Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Sejko në takimin me mediat: Komunikimi, element kyç për besimin e bankës qendrore

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi sot një takim me publicistë, analistë, gazetarë të njohur dhe përfaqësues të shtypit të shkruar e medias elektronike në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko theksoi rëndësinë e komunikimit të qartë, të saktë dhe profesional në një mjedis ekonomik dhe financiar gjithnjë e më kompleks, duke vënë në dukje se bashkëpunimi me median është thelbësor për transparencën dhe mirëkuptimin publik të politikave të bankës qendrore.

“Komunikimi i besueshëm dhe profesional është një element kyç për ndërtimin e besimit dhe për funksionimin e një banke qendrore moderne,” u shpreh Guvernatori Sejko, duke nënvizuar se media ka një rol të pazëvendësueshëm në shpjegimin e vendimmarrjes monetare dhe financiare.

Guvernatori u ndal gjithashtu në ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2025, duke theksuar se ajo ka vijuar të shfaqë rritje të qëndrueshme, një treg pune të fortë dhe inflacion të ulët, në kushtet e një mjedisi të jashtëm të pasigurt. Në këtë kontekst, politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka qenë e kujdesshme dhe e orientuar drejt ruajtjes së stabilitetit, duke synuar një ekuilibër të qëndrueshëm mes kontrollit të inflacionit dhe mbështetjes së rritjes ekonomike.

“Vendimet tona kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe të bizneseve, ndaj transparenca dhe shpjegimi i tyre mbeten një prioritet i vazhdueshëm për Bankën e Shqipërisë.”, theksoi ai.

Në këtë kuadër, Guvernatori Sejko iu referua edhe 100-vjetorit të krijimit të Bankës së Shqipërisë, duke e cilësuar këtë përvjetor si një moment historik për institucionin dhe një mundësi reflektimi mbi rolin e bankës qendrore në ndërtimin e shtetit, ruajtjen e stabilitetit financiar, si dhe forcimin e besimit publik. Ai theksoi se ky përvjetor ka shërbyer si një platformë komunikimi dhe transparence me publikun, duke lidhur trashëgiminë institucionale me sfidat dhe prioritetet e së ardhmes.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe rolit të medias në luftën kundër dezinformimit financiar, ku Guvernatori e cilësoi median profesionale si një partnere të rëndësishme në rritjen e kulturës ekonomike dhe financiare në vend. Ai nënvizoi se dialogu i hapur dhe kritik me gazetarët dhe analistët kontribuon në forcimin e llogaridhënies dhe të besueshmërisë institucionale, elemente thelbësore këto për stabilitetin ekonomik afatgjatë.

Një pjesë e veçantë e aktivitetit iu kushtua ndarjes së Çmimit të Guvernatorit për Diplomën më të Mirë për vitin 2025, si dëshmi e angazhimit të Bankës së Shqipërisë për nxitjen e kërkimit shkencor dhe ekselencës akademike. Këtë vit, në këtë konkurs aplikuan 38 studentë me punime universitare dhe master, që trajtonin tema me rëndësi për politikëbërjen ekonomike dhe financiare në vend.

Çmimi i Parë iu akordua studentes Guina Shkëmbi, nga Frankfurt School of Finance and Management, për temën e masterit “The Current Road to SEPA: Assessing Compliance Challenges and Economic Impact in Albania”. Studimi analizon përfitimet ekonomike të integrimit në SEPA, sfidat rregullatore dhe operative, si dhe nivelin e përputhshmërisë së sistemeve të pagesave në Shqipëri me standardet evropiane, duke ofruar rekomandime konkrete për përshpejtimin e këtij procesi.

Çmimi i Dytë iu akordua studentes Eva Billa, nga Fakulteti Ekonomik, Universiteti i Tiranës, për temën “Efektet e Politikës Monetare në të Ardhurat nga Puna në Shqipëri”. Studimi vlerëson ndikimin e politikës monetare mbi të ardhurat nga puna gjatë periudhës 2014–2024 dhe ndihmon në kuptimin e mekanizmit të transmetimit të politikës monetare në tregun e punës.

Çmimi i Tretë iu akordua studentes Eris Hoti, nga King’s College London, MSc Financial Policy and Regulation, për temën “Bank Size and Competition in Albania: Evidence from the Panzar and Rosse Model”. Teza analizon konkurrencën në sektorin bankar shqiptar dhe evidenton dallimet në sjelljen konkurruese sipas madhësisë së bankave.

 

 

 

 

The post Sejko në takimin me mediat: Komunikimi, element kyç për besimin e bankës qendrore appeared first on Revista Monitor.

Bankat qendrore kryesore në 2025 nisën lehtësimin më të madh që nga kriza financiare

Bankat qendrore kryesore kanë realizuar ulje të normave të interesit në vitin 2025 me ritmin më të shpejtë dhe në shkallën më të madhe që nga kriza financiare, ndërsa lehtësimi i politikës monetare nga vendimmarrësit në vendet në zhvillim u përshpejtua gjithashtu.

Nëntë nga bankat qendrore që mbikëqyrin 10 monedhat më të tregtuara në botë ulën normat e tyre bazë të kreditimit në vitin 2025, konkretisht Rezerva Federale e SHBA-së, Banka Qendrore Europiane dhe Banka e Anglisë, por edhe Australia, Zelanda e Re, Kanadaja, Suedia, Norvegjia dhe Zvicra.

Ato realizuan gjithsej 850 pikë bazë ulje përmes 32 uljeve të normave këtë vit, numri më i madh i uljeve që nga viti 2008 dhe shkalla më e madhe e lehtësimit që nga viti 2009.

Kjo shënon një përmbysje të fortë krahasuar me vitet 2022 dhe 2023, kur politikëbërësit rritën normat për të luftuar inflacionin, ndërsa çmimet e energjisë u rritën pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Japonia ishte përjashtimi këtë vit, duke rritur normat dy herë.

Disa analistë presin që viti 2026 të sjellë një ndryshim të madh, duke vënë në dukje se muajt e fundit kanë treguar tashmë një ndryshim të qartë toni nga disa banka qendrore të vendeve të G10-ës, veçanërisht Kanadaja dhe Australia, duke ngritur mundësinë e rikthimit të rritjeve të normave të interesit.

“Ne mendojmë se BQE-ja do t’i rrisë normat vitin e ardhshëm dhe se Banka Qendrore e Australisë (RBA) dhe Banka e Kanadasë (BOC) do t’i afrohen kësaj,” tha James Rossiter, drejtues i strategjisë globale makro në TD Securities.

Ndërkohë, Rezerva Federale përballet me ndërthurje të ndryshme të dinamikave të tregut të punës dhe inflacionit.

“Gjatë vitit 2025 patëm këtë dinamikë ku në çdo mbledhje të Fed-it ose do të qëndronim në vend ose do të ulnim normat; nuk po diskutonim kurrë për rritje,” tha Luis Oganes, drejtues i kërkimit global makro në JPMorgan.

“Por gjatë vitit 2026 kjo ka shumë gjasa të ndryshojë dhe, veçanërisht në gjysmën e dytë të vitit, do të ketë pak më shumë rrezik nga të dyja anët.”

Ngadalësimi i ritmit të lehtësimit u bë gjithashtu i dukshëm në të dhënat mujore. Nga nëntë bankat qendrore që u mblodhën në dhjetor, vetëm Rezerva Federale dhe Banka e Anglisë ulën normat, ndërsa Japonia i rriti ato.

Në vendet në zhvillim, uljet e normave vazhduan me ritëm të shpejtë në dhjetor.

Tetë banka qendrore nga një kampion i Reuters me 18 ekonomi në zhvillim, nga të cilat 14 mbajtën mbledhje këtë muaj, realizuan 350 pikë bazë ulje, Turqia, Rusia, India, Meksika, Tajlanda, Filipinet, Polonia dhe Kili.

Ky shtytje e fundit e çoi totalin vjetor të vitit 2025 në ekonomitë në zhvillim në 3.085 pikë bazë lehtësimi përmes 51 lëvizjeve, dukshëm më shumë se 2.160 pikët bazë të realizuara në vitin 2024 dhe përpjekja më e madhe lehtësuese që të paktën nga viti 2021. / Euronews

The post Bankat qendrore kryesore në 2025 nisën lehtësimin më të madh që nga kriza financiare appeared first on Revista Monitor.

Kurum International do investojë 150 milionë euro për prodhim çeliku të gjelbër

Kurum International Albania dhe Danieli Officine Meccaniche S.p.A. njoftojnë se kanë nënshkruar zyrtarisht kontratën e re të investimit për ndërtimin e një impianti të ri për prodhimin e çelikut në Zonën Industriale të Metalurgjikut në Elbasan. Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në prani të përfaqësuesve të institucioneve qëndrore dhe vendore, partnerëve strategjikë dhe të ftuarve, në Tirane.

Fabrika e re do të ndërtohet mbi teknologjinë MIDA Steel Concept të kompanisë Danieli, një nga liderët botërorë në inxhinierinë dhe teknologjinë e industrisë së çelikut.

Drejtori i Financës i Kurum International, Z. Arif Shkalla u shpreh se: “Kjo ditë është shumë e rëndësishme për ne pasi kemi arritur të firmosim një partneritet strategjik, një kontratë e rëndësishme për ne, për ndërtimin e një fabrike totalisht të re për prodhimin e çelikut në qytetin e Elbasanit me një vlerë investimi prej 150 milionë euro. Për herë të parë në Europë futet koncepti MIDA në këtë industri e cila bazohet në çelik të gjelbër e cila do te sjellë nje zhvillim të qëndrueshëm me rëndësi të veçantë për ambjentin i cili ka emetim zero të karbonit në atmosferë. Ky projekt nuk është vetëm një investim industrial por është një angazhim i qartë për zhvillim të qëndrueshëm, modernizim teknologjik dhe vlerë afatgjatë. Me ndërtimin e impiantit te parë MIDA në Europë, Shqipëria forcon pozicionin e saj strategjik dhe do të jetë konkurruese në një të ardhme europiane që na pret në të ardhmen e afërt.”

Me realizimin e këtij projekti, Shqipëria do të bëhet vendi pritës i impiantit të parë MIDA Steel në Europë, duke u pozicionuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në tregun europian të çelikut të gjelbër. Teknologjia MIDA mundëson efikasitet të lartë energjetik, reduktim të ndjeshëm të ndikimit mjedisor dhe standarde të avancuara prodhimi, në përputhje me politikat europiane për dekarbonizimin e industrisë.

Ndërkohë, përfaqesuesi i Danieli Group, Z. Federico Rocchetti, vuri theksin në faktin që impianti që Kurum ka përzgjedhur, implementohet për herë të parë në Europë. “Ky koncept i ri në prodhimin e celikut për ndërtim, ul ndjeshëm konsumin e energjisë, minimizon emetimet e karbonit, duke plotësuar kushtet dhe garantuar parametrat mjedisore perfekt për çertifikimin si çelik i gjelbër, për të garantuar një rritje të qëndrueshme ekonomike të rajonit të Elbasanit, duke rijetësuar industrinë shqiptare”, u shpreh ai.

Kryetari Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, në fjalën e tij përshëndetëse, tha: “Ne si bashki po lidhim kontratat klimatike ku KURUM së bashku me biznese të tjera në zonen industriale janë ndër të parat me të cilat kemi filluar diskutimet prej vitit 2021, të cilat patën një qasje positive për ndryshimin e teknologjisë.”

Për këtë projekt totali i investimit është rreth 150 milionë Euro, duke arritur kapacitetin e prodhimin vjetor në afër një milion ton hekur ndërtimi dhe produktet e tjera të celikut. Kohëzgjatja e projektit është 24 muaj dhe me vënien në punë të kësaj fabrike të re, do të rikthehen eksportet e çelikut shqiptar në rajon, duke synuar tregjet europiane së bashku me udhëtimin e Shqipërisë drejt pranimit në Bashkimin Europian.

Investimi pritet të kontribuojë ndjeshëm në modernizimin industrial, hapjen e vendeve të reja të punës, rritjen e prodhimit me vlerë të shtuar dhe forcimin e zinxhirit industrial vendas. Njëkohësisht, projekti përforcon rolin e Elbasanit si qendër industriale strategjike dhe rrit atraktivitetin e Shqipërisë për investime të avancuara dhe të përgjegjshme ndaj mjedisit, thuhet në njoftimin për shtyp.

The post Kurum International do investojë 150 milionë euro për prodhim çeliku të gjelbër appeared first on Revista Monitor.

“BIE SHTETI ONLINE”, nuk kryhet dot asnjë veprim, bizneset: Kjo është e patolerueshme

Bizneset po hasin vështirësi të shumta gjatë ditëve të fundit për kryerjen e shërbimeve online, po ashtu dhe individët.

Ndonëse tashmë kemi dhe Ministren e Shtetit për Inteligjencën Artificiale, me emrin “Diella”, që vepron në formë virtuale, dhe Shqipëria doli në lajmet ndërkombëtare për këtë risi, realiteti është krejt ndryshe.

Në orën 14.00 nëse hap faqen e E-Albania, faqja hapet normalisht, por nëse kërkon të bësh një shërbim, faqja del e padisponueshme.

Bizneset ankohen se prej disa ditësh nuk po funksionojnë sistemet bazë operative të punës dhe kjo është një situatë e patolerueshme.

