Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Pëlqehet nga Unai Emery, Aston Villa e ëndërron yllin e Man Cityt



Trajneri i Aston Villas, Unai Emery, ka kërkuar nga drejtuesit e klubit që gjatë afatit kalimtar të dimrit të përforcohet reparti ofensiv, duke vënë theksin te nevoja për një lojtar kreativ, të shpejtë dhe me instinkt goli.

Sipas raportimeve, në listën e dëshirave të klubit anglez ka hyrë edhe anësori egjiptian Omar Marmoush.

26-vjeçari aktualisht ndodhet me kombëtaren e Egjiptit në Kupën e Kombeve të Afrikës 2026 dhe ka rënë në sy për paraqitjet e tij, falë shpejtësisë, teknikës dhe aftësisë për të luajtur në të dy krahët e sulmit.

Marmoush ka kontratë me Manchester Cityn deri më 30 qershor 2029, ndërsa sipas Transfermarkt, vlera e tij në treg arrin rreth 65 milionë euro.

Një transferim i mundshëm pritet të jetë i ndërlikuar, duke marrë parasysh kontratën afatgjatë dhe kërkesat financiare të klubit nga “Etihad”.

Marmoush përndryshe nuk është në formacionin bazë të Pep Guardiolas, por nuk dihet nëse tekniku spanjoll është i hapur që ta përforcojë rivalin në Angli.

Villa këtë edicion ka mahnitur të gjithë për t’u renditur në pozitën e tretë në tabelë, kurse po synon ta sigurojë një vend që të dërgon në Ligën e Kampionëve për edicionin 2026/27./Telegrafi

Mali me një lojtar më pak e eliminon Tunizinë, prek çerekfinalen e Kupës së Afrikës



Kombëtarja e Malit ka shënuar fitore të madhe ndaj Tunizisë për t’u kualifikuar në çerekfinalen e Kupës së Afrikës.

Edhe pse me një lojtar më pak nga minuta e 26-të, skuadra e drejtuar nga Saintfiet arriti fitore në penallti (4-2), pasi epilogu përfundimtar doli të jetë 1-1.

Tunizia e nisi më mirë duke pasur plotësisht dominimin, ndërsa veçse i rritën sulmet kur Woyo Coulibaly mori karton të kuq pas një ndërhyrje të rëndë (26’).

Ishte Firas Chaouat që shënoi me kokë pas asistimit të Elias Saad për ta kaluar Tunizinë në epërsi pas plot 88 minutave lojë.

Megjithatë, në minutën e fundit të lojës, një nga lojtarët e Tunizisë preku topin me dorë kësisoj gjyqtari akordoi penallti. Nga pika e bardhë i pagabueshëm ishte Sinayoko që dërgoi ndeshjen në vazhdime (90+6’).

Tunizia shënoi sërish përmes Chaouat, por që pas rishikimit të VAR-it rezultoi që ishte pozitë jashtë loje, andaj edhe u anulua. Kësisoj, u nevojiten penalltitë për ta vulosur fituesin.

Nga pika e bardhë, Mali ishte më e mirë për të fituar me rezultat 4-2 dhe siguruar çerekfinalen e Kupës së Afrikës./Telegrafi

Dy gola të vonshëm, Barcelona e fiton derbin lokal ndaj Espanyol



Barcelona ka shënuar fitore të vështirë në udhëtim te Espanyol në kuadër të xhiros së 18-të në La Liga.

Katalunasit triumfuan me rezultat 0-2, sfidë që ishte tepër dramatike nga minuta e parë.

Espanyol rrezikoi fillimisht me Robert Fernandez dhe Carlos Romero, por portieri i Barcelonës Joao Garcia me pritje të jashtëzakonshem ua mohoi golin.

Raste fantastike kishte edhe Barcelona përmes Kounde e Yamal, sidoqoftë të dyja rezultuan të jetë larg finalizimit.

Ishte Dani Olmo që e zhbllokoi rezultatin me një supergol pas asistimit të Fermin (86’).

Ndërsa, fitoren e vulosi Robert Lewandowski vetëm katër minuta më vonë pas një tjetër asistimi të Fermin (90’).

Barcelona shkon në kuotën e 49 pikëve ndërsa Espanyol zë pozitën e pestë me 33 sosh./Telegrafi

Mac Allister e pranon: Liverpooli nuk është në garë për titull



Mesfushori i Liverpoolit, Alexis Mac Allister, ka pranuar se shanset e “The Reds” për ta mbrojtur titullin e Ligës Premier janë minimale, duke folur hapur për situatën aktuale të skuadrës.

