Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

7 ligjet e paketës fiskale botohen në Fletoren Zyrtare, hyjnë në fuqi pas 15 ditësh

Disa ditë pas dekretimit nga Presidenti Bajram Begaj, në Fletoren Zyrtare janë publikuar ligjet e paketës fiskale, përfshirë edhe ligjin “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale, “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe e detyrimeve të pagueshme në doganë” etj.

Të 7 ligjet e paketës fiskale do të hyjnë në fuqi 15 ditë pas botimit.

Ligji “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale” hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet deri në vitin tatimor 2028.

Ligji ngarkon ministrin përgjegjës për financat të miratojë, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e tij, aktet nënligjore në zbatim të neneve 10, pika 3, dhe 11, pika 4, të këtij ligji.

Ndërsa drejtori i përgjithshëm i Tatimeve ngarkohet të miratojë, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, udhëzimin në zbatim të pikës 1, të nenit 11 të këtij ligji, pra për procedurat e aplikimit të bizneseve në e-Filing të marrëveshjes.

Edhe ligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe e detyrimeve të pagueshme në doganë”,  hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.  Brenda 15 ditëve nga hyja në fuqi e këtij ligji ministri përgjegjës për financat nxjerr udhëzim për zbatimin e tij.

Ky ligj i shtrin efektet nga data 1 janar 2026 deri në datën 31.12.2026. Teksa ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, njësitë e qeverisjes vendore dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij ligji.

Ligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar që përcakton kompensimin 10% të TVSh për fermerët, hyn në fuqi 15 ditë pas botimit.

Në Fletoren Zyrtare u botua edhe ligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Edhe ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit.

Ndryshimet përfshijnë zbatimin e disa nismave të rëndësishme, si zvogëlimi i përdorimit të parasë në dorë në transaksionet ndërmjet bizneseve, duke ulur kufirin e lejuar për pagesat me para në dorë nga 150,000 lekë në 100, 000 lekë. Në kuadër të politikave për reduktimin e përdorimit të parasë në dorë dhe nxitjen e pagesave elektronike, gjithashtu u miratua vendosja e detyrimit për pajisjen me terminal “POS” në pikat e shitjes të tatimpaguesve që kryejnë veprimtari ekonomike me pagesa në para në dorë, sipas afateve të parashikuara në ligj.

Në Fletoren Zyrtare u botuan edhe ligjet “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar”; Për disa shtesa dhe ndryshim në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar; Për disa ndryshime në ligjin nr. 87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar.

https://monitor.al/presidenti-dekreton-ligjet-per-paqen-fiskale-dhe-fshirjen-e-detyrimeve-kur-nis-zbatimi/

 

The post 7 ligjet e paketës fiskale botohen në Fletoren Zyrtare, hyjnë në fuqi pas 15 ditësh appeared first on Revista Monitor.

Propozohen rregullat e reja, kur do mbështeten financiarisht përpunuesit e peshkut

Në kuadër të përgatitjeve për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, Ministria e Bujqësisë ka propozuar një paketë të re rregullash për tregtimin dhe ruajtjen e produkteve të peshkimit dhe akuakulturës, duke u bazuar në standardet dhe praktikat evropiane.

Rregullat e reja të përcaktuara në projektvendimin “Për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Tregut të Produkteve të Peshkimit dhe Akuakulturës dhe për Miratimin e formës dhe përmbajtjes së Planeve të Prodhimit dhe Marketingut” të hartuar nga Ministria e Bujqësisë dhe zhvillimit Rural parashikojnë kompensim financiar për prodhuesit e produkteve të përpunuara të peshkut, por me kushtin nëse organizohen për prodhimin dhe tregtimin sipas rregullave të organizatave të prodhuesve.

Projektvendimi përcakton që organizatat e prodhuesve do të jenë subjektet kryesore që menaxhojnë ruajtjen, marketingun dhe përfaqësimin e prodhuesve të peshkut. Ato do të hartojnë dhe zbatojnë plane prodhimi dhe marketingu për sektorin e akuakulturës, do të përfaqësojnë prodhuesit në marrëveshje tregtare dhe do të bashkëpunojnë me ministrinë për informacion mbi tregun dhe stabilizimin e çmimeve.

Një element i rëndësishëm është ruajtja e produkteve dhe mbështetja financiare për stabilizimin e tregut. Rregullat synojnë të mbështesin financiarisht prodhuesit vendas kur produktet nuk shiten menjëherë, por me kushtin që planet e prodhimit dhe marketingut të funksionojnë sipas rregullave të organizatave të prodhuesve, ku ata duhet të jenë anëtarë

Organizatat mund të ruajnë produktet për minimum 5 ditë në rast se nuk shiten menjëherë, duke shmangur detyrimin për shitje me çmime shumë të ulëta (Nen 31).

Çmimi kufi, që aktivizon këtë mekanizëm, përcaktohet çdo vit nga organizatat e prodhuesve dhe nuk mund të jetë më shumë se 80% e çmimit mesatar të produktit në zonën e tyre (Nen 32), duke mbrojtur prodhuesit dhe konsumatorët dhe duke siguruar stabilitetin e tregut.

Gjithashtu në draft përcaktohet se mbështetja financiare ndaj prodhuesit do të mundësohet nëse produktet e përpunuara të pashituara do të ruhen për 5 ditë në tanke apo me metoda të marinimit apo kriposjes. Pra produktet e akualturës nuk duhen të jenë të gjalla.

Ndër të tjera në projektvendim prezantohen rregulla të reja edhe për etiketimin e produkteve të përpunuara, me qëllim garantimin e sigurisë së konsumatorit. Për rrjedhojë çdo produkt që shitet për konsumatorin përfundimtar ose institucione, si shkolla, spitale, mensa apo burgje duhet të shoqërohet me informacion të detyrueshëm në etiketë, si emri tregtar dhe shkencor i species; metoda e prodhimit: “i zënë”, “i zënë në ujëra të ëmbla” ose “i kultivuar”; zona ku produkti është zënë ose kultivuar dhe lloji i veglave të peshkimit; treguesi nëse produkti është shkrirë etj.

 

Disa nga nenet e projektvendimit

INFORMACIONET PER KONSUMATORIN DHE PËR TREGJET

Neni 26

Informacioni i detyrueshëm

1.Produktet e peshkimit dhe akuakulturës, të listuara në shkronjat a), b), c) dhe e) të Shtojcës I të këtij vendimi, të cilat tregtohen në tregun e brendshëm, pa marrë parasysh origjinën ose metodën e marketingut, mund të ofrohen për shitje për konsumatorin përfundimtar ose për institucione që përdorin produktin si shkolla, spitale, mensa ushtarake, kantina fabrikash, burgje, konvikte studentore, institucione publike ose private vetëm nëse, përvec rregullave të parashikuara në kreun VI të vendimit nr. 407, datë 8.5.2013 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e një regjimi kontrolli për të garantuar respektimin e rregullave të politikave menaxhuese në peshkim” i ndryshuar, etiketimi përmban edhe:

a)emrin tregtar dhe emrin shkencor të species;

b)metodën e prodhimit, duke përcaktuar shprehjet “… i zënë …”, “… i zënë në ujëra të ëmbla …” ose “… i kultivuar …”;

c)zonën ku produkti është zënë ose kultivuar, si dhe kategorinë e veglave të peshkimit të përdorura në zënien e peshqve, sipas Shtojcës II të Vendimit te Këshillit te Ministrave Nr. 402, datë 8.5.2013 “Për përcaktimin e masave menaxhuese për shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve peshkore në det”;

ç) nëse produkti është shkrirë;

d) datën e jetëgjatësisë minimale, kur është e nevojshme.

2.Kërkesa e shkronjës ç) të pikës 1 të këtij neni nuk zbatohet për:

a)përbërësit e pranishëm në produktin përfundimtar;

b)ushqimet për të cilat ngrirja është një hap teknologjikisht i nevojshëm në procesin e prodhimit;

c)produktet e peshkimit dhe akuakulturës të ngrira më parë për qëllime të sigurisë shëndetësore;

ç)  produktet që janë shkrirë para procesit të tymosjes, kripjes, gatimit, marinimit, tharjes ose një kombinimi të ndonjërit nga këto procese.

3.Për produktet e peshkimit dhe akuakulturës të paketuara, informacioni i detyrueshëm i i parashikuar në pikën 1 te këtij neni mund të jepet për shitjen me pakicë përmes informacionit tregtar si reklamat ose posterat.

4.Kur një produkt i përzier ofrohet për shitje për konsumatorin përfundimtar ose për institucione dhe përbëhet nga i njëjti lloj specie, por që vjen nga metoda të ndryshme prodhimi, specifikohet metoda për çdo ngarkesë. Kur një produkt i përzier përmban të njëjtin lloj specie nga zona të ndryshme zënies ose prodhimit, specifikohet zona e ngarkesës më të përfaqësuar në sasi, së bashku me një tregues që produktet vijnë nga zona të ndryshme zënies ose kultivimi.

5.Ministria mund të përjashtojë nga këto kërkesa sasi të vogla produktesh të shitura drejtpërdrejt nga anijet e peshkimit tek konsumatorët, nëse vlera e tyre nuk kalon 5,000 lekë.

6.Produktet e peshkimit dhe akuakulturës dhe paketimet e tyre që nuk përputhen me këtë nen mund të tregtohen vetëm deri në përdorimin e stokut ekzistues.

Neni 30

Informacioni mbi tregjet

1.Institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe akuakulturës:

a)mbledh, analizon dhe shpërndan njohuri ekonomike dhe informacion për tregun e brendshëm të produkteve të peshkimit dhe akuakulturës përgjatë zinxhirit të furnizimit;

b)ofron mbështetje praktike për organizatat e prodhuesve dhe organizatat ndër-sektoriale për të përmirësuar koordinimin e informacionit midis operatorëve dhe përpunuesve;

c)kryen anketa të rregullta mbi çmimet e produkteve të peshkimit dhe akuakulturës në tregun e brendshëm përgjatë zinxhirit të furnizimit dhe bën analiza për tendencat e tregut;

ç)  kryen studime të përkohshme për tregun dhe siguron metodologji për anketa lidhur me formimin e çmimeve.

2.Për zbatimin e pikës 1 të këtij neni, institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe akuakulturës merr masat e mëposhtme:

a)lehtëson qasjen në të dhënat e disponueshme për produktet e peshkimit dhe akuakulturës, të mbledhura në përputhje me legjislacionin e peshkimit;

b)siguron që informacioni mbi tregun, përfshirë anketat mbi çmimet, analizat dhe studimet e tregut, të jetë i disponueshëm për të gjitha palët e interesuara dhe për publikun në mënyrë të aksesueshme dhe të kuptueshme, në përputhje me legjislacionin ne fuqi për informimin dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

3.Organizatat kontribuojnë në arritjen e objektivave të përmendura në paragrafët e mësipërm.

STABILIZIMI I TREGJEVE

Neni 31

Mekanizmi i ruajtjes së produkteve të peshkimit dhe akuakulturës

Organizatat e prodhuesve në sektorin e peshkimit dhe akuakulturës përfitojnë mbështetje financiare për ruajtjen e produkteve të listuara në shtojcën I, të cilat tregtohen brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë, nëse plotësohen njëkohësisht këto kushte:

1.Produktet janë vendosur në treg nga organizatat e prodhuesve dhe për to nuk është siguruar blerës në çmimin kufi të përcaktuar në nenin 32 të këtij vendimi;

2.Produktet përmbushin standardet e përbashkëta të marketingut, të vendosura në përputhje me nenin 24 të këtij vendimi, dhe janë të përshtatshme për konsum njerëzor;

3.Produktet janë trajtuar ose përpunuar dhe ruhen në tanke ose kafaze, nëpërmjet metodave të ngrirjes (në bord të anijeve ose në impiante tokësore), kriposjes, tharjes, marinimit, ose, kur është e përshtatshme, nëpërmjet zierjes dhe pasterizimit, pavarësisht nëse produktet janë filetuar, prerë në copa apo u janë hequr kokat;

4.Produktet e akuakulturës nuk mbahen në ruajtje në gjendje të gjallë;

5.Produktet rikthehen në treg për konsum njerëzor pas përfundimit të periudhës së ruajtjes;

6.Produktet qëndrojnë në ruajtje për një periudhë minimale prej 5 ditësh kalendarike.

Neni 32

Çmimet kufi për aktivizimin e mekanizmit të ruajtjes

1.Para fillimit të çdo viti kalendarik, çdo organizatë prodhuese mund të paraqesë në mënyrë individuale një propozim për çmimin kufi që aktivizon mekanizmin e ruajtjes, të përmendur në nenin 31 të këtij vendimi, për produktet e listuara në Shtojcën II bashkëlidhur dhe pjesë përbërëse e këtij vendimi.

2.Çmimi kufi nuk mund të tejkalojë 80 % të çmimit mesatar të ponderuar, të regjistruar për produktin përkatës në zonën e veprimtarisë së organizatës përkatëse të prodhuesve, gjatë tre viteve të fundit që paraprijnë vitin për të cilin caktohet çmimi kufi.

3.Në përcaktimin e çmimit kufi merren në konsideratë këto elemente:

a)zhvillimet në prodhim dhe kërkesë; b)stabilizimi i çmimeve në treg; c)rregullimi i tregjeve;

ç) të ardhurat e prodhuesve; d)interesat e konsumatorëve.

4.Ministria, pas shqyrtimit të propozimeve të paraqitura nga organizatat e prodhuesve të njohura në Republikën e Shqipërisë, përcaktojnë çmimet kufi që do të zbatohen nga këto organizata. Këto çmime përcaktohen mbi bazën e kritereve të përmendura në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni dhe bëhen publike.

 

 

The post Propozohen rregullat e reja, kur do mbështeten financiarisht përpunuesit e peshkut appeared first on Revista Monitor.

90% e financimit të huaj në Bullgari ka ardhur nga BE-ja që nga vitet ’90

Rreth 90% e financimit të huaj në Bullgari që nga rrëzimi i regjimit komunist në fund të viteve ’80 dhe fillim të viteve ’90 ka ardhur nga Bashkimi Europian, sipas një studimi mbi ndihmën e huaj në Bullgari. Studimi është realizuar nga Instituti për Ekonominë e Tregut (IME).

Kryeekonomisti i IME-së, Latchezar Bogdanov, bëri të ditur se analiza bazohet në burime të ndryshme publike, shqyrton ndihmën e huaj për Bullgarinë pa përfshirë bashkëfinancimin kombëtar dhe nuk synon të vlerësojë efektivitetin e përdorimit të këtyre fondeve.

Të dhënat tregojnë se mbështetja e jashtme është rritur ndjeshëm pas anëtarësimit të Bullgarisë në Bashkimin Europian, çka lidhet drejtpërdrejt edhe me rritjen ekonomike të vendit. Nga viti 1989 deri në fund të vitit 2024, Bullgaria ka përfituar rreth 70 miliardë leva bullgare, sipas vlerësimeve konservatore. Sipas vlerësimeve paraprake, vetëm gjatë vitit 2025, shteti ka përfituar edhe 6 deri në 7 miliardë leva të tjera, tha Bogdanov.

Gjatë dekadës së fundit, kjo mbështetje ka përfaqësuar rreth 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto mesatar vjetor. Që nga anëtarësimi në BE, këto fonde kanë kontribuar rreth 7% të të ardhurave të buxhetit të konsoliduar të shtetit.

Studimi tregon gjithashtu një natyrë ciklike në menaxhimin e fondeve të buxhetit të BE-së, me kulme të përthithjes në vitet e fundit të periudhave të programeve të investimeve, kur fondet duhet të shpenzohen. Bogdanov e përshkroi këtë fenomen si një shenjë dobësie të qeverisë bullgare, administratës dhe bashkive në menaxhimin e fondeve, pasi, sipas tij, do të ishte më logjike që përthithja të ishte më e njëtrajtshme në kohë.

Pjesa më e madhe e financimeve me grante, mbi 30%, ka shkuar për bujqësinë. Midis 10% dhe 15% janë investuar në infrastrukturën e transportit, zhvillimin urban dhe rural, mjedisin, konkurrueshmërinë dhe inovacionin. Gati 10% e fondeve janë orientuar drejt burimeve njerëzore.

Bullgaria ka përfituar gjithsej 3.8 miliardë leva nga fondet e para-anëtarësimit. Deri në fund të vitit 2024, vendi kishte marrë mbi 35 miliardë leva në kuadër të programeve operacionale. Në kuadër të Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë 2021–2026, Bullgaria mund të përfitojë deri në 13.5 miliardë leva, por deri në fund të vitit 2024 ishin disbursuar vetëm 1.9 miliardë leva.

Pas anëtarësimit në Bashkimin Europian, fermerët bullgarë kanë përfituar mbi 20 miliardë leva nga Fondi Europian i Garancisë Bujqësore.

 

The post 90% e financimit të huaj në Bullgari ka ardhur nga BE-ja që nga vitet ’90 appeared first on Revista Monitor.

Rrezik sigurie te kufjet Bluetooth, një defekt në Google Fast Pair ekspozon përdoruesit

Një grup kërkuesish të sigurisë kibernetike nga KU Leuven University zbuloi një sërë dobësish serioze në protokollin Google Fast Pair, teknologjinë që bën të mundur lidhjen me një trokitje të kufjeve apo altoparlantëve pa tel me pajisjet Android dhe ChromeOS. Këto vrima, të quajtura kolektivisht “WhisperPair”, prekin qindra miliona pajisje audio, përfshirë modele nga Sony, JBL, Jabra, Xiaomi dhe vetë Google dhe mund t’i lejojnë kërcënuesit brenda rrezes Bluetooth (rreth 14 metra) të kapin kontrollin e pajisjeve, të ndërhyjnë në audio apo mikrofon, ose edhe të ndjekin lëvizjet e përdoruesit pa dijeninë e tij.

Në thelb, Fast Pair ishte projektuar për ta bërë lidhjen midis telefonit dhe kufjeve apo altoparlantit sa më të thjeshtë dhe të shpejtë. Por implementimet e pasigurta të këtij protokolli në disa pajisje lejojnë një person të huaj të lidhet fshehurazi me një pajisje që tashmë është çiftuar, edhe pa miratimin e përdoruesit. Kjo do të thotë se dikush mund të ndërhyjë në tingullin që dëgjon përdoruesi, të aktivizojë mikrofonin e kufjeve për të dëgjuar ambientin, ose, në disa raste, të bashkojë pajisjen me llogarinë e tij Google dhe ta ndjekë përdoruesin përmes funksionit të gjurmimit Find Hub , edhe nëse viktima përdor iPhone dhe kurrë nuk ka pasur një produkt Google.

Google ka pranuar gjetjet dhe ka publikuar patch-e sigurie, dhe shumë prodhues po lëshojnë përditësime firmware për pajisjet e tyre. Megjithatë, kërcënuesit tregojnë se disa riparime mund të shmangen, dhe përditësimet shpesh kërkojnë aplikacionet e prodhuesit, që shumica e përdoruesve nuk i instalojnë. Kjo lë shumë pajisje ende të cenueshme për muaj apo vite. Kërkuesit nxisin përdoruesit të kontrollojnë për përditësime dhe të përditësojnë pajisjet e tyre Bluetooth, dhe sugjerojnë ndryshime më të forta autentikimi në vetë specifikimin e Future Fast Pair./ WIRED

The post Rrezik sigurie te kufjet Bluetooth, një defekt në Google Fast Pair ekspozon përdoruesit appeared first on Revista Monitor.

Çmimet e arit, argjendit dhe bakrit arrijnë nivele rekord teksa tensionet globale shtohen

Edhe kallaji arrin një kulm të ri, ndërsa metalet zgjasin ecurinë e fortë të kohëve të fundit

Çmimet e arit, argjendit, bakrit dhe kallajit kapërcyen nivele rekord, teksa shqetësimet për një ndërhyrje ushtarake të SHBA-së në Iran dhe për pavarësinë e Rezervës Federale ndihmuan në zgjatjen e rritjeve të tyre të fundit dramatike.

Ari, i cili është dyfishuar në çmim në më pak se dy vjet dhe që tashmë është rritur me 8% që nga fillimi i këtij viti, u rrit deri në 1.1%, duke arritur një rekord të ri prej 4,641 dollarësh për ons, teksa investitorët kërkuan asete të sigurta. Argjendi kaloi për herë të parë pragun e 90 dollarëve, duke u rritur deri në 6% në 92.24 dollarë.

