Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Izraeli kundërshton Bordin e Paqes për Gazën: Vendimi u mor pa u koordinuar me ne

Qeveria izraelite ka reaguar ashpër ndaj njoftimit për përbërjen e Bordit Ekzekutiv të Gazës, duke theksuar se ky vendim është marrë pa asnjë koordinim me Izraelin dhe bie ndesh me politikën e tij zyrtare.

Në një deklaratë, Zyra e Kryeministrit bëri të ditur se çështja është konsideruar mjaft serioze, saqë kryeministri ka udhëzuar Ministrin e Punëve të Jashtme të kontaktojë Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara për të kërkuar sqarime.

“Njoftimi në lidhje me përbërjen e Bordit Ekzekutiv të Gazës, i cili është në varësi të Bordit të Paqes, nuk u koordinua me Izraelin dhe është në kundërshtim me politikën e tij”, shkruhet në postim.

“Kryeministri i ka udhëzuar Ministrit të Punëve të Jashtme të kontaktojë Sekretarin e Shtetit të SHBA-së për këtë çështje”, shton ai.

Ndryshe, i ashtuquajturi Bordi i Paqes, i zbuluar nga Shtëpia e Bardhë, do të mbikëqyrë qeverisjen e përkohshme të Gazës sipas planit të presidentit amerikan për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gaza.

Shtëpia e Bardhë njoftoi të premten disa anëtarë të bordit, përfshirë Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Marco Rubio, të dërguarin special të presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, ish-kryeministrin britanik Tony Blair dhe dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner.

Trump do të kryesojë bordin.

 

Aksident në Sarandë/ Makina del nga rruga, dy të plagosur

Sarandë, aksident automobilistik, dy të plagosur. Ngjarja ka ndodhur pak minuta më parë në rrugën “Karl Topia” në Sarandë. Mjeti tip “Toyota” me targa AB 054 SH me drejtues Ervin Oruçi nga Ksamil ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga.

Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të plagosur lehtë dy pasagjerët Albion Qendra 22 vjeç nga Ksamili dhe Vlavi Aliu 21 vjeç nga Tirana. Pas ndihmës mjekësore në spitalin e Sarandës kanë shkuar në banesë. Policia e qarkullimit ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet hetimore.

Rabdisht, fshati i gurit: “Nuk shahet” në Dibër, pse ta thuash fjalën e keqe, kur mund ta thuash fjalën e mirë!

Rabdishti është një fshat malor i Dibrës, i cili i mbijetoi dy djegjeve nga serbët në luftrat ballkanike. Fshati i gurit ka qenë i njohur për qindra gurgjendës, që ndërtuan e rindërtuan jo vetëm fshatin e tyre, por punuan në gjithë zonën dhe përtej, deri në vendet ku emigruan. Sabri Shahini është një nga gurgjendësit që ka mbetur në fshat dhe usta i Rabdishtit e ka trashëguar zanatin nga babai dhe vëllezërit. Ai na tregon sesi shtëpia e gurit është kthyer tashmë në bujtinë të gurit. Bashkëshortja, Festa Shahini, na tregon gatimet tradicionale të zonës, që nga grosha tek jufkat dhe pula në qull. Zonjat dibrane mbajnë shtëpitë dhe kujdesen për gjithçka.

“Behet nami” nëse vijnë mysafirë dhe shtëpia nuk është në rregull, na thotë Festa. Sabriu është kthyer nga emigracioni në Greqi dhe Itali dhe ka hapur bujtinën e tij. Fluksi i turistëve vazhdon të rritet. “Ato lekë që i merr një usta në Gjermani, i merr në Shqipëri”, na thotë Sabriu, duke shtuar: “Jam si mbret në Rabdisht… emigracioni “nuk ia vlen” më tani. Pak më tej, është një bujtinë tjetër ku e zonja e bujtinës, Elvina Goleci, na tregon se mëngjesi fillon me petulla dhe dreka me byrekun tradicional me petë të pjekura.

