Reading view
Përpjekjet për paqe në Ukrianë/ I dërguari i Trump: Kemi bërë shumë përparim
I dërguari i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, tha se negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë kanë shënuar përparim të rëndësishëm dhe pritet të vazhdojnë javën e ardhshme.
“Besojmë se kemi bërë shumë përparim”, tha Witkoff gjatë një takimi të kabinetit.
Deklaratat e tij vijnë pasi Rusia dhe Ukraina zhvilluan konsultime të ndërmjetësuara nga SHBA-ja në Emiratet e Bashkuara Arabe. Një raund i ri pritet të mbahet të dielën, përsëri në kryeqytetin Abu Dhabi.
“Bisedimet do të vazhdojnë për rreth një javë, por shumë gjëra të mira po ndodhin mes palëve që diskutojnë marrëveshjen për tokën”, tha Witkoff.
Ai shtoi se negociatorët kanë përfunduar kryesisht dy komponentë kyç të një marrëveshjeje më të gjerë: një protokoll sigurie dhe një kuadër për prosperitet, i cili synon të mbështesë stabilitetin dhe rindërtimin pasluftës të Ukrainës.
“Kemi një marrëveshje për protokollin e sigurisë që kryesisht është përfunduar, një marrëveshje për prosperitet që kryesisht është përfunduar. Dhe mendoj se populli i Ukrainës tani ka shpresa dhe pret që së shpejti të kemi një marrëveshje paqeje”, shtoi ai.
“Bojkoti, strategjia e Berishës”, Minxhozi: Reforma territoriale ka rëndësi për standardin e jetesës së shqiptarëve
TIRANË- Pas kërcënimit të socialistëve për ndryshimin e formulës konsensuale të Komisionit të Reformës Territoriale dhe heqjen eventuale të vetos për demokratët, Gazmend Bardhi thotë se janë keqkuptuar dhe se PD nuk ka bojkotuar komisionin.
Kreu i Grupit Parlamentar socialist i jep sërish afat deri të hënën. Fjala e fundit tani i mbetet Berishës, të cilit i duhet të zgjedhë mes tërheqjes pas kërcënimit të Ballës ose vazhdimit të bojkotit.
Analisti Skënder Minxhozi, u shpreh në “Tirana Live” se reformat e rëndësishme, Shqipëria gjithmonë i kemi kaluar në minutat e fundit dhe me praninë e ambasadorëve të huaj në tryezën e diskutimeve.
Veprimet e opozitës tha Minxhozi nuk janë serioze.
“Në këto reforma i kemi bërë me dy ambasadorët të huaj në të ulur, natën e fundit dhe orën e fundit. Veprimet e opozitës tregojnë mungesë serioziteti, dhe tregon që ndryshe flet Bardhi dhe ndryshe flet Berisha, dhe pastaj detyron palën tjetër të vazhdojë e vetme”, tha ai.
Ai theksoi se Sali Berisha është politikani, i cili përfaqëson më së miri “markën e konfliktit” në skenën politike të vendit. Sipas Minxhozit, Berisha i ka urryer gjithmonë këto tryeza, të cilat në thelb kanë rëndësi kryesore për vetë standardin e jetës së qytetarëve.
“Është një nga etapat e asaj platforme thellësisht të gabuar dhe që ka vulën e vetme të Sali Berishës, sepse ai vetëm kështu di të sillet. Ai ka që në 1991, që imponon një strategji tensioni.
Ai ka qenë arkitekt i konfliktit politik. Ai ka dashur t’i bëjë gjërat sipas formës së tij. I ka urryer këto tryeza dhe është marka e tij dalluese.
Është një politikan ndarës. Pjesëmarrja e PD do ishte shenjë konstruktivitetit. Po kërkohet një reformë e re, që kërkon për të plotësuar të metat që kanë dale me kalimin e viteve. Reforma ka rëndësi për standardin e jetesës së shqiptarëve”, tha ai/abcnews.al
Rasmussen: Bisedimet me SHBA për Groenlandën i janë rikthyer normalitetit
Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen ka përshëndetur sot bisedimet shumë konstruktive të nivelit të lartë me Shtetet e Bashkuara lidhur me të ardhmen e Groenlandës, duke theksuar se procesi diplomatik është rikthyer në binarë.
