Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Brahim Diaz ‘pushton’ Afrikën/ Talenti madrilen realizon golin e tretë në Kupën e Kombeve

Po e konfirmojnë veten si më të mirët.

Maroku natyrisht që nuk ka fituar ende asgjë, sepse thjesht është kualifikuar për në raundin e dytë të Kupës së Kombeve të Afrikës, veçse forma e vendasve është mjaft e mirë.

Pas habit të gabuar ndaj Malit, në barazimin 1-1, “luanët e Atlasit” I treguan vendin Zambias, duke e mundur 3-0.

Ajub El Kaabi ishte njëri nga më të mirët në fushë duke shënuar dy gola, njërin prej tyre me roveshatë.

Megjithatë, ylli kryesor mbetet Brahim Diaz I Realit.

Talenti 26-vjeçar madrilen e realizoi rrjetën e tij, në minutën e 27-të për 2-0, dhe ishte frymëzuesi I të vetëve.

Natyrisht, Maroku ka mjaft lojtarë të njohur si Bono në portë, Mazraui e Aguerd në mbrojtje, El Ajnaui në mesfushë dhe Diaz e El Kabi në sulm.

Lajmi I madh ishte që Ashraf Hakimi I Paris SG u aktivizua si zëvendësues ndaj Zambias, pasi mungoi dy muaj I dëmtuar.

Marokenët mundën 2-0 Komorosin në ndeshjen e parë në grup, arritën 7 pikë në tri sfidë, dhe në 4 janar do të luajnë ndeshjen e raundit të dytë me synim kualifikimin në çerekfinale.

/ abcnews.al /

Viti i kthimit të Brojës/ Sulmuesi kuqezi më në fund mund të quhet me fat në 2025

Pas një periudhe të zezë, tuneli I mallkimit duket se po përfundon.

Armando Broja po jep sinjale këtë fund viti 2025 se rikthimi në formatin e dikurshëm mund të jetë një realitet.

Ai që cilësohet si sulmuesi kryesor I kombëtares së Shqipërisë, provoi pak ditë më parë, golin në Premier Ligën angleze, shënoi në emër të Bërnlit në portën e Bornmuthit, duke u kthyer te goli në elitë pas rreth 3 viteve.

Shpërthimi pas çlirimit ishte I kuptueshëm, për atë që ka hequr gjatë gjithë kësaj kohe me disa dëmtime radhazi, prej të cilëve sidomos dy ishin tepër serioze.

Trajneri I tij, Skot Parker, jo vetëm që e përgëzoi, por vendosi ta hidhte titullar në ndeshjen pasardhëse në kampionat, atë në shtëpi kundër Evertonit.

Një kthim në të kaluarën, pasi Armando ka qenë sezonin e shkuar pjesë e skuadrës së bluve liverpulas, e madje pati momente të shkëlqyera që spikatën fort dhe u vlerësuan, siç ngjau ndaj ish-kampiones Mançester Siti.

Edhe pse këtë herë nuk realizoi dot në portën e Evertonit, sërish sulmuesi shqiptar mori vlerësime mjaft pozitive për formën që ka dhe për dëshirën për të dhënë gjithçka në fushë.

Tashmë, duket se kemi të bëjmë me një tjetër Brojë.

Edhe pse 2025 pati edhe momentin tepër të vështirë në fund të ndeshjes në Andorrë, kur kombëtarja shqiptare u kualifikua për në plej ofin e Botërorit, e ai nuk deshi të festonte me shokët, sërish ky vit do të shënohet me shkronja të mëdha në kalendarin e tij personal.

Edhe me fanelën kuqezi e tregoi sërish sesa vlen, dhe për më tepër, trajneri Silvinjo pati besim të plotë tek ai, duke e aktivizuar vazhdimisht edhe si titullar, pavarësisht nëse luante apo jo për ekipin e klubit në Angli.  / abcnews.al /

Pa rekord, por me Botëror/ Shqipëria realizoi atë që nuk mundi ta arrinte dot në Katar 2022

Ishte një vit padyshim për të mos u harruar.

Dy mijë e njëzet e pesa do të mbahet mend si stinori kur kombëtarja shqiptare e futbollit arriti për herë të parë kualifikimin për në plej ofin e Kupës së Botës, dhe ka shpresë për të shkuar në fazën finale.

Me Silvinjo në stol, me Gjimshitin kapiten dhe me Rej Manajn si sulmuesin më të dalluar, kuqezinjtë ia dolën në një grup të vështirë me rivalë si Anglinë apo Serbinë, ndonëse paradoksalisht nuk e arritën dot rekordin e pikëve.

Në total u morën 14, ndërsa në eliminatoret e Kupës së Botës Katar 2022, skuadra e drejtuar nga trajneri Edi Reja grumbulloi 18 pikë.

Edhe atëherë rivali I madh ishte Anglia që gjithshtu na mundi dy herë, ndërsa rivali direkt për vendin e dytë ishte Polonia, që gjithshtu na shkaktoi dy humbje.

Megjithatë, në fund mbetëm vetëm dy pikë prapa polakëve, dhe u humb sfida që ishte si një finale në “Arenën Air Albania” në 12 tetor 2021, kur kuqezinjtë kishin mungesa të panumërta, dhe kur pati ndërprerje të ndeshjes.

Ishte edicioni kur u zbulua talenti I Armando Brojës me dy golat e shkëlqyer që siguruan dy fitoret historike ndaj Hungarisë, të parat kundër këtij rivali.

Veçohet sidomos rrjeta e realizuar në Budapest në 9 tetor të të njëjtit vit.

Atëherë u mblodhën 18 pikë në krahasim me 14 tani, por duhet theksuar se grupi ishte me gjashtë skuadra, ndërsa këtë herë me pesë, pra luajtëm dy ndeshje më shumë.  / abcnews.al /

Sulmi terrorist në Stamboll, 357 të arrestuar

357 persona janë vënë në pranga në një operacion kundër Shtetit Islamik, një ditë pasi tre oficerë policie dhe gjashtë terroristë u vranë në një shkëmbim zjarri në Turqinë veriperëndimore. Ministri i Brendshëm turk Ali Yerlikaya tha se operacionet u zhvilluan në 21 provinca, duke theksuar se Turqia nuk do të tregojë tolerancë ndaj terrorizmit.

41 prej të arrestuarve kishin lidhje me militantët e përfshirë në sulmin e së hënës dhe po planifikonin sulme të ngjashme në Stamboll gjatë festimeve të Vitit të Ri. Më parë, Zyra e Prokurorit Publik të Stambollit njoftoi se policia bastisi 114 vende në Stamboll dhe dy provinca të tjera, duke sekuestruar materiale dhe dokumente të ndryshme.

Zyra e Kryeprokurorit të Ankarasë tha se Byroja e Hetimit të Krimeve Terroriste identifikoi të dyshuarit përmes analizimit të materialeve digjitale të sekuestruara gjatë hetimeve të mëparshme në lidhje me ISIS-in. Nga shkëmbimi i zjarrit mes militantëve të ISIS dhe policisë në Turqi mbetën të plagosur edhe 8 policë.  / abcnews.al /

Probleme me energjinë elektrike/ Britani, pezullohet shërbimi hekurudhor në Londër

Një ndërprerje në sistemi e energjisë elektrike solli kolaps në sistemin hekurudhor në Britani.

Zëdhënësi i Eurostar ka njoftuar se të gjitha shërbimet nga dhe për në Londër janë pezulluar deri në një njoftim të mëtejshëm.

Ky vendim erdhi pasi Eurostar i kërkoi pasagjerëve të shtynin udhëtimet për shkak të një problemi me furnizimin me energji elektrike mbi Tunelin e Kanalit dhe një incidenti më pas me trenin Le Shuttle.

“Ne këshillojmë fuqimisht të gjithë pasagjerët tanë të shtyjnë udhëtimin për në një datë tjetër,” thuhet në deklaratën e Eurostar.   / abcnews.al /

Kurti në krye të qeverisë, “Bashkëpunimi do vijojë”, Rama: Mbledhja mes dy qeverive? Do të ishte mirë, por…

Në përmbyllje të konferencës në Kryeministri mbi bilancet e vitit 2025, Kryeministri Rama iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve mbi fusha të ndryshme të politikbërjes, drejtësisë dhe jo vetëm.

Gazetarja e ABC News, Greta Bullari, e pyeti kreun e qeverisë mbi raportet me Kosovën pas konfirmimit në krye të shtetit të Kurtit dhe raporteve ‘të ngrira’ mes dy shteteve.

Rama tha se mbledhja mes dy qeverive do të ishte mirë të ndodhte, por shtoi më tej se puna mes dy vendeve dhe bashkëpunimi do të vijojë, sidomos për një prej projekteve më të rëndësishme, atë të Hekurudhës Durrës-Prishtinë.

“Nuk e di, do flasim dhe do vendosim! Patjetër do ishte mirë të kishim një mbledhje mes dy qeverive, ndërkohë që kemi bërë një mbledhje mes dy parlamenteve, ku këtë vit për shkak të zgjedhjeve nuk e zhvilluam. Patjetër do të vijojmë punën.

Kemi gjëra që mund të bëjmë, sidomos hekurudhën Durrës-Prishtinë, që është xhevahiri i kurorës; do bëjmë çmos që ta çojmë deri në financim.”  / abcnews.al /

Hetuesi i SPAK diplomohet në Akademinë e FBI/ Ambasada Amerikane: Arritjet e tij do forcojnë bashkëpunimin SHBA-Shqipëri

Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria po forcojnë bashkëpunimin në zbatimin e ligjit përmes trajnimeve të nivelit të lartë për oficerët shqiptarë. Hetuesi i SPAK/BKH, Eduart Kaloshi, është diplomuar këtë muaj në Akademinë Kombëtare të FBI-së, duke iu bashkuar rrjetit të ish-studentëve ndërkombëtarë të kësaj akademie prestigjioze. Sipas njoftimit të Ambasadës Amerikane, aftësitë e reja të fituara pritet të forcojnë më tej përpjekjet e SPAK në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe bashkëpunimin mes SHBA-së dhe institucioneve shqiptare.

“Çuarja përpara e bashkëpunimit në zbatimin e ligjit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë fillon me ofrimin e mundësive të trajnimeve të nivelit më të lartë për oficerët më të përkushtuar të Shqipërisë. Ne përgëzojmë hetuesin e SPAK/BKH, Eduart Kaloshi, për diplomimin e tij këtë muaj në Akademinë Kombëtare të FBI-së.

Eduarti i bashkohet grupit të shquar të ish-studentëve ndërkombëtarë të FBI-së, duke sjellë aftësi dhe ekspertizë të re e të vlefshme në përpjekjet e vendosura të SPAK në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Arritjet e tij do të forcojnë më tej bashkëpunimin e Shteteve të Bashkuara me SPAK dhe do të ndihmojnë në ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt dhe më të begatë për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.”, shkruan Ambasada Amerikane/ abcnews.al /

Protesta e fermerëve grekë, Policia: Bllokohet Pika Kufitare e Kapshticës dhe Qafë Thanës

Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë:

Ditën e sotme, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Gjirokastër është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se më datë 30.12.2025, nga ora 12:00 deri në orën 16:00 (me orën greke), rruga nacionale “Kapshticë-Selanik”, do të jetë e bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët grekë. Do të funksionojnë vetëm rrugët dytësore, për veturat.

Pika e Kalimit Kufitar Qafë Thanë:

Paraditen e sotme, jemi njoftuar nga policia e Maqedonisë së Veriut, se në aksin rrugor “Strugë-Qafë Thanë”, rreth 3 km nga dogana maqedonase, si pasojë e një aksidenti rrugor, një autobot me gaz, ka bllokuar rrugën.

Për këtë arsye ju bëjmë me dije se, do të bllokohet lëvizja e mjeteve në dalje të Republikës së Shqipërisë dhe në hyrje të Maqedonisë së Veriut, deri në momentin kur rruga të jetë hapur plotësisht dhe e kalueshme për mjetet.  / abcnews.al /

“SPAK nuk është opozita e qeverisë”, Rama: U krijua falë vullnetit të PS. Opozita në depresion të thellë

Në përmbyllje të konferencës së fundvitit për bilancin e 2025, Rama iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në Kryeministri. Kryefjala e këtij viti ishte padyshim SPAK-u, me arrestime dhe hetime të eksponentëve të rëndësishëm në sferën politike, të cilën Rama e komentoi si një institucion që bën vetëm punën e vet.

