Në pikat e kalimit kufitar të Kosovës po vërehet qarkullim kryesisht normal, me pritje të shkurtra si për automjete ashtu edhe për kamionë, sipas të dhënave më të fundit të publikuara sot.
Në shumicën e pikave kufitare, pritjet për hyrje dhe dalje të automjeteve sillen nga 3 deri në 5 minuta, pa krijim kolonash. Situata është e njëjtë edhe për qarkullimin e kamionëve, ku pritjet janë minimale dhe pa vonesa.
Përjashtim bën pika kufitare në Jarinjë, ku për hyrje të automjeteve raportohen pritje prej 40 deri në 50 minuta, me kolonë rreth 500 metra, ndërsa në dalje pritjet janë 5 deri në 10 minuta me kolonë rreth 20 metra. Për kamionët në këtë pikë, qarkullimi mbetet normal.
Në pikat e tjera si Bërnjak, Dheu i Bardhë, Glloboçicë, Hani i Elezit, Kullë, Merdarë, Muçibabë, Mutivodë, Qafë e Morinës, Qafë e Prushit, Stançiq dhe Vërmicë, nuk raportohet për kolona apo pritje të zgjatura.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të informohen rregullisht për gjendjen në kufi, veçanërisht gjatë orëve të pikut dhe festave.
Ademi Kusari, babai i politikanes së njohur kosovare Mimoza Kusari-Lila, ka ndërruar jetë pasditen e sotme pas një sëmundjeje të shkurtër.
Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur vetë Mimoza Kusari-Lila përmes një postimi, ku ka njoftuar familjarët, miqtë dhe opinionin publik për ndarjen nga jeta të babait të saj.
Në njoftim thuhet se Ademi Kusari u nda nga jeta i rrethuar nga dashuria e familjes, me dinjitet dhe respekt për jetën dhe njeriun, vlera që e kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës së tij.
Ajo theksoi se kujtimi dhe mësimet që ai la pas do t’i shoqërojnë gjithmonë.
Familja ka bërë të ditur se për detajet e ceremonisë mortore do të njoftohet në ditët në vijim.
Glauk Konjufca ishte dje në Ferizaj, ku nga sheshi i qytetit, bashkë me kandidatët për deputetë nga kjo komunë, shpërndau prograramin qeverisës për 4 vitet e ardhshme.
Në bashkëbisedim me qytetarët, ai tha se ky program sjellë siguri për vendin e mirëqenie për qytetarët.
Konjufca vazhdoi më pas për vizitë te familja Alijaj, në fshatin Bibaj të Ferizajt.
Ai tha se angazhimi patriotik i kësaj familje, si brenda vendit ashtu edhe në mërgatë, flet shumë për dashurinë e tyre për vendin e vendosmërinë e përbashkët për të mos lëshuar pe në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Nga Ferizaj, Konjufca vazhdoi fushatën dhe bashkëbisedimet me qytetarët, në fshatin Llugaxhi të Lipjanit.
Derisa ai ndau me qytetarët punët e mira të Qeverisë Kurti dhe zotimet për mandatin e ardhshëm, qytetarët u zotuan se përkushtimi dhe vota e tyre do të kontribuojë në zgjedhjen e Albin Kurti kryeministër për herë të tretë.
Në kuadër të grupit parlamentar me SDA e Sanxhakut dhe Lëvizjen e Qytetarëve të Lirë (PSG), deputeti Shaip Kamberi ka dorëzuar në Kuvendin Popullor të Serbisë propozimin për shfuqizimin e ligjit që ratifikon marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Serbisë dhe Qeverisë së Federatës Ruse për themelimin e Qendrës Humanitare Serbo-Ruse në Nish.
Pas 13 vitesh funksionimi, sipas Kamberit, nuk ka prova që qendra ka vepruar në interes të qytetarëve të Serbisë apo ka luajtur rol të rëndësishëm në përballimin e fatkeqësive natyrore. Përkundrazi, veprimtaria e saj është karakterizuar nga mungesë transparence, paqartësi rreth financimit dhe dyshime serioze për rol politik dhe të sigurisë, si brenda vendit, ashtu edhe në rajon.
