Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

16:58 Përplasjet për buxhetin, qeveria franceze i mbijeton dy mocioneve të votëbesimit

Last Updated on 23/01/2026 by EL

Qeveria franceze i mbijetoi dy mocioneve të mosbesimit në parlament të premten, lidhur me vendimin e saj për të kaluar me forcë pjesën e të ardhurave të buxhetit të vitit 2026 pa ia dhënë Asamblesë Kombëtare fjalën e fundit.

Gjithsej 269 deputetë votuan pro mocionit të mosbesimit të paraqitur nga e majta radikale Franca e Papërkulur së bashku me të Gjelbrit dhe Komunistët, ndërsa nevojiteshin 288 vota për rrëzimin e qeverisë.

Edhe më pak deputetë mbështetën një mocion të dytë mosbesimi, të paraqitur nga e djathta ekstreme.

Kryeministri Sébastien Lecornu do të përdorë sërish nenin 49.3 të kushtetutës për të imponuar miratimin e pjesës së shpenzimeve të buxhetit në Asamblenë Kombëtare, një veprim që pothuajse me siguri do të shkaktojë mocione të tjera mosbesimi.

Qeveria e presidentit Emmanuel Macron është e detyruar të anashkalojë parlamentin pasi muaj të tërë negociatash dështuan të prodhonin një ligj financiar për frenimin e deficitit që do të kalonte në dhomën e ulët, ku asnjë parti nuk ka shumicë funksionale./et

16:57 Forumi i Davosit, Lagarde: Bota po hyn në alternativa, jo në krizë

Presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, deklaroi të premten në Forumin Ekonomik Botëror në Davos se rendi aktual botëror po pëson ndryshime, por këto zhvillime nuk përbëjnë një shkëputje të plotë nga sistemi ekzistues.

Duke iu referuar deklaratave të kryeministrit kanadez Mark Carney, i cili kishte folur për një “shkëputje” të rendit global, Lagarde theksoi se nuk ndan të njëjtin qëndrim. Ajo nënvizoi se politikëbërësit duhet të përgatiten për alternativa dhe plane rezervë, por pa e përshkruar situatën si një thyerje radikale.

“Ne duhet të flasim për alternativa dhe jo për një shkëputje,” u shpreh Lagarde, duke shtuar se ndryshimet aktuale kërkojnë përshtatje dhe fleksibilitet nga institucionet dhe shtetet.

Në fjalimin e tij të posaçëm në Davos, Mark Carney deklaroi se Kanadaja synon të ndërtojë aleanca të reja me vende me mendësi të përbashkët, në një periudhë marrëdhëniesh të ndërlikuara me administratën e presidentit amerikan Donald Trump.

Carney argumentoi se bota ndodhet në mes të një shkëputjeje dhe jo thjesht një tranzicioni, duke theksuar se fuqitë e mëdha po përdorin integrimin ekonomik si mjet presioni dhe tarifat si armë politike, pa përmendur drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara./mxh

16:44 Kriza politike në Francë/ Qeveria kalon testin e Parlamentit

Qeveria franceze ka arritur të mbijetojë dy mocione mosbesimi në Parlament, të premten, pas vendimit për të miratuar pa votim pjesën e të ardhurave të buxhetit për vitin 2026. Mocionet u paraqitën në një klimë të tensionuar politike, teksa ekzekutivi përdori kompetenca të veçanta kushtetuese për të anashkaluar Asamblenë Kombëtare.

Mocioni i parë i mosbesimit, i paraqitur nga e majta radikale e “Franca e Pabindur” së bashku me të Gjelbrit dhe Komunistët, mori 269 vota pro, por nuk arriti pragun e nevojshëm prej 288 votash për rrëzimin e qeverisë. Edhe më pak mbështetje mori mocioni i dytë, i iniciuar nga e djathta ekstreme.

Pas dështimit të dy mocioneve, kryeministri Sebastien Lecornu njoftoi aktivizimin e nenit 49.3 të Kushtetutës për të miratuar edhe pjesën e shpenzimeve të buxhetit të vitit 2026, një veprim që pritet të shkaktojë mocione të tjera mosbesimi në ditët në vijim.

Qeveria e presidentit Emmanuel Macron po detyrohet të anashkalojë Parlamentin pas muajsh negociatash të pasuksesshme për miratimin e një ligji financiar që do të ulte deficitin, në një Asamble ku asnjë forcë politike nuk ka shumicë funksionale.

Kriza buxhetore i ka kushtuar Macronit dy qeveri dhe ka futur Francën në një situatë politike të rrallë që nga krijimi i Republikës së Pestë në vitin 1958. Aktualisht, vendi po funksionon me një buxhet emergjent të trashëguar nga viti i kaluar.

Për të siguruar mbështetjen e socialistëve dhe për të shmangur rrëzimin e qeverisë, Lecornu bëri disa lëshime në fillim të këtij muaji. Ndërkohë, liderja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, paralajmëroi se deputetët që mbështetën qeverinë do të ndëshkohen nga votuesit në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe presidenciale.

Sipas kryeministrit, deficiti buxhetor për vitin 2026 nuk do të kalojë 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, më i ulët se 5.4 për qind në vitin 2025, por ende mbi kufirin prej 3 për qind të vendosur nga Bashkimi Europian.

Qeveria pret që buxheti i plotë të miratohet përfundimisht në gjysmën e parë të muajit shkurt./mxh

16:37 Italia dhe Gjermania zgjerojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes

Italia dhe Gjermania kanë nënshkruar një marrëveshje të re sigurie për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes. Marrëveshja u firmos të premten në Romë, gjatë konsultimeve qeveritare mes dy vendeve.

Dy partnerët e Bashkimit Europian dhe NATO-s synojnë të forcojnë bashkëpunimin në sisteme artilerie dhe tanke, përfshirë obusin vetëlëvizës PzH 2000, si edhe në prodhimin e municioneve për tanke dhe artileri.

Deklarata e përbashkët përfshin gjithashtu bashkëpunimin në avionët luftarakë Eurofighter, projektin europian të dronëve “Eurodrone”, helikopterët shumëpërdorimësh të transportit ushtarak NH-90, sistemet e mbrojtjes ajrore dhe helikopterët luftarakë.

Në sektorin detar, Italia dhe Gjermania parashikojnë zgjerimin e bashkëpunimit për nëndetëset e klasit 212, përfshirë edhe tipin “Nëndetësja e së Ardhmes së Afërt”. Po ashtu, do të zhvillohen projekte të përbashkëta në teknologjinë e ndërhyrjeve elektronike dhe në fusha të tjera të avancuara ushtarake.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kancelari gjerman Friedrich Merz ishin planifikuar të mbanin një konferencë për shtyp pas nënshkrimit të marrëveshjes, por ajo u shty për më vonë./mxh

16:24 Arktiku në fokus, Danimarka kërkon dialog të matur me SHBA-në

Danimarka ka bërë thirrje për një proces të qetë dhe pa tensione në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara lidhur me Groenlandën. Ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, deklaroi të premten se Kopenhaga synon të ulë tonet dhe të shmangë dramën në takimet e ardhshme me Uashingtonin.

