Policia kërkon ndihmë për kapjen e një personi: Dyshohet se vodhi në një qendër tregtare në Malishevë
Policia e Kosovës po kërkon ndihmën e qytetarëve për ta kapur një person të kërkuar për vjedhje.
Policia e Gjakovës tha se stacioni policor në Malishevë po synon ta identifikojë dhe ta kapë një person i cili dyshohet se më 8 janar kreu një vjedhje në një qendër tregtare.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, përkatësisht Stacioni Policor në Malishevë – Sektori i Hetimeve, me autorizim nga Prokurori i Shtetit, dhe në kuadër të zhvillimit të procedurave hetimore, kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin dhe lokalizimin e një personi të dyshuar. Personi i dyshuar dyshohet se më datë 08.01.2026, në një qendër tregtare në Malishevë, ka kryer veprën penale “Vjedhje”, dhe pavarësisht angazhimeve dhe veprimeve të ndërmarra deri më tani, identiteti i tij ende nuk është zbuluar”, thotë Policia.
Me qëllim të rritjes së efikasitetit të procedurës hetimore, Policia i ftoi të gjithë qytetarët që, “nëse kanë ndonjë informacion i cili mund të ndihmojë në identifikimin ose lokalizimin e personit të dyshuar, i cili shihet në fotografinë dhe video-incizimin e bashkangjitur, të kontaktojnë Policinë e Kosovës”.
Kontaktimi me Policinë mund të bëhet përmes “numrit emergjent 192, stacionit policor më të afërt, ose përmes e-mailit zyrtar: info@kosovopolice.com”.
“Policia e Kosovës garanton se të gjitha informacionet e pranuara do të trajtohen me konfidencialitet të plotë dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Policia kërkon ndihmë për kapjen e një personi: Dyshohet se vodhi në një qendër tregtare në Malishevë appeared first on Sinjali.