Bashkëshorti i saj, Fitim Goleci, ka qenë për shumë kohë emigrant në Greqi. “Fshati na thirri, kthehuni, se këtu kemi lindur”, na thotë, duke na shpjeguar se ka ikur si adoleshent rrugëve të botës dhe është kthyer më në fund, në shtëpi, për të hapur bujtinën në Rabdisht. Vendlindja thërret, kujtimet e vendit tënd të thërrasin, nuk mund t’i gjesh diku tjetër, na thotë, duke shtuar: “Kudo që të jesh, nuk je vetvetja në vend të huaj”. Në Rabdisht, ashtu si edhe në pjesën tjetër të Dibrës, ka një shprehje për mikpritjen, që shpesh shkakton të qeshura.

“Mikun mund ta lësh pa bukë, po pa dru mos e lër”. Këtu në Rabdisht, kujtimet e fëmijërisë dhe thirrja për t’u kthyer vijnë edhe nga një qilim i punuar nga nëna dhe i ruajtur mirë, por edhe nga një lisharës që sjell shumë nostalgji. Njerëzit këtu janë të urtë e punëtorë. “Nuk shahet” në Dibër, pse ta thuash fjalën e keqe, kur mund ta thuash fjalën e mirë”, na thotë Festa. Dhe në fund, pyetja mbetet, a ia vlen më emigracioni? “50–60 euro i merr në shtëpinë tënde, me dy dhoma të vogla”, na përgjigjet Sabri Shahini!

“Jemi gati”/ NASA nis testet finale për fluturimin drejt Hënës

NASA filloi të zhvendosë raketën e saj hënore Artemis II dhe anijen kozmike Orion në platformën e lëshimit në Qendrën Hapësinore Kennedy.

Udhëtimi i ngadaltë dhe me orë të tëra nis testet përfundimtare përpara misionit të parë hënor me ekuipazh në më shumë se 50 vjet.

Zbatimi i këtij plani është thelbësor, pasi nis fazën përfundimtare të detyrave praktike që NASA duhet të kryejë në platformë.

Këtu, ekipet e lidhin mjetin me sistemet tokësore dhe kryejnë ushtrime numërimi mbrapsht.

NASA ka vendosur 6 shkurtin si datën më të hershme të lëshimit për Artemis II.

Artemis II do të shënojë lëshimin e parë me ekuipazh të NASA-s duke përdorur raketën e Sistemit të Lëshimit Hapësinor (SLS), duke dërguar astronautët në kapsulën Orion në një udhëtim afërsisht 10-ditor që bën një xhiro rreth Hënës përpara se të kthehet në Tokë.

Misioni synon të vërë në provë sistemet e mbështetjes së jetës, udhëzimit dhe sisteme të tjera kritike përpara një fluturimi të ardhshëm të Artemis që planifikon të ulë astronautët në sipërfaqen hënore.

Raketa dhe kapsula prej 11 milionë paundësh janë montuar në një platformë të lëvizshme lëshimi.

Por, NASA paralajmëron se koha e lëshimit mund të ndryshojë për shkak të motit ose problemeve teknike, dhe ka vendosur kufizime të rrepta në lidhje me vetëtimat, erën dhe temperaturën.

Agjencia hapësinore konfirmoi se ekuipazhi përfshin astronautët e NASA-s Reid Wiseman, Victor Glover dhe Christina Koch, me Hansen që i bashkohet si specialist i misionit.

Hansen pritet të bëhet kanadezja e parë e përfshirë në një mision eksplorimi të Hënës.

Në një konferencë për shtyp, kryetari i menaxhimit të misionit Artemis II, John Honeycutt, theksoi se “siguria e ekuipazhit do të jetë përparësia numër 1”.

Ai gjithashtu vuri në dukje se afati kohor varet shumë nga testet e ardhshme në platformë që duhet të shkojnë pa probleme.

