Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas përfundimit të zgjedhjeve, duke e cilësuar rezultatin si të dhimbshëm, por duke theksuar se ai është verdikt i qytetarëve që duhet respektuar.
Në një mesazh drejtuar anëtarëve, qytetarëve dhe mbështetësve, Abdixhiku tha se viti po mbyllet ndryshe nga pritjet dhe se rezultati zgjedhor nuk ishte ai që ai dhe LDK-ja kishin synuar.
“Rezultati i zgjedhjeve nuk ishte ai që synova e synuam. Ishte i dhimbshëm për shumë prej nesh, por është verdikti i qytetarëve tanë dhe para këtij vendimi përulemi me respekt”, ka deklaruar ai.
Abdixhiku ka falënderuar të gjithë ata që, sipas tij, kanë besuar dhe kanë punuar me përkushtim për LDK-në, duke pranuar se zhgënjimi është i pranishëm, por se besimi në Kosovë, demokraci dhe të ardhmen e vendit nuk duhet të shuhet.
Ai ka bërë të ditur se ky është edhe një moment reflektimi personal, duke theksuar se ka bërë gjithçka që ka ditur dhe mundur, me ndershmëri dhe përkushtim, por se jo gjithmonë edhe maksimumi mjafton.
“Përpara nesh është një kohë reflektimi, vendimmarrjeje dhe përgjegjësie. Me kohë e në vendin e duhur, siç na mëson dinjiteti e përgjegjësia politike, do t’i shpalosi të gjitha”, ka shtuar Abdixhiku, duke nënvizuar se pavarësisht zhvillimeve të ardhshme, ai do të mbetet në shërbim të vendit.
Në fund, kreu i LDK-së ka ndarë edhe një mesazh personal, duke thënë se në natën e ndërrimit të motmoteve do t’ia kushtojë kohën familjes dhe dy vajzave të tij, të cilave tha se u ka borxh më shumë prani.
Ai u ka uruar qytetarëve dhe familjeve të tyre një Vit të Ri të mbarë, duke shprehur shpresën për një vit më të drejtë, më njerëzor dhe më të butë për Kosovën.
“Gëzuar 2026! Zoti e bekoftë atdheun tonë”, ka përfunduar Abdixhiku.
Rreth 52 mijë vota më pak, apo minus pesë vende në Kuvendin e Kosovës – ky është bilanci i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), nëse krahasohen dy palë zgjedhjet parlamentare të mbajtura këtë vit.
Faktorët që ndikuan në këtë rënie të mbështetjes për LDK-në nga elektorati janë të shumtë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.
Por, sipas tyre, kryesorët janë “qasja jo e duhur e lidershipit të partisë”, mosveprimi i partisë “sipas pritjeve të elektoratit” dhe “margjinalizimi i strukturave të vjetra”, të cilat tërheqin votuesit tradicionalë të kësaj partie.
Rezultatet preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tregojnë se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, më 28 dhjetor, për LDK-në votuan 119.201 qytetarë, apo 13.57 për qind e pjesëmarrësve në votime.
Në zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit, LDK-ja mori mbështetjen e 171.357 kosovarëve, ose të 18.27 për qind të atyre që votuan atë ditë.
LDK-ja “ia mbylli dyert vetes”
Analisti Imer Mushkolaj thotë për Radion Evropa e Lirë se arsyeja kryesore pse LDK-ja ka pësuar “rënie të madhe” në zgjedhjet e 28 dhjetorit ka nisur 11 muaj më parë.
Ai rikujton qëndrimin që asokohe kishte bërë të ditur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, se partia e tij nuk do të hynte në koalicion as me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), e cila kishte fituar 42 për qind të votave në shkurt, dhe as me dy partitë tjera, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), për një qeveri eventuale të kampit ish-opozitar asokohe.
LDK-ja refuzoi ofertën e LVV-së për partneritet në qeverisje.