Një tjetër shqetësim i shprehur ka qenë tentativa për t’i dhënë qendrës dhe stafit të saj status diplomatik dhe imunitet, çka nuk përputhet me praktikat standarde të misioneve humanitare. E
kspertë vendorë dhe ndërkombëtarë kanë paralajmëruar se struktura të tilla mund të përdoren për veprimtari inteligjente dhe destabilizuese, sidomos pranë objekteve strategjike.
Sipas Kamberit, hulumtimet e gazetarëve investigativë tregojnë se persona të lidhur me shërbimet ruse të inteligjencës dhe grupe paramilitare në Serbi kanë marrë pjesë në trajnime për nxitjen e trazirave gjatë zgjedhjeve në Moldavi dhe Rumani.
Shfuqizimi i ligjit synon të largojë dyshimet ekzistuese dhe të përshpejtojë rrugën evropiane të Serbisë, pasi qendra ka qenë objekt kritikash në raportet e Komisionit Evropian dhe institucioneve të tjera të Bashkimit Evropian.
Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për deputet, Pal Lekaj, ka zhvilluar takime me banorët e fshatrave Lipovec, Gërqinë, Damjan dhe Bishtazh, ku ka prezantuar planin qeverisës të Aleancës për katër vitet e ardhshme dhe projektet e mëdha që pritet të realizohen në Kosovë.
Lekaj theksoi se Kosova ka nevojë për udhëheqje të fortë dhe një qeveri që vendos qytetarin në qendër, duke nënvizuar se Aleanca është e gatshme të marrë këtë përgjegjësi me Ramush Haradinajn në krye.
Takimet ishin pjesë e fushatës për t’u afruar më pranë qytetarëve dhe për të diskutuar prioritetet strategjike të qeverisjes së ardhshme.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe i dyti në listën zgjedhore të kësaj partie për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Uran Ismaili, ka vizituar Gjilanin, ku është takuar me qytetarë të shumtë dhe ka bashkëbiseduar me ta për problemet e përditshme.
Disa nga këto biseda, Ismaili i ka ndarë edhe në rrjetet e tij sociale, ku dëgjohen qytetarë që shprehin shqetësimin për çmimet e larta, faturat e energjisë elektrike dhe koston e papërballueshme të jetesës.
“Në bashkëbisedime me qytetarë në Gjilan dëgjova të njëjtat brenga si në çdo qytet tjetër të Kosovës. Çmimet e rritura, faturat e larta të energjisë elektrike dhe kostoja e papërballueshme e jetës. Me Bedri Hamzën kryeministër, do t’i ulim çmimet dhe koston e jetës duke e hequr TVSH-në nga produktet bazë dhe nga faturat e energjisë elektrike”, ka shkruar Ismaili në rrjetet e tij sociale.Ismaili mes qytetarëve në Gjilan: Qeveria e Bedri Hamzës do t’i ulë çmimet dhe koston e jetës për të gjithë (VIDEO)
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe i dyti në listën zgjedhore të kësaj partie për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Uran Ismaili, ka vizituar Gjilanin, ku është takuar me qytetarë të shumtë dhe ka bashkëbiseduar me ta për problemet e përditshme.
Disa nga këto biseda, Ismaili i ka ndarë edhe në rrjetet e tij sociale, ku dëgjohen qytetarë që shprehin shqetësimin për çmimet e larta, faturat e energjisë elektrike dhe koston e papërballueshme të jetesës.
“Në bashkëbisedime me qytetarë në Gjilan dëgjova të njëjtat brenga si në çdo qytet tjetër të Kosovës. Çmimet e rritura, faturat e larta të energjisë elektrike dhe kostoja e papërballueshme e jetës. Me Bedri Hamzën kryeministër, do t’i ulim çmimet dhe koston e jetës duke e hequr TVSH-në nga produktet bazë dhe nga faturat e energjisë elektrike”, ka shkruar Ismaili në rrjetet e tij sociale.
Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka kryer hetime për verifikimin e pasurive të mundshme në Shqipëri të 89 shqiptarëve të Kosovës, pas dyshimeve se mund të krijuar mbi të ardhura kriminale.
Veprimet hetimore janë kryer në zbatim të një letërporosie të dërguar nga autoritetet e drejtësisë në Kosovë, që po hetojnë 31 persona të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal të angazhuar në trafik droge dhe pastrim të parave.
Të gjithë janë identifikuar për shkak të komunikimeve në aplikacionin SKY ECC, bazuar në të dhënat e marra nga autoritetet belge dhe franceze të drejtësisë.
Kërkesa e bërë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është miratuar nga Gjykata e Posaçme, që i ka dhënë dritë jeshile SPAK të kryejë hetime për llogari të palës kosovare.
Nga hetimi në këtë shtet ka rezultuar se të pandehurit fitimin e gjeneruar nga aktiviteti kriminal e kanë transferuar nëpër biznese të ndryshme, të cilat janë themeluar nga vetë të pandehurit dhe persona të tjerë. Po ashtu, një pjesë të pasurisë rezulton të jetë konvertuar në prona të luajtshme dhe të paluajtshme si tokë, shtëpi, banesa, vetura etj., me qëllim fshehjen e burimit të vërtetë.
Referuar hetimit në Kosovë, rezulton se të pandehurit i kanë investuar paratë e trafikut të drogës në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, si brenda territorit të Republikës së Kosovës, ashtu dhe në vende të tjera përfshirë këtu dhe Republikën e Shqipërisë.
Për këtë arsye, pala kosovare kërkon të kalohet në filtër jo vetëm pasuritë e tyre, por edhe të 58personave të tjerë, familjarë të tyre, në emër të të cilëve mund të jenë regjistruar pasuritë e paligjshme.
Në zbatim të kërkesës së drejtësisë kosovare, SPAK do të gjurmojë jo vetëm pasuritë e mundshme të patundshme të tyre, por edhe nëse kanë hapur llogari bankare në banka të nivelit të dytë në Shqipëri, raporton A2CNN.
Një aksident me fatalitet ka ndodhur rreth orës 00:50 në rrugën “Shefki Kuleta” në Fushë Kosovë.
85-vjeçari Isuf Obrazhda, u godit nga një veturë.
Si pasojë e lëndimeve të rënda, viktima u dërgua për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, por megjithë përpjekjet e stafit mjekësor, rreth orës 06:00 të mëngjesit të sotëm, është konfirmuar vdekja e tij.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, trupi i pajetë i viktimës i është dorëzuar familjarëve.
Rasti po hetohet nga organet kompetente si aksident komunikacioni me fatalitet, për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes.
Arbër Grabovci, që në zgjedhjet e fundit lokale të këtij viti, ishte bartësi i listës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Pejë, tashmë ka konfirmuar hapin e tij drejt skenës qendrore politike për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit.
AAK në Zgjedhjet lokale të tetorit shënoi rritje të votës partiake dhe të numrit të ulëseve në Asamble.
Grabovci vlerësohet për përkushtimin e tij ndaj çështjeve lokale dhe përfaqësimit të qytetarëve, ndërsa kandidimi i tij për Kuvendin e Kosovës shihet si një hap drejt forcimit të zërit të Pejës në nivel qendror.
I renditur në listën zgjedhore të AAK-së (129) me numrin 82, Arbëri është një prej emrave të spikatur që synojnë të sjellin zërin e komunitetit pejan dhe përvojën e tyre në Kuvendin e Kosovës.
Kandidaturën e Grabovcit për AAK-në, e ka shpallur Ardian Gjini, edhe zyrtarisht në hapje të fushatës nga ky subjekt.
Kandidatura e Grabovcit për deputet nga AAK, shpreh angazhimin e tij të vazhdueshëm për zhvillimin lokal dhe përfaqësimin e interesave të qytetarëve në nivel kombëtar. Pjesëmarrja në listën e AAK-së tregon për besimin e strukturave të partisë në përvojën e tij dhe vizionin e tij për të kontribuar në procese politike me ndikim të gjerë.
