Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në Foltoren e mbajtur para Kryeministrisë, falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen duke u shpreh se kjo protestës dëshmon qëndresën për t’u përballur me narkoqeverinë.
Një organizatë kriminale e cilësuar Berisha dhe një armike e betuar e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
“Ky regjim po shpërfytyron Shqipërinë dhe shqiptarët. Kjo protestë ka një rëndësi sepse kjo javë është përcaktuese për 24 janarin protestën më të fuqishme që ka njohur Tirana ndonjëherë. Po vijmë nga parlamenti, ishte provokimi më i ulët që u bëhej shqiptarëve, karshi tyre qëndronte lubi Balluku, hajdutja më e madhe që kanë patur shqiptarëve ndonjëehrë, e dërguar për të provokuar shqiptarët dhe për t’u thënë se ne u kemi vjedhur dhe do u vjedhim”, tha ai./mxh
Te Bayern Munich, po mendojnë edhe për të ardhmen.
Drejtori sportiv Max Eberl ka folur së fundmi për të ardhmen e Harry Kane në klub. Ai ka dhënë sinjale pozitive për vazhdimësinë e sulmuesit anglez në Mynih.
Kane mbetet një pikë e pazëvendësueshme në aspektin sportiv. Për Bayern, ai nuk është vetëm golashënuesi kryesor, por edhe një figurë udhëheqëse për vitet në vazhdim.
Eberl ka deklaruar se klubi mund ta imagjinojë Kane-in duke e mbyllur karrierën te Bayern.
Ky qëndrim konfirmon se kapiteni i Anglisë mbetet pjesë e planeve strategjike të klubit. Pavarësisht spekulimeve, roli i Kane nuk vihet në diskutim.
Madje thuhet se ai është i hapur edhe për një rinovim kontrate. Për Bayern-in, vazhdimësia dhe stabiliteti në sulm mbeten prioritet absolut./mxh
Oficerët e policisë së Nëndrejtorisë së Sigurisë së Pireut në Greqi kanë nisur hetimet e para lidhur me vrasjen e të dënuarit 49-vjeçar shqiptar Jani Aliaj, të hënën pasdite në qelinë e tij në zonën e 3-të të burgut të Koridhalosit.
Sipas raportimeve në mediat greke, autoritetet po shqyrtojnë mundësinë se vrasja mund të ketë qenë një “kontratë vdekjeje”.
Kjo pasi viktima ishte në një “luftë të hapur” me shtetas tjetër, po ashtu i dënuar, i cili konsiderohet si një nga emrat “e mëdhenj” të mafias shqiptare në Greqi dhe është dënuar për vrasje dhe atentate.
Viktima, pak kohë më parë, duket se i ka shpëtuar një atentati, pasi një grup kriminelësh kishin hyrë në repartin ku ai mbahej dhe po e kërkonin me thika të improvizuara. Dhe nëse ai ia doli të shpëtonte atëherë, në mesditën e së hënës nuk pati aq fat, pasi 28-vjeçari grek e gjeti dhe i shkaktoi dy plagë me një thikë të improvizuar, të cilat rezultuan fatale.
Shqiptari ishte dënuar në Shqipëri për dy vrasje dhe një në tentativë, ndërsa në qershor 2015 kishte shkelur kushtet e lejes së tij, ishte shpallur i arratisur dhe ishte arrestuar përsëri në dhjetor 2024./mxh
Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, njoftoi të hënën se do të japë dorëheqjen nga posti i tij, duke nxitur spekulime se ai mund të krijojë një parti të re politike, në një moment kur vendi po përballet me një krizë të thellë qeveritare.
Vendimi vjen pasi qeveria dha dorëheqjen muajin e kaluar mes protestave të gjera, ndërsa javën e kaluar Radev shpalli mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Tre partitë më të mëdha të vendit refuzuan të marrin përgjegjësinë për formimin e një qeverie të re, duke e futur vendin në një tjetër cikël zgjedhor.
Zgjedhjet e ardhshme do të jenë të tetat që nga prilli i vitit 2021, një tregues i paqëndrueshmërisë së vazhdueshme politike në Bullgari.
Në fjalimin e tij, presidenti Radev sulmoi ashpër oligarkinë dhe partitë tradicionale, të cilat, sipas tij, po “tradhtojnë vendin”. Ai theksoi se gjatë nëntë viteve në detyrë Bullgaria ka shënuar përparim në integrimin evropian, përfshirë anëtarësimin në zonën Shengen dhe miratimin e euros.