“Është pikërisht qasja jo e duhur e lidershipit të partisë... Unë jam i bindur që kjo ka ndikuar jashtëzakonisht shumë te logjika se si votojnë dhe si kanë votuar votuesit e LDK-së, për shkak se për mua është e pakuptimtë që një parti, e cila ekziston për të ardhur në pushtet – sikurse çdo parti tjetër – thjeshtë ia mbyll dyert vetes”, thekson Mushkolaj.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2021, LDK-ja kishte marrë vetëm 12.73 për qind të votave. Megjithatë, ajo shënoi përmirësim në zgjedhjet e 9 shkurtit, duke u rritur për 5 pikë përqindjeje.
Analisti Rrahman Paçarizi konsideron se kur votuesit i rikthehen një partie, ata presin edhe veprim të saj.
“Ndërkohë, veprimi i LDK-së nuk ka ndodhur fare, apo nuk ka ndodhur ashtu siç e kanë pritur ose perceptuar ata votues, të cilët kanë menduar dhe shpresuar që LDK-ja do të jetë pjesë e institucioneve”, thotë Paçarizi për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se LDK-ja nuk ka arritur që ta ndërtojë rrëfimin e saj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, të cilat u pasuan me zvarritje disamuajshe të konstituimit të Kuvendit. LVV-ja, si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk arriti ta krijonte e vetme qeverinë e re, gjë që dërgoi vendin në zgjedhjet e parakohshme të fundvitit.
Megjithatë, trendi i rënies së numrit të votuesve të LDK-së, sipas Paçarizit, kishte nisur rreth pesë vjet më parë.
Ardhja e Abdixhikut në krye të partisë në vitin 2021 nënkuptoi edhe një ekip të ri njerëzish më të besueshëm të tij në strukturat drejtuese të partisë.
Përpjekjet për ripërtëritjen e partisë, thotë Paçarizi, nuk prodhuan edhe rezultat të mirë tek ruajtja e elektoratit.
“Mendoj se LDK-ja i ka lënë pas dore strukturat më të vjetra të saj, të cilat tashmë pothuajse janë margjinalizuar dhe janë struktura të fjetura. Votuesit e këtyre strukturave nuk bëhen elektorat i askujt tjetër, por refuzojnë të dalin për ta votuar LDK-në”, thekson Paçarizi.
Në linjë të njëjtë shpreh mendimin edhe Mushkolaj, i cili po ashtu e sheh margjinalizimin e disa prej njerëzve nga strukturat më të vjetra të LDK-së, si shkaktar të rënies së numrit të votuesve të kësaj partie.
“Të mos harrojmë se profili i votuesve të LDK-së janë edhe njerëzit në moshë mesatare dhe të shtyrë, të cilët gjatë viteve të tëra e kanë asociuar LDK-në me këta njerëz. Atëherë, mos pritni që të njëjtit kanë për t’ia dhënë votën LDK-së. Më e pakta që ata mund të bëjnë është që të abstenojnë nga votimi dhe të mos votojnë LDK-në”.
Ku shkuan votuesit e LDK-së?
Rënia e numrit të votuesve të LDK-së më 2021, rikthimi i një numri të tyre në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe rënia e sërishme në zgjedhjet 28 dhjetorit, tregojnë se mjaft prej këtyre votuesve i takojnë “zonës së hirtë” të elektoratit.
Paçarizi shpjegon se ky elektorat është i papërcaktuar për ndonjë parti politike. Sipas tij, LDK-ja arriti të përfitojë një përqindje të mirë të këtij elektorati prej vitit 2021 e deri në shkurt 2025, kur u mbajtën zgjedhjet.
Por, siç thotë ai, brenda 11 muajve të fundit, LDK-ja nuk arriti që këtë elektorat ta mobilizonte në drejtim të saj.
“Pati mungesë të përpjekjes për t’i ftuar, për t’i apeluar votuesit që të hidhen në ‘zonën e hirtë’ ndërmjet partive politike. Ata janë votues të emancipuar, të cilët shohin programet e partive politike. Kjo ka qenë fatale për LDK-në, e cila është rikthyer në rezultatin e saj të vitit 2021”, thekson Paçarizi.
Ndërkaq, Mushkolaj vlerëson se një numër i madh i votuesve të papërcaktuar më 9 shkurt votuan për LDK-në. Por, gjatë 11 muajve të fundit, ata ndryshuan mendje.