Deklaratat u bënë në Bruksel, përpara një takimi të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, në një moment kur tensionet për ishullin arktik kanë qenë në rritje javët e fundit.
Bisedimet në Uashington, ku morën pjesë përfaqësues të SHBA-së, Danimarkës dhe Groenldës,an synuan të zbusnin krizën diplomatike të shkaktuar nga deklaratat e përsëritura të presidentit amerikan Donald Trump mbi marrjen e kontrollit të Groenlandës.
Rasmussen tha se takimi u zhvillua në një atmosferë pozitive dhe se janë planifikuar takime të tjera për të vazhduar dialogun.
“Gjërat kishin filluar të përshkallëzoheshin, por tani jemi sërish në rrugën e dakordësuar dy javë më parë në Uashington”, u shpreh ministri danez, duke shtuar se megjithëse ende nuk ka një zgjidhje përfundimtare, ai është më optimist se një javë më parë.
Sipas tij, rikthimi te dialogu institucional është një hap i rëndësishëm për stabilitetin rajonal.
Qëndrimi më i moderuar vjen pasi Trump, javën e kaluar, u tërhoq nga kërcënimet për vendosjen e tarifave ndaj disa vendeve evropiane dhe për herë të parë përjashtoi përdorimin e forcës për të marrë Groenlandën/abcnews.al
Kancelari i Gjermanisë: Hyrja e Ukrainës në BE vitin e ardhshëm është e pamundur
Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Mertz tha se nuk e sheh mundësinë e një anëtarësimi të shpejtë të Ukrainës në Bashkimin Evropian.
“Anëtarësimi më 1 janar 2027 është jashtë diskutimit. Është e pamundur”, tha Mertz, i cili është gjithashtu kreu i Bashkimit Kristian Demokrat (CDU), pas konsultimit me zyrtarët e lartë të koalicionit Partia Social Demokratike (SPD) në Berlin, raporton Tag24.
Mertz tha se çdo vend që dëshiron të anëtarësohet në BE duhet së pari të përmbushë të ashtuquajturat kritere të Kopenhagenit, një proces që zakonisht zgjat disa vjet./abcnews.al
Popullsia e Gjermanisë vitin e kaluar shënoi rënie për herë të parë që nga viti 2020
Popullsia e Gjermanisë ka shënuar rënie vitin e kaluar për herë të parë që nga viti 2020, për shkak të një hendeku në zgjerim mes lindjeve dhe vdekjeve dhe rënies së imigracionit, sipas të dhënave paraprake zyrtare të publikuara të enjten.
Sipas të dhënave zytare nga Destatis, popullsia e vendit u ul me 100 mijë persona vitin e kaluar, duke arritur në 83.5 milionë Në vitet 2023 dhe 2024, popullsia u rrit përkatësisht me 340 mijë dhe 100 mijë persona, falë një rritjeje të ndjeshme të migrimit neto.
Si në të gjitha vitet që nga ribashkimi i Gjermanisë, numri i vdekjeve tejkaloi numrin e lindjeve në vitin 2025. Megjithatë, ndryshe nga vitet e mëparshme, diferenca mes lindjeve dhe vdekjeve u zgjerua vitin e kaluar.
“Rëniet e fundit të popullsisë ndodhën midis viteve 2003 dhe 2010, si dhe në vitin 2020, viti i parë i pandemisë COVID-19. Midis viteve 2011 dhe 2024, popullsia u rrit çdo vit, me përjashtim të vitit 2020”, tha Destatis.
Për herë të parë që nga viti 2020, migrimi neto nuk arriti ta mbyllë hendekun mes lindjeve dhe vdekjeve, duke rezultuar në rënie të popullsisë.
Në Gjermani vlerësohet se vitin e kaluar ndodhën mes 640 mijë dhe 670 mijë lindje dhe pak më shumë se 1 milion vdekje. Kështu, parashikohet një hendek mes lindjeve dhe vdekjeve prej 340 mijë deri në 360 mijë për vitin 2025.
