Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

13 të vdekur nga sulmet izraelite në Gazë, Trumpi pritet ta shpallë Bordin e Paqes

Të paktën 13 persona janë vrarë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës, sipas zyrtarëve shëndetësorë, ndërkohë që presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pritet të shpallë krijimin e Bordit të Paqes për ta mbikëqyrur armëpushimin e brishtë.

Zyrtarët shëndetësorë dhe familjarët e viktimave thanë se në mesin e të vrarëve është të paktën një fëmijë. Sulmet ndodhën në veri të Gazës dhe në zonat lindore të qytetit të Gazës. Të 13 viktimat u raportuan të enjten vonë, raporton AP.

Ushtria izraelite deklaroi të premten se kishte goditur infrastrukturë të Hamasit dhe luftëtarë në jug dhe veri të Gazës, si përgjigje ndaj një rakete të lëshuar nga militantët nga zona e qytetit të Gazës, e cila dështoi.

Armëpushimi me faza mes Izraelit dhe Hamasit ndodhet ende në fazën fillestare, ndërsa po vazhdojnë përpjekjet për të gjetur mbetjet e pengut të fundit izraelit në Gaza.

Zyrtarë amerikanë thanë se presidenti Trump pritet të shpallë javën e ardhshme emërimet në Bordin e Paqes, të cilin ai ka deklaruar se do ta drejtojë vetë. Ky hap konsiderohet i rëndësishëm për planin e tij të paqes për Lindjen e Mesme. Megjithatë, procesi ka përparuar ngadalë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, rreth tre muaj më parë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha të enjten se diplomati bullgar Nikollaj Mlladenov do të jetë drejtori i përgjithshëm i bordit.

Mlladenov ka qenë ministër i mbrojtjes dhe i jashtëm i Bullgarisë dhe ka shërbyer si i dërguar i OKB-së në Irak, si dhe si i dërguar i posaçëm i OKB-së për procesin e paqes në Lindjen e Mesme nga viti 2015 deri në vitin 2020.

Gjatë kësaj periudhe, ai kishte marrëdhënie të mira pune me Izraelin dhe shpesh ndërmjetësonte për të ulur tensionet mes Izraelit dhe Hamasit.

Sipas planit të Trumpit, Bordi i Paqes do të mbikëqyrë krijimin e një qeverie teknokrate palestineze, çarmatimin e Hamasit, vendosjen e një force ndërkombëtare sigurie, tërheqje të mëtejshme të trupave izraelite dhe rindërtimin e Gazës. Deri më tani, SHBA-ja ka raportuar pak përparim në këto drejtime.

Presidenti palestinez: Nuk e pranojmë ndarjen e Gazës

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas deklaroi se ata refuzojnë ndarjen e Gazës dhe se Izraeli nuk ka legjitimitet në asnjë pjesë të Gazës.

Duke folur në hapjen e sesionit të 13-të të Këshillit Revolucionar të Lëvizjes Fatah, Abbas tha se shteti palestinez është entitet i vetëm dhe i pandashëm gjeografik dhe politik që përfshin Gazën, Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.

Ai tha se prioritetet e tyre janë ta bëjnë armëpushimin në Gaza të përhershëm dhe të sigurojnë hyrjen e menjëhershme të ndihmës humanitare.

Stuhia Goretti godet Evropën me erëra të forta dhe reshje të dendura shiu

Stuhia “Goretti” ka mbërritur në Belgjikë, e përcjellur nga erëra të forta, reshje të dendura shiu dhe borë në rajonet më të larta, duke bërë që autoritetet të lëshojnë paralajmërime të shumta për motin, njoftoi Instituti Mbretëror Meteorologjik.

Stuhia nga perëndimi në lindje ka shkaktuar tashmë ndërprerje, me zonat e brendshme që përjetojnë erëra me shpejtësi 80-90 km/h. Belgjika regjistroi erëra me shpejtësi 90 km/h në Chievres dhe 82.8 km/h si në Beauvechain ashtu edhe në Bruksel sot në mëngjes.

Erërat pritet të lehtësohen në 50-60 km/h më vonë gjatë ditës. Reshjet e dendura dhe të vazhdueshme të shiut po ndikojnë në pjesën më të madhe të vendit. Pritet që bora të bjerë në pjesën e sipërme të Belgjikës deri në mëngjes dhe mund të grumbullohet deri në 15-20 cm në disa zona deri të shtunën.

Instituti Mbretëror Meteorologjik ka lëshuar paralajmërim portokalli për kushte të rënda të motit në Belgjikën jugore, duke u kërkuar banorëve të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes.

Stuhia përfshiu edhe Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar, duke shkaktuar erëra të forta, përmbytje bregdetare, ndërprerje të udhëtimit dhe duke lënë rreth 437 mijë familje pa energji elektrike ndërsa të paktën gjashtë persona në Francë pësuan lëndime të lehta.

PD kujton “8 Janarin”/ Bejko: Njolla e turpit për Berishën, e ka kthyer PD si strehë për të mbrojtur veten e familjen

Analisti politik Roland Bejko ka komentuar zhvillimet brenda Partisë Demokratike, duke e cilësuar 8 Janarin si një “njollë turpi” për PD-në dhe për ish-kryeministrin Sali Berisha. I ftuar në “Ora e Fundit” në ABC News, Bejko u shpreh se Berisha është përgjegjësi kryesor për ndarjen e demokratëve dhe rrudhjen e vazhdueshme të partisë gjatë katër viteve të fundit, duke theksuar se PD është shndërruar në një forcë politike pa ide dhe vizion.

Sipas tij, rikthimi i Berishës në PD u bë në mënyrë të dhunshme, jo për interesat e partisë, por për të mbrojtur interesat personale dhe familjare, në kushtet e shpalljes “non grata” dhe përballjes me disa çështje të hapura gjyqësore, ndërsa historia politike e tij, sipas Bejkos, rrezikon ta mbajë mend për keq.

“8 Janari, është një njollë turpi për PD dhe Sali Berishës. Berisha i ndau demokratët. Pas katër vitesh jemi në këtë gjendje, ku PD sa po vjen dhe po rrudhet. Ky është suksesi më i madh i Sali Berishës. PD është kthyer në një parti pa ide. Berisha në një intervistë televizive e dinte që PD do ndahej dhe përsëri i bëri. Berisha u kthye në PD dhunshëm sepse parti i duhej si strehë për të mbrojtur interesat e veta, nga “non grata’ dhe ndërkombëtarët.

Berisha sot nuk ka çështje thjesht karrigen, Berisha ka hallet familjare, sepse ka një proces gjyqësor që është e përfshirë e gjithë familja e tij, siç është dosja “Partizani”. Nga ana tjetër janë dy dosje të tjera “21 Janari” dhe “Gërdeci”. Berishës nuk i interesojnë fare paratë, por raporti i tij me historinë. Dhe raporti i tij me historinë është që do të mbahet mend për keq. Kanë filluar punët e këqija që ta vënë poshtë, sepse po bëhet një plak i bezdisshëm në PD, ka rënë si gjyle dhe nuk po lë demokratët që të ecin përpara”, tha Bejko.

Zjarri te tregu te “5 Maji”/ Softa: Zjarrët u përhapën shpejt, shtëllungat dukeshin nga çdo cep i Tiranës

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mbrëmjen e së enjtes, më 8 janar, tregun e rrobave të përdorura në lagjen “5 Maji” në Tiranë, duke shkaktuar panik dhe dëme të konsiderueshme materiale.

Flakët u përhapën me shpejtësi për shkak të materialeve lehtësisht të djegshme dhe afërsisë së dyqaneve me njëri-tjetrin, ndërsa ndërhyrja e menjëhershme e forcave zjarrfikëse bëri të mundur neutralizimin e zjarrit.

Sipas ekspertit të sigurisë Fatjon Softa, fatmirësisht ngjarja ndodhi gjatë natës dhe nuk pati persona të pranishëm në ambientet e tregut, duke shmangur rrezikun për jetën e qytetarëve.

“Zjarret të vështira për shkak edhe të materialeve që ndodhen. Për zjarret nuk ka masa parandalësues, megjithëse se tregjet dhe dyqanet janë afër me njëra-tjetrën. Fakti që zjarri është mundur që të neutralizohet është falë punës së forcave të zjarrfikësve. Shtëllungat e zjarrit, ishim masive, u përhapësh shpejt dhe dukeshin nga çdo cep i Tiranës. Fatmirësisht ngjarja ka ndodhur natën, dhe në ambientet e dyqaneve nuk ka pasur punonjës, tregtarë apo qytetarë”, tha Softa.

E rëndë në burgun e Reçit/ Astmer Bilali dhe Mikel Thani konfliktohen me njëri-tjetrin

Një sherr fizik raportohet se ka ndodhur këtë të enjte në burgun e Reçit në Malësinë e Madhe. Astmer Bilali dhe Mikel Thani janë konfliktuar me njëri-tjetrin, saqë kanë përfunduar më pas në spitalin e burgut.

Mikel Thani u arrestua në vitin 2015 pasi ishte i dyshuar për plagosjen e prindërve të ish të fejuarës dhe mbesës së tyre ndërsa Astmer Bilali është arrestuar në kuadër të dosjes “Metamorfoza”.

Kujtojmë se pak kohë më parë në burgun e Reçit pati një tjetër sherr fizik, mes Safet Bajrit dhe Sokol Sanxhaktarit, i cili u dëmtua rëndë fizikisht.

Digjet tregu te “5 Maji”/ Zjarri vihet në kontroll. Shkak dyshohet një defekt elektrik

Gazetari Ervin Leka, raporton nga vendi ngjarjes se zjarri i madh që përfshiu tregun te “5 Maji” është vë nën kontroll nga zjarrfikësit.

Fatmirësisht nuk raportohet për viktima apo të lënduar, megjithëse se zjarri që zgjati për gati dy orë dhe që përfshiu një ndërtesë tregtare dy katëshe, ka shkrumbuar gjithçka, ku dëmet materiale janë kolosale.

Dyshohet paraprakisht që shkak i këtij zjarri masiv të jetë bërë një defekt elektrik, gazetari i ABC News ka mësuar se dyshohet që nga dyqanet të ketë harruar një ngrohëse hapur, megjithatë do të jenë hetimet e mëtejshme ato të cilat do përcaktojnë qartë shkakun.

Ushtria siriane nis sulme ndaj SDF-së, rritet frika për ndërhyrjen e Turqisë

Mijëra njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Aleppo, Siri, pasi iu dha urdhër të evakuohen për shkak të luftimeve midis ushtrisë siriane dhe forcave kurde.

Qeveria provinciale caktoi një afat deri të enjten që njerëzit të largoheshin nga zonat me shumicë kurde duke përdorur korridoret e evakuimit.

Ushtria më vonë publikoi harta që tregonin zonat e ndaluara. Bëhet e ditur se ushtria do të fillojë “operacione të synuara” kundër Forcave Demokratike Siriane (SDF) në zonat Sheikh Maqsoud, Achrafieh dhe Bani Zaid.

Granatimet dhe sulmet me dronë u intensifikuan të enjten pasdite dhe tanket mund të shiheshin duke hyrë në lagje, shkruan skynews.

Luftimet – të cilat filluan në qytetin verior të martën – vijnë ndërsa SDF e udhëhequr nga kurdët vazhdon të rezistojë ndaj integrimit në ushtrinë siriane pas përmbysjes së presidentit Assad në fund të vitit 2024.

SDF tha se luftëtarët e tyre ishin të përfshirë në përleshje të ashpra me fraksione të lidhura me qeverinë dhe se të paktën tetë civilë ishin vrarë në lagjet me shumicë kurde.

Ajo pretendoi se paralajmërimet për bombardime mund të konsideroheshin si zhvendosje e detyruar dhe krime lufte.

Zyrtarët qeveritarë thanë se të paktën shtatë civilë dhe një ushtar u vranë në zonat e afërta të kontrolluara nga qeveria.

Sipas drejtorisë provinciale të çështjeve sociale dhe punës, gati 140,000 njerëz janë zhvendosur në të gjithë provincën e Alepos.

SDF kontrollon pjesën më të madhe të Sirisë verilindore dhe për vite me radhë ka qenë partneri kryesor i SHBA-së në luftën kundër grupit Shteti Islamik në vend.

Ajo arriti një marrëveshje me qeverinë siriane në mars që parashikonte integrimin e plotë midis forcave të të dy palëve deri në fund të vitit 2025.

Megjithatë, progresi ka qenë i ngadaltë dhe të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për zvarritje.

Amerika, e cila mbështet presidentin e ri Ahmed al Sharaa, është përpjekur të ndërmjetësojë dhe bisedimet e fundit u zhvilluan të dielën.

Ekzistojnë frikëra se një dështim për të integruar SDF-në në ushtrinë siriane do të thotë më shumë dhunë dhe mund ta nxisë Turqinë të përfshihet ushtarakisht.

Ankaraja i konsideron luftëtarët kurdë si terroristë për shkak të lidhjeve që thotë se kanë me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK, e cila ka zhvilluar një kryengritje të gjatë në Turqi.

Por, fuqitë ndërkombëtare kanë bërë thirrje për përmbajtje dhe ulje të tensioneve.

VIDEO/ Dy orë në flakë, shkrumbohet gjithçka në tregun e rrobave të përdorura te 5 Maji

Një zjarr i madh ka përfshirë mbrëmjen e kësaj të enjteje 8 janar, tregun e rrobave të përdorura në lagjen 5 Maji në Tiranë.

Fillimisht flakët dogjën një kapanon dhe më pas u përhapën masivisht. Fatmirësisht, nuk ka persona të lënduar, por dëmet materiale janë të konsiderueshme.

Pas më shumë se dy orësh në flakë, në treg gjithçka duket e shkrumbuar. Ndërkohë që deri më tani fatmirësisht nuk raportohet për viktima apo të lënduar.

Dhjetëra forca zjarrfikëse nga Tirana, Elbasani, Vora dhe ushtria janë sinjalizuar për të vendosur flakët nën kontroll.

Kushtet në burgun famëkeq ku po mbahen Maduro dhe gruaja e tij

Nicolas Maduro dhe gruaja e tij, Cilia Flores, me sa duket duhet të mësohen me jetën e tyre të re të përditshme në Qendrën famëkeqe Metropolitan të Paraburgimit në Brooklyn, New York.

“Është vërtet ferr”, tha konsulenti federal i burgjeve Sam Mangel për CNN.

“Ka shumë pak ngrohje. Çdo i burgosur merr një batanije leshi. Kanë një dyshek të hollë”, shtoi ai.

Presidenti i rrëzuar i Venezuelës dhe zonja e parë janë të burgosurit e fundit të profilit të lartë që mbahen në burgun federal të njohur si MDC, me një histori të dokumentuar të ndërprerjeve të energjisë elektrike , mungesës së personelit dhe ankesave të të burgosurve .

CNN nuk mundi të përcaktojë saktësisht se si po trajtohet çifti. As zyrtarët e burgut dhe as avokatët që përfaqësojnë çiftin nuk kanë zbuluar asgjë.

Mangel, si dhe një ish-zyrtar federal i burgjeve dhe një avokat mbrojtës me klientë të vendosur në MDC, treguan për kushtet sfiduese të burgut dhe se si trajtohen zakonisht të paraburgosurit e profilit të lartë në një mjedis të tillë.

Byroja Federale e Burgjeve nuk komenton për të burgosurit aktualë, por Mangel tha se Maduro dhe Flores ka të ngjarë të jenë të vendosur në një zonë të ndarë, jo me popullsinë e përgjithshme – në qeli të ndara dhe vetëm.

“Në rastin e tij, ai përbën një rrezik sigurie për popullatën e përgjithshme”, tha Mangel.

“Askush nuk e di se çfarë mund të mendojnë të burgosurit e tjerë për të, anëtarë të tjerë të bandave, anëtarë të tjerë të kartelit, kështu që futja e tij në popullatën e përgjithshme në çdo kohë… mendoj se do të ishte një rrezik i jashtëzakonshëm sigurie për institucionin.”