“Një numër i madh i këtyre njerëzve që kanë votuar për LDK-në më 9 shkurt, janë kthyer te Lëvizja Vetëvendosje. Unë mendoj që kjo ka ndodhur për shkak se te LDK-ja nuk e panë qëndrueshmërinë dhe seriozitetin e një partie për të ardhur në pushtet, qoftë me opozitën, qoftë me partinë fituese”, shprehet ai.
E ardhmja e mundshme e LDK-së
Në mbrëmjen e 28 dhjetorit, pas shpalljes së rezultateve preliminare nga KQZ-ja, lideri i LDK-së pranoi mbi vete përgjegjësinë për rezultatin e ulët të partisë së tij në këto zgjedhje.
Ai paralajmëroi se së shpejti LDK-ja do të mbajë Kuvendin e përgjithshëm, për të adresuar hapat e mëtejmë, dhe nuk përjashtoi mundësinë e dorëheqjes së tij.
Lidhur me këtë çështje, Radio Evropa e Lirë kontaktoi zyrtarë të LDK-së, por ata nuk ishin të gatshëm të komentonin zhvillimet e mundshme brenda partisë.
Vëzhguesit e zhvillimeve politike i shohin paralajmërimet e Abdixhikut si një hap para dorëheqjes së tij. Ata besojnë se brenda LDK-së ka persona me ambicie për ta marrë drejtimin e timonit të LDK-së, por mbetet ende pikëpyetje se kush mund të jetë lideri i ardhshëm.
Mushkolaj thekson se ndryshimi eventual i kryesisë së LDK-së duhet të nënkuptojë edhe ndryshim të qasjes së deritashme të udhëheqjes së partisë.
“Nëse do të ketë qasje të ngjashme me këtë të Abdixhikut, nuk mendoj se LDK-ja mund të këndellet, dhe të jetë parti e fortë dhe serioze në garë kundrejt [Albin] Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje”, theksoi Mushkolaj.
Homogjenizimi i elektoratit të LDK-së, sipas Paçarizit, kërkon një lider, i cili duhet të ketë qasje përbashkuese të strukturave të partisë.
Por, siç vlerëson ai, pavarësisht ambicieve të disa personave për ta marrë drejtimin e LDK-së, këndellja e kësaj partie do të jetë e vështirë.
“Kur dihet që zgjedhjet e radhës me gjasë do të jenë pas katër vjetësh, atëherë vështirë se do të ketë një lider që do ta marrë me vullnet partinë dhe do të arrijë ta mbajë për katër vjet të ndezur elektoratin e LDK-së, në mënyrë që të shënojë ndonjë rezultat”, shprehet Paçarizi.
Rezultatet preliminare e nxorën LDK-në partinë e tretë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Ajo parashihet t’i ketë 15 vende në Kuvend, ndryshe nga zgjedhjet e 9 shkurtit, kur i fitoi 20 sosh.
Lëvizja Vetëvendosje aktualisht ka siguruar 56 vende në Kuvend, PDK-ja 21, AAK-ja 6, ndërsa 20 vende të tjera janë të garantuara për komunitetet joshumicë.
Dy ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së dielës në Kosovë, po bëhet gjithnjë e më e qartë përbërja e re e Kuvendit të Kosovës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur numërimin e votave për kandidatët për deputetë që nga e hëna, ndërsa deri më tani janë numëruar 46,38% e tyre.
Në këto zgjedhje kanë marrë pjesë rreth 45 për qind e afro dy milionë qytetarëve me të drejtë vote. Rezultatet paraprake tregojnë se zgjedhjet janë fituar bindshëm nga Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Sipas të dhënave aktuale, më poshtë janë pesë kandidatët më të votuar nga secila parti, kur janë numëruar pak më shumë se një e treta e votave:
Lëvizja Vetëvendosje
Albin Kurti – 160.850 vota
Glauk Konjufca – 125,080vota
Albulena Haxhiu – 65,370 vota
Hekuran Murati – 64,768 vota
Donika Gërvalla – 57,711 vota
Partia Demokratike e Kosovës (PDK)
Bedri Hamza – 73,114 vota
Arian Tahiri – 34,418 vota
Përparim Gruda – 32,051 vota
Uran Ismaili – 25,336 vota
Sala Jashari – 22,997 vota
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)
Lumir Abdixhiku – 35,284 vota
Hykmete Bajrami – 22,347 vota
Ukë Rugova – 19,539 vota
Avdullah Hoti – 17,298 vota
Doarsa Kica Xhelili – 17,268 vota
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)
Ramush Haradinaj – 17,894 vota
Daut Haradinaj – 10,977 vota
Besnik Tahiri – 10,814 vota
Bekë Berisha – 7,940 vota
Agim Çeku – 7,246 vota
Bazuar në të dhënat paraprake, Lëvizja Vetëvendosje pritet t’i ketë 56 ulëse në Kuvend, e pasuar nga PDK-ja me 23, LDK-ja me 15, Lista Serbe me 9 dhe AAK-ja me 6 ulëse.
