Reading view

Mot i kthjellët me temperatura deri në 39 gradë Celsius

TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se vendi ynë ditën e enjte ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët, ndërsa vranësira të pakta kalimtare priten përgjatë relieveve malore në lindje-verilindje.

Era do të fryjë me drejtim juglindje-veriperëndim me shpejtësi mesatare 7 m/s, në bregdet në jug, në lugina dhe male era hera-herës do të arrijë shpejtësi deri në 16 m/s, me valëzim në dete të forcës 2-4 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat Siglat
Shkodër 24/37 Diell pak re
Kukës 19/35 Diell
Lezhë 24/36 Diell pak re
Dibër 17/35 Diell
Durrës 21/36 Diell
Tiranë 24/37 Diell
Elbasan 22/38 Diell
Berat 20/38 Diell
Vlorë 23/36 Diell pak re
Korçë 18/35 Diell
Gjirokastër 18/39 Diell
Sarandë 23/37 Diell pak re

/r.e/

The post Mot i kthjellët me temperatura deri në 39 gradë Celsius appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Rrjeti i Grave në Kosovë: Shteti duhet të parandalojë dhunën, jo të reagojë pas tragjedive

PRISHTINË, 26 gusht/ATSH/ Vrasja e një gruaje 25-vjeçare shtatzënë në Malishevë ka rikthyer në vëmendje pyetjet për mënyrën se si institucionet në Kosovë po i parandalojnë rastet e dhunës ndaj grave. Gruaja dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj më 24 gusht.

Nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) thonë për Radion Evropa e Lirë se ky rast po vë në pikëpyetje efektivitetin e mekanizmave shtetërorë që janë ngritur me synimin që të mbrojnë viktimat e dhunës.

Që nga viti 2010 e deri në gusht të vitit 2026, Policia e Kosovës ka regjistruar 62 gra si viktima të vrasjeve brenda familjes.

Pas rastit të fundit, zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka zhvilluar takim me përfaqësues të Policisë së Kosovës, Prokurorisë, Gjykatës dhe Qendrës për Punë Sociale, për të shqyrtuar funksionimin e mekanizmave institucionalë dhe masat që duhet të ndërmerren për parandalimin e rasteve të tilla.

“Parandalimi kërkon vigjilencë, përgjegjësi dhe bashkëpunim të plotë mes institucioneve. Secili duhet të jetë në nivelin e detyrës, të veprojë me kohë dhe të mos lejojë asnjë hallkë e sistemit të dështojë”, ka thënë Gërvalla thuhet në njoftimin më shkrim nga kjo ministri.

Ndërkaq, RrGK-ja ka kërkuar vazhdimisht që shteti të investojë në parandalimin e dhunës dhe jo vetëm të reagojë pasi një grua të jetë sulmuar apo vrarë.

“Gratë po vriten dhe shteti ende nuk po arrin t’i mbrojë ato në mënyrë efektive. Për Rrjetin, këto nuk janë raste të izoluara apo tragjedi individuale. Ato janë tregues të dështimeve sistemike në parandalimin dhe trajtimin e dhunës ndaj grave”, thuhet në përgjigjen e RrGK-së për Radion Evropa e Lirë.

Ky rrjet rikthen në vëmendje edhe rastin e Hamide Magashit, e cila ishte shtatzënë kur u vra nga bashkëshorti i saj, katër vjet më parë, në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe kishte urdhër mbrojtës aktiv, por nuk u mbrojt.

Rasti i saj, sipas RrGK-së, dëshmon se ekzistenca e mekanizmave ligjorë për mbrojtjen e grave nuk është e mjaftueshme nëse ata nuk zbatohen në mënyrë efektive.

“Kjo ngre një pyetje shumë serioze: nëse një grua që ka kërkuar mbrojtje nga shteti dhe ka një urdhër mbrojtës ende mund të vritet, atëherë ku po dështon sistemi?”, thuhet në përgjigjen e RrGK-së.

Rrjeti kërkon zbatim efektiv të urdhrave mbrojtës, vlerësim të detajuar të rrezikut, monitorim të kryesve të dhunës dhe bashkëpunim më të mirë ndërmjet policisë, prokurorisë, gjykatave dhe shërbimeve sociale. Po ashtu, kërkon përgjegjësi institucionale në rastet kur këta mekanizma dështojnë.

Ndërkohë, Gërvalla, e cila është edhe koordinatore Kombëtare kundër Dhunës në Familje, Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës me Bazë Gjinore, ka ritheksuar se institucionet do të kenë zero tolerancë ndaj dhunës, duke e cilësuar mbrojtjen e viktimave si përgjegjësi të drejtpërdrejtë të shtetit

“Mbrojtja e jetës dhe sigurisë së çdo gruaje dhe çdo qytetari është përgjegjësi e padiskutueshme institucionale”, ka thënë ajo.

Më 2020, Kosova e ka miratuar Konventën e Stambollit të hartuar nga Këshilli i Evropës, duke e bërë pjesë të Kushtetutës së vendit. Ky instrument obligues detyron shtetet që ta luftojnë dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje.

Në bazë të konventës, parashihet që shteti të mbrojë viktimat duke u ofruar strehimore, të ndjekë penalisht dhunën ndaj grave, të gjitha institucionet shtetërore të bashkëpunojnë dhe të ketë mekanizma që monitorojnë nëse konventa zbatohet. /rel/

The post Rrjeti i Grave në Kosovë: Shteti duhet të parandalojë dhunën, jo të reagojë pas tragjedive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Aleanca dorëzon kallëzim penal për 17 vendime të Qeverisë në detyrë të Kosovës

PRISHTINË, 26 gusht/ATSH/ Subjekti politik, Aleanca ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj Qeverisë në detyrë të Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, për 17 vendime që ka marrë në mbledhjen e 12 gushtit.