“Ka shumë pak gjasa që Liverpooli ta ruajë titullin. Më vjen keq ta them, por është shumë e qartë”, ka deklaruar argjentinasi për “Sky Sports”, në prag të ndeshjes kundër Fulhamit.

Mac Allister theksoi se rivalët kryesorë janë në një nivel më të lartë këtë sezon.

“Arsenali është në një moment shumë të mirë, Manchester City është shumë afër, ndërsa ne nuk jemi aty as për nga paraqitjet dhe as për nga rezultatet. Prandaj nuk e shoh veten sërish kampion”.

“Dhemb, sepse ky duhej të ishte një moment kur ne po e shijonim Ligën Premier që e fituam dhe duhej të ishim në një pozitë shumë më të mirë sesa jemi tani”.

“Shumë gjëra kanë ndryshuar nga sezoni i kaluar dhe nuk është situatë ideale, por ky është realiteti. Duhet ta pranojmë dhe të vazhdojmë të punojmë për t’u përmirësuar”.

Pas gjysmës së sezonit, Liverpooli ndodhet 12 pikë larg kreut të tabelës, me Arsenalin, Aston Villën dhe Manchester Cityn që renditen para tyre në garën për titull./Telegrafi

Barcelona rivalizon Bayern Munichun për talentin që po shkëlqen në Serie A



Barcelona ka identifikuar qendërmbrojtësin e Lecces, Tiago Gabriel, si një përforcim të mundshëm për repartin defensiv, raporton Foot Mercato.

Mbrojtësi 21-vjeçar ka qenë një nga zbulimet e këtij sezoni në Serie A, duke u shndërruar në titullar të rregullt nën drejtimin e trajnerit Eusebio Di Francesco.

Gabriel ka zhvilluar 18 paraqitje në të gjitha garat, duke nisur nga minuta e parë në 17 prej tyre, ndërsa ka shënuar edhe një gol në përballjen ndaj Cagliarit.

Me gjatësi 1.96 metra, përfaqësuesi i Portugalisë U21 njihet për dominimin në ajër, forcën fizike dhe paraqitjet e qëndrueshme në mbrojtje, cilësi që kanë tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha evropiane.

Sipas raportimeve, përveç Barcelonës, situatën e tij po e monitorojnë nga afër edhe Bayern Munich dhe klubi saudit Neom.

Megjithatë, Lecce nuk është e interesuar për një shitje gjatë afatit dimëror dhe do të shqyrtonte largimin e lojtarit vetëm në rast të një oferte të parefuzueshme, pasi synon ta mbajë Gabrielin deri në fund të sezonit./Telegrafi

A do të rikthehet Kylian Mbappe për Superkupë? Xabi Alonso jep detaje



Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, ka konfirmuar se klubi do të bëjë gjithçka të mundur për ta rikthyer Kylian Mbappen në kohë për Superkupën e Spanjës, pavarësisht dyshimeve të mëdha rreth gjendjes së tij fizike.

Sulmuesi francez po vuan prej disa javësh nga një lëndim në gju, ndërsa në fund të dhjetorit u diagnostikua zyrtarisht me problem në ligament. Afati i rikuperimit prej rreth tre javësh e ka vënë seriozisht në pikëpyetje paraqitjen e tij në Superkupë.

Pas ndeshjes ndaj Real Betisit, madrilenët do të udhëtojnë drejt Arabisë Saudite, ku më 8 janar do të përballen me Atletico Madridin në gjysmëfinale. Edhe një finale e mundshme ndaj Barcelonës ose Athletic Bilbaos, tri ditë më vonë, duket se mund të vijë shumë herët për Mbappen.

Megjithatë, Alonso nuk e ka humbur shpresën.

“Do të shtyjmë deri në fund afat. Gjithçka varet nga mënyra se si ndihet ai dhe ne do të bëjmë maksimumin për ta rikthyer sa më shpejt. Kur? Kjo është pyetja. Nuk e di ende. Një përgjigje më të qartë do ta jap në konferencën e ardhshme për shtyp”.

Në mungesë të Mbappés, Gonzalo Garcia ka lënë përshtypje pozitive, ndërsa Alonso pranoi se mund të rikthejë disa ide taktike të përdorura gjatë verës.