Pas pranimit zyrtar të dorëheqjes nga Gjykata Kushtetuese, nënkryetarja Ilijana Yotova do të betohet si presidente e përkohshme, duke ushtruar detyrën deri në përfundim të mandatit në janar të vitit 2027./mxh
Operacioni në vijim e sipër në lagjen nr. 2 të qytetit në kryqëzimin e rrugëve “Adem Sheme” dhe “Pandeli Boçari”.
Një apartament në një pallat disakatësh ishte përshtatur për kultivimin e brendshëm të bimëve të marijuanës. Policia dyshon se pas këtij apartamenti fshihet i njëjti grup që ka lidhje edhe me një tjetër “shtëpi bari” të zbuluar mbrëmjen e 10 janarit në lagjen nr.1 në rrugën “Butrinti” ku u arrestua një person dhe një tjetër u shpall në kërkim.
Kreu i grupit parlamentar demokrat Gazmend Bardhi foli për mediat në përfundim të seancës plenare të ditës së sotme, që ishte e para për këtë vit.
Bardhi theksoi se PD nuk do lejojë funksionimin normal të seancave për sa kohë Kuvendi nuk lejon drejtësinë sipas tij të vendosë pas hekurave zv.kryeministren Belinda Balluku.
Prania e saj në seancë për Bardhin, ishte një provokim ndaj qytetarëve shqiptarëve.
“Dua në emër të grupit të PD të dënoj sjelljen e kreut të Kuvendi që ka zyrtarizuar bunkerizimin e Kuvendit dhe të dënoj provokimin e urdhëruar nga Edi Rama që në vend që Belinda Balluku të ishte në burg vjen dhe ulet sikur nuk ka ndodhur gjë në pozicionin e nr 2.
Kuvendi Shqipërisë nuk mund të jetë kurrë streha e të korruptuarve. Duhet ti shërbejë interesit të qytetarëve, e barazisë para ligjit. Sa kohë mazhoranca e ka bërë bunkrr të korruptuarve deputetë e opozitës nuk mund të pranojnë funksionimin normal të Kuvendit. I bëjmë thirrje të mos vonojë mbledhjen e Këshillit të mandateve dhe të mos pengojë dhe më shumë që ka kërkuar arrestimin e zv.kryeministres.”, tha ai./mxh
Opozita po zhvillon këtë të hënë protestën e radhës para Kryeministrisë.
E emëruar “Foltorja 2”, opozita ka nisur këto protesta të ideuara si tubime javore, në atë që kryedemokrati Sali Berisha e cilëson si stinën e pandërprerë të protestave.
Opozita ka deklaruar se do të vijojë protestat, si pjesë e një aksioni të nxitur pas disa zhvillimeve të fundit në vend.
Protesta e opozitës ka tri shtylla: familja, ekonomia dhe demokracia./mxh
Valentino Garavani, stilisti italian i modës dhe themeluesi i markës së famshme Valentino, ka ndërruar jetë në moshën 93 vjeç.
Lajmi u bë i ditur përmes një postimi në rrjetet sociale nga Instagrami personal i Valentino-s dhe fondacioni i tij, i bërë më 19 janar, me mbishkrim: “Themeluesi ynë, Valentino Garavani, ndërroi jetë sot në rezidencën e tij në Romë, i rrethuar nga të dashurit e tij. Ceremonia e varrimit do të mbahet në PM23 në Piazza Mignanelli 23 të mërkurën, më 21 janar dhe të enjten, më 22 janar, nga ora 11:00 deri në orën 18:00. Funerali do të zhvillohet të premten, më 23 janar, në Bazilikën Santa Maria degli Angeli e dei Martiri, në Piazza della Repubblica 8 në Romë, në orën 11:00”.
I lindur Valentino Clemente Ludovico Garavani më 11 maj 1932, në Voghera, Itali, Valentino studioi modën në Ecole des Beaux-Arts dhe Chambre Syndicale de la Couture Parisienne në Paris përpara se të shërbente praktika me Jacquega Fath dhe Balen.
Më pas ai punoi për Jean Dessès dhe Guy Laroche përpara se të kthehej në Itali për të hapur një shtëpi mode në Romë. Në vitin 1960, ai takoi Giancarlo Giammetti , i cili u bë partneri i tij i biznesit prej shumë kohësh; ata ishin gjithashtu në një lidhje romantike për 12 vjet.
