditur fizikisht punonjësin e sigurisë së burgut. Ndodhej në katin e tretë të spitalit rajonal të Durrësit, në repartin infektiv ku ndodhet zona e veçantë e sigurisë për të paraburgosurit./abcnews.al

3 vjedhje në dy javë/ Arrestohen tre “skifterët” në Tiranë, në një banesë, vodhën 14 mijë euro

Policia e Tiranës ka goditur një grup kriminal që kryente vjedhje në banesa. Janë arrestuar 3 pjesëtarët e grupit.  Të tre, të dënuar më parë, për të njëjtin krim.

Zbardhen 3 vjedhje të kryera nga ky grup, gjatë muajit janar. Njëra prej vjedhjeve u krye dje, ndërsa në njërën prej banesave, u vodhën 14 000 euro dhe sende me vlerë.

Pjesëtarët e grupit fillimisht fotografonin bravat e dyerve të banesave. Më pas, pamjet studioheshin nga pjesëtarët e grupit, për të zbërthyer mekanizmin dhe për të mundësuar hapjen, me çelës universal

Si rezultat i hetimeve të kryera me qëllim zbardhjen e vjedhjeve dhe nxjerrjen e autorëve të tyre, përpara përgjegjësisë penale, specialistët për Hetimin e Krimeve të komisariateve të Policisë Nr. 2 dhe Nr. 3 finalizuan operacionin e koduar “Strategjia”, në kuadër të të cilit u lokalizuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit A. M., 36 vjeç, S. T., 35 vjeç dhe G. K., 38 vjeç.

Punohet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Princi iranian u bën thirrje SHBA-ve për veprim në Iran

Reza Pahlavi, djali i fundit i shahut (Mbretit) të Iranit dhe një prej kritikëve të regjimit aktual, tha se forcat opozitare janë gati të veprojnë nëse bie regjimi klerikal në Iran, duke ftuar ligjvënësit amerikanë të mbështesin masa që fuqizojnë popullin iranian.

Ai shpjegoi se brenda Iranit ekziston një strukturë që mund të punojë bashkë me partnerët e jashtëm në një proces tranzicioni dhe se është thelbësore të mbrohet identiteti i këtyre grupeve për të mos rënë në rrezik para kohe.

Pahlavi theksoi se sapo ky regjimi të bjerë, këto forca brenda vendit mund të aktivizohen menjëherë për tranzicionin e pushtetit.

Ai gjithashtu tha se ka ardhur momenti për veprime konkrete dhe u bëri thirrje organeve legjislative që të mbështesin çdo gjë që fuqizon popullin.

Princi theksoi se qytetarët iranianë janë të lodhur nga represioni dhe kërkojnë lirinë, ndërsa reagimi i regjimit ka qenë shumë brutal. Pahlavi tha se nuk duhet të negociohet apo të qetësohet regjimi që për dekada ka shtypur popullin.

Ndryshe, portali amerikan Axios raportoi se i dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, është takuar gjatë fundjavës me Pahlavin për të diskutuar protestat që po tronditin Iranin. Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi të martën se ka anuluar bisedimet me zyrtarët iranianë mes shtypjes së protestave, duke u dërguar një mesazh qytetarëve të Iranit se “ndihma është në rrugë”.

Grupi për të drejtat e njeriut: Të paktën 2.403 të vdekur në protestat në Iran

Numri i të vdekurve nga protestat në Iran ka arritur në 2.403, njoftoi HRANA, grupi për të drejtat e njeriut me seli në Shtetet e Bashkuara (SHBA).

Ky numër po vazhdon të rritet sepse udhëheqësit klerikë të Republikës Islamike po bëjnë përpjekje për ta shtypur valën më të madhe të protestave antiqeveritare ndër vite, duke nxitur kërcënime për ndërhyrje nga SHBA-ja.

Presidenti amerikan, Donald Trump, u bëri thirrje iranianëve t’i vazhdojnë protestat, duke iu premtuar se do t’iu dalë në ndihmë.

HRANA tha të mërkurën vonë se deri më tani e ka verifikuar vdekjet e 2.403 protestuesve, 147 individëve të lidhur me Qeverinë, 12 personave nën moshën 18-vjeçare dhe nëntë civilëve që nuk kanë marrë pjesë në protesta.

Një zyrtar iranian tha të martën se rreth 2.000 njerëz janë vrarë. Kjo ishte hera e parë që autoritetet japin një shifër të përgjithshme të viktimave nga trazira mbarëkombëtare mbi dyjavore.

“Ndihma po vjen”

I pyetur se çfarë nënkuptonte kur tha se “ndihma po vjen”, Trump u tha gazetarëve se ata do të duhej ta kuptonin vetë.

Trump ka deklaruar se veprimi ushtarak është ndër mundësitë që është duke i shqyrtuar për ta ndëshkuar Iranin për shtypjen e protestave.

Në një intervistë për CBS Neës, Trump tha se SHBA-ja do të ndërmarrë “veprime shumë të forta” në Iran, nëse regjimi fillon t’i varë protestuesit.

“Nuk duam që ajo që po ndodh në Iran të vazhdojë”, tha ai. “Nuk do të përfundojë mirë”.

Ai shtoi se administrata po pret një konfirmim zyrtar të numrit të protestuesve të vrarë nga forcat iraniane të sigurisë.

Trump shpalli tarifa importi prej 25 për qind për produktet nga çdo vend që bën tregti me Iranin – i cili është eksportues i madh i naftës.

Kina, e cila blen pjesën më të madhe të eksporteve të naftës së Iranit, e kritikoi menjëherë këtë veprim.

Në një bisedë telefonike të shtunën, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, diskutuan mundësinë e ndërhyrjes së SHBA-së në Iran, sipas një burimi izraelit të pranishëm në bisedë.

Irani u zotua se do të kundërpërgjigjej ndaj çdo sulmi duke goditur Izraelin dhe bazat e anijet amerikane.

Trazirat, të nxitura nga kushtet e rënda ekonomike, kanë paraqitur sfidën më të madhe të brendshme për udhëheqësit iranianë për të paktën tre vjet dhe kanë ndodhur në një kohë presioni ndërkombëtar në rritje ndaj Iranit për programet e tij bërthamore dhe të raketave balistike.

Presidenti i Polonisë: Vetëm Donald Trump mund ta ndalë Putinin të kërcënojë Europën

Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, shprehet se Donald Trump është i vetmi lider botëror që mund ta ndalë Vladimir Putinin të kërcënojë Europën dhe të kontribuojë në përfundimin e luftës në Ukrainë. Sipas tij, Rusia nuk është e besueshme dhe përbën një kërcënim serioz për Poloninë, Europën Qendrore dhe Lindore, duke testuar vazhdimisht mbrojtjen e NATO-s përmes sulmeve me dronë, dezinformimit dhe veprimeve në të ashtuquajturën “zonë gri”.

Nawrocki thekson se Polonia ndodhet në një gjendje lufte hibride me Rusinë që prej vitit 2021 dhe përmend si shembull inkursionin masiv të dronëve rusë në territorin polak. Ai falënderon Britaninë për mbështetjen ushtarake dhe për dislokimin e avionëve luftarakë në mbrojtje të kufijve polakë.

Presidenti polak nënvizon se Shtetet e Bashkuara mbeten garantuesi kryesor i sigurisë europiane dhe paralajmëron se një shkëputje e Europës nga SHBA-ja do të dëmtonte sigurinë ekonomike dhe ushtarake të Bashkimit Europian. Ai kritikon disa liderë europianë për fokusin në çështje ideologjike, si politika klimatike dhe migracioni, në vend që të forcojnë sigurinë e kontinentit, duke theksuar se Polonia po shpenzon gati 5% të PBB-së për mbrojtjen.

Qarku i Shkodrës drejt përmirësimit/ Përmbytjet, në Obot ka rënie të nivelit të ujit

Nga monitorimi i vazhdueshëm gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, situata hidrologjike në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet më e përmirësuar krahasuar me ditën e djeshme, me ulje të niveleve të ujit në zonat e prekura.

Në zonën Obot, është konstatuar rënie e nivelit të ujit. Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore paraqet prezencë uji rreth 90 cm, nga 100 cm që ishte një ditë më parë, duke shënuar ulje rreth 10 cm. Aksi vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.

Mjetet e Bashkisë Shkodër dhe strukturave mbështetëse qëndrojnë edhe sot në Obot, në gatishmëri të plotë për çdo nevojë dhe për garantimin e aksesit dhe ndihmës ndaj banorëve. Varkat janë prezente edhe sot në terren, për të garantuar transportin dhe ndërhyrjen në rast nevoje.