Migrimi neto vitin e kaluar parashikohet se ishte mes 220 mijë dhe 260 mijë persona. Migrimi neto drejt vendit në vitin 2024 u regjistrua në 430.183 persona. Theksohet se migrimi neto pritet të shënojë rënie me të paktën 40 për qind krahasuar me vitin 2024.
Migrimi neto mbeti në një nivel të ngjashëm të ulët (220.251) edhe në vitin 2020, viti i parë i pandemisë COVID-19. Mesatarja vjetore e migrimit neto nga viti 1990 deri në vitin 2024 ishte 356 mijë persona.
UPS do të pushojë nga puna 30 mijë punonjës të tjerë këtë vit për shkak të rënies së Amazon
United Parcel Service (UPS) njoftoi të martën se do të eliminojë 30.000 pozicione shtesë këtë vit, në një përpjekje për të shkurtuar bashkëpunimin e saj me Amazon dhe për të zbatuar një plan shumëvjeçar rimëkëmbjeje
Pas raportit tremujor të fitimeve të kompanisë, drejtori financiar Brian Dykes u tha investitorëve se UPS synon të shkurtojë orët e përgjithshme të punës me rreth 25 milionë për shkak të reduktimit në Amazon.
“Sa i përket kostove të ndryshueshme, ne presim të shkurtojmë pozicionet operative deri në 30.000,” tha Dykes i cili shtoi se “Kjo do të arrihet përmes largimit nga puna dhe ne presim të ofrojmë një program të dytë vullnetar për shoferët me kohë të plotë”.
Për më tepër, sipas UPS, 24 objekte do të mbyllen në gjysmën e parë të vitit 2026 dhe më shumë mbyllje mund të ndodhin më vonë gjatë vitit. UPS riafirmoi të martën se ka mbyllur 93 ndërtesa vitin e kaluar.
Sipas Dykes, firma gjithashtu synon të “vendosë më tej automatizimin” në të gjithë rrjetin e saj.
Shkurtimet e propozuara vijnë pas eliminimit të 48.000 pozicioneve nga UPS vitin e kaluar, nga të cilat 14.000 ishin në menaxhim dhe 34.000 ishin në operacione. Biznesi kishte parashikuar më parë se shkurtimet e kombinuara do të arrinin në rreth 20.000.
Furgoni del nga rruga në Tepelenë, dyshohet për një viktimë
TEPELENË- Një mjet tip furgon ka dalë nga rruga në aksin rural malor Salari-Lopës, në territorin e njësisë administrative Kurvelesh.
Paraprakisht dyshohet se drejtuesi i mjetit ka humbur jetën, por kjo ende nuk është konfirmuar nga autoritetet.
Sipas informacioneve paraprake, patrullat e policisë janë nisur drejt vendngjarjes për të bërë verifikimet e nevojshme dhe për të sqaruar rrethanat e aksidentit./abcnews.al
Burg kush prek gazetarët/ Gjyli: Legjislacioni po përfarohet me atë të BE, profesioni i gazetarit duhet institucionalizuar
TIRANË- Dhuna ndaj gazetarëve do të dënohet me burg. Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ndryshime në Kodin Penal, të cilat parashikojnë dënime për cilindo person, i cili ushtron dhunë ndaj gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës.
Analistja Arsejda Gjyli, e ftuar në emisionin “Real Story” theksoi se ky ligj po “standardizon” mbrojtjen e gazetarëve.
“Kjo po përpiqet të standardizojë një formë të re të mbrojtjes së gazetarëve, pretendohet se kanë qenë një “grup i margjinalizuar” sa i takon shpeshherë janë atakuar nga politikanët”, tha ajo.
Ajo theksoi se kjo masë vjen si një direktivë e Bashkimit Evropian, e cila i kategorizon gazetarët dhe i mbron sipas normave të unionit.
Kjo vjen edhe si direktivë e BE për përafrimin e legjislacionin e plotë. Nuk ka më marzh gabimi. Nga BE të imponohet që duhesh të bëhesh mbrojtës i kategorisë së gazetarëve. Ligji mbron gazetarët me kontratë”, u shpreh Gjyli.
Gjatë diskutimit në studio, Gjyli theksoi se profesioni i gazetarit duhet institucionalizuar.