Deklarata vjen pas komenteve të presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se kishte siguruar akses total dhe të përhershëm të SHBA-së në Groenlandë, pas bisedimeve me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Ky i fundit theksoi se aleanca duhet të rrisë përpjekjet për të përballuar kërcënimet nga Rusia dhe Kina në rajonin arktik.

Nga ana e saj, kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, njoftoi se ishte dakord me kreun e NATO-s për nevojën e forcimit të sigurisë në Arktik, pas disa javësh tensionesh të shkaktuara nga deklaratat e presidentit Trump për aneksimin e Groenlandës.

Frederiksen pritet të udhëtojë sot drejt kryeqytetit të Groenlandës, Nuuk, ku do të zhvillojë takime me kryeministrin e ishullit.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm Rasmussen konfirmoi se diplomatët danezë dhe amerikanë janë takuar të enjten në Uashington, ku kanë rënë dakord për një plan veprimi për të ecur përpara. Ai shtoi se datat e takimeve të ardhshme nuk do të bëhen publike, për të garantuar një proces të qetë diplomatik./mxh

16:15 Paris Hilton flet për Rita Orën, Bebe Rexhën: Mezi pres t’i…

Paris Hilton, ka folur së fundmi me admirim për dy artistet shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Orën dhe Bebe Rexhën, si dhe për dokumentarin e saj të ri, Infinite Icon: A Visual Memoir.

Hilton tregon se ka një raport shumë të ngushtë dhe miqësor me dy këngëtaret dhe shpreh respekt të madh për talentin, punën dhe personalitetet e tyre:

“I dua shumë Ritën dhe Beben. Janë vajza fantastike, shumë të talentuara dhe me zemër të madhe — si brenda, ashtu edhe jashtë skenës. I dua si motra dhe jam shumë krenare për të dyjat.”

Ajo thekson se çdo herë që janë bashkë e kalon “për mrekulli” dhe shpreh entuziazëm për t’i takuar sërish në një event të ardhshëm:

“Çdo moment me to është i veçantë — qeshim, argëtohemi dhe ndiejmë një lidhje të fortë. Mezi pres t’i shoh pas disa ditësh në festën e mikut tim.”

Dokumentari i ri

Paris Hilton foli edhe për dokumentarin e saj të ri, Infinite Icon: A Visual Memoir, që sjell një rrëfim intim mbi jetën, muzikën dhe karrierën e saj. Ky projekt përbëhet nga materiale arkivore, momente personale dhe skena nga performanca të përzgjedhura, duke ofruar një pasqyrë të hapur mbi rrugëtimin që e ka ndihmuar të rimarrë kontrollin e historisë së saj.

Dokumentari pritet të publikohet në 30 janar 2026, duke shërbyer si një udhëtim reflektues dhe emocional për publikun, larg stereotipeve dhe narrativave të medias tradicionale./mxh

16:07 “Nuk ecën dhe nuk flet….”, Kledi Kadiu flet për të birin!

Balerini i njohur shqiptar, Kledi Kadiu, në një intervistë për Arbana Osmanin, ka folur për djalin e tij 4-vjeçar, Grabielin, i cili ka nevojat ë veçanta, si pasojë e prekjes nga një virus, vetëm 11 ditë pasi kishte ardhur në jetë. Kledi tregoi se e gjithë shtatzënia dhe lindja shkoi shumë mirë, kur papritmas jeta e tyre do të përmbysej në mënyrë të papritur.

“Djali ka ardhur në jetë në gusht të 2021, ka 6 vite diferencë me vajzën. Gabrieli ka bërë 4 vjeç këtë verë. Gabrielin e prisanim, nuk ishte surprizë si e Leas. Çdo gjë shkoi mirë, deri në momentin e fundit. Pastaj më 11 shtator, më merr Sharlota në telefon pasi kishte dalë shëtitje, më thotë që djali ‘bën disa veprime të çuditshme, është mirë të shkojmë në ndihmën e shpejtë, ne po shkojmë, por hajde dhe ti.’ Unë zakonisht nuk jam në shtëpi, të premten, të shtunë, të diel dhe shkova atje, në ndihmën e shpejtë, ishte akoma koha e Covid dhe nuk mund të hynin shumë njerëz.

Më tha më prit, dhe kjo pritja për mua ishte vetëvrasje, pse duhet të prisja aq shumë, kaq përgjigje e gjatë për të thënë se çfarë po ndodh. Ajo koha e vështirë që e kaluam, mbeti. Djali ishte vetëm 11 ditë. U shtrua në spital, në reanimacion me kod të kuq. Mjekët thanë që ishte ku rasti 1 në 70 mijë që mund të ndodhte, ishte ky virusi që nga hunda shkoi në tru dhe aty bëri ca lëvizje jo të duhura. U ndryshua gjithë festa që të lind një fëmijë, u shndërrua në një dhimbje. Fakti që ai ishte kaq i vogël, mospranimi i prindërve se pse atij, të më ndodhte mua.”, tha Kledi.

Balerini foli në lidhje me vështirësitë që e gjitha familja ka përjetuar, gjatë përballjes më situatën e djalit të tij, sot 4-vjeçar.

“Ishte diçka që nuk e ndalon dot. Ajo kohë kaloi, dhe fatmirësisht gjithçka shkoi mirë për Gabrielin”, tha ai, duke theksuar se sot familja jeton me shpresë dhe besim, duke ndarë edhe detaje për gjendjen shëndetësore të djalit./mxh

15:39 Turizmi në 2025, na mban Kosova, ‘mërziten’ italianët, vijnë gjermanët dhe francezët

Last Updated on 23/01/2026 by EL

Shqiptarët e Kosovës mbetën grupi kryesor i turistëve në vend edhe gjatë 2025 dukë shënuar 4.66 milionë hyrje.

Pesha e tyre ndaj totalit prej 12.4 6 milionë hyrje ishte 37.4 për qind duke treguar edhe një herë kontributin që ka turizmi patriotik në këtë sektor në vendin tonë.

Të dhënat zyrtare të grupeve që kanë vizituar Shqipërinë sipas Lëvizjes së Shtetasve të publikuara nga INSTAT tregojnë se italianët mbetën grupi i dytë më i rëndësishëm me 1.29 milionë hyrje në vitin që lamë pas.

Kjo shënon një rritje 3.17 për qind në raport me vitin 2024. Ajo që vihet re është një ngadalësim i theksuar i rritjes së këtij grupi pasi në 2024 krahasuar me 2023 rritja ishte 31.5 për qind.

Turoperatorët thanë gjatë 2025-ës se një zbehje e italianëve sidomos gjatë verës ishte e dukshme dhe kjo lidhej me faktin që ata nuk e konsideronin më Shqipërinë një vend të lirë për pushime. Shtrenjtimi i disa rajoneve ku ky grup u përqendrua për pushime siç ishte pjesa e Jugut të Shqipërisë bëri që shumë prej tyre të anulonin rezervimet ose të ndryshonin destinacion.

