Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Pylli i Fazanëve në Maliq, atraksion ekoturistik në juglindje të vendit


TIRANË, 31 janar/ATSH/ Pylli i Fazanëve në Maliq konsiderohet si një nga destinancionet më tërheqëse në juglindje të vendit për turizëm gjithëstinor.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky pyll, të cilin e cilësoi një nga atraksionet më të bukura të juglindjes së vendit.

“Ndërthur një ekosistem të pasur me mundësi të shkëlqyera për ekoturizëm, ky pyll ofron përvoja unike për të shijuar bukuritë e natyrë”, u shpreh Rama.

Ky pyll, me një sipërfaqe prej 50 ha, ndodhet vetëm 10 km larg qytetit të Korçës. Ai ka një peizazh fantastik dhe gëzon njëkohësisht edhe statusin e monumentit natyror.

Interesant është fakti që në këtë pyll gjen jo vetëm fazanët, simbolin e këtij monumenti, por edhe shumë kafshë të tjera.

Larmishmëria e pyllit me plepa, shelgje, blire, pisha dhe bredha bën interesante edhe ecjet në natyrë duke dalë nga rutina e ambienteve urbane.

Pylli i Fazanëve, i rijetësuar nga dora e njeriut, është kthyer në një nga destinacionet e rëndësishme të juglindjes së vendit me organizimet familjare e shoqërore jo vetëm nga banorë të kësaj zone, por tashmë edhe të turistëve vendas dhe të huaj.

/m.m/r.e/

The post Pylli i Fazanëve në Maliq, atraksion ekoturistik në juglindje të vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Krijimi i frontit të gjerë opozitar, interes parësor i çdo force opozitare

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha vlerësoi iniciativën e një grupi personalitetesh nga shoqëria civile, për të ndërmjetësuar krijimin e një fronti të gjerë opozitar kundër qeverisë.

Në një komunikim me qytetarët, Berisha informoi mbi takimin e djeshëm, ndërsa u shpreh se “bashkë me partitë e koalicionit parlamentar diskutuam dhe u dhamë mbështetjen”.

“Ata po vazhdojnë përpjekjet e tyre me forcat e tjera politike opozitare. Unë mendoj se në kuadrin e kësaj nisme, çdo njeri që ndjehet opozitar dhe që e nuk lejon veten të tradhtojë elektoratin që ka votuar kundër Edi Ramës, të tradhtojë elektoratin që gjen forca të shkëputet nga lidhje e të tjera, rreshtohet në këtë front”, shtoi Berisha.

Sipas kreut të PD-së, “ky nuk është front për të qeverisur së bashku, por është një front për të larguar së bashku një të keqe të madhe dhe për t’u hapur rrugën shqiptarëve për të votuar të lirë si qytetarë të lirë europianë”.

“Është jashtë çdo lloj logjike që kjo të mos jetë interes parësor i çdo force opozitare.
Por duhet të jesh opozitar që të përqafosh një ide të tillë. Dhe unë kam shpresë se ata që janë ose ndjehen opozitarë të vërtetë, do ta përqafojnë. Qoftë këto forca politike, qofshin këto organizata të shoqërisë civile, individë me peshë apo përfaqësues të grupit të interesit apo kauzave të drejta”, theksoi Berisha.

/m.m/a.f/

The post Berisha: Krijimi i frontit të gjerë opozitar, interes parësor i çdo force opozitare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali: Viti 2026 vendimtar, avancojmë me fazën e re për mbylljen e negociatave me BE

TIRANË, 31 janar/ATSH-Maela Marini/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali vlerësoi sot se viti 2026 është vendimtar për objektivin strategjik të mbylljes të procesit teknik të negociatave brenda vitit 2027.

Në fjalën e mbajtur në Forumi i Dialogut “Edhe disa hapa drejt BE-së” i organizuar sot në Vlorë, Spiropali vlerësoi se nuk është rastësi që flasim për Europën në në qytetin ku lindi shteti shqiptar.

“Ky është vendi ku historia jonë kombëtare dhe gjeografia jonë europiane takohen natyrshëm. Integrimi nuk është më vetëm një premtim, as një slogan, as vetëm një flamur. Është një proces që po zhvillohet me rezultate të prekshme dhe me përgjegjësi të përbashkëta”, tha Spiropali.

Kryediplomatja shqiptare theksoi se për një kohë të gjatë Shqipëria është parë si një vend që kërkon me ngulm të hyjë në BE.

“Sot Shqipëria është një vend që po përgatitet seriozisht për të qenë pjesë e tij dhe kjo është një diferencë thelbësore. Në vetëm 13 muaj, nga tetori 2024 deri në nëntor 2025, falë një vizioni të qartë pune të përditshme, përpjekjesh të përbashkëta dhe një koordinimi të vendosmërisë politike me aftësinë institucionale, kemi hapur së bashku me KE-në dhe vendet anëtare 33 kapitujt e negocimit”, shtoi Spiropali.