Në Obot ka banesa me prezencë uji në oborre, ndërsa deri në këto momente nuk ka raportime për prezencë uji në brendësi të banesave.

Në Njësinë Administrative Dajç, në zonën Urrelat – Shirq, është konstatuar ulje e nivelit të ujit rreth 10 cm krahasuar me ditën e djeshme. Vijon të ketë prezencë uji në kanalet kulluese të tokave bujqësore, por pa depërtim në banesa.

Sipërfaqja e tokës bujqësore me prezencë uji (ha):

Dajç: 80 ha

Velipojë: 100 ha

Ana e Malit: 530 ha

Bërdicë: 50 ha

Totali: 760 ha

Situata paraqitet e qëndrueshme dhe në përmirësim, ndërsa monitorimi në terren vijon pa ndërprerje nga strukturat përgjegjëse.

SHBA miraton shitjen e çipave me inteligjencë artificiale të Nvidia-s në Kinë

Shtetet e Bashkuara kanë lejuar kompaninë Nvidia të rifillojë shitjen e disa prej çipave të saj të avancuar të inteligjencës artificiale (IA) në Kinë, njoftoi të martën Departamenti amerikan i Tregtisë.

Vendimi përfshin çipin H200, gjysmëpërçuesin e dytë më të avancuar të Nvidia-s, i cili më parë ishte kufizuar për shkak të shqetësimeve se mund t’i jepte Kinës avantazh teknologjik dhe ushtarak ndaj SHBA-së. Sipas autoriteteve amerikane, eksportet do të lejohen vetëm nëse ka furnizim të mjaftueshëm të çipave në tregun amerikan.

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se shitjet do të lejohen vetëm për “klientë të miratuar” në Kinë dhe do të shoqërohen me një tarifë prej 25%. Nvidia e ka përshëndetur vendimin, duke thënë se ai do të ndikojë pozitivisht në prodhimin dhe punësimin në SHBA.

Departamenti i Tregtisë sqaroi se klientët kinezë duhet të përmbushin standarde të rrepta sigurie dhe se çipat nuk mund të përdoren për qëllime ushtarake. Ndërkohë, çipi më i avancuar i kompanisë, Blackwell, mbetet i ndaluar për shitje në Kinë.

Pekini reagoi duke kundërshtuar atë që e cilëson si “politizim të teknologjisë dhe tregtisë”. Zëdhënësi i ambasadës kineze në SHBA, Liu Pengyu, tha se kufizimet dëmtojnë stabilitetin e zinxhirëve globalë të furnizimit dhe nuk i shërbejnë interesave të përbashkëta.

Nvidia ndodhet në qendër të rivalitetit gjeopolitik mes SHBA-së dhe Kinës në garën globale për inteligjencën artificiale. Analistët vlerësojnë se, pavarësisht shqetësimeve për varësinë nga teknologjia amerikane, kompanitë kineze do të kërkojnë çipat H200 deri sa alternativat vendase të bëhen më konkurruese.

Protestat e përgjakshme në Iran/ Mjekja iraniane thotë se forcat e sigurisë po “qëllojnë brenda” spitaleve

Një mjeke brenda Iranit i ka thënë Radios Farda të Radios Evropa e Lirë (REL) se forcat e sigurisë kanë bastisur spitalet dhe kanë vrarë protestues të plagosur, në vazhdën e shtypjes brutale të protestave mbarëkombëtare kundër regjimit.

Mjekja, e cila tha se punon në një spital në jug të Iranit, theksoi se anëtarë të forcave të sigurisë iraniane kishin “vrarë” protestuesit që ishin shtruar në spital për shërim.

“Ata vranë shumë [demonstrues], arrestuan shumë prej tyre, ndërsa shumë të tjerë janë në arrati”, tha mjekja, e cila foli për Radion Farda në kushte anonimiteti nga frika e hakmarrjes.

“Gjendja është shumë e rëndë”, shtoi ajo.

REL-i nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet e mjekes.

Autoritetet e kanë ndalur internetin dhe i kanë bllokuar linjat telefonike, por kanë dalë dëshmi nga dëshmitarë okularë që tregojnë se shteti po zhvillon një nga goditjet më vdekjeprurëse ndonjëherë kundër protestuesve në rrugë.