Personi më i votuar në Kosovë deri më tani është Albin Kurti.
Në zgjedhjet e rregullta të 9 shkurtit, ai kishte marrë 337.791 vota, duke thyer rekordin e mëparshëm të presidentes Vjosa Osmani. Mbetet të shihet nëse Kurti do të arrijë ta forcojë këtë rekord edhe në këto zgjedhje.
Numërimi i votave po vazhdon dhe rezultatet përfundimtare pritet të konfirmohen nga KQZ në ditët në vijim./Telegrafi.
Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama ka reaguar pas rezultatit zgjedhor të LDK-së, ku ka vlerësuar punën e kryetarit Lumir Abdixhiku, duke e cilësuar atë si një shembull të lidershipit të përgjegjshëm dhe të orientuar nga standardet demokratike.
“Lumir Abdixhiku përfaqëson një model të lidershipit të përgjegjshëm. Ai udhëhoqi një proces të thellë reformues brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke e orientuar partinë drejt standardeve programore, profesionale dhe morale që i shërbejnë interesit publik dhe jo kalkulimeve afatshkurtra politike”, ka shkruar Rama në një postim në Facebook.
Ai shtoi se Abdixhiku ka investuar në një ekip kompetent dhe program substancial.
“Investimi i tij në një program substancial dhe në një ekip përfaqësues dhe kompetent është një deklaratë e qartë se politika duhet të ndërtohet mbi ide, vlera dhe kapacitete reale”, tha Rama.
Rama vlerësoi gjithashtu qasjen e Abdixhikut ndaj kundërshtarëve politikë.
“Lumiri, me vetëdije të plotë politike, refuzoi të bëhet pjesë e diskursit fyes dhe përçarës që ka dëmtuar për vite me radhë kulturën politike në vend. Ai refuzoi nënçmimin e kundërshtarëve politikë, duke zgjedhur maturinë, respektin institucional dhe gjuhën e përgjegjshme si mjete të konkurrencës demokratike”, ka theksuar tutje kryetari i Prishtinës.
Sipas Ramës, vizioni dhe integriteti i Abdixhikut u dëshmuan edhe përmes zgjedhjes së njerëzve jashtë partisë për të shërbyer qytetarëve.
“Ky është një standard që e afron politikën me shtetin dhe jo me interesin e ngushtë partiak dhe është për t’u marrë shembull”, tha Rama.
Rama përfundoi postimin duke theksuar respektin e Abdixhikut për rezultatet dhe rregullat demokratike.
“Me dinjitet institucional e udhëhoqi procesin dhe me po aq dinjitet mbrëmë e pranoi rezultatin, duke treguar respekt për rregullat demokratike dhe për vullnetin e qytetarëve. Kjo qasje dëshmon vizionin, pjekurinë dhe progresin e tij si politikan. Ky është modeli i lidershipit që ndërton dhe që bashkon shoqërinë, dhe që i duhet vendit edhe në të ardhmen”, u shpreh Rama. /Telegrafi/
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se rezultati zgjedhor nuk është ai që ka pritur, duke shtuar se ky është moment i një “reflektimi të thellë” dhe i përgjegjësisë politike. Në bazë të numërimit të 95 për qind të votave, LDK-ja është e treta me 13.80 për qind të votave. Kjo parti kishte 18 për […]
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se merr përgjegjësinë për rezultatin e dobët të arritur në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Abdixhiku ka deklaruar se rezultati zgjedhor nuk ka qenë i pritshëm, duke theksuar se situata kërkon reflektim të thellë brenda partisë.
