Reading view

22:57 Po jetojmë më gjatë se kurrë, por po sëmuremi për më shumë vite

Studimi global tregon se një pjesë gjithnjë e më e madhe e jetës po kalohet me sëmundje ose aftësi të kufizuara

Jetëgjatësia mesatare është rritur ndjeshëm gjatë shekullit të fundit dhe tani arrin në 73,8 vjet, falë rënies së madhe të sëmundjeve infektive dhe vdekshmërisë së nënave e fëmijëve, si dhe përparimit në parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve kronike.

Megjithatë, vitet e fituara nuk do të thotë se kalohen domosdoshmërisht me shëndet të mirë, tregon studimi i publikuar në revistën The Lancet Public Health.

Meqenëse rritja e jetëgjatësisë po e tejkalon përmirësimin e jetëgjatësisë së shëndetshme në pothuajse të gjitha 204 vendet dhe territoret e analizuara, autorët vlerësojnë se sistemet shëndetësore duhet ta zhvendosin fokusin nga zgjatja e jetës drejt përmirësimit të cilësisë së viteve të shtuara.

Në nivel global, gjatë vitit 2023 njerëzit kaluan mesatarisht 14,5 për qind të jetës së tyre me shëndet të dobët. Jetëgjatësia më e madhe po shoqërohet gjithnjë e më shumë me sëmundje jo vdekjeprurëse dhe aftësi të kufizuara.

Vendet ku njerëzit jetojnë më gjatë kanë regjistruar gjithashtu më shumë vite të kaluara me probleme shëndetësore. Kjo sugjeron se jetëgjatësia më e madhe nuk po e shtyn sëmundjen vetëm drejt viteve të fundit të jetës, por në shumë raste po e zgjat periudhën gjatë së cilës njerëzit jetojnë me sëmundje ose aftësi të kufizuara.

Ku kalohen më pak vite me shëndet të dobët?

Në vitin 2023, njerëzit në vendet më të pasura kaluan rreth 15,7 për qind të jetës së tyre me shëndet të dobët, ndërsa në superrajonin e Afrikës Subsahariane hendeku mes jetëgjatësisë dhe viteve të shëndetshme ishte më i vogli, rreth nëntë vjet.

Holanda regjistroi rritjen më të madhe absolute: përqindja e jetës së kaluar me shëndet të dobët u rrit nga 13,2 për qind në vitin 1990 në 15,7 për qind në vitin 2023.

Hendeku më i madh i morbiditetit – pra koha ose përqindja e jetës së kaluar me shëndet të dobët – u regjistrua në SHBA, Australi dhe Kanada.

Në anën tjetër, Nauru, Ishujt Solomon dhe Laosi kishin hendekun më të vogël, që do të thotë se banorët e tyre kalonin më pak vite të jetës me probleme shëndetësore.

Cilat probleme shëndetësore ndikojnë më shumë?

Autorët zbuluan se gjendjet jo vdekjeprurëse përbënin 57,4 për qind të hendekut global të morbiditetit, sepse shtojnë numrin e viteve që njerëzit jetojnë me aftësi të kufizuara ose me shëndet të dobësuar.

Ndër shkaktarët kryesorë ishin çrregullimet muskuloskeletore, si dhimbja e pjesës së poshtme të shpinës, çrregullimet mendore, sëmundjet e organeve shqisore, përfshirë humbjen e dëgjimit të lidhur me moshën, si dhe lëndimet aksidentale.

Në vendet me të ardhura më të ulëta, ndër faktorët kryesorë ishin edhe mungesat ushqyese, infeksionet respiratore, tuberkulozi dhe sëmundjet tropikale të neglizhuara.

Studimi identifikoi gjithashtu disa faktorë të rëndësishëm rreziku: indeksin e lartë të masës trupore, kequshqyerjen e fëmijëve dhe nënave, përdorimin e duhanit, nivelin e lartë të glukozës në gjak esëll dhe ndotjen e ajrit.

Përdorimi i drogave dhe konsumimi i lartë i alkoolit ishin ndër dhjetë faktorët kryesorë të rrezikut vetëm në vendet me të ardhura të larta, ndërsa marrëdhëniet seksuale të pambrojtura u shfaqën si faktor kryesor vetëm në Afrikën Subsahariane.

Si mund të duket një e ardhme më e shëndetshme?

Sipas autorëve, rezultatet ngrenë pikëpyetje edhe për qëndrueshmërinë e sistemeve të mbrojtjes sociale dhe mënyrën se si duhet të ndahen burimet ndërmjet parandalimit, trajtimit dhe inovacionit.

Meqë përqindja e jetës së kaluar me shëndet të dobët është rritur vazhdimisht që nga viti 1990, studiuesit theksojnë nevojën për një fokus shumë më të madh te plakja e shëndetshme.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e përkufizon plakjen e shëndetshme si procesin e zhvillimit dhe ruajtjes së aftësive funksionale që mundësojnë mirëqenie në moshë të shtyrë.

“Gjetjet tona tregojnë se përfitimet e ardhshme në shëndetin e popullatës nuk do të vijnë vetëm duke i ndihmuar njerëzit të jetojnë më gjatë, por edhe duke i ndihmuar të jetojnë më shëndetshëm”, thotë autori i lartë i studimit, Christopher Murray, drejtor i Institute for Health Metrics and Evaluation (IHME) në University of Washington School of Medicine.

Sipas tij, përparimi në plakjen e shëndetshme duhet të matet jo vetëm me jetëgjatësinë, por edhe me numrin e viteve të jetuara në shëndet të mirë. Për këtë nevojiten investime më të mëdha në parandalim, kontroll afatgjatë të sëmundjeve dhe kujdes për sëmundjet kronike.

Edhe bashkautorja e studimit, Catherine Bisignano, thekson se duhet kushtuar më shumë vëmendje gjendjeve dhe faktorëve të rrezikut që shtojnë vitet e jetuara me aftësi të kufizuara.

“Trajtimi më i hershëm i këtyre problemeve, përmes parandalimit dhe kujdesit më të mirë afatgjatë, mund të ketë ndikime të rëndësishme shoqërore, shëndetësore dhe ekonomike”, thekson ajo.

Në këtë drejtim, studiuesit kërkojnë investime të vazhdueshme në parandalim, rehabilitim, shërbime të shëndetit mendor dhe kujdes për sëmundjet kronike, si dhe qasje më të mirë në teknologjitë asistive dhe në modelet e integruara të kujdesit afatgjatë. /ET

  •  

22:50 Milani kërkon yllin e Argjentinës që bëri bujë në Botëror me veprimet e tij

Milani ka bërë një ofertë për mesfushorin argjentinas Leandro Paredes, i cili aktualisht është pjesë e Boca Juniorsit, raportohet në Argjentinë.

Sipas gazetarit Arevalo Martin, gjatë një transmetimi live në ESPN është bërë e ditur se klubi italian ka kontaktuar Paredesin dhe i ka paraqitur një ofertë për ta bindur të rikthehet në Serie A, pas një viti të kaluar në vendlindjen e tij.