Rama tha më tej se SPAK nuk është opozita e qeverisë, por një institucion i krijuar falë vullnetit të PS-së.

“Për SPAK-un, dua t’ju them që nuk është opozita e qeverisë, është një institucion i ri i krijuar falë vullnetit të kësaj force, i mbështetur dhe i garantuar nga kjo forcë qeverisëse, ku të tjerë janë betuar që do e shkrijnë, por votat i kemi ne.

Është një institucion që bën punën e vet, nuk është opozita e qeverisë, por depresioni ku ndodhet opozita politike e qeverisë bën që puna e SPAK të jetë e vetmja pikë referimi e opozitës depressive për të goditur qeverinë dhe tenxheret politike dhe mediatike, produktin e marrin dhe e gatuajnë në 700 lloj gjellërash duke bërë diçka që s’ka ndodhur në Shqipëri për herë të parë, duke shfrytëzuar gjysmë të vërteta për të prodhuar një tym që djeg sytë e publikut.”  / abcnews.al /

Gjendet i vdekur një person në Lezhë, dyshime për vetëvrasje me armë zjarri

Një ngjarje e rëndë është shënuar në fshatin Spiten të Lezhës, ku një person ka humbur jetën.

Sipas burimeve paraprake, mësohet se ky shtetas ka qëlluar veten me armë zjarri. Trupi i pajetë është dërguar në morgun e spitalit të Lezhës për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë që policia ka nisur hetimet, ndonëse prej tyre nuk ka ende një njoftim zyrtar.

 

 

 

Ndahet nga jeta Khaleda Zia, gruaja e parë kryeministre e Bangladeshit

Khaleda Zia, ish-kryeministrja e Bangladeshit dhe gruaja e parë që drejtoi qeverinë e vendit, ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare.

Lajmi u konfirmua sot, 30 dhjetor, nga Partia Nacionaliste e Bangladeshit (BNP), të cilën Zia e drejtoi për shumë vite. Ajo u nda nga jeta në orët e para të mëngjesit, ndërsa ndodhej e shtruar në spital në Dhaka.

Mjekët kishin bërë të ditur një ditë më parë se gjendja e saj shëndetësore ishte kritike. Zia mbahej në jetë aparate mbështetëse dhe vuante nga disa sëmundje, përfshirë probleme të rënda me veshkat, zemrën dhe pneumoni.

Pas lajmit të vdekjes, dhjetëra mbështetës u mblodhën para spitalit ku ajo po trajtohej.

Khaleda Zia hyri në politikë pas vrasjes së bashkëshortit të saj, presidentit të atëhershëm Ziaur Rahman, në vitin 1981. Ajo u bë kryeministrja e parë femër e Bangladeshit në vitin 1991.

Karriera e saj politike u shënua nga përballja e fortë me rivalen e saj, Sheikh Hasina, e cila u rrëzua nga pushteti pas protestave masive në fund të vitit 2024.

Zia shërbeu disa mandate si kryeministre dhe u vlerësua për përpjekjet në forcimin e demokracisë parlamentare dhe përmirësimin e rolit të grave në shoqëri. Megjithatë, mandati i saj u shoqërua edhe me akuza për korrupsion, të cilat ajo i mohoi dhe i cilësoi si të motivuara politikisht.

Ajo kaloi vite në burg dhe në arrest shtëpie, ndërsa iu lejua të udhëtonte jashtë vendit për trajtim mjekësor vetëm pasi Sheikh Hasina humbi pushtetin. Zia u lirua nga burgu në janar 2025.

Udhëheqësi i përkohshëm i Bangladeshit, Muhammad Yunus, e cilësoi Zian si një “simbol të lëvizjes demokratike”. Edhe kryeministri i Indisë, Narendra Modi, shprehu ngushëllime dhe vlerësoi rolin e saj në zhvillimin e Bangladeshit dhe marrëdhëniet rajonale.  / abcnews.al /

SHBA godet brenda Venezuelës/ CIA sulmon strukturën portuale, Trump: Përdorej nga trafikantët e drogës

Shtetet e Bashkuara duket se kanë kryer sulmin e parë në Venezuelë, pasi kishin nisur një fushatë ushtarake ndaj anijeve që pretendohej se transportonin drogë.