Gjatë muajve të fundit, Spiropali theksoi se është punuar më me ngulm për të arritur sa më parë piketat e ndërmjetve për themeloret.

“Pak ditë më parë, në parlamentin e Shqipërisë u miratua paketa e fundit legjislative duke i dhënë procesit peshën dhe seriozitetin që kërkon e meriton për avancimin sa më parë të fazës vijuese edhe më kërkuese edhe më sfiduese, atë të fillimit të mbylljes së kapitujve”, theksoi Spiropali.

Ministrja theksoi se Shqipëria ka ndërtuar kapacitetin për të ecur me ritmin e BE-së dhe besimin për ta merituar bashkimin me familjen tonë natyrale me Europën.

Reformat që janë ndërmarrë, sipas saj, “nuk janë të lehta, por janë reforma që prekin drejtësinë, administratën, luftën kundër korrupsionit, ekonominë dhe standardet”.

“Por këto reforma nuk janë bërë për të kaluar një provim europian, por sepse Shqipëria e ka nevojën dhe po ndërton jo pa sfida një shtet më të drejtë, ekonomi më të hapur e konkurruese”, tha Spiropali ndërsa shprehu bindjen se “sot mund të themi se integrimi nuk është vetëm aspiratë”.

1 nga 5

/a.f/

The post Spiropali: Viti 2026 vendimtar, avancojmë me fazën e re për mbylljen e negociatave me BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Më 10 shkurt, të gjitha format e mosbindjes civile

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se Partia Demokratike ka në plan dhe projekt të gjitha format e mosbindjes civile dhe është në zbatimin e tyre.

Në një komunikim në rrjetet sociale, Berisha iu përgjigj një qytetari i cili e pyet nëse PD ka në në plan një grevë urie për një qasje më agresive se protestat.

“Kërkojmë nga qytetarët të bëjnë gjithçka për fitoren e kësaj beteje. Por kjo kërkon para së gjithash qartësi. Kërkon që çdo qytetar të kuptojë se kemi të bëjmë me një diktaturë autokratike, në të cilën të gjitha pushtetet janë të përqendruara në një dorë dhe institucionet përdoren për të shtypur pluralizmin”, tha ai.

Berisha theksoi se kemi vetëm një rrugë dhe kjo rrugë është protesta deri në përmbysjen e qeverisë.

Sipas tij, në 10 shkurt PD do të tregojë fuqinë dhe vendosmërinë e saj.

“Gjithçka varet nga kryengritja paqësore që nuk duhet të ndalet kurrë gjer në përmbysjen e Edi Ramës. Pikërisht në këtë kuadër, ne thirrëm protestën tjetër me datën 10 shkurt, ditën e martë, në mënyrë që të marrim dhe njëherë paralajmërimin më serioz për largimin e tyre nga pushteti”, tha Berisha.

Berisha foli po ashtu edhe mbi kërkesën e mbështetësve të PD-së që protesta të vijojë dhe të mos largohen nga sheshi pa realizimin e qëllimit.

“Kjo është një kërkesë jashtëzakonisht e drejtë dhe është rruga e vetme efikase për të larguar këtë regjim nga pushteti. Por kjo kërkon nga secili nga ne që të bindim gjithnjë e më shumë qytetarë se qëndrimi në shesh për aq kohë sa ta largojmë regjimin është rruga më e sigurt e fitores tonë. U garantoj se drejt asaj në mënyrë të pandalshme do të shkojmë”, tha ai.

Ai ftoi qytetarët që të shumëfishojnë forcat dhe të bashkohen në protestën e ardhshme.

Pyetjes së një qytetari se përse nuk organizohen protesta në të njëjtën kohë në 4-5 qytete të ndryshme, Berisha u shpreh se “ne do të përqendrohemi tërësisht në Tiranë”.

“Pasardhësit direkt të bllokmenëve nuk pyesin për Shqipërinë tjetër, përveç Tiranën e karrigeve. Më kujtohet si sot, kur Ramiz Aliaj thoshte se, Kavajën nuk e qeverisim ne, por ai gjithnjë kishte hallin e Tiranës. Ndaj dhe ne duhet të ua bëjmë ferr kësaj organizate kriminale, Tiranën. Kjo është arsyeja se pse ne përqendrohemi tërësisht në Tiranë”, tha Berisha.

Berisha theksoi se protesta e 24 janarit dha një mësim dhe protestat e fundit nuk kanë qenë pa rezultat.