Bakri dhe kallaji, të cilët kanë qenë në rritje të fortë gjatë muajve të fundit, arritën gjithashtu nivele të reja rekord, përkatësisht 13,407 dhe 54,760 dollarë për ton.

“Gjërat po lëvizin kaq shpejt, sa çmimet po tejkalonë parashikimet e të gjithëve”, tha Helen Amos, analiste në BMO. “Shpejtësia e lëvizjes, veçanërisht për argjendin, kallajin dhe bakrin, po i bën investitorët institucionalë mjaft nervozë.

“Nuk ka asnjë precedent që mund të mbaj mend në 20 vjet që të katër metalet të arrijnë kulmin në të njëjtën kohë”, shtoi Amos.

Kulmet e rralla të njëkohshme pasqyrojnë shqetësimet e investitorëve për rritjen e tensioneve globale, më pak se një javë pasi SHBA-ja kapi presidentin e Venezuelës, Nicolás Maduro.

Protesta të gjera në Iran, së bashku me komentet e presidentit amerikan Donald Trump, i cili sugjeroi se Amerika do t’i ndihmonte protestuesit përballë një goditjeje brutale, kanë ushqyer spekulimet për një ndërhyrje ushtarake amerikane atje.

“Kjo është tashmë një tregti globale e bazuar në vrullin e momentit, jemi në territor të panjohur”, tha Tom Price, analist në Panmure Liberum, duke shtuar se ishte e rrallë që metalet bazë të nxiteshin nga shqetësime gjeopolitike.

“Për bakrin dhe kallajin, kjo nuk ka asnjë lidhje me faktorët e tyre tradicionalë, me ofertën dhe kërkesën”, tha ai.

Ndërkohë, shqetësimet e investitorëve për pavarësinë e Rezervës Federale të SHBA-së janë shtuar pasi kryetari i saj, Jay Powell, tha gjatë fundjavës se prokurorët amerikanë kishin nisur një hetim penal ndaj tij lidhur me rinovimin e selisë së bankës qendrore.

Powell tha se akuzat ishin një “pretekst” për të kufizuar pavarësinë e Fed, në mes të presionit të vazhdueshëm nga Shtëpia e Bardhë për të ulur normat e interesit.

Hetimi ndaj Powell “po përshkallëzon pasigurinë” dhe po krijon një “shtysë afatgjatë” për arin dhe argjendin, tha Rhona O’Connell, analiste në StoneX.

Shqetësimet për tarifat amerikane mbi bakrin dhe argjendin kanë krijuar gjithashtu një grumbullim të pazakontë të metalit fizik brenda vendit, me stoqe shumë më të larta se mesataret historike. Më shumë qartësi mbi tarifat e mundshme për mallrat pritet në ditët në vijim, kur SHBA-ja të publikojë përfundimet e hetimit sipas Seksionit 232 mbi mineralet kritike.

Kallaji është rritur ndjeshëm muajt e fundit, pasi mbyllja e një miniere të madhe në Mianmar ka ulur prodhimin global.

Platini gjithashtu është përfituar nga rritja e përgjithshme e metaleve, duke arritur një nivel të ri të lartë prej 2,478 dollarësh për ton më 29 dhjetor. / FT

 

The post Çmimet e arit, argjendit dhe bakrit arrijnë nivele rekord teksa tensionet globale shtohen appeared first on Revista Monitor.

Agjencia e Ushqimit: Produktet e kafesë në Kosovë janë të sigurta për përdorim

Pas shqetësimeve të ngritura në opinion për sigurinë e produkteve të kafesë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka dalë me rezultatet përfundimtare të analizave laboratorike, duke konfirmuar se kafeja që tregtohet në Kosovë është e sigurt për konsum.

 

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka qetësuar opinionin publik pas shqetësimeve të ngritura ditëve të fundit rreth sigurisë së produkteve të kafesë në tregun e Kosovës.

Sipas konstatimeve zyrtare të AUV-së, të gjitha produktet e kafesë të testuara janë brenda standardeve të lejuara të sigurisë ushqimore, dhe rrjedhimisht janë të sigurta për konsum.

AUV thekson se para disa ditësh, përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), kishte pranuar një njoftim nga autoritetet kroate lidhur me praninë e nivelit të lartë të akrilamidës në një produkt kafe të bluar me origjinë nga Kosova, të eksportuar në Republikën e Kroacisë.

Në këtë njoftim ishte përmendur brendi “Monaco”, i prodhuar nga kompania Devolli Corporation për tregun kroat.

Pas marrjes së këtij njoftimi, Agjencia ka ndërmarrë një sërë veprimesh verifikuese, përfshirë inspektime në terren, marrje të mostrave dhe analiza laboratorike për të gjitha brendet e kafesë që përpunohen për konsum të brendshëm dhe për eksport nga Kosova.

Këto veprime, sipas AUV-së, janë ndërmarrë në përputhje me Planin Vjetor të Inspektimit dhe me parimin e vlerësimit të riskut, për të garantuar se çdo produkt që arrin tek konsumatori është i sigurt.

“Sipas standardeve të sigurisë ushqimore, rezultatet e analizave në kafe kanë konfirmuar se nivelet e akrilamidës në të gjitha produktet e testuara janë nën kufirin maksimal të lejuar,” thuhet në njoftimin zyrtar të Agjencisë.

“Bazuar në këto rezultate, operatorët e bizneseve ushqimore mund të vazhdojnë tregtimin e kafesë. AUV do të vazhdojë monitorimin e vazhdueshëm me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik”.

Në rastin konkret, alarmi nga Kroacia kishte ngritur dyshime për tejkalim të normës së lejuar në një produkt të eksportuar nga Kosova, gjë që shkaktoi pasiguri tek konsumatorët vendas dhe debate në rrjete sociale.

Megjithatë, rezultatet e testeve të AUV-së kanë hedhur poshtë çdo dyshim për rrezikshmëri, duke konfirmuar se asnjë prej produkteve të testuara nuk e ka tejkaluar nivelin maksimal të lejuar të kësaj substance.

Akrilamida është një përbërës kimik që formohet natyrshëm gjatë procesit të pjekjes apo përpunimit të produkteve që përmbajnë niseshte, si buka, patatet dhe kafeja.

 

The post Agjencia e Ushqimit: Produktet e kafesë në Kosovë janë të sigurta për përdorim appeared first on Revista Monitor.

6 qytete të “humbura” që arkeologët nuk i kanë gjetur kurrë

Studiuesit njohin disa qytete të rëndësishme të lashtësisë falë burimeve të shkruara, por nuk kanë arritur ende t’i lokalizojnë ato në terren.

Bëhet fjalë për qendra të mëdha urbane, madje edhe kryeqytete mbretërish dhe perandorish, vendndodhja e të cilave ka humbur me kalimin e kohës.

Në disa raste, grabitës kanë gjetur këto qytete dhe kanë nxjerrë artefakte, por pa zbuluar kurrë se ku ndodhen.

1. Irisagrig

Mbishkrime të lashta, disa prej tyre nga Irisagrig, janë ekspozuar gjatë një ceremonie ku ato iu kthyen Irakut. (Burimi i imazhit: Win McNamee/Getty Images)

Pas pushtimit amerikan të Irakut në vitin 2003, në tregun e antikuareve u shfaqën mijëra pllaka balte nga një qytet i quajtur Irisagrig.

Tekstet tregojnë se qyteti lulëzoi rreth 4 000 vjet më parë dhe kishte pallate me qen, luanë dhe një tempull kushtuar perëndisë Enki.

Qyteti mendohet të jetë plaçkitur nga grabitësit, por vendndodhja e tij nuk është identifikuar kurrë nga arkeologët.

2. Itjtawy

Rrënojat e piramidës së Amenemhatit I në Lisht. Qyteti kryeqytet që ai ndërtoi nuk është gjetur kurrë, megjithëse studiuesit mendojnë se ka shumë gjasa të ndodhej diku pranë Lishtit. (Burimi i imazhit: DeAgostini/Getty Images)

Faraoni Amenemhat I ndërtoi këtë kryeqytet rreth vitit 1980 p.e.s., por ai nuk është gjetur ende.

Studiuesit mendojnë se ndodhej pranë Lishtit, në Egjiptin qendror, ku ndodhet edhe piramida e Amenemhatit.

Itjtawy mbeti kryeqytet deri rreth vitit 1640 p.e.s.

3. Akkadi (Agade)

Kryeqyteti i Perandorisë Akkadiane, që shtrihej nga Gjiri Persik deri në Anadoll, nuk është zbuluar ende.

Qyteti ishte qendra e sundimit të Sargonit të Madh dhe përfshinte tempullin Eulmash, kushtuar perëndeshës Ishtar.

Mendohet se ndodhej diku në Irak dhe u braktis rreth vitit 2150 p.e.s.

4. Al-Yahudu

Një pikturë që daton nga viti 1830, e cila paraqet hebrenjtë në mërgim në Perandorinë Babilonase. (Burimi i imazhit: ARTGEN/Alamy)

Ky vendbanim, emri i të cilit do të thotë “qyteti i Judës”, strehoi hebrenjtë e dëbuar nga mbreti babilonas Nebukadnetsar II.

Rreth 200 pllaka tregojnë se komuniteti ruajti fenë dhe emrat fetarë. Vendndodhja e tij mbetet e panjohur, por besohet se ishte në Irak.

5. Waššukanni

Një vulë cilindrike nga Perandoria Mitani. Ajo ndodhet sot në Muzeun Metropolitan të Artit në Nju Jork. (Burimi i imazhit: Dhuratë nga Martin dhe Sarah Cherkasky, 1987; Muzeu Metropolitan i Artit; Domeni publik)

Kryeqyteti i Perandorisë Mitani (1550–1300 p.e.s.) nuk është gjetur. Studiuesit mendojnë se ndodhej në verilindje të Sirisë.

Banorët e tij ishin hurrianë, me gjuhë dhe kulturë të veçantë.

6. Thinis (Tjenu)

Një nga qytetet më të hershme të Egjiptit, nga ku sunduan mbretër të hershëm rreth 5 000 vjet më parë.

Më vonë humbi statusin e kryeqytetit, por mendohet se ndodhej pranë Abydosit, ku janë zbuluar shumë varre mbretërore. / LiveScience, Shqip.al

The post 6 qytete të “humbura” që arkeologët nuk i kanë gjetur kurrë appeared first on Revista Monitor.