Valentino, i njohur për fustanet e tij të kuq karakteristikë, pa profilin e tij si stilist të ngrihej pasi Jackie Kennedy bleu dhe veshi gjashtë nga veshjet e tij një vit pas vrasjes së bashkëshortit të saj , John F. Kennedy . Ajo veshi gjithashtu një fustan Valentino për dasmën e saj me Aristoteli Onassis.
Një nga momentet e tij më të shquara në kulturën pop ishte shfaqja në filmin e vitit 2006 ” The Devil Wears Prada” si vetvetja. Ai ishte gjithashtu subjekt i dokumentarit të vitit 2008, i cili u xhirua gjatë dy viteve të fundit të karrierës së tij dhe përmban paraqitje nga Paltrow, Hathaway, Elizabeth Hurley dhe Sarah Jessica Parker – si dhe gjashtë qentë e tij të dashur pug./mxh
Ekspertët pediatër, neonatologët dhe specialistët e ushqyerjes së fëmijëve këshillojnë që foshnjave të porsalindura të mos u jepet ujë apo ujë me sheqer. Po ashtu, në rastet kur foshnja ushqehet me qumësht artificial (pluhur ose të koncentruar), është thelbësore që formula të përgatitet saktësisht sipas udhëzimeve në etiketë, pa e holluar me më shumë ujë sesa rekomandohet.
Foshnjat marrin gjithë sasinë e nevojshme të lëngjeve përmes qumështit të gjirit ose formulës. Edhe gjatë ditëve të para pas lindjes, kur qumështi i nënës është ende në fazën fillestare, foshnja ushqehet me kulloshtër, e cila është plotësisht e mjaftueshme për ta mbajtur të hidratuar.
Dhënia e ujit në këtë moshë mund të jetë e rrezikshme. Ajo mund të çojë në një gjendje serioze, ku uji i tepërt hollon nivelin e natriumit në trup, duke çrregulluar ekuilibrin e elektroliteve. Në raste të rralla, por të rënda, kjo mund të shkaktojë fryrje të indeve, konvulsione dhe madje edhe koma.
Në situata të veçanta, si për shembull gjatë një gastroenteriti që shkakton humbje të lëngjeve, vetëm mjeku mund të rekomandojë përdorimin e pijeve elektrolitike të posaçme për foshnjat.
Megjithëse disa studime kanë treguar se uji me sheqer mund të përdoret në ambiente mjekësore për të qetësuar foshnjat gjatë procedurave si vaksinimi, kjo nuk duhet të praktikohet në shtëpi. Dhënia e ujit me sheqer për qetësim apo për shuarjen e etjes nuk është e nevojshme dhe nuk sjell përfitime shëndetësore.
Përkundrazi, uji apo uji me sheqer mund të ndikojë negativisht në përthithjen e lëndëve ushqyese nga qumështi i gjirit ose formula. Duke e bërë foshnjën të ndihet e ngopur, mund të reduktojë sasinë e ushqimit që ajo merr, duke ndikuar në rritjen dhe zhvillimin e saj./mxh
Ronela Hajati ka rikthyer sërish vëmendjen e mediave rozë, por kësaj here jo për një projekt muzikor. Lëvizjet e saj të fundit në rrjetet sociale kanë ngjallur kureshtje dhe kanë hapur diskutime mbi jetën e saj personale.
Vetëm pak muaj më parë, këngëtarja kishte ndarë hapur me ndjekësit një kapitull të lumtur të jetës së saj, duke publikuar foto dhe video romantike me partnerin. Postimet e saj u pritën me entuziazëm nga fansat, të cilët e përgëzuan për guximin për të treguar anën e saj më intime. Çifti dukej i lumtur dhe i përmbushur, ndërsa momentet e tyre u shpërndanë gjerësisht në portale dhe rrjete sociale.
Por kjo periudhë duket se ka marrë një kthesë. Së fundmi, Ronela ka fshirë nga profili i saj çdo foto dhe video ku shfaqej me partnerin, duke zhdukur çdo gjurmë të marrëdhënies së tyre nga sfera publike, sic veren pamfleti.net. Ky veprim i papritur ka ndezur menjëherë spekulime, me ndjekësit që po përpiqen të kuptojnë nëse bëhet fjalë për një ndarje apo thjesht për një vendim për të ruajtur privatësinë.
Heshtja e Ronelës për këtë çështje vetëm sa ka shtuar zhurmën në rrjet. Pa asnjë deklaratë zyrtare nga ana e saj apo nga partneri, situata mbetet e paqartë, ndërsa mediat rozë po ndjekin me vëmendje çdo detaj të ri.
Pavarësisht arsyeve, fshirja e postimeve duket si sinjali i parë se diçka ka ndryshuar në jetën private të artistes. Mbetet për t’u parë nëse kjo është një ndarje përfundimtare apo një zgjedhje e ndërgjegjshme për ta mbajtur jetën personale larg syrit të publikut./mxh
Dëshironi t’i çelni flokët, por nuk jeni të sigurta nëse duhet të zgjidhni highlights apo balayage? Mos u shqetësoni, kjo është një nga dilemat më të shpeshta kur vjen puna te lyerja e flokëve.
Fillimisht, duhet theksuar se janë teknika krejtësisht të ndryshme, por asnjëra nuk është “më e mirë” se tjetra. Zgjedhja varet nga ajo çfarë kërkoni të arrini dhe nga mënyra se si dëshironi të duket flokët tuaj.
Balayage
E preferuar nga shumë personazhe të famshëm, dhe jo pa arsye, balayage ofron një rezultat jashtëzakonisht natyral. Në këtë teknikë, boja aplikohet drejtpërdrejt në flokë, pa përdorur fletë metalike. Rezultati final ngjan me flokë të “puthur” lehtë nga dielli, ku shkrihet gradualisht drejt majave.
Një nga avantazhet kryesore të balayage është mirëmbajtja minimale. Rrënjët nuk krijojnë kontrast të fortë gjatë rritjes së flokëve, ndaj pamja mbetet harmonike për muaj të tërë. Kjo e bën zgjedhjen ideale për ata që nuk dëshirojnë orare të shpeshta te parukierja.
Highlights (hijëzimet)
Termi “highlights” mund t’ju kujtojë fijet e trasha që ishin trend në fillim të viteve 2000, por kjo teknikë ka evoluar ndjeshëm me kalimin e kohës. Sot, hijëzimet realizohen në mënyra shumë më delikate dhe të personalizuara.
Highlights konsistojnë në çeljen e disa fijeve të flokëve për të krijuar kontrast me ngjyrën bazë. Ato realizohen duke përdorur fletë metalike, të cilat izolojnë fijet dhe krijojnë një ndriçim më të theksuar. Trashësia e fijeve dhe nuancat mund të ndryshojnë sipas dëshirës, duke i dhënë flokëve më shumë dimension. Megjithatë, kjo teknikë kërkon mirëmbajtje më të shpeshtë, veçanërisht për lyerjen e rrënjëve.
Cila është zgjedhja e duhur për ju?
Para se të vendosni, është e rëndësishme të kini parasysh qëllimin tuaj, por edhe strukturën dhe dendësinë e flokëve. Nëse flokët janë të hollë ose të dëmtuar, balayage në një nuancë afër ngjyrës suaj natyrale është zakonisht zgjedhja më e sigurt. Nëse synoni një çelje më të theksuar dhe një ndryshim më drastik, highlights janë alternativa e duhur.
Vlen gjithashtu të theksohet se balayage duket veçanërisht bukur në flokë të gjatë ose me gjatësi mesatare, ndërsa hijëzimet mund të realizohen në çdo gjatësi, duke ofruar rezultate mbresëlënëse./KM
Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, ka deklaruar se vendi i tij nuk do të nënshtrohet ndaj presioneve dhe do të vazhdojë të mbrojë dialogun, respektin dhe të drejtën ndërkombëtare, pas kërcënimeve të fundit nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Në një postim në Facebook, Nielsen theksoi se ditët e fundit kanë lënë gjurmë të forta, duke iu referuar protestave masive të zhvilluara në Nuuk dhe në Kopenhagë. Sipas tij, këto demonstrata treguan “një unitet të fortë dhe dinjitoz”, ku qytetarët shprehën në mënyrë paqësore dashurinë për vendin dhe respektin për demokracinë.
Kryeministri i Groenlandës falënderoi gjithashtu mbështetjen e ardhur nga vende dhe liderë të tjerë ndërkombëtarë, duke theksuar se kjo nuk përbën ndërhyrje, por një njohje të qartë se Groenlanda është një shoqëri demokratike me të drejtë për të marrë vetë vendimet e saj.