Në Qeverinë e kryeministrit Avdullah Hoti, Arbër Grabovci ka qenë Zv/Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, nga AAK.
Me një përvojë të gjatë edhe në media, dikur si Kryeredaktorm i RTV ‘Dukagjjini’ e më pas bashkëthemelues i ‘RADIO 1’ dhe me një kontribut të vazhdueshëm në sportin kosovar, Arbër Grabovci vjen në politikë me një bagazh të ndërtuar mbi ndershmëri, transparencë dhe përkushtim publik.
Ai konsiderohet si një zë i afërt me qytetarët, që njeh nga afër sfidat e të rinjve, sportistëve dhe komunitetit.
Grabovci njihet edhe si futbollist i dikurshëm i KF “Buduçnosti” i Pejës deri në sportin paralel për të kaluar bashkë me ekipin tek K.F. ‘Besa’, si lojtar i brezit të Republikës, përderisa menjëherë pasluftës ishte edhe Kryetrajner i K.F. ‘Besa’, në një periudhë të shkurtër.
Kandidatura e tij për deputet shihet si një vlerë e shtuar për AAK-në, duke sjellë në garë një profil që ndërthur komunikimin publik, disiplinën sportive dhe integritetin personal.
Ai synon të përfaqësojë interesat e qytetarëve me përgjegjësi dhe etikë, duke e bartur përvojën e tij nga media dhe sporti në shërbim të vendimmarrjes institucionale.
Për një kohë, Arbër Grabovci u vu edhe në krye të degës së AAK-së në Pejë, në një periudhë kur kjo degë ndodhej në vështirësi të theksuara të jetës opozitare.
Me AAK-në dhe Ramush Haradinajn, Arbër Grabovci mbanë afërsi dhe miqësi familjare që nga paslufta dhe themelimi i subjektit.
Zgjedhjet e 28 dhjetorit pritet të jenë të rëndësishme për formimin e institucioneve të reja, dhe emrat si ai i Grabovcit pretendojnë të sjellin përvojë, angazhim dhe energji të re si në AAK ashtu edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës./Njeshi&RADIO 1/
Kandidati për Kryeministër Lumir Abdixhiku nga tubimi në Lipjan, falenderoi të gjithë mërgimtarët të cilët po marrin pjesë në tubimet e LDK-së.
Ai tha se të tjerët kanë llogaritur keq tek Mërgata e LDK-së.
Sipas gij, të tjerët anë harruar se LDK dhe Mërgata janë një.
“Faleminderit për pjesëmarrjen nëpër tubimet tona, e dashur mërgatur. E di që të tjerët kanë llogaritur keq tek Mërgata jonë. Kanë harruar se Mërgata dhe LDK janë një, kanë qenë dhe do të mbesin një gjithmonë”, tha Abdixhiku në Lipjan.
Ai tutje bëri thirrje për të punuar dhe treguar forcën e vërtetë që ka Mërgata.
Kryetari i OVL UÇK, Hysni Gucati, ka reaguar ashpër ndaj Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke i akuzuar për mungesë ndjeshmërie dhe veprim johuman në rastin e ish-komandantit Salih Mustafa(Cali), pas vdekjes së babait të tij.
Në një lidhje direkte në FIVE në RTV Dukagjini, Gucati tha se Salih Mustafës nuk iu lejua asnjë vizitë humanitare për ta parë babain e tij për së gjalli, qoftë edhe për disa minuta.
Sipas tij, tani që babai i Mustafës ka ndërruar jetë, Calit duhet ti lejojnë të paktën ardhjen për t’i dhënë lamtumirën e fundit.
“S’e lejuan Salih Mustafën ta vizitojë babain e tij për së gjalli. Nuk ia mundësuan një vizitë humanitare, qoftë edhe për disa minuta. Tani që ai nuk është më në jetë, së paku ta lejojnë Salih Mustafën të vijë për t’i dhënë lamtumirën e fundit”, deklaroi Gucati.