Kërkesat për azil nga shqiptarët në BE rriten sërish në tetor, niveli më i lartë nga janari

Kërkesat e shtetasve shqiptarë për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian kanë shënuar tendencë rritëse në fundin e vitit të kaluar, pasi kishin qene në rënie gjatë periudhës së verës.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në tetor 2025 u regjistruan gjithsej 505 kërkesa për azil, që është niveli më i lartë që nga muaji janar. Në gusht numri i kërkesave ishte rënë në 315.

Pavarësisht rritjes së tetorit, për 10 mujorin 2025, aplikimet për mbrojtje ndërkombëtare kanë qenë në rënie. Për periudhën janar-tetor ishin gjithsej 4345 persona që kërkuan azil, me një rënie prej 29.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në raport me vitin 2022, kur u shënua një kulm i ri emigracioni, pas pandemisë, me 11 mijë aplikime për 10 mujorin, tashmë ato mëse janë përgjysmuar. Franca vijon të mbetet vendi më i preferuar për të kërkuar azil për shkak të politika sociale, e ndjekur nga Gjermania.

Ndërsa kërkesat për azil për 10 mujorin janë në rënie, të dhënat e tjera të Eurostat bënë të ditur se forma më e preferuar për të ikur janë lejet e punës. Eurostat raportoi se vetëm në 2022-2024 janë dhënë mesatarisht 20 mijë leje pune në vit, kryesisht në Itali, Greqi e Gjermani, nga rreth 3-4 mijë që jepeshin një dekadë më parë.

Që nga viti 2021, Bashkimi Europian ka dhënë rreth 72 mijë leje qëndrimi për herë të parë për arsye punësimi për shtetasit shqiptarë.

Numri i atyre që po ikin me leje pune është tashmë gati dy herë më i lartë se ata që kërkojnë të largohen përmes azilit. Të dhënat e tjera të Eurostat bëjnë të ditur se në vitin 2022 kishte 15 mijë kërkesa për azil nga shtetasit shqiptarë në vendet e BE-së, në 2023 numri i tyre zbriti në 11 mijë dhe në 2024-n ishte 9.3 mijë.

Europa

Në tetor 2025, 62 010 aplikantë për herë të parë për azil (shtetas jo të BE-së) aplikuan për mbrojtje ndërkombëtare në vendet e Bashkimit Europian, duke shënuar një rënie prej 28% krahasuar me tetorin 2024 (86 470) dhe një rritje prej 6% krahasuar me shtatorin 2025 (58 495).

Ndërkohë, u regjistruan edhe 14 495 aplikantë të përsëritur, që përfaqësojnë një rritje prej 80% krahasuar me tetorin 2024 (8 075) dhe një ulje prej 10% krahasuar me shtatorin 2025 (16 185).

Grupi më i madh i azilkërkuesve nga Venezuela

Në tetor 2025, venezuelianët ishin grupi më i madh i personave që kërkuan azil (8 140 aplikantë për herë të parë), të ndjekur nga afganët (5 920), bangladeshasit (3 400) dhe sirianët (2 915).

Spanja, Italia, Franca dhe Gjermania morën 74% të aplikantëve për herë të parë

Spanja (12 885), Italia (12 650), Franca (11 245) dhe Gjermania (8 815) regjistruan numrin më të lartë të aplikantëve për azil për herë të parë, duke përfaqësuar 74% të të gjithë aplikantëve për herë të parë në BE.

Në tetor 2025, kishte 13,8 aplikantë për herë të parë për azil për çdo 100 mijë banorë në BE. Krahasuar me popullsinë e secilit vend të BE-së (më 1 janar 2025), normat më të larta të aplikantëve për herë të parë u regjistruan në Greqi (58,1), e ndjekur nga Qiproja (33,9) dhe Spanja (26,3).

1 710 të mitur të pashoqëruar aplikuan për azil

Në tetor 2025, gjithsej 1 710 të mitur të pashoqëruar aplikuan për herë të parë për azil në BE. Numri më i lartë i të miturve të pashoqëruar vinte nga Somalia (245), Egjipti (215), Eritrea (200), Afganistani (190) dhe Venezuela (180).

Vendet e Bashkimit Europian që morën numrin më të lartë të aplikimeve për azil nga të mitur të pashoqëruar ishin Holanda (350), Greqia (325), Gjermania (245) dhe Spanja (215).

Vendet e Bashkimit Europian që morën numrin më të lartë të aplikimeve për azil nga të mitur të pashoqëruar ishin Holanda (350), Greqia (325), Gjermania (245) dhe Spanja (215).

Burimi: Eurostat

Burimi: Eurostat

The post Kërkesat për azil nga shqiptarët në BE rriten sërish në tetor, niveli më i lartë nga janari appeared first on Revista Monitor.

Vlera e borxhit publik të financuar nga BSH zbret në nivelin më të ulët në gjashtë vitet e fundit

Borxhi publik i financuar nga Banka e Shqipërisë ka zbritur në nivelin më të ulët në gjashtë vitet e fundit. Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, në fund të tremujorit të tretë 2025 vlera e portofolit të bonove të thesarit të mbajtura nga ky institucion kishte vlerën e 59.57 miliardë lekëve.

Statistikat tregojnë gjithashtu një rënie të vazhdueshme të peshës së borxhit të brendshëm publik në Lekë, të financuar nga Banka Qendrore. Të dhënat më të fundit të Ministrisë së Financave tregojnë se në fund të tremujorit të tretë 2025 Banka e Shqipërisë zotëronte vetëm 7.25% të borxhit të brendshëm.

Pjesa e borxhit publik në Lekë të financuar nga Banka e Shqipërisë ka ardhur në rënie gjatë dekadave të fundit. Në fillim të viteve 2000, pas ndërprerjes së financimi direkt të borxhit publik nga Banka Qendrore, ajo mbante rreth 25% të tij.

Banka e Shqipërisë merr pjesë në tregun primar të titujve qeveritarë vetëm në ankandet e instrumenteve afatshkurtër (bono thesari) dhe pa paraqitur oferta konkurruese, për të mos ndikuar direkt çmimin e huamarrjes.

Bankës së Shqipërisë i rezervohet paraprakisht një pjesë e caktuar e emetimit. Çmimi me të cilin shitet sasia e bonove që i është alokuar paraprakisht Bankës së Shqipërisë është yield-i mesatar i ponderuar i kërkesave të pranuara në ankand.

Zyrtarisht, mbajtja e një sasie të caktuar të bonove të thesarit nga Banka e Shqipërisë nuk ka si qëllim direkt financimin e borxhit, por përdorimin e këtyre instrumenteve në shërbim të operacioneve të Bankës së Shqipërisë me bankat tregtare.

Bankat ngelen financueset kryesore të borxhit të brendshëm publik të vendit.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, në fund të 9-mujorit 2025, bankat mbanin gjithsej 65.3% të stokut të borxhit të brendshëm (duke përfshirë edhe pjesën e mbajtur nga klientët e tyre), nga 64% që mbanin në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Njëkohësisht, edhe institucionet tjera financiare e kanë rritur peshën e tyre në 14.5% të totalit, nga 14.1% që kishte qenë pesha e tyre një vit më parë.

Nga ana tjetër, pesha e individëve në financimin e borxhit të brendshëm ka pësuar një rënie të lehtë. Shifrat e Ministrisë së Financave tregojnë se individët në fund të 9-mujorit 2025 zotëronin direkt 9.38% të borxhit të brendshëm publik, nga 11.2% që mbanin një vit më parë.

Ulja e pjesës së mbajtur nga individët mund të shpjegohet së shumti me tendencën në rënie të yield-eve. Këtë vit, yield-et e bonove dhe obligacioneve të qeverisë kanë pësuar rënie të mëtejshme, duke ndjekur lëvizjet e politikës monetare të Bankës Qendrore, por edhe falë gjendjes së shëndetshme dhe likuide të sektorit financiar në vend. Kjo rënie e yield-eve e ka zbehur interesin e individëve për të investuar në këto instrumente.

The post Vlera e borxhit publik të financuar nga BSH zbret në nivelin më të ulët në gjashtë vitet e fundit appeared first on Revista Monitor.

FMN ushtron presion mbi qeveritë që të rrisin mbështetjen për punonjësit e larguar nga IA

Analiza gjen prova se teknologjia po ndikon në paga dhe punësim në sektorë të caktuar

Rritja e inteligjencës artificiale po ndikon tashmë në paga dhe punësim në profesionet e ekspozuara ndaj automatizimit, ka konstatuar një studim i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i cili u ka bërë thirrje qeverive të ofrojnë më shumë mbështetje për punëtorët që humbasin vendet e punës për shkak të kësaj teknologjie.

Kristalina Georgieva, drejtoresha menaxhuese e FMN-së, tha se politikëbërësit duhet të shqyrtojnë gjithashtu rikonceptimin e arsimit, në mënyrë që të rinjtë që hyjnë në tregun e punës të mund të përdorin inteligjencën artificiale “në vend që të konkurrojnë me të”.

“Pesha e kësaj çështjeje shkon përtej ekonomisë. Puna u jep njerëzve dinjitet dhe qëllim në jetë. Kjo është ajo që e bën transformimin nga inteligjenca artificiale kaq vendimtar,” tha ajo përpara takimit vjetor të liderëve botërorë dhe drejtuesve të biznesit në Davos të Zvicrës, javën e ardhshme.

Fondi analizoi miliona shpallje pune online dhe profile punëtorësh në gjashtë ekonomi: SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Danimarkën, Brazilin dhe Afrikën e Jugut.

Kjo analizë është e rëndësishme sepse kërkimet mbi ndikimin e inteligjencës artificiale në tregun e punës deri tani janë mbështetur kryesisht në të dhëna nga SHBA-ja, ku adoptimi i saj është më i avancuar.

Studimet e mëparshme nuk kanë gjetur prova përfundimtare se inteligjenca artificiale ka çuar në shkarkime masive, edhe pse disa prej tyre tregojnë një efekt më të qartë në punësimin fillestar dhe në profesione të caktuara, si zhvillimi i softuerëve.

Analiza e FMN-së zbuloi se një në dhjetë shpallje pune kërkonte të paktën një aftësi të re që pothuajse nuk ekzistonte një dekadë më parë, si aftësi të lidhura me teknologjinë e informacionit ose menaxhimin e rrjeteve sociale në marketing.