Megjithatë, detajet e ofertës nuk janë bërë publike, pasi nuk dihet ende vlera e mundshme e transferimit, paga që i është ofruar lojtarit apo kohëzgjatja e kontratës.

Paredes u rikthye te Boca Juniors verën e kaluar për një shumë rreth 3 milionë eurosh dhe aktualisht ka kontratë me klubin argjentinas deri në fund të vitit 2028.

Mesfushori 32-vjeçar ka një histori të gjatë në futbollin italian, pasi më herët ka luajtur për Romën, ndërsa një rikthim në Serie A do të ishte një mundësi për të vazhduar karrierën në një kampionat që e njeh shumë mirë.

Megjithatë, nëse Milani dëshiron të afrojë një tjetër mesfushor gjatë këtij afati kalimtar, klubi fillimisht duhet të largojë disa prej lojtarëve aktualë në atë repart.

Sipas Calciomercato.com, drejtuesit e Milanit po punojnë për largimin e Warren Bondos para mbylljes së afatit kalimtar.

Gjithashtu, Yunus Musah nuk pritet të jetë një lojtar kyç në planet e trajnerit Ruben Amorim, ndërsa klubi do të dëgjojë oferta të përshtatshme edhe për lojtarë si Ruben Loftus-Cheek, Youssouf Fofana, Ardon Jashari dhe Samuele Ricci.

Në anën tjetër, Luka Modric, Adrien Rabiot dhe talenti i ri Christian Comotto konsiderohen si lojtarët e mesfushës që praktikisht do të vazhdojnë të jenë pjesë e Milanit edhe në muajin shtator./ET

  •  

22:42 “Nuk përballen më me pluhurin dhe rrëmujën”/ Vengu tregon ndryshimin në Radhimë-Orikum pas Lungomares 4

Last Updated on 07/08/2026 by EL

Segmenti i Lungomares 4, që shtrihet nga Radhima drejt Orikumit, ka ndryshuar pamjen e kësaj pjese të bregdetit të Vlorës dhe mënyrën se si përdoret nga banorët dhe pushuesit.

Deputeti Pirro Vengu, ka publikuar pamje nga zona, duke sjellë në vëmendje ndryshimin e krijuar pas investimit në këtë segment.

Sipas Vengut, ndërhyrja ka sjellë një hapësirë më të rregullt dhe më të aksesueshme për familjet dhe pushuesit që frekuentojnë këtë pjesë të bregdetit.

Përpara ndërhyrjes, segmenti përballej me lëvizje të shumta automjetesh, pluhur dhe kaos në qarkullim, ndërsa sot synohet një përdorim më i organizuar i hapësirës përgjatë vijës bregdetare.

Lungomare 4 përfshin aksin që lidh Radhimën me Orikumin, një nga zonat më të frekuentuara gjatë sezonit veror në Vlorë.

Ndërhyrja ka prekur jo vetëm infrastrukturën rrugore, por edhe hapësirat që përdoren nga qytetarët gjatë qëndrimit në bregdet.

Vengu e ka cilësuar këtë ndryshim si një investim që ka ndikuar në pamjen e zonës dhe në përvojën e familjeve që e vizitojnë gjatë verës.

Segmenti Radhimë-Orikum është një nga akset kryesore turistike të jugut të Vlorës, veçanërisht gjatë muajve të sezonit, kur fluksi i automjeteve dhe pushuesve rritet ndjeshëm.

https://www.facebook.com/share/v/17qDSqUXmC/

  •  

22:40 Më pak kufizime, më shumë inteligjencë – ChatGPT përditësohet për miliona përdorues

OpenAI ka njoftuar se përdoruesit falas të ChatGPT së shpejti do të kenë biseda të pakufizuara me tekst, ndërsa kufizimet për gjenerimin e imazheve, ngarkimin e skedarëve dhe përdorimin e zërit do të mbeten në fuqi.

Njëkohësisht, modeli i ri GPT-5.6 Luna do të bëhet modeli i parazgjedhur për të gjithë përdoruesit.

Sipas OpenAI, ai është më i saktë se modeli aktual GPT-5.5 Instant, me 62% më pak gabime faktike.

Përdoruesit falas dhe ata me planin Go do të kenë gjithashtu qasje në butonin e ri “Think”, i cili ndihmon modelin të japë përgjigje më të mira për pyetje më komplekse.

Ndërkohë, abonentët e planeve Plus dhe Pro do të përfitojnë nga përmirësimet në modelin GPT-5.6 Sol, i optimizuar për kërkime në internet, shkrim, planifikim dhe vendimmarrje.

Ata do të kenë edhe një opsion të ri për të zgjedhur nivelin e fuqisë së përpunimit të modelit.

Modeli Luna do të nisë të shpërndahet gjatë kësaj jave, ndërsa funksionet e tjera do të jenë të disponueshme gradualisht javën e ardhshme./ET

  •  

22:30 Gjashtë shenja që tregojnë se partneri juaj nuk është gati për një lidhje (Lifestyle)

Pavendosmëria në një marrëdhënie shpesh interpretohet si mungesë interesi, por psikologia Susan Krauss Whitbourne paralajmëron se mund të ketë arsye më të thella pas një sjelljeje të tillë.

Ajo iu referua një studimi të ri që tregon se gatishmëria për një marrëdhënie serioze mund të ndikohet nga personaliteti, frika nga refuzimi dhe mjedisi në të cilin një person është rritur.

Çfarë fshihet pas pavendosmërisë së partnerit tuaj?

Whitbourne shpjegon se një partner hezitues nuk do të thotë domosdoshmërisht se ai është i painteresuar.

“Vendimet në marrëdhënie mund të jenë të mbushura me paqartësi, konflikt dhe pasiguri, të cilat mund t’i pengojnë njerëzit të marrin vendime të shpejta dhe të qëndrueshme”, thotë Krauss Whitbourne për Psychology Today.

Ajo shton se pavendosmëria shpesh ushqen frikën e refuzimit.

Sipas psikologes, këto janë gjashtë shenja që tregojnë se partneri mund të mos jetë gati për një lidhje serioze:

Ai ndihet i shqetësuar kur duhet të marrë një vendim;

Ka vështirësi në marrjen e vendimeve në marrëdhënie, madje edhe në ato të thjeshta;

Ai i rishqyrton vendimet e tij për një kohë të gjatë dhe e ka të vështirë t’i lërë pas ato;

Ai ka nevojë për shumë kohë për të marrë edhe vendimet më të vogla;

Shpesh shtyn marrjen e vendimeve të rëndësishme;

Ai nuk është i sigurt se çfarë dëshiron vërtet nga një lidhje.

Whitbourne thotë se lista bazohet në një shkallë të zhvilluar nga studiuesit në Universitetin e Kiotos për të vlerësuar pavendosmërinë në marrëdhëniet ndërpersonale. “Dikush që nuk mund të vendosë nëse dëshiron të jetë me ty mund të jetë i nxitur nga një ndjeshmëri e lartë ndaj refuzimit, por kjo mund të ndikohet edhe nga kultura nga e cila vjen.”