Në fillim të muajit dhjetor, CIA kreu një sulm me dronë në një strukturë portuale në bregdetin e Venezuelës.

Sipas medias amerikane CNN, sulmi me dronë kishte në shënjestër një skelë në bregdetin e Venezuelës që qeveria amerikane besonte se po përdorej nga banda venezueliane Tren de Aragua për të ruajtur drogë dhe për ta transportuar atë në anije. Askush nuk ishte i pranishëm në strukturë në kohën kur u godit, kështu që nuk pati viktima.

Sulmi u konfirmua edhe nga presidenti amerikan Donald Trump, I cili tha se pati një shpërthim të madh në vendin ku trafikantët ngarkonin anijet me drogë, por nuk dha detaje ne lidhje me ngjarjen apo vendndodhjen.

Sulmi mund të përshkallëzojë ndjeshëm tensionet midis Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit Venezuelan Nicolas Maduro, të cilit Uashingtoni i ka bërë presion të japë dorëheqjen përmes një fushate ushtarake agresive.

Megjithatë burime thanë se sulmi ishte i suksesshëm, pra shkatërroi objektin dhe anijet e tij, por ishte kryesisht simbolik, pasi është vetëm një nga shumë objektet portuale të përdorura nga trafikantët e drogës që largohen nga Venezuela. Gjithashtu, sulmi duket se tërhoqi pak ose aspak vëmendje, madje edhe brenda vendit.

Ushtria amerikane ka nisur sulme duke shkatërruar më shumë se 30 anije në Detin e Karaibeve dhe Oqeanin Paqësor lindor në atë që e kanë përshkruar si një fushatë kundër narkotikëve, dhe Trump ka urdhëruar një bllokadë të cisternave të naftës të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela. Sulmi më I fundit ndaj një anijeje në Paqësorin Lindor la dy të vrarë.  / abcnews.al /

Anije shkatërruese, avionë bombardues dhe dronë/ Kina kërcënon me stërvitjen ushtarake rreth Tajvanit

Kina filloi të kryejë stërvitje ushtarake “në shkallë të gjerë” në ujërat dhe hapësirën ajrore përreth Tajvanit të hënën, duke përfshirë përdorimin e armëve të gjalla, mes tensioneve në rritje për shkak të një shitjeje masive armësh nga Shtetet e Bashkuara në ishull, i cili tha se po vendoste ushtrinë e vet në gjendje përgjigjeje.

Forcat e armatosura të Kinës kanë vendosur “anije shkatërruese, fregata, avionë luftarakë, bombardues dhe dronë” për ushtrimet, të cilat përfshijnë përdorimin e “zjarrit të gjallë kundër objektivave detarë në veri dhe jugperëndim të Tajvanit”, tha Komanda e Teatrit Lindor e ushtrisë kineze rreth orës 11:40 të paradites (05:40 GMT).

Nga ana e saj, Taipei njoftoi se kishte vendosur “forca” dhe se njësitë e saj ushtarake kishin “kryer një ushtrim reagimi të shpejtë”.

Pekini e konsideron Tajvanin një pjesë integrale të territorit të tij dhe nuk e ka përjashtuar kurrë mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake për të arritur ribashkimin me kontinentin.

Tensionet në Ngushticë u rritën nga shitja e një pakete të madhe pajisjesh ushtarake në mesin e dhjetorit nga Uashingtoni për Taipei, e dyta që kur Donald Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë, me një vlerë totale prej 11.1 miliardë dollarësh. Është paketa më e shtrenjtë e pajisjeve ushtarake e njoftuar që nga viti 2001.

Qeveria kineze reagoi javën e kaluar duke njoftuar sanksione ndaj 20 industrive të mbrojtjes amerikane.

Shfaqja në shkallë të gjerë e forcës vjen gjithashtu pas javësh tensionesh dhe debatesh diplomatike midis Pekinit dhe Tokios për ishullin, pasi kryeministrja e re Sanae Takaichi la të kuptohej në nëntor se vendi i saj do të ndërhynte ushtarakisht nëse Tajvani sulmohej — një deklaratë që zemëroi Pekinin.