Të paktën 648 njerëz, kryesisht protestues, janë vrarë që nga shpërthimi i protestave më 28 dhjetor, sipas grupeve për të drejtat e njeriut, të cilat druhen se numri i vërtetë i viktimave mund të jetë mijëra sosh.

Forcat e sigurisë iraniane kanë përdorur forcë brutale, përfshirë qitjen me municion të vërtetë ndaj protestuesve, sipas videove të verifikuara nga REL-i dhe dëshmive të dëshmitarëve okularë.

“Po i vrasin të gjithë”

Spitalet në gjithë Iranin janë mbushur me të vdekur dhe të plagosur, sipas mjekëve dhe infermierëve brenda vendit me rreth 92 milionë banorë.

“Është një situatë e tmerrshme, pothuajse gjithçka është e mbyllur”, i tha Radios Farda një infermiere që jeton në kryeqytet, Teheran.

“Ka shumë njerëz me dëmtime në sy. Njerëzit thonë se nuk e duan këtë regjim. Po i vrasin të gjithë”, shtoi ajo.

Organizatat për të drejtat e njeriut kanë dokumentuar përdorimin e fishekëve metalikë të shtënë nga armë gjahu. Forcat e sigurisë shënjestrojnë qëllimisht sytë dhe kokat e protestuesve.

Mjekja në jug të Iranit tha se protestat janë “zbehur” pasi autoritetet nisën një goditje në shkallë të gjerë në qytetet kryesore, përfshirë Teheranin, më 8 dhe 9 janar.

Protestat u nxitën nga inflacioni i madh dhe rënia e lirë e monedhës kombëtare, por më pas janë shndërruar në kërcënimin më të madh për sundimtarët klerikalë të Iranit që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.

Një burrë në qytetin e Karajit, pranë Teheranit, tha se kishte parë forcat e sigurisë duke qëlluar drejtpërdrejt ndaj protestuesve.

“Pashë të gjithë ata që po vraponin, po binin përtokë, [forcat e sigurisë] po qëllonin”, tha burri, i cili foli për Radion Farda në kushte anonimiteti. “Nuk e di çfarë lloj municioni po përdornin, por tingëllonte si municion i vërtetë”.

Ai tha se forcat e sigurisë i grumbullonin protestuesit e vdekur në kamionë dhe largoheshin me ta.

“Nuk u interesonte kush ishin këta njerëz”, shtoi ai. “U ktheva në shtëpi dhe gruaja më pyeti nëse po qaja nga gazi lotsjellës. I thashë se po qaja për të rinjtë [e vrarë]”.

Aksident tragjik në Tajlandë, së paku 22 të vdekur

Të paktën 22 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur, pasi një vinç ndërtimi u shemb dhe ra mbi një tren pasagjerësh në Tajlandë, duke shkaktuar një nga aksidentet më të rënda hekurudhore në vitet e fundit. Ngjarja ndodhi gjatë orëve të para të mëngjesit, ndërsa treni po kalonte pranë një kantieri ndërtimi.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë ekipet e shpëtimit duke u ngjitur mbi vagonët e shkatërruar dhe duke inspektuar dëmet e mëdha të shkaktuara nga përplasja. Sipas raportimeve të “Bangkok Post”, përplasja shkaktoi edhe zjarr, ndërsa zjarrfikësit u detyruan të përdorin mjete prerëse hidraulike për të nxjerrë pasagjerët e bllokuar brenda vagonëve.

Një dëshmitar okular, banori lokal Mitr Intrpanya, i tha agjencisë AFP se fillimisht dëgjoi një zhurmë të fortë, e ndjekur nga dy shpërthime. “Kur shkova të shihja çfarë kishte ndodhur, pashë vinçin të rënë mbi trenin e pasagjerëve me tre vagonë. Metali i vinçit goditi vagonin e dytë dhe praktikisht e preu në mes”, deklaroi ai.

Ministria e Shëndetësisë Publike e Tajlandës konfirmoi se, deri në orët e paradites, të gjithë pasagjerët, të plagosur apo jo, janë larguar nga vendngjarja. Fillimisht u raportua se rreth 80 persona kishin pësuar lëndime. Ministri i Transportit ka urdhëruar hapjen e një hetimi të menjëhershëm për të përcaktuar shkaqet e aksidentit dhe për të identifikuar përgjegjësit.