“Ky ligj, jo vetëm që i kategorizon gazetarët, por profesioni i gazetarit duhet institucionalizuar”, tha ajo./abcnews.al
Aksioni i madh me EUROPOL-in, ky është kosovari i dyshuar për krim financiar!
Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion policor më 22 janar të këtij viti në kuadër të një hetimi të përbashkët dhe të koordinuar nga EUROPOL-i dhe Prokuroria Distriktuale e Republikës së Katanias. Aksioni, i zhvilluar nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka të bëjë me piratërinë televizive.
Klan Kosova ka mësuar se i dyshuari që është objekt hetimi është Petrit Bahtijari.
Sipas njoftimit të PSRK-së, aksioni ka pasur të bëjë me verifikimin, identifikimin dhe sekuestrimin e provave relevante.
“Urdhër kontrolli në Kosovë është realizuar si një hap i rëndësishëm procedural, në kuadër të një operacioni të gjerë ndërkombëtar kundër krimit financiar dhe piraterisë audiovizive, që ka çuar në shpëlarjen e parave dhe përfitimeve financiare të kundërligjshme, në disa shtete të ndryshme të botës, përfshirë edhe në Kosovë”.
“Gjatë hetimeve të zhvilluara ka rezultuar se në mesin e të dyshuarve të këtij grupi kriminal është edhe një shtetas i Kosovës, me inicalet P.B”, tha PSRK-ja në njoftim.
Tutje u tha se me urdhër të PSRK-së, hetuesit policorë nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike kanë kryer bastisje në dy lokacione në Prishtinë dhe në fshatin Zaplluxhë të Komunës së Dragashit, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Cenim i të drejtave të autorit” dhe “Shpëlarja e parave”.
“Operacioni, i zhvilluar njëkohësisht edhe në Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë, Itali, dhe Rumani, ka mundësuar eliminimin e një infrastrukture informatike, e cila shërbente në mënyrë të paligjshme për miliona përdorues, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, përmes një sistemi të sofistikuar informatik – IPTV. Ndërsa, në hetim kanë bashkëpunuar edhe Kanadaja, India, Koreja e Jugut dhe Emiratet e Bashkuara. Gjatë bastisjes është gjetur dhe sekuestruar një kompjuter dhe katër hard disqe”, tha PSRK-ja në njoftim. /Klankosova.tv
Burg kush prek gazetarët/ Avokati Hoxha: Mbrojtja ligjore e gazetarëve forcon pushtetin e medias
TIRANË- Dhuna ndaj gazetarëve do të dënohet deri në 5 vite burg. Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ndryshime në Kodin Penal, të cilat parashikojnë dënime të ashpra për këdo që ushtron dhunë ndaj gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës.
Sipas ndryshimeve të reja, edhe kërcënimi ndaj gazetarëve do të dënohet deri në 3 vite burg. Ndryshimet u miratuan me 85 vota të mazhorancës, ndërsa opozita votoi kundër. Po ashtu, shpifja ndaj gazetarëve është dekriminalizuar.
I ftuar në emisionin “Tirana Live”, avokati Arbër Hoxha u shpreh se përfshirja e gazetarëve si subjekt i posaçëm në Kodin Penal rrit dhe forcon pushtetin e medias, si dhe rolin e gazetarëve në shoqëri.
Sipas tij, në draftin e ri duhet të përcaktohet qartë se mbrojtja nuk duhet të përfshijë vetëm gazetarët, por edhe të gjithë punonjësit e medias. Avokati theksoi se duhet një rikonceptim i plotë ligjor, duke bërë subjekt të posaçëm në Kodin Penal edhe punonjësit e medias, jo vetëm gazetarët.
Ai shtoi se media nuk mund të etiketohet apo të konsiderohet pjesë e pushtetit, pasi ajo është një institucion i pavarur.
“Mbrojtja e gazetarëve si subjekt i posaçëm nëpërmjet Kodit Penal rrit dhe forcon pushtetin e medias, por edhe të gazetarëve. Në draftin e ri duhet të përcaktohet që duhet të mbrohen jo vetëm gazetarët, por edhe të gjithë punonjësit e medias.