“Paralajmërim serioz”

“Që nga 29 marsi, Komanda e Teatrit Lindor të Ushtrisë Çlirimtare të Popullit të Kinës (PLA) ka vendosur njësi nga ushtria tokësore, marina, forcat ajrore dhe forcat raketore për të kryer ushtrime të përbashkëta të quajtura ‘Misioni Drejtësi 2025’,” thuhet në një deklaratë të nënshkruar nga gjeneral brigade Xi Yi, zëdhënës i komandës.

Elementet e forcave të armatosura të Pekinit do të përqendrohen posaçërisht në “patrullat e përgatitjes për luftime ajrore dhe detare, sigurimin e epërsisë së përgjithshme në fushëbetejë, bllokimin e porteve dhe zonave kyçe, si dhe parandalimin shumëdimensional”, tha Xi.

Në një deklaratë të veçantë, një hartë tregon pesë zona rreth Tajvanit ku do të përdoret “zjarr i vërtetë” nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 6 të pasdites të martën (ora lokale; 2 e mëngjesit–12 e drekës sipas kohës lindore).

“Për arsye sigurie, rekomandohet që çdo anije ose avion civil të mos hyjë në ujërat dhe hapësirën ajrore të treguar në hartë,” sipas ushtrisë kineze.

“Tajvani shpreh dënimin e tij të fortë për shpërfilljen e ligjit ndërkombëtar nga autoritetet kineze dhe përdorimin e frikësimit ushtarak për të kërcënuar vendet fqinje,” thuhet në një deklaratë nga zëdhënësja presidenciale e ishullit, Karen Kuo.

Roja bregdetare e Tajvanit tha se katër anije kineze po i afroheshin ishullit dhe se “dislokoi menjëherë anije” në përgjigje.

Ndërkohë, Xi e përshkroi këtë javë stërvitjet si “një paralajmërim serioz për forcat separatiste të ‘pavarësisë së Tajvanit’, një veprim legjitim dhe i nevojshëm për të mbrojtur sovranitetin dhe unitetin kombëtar të Kinës”.

Stërvitjet e mëparshme ushtarake kineze rreth Tajvanit duke përdorur armë zjarri u zhvilluan në prill, të cilat gjithashtu u dënuan nga Taipei.

“Formimi i qeverisë në Kosovë, i brishtë”, Minxhozi: Dy sfidat e vërteta të Kurtit, para muajit mars

Kosova mbajti të dielën e 29 dhjetorit zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku Lëvizja Vetëvendosje fitoi zgjedhjet me rreth 49 për qind të votave. Analisti Skënder Minxhozi deklaroi se fitorja e Albin Kurtit erdhi si rezultat i një populizmi të njohur, ku qytetarët zgjodhën stabilitetin në qeverisje. Sipas tij, kjo u shoqërua me një politikë që ka prodhuar izolim të Kosovës dhe tensione me ndërkombëtarët.

Minxhozi theksoi se qeveria e re përballet me sfida serioze, veçanërisht në dialogun me Serbinë dhe në zgjedhjen e presidentit. Ai shtoi se brishtësia e qeverisë nuk lidhet me numrat, por me vështirësitë politike që e presin përpara.

“Fitoi populizmi i ditur dhe i njohur i Kurtit. Qytetarët menduan se është më mirë të kenë stabilitet në qeverisje, duke e shkëmbyer atë me një politikë të bazuar te izolimi i Kosovës, mbyllja e dyerve me ndërkombëtarët dhe mungesa e përgjigjeve në tema të rëndësishme, si dialogu me Serbinë.

Në Kosovë fitoi stagnacioni. Ka dy “shkëmbinj nënujorë” përballë qeverisë së re: së pari, votat e pakicave joserbe, të cilat do të jenë vendimtare për formimin e qeverisë në pragun e 61 mandateve; së dyti, e ardhmja e negociatave me Serbinë dhe zgjedhja e presidentit në muajin mars, me formulën komplekse të shumicës prej dy të tretash.

Më shumë sesa te shifrat, brishtësia e qeverisë së re qëndron te sfidat që ka përpara. Sfida në raportet me ndërkombëtarët dhe rinisja e dialogut me Serbinë, me synimin e një njohjeje të ndërsjellë, janë thelbësore për përmirësimin e marrëdhënieve dhe afrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Zgjedhja e kreut të shtetit është një proces që kërkon pjesëmarrje dhe konsensus, jo ndarje. Kurti është një politikan që përfiton më shumë nga ndarja sesa nga bashkimi.