Deklaratat e Nielsen vijnë në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump ka intensifikuar kërkesat që Groenlanda t’i kalojë Shteteve të Bashkuara, duke kërcënuar me tarifa ndëshkuese vendet që kundërshtojnë këtë qëndrim. Këto zhvillime kanë shtyrë edhe Bashkimin Evropian të shqyrtojë masa kundërpërgjigjeje.
“Ne nuk do të lejojmë që të ushtrohet presion mbi ne. Qëndrojmë të palëkundur në dialog, respekt dhe në të drejtën ndërkombëtare,” shkruan Nielsen.
Ndërkohë, sot ministrja e Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt, së bashku me ministrin danez të Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, pritet të zhvillojnë një takim në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Kryeministri Nielsen e cilësoi këtë takim si shumë të rëndësishëm, duke theksuar se çështjet e sigurisë në Arktik duhet të diskutohen me pjesëmarrjen dhe respektin e plotë të Groenlandës.
“Ne nuk jemi vetëm,” përfundoi kryeministri i Groenlandës./mxh
Një vrasje ndodhi brenda burgut të Korydallos, kur një i burgosur me origjinë shqiptare, u sulmua me thikë dhe ndërroi jetë nga plagët e marra.
Mësohet se shqiptari i vrarë në burgun e Koridhalos është Jani Aliaj, një emër shumë i njohur për botën e krimit.
Jani Aliaj rezulton i dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia shqiptare për vrasjen e Elton Çiços për hakmarrje, ngjarje kjo e ndodhur më 1 Maj të vitit 2016 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.
Mediat greke bëjnë të ditur se incidenti ndodhi në rrethana ende të paqarta, duke nxitur mobilizimin e menjëhershëm të autoriteteve të burgut.
Informacionet fillestare tregojnë se autori i krimit është një i burgosur grek, i cili e sulmoi viktimën duke përdorur një objekt të mprehtë të improvizuar.
Vërehet se të dy burrat ishin kriminelë të rrezikshëm që vuanin dënimin për vrasje./e,t
Edison Ndreca nuk do të jetë më pjesë e Egnatias. Mbrojtësi i majtë, një nga protagonistët e skuadrës rrogozhinase në sezonet e fundit, është përshëndetur me ekipin pas ndeshjes ndaj AF Elbasanit (2-2), ndërsa pritet të vijojë karrierën në kampionatin e Kazakistanit me FC Yelimay.
Lajmi u konfirmua në emisionin “Super Gol”, ku trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, foli për largimin e lojtarit.
“I uroj suksese, sepse është drejt fundit të karrierës. E pamë të arsyeshme të bëjmë një tolerim, meqë erdhi një kontratë e mirë për të dhe për klubin”, deklaroi Tetova.
Tekniku komentoi edhe ndeshjen ndaj AF Elbasanit.
“Në pjesën e parë u treguam të nxituar me topat vertikalë. Morëm golin e parë dhe të dytë në tranzicion, aty ku është pika e fortë e Elbasanit. Më pas dominuam, ndërsa Elbasani luajti me shumë lojtarë pas topit”, tha Tetova.
Për Ndrecën, kjo do jetë eksperienca e parë jashtë futbollit shqiptar, pas një karriere të gjatë në elitën e futbollit tonë, ku numëron 231 ndeshje, 27 gola dhe 20 asistime./K.M
Bursat europiane e çelë javën në rënie, duke vijuar trendin negativ të nisur që prej njoftimit të Donald Trump për vendosjen e tarifave doganore ndaj Groenlandës.
Presidenti amerikan deklaroi se nga 1 shkurti, Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Britania e Madhe Holanda e Finlanda, vende këto që kanë dërguar trupa në ishull, përballen me tarifa doganore prej 10%.
E teksa në Europë po shqyrtohet tani mundësia e pezullimit të marrëveshjes së arritur me Uashingtonin të vitit të kaluar, por që ende duhet ratifikuar nga Parlamenti Euorpian, kërcënimi i një lufte të re tregtare me SHBA-në po shton nervozizmin në tregje. Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili po punon për të koordinuar një përgjigje europiane ndaj tarifave doganore nga ana e SHBA-së, po nxit aktivizimin e Instrumentit të Bashkimit Evropian Kundër Presioneve. Macron, deklaroi se kërcënimet e Trumpit janë “të papranueshme”.