“Nëse jeni të gatshëm të prisni, mund të ia vlejë t’i jepni partnerit hezitues një shans për të marrë një vendim vetë që në fund të fundit do t’ju sjellë përmbushje të dyve”, përfundon Krauss Whitbourne./et

  •  

22:21 BMW nis prodhimin masiv të i3 elektrik në Mynih

BMW ka nisur zyrtarisht prodhimin masiv të sedanit të ri elektrik BMW i3 në fabrikën e saj historike në Mynih, duke shënuar një hap të rëndësishëm në strategjinë e elektrifikimit të markës.

Modeli është automjeti i parë plotësisht elektrik në segmentin e Serisë 3 që prodhohet në këtë fabrikë dhe modeli i dytë i zhvilluar mbi platformën e re Neue Klasse.

Sipas BMW-së, interesi i klientëve për i3 ka qenë shumë i madh, ndaj kompania po rrit kapacitetin e prodhimit dhe pritet që numri i automjeteve të prodhuara të shtohet ndjeshëm gjatë muajve të ardhshëm.

Përveç rritjes së prodhimit, proceset e reja të fabrikës kanë ulur kostot e prodhimit me rreth 10%, duke e bërë modelin një pjesë kyçe të planeve afatgjata të kompanisë.

BMW ka konfirmuar gjithashtu se deri në vitin 2027 fabrika e Mynihut do të prodhojë vetëm automjete elektrike.

Ndërkohë, nga i njëjti vit, prodhimi i versionit standard të BMW i3 do të nisë edhe në fabrikën e kompanisë në San Luis Potosí të Meksikës, duke zgjeruar prodhimin global të modeleve të reja elektrike./ET

  •  

22:11 Super talenti i Barcelonës pranë largimit, “fajtori” është Lamine Yamal

Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, është takuar të premten me agjentin e Roony Bardghjit, Christian Emile, për të finalizuar largimin e sulmuesit anësor suedez, raporton Diario SPORT.

Bardghji pritet të largohet nga ‘Camp Nou’ në kërkim të më shumë hapësirave dhe minutave, pasi në krahun e djathtë të sulmit përballet me konkurrencën e fortë të Lamine Yamalit, i cili aktualisht konsiderohet titullar i padiskutueshëm në skuadrën e Hansi Flickut.

Pavarësisht se nuk ka pasur shumë mundësi për të luajtur në ndeshje zyrtare, 20-vjeçari suedez ka lënë përshtypje të mira te stafi teknik i Barcelonës falë profesionalizmit dhe përkushtimit të tij në stërvitje.

Barcelona nuk dëshiron ta humbasë plotësisht kontrollin mbi të ardhmen e lojtarit dhe preferon një transferim përfundimtar, por duke përfshirë një përqindje nga një shitje e ardhshme.

Në këtë mënyrë, klubi katalunas do të mund të përfitojë financiarisht nga zhvillimi i tij në vitet e ardhshme.

Për shërbimet e Bardghjit ka interes nga disa klube evropiane, ndërsa një prej destinacioneve të mundshme është Sporting Lisbona, që po e monitoron situatën e reprezentuesit suedez.

Barcelona e transferoi Bardghjin për vetëm 2.5 milionë euro, ndërsa tani shpreson që largimi i tij të sjellë një fitim të konsiderueshëm financiar.

Suedezi konsiderohet një lojtar me potencial të madh, por konkurrenca e jashtëzakonshme në repartin ofensiv të Barcelonës ka bërë që klubi dhe lojtari të shohin një largim si zgjidhjen më të mirë për zhvillimin e karrierës së tij./et

  •  

22:01 Ndërroni partnerët, por jo zhgënjimet? Ja pse përfundoni gjithmonë në të njëjtën histori (Lifestyle)

Pse na pëlqen vazhdimisht i njëjti tip personi, edhe kur e dimë se nuk është i duhuri për ne?

Njëri ishte emocionalisht i paarritshëm, tjetri tepër kritik, i treti nuk dinte ta shprehte dashurinë, megjithatë të gjithë kishin diçka të përbashkët që na tërhoqi. Pikërisht kjo ndjenjë se “e njëjta histori po përsëritet” i shtyn shumë të pyesin veten nëse zgjedhin partnerët e gabuar apo nëse pas kësaj fshihet një arsye më e thellë psikologjike.

Ekspertët shpjegojnë se zgjedhjet në dashuri rrallë janë të rastësishme. Mënyra se si zgjedhim partnerin ndikohet nga përvojat e fëmijërisë, marrëdhëniet e mëparshme dhe modelet e sjelljes që i mbartim në mënyrë të pavetëdijshme.

Pse na tërheqin njerëzit që ngjajnë me ish-partnerët?

Në psikologji ekziston koncepti i transferimit, që përshkruan prirjen për të përsëritur ose për të transferuar ndjenjat dhe modelet e marrëdhënieve të mëparshme në lidhje të reja.

Për këtë arsye, ndonjëherë na tërheqin njerëz që na kujtojnë ish-partnerët, madje edhe mënyrën se si i kemi përjetuar marrëdhëniet me prindërit.

Shpjegimi është i thjeshtë: truri kërkon atë që i duket e njohur. Situatat e njohura krijojnë ndjesinë e sigurisë, edhe kur në të vërtetë nuk janë të mira për ne.

Problemi lind kur ajo që na duket e njohur lidhet me dhimbjen, pasigurinë ose sjellje jo të shëndetshme.

Nëse dikush është rritur në një mjedis me shumë kritika, distancë emocionale, konflikte ose mungesë mbështetjeje, është e mundur që më vonë të zgjedhë në mënyrë të pavetëdijshme partnerë që krijojnë të njëjtën dinamikë.

Një marrëdhënie e tillë mund të jetë e vështirë, por nënvetëdija e njeh si diçka familjare.

Si ndikon stili i lidhjes emocionale në zgjedhjen e partnerit?

Një faktor tjetër i rëndësishëm është stili i lidhjes emocionale (attachment) – mënyra se si krijojmë afërsi me të tjerët dhe si e përjetojmë intimitetin.

Këto modele formohen në fëmijërinë e hershme, përmes marrëdhënies me prindërit ose kujdestarët, dhe shpesh ndikojnë edhe në lidhjet romantike.

Psikologët dallojnë tri stile kryesore:

  • Stili i sigurt – personi ka besim te partneri, komunikon hapur dhe ndërton më lehtë marrëdhënie të qëndrueshme.
  • Stili ankthioz – karakterizohet nga frika e refuzimit, nevoja për konfirmim të vazhdueshëm dhe shqetësimi i tepruar për marrëdhënien.
  • Stili shmangës – personi e ka të vështirë të lejojë afërsinë emocionale dhe ndihet në siklet kur lidhja bëhet shumë intime.

Është interesante se shpesh njerëzit me stil ankthioz dhe ata me stil shmangës tërhiqen nga njëri-tjetri.