Rritja e kërkesës për këto aftësi më të gjera ka pasur efekt pozitiv në paga dhe punësim, tha FMN-ja. Shpalljet që përfshinin një aftësi të re ofronin një premium page prej 3 deri në 3.4 për qind si në SHBA, ashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Por kur FMN-ja shqyrtoi shpalljet që kërkonin vetëm aftësi të lidhura drejtpërdrejt me inteligjencën artificiale, rritja e kërkesës për to nuk e rriti nivelin e përgjithshëm të punësimit. Përkundrazi, ajo çoi në humbje vendesh pune në profesione ku punëtorët ishin më të cenueshëm nga zëvendësimi i plotë me teknologji të reja. FMN nuk specifikoi se cilat profesione ishin më të ekspozuara, por theksoi se vendet e punës në nivelet fillestare kishin një ekspozim më të lartë ndaj inteligjencës artificiale.

Pas pesë vitesh, punësimi ishte 3.6 për qind më i ulët në rajonet me kërkesë më të lartë për aftësi të lidhura me inteligjencën artificiale, krahasuar me zona të tjera.

Ajo bëri thirrje për mbështetje më të madhe për punëtorët e zhvendosur nga inteligjenca artificiale, për t’i ndihmuar të rikualifikohen dhe të kalojnë në mundësi të reja, si dhe për forcimin e mbrojtjes sociale.

Shpalljet e punës sugjeronin se do të kishte më shumë kërkesë për punëtorë të aftë në përdorimin e inteligjencës artificiale sesa për ata që merren drejtpërdrejt me zhvillimin e saj, tha FMN-ja.

Kjo do të thotë se të rinjtë do të kenë nevojë për “aftësi njohëse, krijuese dhe teknike që e plotësojnë inteligjencën artificiale dhe i ndihmojnë ta përdorin atë, në vend që të konkurrojnë me të”, shtoi fondi. / FT

The post FMN ushtron presion mbi qeveritë që të rrisin mbështetjen për punonjësit e larguar nga IA appeared first on Revista Monitor.

Hulumtimet arkeologjike, rregullat për lejet dhe monitorimin e tyre

Hulumtimet arkeologjike duhet të respektojnë në mënyrë rigoroze lejet e tyre dhe për këtë synohet të vendoset një monitorim më i gjerë. Në një udhëzim të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sporteve përcaktohet konkretisht se cilat janë këto rregulla të reja.

Kështu së pari sipas udhëzimit nënvizohet se hulumtimet arkeologjike kryhen vetëm mbi bazën e lejes së miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM), sipas procedurave të parashikuara në ligjin nr. 27/2018, i ndryshuar dhe VKM-në nr. 220/2021.2. « Institucioni i specializuar që kryen veprimtari të hulumtimit arkeologjik ose subjekti i licencuar në fushën e arkeologjisë, i pajisur me leje nga KKTKM-ja për kryerjen e hulumtimeve arkeologjike mban përgjegjësi të plotë për zbatimin e kushteve të përcaktuara në leje dhe në projektin e miratuar Çdo leje lidhet me një drejtues projekti, i cili mban  përgjegjësi  individuale  për  korrektësinë metodologjike, raportimin dhe ruajtjen e të dhënave » thuhet në udhëzim.

I njëjti përcakton se subjekti përfitues i lejes ka një sërë detyrimesh ku së pari të njoftojë institucionin përgjegjës për fillimin dhe përfundimin e hulumtimit.

Së dyti të zhvillojë hulumtimin arkeologjik brenda kufijve dhe koordinatave të përcaktuara në lejen përkatëse, të miratuar nga KKTKM-ja.

Së treti të zbatojë projektin e miratuar dhe standardet profesionale të hulumtimit arkeologjik. Së katërti të  njoftojë  institucionet  përgjegjëse  për trashëgiminë kulturore në çdo rast ku vlerësohet dhe gjykohet e nevojshme për ndryshime në projektin e miratuare.

Po kështu të garantojë mbrojtjen, ruajtjen dhe integritetin e gjetjeve dhe/apo vlerave të trashëgimisë kulturore të zbuluara gjatë hulumtimit.

Së pesti të sigurojë kushte ruajtjeje ndaj ndikimit të kushteve atmosferike, siguri fizike si dhe  të  bashkëpunojë  gjatë  mbikëqyrjes  nga institucionet përgjegjëse të specializuara. Së gjashti  të kryejë dhe të përpilojë dokumentacionin teknik, në përputhje me kriteret e përcaktuara në kuadrin ligjor vendas.

Autoritetet përgjegjëse në vend kanë të drejtë që të kryejnë inspektime në vendet ku po zbatohet leja e hulumtimit arkeologjik pa njoftim paraprak.

Udhëzimi parashikon se pas përfundimit të hulumtimit, institucioni i specializuar  që  kryen  veprimtari  të  hulumtimit arkeologjik ose subjekti i licencuar në fushën e arkeologjisë,  i  pajisur  me  leje  për  hulumtime arkeologjike, paraqet raportin përfundimtar pranë institucionit përgjegjës.  Raporti  përfundimtar  përbën  kusht  për vlerësimin  e  veprimtarisë  së  institucionit  apo subjektit  dhe  për  shqyrtimin  e  kërkesave  të ardhshme për leje.

Rritja e interesit turistik për Shqipërinë ka rritur vëmendjen edhe për segmenti kulturor në vend ku sitet arkeologjike dhe objektet e trashëgimisë kanë fituar vit pas viti gjithmonë e më shumë vëmendje. Në vitin 2025 sipas të dhënave zyrtare Ministria raportoi se ishin 1.5 milionë turistë që kanë vizituar sitet arkeologjike dhe institucionet kulturore në vend. / N.Maho

 

 

The post Hulumtimet arkeologjike, rregullat për lejet dhe monitorimin e tyre appeared first on Revista Monitor.

Sektori bankar e shpejtoi rritjen për të dytin vit radhazi në 2025

Sektori bankar ka shpejtuar ritmin e rritjes për të dytin vit radhazi gjatë 2025.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit nëntor 2025, aktivet e sektorit bankar arritën vlerën e 2.29 trilionë lekëve, në rritje vjetore me 9.4%. Ky ritëm rritje është më i lartë krahasuar me atë prej 7.7% të një viti më parë dhe 1.8% të dy viteve më parë.

Ecuria e totalit të aktiveve në vitet e fundit është ndikuar ndjeshëm edhe nga ecuria e kursit të këmbimit. Forcimi i vazhdueshëm i Lekut ndaj Euros ka dhënë një efekt negativ mbi vlerën e aktiveve valutore, të raportuara statistikisht në monedhën vendase.

Në fund të vitit 2025, kursi i këmbimit Euro-Lek pësoi rënie të mëtejshme me 1.4% krahasuar me fundin e vitit 2024. Megjithatë, ritmet e rënies ishin më të ulëta krahasuar me zhvlerësimin prej 5.5% që monedha europiane kishte pësuar një vit më parë. Ecuria më e stabilizuar e kursit, mes të tjerash, ka ndikuar në një rritje më të larta të aseteve të sektorit bankar gjatë vitit 2025.

Rritja e sektorit bankar është mbështetur kryesisht nga zgjerimi i depozitave të publikut. Në fund të nëntorit, totali i depozitave u rrit me 8.9% krahasuar me një vit më parë. Vitin e kaluar, rritja e depozitave kishte qenë 5%.

Shtesa e depozitave është përkthyer, në krahun tjetër të bilancit, në një zgjerim të shpejtë të grupeve kryesore të aseteve, kredisë për sektorin privat dhe investimit në letra me vlerë.

Portofoli i kredisë (duke përfshirë edhe kredinë për jorezidentët) arriti vlerën e 986 miliardë lekëve, me një rritje vjetore prej 14.8%. Kreditimi po rritet me ritmet më të larta në 16 vitet e fundit, i mbështetur sidomos nga kredia për individët. Pavarësisht masave frenuese të bankës së Shqipërisë, kredia madje po rritet me një ritëm lehtësisht më të ngadaltë krahasuar me ritmet e vitit 2024.

Paralelisht, bankat kanë zgjeruar edhe portofolin e letrave me vlerë, që arriti në 900.5 miliardë lekë, me një rritje prej 7.2% krahasuar me një vit më parë. Bankat kanë rritur njëkohësisht investimin në letrat me vlerë të qeverisë shqiptare dhe ato në titujt e emetuesve të huaj. Rritja e vazhdueshme e depozitave në valutë ka bërë që në vitet e fundit edhe investimet në letra me vlerë jashtë vendit të rriten.

Zgjerimi i aktiveve, rritja e normave të interesit dhe përmirësimi i mëtejshëm i cilësisë së portofolit të kredisë ka ndikuar pozitivisht edhe performancën financiare të sektorit.

Sipas të dhënave mbështetur në standardet mbikëqyrëse të raportimit, fitimi neto në fund të 11-mujorit 2025 arriti në 32.1 miliardë lekë. Megjithatë, fitimi i sektorit ka pësuar rënie me 4.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kryesisht për shkak të uljes së normave të interesit të Lekut dhe Euros.

Edhe kthimi nga kapitali ka shënuar rënie në nivelin 15.77%, nga 17.96% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. / E.Shehu

Burimi: Banka e Shqipërisë

The post Sektori bankar e shpejtoi rritjen për të dytin vit radhazi në 2025 appeared first on Revista Monitor.

Pa masa, ndryshimet e klimës do të krijojnë 17 mld USD humbje në bujqësi

Sektori i bujqësisë dhe ekonomia e vendit do të përballen me humbje që përllogariten deri në 17 miliardë dollarë deri në vitin 2050 nga ndryshimet klimaterike sipas skenarëve që ka zhvilluar Programi i Kombeve të Bashkuara (PNUD) në kuadër të planit Kombëtar të adoptimin ndaj klimës.

Klima në Shqipëri pritet të ndryshojë ndjeshëm deri në vitin 2050, me rritje të temperaturave, ulje të reshjeve dhe rritje të ngjarjeve ekstreme, sipas projeksioneve kombëtare të klimës. Temperaturat mesatare vjetore do të rriten me rreth 2 gradë, ndërsa temperaturat maksimale me 2.8 gradë.