Aksidentet vdekjeprurëse në sektorin e ndërtimit nuk janë të rralla në Tajlandë, kryesisht për shkak të zbatimit të dobët të standardeve të sigurisë. Vetëm në vitin 2022, sipas një studimi të Fondit të Kompensimit të Punëtorëve, mbi 4,500 punëtorë u vranë ose u plagosën në aksidente ndërtimi. Në vitet e fundit, vendi ka përjetuar edhe tragjedi të tjera të mëdha, përfshirë shembjen e një ndërtese shumëkatëshe në Bangkok gjatë një tërmeti, ku humbën jetën mbi 100 persona.

OKB: Viti 2025, më vdekjeprurësi për civilët në Ukrainë

 

Viti 2025 ka qenë më vdekjeprurësi për civilët në Ukrainë që nga nisja e pushtimit të plotë rus në vitin 2022, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Misioni i OKB-së për Monitorimin e të Drejtave të Njeriut në Ukrainë njoftoi se të paktën 2 mijë e 514 civilë u vranë nga dhuna e lidhur me konfliktin gjatë vitit të kaluar. Ky numër është dukshëm më i lartë krahasuar me vitin 2024, kur u regjistruan 2 mijë e 88 viktima civile, dhe me vitin 2023, kur u raportuan 1 mijë e 974 të vrarë. Edhe numri i civilëve të plagosur ka shënuar rritje të ndjeshme nga viti në vit.

Sulmi më vdekjeprurës i vitit ndodhi në nëntor në qytetin perëndimor të Ternopilit, ku humbën jetën të paktën 38 civilë, përfshirë tetë fëmijë.

Të martën, 13 janar, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se sulmet ruse gjatë natës kishin vrarë katër persona në Kharkiv dhe kishin lënë “qindra mijëra familje” pa energji elektrike në Kiev dhe zonat përreth, në kushte temperaturash të ulëta. Sipas misionit të OKB-së, numri total i civilëve të vrarë dhe të plagosur në vitin 2025 përfaqëson një rritje prej 31% krahasuar me vitin 2024 dhe 70% krahasuar me vitin 2023.

Më herët, OKB kishte raportuar se të paktën 8 mijë e 6 civilë u vranë dhe 13 mijë e 287 u plagosën gjatë 12 muajve të parë pas nisjes së pushtimit rus në shkurt të vitit 2022. Në nëntor, numri total i civilëve të vrarë që nga fillimi i luftës kishte kaluar shifrën 14 mijë e 534.

Shefja e misionit të OKB-së, Danielle Bell, tha se shifrat e vitit 2025 përfaqësojnë “një përkeqësim të dukshëm të mbrojtjes së civilëve”. Sipas saj, rritja e viktimave nuk lidhet vetëm me intensifikimin e luftimeve përgjatë vijës së frontit, por edhe me përdorimin e zgjeruar të armëve me rreze të gjatë veprimi, të cilat kanë ekspozuar civilët në të gjithë vendin ndaj rrezikut të shtuar.

Ndërkohë, presidenti Zelensky njoftoi se pothuajse 300 dronë, 18 raketa balistike dhe shtatë raketa lundruese kishin goditur qytete të ndryshme në Ukrainë gjatë natës, duke shkaktuar ndërprerje të mëdha të energjisë elektrike në rajonin e Kievit.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, tha se sistemet e mbrojtjes ajrore ishin aktivizuar gjatë asaj që ushtria e përshkroi si një sulm raketor. Drejtori ekzekutiv i kompanisë energjetike Yasno deklaroi se i gjithë qyteti ishte futur në “ndërprerje emergjente” të energjisë, ndërsa ekipet e emergjencës po përpiqeshin të shuanin zjarret dhe të rikthenin furnizimin me energji në temperatura nën zero.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës akuzoi Rusinë se po shënjestron qëllimisht infrastrukturën energjetike për t’i “privuar qytetarët nga energjia elektrike, uji dhe ngrohja”, ndërsa temperaturat në mëngjes zbritën nën -15 gradë Celsius. Disa zona të kryeqytetit kishin mbetur tashmë për ditë të tëra pa ngrohje dhe energji elektrike për shkak të sulmeve të javës së kaluar.

Zelensky deklaroi gjithashtu se katër persona u vranë nga një sulm raketor “pa asnjë qëllim ushtarak” mbi një terminal postar në Korotych, në rajonin e Kharkivit. Guvernatori i rajonit verilindor tha se 10 persona u plagosën, ndërsa Ministria e Jashtme e Ukrainës njoftoi se 30 persona u evakuuan.

