Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Deco konfirmon ardhjen e Joao Cancelos te Barcelona: Na rrit cilësinë e skuadrës



Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco ka konfirmuar se Joao Cancelo pritet të bashkohet shumë shpejt me klubin katalunas.

Pas raportimeve se mbrojtësi portugez kishte rënë dakord për një huazim nga Al-Hilal të hënën, trajneri Hansi Flick kishte theksuar se marrëveshja ende nuk ishte mbyllur plotësisht. Megjithatë, deklaratat e fundit të Decos dhe presidentit Joan Laporta tregojnë se transferimi tashmë është në rrugën e duhur për t’u finalizuar.

Duke folur për mediat, Deco shpjegoi arsyet pse klubi vendosi të veprojë për Cancelon.

“Ne e nënshkruam Cancelon sepse është një lojtar që e rrit cilësinë e skuadrës. Në fund të fundit, ajo që ka rëndësi në afatin kalimtar të dimrit është përmirësimi. Të mbetesh i njëjti ose të përkeqësohesh nuk ka kuptim. Nuk është çështje vetëm e qendërmbrojtësve, Ronald do të rikthehet dhe trajneri e ka thënë tashmë se me të kemi një tjetër qendërmbrojtës”.

“Cancelo gjithashtu i jep mundësi Ericut të mos luajë si mbrojtës krahu, një pozicion që e ka mbuluar shpesh. Po ashtu, ai i jep mundësi Kounde të luajë në qendër në raste emergjente, duke na ofruar më shumë opsione se më parë”.

Deco shtoi gjithashtu se marrëveshja u lehtësua ndjeshëm nga disa rrethana specifike që lidhen me vetë lojtarin.

“Ai është një lojtar cilësor, i nivelit të lartë, dhe normalisht do të ishte një transferim shumë i vështirë për t’u realizuar, por pati disa rastësi të favorshme: ai nuk ishte i regjistruar, kishte një marrëveshje për t’u larguar dhe gjithmonë ka qenë i dashuruar me Barcelonën”.

“Kur të vijë, ai pranon një ulje page për shkak të tërheqjes që ka ky klub dhe sepse përshtatet me atë që ne mund të bëjmë. Siç thashë, në janar donim të rrisnim cilësinë”.

Një natë më parë, edhe presidenti Joan Laporta kishte folur për këtë marrëveshje, duke ia atribuar suksesin Decos.

“Ky është një tjetër sukses i Decos. Nënshkrimet në afatin kalimtar të dimrit nuk janë të lehta. Si lojtari ashtu edhe agjenti i tij, Jorge Mendes, bënë pjesën e tyre duke pranuar një ulje të konsiderueshme page. Hansi e ka dhënë miratimin e tij për këtë marrëveshje”./Telegrafi

Historia në anën e Barcelonës: Rekordi perfekt i Hansi Flick para finales së Superkupës ndaj Real Madridit



Barcelona hyn në finalen e Superkupës së Spanjës ndaj Real Madridit me një avantazh të fortë psikologjik, falë rekordit mbresëlënës të trajnerit Hansi Flick në ndeshjet finale.

Tekniku gjerman mbetet i pathyeshëm në duelet vendimtare, me shtatë fitore në shtatë finale si trajner i Barcelonës.

Flick vjen në këtë përballje pas një fitoreje bindëse 5-0 ndaj Athletic Bilbaos në gjysmëfinale, duke konfirmuar formën e shkëlqyer të skuadrës së tij. Ajo që e bën edhe më të frikshëm këtë rekord është fakti se trajneri gjerman nuk ka humbur asnjë finale gjatë gjithë karrierës së tij, përfshirë edhe dy fitore të mëparshme pikërisht ndaj Real Madridit.

Seria e sukseseve të Flick në finale nisi në vitin 2020 me Bayern Munichun, ku ai fitoi Kupën e Gjermanisë (4-2 ndaj Bayer Leverkusenit), Ligën e Kampionëve (1-0 ndaj PSG-së), Superkupën e Evropës (ndaj Sevillës), Superkupën e Gjermanisë (ndaj Dortmundit) dhe Kupën e Botës për Klube (ndaj Tigres), në një periudhë historike për klubin bavarez.

Që nga marrja e drejtimit të Barcelonës, Flick e ka vazhduar këtë ecuri perfekte. Ai udhëhoqi katalanasit drejt një fitoreje spektakolare 5-2 ndaj Real Madridit në finalen e Superkupës sezonin e kaluar, ndërsa më 26 prill 2025 triumfoi sërish ndaj rivalit të përjetshëm, këtë herë me rezultatin 3-2 pas vazhdimeve në finalen e Kupës së Mbretit.

Finalja e së dielës do të shënojë një moment të veçantë për Flick, pasi për herë të parë në karrierë do të luajë finalen e të njëjtit kompeticion për herë të dytë radhazi.

Nga ana tjetër, Real Madridi vjen në këtë përballje pas një fitoreje të vështirë 2-1 ndaj Atletico Madridit në gjysmëfinale.

