Pothuajse secili prej nesh e ka bërë të paktën një herë pyetjen nëse ushqimi i mbetur nga dita e djeshme është ende i sigurt për t’u konsumuar apo nëse duhet hedhur. Përgjigjja nuk është gjithmonë e njëjtë, pasi varet nga lloji i ushqimit dhe mënyra se si është ruajtur.
Edhe pse frigoriferi ndihmon në ngadalësimin e prishjes, ai nuk e ndalon plotësisht shumimin e baktereve. Për këtë arsye, njohja e afateve të sigurta të ruajtjes së ushqimit është thelbësore për shëndetin.
Në përgjithësi, shumica e ushqimeve të gatuara mund të ruhen në frigorifer për tre deri në katër ditë, nëse ftohen shpejt pas gatimit dhe ruhen në enë të mbyllura mirë. Në këtë kategori hyjnë gjellët e ndryshme, makaronat, orizi dhe perimet.
Edhe mishi i pulës apo i viçit ka afat të ngjashëm, prej tre deri në katër ditësh pas gatimit. Po ashtu, produktet e përpunuara të mishit, si sallamet apo salsiçet, mund të konsumohen brenda këtij afati. Ndryshe qëndron situata me peshkun, i cili është më i ndjeshëm – ushqimet me peshk konsiderohen të sigurta vetëm për një deri në dy ditë.
Vezët kanë një afat më të gjatë krahasuar me disa ushqime të tjera. Vezët e ziera mund të ruhen në frigorifer deri në shtatë ditë, ndërsa gatimet që përmbajnë vezë rekomandohet të konsumohen brenda tre deri në katër ditësh.
Orizi kërkon kujdes të veçantë, pasi edhe pse duket i padëmshëm, mund të bëhet i rrezikshëm nëse nuk ruhet siç duhet. Ai mund të mbahet maksimumi një deri në tre ditë, vetëm nëse ftohet shpejt dhe ruhet në mënyrë të rregullt. Sallatat pa mish ose majonezë zgjasin rreth dy deri në tre ditë, ndërsa ato që përmbajnë mish ose majonezë duhet të konsumohen brenda një deri në dy ditësh.
Sa i përket produkteve të qumështit, jogurti dhe kremi zakonisht janë të sigurt për tre deri në pesë ditë pas hapjes, ndërsa shumica e djathërave mund të ruhen pesë deri në shtatë ditë, varësisht nga lloji i tyre.
Ekspertët këshillojnë që ushqimi të hidhet menjëherë nëse ka erë të pazakontë, teksturë të rrëshqitshme, myk të dukshëm ose nëse duket i dyshimtë. Në këto raste, instinkti shpesh është udhërrëfyesi më i mirë.
Ruajtja e duhur e ushqimit ndihmon në mbrojtjen e shëndetit dhe në reduktimin e mbetjeve ushqimore. Megjithatë, kur ka dilemë, siguria duhet të ketë gjithmonë përparësi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
The post Ushqimi i mbetur në frigorifer: Sa ditë është i sigurt për t’u konsumuar? appeared first on Sinjali.