Gjithsesi ata mbeten një grup i rëndësishëm për turizmin gjithëvjetor duke preferuar vizitat në fundjava në Tiranë apo Durrës si dhe në pjesën tjetër të vendit dhe duke eksploruar gjithmonë e më shumë pjesën kulinare dhe rurale të vendit nisur nga fakti që mbetemi ende një nga vendet me çmimet më të ulëta në restorante.

Në rënie gjatë vitit të shkuar ishin edhe polakët. Operatorët turistikë theksojnë se kjo rënie nuk vjen nga turizmi i organizuar i cili ndër vite ka qenë në rritje e po kështu kontratat ishin në rritje edhe ne 2025-ën. Rënia vjen nga turistët individual që nën promovimin e gjerë që pati Shqipëria tre vitet e fundit vendosën të eksploronin të vetëm.

Vitin e shkuar në vend hynë 288 mijë polakë që përbëjnë vetëm 2.8 për qind të peshës totale të turistëve. Po kështu në rënie ishin gjatë 2025-ës edhe turistët nga Turqia dhe Spanja.

Grupet në rritje

Gjermania dhe Franca janë dy grupet me rritje të turistëve në vendin tonë dhe kjo pritet të mbetet e njëjtë edhe gjatë këtij viti. Të dhënat zyrtare tregojnë se vitin e shkuar gjermanët patën një rritje 17.27 për qind duke shënuar një numër prej 452 mijë hyrjesh.

Ky është një grup turistësh që vjen në formë individuale por sidomos të organizuar në ture kulturore por edhe gjatë verës. Sa i i takon Francës rritja ishte 25.39 për qind në raport me një vit më parë duke shënuar 293 mijë. Franca pritet të vijojë rritjen edhe këtë vit madje për herë të parë operatorët turistikë ndërmjetësuan me strukturat akomoduese për ti sjellë me kontrata garancie në formë të organizuar gjatë kësaj vere. Në rritje janë edhe hyrjet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku në vitin 2025 u regjistruan 241 mijë hyrje me një rritje rreth 8 për qind në raport me vitin paraardhës.

Shqipëria po vijon edhe gjatë këtij viti një promovim të gjerë në media ndërkombëtare dhe rrjete sociale por ky promovim nuk është i përmasave që vendi ka pasur në tre vitet e fundit. Ekspozimi i probleme të turizmit në rrjete sociale nga vizitorë që kanë ardhur në Shqipëri duket se ka bërë që përveç pjesës më të bukur të Shqipërisë të huajt të kenë rezerva edhe për problemet që kanë hasur sidomos sa i takon mbetjeve, infrastrukturës, kafshëve të braktisura, çmimeve jo dhe aq ekonomike sa pritshmëritë e tyre.

Gjatë 2026 operatorët e turizmit presin që rritja të vijojnë sa i takon vizitorëve por vëmendja duhet të kthehet tek marrja e masave për të siguruar qëndrueshmëri afatgjatë. Ngadalësimi i rritjes vit pas viti është një sinjal që masat duhet të merren janë urgjente./et

15:35 Ndryshimet në Kodin Penal, parkimi dysh të çon në burg

Last Updated on 23/01/2026 by EL

Në Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme pa praninë e deputetëve të opozitës të cilët janë në terren për përgatitjet e protestës të së shtunës, është diskutuar dhe miratuar një ndryshim në kodin penal.

Parkimi dysh i automjeteve deri tani i ndëshkuar me gjobë kthehet në një vepër penale e dënueshme me burg.  Detajet se përse ashpërsohet kodi penal i dha relatori socialist deputeti Ervin Hoxha.

“Rritja e sigurisë rrugore dhe mbrojtja e jetës së qytetarëve duke ndëshkuar parkimin në rresht të dytë që pengon qarkullimin e mjeteve emergjente; Parandalimi i bllokimeve totale të rrugëve dhe pengesave serioze për këmbësorët, duke mbështetur lëvizjen e lirë dhe të sigurt të qytetarëve; Forcimi i efektit parandalues të ligjit penal në mënyrë që qytetarët të respektojnë hapësirat e qarkullimit dhe të kontribuojnë në sigurinë publike; Sigurimi i një kuadri ligjor të qartë dhe të efektshëm për institucionet e zbatimit të ligjit, duke mundësuar ndërhyrje të shpejta dhe të efektshme në situata emergjente”, tha Hoxha.

Ndryshimet në kodin penal parashikojnë dekriminalizimi e shpifjes përfshi rritjen e mbrojtjes të sigurisë së gazetarëve gjatë punës së tyre.

Sulmi, kërcënimi apo intimidimi ndaj një gazetari do të trajtohet me të njëjtin seriozitet si ai ndaj një punonjësi shteti, duke rritur dukshëm mbrojtjen ligjore dhe sigurinë e tyre fizike.

Ervin Hoxha shtoi: “1 deri 5 vite burg kush godet gazetarët në detyrë”.

Në këtë komision u miratuan edhe disa ndryshime në ligjin për importin, eksportin dhe transitin e armëve të zjarrit. Pirro Vengu ministër i mbrojtjes tha në komision se ndryshimet synojnë një sistem të ri elektronik kontrolli  dhe parandalimi e trafikut të jashtëligjshëm./et

15:33 Karremi i Putinit për Trump-in

Last Updated on 23/01/2026 by EL

Nga Enver Robelli

Duke qenë agjent i KGB-së sovjetike, Vlladimir Putin është specialist për simulim, servilosje, lajkatime. Këtë e bën ndaj atyre që janë më të fuqishëm se ai. Ndaj liderit kinez, për shembull. Dhe sidomos ndaj Donald Trumpit. Ndaj tij diktatori rus sillet si një masazhist i egos së presidentit amerikan.

Shembulli më i ri, për të cilin raporton gazeta konservatore gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) në numrin e sotëm: Trump tha se Putini e ka pranuar ftesën për të qenë anëtar i të ashtuquajturit “Bord i Paqes”. Në të vërtetë Putini nuk e pranoi ftesën, por vetëm autorizoi vartësit e tij ta shqyrtojnë atë. Dhe e falënderoi Trumpin. Pas lëvdatave Putin, si peshkatar i shkathtë, ia hodhi Trumpit një karrem: i tha se po t’i dhurojë 1 miliard dollarë për “Bordin e Paqes”. I propozoi që këto para t’i marrë nga mjetet ruse të bllokuara në SHBA nga administrata e mëpareshme, pra nga qeveria e Joe Biden.

FAZ shkruan: “Pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, në SHBA u ngrinë katër deri në pesë miliardë dollarë rezerva të Bankës Qendrore ruse; kjo është vetëm një pjesë e vogël e totalit prej 280 miliardë dollarësh që u ngrinë në atë kohë, më shumë se dy të tretat e të cilave në Belgjikë. Sipas vendimit të G7, kjo gjendje duhet të mbetet e tillë derisa Rusia t’i dëmshpërblejë Kievit dëmet e shkaktuara. Pra, Putin i propozon Trumpit një keqpërdorim të mjeteve. Mbi këto mjete Rusia, ndryshe nga çfarë pretendoi Putin, aktualisht nuk mund të disponojë. Qëllimi i tij është ta tundojë Trumpin që të shkëputet nga partnerët (europianë) në një tjetër çështje parimore”.