“Ishim fleksibël. Nuk ndryshuam shumë, por u përshtatëm me lojtarët që kishim. Tani kemi disa lojtarë më shumë, disa mungojnë dhe duhet të gjejmë mënyrën më të mirë për t’i kombinuar pjesët”.

“Luajtëm mirë edhe pa Kylianin, por më vonë do të na mungojë, sepse ndikimi i tij është i jashtëzakonshëm – jo vetëm për golat, por për gjithçka që sjell në lojë. Megjithatë, duhet të jetojmë me lëndimet, edhe pse ato nuk janë kurrë të mirëpritura”.

“Kam shumë besim te ata që do të luajnë nesër dhe ndaj Atletico Madridit. Kjo është një skuadër, dhe uniteti, besimi i ndërsjellë dhe fryma ekipore janë thelbësore”./Telegrafi

Arsenali e fiton dramën e pesë golave ndaj Bournemouthit



Arsenali ka shënuar fitore në udhëtim te Bournemouth, në kuadër të xhiros së 20-të në Ligën Premier.

“Topçinjtë” triumfuan me rezultat të ngushtë 2-3, sfidë që rezultoi të jetë mjaftë e baraspeshuar.

Evanilson zhbllokoi epërsinë për vendasit pas vetëm 10 minutave lojë pas një aksioni të shpejtë.

Sidoqoftë, Arsenali u përgjigj menjëherë. Ishte qendërmbrojtësi Gabriel që realizoi pas një harkimi për 1-1 (16’).

Arsenal ishte skuadër më e mirë në pjesën e dytë dhe shpejtë e përmbysën epërsinë. Declan Rice realizoi pas një asistimi fantastik të Martin Odegaard (54’).

I njëjti pastaj edhe vulosi fitoren me një finalizim të bukur pas asistimit të Sakas (71’).

E tëra që bëri Bournemouth ishte goli i dytë dhe njëkohësisht i vetëm përmes të sapo inkuadruarit, Eli Junior Kroupi (76’).

Arsenali tani ikën gjashtë pikë në krye të Ligës Premier me 48 pikë, ndërsa Bournemouth zë pozitën e 15-të me 23 sosh./Telegrafi

Edon Zhegrova zhvillon mbi 45 minuta, Juventusi ndalet nga Lecce



Juventusi nuk ka arritur të fitojë më shumë se një pikë në shtëpi nga Lecce, në kuadër të xhiros së 18-të në Serie A.

“Zonja e Vjetër” u ndal në një barazim 1-1, sfidë që e dominoi në përgjithësi.

Juvenutsi e nisi për mrekulli për të rrezikuar me Jonathan David e Manuel Locatellin, por që nuk i finalizuan rastet.

Ishte Leeds që në rastin e parë të rrezikshëm e zhbllokuan epërsinë. Lameck Banda përfitoi nga një gabim amator në mbrojtje për të kaluar mysafirët përpara (45+2’).

Në fillimin e pjesës së dytë, Luciano Spalletti e vendosi Edon Zhegrovën në fushë në vendin e Conceicaos dhe menjëherë ndryshoi loja. Ylli i Kosovës ishte i përfshirë në aksionin e golit të barazimit.

Zhegrova dhuroi topin te McKennie, i cili pasoi për Kenan Yildiz, me këtë të fundit që ia ktheu amerikanit dhe ai shënoi në portë (49’).

Juventusi kishte rastin e artë për ta përmbysur epërsinë sidoqoftë David dështoi nga pika e bardhë (66’).

Juve e kërkoi golin deri në fund me Yildiz që kishte një tjetër mundësi shënimi, por nuk e finalizoi.

Kësisoj, Juventus qëndron në pozitën e pestë me 33 pikë ndërsa Lecce zë vendin e 16-të me 17 sosh./Telegrafi

Senegali fiton me përmbysje dhe kualifikohet në çerekfinale të Kupës së Afrikës



Kombëtarja e Senegalit ka fituar me përmbysje ndaj Sudanit për ta siguruar biletën për në çerekfinale të Kupës së Afrikës.

Siç pritej, Senegali ishte kombëtare më e fortë për të fituar me rezultat bindës 3-1.

Mysafirët shtangën të gjithë kur Aamir Abdallah shënoi një eurogol për ta zhbllokuar epërsinë pas vetëm gjashtë minutave lojë.