Tensionet vijnë gjithashtu në një kohë kur në Davos çelet Forumi Ekonomik Botëror. Në terren negativ po lëvizin veçanërisht bursa e Parisit, që u hap me -1.5%, Frankfurti (-1,4%), Madridi (-0,9%) dhe Londra (-0,6%). Sektorët e gjendur nën një presion më të madh janë ata të automobilëve, mallrave të luksit dhe teknologjisë.
Ekspertët thonë se investitorët po orientohen drejt aseteve të sigurta, si metalet e çmuara; ari dhe argjendi arritën nivele të reja maksimale pas një hovi të fortë javën e kaluar./ET
Ndër aksesorët e domosdoshëm për dimrin 2026 është balaklava, perfekte për të krijuar një pamje tërheqëse por edhe të lehtë, e kombinuar në tonalitet me një pulovër ose pallto, por edhe për një pamje krejtësisht elegante, ose e veshur si një pjesë kyçe për t’i dhënë një prekje një veshjeje alternative dhe tërheqëse, në stilin e vërtetë të rrugës.
Kreativiteti, megjithatë, na tregon se si ta veshim atë me një stil të freskët: i kombinuar me pallto të qepura sipas porosisë dhe xhaketa me gëzof (si Faux Fur), ju merrni një pamje bashkëkohore perfekte për qytetin dhe madje edhe për zyrën, ndërsa në male, një balaklavë leshi ose kashmiri është thelbësore nën xhaketat e ngrohta me push. Ndërsa ton-me-ton është zgjidhja e rehatshme, ngjyrat kontrastuese krijojnë stile tërheqëse për syrin: krem dhe gri, bordo dhe deve, ose nuanca të ndritshme për t’i shtuar një prekje tërheqëse veshjes suaj dimërore./mxh
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratës që sipas tij shtrembëron qëndrimin e tij lidhur me RTSH-në. Në një reagim të publikuar në platformën X, kreu i qeverisë shqiptare shprehet se po krijohet një model shqetësues i keqinformimit dhe i mungesës së vullnetit për të dëgjuar realisht atë që thuhet. Rama thekson se vërejtjet e tij nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me një qasje të tillë dhe se thelbi i fjalimit të tij është keqkuptuar ose deformuar. Ai u bën thirrje autorëve të deklaratës që të lexojnë ose të dëgjojnë me kujdes fjalimin e tij dhe të bëjnë një përpjekje të sinqertë për të kuptuar mesazhin real.
Postimi i plotë nga kryeministri Edi Rama
Po bëhet një model për të ardhur keq i kësaj epoke të re të përtacisë së shfrenuar ndaj dëgjimit të asaj që të tjerët realisht thonë, që të përballemi me deklarata si ajo e bashkëngjitura, të cilat pasqyrojnë një keqkuptim thellësisht të shtrembëruar të qëndrimit tim lidhur me Transmetuesin Publik Shqiptar.
I ftoj autorët e kësaj deklarate keqorientuese ta lexojnë ose ta dëgjojnë me kujdes fjalimin tim dhe të bëjnë një përpjekje të sinqertë për të kuptuar thelbin. Vërejtjet e mia nuk kanë të bëjnë absolutisht aspak me “lidhjen e financimit apo të ekzistencës së RTSH-së me miratimin politik”. Çdo interpretim i tillë është thjesht i pasaktë dhe keqorientues.
Mbrojtja e informacionit nis me mos përhapjen e dezinformimit.
Mbrojtja e informacionit nis me mos përhapjen e dezinformimit.
Persona ende të pa identifikuar, kanë hakëruar transmetimet satelitore të televizionit shtetëror iranian, duke paraqitur në transmetim disa pamje në mbështetje të Princit të Kurorës në Mërgim Reza Pajlavi, teksa gjithashtu u kanë bërë thirrje forcave të sigurisë të mos “i drejtojnë armët ndaj popullit”
Pamjet u transmetuan në disa kanale satelitore, të kontrolluara nga Islamic Republik of Iran Broadcasting, IRIB. Videoja përfshinte dy mesazhe të Pahlavit dhe forcave të rendit, e në grafikën shoqëruese shkruhej: “Ky është një mesazh për ushtrinë dhe forcat e sigurisë”. “Mos i drejtoni armët kundër popullit.Bashkohuni me kombin për lirinë e Iranit”!
Sulmi kibernetik vjen në një kohë kur bilanci i të vdekurve sa vjen edhe rritet.