Përpara kapjes së tyre nga ushtria amerikane, çifti kishte jetuar në Pallatin Miraflores, një rezidencë presidenciale e gjerë e njohur për arkitekturën e saj neoklasike, dritaret e mëdha, sallat madhështore dhe oborret e mirëmbajtura.

Ata tani janë midis të paraburgosurve që përfshijnë një përzierje të të dyshuarve dhe të pandehurve, duke përfshirë njerëz të akuzuar për krime të rënda, raste të profilit të lartë dhe të tjerë që presin dënimin ose transferimin.

Në paraqitjen e tyre të parë në gjykatë në New York, Maduro dhe Flores deklaruan të pafajshëm për akuzat për drogë dhe armë dhe zgjodhën, të paktën për momentin, të mos luftojnë për paraburgimin e tyre.

Maduro dhe gruaja e tij ndoshta nuk kanë kontakt të rregullt me njëri-tjetrin, përveç nëse të dy kanë planifikuar takimet e tyre me avokatët e tyre në të njëjtën kohë, sipas Hugh Hurwitz , i cili drejtoi Byronë e Burgjeve nga maji 2018 deri në gusht 2019.

Hurwitz i bëri vlerësimet e tij bazuar në përvojën e tij si drejtor në detyrë i sistemit federal të burgjeve.

Jeta e të burgosurve të ndarë nga popullata e përgjithshme përfshin një thirrje zgjimi në orën 6 të mëngjesit, me kohë të planifikuar për t’u takuar me avokatët e tyre çdo ditë, ushtrime në natyrë dhe vizita ditore nga personeli shëndetësor, sipas manualit të Byrosë së Burgjeve.

“Të burgosurit në Njësinë Speciale të Strehimit të burgut, të njohur si SHU, ku ka të ngjarë të jetë vendosur Maduro, mbahen në izolim në kushte kufizuese”, tha Daniel McGuinness, avokat i mbrojtjes penale dhe i të drejtave civile, i cili përfaqëson disa klientë të vendosur në MDC.

Të burgosurit kalojnë deri në 23 orë të mbyllur brenda qelive të tyre me protokolle kufizuese shoqërimi në fuqi kur dalin jashtë tyre dhe kanë akses të kufizuar në telefonata të ligjshme, sipas një raporti të Departamentit të Drejtësisë .

“Nuk e di nëse po e mbajnë të mbyllur në qelinë e tij 23 orë në ditë… por pa dyshim që është në një njësi të sigurt ku askush nuk mund ta takojë”, tha Hurwitz.

“Jam i sigurt se po e mbajnë të ndarë nga të burgosurit e tjerë. Nëse po e vendosin me dikë, është dikush që e kanë verifikuar dhe e dinë se nuk do të jetë problem”, shtoi ai.

Në fakt, MDC, i përshkruar nga avokatët dhe të burgosurit njësoj si “i neveritshëm” me kushte “të tmerrshme”, është një vend i rrezikshëm, ku në vitin 2024 dy të burgosur u vranë nga të burgosur të tjerë duke përdorur armë të improvizuara, sipas prokurorëve federalë.

SHBA tërhiqet nga 66 organizata/ Sotiri: Trump mbajti premtimin elektoral, u dha përparësi energjisë dhe taksave

Ekspertja Juxhina Sotiri vlerëson në emisionin “War Report” në ABC News se vendimet e ish-presidentit Donald Trump lidhen kryesisht me premtimet e tij elektorale dhe interesat strategjike të SHBA-së. Sipas saj, Trump synonte të ulte barrën fiskale të shtetasve amerikanë dhe për këtë shkak tërhoqi SHBA-në nga disa organizata dhe institucione ndërkombëtare.

Sotiri shton se një tjetër motiv ishte shfrytëzimi i rezervave energjetike, duke vënë në plan të parë interesat ekonomike mbi politikat e ruajtjes së naftës. Ekspertja thekson gjithashtu se politika ndërkombëtare e Trump fokusohet më shumë tek aspektet strategjike dhe energjetike, sesa tek çështjet humanitare dhe ato të klimës.