Formimi i qeverisë së re vendoset kështu në një korsi jo për t’u pasur zili, pasi situata politike mbetet komplekse dhe plot sfida.”  / abcnews.al /

Parlamenti i ri i Irakut mban seancën e parë pas zgjedhjeve

Parlamenti i sapozgjedhur i Irakut u mblodh të hënën për seancën e tij të parë që nga zgjedhjet kombëtare të mbajtura në nëntor, duke hapur zyrtarisht rrugën për nisjen e procesit të formimit të një qeverie të re.

Gjatë kësaj seance të parë, deputetët pritet të zgjedhin kryetarin e parlamentit dhe dy nënkryetarët. Më pas, brenda 30 ditëve nga mbajtja e seancës konstituive, ligjvënësit duhet të zgjedhin presidentin e ri të vendit.

Presidenti i zgjedhur do t’i japë mandatin për formimin e qeverisë bllokut më të madh parlamentar, një proces që në Irak zakonisht zgjat me muaj për shkak të negociatave mes forcave politike.  / abcnews.al /

Trump dhe Putin pritet të zhvillojnë së shpejti një tjetër bisedë telefonike

Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin do të zhvillojnë “shumë shpejt” një tjetër bisedë telefonike, ka njoftuar Kremlini, pas takimit që Trump pati mbrëmë në Florida me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se dy liderët tashmë kanë zhvilluar një telefonatë, të cilën Trump e ka cilësuar si “produktive”, dhe se një bisedë e re pritet pas diskutimeve të presidentit amerikan me palën ukrainase.

Sipas Kremlinit, Moska ende nuk është në dijeni të rezultateve konkrete të negociatave mes Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës, ndërsa nuk ka asnjë plan për një telefonatë mes Zelenskyyt dhe Putinit.

I pyetur nëse Kremlini pajtohet me vlerësimin e Trump se paqja është më afër dhe bisedimet po hyjnë në fazën përfundimtare, Peskov u përgjigj shkurt: “Sigurisht.”

Megjithatë, Kremlini ka përsëritur kërkesat e tij që Ukraina të tërheqë trupat nga rajoni i Donbasit, si kusht për ndalimin e luftimeve.  / abcnews.al /

Turqi, përplasje me ISIS/ Operacion në Stamboll, vriten 3 policë dhe 6 terroristë

Tre oficerë policie dhe gjashtë anëtarë të Shtetit Islamik u vranë në përplasje me armë gjatë një operacioni në Turqinë veriperëndimore.

Tetë oficerë të tjerë dhe një roje nate u plagosën, u tha gazetarëve Ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya. (Ali Jerlikaja)

Ngjarja ndodhi në provincën Yalova (Jalova), në jug të Stambollit, ndërsa policia bastisi një shtëpi ku fshiheshin militantët.

5 gra dhe 6 fëmijë që ndodheshin në banesën e terroristëve u evakuuan në mënyrë të sigurt, ndërsa forcat speciale nga provinca fqinje e Bursës u dërguan për të përforcuar operacionin.

Ndërsa konfrontimi u përhap në rrugë, pesë shkolla në zonë u mbyllën. Autoritetet gjithashtu ndërprenë furnizimin me gaz natyror dhe energji elektrike si masë paraprake, ndërsa civilëve dhe automjeteve iu ndalua hyrja në lagje.

Siç raportojnë mediat turke, policia kreu operacione edhe në 108 vendndodhje të tjera në gjithsej 15 rajone.

Javën e kaluar, policia turke nisi dhjetëra bastisje, duke ndaluar 115 militantë të grupit ekstremist të cilët dyshohet se po planifikonin sulme gjatë festimeve të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.

Zyrtarët thanë se grupi kishte bërë thirrje për veprime, veçanërisht kundër komuniteteve jo muslimane, gjatë festave.

ISIS ka kryer një seri sulmesh vdekjeprurëse në Turqi vitet e fundit, duke përfshirë të shtënat në një klub nate në Stamboll gjatë festimeve të Vitit të Ri më 1 janar 2017, ku u vranë 39 persona.  / abcnews.al /

❌