Shqipëria, strehë për qindra hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore
TIRANË, 26 janar/ATSH/ Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, organizata rinore digjitale “RinOn” dhe ambasada e Izraelit në Tiranë organizuan një event për të sjellë në kujtesë strehimin e hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Rejvi Dervishi, themeluesi i RinOn, u shpreh se është përgjegjësia jonë e përbashkët që të kujtojmë dhe të reflektojmë mbi tragjedinë që preu përdhunshëm fillin e jetës së gjashtë milionë të pafajshmëve, të cilëve iu rrëmbye e drejta e jetës.
Të rinjtë u bënë pjesë e një aktiviteti për Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit në Piramidën e Tiranës, duke kujtuar si Shqipëria u bë strehë për qindra hebrenj, që gjetën mbrojtje dhe sigurisë në shtëpitë e shqiptarëve.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm anëtarë të trupit diplomatik izraelit, kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Iris Luarasi, drejtori i Arkivave Shtetërore Vendore në DPA, Lorenc Agalliu etj.
Zëvendësambasadori Gal Rudich tha se Shqipëria mbetet shembull që dëshmon se gjithçka mund të kishte qenë ndryshe.
“Ndryshe nga pjesa tjetër e Evropës, hebrenjtë e Shqipërisë u shpëtuan nga përndjekja dhe u mbajtën të sigurt gjatë luftës. Populli shqiptar zgjodhi të shpëtonte jetë të pafajshme duke rrezikuar jetën e tyre. Këtë nuk do ta harrojmë kurrë”, tha Rudich.
Ndërsa pedagogia dhe deputetja e PS-së, Luarasi kujtoi se holokausti nisi me barcaleta raciste, teori komploti dhe ligje diskriminuese që një pjesë e shoqërisë i pranoi si normale. “Indiferenca është gjithmonë një oksigjen për krime të tilla”, tha Luarasi.
Lidhur me tematikën e Holokaustit, DPA-ja ka prezantuar më herët ekspozita dokumentare dhe fotografike mbi përpjekjet e përbashkëta të shtetit shqiptar, të diplomatëve dhe të autoriteteve fetare, për mbrojtjen e komunitetit hebre nga terrori antisemit.
/r.e/
The post Shqipëria, strehë për qindra hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
