“Unë mendoj që është një premtim elektoral i Trump, që me ardhjen e tij në SHBA do të ulte barrën e shtetasve amerikanë dhe këtë e bëri me tërheqjen e shumë organizatave dhe institucioneve të ndryshme. Arsyeja e dytë është që kemi po aq interesa për të shfrytëzuar rezervat energjetike, se sa ruajtja e naftës. Ka politika të tjera ndërkombëtare të Trump dhe SHBA që duan të fokusohen se sa të aspektet humanitare dhe të klimës”, tha ekspertja.

Përshkallëzohet zjarri te tregu te 5 Maji/ Në vendngjarje 15 automjete zjarrfikëse në ndihmë edhe ushtria

Përshkallëzohet zjarri në 5 Maj ku flaket vijojnë të djegin disa magazina.

Rreth 15 automjete zjarrfikëse dhe 70 forca që po punojnë për shuarjen e flakëve.

Për shkak të rrezikut nga përhapja e zjarrit dhe tymit të dendur, banorët e pallateve përreth janë evakuuar nga banesat e tyre.

Ne ndihme forcave zjarrfikëse i kane ardhur dhe forca nga ushtria.

Protesta masive në Iran/ Ndërpritet interneti dhe linjat telefonike

Njerëzit në kryeqytetin e Iranit u mblodhën në rrugë pas një thirrjeje nga princi i kurorës në mërgim i vendit për një demonstratë masive.

Linjat telefonike dhe qasja në internet në Iran u ndërprenë menjëherë pas fillimit të protestave.

CloudFlare, një firmë interneti, dhe grupi i avokatisë NetBlocks raportuan ndërprerjen e internetit, duke ia atribuar të dyja ndërhyrjes së qeverisë iraniane.

Përpjekjet për të telefonuar në linja fikse dhe celulare nga Dubai në Iran nuk mundën të lidheshin.

Ndërprerje të tilla në të kaluarën janë pasuar nga masa të ashpra qeveritare.

Kjo përfaqëson një përshkallëzim të ri në lëvizjen e protestave, fillimisht kundër ekonomisë së dobët të Iranit, që është përhapur në të gjithë Republikën Islamike.

Bëhet e ditur se protesta përfaqësoi provën e parë nëse publiku iranian mund të bindej nga Princi i Kurorës Reza Pahlavi, babai i të cilit, i sëmurë rëndë, u largua nga Irani pak para Revolucionit Islamik të vitit 1979.

Pahlavi kishte bërë thirrje për demonstrata të enjten dhe të premten.

Britmat përfshinin “Vdekje diktatorit” dhe “Vdekje Republikës Islamike”.

Të tjerë e lavdëruan shahun, duke bërtitur “Kjo është beteja e fundit! Pahlavi do të kthehet”.

Mijëra njerëz mund të shiheshin në rrugë.

“Kombi i madh i Iranit, sytë e botës janë mbi ju. Dilni në rrugë dhe, si një front i bashkuar, brohorisni kërkesat tuaja”, tha Pahlavi në një deklaratë.

“Unë e paralajmëroj Republikën Islamike, udhëheqësin e saj dhe Gardën Revolucionare se bota dhe presidenti Donald Trump po ju ndjekin nga afër. Shtypja e popullit nuk do të mbetet pa përgjigje”, shtoi ai.

E enjtja pa një vazhdim të demonstratave që shpërthyen në qytete dhe qyteza rurale anembanë Iranit të mërkurën.

Më shumë tregje dhe pazare u mbyllën në mbështetje të protestuesve.

Deri më tani, dhuna rreth demonstratave ka vrarë të paktën 39 persona, ndërsa më shumë se 2,260 të tjerë janë arrestuar.

Raportohet se rritja e protestave rrit presionin mbi qeverinë civile të Iranit dhe udhëheqësin e saj Suprem, Ajatollah Ali Khamenei.

Mbetet e paqartë se si thirrja e Pahlavit do të ndikojë në demonstratat që do të ecin përpara.