Ai theksoi se ky veprim përbën një padrejtësi të rëndë dhe një akt thellësisht johuman, duke nënvizuar se nuk bëhet fjalë për çështje politike apo procedurale, por për një të drejtë elementare njerëzore.
“Kjo është një padrejtësi e madhe dhe një veprim thellësisht johuman. Nuk po flasim për asgjë politike, nuk po flasim për proces gjyqësor, por për një akt elementar njerëzor, për një të drejtë bazike që i takon çdo njeriu, pavarësisht se ku ndodhet”, u shpreh ai.
Gucati shtoi se babai i Salih Mustafës u nda nga jeta pa pasur mundësinë ta shohë djalin e tij për herë të fundit, duke e cilësuar këtë dhimbje si të pajustifikueshme nga çdo procedurë administrative.
“Babai i Salih Mustafës u nda nga jeta pa pasur mundësinë ta shohë djalin e tij për herë të fundit. Kjo dhimbje nuk mund të arsyetohet me asnjë procedurë dhe me asnjë justifikim administrativ”, tha ai.
Në fund, kreu i OVL UÇK-së kërkoi rishqyrtimin urgjent të vendimit nga institucionet përgjegjëse dhe lejimin e ardhjes së Salih Mustafës për varrim, duke paralajmëruar se dhimbja e familjes nuk duhet të shndërrohet në pjesë të dënimit.
“Kërkojmë që institucionet përgjegjëse ta rishqyrtojnë këtë vendim dhe të lejojnë ardhjen e Salih Mustafës për varrim. Mos ta vazhdojnë këtë qasje çnjerëzore, sepse dhimbja e familjes nuk duhet të bëhet pjesë e dënimit. Kjo nuk është drejtësi. Kjo është padrejtësi dhe mungesë totale ndjeshmërie njerëzore”, tha mes tjerash Gucati.
Partia Demokratike e Kosovës ka vazhduar publikimin e një serie të veçantë videosh, përmes së cilës adreson tema të rëndësishme politike dhe ekonomike.
Përmes këtyre videove, PDK jo vetëm që shpalos arsyet pse Bedri Hamza duhet të votohet për Kryeministër të Republikës së Kosovës, por edhe kritikon Albin Kurtin dhe qeverinë e tij për dështimet gjatë mandatit.
Veçantia e kësaj serie qëndron në vazhdimin e përdorimit të Inteligjencës Artificiale në komunikimin e fushatës, një qasje që PDK e ka shfrytëzuar edhe më herët, përfshirë edhe në krijimin e këngës së fushatës We Rise Together.
Videot janë shumë të shkurtra, me kohëzgjatje prej rreth 10 sekondash, me pothuajse vetëm një pamje dhe të shoqëruara me dy fjali të qarta, duke përcjellë mesazhe direkte dhe lehtësisht të kuptueshme për qytetarët.
Videoja e publikuar sot nga PDK, i referohet kritikës ndaj krizës ekonomike dhe rritjes së çmimeve gjatë Qeverisë Kurti.
Në video shihet një fëmijë me nënën e tij, të dy të mërzitur, që po arrijnë të blejnë një lodër në dyqan.
“Ëndrrat nuk duhet të kushtojnë kaq shtrenjtë. Keq, Albin”.
Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka deklaruar se dy kandidatë të larguar nga partia “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë” e Nenad Rashiqit, sipas të gjitha gjasave, janë ndaluar në Serbi nga institucionet e sigurisë serbe.
Sipas tij, gjatë ndalimit ndaj tyre është ushtruar presion i jashtëzakonshëm, duke i detyruar të dalin publikisht me deklarata për largimin e tyre nga subjekti politik.
“Nëse nuk do ta bënin këtë, do të arrestoheshin apo do të përballeshin me pasoja edhe më të rënda”, ka shkruar Musliu në Facebook.
Ai ka vlerësuar se kjo përfaqëson mekanizmin përmes të cilit presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i detyron serbët e Kosovës të votojnë në funksion të interesave të Serbisë, konkretisht për Listën Serbe.