Ndërsa, lehtësisht mund të shënonin edhe golin e dytë por Mohamed Eisa dështoi nga afërsia, me Mendyn që bëri super pritje.

Pas kësaj, Senegali u këndell. Fillimisht, Sadio Mane dhuroi një asistim të bukur të Pape Gueye, i cili shënoi nga afërsia për ta barazuar rezultatin (29’).

Vendasit pastaj shënuan falë Ismaila Sarr, por goli u anulua për pozitë jashtë loje.

Sidoqoftë, vetëm dy minuta më vonë Gueye e tundi prapë rrjetën, këtë herë pas asistimit të Nicolas Jackson (45+3’).

Fitoren e Senegalit e vulosi Ibrahim Mbaye pas një aksioni fantastik (77’).

Kësisoj, Senegali bëhet kombëtarja e parë që kualifikohet në çerekfinale të Kupës së Afrikës, ndërsa pak më vonë do të mësohet ekipi i dytë mes Malit dhe Tunizisë./Telegrafi

Interi afër marrëveshjes për Joao Cancelon, Barcelona mbetet pengu i vetëm



Barcelona mbetet “pengesa e vetme” që qëndron mes Interit dhe transferimit të Joao Cancelos, megjithatë Nerazzurrët po shfaqen gjithnjë e më optimistë për nënshkrimin e mbrojtësit portugez gjatë këtij muaji.

Sipas raportimeve, Interi është pranë sigurimit të shërbimeve të Cancelos, i cili është lënë jashtë listës së Al-Hilalit si për kampionatin vendor ashtu edhe për Ligën e Kampionëve të AFC-së.

Ish-mbrojtësi i Interit dhe Juventusit ka pasur një përplasje me trajnerin Simone Inzaghi, çka e bën largimin e tij nga klubi saudit pothuajse të sigurt në afatin e janarit.

Al-Hilal është i gatshëm të mbulojë pjesën më të madhe të pagës së Cancelos gjatë huazimit për pjesën e dytë të sezonit. Ndërkohë, sipas “Gazzetta dello Sport”, në marrëveshje mund të përfshihet njëri nga Francesco Acerbi ose Stefan de Vrij.

Interi është i bindur se Al-Hilal do t’ia kthejë favorin klubit italian, pasi Nerazzurrët i lejuan Inzaghit të transferohej në Arabinë Saudite verën e kaluar, pavarësisht se trajneri kishte ende një vit kontratë në San Siro.

Raporti shton se Barcelona mbetet e vetmja pengesë reale, por katalanasit duket se tani kanë prioritete të tjera, ndaj Interi shpreson ta mbyllë marrëveshjen në ditët në vijim./Telegrafi

Kosova do t’i zhvillojë dy miqësore në janar



Kombëtarja e Kosovës në hendboll do t’i zhvillojë dy ndeshje miqësore gjatë këtij muaji, ka bërë të ditur të shtunën Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK).

Hendbollistët kosovarë më 8 janar, nga ora 17:00, do të përballen me Kuvajtin, ndërsa më 10 janar, nga ora 11:00, do të matin forcat me Algjerinë. Të dyja ndeshjet miqësore do të zhvillohen në Slloveni.

Sipas njoftimit të FHK-së, këto aktivitete shënojnë nisjen zyrtare të vitit garues 2026 për hendbollin kosovar. Kombëtarja A do të qëndrojë në Slloveni javën e ardhshme, ku miqësoret janë planifikuar nga shtabi teknik i udhëhequr nga selektori Jesper Ostlund, me synimin që ekipi të përgatitet sa më mirë dhe të jetë sa më i kompletuar për ndeshjet e ardhshme zyrtare.

“Federata e Hendbollit e Kosovës fillon menjëherë me aktivitete për vitin 2026. Javën e ardhshme Kombëtarja A e Kosovës në hendboll (meshkujt) do të qëndrojë në Slloveni, ku i luan dy ndeshje miqësore. Miqësoret janë planifikuar nga shtabi teknik i udhëhequr nga selektori Jesper Ostlund, që në ndeshjet e ardhshme garuese ekipit kombëtar të jetë sa më i gatshëm dhe sa më i komponuar. Kombëtarja jonë të martën mbrëma udhëton për në Lashko të Sllovenisë”, thuhet në njoftimin e FHK-së.