Kujtojmë, “El Clasico” do të zhvillohet të dielën me fillim nga ora 20:00./Telegrafi

I padiskutueshëm për Mikel Artetan, Arsenali e "blindon" yllin e skuadrës



Sipas gazetarit të “The Athletic”, David Ornstein, Bukayo Saka ka arritur marrëveshje për një kontratë të re dhe të përmirësuar pesëvjeçare me Arsenalin, e cila do ta mbajë atë në “Emirates Stadium” deri në vitin 2031.

Kontrata aktuale e anësorit anglez do të skadonte pas 18 muajsh dhe drejtuesit e klubit londinez ishin të vendosur të mos rrezikonin humbjen e njërit prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës.

Marrëveshja e re reflekton qartë statusin e Sakës si një nga lojtarët kryesorë të Arsenalit dhe të kombëtares angleze, si në arenën vendase ashtu edhe në atë ndërkombëtare. Ai është kthyer në një figurë kyçe të projektit të klubit dhe një nga emrat më të spikatur në Liga Premier.

Në sezonin aktual, 24-vjeçari ka qenë vendimtar për “Topçinjtë”, duke shënuar shtatë gola dhe duke dhuruar katër asistime në 27 paraqitje në të gjitha garat, statistika që dëshmojnë rëndësinë e tij në skuadrën e Mikel Artetës.

Kësisoj, pas Salibas – Arsenali kompleton edhe një marrëveshje ndërsa është i fokusuar edhe në rinovimin e kontratave të disa lojtarëve të tjerë që janë pjesë e padiskutueshme e formacionit bazë të Mikel Artetas.

Arsenali përndryshe shihet si favoriti kryesor për ta fituar Ligën Premier, me 49 pikë, gjashtë mbi Man Cityn./Telegrafi

Klubi i njohur francez rivalizon Gironën për Kristjan Asllanin



Përpos Gironas, edhe klubi francez Paris FC është bashkuar në garë për shërbimet e mesfushorit të Interit, Kristjan Asllani.

Ylli shqiptar do të rikthehet te Interi këto ditë meqenëse Torino ka vendosur t’ia ndërprejë huazimin sepse nuk do ta aktivizojnë klauzolën e blerjes.

Sipas “Sportmediaset”, Paris FC ka kontaktuar Interin për 24-vjeçarin dhe e kanë bërë top prioritet për ta sjellë këtë afat dimëror, pasi besojnë se është i duhuri që ta përforcojë skuadrën.

Opsioni më konkret megjithatë mbetet Girona, të cilët kanë mësuar të gjitha detajet e transferimit të mundshëm të yllit që luan në Serie A.

Asllani që verës u huazua te Torino e ka humbur vendin e titullarit, ndërsa ka zhvilluar 15 paraqitje në këta gjashtë muaj si lojtar i klubit italian.

Vlera e këtij të fundit shkon në kuotën e 13 milionë eurove, kurse Interi thuhet se dëshiron ta shesë për një çmim edhe më të ulët pasi nuk e ka në planet afatgjatë./Telegrafi/

Barcelona largohet nga gara për yllin anglez, shkak gjendja financiare



Barcelona ka vendosur të mos ndjekë më transferimin e qendërmbrojtësit të Crystal Palace, Marc Guehi, gjatë afatit kalimtar të verës, pavarësisht interesimit të mëparshëm.

Sipas gazetarit Ben Jacobs, drejtuesit e klubit katalanas kanë zhvilluar një takim me agjentin e Guehit, por kanë zgjedhur të mos avancojnë më tej bisedimet, duke përjashtuar praktikisht mundësinë e afrimit të tij si lojtar i lirë.

Ky vendim vjen në një moment kur konkurrenca për shërbimet e qendërmbrojtësit është shumë e fortë, me disa nga klubet më të mëdha të Evropës, si Manchester City, Liverpool dhe Real Madridi, që po e monitorojnë nga afër situatën e tij.

Nga ana tjetër, Crystal Palace raportohet se është e hapur për një shitje që në afatin e janarit, por kërkon një shumë të konsiderueshme financiare. Kjo e bën një lëvizje të menjëhershme pothuajse të pamundur për Barcelonën, duke marrë parasysh kufizimet e vazhdueshme financiare të klubit.

Marc Guehi ishte parë si një alternativë relativisht ekonomike për të mbushur boshllëqet e mundshme në repartin defensiv, në rast të largimeve të Andreas Christensen dhe Inigo Martinez. Profili i tij përputhej me strategjinë e klubit për afrime të kujdesshme dhe me kosto të ulët.

Megjithatë, realiteti financiar i Barcelonës ka detyruar një rishikim të planeve, me drejtuesit që tashmë po i japin përparësi opsioneve të tjera, më të përshtatshme me buxhetin aktual dhe vizionin sportiv të skuadrës së drejtuar nga Hansi Flick./Telegrafi

Van Dijk paralajmëron “një betejë të madhe” ndaj Arsenalit



Kapiteni i Liverpoolit, Virgil van Dijk u ka bërë thirrje bashkëlojtarëve që të përgatiten për “një betejë të madhe”, teksa “Reds” udhëtojnë drejt Londrës për t’u përballur me kryesuesit e Liga Premier, Arsenalin.

