Në qarkun e Fierit situata paraqitet shqetësuese si pasojë e rritjes së vazhdueshme të niveleve të lumenjve, veçanërisht lumit Vjosë, i cili ka arritur në pikën kritike.
Sipas informacionit zyrtar, akset rrugore në të gjithë qarkun janë aktualisht të aksesueshme normalisht, ndërsa furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm vijon pa ndërprerje të plota.
Hidrovorët ndodhen në gatishmëri pune për të përballuar situatën.
Nivelet e lumenjve Seman dhe Shkumbin janë në tendencë rritjeje, ndërsa situata më problematike paraqitet në lumin Vjosë. Në Urën e Mifolit, prurjet kanë kaluar mbi pikat e matjes, duke arritur nivelin kritik buzë më buzë përgjatë argjinaturës.
Si pasojë e prurjeve të larta, në fshatrat Kashisht, Adë, Kafaraj, Cerven dhe Ferras janë përmbytur rreth 200 hektarë tokë bujqësore brenda argjinaturave. Gjithashtu, raportohet për prezencë të lartë uji në 27 banesa në zonën Ferras–Cerven, të cilat ndodhen brenda sistemit mbrojtës të argjinaturës.
Probleme janë konstatuar edhe në Stacionin e Pompimit të Kafarajt, Njësia Administrative Frakull, prej nga realizohet furnizimi me ujë i qytetit të Fierit. Si masë paraprake, Ujësjellësi i Fierit ka stakuar disa nga pompat në puset pranë lumit Vjosë dhe po operon me kapacitet të reduktuar nga puse më të largëta, çka ka sjellë furnizim me ujë të kufizuar dhe me grafik për qytetin.
Të dhënat e marra nga pika e matjes në Urën e Memaliajt tregojnë për përkeqësim të mëtejshëm të situatës në orët në vijim, duke rritur rrezikun për përmbytje të tjera.
Situata po monitorohet në terren nga Institucioni i Prefektit dhe strukturat e Bashkisë Fier, të cilat janë në gatishmëri për të ndërhyrë në rast të agravimit të mëtejshëm.
Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të zonave të rrezikuara të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve.