Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Hyseni: Punimet për ndërtimin e Shkollës së Mesme të Mjekësisë po shkojnë drejt përfundimit



Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se po shkojnë drejt përfundimit punimet për ndërtimin e Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Dr. Asllan Elezi".

Sipas tij ky është, një investim me vlerë 3.3 milionë euro, që do të ofrojë kushte moderne mësimore dhe praktike për nxënësit nga Anamorava, Presheva, Bujanoci, Kumanova dhe më gjerë.

"Ky investim është një hap i rëndësishëm drejt avancimit të arsimit profesional dhe përmirësimit të kushteve për nxënësit, duke e forcuar Gjilanin si qendër edukative rajonale në fushën e mjekësisë", tha Hyseni.

I pari i Gjilanit, theksoi se shkolla e re do të pajiset me të gjitha standardet bashkëkohore për procesin mësimor dhe laboratorik, duke siguruar një ambient të përshtatshëm për edukimin e profesionistëve të ardhshëm të shëndetësisë. /Telegrafi/

Mësimdhënësit e shkollës “Pavarësia” sot mbajnë protestë dy orëshe



Shoqata Sindikale e ShFMU “Pavarësia”, Këshilli Drejtues i Shkollës dhe Këshilli i Prindërve kanë bërë të ditur se sot më 10.02.2026, në ora 08:00, të gjithë mësimdhënësit do të jenë të pranishëm në shkollë, por në dy orët e para mësimore nuk do të zhvillohet mësim, pasi do të mbahet protestë.

Shkolla njofton tutje se procesi mësimor do të vazhdojë rregullisht pas përfundimit të dy orëve të para, përkatësisht nga ora e tretë, sipas orarit të rregullt, ndërkaq ndërrimi i pasdites do ta zhvillojë procesin edukativo-arsimor normalisht, sipas orarit të paraparë.

“Qëllimi i kësaj proteste është reagimi kundër veprimeve delikuente të nxënësve në procesin edukativo-arsimor, duke përfshirë dhunën fizike, fyerjet, ofendimet dhe sharjet ndaj mësimdhënësve. Këto veprime cenojnë rëndë autoritetin profesional, sigurinë dhe dinjitetin e mësimdhënësit, si dhe dëmtojnë mbarëvajtjen e procesit mësimor”, thuhet në njoftim.

Shkolla tutje thekson se ky nuk është një rast i izoluar, por një fenomen shqetësues që po shfaqet në shumë shkolla.

“Përmes kësaj proteste synojmë të ngrisim zërin kundër këtij fenomeni dhe të kërkojmë angazhim serioz institucional dhe shoqëror për ta parandaluar dhe trajtuar me përgjegjësi”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, lidhur me këtë ka reaguar edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).

SBASHK ka shprehur shqetësimin e thellë për sulmin fizik ndaj një mësimdhënësi në Shkollën “Pavarësia” në Prishtinë, si dhe për rastet e përsëritura të ofendimeve dhe sulmeve verbale ndaj mësimdhënësve nga nxënësit dhe në disa raste, nga prindërit.

SBASHK thekson se këto incidente nuk mund të trajtohen si raste të izoluara, pasi dhuna dhe mosrespektimi ndaj mësimdhënësve cenojnë rëndë dinjitetin e profesionit dhe sigurinë e procesit edukativo-arsimor.

Si mbështetje për të kërkuar reagim të menjëhershëm dhe masa konkrete nga institucionet përkatëse, SBASHK përkrahu grevën dy-orëshe të organizuar nga Sindikata e Shkollës “Pavarësia”, që do të zhvillohet më 10 shkurt 2026. /Telegrafi/

TI: Kosova bëri një hap prapa në luftën kundër korrupsionit



Transparency International ka publikuar Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025, ku Kosova është vlerësuar me 43 pikë, duke u renditur në vendin e 76-të.

Me 43 pikë për këtë vit, Kosova ka shënuar rënie për një pikë krahasuar me vitin e kaluar ku kishte 44, apo tri pozita më poshtë (vendi i 73-të).

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit (CPI) 2025 tregon se korrupsioni mbetet një kërcënim serioz në çdo pjesë të botës, megjithëse ka shenja të kufizuara përparimi.

Në njoftim thuhet se udhëheqësit duhet të veprojnë për të luftuar abuzimet me pushtetin dhe faktorët më të gjerë që po e nxisin këtë përkeqësim, siç janë dobësimi i mekanizmave demokratikë të kontrollit dhe balancës, si dhe sulmet ndaj shoqërisë civile të pavarur.

Protestat kundër qeverive në shumë pjesë të botës tregojnë se njerëzit janë të lodhur nga udhëheqja e papërgjegjshme dhe po kërkojnë reforma.

CPI rendit 182 shtete dhe territore në mbarë botën sipas nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik.

Rezultatet jepen në një shkallë nga 0 (shumë i korruptuar) deri në 100 (shumë i pastër).

Ndërsa 31 shtete kanë ulur ndjeshëm nivelet e korrupsionit që nga viti 2012, pjesa tjetër po dështon ta trajtojë problemin – kanë mbetur në vend ose janë përkeqësuar gjatë së njëjtës periudhë.

Mesatarja globale ka rënë në një nivel të ri më të ulët prej 42, ndërsa më shumë se dy të tretat e vendeve shënojnë më pak se 50 pikë.

