Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Një tjetër Ibrahimovic drejt Amsterdamit – Maximilian largohet nga Milani për t’iu bashkuar Ajaxit



Milani dhe Ajaxi janë në fazën përfundimtare të shkëmbimit të dokumenteve për transferimin e Maximilian Ibrahimovic, i cili pritet të largohet nga Rossonerët për të nisur një aventurë të re në Holandë.

Gati 22 vjet pasi Zlatan Ibrahimovic zbarkoi për herë të parë në Amsterdam, një tjetër Ibrahimovic do të veshë fanellën historike të Ajaxit, duke ndjekur një rrugë që në mënyrë të pashmangshme rikthen kujtime nga e kaluara, por me një histori krejtësisht të re për t’u shkruar.

Marrëveshja mes palëve është arritur në formë huazimi me opsion blerjeje në vlerën e 3.5 milionë eurove. Milani, edhe pse ruan fillimisht kontrollin mbi të ardhmen e anësorit të lindur në vitin 2006, ka përfshirë gjithashtu një përqindje nga rishitja e mundshme në të ardhmen, duke treguar se klubi vazhdon të besojë fort në potencialin e sulmuesit të ri suedez.

Maximilian Ibrahimovic ka lënë gjurmë me Milan Futuro, fillimisht në Serie C dhe më pas në Serie D, ku ka treguar rritje të vazhdueshme në paraqitje. Në këtë sezon, ai ka regjistruar 16 paraqitje, duke kontribuar me 5 gola dhe 4 asistime.

Kalimi te Ajaxi shihet si një hap i rëndësishëm në zhvillimin e tij, teksa Maximilian synon të ndërtojë identitetin e vet në futbollin evropian, larg hijes së emrit të madh që mban mbi shpinë./Telegrafi

“Sllovakia favorit, por synojmë suksesin historik”, Vedat Muriqi flet për gjysmëfinalen e play-offit



Sulmuesi Vedat Muriqi e sheh Sllovakinë si favorite për gjysmëfinalen e play-offit të Kupës së Botës, mirëpo premton se Kosova do të jep gjithçka për të avancuar tutje.

Muriqi ka dhënë një intervistë të gjatë për mediumin sllovak “Dennik Sport”, ku foli për përshtypjet e para të ndeshjes Sllovaki – Kosovë.

Ylli i Mallorcas publikisht pranoi se Sllovakia është favoriti kryesor, por beson se kjo do t’i konvenojë Kosovës meqenëse ata do të jenë nën presion.

“Sa i përket tifozëve sllovakë, mendoj se është logjike. Një pjesë e tyre janë të kënaqur sepse na shohin si kombëtare pa përvojë që kanë qenë në skenë për nëntë ose 10 vite”.

“Në anën tjetër, ata që na kanë parë së paku një herë dhe e dinë se çfarë të presin. Nuk do të thosha se ky grup është i frikësuar prej nesh, por definitivisht e respekton kualitetin e lojtarëve tanë”.

“Unë e shoh kështu, pavarësisht kundërshtarit, Kosova gjithmonë do të jetë jo-favorite. Favoriti është kundërshtari ynë. I pashë që sllovakët nuk janë të fortë vetëm taktikisht, por psiqikisht”.

“Pas shortit shikova disa ndeshje të Sllovakisë dhe mund të themi në pikëpamjen taktike, janë shumë të organizuar. Do të jetë ndeshje e mirë, por e përsëris Sllovakia është favorite”.

“Luajnë në shtëpi para tifozëve dhe pas shumë viteve duan të kthehen në turne. Jam i sigurt se kombëtarja juaj do të bëjë gjithçka për të shkuar në finale. Kjo na përshtatet, sepse Sllovakia do të jetë nën presion”.

Ai gjithashtu foli edhe për vështirësitë që kaloi Kosova për të mbërritur në këtë pikë, kurse shtoi se do të bëjnë gjithçka për t’u kualifikuar në Botërorin 2026.

“Për të qenë i sinqertë në vitet e para nuk ka qenë mirë për ne. Në kualifikuesen e parë po humbnim gjithë sepse nuk kishim një organizim të mirë të lojës”.