Analistët e politikës hapësinore theksuan se fluturimi do të ndjekë një trajektore “kthimi të lirë” – një lak rreth Hënës i projektuar për ta sjellë Orionin përsëri në Tokë edhe nëse motori i tij kryesor dështon.

“Këto janë llojet e ditëve për të cilat jetojmë”, tha Honeycutt ndërsa përgatitjet për lansimin e misionit përfunduan.

David Parker, ish-kreu i Agjencisë Hapësinore të Mbretërisë së Bashkuar, e përshkroi misionin si “një gjë të madhe”, duke shënuar përparim drejt eksplorimit të qëndrueshëm të Hënës dhe përfundimisht të Marsit.

Ndryshe, SHBA-të nuk kanë dërguar astronautë në Hënë që nga Apollo 17 në vitin 1972.

Misioni Artemis I i NASA-s, i cili fluturoi Orionin rreth Hënës pa ekuipazh në vitin 2022, përgatiti terrenin për Artemis II. Ky mision i ardhshëm synon t’i afrohet uljeve me ekuipazh dhe përfundimisht të krijojë një post të qëndrueshëm hënor.

Pas disa ditësh “blackout”/ Irani nis rikthimin e internetit

Irani ka filluar të lehtësojë kufizimet gjithëpërfshirëse të komunikimit të vendosura pas protestave vdekjeprurëse antiqeveritare që tronditën vendin për më shumë se dy javë.

Autoritetet kanë rivendosur shërbimin e mesazheve të shkurtra (SMS) në të gjithë vendin si pjesë e një plani me faza pas tetë ditësh ndërprerjeje pothuajse totale të internetit.

Vendimi erdhi pas asaj që përshkruhet si stabilizim i situatës së sigurisë.Autoritetet thanë se ndërprerja e internetit kishte “dobësuar ndjeshëm lidhjet e brendshme të rrjeteve të opozitës jashtë vendit” dhe kishte ndërprerë aktivitetet e “qelizave terroriste”.

Ata thanë se do të heqin gradualisht kontrollet e tjera të internetit dhe komunikimeve.

Zyrtarët thonë se rivendosja do të ndjekë një qasje me faza.

Udhëzimi i vetëm zyrtar deri më tani ka ardhur nga Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, i cili ka thënë se lidhja do të kthehet “së shpejti”.

Ndërkohë, tensionet mbeten të larta në Iran pavarësisht protestave që kanë qenë relativisht të qeta ditët e fundit.

Rit pagan mes besimit ortodoks/ Zhvillohet pas ceremonisë së ujit të bekuar, traditë autentike në Polenë e Pojan

Një rit pagan prej disa qindra vitesh vijon të jetë present në traditën zakonore në dy fshatra të Korçës, tek banorët e besimit ortodoks. Ky rit pagan, i natyralizuar tek besimtarët ortodoksë, mbahet menjëherë pas hedhjes së kryqit.

I njohur si riti i rrugeçëve, është autentik për fshatrat Polenë dhe Pojan në qarkun e Korçës.

Riti në vetvete simbolizon luftën që njeriu duhet t’i bëjë të keqes.

Sipas traditës, janë njerëz me maska, kryesisht kafshësh, por edhe të tjera të frikshme, që lufton për të larguar nga shtëpitë e fshatrave të tyre, të këqijat që kanë mbetur nga viti që lanë pas.

Të sjella në kohë, kjo traditë e rikthyer pas viteve 1990, ka marrë formën e karnavalit.

Karnavalet e Pojanit të përfaqësuara nga ky rit zhvillohet në ditët e para të janarit në këtë zonë, një ditë pas kremtimit të ujit të bekuar.

Banorë të zonës mblidhen në qendrën e fshatit, duke pritur “rrugeçërit” të cilët shkojnë në çdo banesë ku sipas traditës thuhet se largojnë të keqen.

Të veçanta ngelen kostumet e frikshme që janë ruajtur brez pas brezi dhe me fanatizëm nga banorët, por ka patur edhe të rinj që kanë përgatitur kostume të tyre.

