Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Universiteti “Haxhi Zeka” dhe ASHAK nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi strategjik



Universiteti “Haxhi Zeka” dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi strategjik, e cila shënon një nga hapat më të rëndësishëm institucionalë në historinë e zhvillimit akademik dhe shkencor të Universitetit “Haxhi Zeka”.

Kryetarja e ASHAK-ut, Justina Pula bashkë me akademik Fejzullah Krasniqi, nënkryetar i ASHAK, akademik Bardh Rugova, sekretar shkencor dhe akademik Frashër Demaj, sekretar i seksionit të shkencave shoqërore, pritën në takim zyrtar delegacionin e Universitetit “Haxhi Zeka”, në përbërje: Prof. Dr. Armand Krasniqi, Rektor; Dr. Sc. Prof. asoc. Emine Pozhari, Kryesuese e Këshillit Drejtues; Dr. Sc. Prof. asoc. Alma Shehu-Lokaj, Prorektore për Mësim dhe Shkencë si dhe Adnan Lataj, Drejtor i IT-së në Universitetin “Haxhi Zeka”.

Në njoftim thuhet se kjo marrëveshje hap një kapitull të ri bashkëpunimi institucional, përmes të cilit Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës krijon hapësirë dhe mundësi konkrete që Universiteti “Haxhi Zeka” të jetë bashkëpunëtor aktiv dhe kontribuues i drejtpërdrejtë në aktivitetet shkencore, kërkimore dhe akademike që ASHAK zhvillon në kuadër të programeve të saj.

“Ky bashkëpunim u mundëson studiuesve dhe stafit akademik të UHZ-së përfshirje në projekte të përbashkëta kërkimore, botime shkencore, konferenca, tryeza akademike dhe iniciativa të tjera me rëndësi kombëtare.

Për Universitetin ‘Haxhi Zeka’, kjo marrëveshje përfaqëson një moment kyç në realizimin e misionit të tij shkencor dhe akademik. Ajo konfirmon orientimin strategjik të universitetit drejt ndërtimit të një profili të konsoliduar kërkimor dhe krijon, për herë të parë në vend, një mundësi reale për diversitet shkencor të nivelit të lartë akademik edhe në universitetet publike jashtë qendrave tradicionale akademike”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se bashkëpunimet e këtij lloji, të ndërtuara në planin akademik dhe shkencor në dimensionin vertikal, përbëjnë rrugën e së ardhmes për homogjenizimin, forcimin dhe unifikimin e shkencës kosovare, duke reflektuar karakterin e saj shumëdisiplinar dhe duke rritur ndikimin e dijes në zhvillimin shoqëror, ekonomik dhe kulturor të Republikës së Kosovës.

“Kjo marrëveshje dëshmon angazhimin e përbashkët të të dy institucioneve për avancimin e dijes, rritjen e cilësisë shkencore dhe ndërtimin e një ekosistemi akademik bashkëkohor, të hapur dhe gjithëpërfshirës në nivel kombëtar”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Apeli i GJKKO e la në burg, reagon Ilir Meta: Asnjë çudi nga drejtësia me regji



Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar nga qelia pas vendimit të Apelit të GJKKO për të lënë në fuqi masën e arrestit me burg ndaj tij.

Përmes një postimi në faqen e vet në Facebook, Meta shprehet se nuk është më i surprizuar nga ajo që e cilëson “drejtësi me regji”.

Lexoni të plotë postimin e Metës:

Asnjë çudi nga drejtësia me regji. Sot gjykata ju shmang gjykimit të ankesës të avokatëve të mi kundër vendimit për vazhdimin e paraburgimit për të mos marrë përgjegjësi.

U provuan qartë dhe me fakte gënjeshtrat e prokurorëve për të manipuluar gjykatën për të zgjatur në mënyrë tërësisht të paligjshme paraburgimin tim.

Për më shumë komunikojmë nesër. /Telegrafi/

Theri me thikë djalin e tij, policia arreston të dyshuarin në Bulqizë



Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka arrestuar një person, pasi i njëjti dyshohet se e ka ther me thikë djalin e saj.

Rasti ka ndodhur në Bulqizë, të enjten në orët e vona të mbrëmjes.