“Ishte shumë e vështirë sepse po pranonim nga katër-pesë gola për lojë. Pastaj gjërat ndryshuan dhe shumë lëvdata për Federatën tonë, të cilët bënë gjithçka për ta ndihmuar kombëtaren të rritet. Pika ku kemi arritur nuk është rastësi”.

“Jo vetëm që kemi kushte të mira të stërvitjes në shtëpi, pra në Kosovë, por edhe në ndeshje si mysafir. Jam shumë i kënaqur si kemi ardhur, por nuk mund të themi se kemi arritur suksesin”.

“Nëse i fitojmë këto dy ndeshje, do të jetë sukses historik për shtetin tonë. Prandaj, do të bëjmë çmos për të dhënë më të mirën”.

Kujtojmë, gjysmëfinalja mes Sllovakisë dhe Kosovës do të zhvillohet më 26 mars 2026./Telegrafi/

Chelsea bindës ndaj Charlton, kualifikohet tutje në FA Cup



Chelsea ka shënuar fitore komode në udhëtim te Charlton, për t’u kualifikuar në fazën tjetër të FA Cup.

“Blutë” e Londrës triumfuan me rezultat 1-5, sfidë që ishin më të mirë gjatë tërë kohës, edhe pse luajtën me ekipin e dytë.

Talenti Hato shënoi golin e epërsisë pas një bashkëpunimi me Guiun (45+4’).

Kurse, ishte Adarabioyo që dyfishoi epërsinë pas një aksioni të shpejtë, ku u asistua nga Bounanotte (50’).

Charlton arriti të kthehet në lojë falë Leaburn (57’), por vetëm pesë minuta më vonë Guiu riktheu epërsinë e dyfishtë (62’).

Krejt në fund, Chelsea shënoi edhe dy gola në kohën shtesë falë Enzo Fernandez dhe Pedro Netos për ta vulosur fitoren.

Kësisoj, Chelsea avancon në raundin tjetër dhe kundërshtarin do ta mësojë pas hedhjes së shortit./Telegrafi/

Bora e fiton dramën ndaj Bashkimit



Në një dramë të vërtetë të zhvilluar në Prizren, Bora fitoi ndaj Bashkimit me shifrat 83:85 (20:18, 21:22, 23:25, 19:20), në javën e 14-t të ProCredit Superligës.

Përballja ka qenë mjaft interesante, duke u vendosur në sekondat e fundit. Çerekun e parë për një nuancë e fituan vendasit, 20:18, derisa lojë e baraspeshuar u zhvillua edhe në periudhën e dytë dhe të tretë.

Prishtinasit katër minuta nga fundi ishin duke fituar 76:81, kur Portokallezinjtë me një seri të suksesshme përmbysën shifrat në 83:81, por skuadra prishtinase nuk u dorëzua, derisa Alex Hunter shënoi trepikësh dhjetë sekonda nga fundi për 83:85.

Te vendasit Shannon Shorter ishte më i miri me 23 pikë, derisa te mysafirët Hunter e përfundoi ndeshjen me 19 pikë, aq sa edhe Shaquan Jules, kurse Tyler Cheese kishte 24 pikë.

Bashkimi ka nëntë fitore e pesë humbje, ndërsa Bora gjashtë fitore e tetë humbje./Telegrafi

Egjipti eliminon Bregun e Fildishtë dhe avancon tutje



Kombëtarja e Egjiptit e ka siguruar biletën e fundit për në gjysmëfinale pas fitores ndaj Bregut të Fildishtë.

Egjipti triumfoi me rezultat 3-2, sfidë që rezultoi të jetë shumë e baraspeshuar nga fillimi.

Marmoush pas vetëm katër minutave lojë e zhbllokoi epërsinë pas asistimit të Ashour (4’).

Ndërsa, ishte Rabia që dyfishoi epërsinë pas asistimit të Mo Salah (32’).

Bregu i Fildishtë arriti të kthehet pastaj në lojë pas autogolit të Fatouh (40’).

Megjithatë, Egjipti e siguroi fitoren pas golit të bukur të Mo Salah, i cili u asistua prej Ashour (52’).

E tëra që bëri Bregu i Fildishtë ishte goli i dytë dhe njëkohësisht i fundit përmes Doue (73’).

Egjipti në gjysmëfinale do të përballet me Senegalin./Telegrafi

Granit Shala nokautohet në raundin e fundit, pëson humbje nga Petar Milas



Boksieri Granit Shala nuk ka arritur ta mbrojë titullin IBF International kundër kroatit Petar Milas.

Milas që ishte favorit, arriti ta nokautojë boksierin shqiptar në raundin e 10-të.

Shala e nisi mjaftë mirë përballjen, ku mund të themi se edhe fitoi raundet e para, por kroati kishte më shumë energji dhe nisi të sulmojë kur e pa që 29-vjeçari filloi të lodhet.

Në raundin e fundit, Milas me një goditje të fortë më të djathtën arriti ta rrëzojë Shalën, i cili u ngrit pas shtatë sekondave. Pas kësaj, kroati vazhdoi me sulmet e njëpasnjëshme për ta nokautuar përfundimisht shqiptarin.

Peter Milas defeats Granit Shala via TKO in the 10th round to clinch the IBF International Heavyweight Title #Boxing #KabayelKnyba pic.twitter.com/AbBHc8VulK
— Scott (@ScottishProbl) January 10, 2026

Kjo garë ishte për titullin IBF që u mbajt në Gjermani, ndërsa Shalës i mbetet të vazhdojë me stërvitje dhe të kthehet edhe më i fortë.

Kujtojmë, Milas është një boksier tepër i njohur pasi ka plot 20 fitore (16 me nokaut) dhe vetëm një humbje, ndërsa Shala tani regjistron humbjen e dytë, kurse ka 18 fitore./Telegrafi/

FC Prishtina përforcohet me boshnjakun Karic



Klubi i Prishtinës ka arritur marrëveshje me futbollistin boshnjak Harun Karic.

Qendërmesfushori ka eksperiencë të madhe meqenëse ka luajtur në disa ekipe të ndryshme, si dhe përfaqësuar Bosnja Hercegovinën në grupmoshat U19 dhe U21.

Postimi i plotë i Prishtinës pa ndërhyrje:

“FC Prishtina ka arritur marrveshje me futbollistin boshnjak Harun Karić. Mesfushori qendror, 23-vjeçar, i bashkohet skuadrës sonë duke sjellë duke sjellë përvojë nga kampionate të ndryshme.

Së fundmi, Karić ishte pjesë e elitës së futbollit në Kirgistan, dhe luajti për ekipet Bars dhe Abdysh- Ata Kant ku arriti të fitojë titullin dhe superkupën. Në karrierën e deritanishme, ai ka qenë gjithashtu pjesë e ekipit kroat NK Lokomotiva, si dhe klubeve nga Bosnja dhe Hercegovina: Željezničar, Tuzla City dhe OFK Gradina.

Harun Karić ka përfaqësuar Bosnjën dhe Hercegovinën edhe në arenën ndërkombëtare, duke qenë pjesë e reprezentacioneve U19 dhe U21./Telegrafi

Ylli fiton ndaj ‘Vreshtarëve’



Golden Eagle Ylli shënoi fitore të rëndësishme ndaj Rahoveci 029 me shifrat 94:80 (22:16, 31:16, 17:33, 24:15), në javën e 14-t të ProCredit Superligës.

Fillimi i ndeshjes ishte i barabartë, pasi më pas vendasit filluan shkëputjen, ku çerekun e parë e fituan 22:16, derisa edhe më bindës ishin në periudhën e dytë, që e dominuan, për të shkuar në pushim me rezultat 53:32.

Në pjesën e dytë u zhvillua lojë interesante, me mysafirët që në periodën e tretë afruan shifrat në 68:65, derisa në atë të fundit në 78:77, por në momentet vendimtare, therandasit ishin më të mirë për të fituar 94:80.

Te vendasit u dalluan Brandon Huffman me 25 pikë e dhjetë kërcime dhe Trevon Allen me 21 pikë e gjashtë kërcime, derisa Isiah Umipig u dallua me 24 pikë për mysafirët.