Zemërgjerë u tregua Putini edhe sa i përket Grenlandës. Tha se Danimarka është sjellë keq, madje brutalisht ndaj këtij ishulli dhe prezantoi një shifër për të cilën SHBA mund të blinin Grenlandën (“diku afër një miliard dollarë, ndonëse SHBA-ja ndoshta do të paguante edhe më shumë”).

Kjo është shkolla e sprovuar sovjetike e politikëbërjes. Në një botë fiksioni do të mund të shkruhej një roman me titullin: “Masazhisti nga Kremlini”. Nganjëherë romanet i shkruan realiteti./et

14:59 Hynë në komisariat dhe dhunuan efektiven e policisë, arrestohen dy motrat në Tiranë

Last Updated on 23/01/2026 by EL

Dy shtetase janë arrestuar nga policia e Tiranës.

Blutë bëjnë me dije se M. A., 38 vjeç dhe R. A., 29 vjeç kanë hyrë në amientet e komisariatit nr.3 dhe kanë dhunuar një efektive.

Ende nuk dihen rrethanat e plota të ngjarjes.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetaset
M. A., 38 vjeçe dhe R. A., 29 vjeçe, pasi dyshohet se në hyrje të ambienteve të Komisariatit, kanë goditur për shkak të detyrës, një oficere policie;
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë./ET

14:38 U përfshi në një konflikt në Lezhë, arrestohet vëllai i ish-deputetit Arben Ndoka! Në kërkim i biri

Last Updated on 23/01/2026 by EL

Gëzim Ndoka, vëllai i ish-deputetit Arben Ndoka, ka rënë në prangat e Policisë, pasi pak ditë më parë u përfshi në një konflikt të dhunshëm mes disa personave.

Ngjarja ndodhi në 12 janar të këtij viti, ku Gëzim Ndoka bashkë me të birin, 20-vjeçarin Kevin, u konfliktuan në një lokal me shtetasit Gjergj dhe Nikolin Marku, kushërinj.

Burime për Report TV bëjnë të ditur se dy kushërinjtë mbetën të dëmtuar pas sherrit dhe pasi morën trajtim mjekësor, u paraqitën në komisariat ku bënë denoncimin.

Po ashtu, dy kushërinjtë e dëmtuar u paraqitën në Komisariatin e Policisë së Lezhës ku pretenduan se babë e bir, Gëzim e Kevin Ndoka, ishin të armatosur dhe se i qëlluan me sende të forta në kokë, përfshirë me qytën e pistoletës, sapo hynë në lokal.

Ndërkohë Policia po vijon hetimet për zbardhjen e dinamikës së plotë të ngjarjes dhe arrestimin e të nipit të ish-deputetit Ndoka.

Njoftimi i Policisë:

Specialistët e Sektorit të Mbështetjes Operacionale, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të hetimeve dhe veprimeve operacionale, për sqarimin e rrethanave të konfliktit të ndodhur ndërmjet 4 shtetasve, në ambientet e një lokali, në Lezhë, më datë 12.01.2026, si dhe për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të përfshirë, kapën shtetasin e shpallur në kërkim, G. N., 53 vjeç. Për këtë shtetas, prokurori vendosi procedim penal në gjendje të lirë. Vijojnë kërkimet për kapjen e djalit të 53-vjeçarit, shtetasit K. N../et

14:24 ‘Berisha s’e merr dot pushtetin me dhunë’/ PD shfrenoi fantazinë kur thoshte se Rama do kapej si Maduro!

Last Updated on 23/01/2026 by EL

Analisti Alban Daci është shprehur se kryeministri Edi Rama doli i fituar pas ftesës së Presidentit amerikan Donald Trump, që Shqipëria të bëhej pjesë e Bordit të Paqes për Gazën.

Komentet Daci i bëri në një lidhje për emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report TV, ku tha se deklaratat e opozitës se kryeministri Rama do të merrej me helikopter si Maduro nga ushtria amerikane, ishin një fantazi e shfrenuar e PD-së.

“Unë mendoj se ne duhet t’i qëndrojmë gjithmonë linjës që politika amerikan nuk duhet të interpretohet dhe të kuptohet sipas politikës së brendshme të Shqipërisë. Pra si dimensioni jonë shtetëror, prestigji ndërkombëtar, e bën të pamundur që ne të diktojmë politikën e jashtme të SHBA-së, që në epokën Trump duket se askush tjetër nuk mund ta diktojë apo imponojë.

Në planin afatgjatë duhet parë me kujdes kjo lloj nisme, pra Bordi i Paqes, pasi ne nuk kemi të bëjmë me një organizatë të mirëfilltë që ka të përcaktuar qartësisht funksionimin e saj. Shqipëria përveçse një spektatore e realitetit ndërkombëtar, nuk mund të jetë gjë tjetër veçse një spektatore që përpiqet të kapë trenin e ngjarjeve.

Amerikanët tani në epokën Trump kanë vetëm një kriter, sesa besnik është një lider në raport me ata, sa besnike është politika e atij lideri dhe vendit të tij në raport me SHBA dhe sa besnik do iu qëndroj një lider i caktuar interesave gjeostrategjike të SHBA-së. Në këtë këndvështim, besoj se ka fituar Rama, por do të kishte fituar kushdo që do të kishte qenë në pozicionin e Ramës. Aludimet e ngjashme për lidhje me Maduron ishte një fantazi e shfrenuar e opozitës, e cila për shkak të rrethanave të saj dhe për shkak të lidershipit që ka ‘non grata’, e bën PD-në që të jetë jashtë interesave amerikane apo edhe atyre të BE-së. Tentativa e Trump mendoj se është një tentativë për të eleminuar Kombet e Bashkuara. Por unë mendoj se Trump nuk do lërë asnjë lloj trashëgimie në politikën e jashtme amerikane”, tha mes të tjerash Daci.

Ndërkohë Daci teksa komentoi thirrjet për protesta të kryetarit të Partisë Demokratike, tha se Berisha kërkon marrjen e pushtetit me dhunë, gjë që sipas tij, në situatën aktuale nuk mund të ndodhë.

Daci shtoi gjithashtu se Berisha nuk e merr dot pushtetin as pa dhunë, pra me zgjedhje të lira e të ndershme. Kjo pasi sipas tij, PD nuk është në lartësinë e duhur të kauzave të qytetarëve.

“Sigurisht që mund të themi politikisht në qasjen në raport me amerikanët, është një ndryshim total i qasjes dhe mund të themi që kryeministri Rama është ndër të paktit kryeministra që është shprehur i gatshëm menjëherë për të qenë pjesë e Bordit të Paqes. Ky është një moment shumë i mirë për Shqipërinë. Por mendoj se në këto momente, mendoj se dilema më e madhe e Shqipërisë në epokën Trump është se në cilën anë do të ketë qasje më të madhe, në atë të SHBA-së apo të BE-së. Edhe nëse Ramiz Alia të kishte qenë dhe t’i ishte përgjigjur pozitivisht ftesës së Trump, edhe ai do të ishte rikuperuar politikisht.