“Vuçiq krenohet me këtë veprim, por të gjithë e dinë, ose duhet ta dinë, se kjo përbën një krim të rëndë ndaj një qytetari dhe një ndërhyrje flagrante në zgjedhjet në Kosovë”, ka shtuar ai.
Musliu ka bërë të ditur se familjarët dhe rrethi i ngushtë i Nikolçeviçit janë plotësisht të informuar për presionin e ushtruar ndaj tij, si dhe për faktin se ai nuk ka pasur asnjë mundësi reale për ta kundërshtuar apo denoncuar këtë presion, as pas largimit nga Serbia.
“Këto janë metoda brutale shantazhi të stilit rus, të cilat Serbia po i aplikon sistematikisht ndaj serbëve të Kosovës dhe, në mënyrë direkte, ndaj vetë Kosovës”, ka përfunduar Musliu.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL UÇK) ka njoftuar se ka pranuar një telefonatë nga bashkëluftëtarët që aktualisht po mbahen në Hagë, të cilët kanë kërkuar që përmes organizatës t’i përcillen ngushëllimet për familjen Mustafa, pas ndarjes nga jeta të babait të Salih Mustafës – Cali.
Në mesazhin e OVL-së thuhet se ngushëllimet vijnë në emër të ish-pjesëtarëve të UÇK-së si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Salih Mustafa, Pjetër Shala, Fadil Fazliu dhe Bashkim Smakaj, si dhe në emër të vetë organizatës.
“Jemi pranë familjes Mustafa me respekt, solidaritet dhe përulje në këto çaste të rënda. Kujtimi për bacën Jahja do të jetojë përherë ndër ne”, thuhet në njoftim.
OVL e UÇK-së vazhdimisht ka shprehur solidaritet me familjet e dëshmorëve dhe veteranëve, duke shërbyer gjithashtu si kanal komunikimi për mesazhet publike nga ish-pjesëtarët e UÇK-së që ndodhen në paraburgim në Hagë.
Pronari i Golden Eagle dhe themeluesi i Fondacionit Frutex & Golden Eagle, Shaqir Palushi, ka paralajmëruar qytetarët për persona mashtrues që gjatë ditëve të fundit po paraqiten në disa qytete, duke ofruar ndihma të rreme në emrin e fondacionit dhe të tijin.
Palushi ka bërë të ditur se Fondacioni Frutex & Golden Eagle nuk kërkon asnjëherë pagesë për ndihmat që ofron, dhe çdo kërkesë për pagesë në këmbim të ndihmave përbën mashtrim.
Ai ka bërë thirrje që qytetarët të mos bien pre e këtyre mashtrimeve dhe çdo rast të tillë ta raportojnë menjëherë te organet e sigurisë.
Ky paralajmërim vjen pas disa raportimeve për persona që përdorin emrin e fondacionit për përfitime të jashtëligjshme, duke rrezikuar qytetarët e qyteteve të ndryshme.
Gjatë një bisedë për promovimin e romanit të tij “Jam Musliman”, shkrimtari dhe analisti Ben Blushi ka diskutuar për karakterin shumë mashkullor të feve dhe mënyrën se si ato kanë përdorur autoritetin për të nënshtruar gratë.
Blushi ka theksuar se, sipas tij, fetë kryesore, përfshirë Krishtërimin dhe Islamin, i kanë dhënë burrave privilegje mbi gratë, duke vendosur rregulla të cilat kufizojnë liritë e tyre dhe kërkojnë nga gratë të mbulojnë trupin e të ulin shikimin, ndërsa burrat nuk i nënshtrohen të njëjtave rregulla
Ai ka argumentuar se nëse fetë do të kishin kërkuar nga të dyja gjinitë të respektonin këto rregulla, shumë dhunë dhe krime ndaj grave do të ishin shmangur gjatë historisë.
Blushi ka folur edhe për mungesën e grave në klerikatin fetar, duke vënë në dukje se asnjë prift, imam apo profet i madh nuk është grua dhe se kjo ka krijuar një strukturë patriarkale që ka privilegjuar burrat.