“Dhe çmimin po e paguajnë njerëzit, pasi korrupsioni çon në spitale të pafinancuara, mbrojtje nga përmbytjet të papërfunduara dhe shkatërron shpresat dhe ëndrrat e të rinjve”, thuhet tutje. /Telegrafi/

Moti në Shqipëri, vranët dhe shi herë pas here



Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se të martën Shqipëria do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

SHMU njofton se moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura si dhe alternime të herëpashershme me kthjellime kryesisht përgjatë ultësirës perëndimore.

Vranësirat e dendura do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit.

Përgjatë orëve të pasdites deri në orët e vona të mbrëmjes përgjatë ultësirës perëndimore reshjet në formën e shtrëngatave.

Era do të fryjë me drejtim kryesor nga kuadrati i jugut me shpejtësi mesatare 4 m/sek, e cila hera-herës përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore pritet të fitojë shpejtësi deri 10 m/sek

Deti - Valëzimi në detet Adriatik dhe Jon i forcës 1-3 ballë. /Telegrafi/




Mot i vranët, mëngjesi me ngrica



Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se gjatë kësaj jave në Kosovë do të mbajë mot i ndryshueshëm, i vranët, intervale me diell dhe me reshje shiu.

IHK njofton se e marta do të jetë e vranët, por edhe me intervale me diell, gjersa mëngjesi parashihet të jetë me ngrica.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 1 deri në 4 gradë Celsius, ndërkaq temperaturat maksimale nga 5 deri në 9 gradë.

Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1-7m/s. /Telegrafi/

Gjendet pa shenja jete një 50-vjeçar në Bilinicë të Gjilanit



Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është gjetur pa shenja jete një person në fshatin Bilinicë të komunës së Gjilanit.

Rastin e konfirmoi për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Valon Osmani.

Personi pa shenja jete është gjetur nga familjarët e tij.

“Më datën 07.02.2026 rreth orës 12:20, kemi pranuar informacion se në fshatin Bilinicë të komunës së Gjilanit, nga familjarët është gjetur pa shenja jete një person mashkull, i vitit të lindjes 1976.

Njësitet relevante policore dhe ekipi emergjent mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar se personi është pa shenja jete”, tha Osmani.

Hetimet lidhur me ndriçimin dhe sqarimin e rrethanave të këtij rasti janë duke u zhvilluar nga Njësia për Hetime Rajonale në Gjilan, në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit.

Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërgua r në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. /Telegrafi/

Humb jetën 4-vjeçari në Vlorë, dyshohet se i bëri reaksion mjalti



Një 4-vjeçar ka humbur sot jetën në Vlorë.

Sipas familjarëve, dyshohet se simptomat te i mituri janë shfaqur pasi ia kishte konsumuar mjaltë.

Fëmija ka pasur të vjella të shumta, të cilat fillimisht u mendua se i kishin kaluar, por simptomat i vazhduan edhe në ditën e ndarjes nga jeta, raporton euronews.al

Kur u nis drejt qendrës shëndetësore në Dukat, fëmija mbërriti pa shenja jete, konfirmuar edhe nga mjekët.

Ai u shoqërua më pas në Spitalin e Vlorës, në pediatrinë e madhe, por as aty nuk mund të bëhej asgjë për ta shpëtuar.

Autoritetet shëndetësore presin rezultatet e analizave të biopsisë për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes së vogëlushit.

Abdixhiku pas deklaratës së Isa Mustafës: Mllef dhe zell për të më sulmuar mua, LDK-në, familjen Rugova




Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar sot pas deklaratës së ish-kryetarit të kësaj partie Isa Mustafa i cilit theksoi LDK duhet të reflektojë dhe se Abdixhiku nuk solli rezultate.

Abdixhiku në një postim në Facebook, ndonëse nuk përmend emra aludon në deklaratën e ish kryetarit të kësaj partie, i cili ishte kritik për zhvillimet në LDK duke thënë se standardi i dorëheqjes për rezultate të dobëta ishte vendosur tashmë dhe se injorimi i këtij standardi dëmton besueshmërinë e partisë.

Lexoni të plotë postimin e Abdixhikut:

Në vend të injorimit dhe reagimit.

Siç edhe e shihni, ka një mosdurim të thellë ndaj vendimit të lirë të anëtarësisë. Një mllef dhe një zell për të më sulmuar mua, LDK-në, familjen Rugova, veprimtarët e shumicës, punën e profesionistëve, të rinjve e të vjetërve pa dallim; secilin! Zi e terr për gjithçka në LDK, lëvdata për secilin kundërshtar të saj.

Kjo ndodh gjithmonë kur prapaskena mbetet pa rol, kur skemat e errëta nuk gjejnë më derë, dhe kur anëtarësia, me një qetësi që nuk shet shpirtin, e mbyll kapitullin.

Vendimi i lirë dhe i drejtë i anëtarësisë është gjithmonë i rëndë për ata që janë mësuar ta injorojnë e mbysin atë. Që, në vend të maturisë, ndihmesës dhe këshillëdhënies në kohë të vështira zgjedhin të përbaltin dhe të hapin kriza me çdo kusht. Papjekuri! Shpesh e pyes veten se si do të dukej kjo shtëpi politike sot, sikur e gjithë kjo përvojë do të ishte pranë nesh, e jo përballë.