Reshjet vjetore pritet të ulen me 5.8%, ndërsa niveli i detit do të rritet me 28 cm, ndërsa numri i ditëve me reshje ekstreme do të arrijë 16, ndërsa vendi do të përballet me katër valë të nxehtësisë dhe 16 ditë shumë të ftohta në vit, thuhet në dokumentin e PNUD.

Këto ndryshime pritet të ndikojnë rëndë sektorin e bujqësisë dhe pyjeve, që përbën një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare. Bujqësia, ku përfshihet edhe blegtoria, punëson rreth një të tretën e fuqisë punëtore dhe kontribuon me 15% të PBB-së, ndërsa pyjet mbulojnë 39% të territorit, por kanë humbur 334 mijë hektarë që nga viti 1938 për shkak të prerjeve të paligjshme, zjarreve dhe menaxhimit të dobët.

Për të përballuar këto sfida vetëm për sektorin bujqësor duhen zbatuar 66 masa, me një kosto të përgjithshme prej 9.8 miliardë dollarë, që synojnë në rregullimin e sistemeve të ujitjes dhe përmirësimin e menaxhimit të ujit për bujqësinë.

Në qendër të masave janë restaurimi i tokave dhe ekosistemeve për parandalimin e përmbytjeve dhe erozionit, mbrojtjen e fermerëve përmes sigurimeve dhe fondeve të kompensimit, zbatimin e programeve të pyllëzimit dhe agropylltarisë, forcimin e sistemeve kundër zjarreve dhe promovimin e financimit të qëndrueshëm për pyjet, etj.

Ekspertët paralajmërojnë se pa këto masa, humbjet e mundshme nga ndryshimet klimatike mund të tejkalojnë 17 miliardë dollarë. Ndërhyrjet synojnë të rrisin qëndrueshmërinë e ekosistemeve, të mbështesin rritjen e qëndrueshme dhe të përputhen me objektivat globale për adaptimin ndaj klimës.

Sektori i bujqësisë është kryesisht familjar, me 85% të fermave që kanë mesatarisht vetëm 1.2 hektarë, gjë që kufizon produktivitetin. Bimët janë më të rrezikuara se blegtoria, sidomos drithërat dhe perimet. Tek blegtoria, gjedhi dhe kuajt janë më të ndjeshëm ndaj ndryshimeve klimatike. Ndërkohë, pyjet përballen me rritje të thatësirave, zjarreve dhe përhapjes së insekteve dhe sëmundjeve, që rrisin vulnerabilitetin e ekosistemeve./ B.Hoxha

 

 

The post Pa masa, ndryshimet e klimës do të krijojnë 17 mld USD humbje në bujqësi appeared first on Revista Monitor.

Bankat shqiptare presin rritje të huave me probleme, raportojnë përfitueshmëri më të ulët se rajoni

Bankat që operojnë në Shqipëri presin një rritje të kredive me probleme (NPL) në periudhën në vijim, ndërkohë që përfitueshmëria e sektorit bankar mbetet nën mesataren e vendeve të Europës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, gjetjeve të Anketës së kreditimit bankar Europën Qendrore dhe Juglindore  (EQLJL) për gjysmën e dytë të vitit 2025, e kryer nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI), në të cilën përfshihet dhe Shqipëria.

Sipas raportit, ndonëse kërkesa për kredi në Shqipëri vijon të jetë e fortë, veçanërisht nga bizneset dhe familjet, bankat shfaqin kujdes të shtuar për cilësinë e portofolit, duke sinjalizuar se rreziqet e kreditimit po rriten. Shqipëria renditet ndër vendet ku bankat presin përkeqësim të lehtë të cilësisë së aktiveve, në kontrast me disa tregje të tjera të rajonit ku pritshmëritë janë më të qëndrueshme.

BEI thekson se pritshmëritë për rritjen e kredive me probleme lidhen me ngadalësimin e disa sektorëve kyç, rritjen e kostove për bizneset dhe pasiguritë strukturore të ekonomisë, të cilat mund të ndikojnë aftësinë e huamarrësve për të shlyer detyrimet. Në këtë kontekst, bankat raportojnë një qasje më konservatore në dhënien e kredive, edhe pse kërkesa mbetet e lartë.

Nga ana e fitueshmërisë, raporti evidenton se bankat në Shqipëri raportojnë nivele më të ulëta të rentabilitetit krahasuar me mesataren e rajonit CESEE. Kjo diferencë shpjegohet me faktorë si madhësia relativisht e vogël e tregut, presioni mbi marzhet e interesit, konkurrenca e lartë dhe struktura e kreditimit, e cila mbetet e përqendruar në sektorë me vlerë të shtuar më të ulët.

Megjithatë, pavarësisht fitueshmërisë më modeste dhe pritshmërive për rritje të kredive me probleme, bankat vijojnë ta konsiderojnë tregun shqiptar si relativisht tërheqës, duke theksuar stabilitetin makroekonomik dhe potencialin për rritje të kreditimit në afatmesëm, nëse përmirësohet klima e biznesit dhe ulen rreziqet strukturore.

Raporti nënvizon se sfida kryesore për sistemin bankar në Shqipëri mbetet ruajtja e ekuilibrit mes zgjerimit të kreditimit dhe menaxhimit të rrezikut, në një ekonomi ku rritja mbështetet ende fort te konsumi dhe shpenzimet publike, ndërsa investimet private dhe produktiviteti mbeten nën potencial.

Anketa e huadhënies bankare në EQLJL tregon tendencë pozitive në kërkesën për kredi dhe shenja të përmirësimit të ofertës

Sipas një njoftimi zyrtar të BEI, Bankat në Europën Qendrore dhe Juglindore (EQLJL) raportojnë tendenca përmirësimi. Kërkesa për kredi mbetet e fortë, veçanërisht nga kompanitë, ndërsa bankat parashikojnë një përmirësim të lehtë në ofertën e kredisë pas një periudhe tkurrjeje. Predispozita për huadhënie nga bankat pritet të rritet, veçanërisht për NVM-të dhe kredinë konsumatore, megjithëse bankat tregojnë gatishmëri më të kufizuar për të zgjeruar kredinë për kompanitë e mëdha dhe për hipotekat. Një besim i tillë në rritje rreth ofertës së kredisë mund të ndihmojë në ngushtimin e hendekut ofertë-kërkesë që ka vazhduar vitet e fundit, për shkak të kërkesës së fortë për kredi dhe ofertës më të kufizuar.

Anketa e kreditimit bankar e EQLJL-së për gjysmën e dytë të vitit 2025, e kryer nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI) dhe e prezantuar në Forumin EQL 2026 në Vjenë, tregon se dy të tretat e grupeve bankare ndërkufitare të anketuara në lidhje me planet e ardhshme afatgjata synojnë të zgjerojnë operacionet e tyre. Në Shqipëri, kërkesa për kredi është rritur më tej, ndërsa kushtet e ofertës janë shtrënguar. Gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, pritet një tendencë e ngjashme nga ana e kërkesës, ndërsa kushtet e ofertës ka të ngjarë të mbeten neutrale. Likuiditeti dhe cilësia e kredive janë përmirësuar, megjithëse pritet një rritje e moderuar e kredive me probleme në periudhën në vijim.

“Anketa e fundit konfirmon qëndrueshmërinë dhe potencialin e fortë të sektorit bankar në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore”, u shpreh Marek Mora, zëvendëspresident i BEI-t. “Kërkesa për kredi mbetet e fortë, kushtet e ofertës po tregojnë shenja përmirësimi dhe cilësia e kredive ka vazhduar të përparojë gjatë gjashtë muajve të fundit. Këto tendenca janë shumë inkurajuese për investimet dhe zhvillimin ekonomik në rajon. Dy të tretat e bankave të pranishme në rajon po planifikojnë të rrisin ekspozimin e tyre afatgjatë atje. Kjo është një shenjë e shkëlqyer e potencialit për rritje në EQLJL-së. BEI plotëson përpjekjet e bankave tregtare dhe do të vazhdojë të kontribuojë, duke adresuar mangësitë e tregut dhe prioritetet e politikave të BE-së.“

Potenciali i tregut në rajonin e EQLJL-së konsiderohet gjerësisht si i rëndësishëm, ku shumica e bankave të anketuara e vlerësojnë atë si të lartë – veçanërisht në vende si Çekia, Rumania dhe Sllovakia – ose mesatar, kryesisht në tregjet e Ballkanit Perëndimor. Rentabiliteti në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore mbetet gjithashtu i fortë krahasuar me operacionet e përgjithshme të grupit, e karakterizuar nga një performancë veçanërisht të fortë në Bosnjë-Hercegovinë, Bullgari, Çeki, Hungari, *Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Debora Revoltella, shefe e Departamentit të Ekonomisë në BEI, , u shpreh: “Këto rezultate nxjerrin në pah tendenca shumë pozitive të kreditimit për bankat që operojnë në zonën e EQLJL-së, të cilat po përfitojnë nga performanca e fortë e sektorëve bankarë globalë dhe evropianë. Megjithatë, faktorë të ndryshëm – si vendas ashtu edhe ndërkombëtarë, veçanërisht zhvillimet rregullatore – vazhdojnë të peshojnë në kushtet e ofertës së kreditimit në rajon.”

Për më tepër, aksesi në financim në EQLJL si për grupet bankare ndërkufitare ashtu edhe për degët e tyre ka mbetur i fortë gjatë gjashtë muajve të fundit dhe pritet të përmirësohet më tej. Kjo perspektivë pozitive mbështetet nga rritja e depozitave me pakicë dhe të korporatave dhe aksesi i vazhdueshëm në financim nga institucionet financiare ndërkombëtare (IFN), siç është BEI.

Cilësia e kredive ka vazhduar të përmirësohet gjatë gjashtë muajve të fundit, me më pak kredi të këqija të raportuara. Këto fitime kanë qenë veçanërisht të forta në segmentin e shitjes me pakicë dhe në sektorin e korporatave. Pavarësisht këtyre zhvillimeve pozitive, bankat mbeten të kujdesshme për gjashtë muajt e ardhshëm, duke parashikuar një përkeqësim të mundshëm të cilësisë së kredisë.

 

The post Bankat shqiptare presin rritje të huave me probleme, raportojnë përfitueshmëri më të ulët se rajoni appeared first on Revista Monitor.

Gjoba ditore deri në 500 mijë lekë, ligji i ri me sanksione ndaj përmbajtjes së dëmshme online

Gjoba që arrijnë deri në 500 mijë lekë për çdo 24 orë vonesë janë arma kryesore e ligjit të ri për të detyruar platformat dhe ofruesit e shërbimeve online të heqin përmbajtjet e dëmshme në internet.