Tani të dy skuadrat kanë nga pesë fitore e nëntë humbje./Telegrafi

Alban Shillova largohet nga FC Prishtina



FC Prishtina ka njoftuar se ka ndërprerë bashkëpunimin me sulmuesin Alban Shillova.

“Bardhëkaltërit” po vazhdojnë të largojnë lojtarë që nuk janë në planet e trajnerit Afrim Tovërlani.

Përmes një komunikate zyrtare, Prishtina falënderoi Shillovën për kontributin e dhënë që një vit.

“FC Prishtina dhe sulmuesi Alban Shillova kanë përmbyllur bashkëpunimin e tyre.

Shillova iu bashkua klubit në janar të vitit 2025 dhe gjatë kësaj periudhe njëvjeçare regjistroi 26 paraqitje në të gjitha garat, duke qenë gjithashtu pjesë e ekipit që triumfoi në Kupën e Kosovës në sezonin e kaluar.

Kjo ishte hera e dytë që ai ishte pjesë e FC Prishtinës, pas angazhimit të tij të parë në periudhën 2019–2021, ku kishte zhvilluar 23 ndeshje, kishte shënuar gjashtë gola dhe kishte kontribuar me katër asistime.

FC Prishtina e falënderon Alban Shillovën për kontributin e dhënë dhe i uron suksese në vazhdim të karrierës së tij”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Përndryshe, Prishtina aktualisht është e dyta në tabelë me 30 pikë, tre më pak se lideri Ballkani./Telegrafi/

Shkëlqen Osimhen, Nigeria eliminon Algjerinë dhe kualifikohet në gjysmëfinale të Kupës së Afrikës



Kombëtarja e Nigerisë ka treguar forcën ndaj Algjerisë për ta siguruar gjysmëfinalen e Kupës së Afrikës.

Nigeria zhvilloi një paraqitje solide, për të fituar me rezultat komod 0-2 dhe njëkohësisht siguroi “biletën” për në fazën tjetër.

Victor Osimhen shënoi lehtësisht nga afërsia pas asistimit të Onyemaechit për të kaluar Nigerinë në epërsi pas plot 47 minutave lojë.

Kurse, vetëm 10 minuta më vonë – Osimhen dhuroi një asistim fantastik te Akor Adams, i cili nuk dështoi përballë portierit Zidane për ta vulosur fitoren.

Algjeria pastaj tentoi të kthehet në lojë mirëpo mbrojtja nigeriane ishte gjithnjë në vendin e duhur për të mos lejuar befasi.

Nigeria kësisoj kualifikohet në gjysmëfinale, aty ku do të përballet me favoritin, Maroku./Telegrafi/

Fenerbahce triumfon ndaj Galatasarayt dhe e fiton Superkupën e Turqisë



Fenerbahce e ka fituar derbin e rivalëve të urryer ndaj Galatasaray për ta fituar Superkupën e Turqisë.

Fenerbahce zhvilloi një paraqitje solide për të triumfuar me rezultat 0-2.

Galata rrezikoi fillimisht falë bashkëpunimit të Mauro Icardit me Sanchez, që tentoi të shënonte me kokë megjithatë portieri mysafir me një super pritje ia mohoi golin.

Megjithatë, ishte Fenerbahce që e zhbllokoi rezultatin falë transferimit më të fundit, Matteo Guendouzi, i cili realizoi në debutim pas asistimit të Marcan (28’).

Ndërsa, ishte Jayden Oosterwolde që e vulosi fitoren pas harkimit fantastik të Marco Asensios (48’).

Turkcell Süper Kupa bizim!

Galatasaray’ı 2-0 mağlup ederek Süper Kupa’nın sahibi oluyoruz. pic.twitter.com/YS3dylKj5L
— Fenerbahçe SK (@Fenerbahce) January 10, 2026

Fenerbahce lehtësisht mund të shënonte edhe një gol por si Talisca ashtu edhe Yuksek dështuan t’i konkretizojnë.