Njëri kërkon më shumë vëmendje dhe siguri, ndërsa tjetri përpiqet të ruajë distancën. Kështu krijohet një rreth vicioz, ku të dy përsërisin modelet e vjetra dhe konfliktet rikthehen vazhdimisht.

Ekziston edhe ideja psikologjike se partnerët janë, në një farë mënyre, pasqyra jonë. Tek ata shpesh vërejmë ose na tërheqin tipare që lidhen me konfliktet tona të brendshme.

Kjo nuk do të thotë se jemi përgjegjës për sjelljen e tjetrit, por se zgjedhjet dhe reagimet tona mund të zbulojnë plagë emocionale që ende nuk i kemi shëruar.

Për shembull, një person që ndihet thellësisht i pasigurt mund të zgjedhë marrëdhënie ku kjo pasiguri vetëm sa forcohet. Dikush që mbart plagë të pazgjidhura nga e kaluara mund të hyjë pa vetëdije në lidhje që i rihapin të njëjtat tema.

Sipas këtij këndvështrimi, të njëjtat modele përsëriten derisa t’i dallojmë dhe të vendosim t’i ndryshojmë.

Si të dilni nga rrethi vicioz i zgjedhjeve të gabuara?

Njohja e modelit është hapi i parë drejt ndryshimit. Është e rëndësishme të pyesni veten jo vetëm: “Pse zgjedh gjithmonë njerëzit e gabuar?”, por edhe: “Çfarë më tërheq tek ata?”

Puna me veten, kuptimi i nevojave personale dhe vendosja e kufijve të shëndetshëm mund t’ju ndihmojnë të dilni nga marrëdhëniet që përsëriten vazhdimisht.

Kjo nuk do të thotë se lidhjet e ardhshme do të jenë pa probleme. Çdo marrëdhënie sjell sfida dhe mosmarrëveshje, por ndryshimi qëndron në faktin se marrëdhëniet e shëndetshme i zgjidhin problemet, në vend që t’i rikthejnë vazhdimisht të njëjtat plagë.

Terapia individuale ose ajo në çift mund t’i ndihmojë shumë njerëz të kuptojnë më mirë modelet e tyre të sjelljes dhe të ndërtojnë një marrëdhënie më të shëndetshme me dashurinë.

Sepse ndonjëherë problemi nuk është se takojmë vazhdimisht të njëjtët njerëz, por se ende nuk kemi ndryshuar mënyrën se si i zgjedhim. /et

  •  

21:40 Kosova shpall “non grata” drejtorin e Telekom Serbisë

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e ka shpallur shtetasin serb dhe drejtorin e Telekom Serbia, Vladimir Luçiç, person të padëshirueshëm (non grata), duke i ndaluar përgjithmonë hyrjen, kalimin transit dhe qëndrimin në territorin e Republikës së Kosovës.

Sipas vendimit të Ministrisë të premten, të siguruar nga KOHA, Luçiçi është ndaluar për shkak të deklaratave të tij publike, të cilat përbëjnë kërcënim për sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se ai, përmes deklaratave publike, ka promovuar dhe mbështetur politika e aktivitete që sfidojnë kompetencat sovrane të institucioneve të Kosovës në sektorë me rëndësi strategjike, përfshirë komunikimet elektronike dhe infrastrukturën e telekomunikacionit.

Po ashtu, MPB-ja ka vlerësuar se Luçiçi ka propaganduar kundër sovranitetit dhe rendit kushtetues të Kosovës, ndërsa “deklaratat e tij përbëjnë kërcënim për vendin duke nxitur gjuhë të urrejtjes dhe destabilizim”.

Këtë javë, mediat serbe raportuan se Luçiçi kishte njoftuar hapjen e gjashtë objekteve të reja të Telekom Serbia në Kosovë, si dhe investime të reja për përmirësimin e rrjetit të telefonisë fikse në zonat e banuara me serbë. Ai kishte deklaruar se fillimisht do të ndërtohen dy objekte në Partesh, afër Gjilanit, të cilat do të shërbejnë si zyra dhe objekte telekomunikacioni, ndërsa një tjetër ishte planifikuar në Pasjan. Luçiqi vazhdimisht ka shprehur pretendime se Kosova është territor i Serbisë./et

  •  

21:36 Salah mbetet pa fjalë në Turqi: Kryetari i komunës i bën dhuratën që nuk e priste askush

Ish-sulmuesi i Liverpoolit, Mohamed Salah, mbeti i befasuar dhe dukshëm i shokuar pasi mori një dhuratë tejet të pazakontë nga një kryetar komune në Trabzon të Turqisë.

34-vjeçari iu bashkua klubit turk Trabzonspor në fillim të këtij muaji, vetëm disa javë pasi u largua nga Liverpooli si lojtar i lirë, pas përfundimit të kontratës së tij me klubin anglez.

Vendimi i Salahut për t’iu bashkuar një skuadre që sezonin e kaluar përfundoi në vendin e tretë në Superligën turke ka befasuar shumëkënd. Megjithatë, aventura e tij në Turqi ka nisur në mënyrë mjaft interesante, pasi një kryetar komune i ka ofruar atij një dhuratë që vështirë se do ta kishte pritur.

Pas ceremonisë së prezantimit si lojtar i Trabzonsporit, Salah shkoi në distriktin Arakli të Trabzonit për t’u takuar me kryetarin e komunës, Huseyin Avni Coskun Çebi. Takimi fillimisht ishte paraparë si pjesë e një xhirimi reklamues.

Por situata mori një kthesë të papritur kur Çebi nisi të fliste për ndryshimet klimatike, pas një bisede rreth Egjiptit, vendlindjes së Salahut.

“Ngrohja globale po kërcënon botën. Në të ardhmen, do të bëhet e vështirë të jetohet në Egjipt gjatë verës. Distrikti ynë do të jetë shumë i banueshëm në ato vite. Ai do të jetë ndër vendet më pak të prekura nga ngrohja globale”, deklaroi Çebi.

Më pas, kryetari i komunës bëri ofertën e pazakontë për yllin egjiptian.

“Prandaj, le t’ju dhurojmë një copë të bukur tokë këtu. Mund të jetë një vend i mrekullueshëm për fëmijët dhe nipërit tuaj, pa probleme me ujin dhe i paprekur nga ngrohja globale”, shtoi ai.

Salah u fotografua teksa dukej i habitur nga propozimi, ndërsa preku fytyrën në shenjë befasie. Në fund, ai u përgjigj thjesht me “Faleminderit”, teksa i dha dorën kryetarit të komunës.

Pavarësisht se vjen pas një sezoni jo në nivelin e zakonshëm të tij, Salah ka firmosur një kontratë tejet të majme me Trabzonsporin. Sipas raportimeve, egjiptiani do të përfitojë rreth 16.8 milionë euro në vit.

Me transferimin e Salahut, Trabzonspori synon të sfidojë dominimin e dy gjigantëve të futbollit turk, Galatasarayt dhe Fenerbahces, të cilët kanë dominuar dy vendet e para të kampionatit në vitet e fundit./et

  •  

21:30 Deputetët e PDK mblidhen në Kuvend, LDK dhe AAK thirrje Kurtit që të thërrasë sonte seancën konstituive

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) janë mbledhur në Kuvend, vetëm pak orë para skadimit të afatit kushtetues për konstituimin e legjislaturës së 11-të.