Në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) nuk bëhen dot aplikime për regjistrim të shoqërive të reja, ose ndryshime (shitje kuotash, kapitali), sistemi “self care” përmes të cilat nxirren faturat punon me vështirësi, ose nuk punon fare.

Ndërkohë sistemi i tatimeve punon normalisht, por sistemet e tjera, ku ndërlidhja bëhet përmes Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) nuk janë funksionale.

Ngarkesë me SelfCare dhe e-Albania, sistemi bëhet funksional pas orës 16.00

Nga kjo situatë janë prekur dhe individët. Është e pamundur të bësh rezervim për pasaportë e karta pasi sistemi i gjendjes civile nuk punon fare (nw E-Albania njoftohet qw Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile gjatë ditës së sotme do të realizojë një operacion mirëmbajtjeje dhe përmirësimi të sistemit elektronik të saj dhe kjo mund tw ndikojw te shwrbimet). Kjo ka ndikuar dhe bizneset, që nuk arrijnë të aplikojnë për raportet e përfitimeve afat shkurtra për punonjësit si raporte barrë lindje.

“Rënia e njëkohshme ose mosfunksionimi i sistemeve kryesore online të shërbimeve për biznesin, si e-Albania, QKB dhe SelfCare, përbën një shqetësim serioz për funksionimin normal të aktivitetit ekonomik dhe marrëdhënien e bizneseve me administratën publike apo e profesionistëve me klientët e tyre”, thotë Julian Saraçi, ekspert fiskal.

“Këto platforma janë sot infrastruktura bazë për regjistrime, deklarime, aplikime, pagesa dhe përmbushje detyrimesh ligjore. Ndërprerja e tyre, qoftë edhe e përkohshme, krijon pasiguri juridike, vonesa procedurale, rrezik penalitetesh dhe kosto shtesë për bizneset dhe profesionistët e lirë, të cilët varen pothuajse tërësisht nga shërbimet digjitale. Fenomeni ngre pikëpyetje jo vetëm mbi qëndrueshmërinë teknike të sistemeve, por edhe mbi menaxhimin e riskut, kapacitetet e back-up-it, komunikimin institucional dhe mekanizmat alternativë që duhet të aktivizohen në raste të tilla”, shton ai.

Në këtë kontekst, bizneset vlerësojnë si të domosdoshme:
• transparencë më të madhe mbi shkaqet e ndërprerjeve dhe kohëzgjatjen e tyre;
• forcimin e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe redundancës së sistemeve digjitale;
• parashikimin e procedurave alternative dhe shtyrjen automatike të afateve ligjore në raste mosfunksionimi të platformave;
• komunikim të qartë dhe në kohë me përdoruesit, për të shmangur pasigurinë dhe keqinterpretimet.

“Digjitalizimi është një arritje e rëndësishme, por ai kërkon investim të vazhdueshëm, testim rigoroz dhe qasje serioze ndaj riskut operacional. Ne inkurajojmë institucionet përgjegjëse që ta trajtojnë këtë çështje me prioritet, në dialog me komunitetin e biznesit dhe profesionistëve, për të garantuar shërbime publike digjitale të besueshme, funksionale dhe të qëndrueshme”, thotë Saraçi.

The post “BIE SHTETI ONLINE”, nuk kryhet dot asnjë veprim, bizneset: Kjo është e patolerueshme appeared first on Revista Monitor.

Tender 2.5 mln euro për 3-katëshin në Zall Herr, ku do vendoset Komanda e Shtabit të Forcës Tokësore

Në një distancë prej 9.3 kilometrash nga kryeqyteti do të ndërtohet një strukturë trekatëshe, e cila do të shërbejë për akomodimin e Komandës së Shtabit të Forcës Tokësore, me një kosto prej rreth 2.5 milionë euro, ose të paktën kaq është fondi limit.

Operatori i Blerjeve të Përqendruara, i përzgjedhur për të qenë autoritet kontraktor për këtë procedurë, në dokumentet e publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik jep detaje mbi këtë investim.

“Zona për të cilën realizohet ky studim ndodhet në Zall Herr, Tiranë, në një largësi prej 9.3 km nga qendra e qytetit. Qëllimi i projektit: hartimi i këtij projekti synon të sigurojë ambiente komode dhe të përshtatshme për një institucion të tillë”, thuhet në dokument.

Të njëjtat specifikojnë edhe mënyrën e organizimit të kateve dhe funksionet që do të kryejnë ato.

Konkretisht, kati zero, apo përdhesi, është kati ku ndodhet hyrja kryesore e objektit. Ambientet i dedikohen kryesisht zyrave; gjithashtu, në këtë kat do të ketë edhe një sallë të madhe mbledhjesh. Planimetria e katit përdhe parashikon një holl të madh, i cili do të shërbejë edhe për mbledhje ceremoniale. Ky kat ka një sipërfaqe prej rreth 800 m².

(Kati +1) është i organizuar gjithashtu me zyra. Në këtë kat, në anën e majtë, është bërë një ndarje e disa ambienteve që do të funksionojnë si të veçanta. Pozicioni i zyrës së komandantit është parashikuar në anën veriore, me pamje nga sheshi. Ky kat ka një sipërfaqe prej rreth 800 m².

Kati i dytë (Kati +2), ashtu si katet +1 dhe 0, është i organizuar me zyra në funksion të objektit. Po ashtu, në çdo kat, sa i përket flukseve dhe lëvizjeve vertikale, parashikohet një bllok shkallësh dhe një shkallë antizjarr me dalje nga ana e djathtë e objektit, si dhe grupet e nyjeve higjieno-sanitare, të ndara sipas gjinisë. Ky kat ka një sipërfaqe prej rreth 800 m².

The post Tender 2.5 mln euro për 3-katëshin në Zall Herr, ku do vendoset Komanda e Shtabit të Forcës Tokësore appeared first on Revista Monitor.

Bizneset e Kosovës me qarkullim 25 miliardë euro, ATK mbledh mbi 1 miliard tatime

Administrata Tatimore e Kosovës ka inkasuar mbi 1 miliard euro tatime gjatë vitit 2025, duke shënuar rritje prej 58 milionë eurosh apo 6 për qind krahasuar me vitin paraprak.

Të hyrat tatimore në Kosovë kanë arritur nivelin më të lartë në histori. Administrata Tatimore ka inkasuar mbi 1 miliard euro gjatë vitit 2025, ndërsa qarkullimi i bizneseve në vend vlerësohet të ketë kaluar 25 miliardë euro.

Rritja e të hyrave lidhet me shtimin e kontrolleve, formalizimin e bizneseve dhe rritjen e fitimeve në sektorin privat.

Drejtori i ATK-së, Mentor Hyseni, tha se kjo arritje është realizuar pavarësisht mungesës së theksuar të stafit.

“Sot gjendja është mbi 1 miliardë që ATK ka realizuar gjatë këtij viti. Është meritë e juaja, duke pas parasysh që ATK po përballet me mungesë të numrit të punëtorëve, që sillen diku rreth 30 për qind, e me një moshë mesatare që kalon 51”, deklaroi ai, duke shtuar se pavarësisht këtyre kushteve, institucioni ka arritur “të krijojë të hyra që kalon 1 miliardëshin”.

Sipas ATK-së, kontributet pensionale gjatë vitit 2025 kanë arritur në 354 milionë euro, ndërsa në total tatimet dhe kontributet kanë shkuar në 1.366 miliardë euro.

Gjatë këtij viti, ATK ka zhvilluar mbi 24 mijë kontrolle përmbushëse dhe mbi 7 mijë vizita në terren, nga të cilat janë identifikuar 86.3 milionë euro tatim shtesë. Po ashtu, janë shqiptuar mbi 23 mijë gjoba, me vlerë rreth 3 milionë euro.

Ministri në detyrë i Financave, Punës e Transfereve, Hekuran Murati tha se Administrata Tatimore e Kosovës është një nga shtyllat kryesore në funksionimin e shtetit dhe mbushjen e buxhetit publik, ku theksoi ndër të tjera se pati edhe rritje të numrit të të punësuarve.

“Kjo shifër nuk është e rastësishme sepse ngjashëm ka performuar edhe aspekti ekonomik. Kemi biznese që këtë vit pritet ta mbyllin me rreth 25 miliardë euro qarkullim, ndërkaq hiç më larg  se para pesë viteve ishte 11.5 miliardë euro. Gjithashtu nuk është rritur vetëm qarkullimi por kemi edhe rritje të fitimit të bizneseve. Nëse marrim për bazë tatimin në fitimin e korporatave, pra si indikator e shohim që fitimi bizneseve tashmë ka tejkaluar shifrën prej 2 miliardë euro, pra pritet të jetë 2.3 miliardë euro, ndërsa para pesë vitesh ka qenë rreth 900 milionë euro. Ngjashëm kemi të bëjmë edhe me trendin e numrit të të punësuarve. Numri, apo shifra e të punësuarve në muajt e fundit tregon që ka arritur, apo ka prekur numrin prej 435 mijë vende pune aktive që kanë të raportuara në ATK, kurse para pesë vitesh ishte 350 mijë”.

Në kuadër të luftimit të informalitetit dhe shmangies tatimore, ATK ka identifikuar mbi 240 mijë tatimpagues aktivë, prej tyre mbi 140 mijë biznese dhe mbi 99 mijë persona fizikë jo afaristë. Gjithashtu, janë regjistruar mbi 1 mijë punëtorë, ndërsa numri mesatar i punëtorëve të deklaruar përmes formularëve ka kaluar 452 mijë.

Po ashtu, janë zhvilluar 88 aktivitete për shmangie tatimore, janë iniciuar 19 kallëzime penale, ndërsa janë përgatitur 41 raporte informuese për Prokurorinë.

ATK ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025 ka fiskalizuar mbi 2 mijë biznese të reja, ka instaluar mbi 4 mijë pajisje elektronike fiskale, si dhe ka trajtuar mbi 5 mijë kërkesa për rimbursim.

 

The post Bizneset e Kosovës me qarkullim 25 miliardë euro, ATK mbledh mbi 1 miliard tatime appeared first on Revista Monitor.

Kryeministri Rama: Nga janari nis zbatimi i Paqes Fiskale, do përfitojnë 99% e bizneseve

Në takimin me komunitetin e biznesit për paketën fiskale 2026, Kryeministri Edi Rama deklaroi se Paqja Fiskale është zotimi i qeverisë që nga fushata elektorale dhe sot është bërë ligj, pavarësisht debateve që nuk adresuan thelbin e kësaj nisme.

Kryeministri Rama tha se nga janari i vitit të ardhshëm, vendi do të jetë në kushtet për të filluar zbatimin e saj. Gjithashtu kryeministri theksoi se marrëveshja e Paqes Fiskale nuk do të zbatohet te bizneset me rekorde ligjore që venë në dyshim legjimitetin e tyre apo në konflikt me ligjin. Sipas tij përfitues të ligjit do të jenë 99% e bizneseve.

“Paqja fiskale është zotimi ynë i fushatës elektorale dhe sot është ligj, pavarësisht debateve që nuk adresuan thelbin e kësaj nisme. Nga janari i vitit të ardhshëm, jemi në kushtet që të mund ta zbatojmë këtë nisëm.

Është një iniciativë që synon të ndërtojë një urë besimi mes administratës tatimore dhe sipërmarrjes. Nuk është shpikje e jonë. Vetë togfjalëshi ka lindur në Romë shumë kohë më parë dhe është një instrument i përdorur me mijëra vite.

Gjithashtu, ky ligj ofron mundësi për sipërmarrjen që të rishikojë pasqyrat fiskale të vitit të kaluar pa qenë në konflikt me ligjin. Ky rishikim u jep mundësi bizneseve të vetë-korrigjohen, duke ribërë deklarimet e viteve të shkuara dhe duke përfituar një tatim më të ulët mbi fitimin, krahasuar me tatimin që paguajnë rregullisht. Për çdo pasqyrë të korrigjuar, tatimi është 5%. Kjo rrit formalizmin, nuk cenon integritetin ligjor dhe ndihmon sipërmarrjet të përqendrohen te puna dhe sfidat e veta, pa u ngarkuar me borxhet e së shkuarës.

Ligji shkon paralel me një adresim të përgjithshëm të gjobave, ku parashikohet nga fshirja totale deri tek pagesa e kostove me lehtësira. Qëllimi është të lehtësohet puna e sipërmarrjes, duke i mundësuar asaj të ketë më shumë energji për të u fokusuar tek aktiviteti i vet dhe jo tek procedurat burokratike apo inspektimet, që janë në thelb të kësaj nisme”.

Ministri i Financave Petrit Malaj theksoi se ligji i paqes fiskale dhe ai për fshirjen e detyrimeve tatimore dhe doganore janë nisma që vijnë si kërkesa të drejtpërdrejta nga komuniteti i biznesit, të parashtruara përmes Ministrisë së Sipërmarrjes.

“Ligji i paqes fiskale dhe ai për fshirjen e detyrimeve tatimore dhe doganore janë nisma që vijnë si kërkesa të drejtpërdrejta nga komuniteti i biznesit, të parashtruara përmes Ministrisë së Sipërmarrjes. Ne garantojmë se këto politika nuk cenojnë stabilitetin fiskal dhe nuk dekurajojnë tatimpaguesit e rregullt.

Paketa fiskale mbështet biznesin, lehtëson barrën administrative dhe nuk rrit barrën e taksave për ta. Qeveria ka arritur të rrisë të ardhurat e buxhetit pa rritur barrën për bizneset. Nga tetë ligjet që përbëjnë paketën fiskale, katër janë ligje kryesore: ligji për paqen fiskale, ligji për fshirjen e detyrimeve, TVSH-ja në bujqësi dhe rivlerësimi i pasurive të paluajtshme.