Kësisoj, Fenerbahce ia bën sefte me trofe për vitin 2026 ndërsa Galatasarayt i mbetet të luftojë për titullin kampion në elitën e futbollit turk./Telegrafi/

Dani Caravajal e paralajmëron Barcelonën: Jemi shumë të motivuar, Mbappe do të jetë sërish vendimtar



Mbrojtësi i Real Madridit, Dani Carvajal, ka folur para finales së Superkupës së Spanjës kundër Barcelonës, duke theksuar fokusin e skuadrës, rëndësinë e Kylian Mbappe dhe gjendjen morale brenda ekipit.

Kapiteni i madrilenëve u ndal fillimisht te roli i Mbappe, duke e cilësuar atë si një lojtar kyç për skuadrën e Carlo Ancelottit.

“Kylian është një lojtar jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne, ai është sulmuesi më i mirë në botë dhe shpresojmë që nesër të jetë në fushë, sepse ai mund të jetë vendimtar”.

Carvajal kishte edhe një mesazh të veçantë për tifozët e Real Madridit, duke kujtuar momentet e vështira që klubi ka kaluar ndër vite, por edhe sukseset e mëdha që kanë ardhur më pas.

“Do t’u thosha tifozëve të kthejnë kokën pas. Kam pasur një karrierë shumë të suksesshme, por edhe vite kur askush nuk na jepte shanse… dhe ne kemi bërë gjëra të jashtëzakonshme. Jemi të fokusuar te ndeshja e nesërme. Kemi shumë motivim dhe duam vërtet ta fitojmë trofeun”.

“Është gjithmonë e rëndësishme të fitosh një finale, veçanërisht kundër Barcelonës. Është një shtysë pozitive morale për të dyja palët. Kushdo që fiton nesër do të dalë më i fortë”.

Në fund, mbrojtësi i djathtë komentoi edhe mbi deklaratat e Xabi Alonsos dhe dinamikat brenda skuadrës, duke u ndalur te roli i Federico Valverdes në pozicione të ndryshme.

“Trajneri ka të drejtë për mendimin e tij. Fede mund të japë mendimin e vet, e kuptoj që nuk i pëlqen të luajë si mbrojtës i djathtë, por kur e bën këtë, ai jep gjithçka në pozicionin ku i kërkohet të luajë. Dhe kjo është ajo te e cila unë fokusohem”.

Përndryshe, përballja mes Realit dhe Barcelonës zhvillohet të dielën me fillim nga ora 20:00./Telegrafi

10 gola për kualifikim, Man City i pamëshirshëm ndaj klubit të divizionit të tretë



Manchester City është treguar tepër i pamëshirshëm ndaj Exeter, në kuadër të 1/32 së finales të FA Cup.

“Qytetarët” fituan me rezultat të thellë 10-1 pavarësisht që Pep Guardiola vendosi tërë formacionin e dytë.

Allenye kaloi vendasit në epërsi pas vetëm 12 minutave lojë, ndërsa ishte Rodri që me një gol fantastik e dyfishoi epërsinë (12’).

Situata veçse u përkeqësua për mysafirët kur shënuan dy autogola për pak minuta. Fillimisht Doyle-Hayes (42’), e pastaj Fitzwater (45+2’).

Transferimi më i i ri Semenyo pastaj debutoi me gol e asistim. Së pari dhuroi një top fantastik te Lewis, i cili çoi rezultatin në 5-0 (49’), ndërsa gjashtë minuta më vonë e dërgoi vetë topin brenda rrjetës (54’).

Reijnders realizoi golin e shtatë (72’), O’Reilly të tetin (79’) kurse McAidoo e vulosi fitoren e thellë (86’).

E tëra që bëri skuadra mysafire ishte goli i nderit, i shënuar nga Birch në minutën e fundit të ndeshjes (90’).

Krejt në fund, City realizoi sërish përmes Lewis, duke e konfirmuar epilogun përfundimtar prej 10-1 (90+1')./Telegrafi/

Deklaroi se ëndërron Real Madridin, Kompany: Lojtarët e Bayernit e ngacmuan Karl



Vetëm 17 vjeç, Lennart Karl po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen me paraqitjet e tij mbresëlënëse në fushë, por jo vetëm për shkak të talentit. Së fundmi, ylli i akademisë së Bayern Munich ka bërë bujë edhe me deklaratat rreth klubit të ëndrrave të tij.