Sipas deputetit të zgjedhur nga kjo parti, Besnik Tahiri, këto vendime janë në kundërshtim me ligjin dhe rregulloret qeveritare.

“Qeveria në detyrë nuk guxon në asnjë moment të shkelë ligjin që vetë e ka miratuar, Ligjin për Qeveri, në ligj të cilin kemi punuar edhe ne për të qenë, për shkak se është ekskluzivisht e thënë në qartë se kjo qeveri i ka kompetencat dhe detyrime të kufizuara”, tha Tahiri në deklarimin për media para ndërtesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, në Prishtinë.

Çfarë vendime kishte marrë më 12 gusht Qeveria në detyrë e Kosovës?

Në mbledhjen e 12 gushtit, ekzekutivi në detyrë kishte marrë gjithsej 24 vendime, ndër to ishin qiradhënia e parcelave në Cërnillë të Ferizajt, deri më 18 dhjetor 2033, vendimi për nxjerrjen dhe shfrytëzimin e gurit gëlqeror, ai për emërimin e komisioneve të pranimit për pozitat e drejtorëve ekzekutivë në Agjencinë Qendrore të Prokurimit, në Thesarin e Kosovës dhe në Agjencinë Kosovare për Standardizim.

Po ashtu disa vendime që lidhen me procedura të shpronësimit dhe prona publike, për themelimin e Komisionit Kombëtar për Refugjatë, vendimi për ndarjen e 100 mijë eurove për DokuFest-in dhe vendime e emërime të tjera për komisione të pranimit në pozita të larta drejtuese.

Në kallëzimin penal, Aleanca tha se ka përmendur edhe çështjen që, sipas saj, disa deputetë të zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje po bëjnë shkelje duke vazhduar funksione ekzekutive si ministra.

“Nuk mundesh të shkosh paradite në seancë e të betohesh si deputet, të votosh si deputet dhe pastaj prej aty të vazhdosh në Qeveri dhe të ushtrosh detyra ekzekutive si ministër në detyrë”.

Kurti, së bashku me disa ministra në detyrë, janë betuar si deputetë të legjislaturës së 11-të më 6 gusht.

Më 15 korrik 2025 Gjykata Supreme e Kosovës kishte shpallur të të paligjshëm dhe e kishte shfuqizuar një udhëzim administrativ të nxjerrë nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

Atë kohë kjo gjykatë kishte thënë se nxjerrja e akteve nënligjore apo udhëzimeve administrative nga ministrat që janë deputetë është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese, duke nxitur kundërshtim të ashpër nga Qeveria në detyrë.

“Qeveria në dorëheqje është e autorizuar të kryejë vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara në Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe në ligjin vjetor për buxhetin, duke përjashtuar miratimin e akteve nënligjore normative të reja”, kishte thënë Supremja.

Që nga zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, ekzekutivi kosovar është në detyrë. Që atëherë, qeveria ka ndërmarrë mbi 70 vendime.

Përfaqësuesit e subjekteve të tjera politike, por edhe ata të shoqërisë civile i kanë vlerësuar këto vendime si në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin për Qeverinë.

Sipas tyre, një qeveri në detyrë duhet të kufizohet në aktivitetet e domosdoshme dhe në zbatimin e agjendës së planifikuar më herët.

Liridon Salihi nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike (GLPS) ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se Qeveria në detyrë mund të emërojë kandidatë në pozita publike vetëm nëse procedurat për plotësimin e këtyre pozitave janë iniciuar në kohën kur Qeveria ka qenë me mandat të plotë.

Vendime të kundërligjshme i kanë cilësuar edhe nga Instituti i Kosovës për Drejtësinë, që kanë argumentuar se vendimet e ekzekutivit bien ndesh me Ligjin për Qeverinë.

Gzim Shala nga ky institut ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ligji ndalon inicimin e procedurave të reja për emërime në pozita publike dhe marrjen e vendimeve që nuk janë të domosdoshme – siç është dhënia me qira e pronave.

“Kjo situatë cenon parimet e sundimit të ligjit, sepse kemi të bëjmë me një situatë të qartë, që është e kundërligjshme dhe është kundërkushtetuese, dhe prapë vazhdon”, ka argumentuar ai.

Megjithatë, një këshilltare ligjore e Kurtit ka shkruar më herët në rrjetet sociale se Ligji për Qeverinë, ndonëse vendos kufij në veprimin e Qeverisë, nuk e bën ekzekutivin një “organ nominal, pa funksion dhe pa përgjegjësi”.

“Kufizimi i kompetencave nuk është pezullim i ekzekutivit”, ka shkruar më 19 gusht, Tea Blakaj Hoxha.

Ligji për Qeverinë përcakton se një qeveri në detyrë ka kompetenca të kufizuara, që nuk mund t’i tejkalojë. Aty, në mënyrë të qartë ndalohet marrja e vendimeve të rëndësishme.

Sipas këtij ligji, një qeveri në detyrë mund t’i zbatojë vetëm aktivitetet e domosdoshme, të planifikuara në planin vjetor dhe në Ligjin për Buxhetin.

Asaj nuk i lejohet të miratojë iniciativa për nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që kërkojnë ratifikim nga Kuvendi, e as të miratojë projektligje, ndryshime kushtetuese, strategji apo dokumente konceptuale.

Ligji thotë, po ashtu, se një qeveri në detyrë nuk mund të nisë procedura të reja për emërime në funksione publike, e as të propozojë kandidatë për pozita që kërkojnë miratimin e Kuvendit.

Kallëzimi penal i dorëzuar nga Aleanca vjen në kohën kur Kosova ende nuk ka arritur të përmbyllë konstituimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit.

Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese e zgjedhjeve nuk ka dhënë emrin e kryeparlamentarit, që do të hapte rrugë për konstituimin e Kuvendit. Kjo parti ka insistuar që fillimisht të ketë një marrëveshje për çështjen e presidentit të ri dhe më pas të mund të vazhdohet me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. /rel/

The post Aleanca dorëzon kallëzim penal për 17 vendime të Qeverisë në detyrë të Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Mot i kthjellët me temperatura të larta, reshje afatshkurtra shiu në male

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Shërbimi Ushtarak Meteorologjik bëri të ditur se vendi ynë ditën e mërkurë pritet të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët në një pjesë të madhe të territorit si dhe vranësira të pakta deri mesatare kalimtare të përqendruara kryesisht në relievet kodrinore-malore në lindje.

Në orët e mesditës deri ato të pasdites vranësirat në relievet kodrinore-malore në lindje do të shoqërohen me reshje shiu afatshkurtra dhe të dobëta.

Era parashikohet të fryjë me drejtim jugperëndim-veriperëndim me shpejtësi mesatare 7 m/s, përgjatë vijës bregdetare e zonat luginore era hera-herës do të arrijë shpejtësi deri në 16 m/s, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 2-4 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat Siglat
Shkodër 24/35 Diell
Kukës 19/34 Diell re shi
Lezhë 24/36 Diell
Dibër 20/35 Diell re shi
Durrës 24/36 Diell
Tiranë 26/37 Diell
Elbasan 25/37 Diell
Berat 20/37 Diell
Vlorë 24/34 Diell
Korçë 18/34 Diell re
Gjirokastër 19/37 Diell re
Sarandë 25/35 Diell

/r.e/

The post Mot i kthjellët me temperatura të larta, reshje afatshkurtra shiu në male appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Rriten temperaturat, deri në 39 gradë Celsius në Berat, Tiranë e Gjirokastër

TIRANË, 25 gusht/ATSH/ Shërbimi Ushtarak Meteorologjik bëri të ditur se vendi ynë ditën e martë pritet të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet me kthjellime me alternime kthjellimesh dhe vranësira mesatare përgjatë relieveve malore në lindje.

Era me drejtim jugperëndim jug me shpejtësi 7 m/s, përgjatë vijës bregdetare kryesisht atë jugperëndimore e zonat luginore era hera-herës do të arrijë shpejtësi deri në 14 m/s, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 1-3 ballë.

/r.e/

The post Rriten temperaturat, deri në 39 gradë Celsius në Berat, Tiranë e Gjirokastër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Situatë e përmirësuar nga zjarret, gjashtë vatra mbeten aktive

TIRANË, 24 gusht/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes informoi gjatë mbrëmjes së sotme se deri në orën 20:00, situata e zjarreve paraqitet e përmirësuar dhe pa rrezik për zonat e banuara.

Janë raportuar 26 vatra zjarri, nga të cilat 6 mbeten aktive, 6 janë nën mbikëqyrje dhe 14 janë shuar. Në operacionet e ditës janë angazhuar 311 forca operacionale dhe 16 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 70 efektivë, 1 automjet zjarrfikës, 1 ekskavator të rëndë dhe 3 helikopterë.

Në Pukë, situata në zonën e Tërbunit–Gojanit–Gjegjanit është përmirësuar ndjeshëm. Zjarri është shuar plotësisht në Gjegjan, Gojan të Vogël dhe Gojan të Madh, ndërsa vatra në Prozhëm vijon me intensitet shumë të ulët dhe është drejt shuarjes. Në operacion janë angazhuar forca të MZSH-së, shërbimit pyjor, strukturave vendore, vullnetarë dhe 40 efektivë të FA-së, me mbështetje nga toka dhe ajri.

Në Gojdan (Fushë-Arrëz) vijon puna për izolimin dhe shuarjen e një vatre në sipërfaqe pyjore, me angazhim të strukturave vendore, MZSH-së, Policisë, vullnetarëve dhe 1 helikopteri të FA-së. Nuk ka rrezik për banesat.

Në Dajt vatrat vijojnë aktive në terren të vështirë, por pa rrezik për zonat e banuara. Gjatë ditës janë angazhuar 30 efektivë të FA-së dhe 30 zjarrfikës, të mbështetur edhe nga 1 helikopter i FA-së.

Vatra aktive raportohen gjithashtu në Ballenjë dhe Qafën e Helmës në Dibër, si dhe në malin e Luzatit në Tepelenë, ndërsa një sërë vatrash të tjera në Lezhë, Elbasan dhe Vlorë janë shuar.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

/r.e/

The post Situatë e përmirësuar nga zjarret, gjashtë vatra mbeten aktive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Hendeku tregtar thellohet, Kosova me mbi 615 milionë euro deficit vetëm në korrik

PRISHTINË, 24 gusht/ATSH/ Vetëm gjatë muajit korrik të këtij viti, Kosova importoi mallra në vlerë prej mbi 720 milionë euro, ndërsa eksporti arriti vetëm 104 milionë euro, duke e çuar deficitin tregtar në mbi 615 milionë euro. Pavarësisht rritjes së lehtë të eksporteve në korrik, hendeku tregtar i Kosovës vazhdon të thellohet.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 6,8 % në muajin korrik 2026, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2025, gjegjësisht në vlerë prej 615,7 milion euro, krahasuar me deficitin prej 576,4 milion euro në vitin 2025. Ndërkaq, eksporti mbulon importin me 14.5 për qind.

“Eksporti i mallrave në muajin korrik 2026 kishte vlerën 104,8 milion euro, ndërsa importi 720,5 milion euro, që është një rritje prej 25,0% për eksport, si dhe një rritje prej 9,1% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025”, thuhet në raportin e ASK-së.

ASK tha se sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 27,8% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12,7% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10,1% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 9,5% e përbëjnë produktet minerale, 7,1% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; etj.

Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 15,7% e përbëjnë produktet minerale, 13,3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 12,4% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 11,5% e përbëjnë mjetet e transportit, 9,4% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së

Sipas ASK-së, eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 31,5 milion Euro, ose rreth 30,1 % e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 9,6 %. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania 9,6 %, Italia 3,1%, Holanda 2,9 %, etj.