Qëllimi ynë është i qartë: të ngremë një sistem që nxit konkurrencën e ndershme dhe afron kuadrin fiskal të Shqipërisë me atë të Bashkimit Europian. Biznesi duhet të pajiset me njohuritë e nevojshme për të kuptuar funksionimin e tregut europian dhe për të pasur avantazhe konkurruese në raport me tregun europian”.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi gjithashtu se elementi kryesor që mund ta çojë ekonominë përpara është dialogu i vazhdueshëm mes qeverisë dhe biznesit. Sipas saj, Shqipëria ndodhet në një pikë ku politikat që po ndërmerren nga qeveria përfaqësojnë arritje të standardeve dhe janë pjesë e rrugës së integrimit europian, duke synuar përfitimin nga tregu i përbashkët.

Ibrahimaj theksoi edhe rëndësinë e diskutimit mbi paqen fiskale.

“Elementi i parë i kësaj nisme është kontrata që i propozohet çdo biznesi, për t’i ndihmuar ata të planifikojnë më mirë të ardhurat dhe detyrimet tatimore. Qëllimi është që bizneset të operojnë në një siguri juridike më të lartë dhe të ndihen të qetë në planet e tyre të punës, pasi kjo kontratë përfaqëson një formë bashkëpunimi mes palëve.

Komponenti i dytë lidhet me marrëdhënien me të kaluarën. Nga viti 2013, qeveria ka qenë e qartë me objektivin që kush fiton më shumë, të paguajë më shumë, çka solli edhe heqjen e taksës së sheshtë. Vendosja e tatimit zero për bizneset e vogla nuk ka qenë një vendimmarrje e përkohshme, por një politikë e qëndrueshme për dy mandate, me synimin që bizneset të mos përballen me pasiguri dhe stres nga rritjet e mundshme të tatimeve”.

Sipas Ibrahimajt, të gjitha politikat fiskale të ndërmarra kanë qenë të qëndrueshme, pa rritje taksash apo tatimesh, me qëllim krijimin e një ambienti të qëndrueshëm për biznesin. Ajo përfundon se përmes paqes fiskale, bizneset kanë mundësinë të rishikojnë bilancet e tyre me tatime më të ulëta dhe më të favorshme.

 

The post Kryeministri Rama: Nga janari nis zbatimi i Paqes Fiskale, do përfitojnë 99% e bizneseve appeared first on Revista Monitor.

Turizmi ngadalësohet në nëntor, të huajt u rritën 4.2%, shqiptarët “u arratisën” jashtë për festa

Ritmi i daljes së shqiptarëve jashtë ka qenë më i lartë se ai i hyrjes ë të huajve në vend gjatë nëntorit. Shifrat e publikuara nga Instituti i Statistikave për Lëvizjen e Shtetasve konfirmojnë së gjatë nëntorit kur janë edhe një seri festash kombëtare dhe ditësh pushimi, vendasit kanë preferuar të udhëtojnë jashtë.

Konkretisht sipas INSTAT gjatë muajit Nëntor 2025, rezultojnë të kenë hyrë, në territorin e Republikës s Shqipërisë, 1.282.118 shtetas shqiptarë dhe të huaj. Ky tregues ka pësuar një rritje me 1,4%, krahasuar me Nëntor 2024. 1.322.499 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 3,7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tuoperatorët thanë se vjeshta ka shënuar një ecuri më të mirë të turistëve në raport me atë të kaluar dhe se shtatori e tetori ishin në nivele të kënaqshme teksa nëntori kishte një ngadalësim edhe si efekt i motit jo shumë të qëndrueshëm.

“Në Nëntor 2025, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 652.150, duke pësuar një rënie me 1,3%, krahasuar me Nëntor 2024. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 629.968. Ky numër është rritur me 4,2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024” thuhet në njoftimin e INSTAT.

Ndërkohë sa  takon daljeve në muajin Nëntor 2025, 677.065 shtetas shqiptarë numërohen të kenë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar rritje me 7,5%, krahasuar me Nëntor 2024.

“Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Nëntor 2025 janë 645.434. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues paraqitet pothuajse i pandryshuar, me një rënie shumë të lehtë prej 0,01%” vlerëson INSTAT.

Sipas njoftimit në nëntor 2025, 96% e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri janë nga rajoni i Evropës. Evropa Jugore zë 86% të hyrjeve të shtetasve të huaj nga kontinenti Evropian, ndjekur nga Evropa Perëndimore me 5%, Evropa Qëndrore / Lindore dhe Evropa Veriore secili me 4%.

Turoperatorët nënvizojnë se vizitorët  nga Europa Perëndimore por edhe më gjerë po vizitojnë Shqipërinë sidomos gjatë vjeshtës dhe pranverës në një interes për turizmin kulturor. Përveç italianëve që mbeten grupi më i rëndësishëm pas Kosovës edhe Gjermania apo Franca po rrisin dukshëm peshën e tyre.

Sipas INSTAT qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në 97% të rasteve është për qëllime personale. Në Nëntor 2025, ky tregues ka shënuar një rritje me 4,5 % krahasuar me Nëntor 2024. Hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime Biznesi dhe profesionale kanë rënë me 3,6%.

Burimi: Instat

Burimi: Instat

The post Turizmi ngadalësohet në nëntor, të huajt u rritën 4.2%, shqiptarët “u arratisën” jashtë për festa appeared first on Revista Monitor.

Mos konkurroni me inteligjencën artificiale, bashkëpunoni me të

Shumica e ekipeve sot e përdorin inteligjencën artificiale (IA) njësoj si motorët e kërkimit: bëjnë një pyetje të shpejtë, lexojnë përgjigjen e parë dhe vazhdojnë përpara.

Ky mentalitet po pengon shfrytëzimin real të potencialit të IA. Sfidat kryesore nuk lidhen më me adoptimin e teknologjisë, por me ndryshimin e mënyrës së të menduarit.

Një studim i fundit i McKinsey tregon se më shumë se dy të tretat e organizatave përdorin IA në disa funksione biznesi, ndërsa gjysma e tyre në tre ose më shumë.

Kjo tregon se IA po integrohet në rrjedhat e punës, por shumë drejtues ende e shohin atë si mjet teknik dhe jo si partner bashkëpunues.

Vlera reale e IA gjeneruese nuk qëndron te gjetja e komandës perfekte apo te platformat e reja, por te aftësia për ta trajtuar atë si një koleg të zgjuar: të shpjegosh qëllimin, të korrigjosh gabimet dhe të ndërtosh zgjidhje përmes dialogut.

Ashtu si një analist i ri, IA është e shpejtë dhe e aftë, por ka nevojë për udhëzim dhe verifikim.

Puna me IA nuk është një veprim i vetëm, por një bisedë e vazhdueshme: riformulim, iterim dhe kontroll. Në detyra komplekse apo me rrezik të lartë, verifikimi njerëzor mbetet thelbësor.

Kur trajtohet si bashkëpunëtor, IA përmirëson gjenerimin e ideve, përshpejton analizën dhe rrit cilësinë e përmbajtjes.

Për të ndërtuar besim dhe aftësi, organizatat duhet të fillojnë me përdorime të thjeshta dhe me rrezik të ulët, si përmbledhja e dokumenteve, përmirësimi i shënimeve nga takimet apo draftet fillestare të raporteve.

Udhëheqësit duhet të japin shembullin, duke ndarë përvojat e tyre dhe duke vendosur rregulla të qarta për sigurinë e të dhënave.

Në fund, avantazhin nuk do ta kenë ekipet me mjetet më të sofistikuara, por ato që ndërtojnë “intuitë për IA”, një ndjenjë praktike se kur, si dhe pse të bashkëpunojnë me të.

IA nuk është një zgjidhje e menjëhershme, por një aftësi që forcohet me praktikë. Ata që nisin herët dhe eksperimentojnë vazhdimisht, do të jenë më të përgatitur për të udhëhequr ndryshimin. / Entrepreneur

The post Mos konkurroni me inteligjencën artificiale, bashkëpunoni me të appeared first on Revista Monitor.

Viti 2025 po mbyllet me fitime më të ulëta për sektorin bankar

Viti 2025 po mbyllet me një përfitueshmëri në rënie të sektorit bankar në vend. Të dhënat e raportuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave tregojnë se për 10-mujorin 2025 kthimi nga kapitali aksionar (fitimi në raport me kapitalin aksionar) për sektorin ishte në nivelin 15.86%, nga 18.51% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kthimi nga aktivet (fitimi në raport me aktivet) gjithashtu paraqitet në rënie, në nivelin 1.63%, nga 1.88% që kishte qenë një vit më parë.

Edhe fitimi në vlerë absolute i sektorit bankar për 10-mujorin 2025 është në rënie me 7% krahasuar me një vit më parë, për një vlerë totale prej 29.2 miliardë lekësh.

Arsyeja kryesore e rënies së fitimeve të bankave është tejkalimi i pikut të efektit të lidhur me ciklin rritës së normave të interesit në bilancet e bankave.

Pas goditjes inflacioniste të vitit 2022, bankat qendrore rritën në mënyrë të shpejtë normat bazë dhe kjo u reflektua pozitivisht në të ardhurat nga interesat e aseteve të sektorit bankar.

Por, në vitin 2024, normat e interesit të bankave qendrore iu kthyen rënies, duke u përcjellë edhe në ecurinë e treguesve benchmark që përdoren nga bankat për kuotimin e çmimit të kredive, kryesisht Bonove të Thesarit dhe Euriborit. Një tendencë e tillë ka vijuar edhe gjatë vitit 2025.

Duke qenë se titujt qeveritarë janë benchmark edhe në kreditimin e sektorit privat, rritja e interesave përcillet edhe në kreditë në monedhën vendase.

Kjo e ka frenuar rritjen e të ardhurave nga interesat, ndërkohë që në krahun tjetër shpenzimet për interesa kanë qenë të qëndrueshme, të nxitura edhe nga një konkurrencë në rritje për fondet e publikut, veçanërisht prej bankave më aktive në tregun e kredidhënies.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se të ardhurat neto nga interesat (të ardhurat nga interesat minus shpenzimet për interesa) për 9-mujorin 2025 kishin vlerën e rreth 55.8 miliardë lekëve, në rënie me 0.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të ardhurat neto nga interesat të sektorit bankar janë në rënie për herë të parë që prej vitit 2019.

Në krahun tjetër, presionet mbi kostot e aktivitetit bankar ngelen të larta. Shpenzimet për personelin gjatë 9-mujorit 2025 arritën në më shumë se 14.4 miliardë lekë, në rritje me 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024 dhe në nivelin më të lartë regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit.

Ndërkohë, edhe shpenzimet e tjera të aktivitetit të bankave shënuan rritje të ndjeshme me 15.4%, duke arritur vlerën e përgjithshme të 27.8 miliardë lekëve. Rritja e çmimeve të viteve të fundit në segmentin e shërbimeve duket se ka ndikuar ndjeshëm edhe në shpenzimet e bankave tregtare.

Një efekt të rëndësishëm vlerësohet se ka pasur gjithashtu edhe nevoja në rritje për shpenzime të lidhura me dixhitalizimin dhe sigurinë kibernetike. / E.Shehu

 

The post Viti 2025 po mbyllet me fitime më të ulëta për sektorin bankar appeared first on Revista Monitor.

Cilat vende europiane po shqyrtojnë ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët?

Vendet europiane si Franca, Spanja, Italia, Greqia dhe Gjermania po shqyrtojnë kufizime për përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët.

Pas ndalimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç në Australi, i cili u lançua më herët këtë muaj, vendet europiane po përballen me pyetjen nëse duhet të zbatojnë kufizime të ngjashme.

Që prej 10 dhjetorit, fëmijët australianë nën 16 vjeç nuk mund të krijojnë apo të mbajnë llogari në rrjete sociale në platforma si Facebook, X, Threads, Snapchat, Instagram, TikTok, Twitch, Reddit dhe YouTube, në pronësi të Google.

Nëse këto platforma konstatohet se shkelin ligjin, ato mund të përballen me gjoba të rënda deri në 50 milionë dollarë australianë (28 milionë euro).

Atëherë, çfarë po bëjnë vendet europiane për të kufizuar përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët në internet? Po shqyrtojmë masat kombëtare që janë propozuar ose që tashmë janë në fuqi në mbarë Europën.

Danimarka

Në nëntor, qeveria daneze deklaroi se kishte siguruar një marrëveshje nga të gjitha partitë politike për të ndaluar aksesin në disa rrjete sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç.

Masa synon “të mbrojë fëmijët dhe të rinjtë në botën dixhitale” nga platformat që mund t’i ekspozojnë ata ndaj përmbajtjeve ose veçorive të dëmshme, sipas një njoftimi për shtyp të publikuar në nëntor.

“Fëmijëve dhe të rinjve u prishet gjumi, humbasin qetësinë dhe përqendrimin dhe përballen me presion gjithnjë e më të madh nga marrëdhëniet dixhitale, ku të rriturit nuk janë gjithmonë të pranishëm,” thuhet në deklaratë.

Masa do t’u jepte prindërve të drejtën t’u lejojnë fëmijëve të tyre akses në rrjetet sociale pasi të kenë mbushur moshën 13 vjeç.

Caroline Stage, ministre e Danimarkës për çështjet dixhitale, i tha Associated Press se ligjvënësve ka të ngjarë t’u duhen disa muaj për të miratuar legjislacionin përkatës për ndalimin.

Danimarka ka një sistem kombëtar të identitetit elektronik dhe planifikon të krijojë një aplikacion për verifikimin e moshës, tha Stage, por nuk specifikoi se si do të zbatohej në praktikë një ndalim i mundshëm.

Vendi ka rezervuar gjithashtu 160 milionë korona daneze (21.4 milionë euro) për 14 nisma që lidhen me sigurinë e fëmijëve në internet.

Franca

Anne Le Hénanff, ministre e Francës për çështjet dixhitale, i tha gazetës franceze La Dépèche se departamenti i saj synon të paraqesë një projektligj për të kufizuar përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç në muajt e parë të vitit 2026.

Nisma vjen pasi një komision parlamentar francez publikoi në shtator një raport që rekomandonte ndalimin e plotë të rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç dhe sugjeronte vendosjen e një “orari dixhital” për ata nën 18 vjeç.

Raporti i komisionit u hartua më herët këtë vit, pasi shtatë familje franceze paditën TikTok-un në vitin 2024, duke akuzuar platformën se i kishte ekspozuar fëmijët e tyre ndaj përmbajtjeve që nxisin vetëvrasjen.

Një ndalim i mundshëm është në përputhje me deklaratat e Presidentit francez Emmanuel Macron në muajt e fundit, sipas të cilave, nëse Bashkimi Europian nuk ndjek një masë të përbashkët në nivel BE-je, qeveria e tij do të veprojë e vetme.

“Platformat mund ta verifikojnë moshën, le ta bëjnë,” shkroi ai në X në qershor.

Në Francë, fëmijët nën moshën 15 vjeç kanë tashmë nevojë për pëlqim të qartë prindëror për të hapur një llogari në rrjete sociale. Prindërit mund të kërkojnë gjithashtu mbylljen e llogarisë së fëmijës së tyre.

Spanja

Një projektligj që po shqyrtohet nga ligjvënësit spanjollë sugjeron që fëmijët nën moshën 16 vjeç të mos kenë akses në rrjetet sociale, forume, platforma komunikimi apo “çdo hapësirë virtuale që përfshin inteligjencë artificiale gjeneruese (GenAI)”, pa pëlqim të qartë prindëror.

Në “raste të tjera”, mosha minimale do të jetë 14 vjeç, thuhet në draftligj, me qëllim “parandalimin e rreziqeve që lidhen me ekspozimin e hershëm ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme, bullizmin kibernetik apo shfrytëzimin dixhital të të dhënave personale”. Ligji nuk specifikon se cilat mund të jenë këto raste të tjera.

Fëmijët e moshës 16–18 vjeç do të mund të kenë akses në rrjetet sociale me pëlqimin e tyre.

Nëse miratohet, ligji do t’u kërkonte gjithashtu ofruesve të dyqaneve të aplikacioneve t’u japin prindërve të drejtën të verifikojnë se cilat aplikacione duan të shkarkojnë fëmijët e tyre.

Një sondazh i fundit i YouGov zbuloi se 79% e prindërve spanjollë bien dakord me një kufizim moshe për rrjetet sociale sipas modelit australian.

Megjithatë, një në tre të anketuar tha se një kufizim i tillë do të ishte i vështirë për t’u zbatuar në Spanjë.

Italia

Në maj të vitit të kaluar, parlamenti italian prezantoi një projektligj që mund të vendosë kufizime në rrjetet sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç.
Ligji, i cili po shqyrtohet nga Senati italian, përfshin gjithashtu masa për të kufizuar aktivitetin e “kidfluencers” nën moshën 15 vjeç në platformat e rrjeteve sociale.

Draftligji kërkon gjithashtu që platformat të verifikojnë moshën e përdoruesve përmes një “mini portofoli kombëtar”, i përkthyer si një portofol identiteti dixhital, i lidhur me sistemin e ardhshëm të verifikimit të moshës në nivel të Bashkimit Europian.

Ministri italian i Arsimit, Giuseppe Valditara, i tha gazetës Il Foglio se vendi duhet të ndjekë modelin australian.

Që prej nëntorit, Italia ka gjithashtu në fuqi legjislacion për verifikimin e moshës për faqet për të rritur.

Kufizimet në Itali mund të vijnë edhe si rezultat i një padie kolektive në pritje, e ngjashme me atë franceze, ku një grup familjesh italiane kanë paditur TikTok-un dhe platformat e Meta-s, Facebook dhe Instagram.

Padia pretendon se mbi 3.5 milionë fëmijë të moshës 7–14 vjeç përdorin rrjetet sociale, pavarësisht se janë nën moshën e lejuar. Çështja pritet të shqyrtohet në shkurt.

Një nga synimet e padisë është të detyrojë kompanitë e teknologjisë të zbatojnë praktika më të rrepta të verifikimit të moshës, për të siguruar që më pak fëmijë nën 14 vjeç të kenë akses në platformat e tyre, sipas një deklarate të studios ligjore Ambrosio e Commodo.

Greqia

Në shtator, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis i tha Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se vendi po shqyrton një ndalim të rrjeteve sociale, të ngjashëm me modelin australian.
“Po zhvillojmë eksperimentin më të madh të pakontrolluar ndonjëherë mbi mendjet e fëmijëve tanë. Nuk e dimë se cilat do të jenë pasojat, por jemi pothuajse të sigurt se ato nuk do të jenë pozitive,” cituan mediat vendase Mitsotakis-in.

Greqia ka ndaluar tashmë përdorimin e telefonave inteligjentë në klasë, masë që, sipas Mitsotakis-it, ka pasur një efekt transformues te fëmijët.

Qeveria ka lançuar gjithashtu vitin e kaluar një faqe interneti që u jep prindërve udhëzime se si të aktivizojnë kontrollet prindërore në telefonat celularë me iOS dhe Android.

“Kids Wallet” i Greqisë, një mjet kontrolli prindëror që mund të kufizojë ose bllokojë aksesin në aplikacione dhe shërbime online, raportohet se do të përdoret edhe si mjet për verifikimin e moshës për të miturit. Aplikacioni u jep prindërve mundësinë të kufizojnë ose bllokojnë aksesin në aplikacione dhe shërbime online.

Pajisja që përdor këtë portofol mund të ruajë identitetin e të miturit dhe ta paraqesë atë pranë autoritetit përkatës të autentikimit.

Gjermania

Në Gjermani nuk ka ende kufizime për përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën moshën 16 vjeç — të paktën për momentin, sipas Bundestagut gjerman.

Qeveria deklaroi në nëntor se i kishte kërkuar një komisioni të studiojë nëse një ndalim i tillë mund të zbatohet në Gjermani, si edhe ndikimin më të gjerë të rrjeteve sociale te adoleshentët gjermanë. Raporti përfundimtar pritet të paraqitet në vjeshtën e vitit 2026.

Gjermania po shqyrton një ndalim që do të zbatohej për të gjithë të miturit dhe që nuk do të parashikonte përjashtime për fëmijët që kanë pëlqimin e prindërve.

Nëse parlamenti gjerman vendos të ecë përpara me një ndalim, ai do të parandalonte fëmijët nga krijimi i llogarive në rrjete sociale, ashtu si në Australi, ndërkohë që fëmijët do të mund të hynin ende në këto faqe pa qenë të identifikuar.

Një peticion që kërkon vendosjen e një moshe minimale ligjore prej 16 vjeç për përdorimin e rrjeteve sociale ka mbledhur mbi 34 mijë nënshkrime dhe po shqyrtohet nga qeveria./ Euronews

 

The post Cilat vende europiane po shqyrtojnë ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët? appeared first on Revista Monitor.

Banka Botërore sugjeron uljen e kontributit vullnetar për të zgjeruar pjesëmarrjen

Një pjesë e madhe e shqiptarëve, e atyre që jetojnë brenda dhe jashtë vendit nuk marrin pjesë në skemën vullnetare të pensioneve për shkak të pagesave të larta që rriten sa herë ndryshon paga minimale.

Sipas ligjit aktual të sigurimeve niveli minimal i kontributit vullnetar është 21.6% e pagës minimale. Gjithashtu nëse nuk ke paguar 15 vite kontribute nuk përfiton pension.

Shumica e kontribuuesve në skemën vullnetare zgjedhin pagesën minimale, e cila rritet sa herë rritet paga minimale në ekonomi.

Rritjet e shpeshta dhe shpesh të paparashikueshme të pagës minimale në vitet e fundit në Shqipëri e bëjnë të vështirë vazhdimin e kontributeve për emigrantët me të ardhura të paqëndrueshme ose të parregullta sugjeron Banka Botërore në studimin e fundit “Përmirësimi i Sigurimeve Shoqërore për Emigrantët: Mësime nga Shqipëria”

“Në këtë kontekst, një analizë mbi aftësinë për të kursyer ose gatishmërinë për të kontribuar do të ndihmonte për të kuptuar nëse ndryshimet në nivelin minimal të kontributit ose në rregullat e përfitimit të të drejtës pensionale do të rrisnin përfshirjen e migrantëve, si dhe të grupeve të tjera të cenueshme në shoqëri” sugjeron Banka Botërore, e cila është duke asistuar qeveria shqiptare për të ndryshuar skemën publike të pensioneve në përputhje me zhvillimet aktuale demografike.

Banka gjithashtu kërkoi që të bëhen më shumë investime në digjitalizimin e proceseve të pagesës së kontributeve që vlejnë sidomos për emigrantët.

Për pagesën e kontributeve vullnetare kërkohet paraqitje fizike një herë në vit në zyrat e ISSH-së dhe në bankat e lidhura me të, por krijon barriera burokratike të panevojshme për emigrantët, edhe pse ekziston mundësia e përfaqësimit nga familjarët bë vë në dukje Banka.

Reformat digjitale mund të rrisin pjesëmarrjen përmes portalit e-Albania ose një aplikacioni celular do të eliminonte nevojën për regjistrim dhe pagesa fizike.

Zgjerimi i opsioneve të pagesave ndërkufitare përmes partneriteteve me banka, përfshirë ato në vendet kryesore të destinacionit të emigrantëve do të mundësonte kontribute në distancë dhe do të adresonte shqetësimet e emigrantëve dhe do të rriste përfitimet.

Duke integruar mekanizma digjitalë, Skema Vullnetare mund të shndërrohet në një skemë më të aksesueshme dhe miqësore për përdoruesit. Për këtë qëllim, është e domosdoshme thjeshtimi i proceseve institucionale, siç ilustrohet nga modeli i Francës, e cila ofron një pikë të vetme aksesimi, kontribute të automatizuara dhe ndjekje transparente të përfitimeve për qytetarët jashtë vendit, sugjeron Banka.

The post Banka Botërore sugjeron uljen e kontributit vullnetar për të zgjeruar pjesëmarrjen appeared first on Revista Monitor.

Confindustria Albania kundër draftit të Kodit Penal: Rrezik për biznesin, paralizon investimet

Confindustria Albania – Shoqata e Industrialistëve Italianë në Shqipëri, që përfaqëson rreth 170 biznese italiane e të përbashkëta, ka shprehur qëndrimin e saj të ashpër zyrtar kundër projektligjit të ri të Kodit Penal, i hedhur së fundmi për konsultim publik nga Ministria e Drejtësisë, duke paralajmëruar se nëse miratohet në ketë formë do të rrezikojë paralizimin e investimeve të huaja.

Confindustria Albania ndryshimet në Kodin Penal i cilëson të panevojshëm, të cilat rrisin ndjeshëm riskun ligjor për bizneset dhe cenojnë klimën e investimeve në vend.

“Nuk rezultoi dhe as konstatohet se ekziston ndonjë boshllëk në legjislacion penal, që të justifikojë nevojën për të shkuar drejt hartimit dhe miratimit të një kodi të ri penal. Mbi të gjitha vërehet se nga hartuesit e projektit të Kodit të ri Penal nuk është bërë një analizë shteruese e ndikimit të faktorëve ekonomikë dhe socialë në lidhje me rëndimin me penalizime të reja, siç propozohet, për veprat penale të kryera nga personat juridikë”, nënvizohet në qëndrim.

Një nga shqetësimet kryesore lidhet me kriminalizimin e tepruar të veprimeve me natyrë administrative, si shkeljet tatimore formale, mangësitë në dokumentacion apo shkelje të brendshme në shoqëritë tregtare, të cilat deri më tani janë trajtuar përmes masave administrative ose civile. Sipas Confindustria Albania, kjo qasje rrit presionin penal mbi biznesin dhe krijon pasiguri në ushtrimin e aktivitetit ekonomik.

Confindustria Albania shpreh gjithashtu kundërshtime ndaj zgjerimit të përgjegjësisë penale për personat juridikë, duke vënë në dukje se projekti parashikon përgjegjësi edhe për vepra penale që, sipas saj, nuk mund të lidhen logjikisht me natyrën e personit juridik. Kjo, sipas Confindustria Albania, bie ndesh me parimet themelore të së drejtës penale dhe praktikat e vendeve të Bashkimit Europian, ku përgjegjësia penale e personave juridikë është e kufizuar në fusha të caktuara si korrupsioni, krimi i organizuar dhe veprat kundër mjedisit.