Duhet të ishte kryer prej vitesh, por më mirë vonë sesa kurrë. Kjo e fuqizon rolin e medias. Duhet të ketë një rikonceptim, edhe punonjësit e medias duhet të jenë subjekt i posaçëm në Kodin Penal. Media nuk duhet të cilësohet pjesë e pushtetit, ajo është e pavarur”, tha ai./abcnews.al
Rikthehen reshjet/ Ministria e Mbrojtjes: Të rritet vëmendja dhe gatishmëria nga strukturat e Mbrojtjes Civile
Bazuar në informacionet e IGJEO dhe SHMU, gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme priten reshje në disa qarqe të vendit, lokalisht intensive dhe të shoqëruara me shtrëngata.
Kërkohet rritje e vëmendjes dhe gatishmërisë nga strukturat e Mbrojtjes Civile dhe institucionet përgjegjëse në nivel vendor dhe qendror, për marrjen e masave parandaluese.
Ministria e Mbrojtjes thotë se bashkitë në zonat me risk më të lartë të forcojnë gatishmërinë operacionale dhe të ndjekin në mënyrë të vazhdueshme situatën në terren.
Prefekturat të përcjellin informacionin pranë bashkive dhe të raportojnë në kohë çdo situatë pranë Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile.
Përplasjet në Minneapolis/ Gjermania paralajmëron qytetarët e saj që udhëtojnë në SHBA
GJERMANI- Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka lëshuar një paralajmërim udhëtimi për qytetarët e saj që vizitojnë Shtetet e Bashkuara, duke përmendur mundësinë e “përplasjeve të dhunshme” me autoritetet.
Paralajmërimi përmend konkretisht Minneapolis dhe “qytete të tjera”, raporton CNN.
“Në Minneapolis dhe qytete të tjera, demonstratat ndonjëherë mund të shndërrohen në përleshje të dhunshme me autoritetet e imigracionit dhe të sigurisë. Kini kujdes dhe qëndroni larg turmave ku mund të ndodhë dhunë”, thuhet në paralajmërim./abcnews.al
Trump kërkon marrëveshje nga Teherani: Një “armatë masive” është nisur për në Iran
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka deklaruar se një “armatë masive” është nisur drejt Iranit si dhe ka shprehur shpresë se Teherani do të “ulet në tavolinë” dhe do të negociojë me Washingtonin.
“Një armatë masive është nisur drejt Iranit. Ajo po lëviz shumë shpejtë, me fuqi të madhe, entuziazëm dhe qëllim”, shkroi Trump në platformën e tij sociale “Truth Social”.
Ai theksoi se flota është më e madhe se ajo që ishte dërguar në Venezuelë dhe është e gatshme “të përmbushë misionin e saj me shpejtësi dhe dhunë nëse është e nevojshme”.
“Shpresojmë që Irani shpejt të ulet në tavolinë dhe të negociojë një marrëveshje të drejtë dhe të barabartë, pa armë bërthamore, një (marrëveshje) që është e mirë për të gjitha palët. Koha po mbaron, kjo me të vërtetë është thelbësore”, tha ai.
“Siç i thashë Iranit edhe një herë më parë, bëni një marrëveshje. Ata nuk e bënë dhe ishte ‘Operacioni Çekani i Mesnatës’, një shkatërrim i madh i Iranit. Sulmi i radhës do të jetë shumë më i keq. Mos e bëni të ndodhë përsëri”, shtoi Trump.
Dhjetëra mijëra persona u mblodhën në qytetet iraniane për shkak të pakënaqësive ekonomike, gjë që e nxiti Trumpin të paralajmërojë për ndërhyrje të SHBA-së nëse qeveria iraniane do të vazhdon të përdorë forcë vdekjeprurëse kundër protestuesve “paqësorë”, megjithëse më vonë ai e zbuti retorikën pasi pretendoi se vrasjet e protestuesve kishin ndaluar dhe Teherani kishte anuluar planet për ekzekutime masive.
Zyrtarët iranianë kanë paralajmëruar se një sulm amerikan do të provokonte përgjigje “të shpejtë dhe gjithëpërfshirëse”. Më vonë, Trump duke folur në shtetin amerikan Iowa tha se një “armatë tjetër e bukur” po niset drejt Iranit tani.