Gjatë një vizite te një fan-klub, Karl u shpreh hapur për ambiciet e tij në të ardhmen.

“FC Bayern është një klub shumë i madh. Është një ëndërr të luash aty. Por në fund, patjetër që dua të shkoj te Real Madrid.”

Këto fjalë nuk kaluan pa u komentuar dhe u bënë temë diskutimi në media dhe rrjete sociale. Megjithatë, trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany, doli në mbrojtje të talentit të ri dhe foli me superlativa për të në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Wolfsburgut.

“Djali punon jashtëzakonisht shumë. Jo shumë 17-vjeçarë e bëjnë këtë. Ai ka shënuar disa gola shumë të bukur për ne në stërvitje, por mënyra se si punon në fazën mbrojtëse dhe si e ndihmon ekipin ka bërë që të marrë minuta loje me ne”.

Trajneri belg u ndal edhe te deklarata e Karl për Real Madridin, duke zbuluar se ajo ka qenë objekt shakash edhe brenda ekipit.

“Të gjithë kishin diçka për të thënë. Në Instagram, në TikTok, ju nga shtypi. Edhe djemtë në stërvitje e ngacmuan pak. Ishte qesharake”.

Megjithatë, Kompany vlerësoi mënyrën se si lojtari reagoi ndaj gjithë zhurmës mediatike, duke theksuar pjekurinë e tij për moshën që ka.

“Por më pëlqeu reagimi i tij. Ai u stërvit dhe luajti shumë, shumë mirë. Do të kisha folur me të nëse do të ishte stërvitur keq, por ndodhi e kundërta. Ai fokusohet te gjërat e duhura”, deklaroi ai./Telegrafi

“Nuk u largova shkaku i pagave të papaguara”, Florent Hasani thyen heshtjen, flet për kalimin te Amedspori



Sulmuesi kosovar Florent Hasani gjatë janarit bëri një lëvizje të bujshme për t’iu bashkuar liderit aktual të Ligës së Parë Turke, Amedspor nga Boluspori.

28-vjeçari ka qenë padyshim lojtari më i mirë te Boluspori, ku realizoi 14 gola brenda vetëm 19 paraqitjeve, ndërsa kishte raportime se largimi erdhi si pakënaqësi për disa paga të papaguara.

Megjithatë, Hasani në një intervistë për Telegrafi ka bërë me dije se këto nuk janë të vërteta, por thjesht e ka bindur oferta e Amedsporit.

Ai fillimisht falënderoi Bolusporin për mbështetjen, sidomos trajnerin që edhe ia dha shiritin e kapitenit, gjë që ndikoi t’i rritet besimi.

“Gjashtë muajt e parë kanë qenë fantastik, me ndeshje të mira e gola. Shpresoj që edhe në pjesën e dytë të sezonit të vazhdoj me këtë ritëm”.

“Sekreti ishte tek vetëbesimi që kisha. Isha i sigurt që do të kaloja një sezon të mirë, po ashtu edhe trajneri që më gradoj me shiritin e kapitenit ishte një shtysë e madhe që të jem lider dhe të jap më shumë se 100 për qind”.

I pyetur për arsyet e largimit, Hasani ishte i qartë: Erdhën ofertat pas formës së mirë, ndërsa Amedspori rezultoi të jetë skuadra e duhur.

“Jo, për pagat e papaguara gjithmonë ka zgjidhje, por pas gjysmë sezone shumë të mirë ofertat erdhën dhe kuptohet, bisedova me klubin dhe zgjodha ofertën më të mirë që erdhi”.

“Klubi mori shumën e transferit ngase kisha ende kontratë, kurse unë tash vazhdoj tek Amedspori, klub i madh me shumë tifozë pas vetës dhe favoriti kryesor për t’u inkuadruar në Superligë”.

Hasani ka mbetur i mahnitur gjithashtu edhe me pritjen fantastike që i është bërë që kur iu bashkua skuadrës turke.

“Pritja ishte jashtëzakonisht e mirë nga të gjithë, sidomos prej tifozëve. Filluam gjysmën e sezonit të dytë me një ndeshje derbi dhe kundërshtar direkt për inkuadrimin në Superligë. Atmosfera ishte perfekte, si dhe festa me tifozët pas ndeshjes”.