Një tjetër problem që ngrihet është edhe mungesa e harmonizimit të draftit me legjislacionin ekzistues dhe praktikën gjyqësore, si dhe mbivendosja me ligjin “Për mbrojtjen e konkurrencës”, veçanërisht përmes tentativës për të kriminalizuar pozitën dominuese në treg. Sipas Confindustria Albania, kjo mund të paralizojë investimet, të rrisë arbitraritetin në zbatim dhe të dëmtojë konkurrencën e lirë.

“Kriminalizimi i një sjellje që kërkon analiza komplekse ekonomike krijon pasiguri të thellë juridike, duke bërë që sjellje të zakonshme të biznesit si përqendrimet të mund të interpretohen si vepra penale. Gjithashtu, integrimi i përgjegjësisë penale mbi përqendrimet e ndërmarrjeve rrezikon të paralizojë investimet, të zbehë transaksionet dhe të dobësojë klimën konkurruese të tregut për shkak të rrezikut të shtuar të ndjekjes penale, në çdo rast ku çdo ndërmarrje mund të rrisë pjesëmarrjen e saj në treg. Në praktikë, kjo krijon mbivendosje ligjore, konflikte interpretimi ndërmjet autoriteteve dhe një rrezik të lartë arbitrariteti në zbatim”, theksohet ndër të tjera në qëndrimin e Cofindustria Albania.

Në përfundim, Confindustria Albania vlerëson se projektiligji i ri i Kodit Penal, në formën aktuale, rrit ndjeshëm riskun ligjor për bizneset dhe përbën pengesë për zhvillimin ekonomik të vendit. Rekomandohet që drafti të mos përparojë dhe që fokusi të jetë përmirësimi i Kodit Penal ekzistues përmes një procesi të thelluar, gjithëpërfshirës dhe të mirëkonsultuar institucionalisht.

Drafti paraprak më herët është kundërshtuar edhe nga Profesionistët e Aleancës të Profesionistëve të Lirë (APL). Nëpërmjet një letre dërguar ish ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja APL kërkoi rishikim të kujdesshëm të dispozitave problematike, duke theksuar nevojën për respektim të parimit të proporcionalitetit dhe mbrojtje të lirive ekonomike dhe lirisë së fjalës.

Duke ngritur shqetësimin për zgjerimin e panevojshëm të ndërhyrjes penale në fusha që tradicionalisht janë trajtuar nga e drejta civile apo administrative, APL solli në vëmendje disa nene që sipas tyre mund të sjellin pasoja negative në marrëdhëniet mes bizneseve.

https://monitor.al/profesionistet-e-lire-leter-ministrit-manja-drafti-i-kodit-penal-cenon-lirine-ekonomike/

Drafti paraprak i kodit të Ri Penal më herët është publikuar në faqen zyrtare të Ministria së Drejtësisë.

Kodi Penal është miratuar në janar 1995, pothuajse 28 vite më parë. Në kohën e miratimit ky kod kishte 362 nene, ndërsa Kodi i Ri i propozuar ka mbi 600 nene. Sipas Ministrisë së Drejtësisë vit pas viti, Kodi i është nënshtruar mbi 30 herë amendimeve dhe shtesave të vazhdueshme, për t’iu përgjigjur nevojës së tranzicionit shoqëror dhe ekonomik që ka kaluar Shqipëria.

Ministria e Drejtësisë thekson se si pasojë e këtyre ndërhyrjeve në Kod është konstatuar ndjeshëm një mungesë e harmonizimit të përmbajtjes së Kodit Penal, veçanërisht përsa i përket llojeve dhe masave të dënimeve penale për çdo vepër penale bazuar në rrezikshmërinë e saj.

 

Qëndrim Zyrtar i Confindustria Albania për projektin e ri të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë

1.Vlerësim i përgjithshëm dhe mungesa e nevojës për një Kod të ri

Confindustria Albania shpreh shqetësimin në lidhje me projektin e Kodit Penal të hedhur kohët e fundit për konsultim publik. Kodi Penal, siç dihet, është një akt me rëndësi themelore për sistemin juridik, ekonomik dhe politik të vendit. Në lidhje me këtë projekt, kemi zhvilluar diskutime të gjera me juristë dhe avokatë, përfaqësues të shoqërive anëtare që Confindustria Albania përfaqëson. Nisur nga këto diskutime, na rezulton se ky draft nuk vjen si pasojë e ndonjë nevoje apo kërkese reale të sistemit penal apo i problemeve në zbatimin e Kodit Penal aktual. Përkundrazi, mendimi i përgjithshëm është se sistemi penal me Kodin Penal ekzistues, si një shtyllë e këtij sistemi, ka funksionuar në mënyrë të qëndrueshme dhe ka manifestuar rezultate pozitive, duke përfshirë këtu edhe trajtimin e çështjeve që lidhen me personat juridikë. Argumenti i përsëritur nga autorët e projektit të ri të Kodit Penal se “ndryshimet e shpeshta në Kodin aktual kërkojnë hartimin e një Kodi të ri” nuk është i bazuar dhe i qëndrueshëm. Ndryshimet ligjore janë reflektim i ndryshimeve në jetën sociale, politike dhe ekonomike të vendit. Projekti i Kodit të ri Penal sjell një varg ndryshimesh të rëndësishme thelbësore dhe strukturore. Nuk mendojmë se është kjo që kërkohet në këtë moment. Në këtë moment kërkohet forcimi dhe konsolidimi i zbatimit të Kodit ekzistues.

Ndryshimet rrënjësore apo të shumta në këtë moment nuk do të kontribuonin në forcimin e sistemit penal. Përkundrazi, kjo lloj qasjeje cenon sigurinë juridike, parashikueshmërinë ligjore dhe besimin e subjekteve ekonomike në sistemin e drejtësisë. Nga diskutimet rezultoi e qartë se mungojnë arsyet, faktorët apo motivet që të nxisin apo të shtyjnë për bërjen e një kodi të ri penal. Gjithashtu, nuk rezultoi dhe as konstatohet se ekziston ndonjë boshllëk në legjislacion penal, që të justifikojë nevojën për të shkuar drejt hartimit dhe miratimit të një kodi të ri penal. Mbi të gjitha vërehet se nga hartuesit e projektit të Kodit të ri Penal nuk është bërë një analizë shteruese e ndikimit të faktorëve ekonomikë dhe socialë në lidhje me rëndimin me penalizime të reja, siç propozohet, për veprat penale të kryera nga personat juridikë.

  1. Kriminalizimi i tepruar i veprimeve dhe akteve administrative

Një shqetësim thelbësor i Confindustria Albania lidhet me tendencën për të kriminalizuar veprime dhe akte që kanë natyrë të theksuar administrative dhe që deri më tani janë trajtuar me mjete administrative ose civile. Shembuj të tillë janë:

  • Shkeljet në fushën e tatimeve dhe mbajtjes së dokumentacionit tatimor;
  • Kërkesat e parregullta apo mosmbajtja e regjistrave;
  • Shkelje të kryera në shoqëritë tregtare;
  • Shkelje të karakterit formal që nuk përbëjnë rrezik penal, por vetëm mangësi administrative.

Kjo qasje rënduese penale përbën një rrezik për klimën e biznesit, pasi vendos presion penal mbi aktivitetin tregtar dhe sjell pasiguri në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike. Në këtë kuadër, theksojmë se projektkodi nuk ruan një raport të drejtë ndërmjet përgjegjësisë administrative dhe asaj penale. Përveç ruajtjes së një raporti të drejtë dhe proporcional ndërmjet këtyre përgjegjësive, jemi të mendimit se në zbatimin e përgjegjësisë penale ndaj personave juridikë duhet të evitohet ndëshkimi i biznesit në vetvete ose i punonjësve që lidhen me të. Në radhë të parë, fokusi duhet të jetë krijimi i një klime të shëndetshme bashkëpunimi dhe ndërveprimi ndërmjet organeve publike, si: tatimet, doganat, konkurrenca, etj, nga njëra anë, dhe biznesit nga ana tjetër.

  1. Presion i shtuar penal ndaj personave juridikë

Në projektin e Kodit të ri Penal është vërejtur shtim i konsiderueshëm i veprave penale për të cilat mund të përgjigjet personi juridik (ose më saktë përfaqësuesit ligjorë të tij). Ky zhvillim:

  • është përtej logjikës juridike të dallimit ndërmjet personit fizik dhe juridik;
  • ngarkon padrejtësisht shoqëritë tregtare me përgjegjësi që nuk u takojnë;
  • krijon mundësi për interpretime arbitrare gjatë zbatimit nga organet kompetente.

Në disa dispozita, projekti parashikon që personi juridik mund të dënohet për vepra penale absurde, si p.sh. vrasja, plagjiatura apo keqtrajtimi i kafshëve, çka është në kundërshtim me parimet themelore të përgjegjësisë penale dhe të funksionimit të shoqërive tregtare. Gjithashtu, konstatojmë se shumë vepra penale parashikojnë si rrethanë cilësuese apo rënduese rastin kur vepra penale kryhet nga personi juridik.

Ndërkohë që disa prej figurave të veprave penale nuk kuptohet se si mund të kryhen nga personi juridik, për disa të tjera mendojmë se parashikime të tilla e rëndojnë në mënyrë joproporcionale pozitën e personave juridikë dhe janë të paqarta. Për më tepër, konstatojmë dispozita ku gjykatës i jepet një diskrecion i tepruar për vendimmarrje mbi bazën e “rrethanave konkrete”, duke cenuar sigurinë dhe parashikueshmërinë ligjore. Prej vitesh Bashkimi Evropian është i orientuar drejt përgjegjësisë penale të personave juridikë, por e kufizuar kjo në fusha, si: korrupsioni, krimi i organizuar apo veprat penale kundër ambientit.

Ekspertët e Confindustria Albania vlerësojnë që përgjegjësia penale e personave juridikë duhet të kufizohet vetëm për vepra penale të lidhura drejtpërdrejt me aktivitetin ekonomik dhe përfitimin në dobi të shoqërisë, në përputhje me standardet dhe praktikat e mira të vendeve të Bashkimit Evropian. Është e rëndësishme të theksohet se për veprat penale të kryera nga personi juridik ekziston tashmë një ligj i posaçëm siç është ligji nr. 9754, datë 14.6.2007, “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë”, i cili mendojmë se rregullon në mënyrë të mjaftueshme dhe të duhur përgjegjësinë penale për personat juridikë në rastin e kryerjes së një vepre penale.

  1. Mungesa e harmonizimit me ligjet ekzistuese dhe praktikat gjyqësore

Në kuadër të një shteti demokratik, një ligj penal duhet të priret nga përqafimi i parimeve moderne të drejtësisë penale dhe jo atyre që tregojnë qasje represive ndaj biznesit dhe konkurrencës së lirë. Projekti i Kodit të ri Penal nuk merr në konsideratë parimet bazë të drejtësisë penale dhe asaj civile kur bëhet fjalë për normimin e përgjegjësisë penale të personit juridik, parime këto të konsoliduara nga doktrina dhe jurisprudenca moderne e vendeve perëndimorë prej më shumë se 100 vjetësh. Në veçanti, në shumë figura të veprave penale konstatohet shkelja e parimeve të përgjithshme të së drejtës, të tilla si: parimi i specialitetit, parimi i proporcionalitetit, parimi i humanizmit, apo edhe vetë parimi i ligjshmërisë.

Kodi aktual së bashku me ligjin “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë” dhe ligjin “Për shoqëritë tregtare” kanë krijuar një kuadër të qartë dhe të integruar për trajtimin e çështjeve penale që lidhen me subjektet tregtare. Në praktikë ky sistem ka prodhuar rezultate të qëndrueshme, të konfirmuara edhe nga vendimet e Gjykatës së Lartë. Konkretisht, praktika gjyqësore që është zhvilluar së fundmi nga ana e Kolegjeve Penale të Gjykatës së Lartë tregon se kur merret në analizë përgjegjësia penale e personit juridik, duhet të udhëhiqemi nga disa rregullime specifike që nuk i gjejmë në rregullat që sanksionojnë përgjegjësinë penale të individit (për referencë vendimi nr. 154, datë 16.05.2023, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë). Projekti i Kodit të ri Penal nuk e merr parasysh këtë përvojë dhe për më tepër injoron parimet bazë të ndarjes ndërmjet përgjegjësisë civile dhe asaj penale të organeve të personit juridik. Ai shfaq mospërputhje të dukshme me logjikën dhe terminologjinë e ligjeve tregtare dhe nuk reflekton njohuri të mjaftueshme për funksionimin e shoqërive tregtare. Ndër të tjera, një problem i veçantë dhe i rëndësishëm është integrimi në Kodin Penal i një dispozite të re që mund të kriminalizojë pozitën dominuese në treg.

Kjo dispozitë përbën mbivendosje të drejtpërdrejtë dhe të pajustifikuar me ligjin nr. 9121, datë 28.7.2003, “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar, i cili tashmë rregullon në mënyrë të specializuar abuzimin me pozitën dominuese, marrëveshjet e ndaluara dhe kontrollin e përqendrimeve.

Kriminalizimi i një sjellje që kërkon analiza komplekse ekonomike krijon pasiguri të thellë juridike, duke bërë që sjellje të zakonshme të biznesit si përqendrimet të mund të interpretohen si vepra penale. Gjithashtu, integrimi i përgjegjësisë penale mbi përqendrimet e ndërmarrjeve rrezikon të paralizojë investimet, të zbehë transaksionet dhe të dobësojë klimën konkurruese të tregut për shkak të rrezikut të shtuar të ndjekjes penale, në çdo rast ku çdo ndërmarrje mund të rrisë pjesëmarrjen e saj në treg. Në praktikë, kjo krijon mbivendosje ligjore, konflikte interpretimi ndërmjet autoriteteve dhe një rrezik të lartë arbitrariteti në zbatim.