“Ne duhet të respektojmë verdiktin e popullit. Nuk kam arritur ta çoj LDK-në aty ku kam besuar se duhet të jetë. Kam ndërtuar ekip me njerëzit më të mirë dhe kemi bërë program, por ky është verdikti i qytetarëve dhe para këtij verdikti përulemi të gjithë".
Ai ka shtuar se mban përgjegjësi të plotë për rezultatin e zgjedhjeve dhe se do t’i thërrasë organet e LDK-së për të diskutuar hapat e mëtejmë.
“Duke marrë përgjegjësinë, ditëve në vijim do ta thërras Kuvendin e LDK-së dhe para tij do t’i shpalosim e shqyrtojmë të gjitha çështjet dhe përgjegjësit që mbaj si kryetar".
“Rezultati i LDK-së nuk është ai që e kemi pritur dhe dëshiruar. Është moment reflektimi. Kur qytetarët flasin, ne duhet të dëgjojmë. Demokracia funksionon kur udhëheqësit mbajnë përgjegjësi, edhe kur kanë humbje të tilla”, ka thënë Abdixhiku”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se çështja e dorëheqjes së tij do të diskutohet edhe në Kuvendin e Përgjithshëm të LDK-së.
“Në Kuvendin e Përgjithshëm edhe dorëheqja do të vihet në diskutim”, ka theksuar Abdixhiku./Telegrafi/
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i është drejtuar qytetarëve që të dalin të votojnë në Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare.
Ai ka thënë se qytetarët të votojnë për zhvillim, stabilitet dhe për të ardhmen euroatlantike.
“Është një ditë e mirë, ditë e mbarë dhe shpresoj që gjithçka të shkoj mirë”, tha Abdixhiku.
“Uroj që qytetarët të votojnë për zhvillim, stabilitet, për të ardhme euroatlantike dhe të largohen nga zymtësia dhe bllokada që na ka shoqëruar në këto vite”.
“Le të fitojë populli i Kosovës, siç di të fitojë në ditën e zgjedhjeve”, shtoi më tej ai. /Telegrafi/
Kandidati për Kryeministër nga LDK, Lumir Abdixhiku në Debat Plus të Dukagjinit ka thënë se nuk ofendon Kurtin e elektoratin e tij, sado që s’pajtohet me atë çfarë përfaqëson.
Madje sipas tij një pushtet që kërcënon demokracinë e vendit, është rrezik.
“Unë nuk e ofendoj as Kurtin as elektoratin e tij.Mund të mos pajtohem me atë çfarë përfaqëson".
"Një pushtet që kërcënon demokracinë e vendit, ai kërcënon më shumë se sa vetëm fjalë, është e rrezikshme. Turmat janë të rrezikshme. Ata kanë rrënuar çdo urë të komunikimit me ne. Ne kemi qenë korrekt me ta, ata kanë ofenduar dhe propaganduar. Në anën tjetër besoj që mirë që e kanë kuptuar se gjuha duhet të ndërrohet”, tha Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka komentuar deklaratat e liderëve të Vetëvendosjes për gjuhën ndaj partisë që drejton.
Ai ka thënë se nuk ia fal Albin Kurtit kur doli në foltore e tha që LDK-në po e do Serbia.
“Këta kanë kërku 500 mijë vota, nuk kanë lyp partner. Nuk kërkon partner në studio, ndërton partneritet, respekt ndaj votuesit. Momentin që Kurti del në foltore e i drejtohet LDK-së juve po iu do Serbia, ka rrënu secilën urë bashkëpunimi. Pa qartësim të kësaj, nuk mundet me iu afru LDK-së".
"Kemi qenë shumë korrekt. LDK-ja në EPP ka mbajt prezencë solide, kemi ofruar resolute për liberalizim të vizave. Sa herë që ka pasur nevojë kemi ofru komunikim. Nuk i bëjmë publike, janë tema me interes publik. Në momente shumë të vështira, LDK i ka thënë atij jemi në tërësi të përbashkët, për interesa e qëllime. Kemi folur për aleatë e aleanca. Nuk e kemi prit që ai ndërton gjuhë kundër LDK-së”, tha Abdixhiku në RTV Dukagjini.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar gjuhën e Vetëvendosjes, për jetën e qytetarëve.