“Pra, do të shohim. Shpresoj që ata të bëjnë një marrëveshje. Duhej ta kishin bërë marrëveshjen herën e parë. Do të kishin një vend”, u tha ai mbështetësve.
Irani vazhdimisht ka deklaruar se nuk do të angazhohet në bisedime nën presion, ndërkohë zyrtarët amerikanë kanë sinjalizuar hapje të kushtëzuar ndaj diplomacisë, duke e lënë të pasigurt perspektivën e negociatave në afat të afërt.
Sfidat e bizneseve eksportuese/Rama: Synojmë të ulim kostot e transportit, bizneset të investojnë në burime njerëzore
TIRANË- Kryeministri i vendit Edi Rama, i pranishëm në tryezën e zhvilluar mes qeverisë dhe bizneseve eksportuese u shpreh se bizneset duhet të përthithin instrumentet instrumentet financiare.
Ai u shpreh se bizneset duhet të investojnë në burimet njerëzore, sepse vetë kështu i përgjigjen sfidave që ka sektori.
“Duhet të kemi një rrjet të konsoliduar të agro-përpunimit. Synojmë të ulim kostot e transportit. Duhet të kuptojmë se ku është pika e dobët pasi kemi vendosur instrumente të reja financiare posaçërisht për ndërmarrjet eksportuese duke ulur riskun e tyre përballë bankave tregtare, gjithsesi thithja e këtyre fondeve është shumë e ulët krahasimisht me atë që do donim të ishte. BE është hapësirë mundësish, por dhe sfidash. Duhet investim në burimet njerëzore”, tha ai.
Gjatë fjalës, Rama foli dhe për platformën “ExportOn”, ndërsa shpalosi objektin e punës ë saj.
“ExportOn” është një platformë, e cila prezantohet para jush sot, por që njëkohësisht do të merret me matjen e indikatorëve që do vijnë nga realiteti i punës suaj të përditshme dhe që çdo vit do të nxjerrë edhe raportin e vet, për se si kanë lëvizur volumet eksportuese. Një raport që do t’i vlejë qeverisë, por edhe ju, për të kuptuar se si lëviz eksporti.”, tha ai.
Trump-Erdogan bisedë telefonike, ja çfarë diskutuan dy liderët
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump.
Sipas një njoftimi të Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës Turke, gjatë bisedës telefonike midis Presidentit Erdogan dhe Presidentit Trump u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe Turqi-SHBA, situata e fundit në Siri, punimet e Bordit të Paqes për Gazën, marrëdhëniet tregtare, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes, si dhe zhvillimet rajonale dhe globale.
Presidenti Erdogan gjatë bisedës theksoi se do të vazhdojnë të ndërmarrin hapa për të zhvilluar bashkëpunimin mes Turqisë dhe SHBA-së, duke nënvizuar se avancimi i marrëdhënieve në çdo fushë është në interesin e përbashkët të të dy vendeve.
Gjatë bisedës, Erdogan theksoi se Turqia i kushton rëndësi të madhe armëpushimit dhe zbatimit të plotë të marrëveshjes së integrimit në Sirinë fqinje, duke shtuar se procesi po ndiqet nga afër në koordinim me autoritetet e SHBA-së dhe të Sirisë.
Presidenti Erdogan gjithashtu shprehu dëshirën që Bordi i Paqes për Gazën të realizojë punë të dobishme, duke theksuar besimin se me përfundimin e katastrofës humanitare në Gaza dhe rindërtimin e Gazës do të hapet rruga për paqe të qëndrueshme në rajon.
Frederiksen: Danimarka gati të bëjë gjithçka për marrëveshje me SHBA, por pa dorëzuar Groenlandën
Danimarka synon të bëjë gjithçka që mundet për të arritur një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me Groenlandën, por pa dorëzuar territor, deklaroi sot kryeministrja Mette Frederiksen.
E pyetur nëse territori i Groenlandës mund t’i kalonte SHBA-së, Frederiksen tha se ”një veprim i tillë është i paimagjinueshëm”.