  1. Ndikimi negativ në klimën e investimeve dhe në sigurinë juridike

Projekti, në formën aktuale, rrit ndjeshëm riskun ligjor për bizneset dhe cenon klimën e investimeve në Shqipëri. Në vend që ta thjeshtojë dhe modernizojë legjislacionin penal, ai e komplikon, e zgjat në mënyrë të panevojshme dhe krijon pasiguri për subjektet ekonomike. Për pasojë, Confindustria Albania e konsideron projektin si represiv ndaj funksionimit normal të kompanive, pengesë për zhvillimin ekonomik dhe rrezik për përkeqësimin e klimës së biznesit në vend.

  1. Rekomandim për procesin e mëtejshëm

Duke marrë parasysh rëndësinë themelore të Kodit Penal, çdo rishikim i tij duhet të ndodhë vetëm mbi bazën e një analize të thelluar, me konsultim të gjerë institucional, akademik dhe ekonomik, dhe jo përmes një projekti të papjekur e të nxituar.

Confindustria Albania rekomandon që:

  • Drafti aktual të mos përparojë në këtë formë;
  • Të synohet përmirësimi i Kodit ekzistues, jo zëvendësimi i tij total.

 

The post Confindustria Albania kundër draftit të Kodit Penal: Rrezik për biznesin, paralizon investimet appeared first on Revista Monitor.

Si do të funksionojë banka e parë 100% digjitale në vend, cilat do jenë shoqëritë investitore

Shqipëria pritet të ketë bankën e parë plotësisht digjitale, në një moment kur sistemi financiar po përballet me sfida të formalizimit, përfshirjes financiare, digjitalizimit dhe ambicies së qeverisë për një ekonomi pa para në dorë “cashless”.

Në një intervistë për Monitor, Fatbardha Rino, CEO e JET Bank, që së fundmi ka marrë licencën paraprake nga Banka e Shqipërisë, shpjegon arsyet pas krijimit të bankës së re, modelin e funksionimit, tregun e synuar, strukturën e pronësisë dhe dallimet kryesore nga bankat tradicionale.

Intervistë me Fatbardha Rino, CEO e JET bank

  1. Pse u mor vendimi që të hapet një bankë digjitale në Shqipëri?

Vendimi për të ndërtuar një bankë digjitale në Shqipëri ka ardhur si rezultat i një analize afatgjatë të zhvillimeve në sistemin financiar, por mbi të gjitha nga vëzhgimi i drejtpërdrejtë i nevojave reale dhe mungesave në shërbimin ndaj klientëve. Pas 24 vitesh përvojë në bankim, kam parë nga afër se si modeli bankar ka evoluar, nga banka me limite në akses, te retail-i tradicional dhe më pas drejt digjitalizimit, jo si një trend teknologjik, por si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj kërkesave në ndryshim të klientëve.

Bankat digjitale nuk ndërtohen për të zëvendësuar degët apo edhe bankat tradicionale, por për të zgjidhur probleme konkrete: procese të gjata, produkte të vështira për t’u kuptuar, akses të kufizuar dhe përvoja, që shpesh nuk është e ndërtuar rreth individit. Pikërisht këto boshllëqe krijojnë nevojën për një model të ri bankar, më të thjeshtë, më transparent dhe më të aksesueshëm.

Shqipëria ndodhet sot në një moment kyç zhvillimi. Digjitalizimi është një prioritet kombëtar, ndërsa reformat në drejtim të formalizimit të ekonomisë, transparencës dhe përafrimit me standardet evropiane kanë rritur ndjeshëm besimin e aktorëve ndërkombëtarë, për të investuar në vend. Kjo vëmendje ndërkombëtare nuk vjen rastësisht, por si reflektim i hapave konkrete që Shqipëria po ndërmerr drejt një ekonomie më europiane.

Në këtë kontekst, JET Bank u konceptua si një bankë 100% digjitale, e ndërtuar mbi nevojat reale të klientëve dhe në harmoni të plotë me këtë moment zhvillimi të vendit. Një bankë me procese të thjeshta, siguri të lartë dhe qeverisje të fortë, e përputhshme me standardet evropiane dhe e aftë të kontribuojë në rritjen e përfshirjes financiare dhe alternative e re e sistemit bankar shqiptar.

  1. JET Albania është e para që ka aplikuar për licencë dixhitale në Shqipëri, në një vend ku informaliteti është i lartë dhe përdorimi i shërbimeve bankare mbetet relativisht i ulët. Si i shihni sfidat e të bërit biznes.

Informaliteti dhe përdorimi relativisht i ulët i shërbimeve bankare janë realitete të njohura, por nuk janë arsye për të mos investuar; përkundrazi, janë tregues të qartë oportunitetesh se ka hapësirë për modele të reja. Përvoja e gjatë në këtë industri si brenda dhe jashtë vendit, më ka mësuar se imponimi nuk është mjeti më i qëndrueshëm drejt formalizimit.

Të gjitha studimet më relevante tregojnë se këto tregje karakterizohen nga përdorim i gjerë i cash-it, akses i kufizuar në shërbime bankare formale, mungesë edukimi financiar dhe një nivel i ulët besimi ndaj institucioneve financiare.
Këta faktorë krijojnë barriera reale për formalizimin, rritjen e bizneseve dhe përfshirjen financiare të individëve, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në mënyrën se si operojnë institucionet financiare dhe si ndërtohet marrëdhënia me klientin.

Pikërisht në këtë kontekst, sfida kryesore nuk është vetëm ofrimi i produkteve bankare, por ndërtimi gradual i besimit, thjeshtimi i aksesit dhe krijimi i një përvoje financiare, që i përgjigjet realiteteve lokale, pa kompromentuar standardet rregullatore dhe të sigurisë.

Kjo kërkon kohë, edukim financiar dhe mbi të gjitha një kuadër të fortë rregullator dhe sigurie.

JET Bank e sheh veten si një alternativë moderne që mund të kontribuojë në rritjen e përfshirjes financiare dhe formalizimit, në mënyrë graduale dhe të qëndrueshme.

  1. Kur pritet të fillojë aktiviteti dhe si do të funksionojë kjo bankë digjitale?

JET Bank do të nisë aktivitetin vetëm pasi të përfundojë plotësisht i gjithë procesi rregullator dhe certifikues, si dhe faza e testimit të detajuar të sistemeve. Procesi i licencimit për një bankë është i strukturuar dhe kërkon kohë, duke përfshirë verifikime të shumta teknike, operacionale, organizative dhe të sigurisë. Ligjërisht, ky proces mund të zgjasë deri në 12 muaj dhe synon të garantojë që çdo element i bankës të jetë plotësisht i qëndrueshëm, përpara se t’i ofrohet publikut.

Aktualisht ndodhemi në një fazë shumë të rëndësishme përgatitore, ku çdo hallkë e operacioneve po testohet dhe certifikohet në detaje, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetin mbikëqyrës. Ky është një proces thelbësor, për të garantuar sigurinë e klientëve, stabilitetin operacional dhe përputhshmërinë e plotë rregullatore.

JET Bank do të funksionojë si një bankë 100% digjitale, kryesisht përmes aplikacionit mobil. Onboarding-i i klientëve do të jetë tërësisht digjital, i sigurt dhe në përputhje me kërkesat ligjore dhe rregullatore por dhe standarte Europiane. Core banking i bankës është ndërtuar mbi Oracle Banking Services, një platformë e përdorur gjerësisht nga institucione bankare ndërkombëtare, që garanton stabilitet, integritet të të dhënave dhe vazhdimësi operacionale.

Për përvojën e përdoruesit dhe ndërveprimin digjital përdoret Backbase, ndërsa automatizimi i proceseve dhe integrimet mbështetet nga Facilization. Identifikimi dhe verifikimi i klientëve realizohet përmes Jumio, ndërsa monitorimi i riskut, AML dhe përputhshmëria rregullatore sigurohen përmes ComplyAdvantage.

Infrastruktura teknologjike është ndërtuar mbi platformat më të sigurta globale, duke kombinuar Oracle Cloud Infrastructure, Microsoft Azure dhe Amazon Web Services, ndërsa siguria forcohet përmes përdorimit të firewalls të dedikuara nga Palo Alto. Të dhënat e klientëve ruhen brenda Bashkimit Evropian, në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar dhe rregulloret më strikte të BE-së për mbrojtjen e të dhënave. Pra deri sa të sigurojmë, që të gjitha këto komponente janë stable, të sigurtë dhe të certifikuar, do të duhet të merret koha e nevojshme.

  1. Cili është tregu juaj i synuar?

JET Bank fokusohet në ofrimin e shërbimeve bankare të thjeshta, të sigurta dhe të lehta për t’u përdorur, të ndërtuara mbi nevojat reale të tregut dhe analizat e sjelljes së klientëve. Qasja jonë nuk nis nga segmentimi tradicional, por nga identifikimi i kërkesave konkrete për shërbime më të aksesueshme, më transparente dhe më efikase.

Si bankë digjitale, JET Bank ndjek një model zhvillimi progresiv. Produktet nuk ndërtohen të gjitha njëkohësisht, por hap pas hapi, duke filluar nga funksionet bazë bankare dhe duke u zgjeruar gradualisht mbi bazën e përdorimit real, kërkesës së tregut dhe stabilitetit operacional. Kjo qasje siguron që çdo shërbim i ri të jetë i kuptueshëm, i testuar dhe i përshtatur me kërkesat e klientëve.

Qasja jonë është gjithëpërfshirëse. Synimi është të ulim barrierat e hyrjes në sistemin bankar formal përmes shërbimeve të thjeshta dhe proceseve të qarta, duke ndërtuar një marrëdhënie të qëndrueshme dhe afatgjatë me klientët, në përputhje me zhvillimet e tregut dhe standardet rregullatore.

  1. Në planin tuaj të biznesit, cilat janë disa pritshmëri në vitin e parë të aktivitetit në drejtim të numrit të klientëve, volumit të transaksioneve etj.

Viti i parë është konceptuar si një vit konsolidimi dhe ndërtimi i besimit. Objektivat janë të matur dhe realiste, duke pasur parasysh natyrën e një institucioni të ri bankar. Prioriteti është stabiliteti operacional, cilësia e shërbimit dhe adoptimi gradual nga klientët. Suksesi për ne matet jo vetëm me numrin e klientëve, por me nivelin e përdorimit aktiv të shërbimeve, besimin që klientët krijojnë ndaj bankës dhe qëndrueshmërinë e operacioneve.

Për një bankë digjitale të re, sidomos në një treg në zhvillim, objektivi kryesor nuk është përshpejtimi i volumit, por vendosja e ekuilibrave të duhur mes rritjes, kontrollit dhe qëndrueshmërisë.

Pritshmëritë për numrin e klientëve dhe aktivitetin transaksional janë ndërtuar mbi parimin e adoptimit progresiv. Fokusimi është te krijimi i një baze përdoruesish që e përdorin bankën realisht, e kuptojnë modelin digjital dhe ndërtojnë një marrëdhënie afatgjatë me institucionin, më shumë sesa te zgjerimi i shpejtë numerik.

Nga këndvështrimi financiar, viti i parë shërben edhe si një fazë vëzhgimi dhe kalibrimi: si reagojnë klientët ndaj produkteve, si funksionojnë proceset e automatizuara në praktikë dhe si përkthehet përvoja digjitale në besim dhe përdorim të qëndrueshëm. Volumet dhe ritmet e aktivitetit janë të menduara të rriten në mënyrë organike, në përputhje me kapacitetin operacional dhe maturimin e tregut.

Për ne, suksesi nuk lexohet vetëm në rritje, por në cilësinë e asaj rritjeje. Besimi i klientëve, përdorimi aktiv i shërbimeve dhe stabiliteti i operacioneve janë tregues shumë më domethënës në këtë fazë sesa rezultatet afatshkurtra. Kjo qasje krijon bazën që vitet pasuese të ndërtohen mbi një strukturë të shëndoshë dhe financiarisht të balancuar.

  1. Në raport me bankat tradicionale, çfarë do të jetë ndryshe nga JET Albania?

Dallimi kryesor qëndron në faktin se JET Bank është ndërtuar digjitale që nga themeli. Kjo do të thotë se proceset, sistemet dhe mënyra e funksionimit nuk janë përshtatur mbi struktura ekzistuese, por janë projektuar që në fillim për një bankë pa degë fizike dhe me ndërveprim kryesisht digjital.

Nuk kemi sisteme të vjetra (legacy) apo procese manuale të trashëguara nga modele tradicionale. Proceset e panevojshme janë eliminuar dhe ato që mbeten janë automatizuar, në mënyrë që teknologjia të merret me volumin dhe rutinën, ndërsa njerëzit të fokusohen te vendimmarrja, mbikëqyrja dhe marrëdhënia me klientin.

Paralelisht me këtë, JET Bank po ndërton një strukturë të fortë organizative, përfshirë një Drejtori funksionale dhe një Qendër të dedikuar të Shërbimit ndaj Klientit, me ekipe të shumta dhe të trajnuara posaçërisht. Këto ekipe janë pjesë qendrore e modelit tonë operativ dhe do të jenë të pranishme për të mbështetur klientët, për të menaxhuar rastet komplekse dhe për të garantuar që çdo proces digjital të ketë gjithmonë një përgjegjësi njerëzore pas tij.