“Rreth orës 23:00, të datës 29 janar 2026, në fshatin Ostren, dyshohet se pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, shtetasi B.N., 58 vjeç, brenda banesës, ka plagosur me mjet prerës (thikë) djalin e tij, shtetasin K.N., 29 vjeç.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë kanë shkuar në vendngjarje, ku falë reagimit dhe ndërhyrjes së menjëhershme kanë parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit, si dhe kanë kapur dhe arrestuar autorin e dyshuar të ngjarjes, shtetasin B.N., 58 vjeç. Gjithashtu, është sekuestruar mjeti prerës (thikë) i përdorur nga autori”, thuhet në njoftim.

Sipas Policisë, 29-vjeçari i lënduar ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve dhe është jashtë rrezikut për jetën. /Telegrafi/


Në gjashtë muajt e fundit 50 mjekë nga komuniteti serb janë licencuar nga Oda e Mjekëve të Kosovës



Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia kanë vizituar sot Odën e Mjekëve të Kosovës.

Pas takimit aty, Kurti në një deklaratë për media tha se Oda e Mjekëve i ka 5500 mjekë të licencuar dhe prej tyre rreth 150 janë të komunitetit jo shumicë.

“Lajm fort interesant është që në gjashtë muajt e fundit janë rreth 50 mjekë të komunitetit serb që janë licencuar nga Oda e Mjekëve, pra që po inkorporohen në sistemin tonë të shëndetësisë...”, tha Kurti, raporton Telegrafi.

Kryeministri në detyrë tutje tha se ka rënie të theksuar të largimit të mjekëve dhe kërkesave për shërim jashtë vendit.

Ai njoftoi se me përfaqësuesit e Odës së Mjekëve kanë biseduar edhe për sfidat.

Sipas tij, një ndër sfidat është se nga 5500 mjekë të licencuar rreth 1600 mjekë do të dalin në pension në 10 vitet në vijim dhe duhet të zëvendësohen. /Telegrafi/

Një ditë para Kuvendit të LDK-së, Murtezaj: Do të përkushtohem që demokracia dhe normat e LDK-së së Rugovës të respektohen me integritet



Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valon Murtezaj një ditë para mbajtjes së Kuvendit të kësaj partie theksoi se do të përkushtohet që liria, demokracia dhe normat e statutit të LDK-së së Ibrahim Rugovës të respektohen dhe zbatohen me vërtetësi dhe integritet.

Murtezaj tha se ky takim i Kuvendit të LDK-së, që do të mbahet të shtunën më 31 janar vjen pas 20 muajve të mungesës së plotë të vendim-marrjes në dy organet kryesore dhe të vetme ku merren vendimet kryesore në LDK (Këshilli i Përgjithshëm dhe Kuvendi).

Lexoni të plotë postimin:

Të nderuara Anëtare dhe Anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës,

Të nderuar bashkëqytetarë të Republikës së Kosovës,

Në vigjilje të Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës,

duke kujtuar dhe respektuar historinë tonë të lavdishme të atdheut tonë Kosovës,

me nderimin më të thellë për kontributin e brezave, për liri, pavarësi e demokraci në Kosovë, dhe vetëmohimin deri në flijim,

do të përkushtohem që liria dhe demokracia, dhe normat e statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës të Ibrahim Rugovës të respektohen dhe zbatohen me vërtetësi dhe integritet.

Ky takim vjen pas 20 muajve të mungesës së plotë të vendim-marrjes në dy organet kryesore dhe të vetme ku merren vendimet kryesore në Lidhjen Demokratike të Kosoves (Këshilli i Përgjithshëm dhe Kuvendi).

Gjatë kësaj periudhe në Kosovë ka pasur 4 palë zgjedhje (dy nacionale, dhe ato lokale me dy raunde), dhe mbi një vit pa institucione me kompetencë të plotë të Republikës së Kosovës.

Dua të ju sigurojë që ndërgjegjja ime, përvoja jetësore dhe integriteti, nuk do të pushtohen kurrë nga prirja autokratike, mentaliteti korruptiv apo profiterizmi egoist, apo nga pasionet destruktive për pushtet.

Angazhohem që koha që vjen të ketë norma demokratike.

Demokracia marshon dhe atë nuk mund ta ndalë askush.