“Kanë qenë më shumë rezultat. Imagjinoni një Shqipëri që nuk do protestonte përpara këtyre superskandaleve se si do turpërohej para botës, se çfarë mesazhi i trishtë, çfarë ofendimi do të ishte për shqiptarët. Kurse zëri i fuqishëm që u ngrit në bulevard dhe nuk ishte vetëm shëtitje, por dha mesazhin e duhur për shqiptarët dhe botën. Por, beteja me diktaturën nuk është një ndeshje futbolli. Kërkohet që secili opozitar të përgatitet për protestë të qëndrueshme. Të përgatitet për një kryengritje të pandërprerë paqësore për të realizuar qëllimin e vet”, tha Berisha.

/m.m/

The post Berisha: Më 10 shkurt, të gjitha format e mosbindjes civile appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tabaku: Rënia e euros po varfëron shqiptarët dhe po shkatërron prodhimin vendas

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku shprehu sot shqetësimin për pasojat e rënda ekonomike që po sjell zhvlerësimi i euros, duke e cilësuar situatën si një nga goditjet më serioze ndaj ekonomisë shqiptare dhe mirëqenies së qytetarëve.

Tabaku theksoi se euro ka prekur minimumet historike të kursit të këmbimit, ndërsa në vitet e fundit vlera e saj ka rënë me rreth 40%.

Sipas saj, ndonëse për shumë qytetarë kursi i këmbimit mund të duket si një koncept abstrakt, efektet e tij janë tashmë të prekshme në përditshmëri.

“Zhvlerësimi i euros po ndikon drejtpërdrejt në çmime, në eksporte, në punësim dhe në mbijetesën e bizneseve shqiptare. Çdo retorikë e qeverisë për nxitjen e eksporteve është e pavlefshme, për sa kohë ekonomia po goditet nga ky fenomen,” u shpreh Tabaku.

Sipas deputetes demokrate, dy sektorët kryesorë që po vuajnë më shumë janë prodhimi fason dhe bujqësia, sektorë që deri dje mbështeteshin te eksportet dhe sot po humbasin tregjet ndërkombëtare.

Ajo paralajmëroi se zhvlerësimi i euros po e bën të pamundur që produktet shqiptare të konkurrojnë jashtë vendit, duke reduktuar të ardhurat e fermerëve dhe duke rrezikuar vendet e punës në industrinë fason, ku punësohen rreth 175 mijë persona.

Tabaku e lidh drejtpërdrejt këtë situatë me kriminalizimin e ekonomisë dhe futjen e parave të pista, të cilat, sipas saj, po deformojnë tregun dhe po prodhojnë pasoja të pakthyeshme për ekonominë reale.

“Ky ndikim po shkon drejtpërdrejt në xhepin e qytetarëve dhe po sjell pasoja katastrofike. Nuk ka asnjë mekanizëm që ta rikuperojë dëmin që po i bëhet sot ekonomisë nga pastrimi i parave,” theksoi ajo.

Në përfundim, Tabaku nënvizoi se rënia e euros nuk është thjesht një tregues financiar, por rreziku real që po thellon varfërimin e shqiptarëve, po shkatërron prodhimin vendas dhe po minon të ardhmen ekonomike të vendit, në mungesë të një reagimi serioz nga qeveria.

/m.m/a.f/

The post Tabaku: Rënia e euros po varfëron shqiptarët dhe po shkatërron prodhimin vendas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Merr formë parku “Dua të luaj” në Elbasan, hapësira rekreative në shërbim të qytetarëve

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Punimet për ndërtimin e parkut rekreativ “Dua të luaj” në Elbasan po vijojnë, një investim që i shërben komunitetit, duke krijuar hapësira moderne për sport dhe argëtim, si dhe duke rritur cilësinë e jetës në qytet.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga punimet në këtë kantier, një hapësirë moderne prej 22 mijë m², me fusha sportive, kënde lojërash dhe ambiente rekreative për fëmijë, familje dhe të moshuar.

Ky projekt po realizohet me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe synon krijimin e një hapësire moderne dhe funksionale rekreative, në shërbim të të gjitha grupmoshave.

Projekti parashikon ndërtimin e një hapësire prej 22 mijë m², e cila do të përfshijë fushë sportive, kënde lojërash për fëmijë, si dhe ambiente rekreative të gjelbra, të konceptuara për fëmijë, familje dhe të moshuar.

Ky investim është pjesë e vizionit për transformimin e hapësirave publike, promovimin e një stili jetese aktive dhe krijimin e mjediseve të sigurta, të aksesueshme dhe miqësore me mjedisin.

Ndërkohë bashkia Elbasan vijon angazhimin për t’i dhënë qytetit më shumë gjelbërim, hapësira rekreative dhe mundësi të reja për komunitetin.

/m.m/a.f/

The post Merr formë parku “Dua të luaj” në Elbasan, hapësira rekreative në shërbim të qytetarëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Esposito: Përdorim i tepruar dhe i paarsyetuar i masës së paraburgimit në Shqipëri

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit në Këshillin e Europës, Gianluca Esposito e konsideroi mbipopullimin e burgjeve në Shqipëri sfidë, ndërsa tërhoqi vëmendjen mbi praktikat e paraburgimit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pjesë nga prononcimi i djeshëm i Espositos në Tiranë, ndërsa u shpreh se “arresti me burg pa gjyq si praktikë normale në Shqipëri, ka sjellë rezultatin skandaloz të një vendi europian me më shumë të paraburgosur se sa të burgosur, duke alarmuar Këshillin e Europës”.