Ky kombinim mes teknologjisë dhe njerëzve na lejon të jemi më efikasë, më të shpejtë dhe më fleksibël, duke ruajtur në të njëjtën kohë të njëjtin rigorozitet rregullator, nivel sigurie dhe standarde kontrolli që aplikohen për bankat tradicionale.

  1. A do të jetë aksionar i vetem i JET Bank Idan Avishai apo në projekt do të përfshihen investitorë të tjerë individuale apo institucionale?

JET Bank është në pronësi të JET Holding, një konsorcium kompanish ndërkombëtare me qender ne Amsterdam. Struktura e pronësisë nuk përfshin aksionarë individualë të drejtpërdrejtë, por realizohet përmes shoqërive që kanë investitorë të ndryshëm dhe pronarë përfitues përfundimtarë (UBO) të identifikuar, në përputhje me kërkesat ligjore dhe rregullatore.

Z.Idan Avishai, shtetas britanik, është një nga investitorët kryesorë përmes strukturave përkatëse dhe ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në fazat e hershme të projektit, por nuk është aksionari i vetëm dhe nuk përfaqëson i vetëm pronësinë e bankës.

Më lejoni të sqaroj se JET Bank nuk është ende e regjistruar si shoqëri bankare, pasi përpara regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit ekziston një proces i detajuar miratimi nga Banka e Shqipërisë. Ky proces përfshin aprovimin e strukturës së qeverisjes, organeve drejtuese dhe modelit organizativ të bankës. Vetëm pas përfundimit të këtij procesi rregullator dhe marrjes së miratimeve përkatëse, banka do të regjistrohet zyrtarisht dhe do të nisë veprimtarinë e saj.

Të gjitha shoqëritë aksionare dhe pronarët përfitues përfundimtarë kanë kaluar procesin rigoroz të vlerësimit “fit & proper” nga Banka e Shqipërisë, duke përfshirë verifikimin e integritetit, burimit të kapitalit dhe përputhshmërisë rregullatore, në përputhje të plotë me kuadrin ligjor shqiptar dhe standardet evropiane.

  • Cili është background i z.Avishai në biznes dhe a ka përvojë në aktivitete të tjera financiare, përveç platformave të trading?

Z.Idan Avishai është një investitor ndërkombëtar me përvojë në ndërtimin dhe financimin e projekteve në sektorë të ndryshëm, përfshirë teknologjinë, shërbimet financiare dhe struktura investimi. Profili i tij është ai i një investitori strategjik, i fokusuar në qeverisje korporative, strukturim kapitali dhe mbështetje të projekteve afatgjata.

Në JET Bank, roli i tij është qartësisht ai i pronarit përfitues përfundimtar dhe investitorit, ndërsa banka është konceptuar, ndërtuar dhe do të operohet nga një ekip profesional lokal, nën mbikëqyrjen e plotë të Bankës së Shqipërisë dhe në përputhje me kuadrin rregullator shqiptar dhe evropian.

Në kuadër të procesit të licencimit, e theksoj sërish, të gjithë aksionarët kanë kaluar procedura të detajuara “fit & proper”, ku janë vlerësuar integriteti, reputacioni, burimi i kapitalit dhe përputhshmëria rregullatore, sipas standardeve më strikte bankare.

  1. Një koment rreth faktit që platformat e tij, FXLider/Fortrade janë raportuar në vitin 2018 nga AMF, për ushtrim të palicencuar të aktivitetit si agjent për shërbime investimi në Republikën e Shqipërisë.

Lidhur me këtë temë, është e rëndësishme të bëhet një qartësim faktik. Nuk ekziston asnjë dokument zyrtar apo vendim rregullator që lidh Z. Idan Avishai personalisht me platformat e përmendura. Çdo pretendim në këtë drejtim nuk mbështetet në akte ligjore apo dokumente të autoriteteve përkatëse dhe është spekulativ, mënyrë e përdorur shumë për qëllime jo të drejtëpërdrejta.

Referencat që qarkullojnë herë pas here në media lidhen nuk pasqyrojnë realitetin juridik dhe nuk bazohen në verifikime formale mbi pronësinë apo rolet ekzekutive të individëve të veçantë.

Për JET Bank, kriteri i vetëm relevant është procesi rigoroz dhe shumë i thellë i licencimit dhe vlerësimit “fit & proper” nga Banka e Shqipërisë, ku çdo aksionar është verifikuar mbi bazë dokumentesh zyrtare, burimi kapitali të gjera dhe integriteti personal, në përputhje të plotë me kuadrin ligjor shqiptar dhe standardet evropiane.

 

The post Si do të funksionojë banka e parë 100% digjitale në vend, cilat do jenë shoqëritë investitore appeared first on Revista Monitor.

ERE: Klientët e lidhur në 6 kv të marrin masa për të dalë në treg të lirë nga 1 janari 2026

Bizneset e lidhur në tension 6 kilovolt do të duhet të sigurojnë të vetëm energjinë në tregun e lirë nga një furnizues privat.

Pas një seri njoftimesh nga kompanitë që janë pjesë e OSHEE Group edhe Enti Rregullator i Energjisë kërkoi që këta të fundit të marrin masa për t’ju përshtatur kësaj etape të fundit të liberalzimit.

“Nga data 1 janar 2026, klientët e lidhur në nivelin e tensionin 6 kV, që gjithashtu plotësojnë kriteret ligjore dhe teknike për të dalë në tregun e liberalizuar të furnizimit me energji elektrike, kanë detyrimin të gjejnë furnizuesin e tyre në treg të lirë.

Lidhur me sa më sipër, sjellim në vëmendje të të gjithë konsumatorëve që i përkasin kësaj kategorie, por edhe çdo konsumatori tjetër që ka plotësuar kriteret për daljen në tregun e lirë të energjisë, që të marrë masat për të gjetur e kontraktuar furnizuesin e tij nga lista e furnizuesve të licencuar nga ERE në këtë veprimtari”, thuhet në njoftimin e Entit.

Ky i fundit bën me dije se në faqen e tij të internetit mund të gjenden furnizuesit e licencuar si dhe modalitetet e kontaktimit dhe kontraktimit të tyre.

“Po ashtu, ju sjellim në vëmendje se, në platformën e krahasimit të çmimeve PCT (Price Comparison Tool), të ndërtuar nga ERE https://pct.ere.gov.al/, mund të kërkoni dhe gjeni ofertat me të mira të furnizimit për kategorinë së cilës i përkisni” nënvizon ERE.

Rregullatori nënvizon se të gjithë konsumatorët që kanë plotësuar kriteret për daljen në treg të lirë dhe që nuk kanë mundur të kontraktojnë vetë një furnizues ose kanë humbur furnizuesin e tyre, mund të përfitojnë nga furnizimi nëpërmjet “Furnizuesit të Mundësisë së Fundit” i cili është një furnizues i caktuar në përputhje me dispozitat e ligji të sektorit të energjisë elektrike, dhe që ofron për një periudhë të kufizuar kohe (60 ditë) shërbimin e furnizimit, në kushte të rregulluara.

Ndërkohë në çdo rast subjektet mund të ndryshojnë pa pagesë furnizuesin pasi kjo është një e drejtë që ua njeh ligji.

Procesi i liberalizimit nisi nga viti 2018 kur dolën në treg të lirë bizneset e lidhura në tension 35 kv. Nga ajo kohë e në vazhdim liberalizimi ka ecur me faza duke nxjerrë më pas në treg të lirë bizneset në tension 20 kilovolt dhe më pas ata në 10 kilovolt.

Në këtë fazë të fundit janë rreth 2300 subjekte të verifikuar në tension 6 kilovolt të cilët do të dalin në treg të lirë teksa një pjesë tjetër janë në faza verifikimi për shkak të detyrimeve që kanë ndaj furnizuesit aktual./ N.Maho

 

The post ERE: Klientët e lidhur në 6 kv të marrin masa për të dalë në treg të lirë nga 1 janari 2026 appeared first on Revista Monitor.

Elite Travel Group dhe NTLG/Ving&Spies: Epokë e re e turizmit nordik në Jugun e Shqipërisë (2026)

Elite Travel Group pas një pune disa vjeçare në bashkëpunim me kompaninë më të madhe nordike, NTLG/Ving & Spies për të sjellë turistë nordikë në jug të Shqipërisë, ja arriti me sukses!

Një mundësi e re për hotelet, apartamentet, restorantet, aktivitetet dhe bizneset lokale në këtë rajon. Me hapjen e Aeroportit të Vlorës në pranverë të vitit 2026, fluturimet direkte nga vendet nordike do të bëhen realitet, duke krijuar mundësi të shkëlqyera për zhvillimin e turizmit dhe rritjen e numrit të vizitorëve nga Suedia, Norvegjia, Danimarka dhe Finlanda.

Fluturime direkte për në Vlorë: Një hap i madh për turizmin në Shqipëri

Në fillim të qershorit, kompania NTLG Ving & Spies dhe linja e saj ajrore, Sunclass Airlines, do të operojnë fluturime direkte për në Vlora airport (VLO), nga Stokholmi, Oslo dhe Kopenhageni e më pas mundësia nga Helsinki. Ving dhe Spies do të jenë kompanitë e parë nga rajoni i vendeve nordike që do të ketë fluturime direkte për në Shqipëri.

Ky zhvillim është një hap i rëndësishëm për turizmin shqiptar, pasi turistët nordikë do të mund të udhëtojnë direkt në bregun jugor të Shqipërisë, duke shmangur periudhën e mëparshme të transferimit të gjatë nga Janina dhe Korfuzi për në Sarandë.

Ky zhvillim fantastik në vitin e dytë të operimit do të zgjasë sezonin në rajonin e Jugut dhe pritet që, brenda 2028, të shtrihet nga fundi i marsit në fillim të nëntorit. Në 2026 do të kemi 3 fluturime në javë, çdo të mërkurë dhe të shtunë, qëndrimi i klientëve do të jetë i njëpasnjëshëm: qëndrimi për 7 netë, 14 netë dhe 21 netë, duke i lehtësuar punën pritësve dhe duke i shmangur ditët e qëndrimit bosh.Tashmë turizmi ka hyrë në një fazë maturie dhe planet janë që, nga vendet nordike, të kemi rreth 10,000 klientë në 2026 dhe të shkojmë deri në 80,000 – 90,000 brenda 2028, por kjo do të varet nga dëshira dhe cilësia e shërbimit që tashmë operatorët shqiptarë në jug do të ofrojnë. Si turistë që vijnë nga vendet e ftohta, ata do të kërkojnë më të mirën e klimës fantastike shqiptare, ushqimit tradicional, mikpritjes dhe shërbimeve cilësore, aktivitete unike të bizneseve lokale.

Hapja e Aeroportit të Vlorës do të shoqërohet me krijimin e mundësive të reja për të gjithë, duke shtuar më shumë interesin për vendin tonë kaq të bukur.

Hapja e Aeroportit të Vlorës është një mundësi për rritjen e turizmit në këtë rajon dhe do të bëhet një faktor kyç për turistët që vijnë nga vendet nordike. Ky aeroport do të lehtësojë aksesin në plazhet e bukura të Vlorës, Orikumit, Dhermiut dhe Sarandës për 2026, por do të zgjerohet më tej në vitet e ardhshme në rajone të tjera, si Borsh, Himarë, Qeparo etj. Elite Travel Group dhe Ving e shohin këtë hap si mundësi për të pasuruar ofertën turistike në jug të Shqipërisë, duke ofruar një destinacion tërheqës dhe të përballueshëm për turistët gjatë gjithë vitit.

Elite Travel Group, përmes partneritetit me Ving & Spies dhe Sunclass Airlines, po synon ta kthejë jugun e Shqipërisë në atraksionin më të madh të vitit 2026 dhe patjetër që do të jetë një mundësi e shkëlqyer për të gjithë sektorët e turizmit të përfshihen në këtë mundësi të jashtëzakonshme.

 

CEO i Elite Travel Group, Elvis Kotherja dhe Drejtuesi i Shitjeve dhe Partneriteteve, Krist Dodbiba, shprehen shumë optimistë dhe shpresojnë që deri në 2030 të kemi mbi 100,000 klientë nordikë nga 1 marsi në 15 nëntor!

 

Ving.se Press Release: https://via.tt.se/pressmeddelande/4195708/ving-forst-ut-att-lansera-direktcharter-till-vlora-i-albanien-till-sommaren?publisherId=1726617&lang=sv

 

Elvis Kotherja me Christer Aarum nga NTLG ne Emisionin Histori Shqiptare: https://youtu.be/nkxS3pBNL8s?t=1305

 

The post Elite Travel Group dhe NTLG/Ving&Spies: Epokë e re e turizmit nordik në Jugun e Shqipërisë (2026) appeared first on Revista Monitor.

Siguria e furnizimit me energji, raporti: Shqipëria nuk ka ende një plan përgatitjeje

Shqipëria nuk ka një plan gatishmërie për të garantuar sigurinë energjetike sipas parimeve që përcaktojnë direktivat e Bashkimit Europian.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë vërën se afatet për të plotësuar disa kërkesa të lidhura me rregulloren përkatëse që mbulon këtë çështje kanë mbaruar prej vitesh tashmë por përafrimi mbetet ende në faza diskutimi.