Dy partitë e tjera, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i kanë bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) që ta thërrasë sonte vazhdimin e seancës konstituive, në mënyrë që procesi të përmbyllet brenda afatit të përcaktuar nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.

Në reagimin e saj, LDK-ja ka shprehur shqetësimin për moskonstituimin e Kuvendit brenda afatit kushtetues, duke paralajmëruar se një situatë e tillë rrezikon ta vendosë Kosovën në një fazë të paqartësisë kushtetuese dhe mungesës së legjitimitetit institucional.

Deputeti i AAK, Besnik Tahiri, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje të rendit kushtetues, duke thënë se veprimet e saj po krijojnë një precedent të rrezikshëm për vendin./et

  •  

21:17 Trump: Nuk do ta lejojmë Kinën të na mposhtë në Al dhe kripto

Last Updated on 07/08/2026 by EL

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se SHBA-të nuk duhet të lejojnë Kinën të dominojë në fushën e Al dhe kriptovalutave, duke i cilësuar këto sektorë si vendimtarë për të ardhmen ekonomike dhe teknologjike.

Në një intervistë për Punchbowl News, Trump u shpreh se nuk dëshiron ta shohë Kinën të marrë epërsinë në zhvillimin e Al apo në përdorimin e kriptovalutave.

“Nuk duam ta shohim Kinën të marrë përsipër kriptovalutat. Nuk dua ta shoh Kinën të fitojë me Al”, tha ai.

Presidenti theksoi se SHBA-ja aktualisht po kryeson garën ndaj Kinës në Al, duke argumentuar se vendi që fiton këtë garë do të ketë avantazhin më të madh global.

Sipas tij, Al do të ketë një ndikim shumë më të madh sesa interneti, duke e cilësuar atë si teknologjinë që do të tejkalojë çdo gjë të imagjinuar deri më sot.

Presidenti amerikan foli edhe për rritjen e përdorimit të Bitcoin, duke vënë në dukje se gjithnjë e më shumë njerëz po kryejnë pagesa me kriptovaluta, ndërsa përdorimi i parasë së gatshme po zbehet.

Ai shtoi se, nëse do të ishte guvernator i një shteti amerikan, do të ulte taksat për të tërhequr investime në qendrat e të dhënave, të cilat i konsideroi një burim të rëndësishëm të ardhurash dhe një element kyç në garën globale për Al.

“Nuk mund ta lejojmë Kinën të na mposhtë në këtë”, përfundoi Trump./et

  •  

21:15 Kancelari gjerman do të japë dorëheqjen? Video e rreme mashtron rrjetet sociale, pas saj dyshohet “dora e Kremlinit”

Last Updated on 07/08/2026 by EL

Autoritetet gjermane janë të bindur se një grup hakerash i lidhur me Kremlinin qëndron pas një videoje të montuar në të cilën shfaqej Kancelari Friedirch Merz ku njoftonte dorëheqjen e tij.

Sipas burimeve mediatike, autori më i mundshëm është grupi “Storm-1516”, i drejtuar nga GRU-ja, shërbimi sekret i ushtrisë ruse, i cili dyshohet gjithashtu se qëndron pas dezinformatave rreth kandidatëve në zgjedhjet presidenciale franceze.

Qeveria gjermane e kishte akuzuar tashmë këtë grup në dhjetor për një fushatë dezinformimi para zgjedhjeve parlamentare të shkurtit 2025.

Video e fundit mbante logon e Deutsche Welle dhe pretendonte se citonte një raport të gazetës Handelsblatt ku, Merz do të njoftonte dorëheqjen më 10 gusht për shkak të sondazheve të dobëta, ndërsa pasardhësi i tij do të ishte Hendrik Wüst, kreu i qeverisë së Rhein-Westfalisë Veriore.

Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës njoftoi se ishte në dijeni të fushatës, e cila synonte të dëmtonte reputacionin e Merz, dhe se ky veprim përfshihet në kontekstin më të gjerë të tre zgjedhjeve rajonale që do të mbahen në Gjermani në shtator.

Nga ana tjetër gazeta Handelsblatt ka mohuar kategorikisht se ka botuar ndonjëherë artikullin në fjalë, ndërsa Deutche Welle sqaroi publikisht se bëhet fjalë për njv fushatë dezinformomi duke përgënjeshtruar lajmin./et

  •  

21:11 Nënat shpesh harrojnë veten, këto zakone të vogla mund të ndihmojnë (Lifestyle)

Të jesh nënë është një rol i vështirë dhe balancimi i përgjegjësive familjare me karrierën shton kompleksitetin e jetës së përditshme.

Në rrjedhën e vazhdueshme të detyrave, kujdesi për shëndetin dhe mirëqenien tënde shpesh bie nga lista e prioriteteve. Megjithatë, t’i kushtosh vëmendje të vetëdijshme nevojave të tua, e njohur si kujdes për veten, është thelbësore për menaxhimin e stresit dhe për të qëndruar të shëndetshëm.

Ndryshe nga besimi popullor se është një luks ose egoizëm, edhe periudhat e shkurtra të dedikuara për veten mund të zvogëlojnë ndjeshëm ndjenjat e lodhjes dhe rreziqet që lidhen me stresin dhe depresionin me të cilat përballen shpesh nënat, shkruan Sistemi Shëndetësor i Klinikës Mayo.

Kërkoni ndihmë dhe vendosni kufij

Shumë njerëz e kanë të vështirë të pranojnë se nuk mund t’i bëjnë të gjitha vetë ose të kërkojnë ndihmë. Megjithatë, mbështetja e mjedisit është thelbësore në rritjen e fëmijëve. Është e rëndësishme të gjesh një rreth njerëzish tek të cilët mund të mbështetesh dhe të pranosh ndihmën kur ajo të ofrohet. Kjo do të të ofrojë momente të çmuara që mund t’ia kushtosh vetes. Është po aq e rëndësishme të mësosh t’u thuash “jo” detyrimeve për të cilat nuk ke kohë ose që nuk të interesojnë.

Organizimi i mirë zvogëlon stresin

Përdorimi i një planifikuesi, kalendari ose liste detyrash familjare mund të ndihmojë në parandalimin e situatave stresuese, siç është një projekt shkollor i minutës së fundit. Vendosni përparësi për të shmangur ndjenjën e mbingarkesës. Një këshillë e dobishme është që të merreni së pari me detyrat më të vështira ose më pak tërheqëse, në mënyrë që ato të hiqen menjëherë nga axhenda.