Do ta kuptojmë një ditë, nëse veç se kemi kuptuar, se Kuvendi i ynë nuk ishte thjesht një ngjarje demokratike. Ishte një shkëputje e qartë mes një kohe që kërkonte kontroll pa parim dhe një kohe që kërkon rimëkëmbje dhe përgjegjësi. Prej asaj dite, kjo shtëpi e madhe e jona ecën përpara me njerëzit e saj, me besimin e vet dhe me dinjitetin e zgjedhjes së lirë - dhe, ju pëlqeu a s’ju pëlqeu disave, s’ka më asgjë që e ndal këtë mbarësi.

Rrugët që kthehen mbrapa nuk janë më tonat. Të gjithë do të pensionohemi një ditë; por jo nga dinjiteti, dhe jo nga njerëzorja. Ato duhet t’i ruajmë. Sepse fundi i rolit nuk është fundi i botës; është thjesht pranim i kohës që ka ecur përpara.

LDK-në do ta bashkojmë. Fort madje.

Por jo kështu. Jo me këtë logjikë. Jo me ata që nuk e pranojnë se çdo kohë ka një fund. Jo me ata që besojnë se vullneti i anëtarësisë mund të riformësohet e tjetërsohet në prapaskenat e darkave përplot intriga. E aq më pak me ata që kanë refuzuar, vazhdimisht, ta dëgjojnë këtë anëtarësi.

Kaq, për sot e përherë.

Kemi punë më të mençura. /Telegrafi/



Një person raporton në Polici se i janë vjedhur një shumë e konsiderueshme e parave në shtëpi



Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të vjedhjes së rëndë në Pejë.

Rasti ka ndodhur të premten, më 26 janar, në rrugën “Ndue Përlleshi”.

“Më 06.02.2026 ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se i janë vjedhur nga shtëpia një shumë e konsiderueshme e parave”, thuhet në raport.

Nuk raportohet për të arrestuar.

Rasti po hetohet. /Telegrafi/

​Që një muaj i zhdukur në lumin Mat në Shqipëri, FSK gjeti trupin e pajetë të të riut pas një operacioni dhjetëditor kërkim-shpëtimi



Me kërkesë të autoriteteve të Republikës së Shqipërisë, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka angazhuar një kontingjent të specializuar të Kërkim-Shpëtimit nga Regjimenti i Mbrojtjes Civile i Gardës Kombëtare, i cili iu bashkua operacionit në zonën e Klosit për kërkimin e një personi të zhdukur në rrjedhën e lumit Mat.

FSK njofton se pas angazhimit intensiv dhe bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet shqiptare, ekipet e kërkim-shpëtimit arritën të lokalizojnë dhe të gjejnë trupin e pajetë të personit të humbur.

“Komandanti i FSK-së Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, në emrin e tij personal dhe në emër të gjithë personelit të FSK-së, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e viktimës. Gjithashtu, Komandanti i FSK-së falënderon personelin e angazhuar për përkushtimin, profesionalizmin dhe disiplinën e treguar gjatë përmbushjes së këtij misioni”, thuhet në njoftim.

Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet e përkushtuar në misionin e saj humanitar dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, gjithmonë në shërbim të jetës, sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve. /Telegrafi/







Mustafa: Vjosa Osmani nuk është rugoviste, me qenë kryetar i LDK-së nuk do të votohej si presidente



Isa Mustafa ka deklaruar se po të ishte kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk do të kishte lejuar që deputetët e partisë së tij të votojnë ose t’ia mundësojnë Vjosa Osmanit të jetë presidente.

Sipas tij, Osmani gjatë pesë viteve të mandatit nuk ka qenë neutrale, por e njëanshme, duke i mbajtur anën qeverisë dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Madje, ai në një intervistë për KosovaPress, thekson se sjellja e Osmanit nuk përkon me rugovizmin, pasi e njëjta e ka shkatërruar LDK-në.

Megjithatë, Mustafa deklaron se nëse Osmani propozohet sërish për presidente, i takon deputetëve të LDK-së të analizojnë dhe mos të nguten për çfarëdo vendimmarrjeje.

“Me pas qenë unë kryetar i LDK-së, në asnjë rast nuk isha pajtuar që deputetët e mi të qëndronin në sallë ose të votonin Vjosën. Sepse Vjosa na e shkatërroi partinë, edhe s'kam pasur një arsye që unë tash ta shpërblej atë që e solli LDK-në, kur ne e bëmë atë, edhe udhëheqëse të listës në fushatë, edhe kandidate për kryeministre, edhe kryetare të Kuvendit. Ajo kryetare e Kuvendit të Kosovës është bërë me, me insistimin tim... Në situatën aktuale, dikush duhet të bëhet president. Tash në qoftë se thojmë Vjosa jo, ne duhet të dimë kush është tjetërkush. Në LDK unë mendoj që LDK-ja tani duhet ta analizojë atje. S'duhet të ngutemi me thënë, po bëj ndonjë marrëveshje me ju”, thekson Mustafa.

Ai e akuzoi Osmanin edhe për shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës, duke përmendur rastin e shkarkimit të kryetares së KQZ-së dhe bllokimin e Kryeprokurorit të Shtetit.