Pse u përmbyt Durrësi? Meçe: Mbipopullimi, tubacionet kaluan kapacitetet. Nuk kanë lidhje hidrovorët

Moti i keq ka vijuar edhe sot, më 8 janar, duke shkaktuar rritje të niveleve të lumenjve kryesorë.

Lajmi më i keq erdhi këtë të enjte, nga Durrësi ku u shënua edhe viktima e parë. Një 54-vjeçar u gjet i pajetë në një kanal kullimi pasi e mori rrjedha e ujit. Qyteti bregdetar vijon të jetë në situatë kritike pasi reshjet nuk kanë pushuar.

Analisti Arben Meçe, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, shpjegoi arsyet pas përmbytjeve të përsëritura në Durrës. Sipas tij, hidrovoret nuk janë të lidhura me situatën në qytet, ndërsa bashkimi i ujërave të zeza me ujërat e bardha ka shkaktuar bllokime të tubacioneve.

Meçe theksoi se ky problem ka ekzistuar që nga viti 2002 dhe vazhdon, duke u përkeqësuar për shkak të rritjes së qytetit dhe kapaciteteve të pamjaftueshme të rrjetit të kanalizimeve. Ai paralajmëroi se zgjidhjet radikale janë të vështira dhe kërkojnë ndërhyrje të mëdha, përfshirë shpronësime, ndërsa menaxhimi i Kënetës mbetet i mundur vetëm përmes kanaleve ekzistuese.

“Hidrovoret nuk kanë të bëjnë me Durrësin. Ujërat e zeza janë bashkuar me ujërat e bardha. Këneta ka punë me hidrovorit. Në Veliera është govatë dhe te stacioni është govatë, ku mbajnë ujin dhe bllokojnë gjithë Durrësit. Që nga 2002 dhe deri tani ky problem ka mbetur dhe vazhdon. Durrësi është rritur si qytet, kapaciteti i tubacioneve të tij i ka kaluar kapacitetet, nuk ka të bëjë me pustetat.

Bashkimi i ujërave të zeza dhe ujërat e bardha ka sjellë bllokim, të tubacioneve. Zgjedhja radikale në Durrës është shumë e vështirë, nëse do të bëhet një sistem kanalizimesh do të bëhen shpronësime. Durrësi është përmbytur dhe do të përmbytet më tej. Nuk ka mekanizëm teknik që të zhbllokojë Kënetën. Këneta do të menaxhohet vetëm përmes kanaleve”, tha Meçe.

“Nuk është fatkeqësi natyrore, është keqmenaxhim”/ Shqipëria nën ujë, Softa: Ka tre fajtorë…

Eksperti i sigurisë Fatjon Softa, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, theksoi se përmbytjet nuk duhet të konsiderohen gjithmonë si fatkeqësi natyrore, duke vënë theksin te mungesa e menaxhimit dhe parandalimit.

Sipas tij, situata përsëritet çdo vit sa herë që ka reshje shiu, njësoj si zjarret gjatë verës, çka tregon përgjegjësi të drejtpërdrejtë të pushtetit lokal, qeverisë qendrore dhe subjekteve private.

Softa nënvizoi se ndërhyrjet e pakontrolluara në lumenj, përfshirë edhe Vjosën, si dhe mungesa e masave ligjore për mbrojtjen e tyre, sjellin kosto të larta përmbytjesh, duke e bërë të domosdoshëm fokusin te parandalimi dhe menaxhimi afatgjatë i ujërave.

“Jo çdo përmbytje nuk është një fatkeqësi natyrore. Këtu sa herë që bie shi, kemi të njëjtën situatë. Në luftë me zjarret në vetë dhe në dimër përmbytjet. Është një përgjegjësi e madhe me pushtetin lokal. Nëse nuk dimë të menaxhojmë ujërat, do të kemi kostot e përmbytjeve. Ne duhet të merremi me parandalimin. Vjosa është një lumë i egër dhe i gjerë, por problemi është a ka një ndërhyrje një lumë.