Në rajone të tjera, guvernatori i Donetskut, Vadym Filashkin, raportoi se dy persona u vranë nga sulmet në lindje të vendit. Ndërkohë, autoritetet në Odesa, në jug të Ukrainës, thanë se gjashtë persona u plagosën dhe se sulmet dëmtuan banesa, objekte energjetike, një spital dhe një kopsht fëmijësh.

Kievi njoftoi se kishte kryer gjithashtu një sulm gjatë natës ndaj një uzine për prodhimin e dronëve në rajonin perëndimor rus të Rostovit. Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha se në zonë u regjistruan shpërthime dhe një zjarr.

Sulmet e fundit ndodhën dy ditë pasi pushtimi i plotë rus hyri në ditën e tij të 1 mijë e 418-të, po aq sa zgjati përfshirja e Ushtrisë Sovjetike në Luftën e Dytë Botërore.

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Ukrainë, Katarina Matheronva, shkroi në rrjetet sociale se, ndryshe nga e kaluara, “këtë herë Putini e zgjodhi këtë luftë, e planifikoi, e nisi dhe mban përgjegjësinë për të”.

 

Trump paralajmëron Iranin: Do të reagojmë ashpër nëse ekzekutohen protestuesit

Mbi 2.400 persona të vrarë gjatë shtypjes së protestave, sipas organizatave të të drejtave të njeriut

Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin “veprime shumë të forta” kundër Iranit nëse autoritetet iraniane ekzekutojnë protestuesit e arrestuar gjatë demonstratave masive antiqeveritare.

Sipas organizatave për të drejtat e njeriut, mbi 2.400 protestues janë vrarë nga forcat iraniane të sigurisë gjatë shtypjes së dhunshme të protestave që kanë përfshirë gjithë vendin.

Familjarë të 26-vjeçarit Erfan Soltani, i arrestuar javën e kaluar, i kanë thënë BBC Persian se ai pritet të ekzekutohet të mërkurën. Organizata Hengaw për të Drejtat e Njeriut ka konfirmuar se rasti i tij është trajtuar me një shpejtësi të pazakontë nga gjykatat iraniane.

“Nëse i ekzekutojnë, do të shihni veprime shumë të forta nga ana jonë,” deklaroi Trump për CBS News. Ai shtoi se administrata amerikane po mbledh të dhëna të sakta mbi numrin e viktimave dhe do të veprojë në përputhje me situatën.

Agjencia amerikane HRANA njofton se ka konfirmuar deri tani vrasjen e 2.403 protestuesve, përfshirë 12 fëmijë, si dhe arrestimin e mbi 18.400 personave. Një zyrtar iranian i tha Reuters se rreth 2.000 persona janë vrarë, duke fajësuar “terroristët”.

Protestat kanë shpërthyer pas rënies së monedhës iraniane dhe rritjes së ndjeshme të kostos së jetesës dhe janë përhapur në rreth 180 qytete dhe qyteza në të gjitha provincat e vendit. Demonstratat janë shndërruar shpejt në kërkesa për ndryshim politik dhe konsiderohen si sfida më e madhe për regjimin iranian që prej Revolucionit Islamik të vitit 1979.

Situata mbetet e paqartë për shkak të bllokimit pothuajse total të internetit dhe komunikimeve. Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë qytetarë që kërkojnë trupat e familjarëve të tyre në qendrat mjekoligjore të Teheranit.

Shefi i të drejtave të njeriut në OKB, Volker Türk, u ka bërë thirrje autoriteteve iraniane të ndalojnë menjëherë dhunën ndaj protestuesve paqësorë dhe të rikthejnë aksesin në internet.

Protestuesit në disa qytete kanë brohoritur slogane kundër udhëheqjes iraniane, duke kërkuar ndryshim politik.

Parashikimi i motit, 14 janar 2026/ Si do variojnë temperaturat përgjatë ditës

Ditën e mërkurë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme. Moti parashikohet alternime kthjellimesh e vranësira kalimtare.

Mjegull /mjegullinë përgjatë zonave luginore në orët e mëngjesit e të mbrëmjes.Era do të fryjë me drejtim verilindje– juglindje, me shpejtësi mesatare 7 m/s.

Deti – Valëzimi forcës 1-2 ballë.

❌