Ndërsa, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 303,4 milion Euro, ose 42,1% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 7,2 %. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (12,8 %), Italia (5,9 %), Polonia (4,0 %), etj.

Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s

ASK njofton se eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 50,3 milion Euro, ose 48,0% të eksporteve  të përgjithshme, me një rritje prej 27,4 %. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut (16,9%), Shqipëria (16,7%), Serbia (6,7%), Mali i Zi (5,1%), etj.

Ndërkaq, importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 88,8 milion Euro, ose 12,3 % të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 11,5 %. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (4,9%), Shqipëria (3,3%), Serbia (3,0%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 23,0 milion Euro, ose 21,9 %. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (7,8%) dhe Turqia (4,3%).

Importet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 328,2 milion Euro, ose 45,6%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (13,5%) dhe Kina (13,3%). /Kosovapress/

The post Hendeku tregtar thellohet, Kosova me mbi 615 milionë euro deficit vetëm në korrik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Mot i kthjellët, temperaturat vijojnë deri në 38 gradë Celsius

TIRANË, 24 gusht/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se vendi ynë ditën e hënë pritet të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet me kthjellime, dhe alternime vranësirash në zonën lindore në mesditë deri pasdite.

Vranësirat do të pasohen me reshje të dobëta shiu vetëm në relievet malore në lindje e jug, ndërsa pjesa tjetër e territorit pa reshje.

Era do të fryjë drejtim kryesor jugperëndim –verilindje me shpejtësi deri 8m/s, dhe valëzim në dete të forcës 1-3 ballë.

The post Mot i kthjellët, temperaturat vijojnë deri në 38 gradë Celsius appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Qarkullonte me pistoletë, arrestohet 32-vjeçari në Tiranë

TIRANË, 23 gusht/ATSH/ Policia finalizoi operacionin “Last Gun” duke goditur një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje.

Qarkullonte me automjet, i armatosur me pistoletë, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 32-vjeçari, ndërsa u sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë, municion, 1 automjet, 2 aparate celularë dhe 15 800 euro.
Në vijim të punës për goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas qarkullonte me automjet dhe dyshohej se mbante armë zjarri, organizuan dhe finalizuan operacionin “Last Gun”.
Në kuadër të cilit në rrugën “Collakët”, shërbimet e Policisë lokalizuan dhe ndaluan automjetin tip “Citroen DS3”, me të cilin qarkullonte shtetasi R. V., 32 vjeç. Gjatë kontrollit të automjetit, iu gjet dhe sekuestrua një armë zjarri pistoletë së bashku me municion.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, 2 aparate celularë dhe shuma prej 15 800 eurosh.
Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi R. V. u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

The post Qarkullonte me pistoletë, arrestohet 32-vjeçari në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Aleanca hedh qymyr para qeverisë, Ramadani: Kurti po e çon Kosovën në terr politik

PRISHTINË, 23 gusht/ATSH/ Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, bashkë me anëtarë të kësaj partie kanë zhvilluar një aksion simbolik ku para derës së Qeverisë së Kosovës kanë hedhur disa thasë me qymyr.

Ramadani tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me partinë e tij gjatë këtyre 6-7 viteve të fundit Kosovën nga një terr energjetik që e kanë mbajtur, po kalojnë në terr politik.

“Duam ta dërgojmë mesazhin se me Kurtin dhe Vetëvendosjen gjatë këtyre 6-7 viteve të fundit, Kosova nga një terr energjetik që e kanë mbajtur, po kalon në terr politik. Ajo që e kemi tepër të qartë është se mesazhi dhe simbolika e qymyrit të Kosovës është se Kosova edhe më tutje po fle mbi qymyr, por rryma nuk prodhohet këtu dhe një prej pikave kryesore të ofertës gjashtë pikëshe të Aleancës lidhet me termocentralin e ri të Kosovës që duhet të bëhet. Është e qartë që gjatë këtyre viteve, rreth 1 miliard euro janë blerë rrymë në Serbi e në vende të tjera, e prej kësaj ka fituar vetëm mafia energjetike. Në kohët e fundit po shohim se punëtorët të cilët e humbin jetën duke e nxjerr këtë qymyr për popullin e Kosovës, nuk ka përgjegjësi as politike as menaxheriale”, tha Ramadani, raporton KosovaPress.

Tutje, ai paralajmëroi se aktivitete të tilla të Aleancës do të vazhdojnë dhe do të rriten në numër.

Javën e kaluar Kosova ka nënshkruar një marrëveshje për t’i shitur qymyr Maqedonisë së Veriut, gjë për të cilën Kurti mori kritika nga partitë ish-opozitare.

/Kosovapress/

The post Aleanca hedh qymyr para qeverisë, Ramadani: Kurti po e çon Kosovën në terr politik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Ura e Bratit, plazh mes peizazheve mahnitëse të lumit të Vlorës

TIRANË, 23 gusht/ATSH/ Në zemër të luginës së Shushicës, Ura e Bratit (Bratajt) po zbulohet dita-ditës nga vizitorët që zgjedhin një ditë pushimi ndryshe, as në det e as në mal.

Nga rruga e re e Lumit të Vlorës, një aks panoramik që ofron pamje nga pothuajse të gjithë fshatrat që ndodhen përgjatë lumit, zbritja përposhtë kërkon vetëm dhjetë minuta në këmbë dhe ndodhesh në luginën e Shushicës, në zall me gurë të bardhë dhe rrjedhë uji të pastër e herë-herë edhe të vrullshëm.

Ecja përgjatë shtratit të lumit me destinacion Urën e Bratit është shpërblyese, mes ujit të freskët që rrjedh dhe panoramave mahnitëse të maleve që ngrihen gjigante ngado të kthesh kokën.