Kombëtarja e Kosovës pritet të udhëtojë të martën mbrëma drejt Laskos, ndërsa selektori Ostlund do të ketë në dispozicion një numër më të madh lojtarësh për këto dy përballje miqësore.

I shtohet konkurrenca Edon Zhegrovës? Federico Chiesa i hapur për rikthimin te Juventusi



Sulmuesi Federico Chiesa nuk është duke e kërkuar largimin nga Liverpooli, por ia ka lënë derën e hapur një rikthimi te Juventusi, skuadër nga e cila u largua më 2024.

Chiesa po shihet si opsion konkret për “Zonjën e Vjetër”, ndërsa “Gazzetta dello Sport” raporton se anësori i Liverpoolit gjithashtu është i hapur për t’u rikthyer në Torino.

Sidoqoftë, mediumi italian shton se Chiesa nuk do t’i bëjë presion LIverpoolit për ta shitur, pavarësisht që ende nuk e ka fituar vendin e titullarit.

Chiesa u përjashtua nga Juventusi në vitin 2024 për t’iu bashkuar Liverpoolit në ditën e fundit të afatit kalimtar, kur atëherë në krye ishte Thiago Motta si trajner.

Trajneri aktual Luciano Spalletti e pëlqen shumë lojtarin, andaj “Bianconerët” po shqyrtojnë mundësinë për ta kompletuar huazimin.

Liverpooli ndërkohë nuk do ta mohonte largimin e Chiesas, por gjithçka do të varet edhe nga Mohamed Salah, pra nëse ky i fundit ikën nga “Anfield” atëherë situata mund të ndryshojë./Telegrafi/

“E kryer”, Liverpooli e mposht Interin në nënshkrimin e talentit qendërmbrojtës



Liverpooli e ka kompletuar marrëveshjen për të nënshkruar me 17-vjeçarin Ifeanyi Ndukwe nga Austria Vienna.

Qendërmbrojtësi ka zënë vend shpejtë në Austri dhe ishte pjesë e grupmoshave U17 që arritën deri në finale të Kupës së Botës U17, aty ku fitoi vëmendjen e shumë skautëve.

Interi që një kohë ka interesim për Ndukwe, por mediumi austriak “Kurier” raporton se Liverpooli e ka fituar garën dhe do të nënshkruajë me talentin në një marrëveshje disa milionëshe.

Thuhet se “Reds” kanë pranuar të paguajnë 3 milionë euro, ndërsa do ta huazojnë menjëherë vitin tjetër që të fitojë sa më shumë eksperiencë.

Gazetari Fabrizio Romano raportoi gjithashtu se Ndukwe edhe refuzoi disa klube gjermane në mënyrë që t’i thotë “PO” skuadrës së Arne Slot.

Ndukwe përndryshe do të qëndrojë në Austri derisa t’i mbushë 18 vjeç, pastaj gjiganti anglez pritet ta huazojë te ndonjë rival për të fituar eksperiencë.

Liverpool e sheh talentin si një opsion mjaftë serioz për të ardhmen duke marrë parasysh se Virgil van Dijk do t’i mbushë 35 vjeç këtë vit, kurse Ibrahima Konate ka vetëm edhe gjashtë muaj të mbetur në kontratë./Telegrafi

Frikë te Real Madridi, gjiganti anglez e do me patjetër yllin holandez



Sipas Diario AS, gjiganti i Ligës Premier, Newcastle United, paraqesin një kërcënim serioz për Real Madridin në garën për mesfushorin e talentuar të AZ Alkmaarit, Kees Smit.

Mesfushori 19-vjeçar është në krye të listës së dëshirave të Los Blancos për verën e ardhshme, teksa madrilenët synojnë të përforcojnë mesfushën me një profil kreativ dhe kontrollues të lojës.

Performancat e tij kanë tërhequr vëmendjen e klubeve më të mëdha evropiane, ndërsa stili i lojës e ka çuar shpesh në krahasime me yllin e Barcelonës, Pedri.

AZ Alkmaar e vlerëson talentin holandez mbi 60 milionë euro, çmim që nuk ka trembur Newcastle, të cilët janë të gatshëm të investojnë fuqishëm për të siguruar shërbimet e tij dhe për të fituar garën ndaj Real Madridit.

Ndërkohë, madrilenët po mbajnë nën vëzhgim edhe alternativa të tjera për mesfushën, si Adam Wharton i Crystal Palace dhe Rodri i Manchester City, por emri i Kees Smit mbetet një nga prioritetet kryesore për të ardhmen.