Në fund, sulmuesi kosovar nënvizoi se synimi kryesor mbetet inkuadrimi në elitën e futbollit turk.

“Objektivat e mia janë që të vazhdoj me të njëjtin ritëm dhe me gola deri në fund, si dhe që të inkuadrohemi në Superligë me ekipin”, përfundoi ai.

Në ndeshjen e parë, Hasani u inkuadrua në pjesën e dytë gjatë fitoes 1-0 të Amedsporit kudër Corum. Ai zhvilloi 24 minuta./Telegrafi/

Granit Xhaka protagonist, Sunderland pas penalltive eliminon Evertonin nga FA Cup



Sunderland ka shënuar fitore në penallti për ta eliminuar Evertonin nga FA Cup.

Edhe pse koha e rregullt përfundoi me rezultat 1-1, Sunderland shënoi fitore me rezultat 3-0 përmes penalltive, duke e siguruar “biletën” për në fazën tjetër.

Mesfushori shqiptar Granit Xhaka dhuroi një tjetër paraqitje të shkëlqyer, ku nga “SofaScore” u vlerësua me notën 8.4, e dyta më e larta pas portierit Roefs.

Përndryshe, Xhaka edhe shënoi golin e dytë të Sunerlandit nga pika e bardhë, ku vendasit dështuan të shënojnë qoftë një, përmes Beto, Barry dhe Garner.

Kësisoj, Sunderland kualifikohet në 1/16 e finales ndërsa së shpejti do ta mësojë edhe kundërshtarin. Kujtojmë, fituesi i FA Cup njëkohësisht e siguron një vend që të dërgon në Ligën e Evropës për edicionin tjetër./Telegrafi/

Befasia e FA Cup, ekipi i Championshipit e eliminon Nottingham Forestin



Wrexham ka shkaktuar befasi të madhe në Championship për ta eliminuar Nottingham Forestin nga 1/32 e finales.

Wrexham arriti fitore në penallti me rezultat 4-3, pasi pas plot 120 minutave lojë rezultati doli të jetë 3-3.

Cacace kaloi vendasit në epërsi pas një aksioni të bukur, ku u asistua nga Dobson (37’). Ndërsa, tre minuta më vonë Rathbone dyfishoi epërsinë (40’).

Nottingham u këndell për të barazuar me Igor Jesus (64’), por 10 minuta më vonë vendasit shënuan edhe golin e tretë – falë Hyam (74’).

Sidoqoftë, mysafirët s’u dorëzuan. Fillimisht Hudson-Odoi shënoi golin e dytë (76’), ndërsa në minutën e fundit e dërgoi ndeshjen në vazhdime (89’).

Në kohën shtesë nuk kishte ndonjë gol, kësisoj fituesi u vendos në penallti. Wrexham arriti fitoren e madhe pasi Hutchinson dështoi në goditjen finale./Telegrafi/

A do të luajë Lionel Messi në Kupën e Botës? Scaloni jep detaje



Përzgjedhësi i Argjentinës Lionel Scaloni thotë se tetë herë fituesi i Topit të Artë, Lionel Messi, do të vendosë vetë nëse dëshiron të merr pjesë në Kupën e Botës 2026.

Messi së fundmi rinovoi kontratën me Inter Miamin ndërsa ende është e paqartë nëse do të tentojë ta fitojë edhe një tjetër trofe me Argjentinën.

I pyetur për mundësinë që Messi të luajë sërish në Kupën e Botës, Scaloni tha se do të jetë vetë në duart e lojtarit.

“Jam takuar me Messin, jam shumë afër shtëpisë së tij. Për Kupën e Botës do të shohim më vonë, kemi biseduar për shumë gjëra por jo për këtë pjesë sepse ende ka kohë. Nuk duhet ta lodhim, le të jetë i qetë dhe do të vendosë”.

“Pastaj do të shohim çfarë është më e mira në bazë të këtij vendimi. Kemi biseduar për gjëra tjera, jo nëse ai do të jetë në Kupën e Botës ose jo”.