Lugina e Shushicës rrethohet në perëndim nga vargmali i Çikës dhe në lindje nga vargmali Kudhës-Gribë. Në pjesën më jugore, lugina ngushtohet dhe mbyllet nga Malësia e Lungarës dhe Mali i Çikës, duke krijuar një reliev të thyer dhe mjaft piktoresk ku buron edhe vetë lumi Shushicë. Burimet e lumit pranë fshatit Kuç dhe kanioni janë për t’u rrëfyer në një tjetër aventurë.

Fillimisht ndalojmë në Kotë, qendra administrative e disa fshatrave. Në një dyqan pranë rrugës duam të blejmë ujë dhe përfundojmë duke blerë revani, ëmbëlsirë tipike e zonës me sheqer të djegur përsipër, që duket e parezistueshme. Era e mishit të pjekur të fton të ndërrosh destinacion dhe të ndjekësh makinat që marrin disa qengja në hell për t’i çuar në festën e fshatit Vajzë. I rezistojmë tundimit, blejmë dhe rigon të mbledhur nga malet e nisemi.

Për të zbritur në luginë ka disa pika nga rruga kryesore, për ata që duan të shijojnë edhe ecjen, ndërsa për ata që duan vetëm plazhin tashmë bashkia e Vlorës po investon ndërtimin e shkallëve që lidhin rrugën me urën.

Ndërkohë, ne zgjodhëm ecjen në lumë dhe përgjatë 40 minutave u kuturisëm mes ujërave të freskët, zhavorrit të bardhë, bimësisë në vendet ku lumi është tkurrur, shkëmbinjve me forma të shumëllojshme e gjallesave ujore që kishin gjetur oazet e tyre.

Sapo lumi merr një kthesë të fortë, Ura e Bratit del mbizotëruese mbi luginë, ndërsa poshtë saj lumi është më i gjerë, më i vrullshëm dhe krijon vende ideale për t’u larë e notuar.

Shumë njerëz kishin zgjedhur të kalonin ditën pranë ujërave të Shushicës, në këtë vend të magjishëm mes lumit dhe maleve.

Vendas, të ardhur nga Tirana dhe shumë turistë të huaj shijonin freskinë e lumit tek Ura e Bratit, monument i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore.

Rreth 48 km në lindje të qytetit të Vlorës, në zemër të luginës së Shushicës, ura besohet se është ndërtuar rreth shekullit XVI (periudha e mesme osmane). Të dhënat e kohës tregojnë se ka shërbyer si nyjë lidhëse e rrugëve të karvaneve që lidhnin fshatrat e Lumit të Vlorës me bregdetin, funksion që e ka edhe sot për ata që preferojnë të rijetojnë historinë duke përshkuar rrugë historike.

Arkitektura e urës është mbresëlënëse, me një hark të lartë ndërtuar në gur, dëshmi e mjeshtërisë për të përballuar prurjet e lumit Shushicë.

Ura e Bratit ose e Bratajt (sipas fshatit ku ndodhet) mban statusin “Monument kulture i kategorisë së parë” që në vitin 1948.

Dikur e panjohur për vizitorët që i drejtoheshin Vlorës për bregdetin, me mbarimin e rrugës së Lumit të Vlorës, pjesa e kësaj ure tashmë ka nisur të frekuentohet për plazh dhe eksplorim.

Përfundimi i rrugës e ka shkurtuar distancën nga Vlora në vetëm 35–40 minuta, për më tepër që tashmë aksi vijon deri në Qeparo, duke krijuar itinerar të plotë ditor për t’u njohur me historinë dhe traditat e disa fshatrave historikë të zonës.

Duke nisur nga Drashovica, përgjatë rrugës mund të vizitohen Lepenica, Vranishti, Tërbaçi, Kuçi e të arrish shumë lehtë në Qeparo.

Kuçi, i pozicionuar në fundin e luginës, është fshati më i madh dhe më i njohur i zonës, me histori luftërash e që ruan me shumë fanatizëm traditat labe.

Fshati Brataj, ku ndodhet ura shekullore, shtrihet në një zonë ku lugina fillon e hapet. Tërbaçi është një fshat me shtëpi të gurta tipike të zonës së Labërisë, i rrethuar nga male të thepisura.

Ndërkaq, pas freskisë së lumit, nis ngjitja për në rrugën kryesore, përmes një shtegu të hapur enkas. Ndërsa ecën mbi gurët e Urës së Bratit, lugina nga të dyja anët ofron pamje të hapura dhe mahnitëse me majat e maleve në largësi dhe ngjyrat e lumit dhe gurit që shkrihen në një nën diell.

Mund të imagjinosh karvanet që kanë kaluar aty ndër shekuj, historitë e njerëzve në kohë të ndryshme e të përjetosh ndjesinë e përkohshmërisë përballë këtyre gurëve që kanë njohur breza me radhë.

Sapo kalon urën nisin disa nivele me shkallë po guri, por jo të vjetra. Janë investimi i ri i bashkisë së Selenicës për ta bërë zonën më të aksesueshme për vizitorët. Punimet nuk kanë përfunduar ende.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka kërkuar që shkallët dhe strukturat ndihmëse të vishen me gurë natyrorë të zonës dhe të integrohen sa më mirë me peizazhin, duke respektuar teknikën e vjetër të kalldrëmit që të mos dëmtohet vizualisht silueta e urës.

Ka shqetësime se ndërhyrja në zonë do të rrezikonte urën pasi do të rriste frekuentimin e zonës, ndërsa shkallët i çojnë direkt vizitorët në urë, çka mund të sillte rrezik për stabilitetin e monumentit mbi 500-vjeçar.

Ndërsa del sërish në rrugë, ndalesa në një prej lokaleve të thjeshta që kanë “mbirë” aty për shkak të rritjes së numrit të vizitorëve në zonë, është e domosdoshme. Jo vetëm për t’u freskuar, por edhe për të shijuar pamjen nga lart të luginës së Shushicës, si moment memorizimi të një dite të shkëlqyer mes natyrës, historisë dhe traditës.