Përndryshe, Smit preferon kalimin te Real Madridi por gjithashtu nuk do ta refuzonte ndonjë skuadër angleze meqenëse i pëlqen edhe Liga Premier./Telegrafi

Armando Broja: Lumturohem kur shënoj, jam më i fortë e më i shpejtë se në të kaluarën



Sulmuesi Armando Broja është i lumtur që ka rinisur të gjejë formën te Burnley, pas një periudhe të gjatë pa kontribuar me gol/asist.

Broja ka qenë ndër më të mirët në dy ndeshjet e fundit të Burnley, ku shënoi dhe asistoi në dy ndeshjet e fundit, ndërsa po përgatitet edhe për përballjen me Burnley.

Në intervistën për faqen zyrtare të Burnley, ylli shqiptar thotë se falë stërvitjes së jashtëzakonshme ka arritur në këtë nivel.

“Kur kam luajtur për herë të parë, është e lodhshme sepse e di sesa kërkuese është Liga Premier. është shumë e vështirë për çdo lojtar, është kampionat shumë fizik dhe është shumë e vështirë që të mbash ritmin në çdo ndeshje që të kesh vazhdueshmëri”.

“Prandaj mora pak kohë që të ndërtohesha ashtu si duhej fizikisht, u stërvita çdo ditë, çdo javë, që të bëhesha më i fuqishëm dhe jam edhe më i shpejtë tani.

Ai ndër të tjera falënderoi edhe trajnerin, si dhe konfirmoi se synon ta ndihmojë skuadrën edhe me driblime përpos kontributeve me gol e asist.

“Trajneri më ka hedhur në fushë dhe kjo më ka dhënë shumë besim edhe nga aspekti psikologjik tani, jam shumë më mirë sesa më parë. Jam gati edhe për ndeshjen tjetër me Brighton, jam stili i sulmuesit që lumturohem kur shënoj, si cdo kush tjetër, por nuk dua vetëm këtë”.

“Dua të marrë pjesë në ndeshje, të driblojë, të krijojë shanse për të tjerët dhe për veten, por të jem gjithmonë aty duke luajtur futboll dhe jo vetëm që të pres shansin për të shënuar. Tani jam rritur shumë në krahasim me më parë dhe ndihem më mirë”, nënvizoi Broja.

Kjo formë e Brojës vjen në momentin më të mirë, meqenëse Shqipëria në mars do ta zhvillojë play-offin e Kampionatit Botëror 2026./Telegrafi

Rafael Leao bën heroin, AC Milani e nis me fitore vitin 2026 dhe merr “timonin” e Serie A



AC Milani ka shënuar fitore në udhëtim te Cagliari, në ndeshjen hapëse të vitit 2026.

“Rossonerët” i arkëtuan pikët e plota me rezultat minimal 0-1, sfidë e vlefshme për xhiron e 18-të.

Cagliari kishte një rast të shkëlqyer pas vetëm dy minutave lojë mirëpo Marco Palestra dështoi nga afërsia.

Që atëherë, Milani dominoi në posedim si dhe krijoi disa raste të rrezikshme por iu mungoi finalizimi.

Riding the first wave of the year 🏄♂️ pic.twitter.com/SPotcLD2g8
— AC Milan (@acmilan) January 2, 2026

Ishte Rafael Leao që bëri heroin për të shënuar nga afërsia pas asistimit të Adrien Rabiot, ku mysafirët zhvilluan një aksion mahnitës (50’).

Me këtë fitore, Milani bëhet lider në Serie A me 38 pikë ndërsa Cagliari zë pozitën e14-të me 18 sosh./Telegrafi

Igli Tare thotë se Fullkrug e ka befasuar Milanin, e mohon largimin e Nkunkut



Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, ka folur për afrimin e Niclas Fullkrug dhe situatën e Christopher Nkunku, duke sqaruar zërat e afatit kalimtar dimëror.

Tare pranoi se klubi u befasua pozitivisht nga forma e sulmuesit gjerman pas transferimit nga West Ham United.

“Është e vërtetë që kishte edhe klube të tjera të interesuara, por pas lëndimit të Gimenezit na mungonin disa karakteristika në këtë skuadër. Për këtë arsye bëmë mirë që e transferuam Fullkrug herët, në marrëveshje me West Ham”, deklaroi Tare për Sky Sport Italia.