Qendërmbrojtësi holandez ka theksuar rëndësinë e një mentaliteti pozitiv brenda skuadrës, duke pranuar njëkohësisht forcën e Arsenalit, si në formacionin bazë ashtu edhe në stolin rezervë.

“Së pari, do të rikuperohemi nga kjo ndeshje, por duke filluar nga e marta do të fokusohemi patjetër te forca që ata kanë. Ata kanë një skuadër fantastike, me lojtarë shumë cilësorë në fushë dhe gjithashtu nga stoli”.

“Të gjithë e dimë se në shtëpi ata janë të pamposhtur këtë sezon, mendoj në të gjitha garat. Kjo e bën një sfidë shumë të bukur dhe ne duhet të jemi gati për një betejë të madhe”.

“Jam vërtet shumë i emocionuar për këtë ndeshje dhe mendoj se të gjithë duhet të jenë. Kjo është e vetmja mënyrë për të tentuar të marrësh një rezultat atje. Nuk ka asnjë arsye për të mos e pritur me padurim këtë përballje, sipas mendimit tim. Është një tjetër mundësi, por fillimisht rikuperimi dhe më pas do të fokusohemi plotësisht te ajo ndeshje”.

Përballja ndaj Arsenalit pritet të jetë vendimtare në garën për titullin në Liga Premier, me Liverpoolin që synon të marrë një rezultat pozitiv në një nga udhëtimet më të vështira të sezonit.

Përballja zhvillohet të enjten me fillim nga ora 21:00./Telegrafi

Ibrahimovic flet për luftën në Bosnjë: Luftuam së bashku me refugjatët, ishim të barabartë me shqiptarët, boshnjakët e kroatët



Zlatan Ibrahimovic ka dhënë intervistën e tij të parë të madhe në gjuhën boshnjake, në emisionin “(Ne)uspjeh prvaka” në “Arena Sport”, ku në një bisedë të hapur me Slaven Bilic ka prekur temat e fëmijërisë së tij në Suedi dhe ndikimin e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.

Ibrahimovic u rrit në Rosengard të Suedisë dhe, ndonëse babai i tij dhe një pjesë e madhe e familjes vijnë nga Bosnja, ai thekson se nuk pati shumë kontakt të drejtpërdrejtë me luftën dhe agresionin që ndodhnin atje.

Sipas tij, lufta nuk pati ndikim të madh në mënyrën se si u rrit, por gjithsesi ai veçon dy situata që i kanë mbetur në kujtesë nga ajo periudhë.

“Në atë Rosengard ishim të gjithë bashkë. Për ne ishim të gjithë njësoj: boshnjakë, kroatë, serbë, shqiptarë… Nuk kishte rëndësi nga vije, kishim respekt për njëri-tjetrin. Pastaj filloi lufta. Në ato vite nuk lexonim gazeta, unë as telefon nuk kisha. Kisha një televizor, por nuk shikoja lajme”.

“Gjithçka që ndjeva ishte se babai im ishte gjithmonë në telefon. E kuptova se po fliste me familjen në Bosnje, për t’i ndihmuar. Unë shkoja te nëna ime, zakonisht shkoja atje për të ngrënë. Ata jetonin afër, pesë minuta larg, për hir të fëmijëve. Një ditë shkova te nëna ime dhe të gjithë ishin veshur me të zeza”.

“I pyeta pse ishin të gjithë me të zeza dhe më thanë të dilja jashtë, të luaja futboll. Nuk donin të më tregonin. Gjyshja ime kishte vdekur në luftë. Më mësuan të sillesha si një fëmijë i vogël, të shijoja jetën dhe të luaja futboll. Nuk donin të më tregonin asgjë për këtë”.

Ibrahimovic zbulon edhe një tjetër moment kur e ndjeu se lufta në rajonin tonë kishte lënë gjurmë, këtë herë përmes ndryshimit të mentalitetit te refugjatët që mbërrinin në Suedi.

“Babai im më bënte të luaja futboll. Më linin jashtë që të mos ndieja çfarë po ndodhte. Pastaj erdhën refugjatët në Suedi dhe ata kishin një mentalitet tjetër. Unë jam boshnjak, ti je serb, kështu mendonin ata. Kur erdhën në atë geto në Rosengard, mentaliteti ishte ndryshe”.

“Në kokën time ishte ndryshe, për mua ishte Jugosllavia. I kisha të gjithë shokët dhe nuk shihnim kush ishte kush, por ata ishin shumë ndryshe. Luftonim me ta. Nuk e pranonin që gjithçka të ishte kaq e përzier. Për mua ishte ndryshe”./Telegrafi

E kryer, Joao Cancelo do të rikthehet te Barcelona



Mbrojtësi Joao Cancelo e ka kompletuar rikthimin te Barcelona nga skuadra arabe Al Hilal.

Ylli portugez do t’i bashkohet katalunasve në formë huazimi pa ndonjë opsion blerje, meqenëse nuk është në planet e trajnerit Simeone Inzaghi.

Gazetari Fabrizio Romano raporton se gjithçka është mbyllur mes tre palëve, ndërsa Barcelona do të paguajë 4 milionë euro për Al Hilalin.

“Joao Cancelo te Barcelona e kryer! Marrëveshja e kryer në formë huazimi deri në qershor”.

“Barcelona do të paguajë 4 milionë euro për huazimin te Al Hilal”.

“Pavarësisht që Interi ka arritur marrëveshje me Al Hilalin, Joao e donte vetëm Barcelonën”, shkroi ai.

🚨💙❤️ BREAKING: João Cancelo to Barcelona, here we go! Deal in place on loan until June.

Exclusive story confirmed as Barça will pay €4m as loan coverage to Al Hilal, as revealed today.

Despite Inter having deal in place with Al Hilal, João only wanted Barcelona. 🇵🇹 pic.twitter.com/Sy3CRMeIvT
— Fabrizio Romano (@FabrizioRomano) January 5, 2026

Interi tentoi deri në fund që ta bindte yllin portugez, por ky i fundit ishte i etur që të luajë sërish në fanellën katalunase./Telegrafi/

Kush mund të jetë trajneri i ardhshëm i Manchester United?



Kërkimi për trajnerin e ri të Manchester United ka nisur zyrtarisht. Pas vetëm 14 muajsh në krye të skuadrës, Ruben Amorim u shkarkua të hënën, pas kritikave të tij të fundit ndaj hierarkisë së klubit në "Old Trafford".

United aktualisht ndodhet në vendin e gjashtë në Liga Premier dhe mbetet në garë për një vend në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.

Sipas “BBC Sport”, Darren Fletcher do ta drejtojë ekipin për disa ndeshje, përpara se klubi të emërojë një trajner të përkohshëm deri në fund të sezonit.

Por pyetja kryesore mbetet: kush do ta marrë drejtimin e “Djajve të Kuq” në mënyrë të përhershme gjatë verës?

Trajnerë me përvojë në Liga Premier

Pas dështimeve të njëpasnjëshme me Erik ten Hag, Ralf Rangnick dhe së fundmi Amorim, në “Old Trafford” po shtrohet dilema nëse duhet zgjedhur një trajner i provuar në Liga Premier.

Unai Emery është një nga emrat më të përfolur. Spanjolli ka bërë një punë të jashtëzakonshme me Aston Villën, duke e nxjerrë klubin nga lufta për mbijetesë dhe duke e kthyer në pretendente për zonën e Evropës dhe madje për titull. Villa ndodhet aktualisht e treta në tabelë, vetëm gjashtë pikë pas Arsenalit kryesues. Megjithatë, periudha e tij e përzier te Arsenali mund të shihet si një pengesë.

Një tjetër emër interesant është Andoni Iraola. Ai ka tërhequr vëmendjen pas sezonit të kaluar me Bournemouth, të cilët përfunduan në vendin e nëntë. Edhe pse “Cherries” janë aktualisht në një seri prej 11 ndeshjesh pa fitore, do të ishte e vështirë për Iraolën ta refuzonte një ofertë nga Manchester United.

Oliver Glasner, i cili i skadon kontrata me Crystal Palace gjatë verës, fitoi FA Cup sezonin e kaluar, ndërsa Eddie Howe i dha fund pritjes së gjatë të Newcastle për një trofe madhor duke fituar Carabao Cup. Të dy mund të tundohen nga një sfidë e re në “Old Trafford”.

Zgjidhje nga brenda klubit?

Një tjetër mundësi është një emërim i brendshëm. Darren Fletcher, ish-mesfushori i United dhe aktualisht trajner i ekipit U-18, është 41 vjeç dhe ka kaluar 11 vite si lojtar nën drejtimin e Sir Alex Ferguson.

Një tjetër kandidat i natyrshëm është Michael Carrick. Ish-mesfushori i United është i papunë që nga shkarkimi nga Middlesbrough në qershor. Carrick, tani 44 vjeç, zhvilloi 463 ndeshje me fanellën e United gjatë 12 viteve, duke fituar 17 trofe para se të tërhiqej në vitin 2018. Mbetet për t’u parë nëse ai do të jetë ende pa punë deri në verë.

Kieran McKenna, trajneri i Ipswich Town, është një tjetër emër me lidhje me United. 39-vjeçari, ish-asistent në ekipin e parë të United, ka impresionuar në rolin e tij të parë si trajner kryesor. Ai i ngjiti Ipswich në Liga Premier përmes dy promovimeve radhazi dhe, pas rënies nga elita sezonin e kaluar, tani i ka çuar në vendin e tretë në Championship. Një tjetër promovim do ta forconte ndjeshëm kandidaturën e tij.

Po një rikthim i Ole Gunnar Solskjaer? Edhe pse duket pak i mundshëm, norvegjezi mbetet i lirë dhe ende shumë i dashur për tifozët. Periudha e tij mes viteve 2018 dhe 2021 përfundoi me zhgënjim, por a meriton ai më shumë vlerësim? Vetëm pak më shumë se katër vite më parë, United përfundoi i dyti në Liga Premier nën drejtimin e tij, duke shënuar 73 gola, më shumë se në çdo sezon që nga largimi i Fergusonit në vitin 2013.

Emra të mëdhenj nga Evropa

Nga kontinenti, opsionet nuk mungojnë. Mauricio Pochettino, aktualisht trajner i SHBA-së, ka qenë vazhdimisht i lidhur me United. Me Botërorin që zhvillohet këtë verë në SHBA, pritja e United për një emërim të përhershëm mund t’i përshtatet atij.

Xavi, ish-trajneri i Barcelonës, është i papunë që nga viti 2024 dhe një aventurë në Liga Premier do të ishte padyshim joshëse për të. Luis Enrique, i cili fitoi Ligën e Kampionëve me Paris Saint-Germain si pjesë e tripletës sezonin e kaluar, vazhdon të jetë në krye të klubit francez, por ka fituar gjithçka në Paris.

Zinedine Zidane është ende pa punë katër vite pas largimit nga Real Madridi, por mbetet dilemë nëse ai po pret ende një ditë drejtimin e Francës. Roberto De Zerbi, që ka përvojë në Angli nga periudha te Brighton, po bën një punë mbresëlënëse te Marseille. Megjithatë, sinqeriteti i tij i drejtpërdrejtë mund të shihet si problem për hierarkinë e United.

Gareth Southgate ka qenë prej kohësh i lidhur me United, por e kishte përjashtuar veten para emërimit të Amorim, duke deklaruar se nuk do të rikthehej në trajnim për të paktën një vit pas largimit nga Anglia. Tani, pas një periudhe pa punë që nga korriku 2024, a mund të jetë gati për rikthim?

Ai drejtoi Anglinë për 102 ndeshje në tetë vite, duke i çuar në dy finale të Kampionatit Evropian dhe një gjysmëfinale Botërori. Bashkëpronari i United, Sir Jim Ratcliffe, dihet se është admirues i tij, por Southgate nuk ka drejtuar një klub që nga largimi nga Middlesbrough para 16 vitesh.

Një tjetër emër në dispozicion është Enzo Maresca, i shkarkuar nga Chelsea javën e kaluar. Ai është i lirë dhe, ashtu si Southgate, mund të jetë një opsion si për afat të shkurtër, ashtu edhe për projekt afatgjatë.

Vendimi përfundimtar do të jetë jetik për të ardhmen e Manchester United, i cili kërkon stabilitet dhe rikthim në majat e futbollit anglez dhe evropian./Telegrafi

Shkëlqen Osimhen, Nigeria fiton bindshëm ndaj Mozambique



Kombëtarja e Nigerisë ka shënuar fitore të thellë ndaj Mozambique për t’u kualifikuar në çerekfinale të Kupës së Afrikës.

Nigeria ishte skuadër shumë më e mirë, për të triumfuar me rezultat të thellë 4-0.

Victor Osimhen shënoi pas vetëm dy minutave lojë, por që u anulua nga VAR-i për pozitë jashtë loje.

Ademola Lookman pas asistimit të Akor Adams shënoi nga afërsia me një goditje të fuqishme për të zhbllokuar epërsinë (20’).

Kurse, pas vetëm pesë minutave lojë Victor Osimhen dyfishoi epërsinë për të realizuar nga afërsia (25’).

Dy golashënuesit pastaj bashkëpunuan për golin e tretë. Lookman e gjeti për mrekulli Osimhen që e kishte të lehtë të shënonte në portën e zbrazur (47’).

Fitoren pastaj e vulosi Adams pas një tjetër asisti të Lookman (75’).

Nigeria kësisoj shkon në çerekfinale – ku do të përballet me Egjiptin./Telegrafi/

Sa para fiton secila skuadër në Superkupën e Spanjës? Rritje historike e shpërblimeve për vitin 2026



Superkupa e Spanjës po përgatitet për një edicion historik në vitin 2026. Pas triumfit të Barcelonës në vitin 2025, Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit (RFEF) ka vendosur të rrisë ndjeshëm shpërblimet financiare, me synimin për t’i dhënë më shumë peshë turneut dhe për të motivuar skuadrat pjesëmarrëse.

Shuma totale e shpërndarë rritet nga 19 milionë euro në vitin 2025, të ndara mes Barcelonës, Real Madridit, Athletic Clubit dhe Mallorcës, në rreth 23 milionë euro për edicionin 2026. Këtë herë, përfitues do të jenë Barcelona, Real Madridi, Atletico Madridi dhe Athletic Clubi.

Megjithatë, shpërndarja e parave nuk është lineare. Çdo klub përfiton sipas kritereve të caktuara si titujt e fituar, historia e klubit dhe audienca televizive, çka bën që shumat të ndryshojnë në bazë të suksesit historik dhe atij të viteve të fundit.

Edicioni i fundit i Superkupës shkaktoi polemika, pasi Real Madridi dhe Barcelona përfituan nga 6 milionë euro secili, Athletic Club mori 2 milionë euro, ndërsa Mallorca vetëm 850 mijë euro. Përveç kësaj, skuadrat gjysmëfinaliste përfituan nga 1 milion euro, ndërsa kampioni mori edhe 2 milionë euro shtesë. Athletic Club madje kërkoi publikisht një shpërndarje më të drejtë të të ardhurave mes pjesëmarrësve.

Në terma të përgjithshëm, Superkupa e Spanjës gjeneron një të ardhur totale prej 51.9 milionë eurosh për RFEF-në. Këto të ardhura vijnë nga tre burime kryesore: sponsorimet, që sjellin rreth 27 milionë euro, organizimi dhe pjesëmarrja me 11.5 milionë euro, si dhe të drejtat televizive që kapin vlerën e 12.69 milionë eurove.

Një aspekt i rëndësishëm është fakti se rreth 28 milionë euro nga këto të ardhura shkojnë për futbollin jo-profesionist në Spanjë. Kjo forcon ndikimin ekonomik të Superkupës përtej klubeve elitare dhe tregon se turneu kontribuon në zhvillimin e gjithë strukturës së futbollit spanjoll./Telegrafi

Thuajse e kryer, Barcelona afër marrëveshjes me Al Hilalin për yllin portugez



Barcelona është afër marrëveshjes për ta rikthyer në skuadër mbrojtësin Joao Cancelo.

Gazetari italian Fabrizio Romano raporton se katalunasit kanë bërë ofertë zyrtare drejt Al Hilal për portugezin, meqenëse Simeone Inzaghi e ka larguar nga skuadra dhe nuk e ka në plane për pjesën e mbetur të sezonit.

Cancelo e ka bërë prioritet rikthimin te Barcelona ndërsa edhe është pajtuar që të zbresë pagën për ta kompletuar huazimin.

“Barcelona bënë ofertë zyrtare drejt Al Hilalit për Joao Cancelon. Propozim huazimi me pagën e mbuluar, negociatat po vazhdojnë”.

“Propozimi zyrtar nga Al Hilali dhe kampi i Joaos pritet të pranohet me hapat zyrtar së shpejti. Cancelo e ka bërë të qartë se Barcelona është prioritet absolut”, shkroi ai ndër të tjera.

🚨💙❤️ Exclusive story confirmed: Barça are on the verge of signing João Cancelo!

Official proposal received by Al Hilal and João’s camp expect it to be accepted also with formal steps very soon.

Cancelo made it clear since the beginning: Barça, absolute priority. pic.twitter.com/OVCGaKfkRZ
— Fabrizio Romano (@FabrizioRomano) January 5, 2026

Ndërkohë, edhe Interi ka arritur marrëveshje në parim me Al Hilalin për Cancelon, në rast që dështon kalimi i këtij të fundit te Barcelona./Telegrafi/

Egjipti me mund eliminon Beninin, kualifikohet në çerekfinale të Kupës së Afrikës



Kombëtarja e Egjiptit ka shënuar fitore ndaj Beninit, për ta siguruar kualifikimin në çerekfinale të Kupës së Afrikës.

Egjipti ka shënuar fitore me rezultat 3-1, sfidë që u nevojiten 120 minuta për ta vulosur fituesin.

Egjipti e nisi shumë mirë për të rrezikuar me Omar Marmoush, i cili krijoi dy raste por që s’u finalizuan.

Ishte Marwan Attia, i cili shënoi një eurogol pas asistimit të Hany për ta zhbllokuar rezultatin (69’).

Sidoqoftë, Benini në aksionin e vetëm arritën ta barazojnë rezultatin falë Jodel Dossou (83’).

Heroi i Egjiptit rezultoi të jetë Yasser Ibrahim që shënoi me kokë pas harkimit të Attia (97’).

Në fund, fitoren e vulosi ylli i skuadrës Mo Salah me një gol mahnitës nga distanca (120+4’).

Egjipti në çerekfinale do të përballet me fituesin e ndeshjes Nigeri – Mozambique./Telegrafi/

Befason Rio Ferdinand: Mikel Arteta do ta konsideronte punën si trajner i Man Unitedit



Legjenda Rio Ferdinand ka bërë një deklaratë të fortë, duke pretenduar se Mikel Arteta do ta merrte seriozisht në konsideratë largimin nga Arsenali, kandidat për titull në Liga Premier, për të marrë drejtimin e Manchester United pas shkarkimit të Ruben Amorim.

United njoftoi të hënën një vendim befasues, duke bërë të ditur se kishte “marrë me keqardhje vendimin” për t’i dhënë fund bashkëpunimit me Amorim, pas 14 muajsh të ngarkuar në krye të skuadrës në “Old Trafford”.

Pas barazimit 1-1 ndaj Leeds United të dielën, ishte kuptuar se pozita e trajnerit 40-vjeçar ishte në rrezik, veçanërisht pas deklaratave të tij që u interpretuan si kritika ndaj hierarkisë së klubit.

Ish-mesfushori i United, Darren Fletcher, pritet të marrë përkohësisht drejtimin e skuadrës për ndeshjen e së mërkurës ndaj Burnleyt në Ligën Premier, ndërsa klubi raportohet se është i interesuar të emërojë një trajner të përkohshëm deri në fund të sezonit.