Esposito u shpreh se mbipopullimi i burgjeve mbetet sfidë e madhe për administratën shqiptare të burgjeve.

“Këtë e thotë Komiteti ynë për Parandalimin e Torturës. Paraburgimi mund të justifikohet në një rast të caktuar vetëm nëse ekzistojnë tregues specifikë për një nevojë reale të interesit publik. Gjykata për të Drejtat e Njeriut vëren gjithashtu se ‘autoritetet gjyqësore kombëtare duhet të marrin në konsideratë marrjen e masave më pak dëmtuese sesa paraburgimin në fazën para nisjes së gjyqit, në varësi të rrethanave specifike të çështjes’”, shtoi ai.

Sipas tij “është përgjegjësi e autoriteteve gjyqësore kombëtare të sigurojnë që në një rast të caktuar paraburgimi i një personi të akuzuar të mos tejkalojë një afat të arsyeshëm”.

“Gjykata për të Drejtat e Njeriut thotë qartë se barra e provës në këto raste nuk duhet të përmbyset duke ia ngarkuar personit të ndaluar detyrimin për të provuar ekzistencën e arsyeve që justifikojnë lirimin e tij. Problemi kryesor i praktikës së paraburgimit në Shqipëri është përdorimi i tepruar dhe i paarsyetuar mjaftueshëm i kësaj mase veçanërisht në gjykatat e shkallës së parë dhe gjatë rishikimeve periodike”, theksoi Esposito.

/m.m/j.p/

The post Esposito: Përdorim i tepruar dhe i paarsyetuar i masës së paraburgimit në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Amnistia Penale shkon në Qeveri, Lamallari: Përfitojnë 10 mijë shtetas, 338 lirim të menjëhershëm

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari bëri të ditur sot se nga Amnistia Penale do të përfitojnë rreth 10 mijë shtetas shqiptarë.

Në një konferencë për mediet, Lamallari bëri të ditur se “338 të dënuar do të lirohen menjëherë ndërsa 980 të tjerë do të përfitojnë ulje dënimi.

“Amnistia penale është dërguar në Këshillin e Ministrave dhe do të kemi miratimin e aktit në mbledhjen e qeverisë dhe në vijim depozitimin në Kuvend. Është një kategori shumë e madhe që përfitojnë, nga shifrat paraprake, duke përfshirë dhe procedimet e vitit 2024, numri i përfituesve është i lartë, 10 mijë shtetas që përfitojnë. 338 përfitojnë lirim të menjëhershme, 980 që përfitojnë ulje dënimi”, tha ai.

Lamallari theksoi se në këtë kategori personash hyjnë grupe vulnerabël, duke përfshirë dhe gra dhe të mitur që përfitojnë nga ky akt human.

“Kjo tregon që jemi shoqëri që duhet të orientohet drejt parandalimit, rehabilitimit dhe t’i japim një mundësi të dytë dhe mbështetje personave që në momente të caktuara bien pre e zbatimit represiv të ligjit. Duhet të ndryshojmë qasje dhe mendësi. Arresti me burg duhet të jetë fjala e fundit”, tha Lamallari.

Ministri i Drejtësisë. Besfort Lamallari, foto: Florian Abazaj
1 nga 3

The post Amnistia Penale shkon në Qeveri, Lamallari: Përfitojnë 10 mijë shtetas, 338 lirim të menjëhershëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Schieder: Kultura politike në Shqipëri duhet të bëjë hap përpara, jo me molotov por me argumente

TIRANË, 30 janar/ATSH-Maela Marini/ Raportuesi i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder deklaroi sot se ka ardhur koha që kultura politike në Shqipëri të bëjë një hap përpara dhe të mos dramatizojë gjithçka me koktejle molotovi.

Në një konferencë për shtyp, Schieder u shpreh se aktorët politikë duhet të argumentojnë fort në skenën politike.

“Kjo vlen edhe për opozitën edhe për qeverinë. Mbi 90% e qytetarëve shqiptarë duan integrimin në BE. Kjo është gjëja më e mirë që mund t’i tregojë Shqipëria Europës, që është një vend i bashkuar dhe ka një qasje të bashkuar”, tha Schieder.

Schieder vlerësoi se aktualisht në Shqipëri ka unanimitet për disa çështje të politikës së jashtme, ndërsa theksoi se “do të donte shumë që unanimitet të ketë edhe për çështje të tilla europiane”.

Ndaj Schieder theksoi se nevojitet përmirësimi i kulturës politike.

“Në parlament ka hapësirë për deputetët e opozitës dhe të dhe mazhorancës të diskutojnë këto çështje. Pra, është demokraci normale ku ke mosdakordësi, por mos ta dramatizojmë situatën më shumë se sa duhet. Këtu mësova se situata është më pak dramatike se sa na duhet. Unë do të zgjidhja funksionimin normal të një demokracie”, shtoi ai. /j.p/

Raportuesi i PE për Shqipërinë, Andreas Schieder në Tiranë, foto: Andrin Hoxha
1 nga 8

The post Schieder: Kultura politike në Shqipëri duhet të bëjë hap përpara, jo me molotov por me argumente appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Schieder: Institucionet duhet të mbështesin punën e SPAK

TIRANË, 30 janar/ATSH-Maela Marini/ Raportuesi i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder bëri thirrje sot që institucionet të mbështesin punën e Strukturës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Në një konferencë për shtyp, Schieder u pyet nga mediet mbi çështjen për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Në këtë drejtim, Schieder u shpreh se PE nuk komenton çështje juridike apo ligjore.

“Ky është edhe një standard i mirë europian por institucionet duhet të kryejnë punën e tyre. Në këtë rast SPAK duhet të bëjnë punën e tyre, me gjetjet e tyre dhe gjithçka që mendojnë se është e nevojshme në bazë të legjislacionit. Ne kemi thënë që të gjitha institucionet duhet të mbështesin punën e SPAK. Por PE nuk mund të ndërhyjë dhe të bëjë komente për ndonjë rast specifik”, tha ai.

Schieder shprehu bindjen se në Kuvend do të bëhen diskutimet e duhura dhe do të merren vendimet e duhura në bazë të Kushtetutës ose të rregullores. /j.p/

The post Schieder: Institucionet duhet të mbështesin punën e SPAK appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Schieder: Në pranverë nis mbyllja e kapitujve të integrimit, kërkohet harmonizim i standardeve me BE-në

TIRANË, 30 janar/ATSH-Maela Marini/ Raportuesi i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder vlerësoi se Shqipëria ka pasur një ecuri madhore në negociatat për integrimin në Bashkimin Europian, por nevojitet zbatimi i legjislacionit.

Gjatë një konference për shtyp, Schieder u shpreh se nëse vlerësimi i Komisionit do të ecë mirë, në pranverë do të fillojnë të mbyllen kapitujt dhe Shqipëria do të vazhdojë të jetë pararojë për zgjerimin.

“Por nuk është vetëm çështja për miratimin e legjislacionit. Ideja e legjislacionit dhe miratimit të tij është t’i afrohemi standardeve europiane në zbatim dhe të kemi harmonizim më të mirë mes standardeve në Shqipëri dhe atyre në BE”, tha ai.

Schieder vlerësoi se Shqipëria ka vendosur që të jetë tejet e vetëdijshme dhe t’i përkushtohet reformave sidomos për luftën kundër krimit të organizuar.

“Që para 10 vitesh Shqipëria ka ndërmarrë hapin e paprecedentë për të bërë vetingun e gjyqtarëve. Kjo ka sjellë ndryshimin e perceptimit të publikut”, shtoi ai. /j.p/

The post Schieder: Në pranverë nis mbyllja e kapitujve të integrimit, kërkohet harmonizim i standardeve me BE-në appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Projektet fituese të Shtëpisë së Fëmijëve dhe Kompleksit të Inspektorateve Shtetërore

TIRANE, 30 janar/ATSH/ Dy studio arkitekturore ndërkombëtare u shpallën fituese të Konkursit Ndërkombëtar për Shtëpinë e re të Fëmijëve dhe Kompleksin e ri të Inspektorateve Shtetërore.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga projektet fituese të dy studiove prestigjioze nga Meksika, Taller Hector Barroso dhe Rojkind Arquitectos, të cilat morën pjesë në konkursin ndërkombëtar të organizuar nga Korporata Shqiptare e Investimeve.

Juria ndërkombëtare vlerësoi se edhe pse secili prej projekteve kishte tipare shumë të mira arkitekturore, asnjë prej tyre nuk ishin plotësisht i suksesshme në trajtimin e të dyja komponentëve, Shtëpisë së re të Fëmijëve dhe Kompleksit të ri të Inspektorateve Shtetërore.

Ndaj juria vendosi të shpallë fitues studion “Taller Hector Barroso” për projektin e kampusit të fëmijëve dhe studion “Rojkind Arquitevtos S.C” për kullat shumëfunksionëshe.

Juria vendosi që dy projektet të zhvillohen nën bashkërendimin e një zhvilluesi të vetëm, ndërsa hartoi edhe një grup rekomandimesh drejt fazës zbatuese.

Projektet fituese u përzgjodhën mes propozimeve me vlera të spikatura arkitekturore, urbane dhe mbi të gjitha sociale.