Ky nuk është i pari sulm kibernetik që shënon ndërprerjen e transmetimeve iraniane. Në vitin 1986, The Washington Post raportoi se CIA u furnizoi aleatëve të princit “një transmetues televiziv në miniaturë për një transmetim klandestin 11-minutësh” në Iran nga Pahlavi që piratoi sinjalin e dy stacioneve në Republikën Islamike./ET
Bursat europiane e çelë javën në rënie, duke vijuar trendin negativ të nisur që prej njoftimit të Donald Trump për vendosjen e tarifave doganore ndaj Groenlandës.
Presidenti amerikan deklaroi se nga 1 shkurti, Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Britania e Madhe Holanda e Finlanda, vende këto që kanë dërguar trupa në ishull, përballen me tarifa doganore prej 10%.
E teksa në Europë po shqyrtohet tani mundësia e pezullimit të marrëveshjes së arritur me Uashingtonin të vitit të kaluar, por që ende duhet ratifikuar nga Parlamenti Euorpian, kërcënimi i një lufte të re tregtare me SHBA-në po shton nervozizmin në tregje. Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili po punon për të koordinuar një përgjigje europiane ndaj tarifave doganore nga ana e SHBA-së, po nxit aktivizimin e Instrumentit të Bashkimit Evropian Kundër Presioneve. Macron, deklaroi se kërcënimet e Trumpit janë “të papranueshme”.
Tensionet vijnë gjithashtu në një kohë kur në Davos çelet Forumi Ekonomik Botëror. Në terren negativ po lëvizin veçanërisht bursa e Parisit, që u hap me -1.5%, Frankfurti (-1,4%), Madridi (-0,9%) dhe Londra (-0,6%). Sektorët e gjendur nën një presion më të madh janë ata të automobilëve, mallrave të luksit dhe teknologjisë.
Ekspertët thonë se investitorët po orientohen drejt aseteve të sigurta, si metalet e çmuara; ari dhe argjendi arritën nivele të reja maksimale pas një hovi të fortë javën e kaluar./KM
Meteorologia Lajda Porja është shprehur se kjo javë që ka nisur është një javë tipike dimri, me mëngjese të ftohta, ku temperatura më e ulët pritet të jetë -5 gradë Celsius dhe maksimumet që do të ngjiten deri në 12 gradë.
Në një lidhje live për Euronews Albania, ajo tha se këto janë temperatura tipike të janarit, dhe dita e martë do të jetë dita më e ftohtë e javës, me minimumin që do të zbresë edhe në -5 gradë Celsius në zonat malore.
Meteorologia Lajda Porja theksoi gjithashtu se në pjesën e dytë të javës, erërat do të jenë problematike për transportin detar.
“Vranësirat do të jenë më të pranishme në pjesën e dytë të javës. Do të ketë një shtim të lagështirës, e cila do të bëjë që i ftohti të shtohet akoma më shumë, dhe maksimumet do të jenë jo më shumë se 12 gradë. Reshje të pakta do të ketë në skajin jugor, dhe reshje dëbore në juglindje.
Dita e mërkurë sjell mundësi për reshje, të cilat do të jenë të pakta. Nga e enjtja, e premtja dhe fundjava do të përfshihen nga një masë e ngrohtë e ajrit, duke sjellë vranësira, lagështirë dhe reshje me intensitet të ulët.
Pjesa e parë e javës do të jetë e lagësht dhe e ftohtë, dhe pjesa e dytë e lagësht por e ngrohtë. Ajo që do të jetë problematike në pjesën e dytë të javës do të jenë stuhitë e erës, të cilat do të jenë me intensitet të lartë, deri në 80 apo 85 km/orë, e cila do të krijojë problem në trafikun detar, por jo shumë alarmante”, është shprehur ajo.
Ndërkohë, përsa i përket rajonit, meteorologia Lajda Porja ka thënë se në Kosovë ndryshe nga Shqipëria, nuk priten reshje shiu por temperaturat do të zbresin -5 deri -7 gradë Celsius.
“Shtohet ngrica, dhe lagështira do të bëjë që i ftohti të ndihet shumë. Pjesa e parë do të jetë më e ftohtë dhe pjesa e dytë më e ngrohtë për klimën e Kosovës. Maqedonia e Veriut do të ketë reshje më prezente, të cilat do të nisin që nesër”, u shpreh meteorologia./et