Bazat e shëndetit: Gjumi, të ushqyerit dhe ushtrimet

Flini shtatë deri në tetë orë gjumë çdo natë dhe përfshini aktivitet të rregullt fizik në rutinën tuaj të përditshme. Dieta juaj duhet të jetë e ekuilibruar dhe të përfshijë mish të ligët, produkte qumështi me pak yndyrë, fruta, perime dhe drithëra të plota. Rekomandohet të shmangni pijet me sheqer, alkoolin dhe ushqimet me yndyrë, si dhe të pini gjashtë deri në tetë gota ujë në ditë.

Planifikoni kohë për veten tuaj

Vendosni një datë në kalendarin tuaj dhe trajtojeni atë si çdo angazhim tjetër të rëndësishëm. Mund të jetë të shkoni në stërvitje, të hani drekë me një mik ose thjesht të kaloni gjysmë ore në qetësi me një libër. Pasi të keni caktuar një takim, është e rëndësishme t’i përmbaheni planit.

Çelësi është të vendosësh objektiva realiste. Nëse axhenda jote është e ngjeshur, nuk ka gjasa të gjesh menjëherë orë të tëra kohë të lirë. Fillo me hapa të vegjël dhe të arritshëm.

Për shembull, dhjetë minuta në ditë të dedikuara për ushtrime të frymëmarrjes ose meditim mund të jenë një fillim i mirë mbi të cilin mund të ndërtoni më vonë. Shëndeti dhe mirëqenia e një nëne ndikon në të gjithë familjen, dhe duke përfshirë kujdesin për veten në rutinën tuaj të rregullt, ju bëheni një mbështetje më e mirë për ata që janë më të afërt me ju./et

  •  

21:06 Çfarë tregojnë udhëtimet së bashku për marrëdhënien tuaj? (Lifestyle)

Last Updated on 07/08/2026 by EL

Pushimet janë një kohë për relaks, por udhëtimet së bashku mund të zbulojnë edhe anë të papritura të një marrëdhënieje romantike. Ndërsa arratisja nga jeta e përditshme sjell lehtësim, udhëtimet krijojnë edhe situata specifike stresuese.

Kjo është arsyeja pse pushimet janë një mundësi jo vetëm për t’u lidhur, por edhe për të mësuar rreth partnerit tuaj në një mënyrë që nuk është e mundur në shtëpi.

Psikiatri Dr. Robert Davies, me më shumë se 30 vjet përvojë klinike, nxjerr në pah katër mësime kryesore që çiftet mund të nxjerrin nga udhëtimet së bashku.

Si përballeni me stresin?

Edhe pse pushimet i shoqërojmë me relaksimin, stresi është pothuajse i pashmangshëm, veçanërisht kur udhëtojmë. Vonesat e fluturimeve, bllokimet e trafikut ose problemet me rezervimet e hoteleve janë situata që vënë në provë durimin tuaj. Mënyra se si i përballoni këto probleme, si individë ashtu edhe si çift, zbulon se si funksiononi nën presion.

“Udhëtimi përfshin në mënyrë të pashmangshme stres, siç janë vonesat e fluturimeve dhe ndryshimet e papritura në plane”, tha Davies. “Situata të tilla zbulojnë se si reagon partneri juaj ndaj frustrimit – a qëndron i qetë nën presion, a përpiqet të marrë kontrollin, a tërhiqet, apo kërkojmë një zgjidhje së bashku?”

Komunikimi dhe kompromisi

Një marrëdhënie e suksesshme nuk bazohet në gjetjen e personit të përsosur që nuk frustrohet kurrë, por në gjetjen e një partneri me të cilin mund të komunikoni shëndetshëm dhe të arrini kompromise. Pushimet së bashku zbulojnë shpejt nëse partneri juaj është ai lloj personi.

“Pushimet janë një seri vendimesh të vogla – ku të hani mëngjes, çfarë të bëni gjatë ditës, sa para ose kohë të shpenzoni. Çiftet e shëndetshme i marrin këto vendime së bashku ose në koordinim”, thotë Davies. “Problemet e komunikimit shpesh shfaqen vetëm kur jeni larg rutinës suaj të përditshme.”

Nevoja për pavarësi

Kur ju dhe partneri juaj kaloni shumë kohë së bashku në një udhëtim, shpejt mësoni shumë rreth nevojës së tyre për pavarësi dhe zakoneve personale. Njëri prej jush mund të jetë më shoqëror, ndërsa tjetri ka nevojë për më shumë kohë për veten e tij.

“Udhëtimi mund të zbulojë nevoja të ndryshme sociale dhe personale midis partnerëve”, shpjegon Davies. “Njëri partner mund të dëshirojë të jetë vazhdimisht aktiv dhe në lëvizje, ndërsa tjetri preferon momente të qeta. Është thelbësore të shihni nëse keni mësuar të pranoni preferencat e njëri-tjetrit, pasi kjo tregon pjekuri në marrëdhënie.”

Vlerat e përbashkëta

Në jetën e përditshme, është e lehtë të krijosh lidhje përmes interesave të përbashkëta, por pushimet shpesh zbulojnë vlerat dhe prioritetet thelbësore. Ne shohim një anë të partnerit tonë që nuk është gjithmonë e dukshme në shtëpi.

“Udhëtimi zbulon se çfarë është e rëndësishme për secilin individ”, thotë Davies. “Disa njerëz i japin përparësi përvojës, ndërsa të tjerë përqendrohen më shumë te rehatia, buxheti ose planifikimi i detajuar. Këto ndryshime nuk duhet të jenë problem, por ato mund t’ju ndihmojnë të kuptoni preferencat e partnerit tuaj dhe të mësoni se si të planifikoni udhëtime të ardhshme që janë të kënaqshme për të dy palët.”/et

  •  

20:59 SHBA godet rrjetin financiar të fshehtë të Iranit, sanksione ndaj pika këmbimi valutash dhe kompanive fantazmë

Last Updated on 07/08/2026 by EL

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja për të goditur një rrjet ndërkombëtar shtëpish këmbimi valutash dhe kompanish fantazmë, që sipas Uashingtonit është përdorur nga Irani për të shmangur sanksionet dhe për të transferuar fshehurazi qindra miliona dollarë.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, deklaroi se Thesari amerikan ka vepruar kundër këtyre strukturave të paligjshme si pjesë e presionit të vazhdueshëm ndaj Teheranit.

Sipas autoriteteve amerikane, shtëpi këmbimi valutash me bazë në Dubai, si Titan Exchange dhe Alps International, kanë luajtur rol kyç në transferimin e fondeve në emër të Bankës Shahr dhe kompanive të saj.

Përmes disa kompanive fantazmë të regjistruara në Hong Kong, këto struktura kanë mundësuar transaksione prej qindra milionësh dollarë në monedha të ndryshme gjatë vitit 2026.

Uashingtoni vlerëson se Irani po përballet me mungesë të theksuar të monedhës së huaj, ndërsa korrupsioni brenda sistemit bankar në hije po e dëmton më tej regjimin.