“Në kontekst të neutralitetit absolutisht s'ka qenë neutrale. Ka qenë e njëanshme. Në kontekst të Kushtetutës, ka pasur probleme me Kushtetutën, edhe kur e ka shkarkuar kryetarin e KQZ-së, sepse e ka shkarkuar në mënyrë jo kushtetuese, mirëpo nuk ia kanë bërë nënshkrimet njerëzit, deputetët e Kuvendit, sidomos ata të LDK-së, s'kanë dashur. Edhe kur e ka bllokuar kryeprokurorin e shtetit. Domethënë në ato dy raste janë shkelje të qarta, por Gjykata Kushtetuese nuk vendos në qoftë se dikush nuk e hap rastin”, shton ai.

Duke folur për deklarimet e deputetit të LDK-së, Ukë Rugovës, njëherësh djali i ish-presidentit Ibrahim Rugova, se Osmani është rugoviste, ai thotë se sjellja e saj nuk përkon me rugovizmin.

Mustafa thekson se LDK-ja e dëmtuar dhe e përçarë i shërben vetëm krijimit të një shteti njëpartiak në Kosovë.

“Ukë Rugova së pari duhet të sqarojë çka është Rugovizmi. A është sjellja e zonjës Osmani, sjellja e Ibrahim Rugovës? Unë mund të them jo. Unë e njoh Rugovën.... Tash në qoftë se Ukë Rugova, djali i Ibrahim Rugovës, thotë se është rugoviste, atëherë pse rugovistja e Ukë Rugovës e shkatërroi LDK-në? Pse? Cili ishte arsyeja e saj që ta shkatërronte LDK-në edhe ta çonte LDK-në në VV, në një parti të majtë, krejtësisht të majtë. Ta shkatërronte konkurrencën politike në Kosovë, sepse pa LDK nuk ka konkurrencë politike në Kosovë. Me LDK-në të dëmtuar, të shkatërruar, Kosova s'ka konkurrencë. Kosova veç me ka shtet njëpartiak. Edhe në qoftë se dikush i kontribuon këtij shteti njëpartiak në Kosovë, atëherë ç'a ka lidhje me Ibrahim Rugovën? Pse po keqpërdorim Ibrahim Rugovën si bashkëpunëtor, si kryetar, si president, ose si babë? Nuk ka asnjë, nuk ka asnjë kuptim të sillemi kështu, ose t'i bëjmë njerëzit tanë të këqija në këtë botë edhe thotë ‘Jam rugovist’. Dalin e bëjnë zhurmën më të madhe, themi, e cila nuk përngjan në asgjë, edhe thotë ‘Jam rugovist i Ibrahim Rugovës’. Po si je Ibrahim Rugovës? Ibrahim Rugova s'është sjellë kurrë ashtu”, deklaron Mustafa.

Sipas tij, nëse s’ka konsensus për zgjedhjen e presidentit, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja. Ai deklaron se nëse LDK-ja kthjellet dhe ka unitet të brendshëm, shumë lehtë do t’i arrijë 20 deputetë në Kuvend.

“Po unë, unë besoj që në qoftë se LDK-ja kthjellet pak, dhe në qoftë se, kthjellet, kthjellet pak edhe në qoftë se LDK-ja krijon unitet të brendshëm të funksionimit, edhe në qoftë se LDK-ja, tash po citoj Abdixhikun, e lexon qartë edhe e kupton qartë zërin e qytetarëve, edhe në qoftë se LDK-ja reflekton karshi zërit të qytetarëve, atëherë unë besoj që LDK-ja edhe në këto zgjedhje mund t'i bëjë nja 20 deputetë pa fije zori, i nxjerr. I bën sepse është me rëndësi të dërgohen mesazhe të qarta në terren, sepse votat nuk i bën Kuvendi i LDK-së, as kryesia e LDK-së, as Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së...

Jo, jo, unë mundem të them, unë mundem të them edhe 50 që i bën, ose edhe 30 që i bën. Por unë mendoj që s'mundet të bëhet shpejt, për arsye se është dëmtuar shumë, por është me rëndësi të fillojë trendi pozitiv, të shkojë lart. Sepse unë mund të them i bën 25, mund t'i bëjë 30. Mirëpo unë flas ashtu, domethënë, unë s'dëshiroj ta gënjej opinionin, flas ashtu si unë e mendoj që mundet të rritet, domethënë kjo është mënyrë e rritjes. Në qoftë se rritet pesë, tash rritet edhe 10 në zgjedhjet e ardhshme, atëherë LDK e kreu punën e vet”, thekson Mustafa.

Mustafa deklaron se s’ka asnjë ambicie për president të vendit, edhe nëse propozohet si emër nga LDK-ja për këtë post.

Ai deklaron se tani ka probleme shëndetësore, duke përmendur edhe sfidat që ka pasur si kryeministër, kur, siç thotë, është ballafaquar me gazlotësjellës dhe bomba gazi, madje edhe djegie të shtëpisë.