Ura e Bratit mbi lumin Shushicë, foto: ATSH
1 nga 26

/r.e/

The post Ura e Bratit, plazh mes peizazheve mahnitëse të lumit të Vlorës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Qeparoi, atmosferë pushimesh mesdhetare mes plazheve të qeta dhe peizazheve piktoreske

TIRANË, 22 gusht/ATSH/ Verës po i vjen fundi por plazhet janë ende plot me pushues që kanë zgjedhur fundin e gushtit për të kaluar ditë qetësie përpara se të nisin shtatorin e vrullshëm. Plazhi i Qeparoit, midis Borshit dhe Porto Palermos, ofron gjithçka që duhet për pushime të qeta e plot gjallëri në të njëjtën kohë.

Plazhi piktoresk me detin e kaltër dhe majat e maleve përreth, me fshatrat që duken nga larg në shpate, me infrastrukturën e hoteleve, shtëpive pritëse, lokaleve e restoranteve buzë detit përgjatë një shëtitoreje të këndshme ka tërhequr edhe këtë verë plot pushues.

Ujërat kristal që vende-vende janë të ftohta nga burimet e shumta që derdhen në det përgjatë plazhit, kombinuar me bregun me guralecë që shndërrohet në rërë të imët pak më në thellësi, janë ftesë e bukur për ditët e nxehta. Por, ndërkaq, plazhi dhe qyteza e pushimeve e ngritur mbi të, ka edhe mjaft tërheqje të tjera.

Në pjesën e fundit të plazhit ka disa gjire të vogla shumë të bukura tek të cilët mund të notosh ose të zbresësh përmes shkëmbinjve. Shtëpitë e ngritura mbi shpat, hotelet dhe mjediset e tjera të pushimit të gjitha të bardha kontrastojnë me të gjelbrën e ullinjve të shumtë, të verdhën e fiqve të detit, kaltërsinë e ujërave dhe majat e zverdhura nga vera të maleve përreth.

Gjiri i Këndesave, siç e njohin vendasit, ofron vende të përshtatshme për pushime private, me plazhe të vegjël rrethuar nga shkëmbinjtë.

Shtëtitorja buzë detit ofron gjithçka për pushime relaksuese ndërsa pushuesit mund të lënë plazhin për të ngrënë drekën apo për të pirë një kafe vetëm disa hapa larg. Plazhi është goxha i madh në krahasim me gjiret e tjera të Rivierës, ndërsa më poshtë dallohet vija bregdetare e Borshit, plazhi më i madh i zonës.

Kalaja e Porto Palermos, shumë afër Qeparoit, fshati i vjetër me shtëpitë e bardha njëra pas tjetrës me zbritje në det dhe plazhet e afërta krijojnë mundësi për aktivitete të shumta kulturore dhe eksploruese përtej detit.

Më pak i zhurmshëm se plazhet e mëdha fqinje, ideal për familjarë dhe pushues që kërkojnë relaks, Qeparoi ka pritur këtë verë më mijëra pushues, vendas dhe të huaj.

Shëtitorja e Qeparoit, e përfunduar në vitin 2015, e ka shndërruar gjirin në qytezë të vërtetë pushimesh ndërsa investimet kanë vijuar për të rritur standardet e saj si një zonë pedonale mesdhetare.

Pasditeve ndërsa dielli nis të varet mbi det, shëtitorja merr ngjyra të tjera dhe gjallëri sikundër edhe fshati më sipër ku dyqanet, supermarketet, furrat e bukës, pastiçeritë apo shërbimet e tjera mbushen me njerëz. Të gjithë pasi kanë pushuar zbresin sërish në det për të kaluar mbrëmjet e ngrohta verore.

Plazhi i Qeparoit, foto: ATSH
1 nga 21

/r.e/

The post Qeparoi, atmosferë pushimesh mesdhetare mes plazheve të qeta dhe peizazheve piktoreske appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Muzeu Kombëtar i Lundrimit, rrëfenjë për lidhjen e hershme të Shkodrës me liqenin

TIRANË, 21 gusht/ATSH/ Muzeu Kombëtar i Lundrimit po merr formë në hyrje të Shkodrës si një hapësirë që do të rrëfejë historinë dhe lidhjen e hershme të qytetit me liqenin, lumenjtë dhe lundrimin.

Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale pamje nga puna që po kryhet për realizimin e kësaj vepre që i shtohet ofertës kulturore e turistike të Shkodrës, ndërsa zona përjeton rritje të flukseve turistike.

Muzeu Kombëtar i Lundrimit është pjesë e një pakete të plotë ndërhyrjesh që po realizohen në Shkodër, duke synuar rritjen e potencialit turistik.

Shkodra e ka të lidhur fort imazhin me atë të liqenit dhe një muze lundrimi i shkon tamam përshtat hovit turistik që po përjeton kryeqendra e veriut.

Ky muze pritet të shndërrohet në një destinacion të ri kulturor e turistik për qytetarët dhe vizitorët.

Ai  formohet nga dy volume të vendosura njëra mbi tjetrën, një volum në formë kodre në pjesën e poshtme dhe një “varkë pluskuese” në pjesën e sipërme.

Muzeu do të ketë një ekspozitë të përhershme, një kënd për fëmijë, një laborator për rikrijimin e varkave dhe një dhomë edukative.

Projekti me vlerë 2,4 milionë euro është financim i Bashkimit Evropian përmes Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

The post Muzeu Kombëtar i Lundrimit, rrëfenjë për lidhjen e hershme të Shkodrës me liqenin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Mot i kthjellët me temperatura deri në 37 gradë Celsius

TIRANË, 21 gusht/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se vendi ynë ditën e premte pritet të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët, por nuk do të mungojnë alternime vranësirash të pakta deri mesatare dhe kalimtare.