Ai ka thënë se qytetarët kanë halle me rrymë e fatura, përderisa VV-ja thotë që jeta është e mirë.
“Qytetarët nuk kanë rrymë, iu kanë ardhë faturat me rritje, tregoju që jeta është më mirë. Një pushtet po mendon që qytetarët e kanë jetën mirë, nuk e kanë as mendjen me ua ndreq jetën, çmimet nuk janë rrit, rrogat janë rrit, ekonomia po lulëzon. Nuk kanë bo gjë. Këta e marojnë një sistem paralel e nuk e kanë mendjen me i ndihmu qytetarëve”, tha Abdixhiku në RTV Dukagjini.
Kandidati i Lidhja Demokratike e Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se e ardhmja e Kosovës është digjitale, duke theksuar rolin kyç të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në zhvillimin e vendit.
Gjatë një diskutimi të mbajtur sot në DeepSpace Prishtinë, Abdixhiku tha se teknologjia përfaqëson një mundësi reale për Kosovën që të bëjë një kapërcim të madh zhvillimor dhe të zërë hapin me vendet evropiane.
Ai theksoi se në botën digjitale koha përshpejtohet dhe se një brez i ri, i vendosur dhe i pajisur me dije moderne, mund të sjellë ndryshim të madh për vendin. Sipas tij, rinia dhe njohuritë e reja përbëjnë përparësinë më të madhe të Kosovës.
Abdixhiku prezantoi gjithashtu planin e LDK-së për krijimin e Ministrisë së Digjitalizimit, si dhe trajnimin e 40 mijë të rinjve në fushën e teknologjisë informative dhe komunikimit (ICT), me synim krijimin e vendeve të reja të punës, ndërtimin e një ekonomie moderne dhe funksionalizimin e shtetit në epokën digjitale.
Lidhja Demokratike e Kosovës po mban tubimin e saj përmbyllës të kësaj fushate. Kandidati për Kryeministër, Lumir Abdixhiku, në fjalimin e tij deklaroi se pa LDK-në nuk ka stabilitet, orientim e shtet që respekton qytetarin e vet.
Prandaj, sipas tij LDK vjen të ndërtojë që të ndërtoj të ardhmen dhe të punojë për të mirën e secilit.
“Kjo është LDK-ja që e kemi dashur gjithherë. Kjo është LDK-ja që e kemi ëndërruar përherë. Një lëvizje njerëzish të lirë, jo një turmë e komanduar. Një forcë politike e mendimit, jo e zhurmës. Një shtëpi ku fjala ka peshë, ku dinjiteti ka vlerë dhe pushteti ka qenë gjithmonë mbi secilin prej nesh”, tha Abdixhiku.
Ai gjatë fjalimit foli edhe për eksperiencën e fushatës.
Abdixhiku deklaroi se kjo fushatë tregoi që shoqëria është e lodhur nga mungesa e drejtimit.
“Kjo fushatë na e tregoi qartë se shoqëria jonë nuk është e thyer. Ajo është e lodhur. Dhe lodhja nuk vjen nga mungesa e vullnetit, por nga mungesa e drejtimit. Nga ndjenja se përpjekja individuale nuk po shoqërohet me politika të drejta dhe me institucione që funksionojnë”, shtoi Abdixhiku.
Abdixhiku po ashtu deklaroi se LDK-ja nuk është partie momentit, por e momenteve historike.
Kandidati për Kryeministër, Lumir Abdixhiku, në fjalimin e tij deklaroi se pa LDK-në nuk ka stabilitet, orientim e shtet që respekton qytetarin e vet.
Prandaj, sipas tij LDK vjen të ndërtojë që të ndërtoj të ardhmen dhe të punojë për të mirën e secilit.
“Kjo është LDK-ja që e kemi dashur gjithherë. Kjo është LDK-ja që e kemi ëndërruar përherë. Një lëvizje njerëzish të lirë, jo një turmë e komanduar. Një forcë politike e mendimit, jo e zhurmës. Një shtëpi ku fjala ka peshë, ku dinjiteti ka vlerë dhe pushteti ka qenë gjithmonë mbi secilin prej nesh”, tha Abdixhiku.