Berisha nuk mund ta marrë pushtetin me dhunë. Berisha ka disa indicie në të kaluarën, ka edhe disa ngjarje të rënda të 1997, ne mund të themi se kishte njëfarë orientimi për të marrë pushtetin me dhunë. Dhe të gjitha rastet kanë dështuar sepse një vend si Shqipëria në pozicionin e saj gjeopolitik dhe gjeostrategjik, për shkak të faktit që është vend anëtar i NATO-s dhe që është në prag të mbylljes së kapitullit të BE-së, nuk do të ketë asnjë lloj forme pushteti të marrë me dhunë. Prandaj Berisha nuk mund ta marrë pushtetin me dhunë, por unë mendoj se nuk mund ta marrë as pa dhunë, pasi PD nuk është në lartësinë e kauzave qytetare”, shtoi më tej Daci.

14:00 Histori/ 23 janar 1916 – Isa Boletini, vrasja nga malazezët e luftëtarit shqiptar

Përgatiti: Leonard Veizi

Më 23 janar 1916, në një kohë kur Shqipëria dhe trojet shqiptare endeshin mes luftërash, tradhtish dhe pazare diplomatike, u shua me pabesi një nga figurat më emblemë të qëndresës kombëtare: Isa Boletini. Plumbat e forcave malazeze nuk vranë vetëm një njeri, por një simbol të gjallë të kryengritjes shqiptare, një figurë që për dekada kishte mishëruar dinjitetin e armës dhe besën e malësorit në mbrojtje të tokës së vet…

…Isa Boletini ishte bërë emër i njohur dhe i frikshëm për pushtuesit në mbarë Vilajetin e Kosovës. Që nga fundi i shekullit XIX, ai kishte hyrë në histori si pjesëmarrës aktiv i lëvizjeve kombëtare dhe i përpjekjeve për vetëdije politike, në kohën kur Lidhja e Prizrenit po përpiqej t’i jepte zë dhe formë aspiratës shqiptare për autonomi dhe mbijetesë kombëtare. Emri i tij qarkullonte në odat e burrave dhe në raportet e administratave të huaja si sinonim i rezistencës së armatosur dhe i mosnënshtrimit.

Në vitet e turbullta që pasuan, Isa Boletini nuk mbeti vetëm prijës lokal. Ai u shndërrua në figurë mbarëkombëtare. Në vitin 1914, gjatë sundimit jetëshkurtër të Princ Vidit, u caktua ndër rojet e tij, jo thjesht si një akt formal sigurie, por si dëshmi e autoritetit moral dhe ushtarak që Boletini gëzonte në sytë e shqiptarëve. Prania e tij në Durrës ishte përpjekje për të ruajtur një ekuilibër të brishtë mes një shteti të sapolindur dhe stuhive që e rrethonin nga të gjitha anët.

Por kulmi i veprimtarisë së tij mbetet viti 1912, kur Isa Boletini udhëhoqi forcat kryengritëse kundër pushtimit osman, duke e çuar luftën nga malet e Kosovës drejt horizontit të pavarësisë. Ai ishte aty, në Vlorë, përkrah Ismail Qemalit, në ditën kur u shpall Pavarësia e Shqipërisë – një akt shprese që do të pasohej shpejt nga zhgënjimi i madh i Konferencës së Londrës më 1913, ku kufijtë e shtetit të ri u cunguan dhe troje të tëra shqiptare u lanë jashtë.

Fillimet

U lind në kullën e familjes në Boletin, pranë Mitrovicës, asokohe në sundimin e Perandorisë Osmane. Pas ngritjes së Lidhjes së Prizrenit, Isa mori pjesë në betejën e Slivovës kundër forcave të rregullta osmane më 22 prill 1881. Manastiri i Sokolicës mbrohej nga Isa me të vëllanë e madh, Ahmetin. Pas ndodhive të kazanë e Mitrovicës kundrejt serbëve, Perandoria Ruse i vë kusht Stambollit hapjen e një konsullate ruse në Mitrovicë më 7 maj 1902. Boletini shpalli se shtëpitë e mbarë shkjeve do të digjeshin po qe se do të hapej “kangjallozi i Miskovit në Mitrovicë”. Raportohet se më 29 shtator iu dorëzua autoriteteve osmane dhe se do të falej për bëmat e tij të deriatëhershme, më 24 nëntor mbërriti në Stamboll, ku u caktua në krye të dyfekxhinjve, siç ishte mënyra e qeverisjes e Sulltan Abdyl Hamidit për të bërë për vete krerë të zëshëm vendorë. Pasi shërbeu si kreu i dyfekxhinjve për katër vite, u kthye me çifligje që i ishin caktuar si shpërblim për shërbimi dhe grada ushtarake në milicinë vendore. U bë njeriu më i famshëm dhe më i pasur i Mitrovicës, mblodhi pasues të armatosur dhe mblodhi armatime e financime si nga serbët duke pasur gjithashtu një linjë telegrafike drejtpërdrejtë me Pallatin Jëlldëz, si kapedan vendor i sulltanit.

Luftimet

Gjatë Revolucionit Xhonturk më 1908, u bë një mbledhje e madhe e parisë shqiptare njohur si Kuvendi i Ferizajt për të përkrahur rikthimin e kushtetutës, ndërsa Boletini me krerë të tjerë e shihnin këtë si shenjë pabesie ndaj sulltanit. U tërhoq nga kuvendi para se të merrej ndonjë vendim, duke kuptuar dobësinë e pozitave të tij. Thuhej se sulltani i kishte kërkuar ndihmë Boletinit që të zhbënte kuvendin e mbajtur në Ferizaj. Ai ishte besnik ndaj sulltanit ndonëse më 1908 i kishte ndihmuar fillimisht xhonturqit. Komiteti “Bashkim e përparim” pas gati një muaji të kthimit të Kushtetutës vendosi t’i jepte vëmendje gjakmarrjes në Vilajetin e Kosovës, dhe nga fundi i vitit masa të ashpra u morën nga vendorët – Nexhip bej Draga me anëtar të tjerë të parisë së Kosovës e shihnin Boletinin si pengesë dhe besnik të sulltanit dhe loboi për ndalimin dhe arrestimin e tij, Draga donte vendosjen e rendit të ri ligjor, ndërsa Boletini donte privilegjet e vjetra caktuar nga koha e sulltanit. Pasi ia arriti të ndërhynte përmes Komitetit të Selanikut që qeveria të merrte masa ndaj Boletinit, i dërguan një oficer të shoqëruar për t’i dhënë Boletinit një urdhër gjykate që t’i kthente të quajturit Haxhi Alisë çifligun që kishte qenë më parë i tij para se t’ia jepte sulltani. Boletini përqeshi urdhrin, përzuri autoritetet që më pas e sulmuan, Isa mundi të ikte me njerëzit e tij, por kulla iu dogj.