Këto festime në mënyrë simbolike largojnë të keqen, frikën dhe ironizojnë aktualitetin ku jetojmë.

Disa nga personazhet e këtij riti janë plaku me plakën, nusja me dhëndrin, ariu e shumë të tjerë që përcjellin mesazhe të ndryshme.

Mjek i ri në një qytet të vogël/ Historia e Naim Nezës, sapo përfundoi studimet u emërua në Tropojë

Për herë të parë, Naim Neza shkeli në ambientet e Spitalit të Tropojës në vitin 1988.

Naim Neza u emërua mjek i përgjithshëm sapo përfundoi studimet dhe që nga ajo ditë nuk i është ndarë asnjëherë profesionit, por edhe spitalit të Tropojës në shërbim të qytetarëve.

Kujton ditën e parë të punës në spital dhe momentet kur nuk e njihte askush si mjek.

Neza është specializuar si radiolog dhe specialitete të tjera, ndërsa mbulon edhe shërbimin e ekzaminimeve.

Kujton vështirësitë e dikurshme me aparatura të prodhimit të hershëm.

Për doktor Naimin, sot është shumë e lehtë për shkak të teknologjisë dhe avancimit të saj.

Për të mjekësia s’ka fund, ashtu sikundër edhe njohja e aparaturave. Ai përkushtohet dhe studion për çdo pajisje ekzaminuese që del në kohë.

Për një radiolog, ekzaminimi dhe përcaktimi i anomalive është përgjegjësi e madhe.

Në thuajse 4 dekada punë si mjek, ndan momentet e vështira, por edhe ato më të veçantat, sidomos në fillimit e tij.

Për doktor Naimin, betimi i hipokratit është mbi të gjitha.

E trishton mungesa e personelit në spitalin e Tropojës, pasi përveç popullisisë, thotë se mungojnë edhe specialistët.

Spitali i Tropojës po i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë.

Një jetë në shërbim të pyllit/ Në moshën 70-vjeçare, Bashkim Koçi mbetet figurë kyçe e mbrojtjes së natyrës

Në moshën 70-vjeçare, Bashkim Koçi mbetet një nga figurat më të qëndrueshme, më diskrete, por njëkohësisht më të besueshme të mbrojtjes së natyrës në Parkun Kombëtar të Shebenikut.

Për dekada me radhë, si teknik pyjesh dhe specialist i Zonave të Mbrojtura, ai ka qenë pjesë aktive e çdo faze të menaxhimit pyjor, duke e jetuar profesionin jo thjesht si detyrë, por si mision.

Me një kujtesë të kthjellët dhe një analizë të qetë profesionale, Koçi rikujton periudhat kur mbrojtja e pyjeve mbështetej në disiplinë të fortë pune, patrullime të rregullta dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie institucionale.

Sipas tij, çdo specialist e konsideronte pyllin si një hapësirë që duhej ruajtur me të njëjtin kujdes si prona personale.

Një pjesë e rëndësishme e kontributit të Bashkim Koçit lidhet edhe me fazat e para të ngritjes dhe funksionimit të Zonave të Mbrojtura, ku ai ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në hartimin dhe zbatimin e planeve të menaxhimit të pyjeve. Ai thekson se këto plane nuk ishin dokumente formale apo burokratike, por produkte të punës intensive në terren, të mbështetura në inventarizime, matje, studime dhe njohje të thellë të territorit.

Pikërisht kjo qasje profesionale, sipas Koçit, i dha Parkut Kombëtar të Shebenikut statusin, strukturën menaxhuese dhe vlerat ekologjike që gëzon sot.

Në këtë rrugëtim shumëvjeçar, Koçi vlerëson veçanërisht edhe performancën dhe kontributin e Fatmir Brazhdës, në monitorimin, mbrojtjen dhe menaxhimin e pyjeve duke reflektuar njohje të territorit dhe përgjegjësi të lartë ndaj Parkut Kombëtar të Shebenikut.