Duke goditur këto rrjete, SHBA-ja synon t’i vështirësojë Teheranit rikuperimin e të ardhurave nga shitja e naftës, të cilat, sipas amerikanëve, përdoren për financimin e forcave të armatosura dhe grupeve proxy në rajon./ET

  •  

20:49 Romani si ndërgjegje e shtetit: Sfida krijuese e Ahmet Prençit

Last Updated on 07/08/2026 by EL

Nga Luan Rama

Të njohësh një njeri përmes përgjegjësive që ka mbajtur në jetë dhe ta zbulosh më pas si shkrimtar, është një përvojë që të vendos përballë një prove të dyfishtë: të ndash figurën publike nga zëri krijues dhe të gjykosh letërsinë pa u ndikuar nga biografia.

Kjo ishte sfida ime në përballjen me veprën letrare të Ahmet Prençit.
E kisha njohur në një tjetër dimension: në kohën kur unë isha Ministër i Rendit Publik (kështu quhej atëherë Ministri i Brendshëm), ndërsa ai ishte oficer i ri i Policisë së Shtetit; një kohë kur fjala, vendimi dhe përgjegjësia kishin një peshë krejt tjetër nga ajo e letërsisë.
Prandaj, shfaqja e tij si shkrimtar dhe, për më tepër, në botën e romanit, nuk mund të mos ngjallte kureshtje, por edhe një rezervë të natyrshme.

Rezerva ime nuk vinte nga mungesa e vlerësimit për rrugëtimin e tij profesional. Përkundrazi, pikërisht pasuria e atij rrugëtimi e bënte skepticizmin tim edhe më të madh.
Sepse midis jetës së jetuar dhe letërsisë së vërtetë ekziston një hapësirë që nuk mbushet nga kujtimet, funksionet apo njohja e drejtpërdrejtë e realitetit.

Ajo mbushet vetëm atëherë kur përvoja arrin të shndërrohet në art.
Duke qenë një lexues i vëmendshëm dhe selektiv i letërsisë, por edhe dëshmitar i një kohe kur shpesh dëshira për t’u quajtur shkrimtar i paraprin përpjekjes së vërtetë krijuese, nuk mund të mos e them se e prita me skepticizëm shfaqjen e Ahmet Prençit si romancier.

Dilema nuk ishte nëse ai kishte çfarë të tregonte.

Një jetë pranë mekanizmave të shtetit dhe të rendit prodhon padyshim shumë histori.
Por dilema ime ishte nëse ato histori do të mbeteshin kujtime personale apo do të arrinin të merrnin vlerën e letërsisë.

Përgjigjen e mora me leximin e romanit “Ministri”.

Ky roman nuk ishte vetëm një vepër më vete, por një pikë nga e cila duhej parë e gjithë rruga krijuese e autorit.
Ishte një nga ato raste kur një vepër e fundit nuk mbyll vetëm një rrugëtim, por ndriçon edhe kuptimin e hapave të mëparshëm.

Ai më shtyu t’u rikthehesha romaneve të mëparshme, “Anja” dhe “Brenga e prokurorit”, për të kuptuar më qartë se çfarë kishte ndodhur me atë lëndë jetësore që Ahmet Prençi kishte marrë me vete nga bota e policisë.
Dhe pikërisht këtu qëndron një nga vlerat më interesante të prozës së tij: përvoja si drejtues i institucioneve të rendit nuk shërben për të dokumentuar ngjarje.
Ajo nuk është një përpjekje për të shkruar kronikën e një kohe dhe as një dëshmi personale mbi njerëzit apo sistemin.

Ajo shndërrohet në lëndë artistike, në hapësirën ku ndërtohen konflikte njerëzore dhe morale.
Ky është ndryshimi thelbësor mes kujtimit dhe letërsisë.
Kujtimi ruan atë që ka ndodhur; letërsia kërkon të kuptojë përse ka ndodhur dhe çfarë i bën kjo njeriut.
“Ministri” vjen si përmbyllja e suksesshme e trilogjisë së nisur me “Anja” dhe “Brenga e prokurorit”.
Të tre romanet nuk duhen parë si vepra të shkëputura, por si pjesë të një arkitekture të përbashkët krijuese, ku autori ndjek të njëjtin shqetësim: marrëdhënien e ndërlikuar mes individit dhe institucioneve që pretendojnë ta udhëheqin dhe ta mbrojnë atë.
Në “Anja”, qendra e vëmendjes është më e afërt me dramën njerëzore, me ndjeshmërinë dhe plagët e individit.
Në “Brenga e prokurorit”, vëmendja zhvendoset drejt botës së drejtësisë dhe barrës morale të atyre që janë të ngarkuar të kërkojnë të vërtetën.
Ndërsa “Ministri” e zgjeron hapësirën e romanit drejt pushtetit, aty ku vendimmarrja politike, përgjegjësia publike dhe morali personal përplasen më ashpër.
Kështu, trilogjia e Ahmet Prençit mund të lexohet si një lëvizje nga individi drejt sistemit: nga dhimbja personale, te drejtësia, e më pas te vetë shteti.
Në këtë rrugëtim, autori nuk kërkon vetëm të përshkruajë institucionet; ai kërkon të zbulojë çfarë ndodh me njeriun brenda tyre.
Pikërisht për këtë arsye, romanet e tij nuk janë romane policore në kuptimin klasik.
Krimi, hetimi, përplasjet institucionale dhe bota e pushtetit janë vetëm sipërfaqja e rrëfimit. Thelbi qëndron te dilema morale. Personazhet e romaneve të Ahmet Prençit nuk përcaktohen vetëm nga veprimet e tyre, por nga përplasja e tyre me ndërgjegjen.
Ata jetojnë mes detyrës dhe ndjenjës, ligjit dhe drejtësisë, urdhrit dhe përgjegjësisë personale.
Janë njerëz që shpesh duhet të zgjedhin jo mes së mirës dhe së keqes, por mes dy të vërtetave të papërsosura.
Në këtë kuptim, proza e tij afrohet me romanin etik, ku ngjarja është vetëm hyrja drejt çështjeve më të mëdha mbi njeriun. Interesi i autorit nuk është thjesht te zgjidhja e konfliktit të jashtëm, por te pasojat që ai konflikt lë në shpirtin e personazheve.
Një nga arritjet më interesante të kësaj krijimtarie është edhe mënyra se si paraqitet Shqipëria e tranzicionit.
Ajo nuk është thjesht sfondi ku zhvillohen ngjarjet.
Ajo shndërrohet në një personazh kolektiv.
Institucionet e brishta, përplasjet politike, marrëdhënia e vështirë mes pushtetit dhe drejtësisë, kujtesa e së kaluarës dhe pasiguritë e së tashmes ndikojnë drejtpërdrejt në fatet njerëzore.
Në këtë botë letrare, shteti nuk është vetëm një mekanizëm administrativ; ai është një realitet moral që vihet vazhdimisht përballë përgjegjësisë.
Këtu merr kuptim edhe ideja e romanit si ndërgjegje e shtetit.
Letërsia e Ahmet Prençit nuk gjykon vetëm individët; ajo vë përballë vetes edhe strukturat që prodhojnë vendime, pasoja dhe përgjegjësi. Romani bëhet hapësira ku shteti pyetet për njeriun.
Një tjetër veçori e kësaj proze është raporti mes realizmit dhe simbolikës.
Edhe kur situatat burojnë nga një realitet i njohur, ato nuk mbeten në kufijtë e kronikës. Autori i ngre në një nivel më të gjerë ku ato shndërrohen në reflektime mbi pushtetin, vetminë, fajin dhe kërkimin e së vërtetës.
Kjo është arsyeja pse romanet e tij nuk konsumohen si dokumente të një kohe.
Ato kërkojnë të lexohen si letërsi, sepse pas institucioneve dhe ngjarjeve qëndron gjithmonë njeriu.
Në thelb, ideja që bashkon gjithë krijimtarinë e Ahmet Prençit duket një çështje e thjeshtë në formulim, por e madhe në kuptim: çfarë ndodh me njeriun kur sistemi që duhet të mbrojë drejtësinë nuk arrin ta bëjë këtë?
Kjo çështje nuk i përket vetëm Shqipërisë së tranzicionit.
Ajo është një çështje universale mbi marrëdhënien mes individit dhe pushtetit, mes detyrës dhe ndërgjegjes, mes ligjit dhe drejtësisë.
Në fund, ndoshta vlera më e veçantë e prozës së Ahmet Prençit qëndron pikërisht këtu: ai nuk shkruan thjesht për shtetin, për institucionet apo për mekanizmat e pushtetit që ka njohur nga afër.
Ai e vendos shtetin përballë gjykimit më të vështirë që mund t’i bëhet çdo strukture njerëzore: gjykimit të ndërgjegjes.
Romani i tij nuk është vetëm një pasqyrë e realitetit institucional; është hapësira ku shteti përballet me pasojat njerëzore të vendimeve të veta.
Aty ligji takohet me moralin, pushteti me përgjegjësinë, institucioni me njeriun.
Në këtë kuptim, sfida krijuese e Ahmet Prençit nuk ka qenë të shkruajë thjesht atë që ka parë, por të zbulojë kuptimin e asaj që ka parë; të mos e sjellë realitetin në letërsi si dëshmi, por ta shndërrojë atë në art.
Sepse, në fund, nuk është shkrimtari ai që e gjykon shtetin; është romani ai që e vendos shtetin përballë ndërgjegjes së vet.