“Jo, unë e kam, unë e kam përfunduar, themi, karrierën time politike. Së pari s'kam pasur asnjë ambicie që tani të shoh apo të mendoj apo ta ëndërroj për pozita shtetërore. Kam edhe probleme shëndetësore të cilat nuk mund t’i përballoj. Ato probleme, tash s'kam dashur edhe kryetar i LDK-së të qëndroj me vite të fundit, apo tash të them, "Hë se unë po..." Po unë s'kam problem me kokën, s'kam problem me mendimin, s'kam problem me analizën... Po, mirëpo unë kam problem me, me sëmundjen tjetër të cilën e kam origjinale, e kam çështje, domethënë, që më ka krijuar prej një presioni të madh që kam pasur sa kam qenë kryeministër i këtij vendi, se unë më shumë kam qeverisur me gaz lotsjellës, me bomba, me bombola gazi, me, domethënë, me akte të dhunimit të shtëpisë time, e të kalljes së shtëpisë, dhe ato të gjitha shprehen tash. Unë edhe njeriu s'mund t'i paramendojë vetes që unë edhe njëherë hyj në atë valle me njerëz të tillë të cilët nuk kanë marrë asnjëherë, nuk kanë marrë as dënime, as kritika meritore për atë”, potencon Mustafa.

​U la nga shoku në mjetin e rënë në përrua, gjendet pas një muaji trupi i të riut në Mat



Pas rreth një muajsh kërkime, është gjetur trupi i pajetë i Jurgen Karajt, të riut që ra në lumë së bashku me shokun e tij më 10 janar.

Trupi i 30-vjeçarit u gjet në afërsi të fshatit Urakë, gjatë patrullimit me gomone të forcave të ushtrisë, raporton Top channel.

Ngjarja ka ndodhur më 10 janar rreth orës 01:30, ku konkretisht automjeti që drejtonte 24-vjeçari, Andi Losha dhe ku ishte pasagjer Jurgen Karaj, 30 vjeç ra në përrua.

Sipas policisë Losha u largua nga vendngjarja pa lajmëruar policinë dhe pa i dhënë ndihmë pasagjerit, të cilin dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit.

Losha u arrestua nga policia dhe pas testit të alkoolit u konstatua se 24-vjeçari e kishte drejtuar mjetin në gjendje të dehur.

Biznesmeni italian shkoi në Tiranë për ta ngushtuar stomakun, por humbi jetën – në hetim kirurgu dhe dietologia italiane



Biznesmeni italian Massimo Ferro, 54 vjeç, nga Camposampiero, kishte vendosur t’i jepte fund obezitetit pas vitesh dietash të pasuksesshme.

Ai iu drejtua një klinike private në Milano, e cila i premtoi një zgjidhje afatgjatë, por ndërhyrja kirurgjikale do të kryhej në Tiranë.

Aty, më 18 dhjetor, iu nënshtrua operacionit për ngushtim stomaku. Por diçka shkoi keq dhe Massimo Ferro humbi jetën më 22 dhjetor në Shqipëri, raporton Top Channel.

Për të hedhur dritë mbi ngjarjen, prokurori i Padovës, Andrea Girlando, ka regjistruar si të dyshuar kirurgun Andrea Formiga dhe dietologen Alessandra Freda, të dy nga Lombardia.

Autopsia mbi trupin e Massimo Ferro do të kryhet të hënën në Padova, nga mjeku ligjor Antonello Cirnelli, i caktuar nga prokuroria.

Sipas asaj që shkruan Corriere, kontakti i parë mes Ferro-s dhe kirurgut kishte ndodhur në dhjetor përmes mesazheve në WhatsApp, ku iu dhanë informacionet për ndërhyrjen, kostot dhe organizimin logjistik. Çmimi i operacionit ishte 4.400 euro, shumë më i ulët krahasuar me rreth 15 mijë euro që kërkoheshin në Itali.

Gjatë vizitës së 6 dhjetorit 2025, ku Ferro u paraqit së bashku me djalin e tij të madh, kirurgu shpjegoi ndërhyrjen dhe e siguroi pacientin për përdorimin e teknikës laparoskopike dhe një rikuperim të shpejtë.

Pavarësisht se Massimo Ferro vuante nga diabeti i tipit II dhe peshonte 108 kilogramë, operacioni u programua për datën 18 dhjetor në Tiranë. Analizat, të cilat Ferro nuk kishte arritur t’i kryente në Itali, u shtynë për t’u bërë një ditë para ndërhyrjes, në Tiranë.

Sipas kallëzimit të familjes, përfaqësuar nga avokatët Stefano Squarise dhe Jenny Lopresti, asnjë nga procedurat e parashikuara nga udhëzimet italiane dhe ndërkombëtare për kirurgjinë e obezitetit nuk është respektuar.

Nuk ka pasur një program paraprak dietetik, asnjë vlerësim multidisiplinar dhe asnjë përgatitje specifike para operacionit. E vetmja këshillë e dhënë ishte që pacienti të qëndronte esëll që nga mbrëmja para ndërhyrjes. Massimo Ferro mbërriti në Tiranë më 17 dhjetor, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.

Ethet dhe përkeqësimi i gjendjes

Të nesërmen ai u operua dhe pas ndërhyrjes telefonoi familjarët për t’i qetësuar: “Shkoi gjithçka mirë”.

Por që nga dita pasuese, gjendja e tij nisi të përkeqësohej. Ai u shfaq gjithnjë e më i përgjumur, pa reagime, ndërsa niveli i glicemisë mbetej i lartë. Më 20 dhjetor iu shfaqën ethet dhe temperatura.