Edhe pse sot në pension, Bashkim Koçi mbetet i lidhur ngushtë me pyllin. Ai vijon të kontribuojë si guidë për grupe turistësh vendas dhe të huaj në Parkun Kombëtar të Shebenikut, duke ofruar jo vetëm shpjegime mbi bukuritë natyrore dhe biodiversitetin e zonës, por edhe një perspektivë profesionale mbi historinë e ruajtjes së saj, sfidat dhe përpjekjet shumëvjeçare të specialistëve që kanë punuar në këtë territor.

Për ABC News, Koçi thekson se mbrojtja e Parkut Kombëtar të Shebenikut nuk është vetëm detyrë e institucioneve apo specialistëve, por një përgjegjësi e përbashkët shoqërore që kërkon ndërgjegjësim, respekt dhe dashuri për natyrën. Një jetë e tërë në shërbim të pyjeve e ka shndërruar atë në një kujtesë të gjallë profesionale dhe në një udhërrëfyes të çmuar për brezat e rinj që do të vazhdojnë punën për mbrojtjen e kësaj pasurie natyrore.

Lumenjtë që i dhanë formë Myzeqesë/ Topografi tregon se si u ndërtua argjinatura më e madhe në vend

Myzeqeja mund të mos ishte hambari bujqësor nëse nuk do kalonin përmes saj, katër lumenj.

Të paparashikueshëm, por me vija të caktuara si pika kritike të prurjeve, pas të cilave banorëve të zonave përreth, u mbetet vetëm një rrugëdalje. Evakuimi masiv.

Mes katër lumenjve që formësojnë Myzeqenë prej mijëvjeçarësh, Vjosa dhe Semani janë më të rrezikshmit. E para është lumë i egër dhe  idyti, bashkim i tre lumenjve të tjerë.

Si lumi më I gjatë pas Drinit me gjatësi prej 281 km, Semani është bërë shkak për ndërtimin e njërës prej veprave më të mëdha hidrike në vend, argjinaturës me të njëjtin emër.

Argjinaturat janë vepra strategjike. Si të tilla dëmtimi i tyre konsiderohet shkelje e rëndë.

Katër lumenjtë që përshkojnë Fierin, kanë grykëderdhjet në detin Adriatik. Mes tyre, Semani ka një rrjedhe të ndërlikuar si bashkim i dy lumenjve, Devollit dhe Osumit. Në urën e Mbrostarit ky lumë bashkohet me Gjanicën për të kaluar në Libofshë e më pas në Seman. Vjosa është lumë I egër, që nënkupton nuk ka hidrocentrale përgjatë rrjedhës. Gjanica buron në Mallakastër, ka një gjatësi të vogël, por duke kaluar përmes Fierit, shkakton përmbytje.  E Shkumbini në veri të Lushnjes ka shkaktuar vazhdimisht përmbytje në disa fshatra të zonës.

Khameni pranon vrasjet/ Lideri suprem i Iranit fajëson Trump, nxiti protestat

Lideri suprem i Iranit Ajatollah Ali Khamenei pranoi për herë të parë publikisht, vrasjen e mijëra njerëzve gjatë protestave që përfshinë vendin javët e fundit.

Megjithatë ai fajësoi presidentin amerikan Donald Trump, duke e quajtur një kriminel, që mbështeti protestat dhe shkaktoi mijëra vdekje.

Khamenei përsëriti akuzën se Shtetet e Bashkuara kërkojnë dominim mbi burimet ekonomike dhe politike të Iranit, ndërsa protestuesit i quajti ushtarë këmbësorë të Shteteve të Bashkuara dhe tha se ata kishin shkatërruar xhami dhe qendra arsimore.

Komentet e Khamenei erdhën teksa u publikua një intervistë e Donald Trump për Politico, gjatë së cilës ai përsëriti se regjimi në Iran duhet të ndryshojë.

Por më herët, Trump e falenderoi Iranin, pasi sipas tij autoritetet kishin hequr dorë nga ekzekutimi i më shumë se 800 të burgosurve politikë.