“Shqipëria nuk ka transpozuar ende Rregulloren (BE) 2019/941 dhe as ka caktuar një autoritet kompetent për përgatitjen ndaj rreziqeve, pavarësisht se afatet përkatëse kanë përfunduar më 31 dhjetor 2023 dhe 5 janar 2023.

Një version pune i projektligjit për Sektorin e Energjisë Elektrike, i shqyrtuar nga Sekretariati në korrik 2025, synon të transpozojë disa dispozita të Rregullores (BE) 2019/941. Ky projektligj parashikon që ministria përgjegjëse për sektorin e energjisë elektrike të jetë autoriteti kompetent dhe vendos detyrimin që ky autoritet të miratojë një plan përgatitjeje ndaj rreziqeve”, thuhet në raport.

Ky i fundit nënvizon se megjithatë, transpozimi i plotë dhe zbatimi i Rregullores do të kërkojnë përpjekje të mëtejshme për hartimin dhe miratimin e legjislacionit parësor dhe atij dytësor përkatës. Rregullorja (BE) 2017/2196 gjithashtu nuk është transpozuar ende. Shqipëria nuk ka paraqitur Deklaratat e Sigurisë së Furnizimit me Energji Elektrike pranë Sekretariatit, pavarësisht detyrimit të saj sipas nenit 29 të Traktatit.

“Zhvillimet kryesore në fushën e sigurisë kibernetike në Shqipëri përfshijnë miratimin në vitin 2024 të Ligjit të ri gjithëpërfshirës nr. 25/2024, i cili është pjesërisht i harmonizuar me Direktivën e BE-së për Sigurinë e Rrjeteve dhe Sistemeve të Informacionit (NIS2) dhe pasqyron standarde më të gjera evropiane. Përveç kësaj, është krijuar Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK), për të mbikëqyrur dhe koordinuar përpjekjet e vendit në fushën e sigurisë kibernetike”, vlerëson raporti.

Ky dokument analizon edhe ecurinë s ai takon sigurisë së furnizimit me gaz dhe atë të furnizimit me naftë dy çështje që mbeten secila në hallka të ndryshme të zbatimit të kërkesave ku më e avancuar ajo e gazit teksa ajo e naftës me një realizim  vetëm 23 për qind të planit të përafrimit.

 

The post Siguria e furnizimit me energji, raporti: Shqipëria nuk ka ende një plan përgatitjeje appeared first on Revista Monitor.

Ndërtime e kulla pa fund, por 57.1% e shqiptarëve jetojnë në banesa të mbipopulluara

Ndonëse Shqipëria mban rekordin në Europë për peshën e ndërtimeve në raport me madhësinë e ekonomisë dhe pallatet e reja e kullat vijojnë të lartësohen çdo ditë, ironikisht, Shqipëria renditet ndër vendet me nivelin më të lartë të mbipopullimit të banesave në Europë.

Të dhënat më të fundit tregojnë se 57.1% e popullsisë jeton në banesa të mbipopulluara, një shifër shumë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, që në vitin 2024 ishte 16.9%.

Sipas Eurostat niveli më i lartë regjistrohet në Mal të Zi, ku 61.6% e popullsisë jetojnë në banesa të mbipopulluara.

Kur një banesë quhet e mbipopulluar

Eurostat e quan një banesë të mbipopulluar kur familja që jeton aty nuk ka mjaftueshëm dhoma për numrin dhe përbërjen e anëtarëve të saj.

Sipas këtij standardi, një banesë duhet të ketë të paktën:
-një dhomë për familjen në tërësi,
-një dhomë për çdo çift,
-një dhomë për çdo të rritur të vetëm,
-një dhomë për dy fëmijë të vegjël,
-ose dhoma të veçanta për adoleshentët, sipas moshës dhe gjinisë.

Nëse këto kushte minimale nuk plotësohen dhe shumë persona ndajnë pak dhoma, banesa klasifikohet si e mbipopulluar, pavarësisht madhësisë në metra katrorë. Ky tregues përdoret nga

Eurostat për të matur cilësinë e kushteve të jetesës dhe presionin mbi strehimin.

Shqipëria, rekord për shpenzimet në ndërtim

Të dhënat e tjera të Eurostat, bëjnë të ditur se shpenzimet nominale për ndërtimin në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2023 në Shqipëri ishin 19.1%, nga 18.8% vitin e kaluar.

Kjo shifër është më e larta në Europë, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian për këtë tregues është rreth 11%.

https://monitor.al/shqiperia-me-shpenzime-rekord-per-ndertimin-ne-europe-ne-2023/

Pavarësisht dërtimeve, familjet shqiptare nuk arrijnë të blejnë dot apartamente për shkak të shtrenjtimit shumë më të shpejtë të tyre në raport me të ardhurat.

Sipas të dhënave të përpunuara më herët nga Monitor, për të blerë një apartament 70 metra katror kushton 14.8 milionë lekë, nga 7.8 milionë lekë një dekadë më parë. Për të blerë këtë apartament tashmë duhen gati 19 paga vjetore reale bruto (18.6), ose gati 6 vite më shumë sesa një dekadë më pare, që është ndër më të lartat në Europë.

Për të blerë një hyrje duhen 19 paga vjetore, 6 vjet më shumë se një dekadë më parë rekord në Europë

Europa
Sipas Eurosta, në vitin 2024, 16.9% e popullsisë në Bashkimin Europian jetonte në banesa të mbipopulluara, një rënie e lehtë nga 18.1% në vitin 2014.

Mbi 30% e popullsisë në 5 vende të BE-së jetonte në banesa të mbipopulluara. Rumania raportoi përqindjen më të lartë (40.7%), e ndjekur nga Letonia (39.3%), Bullgaria (33.8%), Polonia (33.7%) dhe Kroacia (31.7%).

Në të kundërt, normat më të ulëta të mbipopullimit u regjistruan në Qipro (2.4%), Maltë (4.4%) dhe Holandë (4.6%).

The post Ndërtime e kulla pa fund, por 57.1% e shqiptarëve jetojnë në banesa të mbipopulluara appeared first on Revista Monitor.

Kina godet industrinë e qumështit të BE-së me tarifa deri në 42.7%

Masa përshkallëzon një marrëdhënie tregtare tashmë të tendosur mes Brukselit dhe Pekinit

Kina ka vendosur tarifa deri në 42.7% për disa importe të produkteve të qumështit nga BE-ja, pas një hetimi 16-mujor për subvencione, që ka rritur më tej tensionet tregtare mes Brukselit dhe Pekinit.

Ministria e Tregtisë njoftoi në një vendim paraprak se kishte konstatuar se importet e produkteve të qumështit nga BE-ja ishin të subvencionuara dhe se industria vendase kineze kishte “pësuar dëm material” si pasojë.

Tarifat, që variojnë nga 21.9% deri në 42.7%, por që për shumicën e kompanive të prekura janë pak nën 30%, do të hyjnë në fuqi më 23 dhjetor.

Hetimi i Kinës për importet e produkteve të qumështit nga BE-ja, një prodhues i madh nga Franca deri në Irlandë, u nis në gusht 2024, pak pasi hetimi i vetë bllokut prej 27 shtetesh anëtare mbi subvencionet çoi në vendosjen e tarifave të reja ndaj automjeteve elektrike kineze.

Pekini nisi gjithashtu hetime për mishin e derrit dhe konjakun.

Mosmarrëveshjet hakmarrëse për automjetet elektrike janë zbehur më pas nga të ashtuquajturat tarifa të “ditës së çlirimit” të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ndaj Kinës, të cilat u përshkallëzuan ndjeshëm në prill dhe përfundimisht çuan në një armëpushim në tetor.

Por tarifat e reja ndaj produkteve të qumështit vijnë në një kohë tensionesh të vazhdueshme në një marrëdhënie tregtare që Europa e ka cilësuar vazhdimisht si të pabalancuar.

Pekini ka kërkuar në mënyrë të përsëritur të negociojë një marrëveshje me Brukselin për heqjen e tarifave ndaj automjeteve elektrike, në këmbim të një zotimi për të shitur me një çmim minimal që të mos dëmtojë konkurrentët vendas. Komisioni Europian tha këtë muaj se po shqyrtonte dhënien e një të ashtuquajturi angazhim për çmim minimal vetëm për Volksëagen, prodhuesin gjerman të makinave me fabrika në Kinë.

Zyrtarë të BE-së, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se Pekini po këmbëngul për një marrëveshje në nivel sektori, dhe jo me kompani individuale kineze, çka po i ndërlikon bisedimet.

Lëvizja e fundit shton presionin mbi një sektor bujqësor të BE-së tashmë të trazuar, i zemëruar për shkurtimet e propozuara në skemën e subvencioneve të bllokut, marrëveshjet tregtare që lejojnë më shumë importe dhe rregulloret mjedisore.

Traktorë hynë në Bruksel gjatë një samiti të BE-së javën e kaluar. Protestuesit dëmtuan godinat e Parlamentit Europian, shpërndanë pleh organik dhe goditën policinë e rendit me patate.

Sipas një ndarjeje të Ministrisë së Tregtisë mbi tarifat e reja për dhjetëra kompani, pothuajse të gjitha ato të prekura do të përballen me tarifa 28.6% ose 29.7%.

Deklarata e ministrisë i referohej djathit të freskët, të përpunuar dhe djathit blu, si edhe qumështit dhe ajkës. Nuk u bë asnjë përmendje për qumështin pluhur apo formulën për foshnja.

Norma më e lartë është rezervuar për FrieslandCampina, një kooperativë holandeze e qumështit, si edhe për kompani të tjera. Azia, përfshirë Kinën, përbënte më shumë se një të katërtën e shitjeve të saj prej 13 miliardë eurosh në vitin 2024. Kjo shifër përfshin gjithashtu Indonezinë, Tajlandën, Filipinet dhe Pakistanin.

BE-ja ka këmbëngulur prej kohësh se subvencionet e saj bujqësore janë në përputhje me rregullat ndërkombëtare të tregtisë, pasi nuk janë të lidhura me prodhimin. / FT

The post Kina godet industrinë e qumështit të BE-së me tarifa deri në 42.7% appeared first on Revista Monitor.

Huamarrja e brendshme e qeverisë do të rritet lehtë në tremujorin e parë 2026

Huamarrja e qeverisë shqiptare në tregun e brendshëm financiar do të rritet lehtë në tremujorin e parë të vitit 2025.

Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave, huamarrja e planifikuar do të ketë vlerën e 134 miliardë lekëve, në rritje me 1.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në pjesën më të madhe, huamarrja e qeverisë në tregun e brendshëm financiar konsiston në rinovim ose rifinancim të instrumenteve të maturuara. Rifinancimi i borxhit ekzistues tentohet të bëhet kryesisht nëpërmjet bonove të thesarit, ndërsa mbulimi i deficitit të ri të krijuar synohet të realizohet nëpërmjet obligacioneve.

Ministria e Financave ka planifikuar emetimin për herë të parë të obligacioneve 2.5vjeçare, në muajt janar dhe shkurt.

Por, tremujori i parë 2026 pritet të ofrojë mundësi të reja investimi për investitorët e interesuar në instrumente afatgjata.

Në muajin janar do të zhvillohet ankandi i pestë për emetimin e obligacioneve 20-vjeçare, ndërsa në muajin mars do të bëhet rihapja e tij. Obligacionet 20-vjeçare janë instrumentet më afatgjata të borxhit të emetuara ndonjëherë nga qeveria shqiptare. Ato u emetuan për herë të parë në vitin 2025.

Këto instrumente janë një alternativë e mirë sidomos për investitorët institucionalë. Veçanërisht për shoqëritë që administrojnë fonde me horizont afatgjatë, si fondet private të pensionit, obligacionet 20 vjeçare krijojnë mundësi për të pasuruar spektrin e titujve në portofolet e tyre dhe për të rritur kthimet nga investimi për anëtarët.

Në muajin janar do të zhvillohet gjithashtu ankandi i ri i obligacioneve 10-vjeçare, ndërsa në muajin mars do të kryhet rihapja e tij. Ndërkohë, në muajin shkurt do të zhvillohet ai i obligacioneve 15-vjeçare.

Zakonisht, tremujori i parë i vitit është periudha me përqendrimin më të madh të huamarrjes së qeverisë shqiptare. Kjo ndodh kryesisht për shkak të një prirjeje më të madhe të investitorëve, kryesisht bankave tregtare, për të ndjekur objektivat e buxheteve vjetore në pjesën e parë të vitit.

Por, nga ana tjetër shpenzimet buxhetore realizohen në pjesën dërrmuese në muajt e fundit të vitit, sidomos në pjesën që u takon investimeve publike. Huamarrja në avancë dhe krijimi i tepricave të mëdha të likuiditetit krijon kosto të shtuara për interesa borxhi.

Megjithëse huamarrje në tremujorin e parë pritet të rritet lehtë, në tërësi për vitin 2026 ajo parashikohet të ketë një vlerë më të ulët krahasuar me një vit më parë.

Sipas buxhetit të vitit 2025, vlera e përgjithshme e huamarrjes së re të parashikuar për t’u financuar në tregun e brendshëm është 45 miliardë lekë, vlerë kjo 10% më e ulët krahasuar me atë të parashikuar në buxhetin e vitit 2025./ E.Shehu

Burimi: BSH

The post Huamarrja e brendshme e qeverisë do të rritet lehtë në tremujorin e parë 2026 appeared first on Revista Monitor.

❌