Më 21 dhjetor, me temperaturën që kishte arritur 39 gradë dhe me vështirësi të rënda në frymëmarrje, Ferro u dërgua në urgjencën e spitalit publik “Nënë Tereza” në Tiranë.

Aty iu nënshtrua disa ekzaminimeve, por sipas kallëzimit, antibiotiku iu dha vetëm në mbrëmje, përpara se të rikthehej sërish në klinikën private. Gjatë natës gjendja e tij u përkeqësua edhe më shumë.

Në mëngjesin e 22 dhjetorit, Massimo Ferro pësoi një arrest brenda klinikës. U reanimua dhe u transportua me ambulancë në repartin e reanimacionit të spitalit publik.

Pasdite mjekët thanë se gjendja ishte e stabilizuar, por në mbrëmje bashkëshortja u thirr me urgjencë: kur mbërriti, Massimo Ferro kishte ndërruar jetë prej orësh.

Sipas familjarëve, deri më sot askush nuk ka dhënë një shpjegim të qartë për shkakun e vdekjes.

“Duam vetëm të dimë pse Massimo nuk u kthye në shtëpi”, shkruajnë bashkëshortja Romina dhe fëmijët e tij. /tch/

Mustafa: LDK duhet të reflektojë, Abdixhiku nuk solli rezultate



Një javë pasi mori votëbesimin në Kuvendin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, po kritikohet nga ish-kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa.

Sipas kryetarit të nderit të LDK-së, po të lexohej zëri i qytetarëve në zgjedhjet e fundit, Abdixhiku nuk do të duhej të qëndronte në krye të partisë.

Ai thotë se angazhimi i Abdixhikut në krye të LDK-së nuk ka sjellë rezultate, pasi në zgjedhjet e fundit mori vetëm 13 për qind të votave.

Mustafa në një intervistë për KosovaPress, thotë se debati aktual brenda partisë nuk duhet të fokusohet te figura personale e Lumir Abdixhikut, por te modeli i lidershipit që i nevojitet LDK-së për të rikthyer besimin e qytetarëve dhe për të përmirësuar rezultatet zgjedhore.

Ish-lideri i LDK-së thekson se standardi i dorëheqjes për rezultate të dobëta ishte vendosur tashmë dhe se injorimi i këtij standardi dëmton besueshmërinë e partisë.

“Unë Abdixhikun e njoh mirë sepse e njoh prej kur ka qenë student. Abdixhiku është punëtor i mirë. Është punëtor i zellshëm, ka qenë student i zellshëm. Më kanë thënë që edhe në LDK në terren ka punuar. Nuk është që s’ka punuar. Mirëpo problemi është se sa puna jote bën punë. Sa aktiviteti yt shprehet pastaj në rezultatet e partisë.

Atë çështje është dashur vetë ta vlerësojë Abdixhiku dhe ta vlerësojnë organet e LDK-së. Për mua është nën çdo nivel që unë them tash se është dashur të shkojë, sepse në asnjë rast… Po në qoftë se kthehet aty ku ka qenë, aty ku e ka marrë, domethënë është, duhet të ulet edhe të analizojë pse, edhe të analizojë ai vetë të shohë se çfarë mund të bëjë”, thotë Mustafa.

Ai kujtoi se pas zgjedhjeve të vitit 2021, ku LDK-ja shënoi rënie në rreth 13 për qind dhe Abdixhiku mori detyrën e kryetarit, kishte deklaruar se partia e kishte “lexuar drejt zërin e qytetarit” dhe jo zërin e Kuvendit.

Sipas tij, Kuvendi i LDK-së, duke pasur një rezultat të dobët zgjedhor, do të duhej të analizonte dhe vlerësonte më mirë për hapat tutje.

“Ai pati thënë që pas rezultateve të LDK-së në vitin 2021, ku ne ramë rreth 13%, LDK-ja e lexoi drejt zërin e qytetarit. Nuk tha e lexoi drejt zërin e Kuvendit, por zërin e qytetarit dhe pastaj unë edhe bashkëpunëtorët e mi e kuptuam se duhet të bëhen ndryshime… Unë s’mund të them këtu se është dashur të jap dorëheqje apo s’është dashur, mirëpo është dashur të mat fjalët para se të flasë, të flejë një natë, të pushojë pak, të konsultohet me bashkëpunëtorët…

Unë mendoj që edhe Kuvendi është dashur të merret me rezultatin, mos të merret me Abdixhikun. Domethënë, të merret me rezultatin e LDK-së, të vlerësojë se a është ai rezultat ai që i nevojitet dhe ai që është i duhur për Lidhjen Demokratike të Kosovës, me të cilin Lidhja Demokratike e Kosovës mund t’i shërbejë ndryshimeve në Kosovë”, shton ai.

Ai solli në vëmendje edhe shembullin e tij personal, duke rikujtuar se kishte dhënë dorëheqje menjëherë pas rezultatit zgjedhor nën 13 për qind, pa pritur vendime të organeve partiake.