Presidenti amerikan tha se u tërhoq nga sulmet ndaj republikës islamike, pasi Teherani ndaloi vrasjen e protestuesve.

Ndërkohë numri i të vrarëve në protestat e Iranit i ka kaluar tre mijë. Agjencia së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut me seli në SHBA tha se kishte verifikuar 3,090 vdekje, nga të cilët 2,885 janë protestues dhe të tjerët anëtarë të forcave të sigurisë ose mbështetës të regjimit.

Por reagimi i dhunshëm dhe vrasja e mijëra njerëzve, duket se i ka shuar protestat për momentin, ndërsa media shtetërore raportoi më shumë arrestime.

Kryeqyteti Teheran ka qenë relativisht i qetë. Dronët kanë fluturuar mbi qytet, por nuk kishte shenja të protestave të mëdha ditët e fundit.

Trump në krye të bordit për Gazën/ Nga Rubio te Blair, anëtarët e organit mbikëqyrës për Enklavën

Shqipëria e përfaqësuar nga kryeministri Rama do të jetë anëtare e Bordit të Paqes, një organ ndërkombëtar kalimtar i mandatuar nga OKB në nëntor të 2025 për të administruar, rindërtuar dhe rimëkëmbur Gazën pas konfliktit me Izraelin.

Ky bord është një ide dhe nismë e Presidentit të SHBA, Donald Trump, i cili do të jetë edhe kryesuesi i Bordit të Paqes, të cilin e konsideroi edhe si bordin më të madh dhe prestigjioz të mbledhur ndonjëherë në gjithë botën.

Bordi i drejtuar nga Trump do të përbëhet nga figurat më të larta shtetërore dhe jo vetëm, personalitete nga e gjithë bota.

Në listën e anëtarëve të mandatuar janë Toni Blair, ish-kryeministri britanik, i pari i cili hodhi idenë e administrimit ndërkombëtar të Gazës në gusht të vitit të kaluar.

Po ashtu, nuk mungon as Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, dhe i dërguari special i Trump për Lindjen e Mesme, Stiv Uitkof.

Anëtar është dhe dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, i cili do të kryejë një investim strategjik në Shqipëri në ishullin e Sazanit me vlerë 1.4 miliardë dollarë.

Ndër të tjerë edhe Nikolai Mladenov, koordinatori i OKB për paqen në Lindjen e Mesme, apo dhe Ajai Banga, President i Bankës Botërore.

Në këtë Bord të Paqes, ka ofruar kontributin e saj edhe BE, për menaxhimin e territoreve palestineze.

Krah gjithë këtyre figurave botërore, do të ulet edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili edhe më herët ka mbështetur SHBA në përpjekjet e saj për të zgjidhur konfliktin mes Izraelit dhe Gazës prej 7 tetorit të 2023, por që përfundoi me marrëveshjen e paqes të nënshkruar në Egjipt nga vetë President Trump.

Nën administratën e dytë në SHBA të Presidentit Trump, marrëveshja e paqes mes Izraelit dhe Hamasit është konsideruar si suksesi më i madh ndërkombëtar deri më tani, dhe tashmë edhe Shqipëria me kryeministrin Rama do të ofrojnë asistencën dhe do të lënë gjurmën e saj në këtë sukses, me një vend të posaçëm si anëtar themelues i bordit.

Batuta e Ramës me moderatorin grek/ Mitsotakis: E njoh prej vitesh, ka mënyrë të veçantë të shprehuri

“Ah, ju jeni grek apo jo? Prandaj na keqshqiptuat emrat. E dimë këtë se jemi fqinjë, kështu që ju njohim shumë mirë. Mendoni se keni monopolin e filozofisë dhe jeni trashëgimtarë të Platonit dhe Aristotelit, por nuk jeni…”

Kjo frazë e kryeministrit Edi Rama në panelin e Javës së Qëndrueshme në Abu Dhabi të mërkurën me moderatorin me origjinë greke John Defterios u kthye në kryefjalë të mediave greke, të cilat batutat e shefit të qeverisë shqiptare i cilësuan si ironi dhe ofendime për të dhe Greqinë.