  •  

20:33 Trazira pas hekurave në Sri Lanka: Ushtria bastisi burgjet pas trazirave të përgjakshme

Last Updated on 07/08/2026 by EL

Autoritetet e Sri Lankës kanë vendosur ushtrinë në një burg të sigurisë maksimale në Kolombo dhe në dy burgje të tjera pas disa përpjekjeve për arratisje dhe një vale trazirash që lanë tre të burgosur të vdekur dhe 23 të plagosur, tha sot Ministri i Sigurisë Publike Ananda Wijepala.

Sipas tij, një i burgosur u vra dhe 10 të tjerë u plagosën kur rojet penguan përpjekjen për arratisje të rreth 40 të dënuarve nga burgu Welikada në Kolombo mbrëmë , raporton Euronews.

Burgjet e Sri Lankës janë tronditur nga trazirat gjatë javëve të fundit, me një total prej 10 rojesh burgu dhe 23 të burgosurish të vrarë në dy trazira burgjesh jashtë Kolombos që nga muaji i kaluar.

Zyrtarët ia atribuojnë përkeqësimin e situatës mbipopullimit në burgje, të cilat aktualisht mbajnë rreth katër herë më shumë të burgosur sesa kapaciteti i tyre i parashikuar. Vidzepala tha në parlament se situata në burgun Welikada u vu nën kontroll, por në të njëjtën kohë shpërthyen trazira në burgun Kuruvita, rreth 80 kilometra në juglindje të Kolombos.

Dy të burgosur vdiqën në atë burg, ndërsa 13 prej tyre u plagosën, dhe pas vendosjes së anëtarëve të forcave të sigurisë, rendi u rivendos, tha ai.

Trazira u raportuan gjithashtu në burgun Palancena në veri të Kolombos, ku 30 të burgosur u ngjitën në çati dhe refuzuan të ktheheshin në qelitë e tyre pas mëngjesit.

“Po vërejmë një model në këto incidente dhe dyshojmë për një komplot”, tha Wijepala, pa dhënë më shumë detaje./ET

  •  

19:59 Situatë alarmante në Klos/ Zjarri përfshin sipërfaqe të mëdha tokë, banorët në luftë me flakët për te shpëtuar shtëpitë

Last Updated on 07/08/2026 by EL

Një vatër e madhe zjarri është regjistruar në fshatin Plan i Bardhë, në territorin e Bashkisë Klos. Fillimisht flakët përfshinë ferra dhe dushqe, por për shkak të erës së fortë zjarri u përhap me shpejtësi, duke djegur edhe një banesë. Banesa që u përshi nga flakët ishte e pabanuar.

Njëkohësisht po rrezikon të digjet edhe një kabinë elektrike që ndodhet në perimetrin e zjarrit.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse nga Klosi, Burreli dhe Bulqiza. Sipas Prefektit të Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu, pritet të mbërrijnë edhe zjarrfikësit nga Dibra, si dhe forca të Ushtrisë, pasi zjarri ka marrë përmasa të mëdha dhe po favorizohet nga era.

Operacioni për vënien nën kontroll të zjarrit vijon, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të shmangin zonën dhe të respektojnë udhëzimet e strukturave të emergjencës./et

  •  

19:57 Virusi i Nilit perëndimor po përhapet me ritme shqetësuese në Greqi

Last Updated on 07/08/2026 by EL

Virusi i Nilit Perëndimor po përhapet me ritme shqetësuese në Greqi dhe Itali. Sëmundja, e transmetuar kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara, po përhapet me ritme në rritje gjatë muajve të verës.

Sipas Organizatës Kombëtare të Shëndetit Publik në Greqi, gjatë javës së fundit janë raportuar 23 raste të reja, ndërsa që nga fillimi i sezonit të transmetimit në pranverë janë regjistruar gjithsej 65 raste.

Nga këto, 54 pacientë kanë pasur komplikacione të rënda neurologjike, si encefaliti, meningjiti ose paraliza akute, ndërsa janë raportuar edhe 6 viktima, të gjithë persona mbi 65 vjeç me prekje të rëndë të sistemit nervor.

Autoritetet greke paralajmërojnë se përhapja reale e virusit mund të jetë shumë më e madhe, pasi shumë persona të infektuar kanë simptoma të lehta ose nuk shfaqin fare shenja të sëmundjes.

Të dhënat e Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve tregojnë se virusi po qarkullon në disa vende europiane, përfshirë Italinë, Rumaninë, Francën, Maqedoninë e Veriut, Spanjën dhe Gjermaninë.

Italia kryeson me 94 raste të raportuara, ndërsa Greqia vijon të shfaqë një rritje të ndjeshme të infektimeve në disa rajone.

Ekspertët kujtojnë se mbrojtja nga pickimi i mushkonjave mbetet masa kryesore për të ulur rrezikun e infektimit./et

  •  
❌