“Na që e njohim e kuptojmë se kurrë nuk do të jetë i qetë. Ka lindur garues, dëshiron të fitojë, dëshiron të luajë, gjithmonë të jetë aty. Kjo është shumë e rëndësishme, sidomos për bashkëlojtarët, të cilët e shohin kapitenin të sillet ashtu dhe dëshiron të luajë për kombëtaren gjithmonë”.

Ndërkohë, Argjentina është një ndër favoritët kryesorë për ta fituar Kupën e Botës, pranë Francës, Brazilit, Spanjës e Anglisë./Telegrafi/

Pep Guardiola i entuziazmuar për transferimin e Semenyos: Faleminderit që na zgjodhe



Pep Guardiola ka shprehur kënaqësinë e tij pas konfirmimit të transferimit të Antoine Semenyo te Manchester City, marrëveshje që u zyrtarizua të premten.

Semenyo i dha fund aventurës së tij me Bournemouth duke shënuar golin e fitores në minutat shtesë ndaj Tottenhamit të mërkurën, përpara se të firmoste një kontratë pesëvjeçare e gjysmë me Cityn në “Etihad Stadium”.

Në sezonin aktual të Ligës Premier, Semenyo ka realizuar 10 gola dhe tre asistime, ndërsa vetëm dy lojtarë kanë kontribuar drejtpërdrejt në më shumë gola se ai: bashkëlojtari i tij i ri Erling Haaland (20 gola dhe katër asistime) dhe Igor Thiago (16 gola dhe një asistim).

Manchester City ka konfirmuar se Semenyo mund të debutojë që këtë fundjavë, në ndeshjen e raundit të tretë të FA Cup ndaj Exeter Cityt të shtunën, si dhe në gjysmëfinalen e parë të EFL Cup kundër Newcastle United të martën.

Guardiola theksoi se ishte shumë i kënaqur që lojtari zgjodhi Cityn, duke e parë atë si një përforcim të rëndësishëm për repartin ofensiv.

“Të gjithë i dinë cilësitë që ka – ka luajtur në mënyrë të jashtëzakonshme me Bournemouthin në vitet e fundit dhe mund të luajë në të dy krahët”.

“Ai përdor të dyja këmbët në mënyrë të jashtëzakonshme. Mund të luajë edhe si sulmues qendre, falë shpejtësisë së tij. E njeh shumë mirë Ligën Premier, shumë klube e donin, por ai vendosi të vijë te ne. Gjithçka që mund të them është faleminderit dhe jemi shumë të kënaqur për vitet që vijnë”.

“Prej një kohe të gjatë e kemi ndjekur. Duke parë situatën që kemi me anësorët, me tre lojtarë specifikë si Oscar Bobb, Savinho dhe Jeremy Doku, na duhej të përforcoheshim për vitet e ardhshme, prandaj klubi vendosi ta marrë”.

“Ai është në moshën perfekte, vitet më të mira janë përpara. Të gjitha klubet përpiqen të sjellin lojtarë të rinj, por ai do ta ndërtojë karrierën dhe vitet më të mira pikërisht këtu”./Telegrafi

FC Prishtina huazon Diar Halilin te skuadra shqiptare



Klubi bardhëkaltër Prishtina e ka huazuar qendërmbrojtësin Diar Halili te skuadra shqiptare, KF Tirana.

Halili është huazuar për gjashtë muajt e mbetur mirëpo nuk dihet nëse do të ketë ndonjë opsion blerje.

“Futbollisti ynë, Diar Halili, do ta vazhdojë pjesën pranverore të sezonit 2025/26 te KF Tirana, pas arritjes së marrëveshjes për huazimin e tij.

Qendërmbrojtësi ynë kalon te ekipi bardh e blu, ku pritet të jetë një forcë shtesë për skuadrën kryeqytetase në misionin e këndelljes në pjesën e dytë të sezonit”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e skuadrës kosovare.

Halili nuk ka pasur shumë minutazhë te Prishtina, ku këtë edicion ka zhvilluar vetëm edhe një ndeshje. Përndryshe, ai ka kontratë deri në vitin 2027./Telegrafi/

❌