Por Rama rrëzoi çdo spekulim duke thënë se fraza e përdorur prej tij është nxjerrë nga konteksti duke u kthyer në një polemikë publike me pathos nacionalist.

“Nuk kam as më të voglin dyshim që Platoni dhe Aristoteli janë filozofë grekë dhe që Greqia e Lashtë është shtrati i qytetërimit evropian. Greqia është një vend për të cilin unë ushqej ndjenjat më pozitive, që populli grek është për mua një fqinj i pazëvendësueshëm e vëlla i patjetërsueshëm i popullit shqiptar dhe që për kryeministrin e Greqisë ushqej një respekt të veçantë”, tha kryeministri Edi Rama.

Të shtunën këto deklarata i komentoi edhe shefi i qeverisë greke. Kyriakos Mitsotakis e cilësoi Ramën një politikan me një mënyrë të veçantë shprehjeje.

“E njoh z. Rama prej shumë vitesh, ai ka një mënyrë të veçantë të shprehuri dhe shpeshherë i shpëtojnë gjëra që nuk do të duhej t’i thoshte. Këtë herë tha një fjalë të rëndë dhe e kuptoi gabimin e tij. Unë po mbaj parasysh korrigjimin që bëri, ishte një deklaratë e papërshtatshme dhe më mirë ta lëmë pas…”, tha Mitsotakis.

Kryeministri grek sugjeroi që ky debat të lihet pas, pasi homologu shqiptar ka sqaruar se bëhet fjalë për një fjali të thënë me humor dhe jo tendencioze, që lidhet me Greqinë si shtet. Ndërsa Athina dhe Tirana ruajnë raporte të mira si fqinjë.

Mashtrimi nga Call Center/ SPAK e BKH kontrolle në Tiranë, 10 të arrestuar

10 persona janë arrestuar, me urdhër të Prokurorisë së Posacme SPAK në bashkëpunim më autoritetet Italiane, të cilët kanë zbuluar një rrjet Call Center, të cilët mashtronin me bursa online, shtetas italianë por edhe të vendeve të tjera të bashkimit Europian.

Sipas të dhënave paraprake, në kërkim, mësohet se janë shpallur tre vëllezër nga Tropoja, Agim, Alfred dhe Arjan Prekaj, të cilët dyshohet se janë organizatorët dhe pronarët e Call Centerave, ku bëheshin mashtrime. Në këto qendra, sipas hetimeve të SPAK, kryheshin telefonat kryesisht në Itali, ku viktimat ftoheshin të investonin para në kriptomonedha, por në të vërtetë këto para, shkonin në llogarite digjitale, të personave që kishin ngritur Call Centerat me bazë në Shqipëri.

Për të mos rënë në gjurmët e policisë dhe të SPAK,  vendndodhjet e Call Centerit, ndërroheshin vazhdimisht. Të premten, BKH dhe policia ushtori kontroll në një kullë ngjitur me Gjykatën e Lartë në Kryeqytet. Ndërkohë kontrolle janë ushtruar, edhe pranë Stadiumit Air Albania, por edhe tek Pallati me Shigjeta e në zonën e Freskut. Nga këto kontrolle, BKH ka sekuestruar dokumente dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë këtij hetimi.

Aksioni ka vijuar edhe të shtunën në mëngjes, ku janë marrë në pyetje dhjetra persona që dyshohet se kanë punuar dhe kishin lidhje me grupin e mashtrueseve. Hetimi fillimisht ka nisur në Shtetin Italian, ku kanë qenë qindra qytetarë, të cilët kanë denoncuar për mashtrimit që u ishin bërë nga telefonatat në Shqipëri.

Beteja për Groenlandën/ Trump godet me tarifa disa vende europiane

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar një sërë të re tarifash për një sërë vendesh që eksportojnë mallra në SHBA, duke filluar nga 1 shkurti.