“Jo, nuk mund të imagjinohet një gjë e tillë”, u shpreh ajo në një intervistë për programin ”Maischberger” të transmetuesit publik gjerman ARD.
Pasi kishte këmbëngulur se SHBA-ja kishte nevojë të zotëronte ishullin kryesisht autonom danez, presidenti amerikan Donald Trump javën e kaluar përjashtoi përdorimin e forcës për ta marrë Groenlandën dhe tha se ekziston një ”kornizë për një marrëveshje të ardhshme lidhur me Groenlandën”.
Deklaratat e tij erdhën pas bisedimeve me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.
”Tani kemi një kanal diplomatik me amerikanët dhe duhet të shohim nëse mund të arrijmë një marrëveshje”, shtoi kryeministrja daneze.
Frederiksen nuk pranoi të japë detaje mbi përmbajtjen e bisedimeve me SHBA-në dhe tha se nuk është e qartë se sa do të zgjasin negociatat.
”Paralelisht me bisedimet që po zhvillojmë tani me amerikanët, ne evropianët duhet të jemi të qartë me veten se bota e vjetër ka marrë fund”, tha ajo.
”Nuk besoj se ajo do të kthehet. Për ne evropianët, për këtë arsye, është tejet e rëndësishme që të mbështetemi te riarmatimi”, përfundoi Frederiksen.
“Të jemi të matur në arenën ndërkombëtare”, Muçi: Kemi disa rezerva ndaj lëvizjeve të shpejta të kryeministrit Rama
TIRANË- Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, i ftuar në emisionin “Real Story”, u shpreh se shpreson që aleanca euroatlantike dhe partneriteti midis SHBA dhe BE të jenë jetëgjatë, ndërsa Shqipëria të përfitojë nga këto marrëdhënie dhe të avancojë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Muçi shtoi se si subjekt politik kanë rezervat e tyre ndaj disa veprimeve të kryeministrit Edi Rama, përfshirë përpjekjet për përfshirjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes dhe vizita në Izrael.
Ai theksoi se Shqipëria duhet të ruajë maturinë dhe kujdesin në arenën ndërkombëtare.
“Shpresoj shumë që aleanca euroatlantike dhe partneriteti midis SHBA-së dhe BE-së të jenë shumë jetëgjatë, dhe që Shqipëria të përfitojë nga këto marrëdhënie dhe të integrohet në BE me radhë.
Të gjitha rezervat që kemi si subjekt politik janë ndaj disa veprimeve të kryeministrit, si nxitimi i tij për aderimin në Bordin e Paqes apo vizita në Izrael, të cilat mund t’i shkojnë për shtat momentalisht propozimeve të presidentit të Turqisë.
Por, për shkak të rezervave që kanë disa vende kryesore të BE-së, madje edhe vota ime e abstenimit, kjo supozon që ne të kuptojmë pozicionin e vendit tonë dhe vendin ku duam të integrohemi. Duhet të jemi të matur në arenën ndërkombëtare.”, tha ai./abcnews.al
Minxhozi në “Real Story”: SHBA, ombrellë e pazëvendësueshme e sigurisë për Evropën dhe Shqipërinë
TIRANË- Analisti Skënder Minxhozi, i ftuar në “Real Story”, tha se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për garantimin e paqes në botë është kyç dhe i padiskutueshëm.
Sipas tij, SHBA në planin e sigurisë dhe atë ushtarak është një partner i pazëvendësueshëm si për Evropën ashtu dhe Shqipërinë.
“Ka një shprehej te vjetër: amerikanët bëjnë luftërat, evropianët financojnë paqen. Dhe me thënë të drejtën nuk është se nuk përkon me ngjarjet e fundit. Amerikan në planin ushtarak dhe të sigurisë, ka qenë dhe mbetet një ombrellë e pazëvendësueshme, sepse e tillë është për të gjithë Evropën, pa lërë pastaj për Shqipërinë dhe evropianët”, tha ai.
Gjatë diskutimit në studio, Minxhozi u shpreh se e ardhmja e Shqipërisë si model ekonomik dhe si model shoqëror është vetë Europa.
“Projektin ne si shoqëri, si model, projektin afatgjatë nuk kemi me Amerikën, por e kemi me Evropën”, tha ai./abcnews.al