Nëse ne marrim masa është që të ndalohet me ligj ndërhyrja. Kam tre linja ku duhet vënë përgjegjësia: pushteti lokal, qeveria e vendit dhe më pas janë edhe privatët. Nëse ka raste që mund të jetë dora e njeriut, të gjitha këto janë që duhet të ketë një lloj shqetësimi. Kjo situatë është e përvitshme, prandaj duhet të këtë ndërhyrje”, tha Softa.

Ura e Mifolit nën ujë/ Meçe: Shkak elementet teknikë. Nesturi: Në shkurt do kemi sërish përmbytje

Emisioni “Real Story” në ABC News u ndal këtë të enjte te situata emergjente e krijuar në vend si pasojë e përmbytjeve, duke sjellë në vëmendje shkaqet teknike dhe problematikat në menaxhimin e tyre.

Analisti Arben Meçe theksoi se rritja e nivelit të ujit lidhet me ndërhyrje artificiale në infrastrukturë, ndërsa ish-prefekti i Vlorës, Plator Nesturi, paralajmëroi se përveç problemeve me autostradën dhe kullimet, ekziston rreziku i përsëritjes së përmbytjeve në muajt në vijim, duke kërkuar vëmendje dhe masa të menjëhershme parandaluese.

Analisti Arben Meçe: Një shkak pse është ngritur niveli i ujit, është elementi teknik. Gjëja më urgjente është gjë kjo urë të hapet dhe të zhduket autostrada, e cila është bërë shkak kryesor. Pasi ngrihet në mënyrë artificiale uji.

Ish Perfekti i Vlorës, Plator Nesturi: Çështja e autostradës dhe kullimeve janë problematike, por ne kemi problematika në mënyrat e menaxhimit, por jo të situatës emergjente që është sot. Sot që po themi, duhet të jemi të kujdesshëm sepse mund të përsëritet. Në shkurt mund të ketë përsëri përmbytje. Këtë e thonë edhe specialistët.

“Të gjithë banorët e fshatit Ferras të evakuuar”/ Gazetarja e ABC News: Situata disi më e qetë

Situata e shkaktuar nga moti i keq në fshatin Ferras paraqitet kritike. Gazetarja Bleona Prengezaj, e cila ndodhet në terren, raportoi për emisionin “Real Story” në ABC News se bëhet fjalë për rrugën e vjetër Fier–Vlorë, ku uji ka vërshuar në rrugë, duke shkaktuar edhe dëmtime në argjinaturën e Martinës.

Sipas saj, gjendja në zonë ka qenë e rënduar, çka ka detyruar autoritetet të ndërmarrin masa emergjente. Të gjithë banorët e Ferrasit janë evakuuar dhe janë akomoduar përkohësisht në një konvikt në qytetin e Fierit. Prioritet në evakuim kanë pasur të moshuarit dhe fëmijët.

Aktualisht raportohet një rënie e nivelit të ujit dhe situata është drejt normalizimit, por shqetësimi për banorët mbetet i lartë për shkak të pasojave të motit të keq dhe rrezikut të mundshëm nga reshjet. Autoritetet vijojnë të monitorojnë situatën në zonë.

Shqipëria në pushtetin e ujit/ Gazetari tregon si tregon si është situata në Urën e Mifolit

Situata në Urën e Mifolit vijon të mbetet kritike si pasojë e motit të keq dhe reshjeve të dendura. Gazetari i ABC News, Ertvin Leka, raportoi për emisionin “Real Story” se, megjithëse matjet e fundit tregojnë një rënie të lehtë të nivelit të ujit, rreziku mbetet i lartë.

Sipas tij, shpresat lidhen me ndërprerjen e reshjeve, çka do të sillte uljen e prurjeve nga Memaliaj drejt Urës së Mifolit. Aktualisht, rrjedha e ujit është e rrëmbyer dhe po shkakton gërryerje të argjinaturave, duke shtuar frikën për qëndrueshmërinë e tyre.

Forcat e emergjencave civile dhe gomonet janë në gatishmëri deri në orët e para të mëngjesit. Ndërkohë, raportohet se disa banorë kanë refuzuar të evakuohen, pavarësisht rrezikut. Shqetësimi kryesor në këto momente mbetet nëse argjinaturat do të arrijnë të përballojnë presionin e ujit./abcnews.al

❌