13 të vdekur nga sulmet izraelite në Gazë, Trumpi pritet ta shpallë Bordin e Paqes
Të paktën 13 persona janë vrarë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës, sipas zyrtarëve shëndetësorë, ndërkohë që presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pritet të shpallë krijimin e Bordit të Paqes për ta mbikëqyrur armëpushimin e brishtë.
Zyrtarët shëndetësorë dhe familjarët e viktimave thanë se në mesin e të vrarëve është të paktën një fëmijë. Sulmet ndodhën në veri të Gazës dhe në zonat lindore të qytetit të Gazës. Të 13 viktimat u raportuan të enjten vonë, raporton AP.
Ushtria izraelite deklaroi të premten se kishte goditur infrastrukturë të Hamasit dhe luftëtarë në jug dhe veri të Gazës, si përgjigje ndaj një rakete të lëshuar nga militantët nga zona e qytetit të Gazës, e cila dështoi.
Armëpushimi me faza mes Izraelit dhe Hamasit ndodhet ende në fazën fillestare, ndërsa po vazhdojnë përpjekjet për të gjetur mbetjet e pengut të fundit izraelit në Gaza.
Zyrtarë amerikanë thanë se presidenti Trump pritet të shpallë javën e ardhshme emërimet në Bordin e Paqes, të cilin ai ka deklaruar se do ta drejtojë vetë. Ky hap konsiderohet i rëndësishëm për planin e tij të paqes për Lindjen e Mesme. Megjithatë, procesi ka përparuar ngadalë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, rreth tre muaj më parë.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha të enjten se diplomati bullgar Nikollaj Mlladenov do të jetë drejtori i përgjithshëm i bordit.
Mlladenov ka qenë ministër i mbrojtjes dhe i jashtëm i Bullgarisë dhe ka shërbyer si i dërguar i OKB-së në Irak, si dhe si i dërguar i posaçëm i OKB-së për procesin e paqes në Lindjen e Mesme nga viti 2015 deri në vitin 2020.
Gjatë kësaj periudhe, ai kishte marrëdhënie të mira pune me Izraelin dhe shpesh ndërmjetësonte për të ulur tensionet mes Izraelit dhe Hamasit.
Sipas planit të Trumpit, Bordi i Paqes do të mbikëqyrë krijimin e një qeverie teknokrate palestineze, çarmatimin e Hamasit, vendosjen e një force ndërkombëtare sigurie, tërheqje të mëtejshme të trupave izraelite dhe rindërtimin e Gazës. Deri më tani, SHBA-ja ka raportuar pak përparim në këto drejtime.