“Ai sjell shumë fizik, një prezencë të fortë në zonë, por mbi të gjitha entuziazëm të madh. Të gjithë u befasuam nga forma shumë e mirë që tregoi në stërvitje këtë javë dhe është një lojtar që do të na ndihmojë të arrijmë objektivat tona”.

Ndërkohë, Tare mohoi kategorikisht zërat që e lidhin Christopher Nkunkun me një transferim te Fenerbahçe, pavarësisht raportimeve se ai mund të përfshihej në negociata me klubin turk.

“Është normale që gjatë merkatos të ketë zëra, por ai nuk ka qenë asnjëherë në dyshim këtu”.

“Ai pati nevojë për kohë për t’u ambientuar dhe lëndimet nuk e ndihmuan. Në dy muajt e fundit kemi parë përmirësime, dy golat që shënoi javën e kaluar do t’i japin shumë besim. Ne besojmë se ai do të jetë një lojtar shumë i rëndësishëm për ne”, përfundoi Tare.

AC Milani ndërkohë synon ta nis vitin 2026 me fitore ndaj Cagliarit./Telegrafi

Nga rrugët e Baselit te yll i Sunderlandit: Historia e fortë e Granit Xhakës



Kapiteni i kombëtares zvicerane, Granit Xhaka, po aktivizohet në Ligën Premier që nga vera. Ai u transferua te Sunderland rreth gjashtë muaj më parë dhe me skuadrën e sapongjitur në elitë po bën jehonë të madhe në futbollin britanik.

Në një intervistë për “Suddeutsche Zeitung”, 33-vjeçari ka folur për transferimin, futbollin dhe jetën e tij.

“Kam ndjesinë se unë dhe njerëzit këtu jemi rritur në mënyrë të ngjashme: shumë tokë-këmbë, punëtorë dhe me një vullnet të fortë për të arritur diçka”.

“Prindërit e mi dikur erdhën në Basel me prejardhje shqiptare – pa gjuhë, pa miq, pa të afërm”.

Xhaka ka rrëfyer edhe për ambientin ku është rritur.

“Lagjja jonë kishte arkitektë dhe këshilltarë tatimorë, por edhe alkoolistë dhe përdorues droge. Gjithçka mund të kishte shkuar në çdo drejtim për mua. Kam përfituar nga edukimi i prindërve të mi – dhe nga vëllai im i madh, Taulanti”.

Sa i përket transferimit te Sunderland, mesfushori ka qenë shumë i hapur.

“Disa vendime kërkojnë kohë, por këtë e mora menjëherë".

Xhaka ka zbuluar se pronari e telefonoi diku në muajin qershor, rreth orës 23:00.

“Në Shqipëri thonë se një telefonatë në atë orë do të thotë ose diçka e keqe – ose diçka shumë e madhe. Në fillim mendova se ishte shaka dhe nuk besoja se ishte pronari”.

“Çelësi ishte se pronari nuk më kishte kontaktuar personalisht në asnjë nga transferimet e mia të mëparshme. Kjo më bëri shumë përshtypje”.

Kyril Louis-Dreyfus, në moshën 28-vjeçare kryetari më i ri i ligës, ishte i vendosur ta sillte Xhakën në Sunderland.

“Unë jam një lojtar që ka nevojë për vlerësim dhe ai ma dha këtë ndjenjë”.

Që nga ardhja te Sunderland, Granit Xhaka ka qenë një sukses i madh. Ai konsiderohet ndër lojtarët më të mirë të ligës, është boshti i skuadrës dhe një nga arsyet kryesore për sezonin fantastik që po zhvillon ekipi deri më tani.

“Para së gjithash, duam të sigurojmë qëndrimin në ligë; gjithçka tjetër është bonus. Deri tani nuk e kemi diskutuar asnjëherë renditjen në dhomat e zhveshjes. E di nga përvoja se gjysma e dytë e sezonit mund të jetë e vështirë. Kemi potencial dhe duhet të vazhdojmë të besojmë te vetja – atëherë mund të kemi një sezon të suksesshëm”.

“Për sa kohë jam i shëndetshëm, në formë dhe i uritur. Shumë trajnerë më kanë këshilluar: luaj sa më gjatë të jetë e mundur. Gjithçka tjetër mund të bëhet më vonë”.

Sa i përket së ardhmes pas futbollit, gjithçka mbetet e hapur, por Xhaka ka zbuluar se po investon seriozisht edhe në një karrierë të mundshme si trajner.