Gjatë kundër-revolucionit të prillit 1909 Isa me krerë të tjerë i ofruan sulltanit ndihmën e tyre. Më 15 maj 1909 Xhonturqit, duke vazhduar mohimin e të drejtave kombëtare shqiptare, vijuan me fushata kundër atyre që nuk paguanin taksat e reja të caktuara në Stamboll. Në Mitrovicë u caktua gjeneral i brigadës 18 Xhavid Pasha, ku zëvendësoi Shemsi Pashën e vrarë (vëllamë i Isës), për të përvijuar një vazhdë operacionesh ndaj malësorëve shqiptarë për dorëzimin e armëve dhe në veçanti për ta kapur. Ishte ndër konspiruesit dhe organizatorët e kryengritjes së 1910 me Hoxhë Said efendiun, Nexhip bej Dragën, Hasan Prishtinën, Mehmet pashë Derallën, Rexhep Mitrovicën, Bedri Pejanin, Salih Gjukën dhe Idriz Seferin. Isa me shumë krerë të tjerë të Pejës e Gjakovës mbajtën qëndrim ndaj trupave osmane, gjë që çoi në gjakderdhje e bombardimin e fshatrave shqiptare. Pas revoltave të herëpashershme në Vilajetin e Kosovës, prillin e 1910 qeveria xhonturke vendosi krijimin e një korpusi ushtarak të posaçëm për “shtrimin” e Shqipërisë, në krye të të cilit u vu gjenerali Turgut Pasha. Në bashkëpunim me Idriz Seferin dhe krerët shqiptarë, Isa i priu betejave të rënda në grykën e Kaçanikut, Zagovac, Çernalevë, Kabash e Virnaglava.

Kryengritja 1912

Në pragun e revoltës, qeveria serbe punoi me disa banda kaçake shqiptarësh që të ishin të gatshme të vendosnin në vështirësi osmanët dhe me atë qëllim iu vardisën edhe Boletinit përmes organizatës terroriste Dora e Zezë. Më 23 prill 1912 njerëzit e Hasan Prishtinës çuan krye në Malësinë e Gjakovës dhe u përhapën më tej. Më 20 maj së bashku me krerë të tjerë, Boletini mori pjesë në kuvendin e Junikut ku u dha besa dhe u nënshkrua një shpallje, për t’i shpallur luftë qeverisë xhonturke përmes kryengritjes së armatosur në Vilajetin e Kosovës. Shqiptarët e Sanxhakut të Prishtinës të kryesuar nga Isë Boletini, Xhemal beg Prishtina dhe Beqir agë Vulçiterna i thyen turqit në Llap e Gollak dhe më pas zunë Prishtinën me pëlqimin e banorëve, përkundrejt komandantit vendor. Krerët mësynë Shkupin, të cilin e zunë më 12-15 gusht të 1912, së bashku me Riza Begin mendonte të shkonte në Selanik për të liruar sulltanin dhe nuk ishte për autonomi – sipas Hasan Prishtinës. Më 18 gusht Prishtina arriti t’i bindte krerët luajalistë që të binin në ujdi me autoritetet osmane për të drejtat sociopolitike e kulturore shqiptare. Boletini u paqtua dhe u kthye për në shtëpinë e vet pas premtimeve për autonomi vilajeteve shqiptare. Në gusht, kolonel Dragutin Dimitrijeviq “Apis” i Dorës së Zezë, i dërgoi një letër që me pasuesit e tij t’i ndihte serbët në luftë kundër osmanëve.

Epilogu

Isa Buletini u vra prej malazezve, me afrimin e trupave austro-hungareze më 23 janar 1916 në Podgoricë, pas një lufte të ashpër disa orëshe. Austriakët erdhën vonë dhe nuk arritën ta shpëtojnë atë dhe 17 bashkëluftëtarët e tij.

Vdekja e Isa Boletinit ishte mbyllja tragjike e një jete të ndërtuar mbi armë, besë dhe atdhe. Ai u vra pabesisht, por mbeti i pamposhtur në kujtesën historike. Figura e tij vazhdon të qëndrojë si një urë mes epokës së kryengritjeve dhe lindjes së shtetit shqiptar, si dëshmi se liria nuk erdhi si dhuratë, por si çmim i gjakut dhe i qëndresës së atyre që nuk pranuan të jetonin të përkulur.

Në korrik të vitit 2011, mbetjet mortore të Isa Boletinit dhe të bashkëluftëtarëve të tij, iu dorëzuan Komunës së Mitrovicës.

13:45 “Ligjet”/ Manja ironizon Blushin: Situatën e përmbytjeve e sheh nga hoteli

Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, Ulsi Manja, gjatë diskutimeve në komision për përmbytjet në vend, kishte një përgjigje për sekretarin e Përgjithshëm të PL-së, Tedi Blushin, për shkak se ky i fundit tentoi sërish të luante rolin e opozitarit lidhur me përmbytjet në vend.

Manja, duke ironizuar, tha se Blushi shkon në Korçë dhe situatën e përmbytjeve e sheh nga hoteli. Më pas, sipas Manjës, nis dhe u kërkon llogari Forcave të Armatosura.

“Do Zoti mos kemi sivjet zjarre, ende pa dalë nga përmbytjet ka filluar punën Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura. Ndryshe nga zoti Blushi që kur shkon në Korçë e sheh nga hoteli situatën e përmbytjeve dhe u kërkon llogari Forcave të Armatosura. Që në atë situatë përmbytjesh, jo vetëm Forcat e armatosura, por kushdo që kishte mundësinë duhet të ishte solidar në ato ditë dhe të bënte detyrën. Por fatkeqësisht kemi një opozitë që solidaritetin e bën më një grusht njerëzish në bulevard në darkë që quhet foltore-protestë dhe kemi një opozitë që solidaritetin e bëjnë në mbledhje komisioni kur ka dalë dielli”, tha Manja. /Kb

13:30 24 Janari, asgjë ndryshe në Tiranë

 