Ai ka lidhur këtë temë me romanin e tij, ku trajtohet edhe një rast i një martese mes një burri 70-vjeçar dhe një vajze 12-vjeçare, duke treguar pasojat e këtij modeli mashkullor në praktikë.
Sipas Blushit, fetë janë përdorur për të ruajtur interesat tokësore të burrave dhe për të dominuar marrëdhëniet brenda familjes dhe shoqërisë, ndërsa gratë kanë pasur role të kufizuara dhe shpesh të pashembullta. Ai ka argumentuar se edhe koncepti i Zotit është vizatuar sipas tipareve mashkullore, duke refuzuar një përfaqësim më të balancuar gjinor.
Blushi ka përfunduar duke vënë në dukje se, edhe pse feja e krishterë ka shenjtore, ato shpesh shihen vetëm pas vdekjes dhe jo gjatë jetës, duke treguar se gratë nuk kanë pasur një rol aktiv në modelimin e fesë./Telegrafi.
Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Berat Rukiqi, ka prezantuar një qasje alternative për zgjidhjen e çështjes së banimit, duke theksuar se fokusi nuk duhet të jetë te ndërtimi i banesave sociale, por te përkrahja direkte për familjet e reja.
Rukiqi ka propozuar subvencionimin e kamatës për çdo kredi për blerjen e banesave nga çiftet e reja, duke vlerësuar se një masë e tillë do ta bënte jetën më të përballueshme për familjet dhe njëkohësisht do të krijonte qarkullim në ekonomi.
Sipas tij, pamundësia për të blerë një pronë për banim është një nga arsyet kryesore që shtyn të rinjtë drejt migrimit.
Ai ka theksuar se përkrahja financiare për banim do të ndihmonte në mbajtjen e të rinjve në vend dhe në krijimin e kushteve më të mira për jetesë dhe zhvillim.
Rukiqi ka bërë të ditur se kjo qasje është pjesë e vizionit të tij politik për forcimin e familjes, nxitjen e ekonomisë dhe adresimin e sfidave sociale që po përballen të rinjtë në Kosovë.
Gazetari dhe analisti nga Beogradi, Radomir Dimiq, ka bërë thirrje publike për pjesëmarrje masive në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, duke u drejtuar qytetarëve të Kosovës pa dallim etnik apo fetar, me theks të veçantë komunitetit serb.
Duke folur në emër të subjektit politik Kosova Multietnike, të cilin e drejton, Dimiq ka theksuar se ky subjekt që nga themelimi angazhohet për kulturë politike demokratike, prosperitet evropian dhe forcimin e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.
Ai ka vlerësuar se zgjedhjet e ardhshme paraqesin një moment historik për dhënien e një qeverie meritore dhe stabile për shtetin e Kosovës.
Sipas Dimiqit, komuniteti serb në Kosovë ka një përgjegjësi të veçantë historike që të dëshmojë pjekuri politike përmes pjesëmarrjes aktive në zgjedhje dhe kontributit për zgjidhje serioze politike.
Ai ka bërë thirrje që të mos votohet për partitë politike serbe pasi, janë të lidhura me struktura mafioze dhe kriminale në Beograd dhe që, siç u shpreh, ushqejnë urrejtje ndaj Republikës së Kosovës.
Dimiq ka kërkuar largimin e Listës Serbe nga skena politike, duke e cilësuar këtë subjekt si faktor destabilizues dhe ushtrues presioni dhe frikë ndaj popullatës serbe në veri të Kosovës.
Ai ka paralajmëruar kundër manipulimit të qytetarëve dhe përfshirjes së tyre në tensione dhe barrikada, duke theksuar se përfituesit e këtyre situatave, sipas tij, qëndrojnë jashtë Kosovës.
Në deklaratën e tij, Dimiq ka vlerësuar se këto zgjedhje janë një mundësi e fundit që qytetarët lojalë ndaj shtetit të Kosovës të mbështesin forcat demokratike që angazhohen për bashkëjetesë paqësore, siguri dhe zhvillim për të gjithë.