Ato janë pjesë e një vizioni më të gjerë për zhvillimin e infrastrukturës publike nëpërmjet partneritetit publik-privat. Këto projekte synojnë të krijojnë kushte moderne dhe dinjitoze, veçanërisht për fëmijët në nevojë, si dhe hapësira funksionale për administratën shtetërore.

/m.m/j.p/

The post Projektet fituese të Shtëpisë së Fëmijëve dhe Kompleksit të Inspektorateve Shtetërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mazniku: Reforma territoriale duhet të bazohet te cilësia e shërbimeve për qytetarët

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Bashkëkryetari i komisionit të posaçëm të Reformës Administrativo-Territoriale, Arbjan Manziku u shpreh sot se procesi i reformës territoriale duhet të bazohet te parimet dhe cilësia e shërbimeve ndaj qytetarëve, dhe jo te hartat apo numrat.

I ftuar në një studio televizive, Manziku theksoi se reforma nuk ka ende një plan konkret, por është në fazë procesi.

Sipas tij, është me rëndësi konsultimi me qytetarët, veçanërisht ata të Paskuqanit, për një bashkim të mundshëm me bashkinë e Tiranës.

Ai kujtoi se reforma e vitit 2014 ishte një ndryshim epokal, por ende ka nevojë për përmirësime të mëtejshme.

“Ka pasur një tjetër komisioni para 4-5 vjetësh. Unë jam një nga njerëzit që jam pyetur në komision dhe kam dhënë mendim, dhe unë thashë që Kamza, Paskuqani dhe Vora të jenë pjesë e bashkisë së Tiranës. Në këtë rast është e rëndësishme të krijojmë reforma të qenësishme. Nuk kemi një plan, ne kemi një proces. Nuk kam një projektide as për numrat dhe hartat, unë e kam për parimet dhe reformat”, shtoi ai.

Mazniku theksoi se “kjo është një çështje që duhen pyetur më mirë qytetarët e Paskuqanit, nëse duan të bashkohen me Tiranën apo jo”.

“Të mbështetemi te parimi se sa mundësi kemi që t’u ofrojmë shërbime qytetarëve, qoftë në Paskuqan e zona të tjera. Rëndësi ka shërbimi sa më afër qytetarit. Reforma e 2014-ës është një ndryshim epokal, por ka akoma nevojë për ndryshime”, tha Mazniku.

/a.f/r.e/

The post Mazniku: Reforma territoriale duhet të bazohet te cilësia e shërbimeve për qytetarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Reforma territoriale, Mazniku: Do ta mbyllim në korrik, opozitën e presim deri të hënën

TIRANË, 29 janar/ATSH-Maela Marini/ Bashkëkryetari i komisionit të posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbian Mazniku deklaroi sot se muaji korrik është afati i fundit për miratimin e reformës territoriale, ndaj nëse opozita nuk do të vijë në komision deri në 2 shkurt, do të ndryshohet formula e komisionit.

Gjatë një interviste në për “Abcnews”, Mazniku u shpreh se mazhoranca ka qenë në mënyrë sistemike jo vetëm e gatshme, por edhe me një plan shumë të ngjeshur pune drejt krijimit të reformës.

Për shkak të mungesës së opozitës në komision, Mazniku u shpreh se janë humbur dy muaj shumë të rëndësishëm.

Sipas tij në vitin 2027 janë zgjedhjet e ardhshme vendore dhe reforma territoriale, sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias duhet të mbyllet një vit para zgjedhjeve.

Mazniku sqaroi se kjo bëhet për t’i lënë kohë forcave politike dhe publikut për t’u mësuar me ndarjen e re territoriale.

Manziku theksoi se korriku i këtij viti është afati i fundit për të mbyllur reformën territoriale, në mënyrë që t’i jepet kohë njerëzve dhe bashkive të bëhen gati për sistemin e ri.

“Aktualisht kemi dy muaj vonesë. Ndërkohë duhet kuptuar se reforma territoriale lidhet me bashkitë dhe është jetike për të përfituar fonde nga BE për t’u fuqizuar dhe arritur nivelet e BE-së”, u shpreh Mazniku.

Edhe pse PS ka numrin e nevojshëm të votave në Kuvend për ta miratuar reformën, Mazniku theksoi se do të ishte ideale që kjo të bëhej me konsensus tërësor politik, pra me dakordësi totale prej 40 votash.

“Duhet të kemi mekanizmin e mirë për t’i ofruar shërbime njerëzve. Ne ramë dakord për barazi në komision dhe për bashkëkryesim me opozitën. Por opozita nuk ka ardhur në mbledhje dhe ne kemi humbur 2 muaj shumë të rëndësishëm me agjendë të ngjeshur pune”, tha Mazniku.

Në rast se opozita nuk do të paraqitet në komision ditën e hënë (2 shkurt), Mazniku theksoi se PS ka firmosur kërkesën për Kuvendin që të bëhet ndryshimi i formulës së përfaqësimit (9 me 8).

