Kur natyra flet më fort se diplomat
Nga Redi Shtino
Sa më shumë i largohemi dhe e kontrollojmë në forma e mënyra të paimagjinueshme më parë, aq më shumë duket sikur harrojmë forcën e saj krijuese/ekstreme, që rishfaqet në mënyrë pothuajse ciklike, me të njëjtën madhështi/superioritet.
E certifikojnë ndryshimet klimatike, në nivel planetar.
E certifikon këtë rritja eksponenciale e rasteve të alergjive dhe depresionit, po në nivel planetar. Sëmundjet e mijëvjeçarit të tretë.
E për të mbetur në temën e depresionit, sigurisht që moti tek personat fotosensibël dhe jo vetëm, ka influencë decisive në frekuencën e përfshirjes në fazat depresive. Besoj se janë pak personat që nuk kanë njohur shijen, ndër ata që po lexojnë këto rreshta.
Me pak fjalë ky mot e këto reshje, na e kanë rifreskuar të gjithëve, kujt më shumë e kujt më pak. Përjashtoj këtu personat dhe familjet që gjenden të përmbytur.
Tërësisht tjetër histori.
Ndër këto tone/nota të veshura me ngjyrën e motit të këtij fillim viti e ndër faqet e ndryshme të mediave sociale ndesha në një koment, në FB, të Taulant Mukës.
Fajësonte dikë dhe disa, për nivelin e ulët/inekzistent të Universiteteve dhe Diplomave në vend si shkaktarë të situatës së krijuar me përmbytjet.
Më ktheu automatikisht back në vitet kur punohej për reformimin e sistemit të kërkimit shkencor. Vitet 2017-2018 dhe po me të njëjtën shpejtësi në përmbytjet e fundit të ndodhura jo shumë muaj më parë në Francë, Zvicër dhe Italinë e Veriut.
Mbaj mend që disa diskutime teknike fundore që lidheshin me reshjet dhe aftësitë organizuese të përballimit të tyre kishin si pikë referimi kyçe dhe konstante, sasinë e reshjeve për orë. Pra sasinë e kondensimit dhe derdhjes së reshjeve për njësi matëse kohore. Në qoftë se deti ngrihet dhe derdhet nëpërmjet qiellit mbi qytetet tona, askush normalisht nuk ngre hipoteza paraprake përgjegjësie, por llogjikon në kufijtë e fatkeqësisë natyrore, siç konsiderohen tërmetet, vullkanet e të tjera.
Të tilla janë fenomenet ekstreme të ndryshimeve klimatike sot.
Më erdhi instinktivisht të pyes Mukën, se si njeri i shkencës që është duhet t’i dispononte këto të dhëna teknike/specifike duke qenë se njerëzit e shkencës flasin me evidenca materiale dhe jo hipoteza eventuale, por nuk nxitova dhe kërkova të kuptoj paraprakisht evidencat e tij mbi lidhjen e situatës me nivelin universitar dhe të diplomave përkatëse. Duke shpresuar se e njoh mjaftueshëm situatën universitare në vend, kërkova të kuptoj më shumë lidhur me atë të vendeve të sipërpërmendura. Çfarë mund të kishte ndodhur vallë me Zvicrën, Francën dhe Italinë, vitet e fundit, në nivel universitar, që ndodhin përmbytje të tilla. Çfarë ka ndodhur që vitet e fundit këto fenomene janë kthyer me një frekuencë kaq të lartë?
Përgjigjja është po aq frekuente në të gjitha mediat sociale dhe tradicionale të këtyre vendeve, por mungon diçka.
Në asnjërën prej tyre nuk gjeta dikë që të fajësojë për këtë sistemin universitar apo cilësinë e diplomave të lëshuara, sepse po të ishte kaq e thjeshtë nuk do bëheshin samite, kongrese e konferenca pafund, në nivel global, për t’u përballur me impaktin e ndryshimeve klimatike në planet.
Kujt i duket normal kontrasti ekstrem ndërmjet dimrave super të thatë të viteve të fundit dhe reshjeve të këtij viti.
Përgjigjen sigurisht nuk e pres nga Muka që duhet ta lexojë dikush që të mund të tjerrë pëlhurën e tij penelopiane e që po merr gjithnjë e më shumë trajtat e Ahmetes me fantashkencën e ngjyrave dhe formave të ylberit.
Përgjigjen do ua kërkoj me shkrim Universiteteve publike e private të këtyre vendeve, që çojnë dëm fondet publike e nuk gjejnë zgjidhje për përmbytjet që i përfshijnë, kaq shpesh.