Për liri dhe demokraci, gjithmonë. /Telegrafi/


Gruda: Tendenca për rishkrimin e historisë në shkollat tona e papranueshme, Gjykata Speciale ka devijuar nga misioni i saj



Përparim Gruda nga Partia Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda sot në një konferencë për media ka shprehur shqetësimin e thellë të PDK-së lidhur me ligjëratat e mbajtura në shkollat e Kosovës nga përfaqësues të Gjykatës Speciale dhe bashkëpunëtorët e saj.

Gruda theksoi se incizimet e publikuara në media dëshmojnë se gjatë këtyre prezantimeve para nxënësve të mitur është përdorur një gjuhë e papranueshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të arsimit dhe të një shoqërie demokratike.

“Nxënësve, shumica nën moshën 18-vjeçare, u janë paraqitur pretendime të njëanshme, duke u etiketuar ish-krerët e UÇK-së si kryerës të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit. Kjo është skandaloze dhe e papranueshme”, theksoi Gruda.

Ai paralajmëroi se lufta çlirimtare e Kosovës nuk po sulmohet më vetëm në sallat e Gjykatës Speciale në Hagë, por se e njëjta narrativë po tentohet të futet edhe në bankat shkollore.

“Lufta jonë po sulmohet edhe nga bankat dhe klasat e shkollave tona. Por e vërteta jonë nuk mund të tjetërsohet në emër të ‘drejtësisë’ selektive, as të deformohet kujtesa kolektive në emër të ‘edukimit’,” tha ai.

Deputeti i PDK-së theksoi se shqetësimi i partisë është shumëdimensional. Ai përmendi rrezikun e indoktrinimit të nxënësve, përpjekjet për rishkrimin e historisë së Kosovës, si dhe shkeljen e parimit të prezumimit të pafajësisë.

“Toni i përdorur në këto prezantime i trajton Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin si fajtorë, duke paragjykuar vendimin përfundimtar. Gjykatat e vërteta merren me drejtësi, jo me propagandë”, deklaroi Gruda.

Ai shtoi se kjo Gjykatë ka devijuar nga misioni i saj fillestar.

“Ajo është dashur të ndihmojë në zbardhjen e së vërtetës dhe në heqjen e njollave ndaj UÇK-së, por është shndërruar në një mekanizëm që tenton të rishkruajë historinë”, u shpreh ai.

PDK kërkoi sqarim urgjent se kush është përgjegjës për këto ligjërata dhe si ka ndodhur që prezantime të paraqitura si ligjërata për të drejtat e fëmijëve të shndërrohen në mesazhe politike.

“Kërkojmë llogari nga Ministria e Arsimit për mënyrën se si lejohet që kushdo t’u ligjërojë nxënësve në shkollat e Kosovës, pa mbikëqyrje institucionale dhe pa standard profesional”, theksoi Gruda.

Në këtë kontekst, ai tha se marshi i paralajmëruar për 17 shkurt, me moton “Drejtësi, jo politikë”, është një reagim i natyrshëm në momentin kur procesi në Hagë ka hyrë në fazën finale.

Në përmbyllje, Gruda theksoi qëndrimin e palëkundur të PDK-së.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë pjesë e historisë sonë të lavdishme çlirimtare. Ata nuk janë fajtorë për asnjë krim. PDK qëndron fuqishëm në mbrojtje të tyre, në mbrojtje të UÇK-së dhe në mbrojtje të së vërtetës për Kosovën”, përfundoi Gruda. /Telegrafi/

Fuqia ushtarake, Shqipëria zë vendin e 77-të në Indeksin ‘Global Firepower’



Platforma ndërkombëtare Global Firepower (GFP) ka publikuar renditjen vjetore të fuqisë ushtarake për vitin 2026, duke analizuar kapacitetet ushtarake të 145 shteteve nga e gjithë bota, ndërkaq në këtë renditje Shqipëria është e 77-ta.

Për dallim nga viti i kaluar, ku Shqipëria ishte në vendin e 78-të, këtë vit Shqipëria është me fuqi më të madhe ushtarake për një vend.

Në këtë indeks, Maqedonia e Veriut është e 114-ta, Serbia e 63-ta, Kroacia e 73-ta, Sllovenia e 91-ta.

Ndryshe, vendin e parë për fuqi ushtarake në vitin 2026 e mbajnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Telegrafi/

Renditja e Fuqisë Ushtarake 2026, Kosova shënon përparim për tre vende – renditet e 138-ta



Platforma ndërkombëtare Global Firepower (GFP) ka publikuar renditjen vjetore të fuqisë ushtarake për vitin 2026, duke analizuar kapacitetet ushtarake të 145 shteteve nga e gjithë bota.