Ai gjatë fjalimit foli edhe për eksperiencën e fushatës.
Abdixhiku deklaroi se kjo fushatë tregoi që shoqëria është e lodhur nga mungesa e drejtimit. “Kjo fushatë na e tregoi qartë se shoqëria jonë nuk është e thyer. Ajo është e lodhur".
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar vizionin e partisë së tij për zhvillimin e infrastrukturës rrugore, duke theksuar se brenda më pak se një mandati qeverisës do të përfundojnë projektet kryesore rrugore në vend.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka deklaruar se LDK synon ta shndërrojë lidhjen rrugore mes qyteteve në një realitet të ri zhvillimor për Kosovën.
“Për më pak se një mandat, rrugët e Kosovës duhet të përfundojnë. Do të përfundojnë me ne!”, ka shkruar ai, duke shtuar se ekipet e LDK-së do të jenë të angazhuara vazhdimisht në terren për realizimin e këtyre projekteve.
Sipas tij, projekte si Unaza e Kryeqytetit, Autostrada e Anamoravës, si dhe magjistralet për Podujevë, Mitrovicë, Pejë dhe Gjakovë, duhet të përmbyllen si projekte kombëtare të zhvillimit.
“Sepse rrugët janë ekonomi, janë lëvizje, janë vende pune dhe jetë më e lehtë për qytetarët tanë”, ka theksuar Abdixhiku.
Kreu i LDK-së ka nënvizuar se Kosova ka nevojë për veprime konkrete dhe zhvillim të qëndrueshëm.
“Kosova ka nevojë për punë konkrete. Kosova ka nevojë për zhvillim. LDK do t’i përfundojë. Ky është plani ynë”, ka përfunduar Abdixhiku.
Deklaratat e tij vijnë në kuadër të prezantimit të prioriteteve programore të LDK-së, me fokus në infrastrukturë si shtyllë kryesore për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
Lidhja Demokratike e Kosovës, sot nga ora 18:00 do ta mbajë tubimin përmbyllës të fushatës së saj.
Kështu është bërë e ditur në postimin e LDK-së, ku thuhet se tubimi mbyllës do të mbahet në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.
“Sot, e premte, e mbyllim fushatën së bashku! Ejani në orën 18:00, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Le ta bëjmë një mbrëmje shprese dhe mobilizimi”, thuhet në postim.
Kandidati për kryeministër të Kosovës nga LDK-ja, Lumir Abdixhiku ka folur në lidhje me gjuhën e Vetëvendosjes para dhe gjatë fushatës.
“Lëvizja Vetëvendosje dhe eksponentët kryesorë të saj nuk kanë kauza politike të bërjes diçka, ata kanë kauzë ekzistencën e vet me sharje dhe ofendim ndaj tjetrit”, ka thënë kreu i LDK-së në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova.
I pyetur se a është zbutur VV-ja këto dy javët e fundit, ai tha se është vetëm një taktikë elektorale.
“Dëmet janë shumë më të thella, do të thotë polarizimi i shoqërisë sjell dëme më të thella. Një shoqëri e ndarë nuk arrinë me gjetë konsensus për çështje vitale në momente gjeostrategjike të popullit tënd”, u shpreh Abdixhiku.
Kandidati për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se Kosova gjatë pesë viteve të fundit ka shpenzuar rreth 1 miliard euro për blerjen e rrymës.
Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Abdixhiku ka kritikuar qeverinë aktuale duke thënë se për shkak të këtyre shpenzimeve janë ndalur projekte të rëndësishme kapitale.
“Këta njerëz e kanë ndalur unazën e kryeqytetit të Prishtinës, ka qenë investim prej 250 milionë eurosh. Çka s’është ndalur këtu në Kosovë? Kosova për pesë vjet ka blerë rrymë në vlerë prej 1 miliard eurosh. Veç sivjet kemi 250 milionë kemi blerë rrymë, qe ku janë paratë,” ka deklaruar ai.
Ai tha se me 250 milionë eurot e shpenzuara vetëm këtë vit, do të ishte përfunduar unaza e kryeqytetit.