Trump tha se këto do të mbeten në fuqi derisa “të arrihet një marrëveshje për blerjen e plotë dhe totale të Grenlandës” nga SHBA-të.

Presidenti tha se vendeve si Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda do t’u “ngarkohet një tarifë prej 10%” për “të gjitha dhe çdo” mall të dërguar në SHBA. Më 1 qershor, kjo do të rritet në 25%.

Si kujtesë, tarifat janë taksa mbi mallrat e importuara dhe zakonisht i paguhen qeverisë nga kompanitë që sjellin produkte të huaja.

“Paqja botërore është në rrezik! Kina dëshiron Grenlandën dhe Danimarka nuk mund të bëjë asgjë në lidhje me këtë”, tha Trump.

Ai vazhdon duke thënë se Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda “kanë udhëtuar drejt Grenlandës për qëllime të panjohura” dhe po luajnë një “lojë shumë të rrezikshme”. “Duhet të merren masa të forta në mënyrë që kjo situatë potencialisht e rrezikshme të përfundojë shpejt dhe pa diskutim”, shton Trump.

“Vdes” Ramaduro. Trump fton Ramën në Bordin e Paqes

Shqipëria do të jetë anëtare e bordit të Paqes për administrimin e Gazës. Presidenti amerikan Donald Trump ka ftuar kryeministrin Edi Rama për t’iu bashkuar kësaj strukture si anëtar themelues, një akt që jo vetëm rikonfirmon partneritetit mes dy shteteve por i jep fund zhurmnajës së opozitës për raportet e prishura mes Tiranës dhe Uashingtonit. Dhe është pikërisht ky vlerësim i  administratës amerikane që sipas kryeministrit Edi Rama flet qartë mbi nivelin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Nuk mund të jem dot më krenar për Shqipërinë, për gjithçka kemi bërë në këto vite duke e kthyer në një Shqipëri tjetër, të denjitetshme e të respektuar botërisht si asnjëherë, e padiskutim edhe për nivelin ku e kemi ngritur marrëdhënien e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u ftuar me një respekt e vlerësim krejt të posaçëm nga Presidenti Donald J. Trump, për t’u bërë pjesë e një bordi ndërkombëtar të krijuar e kryesuar prej atij vetë dhe për të punuar së bashku me të”, tha Rama.

Por kjo ftesë thotë Rama flet edhe për rolin që Shqipëria ka fituar në arenën ndërkombëtare.

“Shqipëria ftohet si anëtar themelues, duke ngjitur kështu ndërkombëtarish një tjetër majë krejt të paimagjinueshme vetëm deri pak vite më pare”, shton Rama.

Në bordin që drejtohet nga presidenti amerikan Donald Trump, shefi i qeverise shqiptare, do të ulet krah Marco Rubios, Toni Blair apo Jared Kushner, duke shënuar kështu një moment të rëndësishëm në politiken e jashtme për Shqipërinë por dhe në marrëdhëniet me shtetet e bashkuara të Amerikës, ku edhe më herët, po ne një tjetër konflikt, Shqipëria ishte bashkepenembajtese me SHBA për Ukrainën.

“Fake-News”: Taulant Balla mohon se “call-center” i hetuar nga SPAK është i motrës së tij

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka përcjellë një mesazh mbi rëndësinë e verifikimit të informacionit dhe pasojat e përhapjes së lajmeve të rreme. Duke cituar shprehjen “Gënjeshtra udhëton shpejt, por e vërteta mbërrin gjithmonë”, Balla thekson se keqinformimi po përhapet me ritme alarmante, duke shkaktuar zemërim dhe humbje besimi në shoqëri.

Ai apeloi për përgjegjësi qytetare, duke nënvizuar se çdo klikim apo shpërndarje pa verifikim forcon gënjeshtrën, ndërsa ndalimi, kontrolli i burimit dhe mendimi kritik janë thelbësore për mbrojtjen e së vërtetës.

❌