Me vendim të Këshillit të Ministrave, qeveria ka përcaktuar mekanizmin administrativ që i jep Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) kompetenca të drejtpërdrejta ndëshkuese ndaj subjekteve që nuk zbatojnë vendimet gjyqësore për mbrojtjen e viktimave nga dhuna digjitale.

Sipas vendimit, AKEP do të vendosë gjoba administrative nga 30 mijë deri në 500 mijë lekë për çdo 24 orë vonesë ndaj ofruesve të shërbimeve online që nuk heqin, bllokojnë ose fshijnë përmbajtje digjitale të përcaktuara si masa mbrojtëse nga gjykata. Këtu përfshihen, ndër të tjera, imazhet intime të publikuara pa pëlqimin e viktimës, llogaritë apo fjalëkalimet e përdorura për përndjekje, si edhe profilet ose lidhjet elektronike të përdorura për ngacmim.

Gjobat e vendosura nga AKEP përbëjnë titull ekzekutiv dhe derdhen në buxhetin e shtetit. Subjektet përgjegjëse përfitojnë një ulje automatike prej 15% të shumës së gjobës, nëse pagesa kryhet brenda 30 ditëve nga njoftimi i vendimit. Ndërkohë, ligji parashikon të drejtën e ankimit brenda 45 ditëve në gjykatën administrative kompetente.

Përtej sanksioneve financiare, ligji zgjeron ndjeshëm juridiksionin territorial të autoriteteve shqiptare. Masat mbrojtëse dhe administrative zbatohen në territorin e Republikës së Shqipërisë, por AKEP dhe autoriteti rregullator i medias audiovizive mund të urdhërojnë heqjen, bllokimin ose kufizimin e përmbajtjes digjitale pavarësisht vendndodhjes së serverit apo ofruesit të shërbimit.

Në raste të caktuara, gjykata civile mund të shkojë edhe më tej, duke urdhëruar ndalimin e kontaktit online dhe offline, si dhe sekuestrimin e çdo mjeti digjital të përdorur për ushtrimin e dhunës, për sa kohë që këto mjete ndodhen brenda territorit të vendit.

Procedurat, formatet e kërkesës dhe mënyra e njoftimit elektronik për këto masa do të miratohen me një vendim të përbashkët të Këshillit të Lartë Gjyqësor, autoritetit përgjegjës për drejtësinë dhe Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, duke synuar standardizimin dhe përshpejtimin e ndërhyrjeve në mjedisin digjital./ D.Hyka

 

The post Gjoba ditore deri në 500 mijë lekë, ligji i ri me sanksione ndaj përmbajtjes së dëmshme online appeared first on Revista Monitor.

SHBA pezullon nga 21 janari përpunimin e vizave të emigrimit për 75 vende, përfshirë Shqipërinë

Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi të mërkurën se do të pezullojë përpunimin e vizave të emigrimit për shtetasit e 75 vendeve, përfshirë edhe Shqipërinë, qytetarët e të cilave vlerësohet se kanë gjasa të përfitojnë ndihmë publike gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara.

Departamenti i Shtetit, i drejtuar nga Sekretari Marco Rubio, bëri të ditur se u ka kërkuar zyrtarëve konsullorë të ndalojnë shqyrtimin e aplikimeve për viza emigrimi nga vendet e prekura, në përputhje me një urdhër më të gjerë të nxjerrë në muajin nëntor, i cili ashpërson rregullat për emigrantët potencialë që mund të shndërrohen në “barrë për fondet publike” në SHBA.

Pezullimi, i cili do të hyjë në fuqi më 21 janar, nuk do të zbatohet për aplikantët që kërkojnë viza jo-emigrimi, përfshirë vizat e përkohshme turistike ose të biznesit.

“Administrata Trump po i jep fund abuzimit me sistemin e emigracionit të Amerikës nga ata që synojnë të përfitojnë nga pasuria e popullit amerikan”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit. “Përpunimi i vizave të emigrimit nga këto 75 vende do të pezullohet, ndërsa Departamenti i Shtetit rishikon procedurat e emigracionit për të parandaluar hyrjen e shtetasve të huaj që do të përfitonin nga ndihmat sociale dhe përfitimet publike.”

Sipas raportimit të Fox News, lista e plotë e vendeve që preken nga pezullimi përfshin 75 shtete, mes tyre edhe disa nga Ballkani Perëndimor, me përjashtim të Serbisë.

Lista e plotë e vendeve:

Afganistan, Shqipëria, Algjeria, Antigua dhe Barbuda, Armenia, Azerbajxhani, Bahamas, Bangladeshi, Barbados, Bjellorusia, Belize, Butani, Bosnje-Hercegovina, Brazili, Burma (Myanmar), Kamboxhia, Kameruni, Kepi i Gjelbër, Kolumbia, Bregu i Fildishtë, Kuba, Republika Demokratike e Kongos, Dominika, Egjipti, Eritrea, Etiopia, Fixhi, Gambia, Gjeorgjia, Gana, Grenada, Guatemala, Guinea, Haiti, Irani, Iraku, Xhamaika, Jordania, Kazakistani, Kosova, Kuvajti, Kirgistani, Laosi, Libani, Liberia, Libia, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Mongolia, Mali i Zi, Maroku, Nepali, Nikaragua, Nigeria, Pakistani, Republika e Kongos, Rusia, Ruanda, Shën Kits dhe Nevis, Shën Luçia, Shën Vincent dhe Grenadinet, Senegali, Sierra Leone, Somalia, Sudani i Jugut, Sudani, Siria, Tanzania, Tajlanda, Togo, Tunizia, Uganda, Uruguaji, Uzbekistani dhe Jemeni.

The post SHBA pezullon nga 21 janari përpunimin e vizave të emigrimit për 75 vende, përfshirë Shqipërinë appeared first on Revista Monitor.

IDC: Dërgesat e smartphone-ve rriten me 2.3% në tremujorin e katërt 2025

Apple është fituesi i qartë

 

Pas më shumë se 14 vitesh, Apple la pas Samsung si shitësi i parë i smartphone-ve në botë.

Sipas të dhënave paraprake të International Data Corporation (IDC), në tremujorin e katërt 2025 u shitën në total 336.3 milionë smartphone, me rritje 2.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Apple udhëhoqi klasifikimin me 81.3 milionë dërgesa në këtë periudhë dhe një pjesë të tregu global prej 24.2%.

Kompania Apple, me seli në Cupertino, përfitoi nga suksesi i telefonave të serisë iPhone 17, duke arritur të ardhurat e saj më të larta tremujore të të gjitha kohërave dhe rritjen e saj më të mirë të tremujorit të katërt që nga viti 2021.

Edhe pse ra në vendin e dytë, Samsung e mbylli vitin me ecuri pozitive, me 61.2 milionë dërgesa dhe një pjesë tregu prej 18.2%. Marka koreane regjistroi një rritje vjetore mbresëlënëse më shumë
se 18% – rritja më e lartë se çdo markë në 5 vendet e para.

Xiaomi renditet e treta, me 37.8 milionë dërgesa dhe një pjesë tregu prej 11.2%, kurse vivo (27 milionë) dhe Oppo (26.9 milionë) ndajnë vendin e katërt.

Pavarësisht mungesës së vazhdueshme të chip-ave të memories dhe një viti të karakterizuar nga paqartësi ekonomike, si tarifat dhe ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit, tregu global i telefonave inteligjentë regjistroi një rritje prej 1.9%. Rritja e qëndrueshme në segmentin premium u shoqërua nga kërkesa e fortë e konsumatorëve e nxitur nga rritjet e pritura të çmimeve.

Duke parë statistikat vjetore, në vitin 2025 u shitën në total 1.26 miliardë smartphone dhe Apple ishte përsëri kompania fituese. Kompania me seli në Cupertino arriti rekordin prej 247.8 milionë dërgesash në këtë periudhë, me një pjesë tregu global prej 19.7%. Me fjalë të tjera, 1 në 5 telefona të dërguar në vitin 2025 ishte iPhone.

Samsung renditet në vendin e dytë me 241.2 milionë dërgesa dhe një pjesë tregu prej 19.1%, duke regjistruar një rritje vjetore prej 7.9%.

Xiaomi arriti 165.3 milionë dërgesa, ndërsa vivo dhe Oppo kontribuan secila me pak më shumë se 8 milionë dërgesa.

Duke parë përpara, 2026 pritet të sjellë një perspektivë të ndryshme për tregun e smartphone-ve, me mungesën e vazhdueshme të chip-ave të memories, e cila pritet t’i tronditë rëndë zinxhirët e furnizimit. Tregu pritet të pësojë rënie, ndërsa çmimet e telefonave inteligjentë do të rriten në mënyrë të pashmangshme. / GSMArena

The post IDC: Dërgesat e smartphone-ve rriten me 2.3% në tremujorin e katërt 2025 appeared first on Revista Monitor.

Tatimet njoftojnë pagat e reja minimale e maksimale, ndryshimi që po zbatohet për herë të parë

Nga 1 janari 2026 rritet paga minimale dhe maksimale ka rikujtuar Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Paga minimale mujore bëhet 50,000 lekë, ndërsa paga maksimale për efekt të llogaritjes së kontributeve shoqërore do të jetë 186,416 lekë.

Ndryshimet vlejnë për të punësuarit, vetëpunësuarit dhe punonjësit e papaguar të familjes, njoftojnë tatimet.

Paga minimale u rrit me vendim qeveria nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë, ose 10 mijë lekë më shumë.

Rritja e pagës minimale çon automatikisht dhe në rritjen e pagës maksimale.

Që nga mesi i vitit 2023, Paga maksimale, për efekt kontributi, rritet me të njëjtën masë dhe në të njëjtën kohë me masën që rritet paga minimale në shkallë vendi. Si rrjedhojë, edhe paga maksimale do të rritet me 10 mijë lekë, duke arritur në 186,416 lekë.

Lexoni edhe: Lehtësimi për bizneset; Paga maksimale do rritet në vlerë aq sa rritet paga minimale, jo më me të njëjtën përqindje

Ky ishte një lehtësim për punëdhënësit dhe punëmarrësit me paga të larta pasi deri në vitin 2023, paga maksimale rritej me të njëjtën përqindje që rritej ajo minimale, duke rënduar ndjeshëm si punëdhënësit dhe punëmarrësit.