“Me 250 milionë euro vetëm të sivjetshit do të ishte paguar unaza e kryeqytetit. Me 250 milionë ishte paguar gjysma e spitalit të ri të Kosovës, investimi më i madh në shëndetësi që nga viti 1964” tha ai.
Sipas Abdixhikut, me këto mjete do të ishte mundësuar edhe realizimi i projektit të mësimit tërëditor në shkolla.
“Me 250 milionë euro do të ishte kryer mësimi tërëditor; fëmijët do të kishin ngrënë ushqim të ngrohtë dhe do të qëndronin tetë orë në shkollë,” shtoi ai.
Kandidati për Kryeministër Lumir Abdixhiku nga tubimi në Lipjan, falenderoi të gjithë mërgimtarët të cilët po marrin pjesë në tubimet e LDK-së.
Ai tha se të tjerët kanë llogaritur keq tek Mërgata e LDK-së.
Sipas gij, të tjerët anë harruar se LDK dhe Mërgata janë një.
“Faleminderit për pjesëmarrjen nëpër tubimet tona, e dashur mërgatur. E di që të tjerët kanë llogaritur keq tek Mërgata jonë. Kanë harruar se Mërgata dhe LDK janë një, kanë qenë dhe do të mbesin një gjithmonë”, tha Abdixhiku në Lipjan.
Ai tutje bëri thirrje për të punuar dhe treguar forcën e vërtetë që ka Mërgata.
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka vlerësuar mbështetjen e madhe të qytetarëve në Kodrën e Trimave dhe lagjen Vranjevc në Prishtinë, duke e cilësuar tubimin si dëshmi të qartë të përkrahjes për LDK-në në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Në një reagim publik, Abdixhiku theksoi se atmosfera dhe mobilizimi qytetar në Vranjevc “i lanë të gjithë pa fjalë”, duke shtuar se Kodra e Trimave dhe Prishtina po flasin qartë për orientimin e tyre politik.
Sipas tij, Dega I e LDK-së në Prishtinë po përfaqësohet nga kandidatë të dëshmuar, me përvojë institucionale dhe angazhim të vazhdueshëm qytetar, veçanërisht në fushat e arsimit, qeverisjes lokale dhe jetës politike.
Në listën e LDK-së nga kjo degë përfshihen Ismet Beqiri me numër 37, Fadil Aliu me numër 50, Besë Prestreshi me numër 51 dhe Nafie Rusinovci me numër 108.
LDK ka paralajmëruar se do të vazhdojë takimet me qytetarë në të gjitha lagjet e kryeqytetit, duke kërkuar mbështetje për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Kandidati për Kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, zhvilloi një takim në Gjilan, ku theksoi rëndësinë strategjike të Autostradës së Anamoravës për zhvillimin ekonomik dhe social të rajonit.
Abdixhiku theksoi se autostrada nuk është një projekt luks apo periferik, por një çështje barazie territoriale dhe drejtësie zhvillimore, që do të lidhë Gjilanin me pjesën tjetër të Kosovës dhe do ta shndërrojë qytetin në një nyje ekonomike, tregtare dhe logjistike.
Ai premtoi se projekti do të realizohet me prioritet brenda dy viteve të para nëse LDK-ja udhëheq qeverinë.
Gjatë fjalimit, Abdixhiku prezantoi edhe listën e kandidatëve të LDK-së për Gjilanin dhe Anamoravën, të cilët sipas tij janë të përvojshëm, të besueshëm dhe plot përkushtim ndaj qytetit dhe vendit.
Ndër ta janë Lutfi Haziri (nr. 5), Arbër Ismajli (nr. 28), Valentina Bunjaku-Rexhepi (nr. 32), Rexhep Kadriu (nr. 52), Xhylije Ibrahimi (nr. 93), dr. Besim Guda (nr. 98), Afërdita Balaj-Ajdini (nr. 99) dhe Agim Kastrati (nr. 106).
Abdixhiku nënvizoi se Gjilani meriton zhvillim real, punë dhe rezultate konkrete, duke përfaqësuar qytetin dhe gjithë Anamoravën me dinjitet dhe përgjegjësi publike.