“Unë për vete, në momentin që e kam pasur rezultatin, atëherë ka dalë më pak se 13 për qind, atë ditë, jo të nesërmen, por kam dhënë, jo s’kam ofruar, por kam dhënë dorëheqje. I kam njoftuar anëtarët e kryesisë se unë me këtë e përfundoj mandatin tim në LDK edhe e përfundoj mandatin tim në të gjitha organet e LDK-së, edhe në Kuvend…

Votëbesimi duhet të lidhet me disponimin në terren, me zërin e qytetarëve. Sepse votëbesimi nuk është çështje e marrëdhënieve kryetar i LDK-së, Kuvendi i LDK-së… Po tash, në qoftë se zëri i qytetarëve ka ardhur deri aty që LDK-në prapë ta kthejë në 13%, aty ku ka qenë, atëherë kjo ka merituar një qasje tjetër edhe të Kuvendit që Kuvendi të reflektojë, jo që ta shkarkojë apo mos ta shkarkojë zotin Abdixhiku, mirëpo të reflektojë se çfarë duhet bërë më vonë, si duhet të veprojë LDK-ja në mënyrë që të përmirësojë rezultatin…

Unë vetë kur kam dhënë dorëheqje, kam dhënë për shkak të rezultatit, jo sepse më ka dashur apo s’më ka dashur në organet e LDK-së, sepse po të shkoje në organet e LDK-së, do të dilte një qëndrim krejt tjetër”, deklaron ai.

Megjithatë, Mustafa mohon se ka punuar në prapaskena për rrëzimin e Abdixhikut nga lidershipi i LDK-së.

“Unë nuk i kam udhëhequr zgjedhjet. S’kam qenë në fushatë, s’kam qenë në asnjë forum të LDK-së. Nuk kam pasur asnjë motiv të involvohem në atë, sepse unë s’kam pasur motive. Unë tani jam në Akademinë e Shkencave, në asnjë mënyrë s’kam menduar se do të qëndroj në LDK. Unë s’kisha dhënë dorëheqje prej krejt pozitave të LDK-së. Mirëpo ka qenë një paketim i mirë i gënjeshtrave për t’u shitur si e vërtetë”, deklaron Mustafa.

Ai e vlerëson ambicien dhe shpalljen e kandidaturës për kryetar të LDK-së të Avdullah Hotit, megjithëse pas kalimit të votëbesimit të Abdixhikut nuk pati garë për kreun e LDK-së.

Sipas tij, debati për figurat e reja dhe të vjetra në LDK është i padobishëm. Teksa përmend emrat e Hotit, Hykmete Bajramit si kuadro jo të vjetra në LDK, Mustafa thotë se reforma në këtë parti nuk është penguar nga të njëjtit.

“Në LDK nuk kemi të vjetër dhe të ri. Abdullah Hoti nuk është i vjetër. Abdullah Hoti është kuadër i ri. Hykmete Bajrami nuk është e vjetër. Është kuadër, as e re, po është një kuadër që potencialisht mund t’i kontribuojë më së miri Kosovës sesa LDK-së. Kujtim Shala po ashtu është një shkrimtar i mrekullueshëm, është akademik, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe nuk i lejohet askujt aty në disa studio të thotë se edhe Kujtimi duhet të përjashtohet prej LDK-së.

Përmendet edhe Gazmend Muhaxheri, e kam dëgjuar. Në fund thonë se edhe Gazi duhet të shkojë. Tash, në qoftë se i marr këta njerëz edhe i trajtoj sepse i njoh, krejt i njoh mirë, kam punuar me ta që nga viti 2009, atëherë kush janë ata që kanë bërë opozitë kundër Vetëvendosjes?

Opozitë kundër Vetëvendosjes ka bërë Agim Veliu… Tani, në qoftë se kritikohen edhe këta të tjerët, kush ka bërë opozitë gjatë kësaj periudhe? Ka bërë Hykmetja. Hykmete Bajrami ka qenë zëri kryesor i opozitës së LDK-së kundër VV-së, edhe kundër pushtetit. Po flas njëherë për këto që po kritikohen dhe që thonë se këta po pengojnë reformat. S’mundet reforma të pengohet në qoftë se kritikohet pozita, në qoftë se jepen vërejtje të qëndrueshme; askush nuk mund t’i mohojë”, thotë Mustafa.

Krahas kësaj, një nga kritikat më thelbësore të Isa Mustafës ndaj udhëheqjes aktuale të LDK-së, lidhet me orientimin ideologjik të partisë.

Sipas tij, në LDK ka krizë të identitetit dhe rrëshqitje majtas dhe imitim të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai tha se LDK-ja në fushatën zgjedhore të 28 dhjetorit ka humbur identitetin e saj si parti e qendrës së djathtë duke u përpjekur të garojë me Vetëvendosjen në terrenin e popullizmit social.

“Unë dëgjoj që të gjithë dalin edhe thonë ‘Ne jemi Rugovista, ne jemi të djathtë’. Së pari duhet ta kemi të qartë se LDK nuk është parti e djathtë. LDK është parti e qendrës së djathtë. Parti e djathtë dallon mjaft shumë prej partisë së qendrës së djathtë...

Krahas këtyre, nuk i lejohet askujt që të del edhe të lë përshtypje të thotë ‘Unë jam Rugovist’, kur ta sheh kur del e flet për çështje, ai flet për ndihma sociale, flet që Albin Kurti do t'i rrisë pagat minimale në 500 euro, ne do t'i rrisim 700.