Kjo është hera e parë që paga maksimale rritet në vlerë po aq sa ndryshoi dhe ajo minimalja dhe jo në përqindje.
Në prill 2023, kur paga minimale u rrit nga 34 mijë lekë në 40 mijë lekë, apo me 17.6%. pas rritjes së pagës minimale, nga qershor u rrit dhe ajo maksimale po me 17.6%, nga 149,954 lekë në 176,416 lekë.

Pra, ndërsa paga minimale në vlerë u rrit me 6 mijë lekë, ajo maksimale u rrit me rreth 26.5 mijë lekë, duke rënduar ndjeshëm si punëdhënësit ashtu dhe punëmarrësit.

Që nga ajo kohë paga minimale nuk ishte rishikuar dhe ky është ndryshimi i parë, kur po zbatohet dhe formula e re.

The post Tatimet njoftojnë pagat e reja minimale e maksimale, ndryshimi që po zbatohet për herë të parë appeared first on Revista Monitor.

Aplikantët për punë po e fitojnë garën e IA kundër rekrutuesve

Kompanitë po përballen me një valë aplikimesh të gjeneruara nga chatbot-ët

Shumë rekrutues të mbingarkuar e pritën me gëzim daljen e ChatGPT-së. Më në fund, një mjet që mund të lehtësonte hartimin e përshkrimeve të vendeve të punës, planifikimin e intervistave dhe refuzimin e kandidatëve.

Por, si pushuesit e lumtur në plazh që nuk e shohin cunamin që po afrohet, ata nuk e parashikuan çfarë do të pasonte: një valë gjigante aplikimesh të gjeneruara nga inteligjenca artificiale (IA).

Numri i aplikimeve që dërgon mesatarisht një kandidat është rritur me 239% që nga dalja e ChatGPT-së në vitin 2022, sipas të dhënave globale të mbledhura nga Greenhouse, një kompani softuerësh për menaxhimin e aplikimeve.

Shërbime me pagesë si LazyApply dhe aiApply u lejojnë kandidatëve të aplikojnë edhe kur flenë, duke përshtatur në mënyrë perfekte CV-të dhe letrat e motivimit.

IA ka lehtësuar madje edhe infiltrimin e kompanive nga spiunë apo mashtrues. Muajin e kaluar, Amazon bllokoi 1,800 aplikime nga shtetas të Koresë së Veriut që po aplikonin për punë IT në distancë. Sipas parashikimit të Gartner, deri në vitin 2028, një në katër profile kandidatësh mund të jetë i rremë.

Përballë kësaj përmbytjeje, rekrutuesit po reagojnë në mënyra të ndryshme. Disa u kërkojnë me mirësjellje kandidatëve të mos përdorin chatbot-ë.

Anthropic dhe Mastercard, për shembull, kërkojnë që letrat motivuese të mos jenë plotësisht të gjeneruara nga IA.

Të tjerë po vendosin kufij për numrin e aplikimeve që mund të bëjë një individ. OpenAI, për shembull, i kufizon kandidatët në maksimum pesë aplikime brenda gjashtë muajve.

Ndërkohë, kompanitë po përshpejtojnë përdorimin e IA-së për të filtruar malin në rritje të CV-ve. Dy të tretat e rekrutuesve planifikojnë të rrisin përdorimin e teknologjisë për intervista paraprake, sipas LinkedIn.

Shumë përdorin IA për të përzgjedhur aplikimet që përputhen me kriteret, edhe pse kompani si KPMG theksojnë se vendimet përfundimtare merren nga njerëzit.

Modelet e IA-së mund të sugjerojnë edhe kandidatë për role të tjera, por koha për të plotësuar vendet vakante është ulur vetëm pak që nga viti 2021.

Sipas Robert Newry, bashkëthemelues i Arctic Shores, rekrutuesit janë strukturalisht në disavantazh.

Kandidatët nuk shqetësohen për ligjet kundër diskriminimit apo mbrojtjen e të dhënave dhe nuk kanë nevojë për miratim nga eprorët apo IT-ja. “Në garën e armëve mes jush dhe kandidatit, ju do të humbni,” thotë ai.

Në afat më të gjatë, IA mund ta ndryshojë rrënjësisht rekrutimin.

Kompanitë mund të mbështeten më shumë te detyra që nuk mund të kopjohen në chatbot-ë, si puzzle vizuale, ose te identifikimi i kandidatëve para se ata të aplikojnë.

LinkedIn tashmë ka lançuar një “Asistent Punësimi”, ndërsa startup-e si Juicebox automatizojnë kërkimin e talenteve.

Deri atëherë, rekrutuesit do të duhet të notojnë në një det CV-sh të lëmuara në mënyrë të dyshimtë, në kërkim të kandidatit ideal. / Economist, Shqip.al

The post Aplikantët për punë po e fitojnë garën e IA kundër rekrutuesve appeared first on Revista Monitor.

Rriten rastet e mashtrimeve përmes SMS-ve në emër të bankave në Kosovë

Mashtrimet digjitale po marrin hov edhe në Kosovë. Përmes mesazheve SMS që shfaqen si njoftime nga bankat, qytetarëve po u kërkohen të dhëna financiare dhe personale, ndërsa autoritetet paralajmërojnë për rritje të rasteve dhe kërkojnë kujdes maksimal.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe Shoqata e Bankave të Kosovës kanë paralajmëruar qytetarët për një valë të re mashtrimesh që po qarkullon përmes mesazheve SMS në emër të bankave komerciale, duke synuar vjedhjen e të dhënave bankare dhe financiare të klientëve.

Këto fushata mashtruese, të njohura ndryshe si “phishing”, janë shtuar ndjeshëm gjatë muajve të fundit, veçanërisht në dhjetor 2025 dhe janar 2026, duke përfshirë edhe Kosovën në trendin global të këtij fenomeni.

Sipas njoftimit të BQK-së, mesazhet mashtruese paraqiten si komunikime të rreme nga bankat komerciale dhe zakonisht përmbajnë kërkesa urgjente për verifikim ose përditësim të të dhënave bankare, shoqëruar me lidhje (linke) të dyshimta.

Klikimi në këto lidhje mund të çojë në faqet e krijuara që imitojnë pamjen zyrtare të bankave, përmes të cilave mashtruesit mund të marrin të dhënat e kartelave, PIN-at, fjalëkalimet apo kodet e konfirmimit që klientët përdorin për qasje në llogaritë e tyre.

BQK ka bërë thirrje për kujdes të shtuar dhe ka këshilluar qytetarët që të mos ndajnë asnjëherë të dhënat personale ose financiare përmes SMS-ve, telefonatave apo email-eve, duke theksuar se asnjë bankë nuk kërkon këto informacione në këtë mënyrë. Po ashtu, qytetarët këshillohen të mos hapin lidhje të dyshimta, të mos vendosin të dhëna bankare në faqe të panjohura dhe të përdorin vetëm aplikacionet dhe platformat zyrtare të bankave. BQK thekson rëndësinë që klientët të aktivizojnë njoftimet automatike për çdo transaksion dhe të kontrollojnë rregullisht historinë e pagesave, në mënyrë që të identifikojnë menjëherë ndonjë aktivitet të dyshimtë.

Në rast se një qytetar pranon një mesazh të tillë, BQK kërkon që ai të raportojë menjëherë te banka përkatëse ose te institucionet financiare përkatëse. “Mos u mashtroni dhe tregoni kujdes për sigurinë tuaj online”, thuhet në apelin e këtij institucioni.

Edhe Shoqata e Bankave të Kosovës ka konfirmuar një rritje të ndjeshme të rasteve të mashtrimeve përmes SMS-ve, duke theksuar se ky fenomen është bërë më i përhapur sidomos gjatë muajve të fundit të vitit të kaluar.

“Gjatë muajit dhjetor 2025 dhe muajit janar 2026 është vërejtur një ngritje e numrit të mashtrimeve me SMS globalisht, dhe ky fenomen ka përfshirë edhe Kosovën. Për këtë arsye, bankat në vazhdimësi bëjnë thirrje publike për më shumë kujdes ndaj këtyre mashtrimeve”, thuhet në reagimin e SHBK-së.

Sipas Shoqatës, parandalimi i këtyre rasteve mbështetet kryesisht në ndërgjegjësimin e klientëve dhe në reagimin e shpejtë të institucioneve financiare.

“Masa më e rëndësishme preventive është që klientët të jenë të vetëdijshëm për mënyrën si paraqiten mesazhet mashtruese dhe të praktikojnë komunikim të sigurt, duke mos shpalosur asnjëherë të dhëna personale, pasi bankat nuk i kërkojnë këto informacione në asnjë rast”.

Shoqata ka bërë të ditur se të gjitha bankat në Kosovë kanë krijuar mekanizma të posaçëm raportimi dhe reagimi emergjent. Bankat ofrojnë kanale kontakti 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, që u mundësojnë klientëve të raportojnë rastet e dyshimta dhe të bllokojnë menjëherë llogaritë për të parandaluar dëme të mëtutjeshme. Megjithatë, SHBK ka theksuar se në rastet kur klienti ka shpalosur të dhënat personale dhe ka autorizuar vetë një transaksion, rikuperimi i mjeteve të humbura është i kufizuar dhe shpesh i pamundur, pasi transaksioni konsiderohet i autorizuar.

Raste konkrete të mashtrimeve tashmë janë regjistruar në vend, përfshirë një grua nga Prishtina që humbi mijëra euro pasi përditësoi të dhënat e saj bankare në një link të dërguar përmes SMS-it, i cili rezultoi i rremë. Ky është vetëm një prej disa rasteve që ilustrojnë rreziqet e larta që paraqet mungesa e kujdesit gjatë përdorimit të shërbimeve digjitale.

Shoqata apelon që qytetarët të jenë veçanërisht të kujdesshëm ndaj çdo komunikimi që kërkon të dhëna personale, si PIN, fjalëkalime, kode verifikimi apo të dhëna të kartelave. “Bankat nuk kërkojnë kurrë të dhëna konfidenciale përmes mesazheve, email-eve apo rrjeteve sociale”, thuhet në njoftim.

 

The post Rriten rastet e mashtrimeve përmes SMS-ve në emër të bankave në Kosovë appeared first on Revista Monitor.

❌