Sipas Ferdinandit, megjithatë, ka vetëm një trajner aktual në Liga Premier që nuk do ta mendonte aspak marrjen e drejtimit të Manchester United dhe ai është Pep Guardiola.

“Unai Emery do të ishte dikush që do të hidhej menjëherë në këtë mundësi", ka thënë Ferdinand në kanalin e tij në YouTube, “Rio Ferdinand Presents”.

“Pep Guardiola është i vetmi trajner në ligë për të cilin mendoj se do të ulej dhe do të thoshte: ‘Jam i kënaqur aty ku jam, jam i lumtur dhe nuk kam nevojë për këtë’”.

“Ai nuk do ta thotë kurrë publikisht, nuk do ta pranonte kurrë me zë të lartë. Por po ju them, Mikel Arteta do të ulej dhe do ta mendonte seriozisht”.

Ruben Amorim drejtoi Manchester United në total në 63 ndeshje në të gjitha garat, duke regjistruar 24 fitore, 18 barazime dhe 21 humbje. Ai arriti ta çojë ekipin në finalen e Ligës së Evropës sezonin e kaluar, ku “Djajtë e Kuq” u mposhtën 1-0 nga Tottenham në ndeshjen finale./Telegrafi

E kryer, Interi arrin marrëveshje me Al Hilalin për ish yllin e Juventusit



Interi ka hedhur një hap konkret drejt afrimit të Joao Cancelo, pasi ka arritur një marrëveshje verbale me Al-Hilal për transferimin e mbrojtësit të krahut. Marrëveshja parashikon që një mbrojtës aktual i “Nerazzurrëve” të lëvizë në drejtim të kundërt.

Klubi zikaltër ka qenë në kërkim të një mbrojtësi të krahut të ri për t’iu bashkuar skuadrës së drejtuar nga Cristian Chivu, pas lëndimit afatgjatë të Denzel Dumfries.

Në këtë kuadër, Interi është lidhur me rikthimin e ish-lojtarit të huazuar më parë, Joao Cancelo, i cili mund të largohet nga Al-Hilal gjatë këtij muaji. Për shërbimet e tij interesim ka shfaqur edhe Barcelona.

Sipas “Sky Sport Italia”, Interi dhe Al-Hilal kanë arritur një marrëveshje verbale për Cancelo. Sipas të njëjtit burim, marrëveshja do të përfshinte kalimin e njërin prej qendërmbrojtësve Stefan De Vrij ose Francesco Acerbi në Arabinë Saudite.

Joao Cancelo

Një lëvizje e tillë do të sillte ribashkimin e njërin prej tyre me ish-trajnerin e Interit, Simone Inzaghi, i cili aktualisht drejton Al-Hilal.

Hapi i radhës për drejtuesit e Interit është të bindin vetë Cancelon që të pranojë transferimin. Mbrojtësi 31-vjeçar ka kërkuar edhe një ose dy ditë kohë për të marrë vendimin përfundimtar.

“Sky Sport Italia” shton se dëshira kryesore e Cancelos do të ishte një rikthim te Barcelona, megjithatë mbetet për t’u parë nëse klubi katalanas do të jetë në gjendje të arrijë një marrëveshje me Al-Hilal për kushtet e transferimit./Telegrafi

Mediumi i madh britanik: Chelsea po përgatit ofertë 160 milionë euro për Vini Jr



Chelsea është duke përgatitur një ofertë të çmendur prej 160 milionë eurove për të nënshkruar me sulmuesin e Real Madridit, Vinicius Junior.

Braziliani ende nuk ka rinovuar me “Los Blancos”, me kontratën aktuale që i skadon në vitin 2027 dhe mundësia për t’u larguar veçse po shtohet.

Sipas “The Guardian”, Chelsea mund të bëjë një lëvizje për yllin brazilian, por ende nuk dihet nëse do ta dërgojë ofertën këtë muaj, apo në afatin kalimtar dimëror.

Mediumi britanik shton se klubi londinez po përgatit plot 160 milionë euro për të siguruar shërbimet e Viniciusit.

Real Madridi ndërkohë mbetet i hapur për t’ia rinovuar kontratën Viniciusit, por në rast që negociatat vazhdojnë të ngecin atëherë mund ta konsiderojnë shitjen e mundshme.

Reali assesi s’pranon që ta lejojë Viniciusin të largohet falas, kësisoj mund ta konsiderojë seriozisht këtë ofertë. Opsion tjetër është edhe Arabia Saudite, me Al Hilal dhe Al Ahli që e pëlqejnë tepër lojtarin.

Vinicius po kalon një krizë të Reali në aspektin sportiv, meqenëse nuk ka arritur të shënojë gol në 15 ndeshjet e fundit./Telegrafi/

Nuk është në planet e trajnerit, Valon Berisha drejt largimit nga LASK?



Mesfushori Valon Berisha pritet që së shpejti të bëhet me skuadër të re, pasi më nuk është në planet e LASK-ut.