“Njëlloj si në komisionet e tjera parlamentare bashkëkryesia do të kalojë në pozicionin e nënkryetarit dhe do të futemi në proces pune. Opozita do të ketë vendin e saj në komision. Numri i tyre nuk preket, vendet e tyre nuk preken. Janë të mirëpritur të jenë pjesë e dëgjesave që do të zhvillohen në terren por procesi nuk ndalet, sepse ne jemi bllokuar pa filluar akoma”, tha Mazniku.

/a.f/r.e/

The post Reforma territoriale, Mazniku: Do ta mbyllim në korrik, opozitën e presim deri të hënën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përfaqësuesit e PD-së takim me Schieder: Po mbyllen hapësirat e opozitës në Kuvend

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deputetja dhe kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Jorida Tabaku, si dhe deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, zhvilluan sot një takim me Raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e opozitës shprehën shqetësimin e tyre të thellë lidhur me situatën politike dhe institucionale në Shqipëri, duke vënë theksin te problematikat serioze që sipas tyre, “po minojnë funksionimin e shtetit të së drejtës dhe standardet demokratike”.

Një ndër çështjet kryesore të diskutuara ishte bllokimi i shqyrtimit të mandatit të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Sipas deputetëve të PD-së, kjo çështje po mbahet peng në Këshillin e Mandateve përmes votave të shumicës socialiste, duke penguar rolin kushtetues të Kuvendit dhe duke ndërhyrë në proceset e pavarura të drejtësisë, përfshirë SPAK-un.

Gjithashtu, deputetët raportuan për “mbylljen sistematike të hapësirave për opozitën në Kuvendin e Shqipërisë”. Sipas tyre, “ndërprerja e fjalës së opozitës gjatë seancave plenare është kthyer në praktikë të zakonshme, ndërsa mekanizmat parlamentarë për kontrollin e qeverisë janë dobësuar ndjeshëm ose janë bërë jofunksionalë”.

Në këtë kontekst, përfaqësuesit e PD-së nënvizuan degradimin e rolit të Kuvendit, i cili sipas tyre po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një institucion formal, pa debat real dhe pa respekt për pluralizmin politik.

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder u informua në mënyrë të detajuar mbi këto zhvillime dhe u njoh me shqetësimet e opozitës lidhur me pasojat që këto praktika kanë për procesin e integrimit europian të vendit dhe për standardet demokratike që kërkon Bashkimi Europian.

Ne emër të Partisë Demokratike, deputetët konfirmuan angazhimin për mbrojtjen e demokracisë, funksionimin e institucioneve dhe respektimin e shtetit të së drejtës, si parakushte themelore për rrugën europiane të Shqipërisë.

/m.m/r.e/a.f/

The post Përfaqësuesit e PD-së takim me Schieder: Po mbyllen hapësirat e opozitës në Kuvend appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla takon Raportuesin e PE-së për Shqipërinë, Schieder

TIRANË, 29 janar/ATSh/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u takua sot në Kuvend me Raportuesin e Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder.

Gjatë takimit u diskutua mbi procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe përgatitjen e raportit vjetor për vendin tonë, i cili, pas miratimit në Komitetin e Politikës së Jashtme (AFET), do të votohet në seancën plenare të Parlamentit Europian.

Raportuesi Andreas Schieder, i cili po përgatit raportin vjetor për Shqipërinë, vlerësoi në debatin e fundit në Parlamentin Europian se Shqipëria mund të konsiderohet “favoriti kryesor” mes vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Takimi u zhvillua në kuadër të dialogut të vazhdueshëm institucional mes autoriteteve shqiptare dhe përfaqësuesve të Bashkimit Europian për avancimin e mëtejshëm të procesit të integrimit.

/m.m/a.f/

The post Balla takon Raportuesin e PE-së për Shqipërinë, Schieder appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shpallen studiot fituese për Shtëpinë e Fëmijëve dhe Kompleksin e Inspektorateve Shtetërore


TIRANE, 29 janar/ATSH-Maela Marini/ Dy studio arkitekturore ndërkombëtare u shpallën sot fituese të Konkursit Ndërkombëtar për Shtëpinë e re të Fëmijëve dhe Kompleksin e ri të Inspektorateve Shtetërore.

Juria ndërkombëtare e cila vlerësoi projektet e paraqitura në këtë konkurs vlerësoi se edhe pse secili prej projekteve kishte tipare shumë të mira arkitekturore, asnjë prej projekteve nuk ishin plotësisht të suksesshme në trajtimin e të dyja komponentëve.

Ndaj juria vendosi të shpallë fitues studion “Taller Hector Barroso” për projektin e kampusit të fëmijëve dhe studion “Rojkind Arquitevtos S.C” për kullat shumëfunksionëshe.