Era do të fryjë me drejtim kryesor veriperëndim-juglindje, me shpejtësi mesatare 6 m/s, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat Siglat
Shkodër 23/37 Diell
Kukës 20/37 Diell re
Lezhë 21/36 Diell
Dibër 18/37 Diell re
Durrës 22/36 Diell
Tiranë 24/37 Diell
Elbasan 24/37 Diell
Berat 20/37 Diell
Vlorë 24/35 Diell
Korçë 19/34 Diell re
Gjirokastër 19/37 Diell re
Sarandë 24/35 Diell

/r.e/

The post Mot i kthjellët me temperatura deri në 37 gradë Celsius appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

SHBA-ja rithekson thirrjen për formimin e institucioneve në Kosovë

PRISHTINË, 20 gusht/ATSH/ Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ritheksuar thirrjen ndaj udhëheqësve politikë të Kosovës që të bashkëpunojnë për formimin e institucioneve, në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se udhëheqësit politikë duhet të punojnë së bashku për tejkalimin e ngërçit institucional.

“Ky ngërç i vazhdueshëm politik po rezulton në mundësi të humbura për Kosovën. Është koha që udhëheqësit t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit, në të mirë të të gjithë qytetarëve”, tha zëdhënësi.

Kjo është thirrja e dytë e ngjashme e bërë nga pala amerikane brenda pak kohësh, pasi kërkesë të ngjashme për bashkëpunim kishte shprehur edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë më 12 gusht.

Thirrja e re amerikane vjen në kohën kur Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

Seanca konstituive e legjislaturës së re nisi më 6 gusht. Deputetët bënë betimin, por procesi nuk kaloi në fazën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.

Albin Kurti, në cilësinë e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, kërkoi kohë shtesë për konsultime me partitë, duke thënë se ende nuk kishte marrëveshje për formimin e institucioneve. Seanca u ndërpre dhe u caktua të vazhdonte më 8 gusht.

Edhe në vazhdimin e 8 gushtit nuk pati kandidaturë për kryetar të Kuvendit. Kurti kërkoi sërish kohë shtesë për konsultime me partitë, por pas kësaj deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të tij. Pas këtij incidenti kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërpreu punimet.

Që atëherë, procesi ka mbetur i bllokuar. Dehari ka thënë se seanca e radhës do të thirret kur partitë të arrijnë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës, duke argumentuar se pa një marrëveshje politike nuk ka kuptim që seanca të mbahet vetëm si formalitet.

Ndërkohë, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje politike, më 18 gusht Kurti u takua me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, me fokus te zgjedhja e presidentit të ardhshëm; pas takimit, të dy thanë se kishte vullnet për të gjetur një zgjidhje, ndërsa u pajtuan që në takimin e radhës të shqyrtojnë emra konkretë për president.

PDK-ja dhe Aleanca, në anën tjetër, kanë kërkuar që seanca të vazhdojë pa pritur një marrëveshje politike. Më 12 gusht, deputetë të këtyre dy partive u mblodhën në sallën e Kuvendit duke kërkuar nga Dehari që ta thërrasë vazhdimin e seancës, ndërsa pati edhe përplasje me deputetë të LVV-së.

Përveç SHBA-së, edhe Bashkimi Evropian u ka bërë më herët thirrje partive politike që të gjejnë sa më shpejt një zgjidhje për krizën institucionale. BE-ja ka paralajmëruar se ngërçi politik dhe vonesat në zbatimin e reformave mund ta kufizojnë aftësinë e Kosovës për të përfituar nga mbështetja evropiane.

Në kuadër të Planit të Rritjes, Kosovës i janë vënë në dispozicion 882.6 milionë euro në grante dhe kredi të favorshme deri në fund të vitit 2027, ndërsa pagesat lidhen me përmbushjen e hapave të përcaktuar në Agjendën e Reformave.

Komisioni Evropian ka përcaktuar 111 hapa reformues për Kosovën. Për 13 prej tyre, me vlerë të përbashkët prej 90.8 milionë eurosh, afati i parë përmbushës ishte 30 qershori 2026, ndërsa 27 hapa të tjerë, me vlerë prej 165.9 milionë eurosh, kanë afat deri në fund të dhjetorit.

Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vlerësuar se ngërçi i zgjatur politik ka kufizuar përparimin e Kosovës në zbatimin e agjendës së reformave të Planit të Rritjes dhe qasjen në financime të jashtme. /rel/

The post SHBA-ja rithekson thirrjen për formimin e institucioneve në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Deputetët e PDK-së dhe Aleancës mblidhet sërish para Qeverisë me kërkesën për vijimin e seancës konstituive të Kuvendit

PRISHTINË, 20 gusht/ATSH/ Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës janë mbledhur edhe sot para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke vazhduar aksionin e nisur ditëve të fundit. Aksionit u janë bashkuar edhe deputetë të Aleancës, ndërsa pjesë e tij janë bërë edhe asamblistë të PDK-së dhe drejtorë nga Komuna e Vushtrrisë.

Aktiviteti i PDK-së u zhvillua në hyrje të ndërtesës së Qeverisë, ku deputetët po kërkojnë që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të shkojë në Kuvend dhe të vazhdojë procesi i konstituimit të tij.

PDK-ja prej disa ditësh po qëndron në hyrje të objektit të Qeverisë duke kundërshtuar vazhdimin e ushtrimit të detyrës nga Kurti dhe duke kërkuar funksionalizimin e institucioneve.