Veterani i Kosovës nuk është ftuar fare për stërvitje nga trajneri Didi Kuhbauer, ndërsa siç raporton “Oborosterreichische Nachrichten” nuk është në planet e trajnerit për këtë edicion.

Mediumi austriak raporton se LASK-u e ka informuar Berishën dhe dy lojtarë të tjerë që janë të lirë për të gjetur klub të ri, duke nisur nga ky muaj.

Berisha ka kontratë deri në fundin e sezonit, por thuhet se është i hapur për t’u larguar meqenëse dëshiron të gjejë një klub që të zhvillojë sa më shumë minuta, për të marrë ftesë nga Franco Foda për play-offin e Kupës së Botës 2026.

Kujtojmë, që kur Kuhbauer erdhi në stolin e LASK-ut, mesfushori kosovar ka zhvilluar vetëm 14 minuta.

Ndërkohë, ende nuk dihet se në cilën skuadër Berisha do ta vazhdojë karrierën./Telegrafi/

Zyrtare: Florent Hasani kalon te Amedspor



Sulmuesi Florent Hasani i është bashkuar liderit të Ligës së Parë Turke, Amedspor nga Boluspori.

Hasani njoftoi disa orë më parë largimin nga Boluspor, duke falënderuar tifozët përmes një postimi në rrjetin social, ndërsa Amedspor e ka prezantuar zyrtarisht si afrim të fundit.

Hasani ka nënshkruar kontratë për një vit e gjysmë, pra deri në fund të edicionit 2026/27.

“Klubi ynë ka nënshkruar kontratë profesionale me futbollistin Florent Hasani, i cili ka mbajtur fanellën e Boluspor. Shpresojmë që transferimi të jetë përfitues për klubin, lojtarind he tifozët dhe i urojmë suksese lojtarit tonë për të garuar në këtë fanellë”, njoftoi Amedspor.

Hasani po kalon ndoshta periudhën më të mirë të karrierës, ku është golashënuesi i dytë më i mirë në ligë me 14 gola, dy më pak se tashmë bashkëlojtari, Diagne.

Përndryshe, Amedspor është favorit për t’u kualifikuar në elitën e futbollit turk me 39 pikë, dy mbi Pendikspor, që renditet e dyta në tabelë./Telegrafi/

U largua nga Cluji për DC United, Munteanu: Shpresoj që edhe Meriton Korenica të vjen



Futbollisti Louis Munteanu që u shit te DC United nga CFR Cluj shpreson që edhe sulmuesi Meriton Korenica t’i bashkohet skuadrës.

Munteanu e ka kompletuar kalimin te skuadra amerikane ndërsa do t’iu bashkohet pas dy javëve, pasi ka nevojë për vizë që të hyjë në Amerikë.

Në intervistën e parë për media, Munteanu deklaroi se po e pret edhe transferimin e Korenicës te DC United, me këtë të fundit që e pëlqen tepër lojtarin dhe thuhet se janë gati të ofrojnë 4 milionë euro për shërbimet e kosovarit.

“Nuk kam ndonjë pendesë. Nëse është dëshira e Zotit që të shkoj në Amerikë, atëherë është opsioni i duhur. Shpresoj që edhe Korenica të vjen gjithashtu, do të ishte mirë edhe për mua”, deklaroi ai.

Ndërkohë, Munteanu shtoi se mezi po pret të luajë kundër Lionel Messit.

“Bisedova me disa djem dhe të gjithë më folën mirë. E pashë që do të luajmë me Messin në raundin e tretë, shpresoj të kemi një ndeshje të mirë”.

Mbetet të shihet nëse klubi i MLS-së do ta blejë edhe kartonin e Korenicës, me këtë të fundit që thuhet se gjithashtu ka dhënë “dritën jeshile” për një transferim të tillë./Telegrafi/

Florent Hasani konfirmon largimin nga Boluspor, afër kalimit te rivali



Sulmuesi Florent Hasani e ka konfirmuar largimin nga Boluspor përmes një shkrimi në rrjetin social “Instagram”.

Hasani falënderoi të gjithë për mbështetjen e dhënë gjatë kësaj periudhe, ku mund të thuhet se e “ringjalli” karrierën.

“Krenar i këtij rrugëtimi! Dua të falënderoj klubin. Një falënderim i veçantë shkon për bashkëlojtarët, stafin dhe personelin e mrekullueshëm që ishin më shumë, ishin familje dhe të ndaja fushën me ju ka qenë kënaqësi”.

“Për tifozët, faleminderit për mbështetjen, pasionin dhe energjinë që po sillni në secilën lojë. Do t’i mbaj gjithmonë këto kujtime pranë meje. I uroj klubit asgjë përpos suksesit në të ardhmen. Krenar për këtë rrugëtim. Faleminderit klubit”.

“Kurrë nuk do t’i harroj njerëzit e këtij qyteti të bukur. Do t’i mbaj mend këto kujtime”, shkroi ai ndër të tjera.

Ndërkohë, raportohet se Hasani do t’i bashkohet Amde kurse këtë edicion ka shënuar 14 gola dhe dhuruar katër asistime./Telegrafi/

❌