Juria vendosi që dy projektet të zhvillohen nën bashkërendimin e një zhvilluesi të vetëm, ndërsa hartoi edhe një grup rekomandimesh drejt fazës zbatuese.

Projektet fituese u përzgjodhën mes propozimeve me vlera të spikatura arkitekturore, urbane dhe mbi të gjitha sociale.

/r.e/a.f/

The post Shpallen studiot fituese për Shtëpinë e Fëmijëve dhe Kompleksin e Inspektorateve Shtetërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali pret Raportuesin për Shqipërinë në PE: Mbështetës i anëtarësimit të Shqipërisë në BE

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali priti sot në një takim Raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, një zë i rëndësishëm dhe mbështetës i procesit të zgjerimit dhe në veçanti i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Spiropali bëri të ditur se në takim u diskutua mbi rolin e veçantë të Parlamentit Europian në monitorimin e negociatave të anëtarësimit, rëndësinë e raportit të ardhshëm për Shqipërinë në konsolidimin e perceptimit pozitiv mbi progresin e arritur dhe në orientimin e hapave të mëtejshëm të procesit.

“Bashkëndamë vlerësime për ecurinë e deritanishme të negociatave, për reformat e thelluara në veçanti në fushën e sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore, si dhe për angazhimin e palëkundur e të vazhduar të politikës sonë të jashtme me atë të BE-së, si dhe në përafrimin e vazhdueshëm me vlerat, politikat dhe qëndrimet e Bashkimit Europian”, bëri të ditur Spiropali.

Në këtë kuadër, Spiropali theksoi se u diskutua edhe mbi perspektivën e arritjes sa më parë të piketave të ndërmjetme (IBAR), si një moment vendimtar që do t’i hapë rrugën procesit të mbylljes së kapitujve, duke e vendosur Shqipërinë në 2026-ën në një fazë të re, edhe më konkrete dhe më të matshme në rrugën drejt anëtarësimit.

/m.m/a.f/r.e/

The post Spiropali pret Raportuesin për Shqipërinë në PE: Mbështetës i anëtarësimit të Shqipërisë në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Prioritet, krijimi i një rrjeti të konsoliduar agropërpunimi

TIRANË, 28 janar/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama theksoi sot domosdoshmërinë e krijimit të një rrjeti të konsoliduar të agropërpunimit.

I pranishëm në tryezën e dialogut mes qeverisë dhe biznesit eksportues ku u prezantua platforma e re ExportOn, Rama theksoi se agropërpunimi është vendosur në prioritetet e listës së punëve të qeverisë.

“Sa më shumë të tërheqim nga kanali i eksporteve lëndën e parë dhe sa më shumë të fusim në kanalin e eksporteve lëndë të parë të përpunuar në vend, aq më shumë do të mbajmë vlerë të shtuar brenda kufijve tanë”, tha Rama.

Faza kur baza kryesore e eksporteve ishte nxjerrja jashtë e lëndës së parë, sipas Ramës,  është një fazë që duhet të konsiderohet e tejkaluar.

“Sidomos kur vjen puna te bujqësia është shumë e qartë se hapi tjetër është agropërpunimi. Sikundër bëmë në fazën e parë të qeverisjes me grumbullimin duke siguruar që Shqipëria të ketë tanimë një rrjet të konsoliduar dhe të fuqishëm pikash grumbullimi me standarde të larta, duam të kemi një rrjet të konsoliduar të agropërpunimit”, tha Rama. /j.p/

The post Rama: Prioritet, krijimi i një rrjeti të konsoliduar agropërpunimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Mbështesim inovacionin në sektorin e manifakturës

TIRANË, 28 janar/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama garantoi sot mbështetje për sipërmarrjet që operojnë në sektorin e manifakturës, të cilat përfshijnë inovacionin në rrugën e tyre të zhvillimit.

I pranishëm në tryezën e dialogut mes qeverisë dhe biznesit eksportues ku u shpalos platforma e re ExportOn, kryeministri Rama u ndal te tranzicioni i pashmangshëm në sektorin e manifakturës që kalon nga fasoneria te cikli i mbyllur.

“Kjo na ka dhënë një provë shumë të qartë që sipërmarrja që nuk garantohet nga oksigjeni i shtetit por i beson inovacionit dhe transformimit fiton. Ndërsa kush pret që në të kundërt të erës së imponuar nga transformimi, të vazhdojë të rrijë aty ku është mësuar dhe ka qëndruar duke u mbajtur me oksigjen nga shteti është thjesht dhe vetëm duke shtyrë me agoni ditët e fundit”, tha Rama.

Për të krijuar më shumë vlerë të shtuar përmes manifakturës, Rama siguroi se qeveria do të bëjë më shumë në mbështetje të sipërmarrjeve që do të përqafojnë sfidën e  transformimit. /j.p/

The post Rama: Mbështesim inovacionin në sektorin e manifakturës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