Nga ARTUR  AJAZI

Sali Berisha ka zgjedhur shtunën (24 Janarin) për nisur nga Tirana “revolucionin blu dhe hedhjen e Ramës nga pushteti”. Estradë bukur dhe zbavitëse nuk ka. E kuptoni  ju shqiptarë. Kreu iopozitës (kështu i thonë PD) ka zgjedhur godasë“fort dhe pa mëshirëqeverinë shtunën e 24 Janarit. Dhe e dini pse ? Sepse do ta justifikojë boshllëkun e protestës, me gjojaishte fundjavë, njerëzit u morënme punët dhe hallet e tyre”. Pas kësaj deklarate, do justifikohet sërish se “njerëzit tremben nga qeveria dhebandat e saj, ndaj nuk dalin protestën tonë”. Aq i ka lodhur, dhe aq i cfilitur mbështetësit e tij Berisha, sa ata nuk dalin protesta. I ka zhgënjyer, pasi u thotë “Rama iku, u tremb, u fsheh, ne fituam”. Dhe nesërmen, sikur nuk ka ndodhur gjë. Po ashtu ka cfilitur edhe Policinë e Shtetit, e cila detyron efektivëte saj, rrinë bulevard me orë tëra, edhe pse ajostrukture ka 1001 punë urgjente për kryer, se protesta e PD me disa qindra mbeshtetës mbetur. E ndersa vendi ka emergjenca tjera, investime nisuradhe bitisura, plane e projekte financimi, punësimi, zhvillimi, integrimi, etj, Berisha nuk ngurron pengojë, nuk ngurron shtrijë efektin e tij negativ, përditshmërinë e jetës shqiptareve. Natyrisht 24 Janar, shqiptaret do shfrytëzojnë fundjavën për dalë, apo  udhëtuar e psonisur, dhe nuk kanë fare plan dalin protestën e “fuqishme Saliut. vetmit mbushin ato pak metra katrore bulevard, janë  ish-pushtetarët e PD, milionerët e asaj opozite, edhe pse 13 vjet pa pushtet, habitshëm u rriten pasuritë, u lulëzojnë bizneset, dhe u shtohen kontot bankare. Edhe kjo e shtunë  e 24 Janarit, sërish do jetë sigjithë tjerat, si gjithëprotestat e fuqishme bëranga PD, me disa fjalime dhe ulurima nga podi saj, dhepastaj ca molotovë drejt shkallëve kryeministrisë, për treguar se “e tronditën fort regjimin”. Po është e vërtetë, Sali Berisha nuk e ka kuptuar, se po e shpie greminë atë parti. Ndryshe nuk do tallej kaq gjatë me mbështetësit e tij, apo me “500 mijë votatsiç thotë ai, mori 11 Maj. Ai do ta vazhdojë gjatë rrugëtimine tij krye asaj partie, madje derisa ti mbesë edhembështetësi i fundit nga Lapraka apo ish-Këneta e Durrësit, por nuk do arrijë kurrë ta bëjë atë partialternativë pushteti./kb

13:16 Balla: Dekriminalizojmë shpifjen për gazetarët profesionistë, por jo për profesionistët e shpifjes

Last Updated on 23/01/2026 by Kesjana

Në mbledhjen e sotme të komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme është diskutuar lidhur me disa ndryshime në Kodin Penal.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë fjalës së tij tha se ndryshimet e propozuara nga mazhoranca synojnë dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët profesionistë, por jo për ato që ai i cilësoi si profesionistët e shpifjes.

Ai shtoi më tej se këto ndryshime të propozuara nga qeveria kanë si synim mbrojtjen e publikut dhe garantimin e standardeve europiane në fushën e informimit.

Balla foli edhe për fyerjen ku tha se asnjë vend në Europë nuk e ka hequr nga Kodi Penal.

Fjala e plotë e Ballës:

Unë, sa të jem personalisht, flas këtu jo si kryetar i grupit, nen të fyerjes nga Kodi Penal nuk heq. Për mua fyerja është një vepër penale. Për fat të mirë, edhe pse unë do të doja të ishte më e ashpër në Republikën e Shqipërisë, fyerja nuk dënohet me burg, por me gjobë. Dhe e vërteta është që kam qenë një prej njerëzve mbështetës që në 2008, kur e kam votuar me bindje të plotë shpërndarjen e materialeve raciste, ksenofobe në sistemet kompjuterike. Sa kishte filluar ky muhabeti i internetit dhe rrjeteve sociale në atë kohë, nëse ju më ftoni që t’i fshij ato, nuk e bëj dot. Fyerja me motive raciste, ksenofobe nëpërmjet sistemit kompjuterik.

Tani ta lëmë këtë pjesë, sepse për fyerjen nuk ka asnjë vend europian që të mos e ketë në Kod Penal. Ju më thoni ta heq, tani shkojmë te 120-a që të jemi transparentë me publikun. Besoj na ndjek publiku. Sa i përket 120-ës, që është shpifja, më vjen keq për një pjesë. Sa u përket gazetarëve, varianti që ka ardhur e ka dekriminalizuar plotësisht, por këtu pastaj duhet të ndajmë ça janë gazetarë: Kush janë gazetarët?

Po vure një bexhë dhe vetëshpallesh gazetar, në asnjë vend të Europës nuk je gazetar. Dhe është shtuar paragrafi, dhe ju lutem ndiqeni fjalë për fjalë, në atë që ka bërë në një zgjidhje tepër të mirë qeveria. Edhe kjo që po lexoj unë është konfirmuar 100 për qind nga Komisioni Europian. Një gazetar i punësuar ose i vetëpunësuar, i regjistruar dhe i njohur si i tillë në përputhje me legjislacionin në fuqi, pavarësisht se si apo vendi ku e ushtron aktivitetin, nuk mban përgjegjësi penale për veprën e shpifjes.

Sipas këtij neni, për përhapjen me mirëbesim të të dhënave, thënieve, të çdo informacioni tjetër përmes shtypit, mediave audiovizive, medias elektronike ose platformave të tjera të komunikimit publik, kur: 1. qëllimi kryesor është informimi i publikut mbi çështje me interes të përgjithshëm; 2. në momentin e publikimit ai nuk ka dhe, në rrethana konkrete, në mënyrë të arsyeshme nuk kishte dijeni se të dhënat apo informacionet faktike janë të rreme dhe ka bërë përpjekje të arsyeshme për të verifikuar saktësinë e tyre, dhe, pasi të jetë informuar nga personi i tretë, pra personi i prekur, ose autoritetet kompetente, se të dhënat apo informacionet faktike janë haptazi të rreme ose qartazi të pasakta, ai vepron pa vonesë për të bërë një përgënjeshtrim ose sqarim, ose për t’i hequr ato, për ta çaktivizuar aksesin në to.

Për qëllimet e këtij neni, përhapja me mirëbesim do të thotë përhapje që plotëson kushtet e përcaktuara në paragrafin e tretë dhe bëhet në përputhje me rregullat etike profesionale të gazetarisë mbi baza faktike të arsyeshme. Vlerësimet, opinionet, komentet kritike dhe interpretimet, edhe kur janë therëse, të ekzagjeruara ose fyese, nuk konsiderohen shpifje në kuptim të këtij neni, përveç nëse përmbajnë shprehimisht ose të nënkuptuara pretendime, fakte, të dhëna apo informacione objektivisht të rreme.

Tani problemi që unë mendoj se e keni ju, dhe lexova edhe disa shoqata sot, ka të bëjë me ç’do të thotë i punësuar, i vetëpunësuar, i regjistruar dhe i njohur si i tillë në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Këtë gjë, unë mendoj që gazetarët e kanë shumë të thjeshtë. Ata duhet të organizohen dhe bujrum. Komisioni juaj duhet të hartojë bashkë me gazetarët ligjin për profesionin e rregulluar të gazetarit dhe punonjësit të medias dhe aty të jetë të gjitha se si regjistrohet.