“Katër ose pesë vjet më parë, kur isha te Arsenali, fillova të punoja për licencën e trajnerit. Tani e kam licencën A. Kjo më ndihmon – bashkë me moshën dhe përvojën – ta shoh futbollin nga një këndvështrim tjetër. Tani dua t’i bëj lojtarët e tjerë më të mirë: përmes paraqitjeve, motivimit dhe lidershipit”./Telegrafi

Ylli i Interit refuzon Fenerbahcen, preferon kalimin te rivali Juventus



Davide Frattesi duket i vendosur për të ardhmen e tij, teksa sipas “Tuttosport”, mesfushori i Interit ka refuzuar një ofertë nga klubi turk Fenerbahçe, pasi synon një transferim te Juventusi gjatë afatit kalimtar të janarit.

Raporti thekson se 26-vjeçari shpreson të largohet nga “Nerazzurrët” këtë muaj, për shkak të hapësirave të kufizuara që po gjen nën drejtimin e trajnerit Cristian Chivu.

Frattesi dëshiron të rilançojë karrierën e tij dhe e sheh Juventusin si destinacionin ideal, veçanërisht duke pasur parasysh se jemi në një vit Botërori.

Mesfushori italian ishte golashënuesi më i mirë i Italisë gjatë epokës së Luciano Spallettit dhe beson se një rol më i rëndësishëm te “Bianconerët” do ta ndihmonte të rikthehej në nivelin më të lartë.

Megjithatë, transferimi nuk pritet të jetë i lehtë. Interi ka vendosur një çmim mbi 30 milionë euro për kartonin e lojtarit, çka do të thotë se Juventusi do të duhet të negociojë për të ulur shifrën nëse dëshiron ta transferojë Frattesin këtë muaj.

Ndërkohë, trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, ka mbajtur një qëndrim të kujdesshëm sa i përket merkatos së dimrit. Në një konferencë për shtyp të mbajtur të premten, ai deklaroi se nuk ka kërkuar afrimin e lojtarëve të rinj gjatë këtij afati kalimtar./Telegrafi

Spalletti i beson skuadrës: Nuk më nevojiten transferime tjera në janar



Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti ka deklaruar se nuk ka kërkuar përforcime në afatin kalimtar të janarit, pavarësisht raportimeve se klubi po kërkon një qendërmesfushor.

Me hapjen zyrtare të afatit kalimtar dimëror, disa burime pranë klubit kanë raportuar se “Bianconerët” po shqyrtojnë mundësinë për të afruar një lojtar të ri në mesfushë, por tekniku italian ka mohuar se kjo është kërkesë e tij.

“Erdha te Juventusi me marrëveshje të qarta që në momentin kur e pranova këtë detyrë. Nuk pres asgjë, jam shumë i kënaqur me lojtarët që kam në dispozicion”, ka deklaruar Spalletti për “Ilbianconero.com”.

Juventusi ka fituar shtatë nga tetë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, ndërsa sipas raportimeve të La Gazzetta dello Sport, drejtuesit e klubit tashmë po mendojnë për një zgjatje të kontratës së trajnerit.

Megjithatë, Spalletti ka bërë të qartë se as kjo nuk është prioritet për të në këtë moment.

“Nëse do të kisha pasur nevojë për diçka tjetër për t’u ndier më i sigurt me një kontratë më afatgjatë, do ta kisha diskutuar që në fillim, kur fola me Comollin. Nuk e bëra dhe jam mirë në çdo aspekt”.

“Më duhet vetëm të ndihem mirë me punën time dhe me njerëzit që bashkëpunojnë me mua në dhe jashtë fushës. Kam gjetur njerëz jashtëzakonisht profesionistë, që respektojnë rolet dhe punën që duhet bërë. Ne ndajmë të njëjtat objektiva”.

Spalletti konfirmoi se objektivi kryesor mbetet kualifikimi në Ligën e Kampionëve.

“Qëllimi është Liga e Kampionëve dhe po punojmë në atë drejtim. Në qershor do të bëjmë vlerësimet më të mira, në të mirë të Juventusit dhe tifozëve. Nëse gjithçka është e kënaqshme për të gjithë, atëherë mund të flasim për diçka tjetër. Për momentin, nuk kam nevojë për asgjë tjetër”, përfundoi ai./Telegrafi

❌