Aktiviteti i sotëm vjen në një ditë kur PDK-ja ka kërkuar edhe vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, duke i bërë thirrje kryesuesit Avni Dehari që seanca të mbahet sot në orën 11:00. /Kosovapress/

The post Deputetët e PDK-së dhe Aleancës mblidhet sërish para Qeverisë me kërkesën për vijimin e seancës konstituive të Kuvendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Mot i kthjellët, rriten sërish temperaturat

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se vendi ynë ditën e enjte do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin si dhe vranësira të pakta deri mesatare kalimtare nga orët e mesditës deri ato të pasdites në relievet malore në lindje. Vranësirat në lindje të vendit do të shoqërohen me reshje shiu të izoluara, afatshkurtra dhe në formën e pikave në mesditë deri pasdite.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim-jugperëndim me shpejtësi mesatare 5 m/s. Përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era fiton shpejtësi deri në 12 m/s, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 1-3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat Siglat
Shkodër 23/36 Diell
Kukës 18/36 Diell re
Lezhë 22/35 Diell
Dibër 16/36 Diell re
Durrës 24/35 Diell
Tiranë 24/36 Diell
Elbasan 23/37 Diell pak re
Berat 22/37 Diell
Vlorë 24/34 Diell
Korçë 17/34 Diell re
Gjirokastër 18/37 Diell pak re
Sarandë 24/35 Diell

/r.e/

The post Mot i kthjellët, rriten sërish temperaturat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Shtetasi iranian kërkon azil në Kosovë

PRISHTINË, 19 gusht/ATSH/ Një shtetas iranian ka kërkuar azil në Kosovë, pasi është ndaluar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, gjatë kontrollit më 18 gusht, i dyshuari kishte paraqitur një pasaportë të lëshuar nga Belgjika.

Gjatë intervistimit, ai e kishte pranuar se dokumenti nuk ishte i tij dhe kishte deklaruar se ishte shtetas iranian, pa dokumente personale me vete.

Ai u kishte thënë autoriteteve se ndihej i kërcënuar në Iran.

Drejtori i Qendrës për Azil, Fitim Zariqi, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se shtetasi iranian e ka dorëzuar kërkesën për azil.

“Ka parashtruar kërkesë për azil edhe shqyrtohet kërkesa prej Ministrisë së Punëve të Brendshme”, tha Zariqi.

Sipas tij, shqyrtimi i kërkesës mund të zgjasë deri në gjashtë muaj, me mundësi vazhdimi edhe për tre muaj të tjerë.

“Po zakonisht nuk zgjat më shumë se mesatarisht dy muaj e gjysmë, apo tre”, tha ai.

Për momentin, nuk dihet se nga cili vend kishte udhëtuar shtetasi iranian drejt Kosovës.

Radio Evropa e Lirë është në pritje të përgjigjeve nga Policia e Kosovës për rrethanat e udhëtimit, statusin e rastit dhe nëse ai po ndiqet penalisht. /REL/

The post Shtetasi iranian kërkon azil në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Haxhiu takon ambasadorin britanik, diskutohet nevoja e dialogut politik

PRISHTINË, 19 gusht/ATSH/ Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves në zyrën e saj.

Siç ka bërë të ditur Zyra e Presidencës, Haxhiu dhe Hargeaves biseduan për zhvillimet e fundit politike në vend si dhe situatën institucionale.

“Në takim u diskutua për nevojën e dialogut politik dhe për përpjekjet për të gjetur një rrugëdalje nga ngërçi aktual institucional, me qëllim që institucionet të formohen sa më parë dhe vendi të ecë përpara në përputhje me rendin kushtetues”, thuhet në njoftim.

Haxhiu vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën dhe rolin e saj si partner i rëndësishëm i vendit tonë.

/Kosovapress/

The post Haxhiu takon ambasadorin britanik, diskutohet nevoja e dialogut politik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

KE për hapjen e urës mbi Ibër: Presim konsultime dhe koordinim

PRISHTINË, 18 gusht/ATSH/ Komisioni Evropian (KE) tha të martën se pret “koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota ndërmjet komunave të prekura dhe institucioneve qendrore të Kosovës” për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër – që lidh Mitrovicën e Jugut, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë të Veriut, të banuar me shumicë serbe.

Zëdhënësja e KE-së, Anita Hipper, tha në një konferencë për media më 18 gusht se qëndrimi i Bashkimit Evropian (BE) për urën është i qartë.

“Ajo që kërkojmë, gjithashtu, është që Policia e Kosovës të garantojë sigurinë e të gjitha komuniteteve, në përputhje me parimet demokratike, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, në mënyrë që të gjithë të ndihen të sigurt”, deklaroi Hipper.

Duke folur për gjendjen aktuale, ajo rikujtoi se ura është e hapur për këmbësorë, por jo ende për qarkullimin e automjeteve.

“Ne e kemi bërë vlerësimin tonë, janë ndërmarrë hapa në këtë drejtim. dhe qëndrimi ynë mbetet se ende presim koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota, të cilat duhet të përmirësohen”, tha Hipper.

Deklarata e saj vjen pasi misioni paqeruajtës i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR, njoftoi më 10 gusht se ka nisur “tranzicionin gradual” të pranisë së tij të përhershme në urë.

KFOR-i tha se vendimi lidhet me përmirësimin e situatës së sigurisë, dhe se procesi do të jetë gradual dhe në varësi të kushteve. Ky mision, megjithatë, do të vazhdojë të mbajë prani të dukshme në Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut, si dhe në veri të Kosovës, në përgjithësi.

Ura kryesore mbi Ibër ishte bllokuar pas luftës së vitit 1999 dhe, ndër vite, ka qenë vatër e tensioneve etnike.

Kosova dhe Serbia u pajtuan për hapjen e urës në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Sipas planit të zbatimit, të dakorduar më 2016, ura duhej të hapej për trafik në janar të vitit 2017.

Punimet për revitalizimin e saj, në të cilat u investuan rreth 1.5 milion euro, përfunduan më 2018. Megjithatë, ura nuk u hap asnjëherë për automjete.

Në vitin 2024, përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për hapjen e saj nxitën kundërshtime nga serbët lokalë, dhe kërkesa nga bashkësia ndërkombëtare që çdo veprim të bëhej përmes koordinimit. /rel/

The post KE për hapjen e urës mbi Ibër: Presim konsultime dhe koordinim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  
❌