Renditja bazohet në mbi 60 faktorë të ndryshëm, përfshirë numrin e forcave ushtarake, armatimin tokësor, ajror dhe detar, buxhetin e mbrojtjes, kapacitetet logjistike, gjendjen financiare si dhe pozicionin gjeografik të secilit shtet.

Të gjitha këto përllogariten në një indeks të quajtur PowerIndex, ku renditja më e ulët nënkupton fuqi ushtarake më të madhe.

Sipas GFP-së, formula e përdorur u mundëson edhe shteteve më të vogla, por teknologjikisht të avancuara, të konkurrojnë me fuqi më të mëdha, por më pak të zhvilluara.

Po, ku renditet Kosova?

Në renditjen vjetore 2026 Kosova renditet e 138-ta (indeksi i fuqisë ushtarake konsiderohet 3.8041).

Për dallim nga viti i kaluar, Kosova ka përparim për tri vende pasi në renditjen vjetore 2025 Kosova ishte e 141 (Indeksi i fuqisë ushtarake të FSK-së ishte 4,9141).

Sipas Global Firepower, në vendin e parë për fuqi ushtarake janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Telegrafi/

U sulmua nga dy persona, lëndohet rëndë një burrë në Arllat të Drenasit



Një person është sulmuar fizikisht në fshatin Arllat të Drenasit.

Rasti ka ndodhur të mërkurën, në ora 13:10, ndërsa Policia ka arrestuar dy të dyshuarit.

“Më 29.01.2026 janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje me datën e lartcekur dyshohet se e kanë sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar i cili ka pranuar tretman mjekësor”, thuhet në raport.

Nga njëri prej të dyshuarve është konfiskuar një mjet i mprehtë-thikë.

Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. /Telegrafi/

Përfshirja e Kosovës në Bordin e Paqes, takimi me Trump dhe fuqizimi i shtetit – pikat kryesore nga intervista me presidenten Osmani



Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë ekskluzive për “Përballje Podcast” në Telegrafi.com ka folur për përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes të themeluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, cilat janë obligimet, përgjegjësitë dhe përfitimet që mund t'i ketë.

E para e shtetit në këtë podcast ka folur po ashtu për takimin e saj me Presidentin Donald Trump, raportet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe mundësitë për një diplomaci të re, përfshirë edhe angazhimin me shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën.


Osmani ka vlerësuar përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes si një nga zhvillimet më të rëndësishme të politikës së jashtme të vendit në vitet e fundit, duke theksuar se ky hap e fuqizon drejtpërdrejt subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

Presidentja ka bërë të ditur se ka pasur disa diskutime me Trump që nga zgjedhja e tij, të fokusuara kryesisht në çështjet e sigurisë dhe stabilitetit rajonal, duke theksuar rëndësinë e rolit amerikan në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe sovranitetit të Kosovës.

Në një intervistë për “Përballje Podcast”, Osmani tha se ka pasur disa diskutime me Trump që nga zgjedhja e tij, të fokusuara kryesisht në çështjet e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

“Kam pasur disa diskutime me Presidentin Trump nga momenti i zgjedhjes së tij. Një nga takimet kryesore është zhvilluar në Paris, në Pallatin Elize. Diskutimet kanë qenë të fokusuara në situatën e sigurisë dhe në nevojën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të vazhdojnë të kenë rol lidershipi në mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në rajonin tonë si dhe biseda në kuadër të takimeve në Kombet e Bashkuara ku kemi pasur një diskutim përmbajtjesor rreth rolit të Presidentit Trump për paqen, në vendin tonë, por edhe më gjerë, sepse rajoni ynë është i rëndësishëm për administratën amerikane”, tha Presidentja.

Osmani theksoi se roli i Shteteve të Bashkuara në Kosovë mbetet thelbësor dhe i pazëvendësueshëm, si në aspektin e sigurisë, ashtu edhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.


“Roli i Amerikës në mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë, në mbrojtjen e kufijve tanë së bashku me institucionet tona të sigurisë dhe në shtyrjen përpara të Kosovës me sovranitet të plotë dhe integritet territorial të plotë, është rol i pazëvendësueshëm,” theksoi ajo.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se përzgjedhja e Kosovës si shtet bashkëthemelues në “Bordin e Paqes”, një organizatë kjo e rëndësishme ndërkombëtare e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është vlerësuar jashtëzakonisht pozitivisht nga liderë të shumtë botërorë dhe ka dhënë një mesazh të fuqishëm për shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës.



Osmani theksoi gjithashtu rëndësinë simbolike dhe politike të përzgjedhjes së Kosovës si një nga 20 shtetet themeluese, krahas vendeve me popullsi dhe ekonomi shumë të mëdha.

“Ju i keni parë shumë nga shtetet që ishin aty janë shtete jashtëzakonisht të mëdha, shtete me treqind milionë banorë, shtete me dyqind milionë banorë, shtete me ekonomi të jashtëzakonshme disa prej tyre dhe Kosova të përzgjedhjet ndër njëzet shtete themeluese, kjo tregon vlerësim të jashtëzakonshëm nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, deklaroi presidentja në “Përballje Podcast”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se marrëveshja e nënshkruar në Davos për anëtarësimin e Kosovës në “Bordin e Paqes” do të procedohet për ratifikim në Kuvendin e Kosovës, menjëherë pas konstituimit të tij, duke theksuar se asnjë obligim nuk do të merret pa miratimin e Kuvendit dhe se nuk është kërkuar asnjë kontribut financiar i detyrueshëm nga Kosova.


Osmani tha se rreshtimi i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i padiskutueshëm dhe se Kosova nuk ka asnjë hezitim politik ndaj kësaj nisme, duke kujtuar rolin vendimtar të SHBA-ve në lirinë dhe shtet-ndërtimin e Kosovës. /Telegrafi/

Shi dhe shtrëngata në Shqipëri



Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se Shqipëria të premten do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

SHMU njofton se moti parashikohet kryesisht me alternime vranësirash, megjithatë nuk do të mungojnë intervale me kthjellime.

Reshjet e shiut parashikohen në mënyrë të herëpashershme prezentë që prej orëve të para të 24-orëshit deri në orët e mesditës në pjesën më të madhe të vendit me intensitet të ulët, ndërsa lokalisht në qendër e perëndim reshje në formën e shtrëngatave afatshkurtra të herëpashershme.

Në Alpe dhe relievet e larta malore në verilindje-juglindje reshje bore me intensitet kryesisht të ulët.

Era do të fryjë me drejtim juglindja - veriperëndim me shpejtësi mesatare 6 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era me shpejtësi deri në 9 m/s.

Deti - Valëzimi forcës 1-2 ballë. /Telegrafi/



Vranët dhe me riga shiu



Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se të premten në Kosovë do të mbajë mot i vranët dhe vende-vende me riga shiu.

IHK njofton se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -1 deri në 1 gradë Celsius, ndërkaq ato maksimale nga 6 deri në 9 gradë Celsius.

Era do të fryjë nga veriperëndimi 1–3 m/s. /Telegrafi/

U gjet pa shenja jete në veturë, Policia gjen armën dhe një karikator



Policia e Kosovës të mërkurën njoftoi se ka gjetur një person pa shenja jete në një veturë.

Në raportin policor bëhet e ditur se rasti ndodhur në autostradën “Ibrahim Rugova”, në ora 15:00.

“Autostrada ‘Ibrahim Rugova’, Prishtinë. Është raportuar se në një pushimore është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Njësitë relevante policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes ku është konstatuar vdekja e viktimës”, thuhet në raport.

Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa arma me një karikator e cila dyshohet se është përdorur në rast është sekuestruar. /Telegrafi/

Me kallashnikov në dorë në qytet, Policia jep detaje të rastit në Podujevë



Të mërkurën në qendër të qytetit të Podujevës një person ka shtënë me kallashnikov dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes me armën në duar.

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur në ora 13:29, ndërkaq është cilësuar si ‘vrasje e mbetur në tentativë’.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të dy viktimave meshkuj kosovarë, por nuk janë goditur”, thuhet në raport.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur gjashtë gëzoja, ndërsa nga predhat janë dëmtuar dy vetura.

Nga i dyshuari është konfiskuar një AK-47 me një karikatorë me 15 copë fishekë.

Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/

Keqpërdorën kartela bankare, arrestohen dy të dyshuar në Fushë Kosovë



Policia e Kosovës ka arrestuar dy të dyshuar për keqpërdorim të kartelave bankare të personave të huaj për përfitime personale.

Në raportin policor bëhet e ditur se të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

“Fushë Kosovë, 28.01.2026, 18:20. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që të njëjtit dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme kanë keqpërdorur të dhënat e kartelave bankare të personave të huaj për përfitime personale”, thuhet në raport.

Në konsultim me prokurorin është kontrolluar prona e të dyshuarve ku gjatë kontrollit është sekuestruar një telefon, ndërsa të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje. /Telegrafi/

27 vjet nga masakra në Rogovë të Hasit



Janë bërë 27 vjet nga masakra që u bë në fshatin Rogovë të Hasit, aty ku ranë në pritë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por nuk u kursyen as shumë civilë të fshatit.

Në datat 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999 në këtë fshat ranë dëshmorë 21 persona.

Aty heroikisht dhanë jetën: Agim Zeneli, Luan Smajli, Agron e Sejdi Rama, Pren e Meme Lleshi, Agush Gjoci, Valon Gashi, Bahtjar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çeta, Kasim Shala, Hamdi Berisha, Gezim Ademi, Haxhi Lypjani, Gasper Karaçi, Ilir Merturi, Naim Gashi,Naim Dreshaj,Sahit Krasniqi dhe Vesel Avdyli.

Moti në Shqipëri



Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se Shqipëria të enjten do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

SHMU njofton se moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura.

Reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët do të ketë në pjesën më të madhe të territorit.

Në zonën e jugut reshjet në periudha afatshkurtra me intensitet deri mesatar në formën e shtrëngatave.

Në zonën e Alpeve, verilindje mbi 900-1000 metër dhe juglindje në lartësitë mbi1000-1100 metër reshje dëbore me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar kryesisht në juglindje.

Era do të fryjë me drejtim juglindja - jugperëndimi me shpejtësi mesatare 7 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era me shpejtësi deri në 15 m/s.

Deti - Valëzimi forcës 2-4 ballë. /Telegrafi/



Vranët dhe vende-vende riga shiu



Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot në Kosovës do të mbajë mot i vranët, vende-vende me riga shiu.

IHK njofton se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 1 dhe 4 gradë Celsius, ndërkaq ato maksimale nga 7–10 gradë.

Era do të fryjë nga verilindja, 1–5 m/s. /Telegrafi/

Përkeqësimi i motit në Gjirin e Vlorës, paralajmërim për mjetet lundruese



Të gjitha mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit që operojnë brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës janë ndaluar të dalin në det të hapur, duke filluar nga ora 06:00 datë 28.01.2026 deri në datë 29.01.2026 në orën 06:00.

Kapiteneria e Portit Vlorë bën me dije se vendimi merret për shkak të përkeqësimit të kushteve meteorologjike brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, gjatë këtyre datave.

“Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike detare të përkeqësuar brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, gjatë datave 28-29.01.2026 duke filluar nga ora 06:00 datë 28.01.2026 në drejtimin JUG-JUGLINDJE në forcën deri 6-7bft me shpejtësi ere deri në 15-25m/s dhe lartësi dallge nga 1.50 deri 2.50 metra, ju bëjmë me dije se:

Kapiteneria e portit Vlorë ka ndaluar pajisjen me leje-nisje të mjeteve të vogla lundruese dhe ato të peshkimit të cilat duan të operojnë brenda gjirit të Vlorës dhe në det të hapur, duke filluar nga ora 06:00 datë 28.01.2026 deri në datë 29.01.2026 në orën 06:00.

Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gatishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.

Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse”, thuhet në njoftimin e Kapitenerisë së Vlorës. /euronewsl.al/

Gent Gazheli jep dorëheqje nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave



Gent Gazheli ka dhënë dorëheqjen nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave.

Burime bëjnë me dije se largimi i tij nga detyra është formalizuar, ndërsa pritet që drejtimin e Doganave ta marrë Besmir Beja.

Ndërkohë, Gent Gazheli pritet të emërohet zv.ministër i Mjedisit, raporton euroenews.al.

Ende nuk ka një njoftim zyrtar nga institucionet përkatëse lidhur me ndryshimet, por burime konfirmojnë se vendimet pritet të bëhen publike në vijim.

❌