Sa i përket figurës së veprës penale, duhet të garantoj sot çdo gazetar që funksionon si i tillë në Republikën e Shqipërisë, që në këtë koncept nuk ka më vepër penale për shpifje për gazetarin, kur gazetari është realisht gazetar, jo kur gazetari e vetëshpall veten gazetar, me një bexhë këtu e thotë ‘unë jam gazetar’.

Dhe ka një gjë, dhe po jua them nga eksperienca personale. Kam pasur një rast personal. U bë një lajm. U bënë të gjitha njoftimet e të gjitha institucioneve përkatëse. Rezultoi që lajmi ishte i rremë. Dhe përgjigjja e mediave në atë kohë, një komunikim institucional me e-mail: ‘ju lutem, e keni verifikuar?’

Po, jemi të sigurt që lajmi është i rremë. Por ne nuk e heqim dot lajmin e rremë, se kemi marrë shumë klikime. Prandaj nisma. Dhe unë ju mbështes. Mendoj që ne do të kemi shumë punë për këtë gjë dhe komisioni juaj do të ketë shumë punë për këtë gjë. Kjo nuk rregullohet as këtu. Për të sqaruar pozicionin që u tha edhe nga relatori në rastin në fjalë, ajo që kemi marrë nga qeveria është dokumenti që ka marrë dhe në vlerësimin tonë, konfirmimin nga Brukseli për këtë hap që do të hedhim. Kemi gjithë dëshirën e mirë që nën udhëheqjen e komisionit tuaj dhe dy kryetarëve e nënkryetarëve aty të vazhdojmë, le të themi, të hulumtojmë edhe më shumë.

Edhe pse personalisht, në përfundim të kësaj ndërhyrjeje, dua që për efekt të referencës së diskutimeve në këtë komision të nderuar, që dikur e keni drejtuar ju me shumë profesionalizëm, e theksoj, t’ju kujtoj se ndër vendet e Bashkimit Europian që vazhdojnë ta mbajnë shpifjen si vepër penale janë: Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Çekia, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Letonia, Lituania, Polonia, Portugalia, Sllovakia, Sllovenia. Ato që e kanë hequr janë vetëm Qipro, Estonia, Irlanda. Rumania është gjysmë për gjysmë.

Edhe kur bëj këto deklarata, është një hap i madh ndryshimi që ka sjellë qeveria. Sepse e ndan shpifësin profesionist nga shpifësi amator. Shpifësit profesionist i tregon vendin, shpifësin amator e ndan. Dhe e vërteta është që me ndryshimin që për gazetarët, në momentin që është i organizuar, në momentin që njihet me profesion gazetar, pra punon në një media të regjistruar, i organizuar në shoqata të tjera përjashtohet për çdo rast, por ama një gjë duhet ta bëjmë të gjithë.

Dhe jam zotuar për këtë gjë që, si kryetar i këtij grupi parlamentar të shumicës, të bëjmë një gjë, jo për ne, por për gjithë qytetarët që bien target dhe shënjestër e një lajmi të rremë. Dhe këtu besoj që ka dakordësi nga ana juaj që duhet t’i gjejmë, duhet t’i japim një zgjidhje kësaj. /Kb

13:15 Trump kërkon “çek të bardhë” në Groenlandë

Donald Trump u tërhoq nga synimi i tij i bujshëm për të blerë apo pushtuar Groenlandën, por duket se tani po kërkon “çek të bardhë” për praninë ushtarake në ishull. Sipas prestigjiozes Bloomberg, Uashingtoni po negocion me Danimarkën për të ndryshuar rrënjësisht marrëveshjen e mbrojtjes të vitit 1951, të amenduar në 2004-ën.

Sipas marrëveshjes, Uashingtoni është i detyruar të marrë miratimin e Kopenhagenit për çdo lëvizje të ushtrisë amerikane që ka baza në ishullin arktik, me rreth 200 trupa të stacionuar atje, por shefi i Shtëpisë së Bardhë synon ta ndryshojë këtë, siç pohoi edhe në një intervistë për FOX NEWS.

“Do të kemi qasje të plotë në Groenlandë. Nga ana ushtarake do të mund të vendosim ç’të duam atje, sepse bëhet fjalë për sigurinë tonë kombëtare dhe ndërkombëtare”.

Pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s në Forumin Ekonomik të Davosit, presidenti amerikan hoqi dorë nga tarifat ndaj vendeve europiane që kundërshtuan planet e tij për marrjen e kontrollit të Groenlandës.

Donald Trump mori garanci nga Mark Rutte se Danimarka dhe BE do të uleshin në bisedime për arritjen e një marrëveshjeje të re për Groenlandën. SHBA-të kërkon të vendosë sistemin e mbrojtjes anti-raketë “Kubeja e Artë” për të goditur raketat hipersonike nga Rusia në rast sulmi, si dhe të drejta ekskluzive në miniera për të bllokuar Kinën./kb

Arbeloa i tregon “derën” superyllit të Realit: “Mund të largohesh para fundit të janarit”

Last Updated on 23/01/2026 by David

Alvaro Arbeloa u bë trajner i Real Madridit pasi Xabi Alonso u shkarkua dhe tani pyetja është se sa gjatë do të qëndrojë në krye.

Sigurisht, gjithmonë ekziston mundësia që gjërat të mos shkojnë mirë për Arbeloan, dhe që Perez ta largojë më herët, dhe të sjellë një trajner të ri para fundit të sezonit.

Ka shumë lojtarë që nuk janë të kënaqur me statusin e tyre te Real Madridi, dhe njëri prej tyre është mbrojtësi i djathtë Trent Alexander-Arnold.

Sipas mediave spanjolle, anglezi zhvilloi një takim me trajnerin e ri të Real Madridit, gjatë të cilit u theksua se Alexander-Arnold ishte “në prag të kolapsit”.

Që nga momenti që mbërriti në Santiago Bernabeu, anglezi nuk po luante mirë dhe lëndimet ishin gjithashtu në rritje.

Alonso, njeriu që e solli atë, është shkarkuar dhe Arbeloa duket se nuk sheh të ardhme për të në kryeqytetin spanjoll.

Sipas El Nacional, Arbeloa i tha atij drejtpërdrejt dhe qartë se nuk ishte pjesë e planeve të tij dhe se mund të largohej nga klubi këtë janar.

Gjithçka ndodhi në një takim ku Arbeloa thuhet se ishte shumë i qartë, i ndershëm dhe i drejtpërdrejtë me Alexander-Arnold.

Arsyeja janë “dobësitë mbrojtëse” që u shfaqën qartazi në disa ndeshje, dhe besohet se ai ka nevojë për një mjedis më pak kërkues në të cilin do të rifitojë vetëbesimin, si dhe minutat e lojës.

Dy klube janë të interesuara të sjellin anglezin i cili tashmë është lidhur me Bayern Munich, përkatësisht Newcastle dhe Manchester United.

Është e qartë se anglezi do të preferonte të kthehej në atdheun e tij, por mbetet për t’u parë nëse do ta “tradhtonte” Liverpoolin dhe tifozët e tij deri në atë masë sa të nënshkruante për një klub tjetër./ D.C

❌