Ai ka theksuar se perspektiva e serbëve të Kosovës, sipas tij, qëndron në ndërtimin e besimit dhe bashkëjetesës brenda Kosovës dhe në orientimin drejt integrimit evropian.
Në fund, Dimiq ka sugjeruar se për serbët e Kosovës një alternativë më e favorshme mund të jetë mbështetja e subjekteve politike që promovojnë stabilitet, siguri dhe zhvillim të përbashkët, duke u distancuar nga, siç i quajti ai, politikat destruktive dhe nacionaliste që vijnë nga Beogradi./Telegrafi.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se përfaqësuesit serbë në Kosovë duhet të fitojnë vendet e tyre në institucione dhe të përfaqësojnë interesat e popullit serb, e jo, siç tha ai, interesat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Në një deklarim publik, Vuçiq ka bërë thirrje që serbët të përfaqësohen përmes Listës Serbe, duke shprehur mbështetje të hapur për këtë subjekt politik dhe pritjen që ai të fitojë numrin më të madh të mandateve të rezervuara për komunitetin serb. Sipas tij, përfaqësuesit e zgjedhur duhet të veprojnë në interes të popullit serb në Kosovë.
Vuçiq ka përmendur edhe rastin e një kandidati nga Shtërpca, Nikoliçeviq, i cili, sipas tij, është larguar nga lista që ai e quajti “lista e Rashiqit”, duke theksuar se ky veprim përbën një mesazh pozitiv.
Ai tha se e mbështet sinqerisht këtë vendim dhe shpreson në një fitore të rëndësishme për Listën Serbe.
Duke folur për zhvillimet e tjera politike, presidenti serb ka deklaruar se nuk është i njohur me sondazhet e fundit nga Kosova, duke shtuar se pret që ditët në vijim të ketë më shumë kohë për t’u marrë me këto çështje./Telegrafi.
Evidencat e Sistemit të Menaxhimit të Integruar, flasin për rreth 500 mijë hyrje të qytetarëve të Kosovës përmes pikëkalimeve kufitare tokësore dhe ajrore. Ndërkohë një fluks i shtuar shihet në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Bazuar në të dhënat zyrtare të Policisë, të nxjerra nga Sistemi i Menaxhimit të Integruar dhe raportimet nga rajonet përkatëse, gjatë javës së kaluar janë regjistruar rreth 500 mijë hyrje të qytetarëve të Kosovës përmes pikëkalimeve kufitare tokësore dhe ajrore.
Zyrtar për informim në ANP ” Adem Jashari ” në Prishtinë bëjnë të ditur që festat e fund vitit janë duke i sjellur shumë bashkëkombës tonë, ndërkohë që linjat tona me vende tjerë të BE-ë janë ato të cilat po krijohen që të ketë qarkullim sa më të lirë e të mundshëm për qytetar të vendit tonë.
Kulmi i hyrjeve është shënuar gjatë fundjavës, ndërkohë krahasuar me vitin e kaluar është regjistruar një rritje prej 8 për qind në udhëtimet ajrore.
“Që nga 1 dhjetori deri më tani kemi procesuar rreth 270 mijë qytetarë. Nëse marrim totalin e udhëtarëve për vitin 2025, shohim një trend të vazhdueshëm rritjeje, me rreth 8% më shumë udhëtarë krahasuar me vitin 2024”, tha Valentina Gara, zyrtare për komunikim me publikun në ANP.
Aeroporti ka realizuar edhe avancime teknologjike për përmirësimin e shërbimeve.
“Shërbimet e reja, të mundësuara nga digjitalizimi dhe avancimet teknologjike, i lejojnë udhëtarët të kryejnë proceset e tyre, përfshirë regjistrimin e valixheve, pa pritur gjatë në radhë”, tha Gara për televizionin publik.
Investimet në teknologji bashkëkohore, shtimi i stafit dhe linjat e reja ndërkombëtare po mundësojnë kursimin e kohës dhe afrimin e bashkëkombësve me atdheun, duke mbështetur lëvizjen e lirë të qytetarëve.