E po atëherë s'je ti, s'je as i djathtë, as i qendrës së djathtë, po ti politikat po i zhvillon të majta.

Kështu që në këtë aspekt...Fushata që është bërë nga LDK-ja është bërë si licitacion, sikur janë në licitim, me VV-në. Sepse VV-ja ka thënë diçka, e ka bërë një ofertë të veten sociale, LDK-ja u mundua ta bëjë pak mbi atë, PDK-ja edhe më, më lartë. Domethënë, krejt opozita e ka imituar Albin Kurtin”, përfundon Mustafa.

Masë paraqitjeje në stacion policor për 22 të dyshuarit për falsifikim të rezultateve të votimit në Gjakovë



Gjykata Themelore në Gjakovë, në tri seanca të ndara dëgjimore të mbajtura mbrëmë, ka nxjerrë vendim duke refuzuar kërkesat e Prokurorisë Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 22 personave, për shkak të dyshimit të bazuar se veç e veç kanë kryer veprën penale të falsifikimit të rezultateve të votimit.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve për numërimin e votave, me autorizime të marra nga KQZ, në Qendrën Komunale të Numërimit në Gjakovë, e vendosur në palestrën e sporteve “Shani Nushi”, me veprime të kundërligjshme kanë ndërhyrë në procesin e votimit, duke falsifikuar rezultatet e tij, me ç’rast kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor dhe vullnetin e lirë të votuesve.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Drilon Haraçia, ka vlerësuar se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve dhe ndaj tyre ka caktuar masën e paraqitjes në stacion policor.

Me këtë vendim, të pandehurit do të paraqiten në stacion policor për një periudhë prej një muaji, periudhë kjo që do të llogaritet nga data 6 shkurt 2026 deri më 5 mars 2026.

Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës, brenda afatit ligjor. /Telegrafi/

Aksident i rëndë në Loxhë të Pejë, ndërron jetë një person



Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në orët e mëngjesit në Loxhë të Pejës, ku si pasojë një person ka ndërruar jetë.

Lajmin e konfirmoi për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

"Sot rreth orës 07:50 Policia është njoftuar për një aksident trafiku në fshatin Loxhë të Pejës, ku të përfshira janë dy vetura dhe si pasojë, përveç dëmeve të konsiderueshme materiale janë lënduar edhe dy persona, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor. Nga ekipi mjekësor është konstatuar se njëra nga të aksidentuarit nuk ka mundur t’i përballoj plagët dhe ka ndërruar jetë”, tha Rugova.

Ndërkaq, nga Spitali i Pejës bëhet e ditur se personi tjetër është duke u trajtuar dhe aktualisht ndodhet në gjendje stabile, jashtë rrezikut për jetën.

Me urdhër të prokurorit të Shtetit, i cili po ashtu ishte në vendin e ngjarjes trupi i pa jetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për obduksion, ndërsa rasti është duke u hetuar nga hetuesit e aksidenteve. /Telegrafi/

Mbushën veturën me derivate duke paguar me para false, Policia arreston tre të dyshuarit



Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të falsifikimit të parasë dhe posedimit të substancave narkotike.

Rasti ka ndodhur në fshatin Prelez i Jerlive në Ferizaj, të premten, më 6 shkurt në ora 20:30.

“Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj (njëri kosovar dhe dy të tjerët palestinez), pasi që të njëjtit, te një pompë e derivateve kanë furnizuar veturën e tyre duke paguar me 20€ para që dyshohet të jenë të falsifikuara”, thuhet në raport.

Gjatë kontrollit te të njëjtit janë gjetur dhe konfiskuar: një sasi substancë e dyshuar narkotike, dy mullinj dhe kartëmonedha që dyshohet të jenë të falsifikuara.

Me vendim të prokurorit tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Rasti po hetohet. /Telegrafi/

Kërcënohet një gazetar përmes rrjeteve sociale, Policia po heton rastin



Policia e Kosovës ka njoftuar se një gazetar ka raportuar se është kërcënuar përmes rrjeteve sociale.

Policia në raportin 24 orësh bën të ditur se rasti ka ndodhur të premten, më 6 shkurt në ora 15:03.

“Lagjja e Spitalit, Prishtinë 06.02.2026 – 15:03. Ankuesi mashkull kosovar (gazetar), ka raportuar e përmes rrjeteve sociale ka pranuar një mesazh kërcënues dhe fyes nga i dyshuari”, thuhet në raport.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, ndërsa nuk raportohet për të arrestuar.

Rasti po hetohet. /Telegrafi/

Vendimi për çështjen Balluku, kush janë gjyqtarët që votuan pro dhe kundër?



Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e kryeministrit Edi Rama për heqjen e masës së pezullimit nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku.

Vendimi u mor me votim të barabartë 4 me 4. Kundër kërkesës së Ramës votuan gjyqtarët Marsida Xhaferllari, Ilir Toska, Sandër Beci dhe Asim Vokshi.

Në favor të kërkesës së qeverisë votuan gjyqtarët Marjana Semini, Gent Ibrahimi, Sonila Bejtja dhe Fjona Papajorgji, raportorn euronews.al

Kërkesa e kryeministrit synonte shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së, e cila kishte vendosur pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës.

❌